• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VOTAT SHQIPTARE….Rroftë o rroftë Ed kazani!

June 18, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk e di se çfarë është publikuar deri më sot, a janë të mjaftueshme për shqiptarët për të kuptuar se sa poshtërsisht është shpërdoruar sistemi i votës. Se…, e frikshme është jo dhuna e sekserëve, jo shitja e votës për 50 mijë lekë etj., por penetrimi i pushtetit dhe atij që ka lekun drejt frymëmarrjes sociale të një vendi. Nuk e di nëse e bëni dallimin midis përdorimit që i bën pushteti shoqërisë për të kuptuar përfundimisht se sa mish për top e bën vendin një grafoman i dështuar, një politikan pjellë e propagandës. Një shallvarexhi që akoma ju kërcënon duke ju përmendur Amerikën dhe Europën. Ju thotë pa pikë turpi se kush pengon votimet e 30 qershorit, Amerika u bllokon vizat, kurse Europa ua heq. E para është një matufepsje shallvarexhiu se i nxjerr kallpin vetvetes kur nuk bën dot dallimin midis zgjedhjeve dhe votimeve. Dhe e dyta, nuk iu mbush mendja akoma se shqiptarët nuk kanë nevojë për viza, nuk i mbajti dot Enver Hoxha me telat me gjemba, jo ky me shallvare. Shqiptarët i kanë të hapura shtigjet në male, po ashtu edhe gomonet, trailerat, vizat fallco, bashkimet familjare, identitetet e rreme etj. Shqiptarët të gjitha i kanë dhe të gjitha epitetet e mundshme i kanë marrë përsipër. Dhe i kanë pranuar se edhe i kanë merituar, qofshin ato me bojë të zezë qofshin me bojë floriri. Të gjitha i kanë merituar, veçse qeveritë e vendit të tyre jo, jo…, veçmas këtë të shallvarexhiut. Megjithatë një gjë duhet të dini botërisht, që ky këtë zanatin e vjedhjes së votës nuk e ka mësuar sot. Dhe a e pyesni veten se kështu mund të ketë marrë e mbajtur edhe bashkinë e Tiranës?! Nuk ka si shpjegohet ndryshe. Ne nuk durojmë babain të na qeverisi në shtëpi për një vit, e jo më një qeveritar për 16 e kusur vjetë?! Eshtë pak e çuditshme, por aty janë të gjitha. Dhe nga ana tjetër duhet me i thënë vëllezërve socialistë, mos e ulni kokën…, por përbuzeni me të njëjtën forcë që përbuzni Saliun. Ju kanë përdorur deri në asht sa për inat të Saliut u shqyet deri bythësh për një grafoman si ky shallvarexhiu, pa e besuar asnjëherë se një padrino më i keq se i pari nuk po mashtronte vetëm ju për një vend pune, një pension me të mirë a për ca lehtësime rimbursmesh në ilaçe, por një vend të tëre.  Ju futi në lojë të tillë që bar të hani dhe veç Saliut mos t’i dëgjoni emrin. Dhe jeni gati edhe sikur 50 vjetë tjera t’ju shtrydhi, prapë Saliut mos t’i dëgjoni emrin. E kishte zërin të kulluar dhe nuk ishte e vështirë fare për ta njohur. Si tha ai vlonjati i liruar, është lyrë shkopi me mut nga të dy krahët djema. Aty e keni dëgjojeni dhe kuptoni se sa shumë jeni përdorur, për të ndjerë edhe përdorimin që i bëjnë prostitutave në semaforët e europës, premtimi elektoral  që ju e prisni si dhuratë nga shallvarexhiu. Ky rasti i përgjimeve është një lloj skandali që do mbahet mend. Një lloj si skandalet në vende të ndryshme të botës. Më vjen keq që edhe vendi im u bë pjesë e listave të zeza. Ashtu siç më vjen keq që akoma që një i çmendur qeveris dhe psall duke akuzuar shtypin e lirë të një vendi si Gjermania. Por ju e dini e bënte edhe Enver Hoxha në kohë me Amerikën, BRSS, Kinën dhe vendet fqinje. Kur të drejtohem ty socialist, dua të të lë të kuptosh se çfarë dëgjon, dëgjoje drejt, pa turp, dhe shënoje si bombën më të madhe dhuratë, a greminën ku e katandisi rilindasi shallvarexhi partinë tënde socialiste. Nuk ka kimikat që t’ia heqi njollën e përgjimeve. Dhe nëse vërtetë Shqipëria do të ishte në shinat e shtetit ligjor, kjo parti do të ishte sot e jashtëligjëshme. Në një vend normal do t’i kërkonte ndjesë publike shoqërisë dhe vendi do kish shkuar me kohë në zgjedhje të parakohëshme. Por kjo nuk ndodh aty. Megjithatë janë drama të rënies së politikës në përgjithësi, ndaj sot jemi edhe gazi i botës. Rroftë shallvarexhiu, shakaxhiu i përparimit shqiptar, tifozi i Juves, lideri i rajonit.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja- Votat- Kazani-Rama

Mosparaqitja e Bashës në prokurori

June 17, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Arsyen përse Lulzim Basha nuk shkoi në prokurori, e di vetëm ai. Mendësia e një opozitari të qartë e donte që ai të shkonte. Nëse është i pastër duhet të shkonte. Por edhe nëse ka gisht në përfitimin e ca fondeve me origjinë nga Rusia, prapë duhet ta pohonte. Lubia ruse ka ngatërruar një Amerikë të tërë dhe jo më inteligjencën e ”rilindasëve” shqiptarë. Janë ca çështje ligjore të cilat nëse një forcë si Pd nuk ka dy avokatë të aftë që t’i përgjigjen, kot që flasim pastaj. Ndaj paraqitja duhej të ishte potente dhe pa hezitim. Pasi çfarë kërkon opozitarizmi tani nuk është asgjë tjetër veçse një ngritja e një lideri të sinqertë. Një lideri të ri që t’u thotë njerëzve se batak ka mbi klasën politike dhe se sa pasinqeritet social. Dhe kjo për fajet e dyanshme që sot e kanë kthyer botën shqiptare në një luftë deklaratash në lidhje me fondet e huaja. Sipas ligjeve shqiptare përfitimi i parave nga jashtë është i kundraligjshëm. Më vjen mirë nëse kjo ekziston pasi më kujton edhe ligjin amerikan. Por nuk e di, nëse është e kundraligjshme për shqiptarët edhe dalja e fondeve. Se asnjëherë nuk dëgjuam, se a u thirr edhe Edi Rama për dollarët e taksistit Shehu në 2012, vetëm e vetëm për të siguruar një foto me Barack Obamën? Ashtu sikundër edhe Basha pak vite më parë si e si të bënte një foto me Donald Trumpin etj. Kam përshtypjen se njëanshmëria e një institucioni do të shfaqej kur Basha të shkonte në prokurori, jo me deklaratat e zëdhënësit të Pd-ës. Por kjo nuk ndodhi. Dhe një paraqitje e Bashës do e afronte 21 qershorin. Nëse Basha i trëmbet ndonjë arrestimi, një përpjekje qeveritare për tu treguar e zellshme karshi shqiptarëve, me pretekstin se po zbaton ligjin dhe sikur kjo të ndodhte, do ta fuqizonte dyfish më shumë atë. Dhe nuk do kish qeli paraburgimi ta mbante më shumë se dy orë! Por Basha nuk e bëri. Ja përse sot shqiptarët kanë luksin të tmerrohen nga ato që përfitojnë dhe jo nga ato që nxjerrin apo vjedh pushteti aktual. Ndaj një hapje e Bashës karshi institucioneve të vendit do ishte një plus akoma më i madh. Nuk e di se sa vlerë kanë tashmë deklaratat. Dhe nuk e kuptoj këtë përfshirjen kaq frontale të Pd-ës në afshin e tyre. Megjithëse është qartësisht e dukshme se këto ditë opozitarizmit dhe në përgjithësi shoqërisë i duhet tashmë një lider i sinqertë. Sepse është koha kur fuqinë e ka sheshi dhe rruga. Përfshirë këtu edhe deklaratat se kush po e çon vendin në një përplasje civile etj. Duken si ca temenara karshi një lideri shtetëror që nuk është asgjë veçse një kufomë politike. Një pjellë ekxemplare që e përmblodhi qartë ai qytetari devolli me shtëpinë e shembur nga tërmeti, kur tha se erdhi Edi Rama këtu, na premtoi këtë e atë dhe në fund edhe nuse për beqarët. Ka marrë fund Edi Rama. Por duket se vetëm Lulëzim Basha nuk e ka kuptuar 100%. Koha politike, koha e Ramës dhe e lali Erit ka mbaruar. Nuk ka më vend për deklarata se kush e do apo nuk e do dialogun. Se ku ka të drejtë presidenti dhe ku shkel ligjin komisioni qendror i zgjedhjeve. Se çfarë do të nxjerri gazeta Bild nesër etj. Se përse Shqipëria nuk futet në europë etj. Sidomos kjo puna e europës që nuk është meritë e një qeverie, e për më tepër e këtij Ramiut. Dhe nuk përse presim që Evropa të rrëzojë Ramiun me sikur mosçeljen e negociatave. Nocioni perëndim është koncept blu, frymë blu…, ai rilindas është i thërrimeve që jep sa lindja sa perëndimi. Por shqiptarët nuk duan të shkojnë në europë për thërrimet, por thjesht se janë pjesë gjenetike e perëndimit. Të shkojnë lirshëm, të hynë e dalin e të shëtisin botën si perëndimorët. Nuk ka Unë në punën e europës, por front kombëtar. Nuk ka vend për asgjë, por veç për sheshet… dhe lërini ata të lumturit të dështojnë lumturisht në voitimet e tyre. Kohët e mëdha bëhen nga sheshet dhe forca për shtetin e së drejtës dhe ligjit zë fill po aty.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja

Vushtrria me Shtatoren dhe Sheshin Hasan Prishtina

June 17, 2019 by dgreca

-Në Ditën e Çlirimit të Vushtrrisë përurohet Shtatorja dhe Sheshi Hasan Prishtina/

VUSHTRRI, 17 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/ Sot, në Ditën e Çlirimit, qyteti i Vushtrrisë është bërë me Shtatoren dhe Sheshin e patriotit të madh kombëtar Hasan Prishtina.Në ceremoninë e zbulimit të Shtatores dhe Sheshit kanë marrë pjesë drejtues të institucioneve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe të Preshevës.

Zbulimin e shtatores e kanë bërë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nënkryetari Besim Muzaqi, kryesuesi i Kuvendit Nasuf Aliu. Së bashku me Arber Ademin – ministër i arsimit në Maqedoninë e Veriut  dhe ambasadorin e Shqipërisë  në Prishtinë Qemal Minxhozi.

 Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka deklaruar se është i lumtur që sot biri i Vushtrrisë, Hasan Prishtina po rikthehet në qytetin e tij. “Sot jam tepër krenar që Vushtrrisë, Vicianës antike në 20 vjetorin e çlirimit të saj, po i kthehet biri i saj më i ndritur, Heroi i Kombit Hasan Prishtina. Ky shesh sot e përjetë do të mbajë me krenari emrin dhe shtatoren e Hasan Prishtinës. Të dashur fëmijë ta dini që puna dhe vepra e Hasan Prishtinës e bëri atë të pavdekshëm në historinë e popullit shqiptar. Andaj ju ftojë ta mbani në mendjet e në zemrat tuaja emrin e tij dhe ta përdorni si motiv kur të ndjeheni të lodhur në rrugën e nxënies së dijes apo kur të ju zë dëshpërimi nga kundërshtitë që do të merrni për idetë e reja që ju i keni”, ka thënë kryetari Tahiri.

Në këtë ceremoni kanë folur edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi si dhe sekretari i degës së Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së në Vushtrri, Shaip Hyseni.

Me rastin e Ditës së Çlirimit, Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë ka ndarë çmime, dekorata e mirënjohje për njerëzit që kanë kontribuar për kombin dhe Vushtrrinë. Çmimi nderi i Vushtrrisë i është ndarë veprimtarit Ali Januzi.

Në Kosovë në 20 vjetorin e lirisë, hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999,  po zhvillohen aktivitete me organizime edhe  nga komunat në ditët e çlirimit./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Vushtrri- Hasan Prishtina- Shtatore

Refat Gurrazezi dishepull i Faik Konicës

June 17, 2019 by dgreca

Refat Gurrazezi – 15 qershor 1894, 14 Gusht 1979/
Nga Idriz LAMAJ*/


Shumë atdhetarë të njohur të mërgatës i mbyllen sytë në varfëri të madhe, pasi i sherbyen kombit dhe kulturës kombëtare për dekada me radhë. Disa prej tyre u kujtuan me ndonjë shkrim modest, e disa të tjerë i mbuloj pluhuri i harresës dhe nuk ju dihen as varret. Një prej tyre, i cili i sherbeu me penë çështjes kombëtare për 60 vjet dhe vdiq në skamje të thellë ishte Refat Gurrazezi. Ai lindi me 15 qershor të vitit 1894 në katundin Gurrazez të Tomorricës, rrethi i Beratit. Ai erdhi në Amerikë kur ishte 22 vjeç; erdhi me ëndrën për të bërë prokopi dhe përfundoi në sherbim të atdheut, ku shpesh i mungoi edhe buka e gojës. Vitet e para Gurrazezi punoi në Detroit në një fabrikë dhe banoi në një hyrje të vogël bashkë me tre shokë. Si tashi më kujtohen fjalët e tij: “Nga rroga e vogël që merrja pagueja pjesën e qirasë, ushqehesha, dërgoja diçka në Shqipëri dhe ndihmoja Vatrën ”. Kohën e lirë, pas punës së rëndë, Gurrazezi e kalonte duke lexuar e studiuar çdo gjë që kishte të bënte me Shqipërinë. Për një kohë shumë të shkurtë ai e përvetësoi stilin e shkrimit të Faik Konicës në një mënyrë aq të përsosur sa pak kush mund të dallojë formën e shkrimit të tij nga shkrimi i Konicës. Ky burrë i heshtur nga natyra, me sjellje fisnike, i dashur, anëtar i palodhur i “Vatrës” dhe ndihmës i rregullt me shkrime i gazetës “Dielli”, jo vetëm tërhoqi vemendjen e Konicës, por arriti të bëhej miku i tij më i ngushtë.Kur “Vatra” po tronditej në themel nga ndarja e pikëpmajeve politike midis kryeudhëheqësve të saj dhe Konicës po i ngushtohej rrethi i njerzëve të penës, Gurrazezi emrohet Sekretar i Federatës “Vatra” (1926), dhe dy vjet më vonë Editor i “Diellit” (1928).Editori i ri energjik, gazetar i shkathtë e kritik i ashpër politik, me bindje të patundur monarkiste dhe përkrahje të fuqishme të Konicës, fillimisht e nxori “Diellin” dy e më vonë një herë në javë. Përmbajtjen e “Diellit” dhe aftësinë gjuhësore të Gurrazezit, Konica e vlerësoi lartë: “Gëzohem kur marr Diellin se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjalët që i çkembyem, dhe përdorni një shqipe e cila ka ktheillsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këte s’kam”. (Dielli, 9/10/1932).Me shkrimet polemizues kundër Nolit të përjashtuar nga “Vatra” dhe forcave liberale në mesin e vatranëve, Gurrazezi krijoi shumë armiqë e kundërshtarë. Viti 1936 për të ishte viti më i vështirë i jetës së tij. Fërkimet politike midis antarëve të “Vatrës” shkojnë aq larg sa “Vatra” ndahet dysh. Një prej kryetarëve të respektuar të “Vatrës”, mik dhe kundërshtar i Gurrazezit, dr. Andrew Elia shkruan për të: “Në jetë të tij pati humbje si shumë të tjerë, po humbja më e madhe për të ish ftohësia që ndjeu nga Faiku kur mori inisjativën të shpjerë Shoqërinë Vatra dhe gazetën Dielli në Detroit. Konica e quajti këtë akt si një shenjë armiqësie dhe si një dëm të math për Vatrën. Po Refatit ju dha rasti (me ndihmën bujare të shokëve të Detroitit) të shikoje edhe një herë Vatrën e Bashkuar dhe të zevendësuar në Boston., në qytetin ku u fillua, pranë Kishës Autoqefale Shqiptare, e cila në atë kohë qe e vetmja fole ndihmese dhe dorë e djathtë e Rilindjes Kombëtare. Koha shëron plagët e çdo shoqërie dhe njeriu me vleftë dhe e kthen humbjen në fitim. Refati e ujdisi miqësinë me Konicën dhe arriti të vijë përsëri në Boston si editor i Diellit.” (Dielli 16/9/1979).Megjithëse Konica ndarjen e “Vatrës” e shikoi si një gabim të madh dhe ftohi marrëdhëniet me mikun e tij më të ngushtë, Gurrazezi asnjëherë nuk ndjeu pendesë për ndarjen e saj. Ai pohoi me shkrim se “Vatra” e Detroitit me Fazlli Panaritin në krye, ishte “Vatra” legjitime dhe përfshinte në gjirin e saj shumicën e vatranëve. Gazetën “Dielli” e nxori rregullisht në Detroit. Personalisht nuk e kritikoi Konicën por ju la vënd të tjerëve ta kritikonin atë për përkrahjen që i jepte “Vatrës” së Bostonit dhe pajtimit të tij me Nolin. Afër dyzetëvjet më vonë, Gurrazezi shkruan për marrëdhëniet e Nolit me Konicën: “Fan Noli dhe Faik Konica u ndanë për një kohë të gjatë, njëri në Boston dhe tjatri në vende të ndryshme n’Evropë, po miqësia u shtua tepër në mes të tyre me anë të letër-kembimit. Miqësia personale dhe politike në mes të dyve vazhdoi gjer më 1925, dhe pas kryengritjes së dytë më 1924, u-ndanë politikërisht. Po miqësinë personale e vazhduan tërë jetën e tyre. Këtë gjë nuk e dinë shumica e Shqipëtarëve, po është fakt që provohet me dokumenta. Lufta e fjalëve mes tyre me anë të shtypit vazhdoj lart nga shtatë vjet, që më 1926 dhe gjer më 1933, po letër-këmbimin nuk e kishin prerë, prapë ishin miq, dhe bashkoheshin tok në Boston kur Konica vinte nga Washingtoni.” (Dielli, 28/2/1974).Për të forcuar pohimin e tij mbi marrëdhëniet e tyre, ai botoi një letër të Nolit dërguar Konicës:“I dashur Usta – Munt të vini dorën në zjarrë që jam hequr nga politika me një mënyrë të përfuntme, – pneumonia i vuri kapakun tërë punës sime. Jam akoma në shtrat, dhe plaga e mëlçisë është akoma e hapur… Tani e dini tërë historinë dhe munt ta merrni me mënt që s’kam më as nge as qef as takat për politikën. U zgjata mjaft në këtë pikë, se dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejm kurrë më. I jap funt letrës, se u-lodha. Bile kam frikë se ju kam lodhur ca më tepër. Shtoj vetëm këto fjalë: Përpiquni të më ndihni, se jam keq nga të gjitha pikëpamjet – Me të fala. Juaji me besë, F.S. Noli.”(Dielli, 28/2/1974).Sipas Gurrazezit: “Pak ditë më vonë, me 6 Janar 1934, Fan Noli i shkori prapë letër Konicës në Washington dhe i thosh se mori përgjegje nga Mbreti dhe i dërgoi një ndihmë prej 3000 franga ari (flori). Me atë ndihmë të Mbretit, Noli pagoi doktorin dhe vajti në spital që u shërua nga sëmundja. Po gjeti belanë nga disa njers – “shokë” dhe pasanik të tij – të cilët e kundërshtuan sepse mori ndihmë nga Mbreti, dhe i thanë: “Na tradhëtove”! Fan Noli gjysëm i sëmurë, u përgjegj: “Po të kisha marrë ndihëm nga ndonjë i huaj, fjala vjen nga Petrua i Serbisë ose Jorgua i Greqisë, kishit të drejtë të më thoshit që ‘na tradhëtove’ – po unë mora ndihmë nga Zogu i Shqipërisë, ay dhe unë të dy shqiptarë, mbase sot politikërisht nuk jemi të bashkuar në mendimet, po të dy punojmë dhe mendojmë për Shqipërinë.” Kështu u hap fjala ahere nga ata që ishin pranë tij.” (Dielli 28/2/1974).Gurrazezi e drejtoi gazetën “Dielli” afër 12 vjet, në Boston dhe në Detroit. Ai ishte edhe një prej konferencierëve më të shquar të “Vatrës” në vitet 30-të Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe bashkimit të dy “Vatrave”, Gurrazezin e shohim përkrah Nolit e Konicës në përpjekje për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim nën kryesin e Mbretit Zog. Vdekja e Konicës me 1942 dhe ardhja e regjimit komunist në pushtet në Shqipëri e goditën atë si rrufe. Ai nuk u largue nga “Vatra” por ndeji në heshtje dhe rrall shkroi ndonjë artikull për gazetën “Dielli”. Prishja e marrëdhënieve të “Vatrës” me regjimin e Enver Hoxhës e inkurajoi angazhimin e mërgatës së re në Federatën “Vatra”. Siç duket ky faktor ndikoi në Gurrazezin për riangazhim të plotë në Shoqatën e tij të vjetër. Në vitet 70-të, megjithëse i thyer në moshë e i ngacmuar nga sëmurjet e ndryshme të pleqërisë, emrohet përsëri Editor i “Diellit”, shkruan në secilin numër të gazetës, redakton si dikur në moshën e re, dhe herë pas here goditë pa frikë veset e dëmshme të shqiptarëve:“Mjerimi i Shqiptarëve ka qënë, edhe është, se gjithmonë kanë qënë të përçarë, s’kanë patur bashkim! E dimë që shumë njerës nuk do t’a pëlqejnë këtë, dhe mund të na shajnë, po është fakt, dhe fakti është ky: Si pas mendimit t’onë, dhe s’jemi të lajthitur mi këtë pikë, vetëm dy gjëra janë që munt t’i bashkojnë Shqipëtarët: Interesi i metelikut, dhe frika e kamxhikut, – dhe ajo po mbretëron sot: Frika!” (Dielli/1/21/1974).Gurrazezin e takova për herë të parë në Selinë e Tij të Shenjët, në zyrën “Vatrës”, 25 Huntington Ave. Boston, Mass; në atë zyrë të vogël, gjysëm të errtë, me një tavolinë pune e dy-tre karrige për mysafirë, me libra të shpërndara dhe gazeta e letra të pluhrosura, ku mëmzi lëvizje dhe të zihej fryma. Në një qosh të zyrës, në anën e majtë të tavolinës së punës, ai kishte edhe një lavaman të vogël. Aty herë pasë here mbushte një gotë letre me ujë për të lagur gojën. Në atë ambjent të ndotur nga pluhuri i letrave dhe tymi i duhanit, gdhihej dhe errej kalorësi veteran i Federatës “Vatra”, i cili varfërinë e thellë në pleqëri e përballoi me stoicizëm të pashoq dhe me kryelartësinë e burrave të vjetër shqiptar. Kur i shkonte ndonjë mik për ta vizituar ose për të pirë një kafe me të, ai nuk e lëshonte pa qeras. Shpenzonte edhe ata dy-tre dollarët e fundit që i kishte ruajtur në xhep vetëm për raste të tilla. Gurrazezin e njoha atëherë kur i dridheshin duarët dhe ai shkruante e redaktonte në një makinë të vjetër shkrimi të dhuruar nga Faik Konica. Refat Gurrazezi vdiq me 14 gusht, 1979; vdiq në (Nursing home) një shtëpi kujdesjeje të qytetit pa pasur asnjë shqiptar afër kur i mbylli sytë. Përshendjetja e fundit iu dha në Boston. Sherbimet fetare i bëri Imam Vehbi Ismaili. Anthony Athanas shtroi një drekë për kujtimin e tij. Kryetari i “Vatrës”, dr. Andrew Elia mbajti një fjalim prekës dhe më vonë botoi një nekrologji të shkurtër, të cilën e mbyll me këtë paragraf:Refati, “… Punoj pa kursyer për Vatrën, kur me rrogë e kur pa rrogë, kur me bukë e kur pa bukë. Fjeti në bodrum të shtypshkronjës, se s’kishte mjete për fole gjumi si të tjerët dhe s’ja duronte shpirti të pushohej botimi i gazetës Dielli. Deshirat e tij në kohët e fundit qenë dy: të vdiste në zyrën e Vatrës dhe të varroseshe pranë Faik Konicës. Për fat të zi asnjë nga ne kemi në dorë të zgjedhim vendin për të dhënë shpirt. Pranë Konicës nuk kishte vent. Po trupi i Refatit u mbulua fare afër deshires së tia, nëpërmes të shumë patriotëve në Forest Hills Cemetery, në Boston, Mass …”. ( Dielli, 9/16/1979 ).Gurrazezi në kujtesën time mbetet Xha Refati. Këtë vatran të madh e njoha kur kishte nevojën e ndihmës dhe pak kush e ndihmonte. Dikur me të më lidhi një miqësi dhjetëvjeçare, sot me të më lidh admirimi për karakterin e fortë që kishte dhe shkrimet që la mbas.

* Botohet me rastin e 125 Vjetorit te Lindjes : Refat Gurrazezi, 15 qershor 1894, 14 Gusht 1979

Filed Under: Histori Tagged With: Idriz Lamaj- 125 Vjet nga Lindja-Refat Gurrazezi

REZERVOJENI 20 QERSHORIN PER SHEN TEREZEN-Saint Teresa of Albania

June 17, 2019 by dgreca

Filed Under: Featured Tagged With: SAINT TERESA OF ALBANIA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 979
  • 980
  • 981
  • 982
  • 983
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT