• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Guvernatori Cuomo:Lutje Kombit: Ndihmoni New York-un!

April 3, 2020 by dgreca

 Nga Dalip Greca/

‘Nuk mund t’i lë njerëzit të vdesin’, ka thënë guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo të Premten, ndërkohë që nënshkruante urdhërin ekzekutiv për të marrë dhe rishpërndarë ventilatorët për spitalet N.Y.

Guvernatori Cuomo u zotua të ndërmarrë veprime urgjente për të siguruar më shumë ventilatorë për ata që kanë më shumë nevojë. Ai e nënshkroi këtë urdhër ndërkohë që NYC shënote deri në atë moment 562 viktima ditore, ndërkohë që në mbrëmje shteti I NY raportoi për 680 të vdekur, ndërsa numri I të infektuarëve e kaloi shifrën 103 mijë. 

Guvernatori të Premten nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke i dhënë atij fuqinë për të marrë ventilatorë nga institucionet private shëndetësore për t’i rishpërndarë tek ata që kanë nevoja urgjente më të mëdha. Urdhërin e ekzekuton Garda Kombëtare.

Guvernatori tha se nuk do të lemë njerzit të vdesin, ndërkohë që ne kemi ventilator në shtetin tonë.

      Duke iu lutur  kombit për të “ndihmuar Nju Jorkun”, Cuomo bëri thirrje përsëri për një qasje kombëtare më të fortë ndaj pandemisë. Ai tha se ventilatorët janë jetikë.

 New York është në krizë. Ndihmoni New York-un!

 “Kur kurba jonë të marrë fund, Njujorkezët do të shkojnë në çdo komunitet që ka nevojë për ndihmë, u zotua guvernatori.

                         24 ORËT E FUNDIT TË PANDEMISË

Edhe 24 orshi pasues mes së enjtes dhe të Premtes ka vijuar me shifra të larta, kryesisht në shtetet që janë më të prekur. Bota numëroi 1 milion 97 mijë e 810 të infektuar sipas të dhënave në mbrëmjen e së Premtes, duke regjistruar 82 mijë e 745 raste të reja, ndërsa numri i viktmave ka shkuar në 59 mijë e 140 të vdekur, me 5 mijë e 972 viktima të reja për 24 orë. Numëri i të shëruarëve raportohet me 228 mijë e 404, ndërkohë që në gjendje serioze kritike janë raportuar 39 mijë e 439.

Për numrin e të infektuarëve vazhdon të jenë në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 276 mijë e 965; vetëm gjatë 24 orëshit të fundit u raportuan 32 mijë e 88 persona të infektuar, dhe po në këtë 24 orësh numri i viktimave ishte +1 mijë e 320, duke e çuar numrin total të viktimave në 7 mijë e 391 në total. Franca renditet pas SHBA për numrin e viktimave të shtuara në 24 orët efundit me 1 mijë e 120(me 6,0507 në total), më pas vjen Spanja me 850(11.198 në total), Italia me 766( me 14,681 në total), Britania e Madhe me 684(3,605 në total) etj.

Në SHBA vazhdon shteti  New Yorkut të mbajë barrën më të madhe të pandemisë. Tani shteti numëron 103 mijë e 476 të infketuar, duke raportuar vetëm në 24 orët e fundit 10 mijë e 423 të infektuar, ndërsa numri i të vdekurëve për 24 orë ishte 680, duke e çuar shifrën totale të viktimave në rang shteti në 3,218. Long Island po lufton me një përhapje në rritje të virusit me 1.400 raste të reja secila në qarqet Nassau dhe Suffolk.

Shteti i New Jersey-t raportoi për 24 orëshin e  fundit + 4,305 të infektuar me COVID-19, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 29 mijë e 895., ndërkohë që për 24 orët e fundit numri i viktimave ishte +109, me një numër total të vdekjeve 646 persona.Edhe Michigani ka pasë në 24 orët e fundit +1,953 të infektuar me numër total 12.744, ndërkohë që për 24 orë u shënuan 62 viktima me numër total 479, Luisiana me 60 viktima për 24 orë me numër total 370, me +1,147 të infektuar në 24 orë, (10.297 në total).

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Ndihmoni NY

Pak humanizëm, të lutem

April 3, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Beteja vazhdon. Edhe historia. Fshatari i thjeshtë ndjek Don Kishotin nga lakmia, kurioziteti dhe besnikëria. Sanço Panço ekziston si brenda ashtu edhe jashtë botës së çmendur të Don Kishotit. Media e opozita luajnë sëbashku dhe shfrytëzojnë çmendurinë e Don Kishotit, por Sanço fshatari shpesh e adhuron, ndonjëherë duke u kapur tërësisht pas çmendurive, e mbron Don Kishotin për besimin në fantazi dhe kështu bëhet pjesë e tij. Ndërsa Don Kishoti është shumë serioz, Sanço ka një sens të shkathët humori. Don Kishoti i serviloset një gruaje që nuk e ka parë kurrë, ndërsa Sanço me të vërtetë e do gruan e tij. Ndërsa Don Kishoti mashtron veten dhe të tjerët, Sanço gënjen vetëm kur s’ka mënyrë tjetër.
Duke jetuar në botën e Don Kishotit dhe botën e bashkëkohësve të tij, Sanço është në gjendje të krijojë ngrohtësinë e tij midis tyre. Ai mishëron aspektet e mira dhe të këqija të epokës aktuale dhe ditëve të kaluara kalorsiake. Ai shfaq gabimet që vihen re në pjesën më të madhe të shoqërisë, por ka një rrëfim të nderuar dhe të dhembshur të tyre, vetira që u mungojnë të tjerëve. Sanço ndan besimin e çmendur të Don Kishotit në virtyte kalorësie, por shmang të lëkundet drejt ekstremit tjetër që e barazon fuqinë me nderin. Megjithëse Sanço fillon të kërkojë më shumë, si bashkëkohësit, kundër të cilëve Don Kishoti rebelohet, ai përfundimisht heq dorë nga magjepsja dhe pranon të jetojë me nder në pozicionin e tij të thjeshtë në jetë. Prandaj Sanço haset si personazhi me perspektivën më të larmishme dhe mençurinë më të madhe, duke mësuar nga bota përreth tij falë kuriozitetit të vazhdueshëm. Megjithëse Sanço është një personazh tërheqës në shumë nivele, është ky kuriozitet përgjegjës për pjesën më të madhe të lidhjes sonë me të. Ai vëzhgon dhe mendon për Don Kishotin, duke na mundësuar ta gjykojmë Don Kishotin. Sanço humanizon historinë, duke sjellë dinjitet dhe hidhërim, por edhe humor dhe dhembshuri.
Përmes Sanços, Miguel Servantes kritikon ekuacionin e konceptuar keq midis klasës dhe vlerës. Megjithëse Sanço është injorant, analfabet, frikacak dhe budalla, ai dëshmon veten si një udhëheqës të mençur dhe të drejtë, një qeveritar më të mirë se Don Kishoti i arsimuar, i pasur, autokrat dhe aristokrat. Në kohën kur Sanço kthehet në shtëpi, ai ka fituar besimin në vetvete dhe në aftësinë për të zgjidhur problemet, pavarësisht nga statusi i tij i klasës së ulët. Sanço shpesh na duket se e di se çfarë do të thotë. Pas një zbrazje 70 vjecarje nga ndjenjat, dhe mbushje me vrasje e mizori, korrupsion e vjedhje që rrjedhin nga elita, personazhi Sanço bëhet forcë humanizuese që i dallon njerëzit me të vërtetë të nderuar, edhe kur ata janë fshatarë a popull i thjeshtë.

Filed Under: Sociale Tagged With: Astrit Lulushi

Një furgon për shqiptarët  në karantinën neutralë të Kapshticës

April 3, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Në pikat kufitare me Greqinë dhe Malin e Zi, kanë mbetur të izoluar disa qytetarë shqiptarë. Informacion ky i dhënë nga televizionet më kryesore të vendit. Madje njëri prej tyre në zonën neutrale të Kapshticës, deklaroi se kish 48 orë që priste ta lejonin, ndërkohë që kishte nënën shumë të sëmurë.

Mirëpo në Shqipëri këto dhe shumë të tjera raste nuk janë problem parësor. Problemi parësor është protagonizmi dhe rrahja e gjoksit, një luftë absurde mes klaneve të vjetra politike. Sapo i bëhet një vërejtje kryeministrit nga opozita ndizen silurat e shtypit pro babait të kombit, madje edhe e pensionistëve që rrojnë me lëmoshat e fëmijëve emigrantë. 

Ka një alergji gati kombëtare karshi opozitarizmit. Megjithëse pak ditë më parë i bën çarçaf ata emigrantë që kanë lënë prindërit dhe kanë marrë rrugët e botës. Edhe në këtë rast gjoja u sulmua babai i kombit, sidomos pas një video ku një e moshuar në Vlorë deklaroi se ushqehej vetëm me ujë me sheqer. Dhe nuk kërkonte gjë tjetër fisnikja, por pensionin e saj. Edhe pse koishent që Shqipëria nuk ka një sistem bashkëkohor si bota, në kryerjen online, për më tepër për brezin e borderove dhe firmës, prapë silurat e kryeministrit gati të shqyejnë opozitarizmin. Dhe për më keq, edhe opozitarë të mos jenë këta që përhapin videot i njëjtëzojnë me Lulin. Në vend të merren me ngërçet, vigjilojnë se çfarë do thotë një opozitar, të tjerat nuk kanë asnjë lidhje me covidin, apo me situatën që po përjeton shoqëria dhe njerëzimi në përgjithësi. Me që jemi te emigrantët, ku një pjesë as që e ”çajnë” kokën për prindërit e tyre, as që duan t’ia dinë, janë katilë etj., si i bëhet halli me këta të uruarit që kanë mbetur në Muriqan, Kapshticë apo Kakavijë? Distanca nga Tirana për në Kapshticë nuk është e njëjta me atë për në Amerikë, Kinë, apo Kanada. Nuk ke për të kaluar oqeanin, as kontinentin. Nuk është se do kalosh përmes Milanos më këmbë dhe pa paimet e nevojshme, nuk është se do i biesh Bergamos përmes dhe s’ka rrugë tjetër. Nuk është se të duhet të shkosh në Wuhanin e Kinës, apo në Manilën e Rodrigo Dutertes ku të presin plumbat. Po kështu edhe për Muriqanin, nuk do i biesh nga Beogradi, nga Lezha do kalosh. Me siguri plot njerëz qeshin, por as dy orë rrugë nuk janë. Për më tepër që një autoambulancë e falur nga një emigrant që ka ”braktisur” vendin, prindërit, një nga Kanadaja e largët, e solli falas. Dhe rri fle kot atje në Mamurras për ca burokratizma nën’punësish me tesera partie. Eshtë gjaku i një emigranti për të ndihmuar komunitetit nga vinte, e solli pa bujë, pa kamera. Kamerat i ka babai me autoambulancat e Dovletit, i ka Olta me dhuratat e Natos, lali Eri nëpër katunde duke ndarë miell. Që i refuzon Greqia dhe Mali i Zi, normale, por të të refuzoj vendi yt se gjoja është mbyllur kufiri, është absurd. Deri në Kapshticë nuk ke nevojë as për Lasgushin. As për kobrat, Dea-n a forcat Seal të Shteteve të Bashkuara, por thjesht një a dy furgona, nafta është për tokë çmimi, trafiku as që ekziston. Problemi është se ata janë emigrantë, shqiptarë të thjeshtë. Dhe ka kohë që dështakët që mbajnë vendin në stanjacion, kanë nisur një fushatë të egër karshi emigrantit. Kjo është e kuptueshme, nuk e duan Shqipërinë si bota, por për vete, një lopë race ku ta mjelin si të duan. Janë shqiptarë të thjeshtë fisnikët, u dhëmb koka nga debatet dhe ikin, duan një jetë më të qetë, një jetë me punë. Janë shqiptarë të thjeshtë se ta zëmë të ishte babai i ndonjë panelisti studioje, do ishte shqyer edhe flota e Natos për t’i sjell në Tiranë. Një furgon duhet dhe thjesht zbatoni proçedurat.

Filed Under: Analiza Tagged With: Furgoni, Ilir Levonja

ALBANA MARTINAJ: I FRIKEM MOMENTIT KUR DO TE KETE ME SHUME PACIENTE SE SA RESPIRATORE E ILAÇE…

April 3, 2020 by dgreca

Flet Albana Martinaj nga fronti i Luftës në Bronx, New York/

Znj. Albana Martinaj punon Infermiere (Nurse RN) në spitalin Montefiore Medical Center–Wakefield Division. /

Siç po e shikoni nga lajmet për ditë stafi mjekësor po infektohet e disa prej tyre kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm. Por ajo që unë kam frikë është momenti kur ka më shumë pacientë seç kemi ne mjete  dhe ilace, e pastaj do vijë puna kush do vihet në respirator e kush jo. Ajo nuk është aspak zgjedhje e lehtë sepse të gjithë jemi njerëz. A.M.

Jemi në Luftë boterore me një armik të padukshem, ju jeni direkt në vijën e parë të frontit 

cila është  detyra juaj në spital për t’i shërbyer popullit amerikan?

Jam Registered Nurse RN në spitalin Montefiore Medical Center–Wakefield Division. Punoj aty prej 7 vjet e gjysmë. Punoj në Telemetry-Stepdown unit, me pak fjalë në repartin e kardiologisë që kujdesohet për pacientët (shpesh janë në gjendje kritike) që kanë nevojë me monitorim konstant.

Si e fillon ditën Albana deri sa shkoni në spital?

Alarmi im bie në 5 të mëngjesit. një falenderim Zotit për një ditë të re, bëhem gati, kafen në dorë, zgjoj femijët te bëhen gati per shkollë, dhe në oren 6:15 jam në makinë. Punën e kam larg gati 40 minuta. Nganjëherë kur jam rrugës flas me familjarët në Shqipëri në Whatsup, e pastaj vë muzikë shqiptare deri sa arrij në punë.  Turni im fillon 7:15 am. Punoj  3 ditë në jave nga 12 orë. 

Si i menaxhoni efektet emocionale kur shikoni të sëmurë të traumatizuar nga kjo gjendje pandemike?

Kur e kam zgjedhur këtë profesion jam përgatitur shpirtërisht se vdekja ashtu si lindja, hidhërimi ashtu si gëzimi janë pjesë e jetës. Por në këtë situatë që po kalojme është shumë e vështirë. Pacientat jane vetëm, familjarët s’janë të lejuar t’i vizitojnë njerëizit e tyre dhe kjo e bën akoma më të dhimbshme situatën. Para 3 ditësh pata nje paciente -63 vjece që megjithëse provuam ti japim okigjen me koncentrim te lartë prapë oxigjeni në gjak sa vinte e binte. Doktori e informon se hapi tjetër do ishte ta intubonim, pra do vendosnin tuba që ajo të merrte frymë. Pacientja ishte shumë e frikësuar ndërsa vellai i saj në anën tjetër të telefonit qante dhe i thoshte se të gjithë do luteshin per të. Ula ilacet që i mbaja në dorë për ta vënë ne gjumë  e ja mbaja dorën duke i thënë se çdo gjë do të bëhet mire. Megjithëse e dija mirë qe aty s’ka garanci. Janë momente që lënë gjurmë në jetën tonë e do na duhet shumë punë psikologjike edhe me veten tonë për ti kapërcyer këto trauma. 

Vazhdoj të lutem për ditë që Zoti t’i jap fund sa më shpejt kësaj krize që po jetojmë. 

Cili është shqetësimi juaj kryesor si punonjëse e shëndetësisë kur ndodheni pranë pacientëve tuaj?

Të them të drejtën, 3 javë më pare kur pacienti i parë Covid- rule out erdhi në repartin tim më takoi atë dite mua. Ishte një zonjë nga shtëpia e pleqve në moshën 80 vjecare. Për një moment u shtanga e i thashë vetes pse më takoi mua? Pastaj i thashë vetes që “lufta” sapo filloi. 

Tani kur shkoj në pavionin tim 98% e pacientave jane Covid +. Reparti ku unë punoj tani është kthyer në reanimacion të improvizuar, kurse ne stafit na kanë dhënë një “crash-course” për t’u kujdesur për këta pacienta që janë në gjendje shumë kritike. I gjithë spitali është mbushur me pacienta që jane pozitivë për Covid. Shumica e tyre janë në ventilators duke luftuar me jetën. Stafi në anën tjetër te shqetësuar sepse veshjet mbrojtëse të lënë për të dëshiruar. Siç po e shikoni nga lajmet për ditë stafi mjekësor po infektohet për ditë e disa prej tyre kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm. Por ajo që unë kam frikë është momenti kur ka më shumë pacientë seç kemi ne mjete  dhe ilace, e pastaj do vijë puna kush do vihet në respirator e kush jo. Ajo nuk është aspak zgjedhje e lehtë sepse të gjithë jemi njerëz. 

Sa kohë keni që punoni në shëndetësi në Amerikë?

Jam duke punuar si RN prej 9 vitesh, por për 7 vite e gjysmë punoj këtu në Montefiore në të njëjtin repart. Të them të drejtën është si familja ime e dytë. Ditën më të parë kur unë fillova  punë u takova me një infermere që tani unë e të gjithë kolegët e mi e quajnë “mami im e dytë”. 

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Unë punoj në spital kështu që ishte e pashmangshme. Është e frikshme sepse kam 3 fëmijë adoloshenta dhe bashkëshortin në shtëpi. Frika që mund të infektoj veten, por edhe ato është gjithmonë në mendjen time. Por i them vetes që do Zoti edhe kësaj vështirësie do ja dalim mbanë. 

Nju Jorku është epiqedra e Amerikës për nga numri i vdekjeve dhe i rritjes së numrit të pacientëve me Coronavirus dhe Covid 19, pse ndodhi kjo?

Arsyeja e parë është popullësia e lartë e NY, së dyti ne kemi Aeroportin JFK më të madh në vend nga ku fluturonin përafërsisht 100 mijë njerëz ne ditë nga të gjitha vendet e botës. Së treti, ne kemi një numër të lartë të banorëve kinezë që jetojnë në 5 lagje të NY-ut që mund të kenë fluturuar për Vitin e Ri Kinez në fillim të Shkurtit. Një tjetër arsye është shpejtësia me të cilin ky virus përhapet edhe kur nuk ke shumë symptoma. Së fundmi, unë mendoj që njerëzit po ashtu edhe qeveria nuk e morën shumë seriozisht në fillim distancimin dhe situatën në përgjithësi.

A mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale?

Jam njeri pozitiv dhe dua ta besoj që ashtu siç erdhi shpejt do të iki shpejt. Na takon secilit nga ne të bëjmë punën tonë të mbrojmë veten dhe të tjerët duke u distancuar, duke qëndruar në shtëpi, të lajmë duartë e të disenfektojmë sa të jetë e mundur mjediset ku jetojmë. 

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe punonjëse në spitalet e Amerikës?

Shqipëria mori masa të menjëhershme që popullësia të jetë në kuarantinë dhe numri i te infektuarve është relativisht i vogël. Por përsa i përket shëndetësisë nqs ne në Amerike jemi të papërgatitur për këtë pandemi nuk dua ta mendoj se si do mund Shqipëria t’ia dalë mbanë nqs numri rritet ndjeshëm. 

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Une kam studiuar Matematikë dhe Juridik (dega e dytë) në Shqipëri. Kur erdha këtu u bëra nënë e 3 femijëve shumë shpejt, por megjithatë nuk doja t’i lija pas dore studimet. Në fillim fillova studimet me shumë pikëpytje në mendje. Pyesja veten të vazhdoj të studioj për mesuese matematike apo accounting siç më sugjeronte një profesor? Por në fund zgjodha shëndetësinë e më duket se ky profesion është “my calling”.

Në New York jetojnë shumë emigrantë shqiptarë. Keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

Tek spitali im nuk kam pasur shumë, por tek Jacobi Hospital ka pasur. Fatkeqësisht kemi pasur dhe viktima të ketij virusi në komunitetin tonë.

Sa është i shqetësuar bashkeshorti apo familja juaj në Shqipëri apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në front të Luftës?

Të gjithë janë të shqetësuar kështu që unë më duhet të vendos një “brave face” dhe t’i qetësoj të gjithë. Ne jemi ato që zgjodhem këtë profesion dhe si edhe semundjet e tjera edhe kësaj do ja dalim mbanë. Shpresojmë që shumë shpejt testimet e castit, ilacet dhe nje vaksinë efikative to prodhohet për popullatën nënjë të ardhme të shpejtë. 

Pse e ndërruat profesionin e mësuesisë me shëndetsinë dhe sa e vështirë ka qenë për të arritur këtë sukses në Amerikë?

Nga natyra jam një person që më pëlqen t;i ndihmoj njerëzit, kështu që ndërrimi i profesionit nuk më duket shumë drastik në këtë aspekt. Më sjell gëzim në zemrën time kur jam në gjëndje tëndihmoj sadopak. Nuk ka gjë me të bukur kur pacienti dhe familja e tij  me thonë “Thank you Alba, you are an Angel”. 

Suksesi në Amerikë arrihet me punë të palodhur. Kam studiuar 4 vite në Lehman College – dega infermieri. Familjarët e mi kanë qenë bashkëvuajtësit e mi. Një dedikim të vecantë ka bashkeshorti im që nuk u lodh kurrë duke më mbështetur që unë ta realizoj jo vetëm ëndrrën time, por edhe të prindërve të mi. Ka punuar 3 punë të ndryshme për të paguar qeranë billat, shkollën time e babysitter. Kur i shoh fotot, kur jam diplomuar me tre femijët e mi shumë të vegjël emocionohem edhe tani.

Shpresoj dhe lutem të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.

Ju faleminderit zonja Martinaj për bisedën dhe paçi shëndet!   

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

3 Prill, 2020, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Albana Martinaj, Keze Kozeta Zylo

JONUZ NDREU U NDA GA JETA, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN DHE VATRANËT

April 3, 2020 by dgreca

JONUZ NDREU U NDA GA JETA, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN DHE VATRANËT/

Sot,3 Prill 2020, në orën 4 të mëngjesit, pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit, vatranit të përkushtuar me një aktivitet prej më shumë se 50 vjeçar në VATËR, përfaqësues i Familjes fisnike Ndreu, nip i heroi Kombëtar Isuf Elezi(Ndreu),JONUZ NDREU.

Lajmi i dhimbshëm ka prekur përveç familjes dhe miqëve edhe të gjithë vatranët që humbën aktivistin e përkushtuar, anëtarin e  Këshillit të Vatrës për dekada, i cili me aktivitetin dhe bujarinë e vet i ndihu Vatrës, pa u krusyer, i dha shpirt nga shpirti i tij. Të gjithë e kishim parë se edhe i ulur në karrocën e invalidit prej rreth 7 vitesh, ai nuk mungoi në aktivitet festive të Vatrës, i ndihmuar nga familjarët dhe miqtë e tij. Vetëm patriotë të atill, me shpirt Kombëtar, bëjnë sakrifica sublime.

Kryetari i VATRËS, z. Elmi Berisha, i përcjell ngushëllimet më të thella familjarëve, vajzave, nipër e mbesa, familjes së madhe Ndreu, këtu në SHBA dhe në vendlindje, të gjithë miqëve, vatranëve dhe të gjithë bashkatdhetarëve!

Pushoftë në Paqë shpirti i burrit fisnik, atdhetarit,që të gjithë jetën punoi me përkushtim për çështjen Kombëtare shqiptare dhe për Amerikën. Ai shërbeu me devocion në ushtrinë Amerikane, ndaj përcjellja i bëhet edhe si veteran i Luftës! 

Pusho në Paqë Njeriu i mirë Jonuz NDREU!

Filed Under: Opinion Tagged With: Jonuz Ndreu, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 656
  • 657
  • 658
  • 659
  • 660
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT