• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreth Librit “Mezhgorani” vështrim enciklopedik me autor Veledin Durmishi

April 26, 2024 by s p

Keze Kozeta Zylo/

Ndonëse gjithmonë kam shkruar esse, vështrime kritike, reportazhe për aktivitete nga më të ndryshmet sidomos këtu në Diasporë, por për librin “Mezhgorani” me autor shkrimtarin e njohur Veledin Durmishi më duhet të them që në fillim që kam pasur shumë emocione. Pena ime duhet të kishte një vëmendje të posaçme duhet të rridhte e kthjellët si ujët e Sollokushes, një dhuratë e Hyut për këtë popull martir mezhgoranas në shekuj. Të ulesh dhe të lexosh librin nga ke origjinën, është e papërshkrueshme, veçse ndihet në rrembat e gjakut. Natyrisht e rritur nga babai im Brahim Gjoni një aktivist, rrëfimtar i pashoq dhe me një kujtesë fenomenale, shumë gjëra i ke të qarta në kokë, në kujtesë, në libra duke iu referuar atij, por asnjëherë nuk është tepri të mësosh më shumë, të njohësh më thellë historinë e vendit tënd të shtrenjtë si në rastin në fjalë me librin “Mezhgorani”.

Autorin Durmishi me një punë skrupuloze dhe voluminoze i cili ashtu siç më ka shkruajtur privatisht se i është dashur dy vjet për të sjellë këtë xhevair në fondin e artë të historisë mezhgoranase e falënderoj publikisht.

Çdo njeri ka detyrim moral dhe shpirtëror për vendin e tij sidomos ata që kanë guxuar duke dalë në publik me penën e tyre si në rastin në fjalë. Autori që në hyrje shkruan si: “Kushdo që ka hedhur në fëmijëri një çantë doku me libra dhe mëkon dijet e veta duke mos i hequr librat nga duart, që dëgjon rrëfimet e të mëdhenjve, që ka atë ndjesinë se historia, nëse nuk shkruhet, vdes, sigurisht që do të ketë atë mirënjohje e cila do të jetë edhe shtysa kryesore për ta shkruar atë libër.

Libri “Mezhgorani” është dëshmi e gjallë për njerëzit autoktonë, vendin e bukur, historinë e jashtëzakonshme dhe të fut në atë botë sa mistike dhe reale gjatë leximit dhe kjo është meritë e penës së bukur të autorit. Duke lexuar ndjen thellë në pejzat e shpirtit dhe betohesh se nuk do ta harrosh kurrë atë vend, madje do ta transmetosh ndër breza edhe duke ëndërruar për një të ardhme më të mirë edhe pse je larg, larg nëntë male kaptuar dhe oqeani në mes. Ja si shkruan autori: “Se duhet kthyer aty, patjetër duhet kthyer, se aty është një nga rrënjët e tua. Duhet të rrish pak në heshtje aty se ndoshta dikush të flet me zërin e nëntokës. Dëgjoje mirë se në çdo fjalë është një kumt. Ndiz një qiri. Rri në heshtje se diçka ti kërkon të flasësh me vete, apo t’i flasësh vetes. Një përshpëritje njerëzore… Aty janë njerëzit tanë, aty është një pjesë e jetës së djeshme. Atyre nuk u rëndon guri i varrit te koka, por harresa. Janë prindërit, Mezhgorani, gjyshërit. “Në çdo dërrasë varri, mbulohet një histori e tërë”.

Mezhgorani është një perlë e Jugut nga natyra dhe këtë e pohoj pa modesti, në se do të kishte vënë dorë shteti ai sot do të ishte një vend përrallor turistik, por jo e pamundur të realizohet… Mjerisht duhet të jesh palë me ta ose militant… Ja si e përshkruan pena e autorit me një magji përpirëse si: “Qielli, ndonëse i mbërthyer në dy maja malesh, të jep kaq dritë, sa të duhet t’i zmadhosh sytë që të rrokësh gjithë atë ndriçim, dielli që nxiton t’i shpëtojë kurthit të maleve, nxjerr syrin diku në lindje e gjithë dashuri e mirësi të përshëndet, ajri i kaltër që kush e di nga është nisur të vjen turravrap e të futet në lëkurën tënde, ujërat e burimeve të ftohta, tek thurrin gërshetin e shkumtë mes zejeve në etjen e tyre të përjetëshme, gurgullojnë atë mërmërimën e tyre shekullore, ndërsa Vjosa, tek çan jo paqësisht gjokse malesh, nanurit me gjuhën e vet të valëve e me atë nanuritje mban zgjuar gjithë ëndrrat tona”.

Po e vërtetë ëndrrat tona janë marramendëse, janë herë reale e herë sikur s’do realizohen kurrë, por atë, por atë me superioren, ëndrrën e të parëve ta kemi si stamposje në ballë, mos ta harrojmë kurrë Mezhgoranin dhe mos të lemë të tjerët të venë dorë mbi të duke u joshur me pasuritë e tij natyrore.

E pamundur të sjellësh në një shkrim gjithë hulumtimet në libër, historinë e Mezhgoranit tënd të shtrenjtë, por gjithmonë është burim frymëzimi dhe jetese vendi i të parëve tanë. Që e vogël kam qenë e magjepsur me shtëpitë dy katëshe të Mezhgoranit, të gurta, të bukura, me sofatet e bisedave dhe shilteve që shtronim për pleqtë kur vinin, gostitë e gjithçka. Këtë e ka sjellë bukur dhe me finesë autori si: “Në Mezhgoran janë me dhjetra shtëpi dykatëshe, më një strukturë tipike shqiptare. Rrethuar me avlli me mure të lartë, porta e oborrit e lartë që të kujton kështjellat e mesjetës, e mbi të gjitha harqet e portave kishin një arkitekturë perfekte.

Deri para viteve 1900 ka qënë guri i bardhë më i përdorshmi dhe ndërtuesi ka parapëlqyer të gdhendë edhe ndonjë shpend, kryesisht ndonjë zog a shqiponjë, ndërsa në fillim të shekullit XX u përdor edhe guri i zi e shpendi tani ishte zëvendësuar me ndonjë gjeth, simbol i gjelbërimit dhe i përjetësisë. Gurë të gdhendur mjeshtërisht, sidomos gurët e qosheve, porta e jashtme e madhe, prej dërrase të trashë, e nga brenda mbyllej me një shul, dy anët e të cilit futeshin thellë murit në të majtë e të djathtë.

Nga jashtë portës, në të majtë e në të djathtë ishin ndërtuar dy sofate të gurta. Aty mblidheshin

si familje, si lagje e bisedohej për hallet, për zajrenë e dimrit, çështje të së shkuarës etj. Oborret ishin shtruar me dërrasa guri, anët të lyera me gëlqere, Mezhgorani një produkt “made in Mezhgorani”. Themi kështu se gëlqerja e fshatit tonë ka qënë me emër në të gjithë Tepelenën për shkak të gurit të pastër e të fortë.

Janë dhënë me fakte shumë gjëra të historisë sonë mezhgoranase, por unë do të ndaloj tek plaga e çarë si shege që happën pushtetarët tanë duke na rrëmbyer ujin e Sollokushes, ku autori e pëshkruan saktë, bukur dhe me artin e magjishëm të figurave letrare. Midis të tjerash në faktin e tretë në faqen 29 shkruan: Fakti i tretë: “Mezhgorani ka shumë ujëra. Janë kroje të cilët e bëjnë fshatin tonë ndër më të pasurit me ujëra. Kemi kroin e Diellit (kult pellazgjik), kroi me më shumë ujë e që nuk shterron kurrë. Gjatë viteve të socializmit nga punimet e bëra nëpër fshat, janë gjetur një sistem tubash qeramike që askush nuk të thotë nga ç’kohë kanë ardhur. Një linjë tubash zbrisnin nga kroi i Diellës drejt Bregut të Sadikajve, te kroi i Malajt janë gjetur tuba që zbrisnin nga lart. Ishte një krua që nuk shtonte ujë as në dimër e nuk pakësohej as në verën më të thatë e kështu që tubat duhet të jenë thellë. Te shkolla dikur ka qënë një çesëm, ndoshta rridhte nga kroi i Diellës që është pak më lart. Një burim i paktë ka qënë nën shtëpinë e Mullarajve, te plepi, një tjetër te shtëpia e Sinanit, një te shtëpia e Mehmet Rrapos, një te shtëpia e Sabri Durmishit. Pastaj kemi Sollokushen, një magje e vendosur mbi disa shkëmbinj e mbi kokë kishte një shkëmb stërmadh që kur e shihje nga poshte dukej i frikshëm e gati të shkëputej që andej. Një gurrë e vërtetë, një linjë uji e të cilit shpinte ujë deri te furra e fshatit në Hoxhaj, duke i dhënë njëherazi edhe ujë të rrjedhshëm gjysmës së fshatit, ndërsa përfund fshatit, përroi mbante me ujë një pjesë të madhe të tokave poshtë tij. Sot gjithçka ka humbur identitetin e vet. Ajo magje është shëmbur nga motet e vështira dhe uji buron përfund një shkëmbi dhe jo në sasinë e dikurshme. Në vitet e socializmit, gjatë punëve në bujqësi, është gjetur një linjë tubash edhe në Shpellë turka, ku ishte zallishte dhe uji mund të vinte më poshtë vetëm me tuba që u gjetën në 1,5 metra thellë. Nga konsultimet tona është arritur në konkluzion se kjo linjë uji është e periudhës romake. Po ashtu një vijë e hollë merrte ujë nga Gjilpëryeri drejt Hojmodhit.

Historia e jashtëzakonshme e Mezhgoranit

Në shumë kapituj të librit mund të them se janë memuaristik, e nëse do të ishte gjallë regjizori i famshëm mezhgoranas Kujtim Gjoni me siguri në bashkëpunim me shumë intelektualë mezhgoranas që nuk janë të paktë në numër do të sillte një dokumentar të shkëlqyer për publikun e shumtë dhe dashamirës të Mezhgoranit. Nëpërmjet këtij libri gjejmë shumë personazhe gjejnë vehten e tyre jo vetëm personalisht, por dhe historikisht. Mezhgorani është me kontribute të mëdha në çështjen kombëtare. Siç e thashë që në fillim e pamundur të përmend gjithë historinë e jashtëzakonshme të këtij vendi, por është krenari kur lexon psh që Sami Mullai është anëtar I mbrojtjes kombëtare siç thotë autori në Teqenë e Turanit ku u mblodhën patriotët dhe nga ky organizim u formësua një komitet që u quajt “Komiteti i mbrojtjes kombëtare” që detyrë parësore kishte moslejimin e andartëve grekë të shtrinin thonjtë e vet në këtë territor”. Fq:42.

Ne lexojmë një histori të pasur, mjerisht edhe të mohuar nga historia ose është folur shumë pak, prandaj kolegu im i çmuar Veledini ka sjellë fakte që të trondisin, realitete historike, impresionet e tij, befasinë e një shkrimtari. Një vend special në histori për Mezhgoranin është dhe Pavarësia e Shqipërisë, ku me krenari të ligjshme midis tre delegatëve kemi Fehmi Bej Mezhgoranin. Ne fq. 43 autori shkruan se:

“Tre ishin delegatët e Tepelenës që do të udhëtonin drejt Vlorës për të ngjizur atë çast të madh historik. Aristidh Ruçi ndodhej në Vlorë, ndërsa dy të tjerët, Sami Mullai nga Mezhgorani e Maksut Shehu u nisën së bashku drejt Vlorës me kuaj, por në Sevaster i mbërtheu një shi i madh dhe ata nuk mund të vazhdonin dot më tej. U strehuan në një familje në Dushkarak ku ndenjën 10-15 ditë të sëmurë. Paria e Tepelenës caktoi Fehmi Efendi Mezhgorani, përfaqësues i klubit të Janinës.

Vlen për të përmendur bashkëpunëtorët në këtë libër me plot dashuri dhe përkushtim për historinë e Mezhgoranit si Avdul Isaraj, Rrapo Gjoni, Skënder Bani, Beqir Zaimi, Guçe Durmishi, Fetah Kalemi, Enver Cani, Mehmet Gjoni dhe konsulent historik: Prof. Bektash Mema.

Libri “Mezhgorani” eshte një stekë e lartë për profesionistët si dhe për historinë e vërtetë të vendit, që shpesh shkruhet padrejtësisht nga sharlatanë dhe analfabetë.

Autori Durmishi ndalet dhe në emigracionin e fshatit, që sic e dëgjonim nga prinderit tanë thuhej se ishte derë e kurbet, dhe me plot gojën pohojmë se solli civilizimin dhe përparimin e Mezhgoranit duke e radhitur në atë kohë si një vend me shumë kulturë. Emigracioni më I dalluar ka qenë I Amerikës ku të gjithë bashkëfshatarët pothuajse ishin anëtarë të Vatrës dhe iu bashkuan kauzës së Nolit si dhe emigrimi në Francë. Fq: 46-47

Arsimi dhe hapja e shkollës shqipe ka qenë shumë e njohur për Tepelenën dhe më gjerë, pasi fshati ynë ka furnizuar me arsimtarë shume shkolla në rrethe. Mësuesi i parë ka qënë Aziz Mullai dhe gjashtë mësues vendas: Azis Mullai, Sami Mullai, Reshat Mullai, Myftar Salaj Tartari, Adem Isa Shehu. Ali Mete Zenuni. Pas çlirimit ka qënë Reshat Mullai.

Një rëndësi të vecantë autori i jep dhe luftës epope të Vlorës, ku mjaft mezhgoranas morën pjesë heroikisht. Shumë materiale natyrshëm janë shfrytëzuar dhe nga historiku i fshatit ku është bërë një përpjekje e madhe për të pasqyruar dhe dhënë me fakte kokëforte historinë, kulturën e fshatit ngritur nga një komision I posacëm me plot përkushtim.

Një vend të vecantë zë Fronti Nacional- Çlirimtar dhe Balli Kombëtar pasi në Mezhgoran kanë vepruar që të dyja aktivisht.

Fama e Mezhgoranit është në cdo skaj të Shqipërisë jo vetëm që fillon me Pavarësisnë nga bijtë e saj, por edhe me këngën si hymn në Luftën heroike me fashistët italianë ku ra heroikisht Asim Zeneli. Dhe ja si i këndohet: “Një zë po del nga gryk’ e Mezhgoranit/ Në sulm shqiptarë, armikun ta dërmojmë!/ A s’jemi ne të bijt’ e këtij vatani? A mundet ne, armikun ta durojmë?

fq. 73

Tridhjetë bijë të fshatit u rreshtuan me armë në dorë në këtë luftë. Ja lista e partizanëve mezhgoranas sipas historikut të fshatit tonë: Sadik Bani, Hajri Bani, Xhafer Bani, Male Bani, Misir Bani, Xhelal Bani, Kamber Dinaj, Nuredin Dinaj, Neki Durmishi, Refat Durmishi, Hamdi Durmishi, Fejzi Durmishi, Ismet Gjoni, Bajram Gjoni, Qemal Hoxha, Sako Hoxha, Ismail Dogani, Asllan Dogani, Rushan Dogani, Maliq Dogani, Xhemal Cani, Orhan Cani, Resul Groshi, Rakip Sako, Bedri Rrapaj, Saliko Rrapaj, Servet Mullai, Ferik Kasaj, Bejtullah Halili, Meleq Hyseni. Sipas historikut të fshatit dëshmorë të kësaj lufte janë:

Male Bani, Xhafer Bani, Maliq Dogani, Ferik Kasaj, Zenel Gjoni, Bedri Rrapaj.

Sollokushja e rrëmbyer nga pushtetarët

Nuk kishte se si ky burim i dhuruar prje Hyut mos të zinte vend në këtë libër historik të Mezhgoranit. Dhe mirë ka bërë, historia duhet të shkruhet siç është pa urrejtje dhe krahinizma.

Autori me këtë libër voluminoz të kujton autorin tim të preferuar, poetin e famshëm amerikan Ralph Waldo Emerson i cili thotë se: “Jeta është një varg mësimesh të sukseshme që duhen jetuar për t’u kuptuar.”

Shkrimtari Durmishi e jeton jetën, historinë e saj dhe me një bisturi të hollë të penës denoncon dhe demaskon këtë krim që iu bë popullit martir duke shkruar se: “Janë ca ethe investimesh, një dalldi trullosëse që ka mbërthyer mjaft investitorë të cilët, me mbështetje politike, u janë qepur pasurive të tokës sonë si vampire. Kanë grabitur pasuritë e nëntokës e tani së fundi edhe ujërat. Me harta nëpër duar nuk po lënë përrua pa eksploruar me qëllimin e tyre final; ta marrin atë ujë, ta futin nëpër tuba e nën një okelio si investim strategjik kombëtar, kërkojnë të ndërtojnë hidrocentrale duke i lënë fshatrat djerrë. Fshati ka bukuri të mëdha, ka dy male mbi kokë që e bëjnë aq atraktiv, por ka edhe një burim që është edhe i vetmi ujë për ata banorë.

A do të shuhet ky fshat? Dhe gjasat janë të dukshme qartësisht. 25 familje që kanë ngelur të fshatit autokton që kanë mbi 1000 krerë bagëti, që kanë toka për të ujitur nuk do të kenë më ujë. Fshatarët do të ikin nga sytë këmbët Shqiptarët e kanë gjetur një rrugë tutje… në emigrim… Le të shuhet një fshat historia e të cilit është lidhur me një ngjarje të madhe. E kujt i duhet më historia? Pushteti është i egër. Ai do vetëm votë dhe para”.

Duke lexuar me kersherine e nje bije te Mezhgoranit

Autori sjellë pas një pune hulumtues fiset e fshatit, historitë, traditat, njerëzit etj. Duke e përfunduar gjer në faqen e fundit plot 371 pata ndjesinë se ishja ulur rreth tryezës në qendrën e fshatit që duket si një ballkon i lartë vjenez ku kundron Vjosën që puth këmbët e Trebeshinës, Shëndëllinë dhe përballë përshëndet malin e Golikut. Në këtë pamje të hatashme bisedoja me stërgjyshërit tanë që dergjen pak më poshtë ballkonit, apo me miqtë e shumtë mezhgoranas që prindërit tanë kanë ndarë së bashku të mirën dhe të ligën sikur të ishin një familje e vetme mezhgoranase. Ç’pasuri na lanë! Ne vetëm duhet të dimë t’i ruajmë, t’i zhvillojmë dhe t’jua transmetojmë brezave të ardhshëm siç ka bërë autori me penën e tij, kolegu im i nderuar Veledin Durmishi.

Autorja është shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

24 prill, 2024

Staten Island, New York

Filed Under: ESSE

FLORIDA PËRFORCON ME LIGJ STANDARDET SHTETËRORE TË EDUKIMIT MBI RREZIQET, KRIMET DHE TË KËQIAT E KOMUNIZMIT

April 26, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, Guvernatori i shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara, Z. Ron DeSantis nënshkroi legjislacionin që përforcon standardet e arsimit në atë shtet – standarde të cilat detyrojnë mësimin në shkollat e Floridës mbi krimet, të këqiat dhe rrreziqet historike të komunizmit ndërkombëtar. Sipas një njoftimi për median, të shpërndar me këtë rast nga zyra e Guvernatorit DeSantis, i pari i shtetit jugor të Amerikës u shpreh në lidhje me këtë vendim se, “Ne nuk do lejojmë që studentët tanë të jetojnë në injorancë, as që të indoktrinohen nga apologjetët e komunizmit në shkollat e shtetit Florida. Përkundrazi, ne do sigurohemi, ka shtuar ai, që studentëve në Florida t’u mësohet e vërteta mbi të këqiat, krimet dhe rreziqet e komunizmit”, ka thenë Guvernatori republikan, DeSantis me rastin e nënshkrimit të ligjit. Ligji shtetëror (SB1264) që nënshkroi Guvernatori DeSantis, javën e kaluar, përforcon mëtej standardet ekzistuese për mësimin e historisë së komunizmit në Shtetet e Bashkuara si dhe taktikat vepruese të lëvizjeve komuniste, anë e mbanë botës.

Gjatë viteve, Fondacioni i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington ka bashkpunuar me shtetin Florida dhe me shtete të tjera anë e mbanë Shteteve të Bashkuara në kujtim të viktimave të komunizmit në botë – përfshirë promovimin e mësimit në shkollat amerikane mbi krimet dhe rreziqet që vijnë nga komunizmi. Frank Shkreli: Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kujtohen viktimat e komunizmit, në Shqipëri glorifikohet regjimi i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf — Florida – një shtet me popullsi dërmuese me origjinë kubane, të arratisur nga regjimi komunist diktatorial i Fidel Castros gjatë dekadave – por dhe një numër shtetesh tjera amerikane — kujtojnë viktimat e komunizmit, ndërsa kanë caktuar 7 Nëntorin si Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit, që është caktuar si e tillë, origjinalisht, me vendim të Bashkimit Evropian (BE-së), në përputhje me vendimet e Bashkimit Evropian, në kujtesë, pra dhe nderim të gjithë atyre që janë vrarë, kanë vdekur dhe që kanë vuajtur burgjet dhe kampet e përqendrimit, nën regjimet barbare komuniste në Evropë dhe në mbarë botën.

Ligji i sapo nënshkruar nga guvernatori i Floridës përforcon standardet ekzistuese të arsimit në shtetin Florida e të cilat mandatojnë mësimdhënien mbi rreziqet dhe krimet e komunizmit, sipas njoftimit të dale nga të zyra e Guvernatorit të Floridës. “Është tepër me rëndësi jetike që çdo student të mësoj mbi rreziqet e komunizmit”, u shpreh ndërkaq, Komisioneri Arsimit të shtetit Florida, Manny Diaz. “Nga përvoja ime personale, unë i njoh mirë të këqiat që vijnë nga komunizmi dhe jam krenar që isha pranë guvernatorit DeSantis, ndërsa ai nënshkroi legjislacionin mbi forcimin e standardeve mësimore, ligj ky që siguron se Florida do mbetet një kështjellë e lirisë”, nënvijoi me atë rast Komisioneri i Arsimit të shtetit Florida, Manny Diaz, (me origjinë nga Kuba). Në të vërtetë, ky ligj është pak si i jashtzakonshëm pasi në Amerikë nuk ka pasur ndonjëherë komunizëm zyrtar dhe si rrjedhim nuk ka pasur as viktima dhe as krime të komunizmit. Por janë shtetasit amerikanë me prejardhje nga vendet ish-komuniste – sin ë këtë rast, kubano-amerikanët në shtetin Florida, ata që këmbëngulin që fëmijt e tyre të mësojnë të vërtetat e historisë së komunizmit ndërkombëtar, përfshir krimet gjysëm shekullore të komunizmit anë e mbanë botës.

Përveç rritjes së standardeve arsimore mbi historinë e komunizmit dhe krimet e tij, ligji autorizon gjithashtu edhe degën legjislative të shtetit Florida që në atë shtet të hap një muze të historisë së komunizmit. Ligji, njëkohësisht, ndihmon dhe përgatit studentët që të mund të ballafaqohen dhe të kundërshtojnë indoktrinimet komuniste në kolegjet dhe universitetet e atij shteti. Autoritetet e shtetit Florida miratuan ligjin për përforcimin e standardeve arsimore për mësimin e historisë së komunizmit, në përvjetorin e invadimit të Gjirit të Derrave në Kubë (Prill, 1961) — një përpjekje kjo që dështoi, e financuar dhe e organizuar nga ana e Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të rrëxuar regjimin komunist të diktatorit Fidel Castro. Ky muaj i Prillit shënon gjithashtu disa data të rëndësishme në ldihje me kujtesën e viktimave të komunizmit në botë, siç është edhe 15-vjetori i miratimit të rezolutës nga parlamenti Evropian (2 Prill, 2009) mbi caktimin e Ditës zyrtare për Kujtimin e Viktimave të gjithë Regjimeve Totalitare dhe Autoritare që shënohet me 23 Gusht të çdo viti në Evropë dhe më gjërë. Texts adopted – European conscience and totalitarianism – Thursday, 2 April 2009 (europa.eu) Duke filluar nga viti 2009, anë e mbanë Evropës shënohet Dita e Kujtesës për vikitmat e regjimeve totalitare dhe autoritare, në përpjekjet për të mbajtur gjallë në radhët e brezave të ardhëshëm, kujtimin e viktimave të komunizmit, anë e mbanë Evropës, me qëllim që ajo e kaluar mizore e komunizmit barbar ndërkombëtar të mos përsëritet më.

Shqipëria bën përjashtimin — Për fat të keq, Shqipëria sikur nuk është pjesë e Evropës, sepse ajo deri më sot nuk ka caktuar me ligj një ditë zyrtare mbarëkombëtare – në përputhje me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara — për të kujtuar viktimat, krimet dhe të këqiat e komunizmit të regjimit totalitar të Enver Hoxhës. Koha e diktaturës së regjimit komunist në Shqipëri tregoi fytyrën më të vrazhdët të njeriut kundër njeriut – shqiptarit kundër shqiptarit — dhe të një shoqërie pa Zot. Megjithkëtë, krimet e komunizmit dhe vikitmat e tij të pafajshme të diktaturës enveriste në Shqipëri nuk kanë kaluar pa u njohur nga ente dhe personalitete ndërkombëtare gjatë tre dekadave të fundit. Po i kujtojmë ata me këtë rast duke rikujtuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri me 25 prill, kur udhëheqsi I Kishës Katolike, kujtoi viktimat e komunizmit shqiptar, sidomos klerikët e Kishës Katolike shqiptare duke iu drejtuar shqiptarëve me këto fjalë: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! … Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Pastaj Pap Gjon Pali II – 31-vjet më parë, gjatë asaj vizite, inkurajoi shqiptarët me një mesazh për të sotmen duke iu drejtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto fjalë atërore: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, ndërsa bëri thirrje për kujtesën e përhershme të viktimave të pafajshme të komunizmit, ashtuqë të “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”… Kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pik të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin, dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror…Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, ka deklaruar Papa Gjon Pali II në vizitën e tij në Shqipëri (31-vit si sot) duke u gjunjëzuar për të puthur tokën e lashtë të Arbërisë.

Për fat të keq, e kam thenë shpesh se këto 30-vjet tranzicion, klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave – sa i përket kujtesës së viktimave të komunizmit, nuk i ka kryer detyrat e saj në lartësinë që pritej e që duhej e për të cilën bëri thirrje Papa Gjon Pali i II në vizitën e tij në Shqipëri (Prill 1993). Kjo klasë politike vazhdon me arrogancën e saj të pa ndërgjegjshme dhe të pa dinjitet ndaj kujtimit të viktimave të komunizmit barbar në Shqipëri dhe ndaj krimeve të regjimit të Enver Hoxhës. Në mungesë të një kujtese zyrtare dhe përballjes serioze eme të kaluarën komuniste, siç ndodhë anë e mbanë Evropës për vikitmat e pafajshme të regjimeve totalitare, Shqipëria ka zgjedhur që me heshtjen e saj ndaj krimeve të komunizmit, të përjetësojë ashtu në heshtje regjimin kriminal të Enver Hoxhës – një sjellje dhe politikë anti-kombëtare e pa denjë dhe e papërgjegjshme, që së bashku me faktorë të tjerë shoqërorë e ekonomikë –po shkakton zbrazjen e Shqipërisë nga më të mirët bijë e bija të saj.

Por në mungesë të kujtesës së tyre nga Tirana zyrtare, ne si individë kudo që jemi të lirë neper botë, nuk na ndalon kush t’i kujtojmë ato viktima të pafajshme dhe krimet e komunizmit në Shqipëri, sepse besojmë që “liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.” Si e tillë kjo liri duhet mbrojtur gjithmonë duke kujtuar viktimat që u vranë nga ai regjimi dhe me ta komunizmi vrau edhe lirinë e çdo shqiptari për pothuaj një gjysëm shekulli. Këtë liri që gëzon sot Shqipëria ua ka borxh shumë viktimave të pafajshme të regjimit komunist, por me këtë rast po përmendim viktimat e një ndër gjyqeve më famëkeq të regjimit komunist, ai i zhvilluar në Kishën e Motrave Stigmatine, në rrugën Gjuhadol të Shkodrës, në Prillin e vitit 1968, që sot kujtohet në faqen e Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook

Ai gjyq, sipas faqës së internetit të Muzeut, është zhvilluar pas 8 muajsh hetuesie, shoqëruar kjo me cinizëm, fyerje, përbuzje, rrahje e tortura. Më 1 prill 1968 dosja hetimore në ngarkim të Dom Frano Illisë, Dom Zef Bicit, Dom Mark Hasit, Dom Mark Dushit, At Gegë Lumës, Alfons Radovanit dhe Kol Marlacajt, nga prokurori i rrethit Shkodër Faik Minarolli, i përcillet për gjykim Gjykatës së Qarkut Shkodër. Gjykata e Qarkut të Shkodrës me kryetar Nuri Resmja, i shpalli të gjithë të akuzuarit fajtorë, nën aprovimin e duartrokitjeve të publikut në sallë dhe pjesës tjetër jashtë saj, që e ndiqte me altoparlantë. Dom Zef Bici dhe Dom Mark Dushi u dënuan me pushkatim, ndërsa Dom Frano Illia dhe Dom Mark Hasi u dënuan me 25 vjet, ky i fundit vdiq në burg, sipas kujtimit të tyre në faqen e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Nëqoftse vizitoni Shkodrën, mos anashkaloni të vizitoni Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës, Vendin e Dëshmisë e të Kujtesës — në atë qytet të vuajtur dhe të nepërkëmbur ndër dekada. Nëse vetëm kaq mund të bëni si individë e si shqiptarë të lirë në kujtesë të viktimave të komunizmit, jo vetëm në Shkodër, por edhe anë e mbanë Shqipërisë, bëjeni këtë si kujtim në nder të tyre por edhe si edukim për ju. Kjo HESHTJE zyrtare ndaj krimeve të komunizmit dhe refuzimi zyrtar për tu ballafaquar me atë histori të tmershme nuk i bën nder Kombit shqiptar as nuk e radhitin atë me kombet e tjera në Evropë dhe Amerikë të cilët me ligje dhe përballje, zyrtarisht, me të kaluarën kanë përjetësuar tashmë kujtesën e viktimave të komunizmit, me ligje dhe monumente, dhe kanë dënuar krimet në vendet e tyre dhe anë e mbanë botës – me shpresën që ato krime të mos përsëritën më. Është një trashëgimi kriminale që nuk mund të mbrohet më as nga pozita, as nga opozita politike shqiptare!

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të komunizmit!

Filed Under: Analiza

Don Robert Jakaj vizitoi Vatrën

April 26, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 25 prill 2024 – Kleriku Don Robert Jakaj vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, vatranë e shqiptaro-amerikanë që vlerësuan klerikun Jakaj e Institucionet fetare në Kosovë për punën e shkëlqyer fetare e kombëtare. Dr.Camaj në fjalën e mirëseardhjes shpjegoi për rolin e Vatrës në shtetformim, komunitet dhe shërbimin shekullor për çështjen kombëtare. Don Robert Jakaj diskutoi me të pranishmit situatën e sigurisë në Kosovë, mbështetjen e pakursyer të miqve ndërkombëtar të Kosovës, punën edukative si drejtor i shkollës Imzot Gjon Nikollë Kazazit në Gjakovë, bashkëpunimin dhe vëllazërinë me institucionet fetare në Kosovë. Ai u ndal te thënia e Papa Françeskut se shqiptarët janë shembull global për vëllazërinë e harmoninë ndërfetare. Don Robert Jakaj studimet filozofike i ka ndjekur në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Lubjanes (Slloveni), ndërsa studimet teologjike ka vijuar në Fakultetin Teologjik pranë Universitetit Papnor Salezian (UPS) me seli në Romë. Më 1 Shtator 2017 Imzot Dodë Gjergji, e dekreton Drejtor në QAKP “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë dhe famullitar në Doblibarë të Gjakovës.

Don Roberti për disa vite ishte edhe anëtar i Këshillit Ndërfetar të Kosovës, po ashtu ka shkruajtur mjaft artikuj shkencor, kulturor, fetar dhe edukativ, kryesisht në Revistat “Urtia”, “Drita” dhe “Shpresa”. Po ashtu është bashkëpunëtor i zellshëm i Radio Marisë. Imzot Dodë Gjergji e emroi Don Robertin, famullitar të Doblibares, ku Doblibarja bën pjesë në rangun e famullive të mëdha në Dioqezën Prizren-Prishtinë. Don Roberti flet dhe shkruan rrjedhshëm gjuhët: anglisht, italisht, gjermanisht, sllovenisht dhe kroatisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Besa Sharrah kandidate në Senatin e shtetit në Ohio, vizitoi Vatrën

April 26, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 25 prill 2024- Besa Sharrah kandidate në Senatin e shtetit në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si përfaqësuese e Partisë Rebublikane, vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. E shoqëruar nga drejtoresha politike e fushatës zonja Marjola Bejkollari, ajo u prit nga delegacioni zyrtar i Vatrës sekretari Dr. Pashko Camaj, veprimtari i çështjes kombëtare z.Mhill Gjuraj, editorja e anglishtes në gazetën Dielli znj.Rafaela Prifti, vatranë e shqiptaro-amerikanë kontributorë e veprimtarë të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretari i Vatrës Dr.Camaj në fjalën e mirëseardhjes garantoi zonjën Sharrah për mbështetjen e Vatrës në fushatën e saj dhe u bëri thirrje shqiptarëve në Ohio që ta mbështesin shqiptaro-amerikanën Besa Sharrah si një zë të fuqishëm shqiptar në politikën dhe vendimmarrjen në institucionet e shtetit amerikan.

Zonja Besa Sharrah u shpreh e emocionuar për pritjen e patriotëve në Vatër dhe shpalosi në detaje historinë e familjes së saj, formimit e angazhimit politik, profesional e publik. Besa Sharrah është stërmbesa e Abdyl Sharrës, kontribues i pavarësisë së Shqipërisë, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit, vajzë e Elham Sharrës kryetari i parë i bashkisë së Vlorës në demokraci. Në bashkëbisedimin e ngrohtë e vëllazëror Besa Sharrah foli mbi persekutimin e familjes së saj në komunizëm, përpjekjet familjare për demokraci në Shqipëri, punën e saj si inxhinjere mekanike dhe aktivizimin në politikë, eksperiencën me kompaninë për fushata elektorale, fokusin në distriktin e saj si themel të punës: emigrantët. Ajo u shpreh se situatën ekonomike, liritë njerëzore dhe zhvillimin e biznesit do ta ketë si adresimin thelbësor të fushatës. Ajo foli për aktivizimin e shqiptarëve në Ohio, forcimin dhe rolin gjithnjë në rritje të shqiptarëve në Amerikë, dashurinë e madhe të amerikanëve për të pranuar shqiptarët e integruar shqiptarët dhe punën për ngritjen e flamurit shqiptar në Columbus, Ohio dhe krenarinë e lumturinë e shqiptarëve teksa shohin valëvitjen e flamurit kombëtar në Ohio.

Takimi ishte shumë i përzemërt me ide konkrete për fuqizimin e faktorit shqiptar në Ohio dhe pjesëmarrjen gjithnjë e në rritje të shqiptarëve në politikën dhe institucionet e shtetit amerikan.

Vatrani Toni Musaj për gjithë të pranishmit shtroi një darkë nderimi, respekti e falenderimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

INSTITUCIONET E PAVARURA SI GARANCI E SHKATËRRIMIT KRIJUES

April 25, 2024 by s p

Artan Nati/

Përse disa vende janë të pasura ndërsa të tjerat janë të varfra?

Gjatë shekujve, përgjigjet e propozuara kanë ndryshuar shumë. Adam Smith, ekonomisti i famshëm skocez deklaroi se ndryshimi midis vendeve të pasura dhe të varfëra rezultoi nga liria relative e tregjeve; Thomas Malthus tha se varfëria vjen nga mbipopullimi dhe Jeffrey Sachs, një nga ekonomistët më të famshëm në botë, pohon se faji është pjesërisht për tokën e varfër, mungesën e lumenjve të lundrueshëm dhe sëmundjet tropikale. Të tjerë konstatojnë kulturën, gjeografinë, klimën, kolonizimin dhe fuqinë ushtarake. Lista vazhdon. Ekonomisti i shquar i M.I.T Daron Acemoglu dhe shkencëtari politik i Harvardit, James A. Robinson, në librin e tyre “Përse dështojnë kombet” argumentojnë se diferencuesi kryesor midis vendeve janë “institucionet”. Kombet lulëzojnë kur zhvillojnë institucione politike dhe ekonomike “gjithëpërfshirëse” dhe dështojnë kur ato institucione bëhen të manipulueshme  dhe përqëndrojnë fuqinë dhe mundësitë në duart e vetëm disave.

Institucionet ekonomike gjithëpërfshirëse, nga ana tjetër, mbështeten dhe mbështesin institucionet politike gjithëpërfshirëse, të cilat shpërndajnë fuqinë politike gjerësisht në një mënyrë pluraliste dhe janë në gjendje të arrijnë njëfarë centralizimi politik në mënyrë që të vendosin ligjin dhe rendin, themelet e të drejtës e të sigurisë të pronësisë dhe një ekonomi tregu gjithëpërfshirëse. Anasjelltas, institucionet politike të manipuluara, që përqendrojnë pushtetin në duart e disave, përforcojnë institucionet ekonomike të manipuluara për të mbajtur pushtetin. Këtë nocion bazë të demokracisë liberale të cilin liderët tanë premtuan, shkruanin dhe predikonin në fillimet e viteve 90, jo vetëm që nuk e zbatuan, por e shkatërruan përfundimisht me marrëveshjen e 2008-ës duke i dhënë përfundimisht grushtin vdekjeprurës demokracisë shqiptare. Me këtë akt ata ngjallën fantazmën e diktatorit Hoxha të pranishme si në qeveri ashtu se edhe te liderët e partive të mëdha, të cilët sa herë ua kërkonte interesi merrnin vendime për vrasjen e institucioneve ose duke i kthyer ato në masha të interesave të tyre meskine. Këta vrastar të demokracisë dhe mbi të gjjitha të institucioneve duke i vënë ato në shërbim të interesave personale dhe partiake, provuan tezën e Acemoglu, se institucionet e pavarura janë guri themelor i funksionimit të demokracisë. Gjithashtu korrupsioni masiv i zbuluar kohët e fundit tregon se praktikisht shteti në nivel lokal dhe rajonal është i falimentuar dhe se shteti nuk drejtohet nga institucionet, por nga një bandë hajdutësh. Acemogëlu shpjegoi në një intervistë se pika e tyre thelbësore është se vendet lulëzojnë kur ndërtojnë institucione politike dhe ekonomike që “shpalosin”, fuqizojnë dhe mbrojnë potencialin e plotë të çdo qytetari për të inovuar, investuar dhe zhvilluar.

Mësimi i historisë, argumentojnë autorët, është se ju nuk mund t’i bëni mirë ekonominë tuaj nëse nuk e bëni politikën tuaj siç duhet, kjo është arsyeja pse ata hedhin poshtë nocionin se Kina ka gjetur formulën magjike për të kombinuar kontrollin politik. dhe rritjes ekonomike, apo vendet si Shqipëria dhe shumica e vendeve të rajonit tonë mund të kenë një zhvillim ekonomik afatgjatë. . Në vitet e para pas vitit 1990 në Shqipëri lulëzuan shumë biznese nga qytetarët, por mungesa e institucioneve bëri që këto biznese shumë shpejt të falimentonin sepse këto biznese u shkatërruan nga paratë e pista të drogës dhe korrupsionit dhe bashkë me bizneset u shkatërrua edhe demokracia.  “Në se Kina nuk bën kalimin në një ekonomi të bazuar në shkatërrimin krijues, rritja e saj nuk do të zgjasë”, argumenton Acemoglu. Shqipëria ndodhet pikërisht në këtë moment politik dhe ekonomik, duket sikur ka goditur një mur dhe nuk mund të eci përpara. A mund ta imagjinoni një 20-vjeçar të braktisë universitetin në Shqipëri e të lejohet të hapë një kompani që sfidon një sektor të tërë të kompanive oligarkike  shqiptare të financuara nga shteti apo të drejtuara direkt nga shteti siç ishte rasti i kompanive private të drejtuara direkt nga drejtorët e bashkisë së Tiranës. A mund të dali një grupim politik me ide të reja përparimtare dhe të sfidojë sistemin politik autokratik si në nivel partish politike apo edhe në nivel qeveritar? Ideja e shkatërrimit krijues, e cila ndodh kur një risi e dobishme zëvendëson dhe kështu shkatërron teknologjitë dhe strukturat ekonomike më të vjetra.

Rritja e qëndrueshme ekonomike kërkon risi, “shkruajnë autorët, “dhe inovacioni nuk mund të shkëputet nga shkatërrimi krijues, i cili zëvendëson të vjetrën me të renë në sferën ekonomike dhe gjithashtu destabilizon marrëdhëniet e vendosura të pushtetit në politikë.” Ky proces i Shkatërrimit Kreativ është fakti thelbësor për kapitalizmin.

Dhe pikërisht prandaj na duhen institucionet e pavarura që të garantojnë funksionimin e ligjit sepse qëllimi  i ligjit nuk është të shfuqizojë ose të frenojë, por të ruajë dhe zgjerojë lirinë. Atje ku nuk ka ligj nuk ka liri dhe prandaj Shqipëria praktikisht nuk ka liri, nuk ka kapitalizëm dhe nuk ka pluralizëm funksional. Funksionimi i hallkës kryesore të demokracsë sapo ka filluar të funksionojë dhe ka ngjallur panik te krerët e qeverisë dhe partive politike, por edhe shpresë te të rinjtë me ide të reja në politikë dhe ekonomi. Mbështetja amerikane dhe europiane për drejtësinë e re është një garanci për të ardhmen.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1011
  • 1012
  • 1013
  • 1014
  • 1015
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT