• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOFTIM I GAZETËS “DIELLI”

March 22, 2020 by dgreca

Njoftojmë abonentët dhe lexuesit e gazetës”DIELLI” se për arsye të kushteve të krijuara nga kriza boëtrore e Coronavirusit(Nju Jorku është epiqendra e krizës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës), për shkak të shtypshkronjës dhe postës, gazeta në print nuk do të dalë për muajin mars. 

U lutemi lexuesëve tanë që të mos shkëpusin kontaktet me Diellin e tyre. Ashtu si 111 vite nga botimi i numrit të parë e në vijim gazeta do të vazhdojë informimin tuaj. Ashtu siç kemi bërë në të gjitha këto ditë të krizës ne do të vazhdojmë t’ju infomojmë për gjithçka ndodh. 

Redaksia jonë me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe korrespondentëve do të vazhdojë t’ju informojë. Ju lutemi ndiqeni gazetën në adresat tona: www.gazetadielli.com, facebook: dielli vatra, si dhe Gazeta Dielli.

Nese keni deshire qe t’na shkruani perdorni emailin tone:gazetadiell@gmail.com

Ju urojmë që ta kaloni sa më lehtë këtë krizë botërore të shkaktuar nga COVID-19. Rreziku është i përbashkët, por mbrojtja individuale. Ruani veten që të ruani të tjerët!

Faleminderit!

EDITORI

Dalip Greca

New York, 22 Mars 2020

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Njoftim

Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku

March 21, 2020 by dgreca

Nga Rafaela Prifti/

 “Artistët shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut janë ata që e përcjellin më së miri përvojën e kombit tonë nga një gjeneratë tek tjetra,” thotë Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku në bisedën e kërkuar nga Dielli për të shënuar 8 marsin. 

Karriera e saj profesionale përfshin thuajse dyzet vjet në Shqipëri ku ajo ka qenë nga prijëset e para të profesionit të saj si shoqëruese dhe pianiste e zhanrit operistik. Në fund të viteve 90-të, kur ajo bashkë me fëmijët, Azeta dhe Kreshnik Zhabjaku erdhën në Nju Jork, talenti i saj spikati edhe këtu. Në sajë të kualifikimit dhe përvojës së saj, Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku u angazhua në Mannes College of Music nga tenori me famë ndërkombëtare z. Dan Marek. Gjatë bisedës me Diellin ajo flet për veçoritë e brezit të artistëve që jetuan dhe krijuan në diktaturën komuniste dhe që patën mundësinë të japin kontribut në Amerikë, tregon disa momente personale sesi u këndua aria ‘gabimisht’në gjuhën italiane, flet për jetën e artistëve në diasporë e të tjera. Ajo ndjen respekt për artistët me të cilët ka bashkëpunuar me vite të tëra, ndërsa ata e kanë vlerësuar atë për profesionalizëm të pashoq. “Pasioni, vullneti, talenti, puna artistike me solistët e bën zonjën Daja Zhabjaku një artiste me plot kuptimin e fjalës,’ shkruan tenori shqiptar, Artisti i Popullit, Gaqo Çako. Si nënë, zonja Daja Zhabjaku është figurë qendrore në jetën e fëmijve. Ajo ndjek me kënaqësi spektaklet e koncertet e Kreshnikut ashtu si edhe simpoziumet e kumtesat e Azetës. 

Ajo është ngjitur në skenë me mijëra herë por kurrë nuk e ka kërkuar dritën e prozhektorëve. Ajo ka shoqëruar qindra zëra por kurrë nuk ka lejuar të kërkojë vendin e parë. Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Dielli do ndriçojë mbi të për kontributin që i ka dhënë Koncert Maestroja Nermin Daja Zhabjaku artit operistik shqiptar.  

-Ju zonja Daja Zhabjaku i përkisni brezit të artistëve shqiptarë, të cilët një pjesë të konsiderueshme të jetës profesionale e kaluan nën diktaturën komuniste. Çfarë ishte më e rëndësishme për ju në atë kohë? 

Pjesën më të madhe të karrierës sime, plot 30 vjet, e kam përjetuar në diktaturë. Për mua, gjithmonë ka pasur rëndësi parësore integriteti personal e profesional. Jo vetëm përgatitja dhe profesionalizmi, por edhe komunikimi me solistët në çdo kapacitet. Natyra e punës sime kërkonte të isha partnere në të kënduar për duetin/trion e rradhës apo të ndihmoja solistin të formonte artistikisht qasjen individuale ndaj rolit ose aries që po përgatiste. Sot është e lehtë të harrojmë që në atë kohë nuk kishim inçizime (CD) të ndonjë lloji (të rralla ishin rastet me disk apo kaseta magnetofoni) ndërsa platforma si Youtube nuk eksistonin që të krahasonim ose të merrnim ide nga artistë ose teatro të huaj. Në ato kushte, përgjegjësia binte tek mua për të arritur nivelin më të lartë të interpretimit të solistëve të operës sonë kombëtare.

-Nga ajo kohë deri më sot, çfarë nuk duhet të harrojmë të gjithë ne këtu në diasporë dhe në atdhe? 

Këmbënguljen dhe dashurinë e profesionitëve për artin e operas pavarësisht nga vështirësitë e krijuara nga ideologjia dhe konjukturat politike. Një nga periudhat më të rënda ka qenë kopjimi shqiptar i revolucionit kulturor kinez, gjatë viteve ‘70 dhe ’80. Pika absurde ishte ndalimi i të kënduarit të arieve dhe veprave operistike në gjuhën origjinale. Libretet e operave klasike si Traviata apo Rigoletto të Verdit, Madama Butterfly nga Puccini, Dasma e Figaros nga Mozarti e shumë të tjera këndoheshin në shqip. Nuk mund të harroj një episod kur gjatë një koncerti, sopranoja e njohur Shqipe Mingomataj më tha se do ta interpretonte arien e Toskës në gjuhën origjinale. Kur iu turrën se kishte shkelur ‘vijën’ ajo këmbëngulte se e kishte kënduar në shqip dhe se ‘paria politike’ nuk e kishte dëgjuar mirë. Por në Shqipërinë komuniste kufizimet kishin cekur çdo detaj të jetës personale. Veshjet e lejuara në punë dhe në publik, siç ishte ndalimi i mbajtjes së pantallonave për femrat dhe gjatësia e fustaneve deri tek gjuri. Nuk e harroj vëzhgimin e vrazhdë në hyrje të derës së operas ku kontrolloheshim se mos kishim tejkaluar ndopak lyerjen e buzëve apo rimelin te qerpikët. Megjithëse sot edhe unë vetë mund t’i kujtoj me pak humor me shoqet e mia, në atë kohë si pianiste e re ishte jetike t’i përmbaheshe normave të vëna nga drejtoria.

-Si artiste me karrierë në dy kontinente dhe në dy sisteme, si e ke përjetuar veçorinë e një brezi të tërë të artistëve shqiptarë, që kapërcyen vitet ‘90 dhe 2000 duke jetuar dhe krijuar në Amerikë? 

Ky brez i krijuesve shqiptarë është shumë i formuar artistikisht dhe zotëron plot talent dhe shumë zell. Ata kanë gjetur edhe këtu mundësira për të arritur potencialin e tyre profesional.

-Po çfarë gjen dhe çfarë nuk gjen artisti shqiptar në diasporë?  

Për mua personalisht, imagjinoj se çfarë mund të kisha arritur po të isha këtu në moshën 20 vjeç. Në anën tjetër më mungon ngrohtësia që kam pasur me kolegët e mi. 

-Nga kujtimet personale, ju mbaj mend në mbrëmjen e 50 vjetorit të krijimtarisë së babait tim në Nju Jork, ku ju ishit pianistja që shoqëruat baritonin Kreshnik Zhabjaku dhe mezzo sopranon Rajmonda Dabulla. Lista e artistëve që keni shoqëruar dhe me të cilët keni bashkë-interpretuar i përngjan një antologjie të këngëtarëve të operës shqiptare. E njëjta vlen edhe për kompozitorët shqiptarë. Nga më shumë se 1,000 koncerte a mund të ruhen momentet të caktuara në kujtesë?  

Koncertet me artistë të skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit janë të panumërueshme. Për afër dyzet vjet kam shoqëruar në piano dhe në kanto shumicën e artistëve, solistëve, tenorë, baritonë, mezzosoprano, bass, si dhe kam interpretuar në koncerte dhe inçizime në Radio Televizionin Shqiptar. Kam qenë shoqëruese në shfaqje në të gjithë Shqipërinë. Dhe deri në kohën që u largova, luaja me dëshirë për studentët e Akademisë së Arteve në saxhot dhe provimin e diplomës.

-Nju Jorku është ‘atdheu’ i dytë për familjen tuaj si edhe një nga kryeqendrat e jetës artistike. Ju keni qenë pianiste në koncertin në Carnegie Hall 2014, ku krejt programi ishte ndërtuar me muzikë dhe artistë shqiptarë. Cilat janë përshtypjet tuaja? 

Ishte koncert me nivel të lartë artistik dhe i organizur shumë bukur. Një punë e mrekullueshme e producentit Xhevat Limani dhe Ambasadorit të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në atë kohë, z. Ferit Hoxha. Ka qenë edhe një ndër momentet më të ëmbla si nënë dhe si pianiste profesioniste, pasi bariton në skenë ishte djali im Kreshniku. Më është ngulitur në kujtesë kumbimi i muzikës së mirëfilltë klasike shqiptare në një ndër skenat më të njohura në botë. Mbaj mend shumë përfaqësues të OKB-së dhe artdashës njujorkezë si edhe shqiptarë nga komuniteti ynë që na pritën me duartrokitje dhe ovacione. Ky koncert ishte koncerti im i fundit në karrierën time si pianiste profesioniste.

– Këtë vit festa ndërkombëtare e gruas qëlloi të ishte në periudhën e përhapjes së epidemisë së virusit respirativ me përqendrim të madh në Nju Jork. Cilat janë kujtimet e festimit të 8 marseve të kaluar?

Për mua gjithmonë ka qenë e rëndësishme ta kaloj me familjen time. Kam qenë e lumtur me bashkëshortin tim, regjisorin Ismail Zhabjaku, dhe fëmijët, Azeta dhe Kreshnik. Ka qenë gjithmonë një ditë pranë familjes dhe më të shumtën e rasteve bënin piknik nga liqeni i Tiranës. Mbaj mend lulet që më sillnin fëmijët dhe hartimet që më bënte vajza për 8 Marsin. Momente që kurrë nuk harrohen. 

-Muzika dhe artisët shqiptarë janë të pranishëm në shumë spektakle e koncerte në mbarë botën. Ata kanë arritur njohje masive dhe publicitet global që nuk ishte mbërritur deri tani dhe që vështirë se mund të arrihet me rrugë të tjera. A është pozita e tyre e favorshme për të përçuar një mesazh të bashkuar? 

Patjetër. Zemra dhe shpirti shqiptar ka qenë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e artit botëror. Eksperienca e një kombi gjatë shekujve është transmetuar nga gjenerata në gjeneratë. Artistët tanë, brenda dhe jashtë vendit, janë ata që e përcjellin atë më së miri. Mjeshtëria e tyre artistike është e pazëvendësueshme në botë.

BRIEF BIO OF CONCERT MAESTRO NERMIN DAJA ZHABJAKU

Nermin Daja Zhabjaku – a pioneer coach-concertmaster at the Albanian National Opera House whose career spans 36 years. She was born in a loving family in her native city, Albania’s capital, Tirana. Showing her love of music early on, she started piano lessons when she was five years old and was enrolled at the artistic Lyceum “Jordan Misja” in Tirana at the age of 10.  Soon after completing her education, she began coaching at the National Opera House. She is one of the pioneers in her profession, with a long-running career. She retired and moved with her family to New York in 1998.

She has performed alongside excellent Albanian Opera singers: Avni Mula, Gaqo Çako, Nina Mula, Luiza Papa, Ramiz Kovaçi, Haxhi Tafaj, Myzejen Mullai, Stavri Rafael, Mentor Xhemali, Shqipe Mingomataj, Ibrahim Tukiçi, Kristaq Paspali, Xhovana Doku, Shqipe Zani, Vangjo Kosta, Hysen Kurti, Burhan Spahiu, Pëllumb Katroshi, Emine Gjata, Hysen Koçia, Edit Mihali, Ruzhdi Karaj, Gjergj Sulioti, Petrika Rëmbeci, Kaman Aliko, Rajmonda Dabulla, Inva Mula, Marjana Leka, Mirela Tafaj, Ymer Kaca, Lindita Lole, Deshira Ahmeti, Era Hoxha, Adrian Xhema, Kastriot Tusha, Oriana Kurteshi, Elona Çeno, Shirli Polena, etc. Her extensive portfolio includes accompaniments of international performers like Filipo Pino, Gianluca Rizzi, Patrick Daniston. The collaborations with composers and conductors such as Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Pjetër Gaci, Ermir Krantja, Nikolla Zoraqi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Vitorio Parisi, Alan Aurelia, Manfred Mayerhoffer, etc are productions of fine quality. She has appeared in countless concerts on the Albanian National Television with Opera House soloist and instrumentalists, such as Fatos Jaho, Igli Tuga etc.

For twenty five years she was employed at The Opera Performance Class at the Academy of Fine Arts in Tirana, Albania, to coach generations of singers who perform internationally to this day. For her many achievements as a musician, Ms. Daja-Zhabjaku was awarded the “Naim Frasheri” Award for Musical Excellence by the Parliament of the Republic of Albania in 1985.-the highest civilian honor bestowed by the Albanian Government at that time. 

She continued her career in the US as a voice and signing coach at Mannes College of Music. For thirteen years, Ms. Nermin Daja Zhabjaku pursued her vocation at the studio of Metropolitan Opera singer Dan Marek, a principal tenor of international stature. An active and reputable performer, she has appeared extensively in shows and productions from Austria, Italy in Europe and throughout the United States.

Throughout her vast professional life, she has received countless honors including prizes and awards from the Artistic Council of the Albanian National Opera. She retired the onstage performance with a milestone concert at Well Recital Hall, Carnegie Hall in 2014 – the first time Albanian classical music was performed at the venue for the full duration of the concert.

She has performed over a thousand concerts and coached hundreds of voices yet never asked to step into the spotlight. On the International Day of Women, we shine a light on the Concert Master Daja Zhabjaku for her pioneer work and her unsurpassed professionalism in Albanian Opera. 

Filed Under: Featured Tagged With: NerminDaja Zhabjaku, Rafaela Prifti

VENDI I MIHAL GRAMENOS NË LETËRSINË DHE GAZETARINË SHQIPTARE

March 21, 2020 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/

         Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.

         Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.

         Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.

Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.

         Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj

         Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenoja, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.

         Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se edhe shqiptarët e tjerë do ta ndiqnin shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.

* * *

         Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.

         Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë grekeve dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku rifilloi botimin e gazetës së tij.

         Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.

         Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenoja kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.

         E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.

         M. Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.

         Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimit, që botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.

         Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.

         Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.

         Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.

Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.

         Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.

         Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liri, Ardhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.

Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.

Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.

         Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.

         Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.

         Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.

         Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.

         Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.

         Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu.      Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), Duvaxhinjtë, I gjori Ibrik, Xinxifkë pasha, Xhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.

         Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.

         Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.

         Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.

         Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse asaj do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.

         Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.

         Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.

         Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.

         Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me argumente.

         Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.

         Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar edhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit veprën tërësore të tij, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).

         Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.

         Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.

Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f.,  edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

         Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.

         (Shenim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.

         Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi që kur Mihali ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku turpëroi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por dihet se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës

         Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Kur populli shqiptar kishte dalë i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste, populli grek ia hapi portat, e punësoi dhe e ndihmoi popullin shqiptar që shkoi në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!

         Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar kundërgrekoman. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos sikur Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin tregues të dorës së djathtë. Këtë shpifje e kam dëgjuar edhe unë prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli pikërisht më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk donte të pranonte zotëria të vërtetën kur i thashë se dhespot Fotin e vrau Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë komit me çetën e Bajo Topullit, kurse Mihali doli komit një vit më vonë më 1907. Po grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë dhe punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen në Negova më 1905 andartët grekë ndaj atdhetarëve shqiptarë midis të cilëve vranë barbarisht me sopata dhe dy vëllezërit Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovani.

         Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e këtyre shpifjeve të ulta antishqiptare, që prishin miqësinë midis popullit shqiptar e atij grek, e ribotova këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse nuk kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim që duhet ta lexojnë sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve.)

Filed Under: Histori Tagged With: Mihal Grameno, Thanas Gjika

SOLIDARITETI HUMAN PERBALLE KORONAVIRUSIT

March 21, 2020 by dgreca

Shkruan: Pashko R. Camaj, Dr. i Shkencave të Shëndetit Publik/

            Në botën e kthyer mbrapsht nga pandemia e koronavirusit, për të cilën raportohet në lajme dhe mjetet e tjera të informimit 24 orët e ditës, ja vlen të kujtojmë se njerëzimi ka përballuar shumë pandemi gjatë historisë së tij! Për ne, popullatën shqipëtare në SHBA si dhe pjesë tjera të botës, shqetësimi është i dyfishtë.  Në njërën anë jemi të kapluar me situatën personale, me familjet dhe shoqërinë tonë. Në tjetrën anë, jemi të shqetësuar sesa dhe sesi janë në gjendje të mbrohen dhe të mbijetojnë bashkëkombasit tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Veriore, Mal të Zi. Na mbetet të kërkojmë nga ata që të veprojnë së bashku ndërsa u themi se dhe në këto raste ne jemi të bashkuar dhe se jemi një! Një moment pandemije do të jetë dhe një arsye që të mendojmë dhe veprojmë si një trup i vetëm për të mirën tonë mbarëkombëtare!

Natyra e rrezikshme e kësaj pandemije, reagimet e qeverive lokale, rajonale dhe botërore ndaj saj dhe të gjitha tentativat për ta ngadalësuar hovin sugjerojnë se realisht nuk mund ta dimë sesi do të jetë bota në përfundim të kësaj krize të madhe. Sëmundjet dhe vdekjet e raportuara nga shumë vënde dhe efekti paralel dhe negativ në ekonomi veç sa kanë filluar. Megjithatë është e rëndësishme të kuptojmë dallimin midis frikës dhe shqetësimit, midis gatishmërisë dhe panikut, midis reagimit të shëndetshëm dhe mendësisë shkatërruese.  Ish-Presidenti amerikan, Franklin D. Roosevelt e ka kuptuar atë në mënyrë intuitave dhe në fjalimin e tij inaguarues në vitin 1933, që përkonte me fundin e “Depresionit të Madh” amerikan, tha se “e vetmja gjë që na frikëson, është vetë frika.” Mediat sociale dhe shumë qarqe lajmesh të përditshme vërshojnë lloj lloj teorish mbi origjinën dhe përhapjen e Koronavirusit, dhe fatkeqësisht shumë prej tyre nuk synojnë informimin e  publikut. Shpesh ata provokojnë frikë me anë të titujve sensacionalë, dezinformatave dhe pretendimeve të pabazuara. 

Një gjë e dimë me siguri: Antidoti më i fortë i frikës është informacioni – informacion i saktënga burimet të besueshme.  Por, në kohën e sotme, edhe të dhënat e vërtetuara janë dukur ose paraqitur si kontradiktore. Mungesa e vaksinës dhe ilaçeve që ende nuk ekzistojnë, por dhe mungesat e testimit në mbarë vendin do të thotë që ende nuk kemi njohuri të plota për shkallën e kësaj krize. Ne duhet të jemi të përgatitur për të papriturat, si për shembull ku mund të shfaqet virusi në fazën tjetër ose si do të ndryshojë vdekshmëria pasi të jenë testuar më shumë njerëz. Ky tregues mund të përkeqësohet por mund të përmirësohet. E panjohura shkakton frikë por kjo nuk do të thotë se duhet të bëhemi pre e saj.

Pandemia e re e koronavirusit është një problem shumë i mprehtë që pritet të kulmoj në javët dhe muajt e ardhshëm. Këto janë kohë te vështira për personat e infektuar, si dhe për ata që përpiqen të shmangin infeksionin. Por mes gjithë trazirave dhe gjendjes shumë të rënduar, ​​ka disa episode pozitive, mesazhe solidarizuese dhe arsye për të qëndruar shpresëdhënës. 

Disa prej tyre janë:

  • Shumica e njerëzve me COVID-19 shërohen.Vlerësimet sugjerojnë që 99% e njerëzve të infektuar me virusin që shkakton COVID-19 do të shërohen. Disa njerëz nuk kanë simptoma fare ose disa i kanë të lehta. Ndërsa mijëra njerëz kanë vdekur, niveli i përgjithshëm i vdekjeve është 1-3% (ose ndoshta edhe më i ulët kur të jepen më shumë të dhëna për numrin e njerëzve të infektuar), shumë më pak se MERS (rreth 34%), SARS (rreth 11%), ose Ebola (90%), megjithëse më i lartë se gripi mesatar sezonal (0,1%).

Humbja e jetës nga kjo sëmundje është e tmerrshme dhe shumë më tepër raste priten, por bazuar vetëm në shkallën e vdekjeve rezulton se mund të ishte shumë më keq.

Fëmijët duket se infektohen më rrallë dhe kanë raste më të lehtë të sëmundjes infektive. Sipas CDC-së, shumica e infeksioneve deri më tani kanë prekur të rriturit. Dhe kur fëmijët janë të infektuar, ata kanë tendencë ta kalojnë në formë më të butë COVID-19. Për fëmijët dhe prindërit e tyre, ky është një lajm i mirë. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se fëmijët mund të zhvillojnë infeksion sot mund të jenë vektorë për këtë infektim. Një studim i ditëve të fundit nga Kina (për aq sa mund të besohet) tregoi se në fillim të shpërthimit një numër i vogël i fëmijëve, veçanërisht foshnjat dhe të miturit mund të zhvillonin infeksion serioz. Siç është e vërtetë në përgjithësi, ka të ngjarë që fëmijët mund të përhapin infeksionin në mungesë të simptomave, megjithëse sa shpesh ndodh kjo është e paqartë. Duket se koronavirusi i ri nuk sillet si shumë sëmundje të tjera virale, prej të cilave, të moshuarit dhe fëmijët janë veçanërisht të prekshëm

Numri i rasteve të reja po bie aty nga ku filloi të përhapej epidemia. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, duke folur për një shpërthim të ri të koronavirusit, theksoi se “Kina dhe Republika e Koresë kanë rënie të rasteve infektive në shkallë të konsiderueshme.” Në fakt, provinca Wuhan (vendi i rasteve të para) ka raportuar se nuk ka asnjë rast të ri lokal për herë të parë që nga fillimi i shpërthimit. I vetmi rast i ri u “importua” nga udhëtarët që mbërrijnë atje. Ndonëse shifrat aktuale janë të vështira për tu verifikuar, ashtu si edhe metodat që përdorin këto vende për të ndalur infeksionin, siç është testimi agresiv diagnostik, nëse numri i rasteve të reja në Kinë është me të vërtetë në rënie, ky është lajm i mirë dhe sugjeron që përpjekjet për të ngadalësuar përhapjen e këtij infeksioni mund të jenë të suksesshme.

  • Dobia e Internetit! 

Aktualisht për të praktikuar distancën sociale duke ruajtur disa kontakte shoqësore dhe nevoja mjekësore, njerëzit në izolim ose karantinë mund të kërkojnë ndihmë, të vizitojnë miqtë, të “shohin” familjen dhe mjekët në mënyrë praktike dhe të ofrojnë azhurnime për gjendjen e tyre.

  • Përgjigja dhe përgatitjet tona ndaj pandemive të ardhshme (që do të na testojnë edhe në të ardhmen) duhet të përmirësohet! Pandemia e COVID-19 ka ekspozuar mangësi në sistemet e kujdesit shëndetësor në të gjithë botën që jep mundësinë për t’i përmirësuar ato. Për shembull, një përgjigje më e shpejtë globale, shpërndarje më e mirë dhe e shpejtë e kutive të testimit dhe mesazheve publike më të koordinuara dhe të qarta duhet të jenë pjesë e protokollit të gatishmërisë së ardhshme.

               Neve na mbetet që ta shndërrojmë panikun dhe frikën në aksione serioze, të ndalim apo  ngadalësojmë shpërndarjen e virusit dhe me kontributin tonë, të ‘ulim kurbën’ e të infektuarve ashtu që të mos e vërshojmë rrjetin shëndetësor dhe t’u japim mundësi institucioneve përkatëse të bëjnë punën e tyre në shërbimin ndaj të sëmurit dhe ndaljen e pandemisë së koronavirusit.

Filed Under: Politike Tagged With: dr. Pashko Camaj, percale Coronavirusit, solidaritet

GAZETARI DHE STUDIUESI DHIMITËR DISHNICA NDËRROI JETË NË WORCESTER, MA, NË MOSHËN 77 VJEÇARE

March 21, 2020 by dgreca

Gazetari dhe studiusi Dhimiter Dishnica, ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare, ditën e enjte, më 19 mars në Spitalin Shën Vincent, në Worcester. Ai la të pikëlluar gruan e tij me të cilën jetonte prej 52 vjetësh, Afërdita (Agolli) Dishnica, si dhe vajzën e tij, Elonia me bashkshortin George Pojani nga Worcester, së bashku me fëmijët e tyre, Rei dhe Janny Pojani. Dhimitri lë gjithashtu pas djalin e tij, Erdvin Dishnica dhe gruan e tij, Tania, Romë, Itali me djalin e tyre, Matteo. Po ashtu ai la pas motrat Liljana Saraçi dhe Vilma Koti me burrin e saj në Korçë, Shqipëri si dhe motrën Valentina Kondili në Jacksonville, Florida.

      Dhimitri ka lindur në Korçe, Shqipëri dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës me një master të dyfishtë në Histori dhe Gjeografi. Më vonë, ai vazhdoi studimet e metejshme dhe fitoi një diplomë tjetër në gjuhën shqipe. Pas kësaj, Dhimitri punoi si mësues në rrethin e Librazhdit. Pastaj, ai u bë një gazetar kronik në redaksinë e informacionit dhe kulturës në Radio Tirana. Ishte drejtor i Pallatit të Kulturës Ali Kelmendi ne Tirane, i cili ishte një nga dy institucionet më të mëdha kulturore dhe artistike të kryeqytetit. Me pas Dhimitri ishte specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit; në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore. 

    Si gazetar dhe historian, ai ka botuar rreth një mijë faqe në shtypin e përditshëm dhe në revistat shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe eshte gjithashtu autor i katër librave, përfshirë “Motrat Qiriazi”, ”Voskopoja” (me bashkëautor) “ Përballë të vërtetës-Kristo Dako, jeta dhe vepra“ “Miqtë e Shqipërisë” si dhe librin ”Ftesë për debat”.

 Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000 dhe ishte besimta i rregullt i Kishës Ortodokse Shqiptare  të Shën Mërisë. Dhimitri vazhdoi t’i jepte komunitetit shqiptar kontributin e tij duke themeluar shoqërinë jofitimprurëse shqiptare amerikane “KOMBI” në 8 Mars 2008 me misionin për të ruajtur Identitetin Kombëtar i cili më vonë u pasua nga hapja e Shkollës Shqipe në Worcester më 3 tetor, 2009. Dhimitraqi ishte një intelektual i vërtetë me njohuri të pamasë për kulturën shqiptare dhe historinë botërore, një burrë i dashur, një baba dhe gjysh i mrekullueshëm dhe një mik besnik. Shërbimet funerale dhe varrimi do të jenë private. Pushoftë në paqë shpirti i tij!(DIELLI)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dhimiter Dishnica, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 678
  • 679
  • 680
  • 681
  • 682
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT