• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERROI JETE MIKEL VESELI

September 4, 2019 by dgreca

LAJMERIM MORTOR- MIKEL VESELI-6 Prill 1940- 3 Shtator 2019/

Me hidhërim lajmërojmë komunitetin Shqiptar, se me 3 Shtator 2019, ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare MIKEL VESELI.

Trupi i të ndjerit do të pushojë në shtëpinë mortore “Ferenga Brothers Funeral Home “
Allerton Avenu Bronx NY
të Ejten me 5 Shtator 2019; prej orës 2pm- 9pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do ti kremtohen të Premten me 6 Shtator 2019; në orën 11am, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellet në varrezat “Gate of Heaven Cemetery” 10 W Stevens Ave, Hawthorne, NY.

Filed Under: Politike Tagged With: Nderroi Jete Mikel Veseli

Shqiptarët në Uashington DC Shpallin Muajin e Shënjtores Nënë Tereza

September 4, 2019 by dgreca

– Bisedë me organizatorët  e kësaj nisme. Ata janë banues në Uashington DC dhe i përkasin feve të ndryshme por i bashkon Shën Nënë Tereza e shqiptarizmi.

Dielli iu bëri disa pyetje dhe ja përgjigjet e tyre.

1. Përshëndetje miq* Leida, Bona, Denis dhe Merita  …

Siç është njoftuar në rrjetet sociale , Ju keni ftuar gjithë shqiptarët në zonën e Uashington DC të jenë të përfshirë në veprimtari të ndryshme  kushtuar Shënjtëreshës Nënë Tereza. Kemi lexuar se ju aty keni shpallur Muajin e Nënë Terezës  duke filluar nga 5- shtatori deri në 12 tetor 2019. Kjo iniciative është përkrahur nga shumë persona.

 A mund të përcillni për lexuesit e Diellit më shumë detaje rreth këtyre veprimtarive ? 

Përgjigje : Përshëndetje për të gjithë lexuesit e Diellit dhe miqtë e Diellit. Sic dihet Nënë Tereza është figurë me përmasa botërore, një nga shenjtoret moderne që njihet në cdo vend me motra anembanë globit dhe me reputacion të pakrahasueshëm për nga frytet e punës për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Një grup shqiptarësh këtu në zonën tonë, morën iniciativën për t’i bërë thirrje komunitetit për  të nderuar jetën e veprën, figurën e shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Vendosëm që meqë festa e saj është 5 Shtatori dhe në Shqipëri festa zyrtare  është 19 tetori, ne menduam që gjatë këtyre ditëve të bëjmë dicka , sado të vogël, pro me dashuri për nderimin e jetës e veprës së saj.  Prandaj e kemi shpallur si Muajin e nënë Terezës.  

2- Mund të ndani me lexuesit tanë kalendarin e veprimtarive?

Përgjigje:Veprimtaritë e planifikuara janë kryesisht takime për të mbledhur ndihma për  njerëzit në nevojë. 

Duke marrë parasysh shtrirjen gjeografike, menduam që pikëtakimet për mbledhjen e ndihmave, të jenë afër zonave të banuara nga shqiptarët, vende publike lehtësisht të aksesueshme në zonën e Merilendit, Virginas dhe DC. Menduam po ashtu të bëjmë disa aktivitete në  disa data të ndryshme që tu japim mundësi të gjithëve që duan të kontribuojnë, të përfshihen. 

Kemi zgjedhur për të ndihmuar disa organizata bamirëse që ndihmojnë ata që kanë nevojë më shumë. Këto janë: 

 Organizata SHARE që ndihmon si me ushqime me veshmbathje, mjete higjenike dhe me mobilje. 

Po ashtu është edhe organizata “Loudoun Hunger” që ndihmon ata që nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Po ashtu edhe një organizatë që ndihmon me fëmijët e bebet e porsalindur në zonën e Virxhinias Veriore ” Birthright”. Kjo organizatë shpërndan ndihma kryesisht për fëmijët . Listat e nevojave të këtyre organizatave janë vendosur  në njoftim dhe janë detajuar nevojat në emailed dhe ngjarjet në rrjetet sociale.

Komuniteti ynë, sipas dëshirave dhe mundësive planifikon të marrë pjesë në aktivitetet e Misionareve të Bamirësisë në Uashington DC. Meshat dhe shërbimet ndaj të varfërve që këto murgesha bëjnë janë të përditshme por me rastin e Ditës së Nënë Terezës  ato e kanë ndarë në tri pjesë aktivitetin duke filluar më datën 4 Shtator me meshë në orën 10 e shërbim ndaj nevojtarëve më pas, Meshë me Ipeshkvin me datën 5 , dhe Meshë e festë me datën  7 Shtator . 

Me datën 12 Tetor ne do të bëjmë një peligrinazh shpirtëror nga ora 10-12 paradite  në Bazilikën e Shenjtores  Kombëtare të Shën Marisë në Uashington DC, ku ka prezencë të theksuar të imazheve e statujave  të Nënë Terezës dhe të Zojës së Shkodrës. Për besimtarët aty  do të mbahet edhe Meshë . Të gjithë Janë të mirëpritur. 

3- Çfarë ofrohet për komunitetin dhe besimtarët në këto veprimtari? 

 Përgjigje:Përveç shërbesave fetare për besimtarët, do të ketë  takime mes miqsh, pjesëmarrje  në përgatitje e  shërbime ushqimi e biseda me ata që kanë nevojë. Gjithashtu në çdo takim do kemi edhe biseda që bëjnë më të njohur  jetën e veprën e Shënjtores Nënë Tereza dhe njohje me nevojat lokale të komuniteteve të ndryshme që kanë nevojë për ndihmë. Do flasim për këto organizata që shërbejnë në rrethinat tona dhe do të bisedojmë për të ardhmen se si ta  mbajmë gjallë komunikimin dhe veprimtarinë e kësaj natyre. 

4-Sa krenarë dhe sa të motivuar ndjehen shqiptarët për Shënjtëreshën Nënë Tereza? 

 Përgjigje:Shqiptarët janë të gjithë të  motivuar! Sa kanë dëgjuar kanë shprehur dëshirën të marrin pjesë. Po ashtu ndjehen edhe krenarë. Kur dikush flet për Nënë Terezën ndjenja e shqiptarisë bie shumë në sy! Ne kemi një  model e thesar të rrallë tek Shën Nënë Tereza! 

Motoja e saj: “Bëje një gjë të vogël me dashuri të madhe” le tê na frymëzojë  edhe ne. 

5- Përveç nderimit të Shënjtëreshës Terezë ç’mision tjetër do të kenë këto veprimtari: Nderuse, përkujtimore, bamirësie ? 

 Përgjigje: Të gjitha bashkë, të nderojmë e kujtojmë Nënë Terezën, të edukojmë për rrënjët e saj shqiptare, të mësojmë prej saj dhe me sa kemi mundësi të ndihmojmë ata që kanë nevojë . Që të marrësh duhet të japësh  më parë dhe ne duam të japim sadopak. Amerika na ka dhënë kaq shumë dhe duam të japim sadopakëz , aq sa mundemi këtu ku jemi.

6- Cili është mesazhi që Ju i përcillni përmes Diellit komunitetit shqiptar në Washington e rrethina?

Përgjigje:Diellit i themi faleminderit që egziston dhe që pasqyron veprimtaritë e shqiptarëve prej 110 vitesh. Si gazeta më e vjetër shqiptare i urojmë shekuj jetëgjatësie. Komunitetit tonë i përcjellim mesazhin e paqes dhe dashurisë, urime për festën e shenjtores shqiptare dhe bashkohuni nismës sonë për të nderuar sadopak  Shenjtoren tonë, Nënë Terezën,  motrën e gjakut tonë.Për më shumë informacione shihni në faqet e komunitetit shqiptar në D.C.  në facebook ngajrjen: “ The Month of Mother Teresa”….(DIELLI

Filed Under: Featured Tagged With: Shqiptaret ne Washington- Muaji i Shen Terezes

Të sjellësh shënjten Nënë Tereza nga Qielli mes shqiptarësh sërish…

September 3, 2019 by dgreca

NGA VISAR ZHITI*/

Librat për shenjten tonë Nënë Tereza janë të shumtë dhe të vazhdueshëm dhe të llojllojshëm, lutje, albume, monografi, thënie, kalendarë, etj, letërsi artisitike, poezi e romane, etj, që së pari dalin në Vatikan, atje ku është Selia e Shenjtë  e në Itali, por dhe në Francë dhe Angli, në Gjermani, etj, në Ballkan e në të gjithë Europën, por dhe përtej oqeanit, në kontinente të tjerë, në SHBA, në Indi, në Japoni, në Australi, etj, në  Afrikë, kudo në të gjithë botën.

Nënë Tereza ishte bërë gruaja më e njohur e planetit më përpara se të shpallej Shenjte në shekullin XXI. Ajo i përket botës mbarë ashtu siç i përket universit të mrekullueshëm katolik, misionare e të cilit mbetet, Nënë e të gjithëve në shërbim të më të varfërve të të varfërve, të jetës së tyre dhe prandaj dhe u shpërblye me shumë çmime, duke marrë edhe më të lartin, Nobelin për Paqe, por mbi të gjitha ajo ka shpërblimin e Bekimit nga Zotit dhe atë të dashurisë së pakufishme të të gjithë njerëzimit.

Shkrimtari Visari Zhiti me korrespondentin e Gazetes “Dielli” ne Kosove/

Librat më familjarë e më të gëzueshëm për shenjten tonë Nënë Tereza natyrisht që për ne janë ato që dalin në gjuhën shqipe, në Tiranë, por, sipas meje, veçanërisht ato në Kosovë, nga ku ajo ka prindërit e saj, babain nga Prizreni e nënën nga Gjakova, por dhe sepse Kosova është e lirë siç e ëndërruan prindërit, dhe dëshiroj të them se pikërisht botimet e Don Lush Gjergjit, të ndryshëm e të njëpasnjëshëm janë kulmi që përbëjnë një pasuri të vërtetë e të vyer, sepse dalin nga pena e vëllait të Shenjtes tonë të gjakut e të shpirtit, bashkëmisionarit, të atij që e ka njohur dhe e ka ndjekur, që ka folur me të dhe na ka treguar aq shumë e mbi të gjitha na ka treguar aq bukur, me urtësi dhe dinjitet dhe përunjësi, me përmallim si në një meshë të madhe…

Për ne është fat Don Lush Gjergji për ato që ka kumtuar në botimet e tij si homeli të vyera për Nënën tonë, Shenjten Tereza të Kalkutës, të Kosovës, më pëlqen ta them me të drejtë, duke na e sjellë ikonën e saj plot dritë, imazhet me buzëqeshjen qiellore, punën dhe sakrificat në shërbim të Birit të Zotit dhe të njeriut si grua e kryqit.

Dhe ja, tani, sonte në 26 gusht, në ditën kur ajo lindi 109 vjet më parë jo larg prej këtej, matanë Grykës së Kaçanikut, në Shkupin plot me shqiptarë, po kështu dhe në jubileun e 40 vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel përurojmë një vepër të re, nxjerrë nga enti i mirënjohur botues “Drita”, të Don Lush Gjergjit për Shenjten Nënë Tereza dhe ku, në Katedralen madhështore në zemër të Prishtinës që është pagëzuar me Emrin e saj.

Vërtet një mrekulli.

LIBRI I RI                                                    

E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR është jo vetëm titulli, por dhe mesazhi kryesor i tij, me hirin e Zotit.. 

 Autori bën një qasje ndryshe ende më të afërt për ne duke përzgjedhur biseda të tij me Shenjten Nënë Terezë në kohë dhe vende të ndryshme, por gjuha është e njëjtë, ajo e Nënës, me porosi përherë të vlefshme, sa herë që i lexojmë.

Bisedat janë nga më të larmishmet, tokësore, flitet për fmiljen dhe realitetet, për varfërinë dhe dashurinë dhe motrat e misionit të dashurisë, për Kishën tone dhe Krishtin dhe shkojnë lart në Qiell, te Zoti.

Pra, skena e kësaj drame janë toka dhe qielli dhe personazhet janë Shenjtja dhe meshtari i përunjur.

Don Lush Gjergji na sjell ndërkaq të përtërirë Institucionin e Bisedës, nderimin për të ashtu siç e kishin kult shqiptrët e hershëm dhe që duhet rikthyer me dinjitet.

Papa Françesku na mëson që të zhvillojmë Kulturën e Takimit, se kështu do të njihemi më shumë, do të duam më shumë dhe do të bëjmë më të mirës së bashku.

Dhe ky libër, me popullin shqiptar në zemër, është vepër takimesh, e përsëris, e meshtarit të përunjur dhe e Shenjtes së Shekullit XXI, ku mes gëlimeve të ndjesive hyjnore përthuket dhe meraku ndaj bashkatdhetarëve dhe atdheut dhe vendlindjes duke marrë kështu një vlerë të fuqishme aktuale, duke u shndërruar në porosi: duajeni vendin, njëri tjetrin dhe bëni vepra dashurie.

Dhe Nënë Tereza na shfaqet njësoj kudo, misionare e përkushtuar deri në shenjtëri, si në kuvende dhe në rrugë, si mes të varfërve në Indi e gjithkund edhe para personaliteteve më të larta të botës, si në vendlindje dhe në ceremoninë e madhe të Çmimit Nobel në emër të të varf:erve dhe vetëm për ta.

E tregojnë dhe intervistat këtu gjatë vizitave në Kosovë dhe përreth, ndërkaq libri merr dhe kumbim universal ashtu siç janë kumbimet e kambanave dhe si një tjetër kulm gjejmë dhe intervistën në ditën e dhënies së çmimit Nobel në Oslo, në Norvegji, 40 vjet më parë.

Libri është shoqëruar me ilustrime, fotografi e faksimile letrash të Nënë Terezës, të shkruara shqip, që kanë forcën e dokumentit.

Njëra nga pyetjet më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që permbledh brenda hapësira ndjesish, që Don Lushi i bën Nënë Terezës është:

– Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj…?

Përgjigja: “Jam shumë e lumtur… Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo…Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime…                             

Këtu fytyra e saj, – tregon Don Lushi si një kronikan, – u bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, nga që, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën…

Unë shtoj këtu se Tirana politike vazhdon të lajë duart si Pons Pilati për persekutimet e shumta sidomos atij të klerit katolik, burgosje, internime, deri edhe pushkatime, shëmbja e tempujve të fese, ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipëria kështu si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë.

Por lutej Nënë Tereza dhe për Shqipërinë ashtu si dhe për Kosovën e saj, ku do të vinte dhe 5 herë të tjera, siç na dëshmon Don Lushi, në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

.Më mbeten sytë te Fjala e Nënës Tereze për motra në Binçë: Ne jemi të fejuarat e Krishtit….Asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së Tij.

            SHFLETOJMË LIBRIN

Ja, një tjetër episod, sa domethënës! Një ditë para ceremonies së madhe, teksa nëpër rrugët e Oslos endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, ndërkaq ja, ç’do t’i thoshte asaj Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm.

– Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti…

Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te natyrshmëria, te vlera dhe barazia, që Zoti i ka dhënë gjithsecilit, vetvetja është e mjaftë.

Kur po i jepej çmimi Nobel e pritej fjala e Nënë Terezës, të gjithë të pranishmit e shquar në ceremoni ajo i ftoi të bënin një lutje së bashku.

Fjala e saj dhe intervistat që u dha gazetarëve të shumtë, ku pohoi se nga gjaku dhe gjuha jam shqiptare dhe i përkas zemrës së Krishtit, u përhapën në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Por dhe aty, në burg, u fut lajmi.  

Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë, pyetën nja dy të burgosur të vjetër një të porsaardhur në Spaç. Dëgjova para se të më arrestonin në televizorin Italian fshehurazi se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare. Vërtet? Po, e dëgjova vetë. Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim të gjithë.

Mes tyre isha dhe unë, “në ferr” e dëgjova për herë të parë emrin e Nënë Terezës.

Dhe natyrisht s’kishim si ta dinim se në Oslo, pranë Nënë Terezës ishte dhe ai, meshtari i ri, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova, si vëlla, si bashkëmisionar, që shkruante, mbante shënime, projektonte librin e ardhshëm.

Ishte Don Lush Gjergji.

Dhe jemi së bashku nën mrekullinë e Shenjtes tonë, të gjithë.

Ndiej zërin e Don Lush Gjegjit që pyet prapë: Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja Çmimi Nobel për paqe? Zëri qiellor i Nënë Terezës: …asgjë nuk ndryshon te ne… çmimi është vetëm për të varfërit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka…

Pyetje tjetër e Don Lushit: Cili është mesazhi i paqes për botën… tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?”

Përgjigjia tjetër si e ruajtur në Qiell: “Duajeni njëri-tjetrin siç u do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, nga që të luturit ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët” –Kështu foli Nënë Tereza.                  

Don Lush Gjergji e dinte më mirë se kushdo se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj dhe të popullit të saj, por ai e ndjente dhe dukej se e dinte që në atë ditë se kush do të ishte Nënë Tereza, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen ende më të thjeshtë, por sa të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlevshme për më pas: Kush jeni Ju?

Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.     

JAM SHQIPTARE

Mrekullia Nënë Terezë me dashurinë e saj po pushtonte botën, së cilës i përkiste. Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj, çdo popull do të donte ta kishte të veten, që si dhuratë të Zotit ia falte njerëzimit.

Ballkani ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë dhe heronjve të saj.

Don Lush Gjergji i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkruajti me atë shkrimin e saj të bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person të kultivuar që shkruan, fjalëpak, por rreptësisht saktë, me ato shkronjat harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”

E mrekullueshme! E noterizuar për përherë. Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme, ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket se do të ndihmonte biografët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të më vonëshme për përkatësinë, rrëmbimeve të mundëshme, etj.    Ishte Don Lushi që bëri kështu avokatin shpirtëror duke e ruajtur si pjesë të një testamenti, duke e botuar herë pas here me shumëçka që kishte grumbulluar ndër vite për Nënën, duke e mbrojtur dhe nga keqkuptimet, duke u bërë ndërkohë biografi më i mirë shqiptar i Shenjtes tonë.          

Natyrisht fakte të tilla më shumë se sa Shenjtes, do të na duheshin ne, se atdheu i Nënë Terezës është plaga e njeriut dhe ajo vetë është universale dhe s’kishte shqetësime të tilla bjerrakohëse, por ne, mes këtij universi të shqetësuar, ku shpesh të vegjëlit harrohen, nëpërkëmben apo humbin, mund t’i themi kujdo, duke përftuar edhe më dinjitet dhe njohje ekzistenciale, se jemi një popull që dhuron shenjtër,                                                     

Zoti na e dha Shenjten Nënë Tereza 500 vjet pas kryeheroit, Gjergj Gjergj Kastrioti- Skënderbeu që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën Perëndimore dhe krishtërimin dhe u bë kryekomandant i përbashkimit dhe i identitet tonë. Siç duket Zoti donte të na thoshte neve dhe të gjithëve se mjaft më me shpatë dhe me armë, por me lutje dhe dashuri.

Dy emblemat më rrezëllitëse që populli shqiptar ia dha botës, Kryekomandanti dhe Shenjtja janë.

Ajo i lutej Zotit: mësomë të dua!…

Dhe Don Lush Gjergji ka kaq kohë që përpiqet t’i mësojë shqiptarët se si ta duan Shenjten Nënë Tereza dhe duket sikur e ka marrë prej dore sërish që të ecin së bashku rrugëve të vendlindjes, në Ballkan e më tej, për të përhapur dritën e Saj qiellore.

Po le t’i rikthehemi dhe një kumti tjetër, atij për fjalën e librave. Don Lush Gjergji tregon se me rastin e një datëlindjeje të Nënë Terezës kishte përgatitur një botim monografik, me punime të 185 autorë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, “Lule për Nënën” dhe ia dah asaj. “…e shfletoi me vëmendje të veçantë, e habitur nga reprodukimet e bukura me ngjyera të pikturave, skulpturave dhe pastaj më tha:

“Oh, ky është një libër shumë i bukur, i pasur, i jashtëzakonshëm, një vepër monumentale. Të falënderoj nga thellësia e zemrës, falënderoj gjithashtu edhe popullin tim shqiptar… Ky libër, pa dyshim do të më ndihmojë në promovimin e dashurisë dhe të paqes. Në këtë mënyrë ne së bashku mund të ndërtojmë kulturën, qytetërimin e dashurisë dhe të paqes…”

Ky ishte një lëshim që bënte Nënë Tereza për “priftin e saj”, siç e quante ajo Don Lushin, se zakonisht, kam gjetur në hulumtimet e mia, ajo nuk kishte lexuar asnjë libër që i kushtohej. Kur shkrimtarë a gazetarë të ndryshëm të huaj i jepnin librat e shkruara për të a që po shkruanin dhe i lexonin pjesë, Nënë Tereza i ndëpriste dhe u thoshte: Bëni mirë që t’i sensibilizoni të tjerët, që të bëjnë mirë për të tjerët…

 Pikërisht këtyre fjalëve që Nënë Tereza ia kishte thënë dikur Don Lush Gjergjit për librin, s’kemi ç’t’u shtojmë dhe për këtë libër të ri. E paskësh thënë ajo më parë me atë zërin e ngrohtë, amësor që sikur rrjedh nga yjet e pikon ar në çdo zemër.

E ka thënë dhe Papa Françesku në Selinë e Shenjtë, por dhe në Tiranë, e cila ishte dhe vizita e parë apostolike në Europë dhe së fundmi e tha dhe në Shkup që duhet të jemi krenarë për këtë grua, të cilën Ati i Shenjtë e kanonozoi para 120 mijë vetëve, të ardhur nga e gjitha bota, në shehsin “San Pietro”, ku atë ditë mes shumë e shumë flamujve valëviteshin dhe ata të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në atë shesh ka shumë pëllumba të bardhë, që u afrohen njerëzve dhe u ulen dhe mbi supe.

Mos vallë njëri nga ata pëllumba fluturoi dhe erdhi sonte këtu në Katedralen tonë dhe është ky libër që po përurojmë për Shenjten tonë e të botës mbarë, Nënë Tereza? Apo ky libër është një pëllumb paqeje që do të niset për kudo e do të ndalë mes pëllumbave atje në Vatikan?        

Gjithsesi, ky libër më duket si një Ungjill për Shenjten Nënë Tereza, sipas Don Lush Gjergjit. Aleluja!

* Fjala e mbajtur në përurimin e librit “E kam në zemër popullin tem shqitpar” të Don Lush Gjergjit në Prishtinë – Qendra “Bogdanipolis”, më 26 gusht 2019. 

Filed Under: Featured Tagged With: Visar Zhiti- Shenjteresha Nene Tereza-dom Lush Gjergji

DIASPORA- VOTIM PER ZGJEDHJET NE KOSOVE

September 3, 2019 by dgreca

Njoftim për zgjedhjet në Kosovë/

Në Kosovë do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare më 6 tetor 2019. Personat me të drejtë vote mund të regjistrohen për të votuar me postë mes 30 gushtit e 10 shtatorit 2019.

Mund të regjistrohen:

  • shetasit e Kosovës
  • personat që kanë lindë në Kosovë
  • personat që kanë prind të lindur në Kosovë
  • personat që kanë prind me shtetësi kosovare

Formularët dhe hollësitë e tjera rreth regjistrimit gjenden në këtë adresë: http://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përgatitë një video që shpjegon ecurinë e aplikimit: https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/965442340472734/

Lëvizja VETËVENDOSJE! gjithashtu ka vënë në gatishmëri linjën ndihmëse përmes Viberit dhe WhatsAppit:

  • +383 45 953 181
  • +383 45 953 186
  • +383 49 223 563
  • +383 49 633 904

Në Facebook ka dhe dy faqe, mesa di, të pavarura, që i dedikohen përfshirjes së diasporës në zgjedhje:

  • Mergata Voton: https://www.facebook.com/mergatavoton2019/
  • Diaspora Voton: https://www.facebook.com/diasporavoton2017/

Filed Under: Politike Tagged With: Diaspora-Votim-Zgjedhjet ne Kosove

“A R M I K U”

September 3, 2019 by dgreca

“A  R  M  I  K U”

Tregim nga Memisha Gjonzeneli, dekoruar me medaljen Naim Frashëri i Artë/*

       Kishin kaluar shumë vite nga koha që kisha dalë nga burgu, ku vuajta dënimin si “armik i popullit”…(Isha ende vetëm 16 vjeç, kur më arrestuan…)

Një pasdite po shëtisja buzë detit. Ishte verë. Këmbët i futa në ujë për t`i freskuar dhe këpucët i kisha lënë në anë të detit. Kisha humbur tërësisht në kujtime vetjake, por papritur më pruri në jetë një klithmë zë lartë gruaje:

 -Po mbytet, ndihmë, ndihmë, më  shpëtoni djalin. Amani, ndihmë!

 -Ajo po provonte të futej vet në det ashtu siç ishte e veshur dhe tepër e alarmuar.

Ktheva kokën nga vinin klithmat dhe pashë gruan që rendte drejt detit e bërtiste me të madhe.  Në det, përpara saj, mezi  dallova një kokë  njeriu që herë zhdukej, herë dilte mbi ujë. S`mendova më gjatë, po  u lëshova me shpejtësi drejt djalit që gati po mbytej.  Ndofta ishin lëvizjet e fundit fatale të  tij. Kur u afrova, djali  u fundos sërish dhe më humbi nga shikimi. U zhyta thellë, pa vetëdije se ç`po bëja, e kërkova me sy në thellësinë e detit dhe mezi e pikasa. Atë po e tërhiqte drejt thellësive rryma detare.  Ca flluska ajri në shtim, po i dilnin  nga goja.  E kapa, pa menduar se ai mund të më merrte me vete edhe mua dhe fatmirësisht, duke përdorur tërësisht forcën dhe aftësinë time rinore dhe përvojën si skelar dhe notar i hershëm, e nxora në sipërfaqe.  Ishte një fëmijë bukurosh, rreth 15 vjeç. E tërhoqa me mundim deri në breg, ku ishin grumbulluar edhe shumë njerëz të tjerë kurjozë dhe e  ktheva  përmbys,  me kokën  poshtë. Uji filloi t’i dalë nga  goja dhe gëzimi im, që ndjeva ringjalljen, shpërtheu. Nëna e tij vazhdonte lutjet dhe bërtiste e ndërhynte gabueshëm, aqsa  s`të linte të punoje. E hipëm në një makinë dhe drejt e në spital. Sa e futem brenda, unë doja  të  ikja,  po mu lutën për ta çuar misionin deri në fund. Isha zbathur, se këpucët   i  pata  lënë  te ana e detit, dhe i  lagur, por nuk e lash pa e shoqëruar në spital, deri sa doli infermierja dhe më  tha:

-Bravo! Ke shpëtuar një jetë njeriu. Ky fëmijë ta ka borxh jetën. Ejani ta shihni:

Ishte dyllë i verdhë, por për fat, po  e merrte veten. Doktori  kërkoi të afërmit e fëmijës. Dy  qytetarë që më shoqëruan mua  i thanë se nuk e njihnin  fare, e kishin parë  që kishte  nevojë  për  ndihmë dhe e kishin ndihmuar, detyra e tyre mbaronte këtu. Ashtu bëra edhe unë dhe u nisa të ikja. 

 -Jo, -tha mjeku, -ti do të rrish këtu, deri sa të vijë ndonjë i afërm.

Pas pak u dëgjuan të bërtitura tek dera. Ishte e ëma e fëmijës, që nga nxitimi nuk e kishin marrë në makinë.  

    Ajo vazhdonte: Amani, aman, më shpëtoni  djalin, se vetëm  atë kam! -Dhe hyri  brenda, e pa që ishte katandisur në ditë të  hallit. 

-Doktor,  të lutem më  shpëto  djalin! Nuk priti përgjigje, shkoi me shpejtësi në shtratin e të birit. Ai i hapi sytë. Ajo  filloi ta  puthte dhe ta përqafonte, duke falënderuar për mrekullinë që bëri  Zoti, pastaj  u kthye nga unë, më përqafoi fort dhe më puthi në të dy faqet.

-Te faleminderit, te faleminderit! -më   thoshte pa pushim…

Unë i kërkova leje doktorit dhe u largova me shpejtësi, se mësova që babai i djalit ishte oficer sigurimi dhe mendova do ishte mirë të mos më gjente aty.  Dola jashtë, po ku do të shkoja ashtu, i lagur dhe i zbathur? Më vinte shumë  turp. E ndërsa ecja i menduar, më kaloi pranë me shpejtësi një  makinë policie. Ktheva kokën dhe e pashë. “Në këtë makinë, -mendova, -do të jetë edhe babai i fëmijës që unë i shpëtova jetën”.

Pas disa ditësh, rastësisht takova doktorin. Sa më pa, filloi të qeshte.

-Çfarë ke?  -e pyeta.

-Atë  ditë, që  ti solle fëmijën e mbytur, sa ike ti, erdhi i ati i djalit. Kur e mori  vesh që të birin e kishe shpëtuar ti, iu kthye të birit i nervozuar:

-E shikon  çfarë  na ke bërë, more  palaço? Djali  mbuloj kokën me çarçaf.

-Edhe këtë kishim mangët, të na shpëtojë “armiku i popullit”.   

-Uaaa!  -tha e shoqja e habitur dhe e trembur, -po unë e putha edhe në  faqe! 

-Si? -bërtiti ai. -Të pa njeri?

-Jo, -tha  gruaja, -vetëm  doktori.

-Epo, doktori është  yni, s’prish punë. 

-Po ku e dija unë, more burrë se cili ishte ai?! Ai sikur ecte me këmbë në ujë. Sa bërtita unë, u gjend te djali, që përpëlitej ndenë ujë.  Pa, ta  shikoje si  notonte në det, pa pyetur për rrezikun që “i mbyturi, të mbyt!”!

 -Ah, moj grua! -tha i shoqi i mërzitur. -Ti  nuk i njeh ata se çfarë armiqsh janë. Dosjeve të tyre u vëmë  gjurin  kur i shtrëngojmë, kaq shumë  fashikuj me krime  kanë, por lere, hiqe mendjen prej andej dhe harroje fare atë njeri! 

-Të  faleminderit, doktor, – i thashë i menduar, krenar se shpëtuam një  njeri nga vdekja e sigurt.

 Ashtu zbathur, ecja nëpër rrugica, që të mos më shikonte njeri,  derisa  mbërrita në  Skelë. U drejtova te vendi ku lashë këpucët, por u mundova kot për to, dikush  para  meje, i kishte marrë.  Këpucët  nuk  qenë  të reja,  po për mua ishin të mira dhe duhet t’i zëvendësoja me të tjera, që duhet t’i  blija.  Shkova  në shtëpi i mërzitur,  u tregova ngjarjen prindërve. Babai qeshi i gëzuar

     -Po, more bir, -tha, -po shpëtove një jetë, mos e vrit mendjen për këpucët,se edhe ato do t’i  rregullojmë nga kursimet e bukës.   

                                                         ***

     Qyteti i Fierit kërkonte  specialistë. Atje do të ngriheshin disa  vepra të reja  të rëndësishme industriale. Meqenëse isha saldator dhe kisha mbaruar shkollën e rezervave, shkova në Komitet, ku më pajisën me një fletë pune. Të nesërmen u nisa për në Fier. Më dërguan  të punoja saldator në sektorin e ujësjellësit. Atje punova deri sa e përfundova si linjë. E fillova linjën në Qafë të Koshovicës e deri tek hotel «Apollonia». Më pas më dërguan në Uzinën  e Azotikut, ku sapo kishte filluar ndërtimi. Aty punova nja dy vjet. Përfunduam gazsjellësin nga Azotiku në Divjakë,  deri sa e mori në ngarkim Ndërmarrja e Shfrytëzimit. Ishte një punë e vështire  dhe shume speciale. Tubacioni do punonte nën presion nga 45 deri ne 60 atmosferë. Në të gjitha kokat e saldimit duhej të vendosje me saldim numrin personal. Unë mbaja numrin &7. U kthyem prapë në Azotik. Punova pak kohë në TEC. Filluam punë me një tubacion në Azotik, në ofiçinën e vjetër.

Në një nga këto ditë vjen një polic dhe më thotë që ta lija punën, se do të shkonim në Vlorë. Rrugës, polici  më tha se më kishin internuar në fshatin tim, në Tragjas.  Dorëzova çfarë kisha në ngarkim dhe u nisëm për në Vlorë. Polici më çoi në Degën e Punëve të Brendshme. Atje, sa më panë, më  thanë të merrja  çfarë më  duhej dhe të nisesha për në Tragjas, ku do të  takoja kryetarin e këshillit dhe do të respektoja ato që do të më  thoshte ai.

-Atje ke dhe familjen, babin, nënën dhe vëllezërit. Kështu, merr çfarë  të duhet dhe në darke të jesh në fshat. Në Degë më komunikuan se më kishin dënuar 5 vjet internim, për arsye politike. Vëllai im, Tekiu, më  kishte blere edhe një biçikletë  «Mifa» gjermane.  Mbarova  punë shpejt, i hipa biçiklete dhe në darkë  isha në Tragjas. Atje po më prisnin familjarët, se ishin lajmëruar që  unë po vija.           Kaloi një vit në internim. Puna ishte e rendë, por nga trajtimi i keq ofendues që  na behej, na dukej  edhe me e rendë.

                                                           ***

       Kisha disa ditë që isha ftohur. Mora leje me shkrim në Këshill dhe me këtë leje do paraqitesha në Degë dhe, sa kohë do të më caktonin ata, aq do të rrija. I hipa biçikletës dhe drejt e në Dege. Para më doli një polic.

      -Çfarë kërkoni? Pse keni ardhur? Pse ke ikur  nga vendi i internimit? -pyeti ai.

     -Ku është oficeri i rojës? -e pyeta unë.           

     -Prit të shikoj, të flas me të! -dhe u largua.

     Prita gjysme ore, derisa doli oficeri i rojës.

     -Pse ke ardhur? -me pyeti.

     Unë i zgjata letrën e këshillit. Mbasi lexoi letrën, mu drejtua: 

     -Ti je nga Gjonzenelajt? 

     -Po, -i thashë. 

     -Një ditë, e ke të mjaftueshme, -më tha, pa më parë n sy.

     -Shoku oficer, nuk me del një dite, -i them, -sa të shkoj te doktori,  pastaj të vete të marr ilaçet, tani  jemi në drekë.

Shkroi pas letrës që kisha  “një ditë leje”  dhe me tha: 

 -Në darke të jesh në fshat. Ik tani!  Në çast mu kujtua që  ky ishte babai i djalit që  i shpëtova  jetën.

 -Ju keni ndenjur ne Skele dhe dini  shume not, -më tha me ironi.

-Po, -i thashë unë, -kemi shpëtuar edhe njerëz.

    -Edhe mundet, po  jeni «armiq të popullit». Vëllai yt  ka ikur me  not në Korfuz. Po e shikoja me buzëqeshje.

 -Nisu, -me tha, -po të zumë jashtë kohës, do të arrestojmë!

 -Nuk të pyeta, si e ke djalin?

 -Ku më njeh ti mua? -pyeti dhe u zverdh në fytyrë. Unë u nisa për te doktori. Nga mbrapa dëgjova: «Jeni të  gjithë armiq, në  burg  e keni vendin!».

 Mbarova  pune shpejt dhe u nisa për ë fshat. Po fytyra e oficerit nuk më hiqej nga  mendja. Si mund të sillet kështu njeriu?!  Nuk i kisha bërë asgjë veç të mirës, i kisha  shpejtuar nga vdekja djalin e vetëm.

Mbas disa ditësh u bëra më mirë. Jeta në fshat ishte  vështirësuar.  Shpesh rinia e fshatit na provokonte. Unë  gjithmonë  shikoja  punën time. Shpeshherë, kur qe punë e  e vështire, na dërgonin ne, dhe, sa e mbaronim, na dërgonin në punë të tjetra të vështira.

Unë punova  në disa  vepra të rëndësishme në Shqipëri, kudo pata fituar me punë respektin e atyre që punoja, sidomos të drejtuesve,  të  njerëzishëm që ndjenin mirënjohje dhe unë reflektoja reciprokisht, po oficerin tejet të indoktrinuar nga ana njerëzore, ende nuk e kam kuptuar!

                                                         ***

      ….Një dite mbarova punë shpejt dhe u ula në një gur në anë të Izvorit. U futa  në kujtime  dhe po qeshja  me vete. Tek shtëpia në anën e detit, ne jetuam që prej vitit 1943 deri ne vitin 1956, pra atje kaluam  pothuaj gjithë fëmijërinë tonë. Unë  rrija gjithmonë anës së  detit. Më pëlqente shume të peshkoja. Peshkimi  u bë edhe një ndihmë sado e vogël për familjen. Babin e futen në burg në dhjetor 1944,  mbasi kishte qenë me Ballin Kombëtar. Ne, u rritem pothuaj  pa baba. Gjatë asaj  kohe më është dhëne mundësia  që të ndihmoj shumë njerëz,  qe  deti i gënjente me të fshehtat e tij, aq sa  dhe rrezikonin të mbyteshin. Unë nuk njoh asnjërin prej tyre, se edhe vitet e kanë bërë të vetën. Ka nga ata që më njohin, po nuk flasin, me mendimin se nuk arrijnë dot të lajnë detyrimin e krijuar për jetën e shpëtuar. Një herë po peshkoja te Plazhi i Ri. Atje dikur ishte dhe një mol prej druri rreth 70 metër i gjatë, i futur në  thellësi. Në hyrje ishte afro dy metër i thellë dhe në fund  afro pesë metër. Në vere aty afër hapej dhe një kamp pionieresh. Kampistët vinin e laheshin në anë të detit, por kishte dhe nga ata që guxonin të vinin deri te moli. Më e keqja  ishte se nuk dinin  not,  mandej nga ata që nuk qene larë asnjëherë në det. Shpesh shikonin moshatarët qe hidheshin e notonin dhe e provonin edhe ata.  Një dite unë kisha hedhur grepat dhe po prisja mos binte ndonjë peshk, kur bërtitën disa njerëz: -Po mbyten! Ndihmë! Ndihmë!

     U hodha me shpejtësi në ujë.  Ishin dy fëmije.  Nuk pata problem, ishte afër  për t’i nxjerrë. Ata, ishin zverdhur, pak nga frika, pak nga uji që kishin pirë. Mbas një jave, të dy fëmijët, njeri 13 dhe tjetri 14 vjeç, erdhën e me gjetën. Mu hodhën të dy në qafë. Në fillim u habita, pastaj i njoha, i përqafova me dashuri dhe mu bë qejfi dhe u kënaqa shumë. Fëmijët nxorën nga xhepi nga 20 lekë e mi dhanë. Qesha me ta, po mu be edhe qejfi, ua ktheva leket mbrapsht, mirëpo ata nuk donin.

    -Ne nuk patëm më shumë, të lutemi, na fal, -më thanë të mërzitur. Me zor i morën leket mbrapsht.

     -Te lutemi, na thuaj çfarë të pëlqen që ta sjellim… Mendja më shkoi te ish oficeri i sigurimit…

  Një dite, kur isha duke peshkuar, pa ngrënë mëngjes, më kishte marrë uria keq se as darke nuk pata ngrenë. Kur vinë ata dy fëmijët.

Hej, -mik, -erdhëm ne, -më thane, -çfarë do që të sjellim? Nuk ikim pa porositur…      Pa  u menduar gjatë, u thashë:  «Po mundët, më sillni pak bukë».

Ata ikën gjithë qejf. Të nesërmen, para se të futeshin në det, me prunë një kanotiere te mbushur me copa buke. I falënderova me shpirt  dhe u thashë: «Tani  jemi barabar, mos ejani më këtu. Unë do t’ju dua përgjithmonë. Ju falënderoj me shpirt». Ata ikën duke shikuar nga pas, nuk e di se çfarë mendonin. Unë hëngra buke dhe atë qe teproi  e shpura në shtëpi. Mbas dy ditësh më vjen një shok i djemve dhe më thotë se fëmijët që më kishin sjellë bukë, donin t’i përjashtonin nga kampi, se i kishin dhëne bukë një «armiku te popullit», po përfituan se dhe dy dite kamp kishte dhe do të iknin në shtëpi. Mbas dy ditësh ata ikën në Berat dhe  nuk u pame më.  Po Drejtori vigjilent u dërgoi në shtëpi edhe në shkollë motivacionin për atë «krim» që kishin bërë.

U përmenda nga këto kujtime dhe u nisa për në shtëpi. Rrugës  kalonin fshatarë. Askush nuk fliste. Disa kthenin kokën enkas që të mos më flisnin. Ne, kishim biografi te keqe, ndaj diçka duhej të paguanim.

Më së fundi më duket se shpëtova, Ndërmarrja e Bonifikimit, bëri një kërkese në Komitet se i duheshin saldatore, ndaj më kërkuan edhe mua. Bëra atje plot punime shume të mira, kështu që  e justifikova interesimin. Më vonë kalova prapë me Ndërmarrjen e Montimit të Tiranës.  Punova në Ballsh, më vonë në PVC-Vlorë, ku bëra disa punime të rrezikshme dhe speciale, një prej të cilave ishte dhe  oxhaku metalik i Fabrikës se Çimentos, mbi 50 mera i larte, që askush nuk e kishte marrë përsipër. Më pas kalova me gjithë brigadën në Metalurgji dhe se fundi, po për arsye politike, më dërguan të punoja me plot shokë si unë, …në bujqësi. 

Dhe finalja:…prej Frutores – në Çikago, në Amerike, në një nga qytetet më industrial të SHBA-ve. Fillova pune si saldator. Mbas nja dy vitesh u ktheva për pushime në Vlorën time të dashur, qe nuk e ndërroj me asnjë vend në Botë, në veçanti Skelën e mrekullueshme, që nuk e gjen askund. Çdo pëllëmbe e saj, diçka thotë për mua.

Një darke isha ulur në një  lokal tek Plazhi i Ri. Lokali ishte në anë të detit. U ula në verande, ku dukej mjaft mirë deti dhe Skela ime e dashur. S’kishte gjë më të bukur. Deti ishte i qetë, dallgët përplaseshin ngadalë në breg, një pamje mahnitëse, që të jepte kënaqësi të veçantë.

Kisha humbur ne këtë atmosferë, kur dëgjoj një zë:

-Zotëri, na lejoni të ulemi edhe ne këtu?  Ishin katër vete, një grua dhe tre burra. Ktheva kokën drejt tyre.  

-Ju lutem, ka vende plot këtu afër, -u them.

 -Po, -tha burri që foli edhe me parë, -po ne duam të rrimë me ty, zotëri. I pashë me vëmendje.  Mu duk se nuk i kisha parë ndonjëherë. Dukeshin të qeshur, po pak të ndrojtur. Ata nuk e dinin si do vinte ky takim që ndoshta ishte  më interesanti.  Burri përsëriti lutjen, duke mu drejtuar në emër. Këmbëngulja e tij më bëri përshtypje.    

 -Urdhëroni, uluni, -u thashë. Ata këtë prisnin dhe u ulën pa e zgjatur më tej. 

-Zoti Memisha, shume pak ke ndryshuar që kur të kam parë për herë të fundit, hapi bisedën me i madhi prej tyre. 

-Të lutem, mund të prezantoheni, unë nuk ju njoh. 

-Ke shumë të drejtë, na fal, -vijoi bashkëbiseduesi duke u ngritur në këmbe dhe, me sytë gati në të lotuar, pa më thënë asgjë më shumë, mu hodh në qafë.  Për inerci, i hodha edhe unë dorën në qafë. Kur u shkëput nga përqafimi, me tha: «Tani po, do te prezantohemi: Unë jam Luan Zamani, djali që  vite më parë po mbytej në det dhe ti e shpëtove, ja atje poshtë, afër Akademisë; këta të  dy janë djemtë, kurse kjo është gruaja ime». Në çast mu kujtua gjithçka kishte ndodhur në atë kohë.

-Po, -i thashë, -më kujtohet dhe e di pse ke ardhur.

-Pse?! -pyeti i çuditur.

 -Atë dite, që të nxora ty nga deti e të çova në spital, harrova këpucët buzë detit dhe nuk i gjeta më, kështu qe sot do të më kesh prurë këpucët, -iu përgjigja me të qeshur dhe u dhashë dorën të katërve.

-Tani që më gjetët, më takon t’ju qirasë. Porositni çfarë të doni. Në tavoline erdhi kamerieri, i cili mu drejtua:

-Paske ardhur usta Memua?…Te priftë e mbara….pijet e para i keni nga unë, kurse të tjerat i kanë porositur këta, -dhe u drejtua nga Luani.

-Çfarë shkolle ke mbaruar? -pyeta Luanin.

-Inxhinieri mekanike, -ma ktheu. Në këtë kohë vijnë dy kamerierë dhe e mbushin tavolinën plot me pije e ushqime. Gjithçka po kalonte për bukuri. Kisha kohë që nuk e kisha ndjerë veten kaq mirë. Luani u ngrit në mes të darkës, por unë nuk e lejova dhe ai mu bind. Me pas, mori gotën me pije dhe u ngrit në këmbë. Duke mu drejtuar mua, tha këto fjale:«Sot është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Jemi «njohur» kur unë isha 15 vjeç, kurse sot mbush 56 vjeç. Edhe pse s’jemi takuar për 41 vjet, asnjëherë nuk të kam hequr nga mendja, te kam ndjekur kudo ku ke punuar e kënaqesha kur të shihja sa shume luftoje për jetën. Shumë herë jam matur të të flas, po nëna më lutej që të mos e beja atë veprim, se do ta merrte vesh babai e ku do të futeshim pastaj. E mora vesh se je kthyer nga Amerika, e dija edhe se këtej do të të gjeja, se ti nuk i je ndare kurrë Skelës. Mora me vete gjithë familjen, që edhe këta të të njohin».

U ngritën të katër në këmbe dhe u përqafuam si miq të vjetër. Falënderuam Zotin e madh që i rregullon kaq bukur gjërat, siç ishte dhe ky takim, sa i papritur aq edhe domethënës. Pas asaj dite me Luanin dhe familjen e tij kemi lidhur një miqësi shumë të mirë dhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me njeri-tjetrin.

Vlorë, më 25.07.2019

Nga Libri “PENDIMI’

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha Gjonzeneli-Tregim-Armiku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 896
  • 897
  • 898
  • 899
  • 900
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT