• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ËSHTË E DREJTË TË PËRKUJTOHET NAPOLEONI?

May 9, 2021 by dgreca

A ËSHTË E DREJTË TË PËRKUJTOHET NAPOLEONI?

Nga STEFANO MONTEFIORI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Një president I Republikës franceze nuk mund të mos përkujtojë Napoleon Bonapartin. Nuk do të kishte mundur t’i shmangej Nicolas Sarkozy,  i hipur mbi kalë dhe me kapellen dycepëshe në fotomontazhin e famshëm të Economist-it para zgjedhjeve fitimtare të vitit 2007, as mund të tërhiqet mbrapsht tani Emmanuel Macron-i, i cili është paditur apo vlerësuar shpesh, simbas pikëpamjeve, për kahun bonapartist, atë prirje për të përqëndruar pushtetet, për t’u folur francezëve pa ndërmjetës, për të marrë pozën e njeriut të fatit n’Evropë. Në fakt Macron-i ka lajmëruar se në pesë majin e ardhshëm Franca do t’a përkujtojë dyqind vjetorin e vdekjes së Perandorit.

Por nuk janë kohë të lehta për personazhet historikë e për atë që do të përballojë kujtimin e tyre. Zëdhënësi i Qeverisë Gabriel Attal i ka vënë duart përpara. Napoleoni do të shihet “me sy të zgurdulluar”, pra duke mbajtur parasysh “edhe çastet më të vështira” e “për zgjedhje që sot duken të kundërshtueshme”. Asnjë shenjtërim të verbër.

Por nëse protestat kundër racizmit e kolonializmit në muajt e shkuar kanë çuar në thyerjen e përmendores së Victor Schoelcher, autorit të shfuqizimit përfundimtar të skllavërisë në 1848, por i bardhë e pra paternalist, merret me mënd se çfarë do t’i takojë Napoleonit që më 1802 rivendosi skllavërinë mbas heqjes së bërë nga Konventa, tetë vite më parë. Në fakt Franca ka gjetur në vitin napoleonian një tjetër rast për t’u ndarë.

”Të përkujtohet por jo të festohet” porosit Hubert Vedrine, këshilltari diplomatik i Francois Mitterrand-it e më pas ministri i Jashtëm socialist gjatë kryesisë Chirac. “Është e drejtë të kujtohet Napoleoni sepse bëmat e tij kanë ekzistuar, por nuk duhet të festohet, sepse festohet gjithshka për të cilin mund të jemi krenarë simbas mendësisë sonë të sotme”. Por janë shumë që ndihen krenarë për Napoleonin edhe sot, si për shembull deputeti i Republicains (e djathta) Julien Aubert: “Më 15 gusht 1969 presidenti Georges Pompidou shkoi në Ajaço për të festuar dyqindvjetorin e lindjes së Napoleonit, e para e një sëre përkujtimoresh në të gjithë Vendin. Franca e vitit 1969 nuk kishte asnjë problem për të mëtuar trashëgiminë napoleoniane sepse njihej në lakminë e një France të fuqishme n’Evropë, me një mesazh drejtuar botës.”

Por Napoleoni nuk qe vetëm kampioni i universalizmit francez, qe edhe themeluesi i kodit civil e i sistemit edukativ bashkëkohor. Ndjeshmëritë nga 1969 deri sot kanë ndryshuar, aq sa përvjetori shkakton mëdyshje edhe në brendësi të qeverisë: Elisabeth Moreno, ministre për Barazinë burrë – grua kujton se “Napoleoni ka qënë një nga mizogjinët më të mëdhenj të historisë”, por ajo do t’i bashkangjitet me pahir vendimeve të qeverisë.

Kujtimi i Napoleonit zgjon interes edhe në Shtetet e Bashkuara, ku muajt e fundit mediat liberale kanë qënë shumë t’ashpër me qeverinë franceze, të dyshuar për lëshime të tepërta islamofobisë, racizmit e mizogjinisë. Me një kryeartikull shumë t’ashpër në New York Times, historiania Marlene L. Daut e universitetit të Virgjinisë fton institucionet franceze që të “shohin më me kujdes historinë skllaviste të Vëndit të tyre se sa të nderojnë një ikonë të epërsisë të bardhë”.

Ndoshta ka arsye Teresa Cremisi, një botuese e madhe italiane  në Paris, kur në Journal du dimanche  kujton një mungesë  hapësire, një paaftësi të përgjithëshme për të shmangur anakronizma qesharake. Është një problem që ka të bëjë jo vetëm me Napoleonin por me të gjithë personazhet historikë. “Kundërshtitë mbi përkujtimoret i shëmbëllejnë zënkave të pallatit. Është njësoj sikur Historia të zbresë me shapka n’oborrin e pallatit, t’i drejtohet njerëzve të mëdhenj sikurse fqinjëve të katit, të emërtuar për mangësitë e tyre. Është çasti të festojmë Voltaire-in? Merre me mënd, një islamofob dhe antisemit. Rousseau? E pamundur, braktisi fëmijtë. Richelieu? Një tradhëtar i lindur.  Baudelaire? Një i droguar mizogjin e zëmërlëshuar. Është për të pyetur nëse së paku Shën Tereza e Lisieux  mund t’i shpëtojë humorit të keq të bashkëkohësve tanë.

“Corriere della Sera” 19 mars 2021    E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: A ËSHTË E DREJTË, Eugjen Merlika, NAPOLEONI, TË PËRKUJTOHET

“OLD BRIDGE-URA E VJETËR” PROMOVOHET NË VATËR

May 9, 2021 by dgreca

“OLD BRIDGE-URA E VJETËR” E STUDIUESES ARJETA FERLUSHKAJ PROMOVOHET NË VATËR TË DIELËN, 16 MAJ 2021/

-Promovimi organizohet nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Albanian-American Dual Language & Culture-

Të Dielën me 16 Maj 2021, në orën 3.00 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” organizohet promovimi I librit”OLD BRIDGE-URA E VJETËR” i studiueses Arjeta Ferlushkaj, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.

Promovimi organizohet nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Albanian-American Dual Language & Culture. 

Veprimtaria do të moderohet nga Marjana Bulku.

Bëhuni pjesë e këtij promovimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, Old Bridge, Promovohet, Vater

Pse do të votoj për Marko Kepin këtë bir të Arbërisë?

May 8, 2021 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Marko Kepi po kandidon për Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut dhe ne si shqiptarë doemos që na bën të ndihemi krenar.  Personalisht nuk dua të shoh se është republikan apo demokrat, kjo nuk më intereson fare, pasi duke e njohur nga afër punën e tij të jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar si dhe të gjitha komunitetet e tjera në Amerikë më bind që votën t’ja dhuroj Marko Kepit.  

Marko Kepi është një djalë i lindur në Shkodër, ka ardhur në Amerikë në moshë të vogël, por gjuhën e nënës dhe dashurinë për Atdheun se ka harruar kurrë.  Këto i ka treguar me veprat e tij dhe përkushtimin maksimal.  

Ne si Diasporë e kemi një bir tjetër të devotshëm të Arbërisë në Bashkinë e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj dhe kjo na e ka rritur kudo krenarinë si shqiptarë. Z.Mark Gjonaj është nje shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë brezat, pasi për herë të parë në Diasporën shqiptaro amerikane zë vend si këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.

Marko Kepi ka qenë me dekada në krye të organizatës së mirënjohur “Rrënjët shqiptare” dhe pikerisht me këtë organizatë kanë dalë në pah tiparet e një lideri të vërtetë.  

E kush si Marko Kepi organizon shqiptarët çdo vit në muajin qershor në Manhattan dhe i mbledh në Paradën Internacionale duke parakaluar me Flamurin kuq e zi para botës?  

Shqiptarët e Diasporës vërshojnë si lumë në Manhattan veshur me simbolet e Flamurit Kombëtar.  Por nuk ka qenë vetem veshja kuq e zi, ngase çdo vit Parada i është kushtuar çështjes kombëtare si: Kosova, Çameria, Mali i Zi, UÇK-ja, vëllezërve Bytyqi etj.  Nëpërmjet paradës ai së bashku me ekipin e tij sensibilizon mbarë opinionin botëror ku kanë përshëndetur mjaft politikanë amerikanë nga podiumi i paradës.  

Marko Kepi ka një komunikim plot mirësi dhe respekt me të gjithë shoqerinë dhe miqësinë pa marrë parasysh shqiptar apo nga vende të tjera.  Më lejoni të sjellë se çfarë më ka thënë një zonjë e nderuar amerikane që fati e ka sjelle ta kemi mikeshë të përbashkët këtu në New York, me te cilen Qemali punoi 15 vjet në Norwegian Christian Home në Brooklyn ku njëherazi ushtron detyrën si zv/presidente e Bordit të Trustisë të këtij institucioni.  Ne si familje e kemi njohur qysh në muajtë e parë të ardhjes në Amerikë.  Zonja Arlene Bakke Rutuelo tha fjalë miradie për Marko Kepin pasi dhe ajo ka punuar bashkë në zyrën e senatorit Marty Golden.  Ajo u shpreh se Marko Kepin është fat ta njohësh dhe unë tek ai shoh një të ardhme të shkëlqyer.  Ai është punë mbaruar, korrekt, i devotshëm dhe i ka dhënë Amerikës duke e mbrojtur me dashuri si marins këtë vend të bekuar.  Ai ka fituar zemrat e shumë amerikanëve pasi vetem me punë mund ta arrish atë vazhdoi zonja amerikane Rutuelo.   

Marko Kepi eshte nje mbështetës i madh i shkollave Shqipe “Alba Life” në New York.  Ai ka qenë disa herë pranë çdo shkolle shqipe në lagjet e Nju Jorkut dhe i ka frymëzuar dhe më shumë prindërit për të sjellë fëmijë në këto shkolla.  Vetë gjuha shqipe që ai flet është frymëzim për gjithë nxënësit.  Marko Kepi ka marrë pjesë pa hezitim në shumë aktivitete të organizatave shqiptaro amerikane, po ashtu ka qenë së bashku ndër festimet fetare pa dallime feje, por thjesht si vëlla shqiptar.  

Marko Kepi së bashku me ekipin e tij mblodhi më shumë se çdo organizatë tjetër në Diasporë fonde për t’ju ardhur në ndihmë familjeve shqiptare që u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019ës.  Ai mblodhi 1.6 milionë dollarë për të pa strehët. Gjate fushates se tij ajo që më ka bërë përshtypje më shume se çdo gjë tjetër, ndoshta dhe si themeluese dhe mësuese e shkollave shqipe në New York, është premtimi që po u bën zgjedhësve për të ndërtuar “Illyrya House” në Staten Island ku do të jetë një qendër e gjithë shqiptarëve për aktivitete të ndryshme dhe të rëndësishme për komunitetin.  Ajo që ma ngazëllen shpirtin dhe më realizon ëndrrën e kahershme është se do të ketë dhe mjedise dhe për klasat e shkollës shqipe. 

Ai është diplomuar nga John Jay, Kolegji i Drejtësisë Penale, drejtimi në Shkenca Politike dhe Histori, dhe fitoi per Master Ekzekutiv i Administrimit të Biznesit (EMBA) nga Kolegji Wagner.

Marko Kepi u regjistrua në Marine Corp të Shteteve të Bashkuara për të demonstruar dashurinë dhe vlerësimin e tij për një vend që i dha atij dhe familjes kaq shumë liri dhe mundësi.

Prandaj për të gjitha këto cilesi të një lideri të vërtetë ftoj të gjithë shqiptarët të cilët janë të shumtë në numër  që të mbështesin kandidaturën e Marko Kepit një djalë plot perspektivë dhe me vizion për të ardhmen në Amerikë.  

Ekipi i fushatës për zgjedhjen e Marko Kepit po punon fort me të gjitha mundësitë për të regjistruar zgjedhësit dhe për ta çuar më tej punën gjer në fitore të tij.

Marko Kepi premton se do të punojë me shpirt për komunitetin, për Amerikën që i ka dhënë aq shumë dhe mezi pret te shërbejë si Këshilltari yne në Bashkinë e Nju Jorkut.

Për të gjitha këto që shkruajta më lart pohoj me gjithë forcën e shpirtit se: 

Ja pse votoj për Marko Kepin këtë bir të Arbërisë!

8 Maj, 2021

Staten Island, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Marko Kepi, Pse e votoj

KUJTESA E HIDHUR E KAMPIT TË PËRQËNDRIMIT TË MAT’HAUZENIT

May 8, 2021 by dgreca

9 Maji – Dita e Europës dhe fitores mbi fashizmin/

KUJTESA E HIDHUR E KAMPIT TË PËRQËNDRIMIT TË MAT’HAUZENIT

Shkruan: Albert HABAZAJ/

Përnjohje/

Kujtesa vetiake, sociale dhe ajo e shkruar na sjell panoramën thellësisht trishtuese, tejskajshmërisht të dhembshme, masivisht shfarosëse në kampet e përqëndrimit. Gjatë regjimit të nazizmit në Gjermani (1933-’45) kampet e përqëndrimit u bënë vende ku internoheshin njerëzit e padëshiruar, vende të akteve të shëmtuara të torturës, punës prej skllavi, tmerrit dhe vrasjeve masive në një shkallë të paarritur më parë në asnjë vend e në çfarëdo shekulli dhe në mungesën e kushteve minimale higjienike. Kampet (Konzentratiónslager ose KZ), të administruara prej SS-ve, kategorizoheshin në Arbeitslager (kampe pune), ku të burgosurit organizoheshin në batalione pune, dhe në Vernichtungslater (kamp shfarosj), të ngritura për shfarosjen dhe djegien e burrave, grave dhe fëmijëve. Në Europën Lindore, të burgosurit në fillim u përdorën për batalionet e punës ose për veprimet e gjenocidit ndaj të tjerëve, më pas edhe ata vetë asgjësoheshin. Në kampe të tilla si Aushvici (Poloni), në dhomat e gazit mund të mbyteshin dhe të digjeshin 12.000 vetë në ditë. Në Perëndim kanë qenë më të njohur Belseni, Dahau dhe Buhenvaldi (një kamp i punës së detyruar, ku mjekët kryenin kërkime mjekësore në njerëz). Kalvarin e rëndë të Holokaustit e pësuan më keq hebrenjtë (çifutët), sepse është llogaritur që kanë vdekur 6 milionë çifutë, ndërkohë që humbje të mëdha patën edhe Rumania, Hungaria, Lituania etj. 

Kujtesa e hidhur e kampit famëkeq

Si një panoramë shkrimore dhe me imazhe në ish-kampin nazist Mat’hauzen, botohet libri historik përgjithësues dhe dokumentues “Kujtesë e hidhur Mat’hauzen=Konzentratiónslager Mauthausen” [8.8.1938-5.5.1945] nga autori i njohur Andrea Petromilo, me origjinë nga Palasa e Himarës. Është një libër i ngjeshur me 164 faqe, mbushur më fakte, dëshmi, intervista, statistika tronditëse nga kampet e Mat’hauzenit, Melkut, Buhenvaldit, nënkampet e Gusenit, Ebesenit etj. Është një libër serioz e referencial për qëllime studimi nga autorë apo të interesuar të tjerë për fusha të tilla si krimet e luftës, kampet e përqëndrimit etj. Kjo monografi konkretizohet e plotësohet edhe fotografi origjinale, që janë njësueshmëri e besueshmërisë tekstore; po ashtu shoqërohet me tabela e lista njerëzish të ekzekutuar, ku krahas 600 shqiptarëve të pafajshëm, pjesa më e madhe e tyre, po aq të pafajshëm, ishin nga qyteti i Vlorës. (450 gjejmë në fletore statistikash, por shifrat, na thonë, nuk janë të sakta, pasi nazistët një pjesë të dokumenteve i grisën, i dogjën mungesa e tyre, patjetër dhe merorja e shkurtër i ka pasojat e saj). Shkrimtari dhe studiuesi vlonjat Petromilo ka realizuar një punë me vlera të larta humane dhe atdhetare. Fakte tronditëse nga Kujtesa e Hidhur në Mat’hauzenin famëzi, ku vlonjatë e shqiptarë pa pikë faji u dogjën më keq se të ishin copëza letrash pa pikë vlere, pasi i rrihnin barbarisht apo i përdornin si mjete eksperimentesh, derisa i gjymtonin. Libri ka vlera që shkojnë tek libri, me mesazhe njohëse e historike sa lokale, aq universale për ata që u sakrifikuan lebetitshëm në ato kampe famëkeqe. Mesazhi kryesor, që ka dashur të përcjell autori tek lexuesi është rëndësia e simboleve për historinë dhe brezat, ruajtja gjallë e fakteve historike për edukimin patriotik dhe urrejtjen ndaj individëve skizofrenikë, kushdo qofshin ata e ngado shfaqen me atë barbari, që s’ka tragjedian të përshkruaj. Autori i bën apel kujtesë qytetare që të mos harrojmë të keqen më poshtëruese dhe torturuese ndaj njerëzimit ndodhur në këtë planet. Nuk mundemi t’i rrëfejmë ato skena lemeritëse në trenat e punës a vdekjes, në miniera, gurore apo në 186 shkallët e gurta pakthimërisht të vdekjes, duke i ngjitur me peshë 50-60 kg mbi shpinë, me ndëshkimet nga më çnjerëzoret në dhomat e gazit, në dhomat e vdekjes, në dhomat e eksperimenteve, dhomat burg, mure të lartë, të lagësht, të zinj, baraka fjetoresh me numra rendorë, labirinthe pafund, imazhe të frikshme, ankthembushur, ku çdo objekt mbart një histori tmerri. Vetëm në dhomat e gazit në kampin e Mat’hauzenit u asgjësuan 7200 të internuar. Na dridhet buza e syri na mbushet me lot dhembjeje për të femrat e pafajshme e të pambrojtura dhe një duf urrejtjeje na shpërthen përbrenda për të pashpirtët nazistë tek lexojmë udhërin e datës 10.11/1940 të shtabit hitlerian: “… të mbahet sekret dhoma e përdhunimit të të internuarave prej personelit gjerman”. Një barakë kishte ndarje në dy dhoma: Adhe B. Çdo dhomë ndahej në dy pjesë: njëra ku rrinin të internuarit dhe tjera e fjetjes. Në mes ishte wc-ja. Shtretërit ishin prej druri me dy e tre kate. Në çdo krevat flinin tre veta në kushte tepër të vështira. Për mbulesë në dimër kishin një batanie të hollë. Dritarja e dyert qëndronin të hapura. Shumë ishin ata që vdisnin nga të ftohtit. Të sëmurët me sëmundje ngjitëse ishin në karantinë në katër baraka. Pranë ishte blloku i vdekjes, që dikur shërbente si infermieri. Nga muaji prill 1944 deri më 2 shkurt 1945, tek blloku i vdekjes u shënuan 4300 oficerë robër rusë, që nuk iu regjistrua as emri i tyre e as numër personal s’iu vendos. Këta, herë pas here, individualisht ose në grupe, ekzekutoheshin me plumb pas kokës, ndërsa një pjesë vdiqën nga uria…Kampi i dytë i barakave me numër 21-24 shërbente për strehimin e të internuarve të sapoardhur. Në kampin e tretë të barakave, përbërë prej 8 të tilla, strehoheshin gratë, të cilat i sollën në verë të vitit 1944 nga Varshava. Nga vera e vitit 1944 deri në prill 1945 sollën 3000 të internuar – fizikisht të dobët, tek të cilët u përdorën torturat më çnjerëzore, me finale pushkatimin. Të pamundurit për të punuar i lidhnin pas murit dhe i linin të zhveshur në të ftohtë e në ngrica, derisa jepnin shpirt. Po nënkampi i Gusenit, që kishte 30 baraka, rrethuar me tel me gjemba, ku kalonte tensioni 300 volt, që s’ka gojë të flasë, të denoncojë, të akuzojë në emër të drejtësisë e lirisë, sepse s’është parë shkelje më flagrante dhe aq egër e të drejtave të njeriut?! Minierat janë dëshmitare se sa frymë janë tretur thellësive të tyre. Po të sëmurët me tuberkuloz që i vrisnin me gjëlpërë në zemër?! Po me se ushqeheshin robërit e kampeve? Me aq pak ushqim – spirilëng, sa të mbanin trupin minimalisht e forcërisht në këmbë për punët përditshmërisht të rënda, kur trupi i tyre kishte arritur të shndërrohej në një skelet vetëm 28 kilogram deri në 40 kile. E si mund të mbahej kështu shpirti gjallë?! Në këto kampe përqëndrimi, koha e skllavërisë ishte kthyer, por me motive të reja raciste. Furrat e djegies, dhomat e shfarosjes janë dhe do të ngelen përjetësisht apel historik botëror i Kujtesës së Jetës njerëzore me dinjitet. Bijtë tanë që ranë me idealin e lirisë në zemër na kujtojnë një fjalë të urtë: “Kush mbyll sytë nga e kaluara, mbetet i verbër ndaj së ardhmes”. Gjatë këtyre refleksioneve për kampet naziste të përqëndrimit, gjykojmë se jo vetëm lajtmotivi i librit, por i Kampit të Zi të Mat’hauzenit dhe si vëllezërve të tij po aq të zinj, është: “Brezat që vijnë, duhet përmes simboleve historike të ruajtura me kujdes, të përjetojnë imazhin e një tmerri, që nuk duhet ta përjetojë në asnjë çast bota njerëzore”. Ndërkohë, përherë na e ruan të freskët këtë kujtesë edhe vepra simbol e historisë së Lirisë Qytetare, monumenti “Partizani fitimtar” i skulptorit shqiptar Odise Paskali e vendosur në Mat’hauzen, Austri që në vitin 1968, po ashtu delegacionet e mbi 40 shteteve, me flamujt e tyre, që Austria, Spanja, Luksemburgu, Holanda, Franca, Suedia, Belgjika, Polonia, Hungaria, ish – Republikat Sovjetike, Izraeli, Italia, Shqipëria etj., të cilët, nën kujdesin e Bashkimit Europian, bëjnë pelegrinazh nderimi çdo 5 maj, që nga viti 1945 e në vijimësi në “Sheshin e Apelit” po në Mat’hauzen, në kujtim të ditës së çlirimit të ish – kampit të përqëndrimit e shfarosjes Mat’hauzen, 5 maj 1945. Po ashtu, kurorat me lule që vendosen në memorialin e Mat’hauzenit, sikur na flasin që të mos harrojmë kurrë efektet e atij shpërthimi djallëzor të racës superiore nga përbindëshi Adolf Hitler, frymori i paskrupullt dilerant, manjaku tekanjoz, i neveritshmi 162 centimetrosh dhe makina e tij e vdekjes për së gjalli, me katër organizmat pamëshirshmërisht shfarosëse, që për pak mori në qafë botën mbarë. 

Organizmat speciale të skinksit të zi nazist

Katër organizmat speciale të forcës terroriste, mizorisht të poshtër të skinksit të zi nazist ishin: 1. Trupat sulmuese (SA), që përbënin skuadronet e vdekjes, të cilat mbollën terrorin gjithandej Gjermanisë; 2. Trupat e Mbrojtjes dhe të Kontrollit të SA, që quheshin SS dhe i komandonte dora e djathtë e Hitlerit, Hajnri Himler (Ky mori përsipër edhe ndjekjen e të gjithë armiqve të Rajhut të Tretë dhe dërgimin e tyre në kampet e shfarosjes masive); 3. Agjentët e Policisë Sekrete, që e quajtën GESTAPO, të cilët vëzhgonin me kujdes qoftë trupat e SA, qoftë ato të SS (që do të thotë: përgjo, por je i përgjuar. Ky organizëm sipas statistikave, kshte në organikën e vet si efektiv mbi 100000 ushtarakë e agjentë. Këta nuk jepnin llogari askund përveç kryeterroristit Adolf dhe i drejtonte Geringu [Hermann Goering], i vetmi i besuar si pasardhës i Hitlerit, deri pas dështimit në betejën e Britanisë së Madhe, ku u dallua superioriteti i aviacionit Aleat mbi atë nazist); 4. Trupat sekrete (SD) që përbëheshin nga pjesë të veçanta të efektivit të Gestapos, pra më tepër ishin agjentët e shpërndarë në të katër anët e botës, të cilët raportonin pranë shtabit të Gestapos dhe komandoheshin nga Reinhard Hajdrih, i cili kishte nofkën Hajdrih Litari.  

Gjithashtu libri na kujton se në gjithë territorin evropian të pushtuar nga nazistët funksiononin 1226 kampe kryesore, 1011 kampe të varuar përqëndrimi dhe 114 kampe shfarosëse dhe për hebrej, pra gjithsej 2351 kampe e nënkampe. Njëri nga ata qe vampiri nazist i Mathauzenit, i cili nga 8 gushti 1938 deri më 5 maj 1945 regjistroi 206000 të internuar. Nga ky numër mbetën gjallë, sidomos  ata që u sollën këtu kohët e fundit, 66534 (64800 meshkuj e 1734 femra). Mbijetuan nga kampi i përqëndrimit të Mat’hauzenit vetëm 23 shqiptarë. Ka objekte të të internuarve, pllaka përjetuese, monumente atje dhe në Shqipëri.

Edhe Dëshmorët e Mat’hauzenit janë në kujtesën e kombit

Në një pllakë mermeri, përbri furrave të krematoriumit janë shënuar, krahas emrave të tjerë, nga vendet e shteteve që u ndeshën me bishën naziste dhe që patën fatin e keq të digjeshin kufomat e tyre, edhe emrat e shqiptarëve. Mes dëshmorëve të kombit janë dhe vlonjatët. Jo vetëm nëpërmjet këtij shkrimi për lexuesit e “Diellit” por përditë dhe sikurse dëshmorët e tjerë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, duhet të nderohen edhe këta shqiptarë në kujtesën e kombit, sepse duhet t’i përkasin mos harrimit. Më e pakta e domosdoshme, edhe pse e vonuar, është përmendja e emrave të tyre edhe në një shkrim të thjeshtë nderimtar si ky yni. Lista e martirëve tanë pranë krematoriumit të Mat’hauzenit (Austri) është si më poshtë: Xhevdet Doda, Kozma Nushi (Hero i Popullit), Abaz Dine, Abaz Sullaj Abdulla Tabaku, Adil Alushi, Ahmet Ramzoti, Alem Tafili, Ali Ashimi, Alim Biduli, Asti Gogoli, Azem Toska, Bedri Agalliu, Beg Nushi, Besim Liku, Buharedin Mitaraj, Cane Çaçi, Cane Rapushi, Dalip Meminaj, Demir Bardhi, Dervish Hoxha, Dilaver Kamberi, Dhimitër Konduri, Dhimitër Kulla, Ejup Kondo, Emanuel Hazdurian, Enver Velaj, Faik Haruni, Faslli Lelaj, Faslli Zogaj, Feim Mustafaj, Fejzo Toska, Ferik Buzi, Fizo Spahiu, Gani Kokli, Gjysh Duraj, Hajdar Shameti, Hajredin Kërkova, Hakim Veliu, Halil Shyri, Hamit Roseni, Hamit Xhyheri, Hamza Laperi, Hasan Doci, Heruran Novruzi, Hysen Shtufi, Ibrahim Skëndaj, Ibrahim Xhatufa, Ilo Çomi, Isa Rapushi, Ismail Zyma, Isuf Berberi, Isuf Ibërshimi, Izet Mema, Jani Kosta, Jani Nathanaili, Jani Popa, Jano Maska, Jorgji Ziu, Koro Çoni, Kostandin Simaku, Late Bregu, Mehmet Dauti, Mehmet Sulo, Mihal Koçi, Mihal Pema, Minella Gogo, Muhamed Velaj, Muhamet Bino, Muhamet Dine, Muhamet Kabashi, Musa Gorishti, Mustafa Kotherja, Mustafa Zahaj, Myslym Nelaj, Mustehat Malaj, Naun Thanasi, Neim Gjoni, Nexhip Hekurani, Nexhip Himçi, Nevruz Abazi, Nevruz Dine, Novruz Hajdini, Nuredin Memishaj, Pandeli Dimo, Perikli Papingji, Piro Papalilo, Qazim Çakërri, Ramadan Nebiu, Ramadan Ramo, Ramazan Myrto, Rapo Kapllani, Rapush Çarçani, Rasim Hamzaraj, Refat Ismajli, Rexhep Bani, Sabri Habibaj, Sadik Asnjoku, Sali Dibra, Sami Karriqi, Selim Çarçani, Senusi Nota, Sofokli Dhimiatiadhi, Stavri Havale, Sulejman Cenoimeri, Sulejman Doko, Sulejman Rukja, Sulejman Zakja, Sulo Gorishti, Shefqet Leka, Shefqet Shyti, Sherif Nuredini, Shyqyri Buzi, Taqo Dino, Tefik Skilja, Telat Noga, Teme Alushi, Thimio Nathanaili, Thoma Kuqali, Vangjel Vasili, Vangjel Shkurti, Vangjel Xhani, Vasil Dushku, Vasil Gjata, Vasil Mojsiu, Vehbi Vreshtazi, Xhafer Kodra, Xhafer Skilja, Xhemil Kasa, Xhemal Myhdari, Xhemal Shasho. Në listën e shqiptarëve që kanë vdekur në kampin e Mathauzenit, ku shënohet numri personal, emri dhe datëlindja janë: Athanas Babe, Andro Gerveni, Abdullah Kinetani, Ajaz Arifi, Anasatas Stavro, Ahile Lito, Bedri Agalliu, Besim Liku, Çako Lamani, Dervish Troka, Ded Papa, Sofokli Dhimitriadhi, Estref Fiaq, Fejza Dino, Gani Begosali, Georgi Cin, Hajredin Hazdinaj, Hazbi Bani, Habib Koka, Halem Telfaj, Halil Aliti, Ibrahim Gunardhi, Istref Dekollari, Jakup Telfaj, Jani Goda, Fadil Alushi, Kosta Mani, Kostandin Semikiç, Lefter Bezhani, Musten Gunbardhi, Miho Çiko, Mihal Shyti, Moikom Shyti, Naqo Siko, Nikolla Çika, Niko Papalilo, Lilo Palla, Ilija Vimo, Perikli Papingji Qazim Çakërri, Qemal Muhedari, Ramazan berberaj, Ramazan Armeni, Rushit Vërzhezha, Rexhep Toto, Muzafer Velaj, Nazif Spani, Rapo Ruçi, Rukije Sulejmani, Refat Sedrioviç, Rahman Hysa, Refit Mustafaj, Farudin Rustemi, Skënder Vrenaraj, Selfo Shebaj, Sulejman Seferi, Selim Begaj, Sofokli Dimi, Seit Qemali, Shezai Qemali, Shefqet Suli, Shahin Alia, Shyqyri Tare, Zoga Falre, Taqi Poliçani, Vangjel Xhema, Thoma Karagjozi, Qerim Asimi, Kristofor Gjyli, Stefan Sotiri, Nasim Gjani, Tahsim Jonuzi. (Për mungesë hapësire në gazetë nuk po i shënojmë numrat personalë dhe datëlindjet e dëshmorëve të Mat’hauzenit, por ne i ruajmë në dosjen e arkivit tonë). Kemi dhe një listë të të ekzekutuarve, sipas një dëshmitari:  Asim Qerimi, Akile Lita, Dhimitër Kosta, Ibrahim Rexhepi, Izet Memsi, Imer Rexhepi, Jani Kariqi, Naum Thanasi, Naxhia Himçi, Narfi Kaposhi, Pandeli Nandua, Meship Himçi, Miho Ciko, Vimo Ilija, Vlash Kuqo, Sabri Dino, Ali Akin, Xhevdet Dino, Shefqet Leka. Burimet e shkruara të nivelit akademik na japin dhe një pasqyrë përmbledhëse të 5914 të burgosurve dhe të internuarve shqiptarë në burgjet dhe kampet nazifashiste të hapura brenda vendit gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë: 7 Prill 1939-29 Nëntor 1944, nga ku Tirana, si rreth kishte 1034 njerëz, Berati 414, Burreli 34, Dibra e Bulqiza 126, Durrësi e Kavaja 831, Elbasani e Peqini 261, Fieri e Mallakastra 130, Gjirokastra 504, Gramshi 17, Kolonja 151, Korça e Bilishti 615, Kruja e Laçi 24, Kukësi e Hasi 27, Lezha 28, Lushnja 41, Mirdita 28, Përmeti 49, Pogradeci 173, Puka 10, Saranda e Delvina 54, Shkodra e Kopliku 354, Tepelena 60, Tropoja 148 dhe Vlora 801, të cilët në total kanë vuajtur 26940  muaj ose 2245 vite. Siç vërehet, më tepër martirë kanë Tirana, Durrës – Kavaja, Vlora e me radhë Korçë – Bilishti, Gjirokastra, Shkodër – Kopliku etj. (shih: dr. Arqile Veshi, “Qëndresa heroike e të burgosurve, të internuarve dhe të ekzekutuarve politikë shqiptarë nga pushtuesit nazifashistë e kolaboracionistët: 7 prill 1939-29 nëntor 1944”, Tiranë, Ilar, 2014, 308 faqe me foto). Gjithashtu, kemi informacion të besueshëm dokumentar, se vetëm nga Mallakastra janë shfarosur në kampin e Zemunit 19 patriotë nga fshati Cakran dhe 11 nga fshati Dukas – Patos.

Nderimi shtetëror i dëshmorëve të Mat’hauzenit

Bazuar në ligjin nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Kreu I, neni 4 “Familje e Dëshmorit të atdheut është familja që i ka dhënë Shqipërisë një apo më shumë persona të shpallur “Dëshmor i atdheut”. Kreu II, neni 5 thotë: “Dëshmorë të atdheut shpallen ose u njihet stausi, si i tillë…[pika] dh) Shtetasit shqiptarë, të cilët janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet nazifashiste të përqëndrimit apo kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende deri më 9 maj 1945”. Me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të ish-kampit të përqëndrimit Mat’hauzen, në Vlorë, është ngritur Memoriali i Kujtesës së Dëshmorëve të Mat’hauzenit përkarshi bashkisë së qytetit të Vlorës, atje ku në vitet e LANÇ ishte burgu, nga i nisën drejt kampit të përqëndrimit Mat’hauzen djemtë e Vlorës pas fushatës së arrestimeve nga nazistët dhe kolaboracionistët e tyre spiunë e lakej. Ndoshta nuk do të realizohej apo mund të bëhej shumë më vonë ky monument nderimi në Vlorë, pa ndihmën e zonjës Vojsava Shkurtaj, ish-kryetare e Këshillit të Bashkisë, pa kujdesin e drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë, dr. Dritan Leli, pa fjalën e urtë e të peshuar të shkrimtarit Andrea Petromilo, pa punën në bllok të pasardhësve të atyre dëshmorëve, Gerion Gunbardhi, Kujtim Memaj, Denada Babe, Gudar Toto, Kristi Shametaj, Edlira Hoxha, administrata e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Fjorda Llukmani, përfaqësuese nga BE-ja për Shqipërinë  e sidomos pa këmbënguljen shembullore e të pakthyeshme të qytetarit Polizoi Kosta, i biri i Jani Kostës, me numër personal 10050, vdekur në ish-kampin e përqëndrimt Mat’hauzen më 15.12.1944. Sheshi historik para bashkisë Vlorë do të mbetet në breza si sheshi i dëshmorëve të Mat’hauzenit, që sfiduan torturat më të padëgjuara dhe bënë sakrificën më sublime për Atdheun e të parëve, Atdheun e tyre, tonin e të brezave që vijnë.

Gjyqi i Nurembergut për mesazhet e lirisë

Në qytetin buzë lumit Pegnitz, në Nuremberg të Bavarisë, Gjermania Jugore, atje ku në vitet 1930 mbaheshin kongreset e Partisë Naziste dhe mitingjet e mëdha të përvitshme të Partisë Naziste, më 1945-’46  u zhvilluan gjyqet e Nurembergut, në të cilat kriminelët nazistë të luftës u gjykuan nga një gjykatë ndërkombëtare ushtarake. Gjyqi i Nyrëmbergut ishin një seri gjykatash ushtarake të mbajtura pas Luftës së Dytë Botërore nga Forcat Aleate, sipas ligjit ndërkombëtar dhe ligjeve të luftës dhe u bënë për ndjekjen penale të anëtarëve të shquar të udhëheqjes politike, ushtarake, gjyqësore dhe ekonomike të Gjermanisë naziste, të cilët planifikuan, kryen masakra e morën pjesë në Holokaustin dhe krimet e tjera të luftës. Gjyqet u mbajtën në Nyrëmberg të Gjermanisë dhe vendimet e tyre shënuan një pikë kthese midis ligjit klasik dhe atij ndërkombëtar bashkëkohor, sepse siguruan një platformë për drejtësi kundër kriminelëve të luftës naziste të akuzuar. Përpjekja e parë për të ndëshkuar autorët u krye nga Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar (IMT) në qytetin gjerman të Nurembergut, duke filluar më 20 nëntor 1945. Në gjyq ishin 24 kriminelët më të mëdhenj të luftës të Gjermanisë naziste, përfshirë Hermann Goering, Martin Bormann, Julius Streicher dhe Albert Speer. Pas Çlirimit të Europës nga bisha nazifashiste, Gjyqi i Ushtrisë së Trupave Aleate të Nurenbergut përfundimisht, dënoi me vdekje 12 kriminelët nazistë. Kështu që termi “gjykim i Nurembergut” përfundimisht përfshiu këtë gjyq origjinal të liderëve nazistë, si dhe 12 gjykime pasuese që zgjatën deri në vitin 1948.

Akuzat

Ndërsa Pushtetet Aleate vepruan për të mbledhur prova, ata gjithashtu përcaktuan se kush duhet të përfshihej në raundin e parë të procedimeve. U konstatua, në fund të fundit, se 24 të pandehur do të akuzoheshin dhe do të vinin në gjyq në fillim të nëntorit 1945 dhe këta ishin disa nga më të njohurit e kriminelëve të luftës të nazistëve. I akuzuari do të paditet për një apo më shumë akuza:

1. Krimet e komplotit: I akuzuari u pretendua se kishte marrë pjesë në krijimin dhe / ose zbatimin e një plani të përbashkët ose komplot për të ndihmuar ata që ishin përgjegjës për ekzekutimin e një plani të përbashkët, qëllimi i të cilit përfshinte krime kundër paqes.

2. Krimet kundër Paqes: Të akuzuarit thuhet se kanë kryer akte që përfshijnë planifikimin, përgatitjen ose inicimin e luftës agresive.

3. Krimet e Luftës: I akuzuari supozohet se ka shkelur rregullat e mëparshme të luftës, duke përfshirë vrasjen e civilëve, POW, ose shkatërrimin e dëmshëm të pronës civile.

4. Krime kundër njerëzimit: I akuzuari ishte akuzuar se kishte kryer akte të deportimit, skllavërimit, torturës, vrasjes ose akteve të tjera çnjerëzore kundër civilëve para ose gjatë luftës.

Të pandehurit në gjyq dhe dënimet e tyre:

Gjithsej 24 të pandehur fillimisht ishin planifikuar për t’u shqyrtuar e ndëshkuar në gjyq gjatë këtij gjyqi fillestar të Nurembergut, por vetëm 22 vetë u gjykuan (Robert Ley kishte kryer vetëvrasje dhe Gustav Krupp von Bohlen ishte konsideruar i paaftë për t’u gjykuar). Nga 22, një nuk ishte në paraburgim; Martin Bormann (sekretar i partisë naziste) u akuzua në mungesë. (Më vonë u zbulua se Bormann kishte vdekur në maj 1945). Edhe pse lista e të pandehurve ishte e gjatë, dy individë kryesorë mungonin. Adolf Hitleri dhe ministri i tij propagandist, Joseph Goebbels, kishin bërë vetëvrasje, pikërisht kur lufta po mbaronte. U vendos që kishte prova të mjaftueshme në lidhje me vdekjet e tyre, ndryshe nga Bormann, se ato nuk u vendosën në gjyq.

Gjyqi rezultoi me një total prej 12 dënimeve me vdekje, të gjitha të cilat u administruan më 16 tetor 1946, me një përjashtim – Herman Goering kreu vetëvrasje, duke helmuar veten me një kapsulë cianuri natën në qeli. Tre nga të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm. Katër individë u dënuan me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Një shtesë prej tre individësh u liruan nga të gjitha akuzat… Asnjë qytetar shqiptar dhe europian, asnjë qytetar i botës, sot e nesër e sa të jetë jeta kurrë nuk mund e nuk duhet t’i fshijë nga kujtesa emrat më të zinj të historisë së shekullit XX e ndoshta të të gjitha kohërave. Më të rrezikshmit që mbushnin ligësinë ekstreme të  shpirtit paranojak të Hitlerit, tok me Gëbelsin e Heinrich Himmlerin, arkitektin kryesor të Holokaustit dhe që  morën dënimin kapital ishin: Martin Bormann (në mungesë) – Zëvendës Fuhrer, Hans Frank – Guvernatori i Përgjithshëm i Polonisë së pushtuar, Wilhelm Frick – Ministri i Brendshëm i Rajhut, Hermann Göring – Marshalli i Rajhut/ president i Raishtagut, Parlamentit Gjerman [Reichstag], Alfred Jodl – Shefi i Shtabit të Operacioneve të Forcave të Armatosura, Ernst Kaltenbrunner – Shefi i Policisë së Sigurisë, SD, dhe RSHA, Wilhelm Keitel – Shefi i Komandës së Lartë të Forcave të Armatosura, Joachim von Ribbentrop – Ministri i Jashtëm i Rajhut, Alfred Rosenberg – Filozofi i Partisë dhe Ministri i Rajhut për Zonën e Zonës Lindore, Fritz Sauckel – Fuqiplotë për Ndarjen e Punës, Arthur Seyss – Inquart – Ministri i Brendshëm dhe Guvernatori i Rajhut të Austrisë, Julius Streicher – Themelues i Der Stürmer.

Dita e 9 Majit nga shumica e vendeve të tjera në Evropë, përfshi dhe Shqipërinë tonë kujtohet me nderim e respektohet si simbol i Lirisë, si Dita e Fitores në Evropë.

Vlorë, e premte, 7 Maj 2021

Filed Under: Histori Tagged With: AKujtesa, Albert Habazaj

NATA E KADRIT NË KOMUNITETIN SHQIPTAR MYSLIMAN NË LONDËR

May 8, 2021 by dgreca

Imam Blerim Ciroka, Imami i Xhamisë Shqiptare në Londër, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, shpjegon rëndësinë e Natës së Kadrit në besimin Islam, organizimin fetar dhe atdhetar të shqiptarëve në Londër, muajin e Ramazanit në komunitetin shqiptar në Londër, aktet e bamirësisë së bashkësisë shqiptare myslimane ndaj shqiptarëve në nevojë dhe funksionimin e riteve e ceremonive fetare në kushtet e pandemisë globale.   

RËNDËSIA E NATËS SË KADRIT NË BESIMIN ISLAM

Nata e Kadrit është nata e lutjeve, është nata kur Zoti dërgon engjujt, të shumtë në numër, aq sa ka guralecë toka, i dërgon në mbi njerëzi, deri në agim ka vetëm paqe, pranojnë e përcjellin lutjet dhe kërkesat e atyre që besojnë e luten. Pranimi i lutjeve, kjo arritje e madhe, është më shumë e lehtë në këtë natë. Nata e Kadrit është ajo natë e bekuar kur 14 shekuj më parë erdhi Engjulli i Madh, Xhebraili, dhe filloj t`i përcjellë Muhamedit a.s. Librin e fundit hyjnor, Librin që e udhëzon njeriun, Librin që i`a mëson njeriut atë që nuk e di, Librin që është dritë për besimtarët, Librin në të cilin nuk ka pikë dyshimë, Librin që flet e dialogon me njeriun vetëm me fakte, Libri që e fton njeriun të logjikojë e meditojë, Librin argumentat e të cilit janë të patjetërsueshëm, Librin e moralit, Librin e familjes, Librin e shoqërisë, Librin që e dallon të mirën nga e keqja. Libri që ua siguron mirësinë edhe në këtë botë por edhe në të Amshueshmen besimtarëve që e ndjekin me kujdes. Kjo natë e bekuar kur miliarda besimtarë anë e kënd botës, edhe ata që ndoshta e praktikojnë më pak besimin, agjërojnë posaçërisht në ditën e kësaj nate, të gjithë sa jemi njëherazi i ngrejmë duart dhe lutemi, kërkojmë nga Zoti ynë. Kjo natë më e mirë se 1000 muaj, më e gjatë në vlerë se krejt jeta e njeriut, kjo natë kuptimin dhe vlerën e së cilës njeriu ndoshta nuk e kupton plotësisht por më shumë e ndjen. Këtë natë besimtarët ngrejnë duart lart e duke thënë: O Zot, ti je falës, na fal neve.., ata falen. Ndoshta kryefjala e kësaj nate është falja dhe paqja por besimtarët kërkojnë edhe begati, edhe shëndet, edhe harmoni, edhe jetëgjatësi me vepra të mira, besimtarët kërkojnë dhe duhet të kërkojnë edhe prosperitet, zhvillim ekonomik dhe unitet kombëtar. Është pikërisht Kurani i cili ka fillu të shpallet në këtë natë që na mëson të kërkojmë edhe të mirat e kësaj bote por edhe të amshueshmes. Vetë kjo natë na mëson se krahas sasisë cilësia mbetet kusht për çdo gjë. Për një natë, sic është kjo e bekuar, njeriu mund të arrijë shumëçka më bekimet e Zotit. Kjo natë na mëson se ne besimtarët duhet të jemi cilësorë para së gjithash.

MUAJI I RAMAZANIT ME BASHKATDHETARËT SHQIPTARË NË LONDËR

Ramazani si gjithnjë vjen i bekuar, qëndron me ne për 30 ditë dhe largohet krejt lehtë dhe këndshëm. Mëshirë, shëndet, durim, tolerancë, mirësitë e pafudme Hyjnore në sipërfaqe të tokës, njerëz më të mirë, njerëz më të durueshëm, njerëz më dorëdhënës, njerëz që janë të përqendruar për t`u përmirësuar, për të përmirësuar vetveten e tyre para se të diskutojnë çështjet e tjera. Ramazani është muaj i devotshmërisë, e devotshmëria është një arritje e madhe për besimtarët. Agjërimi, si edukues dhe skalitës i drejtpërdrejtë i vlerave njerëzore, agjërimi fizikisht dhe agjërimi shpirtëror, të dyja plotësuese kusht të këtij riti themelor të Islamit, përjetohet bukur me bashkatdhetarët tanë këtu në Londër. Ngrënia e mëngjesit të hershëm, ngrënia e darkës kur perëndon dielli, falja e darkës në Xhami, leximi i Librit të Shenjtë, Kuranit, bisedat e ndryshme fetare, rritja e konsiderueshme e pjesëmarrësve në faljen e ditës së premte shëmbëllen pikërisht mrekullinë që ndodh tek besimtarët gjatë këtyre ditëve. Bashkatdhetarët tanë i kanë shtuar akoma më shumë lëmoshat e tyre, bujarinë e tyre përmes darkave shtruar gjatë këtyre netëve. Ka një unitet dhe frymë vëllazërore në mesin e shqiptarëve këtu. Ramazani dhe mirësitë e tij na sjellin më afër trojet tona ku jemi mësuar ta përjetojmë Ramazanin, me iftare e teravi, me lutje për njëri-tjetrin e me biseda fetare të agjërimit, iftaret familjare janë ndër zbukurimet më të bukura ndoshta të këtyre ditëve. Edhe ata që nuk agjërojnë e ndjejnë këtë muaj, përmes agjërimit dhe durimit të agjëruesve. Bashkatdhetarët kanë kontribuar më shumë për të afërmit dhe nevojtarët e tjerë në vendlindjet tona, altruizëm për t’u admiruar.

RELIGJIONI NË KUSHTET E PANDEMISË GLOBALE

Pandemia si një rast i veçantë në historinë njerëzore ka ndikuar goxha në komunimin tonë me besimtarët. Mbyllja e xhamive, qoftë për faljen pesë kohëve, qoftë për faljen e të premteve, jetët e humbura dhe pasiguria që krijoi ajo domosdoshmërisht bëri që të largohemi fizikisht me besimtarët dhe ndjekësit e Xhamisë. Këto kushtëzime të reja sollën edhe imponimin për forma të tjera të komunikimit, kryesisht rrjetet sociale, ligjeratave online, etj. Në Xhaminë tonë janë mbajtur rregullisht ligjëratat më këshilla të faljes së të premtes dhe të gjitha janë përcjelluar në kanalin youtube, komunikimet përmes facebook-ut të Xhamisë ka qenë po ashtu i rregullt. Në rastet e morteve në këtë periudhë pandemie kur vdekjet fatkeqësisht kanë qenë më të shumta në numër se zakonisht, Xhamia ka qenë 24 në shërbimin e bashkëatdhetarëve tanë duke patur parasysh se Xhamia jonë ofron plotësisht shërbimin funerale të xhenazeve. Takimet postmortore në kryerjen e riteve fetare të të ndjerëve me familjarë të tyre, duke i respektuar të gjitha rregullat e paraqitura nga qeveria e vendit, ka qenë e vazhdueshme. 

XHAMIA SHQIPTARE E LONDRËS, ORGANIZIMET DHE PROJEKTET E  BAMIRËSISË

Xhamia ka qenë dhe është vazhdimisht aktive në organizimet e projekteve të bamirësisë. Më konkretisht, sipas nevojës janë ndihmuar familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, janë krijuar fonde për të ndihmuar bonjakët në trojet tona, Shqipëri, Kosovë e më gjërë, janë ndihmuar vazhdimisht ndërtimi i shtëpive për shtresat në nevojë, janë mbështetur vazhdimisht individë me problem shëndetsorë të cilat nuk kanë mundur t`i përballojnë shpenzimet e mjekimit të tyre. Xhamia ka qenë dhe është gjithmonë e hapur për të ndihmuar rastet e vështira dhe për të bashkëpunuar me donatorët e ndryshëm. 

NJË MESAZH PËRSHËNDETJEJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA, DIELLIN DHE VATRËN

Është kënaqësi të të jepet mundësia të komunikosh me të mirënjohurit Diellin dhe Vatrën, më shqiptarët e Amerikës, sidomos përmes gazetës tuaj. Dielli dhe Vatra janë dhe mbeten ndër më të vjetrat qendra mediatike dhe organizative shqiptare nëpër mërgatën shqiptare, janë dhe mbeten paraprirëse shembuj për të gjithë emigrantët shqiptarë nëpër botë. Historikisht i kanë shërbyer shqiptarisë dhe vazhdojnë t`i shërbejnë me mish e me shpirt. Mesazhi im fillon me një lutje dhe një homazh për të gjithë atë idealist të Vatrës dhe të Diellit dhe krejt shqiptarisë, që kanë kaluar në amshim, që e kanë mbajtur të ndezur dhe ruajtur ndjenjën dhe aspiratat kombëtare për shërbim ndaj atdheut. Shprehi mirënjohje për të gjithë ata bashkëkohës të tjerë që e ruajnë me çdo kusht letërnjoftimin tonë kombëtare pavarësisht se jetojmë dhe punojmë në vende të huaja, siç janë kryesisht ruajtja e gjuhës sonë shqipe, ruajta e lidhjeve me vendindlindjet tona, ruajta e lidhjeve me të afërmit tonë që jetojnë në mëmëdhe, ruajtja e lidhjeve me bashkatdhetarët tonë në vendet përkatëse ku ne jetojmë. Përcjellja e identitetit tonë kombatër me shumë dashuri tek brezi i ri e bën kombin akoma më të fuqishëm, akoma më me dinjitet. 

DIELLI DHE VATRA SHEMBUJ ATDHEDASHURIE PËR SHQIPTARËT ANËKËND GLOBIT

Dua të them se VATRA dhe shqiptarët e Amerikës, më shërbimet që i kanë ofruar atdheut dhe kombit mbeten shembuj për të gjithë mërgimtarët anëkënd globit. Kur shikon dhe lexon për historitë e Vatrës, kur lexon për personalitet dhe familjet e famshme që i kanë shërbyer Vatrës dhe përmes saj i kanë shërbyer kombit nuk ka se si të mos mbushesh me kanaqësi. Shembulli juaj na inspiron të gjithëve. Lutem në këto ditë të bekuar që kombi ynë të ketë prosperitet, të gjejë qetësinë dhe rehatinë e munguar. Uniteti ynë kombëtar është një xhevahir i madh i qënies tonë, është shumë i çmuar dhe duhet të ruhet pa asnjë kompromis nga të gjithë ne. Ju uroj të gjithë ndjekësve të gazetës tuaj të cilët po agjërojnë në këto ditë, agjërim të lehtë e të pranuar. Duke ditur se pak ditë na ndajnë nga festa e madhe e Bajramit të Fitrit, dua ta mbyllë me dy kolos, patriotë të thekur dhe besimtarë të përkushtuar ndaj Zotit krijues, të famshmin At Gjergj Fishta, kur thotë vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë por Shqiptarinë e kemi bashkë, dhe tjetër kolosi ynë Hafiz Ali Korça: “Si ay ta duam iman’ e vatanë, për udhë rrefenjës mjaft kemi Kur’anë. Po mbajtmë Kur’anë, mbajtmë lumtërinë, Me të munt ta mbajme din’ e kombësinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Blerim Cirka, Nata e Kadrit, Sokol Paja, Xhamia ne London

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT