• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dinastia Dilo Sheperi, historia përjetësohet në një libër

June 11, 2019 by dgreca

Historia na mëson se popujt humbasin dhe shuhen duke u dobësuar karakteri i tyre, dhe jo inteligjenca, ose pasuria. Reflksione për përmbledhjen e botimeve me titull “Në krahët e Shqiponjës Shqiptare”/

Nga Violeta M. Mirakaj/

Është një pasdite e ngrohtë fund maji, dhe gjithçka duket sikur ndriçon  dhe ndikon ne rrjedhshmërinë e mendimeve në vlerësimin e librit që më dhuroi autori  Eduard M. Dilo. Një përmbledhje e shkrimeve  botuar ne shtypin e kohës në disa vite të vëllezërve Dilo, Eduard dhe Bardhyl M. Dilo.

Vetë titulli i këtij botimi “Në krahët e Shqiponjës Shqiptare” të shtyn ta shfletosh njera pas tjetrës, dhe sheh se është një krijim i kujtesës mnemotike, mbështetet në kujtesën kolektive sa familjare , individuale dhe më gjerë; kujtesë kolektive e ikonizuar kujtesa si  shqisa të shpirtit.  E veçanta e  shkrimeve është jo vetëm se trokasin në  portën e historisë së vendit tonë, gjë që e tregon dhe vetë titulli i librit “Në krahët e “Shqiponjës Shqiptare “  po portretizimi i disa figura të saj që kanë bërë histori kanë vënë potencialin e tyre intelektual dhe patriotik në shërbim të vendit. Me të drejtë këto shkrime në shumicën e rasteve në formën e një eseje trokasin në ndërgjegjen e kombit. Duan t’u tregojnë bashkëkohësve dhe brezave se nuk mund të ketë një komb pa kujtesën e tij.  Krijimi hyrës i librit është “Refleksi, Edukata dhe përparimi i njeriut”një shkrim sa me karakter didaskalik e psikologjik dhe filozofik, tregojnë me kopetencë dhe logjikë se suksesin e njerëzve në jetë e bën më shumë karakteri i tyre se sa dituria që kanë. Japin një arsyetim midis  edukatës dhe arsimit. Nuk mund të kërkojmë shkëlqim edukate në një vend ku mungon edukata e demokracisë… Në qoftëse pretendojmë që të arrijmë rezultate në drejtim të edukatës, duhet të furnizojmë mendjen e rinisë me parime dhe t’i disiplinojme vullnetin. Eksperienca e njerëzimit në mjedisin ku jeton ka vërtetuar se njeriu nuk mund të ketë shokë dhe miq në qoftëse nuk sakrifikon një pjesë të egoizmit të tij, në qoftë se nuk le për kolektivin një pjesë të individualitetit të tij…. por vazhdojnë me arsyetimin në fakte se egoizmi individual është  me rrezik për stabilitetin e një populli, ndësa egoizmi kolektiv është i rrezikshëm për kombet e tjerë. Dhe konkludojnë se refleksi dhe urtësia  duke u mbështetur te Psikologjia  moderne ka treguar se roli i koshientit në jetën e përdishme është shumë më i madh  se roli arësyes koshiente….të cilët arrijnë në konkluzionin : Historia na mëson se popujt humbasin dhe shuhen duke u dobësuar karakteri i tyre dhe jo inteligjenca ose pasuria… Niveli moral i një populli, domethënë mënyra me të cilën mban disa rregulla të sjelljes cakton vendin e tij në shkallën e qytetërimit dhe pushtetin e tij. Krijimi i një ideali, mbështetur  në një edukatë të shëndoshë, që t’i japë popullit  ndjenja të përbashkëta, interesa të përbashkëta, disiplinë të ndërgjegjshme, besim në të ardhmen është rrugë e sigurt për t’u lartësuar nga barbaria në qytetërim. Kjo  hyrje studimore pasohet  me vlerësimet, portretizimet e dy patritotëve intelektualë  Kolë Tromara dheBahri Omari.Inkuadrimi i tyre bëhet duke i pozicionuar në kuadër të kohës si dhe pjesë të tërësisë tragjike të vendit tonë.  Dhimbja, revolta  e krijuesit është legjitim …një batare plumbash i shpoi trupat e tyre se kishin në shpirt një ideal…Zëri i  publiçistit vazhdon  “Të mos harrojmë ata që përgatitën kontigjentin e intelektualëve  atdhetarë demokratë.”  Historia familjare e vellezërve Dilo , troket në kujtesën e kombit.                                                                                               Viktoria  Ilia Dilo, një nga emblemat  e arsimit tonë kombëtar, pionere dhe veterane, “Mësuesja e Merituar” ishte vazhdimësia e të atit të saj Profesor Ilia Dilo, vigan i gjuhësisë shqipe , i cili njihet për hapjen e parë të shkollës shqipe,  më 1907 në Sheper të Zagorisë…. Por dhe mbi të, si dhe në gjithë familjen ranë pesha e e një kalvari  vuajtjesh të persekucionit të sistemit që u istalua në vendin tonë. Lufta e ashpër klasore vazhdon publicisti, është e pamëshirshme edhe për familjen Dilo. Hapet rruga tragjedisë: Babai u vdes, tre vëllezër në azil të detyruar politik… Bëhet pyetja, pse vallë gjithë ky tmerr i pashembullt  rrethon këtë familje të mirëfilltë intelektuale dhe patriote ?  Përgjigja- nuk mund të bënin kompromis në dëm të Shqipërisë, nuk mund të bënin kompromis në dëm të asaj që ju ishin kushtuar…Vlerësimi  i Viktoria Ilo Dilo pas viteve ’90 si  “Mësuese e Merituar”me motivacion :- Me personalitetin e saj të lartë moral, pedagogjik, metodik e shkencor ka mbetur në kujtesë si shembull i ndritur i mësuesit të talentuar e të respektuar…. po  autori  konkludon – Arsimi ynë kombëtar dhe ne, kemi nevojë për  njerëz si ajo…                                                                       Figurat e femrave janë në vazhdimësi, ajo e hallë Savës, apo Sava Levani Xhamballo, grua e rrallë, e urtë e dhimbsur mbetur  në kujtesë…                                                                                                   Nëse shkon sot në Sheper, ku lindi dhe vdiq mësuesi dhe studiuesi i njohur, Ilia Dilo, të cilët Sheperi i dha emrin e vetë, Ilia Dilo Sheperi, nuk gjen asnjë relikte, asnjë gjurmë . Si shenjë e vetme më 14 tetor 1945, kur atij iu hodh aty dheu. Më pas varri u hoq prej këte dhe eshtrat u vendosën mes varrezave të fshatit. “Vendosjani mes popullit për të cilin punoi “, ishte porosia ironike aq edhe e hidhur e udhëheqjes së lartë të partisë së asaj kohe! Megjithëse kishte një kontribut të çmuar në arsimin dhe shkencën gjuhësore shqiptare, emri i tij u hoq nga historia e popullit shqiptar, nga historia e gjuhës dhe e Drejtëshkrimit, ku ai kishte pjesën e tij shkencore , sado modeste të ishte kjo pjesë. U retushuan fotot e tij me patriotët dhe studiusit më në zë të kohës. Po kështu emri i tij nuk u përfshi si zë më vete në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985.

“Procesi”, në emër të luftës së klasave                                                                                                                                             Pa pretendimin se po bëhet një kujtim historik i plotë, të bie në sy shkrimi mbi “Dëshmorët e Gërhotit- Dëshmorët e Kombit.” Rrëfimi  i tradhëtisë në këto momente të historisë, të masakrës në Gërhot, na del figura e Hysni  Lepenicës, ku shpirti i tij ishte ushqyer me vetëtimë e gjëmim topash që nga Lufta heroike e Vlorës, si luftëtar i kësaj lufte. Personazhet nuk mjaftojnë vetëm nga Jugu i Shqipërisë  vazhdimësia është dhe në trevat e tjera, historia e një kombi është gjithë Shqipëria. Nuk mund të harrohet Profesor Burhan Musa Juka, ku jeta në mërgim i rëndonte në shpirt, dhe  nuk mungoi të thosh fjalën e duhur për Shqipërinë dhe shqiptarët, e fjala e tij peshonte rëndë.      Dënohet në mungesë me vdekje me etiketimin “Armik i Popullit”, Dr Jani Dilo.  Paradokset e kohës bëjnë të vetën, vetëm se ideali i tij ishte Shqipëria, Shqipëria në të gjitha trevat e saj shqipfolëse.Duke cituar vlerësimin nga Prof. S. Repishti, -“Jani Dilo i takon breznisë idealiste të RilindjesKombëtare, breznisë së Mit’hat frashërit, dhe të tjerëve si ai”. Familja Dilo vazhdon me Margarit dhe Qirjako Dilo, si dy shtylla të nacionalizmit të cilët diktatura nuk i mposhti. Ata janë të brumosur me kulturën e lashtë përparimtare, me kredon dhe edukaten familjare që- e drejta vetëm të bën të lirë, e të çliron nga çdo ankth  e frike.. …kalvari  dhe masakrat vazhdojnë këta dy vëllezër zhduken njeri pas tjetrit duke ju nënshtruar një detyrimi  jete plot dhimbje dhe vështirësi. Tërhiqet vemendja, duke kujtuar se ka ardhur koha, që figura si Koço Ilia Dilo, dhe gjithë të tjerëve t’u jepen vlerësimi i duhur…Kthimi  mbrapa në histori, apo kujtesa për figura të tilla si Çajupi, vendi nga jane vëllezërit Dilo, i bën ata me të drejtë krenar, si vazhdimësi i udhës kulturore dhe atdhetare të këtij Rilindasi të madh. Rrefyesi gërsheton dijet e lexuara me kujtimet e kaluara familjare.                                                                         Homazhi për Prof .Dr.Safete.S Juka, si një figurë e madhe kombëtare, bëhet me një elokuencë por dhe me kërkesën që t’i bëhet nderimi i duhur me një pllakë në kujtim të gjestit të saj. Ajo la amanet që krejt kursimet e jetës së saj  t’i shkojnë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë…..Një shkrim plot mbresa dhe kujtim plot dhimbje jep autori te ““Jemi shqiptarë” i thashë”.   Kujtimet në atë ditë korriku vazhdon autori, në atë sallë gjyqi të mbushur me gjimnazistë, po zhvillohej një nga tragjeditë që dhe Shekspiri i madh do ta kishte zili…në emër të luftës së klasave luhej dhe vihej në lojë jeta e njeriut të pafajshëm. Kaosi i mendimit dhe i gjykimit ishte i pranishëm, të dukej vetja si te “Procesi” i Kafkës…..Ndjeshmëria fëminore ravijëzohet në lotët që mbulonin faqet e nipit, i cili ishte i pranishëm, po nuk mund të harronte zërin e të akuzuarit, kumbimin në atë sallë të zbrazët- “Mos ngatërro Atdheun dhe popullin me partinë. Atdheu dhe populli janë Shqipëria….”  Këto kujtime janë dërmuese, por nuk duhet të harrohen, që e nesërmja kurrë të mos përsëritet. Si për ta përmbyllur këtë libër me shkrime vëllezërit Bardhyl & Eduard M. Dilo; ndalen në mbresat e udhëtimit “ Mrekullitë e Kosovës.”. Pas kthimit në atdhe pas shumë vitesh në emigrim, mrekullohen nga transformimet dhe evolimet që kishin ndodhur në vendlindje dhe kudo. Udhëtimi turistik në trevat e Kosovës miqësia dhe ngrohtësia vëllazërore me miq dhe dashamirës kosovarë, tregohen nga autorët me nota dhe ngjyra të ngrohta mbresëlënëse si për të treguar se nuk ka Shqiptari pa Kosovë e Maqedoni.  Krenaria legjitime që ndjenë vëllezërit Dilo ishte e pamatë kur në stendat e Shtëpisë Muze të Prizrenit, ashtu si shprehen vetë na “priste” e na “përshëndeti” fotografia e patriotit zagoriot Mihal Harito, një ndër kryesorët e asaj Besëlidhjeje historike, fotoja e poetit sheperiot A.Z.Çajupi i cili pasohet nga theksimi që bën studjuesi Prof. Ramadan Asllani:-se Gramatikën e Ilia Dilos e ruan si libër të shenjtë për gjuhën shqipe. Gjuha është njësia matëse e një kombi të vetëm dhe koha do ta tregojë…

Filed Under: Histori Tagged With: Dinastia Dilo-Sheperi- Violeta Mirakaj

8 QERSHORI – DITA E BESËS SË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

June 11, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte 10 Qershori i vitit 1878 kur është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, ku u përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri.

Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme kombëtare Shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve.  Një Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha degët e tija.  Ky Komitet, si enti përfqsues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 antarësh nga të gjitha trevat shqiptare.  

Qershori i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të terësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë trojeve shqiptare. Në një memorandum të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera,  kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “… Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë, ose austriakë ose grekë… Ky karakter kombëtar që nuk është përgnjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhnjimisht kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian…”.

Nga protesta e 16 qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga 320 përfaqsues të popullësisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të nënshkruarit, në emër të të gjithë populit, kemi nderin të shpallim se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve… është njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së terrritorit që është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij…” 

Ndërsa në memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha,  disa personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, shkruajnë: “Duke i parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu lutur që t’i marrë ato parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës kundër aneksimit të cilësdo pjesë më të vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se është gati të bëjë fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta mbajtur këtë vendim suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”

Në letrën protestë kundër të popullësisë së sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më 25 qershor, 1878 kundër mizorive të kryera mbi popullësinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse, malazeze dhe bullgare, shkruhet: “..Po qe se do të ndodhte flijimi i kombit tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të lartëpërmendura…ne do të vdesim me dner deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi aspak viktima e këtij nënshtrimi…”.  

Ndërsa në letrën e dalur nga protesta kundër mizorive të kryera prej ushtrive ruse e bullgare, drejtuar Kongresit të Berlinit me 26 qershor, 1878 nga popullësitë e rretheve të Dibrës, Matit, Gjakovës Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Pejës, Manastirit, Kërçovës, Vuçiternit, Gjilanit, Mitrovicës, Senicës, Gucisë,Lumës, Prizrenit, e tjera, thuhet: “…askush nga ne nuk mund të nënshtrohet pa derdhur gjakun deri te njeriu i fundit…”.

Dhe në vendimin që mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë me 24 korrik, 1878 për ti kërkuar qeverisë osmane bashkimin e torjeve shqiotare në një vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, thekësohet se, “Shqiptarët, të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e gjithë Toskëria dhe Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të mbrojtur ttokën e shenjtë të vendlindjes…”.  (Citimet e mësipërme marrë nga libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).

Në parathënien e librit të Krsito Frashërit, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, thuhet se, “Sipas traditës së lashtë shqiptare, sa herë që vendin e kërcënonte armiku i huaj, çdo krahinë mblidhte kuvendin e saj popullor dhe aty merrej vendimi për të rrëmbyer armët kundër agresorit të jashtëm. Pastaj njëri prej tyre ftonte të gjitha krahinat e kërcënuara në një kuvend të jashtëzakonshëm ndërkrahinor. Secila krahinë dërgonte në këtë kuvend të madh përfaqsuesit e vet, të cilët, pasi pelqëronin çështjen që shqetësonte vendin dhe pasi miratonin vendimin për një rezistencë të përbashkët, formonin një besëlidhje ndërkrahinore dhe zgjidhnin një kryesi për drejtimin e saj…Zotimi që merrnin pjesëmarrësit e besëlidhjes konsakrohej me besën tradicionale shqiptare. Kush e shkelte besën poshtërohej përball shoqërisë dhe si i tillë dënohej moralisht…”.

Ja ku jemi sot! Është qershori i vitit 2019, çereku i parë i shekullit 21.  Shqipëria as Kombi shqiptar nuk përballen me ndonjë kërcënim të jashtëm serioz, por fatkeqsisht përballen me atë që At Gjergj Fishta e ka cilësuar dikur si rrezikun e përbrendshëm. Burrat e Lidhjes së Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqsuesit e sotëm të klasës politike shqiptare, megjithse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjëndjen e sotëme të shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta konsakrohej me besën shqiptare! 

Mjafton t’i hedhësh një sy medias shqiptare kudo, për të parë se ku e ka katandisur Kombin sot, kjo klasë politike.  Ku janë sot burrat e besëlidhjes dhe të besës shqiptare?  Përball këtij rreziku të mbrendshëm, udhëheqsit shqiptarë, në vend që të lidhin besëlidhje në emër të interesave madhore të Kombit për zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve politike, i shkruajnë njëri tjetrit letra nga larg dhe trokasin dyerve të kancelarive evropiane — jo për të mbrojtur intresat kombëtare kundër synimeve armiqësore të të huajve — por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para autoriteteve të jashtme.  

Nëqoftse qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i besëslidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqëve të jashtëm,  qershori i vitit 2019 — ndonëse Kombi shqiptar nuk kërcënohet nga ndonjë armik i jashtëm — pa dyshim është muaji dhe viti i zhgënjimeve politike e shoqërore, mos më keq, pasi rreziku është i mbrendshëm dhe i shkaktuar nga vet klasa politike aktuale e shqiptarëve, vetëm e vetëm për hir të interesave të tyre personale e partiake. Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 141-vjetor të saj.  U bën thirrje, në emër të karakterit kombëtar, që të dilni ngadhnjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike në të cilën e kini hedhur vendin.  Ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, të “udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike” të shqiptarëve dhe jo “në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij…”.  Besoj se duhet të jeni të vetdijshëm se, nëqoftse me të vërtetë reflektoni mbi veprimet tuaja politike sot, ato janë në kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij kombëtare dhe politike.  Në këtë përvjetor, burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bëjnë thirrje ju – klasës aktuale politike të shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë — që të vendosni interesat e Kombit mbi të gjitha, të zgjidhni problemet tuaja politike bazuar në një besëlidhje të konsakruar me besën tradicionale shqiptare, ashtu siç bënë ata në kohën e tyre, me qëllim sipas Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” – “si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…” 

Për ndryshe, jeni në udhën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me historinë e shqiptarëve, në përgjithësi, përfshirë angazhimet dhe zotimet e burrave të Lidhjes së Prizrenit, 141 vit më parë.  Si të tillë, nëqoftse vazhdoni në këtë rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të dënoheni moralisht –si politikanë individë dhe si grup politikanësh — nga ky brez dhe nga brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.  

Filed Under: Histori Tagged With: Frank Shkreli-Lidhja e Prizrenit

Për një atdhe të vetin

June 11, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Për ne shqiptarë, trashëgimia është e gjitha ajo që s’njohim. Nuk mund të shpjegohet ndryshe gjithë kjo që po ndodh – ecja me hapin e breshkës drejt përparimit; ndërsa zhvillimet në botë ndodhim me kapërcime, ne bëjmë hapa prapa.
Me këtë Trashëgimi, kush mundet të lexojë, që ka dëshirë të njoh veten dhe nga pika që e sheh të kaluarën, duhet të shfletojë librin e Anton Çefës, “Një sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” (në dy pjesë).
Ana e jashtme e librit është e thjeshtë, por kur lexon brenda, vetvetiu të vjen në mendje shprehja “kurrë mos e gjyko librin nga kopertina”, kaq tërheqës e me plot vlera është.
Libri përmban persiatje të ndryshme, edhe mbi albanologë të huaj, që shqiptarët i kanë dashur më shumë sesa këta duan veten e tyre. Anton Çefa, në libër, i bënë një analizë të thellë psikologjike vlerave të trashëgimisë dhe etiko-morale shqiptare, njohjen e të cilave ai e quan “një domosdoshmëri për të gjithë”. Prej tyre, Çefa veçon ato që përbëjnë bërthamën e kombit, si burrnia, nderi, besa, ndorja, faljen, mikpritjen, dhe pastaj, dashurinë
për atdheun, mallin e mërgimtarit, individualizmin, konservatorizmin, por edhe disa nga veset, siç vihen re edhe në çdo komb tjetër. Por gjithësesi, fati i njeriut gjendet në shpirtin e tij, thotë Anton Çefa, duke cituar Herodotin.
Për çdo persiatje, autori rendit një bibliografi veprash të cituara ose që duhen lexuar patjetër për të përftuar pamje të plotë.
Krenarinë, këtë veçori tonën, autori e quan “veti të ligjshme të psikologjisë shqiptare”. Anton Çefa kritikon krenarinë e sëmurë ose kur shfaqet si ndjenjë negative. Shqiptarët krenohen për origjinën e tyre, për dashurinë për pavarësi, krenohen për historinë, dhe kanë të drejtë të krenohet për lashtësinë e gjuhës së tyre, për botën e pasur shpirtërore “origjinale, të fisme, të lashtë”. Dhe autori i pasuron këto vlera duke sjellë citime e dëshmi nga dijetarë të huaj të lashtë, nga mesjeta, deri në kohët moderne.
Shkrimet e tij nuk janë të rastësishme. Mësuesi shkodran Anton Çefa, ish-editor i Diellit, prej rreth 30 vitesh banues në New Jersey, SHBA, digjet për këtë copë atdhe të vetin, dhe zjarrin e shpirtit kërkon t’ua lërë trashëgim brezave që vijnë – atyre s’u duhet ndonjë mundim i madh, por vetëm ta kuptojnë dhe të ndjekin gjurmët e këtij plaku të urtë, për të patur në zemër një atdhe e një flamur – kudo që të jenë – qofshin edhe në dhè të huaj.
Gjithësesi, Flamuri do të rrojë në përjetësi, thotë Anton Çefa me profeci:
“Se Zoti e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe
Por Shqipëria do të rrojë
Për të, luftojmë ne”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Për një atdhe të vetin -

Presidenti Amerikan Clinton Hero i Lirisë së Kosovës

June 11, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi dekoroi Presidentin Clinton me “Urdhrin e Lirisë”: Presidenti Clinton është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës/

-Presidenti Clinton, pasi pranoi dekoratën, u shpreh se Kosova e meriton lirinë dhe vendin në NATO dhe Bashkim Evropian

-Kryeministri Haradinaj: Presidenti Bill Clinton, njeriu më meritor që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran/

-Edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright ka mbërritur sot në Kosovë dhe do pritet në takime nga drejtuesit më të lartë të vendit/

-Clinton dhe Albright do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në mesditë/

-Nesër në Prishtinë përurohet Busti i Sekretares Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Qershor 2019/ Presidenti Amerikan Bill Clinton është Hero i Lirisë së Kosovës, u tha sot në Prishtinë në pritjen madhështore, me shumë mirënjohje e falënderime, nga drejtuesit e shtetit e edhe nga populli në sheshet “Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, e fillimisht në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” të kryeqytetit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në 20 vjetorin e lirisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se presidenti Clinton është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës.

Ai ka pohuar se presidenti Clinton ishte lideri që bashkoi botën kundër padrejtësive, ishte politikani më këmbëngulës për të siguruar lirinë e Kosovës.

“Ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Shprehim mirënjohje të madhe për SHBA-në që udhëhoqi në fushatën për të ndalur spastrimin etnik dhe për t’i kthyer në shtëpitë e tyre qytetarët e Kosovës, për të rindërtuar jetë të re dhe paqe për të gjithë”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Dhe nuk ka sesi të mos ndjehemi krenarë që këtij kontribuuesi të madh të lirisë sonë t’i shprehim mirënjohjen e thellë që populli i Kosovës ndjen për të. Faleminderit president Clinton!”, ka shtuar ai. 

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, presidenti Thaçi e ka dekoruar presidentin Clinton me Urdhrin e Lirisë.

“Duke u bazuar në kompetencat e mia si President i Kosovës, por edhe si mik i juaji, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve të Kosovës, popullit të Kosovës, Urdhrin e Lirisë. Nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuajin, se dekorimi më i madh është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në krejt Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Presidenti Clinton, pasi pranoi dekoratën, u shpreh se Kosova e meriton lirinë dhe vendin në NATO dhe Bashkim Evropian.

Presidenti Thaçi shtoi se mirënjohja më e lartë për presidentin Clinton është Kosova e rindërtuar, që jeton në liri dhe punon për paqe kudo në botë.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ish-presidentin e SHBA-së, Bill clinton, i cili mbërriti në Prishtinë festën e lirisë –  20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë.

 “President Bill Clinton, ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës. Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ai shtoi se presidenti Clinton ka merita të veçanta që Kosova sot frymon lirshëm, që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran. 

“Miqësia jonë me Ju, bashkëshorten tuaj, ish-sekretaren e shtetit, Hillary Clinton dhe në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë e përjetshme ”, tha kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar përzemërsisht ish-presidentin Clinton për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po vazhdojnë t’i japin Kosovës edhe në ditët e sotme, por edhe për kontributin e tij personal për të marrë vendimin kapital në një moment të vështirë dhe dramatik për popullin e Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj gëzojnë respektin më të madh për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushatën ajrore të Aleancës Veriatlantike kundër forcave serbe më 1999. Dhe për këtë, sot ish-presidenti Clinton me të drejtë konsiderohet sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj. 


Në këtë takim, kryeministri Haradinaj, e njoftoi ish-presidentin Clinton për zhvillimet politike në Kosovë, për zhvillimin e gjithmbarshëm në ekonomi, forcimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, përmbushjen e Axhendës së Reformave Evropiane, duke theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
Temë e bisedës në këtë takim ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e interesuar për arritjen e një marrëveshje obligative ligjore ndërmjet dy shteteve, që nënkupton njohjen reciproke. 
Në takim, kryeministri Haradinaj theksoi nevojën e mbështetjes së ish-presidentit Clinton dhe të SHBA-ve në përgjithësi për proceset e rëndësishme për Kosovën, me theks lobimin për shtimin e numrit të njohjeve, si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.   

Në 20 vjetorin e hyrjes së NATO-s dhe për kontributin e tij dhënë për Kosovën, kryeministri Haradinaj i ka dhuruar ish-presidentit  amerikan Clinton Pullën Postare, që mban figurën e ish-presidentit Bill Klinton, të cilën e ka emetuar Posta e Kosovës.  

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kohën e luftës në Kosovë, Bill Clinton, nesër do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, që do mb ahet në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00.

Presidenti amerikan Clinton në Aeroportin e Prishtinës është pritur nga ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli.

Me këtë rast ish-presidentja Jahjaga është shprehur:

“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Clinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Clinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund të luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan. Lidershipi i Presidentit Clinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqës dhe të stablitetit në të gjithë rajonin.

Mbështetja a palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është simbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën!

Përjetësisht mirënjohës!”.

Edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright ka mbërritur sot në Kosovë dhe është pritur në ardhje nga ish-presidentja Atifete Jahjafa, e cila deklaroi:

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright – njërën nga kontribueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretarës Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmën tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviçit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen.

Përjetësisht mirënjohës!”.

Edhe ish- Sekretarja Amerikane e Shtetit, Albright do pritet në takime nga drejtuesit më të lartë të shtetit kosovar dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në mesditë.

Nesër në Prishtinë përurohet Busti i Sekretares Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.

Mbrëmjen e sotme mbahet koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Kosova feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.(Me shume fotografi gjeni ne facebook)

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti Clinton-Presidenti Thaci- Ramush Haradinaj

KA NDERRUAR JETE VATRANI TAHIR TAHIRAJ, ANETAR I KRYESISE NE TAMPA

June 11, 2019 by dgreca

Dega e Vatres ne Tampa-Cleawater, njofton se ka nderruar jete vatrani Tahir Tahiri. Ja njoftimi i plote: Noftojme te gjithe komunitetin shqiptar se mengjezin e dites hene 10 Qershore , nderroi jete ne moshen 64 vjecare,antari i kryesise se deges Vatra Tampa Florida,
Zoti Tahir Tahiraj, 
Tahiri ishte nje patriot dhe aktivist i pa lodhur per ceshtjen kombetare.
Humbja e tije ka lene ne deshperim te thelle, bashkeshorten Dhuraten ,djemte e tij,Dr Gentin me Tanin , vajzen Arjana e mbesa e nipa.
Familja do te presi ngushellimet , diten e enjte data 13 qershor nga ora 4 Pm
Addresa 
4900 54th Av N
Saint Petersburg FL 33709
Federata Pan Shqiptare e Amerikes VATRA, i dergon ngushellime familjes Tahiraj per humbjen e njeriut te tyre te dashur. Pushofte ne Paqe!

Filed Under: Vatra Tagged With: Tahir Tahiraj-vdeiq-Tampa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 986
  • 987
  • 988
  • 989
  • 990
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT