• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjekët ushtarë, pothuaj kamikaze, dhe italianët që mësojnë të falenderojnë shqip

March 30, 2020 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noé/

Kurrë si tani, gjatë gjithë këtyre viteve të pranisë time në Iali, e kam ndjerë veten kaq krenar sa dje. 

Në kohën kur sapo kisha nisur ta konsideroja veten një binjak të Cilan Murfy-t tek filmi “28 ditë më pas”. Por ja që, edhe në çastet më depresive, më arrin si një ndërhyrje hyjnore një tridhjetëshe shqiptare, mjekë e infermierë të maskuar sa nuk mban më, që zbresin nga avioni me një qëllim fisnikërie të lartë: Të vënë në rrezik jetën për t’i shërbyer një populli mik. 

Si të gjithë bashkëatdhetarët e mi renda edhe unë të lexoj reagimet e italianëve. Aq pozitive sa të ngjethin mishtë. Nuk është e tepruar të them se u përlota. Shpesh në shumë prej tyre i gjeta falenderimet dhe përshëndetjet ndaj Shqipërisë në gjuhën tonë. Edhe në mesazhet vetiake që më erdhën nga socialet. 

Ai dru i shtrembër, që nuk i ndahet asnjëherë stivës së shqiptarëve, ishte vetëm përdorimi politik i këtij gjesti fisnik. Italianëve u kishin ardhur ndihma në mallra e specialistë edhe nga vende të tjera, sidomos ish komuniste, por në asnjë rast, as edhe tek kinezët, nuk pashë ndonjë kryeministër që t’i përcillte, apo ministër të jashtëm që t’i shoqëronte.

Pse gjithë ky pompozitet për një gjest kaq njerëzor?

Më vjen i natyrshëm një dyshim që nuk dua ta besoj, pasi më shkatërron kënaqësinë që në lindje: a ishin vullnetarë? Ndokush duhet të na e sqarojë këtë detaj kaq të rëndësishëm. Nuk jam vetëm unë që e shpreh këtë dyshim serioz. 

Nëse janë të tillë, atyre duhet t’ju kërkoj falje, por jo përcjellësit apo shoqëruesit. 

Si e qysh e shrytëzoi këtë tridhjetëshe në të bardha ministri i jashtëm italian? Edhe ai për propagande në çastet më të vështira të parabulës së tij politike. Apo u detyrua të bënte nderet e zotit të shtëpisë i ndodhur para një fakti të kryer!?

Si i bëhet t’i mbushësh mendjen atij gjatoshit tonë që mos bëjë fushatë elektorale të përhershme? Apo i merr edhe italianët si votues të tij? Apo kujton se Di Maio e ha sapunin për djathë? Edhe mundet, por ai made in Albania i sotëm është kaq banal, sa askush nga Evropa nuk mund ta shkëmbejë për një të parfumuar. 

Sidoqoftë, ju përqafoj të gjithëve, një për një, juve të tridhjetëve që sot, në një epiqendër pandemie Lombaardia, nisët misinonin tuaj që nuk uroj në asnjë rast të kthehet në pikiatë kamikazesh. Shpirtrat tanë janë atje, me ju, gati t’i hidhen në fut gjithkujt që vë në rrezik mbijetesën tuaj.

Përqafime, përqafime, përqafime. U kthefshi të tridhjetë shëndoshë e mirë, o shqipe të mbuluara edhe me tringjyrëshin italian. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Mjeket ushatre, Nga Shpend Sollaku Noé/

COVID-19:CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

March 29, 2020 by dgreca

GUVERNATORI CUOMO ZGJAT DERI NE 15 PRILL AFATIN E MBYLLJES PËR BIZNESET JO JETIKE/

  • “PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER/
  • CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER/

      Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të kenë rritje të numrit të infektuarëve me 17,981 për 24 orë , me 2,469 viktima (249 për 24 orët e fundit), duke e cuar numrin e përgjithshëm të të infektuarëve në 141,559 me 4,435 të shëruar. New Yorku vazhdon që të jetë në qendër e epidemisë të COVID-19.

                       Nuk i kanë shpëtuar kësaj epidemie as bashkatdhetartë tanë, edhe pse nuk i kemi të dhënat e plota, shënojmë se: Të Dielën u shtrua me shqetësime në frymëarrje edhe një bashkatdhetar shqiptar me banim në Bronx,i moshës 79 vjeçare duke e çuar në 5 numrin e shqiptarëve në NY të identifikuar si bartës të virusit dhe me probleme.

  Edhe New Jersey, fqinjë me New Yorkun, ka filluar ta rrisë shkallën e të prekurëve dhe të viktimave. Për 24 orëshin e fundit u raportuan 2,262 të infektuar plus, duke e çuar numrin total në 13,386,i renditur i dyti në radhën e shteteve të prekur nga Coronavirusi, dhe u shënuan 21 viktima për 24 orë. Edhe Michigani i ka rritur shifrat e të infektuarëve me 836 pacientë të infektuar vetëm në 24 orët e fundit, 21 vdekje më shumë në këtë fundjavë, Illinoisi gjthashtu shënoi 18 viktima në 24 orët e fundit.

New Yorku mbanë peshën kryesore të panepidemisë. Pothuajse 60,000 raste të infektuar nga koronavirusi dhe 1.000 vdekje ishin të dokumentuara deri të dielën në të gjithë Shtetin e New York-ut, njoftoi të Dielën Guvernatori Andrew Cuomo, ndërsa zgjati deri me 15 prill afatin e mbylljes të bizneseve jo jetike në të gjithë shtetin.

“Virusi vazhdon marshimin e tij në të gjithë shtetin e Nju Jorkut,” tha Cuomo në konferencën e tij të përditshme të shtypit në Albany, duke përmendur se vetëm dy qarqe në të gjithë Shtetin deri më tani nuk kanë raste të konfirmuara të COVID-19. “Nju Jorku është epiqendra.”, përsëriti ai.

Tani shteti i New Yorkut ka regjistruar  59.648 pacientë të konfirmuar, me 965 të vdekur, theksoi Cuomo.

Kjo shifër përfshin 32308 pacientë të infektuar dhe 678 vdekje vetëm në New York City, ku një banor tani po vdes çdo 8.9 minuta, sipas statistikave të qytetit.

Me kulmin e kurbës, që end enuk ka ardhur, Cuomo zgjati urdhrin e tij “PAUSE” duke detyruar mbylljen e bizneseve jo-thelbësore në të gjithë shtetin, për të paktën deri në 15 Prill, me tendencë rishtyrje për më tutje, ndoshta edhe majin, por të kemi parasysh deklaratë e Presidentit Trump se 1 Qrshori mund të jetë data e daljes nga beteja.

Gjithësesi Cuomo paralajëmroi se ky afat kohor nuk është përfundimtar pasi po ndiqet situata çast pas çasti dhe në përshtatje me çfarë do të ndodhë do të merren edhe masat e mëtejshme.

“PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER

Avokati 50-vjeçar që ishte pacienti ‘zero’ në Westchester ka dalë nga spitali i shëruar dhe ka shkuar në shtëpinë e tij, njoftoi Guvernatori i shtetit të New York-ut, Andrew Cuomo të Dielën.

Eshtë fjala për avokatin Lawrence Garbuz – i cili u identifikua më 2 Mars si mbartësi i parë i virusit COVID-19 në New Rochelle, dhe më pas infektoi në mënyrë zinxhir 50 persona. Ai gati u shtrua në gjendje kome, kur e dërguan në spital, por mjeksia arriti që ta shëronte, dhe pas 27 ditësh ai u kthye në shtëpi.

Guvernatori e kishte lënë lajmin për ta bërë surprizë gjatë konferencës për shtyp kur deklaroi: “Pacienti zero ‘në Westchester, New Rochelle – i cili ishte shumë i sëmurë për një kohë shumë të gjatë, në fakt ka shkuar në shtëpi”.”Ai është jashtë spitalit,” tha guvernatori, duke mos dhënë detaje të tjera.

Garbuz – i cili udhëtoi me trenin e Metro-Northit për të arritur në firmën e tij avokatore në Manhattan – nuk kishte shkuar në ndonjë shtet tjetër jashtë SHBA ku ishinpikat e nxehta të koronavirusit, por ka të ngjarë ta ketë marrë virusin nga dikush tjetër brenda vendit.

Virusi u përhap me shpejtësi në mesin e dhjetra  personave në komunitetin e tij, duke e shtrirë veprimin e koronavirusit në sinagogën e familjes.

Cuomo të Dielën e përdori atë si një shembull se si veprimtaritë fetare kanë bukurinë e tyre, por ndodh që edhe sëmurin shumë njerëz.

CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

CBS News po vajton për humbjen e Maria Mercader, një veterane e gazetarisë. Ajo mbuloi lajmet e rrjetit CBS për gati tre dekada dhe ndihmoi në formimin e strategjisë për korrespondentët dhe reporterët e rrjetit.

Maria ishte 54 vjeç dhe vdiq nga koronavirusi Covid-19 në një spital të New York, edhe pse vuante nga kanceri. Ajo kishte qenë në pushim mjekësor, por që nuk lidheshin me koronavirusin, që nga muaji shkurt.

Maria luftoi kancerin për më shumë se 20 vjet, dhe ishte një frymëzim sa herë që kthehej në punë, edhe pse e dinte se sëmundja e kërcënonte t’i jepte fund jetës, por ja edhe COVID-19 e sulmoi atë.

“Më shumë sesa talent-është shprehur Susan Zirinsky, presidente CBS News-“Maria ishte pjesë e gjithë jetës sonë. Edhe kur ishte në spital, ajo do të thërriste dhe do të ndihmonte me këshilla, inkurajim dhe do të thoshte ‘ju mund ta bëni këtë.” Unë e quaja Marian një “luftëtare”. Maria ishte një dhuratë që ne e vlerësonim “….

Maria filloi në CBS News në vitin 1987.Ajo mbuloi ngjarje të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë vdekjen e Princeshës Diana dhe sulmet e 11 shtatorit. Ajo fitoi një çmim Emmy  në 2004 për punën e saj në një raport “CBS Sunday Morning”.

Maria Carla Mercader lindi në 28 nëntor 1965 në New York City. Ajo ndoqi Dominican Academy në Manhattan, dhe u diplomua në College of New Rochelle në vitin 1987.

Frymëzuar nga nëna e saj, Gladys, e cila ishte pianiste për Teatrin e Baletit Amerikan, Maria e donte muzikën dhe ishte një mbështetëse e madhe e baletit.

NJË SHËRBIM I RI URGJENCE NË MANHATTAN PËR COVID-19

Në kërkim të rritjes së kapaciteteve të shtretërve dhe hapsirës, këto ditë është duke u ndërtuar edhe një spital në terren i urgjencës në Parkun Qendror të Manhattan, njoftoi stacioni lokal i lajmeve NY1. Objekti me 68 shtretër ndodhet përtej vendndodhjes së Spitalit Mt Sinai në anën Lindore. Do të ketë një “njësi të kujdesit të frymëmarrjes me aftësi të ICU” dhe do të jetë në gadishmëri operacionale deri të martën në mëngjes, trasmetoi NY1.

Punëtorët e një organizatë të krishterë nga Karolina e Veriut kanë filluar ndërtimin e strehimoreve të përkohshme mjekësore. Dr Elliott Tenpenny, i cili drejton ekipin, tha se zyrtarët shtetërorë e hartuan planin pasi M Sinai kërkoi ndihmë.

Themelimi i një qendre të përkohshme mjekësore vjen midis tensioneve në rritje në sistemin mjekësor të qytetit të Nju Jorkut, duke filluar nga një fluks i pacientëve me koronavirus deri tek mungesa e aksesit të punonjësve të kujdesit shëndetësor në pajisjet mbrojtëse.

Përgatiti: Dalip Greca

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

Për ata 30 mjekët 

March 29, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nëse 30 persona me titullin e mjekut u nisën të ndihmojnë Italinë, së pari ky është një xhest i lartë i atyre vet. Se shoh që plot qytetarë shqiptarë postojnë statutet e Edi Ramës në shenjë miqësie me Italinë. Dhe u duket si gjë e jashtëzakonshme e parë po me sytë me Ramës. Unë dua ta besoj se është një vullnet i lirë i tyre se ndryshe po t’i referohesha Ramës, do thosha që ata kanë shkuar me urdhër, por nuk e besoj. Nuk e besoj pasi e di që vendi im është viktima më flagrante e propagandës shtetërorë, jo vetëm e këtij të tanishmit, por çfarë ka historia e qeverive. Koha ju ka dhënë mundësinë të keni një ballkon nga ku ju mund të tregoni vetveten, ky është interneti ndaj bëjeni. Bëjeni me zërin tuaj se momentalisht po vërtetohet që popujt janë viktimë e bujshme e strategjive shtetërore. Dhe thuajse në ato me liritë e merituara kanë hasin sot sa qytetarinë për tu bindur, sa mosbindjen me një menefregizëm si ai i Londrës që dalin parqeve dhe ndezin zgarat. Kjo është natyra perëndimore ndaj kur bëhen krahasimet si është e mundur robotizimi social i Kinës dhe jo ai konservatorëve londinezë, kuptoni dallimin në esencë. Se ndërkohë harrojmë që Kina gjoja e hapur jo vetëm që vjen nga një diktaturë e proletariat por akoma lundron në ‘të. Lërini Ramën dhe ramijtë mënjanë dhe qëndrojini vetvetes, mos u mahnisni me selfiet e tyre, janë propogandë. Në mëngjes u thotë njerëzve mos dilni nga shtëpia, në mbrëmje po nuk paguat dritat ju gjen belaja. Shumë nga ju sot i rrahin shpatullat për punën e madhe në drejtim të izolimit, por askush nuk mendon se është e vetmja armë e zellshme për shkak të një buxheti që nuk paguan dot as pagat dyjavore të këtij muaj për ata që janë mbyllur brenda. Pa përmendur të pa punët që kanë një jetë që nuk e njohin borderonë. Për më tepër që në një shoqëri si e jona, në një familje me 5 a 6 pjestarë punon vetëm një. Dhe ky ushtar i bindur i tregut të zi ose informal. Nuk ka alternativë tjetër si shtet, ka vetëm propagandën. Ndaj del orë e çast dhe merr në gojë Amerikën, a amerikanët se gjoja nuk kanë mjekë a spitale për të përballuar situatën. Ua kam thënë dhe herë të tjera na pyesni ne që jetojmë këtej. Kemi organet tona të shtypit, si Dielli, Illyria, Zërin e Amerikës ku mund të ndiqni dhe të ballafaqoni drejt për drejtë realitet. Nuk është gallofi Edi Rama dritarja e vetme e informacionit, ai që për të larë me shi të pëgërat e tija dhe sojit të tij, u thotë se as Amerika nuk ka mjekë të mjaftueshëm. Janë ca idiotësira që fatkeqësisht nuk u ka ikur akoma koha pasi një pjesë dërrmuese e shoqërisë sonë akoma kanë një burim informacioni, atë të shtetarit të tyre të dështuar. Ata tridhjetë titullarë nuk janë produkt i shtetit por i prirjes shpirtërore mes qytetërime. Dhe kthejeni nga të doni, vende si Italia, Greqia e Gjermania janë kreu që ne u detyrohemi shumë. Sot shpirti i shqiptarit është pranë atij italianit dhe ju e dini arsyen. Ekranet shfaqin thuajse çdo mbrëmje mjekë dhe infermierë shqiptarë në Itali, Spanjë, Francë, Gjermani, Austri e të tjerë vende. Pa përmendur tashmë faktin se pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë integruar 90% aty. Nuk doli shtetar shqiptar ta postojë një statut me ata që ikën nga malet në Greqi, me gomonet, a ambasadat më herët. Përse duhet ta bëjnë tani me tridhjetë titullarë nga mjekësia, për çfarë merite? A i jepni dot shpjegim? Dhe kur ta bëni, mos harroni pamjet me anijet e 90-tës në portet e Barit. Mos harroni memorien se krahasimi është mjeti më demaskues. Pastaj kujtohuni se përpara se të flasë një shtetar për virtytet mes popujve, merita është e juaja. 

Të ishte për shtetarët, sot do ishim akoma diktaturë e proletarit dhe Italia një vend i bllokut kapitalist. Të ishte për shtetarët sot do kishit një solidarizim më njerëzor të njëshit dhe jo një cinizëm mendjemadhi që ju kërcënon me faturat e dritave. Në një vend ku thuajse industria e lehtë dhe rëndë nuk punojnë, ku thuajse 90% e bizneseve janë mbyllur, fatura e energjisë as që duhej çuar nëpër mend jo më tu sillet sysh si kërcënim. Lutjuni për ata bij siç e bëni përdita nga shtëpia juaj, për djemtë e vajzat tuaja, lutuni me shpirtin tuaj, lutuni me duart tuaja jo të Ramiut e plotë nga soji i tij. Lutjuni që të kuptoni se edhe krenaria është pronë e juaj, jo e tyrja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mjeket ne itali

Covid-19 dhe spektri i mungesës së ushqimit

March 29, 2020 by dgreca

Përgatitur nga Alfred Papuçiu/

Në këto ditë të Covid-19 po vërehet një fenomen jo i zakonshëm. Nga njëra anë, konsumatorët janë duke bastisur raftet e produkteve ushqimore dhe shtetet po krijojnë stoqe.  Nga ana tjetër, disa vende prodhuese po kufizojnë ose madje ndalojnë eksportet. Kjo gjë  shkakton panik midis konsumatorëve dhe rrit çmimet. 

Kërkesat janë rritur për produkte të tilla si makarona, peta, pita apo edhe tortilla. Planeti i tërë i do këto ushqime të bëra nga mielli i grurit. Në  Europë dhe shumë vende të tjera, menaxherët e ushqimit mund të na sigurojnë që ka prodhim dhe rezerva të mjaftueshme, por blerjet e çfrenuara nuk ndalojnë. Eshtë e vërtetë që përballet me paqartësitë që lidhen me pandeminë Covid-19, produktet si makaronat  etj., janë veçanërisht të lehta për tu ruajtur.

Ndërkohë, çmimi i grurit është në rritje, por shpërthimi i kërkesës nuk është  e vetmja arsye. Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, por edhe në Europë, të korrat e drithërave përballen me mungesë të punëtorëve sezonalë, për shkak të mbylljes së kufijve që lidhen me Covid-19. Vështirësitë vazhdojnë edhe në aspektin e logjistikës; transporti detar dhe portet punojnë më pak dhe vonojnë dërgesat.

Zhurma e blerjes nuk ka të bëjë vetëm me familjet. Në panik nga perspektiva e mungesës së ushqimit, vendet importuese po përpiqen të realizojnë kontratat me çdo kusht. Për shembull, Kina, e cila duhet të ketë rezerva mielli për të paktën një vit, blen sasi të mëdha, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas agjencisë Bloomberg, Turqia dhe Algjeria, dy vende të mëdha ku buka arabe është ushqimi kryesor, bëjnë të njëjtën gjë. Maroku, për të lehtësuar importet dhe grumbullimin e stoqeve, sapo ka hequr taksën doganore të grurit.

Gjithashtu, po rritet përdorimi industrial i drithërave.  Sektori në rritje i karburantit është bërë një nga burimet kryesore të kërkesës në vitet e fundit. Vlerësohet se të paktën 100 milion ton drithëra përdoren sot për prodhimin e biokarburanteve, me vëllimin e misrit të paktën 95 milion ton, ose 12% të përdorimit të përgjithshëm botëror. Misri është drithi kryesor që përdoret në prodhimin e etanolit, dhe Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi kryesor në botë i etanolit me bazë misri. Shtetet e Bashkuara pritet t’i kushtojnë të paktën 81 milion ton misër në prodhimin e etanolit, 32 milion ton më shumë (37%) sesa më parë . Eshtë vënë re dhe nje tjetër fenomen: degradimi dhe zvogëlimi i sipërfaqes së tokës së punueshme.  Në vitet 2005/2008, Kina humbi 1 milion ha tokë të punueshme në vit, e përdorur për ndërtimin e banesave që kanë strehuar  fshatarët nga eksodi rural. Ekuivalenti i një qyteti si Parisi u ndërtua çdo muaj në vitet 2007-2008. Kërkesa për mish derri po rritet në Kinë, që do të thotë të ketë më shumë misër (220 milion ton misër por do të jetë e domosdoshme në vitin 2020, me 45,000 ton, importuar sipas parashikuesve), në dëm të sojës që furnizonte proteinat e konsumuara tradicionalisht në Kinë .  Kina dhe Koreja e Jugut janë përpjekur të prodhojnë jashtë vendit, duke marrë me qira ose duke blerë tokë (Birmani, Laos, Kubë, Brazili, Rusi dhe Argjentinë). 

Dhe për të krijuar edhe më tepër probleme, disa vende prodhuese sapo kanë vendosur të ndalojnë eksportet. Duke filluar me Kazakistanin, prodhuesi i tetë më i madh në botë i grurit, i cili kishte planifikuar të dërgonte 8 milion ton, kryesisht në Europë. “Nëse është e nevojshme, Ukraina gjithashtu mund të konsiderojë kufizimin e eksporteve të saj,” tha presidenti i saj,  Zelensky, në një mesazh televiziv drejtuar kombit këto ditë, cituar nga AgriReport, një agjenci informacioni e specializuar në lëndët e para bujqësore. . Sipas të njëjtit burim, Rusia fqinje, prodhuesi më i madh në botë, mund të ndiqte të njëjtën rrugë. “Ne jemi të gatshëm të vendosim kufizime në mënyrë që të furnizojmë tregun kombëtar,” tha Zëvendëskryeministri, Andrei Belousov të martën gjatë një takimi urgjent në Moskë.

Rekord i prodhimit botëror

Njoftime të tilla nuk janë pa pasoja, edhe nëse prodhimi botëror i grurit për sezonin 2019-2020 pritet të jetë një rekord. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Grurit, korrja do të arrijë në 763 milion ton. 

Në përgjithësi, çështja e mungesës së ushqimit lind gjithashtu në dritën e paralajmërimeve nga disa eksportues të orizit aziatik, përfshirë Vietnamin, të cilët gjithashtu thuhet se po konsiderojnë ndalime të përkohshme të eksportit. Serbia tashmë ka ndaluar eksportin e vajit vegjetal.

Simon Evenett, profesor i ekonomisë në Universitetin e Sën Gallen, kundërshton me forcë çdo ndalim të eksportit të ushqimit. “Eshtë për të ardhur keq që Rusia, Ukraina dhe Kazakistani po marrin këtë vendim i cili destabilizon çmimet e grurit,” tha ai. Ideja për të kufizuar eksportet për të siguruar furnizime shtëpiake me kosto të ulët ka dështuar në të kaluarën. “

Gjithashtu i ngarkuar me Aleancën e Tregtisë Global, një vëzhgues mbi proteksionizmin e tregtisë në botë,  me të vërtetë kujton se në vitet 2007-2008 shumë vende prodhuese bujqësore kishin ndaluar eksportet pas korrjeve dhe spekulimeve të këqija. “Në fund, ata përfunduan duke destabilizuar çmimet botërore,” thekson ai.

Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO), nuk ka asnjë arsye për të justifikuar rritjen e çmimeve të ushqimit. “Nuk ka mungesë ushqimi në horizont, pohon kryekonomisti Maximo Torero . Prodhimi i drithërave po shkon mirë dhe, sipas sistemit tonë të paralajmërimit të hershëm, eksportuesit kanë rezerva të mjaftueshme për të furnizuar tregun ”. Megjithatë, Maximo Torero pranon, se pasiguria rrit rrezikun e ruajtjes së paligjshme dhe tregut të zi. Më kujtohet vite më parë kur punoja në një multinacionale, Qipro organizonte tendera për të blerë dhjetra mijra tonë grurë dhe misër, të cilat pastaj ua shpërndante vendeve të tjera të BE. Shpresoj që ata që vendosin për blerjen e drithrave tek ne, të mendojnë të blejnë qysh tani disa mijra tonë drith, duke përdorur portin e Durrësit, për ti shpënë edhe në Kosovë. Duhet përfituar nga çmimi aktual për të mos i marrë ato me çmime më të larta paskëtaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alfred Papuçiu, COVID-19

(MOS) RESPEKTIMI I VLERAVE DEMOKRATIKE NË KOSOVË NGA AMBASADORI RICHARD GRENELL

March 29, 2020 by dgreca

MA Agim Aliçkaj*/

Letër e hapur Presidentit Amerikan Donald J.Trump

I nderuari Zoti President Trump,

Më vjen shumë keq, që më duhet të ju drejtohem për një çështje krejt tjetër, në këto momente të vështira, kur jeni të angazhuar me tërë qënien për shpëtimin e popullit amerikan dhe të mbarë botës nga virusi katil covid-19.

Para tri dekadave, si mijëra shqiptarë të tjerë nga Kosova u detyrova ta lëshoj vendin tim të dashur. Ishim të ndjekur nga represioni i shtetit diktatorial, komunist dhe terrorist serb të kriminelit Slobodan Millosheviç. Pata fatin e mirë që erdha në shtetin më të fortë dhe më demokratik të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, simbolit të lirisë dhe drejtësisë, garantuesit të sigurisë së mbarë botës, përkrahësin më të madh të kombit shqiptar.

Pasuan luftrat mizore të Serbisë kundër popujve të ish-Jugosllavisë, sllovenve, kroatve, boshnjakve dhe shqiptarve. Filloi gjenocidi, pastrimet etnike dhe masakrat monstruoze në Bosnje  dhe Kosovë.  Nënat shqiptare të Kosovës ende i vajtojnë bijt e tyre të zhdukur. Pasojat e tmerrshme të luftës ende rëndojnë mbi kujtesën e popullit të Kosovës.

Faktet dhe dokumentet historike tregojnë për krimet e Serbisë dhe fqinjëve tjerë ndaj shqiptarëve dhe grabitjen e tokave të tyre. Tregojnë për rezistencën heroike të popullit shqiptar, gjithmonë në mbrojtje të lirisë së vet. Tregojnë edhe për respektin e tij për popujt, kombet, racat dhe besimet e e tjera fetare, për shpirtin fisnik dhe tolerancën. Mjafton të përmendet shpëtimi i të gjithë hebrenjve që jetonin apo erdhën në tokat shqiptare pasi përndiqeshin nga nazistët (gjatë Holokaustit) ku në mbrojtje të tyre mori pjesë edhe babai im Arif Aliçkaj.

Amerika e Presidentit Klinton, e ndihmuar nga shtetet e tjera të NATO-s, si shumë herë të tjera gjatë historisë, doli në mbrojtje të viktimës së pafajshme, doli në anën e drejtësisë dhe së vërtetës. Me bombardimin e agresorit Serb në vitin 1999, e ndihmoi popullin e Kosovës për ta fituar lirinë.  Lirinë për të cilën luftuan dhe u sakrifikuan djemt dhe vajzat më të mira të popullit shqiptar, brez pas brezi për më shumë se një shekull.

Amerika e Presidentit Bush, pas shumë vitesh bisedime të vështira e të lodhshme, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari e ndihmoi Kosovën për ta shpallur pavarësinë e kufizuar për të cilën populli shqiptar i Kosovës, me dhimbje në zemër, bëri kompromisin më të madh të mundshëm. Kjo pavarësi, pas ankesës së Serbisë u shpall e ligjshme dhe u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ajo përmbante një gjë të mirë dhe shumë të rëndësishme, nuk u preken kufijtë e Republikës së Kosovës. Por, përmbante dy gabime të mëdha, të padrejta dhe shumë të rënda. Së pari, në bisedime dhe në marrëveshje nuk u përfshinë të drejtat e popullit shqiptar që jetonin në tokat e veta në Serbi, të cilat duhej barazuar 100% me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.  Së dyti, nuk u dënua agresori serb përveç Millosheviçit dhe disa kriminelë të tjerë, nuk u detyrua fajtori që të kërkojë falje, t’i paguaj dëmet e luftës dhe t’i kthente të pagjeturit familjeve shqiptare në vuajtje të pafund.

Këto gabime të pafalshme ia mundësuan Serbisë, e cila edhe sot e kësaj dite udhëhiqet nga bashkëmendimtarë dhe bashkëpuntorë të Millosheviçit, të fillloi një ofensivë të paparë armiqësore kundër shtetit të ri të Kosovës. Me propagandë shtetërore mashtruese të bazuar në gënjeshtra të kulluara dhe pa kurrëfarë faktesh, veçanërisht me veprime shumë të shtrenjta lobiste në Uashington, Serbia ia arriti qëllimit që në opinionin ndërkombëtar, të shiqohet si viktimë dhe jo si agresore. Në këtë ndërmarrje të ndyrë e ndihmuan edhe politikanët dhe qeveritë e dështuara të Kosovës që ia arritën ta marrin pushtetin pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova.  Në vend se të merren me ndërtimin dhe forcimin e shtetit demokratik ata u dhanë mbas punëve të ndyra, antidemokratike dhe shkatërruese për shtetin.

Amerika e Presidentit Trump, na gëzoi shumë disa muaj më parë kur u angazhua serisht për  zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. Menduam se, në pajtim me vlerat e përherëshme amerikane, Ambasadori Richard Grenell I Ngarkuari i juaj për bisedimet Kosovë- Serbi, do të punoi dhe veproi drejt, siç e presim nga një përfaqësues i Amerikës, do të bënte presion mbi agresorin serb për t’ja njohur të drejtën e viktimës popullit të Kosovës për ekzistencë në tokat e veta shekullore. 

Fillimisht Ambasadori Grenell kërkoi që Kosova të anullojë pa kushte tarifat 100% për mallrat serbe, ndërsa Serbia të ndalë veprimtarinë armiqësore kundër popullit shqiptar. Këtë e kuptuam si dëshirë të tij për ndërmjetësim të paanshëm. Por, pas një kohe të shkurtër ai kaloi plotësisht dhe në mënyrë të hapur në anën e agresorit serb. Kur Serbia e kundërshtoi publikisht duke deklaruar se do të vazhdojë me veprime armiqësore dhe se nuk e njeh kurrë pavarësinë ai nuk u zemërua fare, e harroi presionin ndaj Serbisë por vazhdoi me presion ndaj Kosovës. E mundësoi vazhdimin e kontakteve dhe bisedimeve sekrete në mes të Presidentit serb Aleksander Vuçiç dhe Presidentit kosovar Thaçi. I pari, shovinist dhe urrejtës i përbetuar i popullit shqiptar, kuadër dhe bashkëpunëtor i kriminelit serb Millosheviç me prapavijë të mundëshme kriminale. I dyti, Hashim Thaçi politikan i urryer nga shumica e popullsisë së Kosovës si përgjegjësi kryesor për dështimet e njëpasnjëshme 20 vjeçare, i cili në bazë të kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ka të drejtë as të udhëheqë  bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ishte absurde kërkesa e Ambasadorit Grenell për heqje të tarifave, për të mundësuar dialogun me Serbinë, në të njejtën kohë kur bisedimet zhvilloheshin pandalur me dyer të mbyllura. Qeveria e re demokratike e Kosovës, qeveria e antikorrupsionit dhe shpresës më në krye liderët më të votuar nga populli Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, nuk e kundërshtoi atë. Me respekt të madh për Amerikën, ata dolën me propozim real dhe logjik për heqjen e tarifave. Vepruan në pajtim me premtimet e dhëna votuesve njësoj si ju Zoti President. Kjo nuk u pranua nga ambasadori. Aktivitetet që pasuan, sjellja në Uashington e Thaçit që përfaqëson partinë më të madhe në opozitë- PDK dhe sidomos e Hysenit që përfaqëson partnerin e koalicionit-LDK, na bëjnë të dyshojmë se ai e inkurajoi rrëzimin e qeverisë legjitime të Kosovës. Ishte e pabesueshme dhe e dhimbshme deklarata e Ambasadorit Tuaj,  në përkrahje të mbajtjes së mbledhjes së parlamentit për shqyrtim të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kushte të jashtëzakonshme, kur Kosova, Amerika dhe mbarë bota po luftojnë për jetë a vdekje me Covid-19. Pjesa më e madhe e botës demokratike ishin kundër, përfshirë edhe Spanjen e cila nuk konsiderohet përkrahëse e Kosovës.

Me këtë rast dëshiroj të citoj raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Eurodeputeten Viola von-Cramon: “Një autogol i SHBA-s në Kosovë me një dimension historik. E pabesueshme, e papërgjegjshme.”

Zoti President Donald J. Trump, më lejoni, që si amerikan i devotshëm dhe republikan konservativ, ta shfrytëzoj të drejtën time për liri të shprehjes, me qëllim të mirë por me zemër të lënduar, t’i paraqes para jush edhe disa vërejtje të mija konkrete dhe më të drejtpërdrejta.

-Më pëlqen dhe e përkrah platformën tuaj “America First” dhe deklaratën tuaj  në OKB se edhe liderët e tjerë kanë të drejtë ta bëjnë të njëjten gjë për shtetet që ata i përfaqësojnë. Pse kjo e drejtë iu mohua në mënyrë flagrante Kryeministrit Kurti? Veprimet e fundit të ambasadorit tuaj i shërbejnë interesave hegjemoniste serbo-ruse në Ballkan dhe mund të kualifikohen si “Serbia first, Rusia second, Amerika third and Kosova last”. Gjithashtu më pëlqen thënia tjetër e juaja: “Let’s Make America Great Again” por në rastin konkret i ngjanë më shumë thënies “Let’s Make Serbia Great Again”.

-Gjatë ballafaqimit Tuaj në Kongresin Amerikan me përpjekjen e Partisë Demokrate për votë mosbesimi ndaj jush (impeachment) duke ju akuzuar “si të shitur” te Rusia deklaruat: “Kjo është “gjuajtje shtrigash” dhe “nuk duhet t’i ndodhë më kurrë asnji presidenti”. Pse duhej t’i ndodhte e njëjta gjë kryeministrit Kurti me pëlqimin e ambasadorit tuaj, vetëm pse mbrojti interesat e vendit të vet? 

E përshëndes deklaratën e fundit të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit Amerikan se në takimet e organizuara nga Ambasadori Grenell nuk është biseduar për ndarjen e Kosovës. Po për çka është biseduar dhe pse ato nuk ishin transparente?  Dhe shtrohet pyetja edhe më e rëndësishme, nëse populli i Kosovës, pas të gjitha presioneve, nuk e pranon kurrsesi shkëmbimin territorial të negociuara nga Thaçi-Vuçiç, a do ta mbrojë Amerika sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, në kufijt me të cilët e njohu Kosovën në vitin 2008? Pse kohëve të fundit sovraniteti dhe integriteti territorial nuk po përmenden fare?

-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej tyre edhe si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së pavarësisë   e deri me sot?!  Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të rëndësishme?!  Si është e munduar që të përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për 40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik, administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.

-Pas kthimit nga Amerika, i trimëruar nga Ambasadori Grenell, presidenti Thaçi doli në sulm të hapur, jodiplomatik dhe arrogant kundër përfaqësuesve Evropian. Si mendojnë ata se mund ta “detyrojnë” Evropën të përkrahë një zgjidhje të imponuar, pa pjesëmarrjen dhe pa pëlqimin e saj, kur dihet se edhe Kosova edhe Serbia gjenden në Evropë?

– Me veprimet e fundit të Presidentit Thaçi me pak shokët e tij në Kosovë, të përkrahur nga një pjesë e rëndësishme e administratës tuaj, Serbisë iu shtuan apetitet për plaçkitje të mëtutjeshme të tokave shqiptare. Për një kohë të gjatë në të kaluarën historike, ajo ka rrëmbyer dhe i ka pastruar nga populli shqiptar Nishin, Toplicën, Leskovcin, Sanxhakun dhe toka të tjera. Pas marrjes së Mitrovicës dhe Veriut të Kosovës ajo nuk do të ndalet, do të kërkojë Podujevën, Gjilanin, Prizrenin, Shkodrën, Durrësin dhe ndoshta Prishtinën e Tiranën. Dokumentacioni nga burime të paanëshme historike për këtë ekziston. Një gjë është e qartë. Serbia do të ndalet vetëm atëherë kur të bindet se nuk ka shance për të grabitur më toka shqiptare.

-Zgjidhja përfundimtare është e vështirë, por e mundshme dhe e thjeshtë. Amerika, dhe bota demokratike që e ka njohur Kosovën në kufijt ekzistues duhet të ia bëjë të ditur Serbisë se puna e kufijve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. E do të bëhet garantimi në mënyrë të njejtë i të gjitha të drejtave humane, politike dhe njerëzore të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarve në Serbi. Pra vetëm duhet presioni i mirëfillët dhe i vendosur i Amerikës dhe shteteve demokratike të Evropës mbi Serbinë. 

Problemi nuk është në Kosovë por në Serbi sepse ajo është e sëmurë nga urrejtja për shqiptarët dhe kombet e tjera përreth. Vetëm me shërimin e saj problemet mund  të zgjidhen. Alternativa e shkëmbimit të territoreve është shumë e komplikuar dhe e pamundur të realizohet, pasi kjo shkakton trazira në Ballkan dhe destabilizon mbarë Evropën me dekada të tjera.

-Dëshiroj të theksoj se këto që i paraqita para jush, nuk janë vetëm mendime dhe qëndrime të mijat por të më shumë se 90% të qindra-mijëra pjestarëve të mërgatës shqiptare në Amerikë, Evropë dhe anë e mbanë botës, si dhe të më shumë se 60% të shqiptarve në trojet e veta në Ballkan. Mendoj se është më rendësi të ju bëj të ditur se nuk i përkas dhe nuk përkrah asnjë parti politike në Kosovë. Si shumë bashkatdhetar të tjerë të mij, i përkrah vetëm ata lider që punojnë më përkushtim në të mirë të popullit dhe kombit.

Ju lutem Zoti President Trump!

Mos e largoni popullin mik shqiptar që e do Amerikën me zemër dhe pa hile. Serbia mund të shtiret, por të gjithë e dijnë se populli serb me shumicë e do më shumë Rusinë se sa Ameriken, kjo nuk do të ndryshojë kurrë.

Zoti ju bekoftë juve, familjen tuaj dhe kombin Amerikan!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar! 

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane dhe anëtar i Këshillit të Vatrës..

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alikaj, leter Presidentit Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 666
  • 667
  • 668
  • 669
  • 670
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT