• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY PORTRETE T’PAVDEKSHEM

August 15, 2019 by dgreca

Nga Fritz Radovani/

VRARë ME ■1927 – 5 Mars      ■1988 – 10 GUSHT
VETEM NË SHQIPNI: MBRETI AHMET ZOGU VARI PRIFTIN  DHE PRESIDENTI RAMIZ ALIA VARI MËSUESIN E PAFAJ…
Prifti e Mësuesi: Dy Figura të nderueme në të gjithë Boten e kulturueme!
Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) U var nga mbreti Ahmet Zogu, mbasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për traktatin e ashtuquajtun “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. ishte Ai që hapi shkollën e parë të përzime djelm-vajza, myslimanë e të krishtenë, Don Gjoni ishte deputeti i Opozitës kundër Zogut, u akuzue se kishte organizue kryengritjen dhe kishte shpërnda armë nëpër male e madje, edhe se kishte pre telin e telefonit!? U dënue me varje. Ekzekutimin e tij e përshkruen revista gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”.
(Këta pak rreshta janë marrë nga shkrimi i Danil Gazullit – 2011.)  
Mësuesi Havzi Nela (20 Shkurt 1934 – 10 Gusht 1988)Shkruen pak ditë para varjes një shenim:”Vdekja për liri nuk më tremb aspak. Si e duron robninë zemra e një trimi?” – Sa domethanëse janë këto pak fjalë të dala nga zemra e një Mësuesi trim dhe i pafaj…E mos harroni se vrasësit e Tij, sot nderohen nga faqezijtë e droguem qeveritarë që drejtojnë shtetin.
Havzi Nela për “pushkë” kishte mendimin e Tij prej trimi dhe pena e artë e Tij, njeh vetem lirinë. Poezia e Tij asht zberthim i shkrepave të Maleve!
Vite perpara pata pyet per foto Shan Picin, si fotografon në ata fshatra se shka i sheh syni? Më thane se: “Shani shkonte si mysafir tek Prifti ose Mësuesi i katundit, dy personat ma të besueshem të fshatarve tanë…”
Prandej mbreti dhe presidenti ynë vrasës varen “Priftin dhe Mësuesin”…
E po ju dha rasa ata, do të vazhdojnë me trashigue nga gjaku i baballarve!
            Melbourne, 11 Gusht 2019.
Faksimile e vendimit te Presidiumit te Kuvendit Popullor per varjne ne litar te Havzi Neles.

Filed Under: Histori

ÇEZMA E FLORIRIT

August 15, 2019 by dgreca

NAUM PRIFTI*/

Voskopoja, një vend me dyzet kisha të ndërtuara e të zografisura prej mjeshtërve më të mëdhenj, është një fshat i vogël malor. Sa herë është prishur e sa herë është djegur! E përvëluan turqit në kohët e para, e rremëtisi tërmeti më vonë, e zhuriti greku dhe më së fundi e shkrumbiti në flakën e luftës edhe Italia.

Po ta soditësh Voskopojën nga kodrat e Shëndedëllisë ose të Shënprodhromit, e shikon ashtu gur mbi gur, e mplakur dhe e regjur para kohe nga rrebeshet që ka kaluar. Vetëm rrugët e gjera e të drejta, të shtruara me kalldrëm, e kanë ruajtur formën dhe bukurinë që kanë pasur një kohë, kur aty shkonin karvanat e udhetarëve e dëgjoheshin tringëllimet e argjenta të zileve të mushkave. Tri mëhallët me vila ndërtuar me gurë të bardhë e të skalitur, kopshtet e lulëzuar dhe penelet e ustallarëve daraviten bashkë me erën dhe shpërndahen si pluhuri mbi sofatet e zbrazëta përfund livadheve të lëna djerrë, ndërsa shkurret e drizat harlisen dalëngadalë, sikur përpiqen të fshehin nga sytë e njerëzve edhe kujtimin e fundit të asaj kohe. Aq sa dikur paskësh pasur kisha, sot mezi i ka shtëpia.

Veç në verë Voskopoja gjallërohet përsëri sepse atëhere, në kodrat përreth, bari gjelbëron, pishat ngrehin kryet përpjetë, janë të lumtura tek dëgjojnë së bashku me cicërimat e zogjve edhe zërat e pushuesve që vijnë për të veruar dhe pyjet e krojet janë deshmitarë të hargalisjeve të rinisë, të pëshpëritjeve në mugëtirën e mbrëmjes dhe të puthjeve të fshehta. 

Ka e s’ka fshatra me kroje, po kroje si ata të Voskopojës nuk gjen gjëkundi. Të duket vetja sikur je në mes të një shatërvani dhe ta kënda të pulitesh sytë e të ëndërrosh të ëndërrosh…E kush ua di numrin burimeve e krojeve të Voskopojës? Shtrugu i Vogël, Shtrugu i Madh, Zhombri Pashuta, Burimi i Thanasit, Kroji i Dembelit, Çezma e Bezhës, Çezma e Floritit dhe sa e sa te tjerë. Këta sikur kanë mbetur nga ajo kohë e largët. Me gurgullimën e këngës së tyre kanë mall të tregojnë ngjarje dhe rrëfime për lavdinë e kaluar që iku e u tret si tymi në qiellin e kaltërt.

Çezma e Floririt gjendet anës një përroi, përfund një livadhi, e fshehur, e tulatur si e hequr mënjanë dhe aty pranë rrijnë e i bëjnë hije dy shelgje pleq.

Po të ngulësh shikimin brenda në burim vëren disa grimca të vogla si flori i ronitur, të cilat, të ledhatuara nga drita e diellit, shkëlqejnë e vezullojnë si kristale dëbore. Rrëfenja thotë se janë grimca prej gjerdanit të gushës së Trëndafiles. Dhe ujërat e burimit rrjedhin e rrjedhin tatëpjetë, duke kënduar të njëjtën këngë të ëmbël e përkëdhelëse. Dhe natën Hënëza shikohet në burim si një pasqyrë e burimi parreshtur gurgullon pandalshëm dhe në këtë këngë sikur nanuriset tregimi për dashurinë e një kaçaku.

                                                                         ***

Dyqind e ca vjet përprara, Voskopoja ishte qyteti më i dëgjuar në këto anë, kishte shumë shkolla, shtypshkronjën e tij dhe një Akademi. Këtu kryqëzoheshin aso kohe karvanët e tregtarëve qe vej e vinin nëpër rrugët e pamatura të perandorisë otomane. 

Verës, tregtarët e pasur vinin të argëtoshesin e të dëfrenin në këtë vend klimaterik, të rrethuar me male të lartë ku ajri i pastër bije erë trëndelinë dhe rrëshirë. Po a thua se vetëm era e borigave dhe tufat e trëndelinës grishnin bandillët nga ana e anës? Boriga dhe trëndelinë kish edhe gjetkë. Po ky vend rriste ca sorkadhe, që të linje mend e kokës. Ngase ka pasur gjithmonë vajza të bukura shtat- bilonja, pa kanë dalë gjithë ato këngë për voskopojarjat

Më e bukura nga gjithë të tjerat e përmbi shoqet paska qenë çupa e Dhaskal Sotës. Dhe aq të bukur e kishte emrin sa ç’ishte dhe vetë. Trëndafile e quanin. Faqet e saj qenë të kuqe e të mbuluara me push të hollë si ato pjeshkët në qershor. Dhe kur kthehej vajza nga burimi ngarkuar me kënaçe, atëherë përmbi pushin e faqeve i ndritnin pikëzat e imta të djersës e dukeshin si vesa e mëngjesit mbi fletët e trëndafilit. Gushën e bardhë ia stoliste një gjerdan floriri. Dy gërsheta i derdheshin prapa që nga cepi i lahurisë qëndisur me oja e me zhizha gjer te beli. Kur shkonte ajo sokakut, majrat e gërshetave luanin valle e kërcenin me njëra-tjetrin.

Babai e kishte të vetme dhe e donte si dritën e syrit. Kur sillte ndër mend se po i afronte koha vajzës e një ditë duhej ta martonte e të ndahej nga ajo, atëherë pikëllohej dhe një e therrur i kalonte tej e përtej. Si do t’i dukej shtëpia pa Trëndafilen, si do të ulej në tryezë e si do t’i shkonte buka pa e pasur dritën e syve aty pranë?

Po vjen një ditë që pjeshka e pjekur dhe e mbushur me lëng, del nga fletët e pemës ku qendron fshehur, e duke zbuluar gjithë bukurinë e saj, duket sikur i thotë udhëtarit që kalon aty pranë:”Këputmë e futmë në gji!” Dhe sado e rëndë që të jetë ndarja e këputja nga pema, ajo e pret atë ditë me një gëzim të përmbajtur. E në mos e këputë njeri, ajo pikëllohet, tretet e bie vetë në tokë. 

Dashurinë s’e kish njohur Trëndafilja dhe jastëkun nuk e kish lagur natën me lotë të nxehtë nga gëzimi i takimit apo nga malli i ndarjes. Ajo i donte të gjitha me një dashuri naive e fëmijërore. Ajo donte edhe nënën, edhe babanë, edhe saksitë me karafile, edhe kecërit me ato leshra të buta si kadife, por dashurinë e madhe s’e pat njohur e zemra për trimin s’i kishte rrahur.

Njëherë, veç njëherë, kur Trëndafilja ishte dymbëdhjetë vjeçe, qe tronditur dhe kish mbetur si e mbërthyer në vend nga vështrimi i syve të një kaçaku që pat ardhur në shtëpinë e tyre.

Ai e kishte parë në krye të shkallëve dhe që andej i kish thërritur Dhaskal Sotës:


-Jotja kjo çupë, o Dhaskal?

-Imja, – i qe përgjigjur ai.

-Shiko, ma ruaj mua se e paske shumë të bukur. Ta dish po s ’ma dhe, do të ta rrëmbej, – dhe si kish thënë këto fjalë, përsëri kish vështruar me ata sytë e tij të zjarrtë Trëndafilen që rrinte si e zalisur mbështetur pas parmakëve.

Ajo në fillim e pa me frikë e pastaj me inat, si gjithë vajzat e vogla, kur u zënë ngoje martesen. Dhe nga turpi u bë në fytyrë si ato lulëkuqet e arave. Ndenji atje në krye të shkallëve me kënaçen në duar dhe me ndrojtje në zemër se mos kaçaku kthehej e thoshte edhe ndonjë fjalë tjetër.

Po kaçaku s’tha më tepër. Veç, kur i kaloi përpara, u mat e zgjati dorën si të donte ta përkëdhelte në faqe, pastaj u pendua, dora e zgjatur u ngrit gjer në takije si për ta përshëndetur, i buzëqeshi dhe zbriti tatëpjetë shkallëve. Xhufka e zezë e takijes i tundej me fodullëk mbi mëngoret e anterisë dhe maja e myllit që i arrinte gjer te kocinari i këmbës, i kërciste duke u përpjekur pas basamakëve të shkallës. Pastaj kaçaku iu afrua doriut, i kërceu mbi shalë dhe kali, duke ndjerë se kish përpara rrugë të gjatë, hingëlliti e turfulloi. Patkonjtë e doriut nxorrën shkëndija kur u përpoqën në kalldrëmin e oborrit e doriu me kalorësin u nisën si shigjeta në shenjë. Trëndafilja pa vetëm xhufkën e takijes që u tendos prapa si pendë shqiponje dhe pluhurin e hollë që ngrihej atje ku shkelte kali. U duk jo sikur iku, po sikur kish fluturuar. Dhe oborri mbeti i qetë e i shkretë dhe Trëndafilja ndjeu se diçka i mungonte dhe atë që i mungonte iu duk se ia kish marrë ai kaçaku me vete. Ah po, ai i kish rrëmbyer zemrën.

                                                            ***

Kishte pritur ato ditë se mos e shikonte, por më kot. Kaçaku s’ishte dukur. Dhaskal Sota mbante lidhje të ngushta me kaçakët që kishin ngritur krye kundër Turqisë dhe ata hynin e delnin atje shpesh. Shumë vinin, shumë iknin, veç “ai” s’dukej.

Trëndafilja i shikonte me bishtin e syrit. Ajo dëshironte të pyeste për atë, të dinte prej nga ishte, ku ndodhej tani, po ku i gjenden gjurmat kaçakut e si të pyesësh për një njeri që nuk i di as emrin?

Kaluan vite dhe tronditja e parë eTrëndafiles kish mbetur si një vegim i largët dhe nuk e dinte në i kish ndodhur vërtet, apo e kish parë ëndërr. Ajo punonte gjithë ditën e duke punuar qeshte e këndonte e tok me të qeshte gjithë shtëpia, qeshnin edhe saksitë e luleve, qeshnin edhe ujërat e burimeve aty në përrua. Veç në mes të këtij gëzimi të thjeshtë e të kësaj qetësie shpirtërore, i kujtohej kaçaku dhe e merrte malli për atë vështrimin e tij fodull e çapkën.

E ku t’i shkonte asaj në mendje, se një ditë do të takohej me të pa pritur e pa pandehur! Po jeta kështu e ka: herë na rrëmben lumturinë që e kemi në duar dhe herë na e sjell këtë lumturi nga an’e anës, në mënyrë të pakuptuar.

Një pasdreke në burim tek po mbushte ujë, dëgjoi trokun e një kali që ngjitej shtegut të përroit. Vajza vazhdoi të mbushte ujë dhe as e ktheu kokën ta shikonte, kurse kalorësi me t’u afruar në burim, ia shtrëngoi frerin kalit dhe ia mbajti vrapin.

Shikon kalorësi në burim fytyrën e vajzës dhe habitet. A është vasha me të vërtetë kaq e hijshme sa ç’tregon burimi apo ujërat e gënjejnë? Ai kërkon t’i shohë fytyrën, ndaj i flet pa zbritur nga kali:

-E kujt je mos gjeraqinë?

Vajza nuk i përgjigjet. Faqet i skuqen prej turpit, ngreh pakëz kokën e i hedh një vështrim vjedhurazi kalorësit. Atëhere, pa dashur e pa e kuptuar se përse, një drithërimë i përshkoi gjithë shtatin. Iu duk sikur atë vështrim krenar e çapkën dikur e kish ndeshur, sikur ata sy diku i kish parë… “O Zot, mendoi, mos është ai?”  dhe kur i njohu në faqen e djathtë atë nishanin e zi, atëherë gjithë dyshimet iu davaritën e iu duk se zemra do t’i fluturonte nga kraharori.

Trëndafilja e kryqëzoi edhe njëherë vështrimin me kalorësin, psherëtiti lehtë-lehtë e përsëri uli kokën. Bucelat të mbushura me ujë po prisnin aty në diell e Trëndafiles nuk i bënin duart t’i merrte e të ikte. Ajo me merak në zemër mendonte: “Vallë a do të më njohë?”

Kalorësi qëndronte hipur në kalë. Takijen e kuqe me xhufkë të zezë e kishte shtyrë pakëz prapa dhe mbi ballë i binte një baluke edhe ajo e zezë si pendë korbi. Edhe sytë e tij të zinj ndritnin e shkreptinin. Lëshoi frerin e doriut se zemra ia donte të këmbente dy fjalë me këtë drenushe mali. Duke përkëdhelur lelën e kalit, u var nga vajza dhe i foli, po këtë radhë si me të lutur:

-Moj fëllënxë e malit, jepmë një pikë ujë sa të lag gërmazin!

Vajza përsëri nuk i foli. U ul, mori bucelat, i hodhi në krahë e u mat të nisej. Kalorësi e vuri re, kërceu nga kali dhe i shpejtë si falkua, ia zuri rrugën tej e tej.

Atëhere i foli vajza me një zë të perënduar:

-Zot më ler në punën time se im atë po më pret.

E kalorësi i përgjigjet duke vënë buzën në gaz:

-Pa më dhënë një pikë ujë unë rrugën s’ta liroj.

-Ujë? – e pyeti vajza si e çuditur. –Në do ujë, ja tek e ke burimin. Aty është edhe më i freskët.

-Gjithë jetën kam pirë ujë burimeve e krojeve, po tani dua të pi prej duarve të tua, dua të pi nga bucela jote.

Trëndafilja u mendua e pastaj me turp e ndrojtje i zgjati bucelën.

“Sa t’i jap të pijë e do të iki… Ai s’më njohu dhe siç duket as ka për të më njohur. Ai më ka harruar.”

Duart e kaçakut u zgjatën e morën enën, kurse sytë e tij nuk iu ndanë bukuroshes. E ktheu bucelën si të ishte pllockë vere e piu e piu, pa ia ndarë sytë. Si u ngop e shtrëngoi bucelën për gjoksi e ndejti i menduar. Diç mundohej të kujtonte. Ku i kishte parë këta sy, ku e kishte parë këtë nur? Asgjë s’i binte ndër mend…

Trëndafilja e përmendi nga këto ëndërrime.

-Zot, ma kthe bucelën se m’u bë vonë dhe në shtëpi më presin.

-Bucelen do të ta kthej po ç’do të më falësh si kujtim?

Trëndafilja ndriti vetullat përpjetë me fodullëk e iu përgjegj krenare:

-Skam ç’të të fal, se jam vajzë e vajzat s’falin gjë.

Kaçaku mbeti ngushtë, ngriti dorën, përkëdheli atë balluken që i kish dalë nga takija dhe i foli:

-S’qenke vetëm e bukur, po qenke edhe e zgjuar, moj sorkadhe e malit. Ta dish që unë s’do të ndahem ty…

Psherëtiti Trëndafilja e duke përmbledhur gjithë fuqitë e saj guxoi të thoshte:

-Pa kujtoju mos i ke dhënë fjalë ndonjë tjetre!

Ngriu kaçaku në vend dhe më t’ju errësua ai vështrimi i syve të zezë dhe një re trishtimi i kaloi përmbi ballë. Dielli perëndoi prapa malit e pylli i pishave përkundrejt u duk me i errët e hijerëndë. Ranë kambanat e kishës së Shën Prodhromit e dy harabela të trembur erdhën e u tulatën në fletët e shelgjeve. Kaçaku e ndjeu që e humbi davanë dhe duke tundur kokën, foli ngadalë:

-Ik, moj fëllënxë, ikë. Po ta dish që s’do të ndahem. Unë do të të rrëmbej – do të hedh në vithe të kalit e do të shpie në kaliven time.

Trëndafilja iu përgjegj me krenari:

-As më rrëben dot e as më prek dot. Unë jam e bija e Dhaskal Sotës.

Atëhere kalorësi ndejti i menduar. Fërkoi me gjishtërinj majën e mjekrës dhe duke kujtuar atë vajzën e mitur të Dhaskal Sotës, që e kish takuar në parmakët e shkallës, i tha:

-Dhaskal Sota një vajzë që ka e ka akoma të vogël. – Shikoi sytë e Trëndafiles, shikoi edhe gushën e saj dhe sikur u përmend. Ishin po ato tipare të asaj njomces, veç më të pjekura, më të gjalla e më të ndezura nga gjaku i rinise që i vlonte ndër deje. – Po në është e vërtetë ajo që the dije se atëherë je e zgjedhura ime.

Vajza vuri buzën në gaz e i kërkoi bucelën.

-Merre bucelën, po unë një nishan e dua që ta quaj veten të fejuar me ty…

-S’kam çfarë të të jap.

-Nëm unazën tënde që ta kem peng për dashurinë tonë e të të përgjërohem se unaza do të më dalë nga gishti, atëherë kur të më dalë edhe fryma e fundit.

Trëndafilja shikoi duart e saj fërkoi unazën me gisht e sikur u mat ta nxirrte. Pastaj tundi kokën e i foli kaçakut e vendosur:

-S’ta jap dot, o trim i malit. Po t’më pyesin në shtëpi pse s’e kam unazën, çfarë t’i them nënës, çfarë t’i them tatës?

-Thuaji nënës që të humbi tek po mbushje ujë.

-Jo, o trim, s’i gënjej dot, se jam vajzë shqiptare.

Kali hingëlliu sikur kjo përgjigje ta kishte gëzuar, kurse kalorësi psherëtiu.

-Nëm byzylykun e dorës…

-Jo, o trim nuk ta jap dot. Kot e ke që më vardisesh.

Sa më shumë krenare tregohej vasha aq më shumë i pëlqente kaçakut. 
Nuk ish vetëm e bukur e zgjedhura e tij, po edhe trime.

-Nëm gjerdanin e gushës. Do ta mbaj si hajmali, ia këtu, në gjoksin tim.

-Jo o trim, nuk ta jap dot. Në më pyetë nëna, në më pyetë tata, si t’i them unë e shkreta?

-Thuaju tek mbushnje ujë, ta rrëmbeu shqiponj’ e malit.

-S’jam e zonja të gënjej, o trim, se me të hapur gojën e di që do të më kuptojnë.  Dhe po qe se ti më do vërtet, ashtu sikurse thua, atëherë nuk më mëson t’i gënjej, se sot gënjej ata e nesër ty.

Kjo përgjigje më shumë e gëzoi se sa e çuditi. Ai hapi krahët e thërriti:

-Të gjeta ashtu si të ëndërroja, moj drenushe. Tani, në daç më jep nishan, në daç mos më jep, ti je imja që tani e gjer sa të më regëtijë zemra në kraharor. Betohem për tokë e për qiell, se nuse tjetër nuk e kapërcen pragun e shtëpisë sime. – E, duke thënë kështu, bëri dy hapa përpara, i mbërtheu të dy supet e Trëndafiles që dridhej e tëra si fleta e plepit, e tërhoqi pas vetes dhe e puthi me ashk e me zjarr si natën e parë të martesës. Dhe Trëndafilja mbështetur kokën në gjoks të tij, qante. Qante nga gëzimi, nga dashuria, nga diçka që e ndjente thellë në shpirt, po s’e dinte si ta shfaqte. I dukej sikur duke qarë fliste e sikur lotët e saj thoshnin të atilla gjëra, që as goja e as zemra s’i shfaqnin dot.

-Pse qan, moj bukuroshe? – e pyeti kaçaku, duke ndjerë një dhembje në shpirt dhe duke mos ditur në kish bërë mirë a keq  që ish sjellë kështu me vashën.

-Qaj se të kam pritur… – iu pergjegj ajo.

Trëndafiles i shkonin lotët çurg dhe donte të shtrëngohej pas tij se i dukej sikur gjente mbrojtje e përkrahje, nga një e keqe që i kanosej. Duke futur kokën në gjirin e tij, ndjente atë erë e atë amëz të veçantë, që kishte trupi i kaçakut.

Ai ia fshinte lotët, që i shkisnin nëpër faqe me mëngën e bardhë të tallaganit e mezi mundi ta pushonte. Pastaj të dy u ulën rrëzë shelgut e kuvenduan gjer e gjatë.

Aty muarën vesh se që të dy e kishin dashur njëri tjetrin, qysh atë ditën e takimit në parmakët e shkallës dhe këtë çast të lumtur e kishin ëndërruar në këta vite që kishin jetuar larg.

Aty dëgjoi Trendafilja fjalët e para të dashurisë, e duke i dëgjuar e ndjente zemrën të dehur e të velur nga lumtëria. I dukej se ngazëllimi i buronte në shpirt si ujërat e burimit e zemra i thoshte se ky çast nuk do të kishte të mbaruar. Po kur hodhi sytë e pa në shalën e kalit dy jataganë që vareshin tatëpjetë dhe grykën e pisqollës së kuqërremtë nga rrezet e Diellit atëherë gëzimi iu turbullua dhe u përmend.

-E përse i mban gjithmonë këta jataganë me vete? Trembem kur të shikoj kështu.

E trimi iu përgjegj krenar:

-Jam kaçak mali. Dhe kaçaku pa armë është si luani pa kthetra e ca me keq. E di si jemi ne kaçakët? Si e thotë ajo kënga:

“Jastëk kanë gurët,

Përflënj kanë gunët,

Bie bora i mbulon,

Bie shiu i zbulon,

Bie dielli dhe i ngron…”

-Armët na duhen si buka e si kripa. Tani jemi pak, po kemi shpresë të bëhemi shumë, të ngrihemi të gjithë më këmbë dhe atëherë turku do ta ketë keq. Madje, ai na e ka frikën, prandaj ka vënë koshadhet që të na ndjekin këmba këmbës. Dhe përse na ndjekin? Se duam të jemi zotër në shtëpitë tona.

Tej, luginat u errësuan dhe që andej dukej sikur dilte e shkiste vjedhurazi muzgu i mbrëmjes. Ranë përsëri kambanat e manastirit të Shën Prodhromit. Hënëza lart në qiell sa vinte bëhej më e ndritshme dhe drita e saj e argjentë zbriti tek fletët e shelgut që fëshfëritnin nga flladi i erës dhe burimi dukej si i ndezur nga një tufë rrezatimesh të padukshme që ndriçonin ëmbëlsisht. Doli dhe ylli i mbrëmjes duke vezulluar midis drurëve të kreshtës së malit dhe kur po ndaheshin ai e pyeti:

-Nesër a do të vish në burim?

-Do të vij dhe e mjera unë, s’do më pritet gjersa të ngryset.

Gjithë atë javë ata takoheshin te burimi, sa fillonte të ngrysej dhe aty prapa shelgjeve, putheshin e përqafoheshin plot dashuri. Dhe Heneza në qiell e ujërat e burimit qenë dëshmitarë për dashurinë dhe lumturinë e tyre të shkurtër. Më e shkurtër se lulëzimi i trëndelinës në verë, më e shkurtër se jeta e manushaqes. Ajo zgjati në jetën e tyre aq sa zgjat vetëtima.

-Kasollja ime nuk është aq e pasur sa shtëpia e t’yt eti, po dashuria ime do të të mbajë ngrohtë. A do të vish?

-Ku të duash ti do të vij. Edhe në një shpellë mali, veç tok me ty të jem.

Kaçaku atëherë u hepua nga kali, i përkëdheli gërshetat, e puthi në buzë dhe i la fjalë se do të kthehej ta merrte pas një jave, kur të delte hëna e re dhe ajo le ta priste aty në burim.

Pastaj u nis për rrugë e u bashkua me shokët që po e prisnin mbanë pyllit.

Koshadhet e turqve i ndiqnin kacakët shqiptarë, dhe kaçaku u vra në luftim dhe s’mundi ta mbante fjalën e dhënë. E vdiq me merak në zemër. Mbështetur në trungun e një pishe, u la amanet shokëve që të vinin e t’i jepnin mandatën së fejuarës së tij, që po e priste në një nga burimet e Voskopojës. E kur po jepte frymën e fundit, ngriti sytë në qiell e pa si nëpër mjegull dy shqiponja që endeshin lart, duke bërë rrathë të mëdhenj. Dhe atyre u la amanet:

“Mos shqiponja krahë- bardha,

Hamëni, moj ç’të më hani,

Vetëm sytë mos m’i çponi.

Se jam trim e më shëmtoni.

Në pyetë nën-ja për mua,

Ju t’i thoni, u martua.

Në pyete se ç’nuse mori,

Dy-tre plumba pas kraharori.

Në ju pyetë keq e keq,

Thojini moj ja tek vjen…”


Shikoi pishat e larta, ktheu fytyrën nga lindja për t’iu falur Diellit për herë të fundit dhe pastaj si i lodhur e i kapitur mbylli sytë përgjithmonë.

                                                            ***

Trëndafija priti te burimi, sipas fjalës, të shtatën ditë gjer u err. Por trimi nuk i erdhi. E priti ditën tjetër, sa leu dielli e gjersa majë kreshtës së pyllit u var drapri i hollë i Hënës. Dhe duke pritur qante nga malli e nga dhimbja e nga kobi i zi që ndiente në zemër. Dhe duke qarë, e gjetën shokët e kaçakut, por ata s’i thanë gjë se pandehën se dikush tjetër do ta kish lajmëruar përpara tyre për mënxyrën, kurse vajzës nuk i kish thënë asnjeri përveç zemrës së saj. Lotët e saj derdheshin te ujërat e burimit dhe vaji drithëronte shelgjet, sa që ata me zemrën të lënduar, ulnin degët përmbi Trëndafilen dhe me gjethet e tyre mundoheshin t’i fshin lotët. Nga të qarët m’ iu tret gishti e i ra unaza, iu tret dora e i ra byzylyku, iu tret qafa e m’i ra gjerdani i gushës. Ra dhe u ronit e u shkri në burim, sikur të paskësh qenë prej dëbore.

Dhe vasha qau e qau, sa u tret e sa u mpak, dhe kur iu duk se në ujërat e burimit pa fytyrën e kaçakut duke i buzëqeshur, nuk u mendua po u hodh e ra në fund të burimit, si guri në pus. Ra e humbi pranë atij burimi ku kish njohur lumturinë më të madhe, njohu edhe dhembjen më të thellë.

I ati i saj, Dhaskal Sota, për kujtim të së bijës ndërtoi aty një çezmë, që gjindet edhe sot e kësaj dite.Ditën që ka rënë Trëndafilja në burim, thonë se fletët e shelgjeve aty pranë frushullojnë me të madhe e burimi nxjerr një zë si ngashërimet e një vajze.

****

*Rrefimi Çezma e Floririt u botua ne vitin 1955 ne vellimin me tregime me te njejtin titull. Pershkrimi dhe gjuha ligjeruese te mbeten ne mendje pavaresisht nga koha kur e ke lexuar. Kete vere, ne saje te dy miqve te respektuar te familjes, udhetuam per here te pare ne Voskopoje. Kur po vizitonim Kishen e Prodhromit e pyetem shoqeruesen nese ishte ende burimi me emrin Cezma e Floririt. Ajo tha se e kishin rindertuar dy-tre vite perpara dhe ne stinen e pranveres ishte vend i preferuar per piknik. Ishte rreth dy ore larg nga qendra e Voskopojes dhe ciceronia premtoi se do dergonte fotografi. 

Duke pare fotot nga vendi i Çezmes se Floririt pas gjashte dekadave te botimit dhe mbi 7,500 km larg saj, babai buzeqeshi ndersa ne iu lutem te na e lexonte tregimin edhe nje here. 

E falenderojme editorin e Diellit qe po e sjell tek ju.   .

*Rafaela Prifti- Vajza e shkrimtarit Naum Prifti, Editore per gjuhen angleze ne Gazeten”DIELLI”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Profit-Çezma e Floririt-Tregim

SHQIPËRIA NË NJË POZITË TË VËSHTIRË DIPLOMATIKE…

August 15, 2019 by dgreca

  • A ËSHTË NË RREZIK KRYESIA E SHQIPËRISË NË OSBE PËR VITIN 2020?/

Nga Frank Shkreli/Media të ndryshme njoftuan të mërkurën seOrganizata për Siguri dhe Bashkëpunim nëEvropë (OSBE) ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndërmjetësuarnë dialogun politik me qëllim për të tejkaluar krizën që prej disa muajsh tani ka paralizuar Shqipërinë. Nuk është e qartë nëse palët shqiptare do të pranojnë një gjë të tillë, por cilado që do të jetë përgjigja e tyre ndaj kësaj oferte nga OSBE-ja, mbetet për tu parë se cili do të jetë përfundimi. Por ajo që mbetet e paqartë është fakti se cili do të jetë efekti i mos zgjidhjes së konflikteve të mbrendshme të klasës politike shqiptare me marrjen se Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria, ashtu siç pritet, vitin që vjen.

Do të jetë shumë e vështirë dhe do të kërkojë aftësi të jashtëzakonshe diplomatike për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë që të mbrojë dhe të arsyetojë, jo vetëm gjëndjen konfliktuale politike që ka pllakosur vendin por edhe situatën dhe problemet e përgjithshme në Shqipëri, përfshirë ndër të tjera korrupsionin, lirinë e fjalës dhe të medias– me objektivat të cilat Shqipëria ka ofruar–dhe për realizimin e të cilave është zotuar të punojë si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020.   Se si do të pajtojë Shqipëria gjëndjen e krijuar në vend me standardet e OSBE-s dhe me prioritet që ka paraqitur Tirana për Kryesinë e saj në OSBE vitin që vjen, është e vështirë të parashikohet, me përjashtim të ndonjë mundësie ose më mirë të themi mrekullie, që në Shqipëri të tejkalohet ngërçi politik aktual.

Shqipëria merr Kryesinë e OSBE-së nga Sllovakia më 1 Janar, 2020.  Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka premtuarse Shqipëria do të ofrojë një, “Kryesi aktive, efektive dhe të fuqishme” në OSBE, në vitin 2020!   Në fillim të korrikut, Ministri shqiptar paraqiti para Këshillit të Përherëshëm të OSBE-së në Vjenë disa prej prioriteve më të rëndësishme të vendit të tij, në kapacititetin e Kryetarit të OSBE-së për vitin 2020.   Sipas portalit të Ministrisë së Jashtme shqiptare, Gent Cakaj është angazhuar se, thënë në mënyrë të përgjithshme, Kryesia Shqiptare për vitin 2020 do të përqëndrohet në këto përparësi:
“a) dimensionin politiko-ushtarak:
Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve në përgjithësi; vëmendje e veçantë do t’i kushtohet krizës në dhe përreth Ukrainës, trajtimi i mëtejmë i konfliktit në Nagorno-Karabakh, adresimit të pasojave të konfliktit në Gjeorgji dhe vazhdimit të Procesit të Negociimit për Transdniestrian;
Fuqizimi i rolit të gruas në proceset e paqes, në kuadër të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; adresimi i rreziqeve transnacionale, nga lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm deri tek siguria kibernetike; lufta kundër të gjitha formave të trafikimit, veçanërisht trafikimit të qenieve njerëzore;
b) dimensionin ekonomiko-mjedisor:
Lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i mirëqeverisjes në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm; ruajtja e mjedisit prej krimeve transnacionale; stimulimi i balancës midis pastërtisë mjedisore dhe politikave zhvillimore;
c) dimensionin njerëzor dhe të lirive themelore:
Promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së; afirmimi i universalitetit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.  Në fund, vlen të theksohet se rinia do të jetë prioriteti ndër-dimensional i Kryesisë Shqiptare dhe do të ketë rol qëndror në angazhimet e saj”, është zotuar në emër të qeverisë së tij, Ministri Genc Cakaj.

Janë objektiva me vend këto dhe në përputhje me objektivat dhe standardet ndërkombëtare, por jo gjithmonë në përputhje me zbatimin e këtyre të drejtave mbrenda Shqipërisë. 

 Gent Cakaj duke paraqitur më 11 korrik, 2019 në Vjenë përparësitë e programit të Shqipërisë për Kryesinë e OSBE-së, për vitin 2020.

(USOSCE/Gower) 

Jo më larg se djeditën e mërkurë, në një kronikë të veçantë, Zëri i Amerikës njoftoi se në Shqipëri komuniteti i gazetarëve, shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) po kundërshtojnë me forcë projektin e qeverisë Rama për shpifjen, një projekt plan që dhunon lirinë e fjalës, sipas ekspertëve vendorë dhe të huaj.   Sipas Zërit të Amerikës, kritikat kryesore lidhen me atributet e reja të Autoritetit të mediave audiovizive, që merr rolin e gjykatës.  Siç dihet një ndër shtyllat kryesore të lirive bazë të njeriut që mbron dhe promovon OSBE-ja, është pikërisht liria e shtypit.

Mbetet për tu pa si do të mbrojë dhe të promovojë lirinë e shtypit Shqipëria, në kapacitetin e saj si kryetare e OSBE-së, ndërkohë që vet OSBE-ja dhe gazetarët shqiptarë shprehën shqetësimiet e tyre serioze me planet aktuale të qeverisë Rama – jo për të promovuar dhe për të mbrojtur lirinë e medias, që është një ndër misionet prioritare të këtij enti ndërkombëtar –por për të forcuar edhe më shumë kontrollin e saj mbi të drejtën e ushtrimit të fjalës së lirë.

Kjo është një sfidë e madhe për diplomatët shqiptarë, por jo e vetmja.   Ministri Cakaj u zotua, në Vjenë në fillim të Korrikut se ndër të tjera, Shqipëria si kryetare OSBE-s, do të angazhohet edhe për “parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve”.  Mori përsipër se do të “luftojë korrupsionin”, se do të angazhohet për “dimensionin njerëzor dhe të lirive themelore”, për “promovimin e tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së” dhe “për afirmimin e universalitetit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”dhe se “Rinia do të jetë prioriteti ndër-dimensional i Kryesisë Shqiptare”, ka thekësuar kryediplomati shqiptar në Vjenë.   Vlera dhe objektiva fisnike këto kur merren seriozisht!

Pasi Shqipëria përballet me shumicën e këtyre sfidave në vendin e vet, ndërkohë që, fatkeqsisht, nuk ka treguar asnjë mundësi as vullnet për tu marrë me këto probleme në nivel kombëtar, do të jetë e vështirë që Tirana zyrtare të bind vendet anëtare se Shqipëria do të ketë besueshmërinë e nevojshme për tu marrë me zgjidhjen e këtyre sfidave në nivel ndërkombëtar të zonës së OSBE-së, për të ofruar zgjidhje të tyre, ndërkohë që nuk është e aftë të merret me to në shtëpi të vet.   Për më tepër, sidomos kur nuk tregon asnjë vullnet të mirë e serioz për tu marrë me këto çështje, në rend të parë.   Zgjidhja e konflikteve do të jetë gjoja në krye të prioriteteve të Shqipërisë si kryetar e OSBE-së.   Është konflikti i mbrendshëm dhe mungesa e tolerancës në Shqipëri që po pengon gjithçka, e dikush mund të pyes kur s’je për vedin si mund të jesh për të tjerët!

Unë dëshiroj ta shoh Shqipërinë të parën kudo dhe kurdoherë, sidomos në fushën ndërkombëtare.   Si rrejdhim, është kënaqësi për ta parë Shqipërinë si kryetare të OSBE-së.   Shpresojmë që për arsye të konflikteve të mbrendshme dhe të problemeve të tjera me të cilat përballet sot Shqipëria, përfshirë lirinë e medias, korrupsionin dhe keq qeverisjen –Shqipërisë të mos i mohohet Kryesia e OSBE-së.  Por, jam i sigurt se asaj do ti nevojiten aftësi të mëdha diplomatike të llojit të Kissingerit, për të bindë OSBE-në për seriozitetin dhe vullnetin e saj për tu marrë me këto çështje, pikëspari në vendin e vet e pastaj edhe në vendet e OSBE-së.   Ministri Cakaj ka siguruar Këshillin e Përherëshëm të OSBE-s në Vjenë se, “Demokracia e Shqipërisë është e aftë për t’u përballur me sfida të tilla”.  

Diplomacisë Shqiptare i uroj sukses drejtë këtij qëllimi, por mbetet për tu parë në të ardhmen nëse Shqipëria do t’i ketë aftësitë diplomatike dhe besueshmërinë e nevoejshme të vendeve anëtare që të dalë me sukses për herë të parë, në krye të një detyre të lartë në nivel ndërkombëtar, siç është Kryesia e OSBE-së.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli- Shqiperia- OSBE

PRESS RELEASE THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA “VATRA”

August 15, 2019 by dgreca

PRESS RELEASE THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA “VATRA”/

VATRA denounces the actions of Albania’s government employing symbolism that jeopardizes the European future of the country and its people/

VATRA calls upon Prime Minister Edi Rama to commence strengthening the relations with the United States, reaffirming these ties as demanded by the Albanian people and to turn away from symbolism that endangers our Western oriented goals

Currently, under official information darkness, the general public was briefly informed about the dedication at Tirana’s Park of a memorial honoring the Turkish citizens who lost their lives in the turmoils of July 2016 in Turkey. The public was offered no arguments in the decision-making process. The flagrant lack of accountability and transparency of this action highlights the practices followed by the governmental institutions that serve at the pleasure and for the benefit of the leadership, contrary to and outside of democratic norms.

The Pan-Albanian Federation of America “Vatra” was founded by the coryphaei of the modern Albanian thought, Noli and Konitza, due to the historic necessity of urging and materializing the separation from the Ottoman multi-centennial darkness while aligning Albania with the West, as its rightful place.

At this juncture, VATRA denounces publicly and distances itself firmly from the recent event and suchlike attempts at symbolic representation that aims to satisfy an agenda decried by Albanians for over a century. We invite Albanian political entities, regardless of their affiliation that, surprisingly, are standing by, to adhere to the position of civic groups.

Pan-Albanian Federation of America VATRA has not ceased to express publicly and privately to American institutions, the grave concerns it has with

regard to the state of democracy in Albania in all its components. The last incident however sends dangerous messages as far as the optics for a wider strategic partnership.

We call upon Prime Minister Edi Rama to commence immediately the tightening of the relations with the United States, reaffirming these ties as demanded by the Albanian people and to turn away from symbolism that endangers our Western oriented goals.​

Filed Under: Opinion Tagged With: Vatra- Pres Release

QEVERIA RAMA DHE PËRGJEGJËSIA KOMBËTARE

August 15, 2019 by dgreca

  NGA ASLLAN BUSHATI/                                                                                                                                                                                     

Në zhegun e këtij gushti, sikur të mos mjaftonin problemet e grumbulluara e të mbingarkuara nga Qeveria Rama, papritur, panjoftuar e pakujtuar na doli  në Kodrat e Liqenit artificial si “fanti spathi”, (memoriali i viktimave të grushtit të shtetit të dështuar turk të 15 korrikut 2016) . Inaugurimi i të cilit qenkësh bërë më 15 korrik 2019, nën  një heshtje të plotë mediatike, por me praninë e Bashkisë Tiranës, disa të “ashtuquajtur përfaqësues të shoqërisë civile” dhe të Ambasadës Turke në Tiranë.

 Për këtë problem tashmë kanë folur  shumë intelektualë, një pjesë e masmedias, qytetarë të ndryshëm me komentet e tyre në rrjetet sociale, por këtu në SHBA janë poziciunuar fort dhe qartë: VOA (Zëri i Amerikës), Vatra, gazetari i mirnjohur Frank Shkreli dhe shumë analistë e intelektualë shqiptaro-amerikanë. Në këtë vazhdë do të dëshiroja edhe unë të shprehja  disa mendime parë  nga aspekti i përgjegjësisë së shtetarit për problemet kombëtare.

Në gjykimin tim, (por besoj se  edhe për  99.99% të  shqiptarëve), partnerë strategjik të Shqipërisë janë SHBA-ja dhe BE-ja. Ka qenë (dhe shpresoj të jetë kështu edhe tani në Dokumentin e Sigurisë Kombëtare), sepse ky përcaktim ka qenë boshti orientues strategjik  i Shqipërisë  pas rënies së shtetit totalitar. Shtoj këtu se edhe në dokomentet e Mbretërisë Shqiptare, madje edhe të  shtetit totalitar, Turqia nuk ka qenë përcaktuar asnjëherë  si partner strategjik.

 Mirpo Edi Rama  në emër të Qeverisë së tij, që në prezantimin e parë të saj , cuditërisht  deklaroi si partner strategjik edhe Turqinë?!  Në këto kushte shumkush  filloi  të pyeste:  si, qysh, tek, nga ndodhi ky përcaktim i ri? A mundet që një njeri i vetëm (qoftë ky edhe kryeministër), apo një qeveri e vecantë, të ndryshojë synimet e drejtimet strategjike të vendit pa qenë në kohë lufte, situate e jashtzakonëshme, emergjence kombëtare, e aq më pak pa një diskutim të gjërë e vendim parlamenti?

Ky ridimensionim  me drejtim  nga Turqia i Edi Ramës e Qeverisë së tij (parë nga shumë këndshikime): diplomatike, ekonomike, ushtarake, etike, morale, e mbi të gjitha historike),  a bie ndesh me frymën, qëndrimet dhe vlerësimet amerikane? A është pro apo kundër Amerikës  madje dhe BE-së?.

Pse Edi Rama për shembull nuk ngriti tek ish Kisha e Shënprokopit ( Kodrat e Liqeni) një memorial për viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri, për të rënët e Kombit Shqiptar në ish Jugosllavi ose më e pakta për  dëshmoret e luftës për clirimin e Kosovës (UCK-së)? 

Shkojmë më tutje. Në atë vend ,që është nga më të rëndësishmit e Tiranës,  pse Edi Rama nuk ngriti  fjala vjen, një memorial kushtuar të rënëve  të Kombit Amerikan në Luftën e Dytë Botërore, Vietnam, Irak, Afganistan etj, por ngriti për viktimat e një “grushti shteti” në Turqinë e Erdoganit? Po cdo të bëhet me grushtin e ardhëshën të  shtetit pas Erdogan,( se Turqia ju a ka marrë dorën këtyre formave ), do të ngremë memorial tjetër turk atje?

 Turqia otomane , ne shqiptarët na mbajti nën thundrën e pushtimit për gati peseqind vjet, duke mos bërë asnjë investim në trojet shqiptare, por vetëm duke i cvatur ato. Madje ndaloi të flitet shqip në të gjitha mjediset jashtë derës së shtëpisë dhe nuk lejoi hapjen e asnjë shkolle shqipe, kurse për të tjerët (grekë, serb, malazes, boshnjakë, bullgarë, rumunë, moldavë, azerë, etj), investoi për hapjen e shkollave në gjuhet e tyre amtare. Ne sot nuk jemi nën autonominë e Turqisë, por jemi shtet i pavarur që prej 107 vitesh. Pse kjo servilosje ndaj “Sulltanit neootoman” Erdogan?

Kurse Shtetet e Bashkuara të  Amerikës, me Presidentin Uillson, në Lidhjen e Kombeve  e mbrojti Shqipërinë nga coptimi ( kujto Konferenca e fshehtë e Londrës 1915) . Ndërsa Presidentët: Xhorxh H Bush, Bill Klinton e Xhorxh W Bush, i vunë vijën e kuqe Milloshevicit, e sulmuan ushtarakisht  atë dhe e shkatërruan përfundimisht, duke  cliruar  dhe më pas duke njohur pavarsinë e Kosovës.

Gjatë fushatës  për 30 qershorin e 2019-tës, Edi Rama nuk la kundërshtar të tij pa etiketuar si haxhiqamil . Po kush është më haxhiqamil ,me brekushe  e deklarata për “Babë Sulltanin” Erdogan se Edi Rama. Kush i ngre memorial atij në Tiranë dhe kush i shkon në dasma për fëmijët dhe për vizitë në pushimoret personale? Edi Rama apo kundërshtarët e tij politik.

Kam një familjar timin që sa herë del në ekranin e TV-së Kryetari i Bashkisë së Tiranës thotë:”doli ky llapaqeni i Edi Ramës”. Por ky “llapaqeni” para disa ditësh  u përpoq ta kalonte skandalin e memorialit turk duke thënë se :”Tirana është zemër madhe dhe ka vend për të gjithë…e mos i dëgjoni ata të lodhurit nga vapa”. Po për larje paresh të pista të veprimtarisë kriminale ( që ti me shefin tënd e bën cdo ditë ) a ka vend Tirana? Për ato PPP-të që glojnë korrupsion, për  rrugët e pallatet shumë katëshe me parat e drogës  a ka vend Tirana? Po për ty llapaqen a ka ndonjë vend bosh tek 313-ta  që ti bësh fresk Edi Ramës  edhe prapa hekurave se s’mund të ndahesh prej tij?

E kam thënë edhe në disa shkrime të tjera, por po e përsëris edhe sot se: nuk kam qenë e nuk jam dakort me ngritjen e varrezave greke të Luftës italo-greke në tokën shqiptare.  Eshtrat e të rënëve  në këtë konflikt, duhet të prehen në vendet e tyre. Ashtu sic bënë italianët (edhe gjermanët) që i morën në vendet e tyre , duhet të bëjnë edhe grekët. E them këtë se ne si komb nuk i dhunojmë varret edhe të armiqve, por ata provokojnë situate të pa këndëshme për të ardhmen. Këtë gjë mund ta provokojë edhe memoriali turk i ngriturpa asnjë arsye në Shqipëri.

Përsa i përket zgjedhjes së Turqisë si partner strategjik i Shqipërisë, kjo është vetëm një iluzuon në kokën e sëmurë të Edi Ramës, dhe s’mund të bëhet  kurrë realitet. Shqiptarët janë me SHBA-në e BE-në, janë me përendimin dhe qytetërimin  perendimor. Neootomanizmi nuk mund të gjej asnjë portë shqiptare të hapur(pervec asaj te Edi Rames) .Kush gabon strategjikisht e ka të sigurtë humbjen.Ky është ligj lufte i provuar gati në pesëmijë vite qytetërim.

Filed Under: Histori Tagged With: Asllan Buushati-Qeveria Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 912
  • 913
  • 914
  • 915
  • 916
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT