• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arrin në 100 numri i të vdekurve nga koronavirusi në ShBA

March 17, 2020 by dgreca

17 Mars 2020- Në Shtetet e Bashkuara, COVID-19 vazhdon të përhapet dhe numri i të vdekurve arriti shifrën 100, sipas njoftimeve të sotme ende jozyrtare.

Shtetet më të goditura të Amerikës vazhdojnë të jenë Uashingtoni, Nju Jorku dhe Kalifornia.Numri i rasteve të konfirmuara si në Uashington ashtu edhe në Nju Jork po arrin në rreth 1,000. Në shtetin Uashington, zyrtarët raportojnë për të paktën 48 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Zyrtarët thanë se administrata do të bëjë ç’është e mundur për të frenuar pandeminë.

“Për një vend kaq të madh, ne po ecim mirë,” tha Presidenti Trump.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në SHBA e ka kaluar shifrën 5,000 ndërkohë që është shtuar numri i testimeve.

Presidenti Trump tha: “Do të vdesin shumë njerëz. Qëllimi ynë është të pakësojmë numrin e njerëzve që mund të vdesin.

NJU JORK: A DO TE KETE KARANTINË?

Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo tha të martën se nuk kishte në plan të impononte karantinë në asnjë prej qyteteve në shtetin e tij.

“Nuk kam asnjë interes dhe asnjë plan të çfarëdolloji, që të vendos karantinën në ndonjë qytet,” tha Cuomo në një konferencë shtypi. Sidoqoftë, ai tha se ekziston mundësia që të ketë mbyllje më dramatike, përveç mbylljes së restoranteve, bareve dhe shkollave, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Ai tha gjithashtu se numri i rasteve në shtetin e Nju Jorkut pritet të arrijë kulmin pas 45 ditësh.

Ndërkohë, në kryeqytetin Uashington tani per tani ka thjesht mbyllje shkollash, kinemash, palestrash dhe restorantesh.

MUNGESË VENTILATORËSH

SHBA aktualisht ka rreth 160,000 ventilatorë, shumë më pak se 740,000 që do të duheshin në rastin e një pandemie “të rëndë” si gripi spanjoll i vitit 1918.Presidenti Trump u ka thënë shteteve të ndryshme amerikane që të mos presin ndihmën federale për pajisje të tilla “nëse mund t’i marrin ato më shpejt duke i siguruar vetë”.

Zyrtarët theksuan sot se do të zgjerojnë metodat e telemjekësisë. Pacientët nuk do të duhet të paguajnë nëse kontaktojnë dhe konsultohen me mjekun përmes internetit, pa u dashur të shkojnë vetë te mjeku.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha të martën se banorët duhet të jenë të përgatitur për mundësinë që të qëndrojnë brenda në shtëpi për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri. Vendimi se si do të veprohet ka të ngjarë të merret brenda 48 orëve të ardhshme, tha kryebashkiaku.

Qyteti i Nju Jorkut gjithashtu nënshkroi marrëveshje me një laborator privat për të zgjeruar kapacitetin e testimit deri në 5,000 teste në ditë, tha ai.(Kortezi-Zeri i Amerkes)

Filed Under: Kronike Tagged With: SHBA

MË SË FUNDI DO TË DUHET TË KTHEHEMI TË LIRË

March 17, 2020 by dgreca

Nga Pierluigi Battista/ Perktheu:Eugjen Merlika/

            Duhet të jemi optimistë, do të mbarojë heret a vonë, do të dalim mbasi të kemi dëshmuar fuqinë tonë shpirtërore dhe kurajën tonë. Por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kur gjithshka të ketë mbaruar, të mos jemi mësuar me më të keqen, me fshirjen e lirive tona, me vënien në kllapa të disa prej të drejtave tona që na dukeshin të paprekëshme. Nëse jemi të sëmurë rëndë, pranohen zorile kufizime e pakësim të sovranitetit vetiak, por mendohet gjithënjë për çastin kur gjithshka do të kthehet si më parë e do të rifitohet fuqia, shëndeti dhe liria. Me këtë mbyllje shoqërore të stërmadhe e të nevojshme, më shumë se të nevojshme, rrezikohet të harrohet se duhet të kthehemi mbrapa, në rrafshin e respektimit të lirive vetiake, saktësisht në pikën e nisjes; në pikën e një shoqërie të lirë, ku kontrolli shoqëror duhet të njohë caqe të pakalueshme, ku  ndërhyrja e pushtetit publik në jetën private të jetë e frenuar. 

            Ajo që po jetojmë është e nevojshme, por një ditë nuk duhet t’a qajmë si një çast që duhet të mbyllet, të arkivohet si në kokë dhe në sjellje. Ndërsa përceptohet një atmosferë e tillë: po zbulojmë virtutet e një shoqërie më pak të shfrenuar, më të disiplinuar, më pak të palosur në përmasat vetiake. Ndërsa nuk duhet të jetë ky: urgjenca është e tillë sepse është e kufizuar në kohë, koha e nevojshme për t’a bërë të kotë atë, për të rimarrë lirinë e lëvizjeve, lirinë e zgjedhjeve, lirinë e harxhimit, lirinë për të vendosur vetë në respektimin e plotë të autonomisë vetiake, të asaj që e quajmë frut të vendimeve, nevojave, dëshirave që na përkasin e duhet të vazhdojnë të na përkasin. Lufta kërkon flijime, me qëllim që të mund të kthehemi në kohë paqeje, në të cilën çdo sakrificë e luftës fiton një kuptim. Ja sepse duhet të jemi optimistë: e gjithë kjo do të mbarojë, duhet të mbarojë edhe zakoni i mungesës së lirisë. E gjithë kjo do të mbarojë, por nuk duhet të marrim me mënd që është e drejtë të paguajmë për fajet e kaluara të mënyrës sonë të jetesës. Nuk kemi asnjë faj për të paguar. Duhet të fitojmë betejën kundër virusit e të rimarrim të drejtat tona e të kërkojmë rivendosjen e vlerave të një shoqërie të lirë të përbërë nga individë të lirë. Sot ata janë të zotuar në një mundim të  pakufi për t’u kthyer së qëni ata të parët, të lirë edhe  për të përsiatur mbi gabimet e tyre. Të lirë.

            “Corriere della Sera”, 15 mars 2020- E përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Pierluigi Battista, Te kthehemi te lire

LAMTUMIRË FJALËVE TË MARRA, KTHEHET DËSHIRA E FJALËVE TË VËRTETA

March 17, 2020 by dgreca

… “Dua fjalë që të mos poshtërohen, fjalë që nuk vyshken. Dua gjëmba e rrënjë, në të cilat shumë rrallë mund të duket ndonjë gjethe, por fjalët e tjera nuk i dua…” Mjaft me fjalët që i merr era…/

Nga GIAN ANTONIO STELLA/

            “N’errësirë fjalët peshojnë dyfish.”, ka shkruajtur Elias Canetti. Asnjëherë më parë nuk ishim kujtuar sa në këto ditë. Ditë në të cilat të gjithë mund të gjejmë veten në një tjetër prej shënimeve të shkrimtarit të madh, të përmbledhura në librin Provinca e njeriut. Shënime në të cilat ai bënte thirrje: “Dua fjalë që të mos poshtërohen, fjalë që nuk vyshken. Dua gjëmba e rrënjë, në të cilat shumë rrallë mund të duket ndonjë gjethe, por fjalët e tjera nuk i dua…” Mjaft me fjalët që i merr era…

            Qartësi. Për këtë italianët ndjejnë nevojë. Duan të kuptojnë. Duhet të kuptojnë. Më së fundi, më mirë se sa të dëgjojnë fjalë siguruese, të paracaktuara të përgënjeshtrohen shpejt, siç ndodhi me fjalinë e virologes Maria Rita Gismondo (“Qe një shpëlarje truri kolektive…. Kur e gjithë kjo të ketë mbaruar, do të porosis një varëse t’artë me formën e koronavirusit”) parapëlqejnë maturinë e ndershme  të shkencëtarëve si Alberto Mantovani: “Koronavirusi është një armik i panjohur. Nuk e njohim. Të bëhen asgjë  rreziqet është shkencërisht e gabuar, madje e rrezikshme”.   

            Dalja kobzezë e Christine Lagarde, presidente e BQE që, pak ditë më parë, shkaktoi rënien drastike të bursave nëpërmjet një fjalie të gabuar në çastin e gabuar, duke detyruar të ndërhynte edhe vetë kreu i Shtetit, qe vërtetimi i fundit për të satën herë i faktit se si fjalët, për t’a thënë me librin e Carlo Levit, janë me të vërtetë gurë. Jeta jonë, prej shumë vitesh, merret me një klasë politike që jo vetëm nuk ka kundërshtuar poshtërimin e gjuhës së vendit, të paditur nga njerëz të shtatit të Tullio de Mauro apo Francesco Sabatini, por e ka shoqëruar, gudulisur. Përfundimi është se fjalët dalëngadalë kanë humbur kuptimin.

            Kemi lexuar e dëgjuar gjithshka në tridhjetë vitet e fundit. Fyerjet kundërshtarëve të krahasuar me Stalinin, Goebbelsin, Hitlerin e Pol Potin. Britmat shtazarake në sallat parlamentare të kthyera shpesh në mejhane grindavecësh sherrxhinj: “Hale! Je një hale! Hale!”, “Pushtër! Të shitur! Pushtër!,” “Je një kurvë!”, “Çakall komunist!” e të tjera.  Deri në fyerjen në rrugë të një kreu Shteti, Oscar Luigi Scalfaro: “Me një pordhë do t’i nxjerr bojën”. Një barbarizim i pandalshëm, që do të kishte shkandulluar edhe njerëz me gjykime të ashpra si Filippo Tommaso Marinetti që kapej me Gabriele d’Annunzio duke e vulosur si një “budalla xixëllues”.

            E sa herë që dikush shkandullohej , fyhej me një zgërdhimje, sikur të bëhej fjalë për ankesa të shpirtërave të bukur: “E çfarë kam thënë vallë?”. Deri edhe akuzat Evropës që ishte, simbas Umberto Bossit, “një diktaturë naazikomuniste”, kaloheshin si një shaka e asgjë më shumë: “E çfarë kam thënë vallë?” Kuptohet vetiu se pse kur Webi filloi të mbushej me plehra antisemite, një ministër Drejtësie  arriti deri aty sa të udhëhiqte rebelimin kundër atyre që në Bruksel mendonin për një ligj që të dënonte racizmin: “Jo. Në demokraci një qytetar duhet të ketë të drejtën të thotë marrëzitë më të mëdha që beson”.

            Ose të shtjerë në fushatat zgjedhore, kuptohet, premtime gjithënjë e më mahnitëse. Një milion vënde pune. Dy milionë vende pune. Nga një çark dhëmbësh për të gjithë. Nga një shtëpi secilit. Zhdukje të burokracisë. Fshirje të varfërisë. Të gjithë duke i shkuar pas Cettos gjithfarësh: “Do u japim njëmijë euro çdo njeriu. Dymijë! nuk do të ketë më fatura të gazit dhe, shtoj do t’i heqim edhe ato të dritave. Poshtë kopracia, hajt! T’i lyejmë shtëpitë e të gjithëve. Falas!”.  

            Ditë mbas dite, për inat të një pakice të vullnetëshme, fjalët prej guri që bëjnë një Shtet serioz janë zbrazur deri sa janë bërë shumë shpesh të lëngëta, të avullta, të mekura. Të kota. Të kthyeshme si një mushama me dy ngjyra. Një tweet, një postim, një video flash, një fjali e drejtë, e gjithshka mund të fshihet. Çdo kompetencë. Çdo studim. Çdo bindje shkencore. Reset. Hajt. ”Mbi shumë të rinj e djelmosha, me bashkëpunimin e shumëve”, ka shkruar gjuhëtari Massimo Arcangeli, “zotëron një minimalizëm pop në emër të të cilit do të duhej të rrëzohej gjithshka që duket si pengesë kërkesave të një komunikimi sa depërtues po aq refraktar për të pranuar vetëm një grimcë të mendimit të ndërlikuar”. “Fjalët, uffa!”.

            E megjithatë kujton Papa Françesku, “fjalët nuk janë asnjanëse, dhe as i lënë kurrë gjërat siç janë. Nuk lindin në tavolina, në sallonet e mira të rretheve të mbyllura dhe të vetëparaqitura. I japin më mirë zë vlerave kulturore e shpirtërore të rrënjosura në kujtesën e përbashkët të një populli, të cilit i kthejnë fuqi të re. Pjellshmëria e tyre është e lidhur me një bashkëndarje të jetës; është e përpjestuar me gatishmërinë me të cilën ne pranojmë të lihemi të pyetemi e të trazohemi nga realiteti, nga gjëndjet e historitë e njerëzve.”

            Ja pra, nëse ka ndonjë dhuratë që këto ditë të tmerrshme mund të na lenë është kjo: rifitimi, mbas kaqë gumëzhimash e poteresh e përçmimi të kompetencave, të fjalëve që kthehen të kenë një peshë.

            “Corriere della Sera”, 15 mars 2020            E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjalet peshojne, Gian Antonio Stella

PUBLIÇISTIKA E DOM LAZËR SHANTOJËS DHE NYJET E PAZGJIDHURA TË HISTORIOGRAFISË SHQIPTARE 2

March 17, 2020 by dgreca

(Në 15-vjetorin e botimit të vëllimit “VEPRA” të Shantojës, nën kujdesin e Arben Markut, Niketa Stefës dhe Ardian Ndrecës)  

Shkruan: Eugjen MERLIKA/

Në shkrimet  jepet një tabllo aspak optimiste e ecurisë së Shtetit shqiptar, të problemeve të tij ekonomike, financiare, administrative. Në to bëhet një analizë anatomike e këtyre dukurive e vihet theksi mbi një aparat burokratik administrativ të stërfryrë që rëndon si një shkëmb mbi një ekonomi të dobët e të pazhvilluar, për të mos thënë të paqënë. “ A thue âsht nevoja për gjithëket personal? A perdoret gjithky personal pse Shqypënija e të mëkambunit e saj kan nevojë për tê, a po pse këta duen të jetojnë në shpinë të Shqypnìs?..” (f.131) pyet me dhimbje autori. Ndihet shqetësimi qytetar i Shantojës që futet deri në skutat më të errta të Vendit të tij, që i bën jehonë skamjes së pjesës më të madhe të popullit që kjo mënyrë organizimi e funksionimi e Shtetit nuk ndihmon aspak t’a lehtësojë. Shqetësimi është i sinqertë, i ndjerë, në përputhje edhe me misionin e famullitarit që  përditë prek me dorë hallet e mangësitë e shqiptarëve të thjeshtë që mbushin famullinë çdo të djelë, që revoltohet e shpërthen kur sheh se “ si shkrryhet parja, si shpërdoret mûndi i fukaràs, i popullit, i bulkut, i puntorit. Për me mbajtë njerz parasita……qi nuk dijnë se si me jetue, veçse në shpinë të Shtetit, me nji nênpunësì të vjedhun me protekcjon…”. (f.131) Nuk kemi të bëjmë me një instrumentalizim të tipit marksist të dukurisë por me dhimbjen e thellë të atij që e don me gjithë zemër popullin e tij. Kjo dhimbje arrin deri në revoltë e dëshpërim kur sheh se kriteret e marrjes në punë  të morisë së nëpunësve nuk janë meritat dhe zotësitë, por klientelizmat dhe hatëret politike. Janë plagë të hapura e të pambyllura kurrë deri në ditët tona, kur ende përballemi me këto dukuri, duke paragjykuar zhvillimin.

Në artikujt e botuar tek “Ora e maleve” ndihet fuqishëm pulsi i atdhetarit, por ka një dozë të madhe realizmi. Problemet e Vendit përballohen me zemër por edhe me mendje, kryesisht në kah kritik. Shkrimtari ka një objektiv të qartë rreth të cilit vërtitet e gjithë masa e shqetësimeve të tij: Shqipëria që duhet të ecë në rrugën e zhvillimit, të përparimit, të qytetërimit. Dukuritë që pengojnë këtë ecje janë në tehun e kritikës së publiçistit, janë lënda e pamfleteve të tij politike, objekt i fshikullimit, herë herë me tone mjaft të ashpra. Por Shantoja nuk është nihilist, nuk shikon vetëm errësirë në të tashmen e në t’ardhmen e kombit të tij. Ai ka aftësinë të shohë edhe dritën tek njerëzit idealistë që mundohen të shtrojnë rrugën, mbi të cilën breznitë e ardhme do të ndërtojnë shtetin bashkëkohor. “Shqypënìn e ka bâ inteligenca e do t’a mbâjë inteligenca, ose Shqypënìë nuk kem me pasë! Reservoir-i i forcës mâ të shndoshtë në Shqypnìë âsht qandra e saj intelektuale. Kur ndiejm bisedimet plot dieje e hollësië të nji Fan Nolit, dialektikën e shterngûet e të mbâtun të nji Luigj Gurakuqit, fjalën elektrixante te nji Ali Kelcyrës, gjuhën kirurgjike të nji Stavro Vinjaut, arsyetimet ligjore të nji Koço Tasit, na i harrojmë të tana eksplozjonet e soçme e nji fjalë e vetme e e ambël na tingllon në vesh: Po! ka Shqypnìë!” (f.143)

Shantoja është idealist, por në idealizmin e tij ka një farë pragmatizmi. Historia e botës i ka mësuar se popujt, në rrugën e tyre të zhvillimit, kanë arritur synimet kur kanë patur prijsa t’aftë e të kushtuar çështjes së tyre. Në pranì të tyre fashitet pezmi dhe lind shpresa për t’ardhmen e besimi në të. Kjo shpresë gjen burime ushqimi te të rinjtë, te studentët  që, në Vende të ndryshme të Evropës, pregatiten me dije, kulturë e profesione e janë të gatshëm t’i venë në jetë këto në Atdheun e tyre. Kështu u krijua ajo elitë kulturore e pasur në Shqipërinë e viteve tridhjetë, që do të kositej pa mëshirë mbas 1944, si “inteligjencë borgjeze”, kundërshtare e regjimit komunist. 

Duket se është një fatalitet historik për Shqipërinë fakti që i duhet të ëndërrojë gjithmonë një brez të ri që duhet t’a nxjerrë nga këneta e mbrapambetjes e t’a verë në rrugën e përparimit. “ Idét linden, rriten e frytësojnë vetëm në nji tokë virgjin; në mênden e në zêmbren e të rivet: prej tyne mandej dalin e pastrojnë kalbësinat e gjithshkaf ndalon perparimin o kristalizohet në trajtat e nji kohe qi ka prendue” (f.244) shkruante Don Lazri më 1924. Tetëmbëdhjetë vite më pas Mustafa Kruja, atëhere Kryeministër i Shqipërisë së bashkuar me Italinë, në intervistën dhënë gazetarit të njohur italian Indro Montaneli shprehet:

 “Ne kemi një aristokraci të lodhur, të mbetur prapa, me parime që nuk i përshtaten më kohës sonë, një borgjezí të mangët në numur, në mjete e pregatitje, një masë në të cilën 70% është analfabete. Shpresa jonë është tek të rinjtë. Të rinjtë kanë vrulle që herë herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdije kombëtare dhe vetiake. Shumë prej tyrë shkojnë për të studjuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vëndin e tyre në nivelin italian. Shpesh padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí. Un nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht të parët do t’a bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja”.

Sot, mbas gati tetëdhjetë vitesh të tjera, shpresa për të nxjerrë politikën shqiptare nga bataku dhe Vendin nga renditja e fundit në Evropë, është varur përsëri tek të rijtë. Edhe se shpesh hasim në zhgënjime në atë drejtim, mbasi jo çdo gjë që shndrit është ar, mendoj se përtëritja e vazhdueshme e politikës shqiptare është një domosdoshmërì. Për fat të keq nuk shihet në këtë prizëm nga një pjesë e mirë e klasës drejtuese që ruan pozitat e fituara, pa marrë para sysh faktin se koha kalon e nuk mund të ketë njerëz për të gjitha stinët. Megjithatë  aktivizimi i mjaft të rijve të diplomuar jashtë Shtetit në administratën shtetërore është diçka inkurajuese, po të mos kishte si kriter zgjedhjeje përkatësinë politike, këtë sëmundje të pashërueshme të jetës shqiptare.

Ndër shkrimet publiçistike të Shantojës mendoj se një vend të dorës së parë zenë ata që i kushtohen ngjarjeve dhe personazheve të politikës shqiptare në një hark kohor  prej pothuaj një të katërt shekulli. Shkrimtari ishte një vëzhgues i mprehtë i tyre e, më shumë se pjesëmarrës me funksione të rëndësishme, ishte një viktimë e ndërgjegjëshme e atyre ngjarjeve. Pësoi burgime, internime e mërgime edhe se nuk ka patur asnjëherë ndonjë pozitë të lartë, madje nuk ka qenë as deputet. Por prifti poet është në simbiozë me ato ngjarje dhe protagonistët e tyre e penda e tij, së bashku me oratorinë, ndikojnë herë herë në mënyrë vendimtare në to. Shantoja është gjithmonë koherent me veten dhe parimet. Opinionet mund edhe të ndryshojnë, por vlerësimet kanë një kriter përcaktues e të paluajtshëm: interesi i Atdheut. Ky është metri i vërtetë e i vetëm që shërben si njësí matjeje për këdo e për gjithshka. 

Ai ishte i pozicionuar në krahun e Opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi që “Me nji duresë e nji palodhësië shembullore shkrîni jetën për idealin e nji Shqipënie të lirë, të madhe, të lume.”, kryetari i Opozitës në vitet 21-24. Martirët e lirisë e të demokracisë ishin Avni Rustemi, vetë Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Elez Isufi, Zija Dibra, Ramiz Daci, Zef Ndoci, Mark Raka. Bashkëluftëtarët me të cilët ndau bindjet e idealet ishin Mustafa Kruja, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Xhevat Korça etj. Në altarin e kombit ishin kolegët  e tij më të njohur si Fishta, Gjeçovi, Mjeda, Harapi, Marlaskaj etj. Në fushën kundërshtare ishte Ahmet Zogu, Kryeministër, President e më pas Mbret i Shqipërisë, sinonim për një pjesë të shqiptarëve i së keqes në pushtet, i rrethuar nga bejlerë përkrahës si Eshref Frashëri, Mehdi Frashëri, Faik Konica etj. apo vrasës dhe ideatorë vrasjesh si Baltjon Stambolla, Çatin Saraçi etj.

Në këtë mikrounivers figurash politike Shantoja depërton me fuqinë e pendës , duke na lënë të skalitura bindjet e mendimet e tij. Ato janë frut pikëpamjesh objektive e subjektive të autorit, ndonjëherë edhe të pasioneve politike të tij. Por gjithsesi ata janë dëshmí të rëndësishme, mbasi dalin prej pendës së një personi pa paragjykime, që vlerëson duke u nisur nga faktet. Periudhat të cilave i referohen shkrimet janë ato 1920-24, koha e mërgimit 24-39 dhe vitet 39-43, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët por kishte një status të posaçëm, sepse quhej e bashkuar me Mbretërinë e Italisë.

Për ngjarjet e këtyre hapësirave kohore historike autori mban qëndrime të ndryshme. Me botkuptim të përparuar demokrat mbështet pa rezerva revolucionin e qershorit 1924 dhe ata intelektualë e të rinj të Bashkimit që ishin flamurmbajtës të tij. Çuditërisht i kushton pak shkrime Qeverisë së Nolit dhe më shumë mërgimit politik që pasoi rënien e saj. Ndoshta ky fakt dëshmon për një farë zhgënjimi që pëson publiçisti Shantoja nga ajo qeverisje dhe në vetë të parë nga Kryeministri, të cilin në një shkrim të mëvonshëm e sulmon rreptë. Nga mërgimi në Jugosllavì, Austrì e Zvicër mundohet të analizojë gjëndjen e Shqipërisë reale, që përfaqësohet nga evolucioni i pushtetit të Ahmet Zogut deri në Mbretërì, por edhe atë alternative që ka fytyrën e mërgatës politike shqiptare antizogiste. Në këtë gjëndje konflikti të fortë e të përhershëm duket se nuk ka vend për biseda e marrëveshje. Për Shantojën, ashtu si për të gjithë të mërguarit politikë jashtë Atdheut, “Bota e ka marrë vesht se në Shqipnìë sundon nji President gjaksor, nji President qi mbytë me pare diten për diellë, nji President qi flet vetë me sikarët, qi u premton ndihmen e nji fuqiës s’huej, qi u premton lirim të shpejtë, rrogë të përmuejshme…” (f.370)

Por këtë kundërshtar politik, këtë “President gjaksor”, kur e sheh të diskredituar pa të drejtë nga një gazetë austriake, ka burrërinë t’i kërkojë Kancelarit austriak, Dr. Seipel, ndërhyrjen e tij për të vënë në vend prestigjin e atëhere Kryeministrit shqiptar. Ёshtë një nga perlat e këtij libri, një shembull ideal i moralit politik në një shkallë të lartë, një shprehje e harmonizimit të luftës politike me etikën e saj e me respektimin e institucioneve, një leksion stili për politikën e sotme në Shqipërì e më gjërë.

                                                                                                            Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: Lazer Shantoja

Sëmundje zyrtare

March 17, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Ndërsa “karantina” mund të tingëllojë si “kanaçe”, ajo nuk është as “kazan”, por vetëm një izolim 40 ditor për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Fjala është marrë nga italishtja “quaranta” – 40. Praktika e kuarantinës, filloi gjatë shekullit XIV në përpjekje për të mbrojtur qytetet bregdetare italiane nga epidemitë e murtajës. Anijet që vinin në Venecia nga portet e infektuara u kërkohej të qëndronin në spirancë për 40 ditë para se të fillonin zbritjen e udhëtarëve dhe shkarkimin e mallrave. Mes shqiptarëve, “kuarantina” u bë “ karantinë”, duke u përdorur nga zyrtarë e shtypi, dhe më pas turma, si gjithmonë, ndoqi shembullin e tyre. Kështu, kjo fjalë gjysmake, si edhe masat e qeverisë kur shpall se “ndalohet qarkullimi i makinave private”, ose, “ndalohet ecja në grup me më shumë se dy persona”, të kujtojnë komedinë e B. Levonjës për kohën e fashizmit nga kënvështrimi komunist. Kur një vend nuk ka një qendër efektive për kontrollin e sëmundjeve, ku qeveritari a çdokush në krye merr pozat e doktorit duke dhënë këshilla e rekomandime, kjo gjendje shkakton tallje nënzë, përçmim dhe hutim në masë. Qeveria krenohet me numrin e të arrestuarve dhe gjobave të rënda edhe pse njerëzit të gjithë ndjehen të mbyllur nga frika, sëmundja e policia e shtetit. Ditë të errëta po kthehen, kur diktatori ishte pronar i popullit dhe ekspert i vetëm i çdo gjëje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Semundje zyrtare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 685
  • 686
  • 687
  • 688
  • 689
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT