• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Muzika si art i komunikimit njerëzor

January 17, 2026 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Kur flasim për muzikën, zakonisht themi se ajo na pëlqen, na qetëson, na emocionon. Këto janë përgjigje të vërteta, por jo të mjaftueshme. Si pedagog, unë do të doja t’ju ftoja të ndalemi një hap më thellë dhe të pyesim: çfarë është në të vërtetë muzika që na jep kaq shumë kënaqësi, dhe çfarë kërkon ajo nga ne si dëgjues?

Së pari, duhet ta kuptojmë një gjë themelore: dëgjimi muzikor nuk është një akt pasiv. Kur ne dëgjojmë muzikë, truri ynë nuk është në pushim. Përkundrazi, ai është jashtëzakonisht aktiv. Ai parashikon se çfarë do të vijë më pas, krahason atë që dëgjon me atë që ka dëgjuar më parë, dhe reagon kur pritshmëritë tona përmbushen ose thyhen. Pikërisht këtu lind kënaqësia muzikore: në këtë lojë të vazhdueshme mes pritjes dhe realizimit.

Tani, le të mendojmë për mënyrën se si dëgjojmë sot. Shumica prej nesh dëgjojmë muzikë ndërsa bëjmë diçka tjetër. Drejtojmë makinën, punojmë, shfletojmë telefonin. Muzika bëhet sfond. Dhe unë nuk po them se kjo është gabim. Por duhet të jemi të vetëdijshëm për një gjë: muzika, si art, nuk është krijuar për të qenë sfond. Ajo është art i kohës. Ajo kërkon vëmendjen tonë, sepse ekziston vetëm sa kohë ne jemi të gatshëm ta ndjekim.

Këtu hyn koncepti i dëgjimit të edukuar. Të dëgjosh në mënyrë të edukuar do të thotë të mësosh të ndjekësh rrjedhën e muzikës, të dallosh momentet që kthehen, të vëresh kontrastet, të kuptosh se si një ide muzikore zhvillohet dhe transformohet. Nuk ka nevojë të jeni muzikant për këtë. Duhet vetëm të jeni të pranishëm mendërisht. Dëgjimi i vëmendshëm është, në thelb, një formë disipline intelektuale.

Një nga mjetet më të fuqishme që kemi për ta zhvilluar këtë aftësi është dëgjimi i përsëritur. Mendoni për një vepër që e doni. Herën e parë ju prek emocionalisht. Herën e dytë filloni të vini re detaje. Herën e tretë, filloni ta kuptoni strukturën e saj. Çdo dëgjim i ri nuk është përsëritje; është thellim. Muzika nuk shteron, sepse vetë dëgjuesi ndryshon.

Le të ndalemi pak edhe te interpretimi. Shpesh mendojmë se ekziston një version “i saktë” i një vepre muzikore. Në realitet, çdo interpretim është një lexim i ri. Ndryshimet e vogla në tempo, në dinamikë, në theksim, nuk janë gabime, por mënyra përmes të cilave muzika merr frymë. Prandaj, koncerti i gjallë ka një fuqi të veçantë. Ai na kujton se muzika është një akt komunikimi njerëzor, jo një objekt i ngrirë në letër.

Dhe tani, le të kthehemi tek pyetja fillestare: pse ka rëndësi e gjithë kjo? Sepse mënyra se si dëgjojmë muzikë reflekton mënyrën se si dëgjojmë botën. Të mësosh të dëgjosh me përqendrim është të mësosh të jetosh me më shumë vetëdije. Në një epokë të shpërqendrimit të vazhdueshëm, dëgjimi i vëmendshëm është një akt kulture, madje do të thosha, një akt formimi shpirtëror.

Në fund të fundit, muzika nuk na kërkon asgjë më shumë sesa praninë tonë. Por ajo na shpërblen me diçka shumë më të madhe: me thellim të ndjeshmërisë, me qartësi mendimi dhe me një ndjenjë më të fortë të asaj që do të thotë të jesh njeri.

Filed Under: Kulture

Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria

January 17, 2026 by s p

Artan Nati/

Në Shqipëri, figurat që mendojnë përtej momentit rrallëherë kuptohen në çastin kur flasin. Arsyeja nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e inteligjencës së publikut, por me një kulturë politike, mediatike dhe shoqërore që është e fiksuar pas së tashmes së ngushtë dhe interesit të menjëhershëm.

Diskursi publik shqiptar funksionon me logjikën e urgjencës: kush nuk jep zgjidhje të shpejta, slogane të thjeshta apo armiq të qartë, shihet si i paqartë, elitist ose i shkëputur nga realiteti. Mendimi afatgjatë, reflektimi strukturor dhe paralajmërimi për pasoja që ende nuk duken perceptohen si abstraksione të kota, jo si analiza të nevojshme.

Në këtë kontekst, figura që flet përtej momentit përballet me një keqlexim sistematik. Media e thjeshton, politika e instrumentalizon, ndërsa opinioni publik e gjykon me matës të gabuar: jo sipas vlerës së idesë, por sipas përputhjes me klimën emocionale të ditës. Ajo që nuk prodhon reagim të menjëhershëm, prodhon dyshim. Në Shqipëri, figurat që mendojnë përtej momentit zakonisht lexohen keq në momentin kur flasin. Fan Noli, Ismail Kadare dhe Lea Ypi (ndonëse nuk ka staturën e Nolit dhe Kadaresë) nuk janë të pakuptuar sepse janë “të vështirë”, por sepse shoqëria shqiptare ka pasur gjithmonë vështirësi të dëgjojë zërat që nuk i përkëdhelin mitet e saj.

Fan Noli: Një lider përpara kohës së vet, i keqkuptuar nga të gjithë

Rënia e qeverisë së Fan Nolit nuk ishte thjesht rrëzimi i një kabineti, por dështimi dramatik i një përpjekjeje për ta nxjerrë Shqipërinë nga mesjeta politike. Qeveria e tij u shemb sepse guxoi të mendonte përpara një shoqërie që ende jetonte me instinktet e vjetra të beut, bajraktarit dhe tregtarit të frikësuar nga çdo ndryshim.

Fan Noli erdhi në pushtet me një program që për kohën ishte tronditës: shtet ligjor, reformë agrare, arsim modern, shkëputje nga klientelizmi feudal dhe orientim drejt Perëndimit demokratik. Por Shqipëria e vitit 1924 nuk ishte gati për një revolucion institucional; ajo ishte mësuar me pushtete personale, jo me institucione, me privilegje, jo me barazi para ligjit.

A ishte Noli i keqkuptuar nga shqiptarët? Pa dyshim. Për shumicën e popullsisë, fjalori i tij politik ishte i huaj. Ai fliste për demokraci, moral shtetëror dhe përgjegjësi publike, ndërsa shoqëria kërkonte rend, bukë dhe një dorë të fortë që të mbante ekuilibrin mes kaosit dhe mbijetesës. Në këtë hendek mes vizionit dhe realitetit, Noli mbeti i vetëm.

A ishte ai më i përparuar se populli i vet? Në shumë aspekte, po. Noli përfaqësonte modelin e intelektualit modern europian, të formuar jashtë, me një ndjeshmëri sociale dhe kulturore që tejkalonte horizontin politik të kohës. Por përparësia intelektuale nuk përkthehet automatikisht në fuqi politike. Ai kishte ide, por nuk kishte aparat; kishte vizion, por jo mekanizma force për ta mbrojtur atë.

A ishte Fan Noli komunist? Kjo akuzë ishte më tepër një armë politike sesa një përshkrim ideologjik. Noli nuk ishte komunist në kuptimin doktrinar të fjalës. Ai nuk kërkoi diktaturën e proletariatit, as shpronësime revolucionare sipas modelit sovjetik. Ai ishte një reformator demokrat me prirje sociale, i frymëzuar nga modelet progresiste perëndimore, jo nga bolshevizmi lindor. Por në një shoqëri ku çdo ide për drejtësi sociale shihej si kërcënim, Noli u etiketua lehtësisht si “i majtë ekstrem”.

Në thelb, qeveria e Nolit ra sepse u përball me një aleancë të heshtur: elitën ekonomike që humbiste privilegje, klasën politike që rrezikonte pushtetin dhe një shoqëri që ende nuk kishte ndërtuar vetëdijen qytetare për të mbrojtur ndryshimin. Fan Noli nuk u rrëzua sepse gaboi në ide, por sepse Shqipëria nuk ishte ende gati për to.

Historia sot e lexon Nolin jo si një dështak, por si një paralajmërim: një komb që nuk kupton intelektualët e vet modernë, i shtyn ata drejt izolimit dhe i zëvendëson me autoritarizëm. Dhe ndoshta pyetja e vërtetë nuk është pse ra Fan Noli, por pse Shqipëria vazhdon ende të ketë frikë nga figura si ai.

Ismail Kadare: Shkrimtari i madh i keqkuptuar

Një nga paradokset më domethënëse të jetës kulturore shqiptare është qëndrimi i asaj që quhet “e djathta”, por edhe i një pjese të ish-të përndjekurve politikë, ndaj Ismail Kadaresë. Ata e pranojnë pa hezitim si shkrimtar të madh, madje si figurë themelore të letërsisë shqipe, por njëkohësisht e kritikojnë si “produkt” apo “përfitues” të komunizmit. E vlerësojnë në publik, por punojnë kundër tij në prapaskenë. Ky është një lojë e hapur me dy standarde, që flet më shumë për krizën tonë morale sesa për figurën e Kadaresë.

Në diskursin zyrtar, Kadare quhet “gjeniu letrar”, “zëri shqiptar në botë”, “kandidati i përhershëm për Nobelin”. Por sapo biseda kalon nga lavdërimi formal te analiza politike, nis relativizimi: pse nuk foli hapur? pse nuk u rebelua? pse botohej kur të tjerët burgoseshin? Pyetje që në dukje kërkojnë drejtësi historike, por në thelb shpesh shërbejnë për të ndërtuar një alibi morale për dështimet kolektive.

Ish-të përndjekurit politikë kanë arsye reale për dhimbje dhe zemërim, por problemi lind kur dhimbja shndërrohet në kriter estetik dhe moral absolut. Në vend që të lexojnë veprën si një akt rezistence të koduar dhe të rrezikshme, shumëkush e gjykon Kadarenë me standardin e tribunës politike, jo të shkrimtarit. Letërsia e tij nuk kërkonte të rrëzonte regjimin me thirrje, por ta çmontonte atë nga brenda, duke zbuluar mekanizmat e frikës, mitit dhe bindjes së verbër.

E djathta shqiptare, nga ana tjetër, ka vuajtur nga një kompleks i vjetër: mungesa e figurave kulturore universale. Kadare është shumë i madh për t’u mohuar, por edhe shumë i pavarur për t’u përvetësuar plotësisht. Prandaj ai mbetet figurë e papërshtatshme: nuk mund të rrëzohet, por as të pranohet pa kushte. Kështu lind hipokrizia: në skenë vlerësim, në prapaskenë sabotim.

Rasti i letrave anonime kundër kandidaturës së tij për Nobelin është kulmi i këtij absurdi. Një shoqëri normale do ta kishte parë një nominim të tillë si sukses kombëtar, pavarësisht polemikave. Në Shqipëri, përkundrazi, u aktivizua refleksi i vjetër i vetëshkatërrimit: nëse është i yni, duhet ta rrëzojmë, nëse shkëlqen shumë, duhet ta errësojmë. Jo për parime, por nga frika se mos dikush del mbi mesataren morale të turmës.

Në fund, ky dyzim nuk është konflikt me Kadarenë, por konflikt me veten. Pranimi i tij i plotë do të kërkonte një ballafaqim të ndershëm me komunizmin, me bashkëfajësinë, me heshtjen dhe me zonat gri të historisë sonë. Dhe kjo është ende shumë për një shoqëri që preferon të flasë me zë të lartë për viktimat, por me zë të ulët për përgjegjësitë.

Pse shqiptarët e përdorin Kadarenë si “scapegoat” ose dashi i kurbanit? Një lexim psikologjik i një zakoni kombëtar

Sa herë shoqëria shqiptare ngec në vetëanalizë, një emër del përpara si mburojë dhe shënjestër njëkohësisht: Ismail Kadare. I madh sa për t’u admiruar, i vetëm sa për t’u fajësuar. Në vend që të shërbejë si pasqyrë, ai shpesh kthehet në “kurban simbolik” për mëkatet kolektive të një shoqërie që heziton të përballet me veten.

Së fundi Lea Ypi, me qëndrimin e saj publik dhe largimin nga Shqipëria, nuk zbuloi asgjë të panjohur për këdo që ka lexuar qoftë edhe një faqe histori shqiptare. Ajo thjesht rikujtoi një rregull të vjetër kombëtar: sinqeriteti nuk pritet me debat, por me dyshim, mendimi kritik nuk dëgjohet, por etiketohet dhe kush nuk e përkëdhel sedrën kolektive, shpallet problem. Ironia qëndron në faktin se faji nuk iu faturua kurrë hapur shoqërisë, por gjithmonë individit që guxon të flasë troç. Në narrativën tonë të zakonshme, nuk është populli që refuzon pasqyrën, por pasqyra që paska “gabim këndin”. Lea Ypi nuk u largua sepse ishte shumë radikale, por sepse ishte tepër e qartë. Dhe qartësia, në Shqipëri, është shpesh më e padurueshme se gënjeshtra.

Pse Shqipëria refuzon Nolin, Kadarenë, Ypin dhe përqafon figura të forta pushteti?

Shqipëria ka një paradoks të vjetër dhe kokëfortë: ajo dyshon ndaj mendimtarëve dhe adhuron sundimtarët. Refuzon figurat që problematizojnë ndërgjegjen dhe përqafon ata që e thjeshtojnë realitetin në emra, flamuj dhe pushtet. Fan Noli, Ismail Kadare dhe Lea Ypi nuk janë refuzuar sepse janë të huaj për Shqipërinë, por sepse janë shumë kërkues ndaj saj. Ndërsa drejtuesit e pushtetshëm pëlqehen pikërisht sepse i përshtaten një kulture politike që kërkon autoritet, jo reflektim.

Noli, Kadare dhe Ypi përfaqësojnë traditën e mendimit kritik. Ata nuk ofrojnë zgjidhje të shpejta, por pyetje të vështira. Noli fliste për etikë shtetërore dhe përgjegjësi qytetare në një shoqëri që kërkonte shpëtimtarë. Kadare analizoi frikën si mekanizëm kolektiv, jo si aksident historik. Këto figura kërkojnë një shoqëri që mendon, jo që bindet.

Në anën tjetër, figurat që Shqipëria ka pëlqyer dhe ricikluar vazhdimisht janë figura pushteti. Ata nuk kërkojnë qytetarë kritikë, por ndjekës. Nuk ndërtojnë institucione që funksionojnë pa ta, por sisteme që varen nga prania e tyre. Dhe kjo përputhet në mënyrë perfekte me një shoqëri të lodhur nga pasiguria, që kërkon “dorë të fortë” dhe narrativë të thjeshtë.

Shqipëria nuk ka ndërtuar një traditë respekti për intelektualin kritik. Intelektuali pranohet vetëm kur shërben si dekor i pushtetit ose si justifikim ideologjik. Noli u ceremonializua, por u neutralizua. Kadare u adhurua, por u relativizua. Ypi u sulmua, sepse ende nuk mund të kontrollohet. Ndërsa politikanët pëlqehen sepse janë të lexueshëm dhe të përsëritshëm.

Në thelb, Shqipëria nuk refuzon individë, refuzon modelet që ata përfaqësojnë. Refuzon qytetarin autonom dhe përqafon liderin dominues. Refuzon pasqyrën dhe zgjedh mitin. Derisa kjo të ndryshojë, vendi do të vazhdojë të prodhojë më shumë sundimtarë sesa mendimtarë, më shumë tifozë sesa qytetarë, dhe më shumë histori pushteti sesa histori vetëdijeje. Dhe ky është refuzimi më i madh që Shqipëria i bën vetes.

Që Shqipëria të kuptojë dhe të vlerësojë figura si Fan Noli dhe Ismail Kadare, duhet të ndodhë më pak një ndryshim politik dhe më shumë një kthesë mendore. Këta autorë nuk kërkojnë adhurim, por pjekuri qytetare. Ata nuk flasin për pushtet, por për përgjegjësi; jo për fitore, por për vetëdije.

Filed Under: ESSE

“KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

January 17, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi

“Mbylle RTSH-në!”… 

Le atëherë të kuptojmë se Edi Rama nuk e sheh Shqipërinë si Republikë parlamentare, por si Republikën e Vet Personale, ku televizioni publik është thjesht një studio që nuk po i bindet më regjisë së tij.

Sepse problemi nuk është RTSH është ERT. Problemi është Rama.

Dhe mania e tij që çdo ekran shqiptar të jetë ose i kontrolluar, ose i zhbërë.

Kur një kryeministër ngrihet një mëngjes dhe i shkon në mendje të mbyllë Radio Televizionin Shqiptar—institucionin që ka mbajtur historinë vizuale, zanoren dhe kujtesën e këtij vendi për më shumë se gjysmë shekulli—atëherë problemi nuk është RTSH-ja. Problemi është që pushteti ka filluar të besojë se Shqipëria është një studio private e tij .

RTSH-në nuk e ka rrënuar koha; e ka rrënuar politika. Jo politika e ideve, por politika e privilegjeve, tenderëve dhe mitmarrjeve. E kanë mbajtur me dhè dhe tani thonë: “Pse nuk shkëlqen?” Kanë prerë financimet dhe sot çuditen pse nuk prodhon magji. Kanë hequr aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare nga ekrani i saj, ia kanë dhënë klientëve privatë, e pastaj thonë: “Nuk na pëlqen më RTSH-ja, nuk ka cilësi.”

A thua vallë se cilësia lulëzon në tokën e shkretuar?

Ky institucion ka mbartur festivalet, kampionatin, kombëtaren, Champions  League, Formula 1, simfoninë e vet 60-vjeçare, korin e instrumentistëve elitarë, dhe mbi të gjitha: kujtesën kolektive, atë që s’mund ta blejë asnjë oligark e s’mund ta mbyllë asnjë kryeministër me humor të keq.

Por sot po shohim një skenar të lodhur: dobëso institucionin, shpif ndaj tij, lëre pa mjete, zhvati kompetencat, pastaj thuaj “u desh të mbyllej”. Kjo metodë nuk është reformë—është grusht shteti kundër institucioneve publike.

Dhe në këtë pikë duhet folur hapur:  Mbyllja e RTSH-së nuk do të ishte reformë, por marrëzi kombëtare.

Një komb që mbyll televizionin e vet publik nuk modernizohet—nënshkruan kapitullimin ndaj mediave të klientelizmit.

RTSH-ja është “nëna e medias shqiptare” dhe nënat nuk mbyllen. Të tjerët ndërtojnë muze, arkiva, fonoteka për t’i ruajtur. Ne paskemi kryeministra që duan t’i kthejnë në themele për kulla.

Po pse ky nerv? Pse ky nxitim për ta mbytur? Sepse institucionet publike kanë një ves të keq: nuk shiten dot lehtë. Nuk kontrollohen dot me një telefonatë. Nuk shndërrohen dot në megafon partie. Dhe kur s’të binden, më e thjeshta është t’i shpallësh të “padobishme”.

Është një absurditet që askush në vendet evropiane ku ne tentojmë të hyjmë në BE nuk do ta artikulonte kurrë. Sepse televizioni publik është jo thjesht media e shtetit, por zemra kulturore, arkiva kombëtare, pasqyra e identitetit kolektiv. Ta mendosh mbylljen e tyre do të thoshte të ngresh dorën mbi vetë kujtesën kombëtare. BBC, DW, RAI dhe France Télévisions janë aq të lidhura me shtetin dhe kombin, sa mungesa e tyre do të përkufizohej si katastrofë institucionale.

E tani imagjinoni Shqipërinë pa RTSH-në. Nuk do të ketë më vend për Shqipërinë në Eurovision, sepse vetëm televizioni publik është anëtar zyrtar i EBU-së. Nuk do të ketë më Festival të Këngës, ngjarjen më të vjetër kulturore shqiptare, që ka rritur breza artistësh. Nuk do të ketë më trashëgimi kulturore të transmetuar, nuk do të ketë më simfoni, arkiv, as zë shtetëror. Me mbylljen e RTSH-së, Shqipëria largohet vetë nga skena evropiane dhe ndërpret çdo lidhje institucionale me eventet ndërkombëtare ku një vend serioz duhet të jetë prezent. Do të mbeteshim një republikë pa zë, pa platformë publike dhe pa institucionin që përfaqëson vendin brenda dhe jashtë kufijve.

Dhe mbi të gjitha, çfarë ironie: Eni Vasilin e çojnë për ta hapur apo për ta mbyllur? 

E filluan me Urën? Po urën ç’ patën thotë ajo batuta. Apo se lidhej me diasporën ?

A është ajo dërguar si fytyra e fundit e një vendimi të marrë në prapaskenë? Si e dërguara e një projekti që nuk ka të bëjë me reformë, por me shuarje? Sepse kështu duket: jo një përpjekje për ta ri ngritur  RTSH-në, por një administrim i ditëve të fundit të tij. 

Në vend të ekspertëve që sjellin vizion, çojnë figura televizive për t’i vënë vulën një skenari që po përgatitet prej vitesh: dobësoje institucionin, hiqi kompetencat, tjetërsoi burimet, pastaj thirr dikë për të shpallur “fundin e epokës”. 

Por pyetja e drejtë mbetet: E dërguan për të rihapur institucionin Enin , apo për t’i fikur dritat?

Por kujdes: Radiotelevizioni Shtetëror është aq i rëndësishëm sa përmbys qeveri, jo anasjelltas. Nuk është as si Teatri Kombëtar që e shembën dhe s’e bëjnë dot.

Historia e ka treguar. Frika e pushtetit ndaj RTSH-së është frika ndaj së vërtetës së tij.

A po mbyllet RTSH-ja për t’i liruar kryeministrit fushën për një super-TV privat, ku ai dhe oborri i tij do jenë të vetmit narratorë të kombit?

Nëse po, ky është skandali më i madh kulturor i 30 viteve.

Nëse jo, atëherë çfarë është? Kapriço? Hakmarrje? Apo nevojë për të shpallur veten si njeriu që mbyll çdo gjë që nuk i puth dorën?

Këtu duhet të ngrihet kushdo që ka zë, dinjitet dhe memorie. Jo për nostalgji, por për identitet. Jo për politikë, por për shtet.

Mjaft!

Duart larg RTSH-së!

Kombet ruajnë institucionet, vetëm pushtetet e pasigurt përpiqen t’i shuajnë.

Nëse dikush kërkon ta mbyllë RTSH-në, le ta dijë:

do ta ketë përballë publikisht, ligjërisht, qytetarisht dhe shpirtërisht çdo shqiptar që nuk pranon t’i shlyhet historia me gomën e një kryeministrie.

Ky është zëri i një populli që nuk pranon të mbetet pa zë

Filed Under: Fejton

Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit

January 16, 2026 by s p

Nga Cafo Boga, M.A. IRD — 15 janar 2026

“Bota e vjetër po vdes dhe e reja po përpiqet të lindë: tani është koha e përbindëshave.”
— Antonio Gramsci. 

Bota po hyn në një epokë të re—jo më të përcaktuar nga një fuqi e vetme dominuese, por nga konkurrenca mes shumë fuqive. Koha kur Shtetet e Bashkuara dhe bota perëndimore mund të diktonin rregullat globale në mënyrë të njëanshme ka përfunduar. Ajo që vjen në vend të saj nuk është kaosi, por një sistem multipolar ku ndikimi ndahet mes SHBA-së, Kinës, Indisë, Evropës dhe rajoneve në rritje si Afrika dhe Jugu Global më i gjerë. Në këtë realitet të ri, udhëheqja nuk do t’u takojë kombeve më të zhurmshme, por atyre më të afta—atyre me institucione të forta, thellësi teknologjike dhe kohezion shoqëror.

Pavarësisht pretendimeve të shpeshta se shteti-komb po zbehet, ai nuk po zhduket. Ajo që po merr fund është iluzioni se sovraniteti i vetëm garanton sukses. Në shekullin XXI, fuqia matet jo vetëm me kufij dhe ushtri, por me kontroll mbi teknologjinë, energjinë, të dhënat dhe zinxhirët e furnizimit. Vendet që përshtaten do të lulëzojnë; ata që dështojnë nuk do të zhduken, por do të bëhen gjithnjë e më të parëndësishëm.

Shtetet e Bashkuara mbeten qendrore në sistemin global—por jo më dominuese si parazgjedhje. Deficitet e vazhdueshme tregtare dhe borxhi i huaj në rritje kanë bërë që disa ta krahasojnë modelin ekonomik amerikan me një skemë Ponzi. Në të vërtetë, Amerika përfiton nga një privilegj unik: emetimin e monedhës rezervë botërore. Ky sistem nuk është mashtrues, por është i brishtë. Ai varet nga besimi global në stabilitetin, produktivitetin dhe udhëheqjen amerikane. Nëse ky besim dobësohet, rreziku nuk do të jetë një kolaps i menjëhershëm, por një erozion i ngadalshëm i ndikimit.

Për të rikthyer forcën afatgjatë, Shtetet e Bashkuara duhet të ribalancojnë ekonominë e tyre. Kjo do të thotë të prodhojnë më shumë dhe të konsumojnë më pak, të rindërtojnë industri strategjike brenda vendit, të rikthejnë disiplinën fiskale pa mbytur rritjen dhe të përfundojnë konfuzionin mes mirëqenies dhe borxhit të përhershëm. Në botën moderne, fuqia e qëndrueshme nuk vjen nga dominimi, por nga rezistenca.

Politikisht, Shtetet e Bashkuara ndodhen në një udhëkryq. Polarizimi thellohet ndërsa shtresa e mesme tkurret dhe pabarazia zgjerohet. Megjithatë, kriza më e thellë nuk është ideologjike—është strukturore. Një shoqëri e ndarë mes një elite të ngushtë dhe një shumice që lufton për mbijetesë nuk mund të mbetet e qëndrueshme për shumë kohë. Rindërtimi i shtresës së mesme nuk është më vetëm një prioritet ekonomik; është një domosdoshmëri demokratike dhe linja e fundit e mbrojtjes kundër shkatërrimit sistemik.

Ngritja e Donald Trump duhet kuptuar në këtë kontekst. Ai e ndjeu saktë fundin e rendit të vjetër global dhe sfidoi supozimet e rrënjosura prej kohësh mbi tregtinë, Kinën dhe aleancat. Duke vepruar kështu, ai hapi debate që vendi i kishte shtyrë për dekada. Megjithatë, stili i tij konfrontues shpesh dobësoi aleancat dhe institucionet—pikërisht themelet e fuqisë së qëndrueshme. Trump nuk e futi Amerikën në luftë globale, por paparashikueshmëria e tij rriti rrezikun e gabimeve në një sistem ndërkombëtar tashmë të tensionuar.

Duke parë përpara, transformimi më i madh do të vijë nga teknologjia—sidomos inteligjenca artificiale. IA do të zëvendësojë miliona vende pune rutinë në administratë, transport dhe shërbime. Ky do të jetë tronditja më e shpejtë e tregut të punës në historinë moderne. Rreziku nuk është vetëm papunësia, por fragmentimi shoqëror nëse shoqëritë dështojnë ta menaxhojnë tranzicionin.

Sfida e Amerikës është pra e dyfishtë: të konkurrojë globalisht ndërsa mban të bashkuar shoqërinë brenda vendit. Kjo kërkon investime masive në aftësi—jo vetëm në arsim tradicional; ngritjen e profesioneve me qendër njeriun si kujdesi social, mësimdhënia dhe mirëmbajtja teknike; si dhe një përpjekje kombëtare për rindërtim të përqendruar në infrastrukturë, siguri energjetike, siguri kibernetike dhe shërbim publik. Me kalimin e kohës, mekanizma të rinj për mbështetje të të ardhurave mund të bëhen të pashmangshëm—jo si ideologji, por si matematikë në një ekonomi të automatizuar.

Për Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin më gjerë, pyetja nuk është më nëse do ta udhëheqin botën vetëm. Ajo epokë ka kaluar. Pyetja e vërtetë është nëse ata mund të udhëheqin me shembull—duke dëshmuar se demokracia, inovacioni dhe stabiliteti shoqëror mund të bashkëjetojnë ende në një botë të rrezikshme dhe që ndryshon me shpejtësi.

Pesëdhjetë vjet nga tani, bota nuk do të qeveriset nga perandori, por nga sisteme. Kombet që do të kenë sukses nuk do të jenë ato që bërtasin më fort për madhështinë, por ato që në heshtje ndërtojnë kompetencë: institucione të forta, ekonomi përshtatëse dhe shoqëri kohezive.

E ardhmja nuk do t’u përkasë kombeve më të forta.
Do t’u përkasë atyre më të përgatitura.

Çfarë do të thotë kjo për Bashkimin Evropian

Për Bashkimin Evropian, rendi i ri botëror është njëkohësisht provë dhe pikë kthese. Për dekada, Evropa e ndërtoi forcën e saj mbi integrimin ekonomik duke u mbështetur në fuqinë amerikane për siguri dhe udhëheqje globale. Kjo formulë nuk mjafton më. Në një botë multipolare të shënuar nga konkurrenca strategjike, pasiguria energjetike, rivaliteti teknologjik dhe presioni gjeopolitik në kufijtë e saj, BE-ja duhet të evoluojë nga një bashkim kryesisht ekonomik në një aktor politik dhe strategjik më koherent.

Kjo nuk do të thotë braktisje e partneritetit transatlantik—por forcim i tij përmes përgjegjësisë më të madhe evropiane. E ardhmja e BE-së do të varet nga aftësia për ta shndërruar peshën ekonomike në besueshmëri gjeopolitike, për të mbrojtur modelin demokratik brenda vetes dhe për t’u ofruar perspektivë reale evropiane rajoneve fqinje, veçanërisht Ballkanit Perëndimor. Në epokën e re, Evropa nuk do të gjykohet vetëm nga idealet, por nga kapaciteti për të vepruar.

Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor

Për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, rendi i ri botëror paraqet njëkohësisht rrezik dhe mundësi. E ardhmja e tyre do të varet më pak nga deklaratat e orientimit dhe më shumë nga forca e institucioneve, çrrënjosja e korrupsionit, besueshmëria e reformave dhe aftësia për të krijuar mundësi brenda vendit. Në një botë ku shtetet e vogla gjykohen nga performanca e jo nga simpatia, këto vende duhet të përqendrohen në ndërtimin e demokracive funksionale, ekonomive të qëndrueshme dhe shoqërive që mund t’i mbajnë të rinjtë e tyre në atdhe.

Vendi i tyre në Perëndim nuk do të sigurohet vetëm nga historia, por nga kompetenca, qëndrueshmëria dhe guximi për të reformuar. Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi më gjerë nuk mund të thithin më valë të mëdha emigrantësh ekonomikë; e ardhmja duhet ndërtuar aty ku njerëzit jetojnë—jo të eksportohet jashtë në kërkim të mbijetesës.

Afërsia e vazhdueshme e Serbisë me Rusinë mbetet një problem strategjik për rajonin—jo për shkak të historisë apo kulturës, por sepse e lidh Serbinë me një fuqi në rënie që ofron simbolikë, jo zhvillim. Rusia nuk mund të ofrojë investimet, aksesin në tregje apo modernizimin që i nevojitet Serbisë, ndërsa Bashkimi Evropian tashmë përfaqëson të ardhmen e saj reale ekonomike. Rruga më e mirë përpara nuk është rreshtimi i detyruar, por një zgjedhje e matur e bazuar në interesin kombëtar: ankorimi i qartë në Evropë, normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët dhe zëvendësimi i paqartësisë gjeopolitike me realizëm ekonomik—duke zgjedhur prosperitetin afatgjatë mbi rehatinë politike afatshkurtër.

“Nuk mbijeton më i forti i specieve, as më i zgjuari, por ai që përshtatet më mirë ndaj ndryshimit.” —  Charles Darwin

Filed Under: Ekonomi

Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze

January 16, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Kur lufta e kaluar por aspak e fashitur vjen të turbullojë paqen, vegimet e romanit Gruaja që Vinte nga Mjegulla të autorit Luan Rama bëhen imazhe goditëse të marrëzisë që kërcënon jetën dhe dashurinë. Mund të kishte qenë, dhe, mbase një ditë, mund të jetë një film i ngadhënjimit të njerëzores mbi çmendurinë e fashizmit, nëse fati do ndjek dëshirën e skenaristit të mirënjohur të katër filmave me metrazh të gjatë, përveç shumë filmave dokumentarë, që janë vetëm një pjesë e veprës voluminoze të tij në letërsi, studime historike e publicistikë.

Fillesa erdhi gjatë xhirimeve në Kurvelesh në vitin 1986 kur Luan Rama “dëgjoi historinë e italianit që kishte mbetur pas lufte dhe këndonte opera italiane.” Menjëherë e tërhoqi subjekti për film por “kohët ikën,” thotë ai, dhe “kur nisën ndryshimet shkrova një tregim dhe më pas romanin.” I nisur nga ngjarje jetësore, romani shpalos, përmes protagonistes, jetën e të një të riu italian, student i konservatorit të Milanos, i cili thirret në armë në ushtrinë italiane dhe, me premtimin se do kthehet tek ajo, niset për në Shqipëri në vitet 40. Pas luftës konsiderohet i pagjetur ose i zhdukur derisa gati pesëdhjetë më vonë një lajm në gazetë në kohën e ndryshimeve i jep shkas të dashurës së tij të rinisë, sopranos Laura Simoni, të bëjë udhëtimi e kundërt që ka bërë Alberto i saj gjatë luftës. Ajo gjen familjen shqiptare që i ka shpëtuar jetën ushtarit të plagosur për vdekje dhe e ka adoptuar atë pasi ai ka humbur kujtesën e vetes.

Është historia e një dashurie të këputur e të humbur dhe e shumë jetëve të ndërprera nga marrëzia e luftës. Paqja e asnjërit nuk është e paprekshme nga luftërat e shkuara dhe atyre që mund të afrohen sakaq. Shfaqja e një anije me refugjatë shqiptarë në brigjet e Brindisit të Italisë, si edhe varka të tjera që lundrojnë me çarçafë si vela në kohët antike mjafton për të sjellë thirrjet e të përvuajturve të furtunave të fatit në vitet 90, ndërsa në kohën e luftës të rinjtë italianë shkonin në drejtim të bregdetit përkarshi ku do takonin fate të tjera. I veshur me uniformën fashiste kishte shkuar edhe i dashuri i saj, Alberto, dhe nuk ishte kthyer më. Fakte historike si riatdhesimi i eshtrave të ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri gjatë luftës i përjetësuar tek Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur dhe referenca të tjera janë ndërthurur mjeshtërisht nga autori, i cili është historian i apasionuar. Njoftimi në gazetat italiane për një tenor në fshat shqiptar i japin shtysën Laurës të niset me bashkëshortin e saj për ta gjetur të vërtetën për Alberton si një shlyerje fajësie dhe përmbushje drejtësie ndaj së kaluarës.

Mllefi dhe revolta e kaq viteve e pafashitur brenda saj vërshon vrullshëm nga Laura për ata “që i besuan demagogjisë së Musolinit dhe i shërbyen me zell,” një prej të cilëve ishte babai i saj. “Ju nuk bëtë asgjë për ta ndaluar Alberton kur qyteti ushtonte nën çizmet dhe marshet e këmishëzinjve të Musolinit,” i zbrazet ajo. Mbështetësit e së keqes e kanë të lehtë të qetësojnë fajësinë me arsyetimin se nuk kanë vrarë njeri ngaqë nuk kanë qenë asgjë më shumë se nëpunës të thjeshtë. “Verbëria juaj ndihmoi fashizmin. Ju e sollët atë në Itali!” kundërshton Laura. Ndërsa nëna e Albertos ka humbur shikimin, i ati nuk jeton më, edhe fatet e personazheve të tjerë, si shokët e Liceut dhe trupës së Operës mbartin dramat e shkaktuara nga lufta.

Me të drejtë autori e konsideron romanin “një himn për muzikën.” Novela është kompozuar e gjitha me një repertor të pasur operistik dhe arie klasike nga një botë që kumbonte me muzikë përpara se të zhytej në shurdhërinë e territ nën peshën e shuarjes së rinisë, njerëzve, dashurive, dhe jetës. Sintetizimi i muzikës me ngjarjet e romanit të Luan Ramës projektohet në përfytyrimin tonë dhe pyet veten: A ka qenë ti ndonjëherë Gruaja që Vinte nga Mjegulla?

Romani Gruaja që Vinte nga Mjegulla është botuar nga shtëpia Albas në 2023. Një vit më pas përkthimi frëngjisht është publikuar nga botuesi Le Petit Vehicule, Francë. Në 2025 në italisht nga botimet Montebone, Milano, Itali në 2025 dhe së fundi nga EMAL në anglisht. Foto nga Artan Malaj, qershor 22, 2025, shkrimtari Luan Rama dhe Rafaela Prifti, përurimi i novelës Epistolari i Zaratës, Katedralja e Shën Gjergjit, Boston.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT