Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme sot pas mesnate miratoi Buxhetin e Shtetit. Më parë, në 10 Mars, Qeveria Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020, i cili parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionë euro, që shënon një rritje prej rreth 7 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove. Parashikimet për rritjen ekonomike janë në 4.2 për qind/ -Në seancën e jashtëzakonshme, Kuvendi miratoi edhe Rezolutën lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/
PRISHTINË, 15 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të ftuar për sot në orën 1:30 pas mesnate, me 63 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me amendamentet e komisionit funksional.
Raportin me amendamente të komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, për miratimin e këtij projektligji, e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.
Paraprakisht, Kuvendi me 57 vota për dhe 5 abstenime miratoi edhe rezolutën lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e futur me mocion si pikë e parë e rendit të ditës e kësaj seance, sipas propozimit të kryetarit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Kuvendi me Rezolutë autorizon Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr bisedimet me Serbinë për njohjen reciproke e garantimin e tërësisë territoriale të Kosovës.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetë të grupeve parlamentare në opozitë.
Më parë, gjatë ditës së djeshme, Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh, i mbledhur me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, në një seancë të jashtëzakonshme, miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila drejtoi seancën, bëri të ditur që në fillim se ekziston një mocion procedural që shqyrtimi i Projektligjit për buxhetin të bëhet me procedurë të përshpejtuar – shmangie nga afatet procedurale, të parapara me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.
Duke e arsyetuar këtë mocion, kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se kjo seancë e jashtëzakonshme dhe procedura e përshpejtuar për Buxhetin e Shtetit vjen si pasojë e një situate të jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Kosova, ku janë shfaqur rastet e para të pandemisë së Coronavirusit.
Pas diskutimeve të deputetëve dhe sqarimeve të nevojshme nga ana e anëtarëve të kabinetit qeveritar, me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektbuxhetin për këtë vit, duke iu hapur rrugë katër komisioneve kryesore për shqyrtimin e tij midis dy leximeve.
Në 10 Mars 2020, Qeveria e Kosovës drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e gjashtë. ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020. Projektligji parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionë, që shënon një rritje prej rreth 7 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove. Parashikimet për rritjen ekonomike janë në 4.2 për qind, ndërsa inflacioni prej 1.3 për qind, kurse deficiti buxhetor paraqet 2.0 për qind të bruto produktit nacional.