• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

As Zoti nuk e shpëton më Edi Ramën

June 25, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Eshtë logjika më idiote ajo që vlon studiove mbi precedentin dhe faktin e shmangies nga skandali i përgjimeve. Askush nuk do ta kuptoj se ajo që e çoi opozitën në heqjen dorë nga mandati qe pikërisht prova që ajo donte t’u jepte shqiptarëve mbi vjedhjen e zgjedhjeve, prishja e balancës së ndarjes së pushtetit dhe kapjen e shtetit nga krimi. Dhe ishte më se e logjikshme pavarësisht habisë gjoja kristalinë të ca manekinëve që kurrë nuk duan ta kuptojnë se politika është sfidë, madje me pengje të forta. Opozitën krimi e ka kërcënuar publikisht, nga dyert e gjykatave pas skandaleve me rrëmbime në dhoma motelesh, a histori me drogë dhe grupe pranë kryetarësh bashkish. Këto janë evidente dhe mjaftueshëm për tu indinjuar apo braktisjen e një mandati nul për të bërë punë të vlefshme në demokraci. Kaq, të tjerat janë gjepura mbi precedentin. Apo me histori nga e kaluara se si i vidhte pd-ja dikur zgjedhjet në iks katund apo provincë ku vetëm era mbretëron. Eshtë fare e thjesht, nëse edhe ministrat a kryetarët e bashkive të pd-ës kapen me presh në duar si këta të rilindjes, ps-ja ka të drejtën legjitime të djegi jo mandate por edhe kuvendin. Mirëpo nuk është kjo në fakt e keqja e ardhmërisë së Shqipërisë. Eshtë pikërisht kjo idiotësia e interpretimeve pa fund mbi precedentin, si e qysh, ai apo ky, duke harruar faktin që na solli këtu, vjedhjen dhe qenien në pushtetin e krimit. Përkrah Edi Ramës sot, Shqipëria ka një shpurë gjoja intelektualësh që nuk shohin asgjë, por xhelin e Lulzim Bashës dhe emrin nocion a indeks, Sali Berisha. Kjo është një marrëzi vrastare që shpesh ka shoqëruar çdo shef qeverie, aq sa nuk është aspak e rastit që një komisioner zgjedhor a një gjykatës kolegji flet si president a si kryeministër. Eshtë skandaloze kur një ministër i brendshëm, në detyrë i thotë gazetarit se dosja e përgjimit duhet të çohet në prokurori që kjo e fundit të ngrejë akuzat. Eshtë skandaloze sepse ato nga prokuroria dolën, megjithatë asnjë nga ata që kanë marrë rrogën nuk rezulton që për dëmin e shkaktuar, e para, duke marrë rrogën dhe e dyta, duke mos kryer detyrën, nuk rezultojnë me ndonjë masë administrative, vazhdojnë punën të qetë. Dhe për më zi as që përfliten fare se janë po aq të dëmshëm sa qelbësirat. Dhe akoma më zi që kreu i komisionit të ligjeve jo vetëm që vazhdon detyrën, por me 120 kilometër në orë mbledh firma për të shkarkuar presidentin. Eshtë ai që fliste me q dhe me k, e që, kishte prespektivë të garantuar për poste më të larta për këta tipat me q e me k. Janë një shpurë e tërë të pafytyrësh që mirë shqiptarëve ua kanë marrë dorën për t’i mashtruar, por fëmijëve, familjeve të tyre si u përgjigjen? Që këtu ka vdekur perspektiva. Ndaj debatet në studio mbi fatin e opozitës, precedentin, e të tjera janë humbje kohe. Ne sot Shqipërinë duhet ta ruajnë nga papërgjeshmëria morale. Një i vetëm nuk doli e të thotë, po jam unë. Dhe nuk e di se si ua shohin sytë, si pranoni t’ju drejtojnë. Por ta dini, si këta dhe Edi Ramën që bën fushatë edhe në kisha, as Zoti nuk e mbron më. As ju, jo e jo…, janë ca papërgjeshmëri sociale që Ai nuk t’i fal, është ajo kohë e pashmangshme e theqafjes. Dhe nuk ka më kthim mbrapa. Kurse opozitës vetëm sa për kujtesë, nuk ka negociata me krimin, me Ed evlatin, kjo është arsyeja që edhe sheshet janë plot. Kaq dhe popullojeni burgjet se e ka vendi të domosdoshëm një katarsis social.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-As Zoti- Ramen

O KAPITENI IM!

June 25, 2019 by dgreca

Walt Whitman/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

O kapiten, kapiteni im!/
Udhëtimi i frikshëm u krye;/
Anija përplasur në çdo shkëmb/
Çmimin e kërkuar e ka paguar;/
Bregu është afër, këmbana dëgjoj/
Plot njerëz, të gjithë gëzohen,/
Ndërsa ndjekin me sy/
Anijen e dërmuar që afrohet:/
Por O zemër! zemra ime!/
O pikat e gjakosura, të kuqe/
Në kuvertë qëndron Kapteni im,/
Pa lëvizur, i akullt, i vdekur./
O kapiten! kapiteni im!/
Ngrihu, dëgjo këmbanat që bien;
Çohu, për flamurin që është ngritur
Për ëndërrat e tua, nga gjumi zgjohu;
Për ty janë buqetat me lule –
Për ty lulëzon gjithë bregu;
Është e padrejtë, në kuvertë,
Ti je shtrirë pajetë, i vdekur.
Kapiteni im nuk përgjigjet
Buzët e tij ende të zbehta;
Pulsi ndalur, pa asnjë vullnet.
Anija arrinë e sigurt në breg,
Lundrimi i saj është kryer;
Nga udhëtimi i frikshëm,
Anija fitimtare erdhi;
Lëvdohuni, o brigje, o këmbana!
Por unë, hijezymtë,
Çapit në kuvertë, i zhgënjyer
Me Kapitenin tim,
Rënë në të ftohtë e vdekur.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Walt Whitman-Astrit Lulushi

NE SHQIPERI: MUNGESA E SHOQENISE CIVILE ASHTE FATALE

June 25, 2019 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D.*/

“Studjoni historinë, studjoni historinë. Në histori gjinden të gjithë sekretet e qeverisjes së mirë.”- (Winston Churchill, 1953)

Ridgefield,CT.- Lajmet e ardhuna nga Shqipëria na trishtojnë!

    Në vendin tonë, ashtë krijue nji gjendje që nuk mund të përfundojë me suksese. Përkundrazi, të gjithë frikësohemi se në ditët e ardhme do të kemi trazime dhe ballafaqime që mbartin rrezikun e përleshjeve fizike në sheshet e qyteteve dhe rrugët e katundeve tona. Ka arsye me besue se shqiptarët janë nisë në mënyrë të pandalëshme drejt nji krizë të randë! Duket sikur Shqiperia nuk ka forcë të pengojë zbritjen në kaosin shkatërrimtar. Unë, refuzoj këte gjykim!

    Në maj të vitit 2017, botova në Panorama nji shkrim me titull: “O Shqiptarë, Nenës mos ia beni varr!” thirrje e marrun nga shkrimet e Imzot Fan S. Noli. Sot e përsëris: “O Shqiptarë, përse Nenës i bëni varr?”

    Sot, njerëzimi mbar nuk i nënshtrohet pa kundërshtim vorfënisë e shtypjes me të gjithë efektet negative: vdekje nga uria, smundje të pasherueshme, dhe përkeqsim të frikshëm. Njerëzimi mbar përbuzë këte lloj mjerimi që, në esencë, ashtë shkelja e patolerueshme e lirive dhe e dinjitetit njerëzor. Njerëzimi revoltohet si nji rebel në sherbim të kauzës së shenjtë: çlirimin e plotë të të gjithëve, pa dallim, pa përjashtim. Njerëzimi lufton kundër pushteteve totalitare që sjellin gjendje të këtilla, deri në fitoren e plotë! Njerëzimi nuk pret me duerkryq të ardhmen; ai e nderton ate simbas imazhit që e frymëzon: tue ngritë aftësinë e qenieve njerëzore, dhe shoqënisë mbar me përparue në nivele përherë ma të nalta jetese dhe qytetnimi. Ky ashtë marshi triumfal i historisë! Por, jo në Shqipëri!

    Sot, në Shqipëri, gjindemi para nji dileme ekzistenciale: a duhet të pranojmë turpin e ditëve tona që na imponohet në forma qeveritare, përbuzëse të ligjit, shkelëse të drejtave themelore të qytetarëve, tue i injorue ato, apo do të reklamojmë këto të drejta natyrore e pozitive që natyra dhe shteti ligjor na garantojnë? A duhet të pranojmë për vete dhe për të gjithë vëllaznit e motrat tona, konditat e jetës së nënshtrueme, në kundërshtim me të gjithë të kaluemen tonë historike, me mohimin e frymës së Rilindjes sonë Kombëtare dhe Pavarësisë, me frymën revolucionare të luftës kundër pushtuesve të huej, dhe të rezistencës heroike të luftës për demokraci e çlirim gjatë 45 viteve të “diktaturës së proletariatit” – epoka e poshtënimit total të miljona qytetarëve të etshëm për liri?

    Sot, ekziston mundësia e përsëritjes së nji Tien An Men-it kinez në qytetet e fshatet  e vendit tonë. E tmerrshme!

   Eksperienca e së kaluemes në Shqipëri ka qenë shumë shgënjyese. Udhëheqës autoritarë absolutë ma parë, elementë stalinistë të pareparueshëm. ksenofobë dhe homofobë pa asnji respekt për jetën e njeriut ma vonë, frymëzue nga nji përbuzëje ekstreme për ligjin dhe shtetin ligjor, me nji mohim të drejtave dhe lirive themelore të nji shoqënie të qytetnueme, kanë lanë gjurmët e tyne të pashlyeshme. Sot, ata ende veprojnë me ide e vepra irracionale, të egërsuem deri në vrasje, dhe me paturpësinë e fshehjes mbas sloganeve pa substancë. Nga leximi i shtypit shqiptar, njeriu ka përshtypjen se nji konglomerat karrieristësh, hajdutësh dhe kriminelësh- i njohun si elita politike e vendit – janë bashkue vetëm prej nevojës së mbrojtjes nga “shteti ligjor” që nuk i lejon, dhe për nji sistem qeveritar që i lejon me qenë ata që janë në të vertetë, ose ata që dëshirojnë me qenë të tillë…! Me grykën e pushkës që vret qytetarin, e ligjin njikohësisht, në nji vend ku krimi nuk denohet (edhe me tanke të ushtrisë si në masakrën e 2 prillit 1992, në Shkodër, që vrau katër djelmosha në pranverën e jetës së tyne, të rinj të frymëzuem nga dëshira e çlirimit nga diktatura e kuqe dhe themelimit të nji shteti dhe shoqënie demokratke) ashtë manifestimi ma elokuent i urrejtjes që ky konglomerat ka për popullin e vet, dhe ndershmëninë elementare.

    Sot, mbeturinat toksike të kësaj turme vandalësh, në përpjekje të dëshprueme me evitue humbjen e pushtetit, dhe të friksuem për rrjedhimet e natyrëshme që mund të vijnë si rezultat i dënimit të krimeve e kriminelëve autorë të këtyne krimeve, ata shtërngojnë rradhët njeni me tjetrin, dhe janë gati me përballue nji popull të zemruem.

    Cili ka qenë mësimi i përmbysjes së perandorisë sovjetike, 1989, që u dorëzue pa zbrazë asnji fishek? Ashtë, kryesisht gjendja ndërkombëtare! Duket se vendi i jonë nuk ka mësue gja nga ky zhvillim, as edhe peshën e forcave ndërkombëtare në zhvillimin e gjendjeve të mbrendshme të vendeve që e injorojnë. Ka mundësi që nji qendrim i ketill mospërfillës vjen edhe nga fakti se ata u përmbysën dhe nuk pësuen denimin e merituem për krimet e pafalëshme. Fatmirësisht,, andrra komuniste ka vdekë pa shpresë ringjallje!

   Sot, fajtorët dhe bashkëpunëtorët e tyne, përsëri bajnë përpjekje të reja me rindërtue shtetin e shoqëninë shqiptare në imazhin e së kaluemes së tyne të frikshme: sundimin absolut në  shtet nji-partiak, pa hezitim, pa kondita, pa rezerva. Sot, shohim ndërhymjen e tyne të unifikueme, sabotimin e vazhdueshëm të opozitës, refuzimin e çdo dialogu serioz për zgjidhjen e problemit, neglizhimin e drejtësisë me gjykata pa gjykatës, “udhëheqës” potencialë të nxjerrun nga rradhët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë (promovue nga nji kryeministër jo-komunist; paradoks shqiptar!), politizimin e Policisë që sherben mbrojtjen e çdo qytetari, dhe rrezikun e politizimit të Ushtrisë…. krijimin artificial të nji krize kushtetuese me kërkesën për rrëzimin e Presidentit të Republikës sepse ka zbatue ligjin që nuk u pëlqen pushtetarëve, si dhe tash se fundi arrestimin e  demonstruesve. Ky qendrim ashtë përcaktue nga Kreu i Shtetit si “procesi farsë dhe i dhunëshëm që po organizon (E.Rama) me 30 qershor, ashtë instalimi përfundimtar i grushtit të Shtetit…..”

    Konfrontimi që po përgatitet me zell “revolucionar” kërcënon shtetin dhe shoqëninë shqiptare! Duhet veprue, duhet ndalue marshi i fashizmit të kuq në Shqipëri. Duhet rivendosë ligji, dinjiteti i qytetarit, dhe respekti që vendi i jonë meriton para botës së jashtëme. Duhet të kthehemi në normalitet. Duhet të respektojmë ligjin e jo të zbatojmë urdhnesat kapricioze të pushtetarëve. Duhet të krijojmë atmosferën demokratike ku nuk lejohet frika e shtypjes, ku qytetari punon për bukën e gojës pa frikën e trazimeve që konsumojne jetë të pafajshme. Në shoqëninë e sotme shqiptare, theksi nuk vihet mbi “individin”, as mbi “liritë dhe të drejtat e “qytetarit”, dhe mbrojtja e Kushtetutës. Përkundrazi! Theksohet nënshtrimi ndaj vullnetit të “udhëheqsit të sotëm” gjithëherë me frikën e “devijimit” dhe dënimit që e ndjek . Kërkohet nji Shqipëri “ndryshe”!

      Dhe këte gjendje mund ta krijojë vetëm nji shoqëni civile koshiente e detyrës ndaj vendit e popullit tonë. Duhet guxim, duhet punë, duhet dedikim i plotë ndaj kauzës së lirisë dhe demokracisë. Shqipëria ka elementë mendje-ndritun për nji ndërmarrje të këtill historike. Nuk ashtë e lehtë! Shqipëria nuk ka pasë në të kaluemen nji shoqëni perendimore funksjonale. Shqipëria ka trashëgue nji shoqëni statike me tone otomane në përceptime dhe vlera, trashëgim që ka pranue ma lehtësisht autoritetin dominant të nji sunduesi ose partie politike. Këte “shoqëni civile” në Shqipëri unë e uroj me gjithë zemër sot !

                                                                     *****

     Në fund të L2B, nji figurë madhore politike gjermane, Egon Bahr, i persekutuem nga Hitleri, disfatën e Gjermanisë naziste nuk e konsideroj si ”okupim” por si “çlirim” të Gjermanisë. Ai ishte i vendosun me luftue për nji trajtim të barabartë për të gjithë gjermanët. Sepse, shkruente ai, “ përsa kohë që mbetemi të ndamë, na nuk jemi nji komb”. Dhe shtonte: “ Asnjeri nuk do të na ndihmojë, në se nuk ndihmojmë vetëveten”. Me nji qendrim të këtill, Gjermania e mbasluftës triumfoi.

    Ajo që karakterizoi komunistët shqiptarë me veprue me format ma shnjerëzore ndaj bashkatdhetarëve të tyne ka qenë elementi themelor: injoranca e randësisë së lidhjeve me botën e qytetnueme, dhe preferenca e tyne për vetë-izolim hermetik, zgjidhje që rrjedh nga mentaliteti i vjetër i diktuem nga…..injoranca. Si rrjedhim Shqipëria mbeti mbrapa  përsëri, për të dytën herë në histori.

     Herën e parë: Mbas vdekjes së Skenderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin e Shqipënisë. Dritarja e Botës Perëndimore u mbyll për Shqipëninë pikërisht në nji kohë kur era frymëdhanëse e Renaissance-s dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të re me nji etje gargantueske për njohuni të reja, për hapësina dhe nji botë të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kerkues, e thellësisht njerëzor. Pamvarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithmonë nji çeshtje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale- pushtimi osman ka nxjerrë Shqipëninë nga historia e kontinentit europian, dhe e ka dënue ate të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie te mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës, që po rilindte në Perëndim”.

    Herën e dytë: Me mbarimin e L2B dhe disfatën nazi-fashiste në Europë, Shqipëria u lirue nga “i hueji” dhe ra në duert e fanatikëve komunistë, sherbëtorë të perandorisë sovjetike, kundërshtarë të Europës Perëndimore. Kështu dritorja e Europës Perendimore u mbyll për Shqipërinë, pikërisht në nji kohë kur era e fitores mbi fashizmin, dhe përhapja e vlerave euro-atlantike po përhapej në pjesën e madhe të kontinentit. Njerëzimi ishte i etun për liri dhe për krijimin e nji bote të re me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem, të shpirtit kerkues, e thellësisht njerëzor. Nënshtrimi ndaj zonës komuniste, -jugosllave ma parë dhe ruse ma vonë – në gjiun e perandorisë komuniste sovjetike ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian, dhe ka denue vendin tonë të jetë nji sub-satelit ma parë dhe satelit ma vonë, i papërfillun mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës që pasunohej çdo ditë, në perëndim

      Akoma ma keq! Premtimet e nji perpjekje të re me u ringjallë në kuadrin e Europës së qytetnueme u dënuen me vdekje, reale dhe figurative. Dështimi damtoi tranzicionin në demokraci, dhe hapi rrugën për korrupsion, cinizëm ndaj politikës, nji rrymë populiste, dhe nji presion nga kapitali që synoi me transformue qytetarët e lirë në konsumatorë të mallnave të importuem. Dami i madh i këtij orientimi dhe partizania e jetës politike në vend (Partia mbi të gjitha!) si dhe margjinalizimi i talentit të vertetë rezultoi në krijimin e nji pengese me dame të pallogaritëshme për përpjekjen e bashkimit kombëtar, dhe për përpjekjet me iu dedikue përmirësimit të konditave të jetës për miljonët e shumëvuejtun të atdheut tonë. Nji vrap i vrullshëm dhe i pa kontrollueshëm për pasunim të shpejtë dhe të paligjshëm solli korrupsionin qeveritar, tue perfshi edhe gjykatat e vendit. Nji drejtësi e komprometueme randë nuk ishte në gjendje me zbatue ligjin. Rruga tashti ishte e hapun për veprimtari anti-ligjore. Shqipëria nga kohezioni i nji kombi të vjetër, mbeti nji shoqëni tribalistike, provinciale dhe grupesh antagoniste. Sepse, në se malësori i Kelmendit  nuk e ndjen gëzimin e dhimbjen e fshatarit të Konispolit, dhe viceversa, nuk do të kemi kurrë nji Shqipëri të vertetë. Rezultati i këtij orientimi shihet sot me Shqipërinë në buzë të greminës!

    Festimet e mëdha të njiqind vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, 2012, kanë qenë nji rast i veçantë për meditim të rrugës së marrun, nji moment historik me reflektue për të tashmen e të ardhmen e kombit, për angazhim në nji dialog të hapun, gjithëpërfshirës dhe tolerant, në nji krahasim ideshë ndërtuese, ku qytetarët të trajtohen si elementë të mirë-informuem dhe të pjekun politikisht. Nji dialog i këtill do të na udhëhiqte në kursin e zgjedhun për veprimet tona, në kontekst me zhvillimin tonë historik, i cili duhet studjue dhe duhet kuptue ashtu si ashtë në të vertetë, dhe jo si prodhim dëshirash të parealizueshme.

     Sepse vetëm e verteta na sjellë dritë!

     Nji dialog i këtill kombëtar ka përmasa ekzistenciale për problemet tona shqiptare, dhe ashtë nji imperativ kategorik i kohës, korrektësia e të cilit do të përcaktonte fatin e shqiptarëve në këte shekull, dhe përtej!

     Për nji dialog të këtill kombëtar që nuk përjashton asnji qytetar të lirë dhe qellim-mirë duhen përjashtue viktimët e indoktrinuem me ideologji anti-njerëzore dhe anti-kombëtare; ky dialog duhet të pasunohet me arsimin serioz në shkollat tona, arsim i konceptuem si kultivimi i ideve të lirisë mbrenda shoqënisë, arsim që me kuptim të gjanë human drejton jetët dhe punën e qytetarëve. “Në të gjitha proceset duhet të marrë pjesë shoqënia civile”(Amb. John Satter)

    Sot ashtë detyra e shoqënisë së re shqiptare me edukue “elementin e painformuem” ose të gënjyem, dhe ata që nuk kanë përjetue ferrin komunist, me fakte që flasin për krimet e pabesueshme në kurriz të popullsisë shqiptare, të pafajshme dhe pa mbrojtje per 45 vjet me rradhë. Duhen shenjtënue vendet ku u kryen këto krime, torturat, ekzekutimet, varrezat, kishët e xhamitë e rrenueme qellimisht, vendet ku u dogjën librat dhe autorët e librave., ashtu si shenjtënojmë varret e dëshmorëve të ramë për liri. Duhen kthye tek pronari pasunitë e grabituna me dhunë. Shqiptarët, dhe sidomos nxanësit e shkollave duhet të informohen në klasët e tyne mbi të gjitha këto krime, jo me mbjellë frymën e hakmarrjes, por me pengue fuqimisht përsëritjen e nji së kaluemje të errtë e kriminale.

    Sot, shqiptarët, pa përjashtim, duhet të mendojnë, sidomos duhet të mendojnë, për tragjeditë e së kaluemes, kurdoherë që flasin për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.     Sot, të gjithë ne jemi përgjegjës për qetësimin e gjendjes së krijueme, dhe për ardhmëninë e brezave të rinj. Asnji nga ne nuk përjashtohet nga kjo përgjegjsi e randë politike dhe morale!*

_________________________________________

* Autori  ashtë aktivist i të drejtave të njeriut.       

Filed Under: Featured

MASAKRAT GREKE NË ÇAMËRI U MBËSHTETËN NGA BRITANIKËT

June 25, 2019 by dgreca

-Masakra greke ndaj çamëve është e njohur edhe nga amerikanët: Sipas kreut të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Jozef  Xhejkobs(Joseph Jacobs) :” në Vjeshtën e vitit 1944 dhe në muajët e parë të vitit 1945, autoritet në Greqinë veriperëndimore,  kryen me egërsi dhe brutalitet dëbimin e rreth 25 mijë çamëve nga shtëpitë e tyre…

– Deputeti i Parlamentit anglez z. Hutchinson, kishte denoncuar masakrat greke në Çamëri dhe kishte takuar refugjatët çamë në Shqipëri. Ai kërkoi Komision Ndërkombëtar për mbrojtjen e çamëve.

– Shoqata Çamëria në SHBA i kërkoi Imzot Nolit që t’i përfaqësonte në Londër për të kërkuar bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Noli ia delegoi Misionin Dervish Dumës-

Nga Dalip GRECA /

Shqipëria vazhdon të fshihet si struci përballë Greqisë për çështjen Çame. Në 30 vite demokraci askush prej ministrave të Jashtëm, askush prej kryeministrave, Ministrave, Kryetarët e Partive kryesore,  nuk kanë arritur ta artikulojnë qoftë dhe në mënyrë diplomatike kërkesën për të drejtën njerëzore elementare, të pronës, të shtëpive, të varreve, pa lë që të guxojnë të kërkojnë hapur njohjen e gjenocidit të ushtruar nga Forcat e Lidhjes Kombëtare Greke ndaj popullsisë së pambrojtur. Askush nuk mund ta mbulojë e ta fshëhë një masakër të përgjakur që nën tymin dhe flakën e Luftës së Dytë Botërore, vrau, përdhunoi, përzuri me dhunë mijëra shqiptarë çamë nga trojet e tyre. Fatkeqsisht masakrat e grekëve, sipas studiueses Miranda Vickers , patën edhe e mbështetjen dhe autorizimin e britanikëve ( Miranda Vickers” The Cham Issue- Where to Now”, botuar nga Defence Academy of the United Kingdom, Jannuary, 2007, dhe sjelle ne gjuhen shqipe nga Xhevdet Shehu). Citoj: Kolonel Kris Udhauz (Chris Woodhouse), shef i Misionit Ushatark Britanik në Greqi, njoftonte:”I inkurajuar nga Misioni aleat që kryesoja, Zerva i shpërnguli çamët nga shtëpitë e tyre.”

 Masakra më e përgjakur ishte ajo që ndodhi me 27 qershor 1944 në qarkun e Paramithisë, kur forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke(EDES) të gjeneral Zervës hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë çamë, burra gra dhe fëmijë. Të nesërmen një tjetër batalion i forcave zerviste u sul në Pargë dhe vrau 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944, një tjetër masakër u bë në Spatar, ku përveç reprezaljeve, grabitjeve e shkatërrimeve, u vranë 157 vetë, gratë e reja dhe vajzat u përdhunuan, bashkë me burrat që ishin gjallë, u syrgjynosën në brigjet e Egjeut. Sipas statistikave, gjatë sulmeve mbi qytete e fshatra në vitet 1944-45, u vranë 2771 shqiptarë çamë dhe u përzunë dhunshëm 28 mijë çamë, që u vendosën në Vlorë, Durrës, Tiranë, Lushnjë etj.

         Masakra është e njohur edhe nga amerikanët: Sipas kreut të Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Jozef  Xhejkobs(Joseph Jacobs) :” në Vjeshtën e vitit 1944 dhe në muajët e parë të vitit 1945, autoritet në Greqinë veriperëndimore, kryen me egërsi dhe brutalitet dëbimin e rreth 25 mijë çamëve nga shtëpitë e tyre. Ata u përzunë matanë kufirit pasi u ishin grabitur tokat dhe pronat e tyre. Qindra meshkuj çamë të moshës 15 deri në 70 vjeç, u internuan në ishujt e detit Egje.102 xhami u dogjën.( M.V. F 13).

   Me 17 Tetor 1945, komuniteti çam i përzënë barbarisht nga trojet e shtëpitë e veta, kërkonte ndihmën e Shqiptarëve të Amerikës.

Në një letër drejtuar shqiptarëve të Amerikës, firmosur nga Këshilli Antifashist Çam, kryetar Vehip Demi dhe sekretar Dervish Dojaka,  pasi denoconin masakrat greke, pasi përshkruanin Shën Bartolomeun e masakrimeve greke për më shumë se 22 mijë shqiptarë, kërkonin: Në emër të foshnjëve të mjeruara, në emër të grave të lebetitura nga tmerri dhe të mbetura pa burra, në emër të një popullate të martirizuar prej shovenëve katilë grekë, ne emër të Zotit, dëgjojeni zërin tonë për një ndihmë të menjëhershme dhe të shpejtë prej jush, vëllezër shqiptarë të Amerikës (Dielli tetor 1945).

 Me 12 Dhjetor 1945, Dielli botonte në faqe të parë shkrimin”Çamët masakrohen nga monarko-fashistët grekë. Çamët kërkojën mbrojtje ndërkombëtare.

Bashkëpunëtori i Dielli dhe një nga miqtë e Vatrës, Dervish Duma, raportonte nga Londra se gazeta Daily Mail botonte një shkrim special nga Tirana prej korrespondentit të saj special Alexander Clifford, që shkruante “25 mijë çamë, muhaxhirët europianë qe jane në gjendje më mizerabël, kërkojnë përsëri të kthehen në shtëpitë e tyre në Çamëri, në Veri-Perëndim të Greqisë.Ata thonë se nuk guxojnë të kthehen pa mbrojtje ndërkombëtare.Të gjithë këta muhaxhirë janë muhamedanë nga feja, shqiptarë nga gjuha, subjekte (shtetsi) greke.

Korrespondenti shkruante:Në qershorin e vitit të kaluar u sulmuan prej ushtrisë greke monarko-fashiste të Gjeneralit Zerva, një shumicë e madhe u masakruan. Të tmerruar i tërë grupi kapërceu kufirin e Shqipërisë. Disa prej tyre u kthyen në Greqi vjet në Mars, por përsëri u goditën prej grekëve. Shumica e refugjatëve janë gra, fëmijë të vegjël e pleq.Gjendja e tyre këtë Dimër do të jetë shumë e tmerrshme.

                  ***

Shoqëria Çamëria në SHBA, me 26 Shtator 1945, mbajti një mbledhje të posaçme, ku një komision u ngarkua me detyrën që të shkonte në Boston dhe të takonte Imzot Nolin dhe t’i propozonte atij që të përfaqësonte Çamërinë pranë Konferencës së Londrës për t’i kërkuar bashkimin e Çamërisë me shtetin shqiptar.

Me 10 tetor 1945 Komisioni urdhëroi të mbahej një mbledhje tjetër, nën kryesimin e Hysni R.Sejko dhe reporter të takimit R. I. Didani. Kjo mbledhje pati dy qëllime 1- Kryetari z. Hajredin Çeço të jepte hollsitë për udhëtimin e tij dhe të sekretarit pranë Imzot Nolit dhe 2-Zgjidhjen e një komisioni të posaçëm për organizimin e një fushate që synonte të ndihmonte financiarisht refugjatët çamë. Mbledhja vendosi: nëse Imzot Noli për shkak të ngarkesës nuk do ta pranonte Misionin, ishte i lutur që të ngarkonte një person të aftë që mund ta kryente misionin. Dhe kështu ndodhi; Noli propozoi patriotin Dervish Duma që ishte në Londër për të ndërmjetësuar për kërkesën e shoqërisë Çamëria.

 Siç i shkruante gazetës Dielli të 19 dhjetorit 1945, z. Dervish Duma, deputeti i Parlamentit anglez z. Hutchinson, kishte denoncuar masakrat greke në Çamëri. Deputeti laburist kishte shkuar edhe në Shqipëri,ku ishte takuar me popullsinë çame të shpërngulur.

Gazeta londineze News Chronicle botoi deklaratën e deputetit me 11 dhjetor 1945 nën titullin” Grekët vranë 2500 shqiptarë dhe shpërngulën me maskra 25 mijë”. Deputeti anglez nga zona Rusholm të Manchesterit kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte i revoltuar nga barbarizmat greke ndaj popullsisë  së pafajshme shqiptare. Ai paralajmëronte se në sesionin e Parlamentit do të kërkonte me forcë e zë të lartë ngritjen e një Komisioni Ndërkombëtar për përkujdesjen dhe mbrojtjen e refugjatëve shqiptarë, të cilët u zbuan forcërisht prej vatrave të tyre.

Përse i sollëm këto kronika?

Thjesht për të treguar se çështja çame egziston, nuk e shpiku kush, askush s’mund ta mohojë….

Filed Under: Histori Tagged With: Dalip Greca-Masakrat Greke-Cameri- britaniket-Noli

PËRSHËNDETJE ZOTIT LEK PERVIZI NË 90-VJETORIN E LINDJES

June 25, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. GJIKA/DIELLI/

          Të arrish të nëntëdhjetat aktiv si Lek Preng Pervizi, është një bekim nga Zoti, një mbrekulli, një rast i rrallë në jetën njerëzore, jo vetëm të shqiptarëve. Ai ka jetuar në tre shtete të ndryshme: Shqipëri, Itali dhe Belgjikë ku ka përjetuar të mirat dhe të këqiat e katër sistemeve shoqërore: të Sistemit Monarkist, të Sistemit Nazifashist, të Sistemit të Diktaturës Komuniste dhe të Sistemit të Shoqërisë së Lirë të ekonomisë së tregut. Gjithnjë dhe kudo ka jetuar e jeton si shqiptar bir shqiptari, që ia ka kushtuar jetën me nder e guxim Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

          Jeta është një proces që ka një fillim dhe një fund, por lum ata që e jetojnë atë si e ka jetuar dhe e jeton Lek Pervizi. Ky burrë është një shembull i trimave legjendarë, të cilët me bëmat e tyre kthehen që në gjallje në “Hero i pavdekshëm”. Ata e meritojnë këtë titull të lartë, që ua jep populli e jo institucionet qeveritare, sepse ata janë shembull për mosnënshtrimin ndaj së keqes, për durimin e vuajtjeve fizike e shpirtërore, për talentin e shumanashëm, energjitë e pashtershme të vëna në shërbim të popullit të cilit i përkasin dhe për moralin e pastër në të gjitha rrethanat. Të tillë heronj i ka të rrallë jo vetëm bota shqiptare, por çdo popull i botës.

Kush nga ne nuk e ka zili, në kuptimin e mirë të fjalës Lek Pervizin, për jetën dhe arritjet e tij madhore:

          1. Si familje dhe njeri i panënshtrueshëm ndaj përndjekjeve të diktaturës.     Familja e Gjeneral Prengë Pervizit më 1944 përbëhej nga shtatë persona: ai vetë, nëna dhe bashkëshortja e tij dhe tre djemtë: Valentini me nusen, Genci dhe Leka. Diktatura komuniste u përpoq ta zhbënte këtë falije elitare: Gjeneralin e dënoi me vdekje si armik të popullit, pa bërë asnjë krim a tradhëti. Për këtë shkak ai u detyrua të arratisej më 1946 në Greqi ku vijoi aktivitetin kundër diktaturës komuniste e vdiq në Bruksel më 1977 pas 31 vjet mërgimi. Valentinin më 1945 e arrestoi dhe burgosi pa asnjë shkak, kurse nusen e tij e dëboi në Itali. Valentini bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes përjetuan 456 vjet burgime dhe internime. Gjatë këtij kalvari humbën jetën tre pjesëtarë të kësaj familjeje, gjyshja Mrika vdiq më 1950 në kampin e Tepelenës 90-vjeçare; nënë Ana vdiq më 1977 e internuar në Pluk të Lushnjës 77-vjeçare; dhe djali i dytë Genci vdiq më 1989 i internuar në Gradishtë 63-vjeçar. Pavarësisht nga vuajtjet, mungesat dhe presionet, gjatë kësaj jete të vështirë, djemtë e Gjeneral Pervizit, nuset dhe fëmijët e tyre e ruajtën moralin dhe karakterin e pastër të shqiptarit të vërtetë.

          2. Si familje dhe njeri që dolën fitimtarë ndaj kalvarit komunist.

          Regjimi komunist burgosi e internoi pesë pjesëtarë të familjes Pervizi me qëllim që t’i zhdukte, por kur ai regjim kapitulloi, Pervizët dolën nga kampet e internimit të trefishuar me 14 pjesëtarë, edhe pse në kampet e internimit humbën jetën tre pjesëtarë të rritur e një foshnjë, kurse gjeneral Pervizi ishte shuar në mërgim.

          Leka me zonjën Gjyljana dhe tre djemtë e tyre shkuan në Belgjikë më 1990. Bashkëshortja e Gencit, zonja Albina, me katër djem dhe dy vajza shkuan në Amerikë më 1991. Ndërsa vëllai i madh, Valentini, pas 47 vjet burgimi e internimi, pra ky i dënuar i përjetshëm, shkoi në Bolonjë të Italisë, ku e priste zonja Gorizia Manini, bashkëshortja, Penelopi e kohës sonë, me të cilën u bashkua më 1991. Ai vdiq më 1999 dhe e shoqja më 2004, pa lenë fëmijë.

          3. Si analist dhe gazetar i talentuar. Leka pa kryer ndonjë shkollë gazetarie ka shkëlqyer e shkëlqen si gazetar i shtypit të lirë. Ai ka sistemuar dhe publikuar deri sot 138 numëra të revistës internetike KUQ E ZI, shoqëruar secili me nga një kryeartikull personal. Kjo punë arrin në 9.000 faqe, volum pune që nuk ka mundur ta realizojë asnjë gazetar i shtypit shqiptar që nga Rilindja deri sot. Dhe mos harrojmë, është punë vullnetare pa pagesë që buron nga pasioni dhe atdhedashuria. Revista shpërndahet në PDF, pa asnjë angazhim, dhe autori nuk ka vënë copyright, duke lejuar perdorimin e materialeve të saj, pa kufizim.

          4. Si piktor realist. Leka, ky piktor I kampeve të internimit, ka pasqyruar jetën e bashkëvuajtësve në ato kampe dhe ka krijuar tablonë kompozicionale “Beteja e Fushëkuqes” me temë nga luftrat e popullit tonë nën drejtimin e Gjergj kastriotit Skënderbeut. Kjo krijimtari artistike ka buruar jo thjesht nga pasioni por edhe nga talenti. Talent, i cili është trashëguar e ngritur në nivele edhe më të larta prej dajlit të tij Leonard, tashmë i afirmuar e fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.

          5. Si enciklopedist. Leka zotëron njohuri të gjera në fushat e kulturës, artit dhe të shkencave historike e politike. Formimi i tij enciklopedik bie në sy në shkrimet dhe ilustrimet e çdo numri të revistës, në krijimtarinë e tij letrare dhe si përkthyes i veprave historike të Dhimitër Frëngut Dhimitër Frangu, Veprat e lavdishme të Skënderbeut (2004), të Paulo Jovios Skënderbeu dhe sulltanët e Turqisë (2011) dhe të Eduard Schneider Pellazgët dhe pasardhësit e tyre (2008), shoqëruar me shënime shkencore.

          6. Si studiues dhe biograf i jetës dhe veprës së atit dhe i gjyshit të tij.

          Jeta e pararendësve të Lekës është bërë objekt i veprave Gjeneral Preng Pervizi në shtypin shqiptar dhe Gjin Pjetër Pervizi, luftëtar i shquar i Rilindjes Kombëtare. Këtu shtojmë dhe dy botime të fundit, Gjenrali, kushtuar të atit shoqëruar me një vështrim realist mbi historinë shqiptare, vepër e dobishme për historianë e studiues; dhe, 100 vjet histori (2018) në tre pjesë, kushtuar familjës si galeri fotografike.

          7. Si poet e rapsod, ku shpaloset aspekti letrar i talentit të tij. Pëveç botimit të poezive në faqet e revistës, ai i ka botuar poezitë dhe rapsoditë e tij dhe në vëllime më vete si Ankimi i Zanave (2000), Gjurmë të humbura (2010), Lahutari shqiptar (2010), Lahutari këndon (2011), Petale de Rose shqip e frëngjisht (2010, 2011), Psherëtimë e erës (2011), Tingëllima të vona (2014), Labirinte (2014), Antologji në vargje (2017) dhe Lahutari Shqiptar(2018).

  • Si krijues skicash e tregimesh të cilat i përmblodhi në vëllimin Në vorbullën e skëterrës (2014), përkthyer e botuar dhe frëngjisht Dans les Cercles de l’ Enfer (2014).
    • Si autor memuaresh, ku Leka ka përmbledhur kujtimet nga jeta e vëllait Valentin Pervizi ndërtuar në formë romani biografik me titull Odiseja e pafajësisë (2018) dhe kujtimet e veta lidhur me jetën e familjes së tij të ngushtë Trilogjia e një jete: Lumturia – Ferri – Parajsa, që pret të botohet.

          10. Si i shpronësuar e i pashpërblyer. Familja e Lek Pervizit, si dhe familjet e vëllezërve të tij, u shpronësuan më 1945-1946 dhe ndonëse kanë fituar të drejtën e shpërblimit për pronat dhe vitet e burgut e të internimit, ato nuk janë shpërblyer ende as për pronat e patundshme, toka e shtëpi, dhe as për vitet e burgut dhe punën në internim. 

          Ky i përvojtur i madh, personalitet shumëdimensional i gazetarisë, artit, letërsisë, shkencës dhe kulturës sonë, ua vret sytë dhe i bën me turp pushtetarët dhe kalemxhinjtë e Tiranës, të cilët shquhen për vjedhje, korrupsion e jetë qejfi, gjëra të urryera për Lekën. Pikërisht për këtë ndryshim të thellë që ka ky bir i shquar i popullit tonë me pushtetarët e Tiranës, i shtyn këta që ta mbajnë sa më larg dhe të mos e vlerësojnë jetën dhe veprën e tij. Por shpresojmë që shpejt kjo gjendje të ndryshojë. Njerëz të talentuar e të përkushtuar me vlera të shquara si Lek Pervizi, duhet t’u botohet vepra, qoftë dhe e zgjedhur dhe t’u studiohet sa më parë jeta plot sakrifica dhe arritje. Të tillë Heronj duhet të zenë vendin e merituar në historinë tonë moderne, në faqet e FESH-it dhe në tekstet mësimore.

          Jeta dhe vepra e Lek Pervizit duhet të studiohet dhe botohet, sepse prej tyre populli ynë i abuzuar ka për të mësuar shumë të vërteta historike lidhur me jetën e veprën e tij dhe të shumë personaliteteve të shkelmitur prej pushtetarëve dhe kalemxhinjve të diktaturës komuniste.

Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas L. Gjika- 90 Vjetori i Lek previzit- urime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 970
  • 971
  • 972
  • 973
  • 974
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT