• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

20.875 TË INFEKTUAR NË NEW YORK, 5,707 TË INFEKTUAR MË SHUMË SE TË DJELËN

March 23, 2020 by dgreca

          -Tash Shteti i New York-ut kap shifrën e 5 përqindëshit të të gjithë të infektuarëve në shkallë botërore. dhe rreth 50 per qind te infektuareve ne SHBA/

                 – Nga e Diela deri në mesditë e së Hënës u raportuan 5,707 të infektuar të rinj, ndërsa numri i të vdekurve shkoi në 157./

                – Afërsisht 13% e të gjithë Njujorkezëve të infektuar janë shtruar në spital, tha Cuomo./

  • Gov. Cuomo raportoi para gazetarëve gjatë ditës së Hënë për më shumë se 20,875 raste të koronavirusit në New York dhe porositi të gjitha spitalet që të rrisin kapacitetet.

Përgatiti:Dalip Greca/Dielli

Më shumë se 20,000 Njujorkezë janë infektuar nga koronavirusi, njoftoi të hënën Gov. Cuomo, shifër kjo që do të thotë se shteti i New York-ut tani përbën 5% të të gjitha rasteve të infeksionit botëror.

Në një konferencë shtypi nga kryeqyteti i shtetit 20 milionësh(20.06) në Albany, guvernatori tha se 20.875 raste ishin tashmë të konfirmuara në New York, duke ekspozuar një rritje me 5,707 që nga e diela e 22 marsit.

Të paktën 12,305 raste të shtetit të New York-ut janë shënuar në pesë qarqet e shtetit, shifer kjo qe perben 60 per qind te te infektuareve ne rang shteti, ndersa 35 per qind jane nga zonat e tjera te shtetit, dhe 157 njerëz janë regjistruar të vdekur deri më tani, tha Cuomo. NYC kiste regjistruar deri dje 99 te vdekur.

Me Nju Jork-un tani zyrtarisht “të mbyllur në shtëpi” me një urdhër ekzekutiv, Cuomo gjithashtu njoftoi se po lëshonte një tjetër urdhër urgjence që detyronte spitalet në mbarë shtetin për të rritur kapacitetet e tyre për të paktën 50% për të akomoduar të infektuarit që po shtohen nga ora në orë. 

“Gjeni më shumë shtretër, përdorni më shumë dhoma,” porositi Cuomo.

New York tashmë është shfaqur si epiqendra e Sh.B.A-së për virusin që po përhapet me shpejtësi . Cuomo tha se administrata e tij po punonte fort për të përballuar krizën.

Uashingtoni dhe Kalifornia, shtetet që renditen në vend të dytë dhe të tretë me të infektuar nga COVI-19, kanë një rritje rreth 2.500 raste të konfirmuara së fundi.

Përveç rritjes së kapaciteteve spitalore, Cuomo tha se ai po nënshkruante një urdhër ekzekutiv që do të rekomandojë të gjithë infermierët që të regjistrohen në luftën përshkallëzuese kundër virusit.

Afërsisht 13% e të gjithë Njujorkezëve të infektuar janë shtruar në spitale, tha Cuomo.

Spitalet në të gjithë shtetin po raportojnë se po u zihen shpejt hapësirat e mundshme dhe furnizimet po shkojnë drejt fundit, siç janë ventilatorët, maskat, dorezat dhe veshjet.

Cuomo tha se shteti federal po dërgon miliona maska ​​N95 në New York City dhe Long Island gjatë ditëve të ardhshme.

Sidoqoftë, guvernatori parashikoi që furnizimet e ardhura nuk do të mjaftojnë për një kohë të gjatë, prandaj përsëriti edhe një thirrje për Presidentin Trump.

24 orëshi nga e djela pati këtë tablo: Në shkallë botrore numri i të infektuarëve shkoi në 378,392, numri i vdekjeve shkoi në 16490, Italia vërtetë pati një numër pak më të vogël të vdekjeve, 601,por shifër shqetësuse është numri i të rinjëve të infektuar-për 24 orë shkoi në 4,789, ndërs anë total janë regjistruar 6,077 viktima.Edhe Kina raportoi sot se gjatë 24 orëshit kismet pasë 39 të infektuar dhe 9 të vdekur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar 43,697 të infektuar dhe numri i vdekjeve shkoi në 546.

Filed Under: Kronike Tagged With: 5 per wind the infektuareve boteror, dalip greca

DIALOGU KOSOVË – SERBI

March 23, 2020 by dgreca

Nikë Gashaj/ Malesi/Politolog/

        Nisem nga njohja se Dialogu Kosovë – Serbi, do të ishte me interes kombëtar të Kosovës, sikurse të mbahej në fillim të vitit 2021. Për një datë të tillë ka disa arsye. Para së gjithash në filozofinë popullore thuhet “Ditë e re nafakë e re”. Kuptohet se Kosova gjindet nën presione të mëdha nga ndërkombëtarët për shpejtimin e fillimit të dialogut. Mirëpo, Kosova duhet të veproj me një taktikë të mençur. Mëndoj, se agjenda politike   e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për gradualizimin e heqjes së taksës dhe vëndosjen e reprocitetit me Serbi e ka kuptimin e vet politik.

        Më tutje, sot shtetet e botës po ballafaqohen me luftën e shpëtimit të substancës njerëzore nga Coronavirusi. Andaj me këtë rrezik të madh po ndeshet edhe Unioni Evropian dhe Amerika, si faktor ndërmjetësues të dialogut, por dhe Kosova e Serbia. Njëkosisht, vëndet e prekura me këtë virus kan pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale. Gjithashtu, në këtë vit mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe zgjedhjet parlamentare në Serbi. Prandaj, Amerika, por dhe Unioni Evropian , si dhe Serbia e Kosova janë  shumë të ngarkura me probleme tjera të mëdha në politikën e brendshme shtetërore dhe zgjidhjet e problemeve jetike të qytetarëve të vendeve të tyre. Egjithë kjo, besoj se do ta zvarris mbajtjen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje me njohje reciproke Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistues territorial  dhe në pajtim me sistemin kushtetues të Kosovës. Andaj, ajo në dialog duhet të jetë e ashtuqujtur vijë e kuqe, dhe Kosova për atë duhet të ketë një qëndrim politik unik. 

        Në këtë rast vlenë të konstatohet se për dështimin e deritashëm të dialogut Kosovë –Serbi, përpos ndërmjetsueses politike të Unionit Europian, një pjesë të përgjegjësis e ka dhe klasa politike e Kosovës. Meqenëse, sipas Kushtetutës së Kosovës, politikën e brendshme dhe të jashtme e udhëheq Qeveria e Kosovës, e që është në pajtim me sistemin politik parlamentar, e çka e ka vlerësuar dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës në lidhje për dialogun Kosovë-Serbi. Donë me thënë deri me tani Qeveria dhe Presidenti i Kosovës në lidhje me dialogun me Sebinë nuk kanë veprua sipas Kushtetutës, çka është për çdo akuzë dhe kritik, sepse mu për atë shteti i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare ka pësuar pasoja evidente negative. Për të pasur Kosova mbështetjen  më të madhe politike të Amerikës dhe të Unionit Europian, klasa politike e Kosovës në praktikë duhet me iu tregua atyre se ajo ka kapacitete të duhura demokratike dhe profesionale dhe vendosmëri për  qeverisje të mirë, për të luftuar korrupsionin, despotizmin, kriminalin, si dhe dukuri të tjera negative, respektivisht për ndërtimin e shtetit juridik  dhe të sundimit ligjor. Po ashtu është shumë me rëndësi që Kosova në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë me pas kuadra me kompetenca të larta profesionale, respektivisht ekspertë të dëshmuar për çështje politike. Në atë drejtim ajo mund të angazhoj dhe ekspertë të njohur jashtë Kosovet, e që janë miq të shqiptarëve. Përndryshme, vetëm me kuadra partiak për marrëdhënie ndërkombëtare, Kosova nuk mund të eci përpara.

        Parashtrohet pyetja: se deri kur në Kosovë do të zgjas, lufta ndërpartiake për funksione, për interesa parciale, individuale dhe egoiste? Deri kur duhet të pritet për pjekurinë e vetëdijes të  disa politikanve pët t’iu kthyer interesave të përgjithshme të qytetarëve dhe politikës kombëtare të Kosovës. Këto paraqesin çështje kruciale për ardhmërinë e Kosovës. Është mirë që edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës  ka dalur me një Reagim(11 mars 2020.) të ashpër, por objektiv lidhur me rrjellat politike negative  dhe për nënnivelin  e misionit historik të klasës politike të Kosovës. Është e palogjikshme që Lidhja Demokratike e Kosovës, si partner i koalicionit me partinë e Lëvizjes Vetëvendosje që posa së bashku e kanë formuar Qeverin e Kosovës të dal me nismjen për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti. Sipas mjetëve të informimit Kryetari i LDK, Isa Mustafa, kërkon nga kryeministri Albin Kurti, hiqjen e tarifës 100 për qind në mënyrë të plotë dhe menjëherë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina përpa reciprocitet dhe të anulojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendëshme dhe të Administratës Publike. Mirëpo, Qeveria e Kosovës me votat e shumicës së antarëve të kabinetit qeveritar, tashmë e ka hjekë tarifën  për lëndën e parë, d.m.th. në mënyrë graduale dhe në Kosovë ka filluar hyrja e mallrave nga Serbia. 

        Përsa i përket shkarkimit të ministrit, Agim Veliu, sipas njoftimit të Zyres së Kryeministrit, të botuar në mjete të informimit: ai  u shkarkua për arsye të dhënies së deklaratës së tij për televizionin Klan Kosova, kundra qëndrimit të Kryeministrit, Albin Kurtit mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Si thuhet, ai në këtë deklarim, përhapë panik duke thënë se”numri i të prekurëve po rritet prej ore në orë”. As ministria e Shëndetsisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetsisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarëve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Mirëpo, ajo çka paraqet befasi, Kryetari i LDK, Isa Mustafa kritikon shkarkimin e ish–ministrit Veliu, ndërsa në anën tjetër nuk e gjenë të arsyeshme të kritikojë  deklaratën në fjalë. Çka do të jepë me kuptua se sipas tij, deklarata ka qenë me vend, megjithë se deklarata e tillë sa jam i njoftuar, nuk rrjedhë nga ndonjë vlerësim i marrun së bashku nga kabineti qeveritar, dhe as që ajo është objektive.       

        Opozita padyshim është e zhgënjyer me rezultatet e zgjedhjeve që e sollën Albinin në pushtet, dhe sipas votave të qytetarëve të Kosovës Lëvizja Vetëvendosja është partia  më e madhe dhe ka më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa disa nga opozita po e quajnë Abinin mashtrues. Nuk e di a janë të vetëdijshëm se me vlersimet e tilla i nënçmojnë dhe  qytetarët e Kosovës, gjoja se nuk kanë ditur  për kënd kanë votua. Po ashtu disa politikanë kosovarë po  e vlerësojnë Abinin si antiamerikan, por pa fakte. Ata më së mirë i demantou dhe vetë kryeministri Albin Kurti, në fjalimin e tij në Seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, (12.03. 2020.), ku ndër të tjerat u deklarua: për bashkëpunim me amerikanët dhe evropianët. Më tutje ai vazhdoi: “Unë nuk them pa amerikanë, por presidenti po thotë pa evropianë, e këtu e kemi dallimin. Është dallim i madh ky, unë them edhe amerikanë edhe evropianë e ai po thotë me amerikanë pa evropianë. Unë mendoj që na duhen të dyja”. Çka paraqet këtu kontestuese në lidhje me qendrimin e kryeministrit, Albin Kurtin? 

        Më në fund, të gjithë ata që e respektojnë sovranitetin e Kosovës, duhe për ta ditur se Qeveria e Kosovës i merr vendimet në mënyrë të pavarur. Përkundrazi, Kosovës nuk do ti duhej Qeveria. Jam i mëndimit se rrëzimi i Qeverisë aktuale të Kosovës do të ishte akt me pasoja të rënda politike për shtetin e Kosovës. Meqenëse,  supozohet se ekziston një Marrëveshje e Fshehtë Vuçiq – Thaçi për ndarjen e Kosovës. Tani papritmas, ka indici se po ju bëhet partner dhe Kryetari e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. 

Njohjet e tilla paraqesin një histori taragjike të shqiptarëve. Ajo vërteton tezën filozofike të Fishtës, kur ka thënë: “Jamë kundra shqiptarëve të përditshëm, por jam për shqiptarët e përjetshëm”.  

                                                                                                        

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialog, Kosova-serbi

FAIK KONICA: “NJERËZIT BININ PORSI MIZA”

March 23, 2020 by dgreca

Nga Fotaq Andrea/Strasburg/

Ky titull i frikshëm, me frazeologji të fuqishme dhe tone plot tragjizëm, à la Boccaccio, buron drejtpërdrejt nga pena erudite dhe enciklopedike e Faik Konicës. Është nxjerrë nga një shkrim i tij botuar te almanaku “Kalendari i Maleve”, Bruksel, 1900, ku jepet njëfarësoj historiku i shpejtë i përhapjes së murtajës dhe të sëmundjeve të mëdha në botë e në Shqipëri gjatë të shkuarës, mbi bazën e hulumtimeve të thella që Konica bënte në do “libra të moçëm”, siç e thotë edhe vetë, duke përmendur në veçanti librin referencial Historia politica et patriarchica Costandinopoleo. Epirotica. MDCCCXLIX. Veçse, përtej tragjizmit real të pandemisë që shkaktojnë sëmundjet ngjitëse me përmasa korrëse (në parantezë, a nuk personifikohet vetë vdekja mitologjikisht me një skelet njeriu dhe kosë në dorë?), Konica nuk mungon të nxjerrë në pah dy faktorët themelorë për parandalimin dhe ndalimin e pandemisë: së pari, “Kujdesin e guvernave” (qeverive), ku domosdo nënkupton masat e rrepta në shoqëri me kufizme të mëdha në lëvizjen dhe në kontaktet e njerëzve, dhe së dyti, “Fuqinë e shkencës”, siç shprehet ai, për t’i bërë ballë rrezikut të përgjithshëm shkaktuar nga “sëmundje e tutshme”. 

Shkrimi i Konicës, me vezullim perle, mjaft i ngjeshur dhe plot brum të tharmë, me stil të prerë e të shpejtë, shfaq ethshëm zezonën pandemi, tablonë e zymtë të burimit të sëmundjeve epidemike, evolucionin e tyre marramendas, me pasojën alarmante, vdekjeprurëse, të korrjes mizore të jetëve njerëzore. “Njerëzit binin porsi miza”, thotë në mënyrë tronditëse Konica. A nuk përmban kjo shprehje e lashtë, me originë nga Mesjeta e hershme, përtej idesë që njerëzit vdisnin masivisht (apo mizërisht e mizorisht, do thoshim në shqip për një konotacion edhe më të fuqishëm), vetë kuinesencën e pamundësisë më të madhe njerëzore përpara sëmundjes gjëmëmadhe, virale a bakteriale, pamundësi për t’i ardhur sadopak në ndihmë vetvetes apo tjetrit, tek sheh vdekjen me sy hapur, me mushkri të asgjësuara dhe imunitet të shterur? Palé që një pamundësi e tillë njerëzore arrin kulmin e vet kur nuk ke faktikisht kurrfarë mundësie as për t’u ndarë për herë të fundit nga njerëzit më të shtrenjtë, që shkëputen mynxyrshëm nga gjiri i familjes, të vetmuar, të braktisur mes tubave oksigjenues, tek i sheh me sytë e mendjes të ikin ashtu, aq papritur, në kohët moderne, mes asaj që do ta cilësonim në këtë rast “çnjerëzorja/njerëzorja e arsyeshme e faktit izolim” për shmangie të infeksioneve dhe rrezikut epidemik. Dhe të pikon në shpirt të mendosh që njeriu tënd më i dashur, dhe kushdoqoftë nga kapitali NJERI, i infektuar rëndë, që kërkon thjesht të marrë pakëz ajër, pakëz frymë, me mushkri të nxjerra jashtë funksionimit, ikën kësisoj i vetmuar, i braktisur, me sy të etur për dashuri jete që fatalisht i shuhet në çastin fatal.  

Andaj, sot, në pandeminë mizore covid19 merr një kuptim më të veçantë, human, në shkallë të epërme, shprehja morale, shumëpërmasore e Sokratit “Njih vetveten ti vetë”, që do të thotë në rastin tonë : njeri, ndërgjegjësohu përpara rrezikut, ndërgjegjësohu për vetveten, për të tutë, për shoqërinë! Sepse koronavirusi nuk është shaka prej leshkoje, është hata! Dhe kur je i ndërgjegjësuar, shprehja e Sokratit merr një kuptim edhe me të thellë tek shpalos krejt ndjenjën e vetëdijes dhe të solidaritetit të fuqishëm njerëzor: “unë jam unë, unë jam tjetri”, që do të thotë: “jam unë që kam në dorë jetën time, jam unë që kam në dorë jetën e tjetrit”; dhe për këtë, më duhet të izolohem, më duhet të vetizolohem! Për më tepër që, në shoqërinë tonë, shprehja merr kuptim edhe më të thellë tek sheh ndoca kapadainj shqipo, me cigare në gojë – ata të tipit të “honxhobonxhove, xhuxhubocëve e xhixhillimëve” siç thotë Konica për njerëzit mendjemykur, mediokër e sharlatanë -, të gjezdisin shpërfillshëm bulevardit e rrugëve si gjeli majë çatisë mes virusit pandemik, apo më keq, si ajo fabula e dikurshme e atij këmishëzbërthyeri majë skodës karakatinë që “fluturonte” mes rrapëllimës e që thosh: “Fry moj erë në gjoks të beqarit!” Dhe kur era ia dha “zotërisë” së tij brinjë më brinjë, mes lëngatës e temperaturës së lartë nga të ftohtit që mori, ai tha: “Ç’deshe mojë erë që u more me një copë jevg!” Kuptohet morali i fabulës në këtë rast: ku era, dhe ku covid19! 

Në përfundim, dhe në nderim të thellë, një heqje kapeleje për bluzat e bardha, një duartrokitje moderne masive nga ballkonet e godinave për ta dhe për tërë ata që në krye të detyrës, sfidojnë vdekjen, në emër të jetës, për t’i thënë ndal njëherë e mirë korrjes njerëzore të koronavirusit. Dhe… me sëmbim në zemër, me lot në sy, sjell sot ndër mend, tim atë, Dr. Llazi Andrea, epidemiolog, infeksionist e higjenist ushtarak që, pas 30 vjetësh pune këmbëngulëse kërkimore, studiuese e shkencore në Laboratorin e Spitalit Ushtarak, u flijua në krye të detyrës në mesin e viteve ’80, pas një infeksioni të rëndë viral, që e mbërtheu në Shishtavec të Kukësit, duke luftuar me thonj për të sjellë në jetë një ushtar në lulen e rinisë me temperaturë 42°C e viruse të fuqishme.     

FAIK KONICA

Murtaja dhe sëmundjet e mëdha në Shqipëri në kohët e kaluara

Në shkollat e mjekësisë rrëfejnë se të katër sëmundjet e mëdha që kanë korrë papushim njerëzinë nëpër brezat e vjetëve, e kanë të gjitha burimin në grykat e do lumenjve të mëdhenj e në baltërat e ndyra që i rrethojnë. Kolera ka marrë gjithmotin burim në grykë të lumit Gang, në Hindustan; tifuzi [tifoja] në grykë të Tunës; ethet e verdha në grykë të Misisipit; e murtaja në Nil e në Indokinë.

Kjo sëmundje e tutshme, mbas shumë vjetësh mungimi, filloi të shfaqej më 1899 në Skënderie, në Lisbonë dhe – e thonë me zë të ulët – në Anversë të Belgut, në Paris e në Portsmouth. Kujdesi i guvernave, i ndihmuar me fuqinë e shkencës do t’i dalë zot – na mban uzdaja – këtij rreziku të përgjithshëm, e që tash duket se sëmundja e tutshme zuri të pakësohet në atë vend ku kish rënë.

Sido në qoftë, për të plotësuar dëshirën që kanë ligjëruesit për të gjetur në një kalendar të mirë përmendje [historike] për ndodhira të vitit, u munduam dhe gjetëm në do libra të moçme vitet e rënies së murtajës në Shqipëri.

Më 1368, ra në Janinë një murtajë e madhe, e u hap deri në Berat.

Më 1374, ra murtaja në Nartë,  dhe vdiq kryezoti i vendit Pjetër Llosha.

Më 1375, murtaja goditi prapë Janinën, dhe vdiq zonja Irena, e bija e dukës së Janinës. 

Më 1736, ra në Janinë një murtajë e tutshme, të cilën e pruri nga Vllahia një gunar i emëruar Zamari. Vdisnin vetëm brenda në Janinë 50 a 60, e shpesh edhe 80 veta përditë. Kjo murtajë filloi të korrë në muaj të Frorit e u mbajt deri në ditë të Shën Mitrit.

Më 1814, ushtarë shqiptarë të sulltanit, duke u kthyer nga Misiri, sollën një murtajë të madhe që ra, e rreptë e e tutshme, në Shkodër, në Ipek [Pejë], në Durrës, në Vlorë, në Janinë, dhe më tepër në Delvinë. U mbajt deri më 1819, dhe bota binin porsi miza. 

Filed Under: Politike Tagged With: Faik Konica, Fotaq Andrea, Murtaja

FLET NGA ITALIA DR.SELENICA: TRAGJEDIA ITALIANE,MESIM PER SHQIPERINE

March 23, 2020 by dgreca

FLET NGA ITALIA DR.SELENICA:SHQIPËRIA DUHET TË MËSOJË NGA TRAGJEDIA ITALIANE/

Bisedë me Dr.Romina Selenica që po shërben në Itali në Pandemine e Coronavirusit/

Armiku i Italisë ishte koha e shpejtë e përhapjes, nëpërmjet mosizolimit dhe rritja e numrit të pacientëve në mënyrë të frikshme.  Besoj se Shqipëria do tëmesojë nga historia e hidhur e kësaj situate në Itali.  Dr.Selenica

Dr.Romina Selenica me një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë me edukim në universitetet italiane sot po shërben me devotshmëri dhe po qëndron pranë shtratit të të sëmurëve italiane në këtë kohë pandemie globale.

Dr.Selenica le të hidhemi direkt në shqetësimin dhe panikun që ka kapur gjithë botën në këtë kohë pandemike globale, cila është detyra juaj nëspitalin italian dhe si e shihni gjendjen më konkretisht atje?

Unë sot, kam hequr veshjen e profilit tim, atë të Kirurgjisë dhe MjekësisëEstetike e po shërbej si mjeke e familje në Pisa dhe Empoli. Puna ime konsiston në triage e parë, njohjen e simptomave dhe drejtimin e pacientëve, me simptoma të mesme apo të rënda drejt strukturave të posaçme të ngritura sot për trajtimin e pacientëve COVID 19 +. 

Pse Italia u bë shteti më i kapur “prej fyti” nga ky virus vdekjeprurës?

Mendoj se gabimi është nga mosizolimi i të gjithë Italisë, por vetëm i zonave fillimisht të prekura. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se është ndër vendet me numrin më të lartë të popullsisë me moshë mbi 80 vjeç. Nëse shohim statistikat, janë dhe përqindja më e lartë e pacientëve të prekur, moshat mbi 70 vjeç. Kjo ka çuar në një numër të lartë të pacientëve të cilët nuk ja dalin t’i mbijetojnë këtij virusi si shkak i shumë sëmundjeve të tjera kronike. 

Cilat janë këshillat tuaja si mjeke profesioniste në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

Unë mendoj se të gjithë ne duhet t’i lëmë kohë shkencës të eci përpara. Janë bërë hapa gjigande në kohë rekord për zbulimin e një vaksine, por duhet kohë për ta sjellë atë në përdorimin e gjerë. Ajo për të cilën une i lutem çdo qytetari, në këto momente është izolimi në shtëpi për të ulur sa më shumë numrin e të infektuarëve. Mendoj se në momentin që do kemi një vaksinë për popullsinë, do të mund të flasim për një zhdukje të kësaj pandemie, pasi aktualisht është ende herët. 

Unë ndihem krenare, kur dëgjoj që ka mjekë shqiptarë rreth botës dhe shërbejnëme humanizëm pranë të sëmurëve, cilat janë shkallët që ju keni ngjitur për të shërbyer në një vend të zhvilluar siç është Italia? 

Unë kam ardhur në Itali në moshën 18 vjeçare, me dëshirën për të realizuar ëndrrën time në një shtet i cili ofron shëndetësi publike për të gjithë, pa dallim shtresash. Për mua ishte zgjedhja e duhur të studjoja mjekësi në një vend kaq human. Sigurisht, shkollimi në një shtet të huaj është i vështirë, por jo i pamundur. Me vullnet çdo gjë arrihet. 

Midis të sëmurëve keni pasur rastin t’ju shërbeni shqiptarëve ku dihet se numri i tyre qëjetojnë në Itali është i konsiderueshëm? 

Në rolin e mjekes së familjes u shërbej dhe shqiptarëve dhe fatmirësisht janë të gjithë pacientë stabël pa komplikacione të rëndësishme. 

Në Itali dhe në shume vende të botës spitalet infektive janë mbi kapacitetin me të semurë si do t’ja dalë Italia me këtë gjendje dramatike në rritje?

Mendoj se është aplikuar një organizim i shumë strukturave të reja, si për repartin e sëmundjeve infektive ashtu dhe për terapinë intensive. Armiku i Italisë ishte koha e shpejtë e përhapjes, nëpërmjet mosizolimit dhe rritja e numrit të pacientëve në mënyrë të frikshme. Aktualisht, ka një mobilizim të përgjithshëm dhe situata përsa i përket strukturave nuk është më problematike. Mbetet akoma e frikshme mos ulja e numrit të të prekurve në 24 orë. 

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si mjeke? 

Mendoj se Shqipëria duke mësuar nga gabimet e Italisë, do marrë masa më të rrepta, për mos të rritur frikshëm numrin e të infektuarve. Për këtë është e nevojshme mos krijimi i focolaiove të reja infektive në qytetet e tjera ende të paprekura. Armiku është jashtë kudo, prandaj duhet që ne të qëndrojmë në shtëpi. 

E keni pasur ëndërr të bëheshit mjeke?

Mjekësia ka qenë një ëndërr e fshehtë e imja që në fëmijëri. Më tepër se një ëndërr, ishte një sfidë me veten, “Unë do ja dal” dhe ashtu ndodhi! Jam larguar në moshën 18 vjeç, deri diku pa miratimin e prindërve, të cilët mendonin se ishte absurde largimi im nga shtëpia në atë moshë në një shtet të panjohur dhe në një degë aq të vështirë. Mbas konkursit dhe hyrjes në mjekësi, ata kanë qenë pika ime e forcës dhe shtysa për të mos u dorëzuar. 

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

Një fëmijë i rritur me dy prindër të thjeshtë dhe punëtorë, të cilët sakrifikuan çdo kursim, kohë për të më arsimuar mua dhe motrat e mia. Një fëmijë e rritur me gjyshen, nga e cila kam trashëguar çdo zakon dhe dashuri për të moshuarit. Një fëmijë që kohën e lirë e kalonte duke i rënë pianos apo duke shkruar. Një fëmijë sa i dashur dhe këmbëngulës. Një fëmijë që përtej pianos, ishte çapkëne dhe rebele. E rritur me dashuri, thjeshtësi e çiltërsi dhe sot jam një vajzë, motër, grua që mundohet ti trashëgojë këto vlera jo vetëm në familje por dhe në profesion. 

Ju faleminderit Dr.Selenica per kohen tuaj!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo gazetare, shkrimtare.

21 Mars, 2020, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Ptragjedia italiane

Thelbi

March 22, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ Funksioni është esenca e të qenit të një njeriu a sendi. Ajo çfarë bëjmë a për çfarë përdoret, përcakton realitetin e tyre. Çdo gjë fillon nga thelbi. Njeriu krijon një thelb të gjërave dhe më pas miqësinë e armiqësinë, të mirën e të keqen në lidhje me ‘to. Të menduarit pa thelb sjell zbrazëti. Blej një send e mos e përdor, vlera e tij bie. Hiqi njeriut të drejtën e besimit dhe ke krijuar një robot që vetëm mund të mendojë sipas programimit, por kurrë të ndjejë. Në Shqipërinë e diktaturës, ky fenomen ishte mbizotërues mes klasës së arsimuar, duke krijuar një kulturë boshe dhe injorante ndaj nevojave dhe kushteve, që janë thelbësore për jetën e shpirtit. Realizmi socialist ende vazhdon. Njerëzit përjetojnë boshllëk shpirtëror, pa esencë, por gënjeshtra e mashtrime; mendimi i tyre shënohet nga një pasivitet a dembelizëm për shkak të mungesës së dëshirës a vullnetit që lindin nga shpirti. Mendimet e tyre, po t’i analizosh, janë të mbushura me abstraksione, pa shpirt, që të zezën e bëjnë më të zezë, sëmundjen më të rëndë, panikun më të madh dhe masat a ligjet më të pamëshirëshme; që e shplajnë shpirtin gjithnjë e më shumë, e bëjnë atë steril. Përndryshe, sot nëpër rrugë do të shihni jo ushtarë e policë, por automjete ndihmash me ushqime e ilaçe për njerëzit e detyruar të izoluar e në nevojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Thelbi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 675
  • 676
  • 677
  • 678
  • 679
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT