
Nga Astrit Lulushi/
Për ne shqiptarë, trashëgimia është e gjitha ajo që s’njohim. Nuk mund të shpjegohet ndryshe gjithë kjo që po ndodh – ecja me hapin e breshkës drejt përparimit; ndërsa zhvillimet në botë ndodhim me kapërcime, ne bëjmë hapa prapa.
Me këtë Trashëgimi, kush mundet të lexojë, që ka dëshirë të njoh veten dhe nga pika që e sheh të kaluarën, duhet të shfletojë librin e Anton Çefës, “Një sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” (në dy pjesë).
Ana e jashtme e librit është e thjeshtë, por kur lexon brenda, vetvetiu të vjen në mendje shprehja “kurrë mos e gjyko librin nga kopertina”, kaq tërheqës e me plot vlera është.
Libri përmban persiatje të ndryshme, edhe mbi albanologë të huaj, që shqiptarët i kanë dashur më shumë sesa këta duan veten e tyre. Anton Çefa, në libër, i bënë një analizë të thellë psikologjike vlerave të trashëgimisë dhe etiko-morale shqiptare, njohjen e të cilave ai e quan “një domosdoshmëri për të gjithë”. Prej tyre, Çefa veçon ato që përbëjnë bërthamën e kombit, si burrnia, nderi, besa, ndorja, faljen, mikpritjen, dhe pastaj, dashurinë
për atdheun, mallin e mërgimtarit, individualizmin, konservatorizmin, por edhe disa nga veset, siç vihen re edhe në çdo komb tjetër. Por gjithësesi, fati i njeriut gjendet në shpirtin e tij, thotë Anton Çefa, duke cituar Herodotin.
Për çdo persiatje, autori rendit një bibliografi veprash të cituara ose që duhen lexuar patjetër për të përftuar pamje të plotë.
Krenarinë, këtë veçori tonën, autori e quan “veti të ligjshme të psikologjisë shqiptare”. Anton Çefa kritikon krenarinë e sëmurë ose kur shfaqet si ndjenjë negative. Shqiptarët krenohen për origjinën e tyre, për dashurinë për pavarësi, krenohen për historinë, dhe kanë të drejtë të krenohet për lashtësinë e gjuhës së tyre, për botën e pasur shpirtërore “origjinale, të fisme, të lashtë”. Dhe autori i pasuron këto vlera duke sjellë citime e dëshmi nga dijetarë të huaj të lashtë, nga mesjeta, deri në kohët moderne.
Shkrimet e tij nuk janë të rastësishme. Mësuesi shkodran Anton Çefa, ish-editor i Diellit, prej rreth 30 vitesh banues në New Jersey, SHBA, digjet për këtë copë atdhe të vetin, dhe zjarrin e shpirtit kërkon t’ua lërë trashëgim brezave që vijnë – atyre s’u duhet ndonjë mundim i madh, por vetëm ta kuptojnë dhe të ndjekin gjurmët e këtij plaku të urtë, për të patur në zemër një atdhe e një flamur – kudo që të jenë – qofshin edhe në dhè të huaj.
Gjithësesi, Flamuri do të rrojë në përjetësi, thotë Anton Çefa me profeci:
“Se Zoti e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe
Por Shqipëria do të rrojë
Për të, luftojmë ne”.