• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIKTHIM TEK TRADITA- NJË PIKNIK NË “DARDHËN E DYTË” NË USTER

June 25, 2019 by dgreca

“Qiellin por jo shpirtin, ndryshon ai që shkon përtej detit”- Horaci/

Nga Fuat Memelli-Boston/

Ka vite që në këtë stinë, dardharët që jetojnë në qytetin e Usterit, i cili ndodhet rreth një orë larg Bostonit, organizojnë piknik në natyrë. Piknikë janë organizuar  në Dardhën e tyre të bukur dhe tradita  vazhdoi këtu në Amerikë nga dardharët e parë si dhe ata që erdhën pas viteve ’90. Qyteti i Usterit ka qënë dhe është  qendra kryesore e dardharëve në Amerikë. Sipas  Sotir Panit , i cili ka ardhur nga Bostoni me dy djemtë e tij, Vaskën e Andrean si dhe dy nipërit, thotë se janë rreth 50 familje dardhare që jetojnë në Uster. Vaskë Bruko, një nga drejtuesit e Shoqatës Dardhare “Bleta”, shpjegon se janë më shumë se 50. –Tani do bëjmë regjistrimin e gjithë familjeve dardhare që jetojnë në Uster dhe do kemi  një informacion më të plotë, shpjegon ai. Vendi i zgjedhur për organizimin e piknikut, ishte një pyll i bukur  dhe ngjitur me të një lëndinë plot gjelbërim.-E zgjodhëm këtë vend pasi na ngjet me vendet ku organizoheshin piknikët në Dardhë si në Propas, Popoven, te koria e Shën Pjetrit, etj ku kishte hije dhe ujë , thotë Klodi Melka, një nga veprimtarët e kësaj shoqate. Mbi 50 dardharë e miq të tyre kanë zënë vend në ”sofrën “ e gjelbër të pyllit. Kanë marë me vete ushqime të gatuara në shtëpi, por njëkohësisht edhe një zgarë ku piqen bërxolla , qofte, etj , për t’i shijuar të ngrohta. Krahas pijeve të tjera, nuk mungon rakia e kumbullës e zierë dy herë, që është rakia e vendlindjes së tyre. Takohen e çmallen me njëri-tjetrin.

Bisedojnë për Dardhën e tyre dhe dardharët e shpërndarë në Shqipëri e nëpër botë. Këto takime mbajnë ndezur zjarrin e dashurisë për vendlindjen. Ndër pjesëmarrësit më bën përshtypje një grua e moshuar që ri në karocë. Quhet Valentina Buci. Është pa  qef dhe nuk qëndron dot më këmbë.-Megjithëse nuk jam mirë, s’mund të rija pa ardhur në këtë piknik të bukur, thotë ajo. Mes dardharëve ka ardhur edhe vlonjatja, Etel Haxhiaj. Ajo ka vënë kandidaturën për këshillin bashkiak të qytetit në zgjedhjet e këtij viti dhe ka filluar takimet, jo vetëm me shqiptarët por edhe të komuniteteve të tjera. Për pak minuta, një “mbledhje “ e shkurtër aty në natyrë. Vaskë Bruko si dhe veprimtarë të tjerë të shoqatës, theksojnë se në korrik do të organizojnë një takim të zgjeruar ku do të bëhet edhe riorganizimi i shoqatës dhe drejtuesit e saj do zgjidhen çdo vit. Andrea Pani ka sjellë me vete një fidan kumbulle që e ka mbjellë nga fara e kumbullës që e ka marë nga Dardha para 12 vjetësh, e cila jep prodhim. Hidhet një llotari dhe fidani i bie Kristina Gjerezit. Në Amerikë do shtohet kështu edhe një kumbull  tjetër e ardhur nga Dardha.

Një nga momentet më të bukura të piknikut, ishte kur filloi kënga e shoqëruar me kitarë.  Dardhari Dhimitër Çika, me profesion piktor, ishte i pari që  çeli këngën. Ai ka mbaruar Institutin e Arteve për mbrojtjen e monumenteve të kulturës. Ka bërë shumë punime sidomos në kishat orthodokse. Një nga ato është edhe kisha shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë “ në Uster, ku ka bërë gjithë punimet murale, që nga kubea  e deri te muret anësore. Dhe artisti e ka në shpirt këngën. Këndon bukur dhe i bie kitarës. Janë dy kitara këtu por ka katër kitaristë si Jani Kotnani, Ligor Konda, Arben Skënde e Dhimitër Çika. Janë këngë serenatash ato që këndohen më tepër, ashtu siç janë kënduar në fshatin e tyre.

Një foto e përbashkët, ishte epilogu i këtij pikniku të bukur. “Atdheun e doni më shumë, po të doni njëri-tjetrin” ka thënë Nënë Tereza. Dhe dardharët e duan njëri- tjetrin e atdheun e tyre, pa dyshim.

Filed Under: Featured Tagged With: Fuat Memelli-Piknik- Dardharet- Uster

RECOGNIZE ET APOLOGIZE!

June 24, 2019 by dgreca

RALLY FOR JUSTICE !/

75th Year Commemoration of the Albanian Genocide by Greek General Et Nazi collaborator Napoleon Zervas

Thousands of Albanians, Jews Et Macedonians killed by the Greek Government of 1944 in order for Grees to be “Ethnically Cleansed.”

RECOGNIZE ET APOLOGIZE!

Date: Thursday June 27.2019
TIME: 12.00 P.M.
PLACE: Consulate General of Greece
Adress: 69 E, 79th St, New York, NY 10075
(79th Street Between Madison Ave et Park Ave)

The Rally will start at the Greek Consulate & end in front on the Albanian UN Mission For FAILING to demand Justice for thousands of innocent Albanian Women, children & elderly for 75 years.

Greece Guillty for GENOCIDE
WE WANT JUSTICE NOT REVENGE!

Filed Under: Featured

PROF. NOEL MALCOLM – NJË NGA MIQTË E MËDHENJ TË POPULLIT TONË

June 24, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Një nga veprimtaritë me shumë rëndësi të organizuara nga “Vatra”, ka qenë takimi me historianin anglez, prof. Noel Malcolm, autor i veprës “Kosova-një histori e shkurtër”, që u bë me 26 maj 1999 në Columbia University, përmes “Vatra Educational Foundation”.

Gjendja tepër e rëndë në Kosovë, vlera e jashtëzakonshme e kësaj vepre në ndriçimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe momenti më se i përshtatshëm, në të cilin u botua kjo vepër, kishin tubuar një numër të madh bashkatdhetarësh nga New York, New Jersey dhe Connecticut, si dhe miq amerikanë të popullit tonë, studiues të ndryshëm, studentë universitarë, etj. Mbledhjen e drejtoi z. David Avdul, profesor në Pace University, kryetar i “Vatra’s Scholarship Fund”. Për çështjen e Kosovës, përveç prof. Malcolmit, referuan edhe zz. Branimir Anzuloviç, Hansjoerg Strohmeyer dhe Peter Witonski, duke shpallur para gjithë botës të vërtetën e madhe mbi Shqipërinë, mbi Kosovën, mbi rrënjët e konfliktit serbo-shqiptar dhe rrugët për zgjidhjen e drejtë të tij.

Duke ndjekur fjalën bindëse të autorit si dhe të referuesve të shquar, njohës të mirë dhe mbrojtës energjikë të së drejtës historike të popullit tonë, të shkon mendje si pa dashur tek sa e sa shkencëtarë të huaj, historianë e gjuhëtarë, arkeologë e gjeografë, etnografë e folkloristë, etj., që kanë njohur e gjykuar me paanësi të vërtetën rreth popullit tonë, historisë, gjuhës dhe kulturës së tij, kanë vënë në dukje e kanë çmuar vlerat e larta shpirtërore, dhe na kanë dalë krah me vendosmëri në rrugën e vështirë të identifikimit të çështjes sonë kombëtare. Janë të panumërt. Eshtë e pamundur t’i përmendësh qoftë edhe vetëm emrat e jo më veprat dhe tezat e idetë e tyre. Ja disa: J. Tunman, M. Lik, F. Pukëvil, A. Bue, H. Hekar, J.G. Han, K. Paç, K. Prashniker, F.Nopça, G. Majer, H. Pedersen, N. Jokli, E. Durham, etj., etj. Në këtë radhë të nderuar vijnë e rreshtohen edhe emrat e Noel Malcolmit, Branimir Anzuloviç, Peter Witonski dhe Hamsjoerg Strohmeyer, referues të këtij tubimi.

Vepra e vëllimshme e Malcolmit “Kosova-një histori e shkurtër”, e hartuar mbi bazën e një hulumtimi bibliografik të gjerë, e ndërtuar në mbështetje të një gjykimi sintetik objektiv dhe e frymëzuar nga një përkushtim i thellë ndaj së vërtetës historike dhe të së drejtës që buron prej saj, që nga faqja e parë deri tek e fundit dëshmon se Kosova është një identitet historik e politik, gjeografik e etnik, shoqëror e shpirtëror i përcaktuar qartë dhe i konsoliduar fort dhe, si i tillë, duhet të gëzonte të drejtën e vetëvendosjes. Ajo nuk ka të bëjë aspak me atë biçim minoriteti, siç duan ta paraqesin serbët, që nga politikanët e shtetarët si millosheviçët, që nga shkencëtarët e akademikët si vargu i pafund i çubriloviçëve e deri të serbi më i thjeshtë.

Në prag të Versajes (a nuk qe Rambuje një Versajë e dytë për fatet e kombit tonë?), qe ngarkuar gjeografi i madh francez, Jean Brunhes, të bënte një raport lidhur me Shqipërinë, të cilën ai e njihte shumë mirë sepse e kishte shkelur me këmbë. Duke mbrojtur njësinë e kombit tonë, të mishëruar tek gjuha shqipe dhe tek ndjenja e fuqishme kombëtare e shqiptarëve- ky shkencëtar, me 1919, mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe epërsinë e popullsisë shqiptare në Kosovë. Në një vepër të tijën, që me 1913, ai pati thënë se “Shqiptarët janë populli më i lashtë i Evropës dhe se Shqipëria është shteti më i ri i saj, bile aq i ri, sa s’ka mbaruar ende së linduri. Ashtu siç është edhe Kosova sot.”

Këto e të tjera si këto të kujtohen, kur dëgjon Noel Malcolmin dhe çuditesh sa mirë e ka rrokur ai çështjen shqiptare. Me argumente më se të qarta ai bind cilindo në të drejtën historike të Kosovës, të mohuar e të nëpërkëmbur prej më se një shekulli dhe rrëzon mitet e shenjtëruara serbe. (Ndër kllapa: a mund të jetë djepi i Serbisë Kosova, kur aty nuk ka qenë asnjëherë kryeqyteti i saj?). Dhe me gjithë këtë katrahurë egërsirash serbe, që u zhvillua aq përgjakshëm, bindesh edhe në faktin që  vetë pavarësia e Kosovës kushtëzon konsolidimin e parimeve demokratike e humane të kontinentit evropian, duke u bërë treguesi i saktë i shkallës së këtij qytetërimi dhe faktori përcaktues i vendosjes së paqes në Ballkan.

Kështu përsijatesh në qerthullin e këtyre mendimeve, duke dëgjuar fjalën e Malcolmit dhe të historianëve të tjerë dhe duke lexuar “Kosova një histori e shkurtër”, që nuk është më një raport i porositur si ai i Jean Brunhes, por një vepër madhore me afër 500 faqe, me më tepër se një mijë shënime plotësuese dhe me një bibliografi në rreth 12 gjuhë, e botuar pikërisht në një vepër e cila duhet të njihet nga të gjithë politikanët e diplomatët dhe nga i gjithë opinioni botëror, që synon në një paqe të qëndrueshme në Evropë.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Cefa- Noel Malcolm- Mik i shqiptareve

O ZOT, KY ËSHTË VENDI YNË, NA NDIHMO!

June 24, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të djelën që kaloi ishte për një vizitë në Nju Jork, Shkëlqesia e tij, Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëvi i Rrëshenit, në Mirditë. Me këtë rast ai celebroi një meshë solemne në Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shokdrës” në Scarsdale të Nju Jorkut më 23 qershor.  Megjithëse larg nga Shqipëria, shqiptarët kudo, përfshir edhe ne këtu në Shtetet e Bashkuara, nuk mund të anashkalojmë dhe as të injorojmë krizën politike që klasa politike aktuale ka pllakosur Atdheun tonë të origjinës — Shqipërinë tonë të dashur.  Siç dihet, kohët e fundit, përfaqsuesit më të lartë të komuniteteve fetare kryesore në Shqipëri u kanë bërë thirrje udhëheqsëve politikë të vendit që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për ta nxjerrur vendin nga kriza politike aktuale, në të cilën e kanë hedhur Shqipërinë.   Është kjo një krizë që ka marrë përmasa të mëdha përfundimi i të cilës është i pa-parashikueshëm, me pasoja afatgjata negative për jo vetëm për Shqipërinë por për mbarë Kombin.

Në fillim të meshës, Imzot Meta njoftoi se 23 qershorin, në Shqipëri e udhëheqsit e lartë të Kishës Katolike shqiptare e kishin shpallur, të djelën që kaloi “Një ditë të veçantë lutjesh, në të gjitha kishat dhe dioqezet, për situatën e vështirë që po kalon vendi ynë Shqipëria”, duke shtuar se të gjitha famullitë janë të angazhuara për këtë lutje të posaçme. Prandaj, tha ai, dëshironte që nga kjo nismë të mos përjashtohej as kjo kishë por të përfshihej edhe famullia e shqiptarëve në Nju Jork, Kisha Katolike Shqiptare në këtë shtet,  “Zoja e Shkodrës”, që me këtë rast të lutemi, theksoi ai, për vendin tonë, Shqipërinë: “Që Zoti t’ua ndritë mendjen atyre që kanë përgjegjësi politike, që të lënë menjëanë interesat e tyre të veçanta apo interesat e partisë së tyre dhe të shikojnë interesat e popullit tonë.”  Ajo që mund të bëjmë ne, theksoi Imzot Gjergj Meta, është t’i lutemi Zotit që këtë punë ta bejmë mirë edhe me këmbëngulje, e t’i lutemi Zotit që të dërgojë Shpirtin e Shenjtë tek ata njerëz që kanë përgjegjësi.

Duke iu referuar, “situatës nepër të cilën po kalon vendi ynë”, Ipeshkvi i Rrëshenit, në predikimin e tij në Kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork të djelën që kaloi, u tha besimtarëve katolikë shqiptarë se, “Sigurisht që Zoti na ka dhënë shumë gjëra të bukura në vendin tonë.  Na ka dhënë natyrën, na ka dhënë traditën, na ka dhënë shumë njerëz, na ka dhënë inteligjencën.  Është vështirë me gjetë një popull kaq inteligjent, por inteligjenca nuk është gjithmonë shenjë e mençurisë. Të jeshë inteligjent, të jeshë i zgjuet e të jeshë i mençur, janë dy gjëra të ndryshme. Të zgjuar të bën Zoti, i mençur behesh vet.  Shpeshëherë, kjo mençuri na ka munguar e po na mungon edhe sot e kësaj dite.  Si është e mundur që edhe sot të rinjë e të reja, familje, duan të ikin nga Shqipëria. Edhe ju jeni një pjesë të ikur nga Shqipëria edhe pse zemrën e mendjen e keni të gjithë atje, sigurisht! Shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria vetëm për dy motive, vetëm për dy shkaqe. Ose kur i kanë detyruar vet shqiptarët për të ikur,  siç ishte rasti gjatë regjimit të Enver Hoxhës kur i detyroi të iknin sepse nuk kishin vend me ndejtë atje, ose sepse nuk i kanë gjetur kushtet për të jetuar në Shqipëri.  Shqiptarët nuk e kanë lënë Shqipërinë në kohën e Turkut, nuk e kanë lënë në kohën e fashizmit, nuk e kanë lënë vendin — në momentet më të vështira nuk e kanë lënë Shqipërinë — por në momentet e paqës e momentet më të qeta, fatkeqsisht e kanë lënë.  Kjo është një tragjedi e madhe.”

Por në një notë optimiste ai tha në mbarim të predikimit se megjithatë, “Shqipëria është si puna e një trupi. Mund t’i heqësh gjak, por trupi ripërtrihet prap se gjaku e ka këtë aftësi të ripërtrihet. Edhe Shqipëria do të ripërtrihet, por për këtë ka nevojë shumë që ne, të gjithë së bashku të japim një kontribut për vendin tonë.  Kontributi më i madh është afërsia shipërtërore.  Ajo që mund të bëjmë ne meshtarët, ipeshkvijtë dhe ne katolikët, është t’i lutemi Zotit”, për Atdheun tonë në këtë kohë të vështirë, ka thënë Imzot Gjergj Meta.

“Prandaj edhe ipeshkvijtë kanë marrë këtë vendim”, që të lutemi për Shqipërinë në këtë moment, tha ai. “Ne nuk jemi politikanë, ne nuk mund të bëjmë zgjedhje politike, ne nuk mund tu themi se çfarë t’u bëjmë atyre.  Por ne mund të bëjmë një gjë.  Ne mund të lutemi, mund të lutemi për vendin tonë.  Çka ka më të bukur se sa me ia paraqitur vendin tonë, Zotit?  Të themi: O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo! Me të mira e me të këqia, ky është vendi ynë. Bën që ai vend atje të jetë i qetë, të jetë i paqë, që djemt e vajzat të mos kenë nevojë të ikin, por ta ndërtojnë jetën e tyre aty në vendin tonë.  E për këtë kemi përgjegjësi të gjithë bashkë.” Imzot Gjergj Meta u bëri thirrje  të gjithëve që gjatë “ditëve në vijim ta çoni mendjen tek Zoti për vendin tonë” të luteni, “që t’ua këthej mendjen atyre që kanë përgjegjësi për vendin tonë dhe të gjejnë rrugët e paqës dhe të dialogut, të cilat janë gjithmonë të mundshme në një demokraci, në një shoqëri normale”, përfundoi ai mesazhin e tij.

Ndërsa famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork, Dom Pjetër Popaj, duke iu referuar fjalëve të Imzot Gjergj Metës në lidhje me krizën aktuale politike në Shqipëri, nga ana e tij, nënvijoi se, “Në raste të tilla, duhet të theksojmë gjithmonë gjërat që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë.  Si komb nuk kemi qenë të ndarë kurrë, por fatkeqsia jonë”, shtoi ai, “kanë qenë gjithmonë ndasitë partiake dhe përpjekjet e të huajve për të na përçarë, ndërsa tashti janë partitë e ndryshme politike vendase.  Nuk është njëni më shqiptar se tjetri, të gjithë jemi vëllezër e motra dhe kemi një Zot në qiell, që na bashkon të gjithëve.  “Lusim Zotin që të gjithë të jenë të një mendimi e një zemre, për të mirën e përbashkët, për popullin tonë.  Lutemi që të gjithë mbrenda dhe jashtë Shqipërisë të jemi të bashkuar, pasi të gjithë jemi shqiptarë dhe njëkohësisht edhe bijtë e bijat e të Madhit Zot”, përfundoi Dom Pjetri.

Ishte në këtë frymë bashkpunimi — për të mirën e përbashkët dhe për të mirën e popullit tonë — që Imzot Gjergj Meta kishte dhënë mesazhin e fortë, kohë më parë, se, “Nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo.  Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!”

Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, javën që kaloi, përveç vizitës në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Imzot Gjergj Meta, me 13 qershor, vizitoi gjithashtu edhe Qendrën Myslimane Shqiptare në Waterbury të shtetit Connecticut, ku sipas portalit të kësaj qendre ishin të ftuar të gjithë miqtë për një bashkbisedim të hapur me komunitetin shqiptaro-amerikan në atë shtet. 

Kriza aktuale politike në Shqipëri, nuk është më një krizë që prek vetëm dy udhëheqsit e dy partive kryesore politike të vendit – pozitës dhe opozitës – por është një çështje që duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që ndodhen, përfshirë edhe diasporën shqiptare në mbarë botën.  Kjo klasë politike – e cila sipas mjekut të njohur Tritan Kalo, i cili në postimin e tij në Facebook shprehet se, “po ndërmerr aktin e fundit të tradhtisë ndaj shqiptarëve, theqafjen në honet e historisë dhe në udhët e emigrimit masiv” — po tregon dita ditës se e ka humbur sensin e ARSYES.

Mjeku i nderuar i cilëson politikanët shqiptarë si të “paudhë” që për 30-vjet tani e sollën popullin vërdallë në udhëkryqin e tranzicionit.  Ai u bën thirrje shqiptarëve, “të ndezin dritat e mendjes e të mos i fikin ato të arsyes”.  Në këtë moment, Kombi ka nevojë për më shumë zëra të ARSYES si Imzot Gjergj Meta dhe Doktor Tritan Kalo: Ja postimi i plotë i Doktorit të nderuar:


“PPP-ja më e fundit në tregun e politikbërjes shqiptare, që uroj dhe shpresoj të jetë sa më jetëshkurtër…Përçarje – Përfolje – Përplasje…Kjo përçarje mes nesh, kjo përfolje e çdo fjale dhe veprimi tonë, kjo përplasje e pa principtë mes palëve politike dhe e pabuktë për ardhmërinë tonë, vetëm e vetëm Pa-përgjegjshmëri, Pangopësi dhe Pa-atdhetari mbetet të jetë, POR qytetari, drejtim dhe përgjegjësi morale-politike dhe sociale, KURRË nuk u është dhe kurrë nuk mundet të jetë…Na sollët vërdallë o të paudhë, për pothuajse 30 vite në udhëkryqin e tranzicionit demokratik dhe tanimë të tejngopur me pasuri, me zezona socio-ekonomiko-politike si dhe me keqbërje ndaj Atdheut e Kombit, po ndërmerrni aktin e fundit të tradhtisë ndaj nesh, THEQAFJEN tonë përfundimtare në honet e historisë dhe në udhët e pakthimit/të emigrimit masiv…MOS ndizni e fikni dritat e celularëve ju bashkëkombasit e mi, POR ndizni dritat e mendjes dhe mos i fikni ato të arsyes…  Klasën/kastën/glasën politike e cila na rrëmbeu rreth 30 vite jetë e mundësi begatimi, do të vijojmë ta kemi të kalëruar mbi shpinat tona edhe më tej, NËSE do vijojmë t’u shkojmë nga pas si dele apo militantë trushplarë, si dhe pa dashuri e dhimbsuri për veten e familjet tona…..Quo vadis Shqipëria ime!!!….Ja një këshillë e urtë për këto kohë të pakohta nga Sir. Oliver Wendell Holmes: “Intuita e një çasti nganjëherë vlen sa përvoja e një jete”.

Një thirrje kjo plot me vend nga Doktori i nderuar. Fatkeqsisht, kam drojë se në mungesë të ARSYES nga ana e politikanëve dhe e mbështetësve të tyre fanatikë, për të gjetur një zgjidhje, para se të jetë tepër vonë, nga ky qorrsokak politik, e vetmja shpresë që na mbetet është që t’i drejtohemi të Madhit Zot për ndërhyrje, duke u lutur:

O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo! e

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-O ZOT, KY ËSHTË VENDI YNË, NA NDIHMO!

HESHTJA E KALVARIT…Balladë varrimi& Cikli i çmendurisë

June 23, 2019 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Armë nuk kemi
Por mënyra do gjejmë
Për t’i bërë ato
Por si?
Askush nuk ka mbetur
Ata që diktatura nuk i vrau
I gjunjëzoi i bëri skllevër.
Edhe nëse armë bëjmë
Ç’vlerë do të kenë ato
Pushteti i tyre është i fortë
Mjetet tona nuk e përballojnë.
Një zë thotë:
“Kemi nevojë për udhëheqës
Sepse edhe ata kanë
Prandaj janë të organizuar”-
“Edhe nëse armët i bëjmë,
Këtë nuk e kemi”, ishte përgjigjia
Dhe kalvari me mundime, heshti….

Cikli i çmendurisë/

Nga Astrit Lulushi/

Iu kujtohet ‘97/
Kur çdo gjë u shua/
Radioja Shtetërore/
Muzikë të vdekurish jepte/
Goja Atdheut iu mbyll/
Vetëm gulçima ngirrte/
Më e rënda ishte/
Humbja në njerës/
Ajo tragjedi morri fund/
Por askush nuk u dënua/
Edhe pse dihet/
Se kush ishin/
Ata që e organizuan/
Kjo vetëm sikur u harrua/
Dhe tani gjendja po njësoj/
Shqipëria e gjunjëzuar/
Çmenduri e ricikluar/
Turmash e politikanësh/
Përsëri pa përgjegjësi/
Për këtë rrënim fatal
Që në horizontin duket.


Balladë varrimi/

Rydyard Kipling
shqipërim – Astrit Lulushi

Nëse këtu kam shans të vdes,
Solemnisht ju lutem të merrni
Gjithçka që mbetet nga “unë”
Për hir të së mirës së vjetër.
Më paketoni tërësisht
Në akull që përdoret për të pushuar
Pas kësaj – puna juaj është bërë.
Vajtoni të dashurin e nisur
Hidhni mbi mua dhe e pluhur.
Mendoni për diellin e qershorit
Edhe për shirat e shtatorit
Deri në Ditët e Gjykimit
Më lini, atëherë, në vdekjen time,
Për hir të së mirës së vjetër.

Mënyrë zgjimi/
Astrit Lulushi

Pluhuri në pluhur
Është udha e duhur
Për mbetjet dhe plehrat;
Korrupsioni ka llojin e vet
Përmes rrugëve të panjohura
Për të kërkuar shkaqet,
Njolla të pastrohet
Nga veprimet më parë
Në atë vend të trishtuar
Qoftë edhe shtëpinë juaj
Deri me lutje e lëmosha
Dhe fjalë të shenjta, tërhiqe
Njeriun, tunde të zgjohet,
Të paktën një herë, të bëhet


Filed Under: LETERSI Tagged With: Cikli I çmendurisë-Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 971
  • 972
  • 973
  • 974
  • 975
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT