Nga Shpend Sollaku Noé/
Kurrë si tani, gjatë gjithë këtyre viteve të pranisë time në Iali, e kam ndjerë veten kaq krenar sa dje.
Në kohën kur sapo kisha nisur ta konsideroja veten një binjak të Cilan Murfy-t tek filmi “28 ditë më pas”. Por ja që, edhe në çastet më depresive, më arrin si një ndërhyrje hyjnore një tridhjetëshe shqiptare, mjekë e infermierë të maskuar sa nuk mban më, që zbresin nga avioni me një qëllim fisnikërie të lartë: Të vënë në rrezik jetën për t’i shërbyer një populli mik.
Si të gjithë bashkëatdhetarët e mi renda edhe unë të lexoj reagimet e italianëve. Aq pozitive sa të ngjethin mishtë. Nuk është e tepruar të them se u përlota. Shpesh në shumë prej tyre i gjeta falenderimet dhe përshëndetjet ndaj Shqipërisë në gjuhën tonë. Edhe në mesazhet vetiake që më erdhën nga socialet.
Ai dru i shtrembër, që nuk i ndahet asnjëherë stivës së shqiptarëve, ishte vetëm përdorimi politik i këtij gjesti fisnik. Italianëve u kishin ardhur ndihma në mallra e specialistë edhe nga vende të tjera, sidomos ish komuniste, por në asnjë rast, as edhe tek kinezët, nuk pashë ndonjë kryeministër që t’i përcillte, apo ministër të jashtëm që t’i shoqëronte.
Pse gjithë ky pompozitet për një gjest kaq njerëzor?
Më vjen i natyrshëm një dyshim që nuk dua ta besoj, pasi më shkatërron kënaqësinë që në lindje: a ishin vullnetarë? Ndokush duhet të na e sqarojë këtë detaj kaq të rëndësishëm. Nuk jam vetëm unë që e shpreh këtë dyshim serioz.
Nëse janë të tillë, atyre duhet t’ju kërkoj falje, por jo përcjellësit apo shoqëruesit.
Si e qysh e shrytëzoi këtë tridhjetëshe në të bardha ministri i jashtëm italian? Edhe ai për propagande në çastet më të vështira të parabulës së tij politike. Apo u detyrua të bënte nderet e zotit të shtëpisë i ndodhur para një fakti të kryer!?
Si i bëhet t’i mbushësh mendjen atij gjatoshit tonë që mos bëjë fushatë elektorale të përhershme? Apo i merr edhe italianët si votues të tij? Apo kujton se Di Maio e ha sapunin për djathë? Edhe mundet, por ai made in Albania i sotëm është kaq banal, sa askush nga Evropa nuk mund ta shkëmbejë për një të parfumuar.
Sidoqoftë, ju përqafoj të gjithëve, një për një, juve të tridhjetëve që sot, në një epiqendër pandemie Lombaardia, nisët misinonin tuaj që nuk uroj në asnjë rast të kthehet në pikiatë kamikazesh. Shpirtrat tanë janë atje, me ju, gati t’i hidhen në fut gjithkujt që vë në rrezik mbijetesën tuaj.
Përqafime, përqafime, përqafime. U kthefshi të tridhjetë shëndoshë e mirë, o shqipe të mbuluara edhe me tringjyrëshin italian.