• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veseli: S’ka më kryeministër me qira

August 8, 2019 by dgreca

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij nuk përkrah një qeveri teknike dhe se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza. Veseli, i cili mban postin e kryetarit të Kuvendit, ka thënë se PDK-ja, ia ka dhënë dy herë postin e kryeministrit partive tjera, siç ka thënë ai me qira, dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në këto zgjedhje. Duke folur gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Veseli e ka quajtur këtë legjislaturë si të papërgjegjshme. Ai ka thënë se ai është duke folur hapur për gabimet që i ka bërë partia e tij. “Gabimet të cilat i ka bërë Partia Demokratike e Kosovës, unë jam duke i sanuar”, ka thënë Veseli.

Radio Evropa e Lirë: Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka marrë vendim për mbajtjen e seancës më 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit. Ka pasur deklarata se deri në këtë datë mund të ketë tendenca për formimin e një qeverie teknike. A do të pranonte PDK-ja diçka të tillë?

Kadri Veseli: Është e vërtetë, ka pasur oferta që të vazhdohet ky mandat deri në vitin 2021, me mandatar për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht vetë mua, ka pasur edhe oferta nga partitë të cilat tentojnë në opinionin publik të flasin për zgjedhje shumë të shpejta të parakohshme. Por jo, kjo nuk do të ndodhë për vetë faktin se në rrethanat në të cilat është Kosova aktualisht, qytetarët e meritojnë një qeverisje e cila do t’i drejtonte në një rrugëtim të zhvillimit të perspektivës, luftës kundër korrupsionit, këto janë prioritetet më të mëdha në Kosovë, punësimi dhe lufta kundër korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, në momentin kur Kosova është e fuqishme ekonomikisht, mund të ballafaqohet edhe me Serbinë, në këtë moment më së shumti i duhet legjitimiteti qytetar, çdoherë kur kemi dyshime në vete duhet t’iu drejtohemi qytetarëve, ky ka qenë vendimi im, ndoshta dikë e ka befasuar, por besoj te qytetarët dheduhet të shkojmë në zgjedhje, meqenëse këto zgjedhje janë edhe një lloj referendumi për rrugën në të cilën do të shkojë Kosova në katër vitet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë oferte ka qenë?

Kadri Veseli: Ka qenë oferta, jo vetëm për ne, përkatësisht që Partia Demokratike e Kosovës për kryeministër me mua të mbarohet deri në vitin 2021, ofertë konkrete nga parti politike të cilat sot flasin për vija të kuqe në zgjedhje vetëm për hir të një përfitimi në opinionin publik. Unë po flas edhe njëherë, në momentin kur ka dilema, vendosmëria më e madhe e imja ka qenë që të shkojmë në zgjedhje. Çdoherë kur e kemi pyetur popullin kemi dalë më mirë dhe në momentin kur e fiton këtë legjitimitet duhet pastaj edhe ta drejtojë vendin.

“Dy herë e kemi dhënë kryeministrin me qira”

Kadri Veseli: Nuk ka kompromise, për vetë faktin se unë po flas si kryetar i PDK-së, dy herë e kemi dhënë kryeministrin me qira, dy herë. Njerëzit që nuk e kanë besimin e qytetarëve, nuk e kanë as legjitimitetin, por as përgjegjësinë, në dy rastet kemi dështuar dhe ky është një rast unik për vetë Kosovën që të ecet përpara. PDK-ja shkon në zgjedhje me besimin tek vullneti i qytetarëve, askush nuk guxon ta cenojë vullnetin e as interesin e qytetarëve, por shkon edhe me besimin për të fituar dhe për të udhëhequr me atë legjitimitet që e japin qytetarët, në asnjë mënyrë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Veseli, këto parti që i përmendët, cilat janë?

Kadri Veseli: Nuk do të flas specifikisht, por shikoni edhe deklaratat e fundit të ditës së djeshme kur parti të cilat kanë thirrur urgjentisht edhe protesta për zgjedhje të parakohshme, ne e kemi ditur, unë e kam ditur se kanë qenë të tilla parti që kanë ofruar ofertë për bashkëqeverisje deri në vitin 2021, edhe Vetëvendosje, kurse tani flasim për një qeveri e cila është teknike. S’ka qeveri teknike, ka zgjedhje, askush nuk duhet t’iu frikësohet qytetarëve për arsye se ata janë vendimtarë për mandatin tonë dhe për fatin tonë politik dhe të ardhmes së Kosovës.

Zgjedhjet janë të pashmangshme. E kam thënë nga momenti i parë, janë munduar të manipulojnë në këtë proces, kur e kanë parë tani që ka zgjedhje, hajt të shkojmë me një opsion tjetër. Nuk ka opsion tjetër, ka vetëm zgjedhje të cilat janë vendimtare, janë referendum për të ardhmen e Kosovës. Kurrë më shumë sesa këto 3-4 vjet nuk është përmendur nga parti politike në Kosovë, Serbia të cilën në vitin 1999 e kemi mundur, e kemi larguar nga këtu. Cili është interesi, që përmes frikës nga Serbia të fitohen votat?

Qytetarët kanë disa shqetësime, ato janë kryesore, njerëzit duan punësim dhe njerëzit duan që të korruptuarit të largohen. Këtë kam filluar ta bëj në PDK. Do ta bëj në gjithë Kosovën. Sa i përket çështjes së ballafaqimit me Serbinë, nuk ka opsion tjetër, ne kemi një mandat i cili rrjedh nga liria e Kosovës, nga UÇK-ja, kushdo që mendon të bëjë pazare dhe të fitojë vota (e ka gabim), Serbia ka marrë fund.

Serbia nuk do të kthehet kurrë në Kosovë, qytetarët nuk kanë nevojë të frikësohen nga Serbia, qytetarët kanë nevojë të frikësohen vetëm nga njerëzit e papërgjegjshëm, njerëzit e korruptuar dhe nga zhvillimi ekonomik, këto janë orientimet të cilat duhet t’i kemi ne. Sa i përket ballafaqimit me Serbinë, ne e kemi një platformë shumë të qartë, sovraniteti i shtetit dhe integriteti janë të pacenueshme, askush nuk guxon as ta përmendë Mitrovicën në dialog e lëre më për ndonjë manipulim. Mitrovica është e shenjtë, shkojmë në fushatë elektorale me projekte të cilat janë ekonomike.

Veseli: Nuk ka qeveri teknike

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te formimi i një qeverie teknikeose kalimtare nga kush erdhi ideja nga faktori ndërkombëtar apo nga ai i brendshëm?

Kadri Veseli: Faktori ndërkombëtar ka investuar shumë në Kosovë, është shumë i qenësishëm në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimorë nga Evropa. Natyrshëm se ata i kanë shqetësimet e veta të cilat kanë të bëjnë me copëzimin në skena politike kosovare. Ata e dinë çka po flasin në zyrat e tyre dhe çka po flasin në popull. Një pjesë e klasës politike në Kosovë po mendon përmes manipulimit dhe frikës qytetare të ndërtojë pseudo-kauza të rrejshme, qoftë nga frika për Serbinë se do të rikthehet në territorin e Kosovës, qoftë në pseudo-kauza se do ta luftojnë korrupsionin e nuk janë të gatshëm asnjërën ta bëjnë.

Duhet të përfundojë ideja e kalkulimeve në emër të Kosovës në emër të kauzave të mëdha të Kosovës për të qëllime elektorale. Qytetarët janë duke i vërejtur këto parti politike që bëjnë vija të kuqe e të bardha, të cilat bëjnë kompromise e flasin për patriotizëm, e në anën tjetër Kosova është e shenjtë, njerëzit e Kosovës kanë nevojë për punësim, për zhvillim ekonomik, për luftë kundër korrupsionit dhe ta forcojnë shtetin, policinë, ushtrinë. Këto arrihen kur ka ekonomi të fuqishme edhe partneritet.

Radio Evropa e Lirë: Në zgjedhjet e kaluara, ju keni hequr dorë nga nominimi për kryeministër, do ta bëni një gjë të tillë edhe tani?

Kadri Veseli: Më duket se isha shumë i saktë. Nuk ka më kryeministër me qira. Nuk ka më manipulime të kauzave qytetare, vetëm si të mbijetohet politikisht. Jeta ime nuk varet prej politikës për asnjë sekondë. Jeta ime varet nga nderi, puna dhe kombi im, të cilit i takoj. Nuk varem nga një palë zgjedhje. Nuk mërzitem fare për një palë zgjedhje. Mirëpo mashtrimet, dhe atyre që mendojnë se e mashtrojnë kaq lehtë qytetarin e Kosovës dhe e frikësojnë atë, iu ka ardhur fundi.

Nuk ka pseudo-kauza, ka drejtpërdrejtë kauza të kombit dhe të qytetarit. Do të thotë, Kosova është perëndimore, Kosova duhet të orientohet nga zhvillimi ekonomik dhe të largohen patriotizmat e rrejshëm pas 20 vjetëve. E kanë vënë Kosovën mes identitetit: Nëse është kosovar apo shqiptar? A e do flamurin kombëtar, a e do flamurin shtetëror? A është për bashkim kombëtar apo për Republikën e Kosovës? Në vend që të jetë: A jeni pro-shqiptar apo pro-serb? A jeni për Kosovën a jeni për Serbinë? Dhe jo që Bashkimi Kombëtar të bëhet kauzë, apo nëse je pro-serb je me Republikën e Kosovës. Unë jam me Republikën e Kosovës, unë jam me flamurin e shtetit të Kosovës. Do ta mbroj deri në fund në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës. E sa jam shqiptar e kam treguar deri më 12 qershor 1999.

“Ishte legjislaturë e papërgjegjshme”

Radio Evropa e Lirë: Nga 144 ligje, Kuvendi ka miratuar vetëm 18 për qind prej tyre. A ishte kjo legjislaturë dembele?

Kadri Veseli: Nuk ishte legjislaturë dembele, ishte legjislaturë e papërgjegjshme. Të jem shumë i drejtpërdrejtë, kur një opozitë, e cila mendon vetëm si ta fitojë pushtetin… imagjinoni tash, për dy vjet kanë thënë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme ndërsa mbrëmë e keni qëndrimin se ‘eja të bëjmë qeveri tash’. Ku është morali politik këtu?

Kjo e ka bllokuar Kosovën. Nuk ka rëndësi nëse je pozitë apo opozitë, ligjet që janë në shërbim të kombit, në shërbim të qytetarit, duhet të aprovohen. Ky është mesazhi që duhet ta thotë secili prej nesh. Ndërsa sa i përket papërgjegjshmërisë që ka ndodhur këto dy vjet, unë uroj që të mos ndodhë asnjëherë. Por, edhe një mesazh, klasa politike, ne që dalim në zgjedhje, jemi nënprodukt i mentalitetit të votuesve tanë. Nëse ata e shohin që ne mashtrohemi aq lehtë dhe manipulohemi, ata do të vazhdojnë në mënyrën e njëjtë paskajshmërisht dhe vetëm do ta riciklojnë. Maqedonia e Veriut ka humbur 20 vjet te çështja e ndërrimit të emrit. Pra, 20 vjet i ka humbur, ka pasur mundësi që të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO, kohë më parë.

Sot e dimë ku ka mbetë. Duhet të ecim sa më fuqishëm përpara. Unë jam i bindur se orientimi im është interes edhe i këtij kombi, këtij shteti dhe qytetarëve tanë. Është orientim në luftën kundër korrupsionit, që duhet çrrënjosur, njerëzit e këqij duhet të largohen dhe duhet dhënë perspektivën njerëzve të mirë edhe në punësim, në mënyrë që njerëzit të mos ikin nga Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kush duhet t’i udhëheq bisedimet me Serbinë, kryeministri apo presidenti?

Kadri Veseli: Ai që e fiton mandatin e qytetarëve në zgjedhje të cilat dalin edhe të mos bëhet frikacak edhe mos të kalkulojë për interesa te veta. Duhet kujtuar se interesi më i madh është i Kosovës kudo që të jesh, edhe nëse je në opozitë edhe nëse je në burg nuk është ajo që sot, duhet të kalkulohet në interesin e individit, duhet të kalkulohet interesi çka fitojnë fëmijët tanë. Çfarë trashëgimie u lëmë fëmijëve tanë… a do t’iu lëmë diçka të cilën e kemi jetuar ne vet kur prindërit tanë nuk e kanë ditur çfarë fati kemi ne? Apo do t’iu lëmë fëmijëve tanë një Kosovë e cila është e sigurt, pa taksirate, por me perspektivë edhe me orientim të qartë perëndimor.

Le ta harrojë dikush nëse mendon se Kosova mund të ecë përpara si ishull i izoluar. Është shumë me rëndësi dhe ky është interes strategjik. Përveç vizionit dhe vendosmërisë kombëtare për t’i ruajtur të gjitha vlerat të cilat i kemi, është edhe mençuria strategjike me qenë afër SHBA-së dhe partnerëve perëndimorë. Kështu e kemi fituar luftën në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Me vendosmëri. Pa kompromis në luftë, por edhe me mençuri strategjike duke i bërë partnerët që të jenë afër nesh edhe ta bombardojnë Serbinë dhe jo ta afrojnë Serbinë me partnerët perëndimorë dhe ta bëjnë një gjuhë që të na dalin ne kundër.

“Korrupsioni, armiku kryesor në Kosovë”

Radio Evropa e Lirë: A ishit i kënaqur me këtë qeverisje të deritanishme? Çka shkoi e çka nuk shkoi mirë?

Kadri Veseli: Kanë shkuar disa vendime të cilat kanë qenë pozitive, të cilat kanë mundur të ecin. Por, neve na kanë shkuar keq [gjërat] nga momenti kur kanë filluar kauzat pseudo-patriotike. Ne kemi harxhuar një vit kush po e ndan Kosovën e kush po e mbron Kosovën. Imagjinoni në vitin 2019, njëzet vjet pas luftës, është folur se dikush po do ta shkatërrojë e dikush nga ta po do ta mbrojë. Kosovën nuk mund ta dëmtojë askush, veç vetën do ta dëmtojnë kush mendon.

Pra individët, çfarëdo pozicioni qeveritar ose institucional, kudo që janë. Kosovën e mbron populli i qytetarëve, e mbron gjaku i dëshmorëve. Nuk është e lehtë, nuk është plaçkë Kosova për ta cenuar integritetin, sovranitetin. Por, më shumë kemi mundur të punojmë në aspektin ekonomik. Nuk është ndalur korrupsioni. Kam kërkuar edhe nga partnerët edhe nga partitë e opozitës… hajde t’i marrim vendimet të cilat e ndalin korrupsion për arsye se korrupsioni është aktualisht armiku kryesor në Kosovë. Të paktën njerëzit kështu po mendojnë edhe ka korrupsion.

Ka nepotizëm në të gjitha partitë. Hajde t’i ndalim këto dhe të krijomë mekanizma. Ka mundësi të krijohet mekanizmi që i ndalë këto. Do ta shohim nëse është fati jetësor e të jetë më e mira për kombin të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve edhe të fitoj unë, të fitojë PDK-ja dhe vetëm me legjitimitetin qytetar do ta shihni se si do të ndalen këto; edhe korrupsioni edhe punësimet partiake të cilat po i quajmë nepotizëm. Ka mundësi përmes përgjegjshmërisë dhe transparencës.

Radio Evropa e Lirë: Po pse nuk janë ndaluar nga PDK-ja këto dukuri?

Kadri Veseli: Gabimet të cilat i ka bërë Partia Demokratike e Kosovës, unë jam duke i sanuar. Ne në PDK flasim hapur për këto çështje, disa zëra mund të jenë kundër, unë nuk mërzitem fare. Por, partitë e tjera nuk kanë guxim t’i flasin këto edhe kanë për t’i vazhduar edhe më rëndë. Ato i flasin në mënyrë të hapur edhe duke akuzuar PDK-në.

Jo, jo, shikoni LDK-në, gjysmën e zyrtarëve i ka komunalë dhe të kryesisë së partisë me aktakuza për korrupsion. Shikoni Vetëvendosjen se çka ka bërë dhe çka është duke bërë në Prizren dhe shikoni edhe kur ka qenë në Prishtinë si për korrupsion dhe për punësime e nepotizëm. Kjo është një sëmundje ngjitëse e cila duhet të ndalet në Kosovë. Nuk po flas për AAK-në fare dhe nuk po flas as për partitë e tjera fare. Pra, ky është një fenomen mashtrues që duhet të ndalet dhe do ta ndali.

Radio Evropa e Lirë: Ftesat nga Gjykata Speciale a do të kenë ndikim në mënyrën se si do të duket qeveria e ardhshme?

Kadri Veseli: Kurrfarë ndikimi në Kosovë nuk ka për të pasur asnjë gjykatë, sepse gjykatat kanë per ta kryer pune e vet, ne do t’i respektojmë. Ne do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve, kauza e kombëtare e Kosovës ka për të ecur përpara nuk ka pengesa dhe s’mund të ndalet. Por, duhet të ballafaqohemi edhe me ato pretendime, të cilat kanë tentuar ta dëmtojnë shtetin e Kosovës.Kjo është arsyeja pse e kemi votuar. Do t’i shkojmë deri në fund dhe shpresojmë se askush të mos ketë aktakuzë për krime të cilat janë të pretenduara. Jam shumë i sigurt se të gjithë luftëtarët e UÇK-së do të dalin faqebardhë dhe do të dalin të pafajshëm. Nuk ka pasur luftë më të pastër, më të drejtë, më parimore, në një organizatë luftarake siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.-Intervistoi: Intervistoi per Evropa e Lire-Arton Konushevci…

Filed Under: Politike Tagged With: Kadri Veseli-Jo Kryeminister me qera

ETNIFIKIMI I POLITIKËS

August 8, 2019 by dgreca

                                                   Shkruan: Nikë Gashaj/

Implozioni i socializmit ka shkuar në mënyrë simultane me eksplodimin e nacionalizmit. Shkatërrimi i socializmit, veçanërisht në shoqëtritë multietnike dhe shtetet federative, pjesërisht ka qenë i shkaktuar, dhe gjithsesi i shpejtuar, nën presionin e një vale të re dhe të fuqishme të nacionalizmit. Njëri nga historianët më të njohur, Erik Hobsbaum, nacionalzimin bashkëkohor postkomunist e ka quajtur nacionalizëm separatist.Nga ana tjetër, rënia e socializmit ka pasur edhe domethënien e rënies së një sistemi të tërë të vlerave, çka ndër të tjera e ka hapur dhe shtuar krizën e identitetit kolektiv. Nacionalizmi është në të vërtetë njëri nga përgjegjësit mbi krizën e identitetit kolektiv, që i ka kapur shoqëritë e shumta bashkëkohore. 

Në shoqëritë ekskomuniste liderët dhe elitat e reja politike e kanë grabitur atë resurs të identitetit, të cilin e kanë pasur më së afërmi dhe më së lehti për ta aktivizuar. Mirëpo, duhet të theksojmë se as masat nuk janë krejtësisht të pafajshme dhe sjelljet e tyre të shpeshta militante, agresive dhe jotolerante, janë së gjithash ndaj pjesëtarëve të kombeve të tjera nuk mund të jenë të shpjeguara dhe të arsyetuara. 

Mobilizimi i resursit të identitetit nacional ka qenë i mundur edhe për shkak të instrumentalizmit relativisht të lehtë të ndjenjave nacionale për sendërtimin e qëllimeve politike të caktuar dhe para së gjithash redistribuimin dhe alokacionin e ri të forcës politike dhe për vendosjen e formave të reja të dominimit politik.

Teza e sociologut të njohur politik nga Gjermania, Claus Offe, mbi etnifikimin e politikës (“ethnification of the politics”) në një mënyrë shumë adekuate e shpjegon atë çka veçanërisht ndodh në shoqëritë në tranzicion. Autori në fjalë tregon se etnifikimi i poltikës paraqitet si diçka tragjike në mikroplanin individual dhe në makroplanin kolektiv. 

Teza mbi etnifikimin e politikës e zhvlerëson besimin, i cili ka qenë gjerësisht i përhapur se koha e nacionalizmit ka kaluar përgjithmonë dhe se tani gjendemi në periudhën e shoqërive multinacionale dhe multikulturore dhe që po ashtu jemi në prag të erës postnacionale.

Në qoftëse e pranojmë intencën e tezës mbi etnifikimin e politikës atëherë duhet të pyesim, a ekzistojnë disa arsye të thella të rritjes së re të nacionalizmit, i cili gjithësesi është më evident në vendet postkomuniste, por si fenomen është i pranishëm edhe në shumë vende të demokracisë perëndimore.

           Manifestimi i përleshjeve ndërnacionale si konflikt i identiteve

Në kushtet e etnifikimit të politkës vijat kryesore të ndarjeve politike dhe format kryesore të përleshjeve kryesore, bëhen konflikte të identiteteve kolektive. Për dallim prej konflikteve të zakonshme të interesave të ndryshme, konfliktet e identiteteve (në këtë rast konfliktet etnike) kanë disa cilësi specifike, të cilat kanë mundur të vërehen qartë në mapën e konflikteve të ish Jugosllavisë socialiste.

Cilësia e parë dhe më e dukshme e konfliktit të identiteteve në përgjithsi, ndërsa të konflikteve etnike veçanërisht, është një ngarkesë e madhe emocionale, një novel i lartë i pasioneve dhe i ndjenjave të të gjithëve, ose të shumicës së akterëve të përzier në konflikt.

Mu për këtë arsye ato lloje konfliktesh shpesh, në mënyrë jo adekuate, quhen konflikte iracionale. Ndarja sipas së cilës konflikti i interesave materiale i takon grupit racional, ndërsa konfliktet ndëretnike i përksain grupit të përleshjeve iracionale nuk është e saktë, sepse nuk është fjala mbi kundërshtimet dhe dallimet mbi cilësitë racionale apo iracionale të konflikteve, por për faktin se për kuptimin e konflikteve etnike komponenta racionale nuk është e mjaftueshme.

Përndryshe, emocionet dhe përmbajtjet e tjera të pranishme mbi këtë lloj të konflikteve nuk duhet të jenë, parimisht ato as nuk janë iracionale. E dyta, në konfliktet e identiteteve si ato individuale dhe kolektive, shpesh mund të vërehet gadishmëria e palëve në konflikt të sakrifikojnë interesat e veta ekonomike dhe të tjera (madje dhe jetën) nëqoftëse e vlerësojnë se realisht ose potencialisht iu është rrezikuar identiteti. 

Ashtu ndodh që sjelljet e akterëve në konfliktin ndëretnik na duken iracionale, si dhe drejtpërsëdrejti të dëmshme për ata vetë, ndërsa në të njëjtën kohë aketerët në konflikt ose ato të cilët e mbrojnë pozicionin e tyre, gjejnë arsyetime për sjelljet e tilla duke u thirrur në pozicionin dhe pikëpmajet emotive, morale dhe historike, apo të një sistemi të vlerave në përgjithësi. 

Cilësia e tretë e këtyre konflikteve lidhet me atë të sipërpërmendurin. Prania e pasioneve dhe e ndjenjave me një intensitet të lartë, e kushtëzon dhe e shpjegon pjesërisht faktin se fjala është për tipin e konflikteve që mund të quhet eskluziv. 

Ato janë konflikte shoqërore të cilat parimisht i përkasin tipit të konflikteve ose/ose, respektivisht janë konfliktet në të cilat shkalla e eskluzivitetit është jashtëzakonisht e madhe, në njërën anë ndërsa niveli i tolerancës në anën tjetër, është shumë i ulët. 

Përndryshe, rrezikimi i identitetit social të ndonjë grupi shoqëror shpie deri te reaksione të ngjashme si dhe situata të rrezikimit të identitetit të individit, i cili angazhohet me tërë fuqinë e vet për mbrojtjen e identitetit personal.

                                   Multikultura dhe politika

E katërta, cilësi me rëndësi e konfliktit të identiteteve, në kuadër të saj dhe të përleshjeve ndërnacionale apo etnike është edhe prania e rolit të frikës. Ajo është frika nga tjetri, frika nga grupi etnik i cili konsiderohet si kundërshtar. Dhe sikurse në organizimin e njëriut elementet e kanosura në situatat e rrezikshme me të shpejtë bëjnë sekrecion apo tajitjet e disa lëngjëve nga gjëndrrat e trupit, ashtu edhe në indin shoqëror disa bashkësi në kushtet e frikës bashkojnë një energji sociale, e cila pret për të eksploduar. Pa marrë parasysh se a është frika e arsyeshme ose siç ndodhë nganjëherë që ajo të rìtrillohet dhe të imagjinohet, ajo bëhet njësoj një fakt real dhe objektiv, i cili dikton sjelljen e grupeve etnike në konflikt. Konfliktet ndëretnike në hapësirën e ish – Jugoslavisë socialiste janë shembull i shkoqitur dhe i qartë që e verteton këtë. Një komponent i rëndësishëm i frikës është situata e pasigurisë, e cila bën një presion të rëndë në gjendjen psikike të njerëzve.

                             Kërkesa për vetëvendosje nacionale

E pësta, për arsye të një logjike të konflikteve të tilla “krejt ose asgjë”, hapësira për të gjetur një emërues të përbashkët ose zgjidhje kompromise është rreptësisht e zvogëluar, është vështirë për ta definuar dhe më vështirë për ta realizuar. Parimisht, ato janë situata në të cilat minimumi i kërkesave të njërës palë në konflikt kërkon lëshime apo koncesione maksimale të palës tjetër në konflikt. Një shembull tipik për këtë është kërkesa për vetëvendosje nacionale deri te ndarja apo shkëputja e cila në hapësirën e ish – Jugosllavisë socialiste palët në konflikt shpesh i ka prurë në një pozicion shumë të pavolitshëm përkitazi me mundësinë e zgjidhjes së konflikteve. Për ish republikat e Jogosllavisë dhe ish krahinën autonome të Kosovës, të cilat kanë dëshiruar të bëhen shtete të pavarura, kërkesa për vetëvendosje, nga këndi i shikimit të tyre ka qenë i arsyeshëm dhe legjitim. 

Nga pikëpamja e të gjitha atyre forcave sociale, politike, nacionale dhe ushtarake në krye me udhëheqësinë shtetërore të Serbisë, të cilët gjoja e kanë mbrojtur unitetin dhe sovranitetin e bashkësisë së mëparshme shtetërore Jugosllave, kërkesat e tilla kanë qenë të cilësuara si secesioniste dhe të papranueshme.

Është e kuptueshme se ndërmjet atyre dy pikëpamjeve dhe qëndrimeve ka qenë vështirë që të vihet deri te zgjidhja kompromise, ashtu që të gjitha projektet mbi “federatën asimetrike”, “federatën – konfederatën” dhe “konfederatën” kanë dështuar relativisht lehtë.

E gjashta, konfliktet e identiteteve, veçanërisht konfliktet ndëretnike kanë paraqitur një veprim të rrezikshëm, të dëmshëm dhe shkatërrues, të cilat nëpërmjet një induksioni social i forcojnë ato ndjenja të cilat i kanë nxitur. 

Njëra nga manifestimet e saj është edhe një zgjerim dhe përhapje e një sëmundjeje ngjitëse të solidaritetit të një rrethi më të gjërë të popullatës sesa ata të cilët me të drejtë do të mund t’i quajmë nacionalistë.

E shtata, konfliktet etnike në hapësirën e ish Jugosllavisë kanë treguar se pjesa e atyre që kanë marrë një pozicion neutral në konflikt ka qenë më i vogël dhe se me zhvillimin e konflikteve grupacioni i tillë e ka pasur gjithnjë e më të vështirë, veçanërisht ka qenë vështirë të mbetet neutral atje ku intensiteti i konflikteve ka marrë përmasa të mëdha.

E teta, në natyrën dhe në tiparet psikologjike të këtyre llojeve të konflikteve është e ndërtuar spiralja e rritjes, të cilën ka qenë vështirë për ta ndalur. Me fjalë të tjera, në qoftë se konflikti zgjat, atëherë ai fiton një përkrahje sociale më të madhe. 

Ajo më tutje do të thotë se lloji i tillë i konfliktit është më lehtë të neutralizohet apo të amortizohet në fazat fillestare sesa më vonë.

E nënta, konfliktet e identiteteve, në rradhë të parë konfliktet ndërnacionale, fare lehtë mund t’i shmangen kontrollit. Historia është plot shembuj të cilët tregojnë se madje edhe ata të cilët e kanë nisur, ose që kanë dashur që me konflikte të tilla të manipolojnë, pas kalimit të një pragu të caktuar nuk janë në gjendje që një konflikt të tillë ta kontrollojnë apo ta ndalin.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nik Gashaj- ETNIFIKIMI I POLITIKËS

Vullnetarët Amerikanë të Korpusit të Paqes në Kosovë

August 7, 2019 by dgreca

-Janë betuar sot 38 Vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në një ceremoni të hapur me Himnet e dy vendeve/

-Ambasadori Amerikan në Kosovë Philip Kosnett: Kur erdha vitin e kaluar u ngazëllova kur mora vesh se prej vitit 2014 ishin më shumë se 220 vullnetarë që kishin shërbyer në komunitete nëpër tërë Kosovën/

-Ministri Kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi: Miqësia e popullit të Kosovës për atë amerikan është e mbjellë në gjithçka që Amerika ka bërë për Kosovën/

-Grupi i parë i Korpusit të Paqes prej 25 vullnetarësh kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 7 Gusht 2019/ Në Prishtinë sot kanë bërë Betimin Solemn të shërbimit 38 Vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në një ceremoni të hapur me Himnet e dy vendeve.

Pas përfundimit të trajnimit të tyre dhjetë  javësh për gjuhën, kulturën, si dhe trajnime teknike në Komunën e Kamenicës, dhe në fshatrat përreth si Koretini, Topanica dhe Rogana, Vullnetarët në ceremoninë e sotme u prezentuan para Ambasadorit Amerikan në Kosovë Philip Kosnett nga  ana e Drejtoreshës së Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, ndërsa  të ftur ishin edhe anëtarët e familjeve nikoqire.

 “Puna me Korpusin e Paqes është ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sime si ambasador”, tha Kosnett. 

Ambasadori i tashëm Amerikan në Prishtinë përkujtoi se, për herë të parë ka shërbyer në Kosovë në 2003-n, para se të ishte programi i Korpusit të Paqes. 

“Kur erdha vitin e kaluar u ngazëllova kur mora vesh se prej vitit 2014 ishin më shumë se 220 vullnetarë që kishin shërbyer në komunitete nëpër tërë Kosovën, duke sjellë energji dhe entuziazëm, kureshtje dhe njohuri – si dhe gatishmëri për të nxënë dhe për të mësuar. Kur bashkëshortja ime, Alisoni dhe unë udhëtojmë nëpër vend, gjithmonë përpiqemi të gjejmë kohë për t’i vizituar vullnetarët e për t’i falënderuar për përkushtimin e tyre, për të dëgjuar mendimin e tyre se si SHBA-ja mund të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në shtegtimin e saj drejt paqes, drejtësisë dhe mbarësisë për të gjithë qytetarët”, u shpreh Ambasadori Amerikan Kosnett.

Më tej ai tha: “Vullnetarëve tanë të ri: Urime! Keni punuar me mund për t’u kualifikuar për program dhe tani ju përfaqësoni Amerikën. Drejtori i parë i Korpusit të Paqes, Sargent Shriver ka thënë: ‘Korpusi i Paqes është sinonim i gjithçkaje që besojmë dhe shpresojmë ta arrijmë në botë’. Colin Powell, i cili ishte gjeneral ushtrie dhe sekretar i shtetit, e përshkruajti rëndësinë e ‘fuqisë së butë’ si: ‘Jemi më të fuqishmit kur fytyra e Amerikës nuk është vetëm ushtari që bart armë, por edhe diplomati që negocion paqen, vullnetari i Korpusit të Paqes që sjell ujë të pijshëm në fshat apo punonjësi i ndihmave humanitare që zbret nga avioni i mallrave përderisa vërshimet përkeqësohen’”.

Prandaj, vijoi Ambasadori Kosnett, si diplomat i karrierës, si amerikan dhe si prind i Korpusit të Paqes, nga thellësia e zemrës e respektoj punën që vullnetarët e bëjnë për të përfaqësuar llojllojshmërinë, vlerat dhe traditat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Thashë ‘prind i Korpusit të Paqes’ sepse arsyeja tjetër pse Alisoni dhe unë ndjejmë këtë lidhje me Korpusin e Paqes është se biri ynë Aleksi ka shërbyer si vullnetar në Filipine, duke punuar në menaxhimin e burimeve bregdetare. 

E kam vizituar atje. Ishte njëmend vend pune i hatashëm. Ai zbatonte programe të reja, mësoi gjuhë të reja dhe zhvilloi shkathtësi të reja. Jetoi në një familje nikoqire të mrekullueshme e mikpritëse, si tuajat. Gjatë punës së tij në menaxhimin e burimeve bregdetare, ai jetoi në plazh, prandaj më vjen keq, vullnetarë, nuk kemi program për menaxhimin e burimeve bregdetare këtu në Kosovë. Nuk ka plazh këtu, por malet janë të bukura.

Biri ynë, si të gjithë vullnetarët, dha kontributin e tij për komunitetin nikoqir duke përfaqësuar njëkohësisht Amerikën. Por, ai ka përfituar edhe personalisht. U kthye në shtëpi i mbushur me ide dhe përvoja që e shtynë në karrierën e tij si planifikues i mjedisit. Aleksi ka mbajtur lidhjet me miqtë dhe kolegët nga Korpusi i Paqes, disa prej të cilëve tani i ka kolegë profesionalë”, tha Ambasadori Amerikan Kosnett.

Natyrisht, vijoi ai, jo të gjithë vullnetarët vazhdojnë punën e ngjashme që e kanë bërë në Korpusin e Paqes. “Por, besoj se përvoja juaj këtu do t’ju pasurojë pa marrë parasysh çfarë profesioni përzgjidhni. Prandaj, mos ngurroni t’i siguroni familjet në shtëpi që Korpusi i Paqes mund të jetë – ashtu siç thuhet ‘puna më e vështirë që do ta doni’, por mund t’ju çojë te ‘një punë tjetër të cilën do ta doni pothuajse aq shumë, por ku edhe merrni pagë’.

Edhe një herë, urime, ju faleminderit dhe keni respektin tim. Alisoni dhe unë ju dëshirojmë gjithë të mirat përderisa rehatoheni në pozitat e reja dhe shpresojmë t’ju shohim sërish së shpejti”, përfundoi Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Në betimin solemn të shërbimit për 38 vullnetarë të rinj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Korpusit të Paqes në Kosovë mori pjesë  edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Shyqiri Bytyqi.

Ai me këtë rast theksoi se, miqësia e popullit të Kosovës për atë amerikan është e mbjellë në gjithçka që Amerika ka bërë për Kosovën.

“Programi juaj që po ofrohet në bazë vullnetare, me fokus ofrimin e ndihmës për shoqëritë e vendeve të ndryshme, duke ofruar informacion për kulturën dhe traditën amerikane dhe njëkohësisht njohjen dhe traditën e popujve nikoqirë, tashmë ka zënë vend edhe në Kosovë, për çka edhe u jemi mirënjohës”,  tha ministri Bytyqi.

Ai theksoi edhe ndihmën e madhe që kanë dhënë SHBA-të në procese të rëndësishme në arsim, si dhe në mbështetjen e mësimdhënësve përmes programit të Korpusit të Paqes.

Ceremonia ishte kurorëzim i punës dhe përkushtimit të 38 vullnetarëve, pas përfundimit të trajnimit të tyre prej dhjetë javësh për gjuhën, kulturën si dhe trajnime teknike.

Grupi i parë i Korpusit të Paqes të Edukimit në Gjuhen Angleze  prej  25 vullnetarësh kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht. Batimin e dhanë pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet kosovare, si edhe grupet e viteve tjera që pasuan.

Para se të shkonin në pikat e tyre të shërbimit në Kosovë, vullnetarët Korpusit Amerikan të Paqes u aftësuan për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore dhe teknike.

Korpusi i Paqës filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të presidentes së atëherëshme Atifete Jahjaga, e cila në 9 shtator të vitit 2013 me ambasadoren në atë kohë të SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.

“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve Amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës”, theksoi presidentja kosovare në ceremoninë ku ishte edhe drejtoresha e atëherëshme e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm  në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.

Korpusi i Paqes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrëdhënie të frytshme me popullin dhe Qeverinë e Kosovës.

Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim. Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet fillestare të Korpusit të Paqes mbeten të njëjta:  1. T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; 2. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; dhe 3. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve. 

Filed Under: Featured Tagged With: Bell JJashari-Korpusi I Paqes-Philip Kosnett

HISTORI KOMIKE

August 7, 2019 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Është politikë e një tirani të shkatërrojë të gjithë pushtetin, por jo të vetin; dhe shkatërrimi i autoritetit ligjor është gjithmonë i synimi i tij.
Dihet historikisht që Jul Cesari, fundi i të cilit ishte edhe fundi i Republikës romake, e filloi karrierën duke lajkatuar njerëzit e senatit në dëm të Senatit; dhe miratoi që procesverbalet e procedurave të Senatit të botoheshin nën Acta Diurna, latinisht Lajme Ditore, që ishin njoftime të përditshme zyrtare, një lloj gazete qeveritare mbi lajmet më të rëndësishme shkruar në pllaka metalike që vendoseshin në vende publike në një bord të zbardhur të quajtur Album. Nga Acta Diurna ka mbetur edhe shprehja “publicare et propagare” – “publikoje dhe propagandoje”, e vendosur në fund çdo teksti.
Fakti është, se shqiptarët këto 30 vjet janë lodhur tmerrësisht nga zgjedhjet papushim; asnjëra palë nuk pranon humbje, as bien dakord për barazim, për pushtetin vendor e qëndror. Në dëshpërim, njerëzit me padurim miratojnë të parën zgjidhje që u ofrohet; më mirë skllevër të një aventurieri despotik, sesa viktima të shumë të tjerëve, kjo është mendësia e atyre që kanë humbur çdo shpresë. “Atë që ke për të bërë, bëje shpejt”, i tha Jezusi, Judës. Na jepni një shtet, le të jetë si të jetë, bënin thirrje Noli e Konica në vitet 1900, dhe vërtet shtetin na e dhanë, këtë që kemi sot, drejtuar nga njerëz me krime e vese, gënjeshtarë; që premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lum; të cilët, kur të buzëqeshin, dorën thellë në xhep ta kanë futur për të vjedhur; kur të hedhin dorën në qafë, prit të ngulin thikën; madje, shpejt do të vijë përsëri dita që edhe absolutizmi e tirania të preferohen kundrejt sistemit republikan demokratik parlamentar, për të cilin do të thuhet se e kishte mbajtur vendin të ekspozuar ndaj atyre që përpiqeshin ta rrëmbenin, pa mundur ta qeverisnin.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi-Historia e natës

Festivalet që po organizohen në Kosovë janë projekte për zhveshje nga identiteti

August 7, 2019 by dgreca

Nga Bayram POMAK/

Çdo ditë në Kosovë po shfaqen festivalet të reja. Pothuajse në çdo qytet po organizohet nga një i tillë dhe për secilin prej tyre po derdhen me miliona euro. Emrat e disave, po lakohen për bashkë me skandalet që po i shoqërojnë. Madje, madje një i tillë u ndalua me vendim të Ministrisë së Tregtisë, për motive të ngjashme, e tek një tjetër pati përleshje të rënda, ku disa pjesëmarrës pësuan lëndime serioze. E megjithatë, organizimet e tilla, po vijojnë me veprimtarinë e tyre. Duke pas parasysh se Kosova ka shumë probleme, a është normale që në rrethana të tilla të ketë kaq shumë festivale dhe në këto lloj organizimesh të transferohen miliona euro? Përderisa e dimë gjendjen aktuale në sferën e edukimit, pse po bëhen gjithë këto dhe pse, sidomos,  një dorë e fshehur po i mbulon shëmtitë që po i shoqërojnë këto festivale, në mënyrë qe të mbrohet imazhi i tyre? Pse këto shëmtime dhe skandale po fshihen nga publiku dhe po transmetohen ndryshe tek ata? Për shembull, vitin e kaluar, një artist i famshëm nga Kosova, i cili po performonte në për “DokuNights” në kuadër të Doku Festit, u kap me një substancë narkotike shumë të fortë dhe kjo ngjarje u përmend në media vetëm si një arrestim në lagjen Marash të Prizrenit, pa iu referuar ngjarjes në kuadër të së cilës ndodhi. E njëjta gjë po vazhdon edhe sivjet. Personat të cilët po arrestohen në aktivitetet e “DokuNights” në media nuk po përmenden, ose vetëm po thuhet se janë arrestuar në lagjen Marash të Prizrenit. Në anën tjetër ata që po kapen në festivalin “Ngom Fest” po citohen sikur janë kapur në kalanë e qytetit, pa iu referuar fare emrit të eventit. 

Festivalet të tilla janë shndërruar në një treg të jashtëzakonshëm për shitësit e drogës. Shumë të rinj po bien në këso lloj kurthesh, duke u bërë kështu klientë në një lloj të pistë të tregut. Teksa po ndodhin të gjitha këto, askush nuk po interesohet për anën tjetër të medaljes.

Parë nga prizmi global, të gjitha këto festivale të organizuara, janë në të vërtetë, i njëjti projekt. Pra bëhet fjalë për një projekt përmes së cilit synohet të prodhohet një gjeneratë e re në botë. Kjo gjeneratë e re nuk do të njoh asnjë vlerë, dhe vlerat aktuale do t’i sheh si një prapambeturi. Nuk do të ketë koncepte si fe, gjuhë, racë dhe do shndërrohet në një gjeneratë pa identitet. E gjithë ajo se çfarë shtrihet nën këto është koncepti për ta NORMALIZUAR ANORMALITETIN. 

Nëse i shohim festivalet e filmave që po organizohen në Kosovë, do të vërejmë se këto përmbajnë mesazhe tinëzare. Pothuajse të gjithë filmat, me një besnikëri të lartë, ia dedikojnë këto mesazhe tinëzare, ndërdijes së njerëzve. 

Të gjitha këto aktivitete në 20 vitet e fundit janë pothuajse në fazën e fryt-dhënies. Ne nuk mund të mos themi se: rritja e shpejtë e përdorimit të drogës në Kosovë, shfrenimet seksuale – që nisin diku nga periudha e klasëve të ulëta të fillores, lëkundja e konceptit familje dhe rritja e shkurorëzimeve janë vetëm rastësore. Por më e keqja është se ata që po mbajnë ekranet e TV-ve dhe qoshet e gazetave po përpiqen të sheshin këto anti-vlera sikur civilizim dhe në rast të ndonjë një kritike me të vogël, ata fillojnë të akuzojnë kritikuesit si të prapambetur dhe se dëshirojnë të shkëpusin Kosovën nga Perëndimi. Ata e përkufizojnë veten si intelektualë dhe thonë se ajo që shoqëria e konsideron si vlerë është në të vërtetë Tabu dhe se e gjithë kjo duhet të rrënohet. Për fat të keq brezat e rinj kanë filluar që këto vlera t’i shohin si TABU, dhe kjo dukuri po përhapet shpejt.

Por ajo që po përkufizohet si civilizim nuk është asgjë tjetër përveç se KALBJE e shoqërisë. 

Nëse pranë këtyre dukurive heshtet dhe nuk flitet atëherë në një të ardhme të afërt do të jetë vonë për gjithçka. Në të ardhmen numri i përdoruesve të substancave narkotike do të jetë në shifrat alarmante, do të rriten shkurorëzimet e çifteve, me rritjen numrit të shkurorëzimeve do të rritet edhe numri i fëmijëve që do të këputen nga koncepti i familjes, si e tillë këta fëmijë do të ‘kalben’ brenda në shoqëri. Sot, ata që flasin për të ashtuquajturin përparim të shoqërisë janë në të vërtetë armiqtë më të mëdhenj të kësaj shoqërie.

Këto festivale nuk janë asgjë tjetër veçse një projekt i cili synon zhveshjen e të rinjve nga identiteti dhe vlerat e tyre. Ndaj këtyre projekteve duhet të jemi shumë vigjilentë dhe prindërit duhet t’i paralajmërojnë fëmijët e tyre shumë seriozisht. Institucionet e Kosovës duhet t’i thirrin mendjes së tyre dhe të shohin se çfarë lloj kurthesh janë këto projekte të cilat e tentojnë të na gëlltisin si civilizim. Bllokimi kanë qenë këto projekte civilizimi. Përndryshe, në të ardhmen do të hasim në brezat të sëmurë dhe shpirtërisht të kalbur!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bayram Pomak-Kosova-Festivalet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 922
  • 923
  • 924
  • 925
  • 926
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT