• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gandisti i madh Ibrahim Rugova

December 4, 2019 by dgreca

(Me rastin e 75-vjetorit të lindjes)/

Nga Anton Çefa/
Në atë kohë kur në Evropën Lindore, komunizmin nuk e mbanin më këmbët dhe në Berlin po shembej Muri i turpshëm i ndarjes dhe i krimit dhe kur të gjithë popujt e Evropës po synonin të rindërtonin fatet e tyre; kur në Evropë, popuj të ndarë prej vitesh bashkoheshin me vullnetin e tyre dhe popuj të tjerë të bashkuar prej vitesh, ndaheshin po me vullnetin e tyre, kur në Ballkan po luheshin drama tejet tragjike, dhe kur populli shqiptar i Kosovës rrezikohej të humbte si lunatik shansin e vet historik, u shfaq në histori njeriu me idenë e madhe të shpëtimit dhe me një vullnet e këmbëngulje të çuditshme për ta realizuar atë, Ibrahim Rugova. Koha lindi njeriun e saj, Kosova birin e vet, populli i saj shpëtimtarin.
I dobët fizikisht, serioz dhe disi i sertë e me sy gjurmues me reflekse mendimtari, me profilin plot hije e drita të një intelektuali, në gropën e gjoksit të të cilit peshon një dhimbje e rëndë prej plumbi, e cila konkretizohej së jashtmi me një shall rreth qafës-shënjëzimin e robërisë së Kosovës së tij të dashur dhe lakun e mjerimit shekullor të popullit të tij.
Kishte punuar prej vitesh në frontin e letrave, gjithnjë i ndriçuar nga kjo dhimbje; tani i duhej t’i braktiste letrat dhe të hidhej në frontin e veprimit politik. Kosova e tij e shumëvuajtur kishte nevojë për ndriçim dhe drejtim. Ai e kishte ravijëzuar në ndërgjegjen e tij idenë e madhe të ndriçimit dhe drejtimit. Tani e tutje, mbi supet e tij të brishta do të mbante peshën e halleve të një populli, të një shteti që kërkonte të lindte që prej një shekulli. Tani e tutje, ai do ta organizonte popullin e tij dhe do ta drejtonte në rrugën e shpëtimit, duke shpallur dhe mbrojtur para gjithë botës idenë e tij të madhe. Tani e tutje, ai do të bënte luftë në krye të popullit të tij me armët e një shenjti.
Në rrethanat e dhunës më të përgjakshme e më shnjerëzore të armikut shekullor serb, Ai, me një mprehtësi të rrallë mendimi, me një zemër të madhe humane, me një transparencë të ndritur vizioni dhe me predispozitat shpirtërore të përballimit dhe mposhtjes së dhunës me mjete paqësore, orientoi popullin në rrugën e mbrojtjes së ekzistencës nacionale, që armiku synonte ta zhbënte, të ruajtjes së vlerave njerëzore e qytetëruese, që armiku kërkonte t’i zhdukte, në rrugën e ndritur të lirisë, pavarësisë, demokracisë dhe begatisë. Lëvizjes së fuqishme të popullit për liri e pavarësi, ai i dha zemrën dhe mendjen drejtuese – LDK- në, të parën parti demokratike në botën shqiptare dhe me një ndikim të fuqishëm në Ballkan dhe Evropë.
Simbas strategjisë së tij dhe nën drejtimin e tij, mori formë struktura shtetërore e Kosovës së lirë, duke filluar me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, në korrik të 1990-ës, me miratimin e Kushtetutës, po në atë vit, me Referendumin Popullor, një vit më vonë dhe me organizimin e zgjedhjeve të para të lira presidenciale dhe parlamentare, në vitin 1992. Kështu, nën dhunën e përgjakshme serbe, lindi shteti i shqiptarëve të Kosovës, një shtet i ri që nuk e kishte dashur kurrë dhe e kishte sakrifikuar bota e madhe. “Shteti paralel” – siç e quajti dikush – erdhi gjithnjë duke u përsosur dhe forcuar.
Me një këmbëngulje të paparë, ai shpalli para mbarë botës: në Washington, në Bruksel, në Londër, në Romë, në New York, në Berlin e kudo, të drejtën dhe vullnetin politik të popullit të tij: “Kosova e pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai, një figurë minore që nuk e njihte askush, nuk e përfillte askush dhe që shumëkush e kundërshtonte dhe çuditej me të, arriti të njihet e të vlerësohet, të respektohet dhe të dëgjohet, të miratohet dhe të përkrahet nga bota e madhe. Kështu, ai e bëri Kosovën problem të botës së madhe.
Rugova i ofroi Evropës rrugën gandiane të popullit të Kosovës, që do ta çlironte atë dhe do ta bashkonte me Evropën, së cilës i takonte fizikisht dhe shpirtërisht. Kosova, vendi i tij, ishte Dardania ilire e dikurshme me rrënjë të një qytetërimi të lashtë “që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian”, siç ia pati kujtuar ai vetë Senatit Evropian. Vërtet, Perandori i Bizantit, Justiniani, i cili i pati dhënë Evropës që në shek. VI ligjët qytetare -“Corpus Juris Civilis”-, që patën shërbyer si bazë e sistemeve ligjore për pjesën më të madhe të shteteve evropiane, qe bir i tokës dardane.
Përmes rezistencës paqësore, përsëri, Dardania e ditëve të sotme po i reflektonte Evropës dritë qytetëruese. Me trupëzimin në praktikë të idesë së tij të madhe, ai po i jepte Evropës çelësin magjik të paqes së Ballkanit, – gadishullit të mbrujtur me barot e gjak, – çelësin e vëllazërimit e të tolerancës së popujve ballkanas, çelësin e stabilitetit dhe të integrimit në Evropën e Bashkuar.
Evropa dhe bota e kuptoi dhe e përkrahu. Dhe kur pushtuesi serb, armiku i përjetshëm i popullit shqiptar, në figurën udhëheqëse të satrapit që dha llogari në gjyqin e Hagës, u lëshua si ulkonja e etur për gjak mbi popullin e pambrojtur, Evropa vendosi ta korregjojë gabimin e vet të dikurshëm dhe, me nxitjen e përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndëshkuan kriminelin. Me sakrifica të mëdha dhe me flijimin e bijve të saj më të mirë që i dolën në mbrojtje me armë në dorë, Kosova fitoi lirinë dhe u fut në rrugën e pavarësisë dhe të demokracisë.* * *
Ai vdiq, pa e gëzuar shpalljen formale të pavarësisë, së cilës i kushtoi jetën; por mermeri i kujtesës, në të cilin ndërgjegjja popullore gjithshqiptare ka gdhendur madhështinë e tij, është i pavdekshëm. I renditur krah figurave më të larta që ka nxjerrë kombi shqiptar, si Presidenti i parë i Kosovës martire, në shërbim të lirisë dhe pavarësisë të së cilës vuri veten me një përkushtim flijues dhe me zotësi të pashoqe, ai do të jetojë përjetësinë e lavdisë historike.
Rugova nuk qe dhe nuk do të mbetet thjesht vetëm një personalitet shqiptar a ballkanik. Vlerat e tij shtrihen më përtej në Evropë dhe në të gjithë botën, sepse ai, me idetë e praktikën e tij, e sidomos me krijimin e strukturave shtetërore paralele në Kosovë, dha një ndihmesë të re me vlera të veçanta origjinale në luftën paqësore për çlirim dhe të drejta njerëzore të të gjithë popujve të robëruar, ndihmesë që i pasuroi dhe i zhvilloi më tej idetë dhe praktikën e rezistencës paqësore të Gandit , “satyagraha-n” gandiste.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa- Gandisti i madh-Ibrahim Rugova

Agron Tufa, Ish Drejtor i ISKK-së kërkon Azil Politik, Misioni vazhdon

December 3, 2019 by dgreca

LETRA-TUFA:Në nëntor qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës, iu afruan familjes sime/

Në një letër të gjatë, shkruar nga kampi i një vendi të Evropës ku ka fituar azil politik së bashku me familjen e tij, Tufa tregon edhe arsyen e dorëheqjes, e cila lidhet me kërcënimet që i janë bërë së fundmi atij personalisht dhe familjes së tij.

TIRANË, 3 Dhjetor 2019– Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka pranuar sot dorëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv, Agron Tufa.

 Ai ka kërkuar azil politik në Zvicër dhe mësohet se këtë veprim e ka bërë pas kërcënimeve të shumta që ka marrë për shkak të detyrës.

Në një letër të gjatë, shkruar nga kampi i një vendi të Evropës ku ka fituar azil politik së bashku me familjen e tij, Tufa tregon edhe arsyen e dorëheqjes, e cila lidhet me kërcënimet që i janë bërë së fundmi atij personalisht dhe familjes së tij, nga ata që ai i quan qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës së vjetër në diktaturën e re”.

“Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit u mblodh sot më datë 03.12.2019 ku u njoh me dorëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv Z. Agron Tufa dhe e pranoi atë.
Më poshtë do të gjeni të skanuar deklaratën e plotë të Z. Agron Tufa dhe arsyet e tij për këtë doreheqje”, shkruan Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Pesë nga letra e Tufës:

Viti i fundit i nderuar kryetar ishte veçanërisht i tensionuar, duke u vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ. Besoj, i nderuar kryetar, se e kam dëshmuar bindshëm kurajën dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur e përballur të gjitha sulmet, kërcënimet, fushatat shpifëse e linçuese, të ujdisura nga dora më e zezë e shefave të ish-Sigurimit, nga deputetë, ish-deputetë e ish-diplomatë, të cilët me veglat e tyre si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit e përqendruan sulmin në rrafshin personal, deri në kërcënimet e disa fishta me vdekje…

Nga ana tjetër ky sekt i trashëgimisë enveriste (të cilët i kam diskredituar në shtyp me dokumente arkivorë së çfarë vrasësish janë, i kam hedhur në gjyq etj), tentoi deri në fund të shpërbënte ISKK-në dhe, përmes amendimeve të neneve të Ligjit tonë, të shmangte nga ekzekutivi drejtuesit, duke shpresuar ta kontrollonin atë.

Paralajmërimet e tyre nisën të dëgjoheshin qyshkur ne bëmë kallëzimin e parë penal ndërkombëtar në Gjykatën e Mynihut të një prej kriminelëve të kamp-burgjeve komuniste (Edmond Caja) dhe e dubluam këtë edhe me kallëzimin institucional në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë (në të dyja rastet për krime kundër komunizmit). Dy javë më vonë oficerët e ish-sigurimit, shokë e kolegë të Cajes,vunë në punë skenarin mafioz me ekzekutimin e dëshmitarit kyç, të ndjerin Haxhi Baçinozi (16 mars 2019)…

Por në mënyrë më këmbëngulëse kërcënimet ndaj meje dhe familjes sime u dendësuan pas publikimit në shtyp të një dëshmie rrëqethëse të një nëne nga familja “kulakë”, që rrëfen hollësi, me data dhe emra personash rrëmbimin e djalit të saj dhe mbajtjen fshehur në një koloni fëmijësh, që shfrytëzohej për t’i transplantuar gjak diktatorit…

Dy herët e fundit, brenda muajit nëntor, qentë e liruar nga zinxhirët  e diktaturës së vjetër në diktaturën e re  iu afruan shumë familjes sime. Kush do më mbronte mua dhe fëmijët e mi? Unë pata kohën e mjaftueshme për të kuptuar kush janë ata dhe çfarë janë në gjendje të bërë. Mjafton e kaluara e tyre. Qëndrimi im i mëtejshëm në punën time, në atdheun tim dhe të fëmijëve të mi, në të drejtën time do të ishte i palogjikshëm, përderisa do të kishte, siç jam i bindur , një çmim tragjik kurrë më të kthyeshëm. Dhe kjo nuk do të gjente më kurrë as përgjigje njerëzore dhe as hyjnore.  Misioni im do të vazhdojë në kushte jo më pak të efektshme se ato që pata kënaqësinë dhe krenarinë të kem brenda ISKK. Jam i sigurt se kolegët e mi janë po aq të aftë (në mos më të aftë) ta shtyjnë përpara misionin e zbardhjes së Krimeve të Komunizmit, ashtu siç kanë tashmë përvojën, qartësinë dhe përkushtimin nën drejtimin dhe sugjerimet tuaja.

I ndodhur vetëm , fillikat me familjen time përballë kërcënimeve të vazhdueshme, pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër, sepse ushtrimi i të drejtave të mia legjitime mbrojtëse e demokratike nuk kishte më pikë kuptimi. Tek e fundit, në një reagim politik sundues që thërret në ndihmë, stimulon dhe bëhet “parajsë” për ish-oficerët e Sigurimit të diktaturës, iluzioni se jeta ime dhe e familjes mund të bëhej, me kalimin e kohës, “më normale” është e mbetet donkishotizëm naiv me pasoja fatale.

Është ky i nderuar kryetar shkaku i dorëheqjes sime që parashtroj në këtë letër në një nga kampet e azilkërkuesve politikë. Dy herët e fundit brenda muajit nëntor, qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës së vjetër në diktaturën e re iu afruan shumë afër familjes sime. Kush do të më mbronte mua dhe fëmijët e mi? Unë pata kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se kush janë ata se çfarë janë në gjendje të bëjnë…

Misioni im do të vazhdojë në kushte të tjera, jo më pak të efektshme se ato që pata kënaqësinë dhe krenarinë të kem brenda ISKK-së.

Pak muaj më parë, shkrimtari, njëkohësisht dhe drejtori i Institutit për Krimet e Komunizmit, Agron Tufa u kërcënua me vdekje nga një mesazh në Facebook.  Agron Tufa ka qenë në qendër të sulmeve nga maxhoranca, të cilët e akuzonin se po shtrembëronte historinë dhe e kërcënuan me shkarkim nga pozicioni që mban. Debatin më të ashpër publik ,Tufa e ka pasur me deputetin e PS, Spartak Braho, i cili tha se ky i fundit po nxin historinë.

 REAGIME- NEBIL ÇIKA, KRYETAR I SHOQATES TE PERNDJEKURVE POLITIK

Me keqardhje mora vesh largimin e detyruar nga vendi yne te Agron Tufes mik dhe bashkëpunëtor i afërt ne kauzën tone te përbashkët e fisnike te dekomunistizimit të Shqipërisë.

E kam ndjekur dhe e kam mbështetur ne përpalljen me presionin komunist dhe e mirëkuptoj për vendimin qe ka marrë ne kushte ekstreme te kërcënimit te jetës se tij dhe familjes .

Ndjehem keq kur mendoj se që nuk do te jete me ne “vijën e pare te frontit “, si deri tani. Per mua është një soj sikur kam humbur ne luftë shokun në krah. 

Por besoj se edhe nga Zvicra apo kudo qe te jete ne ekzil politik do te vazhdoje te jap kontributin e tij si antikomunist ,shkrimtar e mentar ne te mire te kauzës sonë te madhe e fisnike te lirimit te atdheut tonë nga komunizmi dhe format e tij të kamufluara ! 
Zoti ta befte mbarë miku im !

GENTIANA SULA MARA-Kryetare e Autoritetit per Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit

Ndjehem sot e keqardhur qe kolegu Agron Tufa, nen presionin e kercenimit me jete per vete dhe per familjen e tij, u detyrua te lere vendin ne kerkim te azilit politik. 

Kam ndjekur me shqetesim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar qe keto do te trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do te ndaleshin. Qe nje zyrtar i larte shteteror ndermerr nje hap te tille, tregon se institucionet qe duhet ta mbrojne, ligjet tona, nuk kane vepruar. 

Me Z. Tufa kemi kendveshtrime te ndryshme per qasjet mbi perballjen me te shkuaren diktatoriale, por na ka bashkuar qellimi i perbashket dhe bindja se nuk ka demokraci te qendrueshme pa dekomunistizim te shoqerise sone. Kam vleresuar gjithmone kurajon e tij, pasionin dhe penen e zhdervjellet, dhe shpresoj qe zeri i tij nuk do te na mungoje.

Filed Under: Histori Tagged With: Agron Tufa-Letra e Doreheqjes-Azil Politik-Zvicer

AMBASADORI KOSNET: Kosova ta pezullojë taksën, Serbia fushatën për çnjohje

December 3, 2019 by dgreca

Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara jo vetëm për t’i kthyer Qeverinë e Serbisë dhe atë të Kosovës në tavolinën e negociatave, por edhe për t’i siguruar kushtet për përmbyllje të suksesshme të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ka thënë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett, në një intervistë për “Kohën Ditore”. Sipas tij, marrëveshja është e mundur të arrihet brenda vitit të ardhshëm.

Gjatë viteve të kaluara, zyrtarë të Administratës amerikane kanë deklaruar që nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshinte ndonjë rregullim të kufirit, atëherë SHBA-ja do ta shikonte atë marrëveshje e nuk do ta hidhnin poshtë. Kosnett mendon se njerëzit e kanë keqkuptuar këtë, duke paramenduar se kjo nënkupton që Shtetet e Bashkuara aktivisht po e shtyjnë ndonjë ndryshim të madh të kufijve.

“Kurrë nuk ka qenë ashtu. Për më tepër, pozicioni ynë ka qenë që çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme për popujt e dy vendeve, e jo vetëm për disa politikanë”, ka thënë Kosnett.

Por, sipas diplomatit amerikan, është e mundshme që Kosova dhe Serbia, si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, ta shikojnë mundësinë e shënimit të kufirit. Se a duhet konsideruar ky opsion, Kosnett ka thënë se kjo është pyetje për zyrtarët e të dyja qeverive – se a presin apo jo që të ketë diskutime për territore në të ardhmen.

Në vizitën që i pari i Shteteve të Bashkuara ua bëri ambienteve të reja të Grupit KOHA, ka folur edhe për sfidat që e presin qeverinë e ardhshme. Ai, po ashtu, ka thënë se është joreale të flitet për qeverisje pa e pranuar realitetin politik të Listës Serbe.

Ai u ka dhënë përgjigje edhe zërave që kërkojnë rishikimin e mandatit të Gjykatës Speciale. Sipas ambasadorit amerikan, çfarëdo përpjekje në këtë drejtim do të ishte tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara dhe viktimave nga të gjitha komunitetet.

“Qytetarët votuan për ndryshim”

KD: Pas gati dy muajsh, më në fund u certifikuan zgjedhjet e 6 tetorit, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë paralajmëruar nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re. Cilat i shihni sfidat kryesore të qeverisë së re?

Kosnett: Mendoj se kjo është kohë shumë ngazëlluese për Kosovën. Është e qartë se në zgjedhjet e 6 tetorit qytetarët votuan për ndryshim. Kam pasur shumë takime me lidershipin e Vetëvendosjes dhe LDK-së, dhe mendoj se ata janë të përkushtuar për ta krijuar qeverinë e re, e cila përfaqëson të gjithë popullin e Kosovës, që është e fokusuar në problemet e qytetarëve të rëndomtë. Më duhet të them se është emocionuese për qytetarët dhe vendin. Mendoj se do të duhej të shihnim progres të madh në vitin 2020.

KD: Një nga detyrat e para është rinisja e dialogut me Serbinë. Çfarë qasje prisni ta ketë Kosova në këtë proces?

Kosnett: Më lejoni ta vë këtë në kontekst më të gjerë. Në përpjekjet tona për ta mbështetur popullin e Kosovës, Qeveria e SHBA-së flet për tri prioritete kryesore për Kosovën: paqe, drejtësi dhe prosperitet. Kur flasim për drejtësinë, kjo i referohet luftës kundër korrupsionit, që ishte çështje kryesore në fushatë, por gjithashtu edhe për të siguruar respektimin e të drejtave të të gjithëve në Kosovë pa marrë parasysh bashkësinë, gjininë, orientimin e kështu me radhë. Pra, ne kemi një pikëpamje shumë të gjerë se çka nënkuptojmë me drejtësi. Prosperiteti nënkupton zhvillim ekonomik, mundësi ekonomike për të rinjtë, që shpesh ndihen të pakënaqur se pa marrë parasysh kualifikimeve për punë, i kanë mundësitë e kufizuara nëse nuk i kanë lidhjet e duhura. E pastaj flasim për paqe. Kur flasim për paqe, nënkuptojmë marrëdhënie më të mira mes komuniteteve brenda Kosovës, por gjithashtu edhe marrëdhënie më të mira ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve të saj, jo vetëm me Serbinë, por sigurisht Serbia është në krye të listës. E në mënyrë specifike sa i përket dialogut, për mua është me rëndësi që të theksoj pikëpamjen e SHBA-së se përparimi në marrëdhëniet me Serbinë lidhet me mundësitë, si ato ekonomike, por edhe mundësitë për drejtësi më të mirë dhe mundësi të barabarta në vend si tërësi. Pra, këto tri çështje: paqja, drejtësia dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. E kjo ishte përgjigje shumë e gjatë.

KD: Ka pasur shumë diskutime përkitazi me marrëveshjen e mundshme finale me Serbinë. E shihni këtë të arritshme brenda vitit të ardhshëm?

Kosnett: Po, mendoj se mund të arrihet gjatë vitit të ardhshëm. Qeveria ime është e përqendruar jo vetëm për t’i kthyer Qeverinë e Serbisë dhe atë të Kosovës në tavolinën e negociatave, por edhe për t’i siguruar kushtet për përmbyllje të suksesshme të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Me fjalë të tjera, për të ardhur deri në cak e jo vetëm në vijën e fillimit. Besoj se popujt e të dyja vendeve do të përfitojnë shumë nga përmirësimi i marrëdhënieve. Në të njëjtën kohë, mendoj se është me rëndësi për Kosovën që të takohet si e barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit për të trasuar rrugën drejt prosperitetit dhe paqes për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. P.sh. ka pasur fjalë për një aranzhim mini-Shengen. Sa e dimë ne, Kosova do të ftohet si e barabartë në bisedimet e ardhshme për mini-Shengen. Qeveria duhet të shkojë; të dërgojë një delegacion. Nëse propozimi përmban elemente që Kosovës nuk i pëlqejnë, atëherë Kosova duhet ta thotë atë. E dini, duhet të argumentojë në tavolinë, duhet të negociojë si e barabartë me vendet e tjera. Ndoshta aranzhimi për mini-Shengen do të evoluojë pjesërisht për arsye se Kosova ndihmon për t’i dhënë formë asaj. Por mendoj se ata njerëz që thonë se Kosova nuk duhet as të lodhet për të marrë pjesë në proces po e humbasin një mundësi të madhe. E njëjta gjë vlen edhe për dialog. Qeveria e Kosovës do të duhej të shkojë dhe të ulet përballë Qeverisë së Serbisë dhe të argumentojë fuqishëm qëndrimin e saj dhe të përpiqet për ta arritur një marrëveshje, nga e cila përfitojnë të dyja palët.

Dialog, pa parakushte

KD: Por marrëveshja finale është thënë se ka të bëjë me kompromise. Cili kompromis mendoni se është i mundshëm?

Kosnett: Para së gjithash, më lejoni t’jua përkujtoj lexuesve tuaj se Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në negociata. Bisedimet janë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Shtetet e Bashkuara, sikurse miqtë tuaj evropianë, duan të ndihmojnë në këtë proces. Duam të ndihmojmë që të sigurohemi se palët do ta mbajnë çfarëdo premtimi që e japin. Kështu që, nuk do të hyja në hollësi të mëdha rreth gjërave hipotetike se çfarë do të ndodhë. Si diplomat profesionist, megjithatë, dëshiroj ta them se mendoj se është e rëndësishme që negociuesit të jenë të lirë të diskutojnë çdo gjë, të mos ketë parakushte para delegacioneve kur të ulen në tavolinë. Prandaj, lidhur me këtë, mendoj se është me rëndësi që Kosova ta pezullojë tarifën, si dhe është me rëndësi që Serbia ta pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, e pastaj palët mund të bisedojnë për këto çështje në tavolinën e negociatave.

KD: E përmendët tarifën. Si LDK-ja, po ashtu edhe VV-ja kanë thënë se do ta heqin, por në vend të saj të aplikohet reciprocitet i plotë me Serbinë. E shihni këtë si lëvizje pozitive?

Kosnett: Mendoj se përkushtimi i tyre për ta suspenduar tarifën është definitivisht lëvizje pozitive. Sa i përket reciprocitetit, pikëpamja jonë është se këto janë çështje për të cilat vendimi do të duhej të merrej në tavolinë. Sinqerisht, për ne nuk është rezultat pozitiv nëse Kosova vendos pengesa reciproke jotarifore, por që të negociojë në mënyrë efikase që Serbia t’i heqë pengesat tregtare. Ne do të donim të shihnim më pak barriera dhe më shumë hapje, më shumë bashkëpunim në tregti, investime, në çështjen e personave të pagjetur dhe një varg çështjesh të tjera, të cilat kanë qenë shqetësim për të dyja vendet për 20 vjet.

KD: Çka nëse nuk arrihet marrëveshja? Cilat do të ishin pasojat për Kosovën?

Kosnett: Mendoj se arritja e marrëveshjes do të ketë implikime të mëdha pozitive për përparimin e Kosovës dhe vendin e saj në Evropë. ‘Status quo-ja’ vërtet nuk është e qëndrueshme. Ashtu siç ka thënë përfaqësuesi ynë special për Ballkanin Perëndimor, Matt Palmer, kur së fundi ishte për vizitë në Kosovë, dështimi për ta çuar përpara dialogun nuk e ka ndihmuar Kosovën. Nuk e ka ndihmuar as ekonominë e Kosovës e as pozitën e saj në botë. Ta them sërish, mendoj se marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë do t’i hapë dyert për investimet e jashtme, do të krijojë mundësi të reja ekonomike për popullin këtu dhe nuk është vetëm çështje që ka rëndësi për bashkësinë ndërkombëtare. E dini, dialogu nuk ishte në krye të agjendës gjatë fushatës parazgjedhore, e kuptoj këtë, por unë nuk e shoh atë si shpërqendrim për qeverinë e re për t’i përmbushur premtimet për çështjet e brendshme. Ne mendojmë se është e domosdoshme që në të njëjtën kohë, të ketë përparim në çështjet e brendshme dhe të jashtme.

KD: Deri më tani ka pasur mungesë të unitetit mes partive politike dhe institucioneve sa i përket rezultatit final të dialogut. Derisa presidenti ka favorizuar korrigjimin e kufijve, partitë përgjithësisht janë kundër kësaj ideje. A konsideroni se qeveria e ardhshme do të jetë e aftë t’i tejkalojë këto dallime dhe ta ndërtojë konsensusin?

Kosnett: Jam optimist se dy partitë që janë pjesë e qeverisë dhe partitë në opozitë do ta kenë prioritet më të mirën për vendin dhe qytetarët. Tani është koha, është momenti për të gjithë ata që janë të përfshirë në jetën politike, qofshin në qeveri apo në opozitë – që të bëhen bashkë dhe në frymën e bashkimit kombëtar, të mendojnë për qytetarët e rëndomtë dhe çka do të thotë për qytetarët e Kosovës përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët e saj.

“Pozicioni amerikan nuk është kuptuar mirë”

KD: A ka ndonjë dallim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. E kur flasim për këtë: a i mbështesin Shtetet e Bashkuara ndryshimet e kufijve?

Kosnett: Mendoj se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë fuqimisht të përkushtuara që t’i mbështesin qytetarët dhe popujt në Kosovë dhe Serbi, që ta gjejnë rrugën drejt përmirësimit të marrëdhënieve. Kjo nuk ka ndryshuar. Kjo është diçka për të cilën do të jemi në koordinim dhe konsulta të afërta me partnerët evropianë, kur BE-ja ta zhvillojë politikën e jashtme në të ardhmen. Siç e dini, ka pasur ndryshim në krye të strukturës së Politikës së Jashtme të BE-së. Për sa u përket shkëmbimit të territoreve, ndryshimit të kufijve, mendoj se pozicioni amerikan nuk është kuptuar mirë dhe do të përpiqem ta qartësoj atë. Gjatë një apo dy vjetëve të kaluar, disa zyrtarë të Administratës amerikane kanë thënë që nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshinte ndonjë rregullim të kufirit, atëherë ne do ta shikonim atë marrëveshje e nuk do ta hidhnim poshtë pa e shikuar fare. Njerëzit e kanë keqkuptuar këtë, duke paramenduar se kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara aktivisht po e shtyjnë ndonjë ndryshim të madh të kufijve. Kurrë nuk ka qenë ashtu. Për më tepër, pozicioni ynë ka qenë që çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme për popujt e dy vendeve, e jo vetëm për disa politikanë. Mendoj se është mjaft e qartë se përkrahja në Kosovë për një shkëmbim masiv, dramatik të tokës apo ndryshim të kufijve është shumë e vogël. Dua të them se është mjaft e qartë se është ashtu. A është e mundshme që Kosova dhe Serbia, si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, ta shikojnë mundësinë e shënimit të kufirit, të disa ndryshimeve? Po, është e mundur, por mendoj se kjo është pyetje për zyrtarët e të dyja qeverive – se a presin apo jo që të ketë diskutime për tokën në të ardhmen.

KD: Nganjëherë ka kritika se liderët e Kosovës po marrin vendime nën presion. A është Kosova e gatshme t’i marrë vetë vendimet, pa qenë subjekt i çfarëdo presioni ndërkombëtar?

Kosnett: Mendoj se liderët dhe populli i Kosovës janë të aftë që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, ta trasojnë rrugën përpara. Në të njëjtën kohë, natyrisht se qeveria ime dhe të tjerat në rajon janë duke investuar shumë për të ardhmen e Kosovës. Nuk do ta realizonim këtë intervistë po të mendonit se zëri i Amerikës nuk ka rëndësi. Kështu që, ne do të vazhdojmë të bëjmë krejt çka mundemi për t’i mbështetur të dyja palët. Më duket e përdorët fjalën “presion” në pyetjen tuaj, por unë nuk e shoh ashtu. A e themi qartësisht qëndrimin tonë? Sigurisht se po, pjesërisht sepse shumë njerëz janë të interesuar të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë qeveria jonë apo qeveritë e tjera. Por do të doja të theksoja se njerëzit ndonjëherë mendojnë se disa çështje, që janë me interes për bashkësinë ndërkombëtare, nuk kanë rëndësi për popullin e Kosovës. Ne shpesh e shohim këtë gjë ndryshe dhe dialogu është shembulli më i mirë. Shumë njerëz nuk e shohin sa do të ndikojë në jetën e tyre përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë ose me fqinjët e tjerë. Ne mendojmë se kjo është e rëndësishme për qytetarët e rëndomtë, sepse do të krijojë mundësi të reja për çdo njeri. Natyrisht se ka dyshime dhe mosbesim, por nëse Qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës mund të negociojnë një marrëveshje që është në interesin e qytetarëve të të dyja vendeve, atëherë ata do të kenë shtytje për ta mundësuar zbatimin e saj dhe vendi im do të jetë aty për t’u siguruar që të gjithë i mbajnë premtimet.

“Joreale të flitet për qeverisje pa e pranuar realitetin politik të Listës Serbe”

KD: Pretenduesi për kryeministër, Albin Kurti, e ka përjashtuar mundësinë që ta konsiderojë Listën Serbe partner në qeveri, megjithëse ka thënë se do ta përmbushë obligimin kushtetues që një ministër në qeveri të jetë nga kjo parti. Si e komentoni këtë?

Kosnett: Mendoj se zotëri Kurti është i vetëdijshëm se përgjegjësia e tij si kryeministër dallon nga roli i një lideri të opozitës, dhe z. Kurti e kupton Kushtetutën e Kosovës. Mendoj se ai është realist dhe e di se nuk do ta ketë të mundur të qeverisë pa e dëgjuar zërin e anëtarëve të komunitetit serb. Fakti është se Lista Serbe përfaqëson – jo çdo individ – jo çdo serb është tifoz i Listës Serbe – por, është zë i rëndësishëm. Nuk mendoj se është reale të flitet për qeverisjen e vendit pa i respektuar parimet kushtetuese rreth rolit të pakicave dhe pa e pranuar realitetin politik të Listës Serbe.

KD: Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për shoqërinë e Kosovës. Partnerët e ardhshëm qeverisës kanë paralajmëruar masa agresive kundër krimit dhe korrupsionit. I mbështetni këto masa?

Kosnett: Ne absolutisht i mbështesim masat e ashpra kundër korrupsionit, brenda dhe jashtë qeverisë. Të kujtojmë se qeveria e re ende nuk e ka marrë detyrën dhe është e natyrshme që politikat e saj specifike të evoluojnë me kohë. Unë kam besim të madh në institucionet e drejtësisë në Kosovë, në polici dhe mendoj se kosovarët, pavarësisht qëndrimeve politike, e ndiejnë fuqishëm se korrupsioni po e mban vendin prapa. Ambasada jonë, unë personalisht kam qenë mjaft i zëshëm prej kur kam ardhur lidhur me këtë çështje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Mendoj se ndriçimi i çdo qoshe të errët në çdo vend është vendimtar për të ardhme të shëndetshme.

KD: Gjykata Speciale ka shtuar numrin e ftesave për ish-pjesëtarët e UÇK-së, derisa aktakuzat e para priten të ngrihen së shpejti. Por ka zëra në Kosovë që i kërkojnë qeverisë ta rishikojë mandatin e kësaj gjykate. Si e komentoni këtë?

Kosnett: Para dy vjetësh, kur pati përpjekje për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, paraardhësi dhe miku im, Greg Delawie, tha se kjo është tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara. Unë pajtohem me këtë, por dua të shtoj se çfarëdo lëvizje për dobësimin apo eliminimin e Gjykatës është tradhti edhe ndaj të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet, të cilat meritojnë drejtësi për krimet që janë bërë para 20 vjetësh. Jam shumë i vetëdijshëm për historinë e Kosovës dhe rajonit, e di se disa njerëz janë të frustruar dhe e shohin me mëri mandatin e Gjykatës Speciale. Nuk mendoj se përgjigja është duke e zbehur efikasitetin e saj, duke mos hetuar apo kërkuar drejtësi kur ajo është e mundur. Duhet të kërkojmë më shumë drejtësi për viktimat, jo më pak. Kam besim se Gjykata Speciale do ta vazhdojë ta bëjë punën e vet dhe të vendosë drejtësi, mbështetur në mandatin që ka.

KD: Z. ambasador, ju faleminderit për kohën dhe intervistën.

Kosnett: Ju faleminderit shumë juve. Ishte kënaqësi.(Kortezi-Koha Ditore)

Filed Under: Interviste Tagged With: Ambasador Kosnett- Kosova te pezulloje taksen-Serbia te ndale cnjohjet

Një përmendore kushtuar mjeshtrit të penelit dhe të daltës Hytbi Tarelli

December 3, 2019 by dgreca

NGA Bashkim Saliasi/

Është kënaqësi të lexosh dhe të njihesh me krijimtarinë e Kadriut, i cili është njëherazi historian, gazetar dhe studjues. Veprat e tij të botuara tërheqin përherë e më shumë vëmendjen e  lexuesit, ndaj ishte një ndjesi e veçantë dhe kënaqësi të merrnim dhuratë, edhe unë, edhe shkrimtari Viron Kona, librin e tij më të ri, të cilin ia ka kushtuar mjeshtrit të penelit dhe daltës Hytbi Tarell, njëherazi vëllaji i tij, të cilin ai e ka dashur shumë. Kadriu në Durrës dhe Ytbiu në Kanada, kishin krijuar një marrëdhënie e komunikim të vazhdueshëm familjar, por edhe artistik, deri ditën që Ytbiu u nda papritmas nga jeta, atje, në emigrim, në Kanada.

Duke  e lexuar librin me vëmendje, mendoj se ai është  një përmendore për vëllanë e dashur, por edhe për një artist të nivelit të Ytbiut, që krahas vlerave të mëdha artistike, mbartë edhe vlera të vyera kombëtare..

Kur Kadriun e përgëzova për librin dhe nisëm të flasim për Ytbiun, atij iu mbushën sytë me lotë…

-E doja shumë tim vëlla,-tha Kadriu.

-Ne, të gjithë në atë rrugë do të shkojmë, por e rëndësishme për njeriun është të lërë diçka trashëgim nga jeta e tij. Vëllai juaj, mesa ju më keni treguar dhe kam lexuar nga shkrimet e botuara në medjen elektronike dhe shtypin e shkruar, është si një promete, që zjarrin e ka lënë ndezur.  Botimi i kësaj vepre është një nder  që ju keni bërë për vëllain, që të afrmit, shoqëria, miqësia dhe gjithë dashamirësit të njohin vlerat e atij njeriu të talentuar në zhanrin e pikturës dhe sklupturës.

Vëllai juaj është një ikonë që ka shpalosur supervlera në Kanada me artin e tij. Duke punuar dhe sakrifikuar,  me kursimet e tij, ai hapi studjon e sklupturës dhe pikturës në Kanada.

Ëndërra për të vazhduar shkollimin përkatës nuk iu plotësua, por ai me vullnet të çeliktë nuk iu nda pikturës dhe skulpturës, bazuar në vetëdijen e tij krijuese ai arriti ta bëjë realitet ëndrrën e tij të artit me punë këmbëngulëse dhe vullnet të fortë.

U ndava miqësisht me dy miqtë e mi, për t`u takuar javën e ardhshme në një përurim libri..

Në autobuzin urban nga stacioni Bankës së Shtetit dhe deri  te stacioni i Kinostudjos, u përhumba në faqet e librit dhe nuk mora vesh se kisha arritur në stacionin e fundit.

Shoferi fiku autobuzin dhe pasi ndezi një cigare qëndroi kundruall meje.

-Zotni ju do ktheheni përsëri poshtë apo do zbrisni këtu?!

-Më falni por u përhumba në faqet e librit dhe nuk e vura re se kur arritëm kaq shpejtë!

-Jo, -shpejtë nuk arritëm se nga Banka deri këtu mu desh 35 minuta mua, foli shoferi paksa me ironi.

Nuk e zgjata, mbylla librin dhe, gjithë rrugës më rrinte mendja te personazhi i librit: Hytbi Tarelli.

Në faqet e këtij librit Kadriu bën një skaner mbi prejardhjen e familjes së tij, luftën dhe përpjekjet e të afërmve për t`u arsimuar dhe jetuar jetën me djersën e ballit.

Ashtu si të parët e Hytbiut që provojnë plagët e emigracionit deri në Argjentinë, por më në fund pasi mbledhën  paratë e duhura, u kthyhen në fshatin e tyre të lindjes, kurse emigrantët e kësaj periudhe nuk u shkon mendja të marrin rrugën e këthimit sikundër bën gjyshërit e tyre.

Libri të tërheq dhe, vetja të duket si në botën e ëndrrave të bukura, që nuk ke qejf  të zgjohesh nga gjumi, por bota e ëndrrave  të zgjasin sa më gjatë, kështu ndodh dhe me leximin e këtij libri, që miku im Kadri Tarelli ia ka kushtuar vëllait të tij Hytbiut…

Mësova shumë nga leximi i këtyre faqeve për jetën dhe veprat e Hytbiut dhe kur arrita në shtëpi pas vaktit të drekës e mora përsëri librin dhe e çova deri në fund leximin e tij.

Ajo që më ngrohu më shumë ishte se Hytbiu dhe unë studjuam në qytetin verior, Shkodrën dhe, nga ai qytet ke se çfarë mëson. Edhe pse Hytbiu mbaroi për matematikë, duke pasur pasion artin i nxitur edhe nga vëllai i tij, që e donte aq shumë,  Kadri Tarelli, nuk rreshti nga puna e tij krijuese duke krijuar vepra arti që siç mësova nga shkrimet gjatë leximit të këtij libri monument të shkruar, i kalojnë vlerat dhe krahasuar me një piktor apo skulptor profesionist.

Talenti lind dhe zhvillohet së bashku me njeriun dhe, Hytbiu duke e nisur punën e tij me thëngjijë dhe më pas me laps e daltë, arriti t`ia dalë dhe të na lërë vepra me përmasa të supervlerave si: bustin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu të larë të ar, bocetin kushtuar 100 – Vjetorit të Mëvetësisë, me shtizën 100 m, për t`u valëvitur flamuri i kombit, portretizimin e shënjtores shqiptare Nënë Tereza-dhuratë për Kosovën, shtatoren e legjendarit Adem Jashari e sa e sa vepra të tjera të paraqitura në ekspozita si në Shqipëri dhe në Kanada, ku Hytbiu mbylli jetën e tij në moshën 65 vjeçare.

Nuk po bëj analizën e veprës kushtuar Hytbiut, por në mendjen time mbeti respekti dhe dashuria që i ai kishte për vendlindjen e tij Devollin, natyrën e bukur shqiptare dhe njerëzit që e rrethonin.

Në udhëtimin për në vendlindje, Kadriu bashkë me të vëllanë për në Devoll me furgon, Hytbiu për një moment i thotë shoferit:

-Të lutem ndale pak makinën…

Kur u kthye sqaroi bashkudhëtarët!

“-Unë jam piktor dhe jetoj në Kanada. Nuk dua të humbas këtë pamje magjike të qiellit shqiptar. Dua ta marrë me vete këtë copë qiell dhe retë që lodrojnë midis tyre. Këto pamje nga vendlindja ime dua t’ua tregoj edhe shqiptarëve të tjerë, që jetojnë në dheun e largët. Dua t’i hedh në telajo. Kemi shumë mall.”

A nuk janë këto fjalë tepër prekëse? Gjatë leximit më rrëshqitën lot, sepse m`u kujtua koha që provova emigrimin në Greqinë fqinjë vitet e parë të hapjes së kufijve. Mu kujtuan ata bijë nënash që vuajnë në kurbet për të nxjerrë kafshatën e bukës dhe një ndër ta është dhe Hytbiu që gati për dy vjet punoj në Kanada prerës i gurit dhe më në fund me kursimet e tij ngriti studjon e tij, ku tani e trashëgon i biri duke ecur në gjurmët e babait të vet Hytbiut.

S’ka gjë më të mirë kur rrugën e babait e vazhdon i biri.

Artisti i ri, Elisi me një krenari dhe nderim të thellë për këtë, ndjen dhe ndjek me përkushtim gjurmët e të atit, në krijimet dhe punimet e tij plot hijeshi dhe magji arti, shkruan Bashkim Kadiu, në shkrimin e publikuar në faqet e gazetës “Nacional” datë 10.11.2019, kushtuar artistëve të penelit dhe të daltës Hytbi dhe Elis Tarelli. Ndjesë dhe respekt për piktorin dhe skluptorin e nderuar Hytbi Tarelli. Urime Kadri në botime të tjera!

Filed Under: ESSE Tagged With: Bashkim Saliasi-Permendore-Hytbi Tarelli

VATRA SYNON TE GRUMBULLOJE 100 MIJE DOLLARE…

December 3, 2019 by dgreca

Pasi grumbulloi 83 Mije dollare ne diten e pare per Fushaten ne ndihme te demtuareve nga Termeti i 26 Nentorit, te Shtunen me 30 Nentor, Vatra vazhdon fushaten e saj. Telefonata te shumta kemi marre nga Florida, Michigani, Nju Jorku, Washingtoni, Connecticuat, New Jersey, Bostoni, Wiscansi etj. Sot arriten ne Vater cheqet e derguara nga:
Shaqir Salihu-Washington $ 400.00
2- Koco Sterjo Wiscansi, $100.00
3- Fadil & Hedije Haliti $150.00-Queens New York
4- Hanife dhe Tair Haliti nga Queensi, NY $ 100.00
Sapo te arrijne dergesat e tjera ne do t’i bejme publike edhe Listen e plote. Synimi yne eshte te arrijme shifren $ 100 Mije dollare.
Falenderojme pergjegjesen e Bibliotekes Fan S. Noli prane Kishes se Shengjergjit ne Boston zonjushën Neka Doko per kontributin e saj simbolik derguar ne ditefesten e Pavaresise se Shqiperise, me 28 nentor.

Deget e Vatres duhet te tregohen aktive per t’i orientuar anetaret e tyre nga Fushata e Qendres.

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 808
  • 809
  • 810
  • 811
  • 812
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT