• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË MBROJTJE TË GJUHËS SHQIPE

February 24, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

(Fragment nga një tekst më i gjatë)

Gjuha shqipe në Shqipëri, përkatësisht në dokumentet zyrtare sigurisht zë një vend të nderuar, por në jetën shoqërore, kulturore, fetare dhe madje akademike, nuk e ka përmasën moderne të studimit të cilën do të duhej ta kishte. Gjuha shqipe në Kosovë jo vetëm nuk e ka vendin e duhur në dokumentet shtetërore për 90% të popullatës e cila e përdorë me shkrim dhe me gojë, po ajo gjithnjë e më shumë po e humb pozitën e saj në dokumentet ndërkombëtare, duke e vënë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë, dhe gjithnjë e më shumë po e humb hapësirën e saj të studimit e mësimit të saj dhe me numrin e orëve në institucionet shkollore. I është dashur një kryengritje e armatosur dhe i janë dashur shumë beteja politike kombëtare e ndërkombëtare popullit shqiptar në Maqedoni, që gjuhën shqipe ta bëjnë gjuhë të përmasave shtetërore, sikur është maqedonishtja, dhe kjo luftë vazhdon pikërisht për zbatimin e sajnë raport me institucionet qendrore dhe rajonale. Një shkallë ngritjeje dhe vlerësimi e përdorimi sot gjuha shqipe ka fituar edhe në dokumentet juridike të shtetit të Malit të Zi e Serbi.

Pas rënies së sistemit komunist përmasa e vlerësimit dhe studimit të gjuhës shqipe u zgjerua edhe në hapësirën Evropiane e Amerikane, pa humbur asgjë edhe në hapësirën Lindore të Globit, përkundrazi duke e zgjeruar përmbajtjen modeste të vendit të saj që e kishte më parë. Gjuha shqipe sot ligjërohet si dije për nxënie arsimore, përkthimi për nevoja administrative, sigurie e diplomacie, si dhe për kërkime shkencore në kontekstin kontrastiv e krahasues, në shumë shtete dhe në shumë institucione shkencore, por gjuha shqipe, Shqipëria dhe Kosova, ende nuk e kanë vendin e duhur të saj në faqet e botimeve shkencore dhe enciklopedike, si kusht i domosdoshëm për pamjen e saj të sotme në botën globale, dhe si kusht i domosdoshëm për Shqipërinë dhe Kosovën në diplomacinë, sigurinë, ekonominë dhe perspektiven e përbotshme.

Nëse pamja, përkatësisht vendi i gjuhës shqipe dhe vendi i Shqipërisë dhe Kosovës në botimet enciklopedike kombëtare dhe ndërkombëtare është posaçërisht i zbehtë dhe posaçërisht i varfër e shqetësues, ky sigurisht nuk është vetëm faji i institucioneve dhe editorëve të këtyre botimeve, ky është faji i institucioneve tona shkencore, të cilat ende nuk kanë botuar vëllime enciklopedike në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, që botuesve nëpër botë tu ofrojnë informacione të sakta dhe të plota.

A nuk është kjo një prej arsyeve pse gjuha shqipe të mbrohet edhe me ligj! A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse obligimet ndaj gjuhës shqipe, njohjes, dokumentimit dhe obligimeve që kemi ndaj saj t’i bëjmë të ligjshme dhe të obligueshme për institucionet tona kërkimore dhe shkencore.

Gjuha shqipe dhe korpusi i fjalësit të saj, ashtu si edhe atdheu ynë, kufijtë e tij, qytetarët dhe institucionet, janë vlerat më domethënëse që historikisht ka trashëguar populli shqiptar. Prandaj përdorimi i saj, sa më pak i cenueshëm nga gjuhët dhe fjalët e huaja, është detyrë jona dhe obligim për ta bartur atë te trashëgimtarët tanë.

Në Republikën e Kosovës dy dekadat e fundit janë miratuar nga institucionet ndërkombëtare dhe shtetërore shumë ligje dhe rregullore që të bëjnë të mendosh sikur i kemi kryer të gjitha punët dhe sikur të mos ishim shteti që ka më së paku ligje në rajon dhe Evropë. Në Kosovë mund të gjesh rregullore për mbrojtjen e kafshëve nga rrahja e barinjve (Komuna e Prizrenit) dhe Ligj për bletari (shih, Kuvendi i Kosovës, Ligji Nr. 02/L-111), por gjuhëtarët e Kosovës prej shumë kohësh kapin kokën me të dy duart, duke dialoguar e duke monologuar në televizionet dhe mediat e Kosovës në lidhje me propozimin e ligjit për mbrojtjen e shqipes standarde:

Çka do të shkruajmë në atë ligj?

Si do të duket ai ligj?

Kush do të dënohet me atë ligj?

Si do të flasim pas miratimit të atij ligji apo do të kthehemi në një popull memec!

Si do të flasim në institucione, në kafene, në rrugë e sidomos në shtëpi?

A do të guxojmë të ligjërojmë ne gjuhëtarët në universitete e në shkolla me shqipen standarde apo me gjuhën e nanës!

A do të arrestohemi në rrugë nga policia tek flasim me kolegët në dialekt, në variant, në të vërtet në slleng!

A do të na përgjojnë spiunët e gjuhës pranë dritares tek u themi nënave tona nanë e jo nënë!

Kuku nanë, kuku nanë, kuku nanë!

A nuk është kjo arsyeja pse gjuha shqipe si dhe atdheu e kufijtë e tij, duhet mbrojtur me ligj!

Me gjuhën standarde, në të vërtetë në shqipen standarde, populli shqiptar kudo dhe kurdo sot përshkruan të drejtat dhe obligimet e tij qytetare, kushtetuese dhe ligjore ndaj pasurisë materiale që e rrethon dhe ndaj pasurisë shpirtërore me të cilën mbahet përballë të tjerëve. Me gjuhën standarde shqiptarët përshkruajnë ligjet dhe Komentarin e tyre, dokumentet e marrëveshjeve ekonomike, dokumentet e marrëveshjeve diplomatike dhe të sigurisë kombëtare e globale, vademekumët mjekësorë etj.

A nuk do të kërkonte ligji për gjuhën edhe zbatimin e tyre me terminologji shqipe e nocione të kuptueshme së pari për institucionet shtetërore dhe popullatën që është e obligueshme ta zbatojë marrëveshjen, në vend se të nënshkruajnë marrëveshje të kësaj natyre fillimisht në gjuhën angleze në Bruksel, në mënyrë që pas përkthimit të saj në Prishtinë, të dalë një mesazh i tjetërsuar dhe i dëmshëm për institucionet tona shtetërore.

A nuk do të kërkohej pastaj që institucionet tona të pajisen me Fjalorë bashkëkohorë terminologjikë të fushave përkatëse dhe administrata jonë të arsimohej në mënyrë komplementare me dijet bashkëkohore në fushë të kulturës gjuhësore, dhe në raport me kolegët e tyre evropianë në fushë të dijes bashkëkohore në fushat përkatëse.

A nuk do të kërkohej prej institucioneve arsimore që të përgatisnin programe profesionale për kulturën e gjuhës standarde dhe nivelin profesional të ligjërimit dhe përdorimit me shkrim të stilit administrativ, juridik, tekniko-shkencor, mjekësor, politik e diplomatik, prej të cilës do të krijohej edhe një dokumentacion i qartë dhe kredibil i pasurisë sonë private dhe publike.

A nuk janë këto vetëm disa prej arsyeve pse përdorimi i standardit në institucionet shtetërore dhe kombëtare duhet mbrojtur me ligj!

Gjuha shqipe është përbërësi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare, e trashëgimia jonë është e mbrojtur me ligj. Në Kosovë gjenden shumë institucione kryesisht religjioze dhe shumë objekte të trashëgimisë së antikitetit ilir, objekte të trashëgimisë bizantine, të trashëgimisë orientale e oksidentale, mesjetare e të kohës së re, të cilat janë të mbrojtura me ligje vendore dhe madje ndërkombëtare. Për shkak se ato institucione religjioze apo kulturore nuk i kemi identifikuar, përkatësisht emërtuar me gjuhën a terminologjinë e duhur, shumë prej tyre në dokumentet e administratës sonë dhe në dokumentet e diplomacisë, përkatësisht trashëgimisë ndërkombëtare kanë marrë konotacione të ndryshme dhe madje kanë përfituar statuse të ndryshme, sikur ato të mos ishin objekte të trashëgimisë sonë, por e trashëgimisë së fqinjëve, përkatësisht popujve të tjerë, sado shqiptarët shumë herë ato i konsiderojnë objekte të kultit të tyre pagan dhe objekte të një periudhe të largët të trashëgimisë evropiane të tyre. Një gjuhë historike sikur është gjuha shqipe dhe një gjuhë standarde e përdorur drejt me termat e nocionet shkencore që i zotëron sikur është gjuha shqipe, e përdorur drejt dhe saktë në komunikimin ndërkombëtar nuk do t’i linte këto objekte jashtë sistemit tonë, përkatësisht jashtë thesarit tonë kulturor me përmasa sa kombëtare aq edhe ballkanike, evropiane e globale.

Evropa sot në një mënyrë përfaqëson një entitet transnacional dhe mbinacional, përcjellur nga shumësi të rëndësishme vlerash, të projektuara nga etërit e kësaj ideje, filozofët, shkrimtarët e intelektualët anglezë, gjermanë, francezë, italianë, spanjollë etj. Ndërsa psikologu, semiotisti dhe indoevropianisti rus V.V. Ivanov këtij parimi të njohur i jepte përmasa universale: “Çdo gjuhë është një gjedhe e universit, një sistem semiotik i të kuptuarit të botës, dhe nëse kemi 4000 mënyra të ndryshme për të përshkruar botën, kjo na bënë më të pasur. Duhet të përkujdesemi për ruajtjen e gjuhëve ashtu siç përkujdesemi për ekologjinë. (V. V. Ivanov, Recontructing the Past, 1992, f. 4, sipas Eko, 2008, f. 328)

A nuk është kjo arsyeja e domosdoshme pse gjuha standarde e komunikimit tonë me shkrim dhe me gojë në institucionet tona shtetërore, arsimore dhe publike duhet të mbrohet me ligj!

Zhvillimet e fundit në fushë të teknologjisë kanë bërë që të zhvillohen më shumë dhe më shpejtë disa fusha të gjuhësisë. Lëvizjet globale, emigrimi dhe turizmi, bashkëpunimi tregtar dhe kulturor ka bërë që në plan të parë të dalë zhvillimi i leksikografisë dy e më shumë gjuhësore dhe mësimdhënia e gjuhëve të mëdha, sikur është gjuha angleze, gjermane, italiane dhe franceze e spanjolle. Shqipja hyn ndër ato gjuhë që dekadat e fundit ka bërë shumë dhe ka pasur një komunikim e zhvillim të dendur në këto dy fusha, por krahas zhvillimit të teksteve e doracakëve për mësimdhënien e gjuhëve të huaja nga shqiptarët, dhe krahas zhvillimit të doracakëve dygjuhësorë e shumëgjuhësorë të shqipes me gjuhët tjera dhe anasjelltas, koha është të zhvillojmë dhe standardizojmë përgatitjen dhe botimin e doracakëve për mësimin e shqipes standarde për brezin e ri të emigrantëve shqiptarë dhe përgatitjen dhe botimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme për administratën shtetërore të shteteve shqiptare dhe institucionet arsimore të shkollave shqipe.

Zhvillimet e reja në vend dhe në botë diktojnë jo vetëm ekonomizim fjalësh, por edhe ekonomizim tekstesh, e kjo do të thotë tekste të shkarkuara sa më shumë nga karakteri akademik i njohjes dhe i të nxënit të gjuhës, të përshtatura për brezin e ri. Me logjikën e fajit të përhershëm ndaj sistemit politik që mbizotëronte në periudhën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe(1972), me logjikën e fajësimit të shqipes standarde, si sistem i pamundshëm i të nxënit, ne mund të arrijmë vetëm tek koncepti i Çomskit për ndërtimin e “gjuhëve të panxëna”, gjuhë që nuk mund të kapen nga aftësia gjuhësore, sepse në çdo rast kjo e fundit do të bënte zgjidhje të gabuara (Shih, Çomski, 2007, 150). Brezi i ri duhet të mësojë gjuhën që i duhet dhe jo gjuhën që duhet ta dijë. Kjo do të thotë një drejtshkrim të ekonomizuar për nxënësit, studentët, qytetarët. Siç do të shprehej Martine, “Ligji, sa më pak mundim për një qëllim të caktuar vlen edhe për gjuhën” (Martine, 2020, 149). Drejtshkrimi i sotëm i gjuhës shqipe është botuar vetëm për lektorët dhe specialistët e gjuhës, por jo edhe variante të tjera për nxënësit, mësuesit, specialistët e dijeve jogjuhësore”.

Le t’i referohemi së fundi një përcaktimi të Profesor Shefki Sejdiut, mbi raportet e gjuhës shqipe me zhvillimet globale në fillimet e tij: “zhvillimi i hovshëm i shkencës dhe teknikës e krijimi i marrëdhënieve të reja shoqërore në plan kombëtar e ndërkombëtar, bënë që jeta dhe sjelljet e nje-riut të ndërrojnë kualitativisht. U krijuan një botë e ha¬pur dhe shoqëri të hapura, ku komunikimi midis njerëzve, po¬pujve dhe kulturave u bë i domosdoshëm, andaj edhe gjuha si mjet komunikimi par excellence do të duhej t’i përcillte këto zhvillime shoqërore dhe, konform di¬na¬mi¬kës së tyre, të gjente forma shprehëse për ta pasqyruar në më¬nyrë sa më të përshtatshme e racionale këtë realitet. Kjo shpre¬hje e këtij realiteti ka mundur të bëhet efikase vetëm pë¬r¬mes proceseve normizuese e standardizuese të sis¬te¬me¬ve, të nënsistemeve e të strukturave gjuhësore mbi baza të pë¬rvojës dhe kërkesave të njeriut. Këto baza, mbi të cilat nje¬riu e mbështet përvojën e vet janë natyra, ku¬l¬tu¬ra dhe civilizimi, entitete te të cilat vërehen raporte re¬lacionale, që, shikuar nga aspekti kognitivo-kontekstual dhe semantiko-referencial, do të përkonin me natyroren, ku¬lturoren dhe civilizuesen, kurse nga aspekti sistemor-komunikativ do të përkonin me gjuhën /në kuptimin so¬sy¬rian/, me gjuhën letrare dhe gjuhën standa¬r¬de, sisteme që shprehin shkallë të ndryshme normativite¬ti. (Sejdiu, 2002, 107-108). Profesor Sejdiu, me këto parime në të vërtetë u përgjigjej koncepteve të psikologut zviceren Zhan Piazhe, për të cilin “gjuha është një institucion kolektiv” (Piazhe, 1979, 278)

Kryeredaktori i revistës franceze Esprit (Fryma), dhe personalitet me ndikim në lëvizjen panevropiane, Zhan Mari Domanek në prag të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së sistemit komunist, pati caktuar dhjetë parime me të cilat duhej ndikuar kultura franceze në kulturën evropiane, prej të cilave pesë të parat i takonin gjuhës dhe mësimdhënies. A nuk janë konceptet e tij një model i mirë edhe për ndërtimin e koncepteve dhe parimeve se si të mbrojmë gjuhën shqipe brenda rrethanave të reja të krijuara në këtë periudhë pasglobaliste. (Domanek, 1990, 145-146)

Bartës të këtyre dy projekteve do të mund të ishin Instituti i Librit Shkollor, një institucion i formatit të madh kombëtar, rëndësia e të cilit sot është më e madhe se rëndësia e secilit prej Universiteteve Publike që kemi hapur nga Gjirokastra deri në Mitrovicë, prandaj cilido prej tyre po të shndërrohej në Institutin e Librit Shkollor do të kishte funksionin kombëtar më të rëndësishëm se Universiteti i qenë aty. Po kështu mund të thuhet edhe për Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, e cila për nga rëndësia mund do të tejkalonte interesat dhe vlerat kombëtare të dy akademive dhe instituteve albanologjike që kemi në Tiranë e në Prishtinë, Shkodër, Shkup etj.

Këtu, në Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, do ta kishte vendin edhe Thesari i trashëgimisë gjuhësore, materiale e shpirtërore të popullit shqiptar dhe Komisioni i Mbrojtjes së Shqipes Standarde me ligj.

Dhe, a nuk është kjo një prej arsyeve që ligji për gjuhën të miratohet e të funksionalizohet në të mirë të trashëgimisë së popullit shqiptar e në të mirë të vetë gjuhës si thesar yni i vetëm.

Filed Under: Opinion

Narracioni i justifikimit të sulmit terrorist të Serbisë në veriun e Kosovës

February 24, 2024 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

Është e vërtetë se Beogradi dhe Moska që nga paslufta mbrojnë qëndrimin se Kosova që nga nxjerrja jashtë e Serbisë në qershor të vitit 1999 është shkatërruar dhe se aty mbretëron korrupsioni, grupet islamiste dhe se Kosova ka krijuar kushte të papërballueshme jetese për serbët në Kosovë dhe se tash po ushtronin “sulme të përhapura dhe sistematike ndaj civilëve serbë”.

Pjesë e këtij narracioni është edhe justifikimi i përfshirjes së Beogradit në agresionin serioz terrorist në veriun e Kosovës në shtatorin e vjetëm. Tash ky agresivitet shpërfaqet me viktimizimin tradicional të serbëve lokal, një skenar i ngjashëm në Donbasvë, për ta vënë në pyetje ekzistimin e Kosovës shtet duke aluduar te përdorimi i forcës për ta riintegruar territorin.

Ky përshkallëzim i retorikës armiqësore dhe agresive serbe dhe ruse rrjedh nga referenca e përsëritur se Kosova është gjoja territor i “okupuar”. Andaj nuk është e rastësishme referenca e Vuçiqit për rikthimin me forcë të Nagorni Karabahut nga Azerbejxhani, i cili kishte qenë nën kontrollin e armenëve që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e deri më 2003. Ky diskurs nuk është i rastësishëm, por kopje e platformës politike të “botës ruse”.

Këtë sfidim serbo-rus të Kosovës si shtet e shohim edhe në artikullin e para 4 viteve, në qershor të vitit 2020, i publikuar në disa gjuhë të huaja, ku kërkohet po ashtu që Gjykata Speciale të marrë vendime sa më shpejt ndaj “kriminelëve” të UÇK’së. Shpeshherë, pas pavarësisë, armikun e jashtëm e kemi zëvendësuar me hapjen e një fronti të ri politik, ai i luftës së brendshme. Ndoshta më lehtë po duket, lufta kundër armikut të jashtëm sesa krijimi i një shteti dhe shoqërie moderne. Kemi një zell të madh për ta luftuar “armikun e brendshëm”.

Filed Under: Analiza

Trump u thotë transmetuesve fetarë se do të mbrojë krishterimin kundër kërcënimeve nga e majta

February 24, 2024 by s p

Rafael Floqi/

NASHVILLE, Tenn. (AP) – Ish-presidenti Donald Trump premtoi të përdorte një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë për të mbrojtur vlerat e krishtera dhe madje sugjeroi se do të mbronte ikonografinë qendrore të besimit, duke paralajmëruar një kongres të transmetuesve fetarë të enjten mbrëma se e majta dëshiron “të rrëzojë kryqe”.

“Mos harroni, çdo regjim komunist gjatë historisë është përpjekur të shkatërrojë kishat, ashtu si çdo regjim fashist është përpjekur t’i bashkojë dhe t’i kontrollojë ato,” u tha Trump qindra të pranishmëve brohoritës në Konventën Ndërkombëtare të Mediave të Krishtera të Mediave të Transmetuesve Fetar Kombëtar në Nashville. . “Dhe, në Amerikë, e majta radikale po përpiqet t’i bëjë të dyja.”

“Ata duan të rrëzojnë kryqe ku të munden dhe t’i mbulojnë me flamuj të drejtësisë sociale”, shtoi Trump. “Por askush nuk do të prekë kryqin e Krishtit nën administratën Trump, ju betohem.”

Komentet e Trump pasqyrojnë përqafimin e tij të nacionalizmit të krishterë, një besim që është i fuqishëm në mesin e ungjillorëve konservatorë të cilët thonë se themeluesit e SHBA synonin që vendi të ishte një komb i krishterë. Disa ithtarë besojnë se Kushtetuta e SHBA-së është frymëzuar nga Zoti dhe se qeveria federale duhet ta shpallë SHBA-në një komb të krishterë, të mbrojë vlerat e krishtera ose të ndalojë zbatimin e ndarjes së kishës nga shteti.

Trump thotë se ai mbështet fuqimisht IVF pasi vendimi i gjykatës në Alabama ushtron presion të ri mbi republikanët. Trump është i favorizuar në zgjedhjet paraprake republikane, ku fusha dikur e mbushur me njerëz është zvogëluar vetëm tek ai dhe ish-ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley. Mbledhja e mediave të krishtera, ku sponsorët shpërndanë kapele bejsbolli te bardha dhe kuq, me të shkruar “Make America Pray Again”, ishte një territor jashtëzakonisht miqësor për ish-presidentin, fjalimi i të cilit shpesh ndihej më shumë si një tubim sesa një fjalim i qetë në kongres. “E majta po përpiqet të turpërojë të krishterët”, tha Trump. “Ata po përpiqen të na turpërojnë. Unë jam një i krishterë shumë krenar.”

Trump e ngriti turmën në këmbë në mënyrë të përsëritur dhe shpesh mbrojti rekordin e tij për abortin, duke përfshirë emërimin e tre gjyqtarëve konservatorë të Gjykatës së Lartë që ndihmuan në rrëzimin e vendimit Roe kundër Wade. Por ai veçanërisht nuk përmendi vendimin e Gjykatës së Lartë të Alabama që ka shtyrë ofruesit atje të ndalojnë fekondimin in vitro pasi gjyqtarët vendosën që embrionet e ngrira mund të konsiderohen fëmijë sipas ligjit shtetëror.

Fushata e rizgjedhjes së Presidentit Joe Biden lëshoi një deklaratë të zbrazët për këtë çështje të enjten vonë, duke ironizuar vëmendjen ndaj mungesës së reagimit të Trump ndaj “vendimit IVF të Alabamës për të cilin ai është përgjegjës”.

Në vend të kësaj, Trump përdori fjalimin e tij për t’u mburrur se ai kishte përdorur mandatin e tij të parë për të bërë “më shumë për të mbështetur lirinë fetare se çdo administratë në histori”.

“Entuziazmi për këto zgjedhje që vijnë në nëntor është shumë më i madh se sa ishte në vitin 2016 apo 2020”, tha ai. “Shumë më e madhe, nuk është as një garë.”

Tennessee mban paraprakisht, më 5 Mars, Super të Martën kur shumë shtete anembanë vendit votojnë dhe mund ta çojnë Trumpin në majë të pretendimit të nominimit republikan.

Disa liderë fetarë fillimisht hezitonin të qëndronin pas Trumpit me shumë divorce kur ai kandidoi për herë të parë për president në vitin 2016, por tani ata janë ndër bazën e tij kryesisht besnike “Make America Great Again”.

Kjo përkundër një historie personale që është bërë më e kontrolluar vitet e fundit, përfshirë Trump që është paditur në Nju Jork në lidhje me pagesat e parave të heshtura që i janë bërë një aktoreje pornografike në përpjekje për të mbuluar një lidhje jashtëmartesore.

“Kur ai doli në skenë, njerëzit ishin skeptikë,” tha Troy Miller, president dhe CEO i Transmetuesve Fetar Kombëtar. “Por unë mendoj se, ndërsa ata kanë mësuar më shumë dhe kanë dëgjuar të fliste Donald Trump, e vetmja gjë që dëgjoj gjatë gjithë kohës nga njerëzit … është se ata me të vërtetë ndihen sikur Donald Trump i kupton ata dhe kjo është lidhja më e madhe që njerëzit bëjnë është , “Ky është një djalë në politikë që na merr, që na kupton, që nuk flet si elitar dhe flet poshtë me ne.”

Filed Under: Analiza

Thjeshtë, teori

February 24, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë shkencëtarë e kundërshtojnë teorinë e evolucionit. Teoria “darviniane” nuk ka qenë teori funksionale për shumë kohë. Teoria përfshin vëzhgimet e Darvinit rreth seleksionimit natyror, por gjithashtu përfshin përzgjedhjen mutacionit, trashëgiminë, rrjedhën e gjeneve, zhvendosjen gjenetike, transferimin horizontal të gjeneve, ADN-në, pra gjithçka që është zbuluar në 164 vitet e fundit që kur Darvini botoi “Për origjinën e specieve”.

Teoria është praktikisht e papërshkueshme (sipas përkufizimit, një teori nuk është kurrë plotësisht e papërshkueshme – ekziston gjithmonë një mundësi për rregullim të imët, kushte shtesë ose për t’u hedhur plotësisht poshtë, nëse provat e tregojnë këtë).

Teoria e Darvinit është themeli i mjekësisë moderne dhe i të gjitha shkencave të jetës. A shkoni te mjeku kur jeni të sëmurë? A merrni ilaçe, apo vaksina? Kjo, falë Darvinit.

Pra, teoria e evolucionit përshkruan dhe shpjegon faktin e evolucionit. Në vetvete është një fakt i padiskutueshëm. Mund të shihet. Ndodh. Është njohur për më shumë se 2500 vjet. Nuk ka asnjë argument, përveç nëse doni të argumentoni se realiteti në vetvete nuk është i vërtetë, dhe ne jetojmë në një simulim kompjuterik.

***

“Makroevolucioni” – është një fjalë e pakuptimtë, por për hir të argumentit do ta trajtojmë sikur të nënkuptojë ndryshime në shpërndarjen e tipareve të dukshme ose sistematike, në krahasim me “thjesht” ndryshime. Dihet nga analiza e gjerë e ADN-së se e para është specia mëmë e së dytës. Kështu mund të tregojmë “mikroevolucionin”, pra ndryshime në shpërndarjen e gjeneve. Ka vetëm evolucion, nuk ka “mikro”, “makro”, “meso” apo ndonjë parashtesë tjetër me origjinë greke që tingëllon nga shkenca që fillon me shkronjën M.

Filed Under: ESSE

Fate Velaj, artisti, shkrimtari dhe njeriu “universalis”

February 24, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Njeriu është “homo sapiens” që do të thotë: qenie inteligjente. Por ndër ne lindin e jetojnë edhe “homo universalis” qenie universale, polimathë. Njerëz të tillë e kanë gjenezën nga një vendndodhje gjeografike por që kurrë nuk kanë një vendmbërritje, pasi janë qytetarë të botës, frymorë të jashtëzakonshëm të cilët mbajnë mbi supe barrën e epokave, përçojnë artin, dijen, fjalën dhe përvojën njerëzore, si të shkuar ashtu edhe të pandodhur, gardianë të portave hyrëse në terrina yshtjeje e dimensione të paperceptuara mendimi e krijimi. I tillë është Fate Velaj i cili me artin, penën dhe konceptet e tij tejkohore e mishëron më së sakti “homo universalis.” 

Vdekatarët vlerësohen kryesisht për çfarë bëjnë e rrallëherë për çfarë janë. Fate bën dhe është. Ashtu si vetë fjala Art, që kuptimin më të saktë e ka nga gjermanishtja “kunst” që do të thotë Plotësi, edhe Fate Velaj është plotësi. Art që merr frymë e që shpaloset përmes pikturës, letërsisë, fotografisë dhe mjeteve krijuese që lidhin shtete, kultura, kontinentë, kohë dhe botë.

Kjo nuk është një ode për Faten por një impresion, një skicë e një tabloje të pangjyrosur, mbi triologjinë e tij Kreuztanne, e përbërë nga romanet: Kreuztanne, Nilkon dhe Itaka. Një triptikë fjalësh, një triologji porsi një ditar, ku autori të fton për një shëtitje në një lokacion pa emër e pa kohë, e të tregon rrjedhën e jetës së tij, e cila çuditërisht e magjishëm duket se është edhe jeta jote, e madje jeta e të gjithëve. 

Kjo triologji nis me akull e përmbyllet me diell, por sakaq tregohet hollësishëm një udhëtim i jashtëzakonshëm stinësh emocionale e përvojash njerëzore. Fillon me vitin 1991, me Faten emigrant i cili tregon: “Ika më datë 19 korrik për në Pejë të Kosovës, te familja Tigani, për të bujtur tek ata atë natë e të nesërmen, me autobusin e kompanisë ‘Rusolia Tours”, me 100 marka gjermane në xhepin e pantallonave të cilat, që të dukesha më i madh, i kisha veshur dy numra më të mëdhenj, u nisa për Austri.” Atje, u caktua të banonte diku mes maleve të Sankt Antonit, te hoteli Gathaus Kreuztanne, duke nisur një jetë të re, e cila rezultoi gjarpëruese por drejt pedestalit, fillimi i një rrugëtimi që do e afirmonte atë si artist e kurator me ekspozita në Vjenë, New York, Bukuresht, Shkup, Kajro, Brimingham, etj, një ambasador fisnik i forcës përbashkuese që arti i bën kulturave, kombësive, kontinenteve, e madje edhe vetë kohës, siç ishte koncepti “Arti përmirëson kohën”,  i realizuar në shkurtin e vitit 2002 në Vjenë e në maj të po atij viti, në Shkup, me synimin, ashtu siç shkruan ai te triologjia: “si artist të jepja ndihmesën time në përmirësimin e kohës.” Por duke mjekuar me kurën dhe balsamin e artit edhe vurrata reale kombësish përmes ekspozitës “Good morning Balkan” e cila “Do të ndërtonte kështu një rrjet urash shpirtërore që do të lidhnin fort me njëri-tjetrin vendet e Ballkanit të cilët, pak vite më parë, ishin përfshirë nëpër luftëra absurde e kishin përgjakur përrenj e lumenj, fusha e male, fytyra fëmijësh e pleqsh, burrash e grash, duke lënë në hi e flakë shtëpitë e tyre … Një thirrje për zgjimin e rajonit që për vite e vite me rradhë kishte qenë zhgjëndrra e vetvetes.”

Këto ura artistike, sikurse edhe ekspozita “Midis Danubit dhe Nilit”, nisma të cilat përmes penës ai i shpjegon se: “ndërtojnë urat duke i lidhur me njëra-tjetrën qimet e penelave të trazuara me ngjyrat e dala nga shpirti i tyre (artistëve nga vende të ndryshme të botës)”, jo vetëm e zgjuan vëllazërinë njerëzore ndër-kontinentale e universale, por e shtegtuan Fate Velajn në një skërkë të së ardhmes: “Udhëtoja në të ardhmen time. Në vende të ndryshme, ku s’kisha qenë kurrë më parë e ku takoja njerëz që s’i kisha njohur kurrë më parë. Përjetoja situata të tjera, momente ndryshe, ndjenja të reja,” shkruan ai. Një përvojë transcendente e cila rezultoi me akordimin e titullit “Profesor” dhe medaljen e lartë “Kryqi i artë i kalorësit të shkallës I” nga Presidenti i Austrisë, medaljen “Nderim i Republikës” nga Kryeministri i Austrisë, medaljen “Civi Europaeo Preamium” (Qytetar Evropian) nga Presidenti i Parlamentit Evropian, e vlerësime të tjera të panumërta në SHBA, Itali e gjetkë, të cilat e plotësojnë, porsi një film kinematografik, narrativën e pabesueshme të një emigranti të thjeshtë i cili dëgjon britmën e brendshme të artit, dhe nga një spektator në ndenjësen e fundit të sallës në teatrin e jetës, arrin ta përçojë forcën krijuese si një titullar i dalluar mbi skenën e rezervuar veç për ata që bartin titullin “homo universalis.”   

E megjithatë, dallohet qartë te veprat e triologjisë Kreuztanne, se boshti i qenies, i artit, penës, dhe mendimit të Fates është Vlora. Ajo mbetet Itaka e tij: “Mos e hiq Itakën nga sytë, rikthimi yt atje është i paracaktuar dhe mos e merr me ngut udhën, le të zgjasë edhe disa vite më shumë, e të rikthehesh i plakur në ishull, i pasur në kujtime.” “Mos e harro nga u nise!” shkruan ai, jo vetëm për lexuesin por si një kujtesë për veten, “Mos e harro Vlorën. Ajo do të mbetet Itaka jote,” një emblemë shpirti. 

Këto fjalë janë një imazheri e gjallë, tinguj nostalgjie, apo skena përmbullëse të filmave neo-klasik si ato të Giuseppe Tornatore, fjalë që na pëshpërisin në vesh: Rrugëtova sa më shpejt të mundja, sikur po arratisesha nga malli, nga pafajësia, nga ajo. Koha ka kaluar shpejt dhe unë kam dashuruar shumë qytete. Dhe teksa ato më kanë mbajtur afër e nën përqafimin e tyre, duke më pyetur në heshtjen krenare nëse do t’i kujtoj gjithmonë, unë u jam përgjigjur: “Po, do t’ju kujtoj.” Por i vetmi vend që nuk e kam harruar asnjëherë është ajo që nuk më pyeti kurrë… Vlora. Ndaj edhe britma e shpirtit të Fates nuk shurdhet kurrë: “Mos e harro Vlorën.”

Kjo kambanë që tingëllon nga brenda me tinguj modestie na kujton perandorin e shquar romak Marcus Aurelius, i cili, i dashur nga njerëzit e i adhuruar prej tyre porsi perëndi, caktoi një prej skllevërve të tij, që, teksa ai ecte në rrugët e Romës nën brohoritjet dhe përuljen e romakëve, t’i pëshpëriste në vesh perandorit në çdo hap: “Je vetëm njeri. Je vetëm njeri.” Edhe Fate Velaj, me të gjitha arritjet, udhëtimet dhe ekspozitat e tij anëembanë botës, i bindet vullnetshëm zërit të qenies së vet: “Mos harro nga vjen. Mos e harro Vlorën. Ajo është Itaka jote.”

Thuhet shpesh, rëndomë, se dikush ka penë të fortë për të shkruar, ka dorë për të pikturuar, ka sy për të fotografuar, ka gojë për t’u shprehur, etj. Por, e vërteta është që të gjitha krijimet burojnë nga shpirti i thellë, i plotë e i bukur.  Pa qenien, asgjë nuk manifestohet. Pa qenien gjithçka është një mosgjë. Qenia e Fates është vigjilente për të manifestuar përmes fjalës dhe imazhit edhe kujtimet e së ardhmes.

Te pena e tij dallohet se ai është një vëzhgues i mprehtë i natyrës njerezore. Personazhet përshkruhen ne detajet më minimale. Është një antropolog i jetës së njerëzve të zakonshëm. Na mëson që çdo individ per se ka një histori për të treguar, se gjithësecili ka të orkestruar partiturën e jetës së vet, se çdo fytyrë ështe një portret që meriton të ekspozohet në galerinë universale të jetës dhe shoqërisë. 

Fqinjët, kamarierët, takimet e rastësishme me të panjohur, përshkruhen me më shumë intensitet e ndjenjë se personalitete me grada dhe ofiqe te larta. Personazhet e tij janë të skulpturuara me fjalë. Ato na kujtojnë portretet e Franz Xaver Messerschmidt, skulptorit gjermano-austriak, i cili eksploroi gamën e emocioneve, personaliteteve dhe mimikave njerëzore. Atë që Messerschmidt e realizoi në vepra skulpturore, Fate e ka realizuar me letërsi, por madje duke e kapërcyer karakterin personal njerëzor, duke shpalosur mjeshtërisht përmes tyre perfaqësi kulturore e kombësie, siç i gjejmë te boshnjaku, turku, egjiptiani, serbi, rumuni, cifti britanik, vajza arabe, maqedonasi, etj, gjithësecili identifikues i historisë së popullit të vet përmes një a dy rreshtash të koncentruar mrekullisht. Ky minimalizëm goditës dallohet edhe te erosi i veprave të tij: “Vajza po lexonte një libër… La librin mënjanë dhe vendosi syzet e diellit. Nuk isha në gjendje ta shihja se ku e kishte të fiksuar shikimin. Syzet ishin me xham të errët. Të miat po ashtu. Ndoshta po shihnim njëri-tjetrin,” shkruan ai te Itaka, vepra përmbyllëse e triologjisë.   

Në tërësi veprat me shumë personazhe rezultojnë në dështim. Janë lodhës, topitës për lexuesin dhe rraskapitës për vëmendjen njerëzore. Kjo nuk vlen për romanet e Fates. Përkundrazi, kjo dobësi e letërsisë është pika më e fortë e tij. Shoqëruar me qëndrime politike të rrepta e tejet të sinqerta ndaj momenteve historike shumë-kombëshe, triologjia Kreuztanne është një odise e kohëve moderne, një ditar jo vetëm i autorit por edhe të gjithë lexuesve. Në të gjenden të gjitha hapat e pakapërcyeshëm të jetës, LINDJA, si për shembull ajo e vajzës së tij Helena; VDEKJA, si ajo e prindërve dhe e foshnjës së palindur, një përshkrim rrëqethës e tronditës që të le pa frymë; HUMBJA, si në rastin e dëgjimit, moment i vështirë fizik që Fate e përshkruan në mënyrë të goditur e mbresëlënëse: “Iu luta Beethoven-it. I thashë të m’i hiqte zogjtë nga veshi. T’i ulte nëpër telat e të gjitha violinave të orkestrës së tij dhe të këndonin vendçe po të donin. Të m’i linte në zemër. Në shpirt. T’i çonte ku t’i donte qejfi, por nga veshët të m’i hiqte. Doja të dëgjoja fëmijët e mi. Gruan time. Nënën time,” e padyshim edhe MALLI për Itakën e tij, Vlorën, e cila ndihet si simfoni në çdo faqje, e në të gjitha qasjet e autorit, në atë si shkrimtar, fotograf, kurator e piktor: “Mora furçën tjetër, e zhyta thellë në enën e madhe dhe fillova të krijoja disa figura të çuditshme, si të ardhura nga thirrjet në kujtesë të fragmenteve e përjetimeve të situatave imagjinare dhe takimeve të kryera gjatë atyre udhëtimeve të çuditshme, që diku kishin ndodhur dhe ndonjëherë do të vinin në jetën time. I përhumbur mes ngjyrash dhe notash, mes erës së bojërave dhe notave të Beethoven-it, që sapo kishin filluar të dëgjoheshin, përzier me trokitjen e takave të këpucëve që depërtonin nga jashtë dritares, më në fund, u ula përsëri në karrige dhe sodita atë që për gati tridhjetë minuta më kishte përpirë në thellësinë e saj, si gropat thithëse plazheve të Vlorës… Ndihesha vërtet me krahë. Fluturoja mbi blunë e pikturave të mia, si pulëbardhat mbi anijen e Baçit kur kthehej mëngjeseve nga peshkimi.”  

“Kjo është ajo që i mashtron njerëzit,” tha filozofi dhe dramaturgu Jean-Paul Sartre. “Njeriu është gjithmonë tregimtar historish. Ai jeton i rrethuar nga historitë e veta dhe të të tjerëve. Përmes tyre ai sheh gjithçka që i ndodh atij; dhe përpiqet ta jetojë jetën e vet sikur po i tregon ato.” Fate Velaj shkruan atë që jeton, dhe jeton në mënyrë të pakohë të ndodhurën dhe të pandodhurën. Në secilin dimension ARTI, FJALA dhe LIRIA janë konstantet dhe trinia e qenies së tij: Arti i kulluar si përshpirtje për errësirën mendore, fjala si mjet emancipimi njerëzor, dhe liria si kushtrim zgjimi për vëllazërinë universale. 

Për ta përmbyllur me Sartre, “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë” tha ai, “sepse sapo hidhet në këtë botë, ai është përgjegjës për gjithçka që bën. Varet nga ti t’i japësh [jetës] kuptim.” Këtë qasje ekzistenciale e gjejmë të pranishme te veprat e triologjisë Kreuztanne. Në mënyrë të vazhdueshme autori duket se këmbëngul jo vetëm për përgjegjësinë e tij personale për gjithçka që bën dhe kuptimin që i jep jetës, por e përdor edhe si thirrje e ndërgjegjësim edhe për lexuesin. 

“Ka dy mënyra për të mos ndenjur në errësirë: 1. bëj dritë aty ku je, ose 2. dil në diell.,” shkruan ai, duke e parashtruar si postulat për njeriun, pa dallim prejardhje, kulture, gjeografie dhe kohe. “Arti bën ndryshimin. Ndërton urat për komunikim. Pa paragjykime.” Kjo është thirrja e shkrimtarëve dhe e artistëve në tërësi dhe atyre “homo universalis” në veçanti, pasi vdekatarë të tillë janë e mbeten krenarë se nga vijnë por flatërojnë e pluskojnë në hemisfera e largësi si frymorë që udhëtojnë sot në të ardhmen e tyre.  

Letërsia bashkëkohore shqiptare vuan nga sëmundja e trashëguar e provincializmit, e autorësisë vetë-izoluese, e cila vërtitet brenda botës së një kafke ballkanike. Fate shkruan si një qytetar i botës, me lokacione e mendësi ndër-kontinentale, me koncepte emancipuese dhe frymëzuese, ad infinitum, për një audiencë gjithëkombëshe lexuesish. Ai shkruan me peshën e forcës së artit dhe me fjalët e kredhur në spektrin e ngjyrave ende të pazbuluara. 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1127
  • 1128
  • 1129
  • 1130
  • 1131
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT