• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Receptimi në dy kohë i një autori të letërsisë për fëmijë

March 18, 2024 by s p

Evalda PACI

Departamenti i Studimeve Letrare

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë/

Një grumbull shtëpish të ngjeshura në kurriz a në brinjë të njëra-tjetrës, me çati të përbashkët, ca rrugica lakadredhëse të shtruara me kalldrëm, rrethuar me avlli e mure sa po të ecje krahëhapur, mollëzat e gishtërinjve takonin faqet e gurëve. Përbrenda s’kishte asnjë lëmë tokë të lirë, as pemishte, madje as kopshte. Ky qe fshati.

Mjafton një fragment i tillë që të rizgjohet natyrshëm një ndjesi e shumë viteve më parë, kur shfletimi në seri i skicave e tregimeve të përmbushte me një sërë imazhesh e përfytyrimesh rreth një habitati që autori i letërsisë për fëmijë Naum Prifti e kishte përndarë në sa përshkrime e rrëfime të disa dimensioneve. Si autor i prozës së shkurtër, Naum Prifti ka transmetuar në gjallërinë përkatëse përvoja të një veçanësie të rrallë, të rezervuar nga vetë përjetimet e tij, të risjella në vite në botime e ribotime, fakt që ka pasuruar së tepërmi bibliotekën e letërsisë për fëmijë e të rinj. Këtyre veçorive do t’u kushtohet gjerësisht dhe veprimtaria e ditës së sotme, e organizuar pikërisht në nderim të një shkrimtari që reflektonte dhe dimensionet e publicistit, eseistit, autorit e kritikut të letërsisë e të dramaturgjisë.

Një autor që i kushtohet letërsisë për fëmijë bëhet natyrshëm transmetuesi i një bote të veçantë për lexues të një moshe gjithashtu të veçantë, të pajisur e të karakterizuar nga një kureshtje e natyrshme, gjithnjë me pikëpyetjet rreth çështjesh themelore që më tej do të përkthehen në të tjera sfida e dëshira për të ditur më shumë e më qartë.

Për një brez si imi (lindur në fillim të viteve ‘70), mund të thuhet me plot gojën që letërsia për fëmijë ka qenë një dritare a një horizont që ofronte perspektiva disangjyrëshe, por që dhe shtonte kërshërinë mbi ç’duhet të kishte përtej rrëfimeve e elementeve të botëve që autori për fëmijë ndërmerrte të përshkruante. Vite më parë, një letërsi e tillë kishte mbi vete një mision kompleks edukimi, që vështirë se mund ta zëvendësojë një teknologji e tërë që me gjasë përshpejton hapat e brendësimit të një sërë nocionesh për botën e të rriturve, për dijen mbi natyrën, për përafrimin me marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në këtë aspekt, letërsia për fëmijë në gjuhën shqipe ofron një panoramë të gjerë në pikëpamje autorësh dhe tematikash, e pikërisht në këtë vështrim, Naum Prifti i jep kësaj të fundit një domethënie të mirëfilltë për qasjet dhe konsekuencën në titujt e përzgjedhur. Një autor i tillë ka dhënë nga vetja në çdo krijim me të cilin ka ndërtuar profilin prej shkrimtari, duke reflektuar hollësi dhe elemente të një bote që e përjetuar në një shpirt fëminor e më tej rinor, paraqitet po aq tërheqëse për lexuesit e kohës së vet, të etur për të mësuar jo vetëm për ngjarje tipike në rrugëtimin jetësor të tij, por dhe për një sërë përveçimesh që gjuha autoriale i sjell me bujari dhe në masën e duhur, duke pasuruar kësisoj vetë krijimtarinë e vet me misionin e ruajtësit të pasurisë gjuhësore, leksikore e letrare të cilën ai duket se e njihte natyrshëm. Përkujdesja për gjuhën dhe për vënien në vendin e duhur të fjalëve të rralla i përngjan merakut të një nikoqireje që në përditshmërinë e mirëmbajtjes së asaj çka i është besuar, vendos në mjedisin e vet orendi dhe zbukurime të shijes së vet, por duke prekur njëkohësisht dhe ndjesitë e të tjerëve. Gjuha do të jetë në të vërtetë një medium që autorit i shërben për të sjellë më afër profile njerëzore, ngjyra të stinëve që ai vetë i jeton me një ndjeshmëri të rrallë, elemente të një përditshmërie të dashur e të shkallëzuar ndër vite, asnjëherë të lënë pas dore në kujtesën e tij të fortë.

Emri i Naum Priftit, i pajisur si me dhuntinë e artit të të shkruarit, si me një kulturë që e brendëson që në fazat më të hershme të formimit të tij është pjesë e natyrshme e një historiku të përvijimit të letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe, me fillesa që në skica më mëhershme në letërsinë e Rilindjes, por dhe me qasje të reja në çdo periudhë të zhvillimit të kulturës letrare dhe të kultivimit të leximit në gjuhën amtare. Një fakt të tillë e gjejmë të dëshmuar që në sprovat më të hershme me të cilat ai afirmohet si shkrimtar, por dhe në dekada në të cilat letërsia për fëmijë ishte dhe një mjet edukimi me vështrim nga fakte historike e personalitete të historisë së vendit tonë.

Profilin e një heroi që e gjeje të vizatuar në tregime e rrëfime kryesisht sintetike sigurisht do ta gjeje në më se një autor të kohës, por do ta preferoje pa dyshim ta rilexoje në legjendat e shkruara mjeshtërisht nga Naum Prifti; gjithashtu, frymën bukolike të një natyre që nuk do ta njihje domosdoshmërisht nga afër në kohën kur e lexoje të përshkruar, do ta gjeje sërish në tregimet e të njëjtit autor. Prifti receptohet mirëfilli si një autor që ofron për lexim përjetimet e një fëminie të mbushur me copëza kujtimesh, por dhe me mbresa që duket sikur vetë roli i shkrimtarit po i jep mundësi të shkruajë e të shprehet në një kohë të mëvonë, por asnjëherë të vonuar për atë vetë.

Sot, në një kohë tjetër, kur kohës së leximit i hyjnë në hak dhe hapësira për të tjera pajisje e mjete që nuk arrijnë të të përafrojnë në të njëjtën mënyrë me librin, provon t’i rikthehesh ndjesisë së leximit të rehatshëm të tregimeve të tilla, që të bëjnë të përshkosh udhëtime imagjinare në përjetimet e kujtimet e një autori si Naum Prifti, që ka falur bujarisht për lexuesit e tij pjesëza kulture që përkthehen në momente rikrijimi letrar, por dhe në ndërtime që shumë prej nesh i kanë mësuar pikërisht prej tregimeve të tij, të pasura në elemente të natyrës e të ndikimit të saj në jetën e shumë personazheve të tij. Mjaft personazhe paraqiten të maturuara në personalitetin e vet, duke shërbyer si gurë miliarë në një rrugëtim që hap pas hapi autorin e projekton në disa dimensione, në më të shumtën e rasteve në një raport të qartë me natyrën dhe çdo të mirë që buron prej saj.

Autori ka gjetur hapësirë për t’u dhënë vend analizave karakteriale që lidhen me personazhe të dashura për të, por që në të njëjtën kohë janë dhe frymëzuese të tregimeve të tij, të ekspozuara ndaj vëmendjes fëminore, por dhe ndaj kureshtjes së çdo lexuesi që gjen në këto të fundit përshkrime, emërtime që burojnë nga një botë genuine, për të cilën Prifti pikërisht në krijimtarinë kushtuar fëmijëve gjeti mundësinë për t’i reflektuar e bërë konkrete, më tej për t’i bërë të jenë të ngulitura në një kujtesë që dhe sot po provohet plotësisht se ka mbetur e tillë.

Në tregimet që janë të lidhura me moshën fëminore, por dhe me përjetime tipike për kohën në të cilën ai ka jetuar lexuesi evidenton karaktere, por dhe ngjarje e rrethana të cilat janë shtysë që ai të shtjellojë rrëfime jo përherë të gjata, por reflektuese momentesh të cilat kanë një veçanësi të vetëkuptueshme. Autori ka përzgjedhur portrete personash që lidhen me mësimdhënien, mëmësinë, prindërimin, shoqërinë e fëmijërisë, personazhe që ndikojnë në formimin individual të tij për një sërë arsyesh e për të cilat ai duket qartë se ka detaje mjaft domethënëse për t’i profilizuar. Të tilla hapësira, që janë bërë objekt i një narracioni me prirje natyrshmërie e frymëzimi tipik janë përmbushur dhe me një gjuhë të kujdesuar, në shumë raste të pasuruar me përveçime që përbëjnë një tjetër aspekt për t’u kushtuar vëmendje e kërshëri teksteve në prozë të tij. Gjuha shqipe, elementet e njohjes kulturore të vetë autorit gjejnë një hapësirë të pamatë paradigmatike në të tilla rrëfime, tregime e skica, duke u paraqitur në vështrimin tonë po aq të pastra dhe të vyera dhe në ditët tona. Lexuesi sigurisht del i pasuruar në emocione dhe në edukim tekstor e gjuhësor nga të tilla krijime, por në ditët e sotme një dimension i tillë merr shumëfish rëndësi e vlerësim, aq më tepër kur një rol të tillë dhe kritika jonë letrare mbi letërsinë për fëmijë e të rinj ua ka njohur këtë të fundit pikërisht autorëve të kësaj shkrimtarie.

Në vështrimet e tij kalojnë dhe personazhe historike, që në krijimet e autorëve të tjerë (edhe të krijimeve në prozë për letërsinë për fëmijë) rimerren, por në një tjetër perspektivë shkrimtarie. Në të vërtetë, këtyre personazheve Prifti u ka rezervuar më tepër se një perspektivë, duke i vënë në disa dimensione rrëfimtarie, siç mund të vërehet dhe në rrëfimet që të emërtuara si legjenda, lidhen me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, që vjen herë në përmasa thellësisht njerëzore, herë në ato të një madhështie më se të pritshme për heroin tonë kombëtar, i ndërmendur për armët që përdorte e për përballjen në kontekste jashtë reales në luftime e beteja të përgjakshme. Tiparet dhe përjetimet njerëzore ndërthuren me aspekte të përfytyrimit legjendar, duke qëndruar më së miri në profilin e Gjergj Kastriotit, i projektuar sa në situata të jashtëzakonshme, aq në momente që e paraqesin të prekshëm për lexuesin e kohës. “Legjenda e rrëfime për Skënderbeun” dalë nga një ent tipik editorial siç ishte shtëpia botuese “Naim Frashëri” kanë parë dritën e botimit e të ribotimit, por vetë momenti i përurimit të tyre në kuadër të bibliotekës së nxënësit në fund të viteve ‘70 të shekullit të kaluar është dëshmi e një misioni edukues që pena mjeshtërore e autorit tonë e kryen më së miri, duke i bërë të tilla krijime të tij të lexueshme e të rilexueshme nga moshat shkollore.

Në përjetimet e mia për një autor si Naum Prifti, vetë ndërtimet që ai ka sjellë në brendinë e krijimeve të tij kanë qenë një medium për ta lexuar e rilexuar e në këtë pikëpamje, rishpreh bindjen që sërish do ta kisha po aq për zemër dhe në një kohë tjetër, të njëjtin autor e të njëjtat tregime.

Në javët e fundit, në prirjen për t’iu kthyer kujtesës së mëhershme për krijimtarinë e autorit Naum Prifti, kemi marrë dijeni dhe për sistemimin e vëllimeve të tij ndër vite në bibliotekat tona, përfshirë bibliotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë), por dhe biblioteka universitare, të cilat janë dëshmi e një fondi të çmuar botimesh në krijimtarinë për fëmijë të Naum Priftit. Një prani e tillë, e mundësuar nga ruajtja e kujdesshme dhe e përgjegjshme e ekzemplarëve të rrallë, bashkë me tekste shkollore të një rëndësie të veçantë për edukimin e të njëjtave gjenerata e për të cilat bashkautorësia e Naum Priftit vlerësohet si meritë e përveçme nga njohësit e biobibliografisë së tij mbetet një shtysë për realizimin e afërt t ekspozitave ad hoc, në të cilat dhe paraqitja në rend kronologjik e tematik e realizimeve të tij risjell në kujtesë një perkurs jetësor të karakterizuar nga dashuria për librin, kulturën, leximin dhe edukimin.

Filed Under: LETERSI

Festohet 7- 8 Marsi në Philadelphia nga Shoqata Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes”

March 18, 2024 by s p

Rudina Bani

Nën-kryetare e shoqatës “ Bijtë e Shqipes” dhe

Mësuese e shkollës “ Gjuha jonë”/

Vlera e gruas dhe mësuesit nuk maten, sic nuk matet pesha e qiellit. Organizimi i festave të 7-8 Marsit nga Shoqata “ Bijtë e shqipes” angazhoi në këtë vit jo vetëm Kryesinë e Shoqatës, por shumë prindër, mësues,simpatizantë të saj. Karafilat e bukura të dhuruara nga cifti Bujar dhe Oli Cela për të gjitha zonjat dhe vajzat, në hyrje të sallës nga fwmijwt, murale me ngjyrat rozë dhe të bardhë dhe lulet e bukura në tavolina të dhuruara nga zonja Julida Cepele ,do të ishin kontakti i parë i bukur për të gjithë . Të parët dhe bukuria e kësaj feste do të ishin nxënësit e shkollës “ Gjuha jonë” , të cilët të veshur me kostume të vecanta do të sillnin mesazhin “Duajini nënat! Ato janë unike!” Nuk i kishim parë më parë fëmijët të iskenonin një përrallë të vjetër shqiptare. Por dramatizimi i nxënësve: Anthony Nikolla, Natasha Koroveshi, Luiz Bajlaz, Iris Hasa, Amelia Prifi dhe Harper Koliqi do të impononte qetësi dhe emocion në sallë. Alen Janji do të përcillte nëpërmjet vargjeve respektin dhe mirënjohjen për mësuesit. Kënga e kënduar nga të gjithë nxënësit e shkollës të pranishëm në festë do të shoqërohej me duartrokitje të vazhdueshme.

Znj Nikoleta Papaj , ish- mësuese e shkollës sonë dhe gjithmonë pranë komunitetit shqiptar duke ndihmuar mësuesit dhe fëmjët shqiptarë nëpër shkolla të ndryshme, përshëndeti dhe uroi të gjitha nënat, vajzat dhe mësuesit me rastin e 7-8 Marsit. Ajo do të mëshonte në fjalën e saj rëndësisë së gruas në shoqëri, por sidomos në komutetin shqiptar në Philadelphia në përcjelljen e identitetit kombëtar te brezat e rinj. Kryetari i shoqatës, z.Dritan Matraku do të uronte mirëseardhjen dhe do të dedikonte një urim dhe falenderim të vecantë për gjithë mësueset aktuale dhe ish-mesuesit e shkollës shqipe “Gjuha jonë” në 20 vite. Ai do të uronte nënat dhe vajzat dhe do të vlerësonte vlerat positive qytetare që pasqyrojnë në cdo ditë kudo që punojnë.

Sa shumë emocione! E mirënjohura Mira Konci me zërin e saj të kadiftë do të bashkonte të gjithë në këngët e saj të shumë viteve më parë . Bashkë me zërin e saj ishte zëri ynë dhe zëri humbur diku në kujtesë. Energji, entuziasëm, ritëm do të sillte zëri i tenorit dhe këngëtarit Isli Ademi. Me këngët e tij, do të kërcenim pa u ndalur valle të Jugut, Veriut të trojeve shqiptare dhe të Shqipërisë së Mesme. Falë kërtyre dy artistëve, pista e kërcimit nuk do të ishte asnjë cast e lirë .

Respekt dhe mirënjohje për gjithë ata që shenjojnë me punën, përkushtimin kontributin e tyre vlerat e komunitetit tonë dhe vazhdimësinë e tyre në të ardhmen . Kryesia e shoqatës do të vlerësonte me certifikatë mirënjohje zonjat: Afërdita Muzhaqi, Majlinda Gjoka, Alma Telushi dhe Anila Tahiraj, për kontributin vullnetar, financiar, organizues, mbështetës, ndihmues jo vetëm në ruajtjen dhe vazhdimësinë e gjuhës dhe traditave, por edhe në ndihmesën e tyre për ndërtimin e godinës së re të shkollës. Një falenderim të përzemërt për të gjithë ata që simbolizojnë shkollën shqipe “Gjuha jonë” në 20 vit. Lule të dhuruara si cdo 7-8 Mars nga Znj Erblina Koka dhe mirënjohje për gjithë të ftuarat e nderit ; Mësueset e para ate shkollës që kanë punuar vullnetarisht në vitet e para të aktivitetit të saj : znj. Mariana Kina, Luljeta Toshi, Mirela Qirici, Nikoleta Papaj dhe ata që kanë punuar në vite dhe vazhdojnë të jenë pranë nxënësve tanë të pranishëm në sallë: Shpresa Rama, Irma Alicka, Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Rudina Bardhi, Mimoza Sotiri, Afërdita Muzhaqi, Eda Janji dhe ata mësues që nuk mund të ishin në këtë festë:. Sotiraq Bonjaku,. Hamdi Gjana,Olsi Turtuli, Renaldo Rama,Elvira Budo, Lindita Hysko, Kismete Bejgollari, Mimoza Priftanji ,Kozare Doko, Majlinda Tahiraj, Adelina Ramizi, Elvana Pone,Mereme Mema, Erka Caka, Ermira Tusha, Liljana Gaba.

Edhe pse orari i mbylljes kishte kaluar, nuk mund të largoheshim . Ishim aty bashkë me këngëtarët. Dicka na mungonte: kënga e shpirtit tonë: O Shqipëri/ Kosovë o nëna ime….. me soliste nxënësen tonë Arita Rukiqi dhe shoqërohej nga të gjithë. Foto, video, kujtime të panumërta që memorizojnë jo vetëm gëzimin ,por edhe mundësinë e takimit, ritakimit me miq, të njohur dhe shokë në këtë festë që nuk na i mundëson dot shpejtësia e jetës së përditshme.

Falenderim për të gjithë ata që mundësuan organizimin e kësaj feste të bukur! Falenderim tjetër për gjithë nënat e nxënësve të shkollës “Gjuha jonë” për angazhimin e madh që treguan me fëmijët.

Mirënjohje pa kufi për gjitha gratë dhe mësuesit për punën e tyre të parrokshme,e të pamatshme në të tashmen,e rrezatuar në të ardhmen e familjes dhe qënësisë sonë qytetare dhe kombëtare!

Filed Under: Komunitet

Pse ByteDance po kërcen Tik-Tok nga sikleti ?

March 18, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Ju pëlqen të udhëtoni në një botë ku çdo moment është një mini-spektakël? Më 2024, një aplikacion ka pushtuar botën nën zinxhirin e tij, duke shndërruar përditshmërinë tonë në një karusel të pakthyeshëm të videove të shkurtra dhe vallëzimeve.

Po, po, flasim për Tik Tok, platformën që ka bërë që edhe një video e shkurtër të krijojë ndjesinë e një spektakli të madh. Në një epokë ku “Tik Tok” bëhet fjalë e ditës, për “gjeneratën Z” me 1.5 miliard përdorues, është si të jesh pjesë e një kulture që i përket një brezi të ri që nuk mund të imagjinojë jetën pa të. Ai është bërë më shumë se një aplikacion, është bërë një kult, një mënyrë e jetesës moderne, një ritual i detyrueshëm që përplas kulturën e popullarizuar me cilësinë e shpejtësinë.

Ngjarjet e fundit tregojnë qartazi se “Tik Tok” i ka shndërruar rrjetet sociale në një arenë të pashmangshme ku çdo përdorues bëhet një yll i vogël i skenës së tij personale. Nëse dikur festat e famshme ishin ato që përfshinin një sallë të madhe të ngrohtë e drita të ndriçuara, sot, festa është aty në celularin tënd, me një çift veshur si astronautë, që bëjnë “dance challenge” në kuzhinën e tyre.

Në një skenë të e habitshme me një muzikë e ngjashme me një film spiunazhi, Washingtoni po përpiqet ta shndërrojë TikTok-un nga një aplikacion argëtues kalamajsh në një stres diplomatik. Po pse?

Si një sulm i plotë për t’i treguar dhëmbët komunizmit të Hapur Kinez, dhe Partisë Komuniste, Kongresi amerikan ka miratuar një projekt-ligj që nuk po lë asnjë aplikacion kinez, që të përshtatet apo vjedhë Amerikën. Madje dhe kur Biden ftoi influencues në Tik-Tok Bydance, mendoi se kjo ishte thjesht një kërcim mediatik dhe ai se kishte me gjithë mend.

Sipas ligjvënësve amerikanë, kompania ByteDance kontrollohet nga qeveria kineze, dhe PKK e cila mund të kërkojë në çdo kohë të ketë, qasje tek të dhënat e konsumatorëve të TikTok-ut në SHBA në çdo kohë që dëshiron madje të influencojë dhe qëndrimet e tyre sociale. Ky shqetësim i ka bazat tek një sërë ligjesh të sigurisë kombëtare kineze, sipas së cilave kompanitë janë të detyruara të ndihmojnë në mbledhjen e informacionit të zbulimit. Megjithëse Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projekt-ligjin, fati i tij në Senat është i pasigurt, si një postim Tik-Tok-u që mund të mos mbetet më viral.

Me një sërë kërkesash që do të bënte edhe Sherlock Holmes-in të dëshpërohej, projektligji ka hyrë që në rrënjë të çështjes së TikTok-ut. Në këtë dramë kinezo-amerikane, Washingtoni shkon përtej të thjeshtësuarit, duke akuzuar ByteDance si një mjet që ka lidhje me kërkesat kineze për të grabitur të dhënat personale të qytetarëve amerikanë. Dhe bashkë me të duke inxhinieruar mentalitetin e Amerikës te brezi i ardhshëm.

Në këtë akuzë, qeveria kineze duket sikur është zënë gafil, duke bërë gjithçka që mund të imagjinohet për të rrëmbyer të dhënat tona. Sëmundja e vërtetë e komplikuar nëse aplikacionet tona të mediave sociale mund të përshtaten në një vend të tretë si filma spiunazhi. Ndërkohë, që TikTok-u po shkon në grackën e ndarjes. Ose ai do të duhet të lërë prapanicën e tij kineze dhe të mbajë një qëndrim të qartë amerikan, ose do të duhet të gjejë një blerës amerikan që ka shpatullat e mjaftueshme për të mbajtur një aplikacion të tillë nën kontroll.

Në një botë ku pamja e jashtme është më e rëndësishme se mendimet e brendshme, TikTok-u është tempulli që adoleshentët modernë adhurojnë. Ky aplikacion i vogël është bërë kthimi modern i Shkëndijës së Platonit, ku realiteti është përballur me një shtresë të trashë me filtra të përsosur, muzikë intriguese, dhe akte të caktuar performuese që nënvizojnë një farësoj tërheqjeje dhe idiolatrie kulti.

Dëshirat për të qëndruar në tregun amerikan mund të kenë synim për të rrëmbyer inteligjencën e tij artificiale. Por ndërkohë, pasiguria që mbretëron në ambientin e Senatit, ku qeveria duhet të tregohet si një Sherlock i zgjuar, për të gjitha lojërat e shkëlqyera të ByteDance.

Por në këtë skenë të çuditshme politike, nuk ka munguar hipokrizia. Administrata e kaluar ka shprehur shqetësime për sigurinë e TikTok-ut, por tani po lufton për të mbrojtur të njëjtën platformë për arsye se do të forconte Meta-n. Në këtë absurditet të rrethuar nga konspiracione dhe politikë partiake, historia e Trumpit si “mbështetës i Tik Tok-ut” është një tjetër kapitull në librin e tij të çuditshëm. Në fillim, ai shfaqej si një luftëtar i zjarrtë kundër aplikacionit, duke e quajtur atë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Por, tani, në mënyrë të pabesueshme, ai po e mbron aplikacionin si një kampion i lirive të komunikimit.

Për Trumpin, politika është gjithmonë e përqendruar në përdorimin e medias dhe platformave sociale për të mbajtur kundërshtarët nën kontroll. Një aplikacion si “Tik Tok”, i cili ka potencialin për të shpërndarë informacione të paparashikueshme, mund të jetë një mjet i fuqishëm për të komunikuar mesazhet e tij. Në një farë mënyre, ai po përpiqet të përdorë kundërshtarin e tij tradicional, “Facebook”-un, për të bërë një këmbim. Tani, në vend që të godasë Facebook-un, ai po e promovon atë si një alternativë të mirë për Tik Tok-un, duke e kthyer rrjedhën e politikës së tij në një labirint të pazakontë.

Ndryshimi i qëndrimeve politike është më i shpejtë se një video TikTok- u . Edhe kjo shpjegon pse krijuesit e TikTok-ut shkuan për terapi? Sepse u ndjenë të zënë gjer në “byte”-sized nga likes and followers!

Në fund të fundit, megjithatë, në këtë lojë të politikës së madhe, qytetarët amerikanë janë ata që kanë ndjerë rëndë peshën e saj. Aplikacionet e tyre të dashura të mediave sociale janë bërë një fushë lufte e hapur mes dy fuqive globale.

Në këtë komedi absurde, adoleshentët luajnë role si të gjithë piktorë të mjedisit virtual që janë. Njëkohësisht, prindërit përpiqen të kuptojnë çfarë lloj magjie ka ky aplikacion që i bën fëmijët e tyre të ndihen si superstarë për një moment.

Ndërsa adoleshentët përballojnë tensionin midis dëshirës për të qenë të famshëm në internet dhe ankthit për të mos përballuar të vërtetën e pasqyrës, ata përpiqen të mbajnë fytyrën e tyre të freskët përpara kamerave. Por çdo ndeshje me realitetin vërtetë duhet të ndahet me një montazh të shpejtë dhe një të qeshur të forcuar për të mbajtur të ftuarit e tyre në mënyrë që të ndjehen si në një emision të vogël televiziv. Në fund, të fundit duke humbur vetveten në valën e ndjekësve dhe komenteve, ata rrezikojnë të harrojnë se cilat janë vlerat e vërteta të miqësisë dhe identitetit, sa në një shkollë i hoqën të gjithë pasqyrat e tualetit.

Por, e vetmja pyetje që duhet të kemi është: sa do të zgjasë ky pasion për spektakël të shpejtë? A do të arrijmë të gjejmë kohë për të ndalur, menduar, për të qenë vete, jashtë ekranit të telefonit tonë? Nuk e dimë ende. Por deri atëherë, ne vazhdojmë të “swipe”-ojmë nëpër botën tonë virtuale, duke u kapur në rrethin e pavdekshmërisë së shpejtësisë 15-sekondëshe.

E me humor të mprehtë, ne kujtohemi se jeta nuk është një përqindje e pëlqimesh dhe ndjekësish; ajo është përvojë, lidhje dhe një proces i gjatë i zhvillimit personal. Dhe kushedi, ndoshta na duhet të kemi një filtër dhe për atë. Dhe sa për ta mbyllur.

Po pse shefi i guzhinës kineze nuk përdor vetë Tik- Tok?

Sepse ai ka një recetë 100-vjeçare virale, me “wok”!

Filed Under: Analiza

DO T’I MBETEMI PËRHERË BORXH TEODOR VASOS!

March 18, 2024 by s p

Tedi Blushi/

Një prej yjeve më të shndritshëm të futbollit korçar dhe kombëtar, mjeshtri Teodor Vaso nga sot do të shkëlqejë lart në qiell, krah yjeve të pashuar korçarë si Pilo Qirinxhi, Teli Samsuri, Tato Bimbli, Veteran Topçiu e shumë të tjerë, që nuk janë më midis nesh, por kujtimi i të cilëve do të mbetet i paharruar.

Largimi në jetën e përtejme i legjendës së “Skënderbeut”, “Partizanit” dhe Ekipit Kuqezi është përjetësim i arritjeve të tij të jashtëzakonshme dhe trashëgimisë të vyer sportive që la pas.

Në qytetin, ku lindi, rriti dhe perfeksionoi talentin e spikatur sportiv, Teodor Vason e njihnin të gjithë, sapo t’a shihnin apo t’ia dëgjonin emrin!

Ai ishte dhe do të mbetet Krenaria e Korçës!

Kampion në futboll dhe kampion i qytetarisë korçare, ai do të kujtohet me respekt për gjithçka bëri për të lartësuar emrin e qytetit dhe flamurin kombëtar në arenat më prestigjioze sportive botërore.

Falë cilësive njerëzore, aftësive dhe dhuntive të rralla sportive, shpirtit të lartë të garës dhe sakrificës, por edhe karakterit, forcës morale dhe vlerave qytetare, si mësues dhe trajner i përkushtuar i brezave të futbollistëve të rinj, Teodor Vaso ishte Yll jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

Si futbollist profesionist i stilit modern, që revolucionarizoi në vitet ’60-’70 rolin e mbrojtësit të krahut duke e transformuar atë edhe në sulmues taktik, ai mund të luante dhe të shkëlqente në çdo skuadër elitare europiane të kohës.

Personalitet i padiskutuar në fushën e blertë, me teknikë racionale, mbrojtës i kompletuar, i sigurt, luftarak dhe i pakalueshëm, me një konstrukt dhe rezistencë fizike për t’u admiruar, i disiplinuar në veprimet taktike dhe i befasishëm në daljet aktive në sulm, i saktë dhe i ndershëm në ndërhyrje dhe preciz në shënim golash, ai ishte një shembull i madh frymëzimi për brezat e sportistëve të rinj.

Arti i lojës magjike të Teodor Vasos me topin ishte një burim konstant emocionesh të forta për tifozët, duke i mbushur me gëzim dhe optimizëm në një periudhë të errët dhe të vështirë për Shqipërinë e aso kohe.

Pjesë e pandarë një plejade të artë lojtarësh të viteve ’60-’70, ai shkroi së bashku me ta një nga faqet më të ndritura të historisë së futbollit kombëtar, për të cilën i meritoi duartrokitjet dhe nderimin më të madh.

Ndaj dhe ikja e tij pa kthim la pas shumë pikëllim dhe dhembje, pasi të shumtë janë tifozët personalë dhe dashamirësit e tij.

Sidomos pas barazimit historik 0-0 në vitin 1967, të Shqipërisë me Nënkampionen e Botës R.F.Gjermane, tek Teodor Vaso u përshtatën më së miri vargjet frymëzuese: “Lumja ti moj Korçë lule, që le pas shoqet e tua, si trimi në ballë u sule, ta paçim përjetë hua!”.

Sepse i dëmtuar rëndë për rreth 70 minuta, ai qëndroi i pathyer përballë kundërshtarëve gjermanë, si hero i vërtetë, duke u shndërruar në atë kohë në një legjendë të gjallë për shembullin e sakrificës, pasi nuk braktisi ekipin por vazhdoi lojën, duke u skalitur me këtë model frymëzues në memorien sportive kombëtare dhe jo vetëm.

Protagonist në atë ndeshje historike, i paharruari Ramazan Rragami e kujtonte kolegun Vaso duke theksuar se: “Megjithëse Todoja kishte pësuar një traumë të fuqishme, ai qëndroi në lojë, pranë shokëve të ekipit duke u bërë një shembull i sakrificës deri në mbarimin e ndeshjes”.

I madhi Mexhit Haxhiu ka shkruar se “Në ndeshjen e Kupave të Europës, Shqipëri – R.F.GJ 0-0, Teodor Vaso u kthye në personazh historik, protagonist i asaj ‘Ngjarje të Madhe’, jo vetëm për kontributin në lojë, por edhe për sakrificën tij, i dëmtuar rëndë, ai nuk doli nga fusha”.

Ndërsa komentatori i papërsëritshëm, Ahmet Shqarri kujton: “Ngjarja e atij viti të largët 1967 në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ në Tiranë kundër Gjermanisë së famshme të trajnerit Helmut Shën do të mbetet e paharrueshme për të gjithë të pranishmit, por edhe një lloj embleme për Teodor Vason, kur thuajse gjatë gjithë lojës u detyrua të luante i fashuar në pjesën më të madhe të trupit, duke përballuar në një gjendje të pabesueshme shëndetësore atë lojë të suksesshme, që sot e kësaj dite vazhdon të mbetet si një nga mrekullitë e futbollit shqiptar”.

Barazimi historik me R.F.Gjermane në 1967 dhe skualifikimi i saj e futën Shqipërinë e izoluar për herë të parë në hartën e futbollit europian për të vijuar me ndeshjet e “17 Nëntorit” me Ajaksin e shumë surpriza të tjera të pabesueshme më parë.

Për herë të parë brezi i papërsëritshëm i Teodor Vasos, Koço Dinellës dhe shokëve të tyre lanë pas inferioritetin që vinte nga izolimi e prapambetja e regjimit absurd dhe me talentin e jashtëzakonshëm dhe vetëbesimin e tyre i treguan botës se Shqipëria kishte vendin e saj në Europë në futboll.

Vetëm 15 vite më vonë në Trir të Gjermanisë do të përsëritej një barazim historik midis Kombetarëve Shpresa të Shqipërisë dhe Gjermanisë, që jo vetëm do të skualifikonte gjermanët, por do të kualifikonte Shpresën e Shqipërisë me në krye Demollarin në 8 ekipet më të mira të Europës.

Ishte koha kur Shpresa që drejtohej nga trajneri i paharruar Ramazan Rragami do të sillte një Shqipëri jo vetëm sfiduese por edhe fituese.

Ishte pikërisht ky trajner i madh i cili kishte qenë protagonist i Kombëtares të barazimit historik me R.F.Gjermane në 17 dhjetor 1967 si titullar në fushën e blertë.

Ishte kjo Shpresë që solli një Kombëtare tjetër e cila mundte Belgjikën, barazonte me Poloninë dhe synonte të kualifikohej në botëror.

Gjatë karrierës së pasur futbollistike, legjenda Teodor Vaso shënoi 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ishte përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombëtare, 18 ndeshje me Kombëtaren Shqiptare, 15 ndeshje me “Partizanin” dhe 3 me skuadrën korçare.

“Për talentin e rrallë dhe cilësitë e jashtëzakonshme si futbollist; për kontributin e spikatur në historinë e ekipit ‘Skënderbeu’ dhe në veçanti si titullar i Ekipit Kombëtar”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e dekoroi me titullin e lartë shtetëror “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Për kontributin dhe trashëgiminë e tij të vyer për futbollin shqiptar, ai i ka merituar më shumë vëmendje institucionale, sidomos nga Qeveria që nuk ia dha kurrë, por edhe nga Bashkia e Korçës që duhet ta shpallë “Qytetar Nderi”, një rruge t’i vendosë emrin e tij ose t’i ndërtojë një bust pranë stadiumit “Skënderbeu”!

Do t’i mbetemi borxh përherë Teodor Vasos, kësaj figure të madhe historike të qytetit të Korçës, që i dha dritë futbollit shqiptar kur vendi ishte në errësirë.

Ndaj rrënjët e sukseseve të sotme të futbollit tonë duhen kërkuar te vlerat e atij brezi të papërsëritshëm të Teodor Vasos me shokë, që e kanë vendin në Panteonin e Nderit e Vlerave Kombëtare dhe që meritojnë vëmendjen dhe nderimin dinjitoz shtetëror.

Filed Under: Sport

Autoriteti i lokaleve

March 18, 2024 by s p

Andon Dede, Nju York/

Ky shkrim për bukën, më kujton Tiranën e dikurshme që kishte disa lokale apo dhe kuzhinierë të njohur që siguronin një klientelë të jashtzakonshme, ndonëse në kushte jo fort komode. Po kujtoj vetëm disa raste. I pari më kujtohet lokali “Tymi”, siç i thoshim ne, se në fakt e kishte emrin “Kosova”, nga fshati me të njëjtin emër i Përmetit, prej nga ishte pronari i lokalit, që shquhej për qoftet e famëshme. Ai quhej Andon Kote, ( jo ai që shkruante e botonte tek “Luftëtari”, por një tjetër ). Lokali linte shumë për të dëshëruar, po të niseshe nga komoditeti dhe paraqitja e jashtëme apo dhe e brendshme, në përgjithësi. Po të mos e dije se si qe, nuk të bëhej të hyje atje. Por i kishte dalë një nam apo opinion i tillë, saqë me vështirësi mund nuk gjeje vende. Sa hyje, të bënte përshtypje tymi që sundonte tërë hapësirën e që i kishte dhënë dhe emrin. Nëpër sallë qenë disa tavolina të zakonshme, nga ato që duhet të qëndroje më këmbë. Por, ato mbusheshin shumë shpejt. Dhe, si zgjidhje, kishin gjetur fuçitë e birrës, atje tek fundi i sallës, teke apo njera mbi tjetrën. Nga një anë nuk kishte gjë më të shëmtuar por, pikërisht aty qëndronte dhe bukuria e orgjinaliteti i tyre. Shërbehej birrë por nuk mungonin dhe pije të tjera. Si meze kryesisht qofte zgare. Unë kam qënë disa herë atje, me shokë e miq dhe jemi kënaqur shumë më tepër se në çdo lokal tjetër luksoz.

            Lokal tjetër, që të tërhiqte vemendjen, qe një mëngjezore apo si punë restoranti ku gatuante Osmani, një tiranas simpatik, flokëkaçurel. Ai gjithashtu qe i famshëm për qoftet që i servirte me pilaf, por dhe për gatime të tjera. Në fillim ai kishte një lokal privat por, kur u shtetëzuar të gjitha, Osmani punoi tek një lokal tek Rruga e Postës, pranë Pazarit të Ri. Megjithëse kushtet e punës e të furnizimit tashmë kishin ndryshuar për keq, por dora e Osmanit ndjehej kudo dhe kontrastonte me gjithë mëngjezoret e tjera. Klientela e tij qe e jashtëzakonshme. Radha fillonte tek lokali i tij dhe përfundonte afër bustit të Avni Rustemit. Kryesisht për pilaf me qofte.

            Lokal tjetër që më kujtohet nga ajo kohë, ka qënë ai i Cile Mukës, në Gjirokastër. Edhe ai për qoftet e famshme që gatuante, që shoqëronin zakonisht rakinë. Cilja, që në mos gabohem qe nga Zagoria, ia kishte marrë aq shumë dorën përagatitjes së qofteve sa që tërhiqte shumë klientë si Osmani e Andoni tek “Tymi”. Kjo e frymëzoi një ditë dhe Dritëro Agollin që botoi një shkrim që pati shumë jehonë:”Cile Muken e kam pranë dhe Kulturën përkarshi”. Aty ai kritikonte veprimatrinë anemike të Shtëpisë apo Pallatit të Kulturës që nuk e përligjte veten sa që njerëzit, siç konstatonte Dritëroi, preferonin më shumë të uleshin tek lokali i Ciles se sa të ndiqnin ndonjë shfaqje apo veprimari tjetër të institucionit kulturor. Vëllai mi, Thanasi, që ka banuar në Gjirokatsër, dhe që i ka shijuar me vite të  tëra rakinë e qoftet e Ciles, më tregonte se sekreti i tij ishte se përdorte erëzat të ndryshme nga mali, sidomos për përballuar mugesën e mishit.

            Më kujtohet se kanë qënë dhe në Elbasan disa lokale të vogla, njëkatëshe, ku shërbehej raki me meze alla-shqiptarëshe, sidomos fërgesë, djathë e salcë kosi; me bukë misri të thekur që të kënaqin shpirtin. Nuk më kujtohet as emri i lokalit e as i mjeshtërave të gatimit, por mua më kanë mbetur në mendje si lokale që të nuk harrohen kollaj.

            Së fundi, dua të ndalem edhe tek një lokal që brezi im nuk e harron kollaj. Është fjala për Kafenën e Maries, në Milot. Ajo qe përherë plot me kalimtarët e rastit që bënin një pushim të shkurtër aty. I kishte dalë aq shumë nami, sa që kur kishim shërbime në Veri, e quanim një kënaqasi të rrallë që do gjerbnim e shijonim kafen e Maries. Më kishte tërhequr vëmëndjen që kur nisa punën së pari në Mirditë, si teknik gjeolog e më pas si gazetar. Nuk mbaj mend që të kemi kaluar aty dhe të mos jemi ndalur tek Kafeneja e Maries. Dhe ajo kishte qënë private në fillim e pas u shtetëzua. Nami që kishte fituar e ruajti klientelen gjatë gjithë kohës. Isha kurioz të depërtoja sadopak e ku qëndronte sekreti i saj. Ndaj, sa herë shkoja atje, ndiqja me vëmëndje procedurën e përgatitjes së kafes nga ajo. Kishte përgatitur një bazament që e mbushte me rërë dhe poshtë, prush i ndezur, me dru apo ymyr. Në xhevze fare të zakonshme teneqeje, hidhte kafen dhe sheqerin, sipas porosisë së klientëve, ujin dhe i fundoste në rërën e nxehtë. Kjo e shpejtonte procedurën: në pak minuta kafet ishin gati. Gjithë sa shihja nuk kishin ndonjë gjë të vecantë. Edhe vetë në shtëpi, kafen turke e përgatisja, pak a shumë, kështu si Marija. Po ku qëndronte atëhere sekreti i saj? Për më tepër që në përgatitjen e kafes ka vetëm tre elementë:kafe, ujë dhe sheqer? Por, edhe në këtë thjeshtësi, ka plot faktorë që ndikojnë. Po radhis vetëm disa: vetë lloji i kafes, mënyra e pjekjes, janë tepër të rëndësishme. Ka një teknikë jo fort  të thjeshtë: kur vjen momenti i pjekjes, fare lehtë mund të të digjet, nëse nuk e largon në kohë; dhe kjo nuk është aq e thjesht po të mos ia kesh marrë dorën. Ka mendime që gjatë pjekjes mund ti shtosh brenda në qebap, ndonjë “ingredient”tjetër. Dikush më pat sugjeruar dyllë blete etj. Ka të bëjë dhe mënyra e përgatitjes: ka që e hedhin që në fillim kafen, sheqerin dhe ujët dhe e lënë të ziejë, sa të marrë valë, siç ma ka mësuar mamaja. Dhe nga përvoja ime më se gjysmëshekullore, nuk i dalë keq, si për vete dhe për miqtë që kanë pasur rast të shijojnë kafen time. Ka të tjerë që, më parë, ziejnë ujin e pastaj shtojnë në të kafen e sheqerin. Të tjerë, sugjerojnë që pasi të ketë marrë valë, ta presësh më një pikë uji të ftohtë etj.etj.

            Nuk është qëllimi im të jap leksione për kafen por u ndala tek ky shëmbull për të ilustruat temën që nisa: duken gjëra kaq të thjeshta, por ja që nuk janë përherë të tilla. Kanë dhe këto sekretet e veta.

            Po kaloj tani në një shëmbull tjetër. Lexoja para disa kohësh, në një revistë amerikane, një shkrim për lokalin e famshëm të Antoni Athanasit, “Pjer 4”, në Boston, të një gazetari amerikan. Ai e fillonte shkrimin me një pyetje provokuese: “Kur shkojmë për të ngrënë drekë apo darkë diku, ku duhet të ndalojmë: tek lokalet që kanë shumë njerëz që dhe presin apo, për të përfituar kohë, tek ata që nuk ka nevojë të presësh në radhë? Dhe përgjigja e tij, qe e prerë: tek ata që ka shumë njerëz(!). Sakrifica e pritjes shpërblehet me kënaqësinë që do të shijosh më pas(!). Këtë konkluzion ma merr mendja që e ka nxjerrë edhe secili prej nesh, pavarësisht se jo gjithmonë kemi kohën e nevojshme për të pritur etj.

            Mu  kujtua gjithë kjo tek vajtëm në Astoria, të Kuinsit, në Nju York, kohë më parë. Shohim në një vend radhë të gjatë. Interesohemi se përse po prisnin dhe marrim vesh se fjala për lokali “Kiklides”, që për nga emri, presupozohej të qe grek, si shumë të tjerë në atë zonë. Propozova që të zbatonim këshillën e atij gazetarit që na serviri biznesmeni i famshëm shqiptar. Pa e zgjatur, shkuam në lokal tek menaxherja. Na duhej të prisnim rreth një orë. Pranuam, pak si qejfprishur se na u duk kohë e gjatë. Vetë lokali nuk të imponohej për nga pamja. Një gja fare e zakonshme, mbase edhe nën mesataren: një ndërtesë e vogë, me një oborr të mbuluar nga disa pjergulla, në mos gaboj. Po të niseshe nga aparenca e jashtëme, as që e vlente të sakrifikoje. Por, le ta vënë më provë formulën e sugjeruar. Dhe pritëm. Ndërkohë marrim vesh se lokali ka për pronar një shqiptar, Ardian Skenderi, apo Adin, sic e thwrrasin. Kjo na e shtoi edhe më shumë kureshtjen por dhe dëshirën e mirë për të darkuar aty. Njerëzit që prisnin shtoheshin. E, pra, çudi: ç’i tërhiqte në aktë lokal?!

            Kur na erdhi koha, hymë e zumë vend në sallë. Përshtypja e jashtëme prapë po ajo: në një hapësirë të vogël tërë ato tavolina sa mezi lëvizje. Hedh sytë nga kuzhina; dhe ajo fare e vogël.. “Hejdede, thashë me vete, ku qënka sekreti i gjithë që kësaj klientele që s’i jep kohë as të marrësh frymë normalisht?” Më në fund, na erdhi porosia. Harrova të them se lokali ka nëntiutllin:”Prodhime deti”, ndaj dhe ne porositëm peshk. Filluam, më në fund, të hamë. U deshën vetëm pak minuta që të kuptojmë gjithçka: gatim perfekt! Peshk i pjekur në mënyrën më të shijshme që kishim provuar ndonjëherë(!). Ja pra, ku qe sekreti: freskia e peshkut dhe gatimi i tij! E harruam pamjen e jashtë të lokalit apo dhe ngushtësinë e brendeshme. Nuk na erdhi keq as për kohën që pritëm: të gjtha i përligji kënaqësia që na dha darka e shijshme.

————–

P.S. : Më fat të keq, i famëshi Pjer-4, doli nga Beznesi. Jam 100 përqind, se iu ka ardhur keq të gjithëve, por …nuk ia vjen që të zgjatem: logjika i biznesit  bën çudira!

Kurse Adi ka hapur lokal të ri, modern, madje edhe një tjetër në Manhaten.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1089
  • 1090
  • 1091
  • 1092
  • 1093
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT