– Bisedë me organizatorët e kësaj nisme. Ata janë banues në Uashington DC dhe i përkasin feve të ndryshme por i bashkon Shën Nënë Tereza e shqiptarizmi.
Dielli iu bëri disa pyetje dhe ja përgjigjet e tyre.
1. Përshëndetje miq* Leida, Bona, Denis dhe Merita …
Siç është njoftuar në rrjetet sociale , Ju keni ftuar gjithë shqiptarët në zonën e Uashington DC të jenë të përfshirë në veprimtari të ndryshme kushtuar Shënjtëreshës Nënë Tereza. Kemi lexuar se ju aty keni shpallur Muajin e Nënë Terezës duke filluar nga 5- shtatori deri në 12 tetor 2019. Kjo iniciative është përkrahur nga shumë persona.
A mund të përcillni për lexuesit e Diellit më shumë detaje rreth këtyre veprimtarive ?
Përgjigje : Përshëndetje për të gjithë lexuesit e Diellit dhe miqtë e Diellit. Sic dihet Nënë Tereza është figurë me përmasa botërore, një nga shenjtoret moderne që njihet në cdo vend me motra anembanë globit dhe me reputacion të pakrahasueshëm për nga frytet e punës për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Një grup shqiptarësh këtu në zonën tonë, morën iniciativën për t’i bërë thirrje komunitetit për të nderuar jetën e veprën, figurën e shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Vendosëm që meqë festa e saj është 5 Shtatori dhe në Shqipëri festa zyrtare është 19 tetori, ne menduam që gjatë këtyre ditëve të bëjmë dicka , sado të vogël, pro me dashuri për nderimin e jetës e veprës së saj. Prandaj e kemi shpallur si Muajin e nënë Terezës.
2- Mund të ndani me lexuesit tanë kalendarin e veprimtarive?
Përgjigje:Veprimtaritë e planifikuara janë kryesisht takime për të mbledhur ndihma për njerëzit në nevojë.
Duke marrë parasysh shtrirjen gjeografike, menduam që pikëtakimet
për mbledhjen e ndihmave, të jenë afër zonave të banuara nga shqiptarët, vende
publike lehtësisht të aksesueshme në zonën e Merilendit, Virginas dhe DC.
Menduam po ashtu të bëjmë disa aktivitete në disa data të ndryshme që tu
japim mundësi të gjithëve që duan të kontribuojnë, të përfshihen.
Kemi
zgjedhur për të ndihmuar disa organizata bamirëse që ndihmojnë ata që kanë
nevojë më shumë. Këto janë:
Organizata SHARE që ndihmon si me ushqime me veshmbathje, mjete higjenike dhe me mobilje.
Po ashtu është edhe organizata “Loudoun Hunger” që ndihmon ata që nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Po ashtu edhe një organizatë që ndihmon me fëmijët e bebet e porsalindur në zonën e Virxhinias Veriore ” Birthright”. Kjo organizatë shpërndan ndihma kryesisht për fëmijët . Listat e nevojave të këtyre organizatave janë vendosur në njoftim dhe janë detajuar nevojat në emailed dhe ngjarjet në rrjetet sociale.
Komuniteti ynë, sipas dëshirave dhe mundësive planifikon të marrë pjesë në aktivitetet e Misionareve të Bamirësisë në Uashington DC. Meshat dhe shërbimet ndaj të varfërve që këto murgesha bëjnë janë të përditshme por me rastin e Ditës së Nënë Terezës ato e kanë ndarë në tri pjesë aktivitetin duke filluar më datën 4 Shtator me meshë në orën 10 e shërbim ndaj nevojtarëve më pas, Meshë me Ipeshkvin me datën 5 , dhe Meshë e festë me datën 7 Shtator .
Me datën 12 Tetor ne do të bëjmë një peligrinazh shpirtëror nga ora 10-12 paradite në Bazilikën e Shenjtores Kombëtare të Shën Marisë në Uashington DC, ku ka prezencë të theksuar të imazheve e statujave të Nënë Terezës dhe të Zojës së Shkodrës. Për besimtarët aty do të mbahet edhe Meshë . Të gjithë Janë të mirëpritur.
3- Çfarë ofrohet për komunitetin dhe besimtarët në këto veprimtari?
Përgjigje:Përveç shërbesave fetare për besimtarët, do të ketë takime mes miqsh, pjesëmarrje në përgatitje e shërbime ushqimi e biseda me ata që kanë nevojë. Gjithashtu në çdo takim do kemi edhe biseda që bëjnë më të njohur jetën e veprën e Shënjtores Nënë Tereza dhe njohje me nevojat lokale të komuniteteve të ndryshme që kanë nevojë për ndihmë. Do flasim për këto organizata që shërbejnë në rrethinat tona dhe do të bisedojmë për të ardhmen se si ta mbajmë gjallë komunikimin dhe veprimtarinë e kësaj natyre.
4-Sa krenarë dhe sa të motivuar ndjehen shqiptarët për Shënjtëreshën Nënë Tereza?
Përgjigje:Shqiptarët janë të gjithë të motivuar! Sa kanë dëgjuar kanë shprehur dëshirën të marrin pjesë. Po ashtu ndjehen edhe krenarë. Kur dikush flet për Nënë Terezën ndjenja e shqiptarisë bie shumë në sy! Ne kemi një model e thesar të rrallë tek Shën Nënë Tereza!
Motoja e saj: “Bëje një gjë të vogël me dashuri të madhe” le tê na frymëzojë edhe ne.
5- Përveç nderimit të Shënjtëreshës Terezë ç’mision tjetër do të kenë këto veprimtari: Nderuse, përkujtimore, bamirësie ?
Përgjigje: Të gjitha bashkë, të nderojmë e kujtojmë Nënë Terezën, të edukojmë për rrënjët e saj shqiptare, të mësojmë prej saj dhe me sa kemi mundësi të ndihmojmë ata që kanë nevojë . Që të marrësh duhet të japësh më parë dhe ne duam të japim sadopak. Amerika na ka dhënë kaq shumë dhe duam të japim sadopakëz , aq sa mundemi këtu ku jemi.
6- Cili është mesazhi që Ju i përcillni përmes Diellit komunitetit shqiptar në Washington e rrethina?
Përgjigje:Diellit i themi faleminderit që egziston dhe që pasqyron veprimtaritë e shqiptarëve prej 110 vitesh. Si gazeta më e vjetër shqiptare i urojmë shekuj jetëgjatësie. Komunitetit tonë i përcjellim mesazhin e paqes dhe dashurisë, urime për festën e shenjtores shqiptare dhe bashkohuni nismës sonë për të nderuar sadopak Shenjtoren tonë, Nënë Terezën, motrën e gjakut tonë.Për më shumë informacione shihni në faqet e komunitetit shqiptar në D.C. në facebook ngajrjen: “ The Month of Mother Teresa”….(DIELLI