• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NË ZGJEDHJE, VETËSHPËRNDAHET KUVENDI

August 22, 2019 by dgreca

-PRITET DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË/

-Kosova drejt zgjedhjeve, Kuvendi 120 anëtarësh votoi vetëshpërndarjen me 89 deputetë pro. Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës së Kosovës duhet të mbahen brenda 45 ditëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Gusht 2019/ Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh pak më parë votoi vetëshpërndarjen me 89 vota pro dhe sot a nesër Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Pritet që 6 tetori 2019 të jetëdata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, sipas burimeve të shtypit të sotëm të Prishtinës. Në momentin e votimit për vetëshpërndarje në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin 106 deputetë.

“Shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ishte në axhendën e seancës, ku fillimisht u ratifikua me 103 vota pro Marrëveshja Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Para seancës së sotme, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka pritur dje në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku  është biseduar për përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit te partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Në takim u bë e ditur se në KQZ tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit.

Kosova shkon në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, pasi në 19 korrik 2019, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e 111-të të qeverisë që nga zgjedhja e tij, njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për intervistimin  që u zhvillua në 24 korrik.

Kuvendi i Kosovës që sapo u vetëshpërnda kishte këtë përbërje të grupeve parlamentare: Lidhja Demokratike e Kosovës 25 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lëvizje Vetëvendosje 19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 12, Partia Social Demokrate 12, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 8 dhe Grupi 6+ (i komuniteteve pakicë) 6. Ndërsa, pa grup parlamentar janë 5 deputetë.

Në mbledhjen e paralajmëruar për 26 korrik 2019 qeveria e Kosovës në detyrë nuk ka proceduar me rendin e ditës, por vetëm ka diskutuar për ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit e më pas nuk është mbajtur asnjë mbledhje tjetër.

Qeveria  e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën para më pak se dy viteve – në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.Me kryeminitër Haradinajn, Qeveria e Kosovës në bilancin e punës së saj ka edhe dy mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë – në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta,  dhe në 26 nëntor 2018 në Pejë, e cila ishte e pesta. Këto dy mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë pasonin të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytën në Tiranë në 23 mars 2015 dhe  të tretën në 3 qershor 2016 në Prishtinë.

***

SË SHPEJTI DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

-Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/

PRISHTINË, 19 Gusht 2019- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Nga Presidenca sot na u dërgua kjo Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.

Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri.

Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Vetshperndahet Kuvendi-Kosova ne zgjedhje

Shqiptarë ne shqiptarë ata

August 22, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Si është e mundur që Kosova shkon në zgjedhje të reja, kurse shteti amë thellë e më thellë në kriza të tjera? Çfarë ka ndryshe mes mentalitet politik shqiptar në shtetin amë dhe në shtetin e dytë apo atë më të riun për shqiptarët? Çfarë ka brenda gatitjes intelektuale midis shtetarëve këtej dhe andej kufirit, një vije të cilën na i vazhdën të tjerët, por që ne po e ngjyejmë akoma më shumë me ca trarë a sportele të çuditshme? Shqiptarë ne shqiptarë ata? Shkurt dhe thjesht, pas dorëheqjes së kryeministrit Kuvendi i Kosovës sapo u shpërnda dhe vendi do shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Kjo për faktin se numri një i qeverisë u thirr nga gjykata e Hagës. Dorëheqja në këtë rast nuk ishte domosdo akt i detyrueshëm për vendin, por sfidë normale aq e domosdoshme për shëndetin e demokracisë. Për më tepër që Kosova nuk ishte në krizë ekonomike, kësisoj qeveria qe në rregull. Nuk ishte dhe është në krizë politike me skandale përgjimesh për vjedhje elektorale, përfshirje personash publik në afera fondesh a bashkëpunime me kartelin dhe trafikun e drogës. Nuk ishte në krizë për shkak të djegies publike të mandateve në një masë 99% nga opozita. Nuk ishte dhe nuk është në krizë institucionale qeveri, president, institucione  deri komisionerësh. E vetmja sfidë e saj qe ajo e vendosjes së një takse maksimale karshi Serbisë, e cila nuk u hoq pavarësisht trysnisë nga jashtë përfshi këtu edhe qeverinë shqiptare apo qeverinë e shtetit amë, por që nuk solli debat publik. Nuk ishte dhe nuk është as në krizë sociale. Eshtë në unison si shoqëri, nuk është e ndarë sa të ketë luksin të debatoj një tentativë për rrahje publike midis një pronari lokali dhe një pushuesi të huaj, duke harruar 100% një fatalitet publik nga ca skela me kate ku humbën jetën disa qytetarë bash në kryeqytetin e vendit etj. Në Shqipëri debatohet për nervat e Mihalit dhe pushuesin e huaj, për fadromat që prishin me zell propogande, kur duan dhe çfarë të duan, ashtu gjoja pa e kuptuar asnjëherë se njëshat po bëjnë spastrime nga armiqtë e klasës. Dhe çfarë nuk diskutohet në Shqipëri dhe për çfarë nuk luftohet deri tek aforizma a fluturon apo jo pata e pjekur? Në Shqipëri shteti është bërë kërrmë megjithatë zgjedhjet nuk çohen nëpër mend. Demokracia kryekërrmë, por dorëheqje a zgjedhje të reja nuk ka. Çfarë na dallon pra? Çfarë na ndanë? Kam përshtypjen ndonjëherë se edukata shtetarë vjen edhe nga koha. Dhe sipas gjasave koha jonë, koha e një shteti të rrudhur në diktaturë paska qënë më e qelbur se ajo e shqiptarëve nën diktatin e të huajve. Si me thënë se shqiptarët në Kosovën e uzurpuar nga Serbia kanë mësuar diçka nga bërja e shtetit. Kurse shqpitarët e uzurpuar nga komunistët, nga shqiptari për shqiptarin, kanë mësuar dhe janë bërë rob të një strategjie të vetme, se si të shqyejnë njëri-tjetrin.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Shqiptarë ne shqiptarë ata

…Bukuria nuk është në fytyrë, por një dritë në zemër…

August 22, 2019 by dgreca

Fragmente, Khalil Gibran*/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)

Ju flisni kur pushoni të jeni në paqe me mendimet tuaja.
Nëse e doni dikë, lëreni të shkojë, sepse nëse kthehet, do të jetë gjithmonë i juaji. Nëse jo, nuk do të ishte kurrë.
Pemët janë poezi që toka shkruan mbi qiellin;
Nga vuajtjet kanë dalë shpirtrat më të fortë; personazhet më popullorë dallohen nga plagët.
Koha ka treguar që dashuria nuk e di thellësinë e saj deri në orën e ndarjes.
Një ditë do të më pyesni se cila është më e rëndësishme? Jeta ime apo e jotja? Unë do të them e imja dhe ju do të ikni duke mos ditur se ju jeni jeta ime.
Kur jeni përsëri në trishtim në zemrën tuaj, do të shihni që në të vërtetë po qani për atë që ka qenë kënaqësia juaj.
Bukuria nuk është në fytyrë, por një dritë në zemër.
Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj, por janë fëmijët e Jetës që dëshirojnë vetë.
Kam gjetur lirinë dhe sigurinë në çmendurinë time; liria e vetmisë dhe siguria nga të kuptuarit, për ata që na kuptojnë, skllavërojnë diçka nga ne.

——
*Khalil – gjithashtu “Kahlil”, siç e përdori për të nënshkruar emrin e tij në anglisht – Gibran, (1883 – 1931) ishte shkrimtar, poet dhe piktor libanez-amerikan. Ai gjithashtu konsiderohet filozof edhe pse vetë kurrë nuk e pranoi këtë titull.
Lindur në një fshat të malor të Libanit, atëherë nën sundimin osman, në një familje të krishtere. Gibran emigroi me nënën dhe motrat e tij në Shtetet e Bashkuara në 1895. Më 1904, vizatimet e Gibranit u shfaqën për herë të parë në Boston, dhe libri i tij i parë në arabisht u botua në vitin 1905 në New York. Me ndihmën e një burse, Gibrani studioi për arte në Paris më 1908-1910. Ndërsa ishte atje, ai u përfshi në qarqe për nxitjen e kryengritjes në Perandorinë Osmane pas Revolucionit xhonturk; librat e tij u ndaluan përfundimisht nga autoritetet osmane.
Gibran vdiq në New York në moshën 48 vjeç. Shkaqet ishin cirroza e mëlçisë dhe tuberkulozi, si pasojë e alkoolit. Gibran filloi të pinte seriozisht gjatë dhe pas botimit të Profetit, vepra e tij më e njohur. Disa vjet para vdekjes, ai u mbyll në banesën e tij, larg vizitorëve dhe u dha pas pijes. Gibran shprehu dëshirën që të varrosej në Liban. Kjo dëshirë u përmbush në vitin 1932, një vit pas vdekjes.
Gibran nuk ishte aspak politikan.
“Nuk jam politikan, as nuk dëshiroj të bëhem i tillë. Më kurseni nga ngjarjet politike dhe luftrat për pushtet, pasi e gjithë toka është atdheu im dhe të gjithë njerëzit janë bashkëatdhetarët e mi”. (Gibran)

Filed Under: ESSE Tagged With: Khalil Gibran-Astrit Lulushi, Shqiperim-Fragmente

GRATË E PËRNDJEKURA TË DUMRESË

August 22, 2019 by dgreca

Film dokumentar mbi gratë e përndjekura në komunizëm dhe ekspozitë arkivore e përndjekjes së Sigurimit në Dumre/

Film dokumentar mbi gratë e përndjekura në komunizëm dhe ekspozitë arkivore e përndjekjes së Sigurimit në Dumre/

Belsh, 21 gusht 2019– Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Belshit, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, Kujto.al, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive vijoi arkivitetet e javës përkujtimore “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”, në Belsh, organizuar në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

I vendosur në shëtitoren e Belshit, në prani të komunitetit vendas dhe të ftuarve të ardhur nga i gjithë vendi, takimi u hap nga znj. Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH, e cila u shpreh se “detyra jonë qytetare dhe institucionale është hedhja dritë në të shkuarën dhe krijimi i mundësisë që zëri i viktimës të dëgjohet, historitë e tyre të bëhen të njohura dhe të vendosen në kontekstin e kohës kur jetuan, krahas dosjeve që Sigurimi krijoi për ta e për familjet e tyre, që ruajnë qasjen e makinerisë së pushtetit ndaj “armiqve të popullit”.

Ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH mbi persekutimin komunist në zonën e Dumresë, me dokumente mbi përndjekjen e ish-të internuarve dhe grave të burgosura politikisht në Kosovë, prezantoi dhjetëra dosje të përndjekjes së Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në zonë apo të grave të burgosura, mes të cilave Tefta Tasi, Asamble Hatibi, Laura Keqi, Fatbardha Qorri, Emine Shima, Fatime Dega, Fatime Hoxha, Fatime Reka, Rukije Pame, Xhuljeta Cuka, shumë prej të cilave, për herë të parë. 

Materialet prej disa mijëra faqesh u vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë, dosje përpunimi, hetimore-gjyqësore, regjistra, relacione dhe statistika që kanë të bëjnë me survejimin e elementit “armik” në zonë, të internuar dhe të burgosur. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Të interesuarit mund të plotësojnë formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente. 

Në vijim u shfaq filmi “Gratë midis dhunës dhe stigmës në komunizëm”, i realizuar nga Fiona Todhri dhe Matilda Terpollari, mbi profile të grave të dënuara politikisht gjatë komunizmit, me materiale të vëna në dispozicion nga AIDSSH.

Mes tyre, Tefta Tasi, historia e së cilës rrëfehej nga Lekë Tasi, i vëllai; Nurie Ndreu, e cila tregon kalvarin e vuajtjeve në kërkim të të atit; Fatime Dega, që ndërroi jetë prej pak javësh dhe Taipe Pire, ish-gardiane e burgut të grave në Kosovë, ku vetëm 10 përqind ishin të dënuara politike, të përziera me gratë e tjera të dënuara për krime ordinere.

Aktiviteti vijoi me bashkëbisedim të hapur mbi përndjekjen, demokracinë dhe qasjen tek e vërteta, me një panel ku diskutuan Lekë Tasi, që solli përjetimet personale për komunikimin me të motrën e dënuar dhe fakte e të vërteta mbi persekutorët e saj; Fiona Todhri, pedagoge, realizuese e filmit, e cila u shpreh mbi shtysën për të realizuar një film për gratë në diktaturë; Fatbardh Doko e Liljana Herri, ish-të internuar në fshatin Dragot e në Fierzë të Belshit që sollën përvojat personale të së djeshmes e gjurmës së saj në të sotmen dhe Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm i AIDSSH, i cili bën një pasqyrë të përndjekjes së Sigurimit në zonë, duke trajtuar materialin arkivor të shfrytëzuar nga Autoriteti për takimin e Belshit, konkretisht dosjet e Tefta Tasit, “Shtriga” mbi Asamble Hatibin dhe dosjen e Fatime Degës, e dënuar në shkelje të rëndë në moshë të mitur.

Bashkëbisedimi vijoi me komente të z. Uran Kostreci, ish-i dënuar politik, z. Nebil Çika i SHAPP dhe përfaqësuesve të komunitetit vendas, që theksuan nevojën për zbardhjen e së vërtetës dhe nderuan vuajtjen fisnike të të pafajshmëve në diktaturë. 

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.

Filed Under: Featured Tagged With: Autoriteti-Grate e Dumrese-Perndjekja e Sigurimit

NDËRRON JETË VETERANI I ARSIMIT DHE I UÇK-së BEHXHET JASHARI

August 21, 2019 by dgreca

–Kryeministi Haradinaj: Behxhet Jashari, shembull i një edukatori dhe patrioti shqiptar/

Behxhet (Sahit) Jashari 
(16.08.1945 – 20.08.2019)

Ndërroi jetë sot – më 20 gusht 2019  në Vushtrri, në moshën 74 vjeçare,  Behxhet Jashari, pedagog dhe drejtues në institucione arsimore mese 45 vjet, luftëtar i lirisë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Varrimi bëhet nesër – më 20 gusht 2019  në ora 13 në fshatin e lindjes – Strofc të Vushtrrisë, njofton familja.Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nesër në mesditë prej orës 11:30 në Sallën e Kuvendit të Komunës, mbahet mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari.

B

KUSH ISHTE MESUESI VETERANB

Behxhet Jashari ishte mësues-mësimdhënës e pedagog, drejtues në institucione arsimore dhe këshilltar në Entin Pedagogjik të Kosovës, pjesë e lëvizjes e luftës për liri dhe pavarësi dhe e një familje luftëtarësh për liri brez pas brezi, fëmia më i madh i babait Sahitit, që ishte partizan i Brigadave të Shqipërisë.

Në  vitet ’90-ta Behxheti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku luftoi përkrah me të birin e tij ushtar, Gëzimin, i cili u nda nga jeta më 2007. Trashëgoi pushkën e vëllaut dëshmor, Xajës, duke u rreshtuar në luftën kundër forcave okupatore serbe përkrah shumë luftëtarëve – familjarë, nipa e mbesa, kushërinj dhe  luftëtarëve nga gjithë Kosova e viset tjera shqiptare.

Në vitin e madh të lirisë 1999, luftëtari i lirisë, që ishte pedagogu i parë i Ortakollit, iu rikthye arsimit, ku për rreth 45 vjet dha kontribut profesional e akademik për shkollimin shqip në Kosovë.

Veprimtarinë akademike e profesionale, menjëherë pas përfundimit të luftës, e vazhdoi si drejtor i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, duke kryer punë shembullore dhe vënë themele në rimëkëmbjen e sektorit të arsimit në nivel komune.

Më vonë ai u kthye pranë nxënësve, si mësimdhënës e pedagog, punë të cilën e bënte me dashuri e përkushtim. 

Nga viti 2008 e deri në pension, Behxheti ishte drejtor i shkollës fillore “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri, ku pos punës profesionale udhëhoqi edhe procesin e zgjerimit të shkollës. 

Behxhet Jashari lindi fshatin Strofc në 16 gusht të vitit 1945. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, Normalen e kreu në Mitrovicë, ndërsa arsimin universitar në Prishtinë.

Në kohën e okupimit e masave të dhunshme, përkundër kërcënimeve dhe përndjekjes, Pedagogu, siç e thërrisnin familjarët, bashkëpunëtorët e të tjerë,  refuzoi të largonte gjuhën shqipe nga shkolla, nuk u nënshtrua për asnjë moment, e madje edhe largoi serbishten, e cila u provua t’i imponohej dhunshëm.

U përndjek, u rrah e torturua nga ish regjimi, por veprimtarinë e tij nuk e ndali kurrë. Të fortë e mbante ideali dhe vetëdija për rëndësinë e arsimimit të brezave të rinj në gjuhën shqipe, në frymën e atdhedashurisë.

Pas pensionimit, shumicën e kohës Behxheti e kaloi në fshatin e lindjes, Strofc, duke pritur shumë vizitorë, të rinj nga familja e më gjerë, e duke u dhënë këshilla e ngrohtësi dhe duke vazhduar të jetë gjithënjë mësues i shumë brezave…

***

Kryeministi Haradinaj: Behxhet Jashari, shembull i një edukatori dhe patrioti shqiptar

Kryeministi i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot shkruan në ‘Facebook’:

I prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të luftëtarit të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, Behxhet Jashari, nga Strofci i Vushtrrisë. Ai ishte shembull i një edukatori shqiptar dhe patrioti të përkushtuar, i cili iu përgjigj thirrjes për t’i dalë në mbrojtje Atdheut. Ngushëllime të sinqerta familjes Jashari dhe të gjithë bashkëluftëtarëve.

RH

Filed Under: Politike Tagged With: Veterani i Arsimit-Bexhet Jashari-Nderroi Jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 906
  • 907
  • 908
  • 909
  • 910
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT