• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇDO REVOLUCION SHPËRTHEN INSTINKTET BARBARE MA ELEMENTARE

April 3, 2020 by dgreca

Nga Aleksander Isaeviç Solzenicyn/*

Dy të tretat e shekullit ma parë, kur isha ende fëmijë, lexojsha me admirim tregime që i thurshin lavdi kryengritsave të Vandea-s, guximit e dëshprimit të tyne, por kurrë nuk do ta kisha imagjinue, as në andër, që në ditët e pleqnisë do të kisha pasë nderin e pjesëmarrjes në inaugurimin e monumentit për nder të herojve e viktimave të atij .rrebelimi.

    Njizet dhetëvjeçarë kanë kalue që atëherë, dhetëvjeçarë të ndryshëm në vende të ndryshme, gjatë të cilëve, jo vetem në Francë por edhe në vende të tjera, opinioni për kryengritjen e Vandea-s e shtypjen së saj të përgjakshme kanë pësue gradualisht qendrime të rinovueme.

Ndezjet pasionante që shoqnuen ngjarjet historike, kurrë nuk lejuen me kuptue e me  interpretue drejt ngjarjet, kurse në nji distancë kohore ma të vonëshme, në nji distancë kur ” gjaknat janë ftohë”, gjykimet kanë qenë ma të drejta e ma afer së vertetës. Për shumë kohë pat qenë ndalue me u folë e me dëshmue se sa patën qenë të vramt e të djegunit gjallë, se çka patën nxjerrë prej gojës në çastet e dëshprimit ato njerëz-viktima të raprezaljeve, ato fshatarë të Vandea-s , të asaj treve me aq tradita pune në favor të së cilës mendohej se revolucioni francez ishte pasë qenë ba, e po ky revolucion i pat shtypë e poshtnue deri në ekstrem tue shkaktue kështu rrebelimin masiv fshatar të Vandeas-s kundë Jakobinve. 

    Se çdo revolucion shpërthen te njëriu, instinktet barabare ma elementare, forcat ma të errtë të smirës, të agresivitetit e të urrejtjes, tashma për bashkëkohësit asht diçka që dihet, por nuk duhet me harrue se në shumë vende të botës, politikanët e moderuem e ato që u akuzuen si të tillë e qe tentuen me mbështetë ide realiste e patën pague, tue e psue randë.

    Shekulli XX-të ka zvogëlue në mënyrë drastike para syve të njerëzimit aurolen romantike që rrethonte rrevolucionin francez të shek. XVIII-të. Prej nji gjysë shekulli te tjetra , tue u nisë prej fatkeqësive personale që patën psue, njerëzit përfundimisht janë bindë se revolucionet shkatërrojnë ndertimin organik të shoqnisë e të rrugës natyrale të jetës, asgjasojnë elementë ma të mirë tue i dhanë fushëveprimi ma të këqijve, që nji revolucion nuk mundet me pasunue vendin, përveç të ndonji aventurieri të paskrupullt, që në çdo vend asht shkaku i vdekjeve të panumurta, të nji vorfnije të skajshme e në rastet ma ekstreme të nji degradimi të gjatë ne kohë të popullsisë.

Nji sllogan me përmbajtje kontradiktorë; vetë fjala revolucion prej latinishtes ” revolve” don me thanë me rrotullue mbrapsht, m’u kthye, me provue prap, me  rindezë ose me ba rromujë. Si e shihni, janë kuptime që nuk ndryshojnë shumë prej njena tjetrës. Në ditët e sotme vendosja e epitetit ” i madh” për ndonji rrevolucion nuk bahet pa ndrojtje e shpesh me keqardhje. Tashma kuptojmë gjthënji e ma mirë që ” efekti social” të cilin të gjithë e dëshirojmë aq shumë, mund të mbrrihet nëpërmjet nji rruge evolutive normale, me pafundësisht ma pak humbje e pa akte mizore. Duhet të jemi në gjendje të përmirësojmë me durim atë çka na ofron çdo situatë ditore. Do të ishte absolutisht e kotë me shpresue se rrevolucioni mundet me rigjenerue nartyrën njerëzore, çka e provoi rrevolucioni i juej  e veçanarisht i joni, rrevolucioni rus që  kishin shpresue aq shumë.

   Revolucioni frencez u zhvillue së bashku me nji sllogan me përmbajtje kontradiktore e të parealizueshme; “Liri, Barazi, Vllazni”, tue harrue se në jetën shoqnore, Liria e Barazia tentojnë me përjashtue njena tjetrën, jane antagoniste. Liria në realitet shkatërron barazinë sociale, asht pikërisht ky njeni prej roleve që luen Liria, kurse Barazia cungon Lirinë, sepse përndryshe  nuk kuptohet se si kishte me u realizue!  Vllaznimi si koncept nuk i përket natyrës së dy të parave e nuk asht gja tjeter veçse nji shtesë e ” rrezikshme”, në fakt nuk janë rregullat shoqnore që krijojnë mundësinë e nji “vllaznimi të vertetë”, tue qenë ky i nji natye shpirtnore. Në fund slloganit të rrevolucionit i shtohej me nji ton kërcënues edhe  shprehja: ” O vdekje…” , çka asgjasonte çdo gja! 

” Kurrë, asnji vendi nuk due me i urue nji revolucion të madh”

    Nëqoftëse rrevolucioni i shek XVIII-të nuk e çoi Francën në shkaterrim të plotë, kjo i dedikohet faktit se ai u pasue prej nji “Terminador-i “. Revolucioni Rus nuk pati nji “Terminador”, për me e frenue, ai pa asnji deviacion e pat tërheqë popullin Rus deri në fundin, në thellësinë e nji humnere të humbjes. 

    Më vjen keq, që këtu nuk gjinden autorë të tjerë, të cilët kishin me shtue  ato që eksperiencat e tyne i patën mësue, ekstremet i përkasin Kinës, Kamboxhias e Vietnamit, ato mund të dëshmojshin se ç’farë çmimi asht pague për revolucionet e tyne!

Kryengritjet e mëdhaja fshatare.

    Eksperienca e revolucionit francez do të kishte qenë e mjaftueshme për organizatorët e programeve ” të lumtunisë njerëzore”, për me nxjerrë mësime, kurse jo, në Russi, u zhvillue gjithëçka në mënyren ma të shëmtueme e në nji shkallë rritëse të pashoqe. Mizoritë e nji periudhe relativisht të shkurtë të revolucionit  francez, patën qenë riaplikue pa hezitim , për turpin e Rusisë, prej komunistave leninista e specilastave internacionalistë, me të vetmin ndryshim që shkalla e organizimit si dhe përsëritja sistematike e tyne i kanë tejkalue tepër atë të jakobinëve. Na nuk kemi pase ” Terminador”, por kemi pasë,  e për kët mund të jemi krenar në koshiencën e shpirtin tonë, Vandean ruse e jo vetem nji. Kujtoj rrebelimet e mëdhaja fshatare të Tambov-it në vjetin 1920 e të Siberisë prendimore të vjetit 1921. Jane ngjarje teper të njohuna, turma fshatarësh të mbathun me caruqe patën marrshue mbi Tambov nën thirrjen e kumonave të Kishës për me qenë mandej të kositun prej mitralozave. Kryengritja ne Tambov pati vazhdue njimbëdhetë muej, megjithëse komunistat gjatë shtypjes patën përdorë tanke, trena të blinduem e aeroplana tue mbajtë rob edhe familjet e kryengritsave, historia provoi që situata shkoi krejtë afer perdorimit të gazit toksik! Kemi njohë edhe nji rezistencë të eger kunder bolshevikëve prej anës së kozakve të Uralit, të Donit, Kubanit e Terekut  që  si dihet u përmbytën në nji prrue gjaku prej nji gjenocidi të pa pamë. 

    Tue inaugurue sot memorialin e Vandea-s suej heroike, pamja e ime dyzohet; shoh me mend monumentet që nji ditë do të jenë rë ndertuem në Rusi, dëshmi e rezistecës kundër përhapjes së hordhive bolshevike. Na së bashku kemi përjetue shekullin e XX-të, nji shekull terrori e frige, fryt i atij “progresi” aq të dëshiruem të shekullit XVIII-të.    

    Sot mendoj se duhet të jenë gjithënji e ma shumë francezë që mund të kuptojnë ma mirë, që mund të vlerësojnë ma saktë ngjarjet e tyne, rrezistencen e sakrificen e Candea-s

Përktheu prej italishtes, Filip Guraziu

( Marrë prej ” Le Monde”)

*( Fjalim i mbajtun në Lucs-Sur-Boulogne në 28.09.1993 me rastin e 200 vjetorit të Kryengritjes së Vandeas prej Aleksander Isaeviç Solzenicyn)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleksander Isaeviç Solzenicyn, Filip Guraziu

LETER NGA STRASBURGU

April 3, 2020 by dgreca

Fotaq Andrea e Moikom Zeqo, dhjetor 2017./

“Njeriu Vitruvian” i Moikom Zeqos – Letër nga Fotaq Andrea/

Strasburg, 2 prill 2020 –

I dashur Moikom,

Duke më dërguar esenë tënde « Njeriu Vitruvian » – një shkrim sa rrëmbyes e gllabërues, aq edhe universalis e quint-essencialis – ti më kërkove shkurt, shumë shkurt, mendim që, në këtë rast, mua do më reduktohej në çast në një përgjigje të thjeshtë, të matur, të kursyer : « Aty-brenda, “Njeriut Vitruvian”, je Ti, me mjeshtëri fjale artistike, je Ti i përplotë, me bukuri estetike e eruditive, je përhershmërisht e madhërisht Ti, miku ynë Moikom,  – të qofshim falë ! »   

E çuditërisht, tek esetë e tua plot tharm meditues që më dërgon herë-herë, ku unë të shoh të depërtueshëm e të tejhovshëm në skutat e gjitharsyes, vetëdijes e simbolikës, jo rrallë më qëllon që, duke të lëçitur vrrullazi, të ndalem mes rreshtave, për të marrë një hop frymë thellë, si të ristartohem në ritmin tënd të befasive perceptive e imagjinative, duke ndjekur ëmbël gjithë sa ti parashtron e shtjellon me shtjella dijeje plot shije të veçantë letraro-artistike e më tej, ekstralinguistike. Faleminderit, Moikom, për kënaqësinë intelektuale që më dhuron.

Të ngulmosh drejt një përfundimi esencial të Jetë-Vdekjes njerëzore përballë Gjithësisë, do të thotë ta kërkosh esencën e saj që në fillesë, në vezë, dhe veç kur e gjen kurorëzimin e përfundimit shi aty ku zë fill pyetja mister, duke shfaqur brenda vetë pyetjes edhe vetë përgjigjen. O Athropos! – e fillon ti esenë tënde me një thirrje panikuese kukuvajte vajtuese –  kukuvajka këtu si shpend nokturn, i njohur si zëri interpretues i Athroposit mitologjik, që vetë shqipja e jep vajtueshmërisht: ku-ku: për ku? për ku? – në ç’drejtim e përfundim pra, ky Fati Im!…  Ja një nga ato thirrje ekzistenciale që befas këput fatalisht fillin e Jetës mes errësirave të Fatit Njerëzor. Dhe aty-aty, pas kësaj apostrofe bodëleriane, vijohet me pyetjen thelbësore e gjithësore: Ç’është Njeriu Vitruvian (?) – një pyetje pra, që përmban përsibrenda vetë thelbin e saj: “Ç’është Njeriu?” fillimisht e përgjithësisht, ai Njeri në mikrokozmosin e tij përballur ethshëm me “Njeriun Vitruvian” të Leonardos në makrokozmosin e Gjithësisë. Shfaqet kësisoj në vetë pyetjen, edhe vetë përgjigja për Fatin njerëzor si Qenie e lartë brenda Trikëndores: shfaqet “Njeriu emblematik”, Njeriu enigmatik”, “Njeriu-Hy”, “Pani me sytë nga qielli drejt kulmit të së Panjohurës”, drejt Firmamentit, ai Pan Hyjni i prozës poetike “Shkolla pagane” të Bodëlerit, me të cilin ti fillon shtjellinë tënde të refleksionit të thellë estetik. Në fakt, edhe vetë Hygoi – siç e di – “Fatin njerëzor” të konceptuar e koncentruar në “Fatin e tij” e perceptoi aq bukur vizualisht, si grafist e ilustrator i mirënjohur që ish, mes një shtjelle mister që e quajti fuqishëm : “Ma Destinée” (Fati Im”). 

Duke u shmangur disi nga tema jonë, sikur të përdorja një loj fjalësh, “Njeriu Vitruvian” klasik i Marcus Vitruvias, e rrjedhimisht “Njeriu Epiqendër” i Da Vinçit, do të na dilte – pse jo? – “Njeriu In Vitrus”, modern, ajo “Bebe Epruveta Louise Brown” e kohëve të sotme, duke na i sfiduar njëfarësoj krejt “Rregullat e Lojës-Fat” të Njerëzimit. Po këtë shmangie, miku im, po e bëj ashtu-kalimthi, sa për t’iu larguar disi filozofisë sokratike të formulës  “Njeri – Njih vetveten ti vetë – Connaît-toi toi même” siç thotë frëngu, formulë e rrëmbyer në thelbin e vet epistemiologjik nga Hegel, Marks e më pas nga Sartri ekzistencialist. Nuk kërkohet kësisoj këtu, as më shumë, as më pak, por vetë thelbi i çështjes: “I dashur Njeri – dije pra, që ti, përtej gjithçkaje, nuk je tjetër veçse një Vdekatar brenda Trikëndores leonardine, ose ndryshe: “Ti, more Zotëri, nuk je Hyjnor, Hyjnor ish veç Pani i Bodlerit”. 

Ja pra, i dashur Moikom, nga “Njeriu enigmatik” tek “Njeriu Problematik” që ti parashtron gjerë e gjatë në esenë tënde, unë shoh të ndërthuren e të ndërlikohen dy elementët e tij përbërës: Njeriu dhe Problemi i tij, ose ndryshe Njeriudhe Esenca e tij. Dhe, kur ti flet me të drejtë për “Shpirtin Problematik të Europës”, mua nuk ka se si të mos më shkojë mendja edhe tek zviceriani Denis de Rougemont (që ka vlerësuar si filozof modern kryeveprën “Ese për gjuhët natyrale” të Konicës), i cili – Rougemont –, sipas Saint-John Perse mishëron figurativisht Homo Europeanus-in e së ardhmes, duke qenë një pionier e përkrahës i flaktë i Federalizmit Europian. 

Rrjedhimisht, i dashur Moikom, tek “Mona Liza pluri-engmaike” e Leonardos, tek “Kështu foli Mona Liza” tënde, vepër – traktat gjithëpërmasor, mund të gjurmohet e të kërkohet vetë Njeriu kompleks drejt së Panjohurës, ku/kur nuk do të mjaftonte kurrësesi një parashtrim i thjeshtë i pyetjes: “Cila jeni ju Zonja Mona Liza?”, apo “Cili jeni ju Zoti Njeri?”, kur faktikisht “Zoti Zot” moikomian është vetëm Nji !  Dhe, për më tepër, kur Hyut Pan i mjafton, në fund të fundit, Pafundësi e tij në Shkallën Zero të Kuptimit e të Pakuptimit njerëzor! Dhe për akoma më tepër, kur vetë Jeta njerëzore është shterruese, drejt një dekostruktiviteti gradual të pandalshëm, drejt një Hiçi, një Hiçmosgjëje, si të priste durueshëm vetë Zonjën Vdekje, të ftohtë, të ngrirë. À la Covid19! “E ç’jemi, në fund të fundit, do thoja me gjuhën e labit, një m… që të na hajnë pulat!”… 

Nuk ka si të mos vëmë re, përfundimisht, se esseja « Njeriu Vitruvian » i Zeqos – falë një shqetësimi, meditimi, interpretimi e qëndrimi ndaj së Vërtetës së Vërtetë, mes lodrimit të të panjohurave ndërlidhëse të tokësores me kozmiken Da Vinçiane –, përbën në vetvete një Kartë Mendore e krejt erudicionit moikomian, një shtegtim rrethor fillim-mbarim, një itinerar figurativ i Njeriut Univers leonardin përmes estetikës, letërsisë, artit e poeticitetit, në kërkim ngulmues, hutues e të ethshëm të Thelbësores, të gurit filozofal, të arit të së fshehtës kozmike, ironike, mitike e mistike të Mona Lizës, asaj mishëruese të madhërishme të Qenies njerëzore, të cilën Umberto Eco e do dhe e kërkon në Universin continuum, si një xhevahir simbolik, të aftë për të modifikuar edhe vetë Krijimin Hyjnor. 

Gjithçka pra, në këtë esse moikomiane “Njeriu Vitruvian”  të josh, të këndell, të zbukuron shpirtërisht, tek merr vetë Fjala ngjyra ylberore poetike, tek shfaqet gjithë zhdërvjelltësi në vlera të shumëfishta estetike e filozofale, duke gumëzhirë përmes asociacionesh të fuqishme ideore në një mbushulli paradigmash koherente, në kërkim të ngulmtë e të përhershëm të “Njeriut Vitruviano-Leonardin” të Moikom Zeqos. 

Të përqafoj me mall miku im, nga një distancë urdhëruese shtetërore 1000 km larg, distanca jonë pandemike e Covid19. F. 

Ma Destinée – Fati im, nga Victor Hugo /

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, leter

UA SJELL NË SHTËPI TUSH(TONY) MUSAJ…

April 3, 2020 by dgreca

  • BASHKATDHETARË TË BRONX-it, TUSH (TONY) MUSAJ UA DËRGON USHQIMET NËPËR SHTËPI.TELEFONO TANI: 347-593-7028-/

Në kushtet e urdhërit ekzekutiv të dhënë nga autoritetet e shtetit të New York-ut për t’u mbyllur në shtëpi, një nga bashkatdhetarët tanë së bashku me familjen ka nisë që t’i furnizojë shqiptarët nëpër shtëpitë e tyre. Nuk bëhet fjalë për ngritje çmimesh në këtë situatë, përkundrazi, kushdo që do t’i telefonojë Tush(Tony) Musaj në tel: 347-593-70 28, ai do t’ua dërgojë me makinë në shtëpi dhe me 10 për qind më të ulët se do të bliheshin në dyqane. Ai tregton të gjitha llojet e ushqimeve të kuzhinës shqiptare dhe asaj ballkanike: Përvec ushqimeve të domsodoshme të kuzhinës, përvec djathrave, miellrave, fasuleve, frutave, perime të shumllojshme të konservuara, ullinëjve, Vajra gatimi, Vajra sallate, vaj ulliri, salca, mish të thatë, mishra të freskëta, sallamra e suxhuk dhe  shumë ushqime të tjera Iigjeni në njësitë tregtare ushqimore të familjes Musaj në Bronx, NY  si: ”European Fresh Produce” në adresën :720 Lydig Avenue, Bronx, NY 10462,në “ Nick’s European  Market “ në adresën: 2137 Williams Bridge Road, NY 10462 , në “EMN Euromart” në adresën: 2000 Continental Ave, Bronx, NY 10461.

Mos harroni, telefonojini TONY: 347-593-7028.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Tush Musaj, Ushqime

Europa do të rilindë me Italinë ose do të bjerë me të

April 3, 2020 by dgreca

Frédéric Koller/

Editorial/

Europës i kanë mbetur dhjetë ditë për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë nga Italia. E ardhmja e Unionit është në diskutim.

19 vendet e eurozonës i kanë dhënë vetes deri në Pashkë për t’iu përgjigjur kërkesave të mëdha për ndihmë të Italisë. Italia, vendi më i prekur nga bota, nga pandemia e Covid-19, është gjithashtu me më tepër borxhe në kontinent pas Greqisë. Ekonomia e saj nuk do të mbijetojë pa një përpjekje të paparë nga partnerët e saj europianë për të shfaqur solidaritetin e tyre financiar dhe për të garantuar besimin e tregut. A do të jenë në gjendje? A do të jemi dhe ne në gjendje?

Duhen rrëzuar tabutë

Një takim i Eurogroup, javën e kaluar, u shndërrua në një fiasko me rishfaqjen e ndarjes, midis mbështetësve të ortodoksisë financiare dhe mbështetësve të masave jashtë skemave klasike të liberalizmit, disa ministra të veriut nuk nguruan tu japin mësim kolegëve të tyre nga jugu. Një qëndrim i cili, përballë rrezikut me të cilin përballet Europa, është bërë i papërgjegjshëm. Me krizën e koronavirusit, është koha për të shembur tabutë e vitit të kaluar. Kjo është ajo që Komisioni Europian ka filluar të bëjë, duke hequr dorë nga Pakti i Stabilitetit dhe rregulli i tij 3%. Do të duhet të shkojmë më tej për të rindërtuar kontinentin, pasi virusi të ketë kaluar.

Ata që mendojnë se mund të zbatojnë sot në Itali rregullat e shtrëngimit të vendosura dje Greqisë, në këmbim të mbështetjes, gabohen seriozisht. Italia nuk po përballet me një krizë për shkak të keqmenaxhimit të fondeve të saj publike, por me një katastrofë natyrore që godet të gjithë planetin. Nesër, shumica e shteteve europiane do të kenë probleme. Eshtë jo vetëm urgjente të aktivizohet Mekanizmi Europian i Stabilitetit, pa kushte, por edhe ndonjë masë tjetër stimuluese, duke përfshirë edhe bashkimin e borxheve të ardhshëm, nëse është e nevojshme.

Me Zvicrën

Përndryshe, rënia e Italisë, nesër e Spanjës, do të çojë në shpërbërjen e zonës së euros dhe me atë të Unionit. Europa është e dënuar të rilindë me Italinë ose të fundoset përkrah saj. Dhe për ata që në Zvicër do të gëzoheshin për dështimin europian, ata do ta kuptojnë që edhe kjo fundosje do të jetë e jona. Në këtë krizë, është në interesin e Zvicrës të tregojmë solidaritet me Italinë, me Europën, çfarëdo që të vendosin fqinjët tanë. Sepse ne jemi në të njëjtën anije, atë të një kontinenti, vlerat e të cilit janë nën kërcënim nga të gjitha palët.

Përkthyer nga Alfred Papuçiu

Marrë nga gazeta “Le Temps” (Koha/

Filed Under: Editorial Tagged With: Alfred Papuçiu, Frédéric Koller, Italia

BOTA PËRBALLË COVID-19 NË 24 ORËT E FUNDIT-MBI 1 MILION TË INFEKTUAR

April 2, 2020 by dgreca

  • Bota, mbi 1 milion të infektuar, 79,303 në 24 orët e fundit, 212,018 të shëruar…
  • SHBA-29.430 të infektuar për 24 orët e fundit dhe 968 të vdekur në 24 orët e fundit.
  • New York-u 9,152 të infektuar të rinj dhe 319 të vdekur në 24 orët e fundit, New Jersey 3,335 të infektuar të rinj dhe 182 të vdekur në 24 orët e fundit…
  • Presidenti Trump doli për herë të dytë negativ në testin për COVID-19…
  • Guvernatori Cuomo jep alarmin për mungesë ventialtorësh…rezerva vetëm për 6 ditë!

New York, 2 Prill 2020- Bota shënoi një moment historik të zymtë të enjten, duke regjistruar më shumë se 1 milion raste të konfirmuara të koronavirusit që ka përfshirë globin në më pak se pesë muaj.

Bota vazhdon të mbrohet me sa mundet përballë armikut të padukshëm, ndërkohë që shifra 1 milion të infektuar me ÇOVID-19, ka mbetur pas, edhe pse ka shkëndija shprese pasi ilaçet egzistuse në pritje të vaksinës kanë kthyer në jetë disa mijëra të sëmurë që ishin në gjendje kritike. Shifra e të shëruarëve në mbarë Botën shënon 212,018. Numrin më të madh të të infektuarëve në 24 orët e fundit e ka pasë SHBA me 29.430 persona, Spanja me 7,947, Italia 4,668, ndërkohë që më shumë të vdekur ka pasë Franca që për 24 orë numëroi 1,355 viktima, SHBA me 968, Spanja 961, Italia 760 etj.

Në SHBA New Yorku sërish ka mazhorancën e shifrave si për numrin e  të infektuarëve ashtu edhe për numrin e viktimave për 24 orë. Tashëm shteti i New York-ut numëron 93,053 të infektuar në total, me + 9,152 të infektuar të rinj në 24 orët e fundit, me 319 të vdekur duke e çuar numrin total në 2,538, më pas renditet New Jersey me + 3,335 të infektuar të rinj, duke e çuar numrin e të infektuarëve në 25,590, me 182 të vdekur për 24 orë, më pas renditen California me 24 të vdekur në 24 orët e fundit , Michigani me 80 të vdekur në 24 orë, , Loiusiana me 37 viktima, Florida me 32 viktima në 24 orët e fundit  etj…

Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo ka dhënë alarmin për mungesë ventialatorësh. Ai tha se New Yorku ka rreth 6 ditë rezerva për të parballuar betejën. Cuomo paralajmëroi se nëse rritja e numrit të njerëzve që vijnë në spitale shtohet, dhe natyrisht kanë nevojë për respiratorë, pas gjashtë ditësh ne dorëzohemi, nuk do të kemi me se t’i ndihmojmë..

Amerika vazhdon të tronditet në këtë betejë dhe po ndjenë gabimine madh që ka bërë duke lejuar vetilatorët dhe pajisjet e tjera të eksportoheshin para shfaqjes së krizës. Më shumë se 1.000 njerëz patën vdekur gjatë ditës së Mërkurë, por gati dhe kaq u raportua në mbrëmjen e vonë të së enjtes. Presidenti Donald Trump dhe zyrtarët e shëndetësisë federale parashikuan një periudhë “shumë të dhimbshme” në luftën kundër coronavirusit dhe vijushmëria e 48 orëve të fundit po e vërtetëton parashikimin. Ditë më të vështira priten me pikën kulmore që mendohet se vjen rreth 15 prillit.

Kur Bota numëronte 1 milionshin e  të infektuarëve, SHBA mbante record me ¼ e shifrës botërore.Papunësia po rritet në progresion gjeometrik. Brenda javës u dyfishuan shifrat; nga 3,3 milion në 6,6 milionë të papunë me tendencë rritje. Kriza ekonomike po thellohet. Njerëzit po rrinë të mbyllur në shtëpi, ndërkohë që presin ndihmat e qeverisë. Nga ana e tij Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin deklaroi se shumë amerikanë do ta marrin ndihmën – stimul deri në 1.200 dollarë,që do të depozitohen në llogaritë e tyre bankare për rreth dy javë. Për ata pa depozitë të drejtpërdrejtë, Mnuchin premtoi se së shpejti do të kenë mundësi edhe ata ti marrin.

Ky njoftim përgënjeshtroi deklaratat e demokratëve që paralajmëruan se disa amerikanë do t’u duhet të prisnin deri në 20 javë para se të merrnin ndihmat e akorduara nga qeveria federale.

-“Shpejt, javë, jo muaj”, tha Mnuchin për paratë që po priten.

Presidenti Donald Trump ka testuar negativ për koronavirusin për herë të dytë. Duke folur të enjten në konferencën e përditshme të Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se ai e mori testin më herët gjatë ditës dhe rezultatet dolën brenda 15 minutave.Një test i mëparshëm u krye tre javë më parë pasi një zyrtar Brazilian, që u takua me Trump në Florida, ksihte dale pozitiv. (Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Bota 1 Milion tw infektuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 657
  • 658
  • 659
  • 660
  • 661
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT