• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASAKRA E TIVARIT…

April 2, 2024 by s p

NDUE BACAJ/

Për njerëzit normalë nuk asnjë pikë dyshimi se historia e komunizmit në Shqipëri është më e zeza e të gjitha historive që njohin regjimet e këtij lloji që i përkisnin shekullit 20-të, Në kujtesën e njerzëve rreth gjysëm shekulli komunizëm njihet jo vetëm si regjimi diktatorial i Partisë (Komuniste) të Punës, por edhe e udhëheqësit absolut Enver Hoxhes, krimet e të cilit edhe sot ku kujtohen nga shumica e shqiptarëve, bëjnë të dridhen siç thuhet edhe fëmijën në bark të nënës. Një ndër krimet më monstruoze, ose supermedalja e medaljeve të zeza antishqiptare që ende valëvitet si krim pa ndëshkim në “gjoksin” e ligështuar, por jo shkatërruar të komunizmit shqiptar është pa asnjë mëdyshje, ajo që në kujtesën e njerëzve njihet si Masakra e Tivarit. Kjo masakër mbi popullsinë autoktonte shqiptare të Kosovës e ekzekutuar në vitin 1945 (31mars-02 prill) nga ushtria Serbo-Malazeze, është bekuar dhe ndihmuar nga komunistët shqiptarë, të cilët bënë si kurban të parë për dashninë që i kishte marruar e qorruar për Jugosllavinë e Titon, vëllezërit e tyre kosovarë, shpirti i të cilëve ende edhe sot nuk gjenë prehje as në botën qiellore, madje oshtimat e këtyre rreth 4-5 mijë shpirtrave edhe sot kërkojnë “Shpagim”, si ndaj kriminelëve sllavë dhe atyre që mjerisht njihen si shqiptarë. Kriminelët Serbo-Malazezë duhej të denoheshin edhe nga gjykata ndërkombëtare (edhe pse tashma pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më), ashtu si dhe kriminelët nazi-fashist që ende ndiqen e denohen për krimet e tyre, shpesh herë shumë më të vogla e pa përgjegjësi direkte, sesa autorët e masakrës të Tivarit, që janë konkret e të pa fshehur….

M A S A K R A !

Partia Komuniste Shqiptare nuk ishte asgjë tjetër përveçse produkt serbo-sllav, ajo programin e saj “nacional” e shoqëror e kishte thjesht një derivat të partisë mëmë Komuniste të Titos, madje në hapat e saj të parë pas vitit 1944, komunistët shqiptarë ende nuk kishin “mësuar” të ecnin vetë, ata vazhdonin të ecateshin nga Partia Komuniste Jugosllave, si fëmija që ecatej nga nëna e vet. E pikërisht në këto momente “dhelpra” e kuqe Serbo-Malazeze filloi të realizojë doktrinën famëkeqe të akademikut serb Vasa Çubrilloviçit (të 07 marsit1937 dhe të plotësuar në atë të 03 nentorit 1944), në të cilën në pikën e III-të shkruhet: “Për këtë spastrim të shqiptarëve (krysisht të Kosoves) duhet organizuar ushtria nacional-çlirimtare e Jugosllavisë, e cila pa mëshirë duhet ta pastrojë territorin, sidomos duke shfrytëzuar tezat se shqiptarët janë kundër luftës Nac-Çl. në Jugosllavi dhe kanë bashkëpunuar me okupatorët fashistë” (Vasa Çubrilloviç – Manjinski problem u novoj Jugoslaviji, më 03. II. 1944, fq.. 1-21). Në frymën e kësaj “filozofie”, më 21 nëntor 1944 kryesia e AVNOJ-it amnistoi thuajse të gjithë kundërshtarët e saj Çetnik, ku përnjëherë ata u shndërruan në Partizanë. Në zbatim të platformës pushtuese e kriminale të Jugosllavisë (më saktë Serbisë) ndaj Kosovës, Shtabi suprem i Jugosllavisë me datën 8 shkurt 1945 me firmën e vetë Titos (sipas kerkeses se Miladin Popoviçit që ishte sekretari krahinor i PKJ per Kosoven..) shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe administrimin Ushtarak të Kosovës. Në fakt njëkohësisht edhe në Shqipërinë Veriore (Janar 1945) me urdhër të Enver Hoxhës, korporata dhe divizione të ushtrisë Nac-Çl. kishin bërë shtetrrethimin, gjithashtu sipas dokumentave që gjenden edhe sot në arkivin e shtetit shqiptar, me urdhër të Titos, E. Hoxha dërgoi për të luftuar përtej kufijve të Shqipërisë (londineze) Divizionet e V dhe VI, ku bënin pjesë Brigada e III, V dhe XXV Sulmuese të cilat kaluan në drejtim të Mitrovicës e të Sanxhakut, si dhe Brigadat e VI, VII, VIII dhe XXII Sulmuese në drejtim të Podgoricës e të Danilovgradit, duke bërë kështu edhe kapërcimin e kufijve Etnik të Shqipërisë. Në krye të këtyre forcave “shkëlqenin” dje dhe sot shumë komunistë shqiptarë protagonistë të mëvonshëm, por dy e kanë ruajtur plotësisht “shkëlqimin” (edhe pse sot kanë vdekur) e ata janë Ramiz Alia dhe Shefqet Peçi. Ky eksponent i lart i komunizmit shqiptar në tubimin e fushes Tuzit (7 shkurtit 1945), perveç të tjerave do të deklaronte:” Vëllezer malazez u mblodhem ketu per tu thenë…shqiptareve që banojnë në Mal të Zi,se ata janë bërë çerdhe reaksionaresh të ikur nga Shqiperia..” (Gazeta “Pobjeda “ mars 1945 dhe gazeta e shkodres “Koha e Re”, mars 1945). (Siç shihet me keto që u ka thënë Sh. Peçi,shqiptarëve në trojet e veta të mbetura nën Malin e Zi kerkon tu “mohoi” edhe autoktoninë)… Për të vërtetuar më mirë misionin kriminal të këtyre forcave me emrin paradoksal (me veprimet që kryenin në fakt) “ushtria nacional-çlirimtare” po citoj një urdhër të E. Hoxhës që jua dërgonte komandave të Ushtrisë nacional-çlirimtare i cili gjëndet në Arkivin Qendror të Ushtrisë; dosja 45 e vitit 1944, ku ndër të tjera shkruhet: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë (ku me këtë nënkuptohej Kosova dhe vise të tjera të mbetura jasht kufirit politik të 1913-së N.B.), pa treguar as më të voglën tolerancë…”. Nga ky dokument e të tjera del e qartë qëllimi i Ushtrisë që Enver Hoxha dërgoi në viset Jugosllave në ndihmë të “vëllezërve” sllavë, pra për të vrarë, prerë e shkatërruar gjithë nacionalizmin shqiptar që mbante gjallë shqiptarët e trevave Etnike, që ishin gllabëruar padrejtësishtë nga Sllavët e jugut… Por gjithsesi edhe pas këtyre vendimeve e kordinimeve në mes Titos e Hoxhës ishte e vështirë që të kolonizonin përsëri këto treva safi shqiptare, e veçanërisht Kosovës martire, ku padyshim ishte djepi i rezistencës antisllave ndër dekada. Për të arritur qëllimin ogurzi të pushtimit serb të Kosovës në planet sekrete të Jugosllavisë së Titos u përpunua në janar të vitit 1945, programi i zbrazjes së Kosovës nga pjesa më aktive e popullsisë, të cilët gjoja nën një program për nevojat e Ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë nga Kosova do të rekrutoheshin 50 mijë burra me moshë kryesisht të re e aktive gjoja për të luftuar, ku ky veprim do të kryhej me shpejtësi, pasi sipas tyre e kërkonte koha, dhe për këtë kishte dijeni udhëheqja komuniste Kosovare dhe e Shqipërisë. Por “aresyen” e ketij mobilizimi të dhunshem e kriminal e tregon Bllagoje Neshkoviç (Sekretar krahinor serb) në një analizë që i bënë gjendjes në Kosovë duke theksuar: “…Në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerzë në çdo rast mund të çohen në kryengritje. Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptaret në numrin më të madh janë kunder levizjes Nacionalçlirimtare.” (D. Erakoviç, Kosova tokë e premtuar, gaz. Rilindja dt.26 korrik 1989). Në vijim të këtij “programi” në mars të vitit 1945 pushteti i dhunshëm Serb-komunist pasi grumbulloi mijëra të rinj kosovarë si rekrutë (ushtarë) bëri një organizim gjoja ushtarak për t’i dërguar në frontin luftarak të Triestes (kunder fashizmit), por për të arritur atje do të ndiqej itinerari i lëvizjes Prizren-Kukës-Pukë-Vau i Dejës-Shkodër- Ulqin-Tivar… Kjo armatë në fakt nuk i përngjante një ushtrie të vërtetë, pasi në mesin e saj ishin grumbulluar edhe fëmijë 14 e 15 vjeçarë, që ishin thuajse zhveshur e zbathur. Për lëvizjen e këtyre trupave u ngarkua të kujdesej OZNA (UDB-ja e mëvonshme) si dhe Ministria e Brendshme Shqiptare që në atë kohë ministër kishte Haxhi Lleshin. Por në këtë kohë forcat ushtarake nacionaliste të Kosovës që komandoheshin nga Shaban Polluzha e tjer nacionalist u urdhëruan nga shtabi i Titos të largohen nga Kosova në drejtim të Sremit, ku padyshim ishte përgatitur një Tivar i dytë. Por komandanti legjendar nacionalist Shaban Polluzha nuk pranoi duke u shprehur: “Ne nuk nisemi andej nga na thotë dikushi”.. E kështu u detyrua të luftojë bashkë me shokët e tij kundër forcave pushtuese Serbe e të E. Hoxhës, derisa u vra më 21 shkurt 1945 në betejën masakër të Drenicës. Për megjithë ketë plani serbo-jugosllav per rekrutimin e shqiptareve të Kosoves nuk u ndal, ndaj u mobilizuan me dhunë një numër i madh shqiptarësh që sipas disa dokumenteve shkonte rreth 17 mijë vetë, të cilët u ndanë në dy grupime, njëri nga rrafshi i Dukagjinit, i përqëndruar në Prizren dhe tjetri nga rrafshi i Kosovës i përqëndruar në Suharekë. Kontrollin e marshimit të këtyre forcave shqiptare do ta bënin forcat ushtarake Serbo-Malazeze, ku spikaste armatimi modern i Jugosllavëve, dhe mos armatosja e shqiptarëve që gjoja do të bëhej në Tivar. Organizimi i marshimit u nda në tri kolona dhe filluan nga Prizreni; Kolona e parë do të nisej me 24 mars 1945, kolona e dytë me 25 mars (1945) dhe kolona e tretë me 26 mars (1945). Pra siç shihet këta shqiptar të Kosoves të rekrutuar me mashtrime e me dhunë i kishin ndarë në tre pjesë dhe do të leviznin në tre data të ndryshme me qellim asgjesimin më të lehtë të tyre.. Asgjësimi i “ushtarëve” shqiptarë vazhdoi gjatë tërë rrugës, ku pas çdo kthese, lugine të thellë, ngjitje malore, kroni uji apo të ndonjë skute u muar jeta e këtyre vëllezërve kosovarë nga dora kriminale Serbo-Malazeze-komuniste. Vlenë të theksohet se pritja më kriminele u është berë rekruteve shqiptar të Kosoves në Shkodër ku u gjendën para befasive kriminale që kishte organizuar shteti komunist, duke mbledhur grupe proletarësh (nënkupto horrash), që duke kaluar kosovarët u thirrnin ballist, tradhtarë e deri i gjuanin me sende që shteti ju a kishte rekomanduar, duke dëshmuar kështu se në Shqipërinë “mëmë” që e quanin kosovarët tashmë sundonin po dreqnit sllav, ndonëse vetëm emrat i dëshmonin për shqiptarë. Por pikërisht kriminelët shqiptarë e shkodranë që ndihmuan forcat Serbe në këtë marshim tragjik, me anë të komandës tyre të përgjithshme ushtarake në Shkodër do të njoftonin komandën e përgjithshme në Tiranë “… se grupimi i dytë me rreth 3000 vetë sapo arriti në breg të detit pranë Tivarit u rrethuan nga Forcat Jugosllave. Prej këtij grupi u larguan elementët sllavë, ndërsa mbi shqiptarët u hap zjarr”. E kështu në fakt është vepruar me shqiptarët e tri kolonave të cilët pasi kishin arritur nga data 31 mars deri me dt.02 prill (1945). Duke bërë që vetëm në Tivar të humbin jetën mbi 3000 shqiptarë të pafajshëm, të cilët ishin detyruar ti “përgjigjën” thirrjes së ushtrisë Jugosllave për t’u mobilizuar, për të luftuar gjoja kundër bishës fashiste që ende ishte gjallë, madje përgjigja e shqiptarëve për t’u mobilizuar ishte diçka më e lehtë pasi në këtë mobilizim kishin dorë vëllezërit e Shqipërisë “Londineze”, që komunizmi i kishte vëllazëruar me armiqt e hershëm sllavë. Por përpara se të mberrihej në Tivar kishin humbur jetën gjatë rruges të pakten 1500 shqiptar të Kosoves. Vetë shteti komunist shqiptar e pranon se në teritorin shqiptar janë vrarë të pakten njemijë Kosovar. Bedri Spahiu si prokuror i pergjithshem ushtarak në gjyqin kundër Koçi Xoxes (që donin tja faturonin këtë krim) deklaronte:” Xhelatet e Rankoviçit që janë shquar për krimet alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosoves, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpermjet rrugës prej kufirit tonë në Kukes e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e pergjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin..”. (Pretenca e Bedri Spahiut në gjyqin e lartë kunder grupit trockist. Tiranë 1949). Deshmi rrenqethse të kesaj masakre janë transmetuar deri sot nga dëshmitarë të pakët që kishin mbijetuar, ku një ndër keta ka qënë Azem Hajdini –Xani, i cili veç të tjerave këto deshmi i ka hellur në librin e tij,MASAKLRA E TIVARIT, botuar në vitin 1998 në Prishtinë. Nga këto dëshmi edhe sot “mesojmë” për këtë masakër që ende të duket se degjon të freskëta ushtimat e tmerrshme të të gjitha llojeve të armëve që godisnin nga të katër anët vëllezërit tanë shqiptarë të Kosovës, (në Tivarin e vjeter), por njëkohësisht edhe ushtimin e shpirtrave të pafajshëm që nuk gjendin vend më në trupat e bërë shoshë e të coptuar nga kriminelët e Titos që Enveri tashmë i kishte bërë xhan e shpirt. Ja disa nga keto “dëshmi”: Në qendër të Tivarit oficerët serb vranë për terror Syl Gllobarin vetëm se u përpoq që të bisedonte me ta për të pirë ujë. 80 shqiptarë pasi njëherë i lidhin e pastaj i zgjidhin i pushkatojnë përnjëherësh, në sy të tjerëve, të cilët i urdhëruan për t’i futur në një shesh të rrethuar me tela me gjemba për ti asgjësuar të gjithë si më sipër. Në hyrje të këtij “kampi” me tela me gjemba i prisnin ushtarët kriminelë serb që kënaqeshin me sadizmin e tyre duke i goditur shqiptarët me shufra hekuri në kokë, duke shkaktuar kështu pellgje gjaku. Milazim Haxhiu nga Ternavci u vra kur tentoi ti merret pistoletën një ushtari Malazez, ndërsa të riun shqiptar Ibrahim Koca i cili u bëri thirrje shokëve për qëndresë, e shpuan me bajonet dhe i prenë hundën, veshët dhe e bënë copa-copa. Ndërsa i shpëtuari nga kjo masakër (Azem Hajdini) do të dëshmonte: “Se gjatë daljes nga ngrehina pas pushimit të zjarrit munda të njoh të vrarë, Asllan Mustafën nga Ternavci, Bislim Pajazitin nga Krasmirovci, Bejt Bislimin nga Kryshevci, Sinan Avdiun e Hysen Zeqon nga Kopiliqi, si dhe dy të tjerë nga Prekazi. Me këtë rast po cilesojmë edhe një mënyrë tjeter kriminale të ekzekutimit kolektiv të shqiptareve të Kosoves në Tivar.. Një natë prilli, erdhi urdhri per të vijuar rrugen gjoja per të shkuar në front, për këtë duhej të kalonin kanalin e Çioves…rreth 100 metra të gjërë. Ura ishte bombarduar dhe për këtë futen me dhunë në një target rreth 150-180 kosovarë, të ngarkuar në shpinë me armë e paisje ushtarake. U pa qartë se u kalua pesha e lejuar dy-tre fish më shumë. Pasi trageti kaloi 20-30 metra nga bregu i kanalit u degjua një krisem e fuqishme, me ç’rast trageti u nda në dysh dhe u shkatërrua plotësisht, duke lëshuar në ujë të gjithë të ngarkuarit shqiptar…U mbush kanali me plisa të bardhë që notonin mbi ujë…Humben jeten menjeherë rreth 65 shqiptar, ndër të cilet u nxorren dhe identifikuan 29 veta që u varrosen në Trogir: Ajet M.Murseli (1917, Doganaj), Arif Sh. Provoliu (1918,Soponicë), Riza I. Kasa (1913, Rekë),Azem H. Berisha 1920,Runjevë), Kadri L. Lulolli (1922, Biçec), Ukshin H. Palloshi (1923, Biçec), Xhavit Sh. Korraqi (1920 Kovaçec), Hamit L. Bela (1925, Xhurxhedell), Xhavit I. Reka (1926 Kerbliq), Qamil I. Sopa (1923,Nikoc), Habib Xh. Bruti (1917 Drenogllavë), Hasip M. Luma (1918, Glloboshicë), Avdi I. Buqi (Drenogllavë), Sabri A. Bushi (1929, Pustenik), Bajram Sh. Bushi (1930, Pustenik), Feti S. Berisha (1924, Goranzë), Hazir B. Berisha (1919, Gornazë), Kasem H. Berisha (1920, Goranzë), Xhemal V. Kaloshi (1924, Goranzë),Hamit Xh. Topojani (1924, Neçec), Nazmi A. Huneli (1928, Neshancë). Ipë A. Qajani (1927,Krivenik), Jashar H. Dernjani (1919, Plodonicë), Ahmet A. Dernjani (1919,Plodonicë), Haziz V. Çupi (1921, Plodonicë), Beqir I. Çupi (1921, Plodonicë) dhe Nuredin M. Derguti (1923, Varosh, Ferizaj)..(Azem Hajdini-Xani,Masakra e Tivarit, Prishtinë 1998, Uran Butka,“Masakra e Tivarit dhe pergjegjësia e shtetit shqiptar”, fq.134-135, Tiranë 2011). (VOO: në mes kllapave është e shënuar vitlindja dhe vendlindja, N.B.). Masakren me ekzekutim me armë të shqiptareve në Tivar jugosllavet ja kishin ngarkuar Brigades X që udhehiqej nga ekzekutoret kriminel Gosha Markoviç dhe Vladimir Roloviç. Në një raport të shtabit të kesaj ushtrie kriminale shkruhet se: “..U hap zjarr nga pushkët dhe armët automatike. U hollën bomba nga të gjitha anët, dhe në ato të shtëna u perfshinë edhe keshilltaret, infermieret, me një fjalë shtiu (mbi shqiptarët) çdokush që pati armë. Të shtënat pushuan atëherë kur nga grumbulli nuk u ngrit më asnjë njeri dhe kur nuk levizi njeri…” (Pjesë nga raporti i shtabit të kolones IV të AJ, dt.8.4.1945). Nga kjo masaker që u mori jetën mijëra shqiptarëve të pafajshëm nuk po mundem pa cilësuar edhe rrefimin e të mbijetuarit Sadri Bytyçi, që në ketë masaker nga familja e tij mbeten të vdekur katër burra; Avdi Bytyçi, Abdulla Bytyçi, Nuhi Bytyçi dhe Syl Bytyçi. (Azem Hajdini-Xani,Masakra e Tivarit, Prishtinë 1998). Ndërsa në librin “Genocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare” në faqen 456 gjenden edhe emrat e këtyre viktimave të fundmarsit 1945: Xhemal Shaqir Hoxha, Xheladin Limon Shala, Xheladin Nuredin Morina, Zeqir Zenel Thaçi, Ramadan Thaçi, Murat Mazreku e tjerë. Në librin; Në flakën e revolucionit” Prishtinë 1981, shenohen emrat e të masakruarve e pushkatuarve, Hajdin Shukolli nga Suhareka, Ibrahim Baku nga Bllaca, Isuf Kryezive nga Gjakova, Jahir Sula, Jahja Mamusha, Met Pirkunga nga Bllaca e tjer e tjer.. Dëshmitë e emrat janë të pambarimtë pasi masakrat serbe nuk rreshtën thuajse kurrë… Ku të gjithë këta djem nënash shqiptare që ishin rekrutuar ishin nga viset me shqiptarë të Kosovës e Shqiptarisë, ata ishin nga Mitrovica e Podujeva, Vuçiterna, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Suhareka, Istogu, Peja, Rugova, Gjakova, Rahoveci, Bragashi, Prizreni, Tetova e tjerë… Në Beograd edhe sot gjindet (i pacensuruar) dokumenti i koduar (K.D.SH., krimet-93/19-64, k-25), ku ndër të tjera thuhet se gjatë “Çlirimit” të Kosovës nga fashistet, nacionalistet, tradhtaret e bashkepuntoret e fashizmit u likuiduan: në Gjilan 7854 veta, në Drenicë 4820 vetë, në Tetovë 4100 vetë, në Bihor 3820 vetë, në Prishtinë 3675 vetë, në Pejë 3540 vetë, në Mitrovicë e rrethina 1970 vetë, në Podujevë 1670 vetë, në Pazar 1410 vetë, në Shkup e rrethina 1450 vetë, në Ferizaj rreth 1260 vetë, në Prizren 1250 vetë, në Tetovë 900 vetë, në Gjakovë 730 vetë, në Gostivar 600 vetë, në Plavë-Guci 710 vetë, në Rahovec 750 vetë, në Roxhaje 715 vetë, në Kumanovë 780 vetë, në Preshevë 690 vetë, në Dragash 500 vetë, në Kërçovë 490 vetë, në Ulqin 515 vetë, në Suharekë 420 vetë, në Dubrovnik 120 vetë, në rrugën Kukës-Shkodër 110 vetë, në Togir 80 vetë, në Vershac 30 vetë në Deçan 30 vetë, në Tivar 2629 vetë (pra me gojën e tyre kriminelët komunistë sllavë e pranojnë që u kanë marrë jetën 2629 shqiptarëve të pafajshëm vetem në Tivar, kur shifra mund të jetë vetëm e zvogëluar, (N.B), e tjerë… Pra po të mbledhësh këtë shifër krimesh del se vetë pushteti jugosllav ka vrarë mbi 47 mijë shqiptarë të cilët kishin të vetmin “faj” se kishin lindur e banuar në trojet e tyre etnike gjysh pas gjyshi dhe mijëra vjet përpara se të zbrisnin si turmë arinjësh serbo-sllavët nga Uralet e akullta, dhe se nuk deshironin të jetonin të pushtuar nga Serbët. Një ndër projektuesit e zbatuesit kryesor të masakrave antishqiptare Aleksander Rankoviç (pasi bie prej fikut) pohon një pjesë të vogël të këtij krimi, kur thotë: “Gjatë rrugës Prizren-Ulqin janë vrarë pa faj 400 vetë, si rast i gabimeve të organeve më të Ulta”. Natyrisht ky nuk ishte një rast që gabohej nga mvarës të Rankoviçit, por ishte vetë strategjia e shtetit komunist jugosllav. E pas masakrës së Tivarit, që është edhe ajsbergu i krimeve të shtetit të ish-komunistëve të sllavëve të jugut, qëndronte “Bekimi” kriminal i klikës komuniste shqiptare, e cila pas kësaj në vend që të ngrinte zërin në të gjitha institucionet europiane e botërore, ajo jo vetëm heshti, por fill pas kësaj dekoron shumë nga këta kriminelë. Dekorimi i kriminelëve Serbo-Malazez është bërë me Vendimin nr. 17 të datës 5. 9. 1945 dhe është një listë prej 55 personash, ku përveç dekorimit të Dushan Mugoshës që mban nr. 9 në listë, është edhe Miladin Popoviçi me nr. 8 (pas vdekjes), pasi ja kishte kthyer patkonjtë prej diellit patrioti trim nga Gjakova Haki Tafa, që me 13 mars 1945) e vazhdon deri tek krimineli, organizatori e zbatuesi i vrasjes të rreth 50 mijë shqiptarëve, Ministri fa)mëkeq i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Aleksandër Rankoviç. Në listen që dekorohet antishqiptari i tërbuar Rankoviç e ka numrin rendor 11 dhe thuhet se dekorohet me urdhrin “Ylli Partizan” i Klasit Parë. Ky vendim kriminal i komunistëve shqiptar në fund mbyllet me “siglën” “Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nac-Çl. Sekretari Koço Tashko, d.v. dhe Kryetari Dr. Omer Nishani d.v.. Ku dekorimi është berë me propozimin e Enver Hoxhes.. Ky dekorim i kriminelëve serbo-malazez në fakt vinte pas dekorimeve që u kishte bërë vetë Titoja udhëheqësve komunist shqiptarë fillë pas Masakrës së Tivarit në fund-marsin dhe fillim- prillin e vitit 1945. Natyrisht këtë Titoja e kishte bërë për kontributin që kishin dhënë në shfarosjen e nacionalizmës shqiptare kudo në trojet etnike shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. E motivacioni ishte “Për kontribut të shquar në Luftën Antifashiste dhe në luftën kundër tradhëtarëve e bashkëpunëtorëve me pushtuesin fashist”. Nga vlersimet e Jugosllavisë të Titos u dekoruan Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Sejfulla Melishova, Baba Faja Martaneshi, Ymer Dishnica, Nako Spiro, Tuk Jakova, e tjerë. Kur litarin që e kishte lidhur bandën e kuqe të E. Hoxhës pas qerres së Titos e Jugosllavisë e këputi “baba” Stalini, së bashku me këtë lak u këputën shumë nga emrat që shënuam më sipër ish miq e bashkëpunëtorë të Enver Hoxhës, i cili si maja lakut i mbeti në dorë Stalinit të cilit i shërbeu edhe pas vdekjes… Gjithsesi kur Titon e Jugosllavinë i bëri lanet Stalini, në Shqipëri Enveri këtij “shenjtori” që i falej i bëri shumë kurbane, ku për të justifikuar jo vetëm kurbanet por edhe tradhëtinë e krimin ndaj bashkëkombasve të vet, masakrën e Tivarit e tjera u mundua t’ja faturojë ish bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Koçi Xoxes. Ja se çfarë thuhet në një dokument të Arkivit Qendror të Shtetit… “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht nga organet e UDB-së si gjatë luftës ashtu edhe pas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë edhe agjenti i qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhëtari Koçi Xoxe, i cili në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë në fillim të vitit 1945 autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatojnë ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Këtu vlenë të sqarohet se po t’u referohemi fakteve e dokumentave të fundit të vitit 1944, vitit 1945 e deri në muajin maj 1946 Ministër i Punve të Brendshme ka qenë Haxhi Lleshi, i cili njëkohësisht ka dhënë edhe autorizimin përkatës, e cilesuam këtë për hirë të vërtetës, por Koçi Xoxe nuk ka qënë aspak më pak kriminel se Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi apo vetë shefi i tyre Enver Hoxha e tjerë nga ky “vathë”. Ndërsa komunisti kosovar Fadil Hoxha që ishte N/Komandanti i shtabit të Kosmetit akuzohet se ishte njëri nga aprovuesit e masakres së Tivarit, ku Fadili e shtoj zollumin duke kërkuar që të vriten përseri kosovarë të tjerë jashtë “planifikimit” për ti marrur hakun Miladin Popoviçt të vrarë… (Proklamata e Shtabit të LLTSH, tetor 1945, Uran Butka,“Masakra e Tivarit dhe pergjegjësia e shtetit shqiptar”, fq.188-189, Tiranë 2011). Cilsuam Fadil Hoxhen, por një rol të till Kriminal kanë edhe komunistë e ushtarakë të tjerë Kosovar të njohur që militonin në vathen serbo- jugosllave.. Të duket disi e çuditshme se pas disa viteve edhe “revizionisto”-komunisti Tito dënon me të njëjtën procedurë ish-Minstrin e tij të Brendshëm Rankoviç duke i ngarkuar faje të paqëna, e deri duke ja faturuar atij edhe krimin e pashembullt të Masakrës së Tivarit, por edhe vrasjen e zhdukjen e rreth 50 mijë shqiptarëve per rikolonizimin serb të Kosoves. Per hirë vertetes duhet thënë se në vitin 2010 (në mos gabofsha), qeveria shqiptare e asaj kohe ngriti një komision per të hetuar per Masakren e Tivarit. U grumbulluan shume dokumente e matriale shkresore nga arkivat e shtetit shqiptar, nga arkivat e ish Jugosllavisë etjerë. Por keto dokumente e matriale shkresore mbeten të tilla, përveçse historiani Uran Butka (ish antar i këtij komisioni) i përmblodhi në një libër të veçantë me titullin: “Masakra e Tivarit dhe pergjegjësia e shtetit shqiptar”, botuar me ndihmesen e Ministrisë së Turizmit, Kultures, Rinisë dhe Sportit në vitin 2011…

Ah sikur të kishte përfunduar me kaq “dashnia” sllavo-komuniste !!!. Por fatkeqësisht kjo “dashni” edhe sot trashigohet në mënyra të ndryshme nga trashigimtarët e komunizmit shqiptar me emër të ndryshuar, por në sherbim të sllavo-serbisë dhe në dëm të shqiptarisë…

Filed Under: Histori

PERËNDIMI DHE DREJTIMI I HUMBUR

April 2, 2024 by s p

Nga DANILO TAINO/

“Corriere della Sera”, 27 mars 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika

Nderi dhe lufta. Në OKB Shtetet e Bashkuara janë prishur me Izraelin: Joe Biden nuk mund të lejojë më të vdekurit në Gaza dhe ndjen trysninë e krahut të majtë të partisë demokratike, që urren Izraelin. Ka edhe zgjedhje për të fituar. Vetë Washingtoni nuk I dërgon Ukrainës 60 miliard dollarë, thelbësorë për mbrojtjen e Kievit: republikanët e shtyrë nga Donald Trump e pengojnë dhe presidenti nuk e shtrëngon gjëndjen. Ka për të menduar për zgjedhjet presidenciale të nëndorit. Bashkimi evropian nuk bën hapa përcaktues në dobi të ukrainasve të sulmuar nga Vladimir Putini e nuk do t’i bëjë deri mbas votimeve për Parlamentin evropian në qershor, nëse do t’I bëjë. Mbi tragjedinë e Izraelit në Gaza, BE prej kohësh ka vendosur t’i japë të drejtë opinioneve publikë më pohuese e të lërë të humbur mundësinë e zgjedhjeve të tjera përtej deklaratave. Edhe këtu është në lojë vota.

Demokracia është sistemi më pak i keq ndërmjet atyre të njohur e sot, ndërsa është nën sulm nga shumë anë, funksionon kështu: e mbyllur në vetvete dhe e hutuar, nguron e vendos përgjysmë. Nuk është domosdoshmërisht fati i saj.”Nuk është koha e lëkundjeve”, i tha kryeministreja britanike Margareth Thatcher presidentit George Bush (ati) kur Sadam Hyseni mësyu Kuwajtin më 1990. “Agresorët duhet të ndalohen e nxjerrë jashtë. Një agresor nuk mund të fitojë nga sulmi i tij”. Dhe demokracitë nuk u lëkundën.

Më parë shoqëritë e lira kishin bërë gjërat e nevojshme e të drejta të drejtuara nga Churchillër, nga Roosveltër, nga De Gaullër e nga të tjerë drejtues në lartësi të belegëve që kishin përballë. Jo gjithmonë me mbështetjen e parë nga opinionet publike të tyre.

Demokracia duhet të jetë e mbushur me bindje, me politika, me përgjegjësi, me vendosmëri morale. E me qartësi gjykimi. Me drejtim, mbi të gjitha në çastet më të errëta. Kjo është mungesë sot e Perëndimit.

Vladimir Putin nuk ka patur suksese të mëdha në dy vitet e shkuar. Por ka patur një me prurje të llahtarëshme. Mësyemja e Ukrainës, më 24 shkurt 2022, ka hapur dyert që mbanin të mbyllur shpirtërat më të këqinj e më të egër revizionistë të botës: që nga ai çast, diktatorë, regjime autoritare, terroristë kanë arritur në përfundim se kaosi i përgjithshëm i shkaktuar nga mësyemja ruse ishte mundësia e tyre për të ndryshuar rrjedhën e historisë, për të bërë të mbaruar rregullat ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, bezditë e demokracisë zemërlepuri, me idetë e lirive të individëve e të ekonomive. Për të shpallur fuqinë e tyre dhe vështrimin e tyre të botës.

Fuqitë që rishpropozojnë luftëra për pushtime territoriale, që duan të hedhin krahina të tëra në errësirën e Meskohës e të këllasin datën fqinjëve me kërcënime bërthamore janë elektrizuar. Nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet mësyemjes së Ukrainës e plojës jonjerëzore të Hamasit në 7 tetorin e shkuar. Por vendimi për të çuar deri në fund një veprim të këtij lloji mund të ndodhë vetëm kur ai që e kryen mendon se klima është e përshtatëshme: në rastin e veçantë ajo e krijuar nga pasiguria e forcave demokratike tashmë nën sulm në Evropë. Nuk ka nevojë që Putini të ngrejë telefonin që shefat e Hamasit të mësojnë se çasti është i dobishëm. E kjo vlen për të gjithë luftarakët e çastit, cilëtdo qofshin ndryshimet mes tyre. Për terroristët Houthi në detin e Kuq, në zemër të Afrikës, për xhihadin islamik dhe për brigadën Wagner me mëmë ruse. Për taxhikët e Isis-it në Moskë. Për ajatollahët iranianë, financues copash terrorizmi, që furnizojnë me armë Rusinë dhe i aviten bombës atomike. Përudhëheqësin koreanoverior Kim Jong-un, tjetër diktator që i dërgon armë Putinit e zbavitet me bërthamoret.

Ndërkaq Kremlini vazhdon plojën e tij në Ukrainë, shkakton vdekjen e Aleksej Navalnit, shtyp çdo opinion të pavarur, bën zgjedhje të shtirura, çon kërcënime bërthamore, shfrytëzon në mënyrë cinike sulmin terroristik në Crocus City Hall të Moskës në hullinë e diktaturave më të zeza të së shkuarës. Në 25 vite Putini e ka kthyer Vendin më të madh të botës në një qëndër që rrezaton luftëra, paqëndrueshmëri, çrregullim.

Putini, Hamasi, Ajatollahët, Houthi-t e të tjerë shohin në Perëndimin, në ndrojtjen e tij, në pathemelësinë e tij e në gabimet e tij shënjën e një rënieje të demokracive, të së drejtës, të lirive. Në fakt Shtetet e Bashkuara janë prej kohësh të qëndërsuar në vetvete, mbi dasitë e brëndëshme, mbi politikën e polarizuar, dhe evropianët janë prej dhjetëvjeçarësh, të përgjumur në idenë se gjithë bota do të donte të ndiqte shëmbëlltyrën e tyre, të tejkalimit të Shteteve kombëtarë, ndërsa rreth tyre ngjiteshin kombëtarizma të llahtarëshme. Perëndimi nuk e kuptoi se çfarë po përgatitej dhe ka humbur kontrollin e ngjarjeve (edhe dështimi i trysnive mbi Netaniahun për veprimet në Gaza, në fund të fundit është bir i kësaj mungese strategjie).

Në kohët afatgjata demokracitë janë më të fuqishme se diktaturat e terrorizmi. Por drejtimet politike nuk lindin nga asgjëja, nga shkëlqimi i një burri apo i një gruaje. Lindin nga ideja se një Vënd ka belegë e kërcënime për të përballuar. Këto të tanishmet na i ka sqaruar në marsin 2023, në derën e Kremlinit, numëri një kinez Xi Jinping, që kështu përshëndeti mikun Putin: “Pikërisht tani ka ndryshime të tipit që nuk janë parë në njëqind vite; ne jemi ata që tok drejtojmë këta ndryshime”. A ka të drejtë Xi? Janë ai, Putini dhe autokratët më të vegjël drejtuesit e erës së re?

“Corriere della Sera”, 27 mars 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

Aleksandri dhe Aristoteli

April 2, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Rreth vitit 343 pes, Mbreti Filipi II i Maqedonisë i kërkoi filozofit grek Aristotelit që të mësonte djalin e tij 13-vjeçar, Aleksandrin III, i cili më vonë u bë i njohur si Aleksandri i Madh. Filipi II punësoi Aristotelin me shpresën për ta shndërruar trashëgimtarin e tij të ri në një udhëheqës të mirëarsimuar dhe të kulturuar, nga frika se vetëm aftësia ushtarake nuk do të mjaftonte për të kërkuar respekt nga vartësit e tij. Ai i besoi Aristotelit pjesërisht sepse babai i filozofit, Nicomachus, dikur kisjte qenë mjek i oborrit për një mbret të mëparshëm maqedonas. Si pagesë për tutorin e djalit të tij, Filipi II premtoi të rindërtonte qytetin e lindjes së Aristotelit, Stagira, të cilin mbreti e kishte pushtuar dhe rrafshuar vite më parë.

Aristoteli dhe Aleksandri u nisën për të studiuar në Nymphaeum (faltorja e Nimfave) në fshatin e largët të Miezës, ku kaluan afërsisht tre vjet së bashku. Megjithëse dihet pak për mësimet e sakta të Aristotelit, besohet se ai e shkolloi sundimtarin e ardhshëm në shumë lëndë, si mjekësia, poezia, retorika, gjeometria dhe madje edhe botanika. (Në fakt, ushtria e ardhshme e Aleksandrit përfshinte disa botanistë, puna e të cilëve ishte të mblidhnin mostra dhe të studionin tokat e reja që pushtuan.)

Ptolemeu e klasifikon Miezën midis qyteteve të Emathias. Stephanus i Bizantit, nga ana tjetër, duke marrë informacionin e tij nga Theagenes, aludon se nganjëherë Mieza quhej Strymonium. Vendi ku dikur qëndronte Mieza është Lefkadia moderne, pranë qytetit modern Naousa, Imathia, Maqedonia Qendrore, dhe ka qenë subjekt i gërmimeve arkeologjike që nga viti 1954.

Vendi i shpellës në Mieza besohet të ketë qenë pjesë e shkollës maqedonase të Aristotelit

Mieza u emërua nga Mieza, që në mitologjinë e lashtë maqedonase, ishte vajza e Beres. Në kohët e lashta, Bereasit ishin banorë të qytetit të Bereas, i referuar edhe si Berea në Bibël. Sot, qyteti njihet si Veria në Greqinë veriore.

Mieza ishte shtëpia e shokut të Aleksandrit, Peucestas. Ndër studentët e arsimuar në Mieza përfshihen Ptolemeu, Kassander dhe Kleitus, që u bënë gjeneralë të Aleksandrit.

Në vitin 340 pes, Filipi II e thirri Aleksandrin në shtëpi dhe koha e djalit me Aristotelin mori fund. Aleksandri mori fronin maqedonas në vitin 336 pes, ndërsa Aristoteli u kthye në Athinë dhe themeloi një shkollë të re publike të njohur si Liceu.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Analiza

LA CROIX (1946) / “GJON SHLLAKU, MIKEL KOLIQI, MUSINE KOKALARI, THOMA PAPAPANO…” — PERSEKUTIMET FETARE DHE POLITIKE NË SHQIPËRI

April 1, 2024 by s p


Gjon Shllaku – Mikel Koliqi – Musine Kokalari – Thoma Papapano
Gjon Shllaku – Mikel Koliqi – Musine Kokalari – Thoma Papapano

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Mars 2024

“La Croix” ka botuar, të enjten e 27 qershorit 1946, në faqen n°5, një shkrim rreth persekutimeve fetare e politike asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Persekutimet fetare në Shqipëri

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një fushatë sistematike kundër Kishës Katolike filloi në Shqipëri në janar të këtij viti. Sinjali u dha nga një sërë artikujsh të botuar në gazetën zyrtare “Bashkimi” që del në Tiranë. Këta artikuj të futur në botimet e 3, 8, 15, 17 dhe 18 janarit janë firmosur nën emrat e katolikëve si Tuk Jakova, Gjovalin Luka, Tonin Miloti dhe gjithashtu nën emra komunistësh.

Sot nuk bëhet më fjalë për arrestimin e disa priftërinjve, por për shtypjen (zhdukjen) e klerit katolik. Gjatë muajit shkurt u burgosën Dom Mark Hasi, Gjon Shllaku, Pal Doda, Dom Mikel Koliqi, të gjithë priftërinj shqiptarë. Përveç kësaj, 32 fetarë italianë dhe 3 motra të bamirësisë që ndodheshin në shtëpi të ndryshme të përkushtuara për punë bamirësie, të cilat ishin themeluar në Shqipëri në vitin 1939, u dëbuan brutalisht : u lejuan të merrnin vetëm gjërat e nevojshme. At Anton Harapi, i cili respektohej sa për virtytin dhe talentin e tij letrar, u ekzekutua në Tiranë më 15 shkurt, në të njëjtën kohë me ish-kryetarin e Këshillit Maliq Bushati dhe ish-anëtarin e Këshillit të Regjencës Lef Nosi.

Numri i rusëve që mbërrijnë në Shqipëri po rritet çdo ditë e më shumë. Ata janë të instaluar në të gjitha administratat. Ata janë të plotfuqishëm dhe vetë ministrat e qeverisë së Enver Hoxhës janë të detyruar t’u binden.

I ashtuquajturi komplot katolik i Shkodrës dhe zbulimi i simuluar i një tjetër komploti që dyshohet se ka ndodhur në Tiranë, kanë qenë shkak për arrestime të shumta në Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë… Ndër arrestimet, le të citojmë emrat e Suat Asllanit, avokat; Zonjusha Musine Kokalari, shkrimtare; Spiro Disha, Qenan Dibra, të dy nëpunës; Thoma Papapano, profesor dhe anëtar aktual i Asamblesë Kushtetuese. Arrestimi i këtij të fundit është kryer në këto rrethana : i ulur në një tavolinë me një shok në tarracën e një kafeneje, Thoma Papapano dyshohet se i ka thënë të besuarit se shteti aktual nuk mund të zgjasë shumë në Shqipëri. Disa orë më vonë, ai u zhduk nga qarkullimi.

Filed Under: Analiza

LUFTA E KOSOVËS NË MEDIAT E TIRANËS

April 1, 2024 by s p

Dr.  Mujë Bucpapaj/

Në fillim të viteve 1990 shumica e mediave të Tiranës nuk përfillën ndryshimet, të cilat shumë shpejt do të shndërronin në gërmadhë ish-Federatën Jugosllave, ndërsa do të zhysnin në luftëra të njëpasnjëshme popujt e këtij rajoni.

Indiferenca me të cilin mediat e Tiranës ndoqën këto zhvillime është e çuditshme kur dihej se skena ku po zhvilloheshin luftërat për territore, shtete të reja dhe spastrime etnike ishte kryesisht hapësira shqiptare në ish-Federatën Jugosllave.

Në kushtet kur mediat shqiptare në Prishtinë ishin mbyllur prej verës së vitit 1990 dhe komunikimi me opinionin kryhej nëpërmjet disa gazetave që botoheshin në Perëndim, mediat e Tiranës zgjodhën të fokusoheshin në konfliktet e brendshme dhe shpesh banale, duke i afruar një tjetër prioritet perspektivës së zhvillimeve kombëtare.

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe rënies së regjimit komunist në Tiranë, në skenë kishte dalë çështja shqiptare. Qeveria demokratike po përpiqej të siguronte një mbështetje të nevojshme ndërkombëtare për të rimëkëmbur ekonominë e vendit tërësisht të rrënuar nëpërmjet reformave të thella të tregut, në përpjekje për të faktorizuar Tiranën në hapësirat ballkanike.

Një shtet i rrënuar ekonomikisht dhe pa asnjë motivim për qytetarët e tij e kishte të vështirë të kompensonte kohën e humbur dhe të ecte përpara. Izolimi i gjatë e kishte lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq dhe aleatë të vërtetë në Perëndim, duke u lëshuar terren armiqve të shqiptarëve në rajon, të cilët i kishin prezantuar konfliktet me shqiptarët gjithmonë sipas interesave të tyre.

Në vitet 1992-1996 ndërsa Shqipëria po shtonte me shpejtësi prezencën e saj në kancelaritë perëndimore, si dhe forumet prestigjioze ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Evropës, NATO etj., mediat e shkruar me frymëzim të majtë, bënin thirrje që Tirana të qëndronte larg zhvillimeve rajonale. Ato ndikuan që Shqipëria të mos kishte një qëndrim konsensual për çështjen e Kosovës, sido që Parlamenti pluralist i vitit 1991, me insistimin e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, atëherë në opozitë, nëpërmjet një rezolute pati njohur Republikën e Kosovës.

Siç dihet, më 28 mars 1989 Kuvendi i Serbisë pati miratuar amendamentet kushtetuese, duke shpallur të ashtuquajturën “Serbi unike”. Pushtimi i Kosovës dhe mohimi i të drejtës për të qenë elementë konstituivë i ish-Federatës Jugosllave qe parë nga Perëndimi si përgatitje e Millosheviçit dhe serbëve për fillimin e luftës për të kontrolluar federatën dhe vendosjen e diktatit të tyre të hekurt mbi popujt e ish-Jugosllavisë.

Ndërsa në Beograd festohej aneksimi i Kosovës në Serbi, shqiptarët e kundërshtuan ashpër këtë vendim. Në vitet 1988-1989 u vranë rreth 80 protestues paqësorë shqiptarë, me mijëra të tjerë u burgosën apo keqtrajtuan nëpër stacionet e policisë serbe.

Ndërsa Ballkani po kërcënohej nga çmenduria serbe, mediat e majta bënë çdo përpjekje për të goditur imazhin e qeverisë së re demokratike në Perëndim, duke e paraqitur atë si “nacionaliste”, për pasojë edhe si “një kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal”.

Kuptohet se pas këtyre tezave qëndronin interesa ngushtësisht partiake, të cilat për fat të keq patën pasoja negative në raportet e Shqipërisë me fqinjët, kryesisht me Serbinë dhe Greqinë.

Këto dy vende filluan ofensivën diplomatike për të minuar mbështetjen e qeverisë demokratike, kryesisht atje ku ajo ishte më e fortë, në Uashington.

Të nxitura nga një kulturë izolacioniste, marksiste, gazetat e majta kishin prirje për të trajtuar çështjen e rreth 3 milionë shqiptarëve si çështje të brendshme të Jugosllavisë dhe problemin e Kosovës vetëm si një çështje të të drejtave të njeriut.

Në vitet 1992-1996 ato për fat të keq shkuan deri aty sa të denonconin politikat sipas tyre “vasale” të Presidentit Berisha ndaj SHBA-ve, si dhe të formulonin akuza të tilla sikur “Berisha po na çon në luftë me fqinjët për Kosovën”. Në fakt Shqipëria po ndiqte një kurs tërësisht paqësor dhe të koordinuar mirë me faktorin perëndimor, duke treguar maturi dhe vendosmëri në trajtimin e çështjes së Kosovës.

Mediat që përfillnin tematikën e Kosovës ishin të pakta. Në verë të vitit 1991 një grup intelektualësh si Hysamedin Ferra, Skënder Buçpapaj, Myftar Gjana, Murat Gjonballa, Bedri Myftari, autori i këtyre radhëve etj., themelojnë gazetën javore “Kosova”, e cila kishte në fokus çështjen e Kosovës dhe zhvillimeve të reja rajonale. Gazeta ishte organ i shoqatës “Kosova”. Po atë vit themelohet edhe gazeta javore “Atdheu”, nga miku im Ismet Mehmeti dhe unë. Gazeta përpiqej të bënte prezente perspektivën e zhvillimeve ballkanike dhe kërcënimet ndaj shqiptarëve ne ish-Jugosllavi. Një tjetër gazetë me qëndrim të hapur politik, pro çështjes së Kosovës ishte “Kombi” i drejtuar nga Hydajet Beqiri. Kjo gazetë shihej e lidhur me diasporën kosovare në Evropën Perëndimore, por kishte një liri editoriale. Në pranverë të vitit 1991 në këtë gazetë pata botuar shkrimin e gjatë “Kosova është Shqipëri”. Analiza pati marrë shumë komente, pasi trajtonte një temë deri atëherë tabu për mediat e Tiranës, por edhe një reagim te ashpër serb.

Një ndjeshmëri  për zhvillimet në Kosovë kishte edhe gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike, aleate e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës e drejtuar nga Dr. Ibrahim Rugova. “Rilindja Demokratike” do të ruante këtë kurs prej atëherë dhe deri në ditët e sotme. Nga viti 1992 derisa mbaroi Lufta e Kosovës në qershor 1999, kam shkruar në këtë gazetë qindra analiza, komente dhe shkrime sensibilizuese për gjendjen katastrofike të shqiptareve atje, por edhe mobilizuese për shqiptarët dhe qeverinë e Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë luftë.

Në fillim të viteve 1990 gazetat e majta kishin zgjedhur për të pasqyruar temën e Kosovës, sipas një praktike të aplikuar për dekada me radhë nga regjimi komunist, botimin e artikujve të shtypit perëndimor për Kosovën. Editorialet e rralla të këtyre gazetave të majta për Kosovën fillonin me një keqardhje për tragjedinë e vëllezërve kosovarë që po vuanin nën regjimin e egër serb, vazhdonin me thirrje për njohjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe përfundonin me sigurinë që i jepnin Serbisë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme. Në qershor të vitit 1993 shtypi i majtë i pati bërë jehonë të madhe një marrëveshjeje të arritur në Greqi mes Partive Socialiste të Shqipërisë, Greqisë dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nëpërmjet sloganit “Ballkani i ballkanasve” kërkonte nga SHBA-të, që të qëndronin jashtë implikimit në rajon. Kjo do të thoshte përveç të tjerave që të ruhej dominimi serb në ish-Jugosllavi, i mbështetur në një fuqi të vërtetë ushtarake, si dhe pushtimi serb i Kosovës. Këtë apel drejtojnë herë pas here edhe sot Greqia dhe Serbia, me nismën Ballkani i hapur etj., nisma që synojnë të ruajnë dominimin greko-serb.

E njëjta tezë qe përdorur në pranverë të vitit 1999 nga diplomacia serbe dhe aleatët e tyre në rajon, duke i bërë rezistencë qëndrimit të prerë amerikan për të përdorur forcën ushtarake kundër pushtuesve serbë në Kosovë.

Harta e Ballkanit kishte ndryshuar me shpejtësi. Në qershor 1991 Millosheviçi kishte sulmuar Slloveninë, në gusht 1991 armata serbe pushton 40% të territorit kroat, në vetëm pak ditë në mars të vitit 1992 diktatori serb pushtoi Bosnjën. Që kur Millosheviçi kishte hipur në pushtet, në vitin 1987, Jugosllavia kishte marrë rrugën e luftës. Ish-Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Serbisë dhe President i Serbisë, ishte bërë zëdhënës i politikave ultranacionaliste serbe. Millosheviçi kishte kërcënuar të gjithë kombet e tjerë të ish-federatës duke deklaruar se, “askush nuk do të guxojë më të prekë serbët” apo se “aty ku ka serbë është Serbi”. Kjo platformë pati çuar në luftëra të përgjakshme dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë. Sllovenia kishte shpallur pavarësinë, po kështu edhe Kroacia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina. Serbia kishte krijuar shtetin e dytë serb në të ashtuquajturën Republika Srbska, ndërsa kroatët shtetin e dytë në Hercegovinë. Vetëm shqiptarët ishin gjendur papritur të ndarë në tri shtete të sapokrijuara rishtaz, duke e bërë situatën edhe më të rëndë se sa gjatë kohës së federatës.

Për fat të keq mediat e Tiranës e shmangën sërishmi çështjen e Kosovës. Shumë gazetarë, publicistë apo historianë morën një ofensivë të vërtetë kundër çdo zëri të pavarur që kërkonte pavarësinë e Kosovës. Trajtimi i çështjes së Kosovës u quajt “folklorizëm”, “primitivizëm” dhe “një temë arkaike”, “e papërshtashme për kohët moderne”. Një grup publicistësh u përfshinë në formulimin e tezave të rënda dhe fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke u bërë nganjëherë jehonë edhe tezave antishqiptare të prodhuara sistematikisht në Beograd, si “kombi shqiptar dhe kombi kosovar”, “revanshi i veriut ndaj jugut etj.”.

Ashtu siç të vjen keq për këto shkrime dritëshkurtra, antikombëtare të shkruara sistematikisht gjatë regjimit komunist dhe deri më 24 mars 1999 në gazetat Zeri i Popullit, Koha jonë etj,  sot të vjen mirë që shumë autorë të këtyre komenteve tani më 2024 kanë ndryshuar koncepte. Disa prej tyre tani i shikon nga njëri televizion në tjetrin duke folur për rëndësinë e pavarësisë së Kosovës apo edhe për bashkimin kombëtar, për kombëtaren e futbollit etj., apo nëpër faqet e gazetave, sido që me pak njohuri rreth kësaj çështjeje dhe me pak sinqeritet ndaj vetvetes. Unë nuk besoj që këta tipa e bëjnë këtë ndryshim thjesht për të qenë në qendër të një debati të përbotshëm, siç është ai për Kosovën apo për shkak të portretit të tyre prej analistësh, por që vërtet ata si çdo shqiptar i gëzohen pavarësimit të gjysmës së kombit shqiptar. Vetë fakti që edhe serbofilët dhe grekofilët e Tiranës, biles edhe kozmopolitët tani flasin edhe për bashkimin kombëtar është vërtet diçka mjaft domethënëse.

Në vitet 1995-1996 Shqipëria kishte bërë përparime të rëndësishme në fushën e reformave ekonomike, por edhe ushtarake. Vendi ishte bërë anëtar i Partneritetit për Paqe, si dhe kishte forcuar lidhjet me SHBA edhe në sektorin e sigurisë kombëtare. Siç thuhej shteti shqiptar i kishte afruar SHBA-ve aeroportin e Gjadrit në mbështetje të përpjekjeve amerikane për të ndaluar masakrat serbe në Bosnje. Këto lëvizje strategjike, të cilat i shërbenin vendosjes së paqes në rajon, qenë keqinterpretuar nga disa gazeta të majta të Tiranës dhe publicistë. Ato akuzuan kryetarin e shtetit të asaj kohe S. Berisha për “vasalitet ndaj SHBA-ve” dhe politikë që “do të fuste vendin në konflikt me fqinjët”.

E vërteta është se mediat e majta kishin gabuar. Vetëm ndërhyrja ushtarake e kërkuar fort nga Presidenti Berisha dhe nga qeveria demokratike e drejtuar nga Aleksandër Meksi do t’i jepte fund agresionit serb në Ballkan, si dhe do të shpallte Kosovën një vend të lirë.

Në vjeshtë të vitit 1997 dukej qartë se Serbia po përgatiste luftën e Kosovës. Mediat e majta të Tiranës, ashtu si në fillim të viteve 1990, u distancuan nga problemet e Kosovës duke u përqendruar në sherrnajat e brendshme dhe në platformat e spastrimit të vendit nga demokratët, të cilët e kishin humbur pushtetin pas zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 1997, zgjedhje të cilat erdhën si pasojë e ngjarjeve dramatike që pasuan rënien e skemave mashtruese piramidale.

Ofensiva serbe për spastrimin etnik në Kosovë në fund të shekullit të kaluar e gjeti politikën shqiptare të përçarë, opinionin të papërgatitur për të krijuar një reagim gjithëkombëtar, si dhe mediat të fokusuara në të tjera probleme dytësore. Në rast se mediat e Tiranës do të kryenin rolin e tyre, fillimi i luftës së Kosovës prej 28 shkurtit të vitit 1998 deri 12 qershor 1999 nuk do ta gjente të papërgatitur në atë mënyrë shtetin shqiptar, i cili kishte pësuar gati një rrënim total gjatë kryengritjes komuniste të pranverës së vitit 1997.

Fillimi i spastrimit etnik në Kosovë në fillim të qershorit të vitit 1998 i dha fund çdo hamendje se lufta do të mund të shmangej. Ndërsa më 4 qershor 1998 mbi 20 mijë refugjatë kosovarë mësynë Tropojën për t’i shpëtuar gjenocidit dhe zhdukjes masive, shtypi zyrtar i Tiranës thuajse e injoroi këtë tragjedi.

Prej qershorit të vitit 1998 shumica e televizioneve amerikane dhe evropiane filluan të transmetonin direkt nga Tropoja, por për çudi RTSH nuk transmetonte thuajse asnjë lajm për jetën e vështirë të rreth 45 mijë refugjatëve të luftës që kishin gjetur strehim në familjet e varfëra të Tropojës.

Në vend që media të sensibilizonte qeverinë dhe opinionin për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre, me përjashtim të “RD”-së dhe radio “Kontakt”, mediat e tjera heshtën.

Për fat të keq, ndonjë gazetë bëri thirrje që këta refugjatë lufte të mos kalonin Alpet për të shkuar drejt Shqipërisë Qendrore, pasi sipas tyre “ata ishin mbështetës të Berishës”.

Një pjesë e publicistëve, që sot janë bërë superpatriotë gjatë kësaj kohe dhe sidomos pas spastrimeve etnike masive në pranverë të vitit 1999, habitën botën kur kërkuan që refugjatët e luftës që vinin të tmerruar nga Kosova të izoloheshin në geto klasike. Ata i sugjeronin qeverisë së majtë që këta refugjatë të mos lejoheshin të zbrisnin nga Tropoja dhe Kukësi në brendësi të vendit, pasi sipas tyre do të ndryshonin raportet njerëzore në favor të demokratëve. Ata në mënyrë të pabesë kërkuan që mijëra gra dhe fëmijë të lodhur nga udhëtimi i gjatë, të kequshqyer dhe të tmerruar nga ato që kishin parë dhe lënë në Kosovë, të mos strehoheshin në Jug, sepse siç pati thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme greke “zhvendosja e tyre në jug, do të cenonte interesat e Greqisë” e të tjera përralla të ngjashme.

Krejt ndryshe do të reagonin shqiptarët. Nga Tropoja deri në Sarandë me mijëra familje do të hapnin shtëpitë dhe zemrat për vëllezërit e tyre nga Kosova, duke ndarë me ta dhembjen e pafund për njerëzit e humbur në luftë, për shtëpitë dhe trojet e braktisura.

Edhe vetë qeveria Majko ishte mosbesuese ndaj këtyre refugjatëve. Sido që ish-Kryeministrit Majko i ka pëlqyer gjithnjë të marrë pozat e heroit të kësaj lufte, e vërteta është krejt ndryshe. Vetëm pas ultimatumit të fortë amerikan dhe presionit të opozitës së djathtë qeveria e koalicionit të majtë filloi trajtimin e refugjatëve të luftës, si dhe organizimin e akomodimit të tyre në të gjithë vendin. Po kjo qeveri në mënyrë të ligë nuk u përfshi në luftë në mbështetje të UÇK-së, jo vetëm duke humbur një shans historik për bashkimin kombëtar, por edhe duke dëshmuar se ishte qartë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Për këtë temë kam shkruar qysh në atë kohë me qindra artikuj në shtypin e djathtë të Tiranës, me thirrjen se tani është koha e bashkimit kombëtar dhe e implikimit të ushtrisë shqiptare në këtë luftë direkt në terren, por historia dihet, kjo qeveri u mjaftua vetëm me shpërndarjen skandaloze dhe korruptive të ndihmave ndërkombëtare për refugjatët, shpesh duke vjedhur edhe bukën e fëmijëve të Kosovës.

Faktet janë fakte. Kësaj çështje i është rikthyer pas kaq vitesh edhe diplomati i shquar amerikan dhe miku i shqiptarëve, Kristofer Hill.

Në një intervistë ai parashtron se, Shqipëria nuk e dëshironte bashkimin kombëtar. Hill shprehimisht thotë: “Padyshim që Ballkani është një proces i papërfunduar. Mendoj se është bërë përparim. Kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët: që Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqetësimi kryesor për mua ishte të arrihej mbizotërimi i ligjit, ngritja e institucioneve demokratike, të cilat ishte shumë vështirë të krijoheshin. Tani që pashë përparimin e Shqipërisë jam shumë i kënaqur me këtë. Në Kosovë ka ende shumë për të bërë”. (Panorama, 3 tetor 2016)

Pra, koha e bashkimit kombëtar ishte atëherë, por u pengua nga qeveria e majtë, e cila punoi kundër këtij opsioni, thënë më qartë e tradhtoi çështjen tonë kombëtare. Në atë kohë, duke qenë në dijeni të shumë fakteve që po dalin tani pas 25 vjetësh, kam shkruar librin e mirënjohur “Kombi i Tradhtuar”, sepse shqiptarët, siç thotë Krist Hill, u tradhtuan. Të tjerat janë dokrra.

Por sot në Tiranë dhe Shqipëri kanë ndryshuar gjërat, konceptet dhe ideologjitë për sa i përket çështjes së bashkimit kombëtar. Sipas sondazhit të fundit të GALLUP-it bërë katër-pesë vjet më parë, rreth 73% e shqiptarëve të Shqipërisë janë për bashkim kombëtar dhe ky është zhvillim shumë domethënës, të cilit nuk mund t’i shmanget asnjë qeveri në Tiranë apo Prishtinë, duke i besuar kështu edhe konkluzionit të Kris Hill se, “Ballkani është një proces i papërfunduar”.

Duke ju rikthyer kronologjisë së ngjarjeve pas 24 marsit 1999 mediat e Tiranës do të ndryshonin qëndrim ndaj Kosovës. Urdhri i Presidentit amerikan, Bill Klinton për të nisur sulmet ajrore mbi Serbi, me qëllim shkatërrimin e makinës ushtarake të Millosheviçit kishte ndarë historinë e Ballkanit. Lajmet nga zonat e luftës në Kosovë, por edhe vuajtjet e refugjatëve në Kukës, Has e Tropojë hapnin edicionet e lajmeve anembanë botës. Në këtë periudhë disa televizione të Tiranës filluan të transmetonin lajme nga lufta e Kosovës, konferencat e shtypit të Presidentit amerikan, Bill Klinton, të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, si dhe të NATO-s. Televizioni “Arbëria” filloi emisionin e njohur “Luftë apo paqe në Kosovë”, “Shijak” Televizion ndërtoi disa emisione me tema nga Kosova, radio “Kontakt” etj. Kursi ideologjik i TVSH-së dhe disa gazetave të majta në Tiranë bëri që ato të përfshiheshin në sulme të pabesa ndaj Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova të marrë peng nga Millosheviçi në kulmin e luftës së Kosovës në pranverë të vitit 1999. Në të njëjtin kor me politikën zyrtare mediat e majta nxituan të shpallnin “Tradhtar” Rugovën dhe “bashkëpunëtor të Millosheviçit”. Tirana zyrtare në këtë kohë prodhoi një qeveri të dytë në emigracion, duke mohuar atë të Bukoshit. Kjo la një shije të keqe në Perëndim, i cili ishte përfshirë në një luftë të ashpër për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

Mediat e majta nuk do të kishin këtë opinion për Rugovën, ndërsa ai do të fitonte të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë pas çlirimit të vendit nga NATO dhe UÇK, më 12 qershor 1999 dhe në vazhdim. Por ky qëndrim ekstremist do të bënte që Rugova për disa vite të mos vizitonte Tiranën.

Në vitet 1999 dhe në vijim mediat e Tiranës kanë qenë të matura ndaj zhvillimeve në Kosovë. Ndërsa qeveritë e majta u implikuan në krijimin e të majtës në Kosovë apo sipas raporteve ndërkombëtare dhe të eksportimit të trafiqeve dhe disa krimeve etj., mediat vepruan në një mënyrë më të ekuilibruar. Ato megjithatë, vetëm pas formulimit të “Paketës së Ahtisarit” dhe vizitës së Presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007, shprehën besimin e tyre për Pavarësinë e Kosovës.

Aktualisht Kosova është tema kryesore e mediave të Tiranës pavarësisht politikave editorialiste dhe ngjyrimeve politike që përfaqësojnë pronarët e tyre. Ata që për vite me radhë kishin përqeshur dhe sulmuar egërsisht çdo shkrim që bënte thirrje për pavarësinë e Kosovës apo bashkimin kombëtar, tani i ke idhtarë të fortë të kësaj pavarësie, biles këta tipa thirren thuajse në çdo tryezë për zhvillimet në Kosovë për të folur si ekspertë, si analistë apo thjesht për modë, pavarësisht pse e njohin në mënyrë sipërfaqësore këtë çështje dhe shpesh bëhen qesharakë me ato që thonë apo shkruajnë.

Për fat të keq këta analistë nuk u panë të bëjnë asnjë reagim për deklaratën kërcënuese të ministrit të mbrojtjes se Serbisë “për pushtimin e Kosovës”.

Unë mendoj se klasa politike në Tiranë dhe Prishtinë duhet të tregojë më shumë pjekuri dhe mos përfshihet kurrë më në deklarata emocionale dhe të panevojshme, të amplifikuara edhe nga mediat përkatëse.

Serbët dhe mediat e tyre, për të gjitha qëndrimet nacionale flasin me një zë, si serbët në Serbi, në Mitrovicën e Veriut, në Republikën Srbska në Bosnje, në Kroaci apo edhe në Mal të Zi.

Ky shkrim nuk ka si qëllim të hidhërojë askënd, as ata që e kanë quajtur “UÇK-në prodhim të Millosheviçit”, as ata që dënuan sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbi, as ata që Kosovën e dëshironin vetëm si pjesë e Serbisë “me autonomi thelbësore”, as ata që shpiken “kombin kosovar”, as ata “që i tremben bashkimit kombëtar” e kështu me radhë. Si autor i qindra e qindra shkrimeve për Kosovën, autor i dy librave të shkruara vetëm gjatë Luftës së Kosovës dhe organizator i dhjetëra protestave dhe tryezave për Kosovën, ndjehem mirë që kam kryer detyrën si intelektual dhe patriot me përkushtim dhe atdhetari. 

Shënimi ka si qëllim të sjellë një dëshmi të thjeshtë të koherencës së shtypit të Tiranës, rolit të humbur apo të fituar në momentet kyçe të një kombi, për t’i vendosur përballë një pasqyre ku secili do të shohë vetveten. E rëndësishme ka qenë dhe është bindja e komunitetit perëndimor për suksesin e pavarësisë së Kosovës dhe në vijim të shtetit të lirë të Kosovës, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës. Është detyra jonë të bindim aleatët tanë perëndimorë së bashkimi kombëtar i shqiptarëve është e vetmja rrugë e stabilitetit afatgjatë në rajonin e Ballkanit. Ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1060
  • 1061
  • 1062
  • 1063
  • 1064
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT