• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, në tavolinën e shteteve që janë si Amerika

August 5, 2019 by dgreca

-Kryeministri në detyrë, Haradinaj në 21 vjetorin e Betejës së Markalleshëve: Nuk ka lindje më të vështirë se sa lindja e një shteti, t’i kryejmë punët qind për qind…Jemi nisur që t’i takojmë familjes se shteteve sepse jemi bërë shtet, e kemi shpallur veten shtet, dhe duam të jemi në tavolinën e shteteve që janë si Amerika dhe të tjerët veç e veç/

GJAKOVË, 4 Gusht 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në tubimin përkujtimor, kushtuar 21- vjetorit të Betejës së Markalleshëve dhe dëshmorëve Mark Lleshi, Prend Lleshi, Kolë Lleshi dhe Memë Lleshi.

Fillimisht kryeministri në detyrë Haradinaj bëri homazhe te memoriali i dëshmorëve Mark, Prend, Kolë dhe Memë Lleshi.

Para të pranishmëve, kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se po ndihet jashtëzakonisht mirë që sot ka pasur nderin të kalojë pak momente te Markalleshët, familje kjo që ka një histori të vetën të gjatë, edhe në luftëra të tjera, kohëra të tjera sikurse edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ku nga kjo familje ranë dëshmorë njerëz të shquar.

“U pushkatuan padrejtësisht. Andaj më lejoni sot të ju falënderoj të gjithëve për prezencë në nderim të betejës së Markalleshëve të 7 gushtit por edhe të heronjve të Kosovës të rënë edhe më vonë. Dua të them disa fjalë për ditën e sotme pse është me rëndësi kujtesa jonë për të kaluar nëpër momente të vështira sepse janë bërë 20 vjet nga kjo betejë por edhe është kaluar një kohë”, theksoi kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se më së miri ndoshta kjo shpjegohet me faktin se nuk dihet që ka lindje më të vështirë se sa lindja e shtetit,  një lindje e këtillë kaq e vështirë është jashtëzakonisht e veçantë dhe ne jemi nisur që t’i takojmë familjes se shteteve sepse jemi bërë shtet, e kemi shpallur veten shtet, dhe duam të jemi në tavolinën e shteteve që janë si Amerika dhe të tjerët veç e veç.

Ndër tjera, kryeminitri në detyrë, Haradinaj shtoi se e dimë se për këtë Kosovë ka pasur shumë flijime, përndjekje, masakra e gjenocid, tmerre që i ka përjetuar populli ynë për të ardhur deri të dita e qershorit të ’99-ës.

Në këtë familje të Markalleshëve, sipas kryeministrit në detyrë, Haradinaj, ndër breza ruhet kjo sakrificë dhe e dinë se si ka qenë rruga jonë deri këtu dhe është në interesin tonë që ta përfundojmë Kosovën si shtet qind për qind, t’i kryejmë punët qind për qind, të bashkojmë shtetin tonë me kombin kudo që janë shqiptarët por edhe t’i bashkohemi familjes euroatlantike sepse aty është vendi ynë, aty takojnë vlerat tona, aty është nderi ynë.

“Nëse shërbehemi me shembullin e kësaj familjeje rruga jonë do të jetë e lehtë, pa asnjë dilemë dhe do të arrijmë së bashku dhe uroj që në këtë shembull, në këtë sakrificë të Markalleshëve, të të gjithë dëshmorëve, të shërbehemi si komb”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.

Nga një fjalë parë të pranishmëve mbajti Dervish Tahiri nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, Don Alberti famullitar, ndërsa në emër të familjes foli Gegë Lleshi./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Ramush-Kosova-Shtet si SHBA

Sajmiri në linjën direkte Tiranë- Bogota?-

August 5, 2019 by dgreca

Ish-ministri Demiraj zbulon linjat e reja të Air Albania/

Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka reaguar pas lajmit se Air Albania do të udhëtojë edhe drejt aeroporteve të BE, në vjeshtë.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq!

Me gëzim të madh ndoqa lajmin se Air Albania fillon fluturimet në Vjeshte me emrin Migjeni por edhe se avionet e linjave të tjera do të kenë emrat e Rilindasve të vërtetë të Shqipërisë si Naimi, etj.

Natyrshëm më lindi një pyetje:
Meqenëse jemi në pritje të ftesës nga BE në datat 18-19 tetor dhe tashmë që Rilindasit e sotëm deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së kur do fillojnë fluturimet me avionët:

Sajmiri në linjën direkte Tiranë- Bogota?
Taulanti në linjën direkte Tiranë-Karakas?
Kryerilindasi në linjën më të rëndësishme direkte Tiranë-Moskë?

Rroftë Rilindja, pasi pas ardhjes së tyre në pushtet në vitin 2013 u hapi sytë Shqiptarëve që të “integrohen” dhe të marrin eksperiencë nga “demokracitë” e vendeve më demokratike në botë dhe duke e shpërndarë atë me shumë sukses në të gjithë Europën.

Filed Under: Komente Tagged With: Dritan Demiraj-Saimir Tahiraj-Air Albania

SËMUNDJET MORALE

August 4, 2019 by dgreca


NGA BAHRI OMARI*/ DIELLI- 20 korrik 1916 */

Mjerisht një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës. Çdo shqiptar të thuash se sheh njëfarë autoriteti në vethen e tij të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithëshme ose më shumë të vendit të tij. Dhe shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke bazuar gjykimin tonë mi ca fjalë të thata likshtëdëgjuar andej-këtej, pa patur as të pakën e së pakës nonjë njohuri për biografin e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjatri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla; dhe në daç t’i mbushësh mëndjen, atë çast të mori nëpër këmbë dhe të gjeti të paditur. Më e madhja çudi është kur përdorin këto fjalët e ra, pa i kuptuar dhe i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vëndeve tona, e cila bren gjëndjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani në kombet e qytetëruara. Më të shumët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë hequr vërejtjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre q’e kanë për detyrë. Po trashëgojmë një sëmundje greke, se më shumë në grekër është përhapur kjo sëmundje. Kjo sëmundje ndalon njerinë të përparonjë në punën e tij dhe e bën nevralgjik. Kjo sëmundje të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë.
Padija ndahet më dy: Një është ay që s’di dhe e tregon padijën, tjatri është ay që s’di dhe s’ia ka për pesë. Në këtë sërën e dytë hyjnë dhe ata që kanë marrë një mësim superficiel (d. m. th. si e shkruara mbi akull). Nga kjo radhë janë më shumë ata të mjerë politikanë të cilët janë gati të të shesën nga çdo degë shkënce dhe diturie, apo s’u vjen rëndë të të tregojnë mësimet e larta prej universiteteve! të dyshimta. Oh! sa mjerim i math për ne të gjorët që s’dimë se sa na vlen lëkura! Mori botën më qafë gjithënjë çarlatanizma, e cila humbet idealin dhe mendimin qëndrestar, që është faktori m’i math në përparimin e përgjithëshmë të njerëzisë, se i vjen mbarë sicilit të shesë pa blerë, që të marrë famë. Shumë një mikrob i lik!
Si këto, dhe egoizma zë një vënt të math midis moraleve tona të prishura; pothua u bë zakon, pa dëgjuar ndopak zënë ndërgjegjësor, t’i mohojmë vlerën tjatrit, kurse vetja jonë është për të qarë hallë; tallen të verbërit me atë me një sy. Si e si ta biem fjalën mi një pikë që ai tjatri nuk e di, dhe atëherë shkrijmë tërë diturinë tonë të paqënë; dhe ç’nuk thomi, se kështu e dimë që nuk na e gjejnë dot kleçkën. Lipset të jemi seriozë me zëmër dhe jo me fjalë, të mbajmë cilësitë e prindërve dhe të hedhëm ato të ndyrat, të cilat na kanë ardhur jashtazi nga kombet që kanë shkelur Shqipërinë. Ta ndreqim Qeverinë Shqiptare me themel të pa tundur, se moral i prishur kalbëzon rrënjat e qeverisë dhe nuk e lë të vepëronjë lirisht, e pengon dhe më në funt e rrukullis nga maj’ e shkëmbit. Cilësit e liga qenë që dërrmuan Qeverinë Romane dhe ra në duart e Barbarëve.
 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bahri Omari-SËMUNDJET MORALE

Sharlatanizmi i të ashtuquajturve historianë

August 4, 2019 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

Klithmat e korbave të zinj po dëgjohen gjithmomë e më tepër, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e përparimit” siç i quante Noli këta pelivanë. Flamurin e këtyre klithmave sot e ka marrë një zotni me gradë shkencore “Doktor” dhe dhe titull “Profesor”, një zotni që ka kryer shumë detyra të larta shtetërore si ministër, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar apo sekretar komisionesh të kuvendit, një zotni që kryen shumë detyra si përgjegjës katedre, dekan fakulteti, anëtar i shumë këshillave shkencore, një zotni që ligjëron në shumë universitete shqiptare dhe të botës mbarë. E pra ky zotni,  kryetar i një partie, që ka gati njëzetepesë vjet që është krijuar dhe nuk ka zhvilluar asnjë kuvend por që ka vetëm një kryetar dhe asnjë anëtar. Medet që nuk na u ndanë këta kryetarët e përjetshëm që nuk i luan as topi nga postet e tyre. Megjithatë ky individ vazhdon ta quaj veten, madje kështu e quan edhe media shqiptare , “historian”.  Më falni, por a keni dëgjuar në ndonjë vend të botës, që një kryetar partie të jetë edhe historian i pavarur. Cilën histori do të studiojë dhe do të shkruaj ai? Atë të botës mbarë, të vendit të tij apo të partisë që drejton? Më falni që nuk po ia përmend emrin sepse është bërë fare qesharak por  besoj se ju e kuptoni se për kë e kam fjalën.Përkrah tij janë edhe një grup korbash që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941.

Ky xhongler nuk rresht së foluri dhe së shkruari për krimin që na paska kryer kryetari i qeverisë duke i hequr stadiumit te ri që po ndërtohet emrin e Qemal Stafës apo duke sjellë në atdhe eshtrat e dishepullit të shqiptarizmës, Mid-hat bej Frashërit.

            Lexojmë shpesh mendimet e mykura të këtyre hienave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që,  në të vërtetë,  i gryen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Hasan Dostit, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam kujtimet e mia të rinisë kur ata burra të shquar, të cilët u bënë mësuesit e mi në konditat e ferrit komunist, më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah

Nje shembull që provon se kush ishte ngritur kundër pushtimit fashist e tregojnë emrat e të internuarve nga Italia fashiste në kampin e Ventotenes. Kush u internuan atje? Ishin pikërisht krerët e Ballit Kombëtar Safet Butka, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, ishin Abdurrahman Kreshpa, Myzafer Pipa, Stavro Skëndi, Fazlli Frashëri, Selman Riza që nuk duronin dot zgjedhën fashiste, ishin luftëtarët e Kosovës kreshnike Gani, Hasan dhe Seit Kryeziu. Ishin pikërisht këta që e kundërshtuan më shumë se kushdo pushtimin fashist. Po komunistët  ku ishin? Nga këta dallohen vetëm emrat e atyre që ishin idealista dhe që më vonë do të pushkatoheshin apo dënoheshin me burgime të rënda nga vetë krerët e tyre si Llazar Fundo, Sinan Gjoni, Zef Mala.  Po ata që urdhëruan vrasjen apo burgosjen e tyre ku ishin? Ku ishte kreu i tyre, diktatori Enver Hoxha? Ai rrinte fshehur në shtëpinë e të kunatit të cilit, pak vite më vonë, do t’i dhuronte plumbin ballit dhe do ta etiketonte si “kolaboracionist”, si shpërblim të mikpritjes. pasi e tillë ishte ujdia me padronin e tyre jugosllav.

A ju kujtohet kënga që këndonin komunistët gjatë periudhës së luftës për çlirim?

Bijt’e Stalinit jemi ne,

            Që derdhim gjakun an’e mbanë

            Sa të valojë përmbi dhe,

            Flamuri drapër e çekan!

            Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që  synonte të pushtonte të gjithë botën.

Kjo gjë solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon disa herë atë të luftës kundër okupatorit, nga të dyja forcat ndërluftuese. Nuk kishte më luftë çlirimtare. Nuk kishte më luftë kundër okupatorit. Lufta ishte e shqiptarit kundër shqiptarit, një luftë e egër për pushtet.  

            Një faqe tjetër e historisë së nacionalizmit shqiptar do të shkruhej pas vendosjes së pushtetit të regjimit komunist në vendin tonë.  Një histori e paparë në asnjë vend tjetër të Europës Lindore, do të jetë ajo e rezistencës shqiptare kundër këtij regjimi. Krahina të tëra si Postriba, Malsia e Madhe, Zhabokika e të tjera do të ngriheshin në këmbë për liri e demokraci. Grupe të tëra luftëtarësh të lirisë do të pranonim më mirë plumbat në gjokset e tyre apo prangat e rënda të burgjeve në vend të lirisë së mohuar. Të tjerë do të braktisnin lehtësirat që mund t’u jepte bota e lirë dhe do të ktheheshin në atdheun e tyre, në kuadrin e batalionit 4000 të Nato-s për t’u sakrifikuar për të. Dhe ishin pikërisht këta, që propaganda komuniste vazhdonte t’i quante “kolaboracionistë dhe bashkëpuntotë të pushtuesve“, në një kohë kur vetë bota e lirë i kishte strehuar në gjirin e saj. Çuditërisht, idetë e këtyre martirëve rezistuan për 46 vjet, megjithë shtypjen e egër që ushtronte regjimi. Ata i treguan atij regjimi se do të vinte dita e përmbysjes së tij dhe fitores së idealeve demokratike. Dhe, me të vërtetë, në saj të kësaj rezistence dhe goditjes që i dha së fundi lëvizja studentore e viteve 90-të, sistemi komunist u përmbys dhe u vendos sistemi demokratik. Për të gjitha këto, historianët sharlatanë heshtin. Përse?

            Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë nismëtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më tepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi dolën të humbur nga beteja. Jo, mor zotërinj! Historia na mëson se Spartanët e mundën Athinën, por fitimtarët e vërtetë ishin Athinasit pasi janë ata që hynë në histori dhe vazhdojnë të kujtohen dhe të nderohen edhe në ditët tona. Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi hunbën vetëmn një betejë dhe këtë e humbën sepse nuk ishin vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishin të prapaskenave të pështira si ju. Ata ishin për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të  botës së lirë. Ata nuk donin të derdhnin gjak shqiptari si ju. Nuk donin të ngjallnin ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donin bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira. A nuk ishit ju që dërguat brigadat partizane në Kosovë për të ndihmuar armatën jugosllave ta ripushtonte atë vend? A nuk ishin Ramiz Alija dhe Rahman Perllaku që përcillnin nacionalistët kosovarë, nëpërmjet tokës shqiptare, drejt Tivarit ku i priste një masakër e pashembullt? Madje “Apostulli i Shqiptarizmës”, Mithat Frashëri, edhe në çastet e largimit nga atdheu, deklaronte:

            “Ne   po   largohemi  nga  Shqipëria  jo për   tëshpëtuar kokën,  por për  të  vazhduar luften  për çlirimin e saj nga thundra komuniste dhe për të vendosur sistemin demokratik.”

Unë meditoj dhe pyes:  

– A kemi vrasës midis nesh?

            Përgjigjen e jap po vetë: Po, janë ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit, janë punonjësit e ish-Sigurimit  të Shtetit  dhe organeve të tjera të dhunës komuniste që sot  janë  në krye  të  skakierës shtetërore. Ata janë në krye të një kori të përbashkët me pseudodemokratët, pseudohistorianët dhe korbat e tjerë të zinj. 

          Atëherë, kush qenka fajtor për tërë atë katrahurë që kaloi vendi   ynë?  Mos  vallë qenkemi  ne që e paguam me jetët tona? Mos vallë tani, pas njëzetenëntë vitesh që komunizmi është përmbysur, duhet të drejtohemi pikërisht prej atyre që ishin ithtarët e atij sistemi? Mos vallë nuk paska Shqipëria djem dhe vajza të reja, që kanë mbaruar studimet në universitetet më në zë të botës dhe nuk janë të infektuar nga ideologjia komuniste, pavarësisht cilit krahu i përkasin,  për t’i vendosur në postet e ishve të kompromentuar?

Jam i bindur, megjithëse unë, për moshën që kam, nuk besoj t’ia arrij asaj dite por mendoj se këto hiena më në fund  do të shembetn. Jam i bindur sedo të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Do të vijë dita kur emrat e këtyre pseudodemokratëve dhe pseudohistorianëve do të hidhen  në  koshin e  plehrave, ndërsa  emrat e martirëve të nacionalizmit shqiptar do të ngrihen në piedestalet më të larta. Do të vijë dita kur nxënësit tanë nuk do të dëgjojnë më pallavrat tyre por do të mësojnë historinë e vërtetë të popullit tonë martir. Atëherë ata i  prêt vetëm një gjë,  ndëshkimi i drejtësisë njerëzore, ndëshkimi i drejtësisë qiellore. 

Kjo ditë do të vij!

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat Kripa-Sharlatanizem-Historianet

Në kërkim të asgjëje

August 4, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Çfarë kërkon njeriu? Në dukje ai ka. Por sot kërkon, nesër diçka tjetër. Oreks për çdo gjë. Ka, pa qenë në gjendje t’i konsumojë të gjitha.
Njeriu, jo rrallë, ndjehet i vetëm edhe mes të vetëve, nuk e di çdo. Ndoshta kërkon të jetojë më shpejtë se koha. Para syve i kalojnë epoka të tëra si në një shirit të dikurshëm filmik dhe ai zgjat dorën t’i prekë të gjitha njëherësh. Apo vetja është gjithçka, rrënja e pemës së jetës që me degët e saj zgjatet përhapet, bën fryte dhe në fund vlerësohet për hijen.
Edhe Estetika e gjërave ndryshon.
Më parë, kur shumica e sendeve bëheshin me dorë, njeriu vlerësonte pa mëdyshje përsosmërinë teknike, simetrinë. Piktura dhe skulptura, për shembull, çmoheshin për realizmin e tyre, vërtetësinë, sa saktë ato përshkruanin temën e zgjedhur. Me aparatin fotografik, interesi për realizmin u venit, dhe arti hapi fusha për forma të tjera si ekspresionizmi, kubizmi etj. Asimetria a pabarazia filluan të cilësoheshin si kryevepër. Realiteti ndryshon çdo sekondë, kështu edhe shijet, përse për më mirë edhe jo njeriu?

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Çfare kerkon njeriu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 925
  • 926
  • 927
  • 928
  • 929
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT