• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËFIM NË DITËN E LINDJES

March 16, 2020 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Zakonisht në përvjetorët e ditlindjes time kam bërë shaka me rrotullimet e tokës rreth diellit ; duke e parë veten si një  pasagjer dëshmitar në rrethrrotullimin orbital njëvjeçar të tokës. 

Por këtë vit, kam vendosur të tregoj një rrëfenjë. Do të sjell në kujtesën e familjarëve, të afërmve, të lagjes, të fshatit, të krahinës time, madje edhe të disa usharakve, copëza jete të moshatarin tim të paharruar Nazmi Sula.

Vite më parë në Mat (nuk e di sot), në vazhdën e një trashgimnie shumë shekullore, nata e Verës fillonte në muzgun e 13 marsit me ndezjen e zjarreve në majat e kodrave. Kjo do të thoshte se pranvera kishte ardhë. Pas zjarreve  festa vazhdonte me ndezjen  e daulinave (tufa shkurresh, barë i thatë, kashtë gruri e thekre që rrutulloheshin të ndezura). Ky rit, bëhej edhe më 14 e 15 mars, madje nata e fundit ishte më e “zjarrta” me idenë e konkurencës  se kush fshat (lagje)  ua kalonte të tjerve,kush e kishte bërë më mire organizimin.

Nga kodra e Bushatve, zjarret shiheshin qartë deri  në Macukull, Burgajet, Kurdari, Klos, Guri i Bardh, Gurrat, Frankth, Bazi, e deri në Perlat të Mirditës. Për tri net Mati vishej me magjinë e zjarreve të pranverës dhe të  daulinave .

Po ashtu ishte bërë zakon që edhe  krisma  e një pushke lajmëronte lindjen e një djali  në lagje ose në fshat. Kështu  në mëngjezin e datës 16 mars 1949, midis orës 5-5:30, në fshatin Midhë, u dëgjuan dy të shtëna pushke. Pra në një diferencë prej 10-15 minutash erdhën në jetë dy djem nga i njejti fshat e në një distacë rreth 300- 400 metra në vijë ajrore. Ata ishin Nazmi Sula dhe Asllan Bushati të cilëve fshati u kishte vënë me shaka nofkat :”djemt e daulinave”, “djemt e pranverës”, “penda e qeve të mëngjezit”etj.

Duke lindur në të njejtën datë, ditë e vit  me Nazmi Sulën, u ndodhëm edhe  në të njejtën klasë e të njejtën shkollë për shtatë vite. Klasa e tetë na ndau se unë studiova në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, kurse Nazmiu në Gjimnazin e Burrelit. Më pas jeta e solli që të takoheshin edhe në kolegjin ushtarak të kohes, ai për gjitharmësh, kurse unë për  kimist.

Pas diplomimit oficer, ai filloi punë në Burrel , kurse unë në Berat. I dërgonim letra njeri tjetrit (atëherë nuk kishte celular si sot), por për  arsye të punës dhe distancës takoheshim më  rrallë. Në verën e vitit 1974 (verë e vështirë për ushtrinë), unë isha në stërvitjet me përdorim të  lëndëve helmuese luftarake (një nga stërvitjet më të vështira dhe të rrezikshme), në një vend që quhet Cerosten. Atje më erdhi një telegram befasues nga vllai im i ndierë Xhaferr, ku thuhej: ”Ra gjama. Vdiq Nazmi Sula bashkë me dy ushtarë në tunelin e Qafdëllenjës nga gazi”.

U shokova. Nuk mbaja dot lotët. Nga fushimi stërvitor nuk mund të largohesha. Vetëm pas dy javëve u ktheva në fshat dhe shkova për ngushëllim tek familjarët  e shokut tim të ngushtë. Tronditja nuk mu fashit por u ndez më shumë. Takova kolegë miq e shokë dhe eprorë të Korpusit të Burrelit, me synim që ky rast të vlerësohej si heroik se Nazmiu dha jetën e tij për të nxjerrë nga tuneli dy ushtarët . Qe e pamundur  të bashkoheshin me mendimin tim, se të gjithë thonin (për të larguar çdo gjë nga vetja), se ka thyer rregullat. Ka përdorur amonit malor (i ndaluar për hapje tuneli), koha e ajrimit pas plasjeve duhet të ishte më e madhe, kur nuk u kthye ushtari i parë duhet të njoftonte komandën urgjent e të tjera sofizma, vetëm që fajin ta merrte me vete ai që u largu nga kjo jetë. 

Shumë i dëshpëruar, nga sa më sipër, shkrova një artikull të gjatë për gazetën “Luftëtari” (gazeta e ushtrisë së asaj kohe), ku në esencë vija në dukje se akti i Nazmi Sulës  ishte e duhet të vlerësohej edhe nga ushtria si akt heroik. Artikulli (më tha gazetari  Ibrahim Gani) nuk mund të publikohet se i kalon kompetencat e redaksisë së gazetës. Më pas bisedova me ish ushtarakun e lartë Sul Domi i cili ishte edhe deputet. Edhe ai ishte i shqetësuar, por i pafuqishëm ta conte më tutje këtë problem. Nëpërmjet eprorit tim (i ndieri Veli Blaceri) kontaktova me Zotin Tahir Minxhozi i cili ishte drejtuesi i Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më priti mirë, më tha se edhe ai ishte i piklluar dhe se ishte marrë gjatë me rastin e Nazmi Sulës. Por më tha se synimi juaj për ta iniciuar si akt heroik, është një lodhje e kotë. Ai sipas dokumentave, ka thyer rregullat në punimet operative, madje po të ishte gjallë, ndoshta do të ishte dënuar. Shumë i dëshpëruar i thashë po eprorët e tij a kanë përgjegjesi për këtë tragjedi apo fajtori i vetëm është ai që iku nga kjo jetë?

Më kanë thënë, (por unë vetë nuk e kam parë) se Mehmet Shehu (në atë kohë ish edhe Ministër Mbrojtje), në faqen e komunikatës operative të asaj dite, kishte shkruar diçka që e pengonte çdo diskutim në sensin pozitiv për Nazmiun. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja dhe burimi i “gjuhës së drunjtë” që u përdor.

Arma e fundit që më mbeti, ishte një kartolinë për atë  vit të ri të cilën ua dërgova mësuesëve dhe nxënësve të Shkollës “Ali Metra” Komsi, Burrel. Në kartolinë u uroja virtualish atyre vitin e ri në emër të Nazmi Sulës,  po ashtu (vetkuptohet) edhe në emrin tim, me qëllim që nga atje të mund të  lindëte ndonjë inisitivë që emri i Nazmi Sulës të mos harrohej, por t’i vihej ndonjë rruge ose objekti në Burrel.

E pranoj se unë dështova në nismën time për të përjetësuar emrin e vërsnikut tim, shokut të shkollës e të  profesionit, bashkfshatarit dhe shokut më të ngushtë të fëminisë. Por dështimi nuk ishte vetëm i imi. Mbi të gjitha dështimi ishte i atij sistemi vrasës që disave u mori jetën (si Nazmi Sulës), disa i gjymtoi, e disave na mori rininë nëpër tunelet e qendrat e zjarrit, transhetë e hendeklidhjet, me një shfrytëzim deri në rraskapitje për disa ide idiote (mbrojtëse) komuniste.

Unë sot dëshiroj që mendimi politik i së djathtës dhe i së majtës në Shqipëri, të zhillohen me kohën, në konkurencë me njeri tjetrin dhe të gjenerojnë energji kombëtare si në botën e civilizuar. Një e djathtë ekstreme do të ishte e papranueshme dhe burimi i një ekstremizmi djathtist (ndoshta lufte). Një e majtë ekstreme e tipit enverist do të ishte fatalitet i ri, të cilën e provuam për pesëdhjetë vite. Madje me keqardhje shoh se edhe sot shumë nga bashkmoshatarët e mi, nuk kanë dalë akoma nga istikamet e murtajës enveriste.

E solla në vemendje Nazmi Sulën, jo vetëm se ai sot së bashku me mu ka ditëlindjen, por se si historia e tij ka shumë e shumë (Nazmi) të tjerë, të cilët  në moshë të re u larguan nga kjo jetë  vetëm për faj të regjimit.Nazmiu u prehtë në paqe e përjetësi.Ti rrojnë familjarët e tij. Ai e meritonte këtë dedikim në ditën e tij të lindjes prej shokut të fëminisë. Por këtë e meritojnë edhe të gjithë ushtarakët e tjerë që fatkeqsisht (jo për faj të tyre), shkuan parakohe në jetën e amshueme. Ndoshta koha për ta ekspozuar një temë të tillë sot,  është e papërshtatëshme , për këtë kërkoj ndiesë. E them këtë se duket si “dashuri në kohë të kolerës” se  koronaviruesi është nëpër këmbë në Shqipëri  e në botë, por edhe ditlindja e Nazmiut është vetëm më 16 mars.Respekte miq, shokë, kolegë, vatranë  e dashamirë.  

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati

Kosova shpallë Emergjencë për Shëndetin Publik

March 15, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës miraton vendimin për shpalljen e Emergjencës për Shëndetin Publik/

PRISHTINË, 15 Mars 2020-Gazeta DIELLI/

 Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 11-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, ka marrë vendim që të shpallë emergjencë për shëndetin publik.Sipas vendimit, obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të funksionit mbështetës emergjentë 8 (FME8 shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore).
Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin public, bën të ditur njoftimi dërguar mbrëmjen e sotme nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.Më herët, sot, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi edhe për konfirmimin e katër rasteve të reja me koronavirus në Kosovë. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, deri tani në Kosovë janë të konfirmuara 9 raste pozitive me koronavirus.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, koronovirusi

KUVENDI I KOSOVËS MIRATOI BUXHETIN E SHTETIT

March 15, 2020 by dgreca

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme sot pas mesnate miratoi Buxhetin e Shtetit. Më parë, në 10 Mars, Qeveria Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020, i cili parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionë euro, që shënon një rritje prej rreth 7 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove. Parashikimet për rritjen ekonomike janë në 4.2 për qind/ -Në seancën e jashtëzakonshme, Kuvendi miratoi edhe Rezolutën lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

PRISHTINË, 15 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ 

Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të ftuar për sot në orën 1:30 pas mesnate,  me 63 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me amendamentet e komisionit funksional.

 Raportin me amendamente të komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, për miratimin e këtij projektligji, e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.

 Paraprakisht, Kuvendi me 57 vota për dhe 5 abstenime miratoi edhe rezolutën lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e futur me mocion si pikë e parë e rendit të ditës e kësaj seance, sipas propozimit të kryetarit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Kuvendi me Rezolutë autorizon Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr bisedimet me Serbinë për njohjen reciproke e garantimin e tërësisë territoriale të Kosovës.

Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetë të grupeve parlamentare në opozitë.

 Më parë, gjatë ditës së djeshme, Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh, i mbledhur me kërkesë të kryeministrit  Albin Kurti, në një seancë të jashtëzakonshme, miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila drejtoi seancën, bëri të ditur që në fillim se ekziston një mocion procedural që shqyrtimi i Projektligjit për buxhetin të bëhet me procedurë të përshpejtuar – shmangie nga afatet procedurale, të parapara me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.

Duke e arsyetuar këtë mocion, kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se kjo seancë e jashtëzakonshme dhe procedura e përshpejtuar për Buxhetin e Shtetit vjen si pasojë e një situate të jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Kosova, ku janë shfaqur rastet e para të pandemisë së Coronavirusit.

Pas diskutimeve të deputetëve dhe sqarimeve të nevojshme nga ana e anëtarëve të kabinetit qeveritar, me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektbuxhetin për këtë vit, duke iu hapur rrugë katër komisioneve kryesore për shqyrtimin e tij midis dy leximeve.

Në 10 Mars 2020, Qeveria e Kosovës drejtuar nga kryeministri Albin Kurti,  në mbledhjen e gjashtë. ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020. Projektligji parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionë, që shënon një rritje prej rreth 7 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove. Parashikimet për rritjen ekonomike janë në 4.2 për qind, ndërsa inflacioni prej 1.3 për qind, kurse deficiti buxhetor paraqet 2.0 për qind të bruto produktit nacional.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bell Jashari

LIGJI PËR PËRFUNDIMIN E KALIMIT TË PRONËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, PROPAGANDË E QEVERISË PARA BE-së

March 15, 2020 by dgreca

–

Pse shqiptarët patriotë dhe të ndershëm, duhet të kundërshtojnë ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republiken e Shqiperise”/

Nga Adrian Gjoka*/

Ligji i ri Nr 20 dt. 5.03.2020 ka titullin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqiperise”, është propaganduar si hap përpara drejt zgjidhjes por në përmbajtje Ligji është hap prapa por që shërben që Qeveria “të lajë duart” dhe të raportojë në BE se e zgjidhi  problemin e rëndësishëm të pronës. Ne pronarëve na intereson të miratohet sa më parë hapja e negociatave për pranimin në BE dhe nuk na intereson lufta ndërmjet klaneve politike. E keqja e madhe për ne është që ndërkombëtarët nuk i kanë kushtuar kujdes problemit të pronës dhe ankesave tona në këto 30 vjet. Sot ky ligj që reklamohet si hap përpara, në fakt shërben për të maskuar krimin e organizuar dhe përfundimin e proceseve të pronësisë në favor të oligarkëve dhe të korrupsionit pushtetar. Me pak vëmendje kuptohet se ne kemi të drejtë dhe realiteti është krejt ndryshe. 

Ligji është formuluar në shkelje të përcaktimeve të qarta të detyrimeve kushtetuese, dhe thellon anarkinë institucionale. Në këtë ligj, nuk flitet fare për të drejtat e subjekteve të shpronësuar nga sistemi dictatorial, pasi ato shkelen dhe justifikohet çfarë është katranosur gjatë këtyre 3 dekadave me platformën që kishte si objektiv transformimin e ish komunistëve në kapitalistë dhe politikanët e rinj të vendit. Kjo platformë në këto 7 vjet të pushtetit të Partisë Socialiste është bërë më e vrazhdë. Agjensia e Trajtimit të Pronës për 7 vjet, nuk nxorri asnjë vendim për subjektet e shpronesuar dhe pas pesë viteve ju ktheu pronarëve dosjet pa vendim, duke shkelur haptazi ligjin 133/2015. Ky veprim është tallje me popullin, shpërdorim i detyrës dhe ndofta vepër penale. Ky qendrim thellohet më tej me ligjin e ri. 

Ndarja e tokës bujqësore me ligjin 7501, u justifikua me parullat leniniste se toka i takon atij që e punon, por në realitet u bë për të marrë votat dhe ishte guri i gabuar në themelin e shtetit demokratik. Ky gabim është pranuar nga ish presidenti Sali Berisha, në intervistë televizive, por çuditërisht tani ai qëndron i heshtur para kësaj situate katastrofike, ndërsa Kryeministri Edi Rama me këtë ligj po e ndërlikon situatën. Për ilustrim paraqisim nenin 3 të ligjit të ri, ku renditen parimet themelore nga të cilat do të udhëhiqet veprimtaria administrative për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Këto parime  në aspektin teorik janë të sakta por ato shkelen në përmbajtjen e  neneve të ligjit. Po citojmë këto parime dhe komentin tonë. 

1.     Parimin e shtetit të së drejtës. Për subjektet e shpronësuara që kane 30 vjet që presin të rimarin pronat e tyre sipas detyrimeve kushtetuese, Shteti ligjor dhe shteti i së drejtës akoma nuk egziston. Në këtë ligj anashkalohen parimi i shtetit të së drejtës dhe parimi i ligjëshmërisë për të drejtën e pronës së trashëguar. Qëllimi i ligjit i formuluar në nenin 1 nuk shoqërohet me fjalët “në përputhje me të nenet 41, 42 dhe 181 të Kushtetutës në fuqi”, ashtu siç ne e kërkuam me shkrim në emër të pronarëve, para miratimit të ligjit. Abuzohet me parimet e të drejtës sipas Konvetes Europiane të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut të shprehura qartë në vendimet e Gjykatës Europiane për këtë qëllim. Pse Shqipëria vazhdon të jetë ndryshe me gjithe vendet e NATOs dhe shtetet ishkomuniste për të drejtat e pronësisë ?  

2.    Parimi i sigurisë juridike.  Ku është ky parim, kur të gjitha vendimet e dhëna nga KKKPronave nga viti 1993 deri në vitin 2015, u bënë nul, të pa vlefshme sepse megjithëse janë të barazvlefshmme me vendimet gjyqesore, ligji 133/2015, i ndryshoi të gjitha dhe i ndryshoi për keq dhe në drejtimin antikushtetues. 

3.    Parimi i transprencës. Për problemin e pronave , transparencë nuk ka pasur dhe nuk ka. ATP gjatë këtyre shtatë vjetëve asnjëhere nuk ka deklaruar faturën finaciare të procesit për kompensimin e pronave sepse çmimet e kompensimit vetem janë janë ulur dhe ATP, i ndryshon vendimet e saj sipas vendimeve të Qeverisë. Por ky qëndrim rrëzohen vendimi  unifikues i GJEDNJ, Manushaqe Puto etj/ 2012, Vendimi  ECHR  Karagjozi etj kundër Shqipërisë aplikimi Nr 32382/11, datë 7 Prill 2016, Vendimi  ECHR  Halimi etj kundër Shqipërisë aplikimi Nr 33839/11, datë 6 Prill 2016, që e kanë përcaktuar qartë nivelin minimal të kompensimit, jo më pak se vlera e vitit 2008. A mundet një VKM, e vitit 2015, të rrezojë dhe të dali mbi këto vendime, apo Kuvendi ta detyrojë GJEDNJ të marri vendime me standarde të dyfishta ?! Nëse dyshemenë e kompensimit e ka përcaktuar GJEDNJ, pse Kuvendi nuk përcakton se cilat prona duhen kompensuar, në mënyrë që kompensimi të përputhet me nenet 41,42 dhe 181 të Kushtetutës ashtu siç ja kemi kërkuar, por vazhdon të favorizojë abuzimet me pronat tona dhe ato të shtetit  ?   

4.     Parimi i ligjshmërisë.  Ligji nr 20/2020 del mbi kushtetutën dhe mbi vendimet e GJEDNJ e shkel parimin e ligjëshmërisë në favor të shkelësve të ligjit . Nëse do të ishin marrë në konsideratë 

vërejtjet  për çdo nen, që ne pronarët i paraqitëm në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, me këtë ligj, Maxhoranca i kishte të gjitha mundësitë që të korrektonte shumë nga shkeljet kushteuese të 30 vjetëve të fundit në fushën e pronësisë. Vërejtjet tona jo vetëm që nuk u morrën në konsideratë, por me këtë ligj u fshinë  dhe hapat pozitive që ishin miratuar më parë, me nenin 2 të ligjit Nr 8053 dt 21.12.1995 dhe ligjet për pronat në vitin 2004. Ku janë premtimet solemne të PS në 2012-13 se kur të merrnin pushtetin do luftonin korrupsionin me pronat ? 

5.    Parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit. Nuk ka diskretitim më të madh se se ai që po bëhet pronarëve të ligjshëm, të shpronësuar me dhunë nga sistemi i kaluar diktatorial. Në këto 30 vjet oligarkët e politikës, herë në pushtet dhe herë në opozitë, ju premtojnë për zgjidhje të drejtë.  Situata e sotme e kombinuar edhe me PPP është vjedhje dhe grabitje në emër të ligjit dhe është shumë shkallë më e keqe se shpronësimi i kohës së komunizmit. Diktatura i konfiskoi pronat, por i vuri në shërbim të komunitetit, ndërsa oligarkët e pas 1990 po i përvetësojnë pronat tona dhe ato të shtetit në funksion të interesave të tyre. Me këtë ligj preferohen shkelësit e ligjit, shkelen parimet baze të të drejtës së pronesisë, që përcaktohen qartë në Kushtetutë,  në nennet 41, 42, 181.  Ndërtimet  pa leje mund të legalizohen por me vendime gjyqësore të arsyetuara rast pas rasti. 

Ky ligj njollos bashkësitë fetare duke ju dhënë atyre përparësi në legalizimin e shkeljes së ligjit. Diskriminimi dhe shkelja e të drejtës së pronës janë të qarta dhe pët të mos u zgjatur, pa koment neni 74 i ligjit të ri thotë: “Kërkesat për legalizimin e objekteve të kultit të ndërtuara pa leje, privatizimin apo regjistrimin e të drejtave të pronësisë të bashkësive fetare trajtohen me përparësi, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore në fuqi.“

Po ashtu në nenin 67, pika dh) që thotë: “tarifa e shërbimit për ndërtimet pa leje, me funksion përdorimi social-ekonomik ose për ndërtimet e dyta” nuk ka nevojë të komentohen për diskriminimin dhe pabarazinë e pronarit të ligjëshëm. 

Shteti Shqiptar, bëri transparencën dhe vetingun për pronat e gjyqtarëve, prokurorëve, nëpunësve të administratës etj. dhe  largoi për 50 apo 100 mijë euro të pa justifikuara për origjinën e fitimit të tyre. Atëhere në raport me nenin 41 të Kushtetutës që thotë se prona fitohet me blerje, me dhurim apo trashëgim dhe në bazë parimeve morale, fetare, Kryeministri duhet të pranojë të bëjë transparencën dhe të thotë si i ka fituar Shteti dhe deputetët, pronat e të parëve tanë, që me këtë ligj monstër po i regjistrojnë  në ZRPP për oligarket dhe klanet e tyre.

Pronaret veçanërisht ata të zonave bregdetare dhe turistike, vazhdojnë të diskriminohen. Në këtë ligj, Kushtetuta, origjina e pronës dhe dokumentat e pronësisë, për subjektet e shpronësuar, nuk kanë asnjë vlerë dhe në Kadastër do regjistrohet me prioritet subjekti që ka pushtuar truallin dhe ka ndërtuar pa leje. A ka vullnet politik për të hyrë ne BE  dhe a na pranon BE me ligje si ky që pretendohet si zgjidhje dhe në theln justifikon vjedhjen e pronës së tjetrit . 

6.    Parimi i objektivitetit  Ky ligji mbron aktet antikushtetuese  prandaj në këtë ligj vetëm objektivitet nuk egziston.

Ligji Nr 20 dt. 5.03.2020, është pjesë e platformës dhe e sistemit që mbron oligarkët që kanë ndërtuar fshatra turistike dhe favorizon që ata të lagalizonen, dhe të shesin ato si vila private, kurse pronarët e atyre tokave turistike të rrijnë e të shikojnë se po i grabisin në emër të ligjit ose për shkak të konflikteve të detyrohen të ikin në emigaracion. Asnjë nga ambassadorët e këtyre 3 dekadave, që kanë qenë në Shqipëri, dhe e njeh situateën, nuk do ta kishte pranuar këtë ligj në vendin e tij si zgjidhje përfundimtare të problemit të pronës 

7.  Çdo parim tjetër i parashikuar në Kodin e Procedurave Administrative. Në këtë ligj  parashikohet vetëm Kodi Procedurave Administrative por dhe ai zbatohet keq sepse ky ligj, nuk detyron zyrën e Kadastrës që në zbatim të ligjit Nr. 111/2019 “Për Kadastrën” , të ketë detyrimin ligjor që të verifikojnë ligjëshmërinë e AMTP-ve dhe të korrigjojë ato akte që bien ndesh me nenet 41, 42, 181 të Kushtetutës. 

Këto kërkesa ne i kemi paraqitur me shkrim në Kuvendin e Ligjeve, përpara miratimit të ligjit, por asnjë nga vërejtjet tona nuk u morrën në konsideratë. Ky ligj e vërteton shprehjen se “Në cdo vend ka mafie, por, në Shqiperi mafia ka shtet”. Pasojat e këtij ligji do të jenë të rënda sepse në themel të sistemit të ekonomisë kapitaliste, qëndron prona private, rregullat dhe mënyrat e fitimit të pronesise që janë universale dhe të përcaktuara qartë në nenet 41,42 dhe 181 të kushtetutës në fuqi. Shkelja e të drejtës së pronës së trashëguar, me ligje të miratuara nga Kuvendi,  është mohim i atdheut , nxitje e konflikteve, e largimit të brezit të ri dhe katastrofë e programuar. 

Çelësi i zgjidhjes së papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit që ka pushtuar pushtetin legjislativ, administrativ dhe sistemin e drejtësinë në Shqipëri qëndron në sensibilizimin që do të bëjnë intelektualët, Shoqata Patriotike Panshqiptare Vatra, diaspora patriotike në SHBA dhe Europë, duke kërkuar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit dhe BE, për kushtëzimin dhe korrektimin e pjesëve antikushtetuese të këtij ligji. Analiza më e detajuar dhe nen për nen do ti paraqitet të gjitha instancave.

*Në emër të Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve të Bregdetit

Sekretari

Adrian Gjoka

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ligji per Pronat

Kur thërret Erioni

March 15, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Një nga deputetët e kuvendit të Shqipërisë dhe zëvendës kryeministri Erion Braçe, i bën thirrje shqiptarëve për një mbyllje një ditore dhe një herë në muaj si tani. Pra një lloj karantine me qëllim pastrimin, dizifektimin a ruajtjen e mjedisit nga sulme të tilla epidemollogjike. Në atë sportivitetin qeveritar bën përjashtim pikërisht ai ose faktori politik që duam apo nuk duam ne janë sot një covid më i qelbët se ky që ka ngujuar një komb të tërin. Dhe Erjoni nuk bën përjashtim, nuk ka se si…

Ndaj sot ka një kulturë vrazhdësie me rrahje e gjoksi dhe përbuzje mbi sfidantët e urdhrave, mbi abuzuesit e çmimeve etj., ku domosdo viktimat e frontit më të parë janë si gjithmonë njerëzit apo nocioni popull. Përshembull sot shqiptarët e kanë lehtë t’i vënë gishtin disa provincialëve në moshë që kanë ndjekur fëmijët në Tiranën gjoja metropol, por që nuk i tuten aspak dominove apo shahut në parqet publike. Sot shumë syresh e kanë të lehtë t’i vënë gishtin disa tregtarëve tezgash që fatkeqësia u dha shancin të ”zhvasin” ca qindarka më shumë për kilen e limonit, nga që mund të kenë sosur ditën pa shitur më parë një kokërr. Megjithëse kurrë nuk u indinjuan në masë, nuk denoncuan në masë vjedhjet me reportabël të djersës së tyre nga ndrikullat e pushtetit. Denoncojnë dhe përbuzim një rritje çmimi limonash, madje me inat nga ai i shqiptarit për shqiptarin, shkrumb u bëfsha vet veç ai mos të ketë. 

Pra a duhet të mbyllen shqiptarët kështu në një karantinë, një ditore, një herë në muaj? Pa diskutim që duhet. Sepse edhe tani pavarësisht urdhrave ndihet qartë që në pjesë dërrmuese janë ngujuar për faktin se kuptuan më në fund se sa duhet jeta, se sa i vlefshëm është njeriu për njeriun deri në rang global. Mund të jetë një kulm kohor që ka shmangur deri një luftë të tretë botërore për shkak të ratifikimit të egos së perandorëve e perandorive me mjetet e demokracisë. Covidi a corona ka mbyllur studiot e neveritshme dhe foltoret politike të adresuar në luftë emrash se sa programesh, njerëzit po kuptojnë se koha e tyre nuk është përshembull vetëm Tak Ngjela dhe Tak Braho, por jeta në rrethinë dhe humori, keqardhja e shqiptarit për qytetarin italian, grek, kinez, iranian etj., pasi prej kohësh po mufatet një urrejtje globale. Po shohim foshnje kufoma nëpër brigje deti, karvanë shtegtarësh pa përfilluar kufijtë. Për hir të iks shtetari nuk na dhëmbi për prindërit e asaj fëmije, po ashtu as për dhimbjen e atyre refugjatëve që na kujton vetveten kur hapnin shtigje në monopatet e maleve tona me Greqinë. Kur dënoheshin e deklasoeshim për Amerikën dhe perëndimin. Kishim harruar të donim njëri-tjetrin, aq sa edhe Zotin e bëm ushtar pervers të çifutit apo arabit. Eshtë fije peri kjo që rrjedh, e ka emrin jetë, ikën dhe nuk vjen më. Ndaj mos u çudisni që kjo dëm pandemia mund të ketë shmangur një luftë të tretë botërore. Megjithatë shqiptarët zëvendës kryeministri i vendlindjes sime duhen të mbyllen e të mos dalin fare deri sa zhduket rraca jote që këlthet karshi një tezgazhiu limonash, karshi ndotjes mjedisore, karshi dizinfektimit etj., pasi burimi i të gjithave epidemive je ti dhe soji yt i neveritshëm. Një corona virus që nuk ka karantinë ta luaj vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: thirrje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 688
  • 689
  • 690
  • 691
  • 692
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT