• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Busti i Donikës në Vlorë dhe piktura e Roberto Gammone për “Andronica Castriota Scnderbeg”

May 11, 2021 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

1.- Në Vlorë  gjen mjaftë buste  për figura të shquara. Ca prej tyre janë bërë tashmë simbol të qytetit dhe të tjerë të mbetur në hije.Në hyrje të rrugës, që të shpie të xhamia e qytetit.Në cep të ish bibliotekës së vjetër(banesa e hebrenjve),sot shkolla private Nr 1,  në trotuarin  e madh dhe të rikonstruktuar, befasisht   përpara të del edhe busti i princeshës Donikës së Arianitëve,bashkëshortes së Skënderbeut.Ky bust  duket se është vendosur, aty rastësisht .

“Andronica Castriota Scnderbeg” e Roberto Gammone.

…Të vjen keq për vendin e zgjedhur dhe për  atë krijim, që  në të vërtetë duket se nuk ka ndonjë vlerë të madhe artistike.Në një cep të kësaj rruge ,ky bust  nuk tregon shumë për princeshën, ngase edhe specialistët shprehen se kësaj vepre i mungojnë shumë elementë.

2.Piktura e Roberto Gammone  realizuar në vaj me përmasa:40x55cm , titulluar:”Andronica Castriota Scnderbeg”  është një kryevepër. Roberto ka lindur në Romë, Itali, në vitin 1979. Ai ka kaluar vite në trajnim duke studiuar mjeshtrit e vjetër: stilet e tyre, penelatat e tyre, skemat e tyre të ngjyrave, materialet e tyre dhe frymëzimet e tyre. Ai kërkoi për tekste letrare se si maestrot e së kaluarës përgatisnin vajrat dhe kanavacat e tyre dhe se si ata krijuan pajisje primitive të projeksionit. Dhe pikturoi. Edhe gjatë viteve që ai ishte një artist i vendosur në instalacion, ai gjithmonë pikturon.Portretet e tij janë teknikisht të shkëlqyera, po aq të shkëlqyera sa ato që dolën nga punëtoritë shekuj më parë, por ato kapin në mënyrë koncize dhe me zgjuarsi epokën tonë bashkëkohore. Bukuria e dukshme e pikturës së tij i bën subjektet e tij të duken disi magjepsëse, të rëndësishme dhe të pashlyeshme.Punimet  e tij për portrete përfshijnë personalitete publike, familje dhe fëmijë… Mirëpo le të kthemi te portreti i Andronikës….Florinda Muja shkruan ndër të tjera;Portreti në fjalë titullohet “Andronica Castriota Scnderbeg” dhe është realizuar nga artisti italian Roberto Gammone vitet e fundit. Pra, ndonëse ka pamjen e një portreti historik, piktura është aktuale. Pikturat e të talentuarit Gammone duken njëherësh moderne dhe historike pasi ai përdor teknikë të re në pikturë por përmbajtja ruan disa detaje të cilat zakonisht i sheh vetëm në portrete të hershme, si gravura me të cilën jemi mësuar të identifikojmë nusen e Skënderbeut. Shumë prej nesh e njohim Donikën nga imazhi më poshtë, i gdhendur nga artisti Johann Theodor de Bry në vitin 1596.Disa nga detajet në fjalë, në portretin e Gammones, janë data e shkruar në pikturë (ndonëse 1556-a është plot 50 vjet pas vdekjes së Donikës) apo edhe imazhi i Donikës në profil, të dy elementë të stilit të portreteve të shekullit të 16-të.Gammone gjithashtu i ka dhuruar interpretimin e tij edhe portretit të Skënderbeut, por ishte portreti i Donikës që pati jehonën më të fortë.”

Kur zbulon portretin e artistit italian magjepsesh nga bukura e princesësh shqiptare.

3.

E para: Duhej zgjedhur një vend i përshtatshëm, ndoshta një shesh me pamje të dukshme .

E dyta: Busti  ka nevojë  për përmirësim, sipas një rivlerësim më të mirë nga specialistët e kësaj fushe për ta ripunuar  sërish apo variante të tjera, që  mund të zgjedhin.

…Çfarë shkruan kritiku Ilir Hivzi Muharremi nga Prishtina:Shtatorja tjetër e shëmtuar e cila u zbulua vitin e kaluar në qytetin e Vlorës është ajo e Donika Kastriotit  gruas së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kjo shtatore duket shumë qesharake sidomos fytyra e saj të cilën e kanë quajtur si fytyrë nga personazhi i filmit vizatimor Shrek, pra Fiona e Shrekut. Deformimet e shumta të fytyrës, paqartësi te pjesa e syve, gojës së shtrembër, qafës së gjerë e të deformuar, nxjerrë në pah një imazh qesharak dhe fyes ndaj figurës së Donikës. I mungojnë elementet e Dukeshës, princeshës. Ajo në skulpturë ka një shikim të paqartë, buzëqeshje të pa arsyeshme dhe asgjë nuk i shkon këtij personazhi. Si duket skulptori ka qenë i verbër derisa e ka punuar këtë skulpturë.

Çdo shtatore ose bust që vendoset në hapësirë publike duhet të filtrohet përmes komisionit profesional, ngaqë Shqipëria dhe Kosova po vuajnë nga kitchi i shëmtirave të skulpturave të cilat çdo muaj po krijohen nga njerëz jo kompetentë.

4.

Ëikipedia shkruan:Andronika Kastrioti ka qenë një fisnike arbërore, e bija e princit të famshëm  Gjergj Arianiti dhe e shoqja e  Gjergj Kastriotit.U lind në  Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me  Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç.Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arainitit . Gjergj Arianiti ishte martuar dy herëMe gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës.U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin  e Ardenicës  , në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:

“…Ç’dasmë që bë

Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja

buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të

gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie…”

Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej

Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në

Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur,

pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis

tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: “…Dhëndëri si

dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna

vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë…”

5.

Vigjilent Xhaferaj

“Fshat e zanat ,derë e tabiat “themi ne nga Labëria .”Paese che vai ,usanca che trovi “,thonë italianet . Kur martohej vajza nëna e porosiste që kur të shkonte në derë të burrit ,”Si të shoç (shohësh) ashtu të bësh ,moj bija ime ” .Këto shprehje lidhur me zakonet e traditat ,me kujtuan legjendën e martesës së Gjergj Kastriotit me Andronikën e Gjergj Aranitit në Kaninë .Skënderbeu ,i shoqëruar nga 5000 mijë e ca kaloreës ,hodhi Vjosën në Dushkarak dhe :

Përkëtej Vjosës kur dolli

Tre topa si shenjë i hodhi

Si shenjë për në Kaninë-

Trimat e Krujës po vinë !…

Skënderbeu e la hordhinë ,

Vajti te Qisha në brinjë

Te Qisha në Qishëbardhë,

Vate trimi për të falë .

Mbi qishë në ca lëndina

Xbret Araniti me trima .

Araniti yll i rrallë

Kapetan mbi kapetanë

Se c’u poq me Skënderbenë

Për kala muar dervenë …

Kremte e madhe këtë radhë

Asnjëherë nuk ishte parë

Nuk ish parë asnjëherë

Njëmijë kokë desh u therë

U derdhën vozat me verë

Qe mbretit t’i bënin nderë .

C’dasëm që bë Araniti !

Atë natë kalaja ndriti

Kënga dhe vallja buçiti …

Dhe kur pinë e u kënaqnë

U vu buka që të hajnë

Edhe nishanet i ndanë .

Po Skënderbeut në ballë

Cfare nishani i dhanë vallë ?

-Pesë okë bishti i dashit ,dhjamë,

Siç është zakoni në labë .

Erdh e u vrejt Skënderbeu

Këtë nishan s’e pëlqeu ,

dhe në fyturë u murrëtua

Aranitit ju drejtua :

-Dëgjo ,zotri -i thotë ,

Mikun ne e nderojmë me kokë

Jo me bisht a çfardo qoftë !…

Araniti burrë me kokë

Që s’le fjalën të bjerë në tokë

Se ja priti dhe i thotë :

-Skënderbe ,o trim i mirë

Fol,çfarë të kesh dëshirë !

Po ne fajtor nuk jemi

Se këto zakone kemi

Edhe me këto të primë

Sipas zakonit Kaninë .

Një shënjë jep Araniti

Dhe akçiu më nuk priti

Një kokë sorkadhi ka marrë

Të pjekur ja solli pranë .

Tundi kokën Skënderbeu

Këtë nishan e pëlqeu :

Hëngri ,piu ç’kish falë Zoti

Skënderbeu (Kastrioti)…

Filed Under: Histori Tagged With: Busti i Donika Castriota Scanderbeg, Gezim Llojdia, Roberto Gammone

FUNERALI I PAFUNDEM- Kori që shndërrohet në kortezh

May 10, 2021 by dgreca

Funerali i pafundëm është një libër tronditës për një Shqipëri të brendshme, të supozuar nga Zhiti, që mban gjallë dhimbjen e tragjedisë antike greke. Në fakt është areali i improvizuar që kori i personazheve-maska intonon, duke përsëritur zërin e qartë dhe të rëndë të një choragos-i, një rol që Zhiti e merr përsipër deri në fund…./

Shkruan: Adrian Lësenciuc*/

Emri i Visar Zhitit nuk është i njohur aq sa duhet nga rumunët. Në fakt, letërsia shqipe na është imponuar me një emër të vetëm, Ismail Kadare, dhe dimensioni universal i veprës së tij  (përkthyer nga M.D) ka ndihmuar që emri i tij të mbahet në ballë të kësaj letërsie. 

Visar Zhiti lindi në diktaturë në Durrës dhe u diplomua në Institutin Pedagogjik  në Shkodër po në diktaturë. U arrestua dhe u burgos për tetë vjet nga regjimi i Enver Hoxhës për “fajin” e vetëm se kishte shkruar poezi dekadente (për një vëllim poetik të çuar për botim). Poezia e Zhitit u botua vetëm pas rënies së Perdes së Hekurt. Vëllimi debutues, Kujtesa e ajrit, nga viti 1993, ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe autorit të tij iu dha Çmimi i Republikës së Shqipërisë për letërsi. Dhe vëllimet e tjera me poezi ishin me vlera të afërta me vlerën e të parit. Romanet e tij gjithashtu u pritën me entuziazëm nga kritika. Shumë vepra të tridhjetë viteve të fundit janë përkthyer në shumë gjuhë. Zhiti ka marrë çmime të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht në Itali. Ndonëse ende i panjohur mjaftueshëm për publikun e gjerë rumun, vëllimi i tij me poezi Psalm u përkthye nga Renata dhe Luan Topçiu në 1997 dhe romani Funerali i pafundëm u botua për herë të parë në Shtëpinë e mirënjohur Botuese Leda – Corint në 2008, me përkthim të Luan Topçiut. Një ribotim i kohëve të fundit dhe i riparë i këtij romani u botua në vitin 2020 nga Shtëpia Botuese A. Vëllimi poetik Flatra e mundur, përkthyer nga Luan Topçiu dhe Renata Melonashi, u botua në të njëjtën Shtëpi Botuese një vit më parë.

Funerali i pafundëm është një roman atipik, më tepër një antiroman, një prozë e çartur, që nuk i nënshtrohet aspak konvencioneve, një tekst që shumë vështirë mund ta karakterizosh me termat me të cilat Romul Munteanu u përpoq të zbusë Romanin e Ri Francez përmes preludeve të një poetike të  antiromanit. Funerali i pafundëm duket se minon edhe konceptin e antiromanit, të cilin Sartre e shihte si të zënë rob në pamje të jashtme dhe në konturet e romanit. Romani shfaqet më së shumti si një epikë në tre pjesë të pabarabarta: “Udhëtimi i zi”, “Elipsa dhe Corona V” dhe “Anti-Funeralet” (epilog) dhe 66 këngë, të hapura nga një “fletë e grisur nga fundi për t’u lexuar si fillim”. 

Teksti i Zhitit përshkruan rrjedhën e një turme të papërcaktuar, jo konsistente në një marshim drejt vdekjes. Padyshim që rruga është vendosur sipas koordinatave ideologjike dhe shtysës së turmës, si një shëmbëlltyrë e errët e shekullit të njëzetë:

“…të ikësh larg. Sa më tepër këmbë, aq më pak lodhje. Të qenët bashkë, shumë njerëz njëherësh, të ngjall ndjenjën e fuqisë, e cila shtohet edhe nga e ecura. Kokët janë të rrezikshme.Të menduarit ndryshe gjithmonë prish punë. Rrugëtimin e bën më të lehtë mendimi i njëjtë, i vetëm, i përbashkët. I ngjashëm me yllin e karvanit që ndrit njëlloj për të gjithë. Dhe ai ecën me të gjithë, i largët, digjet si plaga e tjetrit që nuk dhemb kurrë. Është më mirë të mos mendosh, se jo vetëm nuk lodhesh, por shmang edhe mëdyshjet, që gjithmonë bëhen pengesë. Vetëm të ecësh. Ka më siguri, kur mendimi mungon fare. Ky është ideali: mungesa e tij. Se ka dhe epidemi ideologjike, dreqi e marrtë.  ”(P.11)

Funerali, i drejtuar nga forca shtypëse dhe instinkte, duke shkuar drejt një destinacioni të vështirë, i drejtuar nga quasi-prania e një arkëmorti, ka gravitetin e  “Librit të Pëshpëritjeve” të Varujan Vosganian-it. Turma mbahet nga dëshira e thjeshtë për t’u radhitur me normën e imponuar, nga përgjigja adekuate ndaj rrymave të mëdha ideologjike të fundit të shekullit. “Funeralii pandemive ideologjike”, siç e quan përkthyesi Luan Topçiu, një funeral i përbërë nga “personazhe maska” dhe “personazhe zëra”, avancojnë në vijimësinë e këngëve të epopesë, si vetë historia e nivelimit, duke lënë pas hapësira dhe kohëra, të marra së bashku, të kuptuara së bashku, në një pastë topologjike ende të papërfunduar: “Iknim dhe iknim. Ktheva kokën pas. Arrita ta shoh prapë varrezën, teksa zvogëlohej e zbardhte si një kope e mbetur delesh, e palëvizshme në vapën e mesditës. Dhe dielli i ftohtë m’u duk si një kafkë dordolecësh për të trembur gjithçka […] ”(f.31). Peisazhi (pas) apokaliptik është i populluar nga bunkerët e Hoxhës, mbi të cilët ka punuar një nga personazhet – zëra, varreza, qytete të shkreta, vende të thata e gurishte. Një Shqipëri që kaloi nga autoriteti osman në komunizëm, një Shqipëri e sekularizuar pa vullnetin e saj, rigrupohet në kolonën mortore, e pasigurt si e kaluara e vendit, e fshehur në të njëjtën mjegull si në veprën e Kadaresë: një Shqipëri që kishte jetuar, në funeralin e njëpasnjëshëm të vdekjeve të Stalinit, Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës: “Kur vdiq Enveri, madhështia e tij ishte e rreme, si çdo gjë që i përkiste atij.” (f. 57)

Shqipëria në funeral hyn në gjysmën e dytë të epopesë në stinën e shirave, baltës dhe mallkimeve – një imazh i identifikueshëm edhe në veprën e Kadaresë – i udhëhequr nga një arkivol intuitiv, një ideologji e balsamosur: “Na udhëheq një arkivol që herë duket e herë zhduket, sipas kthesave që merr funerali, sipas motit, mjegullave dhe lojës gënjeshtare të dritës, të përpjetave idiote dhe të tatëpjetave edhe më idiote, duke përhapur duhmë kufome që s’kalbet… ”(f.136). Arkëmorti që ende drejton turmën e kortezhit, në të cilin mbyllet historia e kalbur e bindjes, ruan peshën e tij: “një i ri pas meje po më thoshte me zë të mallëngjyer, ngaqë njëri sup i tij kishte përsipër ca arkivol, se pesha që mbartnim, kishte rëndësi të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe kujdesi që bota të mos na e grabiste, duhej të ishte i tejshëm, mbi çdo sakrificë. “(f.161). Ditari i këtij udhëtimi, fort i poetizuar: “ngrita kokën i shushatur dhe pashë të drunjëzuar qiellin e arkivoltë, të brejtur nga krimbat e yjeve.” (f.166), kur e kur me këngë ose faqe që mungojnë, me faqe të fshira, me faqe – pasthirrma, është ajo në të cilën e gjithë dhimbja e marshimit është e shkruar përmes një jete të vjedhur, të mbyllur, të robëruar në ideologjinë e balsamuar, por duke transmetuar ende duhmën e historisë që nuk i nënshtrohet çmitizimit. Turbullues dhe dramatik është ky rrëfim i stërhollësive dhe qëndismave poetike, kjo alegori e historisë që shtyp nën peshën e vet njeriun që i nënshtrohet turmës dhe atë jashtë saj, secili “Secili nga ne është një arkëmort i gjallë i vdekjes që s’vdes. Mbi supet e tjetrit dhe të botës.”(f. 203), e cila fshin edhe poezinë e pamasë të ndryshimeve të dukshme: “Funerali i pafundmë vazhdonte rrugën e pafundme në mijëvjeçarin e ri. Dukej sikur s’kishte ndryshuar asgjë.”(P.207), ai vetë ende një pjesë e papërfunduar e marshimit të varrimit.

Funerali i pafundëm është një libër tronditës për një Shqipëri të brendshme, të supozuar nga Zhiti, që mban gjallë dhimbjen e tragjedisë antike greke. Në fakt është areali i improvizuar që kori i personazheve-maska intonon, duke përsëritur zërin e qartë dhe të rëndë të një choragos-i, një rol që Zhiti e merr përsipër deri në fund….

*Choragos, drejtues i korit, por që këndon dhe vetë, në Greqinë e Lashtë

*România literară#  nr. 10/2021

  • Visar Zhiti. Funerali i pafundmë. /

Përkthim në rumanisht nga Luan Topçiu. /

Pasthënie nga Liviu Lungu, 2020, 

Shtëpia Botuese “A”. 224 f.

Filed Under: Opinion Tagged With: Adrian Lësenciuc, Funerali i pafundem, Visar Zhiti

PANDEMIA GLOBALE NË VISET SHQIPTARE DHE QASJA NDAJ MASAVE DHE VAKSINIMIT ANTI-COVID

May 10, 2021 by dgreca

-Mbresa nga vizita e delegacionit të Vatrës në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi, Prill 2021-/

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Ekziston një skenar i ndarë që po zhvillohet, derisa bota po lufton pandeminë Covid-19. Në vende, si Shtetet e Bashkuara, numri i të vaksinuarve ka qenë në një rritje të qëndrueshme, arsye kryesore kjo, që rastet e Covid-19 kanë vazhduar të bien rregullisht. Miliona doza të vaksinave po hapin rrugë për t’i dhënë fund pandemisë dhe për t’u kthyer në normalitet. Globalisht, manaxhimi i pandemisë nuk ka të ngjarë të përfundojë në të njëjtën kohë si në shtetet e zhvilluara, por më ngadalë, vend për vend, rajon për rajon, pasi secili shtet rrit kontrollin e tij mbi Covid-19, dhe e shtyn virusin drejt niveleve të eliminimit. Shtetet e Bashkuara po e arrijnë këtë përmes vaksinave dhe trajtimeve më të mira mjekësore. Vendet më pak të zhvilluara dhe më të varfra do të përpiqen të arrijnë hapat dhe do të përballen me valë të përsëritura dhe ndezje deri sa të marrin mbështetjen e kërkuar për një kontroll të mirë. 

SHQIPËRIA, KOSOVA DHE MALI I ZI NË PËRBALLJE ME PANDEMINË GLOBALE

Në udhëtimin tim të fundit në rajon, Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, unë vëzhgova nga afër disa nga çështjet me të cilat përballet rajoni, si menjëherë ashtu edhe në një periudhë më të gjatë. Kur mbërrita në Tiranë, në mesin e Prillit, rastet e Covid-19 ishin në rënie. Kjo ishte paraprirë nga rritje të mprehtë të rasteve gjatë muajit Mars, në të gjithë rajonin. Edhe me tendencat në rënie të infeksioneve të reja, autoritetet e shëndetit publik vazhduan të kërkojnë kujdes dhe respektimin e masave parandaluese. Që nga 12 prilli 2021, treshja e vendeve, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kishin zbatuar karantina ditore nga ora 10:00 e darkës deri në 6:00 të mëngjesit, deri në një njoftim tjetër. Baret, restorantet dhe aktivitete të tjera të ngjashme janë të ndaluara të veprojnë midis orës 10:00 dhe 6:00, përveç shërbimeve urgjente. Lëvizja publike ishte e kufizuar gjatë këtyre orëve, me përjashtim të arsyeve të punës, emergjencave të kujdesit shëndetësor ose nevojave urgjente. Përmes këtyre kufizimeve, lehtësisht vërehej një apati e përgjithshme, për masat parandaluese, dhe ishte një dukuri e zakonshme të vëresh njerëz në turma të mëdha, shpesh pa maska, ​​ose duke i përdorur ato në mënyrë jo të duhur. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në tubimet e mëdha parazgjedhore, në qytetet shqiptare. Shumë kalimtarë të rastit, në trotuaret e Tiranës, nuk kishin maska, ​​ose nuk i vishnin ato me kujdes. Duke folur me njerëz, në të tre vendet, unë krijova përshtypjen se këta i shohin kufizimet tepër drakonike, dhe që nuk bëjnë shumë. Maskat për ta janë ekskluzivisht për shfaqje, të veshura nën mjekër, në qafë ose vetëm duke mbuluar gojën. Takimet publike, veçanërisht në restorante, ishin të mbushura me njerëz. Kjo ishte shumë e dukshme në kafene dhe restorante, që rreshtonin në sheshin kryesor të Prishtinës. Ndërsa punonjësit e restorantit kishin maska, vizitorët e restoranteve nuk kishin, as nuk iu kushtua shumë vëmendje kërkesave të distancës dhe distancimit. Unë e them këtë, por në asnjë mënyrë nuk dëshiroj që të interpretohet si marrja e një goditje të lirë ndaj publikut për dukjen e apatisë ndaj këtyre kufizimeve të pafund, as për zyrtarët që mbikëqyrin politikat e shëndetit publik, por për të rritur ndërgjegjësimin se problemi ende ekziston, dhe nuk do të zhduket brenda natës. Se si do të trajtohet në javët e ardhshme, do të ketë shumë të bëjë me rezultatin. Kjo duhet parë si një ftesë e hapur për zyrtarët shëndetësorë, për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm në prokurimin e vaksinave dhe zhvillimin e një plani për menaxhimin efektiv dhe shpërndarjen e tij. Një plan i suksesshëm i vaksinimit, me pjesëmarrje të madhe, është mënyra e vetme për të arritur një nivel të duhur të imunitetit, që mund të rikthejë normalitetin dhe t’i japë fund pandemisë.

MËSIMET QË MARRIM PREJ RASTEVE GLOBALE

Të kuptuarit se si virusi ka tendencë të ‘fshihet’ dhe papritmas të shpërthejë dhe të bëhet një zjarr i ndezur duhet të na mbajë të zgjuar. Rastet e fundit të tmerrshme nga India na kujtojnë rrugët e mundshme divergjente në luftën kundër kësaj pandemie globale. Me rritjen e rasteve aktuale që çon në raporte të tensioneve në infrastrukturën e kujdesit shëndetësor të Indisë, zyrtarët brenda qeverisë thonë se qetësia Covid-19 që i paraprinte valës së fundit, duhet të ishte përdorur më mirë për të shtypur sëmundjen. Ata, tani e përshkruajnë këtë kohë si një mundësi të humbur. Le të mësojmë nga kjo! Kombet e Ballkanit janë përpjekur të marrin akses në vaksinat Covid-19 nga kompani dhe programe të shumta, por shumica e kombeve në periferinë juglindore të Evropës janë akoma duke pritur që vaksinat e tyre të para të mbërrijnë, pa ndonjë afat të caktuar, për fillimin e grupeve të tyre të inokulimit kombëtar. Bashkimi Evropian (BE) filloi shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit të financuar nga BE këtë javë, në Ballkan, një rajon që dëshiron të bashkohet me bllokun e 27 vendeve, por ku Kina dhe Rusia, tashmë kanë bërë fitime politike duke furnizuar vaksina shumë të nevojshme. E rëndësishme të përmendet se vaksinat e Kinës “Sinopharm” dhe “Sputnik V” e Rusisë nuk janë miratuar deri tani nga administratori i ilaçeve të BE-së. Prandaj, Komisioni Evropian muajin e kaluar njoftoi se mbi 650,000 doza Pfizer-BioNTech do t’u dorëzohen kombeve të Ballkanit duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, në këste javore nga maji deri në gusht. Kombet e varfëra, të tilla si këto tre, me sisteme të dobëta shëndetësore po mbyten në borxhe, ndërsa kombet e pasura po tregojnë se mund të zhbllokojnë triliona për të ndërtuar spitale të reja dhe për të mbajtur gjallë ekonomitë e tyre. Ndërsa më të pasurit në të gjithë globin po testohen dhe trajtohen më shpejt, me kujdesin shëndetësorë, dhe paratë e gatshme në dispozicion, shumica e njerëzimit përballen me këtë krizë pa asnjërën. 

VAKSINAT “ARMA” MË E MIRË NDAJ VIRUSIT GLOBAL

Shtetet e Bashkuara kanë vaksinuar më shumë se gjysmën e të rriturve të tyre, kundër Covid-19, por mund të kalojnë muaj derisa vendi të ketë vaksinuar mjaft njerëz për të vendosur imunitetin e tufës. Vendet me norma në rritje të vaksinimit, si Shtetet e Bashkuara, mund të presin që numrat e rasteve, ndërkohë të vazhdojnë të bien. Kjo, sepse rastet bien përmes parimit të rënies eksponenciale. Ne dimë për rritjen eksponenciale në ditët e para të pandemisë, për të kuptuar se si një numër i vogël i rasteve mund të rritet shpejt, në një shpërthim të madh, ndërsa zinxhirët e transmetimit shumëzohen. India, për shembull, e cila është në mbërthimin e një krize të madhe Covid-19, është në një fazë të rritjes eksponenciale. Çdo rast i Covid-19 që parandalohet ndërpret zinxhirët e transmetimit, i cili parandalon shumë raste të tjera poshtë vijës. Kjo do të thotë të njëjtat masa paraprake që zvogëlojnë transmetimin mjaftueshëm për të shkaktuar një rënie të madhe të numrit të rasteve kur rastet janë të larta përkthehen në një rënie më të vogël kur rastet janë të ulëta. Dhe këto ndryshime shtohen me kalimin e kohës. Për shembull, zvogëlimi i 1.000 rasteve në gjysëm çdo ditë do të thoshte një zvogëlim i 500 rasteve në ditën 1 dhe 125 rasteve në ditën 3, por vetëm 31 rasteve në ditën 5.

FUNDI I PANDEMISË SI PASOJË E FUQISË SË VAKSINËS

Një rënie e pjerrët e rasteve, e ndjekur nga një periudhë më e gjatë me numër të ulët të rasteve, të tilla, siç po shohim tani në Shtetet e Bashkuara, megjithëse rastet mund të rriten përsëri nëse vaksinat nuk vazhdojnë, ose tepër shpejt lirohemi nga masat paraprake. Derisa, gjithnjë e më shumë njerëz vaksinohen, njerëzit gradualisht mund të lehtësojnë masat paraprake, deh rastet do të vazhdojnë të bien. Mbajtja e tendencës së rënies së rasteve, bëhet më e lehtë me kalimin e kohës, kurse bukuria e imunitetit të tufës, e shkaktuar nga vaksinat, do të sigurojë mbajtjet e ulët të rasteve. Kjo është fuqia e vaksinës. 

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Politike Tagged With: COVID-19, dr. Pashko Camaj, Viset Shqiptare

GJUHA SHQIPE NË UNIVERSITETIN ‘CA’ FOSCARI VENECIA’ TË ITALISË

May 10, 2021 by dgreca

Prof. Giuseppina Turano nga Universiteti ‘Ca’ Foscari Venecia’, Itali, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, tregon historikun dhe funksionimin e Katedrës së gjuhës shqipe ku krahas mësimit, organizohen takime, kuvende dhe bashkëpunime me Universitetin e Tiranes dhe me atë të Prishtinës në kuadër të programit Erasmus + që çdo vit sjell në Venecia profesorë dhe studentë nga Shqipëria dhe nga Kosova. 

NJË ARBËRESHE QË IU MËSON ITALIANËVE GJUHË DHE LETËRSI SHQIPE

Prof. Giuseppina Turano është arbëreshe nga Kalabria. Ajo ka mbaruar studimet bachelor në Universitetin e Firences dhe është doktoruar në Universitetin e Kalabrisë. Ka qenë profesore në Universitetin e Kalabrisë, në Universitetin e Barit dhe në Universitetin e Firences. Që nga viti 2002 punon në Universitetin ‘Ca’ Foscari Venezia’, ku është profesore e asociuar e lendës Lingua e letteratura/cultura albanese ‘Gjuhë dhe letërsi/kulturë shqiptare’. Interesimi për gjuhën, letersinë, kulturën dhe historinë shqiptare merr impuls nga origjina arbëreshe e saj.

MORFOSINTAKSA E GJUHËS SHQIPE DHE E FOLMJA ARBËRESHE

Veprimtaria ime shkencore lidhet me morfosintaksën e gjuhës shqipe dhe të të folmeve arbëreshe. Në punimet e mia përdor modelet teorike të zhvilluara në kuadrin e gramatikës gjenerative-transformacionale të gjuhëtarit amerikan Noam Chomsky, rreth viteve ’50 dhe ‘90 të shek. XX, të njohura si Teoria e Parimeve dhe Parametrave dhe Programi Minimalist. Parimet teorike, metoda dhe teknikat e gramatikës çomskiane qëndrojnë në bazë të lëndës së gjuhësisë në Universitetin e Venecias që njihet si një qendër i institucionalizuar studimore për gjuhësinë gjenerative. 

E FOLMJA TOSKË, GEGË DHE ARBËRESHE

Në studimet dhe kërkimet e mia jam marrë me analizën e strukturës së brendshme të fjalisë me folje në mënyrën lidhore, të fjalisë pyetëse, të ndërtimeve me forma foljore të pashtjelluara, kryesisht me disa ndërtime me trajtën e infinitit në të folmen toskë, gegë dhe arbëreshe, me humbjen e infinitivit dhe zëvëndësimin e tij me foljen lidhore, me tiparet sintaksore të fjalive lokative dhe ekzistenciale, me Raising constructions, me strukturat pronore, me rrjedhore, partitive, kauzative, mohore, pasive, refleksive, me strukturën e sintagmës emërore dhe me strukturën e klitikeve, me marrëdhëniet e shqipes me dialektet arbëreshe. 

GRAMATIKA DESKRIPTIVE E GJUHËS SHQIPE, NJË KËNDVËSHTRIM KRAHASUES ME ITALISHTEN

Kam botuar një gramatikë deskriptive të gjuhës shqipe e parë nga një këndvështrim krahasues me italishten. Kam botuar, së bashku me Flora Kolecin (nga Universiteti i Tiranës), një gramatikë në të cilën disa aspekte të sintaksës së shqipes janë trajtuar duke përdorur modelin teorik të gramatikës gjenerative. Në një libër tjetër kam trajtuar disa varësi sintaksore të shqipes. Puna ime sado e kufizuar, ndikon në përhapjen e studimeve për shqipen, gjuhë së cilës i mungojnë akoma zbatimet e metodave gjenerative-transformacionale sepse studimet gjenerative për shqipen, në vend si dhe jashtë vendit, janë akoma të pakta.

GJUHA SHQIPE NË UNIVERSITETIN E VENECIAS

Në Universitetin e Venecias, gjuha shqipe mësohet që prej vitit 2002. Katedra e gjuhës shqipe, krahas mësimit, organizon takime, kuvende dhe bashkëpunon me Universitetin e Tiranes dhe me atë të Prishtinës në kuadër të programit Erasmus + që çdo vit sjell në Venecia profesorë dhe studentë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Marrëdhëniet mes Universitetit të Venecias dhe atë të Tiranës dhe të Prishtinës kanë të bëjnë si me sferën didaktike ashtu edhe me atë të kërkimit shkencor. Në Itali gjuha shqipe mësohet që nga fillimi i shekullit të kaluar: duke filluar nga Jugu dhe duke shkuar drejt Veriut ka katedra të gjuhës shqipe në Universitetin e Palermos, Kozencës, Leçes, Napolit, Romës, Venecias. Për disa vite, gjuha shqipe është mësuar edhe në Bari, Firence dhe Trieste. Të gjitha këto institucione kanë marrëdhënie të vazhdueshme me Shqipërinë, marrëdhënie që pasqyrojnë një lidhje të fortë historike midis Italisë dhe Shqipërisë.

STUDENTËT SHQIPTARË RUAJNË GJUHËN DHE TRADITËN

Gjuha shqipe, kultura, tradita shqiptare vazhdon të ruhet në Itali nëpërmjet studenteve shqiptarë që studiojnë në Universitetet italiane, midis shoqatave të ndryshme (në Veneto, Emilia Romagna, Trentino Alto Adige) që merren me emigracionin e shqiptarëve në Itali, me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali, me fëmijët të lindur në Itali që kanë dëshirën për ta ruajtur identitetin e tyre. 

KARRIERA AKADEMIKE E PROFESORESHËS GIUSEPPINA TURANO

Prof. Giuseppina Turano është diplomuar për gjuhë të huaj dhe letërsi në Universitetin e Firences më 1989 dhe më pas ka mbrojtur gradën shkencore Ph.D. në Albanologji në Universitetin e Kalabrisë 1991-1994. Prof. Giuseppina Turano kreu studimet e post doktoraturës në Albanologji në Universitetin e Kalabrisë 1995-1997. Aktualisht është profesore e asociuar e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin Ca ’Foscari të Venecias që nga viti 2015 e në vazhdim. Ka mbajtur pozicionin e asistent profesores në Universitetin Ca ’Foscari të Venecias që nga viti 2002 deri në vitin 2015. Prof. Turano ka qenë pedagoge e ftuar në Universitetin e Prishtinës në 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, në Universitetin e Tiranës në 2010-2011, në Universitetin e Shkodrës në vitin 1999 dhe në 2001. Më heret Prof. Giuseppina Turano ka qenë profesore e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Firences nga 2002 në 2008, në Universitetin e Barit nga 2000 deri në 2002 dhe në Universitetin e Kalabrisë nga 1997 në 2002. Numëron disa botime, dhjetëra artikuj të botuar në revista prestigjioze me faktor të lartë impakti dhe dhjetëra pjesëmarrje në konferenca shkencore ndërkombëtare. 

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Giuseppina Turano, Sokol Paja, Universiteti ‘Ca’ Foscari Venecia’

WAW e akuzuar me pretendimin për korrupsion që ditën e parë të themelimit

May 10, 2021 by dgreca

– Për dijeni:Entwicklung und Zusammenarbeit (DEZA)-Tatiana Valovaya, Directrice générale de l’Office des Nations Unies à Genève/

Nga Elida Buçpapaj – VOAL – Voice of Albanians/*

voal.ch – Shoqata ndërkombëtare e Grave shqiptare  në botë World Albanian Women ndryshe me akronimin WAW ka startuar krijimin e saj me dy skandale.
Skandali i parë lidhet me emrin, pasi në vetvete nuk është shoqatë ndërkombëtare.
Definicioni i shoqatës ndërkombëtare është si më poshtë:“Organizatë ndërkombëtare quhet një lloj organizate me karakter ndërkombëtar sa i përketë anëtarësisë, qëllimit ose pranisë të një rëndësie ndërkombëtare, me zyra, aktivitete dhe interesa në disa vende të botës; punonjësit e të cilave shpesh quhen zyrtarë ndërkombëtarë, shpesh gëzojnë imunitete diplomatike (disa shembuj të organizatave janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Organizata Botërore të tregtisë dhe NATO-s).”
Ky është skandali në formë abuzimi i parë i WAW (walbw.ch) sepse nuk përmbush asnjë atribut nga ato që lartpërmenden.
Skandali i dytë, lidhet sepse është akuzuar për mungesë transparence në ditën e inaugurimit të saj në Gjenevë më 2-3 Nëntor 2019.
Mungesa transparences hedh dyshim për korrupsion dhe në Perëndim nuk tolerohet.
Për mungesë transparence kjo shoqatë është akuzuar nga Ermira Lefort, e cila në të njëjtën datë kur u bë inaugurimi përmes një deklarate publike dha dorëheqjen e parevokueshme.
Drejtueset e kësaj shoqate janë: Mirela Mezani, Juliana Cici dhe Blerina Zoto.
Në deklaratën e saj botuar edhe në rrjetin social asaj kohe Ermira Lefort ka përmendur faktin për mungesën e informacionit të sponsorizimit, shumë prej 20 mijë frangash që kishte kushtuar festimi i inaugurimit të shoqatës në Gjenevë më 2-3 Nëntorin e 2019.
Sipas deklarimeve të saj, që nga 12 gushti 2019, Ermira nuk ka pranuar të firmosë hapjen e llogarisë bankare për këtë shoqatë,sepse mungonte informacioni kryesor. Ermira Lefort e ka përsëritur kërkesën në vijimësi në mbledhje pa proces-verbale,se kush ishte sponsori financiar i kësaj asambleje të kushtueshme.
Po sipas deklarimeve të Ermira Lefort: “U dhanë tre variante nga mbledhja në mbledhje.Në fillim ju dha si përgjigje, që është rrjeti i bizneseve në Zvicër.”Pyetjet e Ermirës publikisht ishin :Kush nga shumë strukturat ekzistuese?” Sepse ekziston Rrjeti i bizneseve,Dhoma e tregtisë dhe shoqata aksionare AG. Ermira Lefort këmbënguli përsëri në asamble,kush është si grupim apo individ dhe pse nuk vendoset Logo e sponsorizuesit?”
Deklarimi i sponsorizuesit nuk është bërë asnjëherë, kjo e detyroi zonjën Lefort të japë dorëheqjen e parevokueshme, çka hedh hije të forta dyshimi rreth transparencës të financimit të festimeve dy ditore në Gjenevë në 2-3 Nëntor 2019, data kur u bë inaugurimi zyrtar i shoqatës në fjalë.
Akuzuar për korrupsion WAW pretendon të atashohet me një zyrë pranë shoqatave të huaja në OKB
——-
E kam fjalën për shoqatën World Albanian Women International Association – me akronimin WAW. Që në zgjedhjen e emrit, qëllimi ka qenë të tërheqë vemendjen e naivëve, pra manipulimi është që në themel.
Konkretisht nuk kemi të bëjmë me një shoqatë ndërkombëtare grash sikur pretendohet por me një shoqatë grash shqiptare të formuar në Gjenevë.
Në Zvicër veprojnë mbi 100 mijë shoqata, nga këto syresh janë mijra shqiptare, me emra gjëmues, tronditës, spekulues por me zero aktivitet. Shoqatat shqiptare krijohen zakonisht në kontekste përfitimi, ndajnë çertifikata me njëri-tjetrin, nga pozita ilegjitime, sepse nuk kanë atribute të emërojnë ambasadorë të paqes, ambasadorë të kombit, ambasadorë të vullnetit te mirë, pena të artë, pena të sermta, pena prej letre, prej kartoni etj.etj.
Por ajo që bie në sy si shëmtim në piedestal është se këto shoqata nuk e njohin as vullnetarizmin, as bamirësinë, as kontributin individual.
Qëllimi i tyre është përfito sa të mundësh, duke u mbështetur nga Ministria e Diasporës në Shqipëri që drejtohet nga Pandeli Majko dhe instrumentat që kjo ministri ka në dorë sikur është gazeta online krijuar me fonde nga BE dhe Zvicra, programe të RTSH, çmime, çertifikata etj.etj.
Është shumë shqetësues fakti se këto shoqata po krijohen në kontekstin partiako-shtetëror-klientelist, me qëllim përçarës, në dëm të vlerave, në dëm të meritokracisë dhe të unitetit të komunitetit. Këtu ndihmojnë edhe portalët e që s’kanë asnjë lidhje me gazetarinë profesioniste dhe financohen në funksion të klientelizmit për të promovuar çka oriention politika e korruptuar.
Në këtë funksion janë edhe programe të RTSH që u bējnë publicitet dhe i mbajnë nën dritën e reflektorëve  të preferuarit e politikës. Një politikë e korruptuar merret me mend se çfarë promovon!
Komuniteti shqiptar duket i dorëzuar përpara kësaj katrahure me regjizurë dhe strategji përçarëse direkt nga Ministria e Diasporës e Republikës të Shqipërisë.
Përpara disa kohësh u festua zyrtarisht 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri dhe pala shqiptare kishte prezantuar më së shumti emra që nuk përfaqësojnë assesi komunitetin e shqiptarëve nga RSH në Zvicër, duke e shkruar historikun e marrëdhënieve 50 vjeçare me stilin e censurës si në diktaturën komuniste.
Por le të kthehemi tek shoqata e grave shqiptare e ashtuquajtur ndërkombëtare – Word Albanian Women International Association.
Po parashtroj disa pyetje:
Përse që në ngjizjen e saj kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është mbuluar nga programi televiziv Urat i RTSH-së në Shqipëri?
Përse kjo shoqatë pa asnjë lloj aktiviteti është promovuar nga ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bernë?
Përse RTSH dhe Ambasada e Shqipërisë në Bernë promovojnë një shoqatë krijuar nga tre zonja të sapoardhura nga Shqipëria, të paintegruara në tregun e punës dhe me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, që nuk e përfaqësojnë as diasporën, që nuk kanë as kontribute veç kanë përfituar mjetet e ekzistences nga Zvicra?
Por që synojnë përmes jehonës mediatike të instrumentalizuar politikisht dhe të mbështetjes direkt të politikës shtetërore klienteliste të atashohen deri me një zyrë pranë OKB!
A nuk bie erë abuzim?
Duket sikur po bëjnë në Zvicër një Copy Paste e asaj që ndodh në Shqipëri, kur sistemi demokratik nuk funksionon më dhe ku partia shtet favorizon  uzurpimet, trafikimet, emërimet politike,  klientelizmin, nepotizmin duke shkelur ligjin!
Diaspora shqiptare nuk do ta lejojë!
Diaspora shqiptare pjesë e integruar e Europës do të sensibilizohet dhe do të reagojë !
Diaspora shqiptare e ka fituar qytetarinë në Europë me djersë, mund dhe dinjitet!
Zvicra sapo ka ka dalë nga një votim, ku për pak po të fitonte iniciativa që do të shtrëngonte edhe të drejtat e punësimit të qytetarëve të zonës BE.
Zvicra ka politika shumë strikte për dhënien e vizave të qëndrimit dhe punësimit jashtë zonës së BE-së. E Shqipëria është jashtë zonës së BE-së.
Por le të shqyrtojmë hollësisht se cili është objektivi i kësaj shoqate dhe nga përfaqësohet.
Objektivi “humanist” i kësaj shoqate është integrimi i grave të paintegruara!
Por pikërisht këtu nis habia.
Si është e mundur që kjo shoqatë të integrojë shtresën e paintegruar të grave shqiptare në Zvicër kur tri zonjat që e drejtojnë janë për vete të paintegruara dhe me leje qëndrimi të përkohshëm në Zvicër?
Po si është e mundur që në dy ditët e inaugurimit të kësaj shoqate më 2-3 nëntor 2019 ky aktivitet shumë i zakonshëm në llojin e vet u mbulua me një pompozitet të madh direkt nga emisioni URAT i RTSH?
Ndërsa Ambasada e Shqipërisë në Bernë botonte në faqen e vet në Facebook tekstin se “Më datë 2 nëntor, Organizata Women Alb World International, zhvilloi mbledhjen e parë të Asamblesë së Përgjithshme, në Gjenevë. Qëllimi i krijimit të kësaj organizate është shkëmbimi i eksperiencave të grave të mirë integruara profesionalisht dhe kulturalisht në vendet ku zhvillojnë aktivitetin e tyre, në raport me pjesën e grave që kanë nevojë për shembuj të mirë integrimit dhe mbështetjen për të arritur në këto nivele. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së RSH-së në Bernë, Ambasadës së Kosovës në Bernë, personalitete të spikatura të diasporës shqiptare në Zvicër e më gjerë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Diasporës së RSH-së.”
Po si i justifikojnë pjesëmarrjet dhe duartrokitjet përfaqësitë diplomatike të qeverive përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës në formimin e një shoqate pa asnjë aktivitet, që e drejtojnë tri zonja sapoardhur nga Shqipëria me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, pa asnjë kontribut dhe të paintegruara ende në tregun e punës?
Përse këto tri zonja nuk kërkojnë të integrohen normalisht në tregun e punës, si dhjetra mijë gra në diasporën shqiptare në Zvicër, të cilat punojnë me dinjitet e fitojnë jetën me dinjitet pa përbërë interes as për kamerat e Urave të RTSH dhe as për Ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Zvicër?!
Po si është e mundur që këto tri zonja sapo kanë vënë këmbët në Zvicer, duke mos punuar e kontribuar, veç duke konsumuar ndihma financiare nga Konfederata Helvetike të kthehen në “ikona” të Urave të RTSH-së të Tiranës, të diplomatëve shqiptarë dhe të pretendojnë deri aty sa të synojnë atashimin si shoqatë pranë OKB-së!!!!
Më poshtë po paraqes më konkretisht përbërjen e kreut të kësaj shoqate:
Presidentja e kësaj shoqate është Mirela Mezani, ardhur në Zvicër në vitin 2016, për arsye martese me një qytetar me prejardhje nga Kosova, është e paintegruar në tregun e punës dhe ka jetuar me mbështetje sociale nga Zvicra.
Nënpresidetja e shoqatës Blerina Zoto, ish diplomate e emëruar nga qeveria e Edi Ramës në Misionin shqiptar në Gjenevë. Ka disa vjet në kërkim të azilit politik për shkak të konfliktit që ka patur me ish-shefen e këtij misioni zonjën Filloreta Kodra, të cilën e akuzonte për korrupsion. Blerina Zoto është në pritje të përgjigjes nga organet përkate të Zvicrës, ajo është e papunë, e paintegruar, jeton e mbështetur financiarisht nga Zvicra ndërkohë pretendon të integrojë gra të tjera të paintegruara dhe bile të arrijë deri në OKB!
Për sqarim Zvicra nuk pranon kërkesa azili nga Shqipëria, veç rasteve shumë të veçanta.
Juliana Cici, edhe kjo shtetase e Shqipërisë. Ka ardhur në Gjenevë në shtatorin e 2018 për të qëllime studimi, master. Prej shtatorit 2020 ka filluar mbrojtjen e doktoraturës, jeton me bursë sipas kritereve të Universitetit të Gjenevës, pra merr pare burse nga Zvicra, është e papunësuar dhe e paintegruar. (Juliana Cici më ka bllokuar në Facebook – nuk kam patur kurrë asnjë lloj komunikim me të.)
Në Zvicër kemi një komunitet shqiptar shumë të madh, ku përfshirja e rinisë nëpër Universitetet zvicerane është gjithmonë edhe më e madhe, që do të thotë se kemi një numër të madh të rinjsh zviceranë me prejardhje nga Kosova apo Shqipëria që kanë përfunduar studimet, me master dhe doktoratura!
Në Zvicēr ka një numer të rëndësishēm të rinjsh shqiptarë që kanë studjuar drejtësi të cilët mund të japin kontributin e tyre për të orientuar komunitetin konform ligjeve. Po ashtu vetë komuniteti është një burim i fuqishëm që duhet të autofaktorizohet.
A duhet të mbeten gratë dhe vajzat shqiptare të paintegruara ende të komunitetit tonë në dorën e tri zonjave që për vete janë të papuna, shoqata e të cilave fsheh qëllimin e tyre individual që pa lodhje e kontribute të përfitojë direkt atashim në OKB?
Kjo shoqatë ka përfituar gjithçka lehtë, të gatëshme në tabaka, reklamimin nga RTSH, tek Urat etj, mbështetjen nga Pandeli Majko. Ministria e Diasporës e fton presidenten e shoqatës, Mirela Mezanin në takimin e grave të diasporës të angazhuara me biznes në Perëndim, kur Mirela Mezani në Zvicër nuk është e angazhuar në kurrëfarë biznesi por është në kërkim të integrimit të saj me metoda aspak dinjitoze!
Të njëjtën gjë bën Ambasada e Shqipërisë në Bernë, duke promovuar klikën e vet, ndërsa e shumëzon me zero komunitetin këtu tē vendosur prej gati tre dekadash, duke imponuar përçarjen, dasitë, injorimin e duke favorizuar klientët!
Duket sikur politika e Tiranes, Ministria e Diasporës po krijojnë nëpër Europë rrjete okulte shoqatash që t’i kenë në shërbimin e tyre, prandaj i promovojnë me çmime, çertifikata dhe permes kanaleve televizive e mediave që të financuara me fondet e Perëndimit i kanë nën kontrollin e tyre.

Shoqata World Albanian Women International Association u inaugurua me një skandal

Ndërkohë shoqata World Albanian Women International Association që në ditën e shpalljes të saj nën reflektorët e Urave të RTSH-së të Tiranës u inaugurua bashkë me një skandal, sepse nënpresidentja e saj Ermira Lefort dha dorëheqjen e parevokueshme duke hedhur akuza për korrupsion dhe mos transparencë, sepse sipas saj ishte fshehur burimi i sponsorëve që financoi eventin.
Tri zonja të papuna organizuan në Gjenevë një event me kosto 20 mijë franga, ndërkohë që nuk i prezantuan financuesit e qejfit dy ditor!
Po ju sjell një rast për të parë se diku paraja hidhet në hava si në rastin konkret, ndërsa në raste kur kërkohet të jepet para për kontribute të rëndësishme shqiptarët nuk japin!
Vitin që shkoi Joe DioGuardi festoi 80 vjetorin e lindjes. Sikur e dini DioGuardi ish kongresmen në Kongresin e SHBA është presidenti i Lobit Shqiptaro-Amerikan me një kontribut të jashtëzakonshëm. Me rastin e ditëlindjes, ai kërkoi në Facebook, që kush të dëshironte të jepte një kontribut për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane që ai drejton prej tre dekadash. Dhe a e dini sa ishte ky kontribut online që do të duhej shprehte mirënjohjen e shqiptarëve? 6475 franga! 6475 franga për organizatën më të fuqishme me aktivitet 30 vjeçar që i ka kontribuar dhe i kontribuon interesit kombëtar të shqiptarëve pranë Washington DC, ndërsa këto tri zonja me shoqet e tyre në dy ditë për festime e qejfe dogjën 20 mijë franga !
Sa për dijeni, në Zvicër sponsorizimi i aktiviteteve është transparent dhe i detyrueshëm çka shpallet nëpër posteret që lajmërojnë mbajtjen e tyre, ndërsa 20 mijë frangave aq sa kushtoi vetëm inaugurimi i “lluksit” të krijimit nuk iu bë transparente prejardhja.  Prandaj Ermira Lefort, nënpresidentja e kësaj shoqate prej themelimit dorëhiqet menjëherë në 2-3 nëntor 2019, kur u bë ceremonia inauguruese duke deklaruar se kjo shoqatë ka dalë nga misioni që i vuri vetes!
Për çudi, emisioni Urat e RTSH që drejtohet nga Artur Bejzade, i cili i bëri një mbulim gati live të këtij eventi dy ditor me kosto 20 mijë franga i mbylli të dy sytë përpara dorëheqjes së Ermira Lefort dhe akuzës të saj të fortë.
Ju ftoj pēr vemendje, tri zonja të papuna, të paintegruara, që jetojnë në situata të ndryshme duke përfituar mbështje sociale të Zvicrës zhvilluan më 2-3 Nëntorin e 2019 një shfaqje pompoze të krijimit të një shoqate me një start kosto 20 mijë franga. Dhe jo vetëm kaq, por edhe pas një denoncimi për abuzim fondesh nga ish nenpresidentja e kësaj shoqate, të gjithë i mbyllën sytë, duke filluar nga Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ilir Gjoni, Ambasadori i RSh në Bernë e deri tek Urat e Artur Bejzades të RTSH të cilët në kor vijuan t’i duartrokasin tri zonjat e kësaj shoqate, për atë që nuk bëjnë, e megjithatë synojnë të atashohen deri në OKB, duke lëshuar hije dyshimi, që ditën e inaugurimit.

*Shkrimi u publikua se pari ne VOAL. Autorja e dergoi sot per Diellin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, korrupsion, Tatiana Valovaya, WAW e akuzuar, Yatiana Valovaya

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT