• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KISHA E SHËN LUCISË DURRËS,TRADITË, MARTIRË, SHPRESË E RINGJALLJE….

August 7, 2019 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

E vendosur në një nga lagjet më të lashta të qytetit të Durrësit, midis banesave më të vjetra karakteristike të qytetit, kisha e restauruar e Shën Lucisë, të ngjall respekt për sa fenë, shërbyesit dhe prelatët e saj, aq dhe mallëngjim e shpresë për të ardhmen e besimtarëve dhe kishës.

Zgjodha një ditë të djelë për ta vizituar kishën e vjetër durrsake, ku dhjetra njerëz të moshave të ndryshme, kryesisht të besimit katolik po mernin pjesë në meshën e drejtuar nga At Martin Tomson. Kishte një gjallëri të vecantë si para oborrit ashtu dhe brenda sallës kryesore të saj.

Qytetarët ndiheshin mirë jo vetëm prej ndjekjes së kësaj meshe, por dhe takimit mes të njohurish e miqsh ku bisedohej lirshëm.

Në fakt qëllimi im i vizitës ishte njohja dhe prezantimi i dhjetra detarëve të krishterë katolikë, At Martinit, mjaft prej të cilëve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në të. Nuk dua të futem në emra konkretë, sepse janë shumë. Mbasi një nga shërbyesit e kishës i tha për mbrritjen time, Ati u shkëput nga mesha dhe me plot mirësjedhje më tha se, do takojmë sapo të mbaroj meshën.

I urova besimtarët për këtë ditë lutjesh dhe e shfrytëzova këtë kohë për të realizuar disa foto të ambientit të saj. Ndërkohë pashë 5-6 fëmijë te veshur me veshjen tradicionale sepse, do merrnin pjesë në një ceremoni martese të dy të rinjve.

Sapo mbaroi mesha, At Martini me qetesi më ftoi tek zyra e pritjes ku ishte dhe biblioteka. Ati ka një periudhë të shkurtër që ka sherben në këtë kishë, një katolik anglez i cili është përshtatur mirë me të, por ajo që më tërhoqi vëmëndjen ishte shqipja e tij e pastër dhe letrare, të cilën ai e demostroi dhe gjatë gjithë meshes, të cilën e mbajti shqip.  Biseda jonë u fut në rrjedhën e saj normale falë mikpritjes, qetësisë e dëshirës për të dëgjuar. I prezantova Atit dy librat për detarinë shqiptare, ku i theksova disa figura të spikatura detarësh dhe kontributin e tyre për pamvarësi, duke pasur bashkëpunim të vecantë me Dom Nikollë Kacorrin, Dedë Gjo Lulin, e plot patriotë të tjerë shqiptarë.

Këtë veprimtari të cmuar të detërve shqiptarë e kam sjellë në vëllimin e parë të “Antologjisë së Detarisë”, faqe 109-116. At Martini e vlerësoi punën time shumëvjecare dhe filloi leximin e tyre në moment. Është një mundësi më tepër për të njohur historinë e popullit tuaj, ndaj librat do jenë pjesë e bibliotekës së kishës më tha, ndërsa më falenderoi për këtë dhuratë.

Në një kohë të shkurtër, për shkak të ceremonisë që e priste, shkëmbyem mendime me Atin për historinë e ndritur të kësaj kishe, martirët e saj, shërbyesit, ipeshkëvit që kanë shërbyer, etj.

Biseduam dhe mbi punën e bërë për restaurimin e kishës dhe nevojat që ka ajo për tu kompletuar me të gjitha elementët, për të cilën duhen donatorë vendas ose të huaj.

Sigurisht që në fund të bisedës i mora At Martinit një urim të vecantë për marinarët shqiptarë, e cila do jetë pjesë e vëllimit të ri të “Antologjisë”, ku do përdor dhe stilin e At Zef Pëllumbit.

Theksoj se, të tilla intervista dhe urime për marinarët shqiptarë do i mar dhe klerikëve të fesë islame dhe asaj ortodokse në Durrës e Vlorë.

Po cila është Kisha e Shën Lucisë, një nga pionieret e Kishës katolike në Shqipëri…

Zanafilla e saj i ka rrënjët në historinë mbi tre mijë vjecare të qytetit të Durrësit.  Gjatë periudhës iliro-romake Durrësi, si qytet-port dhe qendër e rëndësishme tregëtare u bë dhe qendër ku depërtoi krishtërimi dhe nga këtej u përhap në zona e fise të tjera të Ilirikut. Rrjedhimisht ndërtesat e para të kultit fetar i gjejmë që në shekullin e VI-të. Dokumentet flasin se, Shën Cezari, ipeshkëvi i Durrësit, ishte martirizuar rreth vitit 58 AD dhe Shën Asti rreth 100 AD. Ndërkohë Shën Pali ka kaluar në këtë qytet duke “shpallur plotësisht ungjillin e Jezu krishtit deri në Iliri”.{Rom. 15,19}.

Vijimësia e bashkësisë së krishterë konfirmohet dhe me faktin se në Koncilin e Efesit{431}, mori pjesë ipeshkëvi i Durrësit, Eukario, dhe në atë të Kalkedonisë{451), Durrësi u përfaqsua nga ipeshkëvi Luka.

Mbas ndarjes së dy kishave në v.1054, Durrësi kishte kisha katolike dhe bizantine. Në Sinodin e Matit, v.1462, të drejtuar nga Pal Engjëlli, u nderua Shën Lucia në Durrës dhe në porte të tjera detare. Sipas një arkeologu frances, në v.1861, ka pasur një burim të Shën Lucisë, në rrugën që shkon tek Vila mbret.

Kisha mori emrin e Shën Lucisë para pushtimit Osman. Shën Lucia ishte një martire e shek.III-të nga Sirakuza e Sicilisë. Vetë kisha u ndërtua në vitin 1868, nga Austro-Hungarezët, që e kishin në kujdestari kishën katolike gjatë kësaj periudhe.

Kisha u bë e njohur në periudhën e shpalljes së pavarësisë, ku si famullitar {1893}, i saj u caktua Dom Nikollë Kacorri. Dom Nikolla i dha asaj një frymëmarrje të re, duke e parë atë, jo thjesht si tempull në nderim të zotit, por dhe si qendër të mirëkuptimit dhe bashkëveprimit ndërfetar, si përgatitëse e mësuesve të shqipes, si shkollë e mësimit të gjuhës shqipe dhe përhapjes së shtypit patriotik shqiptar. Jo vetëm kaq, por Dom Nikolla, bashkëpunoi me marinarët shqiptarë, për sigurimin e armëvë të kryengritësve shqiptarë. {ANTOLOGJIA E DETARISË SHQIPTARE, VËLLIMI I PARË, FAQE 112}. Veprimtaria atdhetare e Dom Nikollës kulmoi si përfaqsues i popullit të Durrësit në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Eshtrat e Dom Nikollës prehen po në këtë kishë. Në vitin 1937, Kisha e Shën Lucicë u shpall katedrale e Dioqezës së Durrësit dhe në v.1939, pas vdekjes së Monsinjor Pjetër Gjura, emërohet Mons. Vincens Prenushi. Arkipeshkëv i saj.

At Vincensi ishte një shkrimëtar dhe poet i njohur.  Gjatë periudhës komuniste At Prenushin e arrestuan e torturuan deri sa vdiq në burgjet famëkeqe.  Njëkohësisht u dënuan Dom Anton Zogaj, famullitar i Shën Lucisë dhe Imzot Jul Bonatti. Eshtrat e tyre, bashkë me ato të At Vincensit, janë vendosur brenda altarit të kishës, pas shpalljes së tyre si Martirë të Kishës Katolike më 5 nëntor 2016.

Nga viti 1967 deri në vitin 1991, Kisha e Shën Lucisë shërbeu si teatër kukullash, mirë që nuk e rënuan. Ne v.1991, Imzot Damian Kurti e ringjalli jetën kishtare në këtë objekt, ndërkohë që vetë Nënë Tereza ka marrë pjesë disa herë në kremtimin e Meshës së Shenjtë.

Pas vdekjes së At Damianit, shërbesën në kishë e mori Mons. Gjergj Meta, i cili shërbeu për disa vite. Gjatë kësaj kohe u bë dhe restaurimi i Kishës me fonde nga Renovabis dhe dioqeza e Këlnit. Projekti u zbatua nga arkitekt Indrit Hamiti. Vitin e kaluar kisha katedrale e Shën Lucisë festoi 150 vjetorin e saj, [21 prill 2018}. duke falenderuar zotin për dëshminë e besnikërisë dhe ndihmën e vazhdueshme të Tij.

Nga kjo kishë kanë dalë tre martirë të Kishës katolike:

Doma Anton Zogaj, Monsinjor Vincens PRENDUSHI dhe Imzot Jul Bonati….

Ka një lutje për Sinodin Dioqezan Tiranë –Durrës

Ku në fjalinë e parë thuhet:

O atë i shenjtë, Hyji i mirësisë dhe i mëshirës,

Na trego nëpërmjet Sinodit Dioqezan,

Rrugën në të cilën është e thirrur të ecë

Dioqeza jonë Tiranë –Durrës…

……………………………………….

Këto mbresa mora atë ditë të djele fillimgushti në katedralen e Shën Lucisë, e cila qëndron hijerëndë në lagjen më të vjetër durrsake, duke ja shtuar lashtësinë dhe mirësinë kësaj lagje….

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kisha e Shen Luçise- Shefqet Kercelli

Lagja Muradie dhe Teatri Kombëtar

August 7, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Nuk ka as disa orë që Edi Rama ka postuar një statut në fb nga restaruimi i lagjes Muradie në Vlorë. Janë disa banesa të vjetra që deri dje vetëm muret u kishin mbetur. Ishin disa rrugica të cilat qenë kthyer në makthin e banorëve. Kush ka pak lidhje me Vlorën e di fare mirë që Muradia dhe Kabashi janë zemra e këtij qyteti. Kishin degraduar dhe shpejt do të zhdukeshin. E për rrjedhojë nuk do ishte çudi ky aty të shihje ndonjë ngrehinë hollake si pasojë e ”zhvillimit” urban a revolucionit makabër të ndërtuesve shqiptarë me blerës investitor a blerës që parapaguajnë. A bëri mirë kryeministri a qeveria? Sigurisht. Pa as më të voglin hezitim bravo. Askush tjetër më shumë se Shqipëria nuk ka nevojë për investime në rrafshin e traditës, pavarësisht se ajo ka një pleksje me kultura të ndryshme si nga Orienti apo Perëndimi, pa lënë mënjanë dhe atë lindore si vend anëtar i bllokut komunist. Kultura që lidhen me invazionet e gjata e që pa diskutim do të linin gjurmë tek ne. Kjo ia shton më shumë vlerat të shkuarës sonë. Nga ana tjetër për një perspektivë më të plotë për futjen e turizmit në shinat e duhura duke iu shmangur përfundimisht tellallit të propagandës, kur në mëngjes një ministër del e mburret me arritjet, me artikuj të paguar në revista të ndryshme, kur në të njëjtën kohë kryeministri publikon hyrje lokalesh me xhama të taposur nga shiritat e taksa mbledhëseve. Kjo është një marrëzi veç shqiptare si rezultat i pikërisht i mendësisë së të bërit ekonomisë së tregut me metoda të asaj të centralizuar. Ajo që dua të them është fakti që deri sa u restaurua Muradia që për nga mosha ka mundur shekujt, si është e mundur të mos restaurohet edhe Teatri Kombëtar. Ku sot e dy vjetë ka një luftë të ashpër midis komunitetit, qeverisë, policëve dhe një opinioni të tërë. Si është e mundur pra që dikund mistrija e këtij katunarit e ngjit llaçin e dikund jo, i shket? Ka gjithë javën që poston e përdoron artistët me ca thënie kafenesh mbi emergjencën e një godine të re. Merret me thashetheme, bën ca ta e ta dhe askënd nuk dëgjon. Kur kurrë nuk e bëri këtë për ngrehinat pa çati të Muradies. Nuk e di a bëjnë këtë dallim standartesh shqiptarët apo jo? Ndryshe janë palë e mëkateve të katunarit të tyre. Ndryshe janë bashkëpunëtorë në krimet e katunarit të tyre ashtu siç edhe ishin me Enverin në luftën e klasave dhe hedhjen në erë të objekteve të kultit. Se nuk ka si shpjegohet ndryshe që gërrvërren brenda dy standarteve të katunarit të tyre, fluturon pata e pjekur, nuk fluturon pata e pjekur. Ja që u restaurokan objektet e vjetra. Ju mundi me stadiumin, ishte një keqardhje e madhe, një konstatim fatal i madh si shoqëri, ajo çka pohonte një gazetar sportiv para pak ditësh. Një artikull që nuk mbeti web pa e publikuar. Emri i tij Besnik Dizdari, me pak fjalë thoshte atë që komuniteti artistik e mundi atë sportiv kjo në lidhje me stadiumin kombëtar. Gëzojuni së resë në vendin e vet jo mbi shpatullat e së shkuarës. Ndryshe kjo quhet një çmenduri sociale. Dhe nuk është sot e rastësishme përshembull zbrazja totale e stadiumeve ku plot qytete ka harruar aromën e topit. Kjo strategji po ndodh edhe me hekurudhën, ku një vend që pretendon turizëm elitar kryen transoport të tipit xhungël duke vdekur qëllimisht rrjetin e hekurt. Po ju hanë pp-të kudo kurse ju ngelët në rrugë me gishtin përpjetë për furgonë dhe autobuzë a makina të rastit. Shkurt qytetarë në anë të rrugës. 
Po qe se keni sy e bëni vet dallimin tashmë midis lagjes Muradie, Teatrit Kombëtar dhe tri PPP-ve të kryekatunarit tuaj.
Në thelb është zhvatja dhe tallja e by….. Ta gëzoni!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Lagja Muradie-Teatri Kombetar

..kur liria s’gjen të çliruar

August 7, 2019 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Demokraci pa demokratë mund të jetë një absurditet, gjendja më e jashtëzakonshme e një shoqërie; por historia e lashtë si dhe ajo moderne japin prova se ekzistenca e një demokracie të tillë është e pajtueshme me çdo mungesë në një formë të tillë qeverisjeje.
Tani është fakt, se njerëzit nuk kanë armiq më të mëdhenj për lirinë e tyre se vetveten; dhe kjo liri bëhet instrumenti më i sigurt për një despot për të realizuar objektivat e tij.
Varfëria e bën njeriun rob.
Në një liri pa të çliruar, barazia nënkupton një gjendje ku të gjithë shtypen njësoj; dhe një komb duket se nuk është kurrë më skllavërues sesa kur është i lirë të zgjedhë sundimtarin e vet.
Në Shqipëri, duke filluar nga 1944, komunistët erdhën në krye, me grykën e pushkës (si banditë); ata që kishin vrarë më shumë e vendosën veten me besnikëri rreth tiranit dhe të tjerëve të paskrupuj, të cilët kishin fituar popullaritet duke shfaqur cilësitë më të këqija, dikush me grabitje në çeta (banda), një tjetër me sukseset e tij si vrasës me shumicë (krimin lufte). Mos shikoni filmat e prodhuara në kohën e tyre, aty gënjehet.
Është për të ardhur keq për atë që u quajt “kauza e lirisë”, që u bë kauza e tyre, ku cilësitë vulgare tërheqin pjesën më të madhe të duartrokitjeve; dhe se atyre që u besohej më lehtë, ishin pothuajse gjithmonë më të paskrupullit në tradhtime.
Më 1990, Shqipëria ishte zhytur në gjendjen më të ulët; dhe shoqëria ishte bërë aq e përçarë, sa që shpërbërja e diktaturës mund të kërkohej si pasojë e natyrëshme. Ndër sundimtarët e asaj periudhe binin mbi supe të gjitha mizoritë, vjedhjet e pasurisë së popullit dhe korrupsioni; mos mendoni se atëherë nuk kishte të tilla dukuri, ato vetëm se nuk botoheshin në gazeta; kishte vetëm një ZP, të tjerat ishin shtojcat e saj. Dhe ata mburreshin se ishin bijtë e Enverit, edhe pse vetë, bustet e tij i hoqën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-..kur liria- s’gjen të çliruar

LETRA QE ÇOI PARA SKUADRES SE PUSHKATIMIT DOM SHTJEFEN KURTIN…

August 7, 2019 by dgreca

Letra e prokurorit Hajredin Fuga dhe gjykatësit Vasili që vendosën pushkatimin për Dom Shtjefën Kurtin, në 1971/

Kush është Hajredin Fuga/

Z.Hajredin Fuga u lind në 15.02.1936 në Berat. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1959. Gjate karrierës së tij profesionale, z.Hajredin Fuga ka shërbyer si prokuror rrethi dhe prokuror apeli, Drejtor në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe si pedagog i të drejtës penale në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Nipi i Dom Shtjefën Kurtit: Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: “Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë. I dhashë fjalën që nuk do ta botoj në media për sa kohë ishte gjallë”, rrëfen Kurti.

Hajredin Fuga: “Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur”.

Jani Vasili: “I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes, për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim”.

Duhet të ketë qenë shumë e vështirë për Hajredin Fugën mëngjesi i datës 2 qershor 2011, kur një person me emrin Nikolin Kurti i kërkonte një takim dhe arsyen përse e kërkonte këtë takim. Kishte të bënte me një ngjarje shumë të rëndë, që lidhej me të shkuarën e Hajredin Fugës, prokuror në kohën e diktaturës komuniste. Të njëjtin takim, Nikolini i kërkoi dhe gjyqtarit Jani Vasili. Nikolin Kurti kishte 20 vjet që kërkonte eshtrat e xhaxhait të tij, Dom Shtjefën Kurti, i pushkatuar në vitin 1971. Gjurmët e kërkimit e kishin çuar prej kohësh tek procesi i gjyqit ndaj Dom Shtjefën Kurtit, atje ku kishte qenë prokuror Hajredin Fuga e gjykatës Jani Vasili. Nikolini kishte vendosur t’i takonte për të mësuar detaje të gjyqit ku u dënua me pushkatim padrejtësisht, xhaxhai i tij, Dom Shtjefën Kurti.

Takimi me prokurorin 

“E mora në telefon dhe iu prezantova. I thashë dua të të takoj për çështjen e pushkatimit të Dom Shtjefën Kurtit.Jam nipi i tij. Mu përgjigj menjëherë pozitivisht. Më tha po, mund të takohemi dhe lamë një vend takimi. Ishte data 2 Qershor. Shkova në vendin ku e kishim lënë të takoheshim dhe po e prisja. Erdhi 10 minuta pasi kisha mbërritur unë. U ngrita në këmbë. I thashë uluni… ai më tha: Para se të ulem, dua të kërkoj të falur për Dom Shtjefnin. Dua të kërkoj një ndjesë që nuk munda ta bëj ndaj Dom Shtjefnit, prindërve të tij dhe gjithë ju familjarëve!

I thashë se e pranoj ndjesën. Pastaj u ul. Kisha marrë me vete dokumentin ku paraqitej kërkesa e tij si prokuror i çështjes, drejtuar gjykatës për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit. E pa dhe më tha menjëherë: “Është e vërtetë, është shkresa që unë kam shkruar… Por ashtu ishin kohët… etj”.

Pastaj nisi të më flasë për detaje të gjyqit, falsifikimin e të gjitha akuzave, përmes të cilave u dënua me pushkatim xhaxhai im Dom Shtjefën Kurti. I kërkova të më bënte një nder: të gjitha çfarë po më thoshte, t’i shkruante në një letër me shkrim dore, jo me kompjuter. Më tha menjëherë Po! Por duhet të më japësh pak ditë kohë dhe unë do ta shkruaj dhe do e sjell.

Pas pesë a gjashtë ditësh më mori në telefon dhe më tha: E kam gati. U takuam sërish.

E pashë që e kishte shkruar me detaje. Më kërkoi që të mos e bëja publike përsa kohë të ishte gjallë. “Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë”.  I dhashë fjalën që nuk do ta botoj në media për sa kohë ishte gjallë. Unë e mbajta fjalën dhe nuk e botova. Tani kam vendosur ti publikoj letrën e tij dhe atë të Jani Vasilit, në një libër për jetën e xhaxhait tim, Dom Shtjefen Kurtit.

Letra

“Në takimin e parë të datës 2 qershor 2011, unë të shpreha keqardhjen time të thellë, për gjithçka ndodhi në Shqipëri, në periudhën e regjimit komunist ndaj qindra e mijëra shqiptarëve, përfshirë dhe rastin konkret, të cilët u persekutuan dhe u martirizuan vetëm e vetëm pse u përpoqën dhe luftuan për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë.

Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexuar, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar, personalitet dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. U përgëzoj për atë punë të lavdërueshme që keni bërë për njohjen dhe përjetësimin e figurës së këtij martiri. Këtë e them me sinqeritet dhe të më besoni.

Kanë kaluar diçka më shumë se dyzetë vjet në largësinë e viteve dhe do të përpiqem të jem i saktë në kujtesën time….”, është ky fillimi i një letre të gjatë të Hajredin Fugës për nipin e Dom Shtjefën Kurtit, për të cilin dikur, kishte kërkuar dënimin me pushkatim.

Në letër, ai sqaron detaje të rëndësishme, ku vërtetohet falsiteti me të cilin diktatura vriste njerëz të pafajshëm. Në fund të letrës, ish-prokurori i çështjes së Dom Shtjefën Kurtit, i kërkon nipit të viktimës së tij të mbeten miq përjetë. Në atë kohë, Hajredin Fuga po mbyllte një karrierë të spikatur në sistemin e drejtësisë në Shqipërinë postkomuniste. Kishte qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Takimi me gjykatësin

Jani Vasili ishte caktuar nga regjimi për të drejtuar seancën gjyqësorë për Dom Shtjefën Kurtin, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dënim me pushkatim. Gjyqi zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godina e kthyer në vatër kulture pas prishjes vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar. Jani Vasili dhe trupa gjykuese dha vendimin për pushkatimin e priftit të famshëm Dom Shtjefën Kurti, i cili në fakt nuk kishte kryer asnjë krim, përveçse kishte guxuar të pagëzonte ilegalisht një fëmijë.

Takimi i Nikolin  Kurtit me Jani Vasilin është i ngjashëm me takimin e tij me prokurorin, Hajredin Fuga.

“Jani Vasili kishte dijeni me sa duket nga Hajredini se unë do ta kërkoja dhe sapo e kontaktova, me tha menjëherë po për takimin. Ishte pak javë pasi kisha takuar Hajredinin. U ulem në kafe. I tregova vendimin e tij për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit, ku kishte qenë relator.

Po më tha, është e vërtetë. I kërkova detaje se si ishte e vërteta e atij gjyqi. I kërkova që ta shkruante me dorë dhe ma solli. Më kërkoi gjithashtu të mos e botoj për sa kohë të ishte gjallë”.

Letra e Gjykatësit 

“Jani Vasili, anëtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Me kërkesë të z.Nikolin  Kurti, i deklaroj se vendimi i Gjykatës së rrethit të Krujës me Nr. 54 datë 31.7.1971, me të cilin, ndër të tjera është dënuar me vdekje për të ashtuquajturin krim sabotim, si dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë, janë tërësisht të padrejtë. Në të dy vendimet e sipërme, është pranuar pa asnjë bazë ligjore, ndër të tjera, dënimi me vdekje i të gjykuarit Shtjefën Kurti për krimin e sabotimit. Në të dy arsyetimet e vendimeve, është qartësisht e vërtetuar se veprimtaria e pranuar nga Gjykata në ngarkim të të sipërmvet rezulton qartë se nuk ka asgjë të përbashkët me sabotimin, por është interpretimi i qëllimshëm, tejet i zgjeruar i diktaturës komuniste, për të zhdukur veprimtarinë shoqërore e fetare, sikurse i dënuari Shtjefën Kurti. Është më se e qartë, se në këtë vendim çdo gjë ish e paragjykuar dhe e vendosur nga diktatura komuniste. I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim.

prill-maj 2012”.

Hajredin Fuga dhe Jani Vasili  kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke kapur majat deri në Gjykatën Kushtetuese. Për të respektuar marrëveshjen me ta, Nikolin  Kurti nuk i botoi dy letrat e tyre për sa kohë ata ishin gjallë. Letra e Hajredin Fugës dhe Jani Vasilit, me ndjesën që i kërkojnë nipit të viktimës së tyre, botohet për herë të parë në Kujto.al, me lejen e Nikolin  Kurtit, nipit të Dom Shtjefën Kurtit.

Dom Shtjefën Kurti, ishte një prift katolik, lindr në Ferizaj të Kosovës më 24.12.1898. Studioi në Seminarin e Shkodrës, më pas në Insbruk të Austrisë, në Kolegjin Canisianum dhe, në fund, në vitin 1919, në Romë pranë Kolegjit të Kongregatës Propaganda Fide. U shugurua meshtar në Romë më 13.05.1921. Në vitin 1930 u kthye në Shqipëri për Dioqezën e Durrësit. Në Kosovë kishte qënë famullitar në Ferizaj e Novoselë. Në Shqipëri qe famullitar i Zhejës, Gurrëzit e Tiranës. U arrestua dy herë: herën e parë në Tiranë më 27.10.1946 dhe u dënua me 20 vjet burg, prej të cilëve bëri 17, në burgun e tmerrshëm të Burrelit; herën e dytë u arrestua në Gurrëz më 11.06.1970. U dënua me vdekje. Ky vendim u shqyrtua nga një trupë gjyqësore e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ku bënin pjesë: Llazi Stratobërdha, zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë, Ali Zenko antar dhe Jani Vasili antar, të cilët me datë 8.9.1971, mori në shqyrtim çështjen Nr.806, që i përket të gjykuarit Shtjefën Kurti: Për krimin e sabotimit dhe të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, d.m.th. për krime të parashikuara nga neni 72 dhe paragrafi i parë i nenit 73, në bazë të cilave gjykata e Krujës e ka dënuar me vdekje, me pushkatim dhe e konsideroi atë vendim të mbështetur në ligj. Në vendimin e Gjykatës së Lartë theksohet se “Për të gjykuarin Shtjefën Kurti vendimi nuk mund të ekzekutohet, pa pritur përgjigjen e lutjes që ai, sipas nenit 349 të Kodit të Procedurës Penale ka të drejtë t’i drejtojë Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. I akuzuari Kurti nuk i kishte bërë kërkesë falje Presidiumit të Kuvendit Popullor, megjithatë ai organ ishte njoftuar me vendimin përmes Gjykatës së Lartë. Një ditë të ftohtë shkurti të vitit 1972, Dom Shtjefën Kurti merret dhunisht nga qelitë e burgut për t’u vënë para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, ai i qetë përgjigjet: “Nuk më vjen keq se po vdes, po më vjen keq se jetën po ma merrni ju”. U pushkatua në Gurrëz më 20.10.1971.

Më poshtë botohet e plotë faksimile e letrës së ish-prokurorit Hajredin Fuga dhe ish-gjyqtarit Jani Vasili./kujto.al/

Kortezi Alb Spirit

Filed Under: Politike Tagged With: Letra e prokurorit- Pushkatimi- Dom Shtjefen Kurti

NJË GRUA, EVROPA DHE SHUMË GJËRA PËR T’U NDRYSHUAR

August 7, 2019 by dgreca


Shkruar nga PAOLO LEPRI-/ E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika/
Nëse është e vërtetë se “e fshehta e lirisë është guximi”, siç tha dje Ursula von der Leyen, duke sjellë ndërmënd Greqinë e lashtë të Thuqidhidhit dhe Perikliut, kryetarja e re e Komisionit duhet të ketë shumë gjatë mandatit të saj. Kjo është një nga pak siguritë në një çast kaq sfilitës të projektit evropian. Ish ministres së Mbrojtjes gjermane nuk i mungojnë përvoja dhe vendosmëria. Por mund të mos jenë të mjaftueshme.
            Përse e themi këtë? Sepse tërmeti politik që ka bërë të tronditet shtëpia e përbashkët ndoshta do të kishte kërkuar ndërhyrje të jashtzakonëshme e jo një përsëritje të zakonit thelbësor të ruajtjes së gjëndjes.Bëhej fjalë në rradhë të parë të rishafrohej Evropa me qytetarët, të ndërhyhej në fusha në të cilat njerëzia është ndjerë e braktisur, nga punësimi tek siguria.E gjithë kjo nuk ndodhi. Fakti që zgjedhjet e majit kanë vlerësuar më pak se sa pritej fuqitë kundërshtare nuk duhej të kishte mbetur vetëm një ngushullim i përkohshëm për (pothuaj) fituesiit. Frymëmarrja klasike e të liruarit nga ankthi zgjati shumë.
            Gjithshka mbeti si më parë. Von der Leyen u zgjodh me metodën e zakonëshme. Mbizotërimi i ndërqeverisëshmërisë mbeti i pacënuar. U la mënjanë e vetmja risì e lindur në vitet e shkuara, ajo e treguesit të zgjedhësve në skedat e votimit për emrin e kandidatit për drejtues të Komisionit. Përshtypja e përgjithëshme mbetet ajo e një manevre pak të tejdukëshme të pallatit.
            Por në mënyrë paradoksale, këto metoda të vjetra kanë prodhuar rezultate politike që mund të kthehen në një pikë force për gruan e zgjedhur në pasardhje të luksemburgasit Jean-Claude Juncker. Para së gjithash, edhe se emri i saj nuk doli nga cilindri i Angela Merkel por nga ai i Emmanuel Macron, Ursula von der Leyen nuk ka mbas vetes një Vënd të vogël, siç ka ndodhur në çerekun e fundit të shekullit (veç përjashtimit jo të parëndësishëm të Romano Prodit). Drejtimi i saj mund të fitojë peshë. Do të jetë ndoshta më e pavarur se sa shumë prej paraardhësve të saj. Megjithatë zgjedhja e saj me vetëm nëntë vota më shumë se e domosdoshmja, krijoi në Itali një rast të diskutueshëm për mbështetjen përcaktuese të ardhur nga parlamentarët pesë yje. 
            Pikërisht ndarjet që kanë përshkuar grupet politike (në rradhë të parë pakënaqësia e madhe e socialdemokratëve gjermanë, që në të vërtetë quhet mall për opozitë), kanë detyruar ish të mbrojturën e kançelares të punojë mbi një program konkret, në një farë mënyre larg nga kërkimi i një barazpeshe akrobatike ndërmjet përparësive të qeverive: pakt për shpërnguljet, ruajtje e mjedisit, investime publike, rrogat minimale, mbrojtje të shtetit të së drejtës, fuqizim të kompetencave lligjvënëse të Evroparlamentit. Përçarjet dhe ribashkimet në familjet politike tradicionale, të shkaktuara nga kandidatura e saj, mund të jenë një element pozitiv në dialektikën e futur në allçi me të cilën jemi mësuar për shumë kohë. Për këtë arsye von der Leyen qe dje, mbi shumë tema, më e qartë se në deklaratat e para. E nëse duam t’i masim guximin, disa pjesë të fjalës së saj nuk janë dukur të zakonshme. “Në det – tha – është detyrë të shpëtojmë jetët dhe në traktatet e konventat tona është detyrë ligjore e morale të respektohet dinjiteti i çdo qënieje njerëzore”. Gjithshka lë të shpresohet se Evropa e saj nuk dëshëron më të lerë vetëm Vendet që, si Italia, janë gjendur në vijë të parë përballë valës së arritjeve të të mjerëve të tokës.
            Nuk mund të nënvleftësohet sigurisht gjëja e re që një grua është zgjedhur, për të parën herë, në drejtimin e Komisionit të Brukselit. Edhe kjo do të jetë, në çdo rast, një element fuqie. Muajt e shkuar në Gjermani flitej se Ursula von der Leyen synonte sekretarinë e përgjithëshme të Nato-s ose detyrën e përfaqësueses së Lartë të poltikës së jashtëme. Ndërsa arriti në një vënd ku mund të vazhdojë, në nivel evropian, punën e kryer në qeverinë e Berlinit për të futur kuotat e gjinisë dhe për të zhdukur dallimet në shpërblimet mes dy sekseve. Premtimi për të mos pranuar emrat e propozuar nga qeveritë për skuadrën e saj, nëse emri i burrave do të jetë shumë i madh, është një zotim që mund të bëjë shumë mirë, në përgjithësi, për pavarësinë e qeverisë së Bashkësisë.
            Nuk është e rastit që Ursula von der Leyen i kushtoi pikërisht një gruaje – liberales franceze Simone Veil – një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj. E internuar në Auschwitz, prej nga ishte kthyer me numurin 78561, të vulosur në një krah, e para kryetare femër e asamblesë së Strasburgut tha se Bashkimi i Evropës e kishte “pajtuar” me shekullin e njëzetë. Ndërsa sot është e nevojshme të pajtohet shekulli njëzetenjë me Evropën që është ndryshuar shumë pak. Pa braktisur vlerat që e kanë bërë të lindë.
 
            “Corriere della Sera”, 16 korrik 2019    E përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ursula von der Leyen- Evropa- Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 923
  • 924
  • 925
  • 926
  • 927
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT