• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DILEMA : GRIP ? COVID? APO TË DY BASHKË?

January 23, 2024 by s p

Dr. Shefqet Deliallisi/

Viti i ri 2024 ka ardhur me një shqetsim të ri për shëndetin publik. Shtimi i rasteve të infektuar njëkohësisht me

covid dhe grip stinor janë raportuar. Dhe muaji shkurt zakonisht është kulmi i sezonit të gripit.

Para daljes në skenë të covid-19, një kollë apo dhimbje fyti, nuk na shqetësonte, aq më pak në stinën e gripit, ndërsa kur kjo na did sot gjëja e parë që mendojmë është : “mos jam infektuar me covid” !

Gripi dhe covidi në fillimin e tij kanë simptoma të njejta : temperaturë, kollë, dhimbje fyti, dhimbje trupi, dhimbje koke, lodhje, të dy prekin sistemin e frymarrjes.

Ndonëse si covidi dhe gripi shkaktohet nga viruse, dallime të rëndësishme ka mes tyre. Kryesori, covidi vlerësohet si më i rëndë se gripi. Grip apo covid? Një mënyrë për të shmangur këtë dilemë diagnostike është edhe vaksinimi për grip që ekspertët e rekomandojnë si një masë mbrojtje.

Sigurish, gjëja më e sigurtë për diferencim është një test për covid, dhe deri në marrjen rezultatit personi duhet të qëndrojë të izoluar në shtëpi.

Mos harrojmë se ka edhe teste për të diagnostikuar gripin, disa prej të cilave mund ta japin shpejt rezultatin.

MASAT QË KËSHILLOHEN…

Meqenëse të dy viruset transmetohen pak a shumë në të njejtën mënyrë, masat e shëndetit publik që mund të zbatohen kundër njerit infeksion vlejnë edhe për infeksionin tjetër duke frenuar si përhapjen e koronavirusit ashtu dhe parandalimin e përhapjes së virusit të gripit…

Sipas ekspertëve, ka qenë pikërisht mbajtja e maskës, distancimi social, apo mësimi online faktor i rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së rasteve të gripit sezonal, në vitet e kulmit pandemisë covid -19. Në këto vite u shënuan rastet më të pakta të gripit stinor në histori.

KUR DUHET TË SHQETSOHEMI ?

Duhet theksuar se në rastet me

grip&covid duhet të shqetsohemi kur bashkë infeksionet shfaqin vështirësi në frymëmarrje me mundësi të lartë për dëmtime serioze të mushkrive.

Prandaj dhe këto ditë të fillimvitit 2024 këshillohet forcim i masave të shëndetit publik dhe vaksinimi që zvogëlon jo vetëm riskun për tu prekur nga gripi, por dhe mundësinë për rasteve të rënda të covidi-t.

Filed Under: Sociale

NJË PREZENTIM I DENJË I LETËRSISË SHQIPE NË PANAIRIN NDËRKOMBËT TË LIBRIT NË KAJRO

January 23, 2024 by s p

Muhamed Mufaku/

Në janar të çdo viti fillon seria e panairave ndërkombëtarë të librit në Lindjen e mesme. Kjo seri fillon në Kajro e vazhdon në kryeqete të ndryshme deri në dhejtor në Bejrut.Sivjet gjatë 24 janar-6 shkurt do të mbahet Panairi librit i 55 të me rend në Kajro ,me pjesëarrjen e nja 1000 botuesëve vendasë e të huaj,kurse mdysafir nderi sivjet do të t Norvegjia.Si çdo vjet,mbahen shumë aktivitete,tryeza të ndryshme,e ndahen shumë shpërblime letrare.
Sivjet mund të thuehet se ky panair do të jetë nikoqir i prezentimit të letërsisë shqipe si asnjë herë më parë që nuk mbahet mend. Kështu,sivjet mysafir nderi do të jetë shkrimtari Besnik Mustafaj,i cili për nderin e tij do të organizohet një tryezë për romanet e tij që u botuan në arabisht më 26 janar. Vlen të përmendet se deri me tani u botuan në arabisht dy romanet “Në sagë e vogël për burgun” (Amman 2021) në përkthim të Ibrahim Fadlullait dhe “Duajë prel letre” (Latakia 2023) në përkthimi Adanan Muhamedit,kurse si vjet iu botua romani “Dëmtuar gjtë rrugës” në përkthim të Adnan Muhamedit.
Po ashtu,sivjet botuesi egjiptian “al-Arabi” promovon romanin “Valsi i lumurisë”( doli me titull “Ëndërra italiane”) të shkrimtar Ylljet Aliçkës në përkthim të Shaban Rexhepit,i cili është romani i dytë i autorit pas atij “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” që doli më parë.
Botuesi jordanez “Al’an” sivjet prezenton tre libra nga letërsia shqipe. Libri i parë është romani i shkrimtarit kosovar Ibrahim Kadriu “Vdekja e Anilës” në përkthim të Adnan Muhamedit,kurse libri i dytë është “Vehbi Ismaili pioner i përkthimit midis letërsisë shqipe dhe arabe” ,i Muhamed Mufakut,që përfshin edhe përmbledhjen e parë me tregime të Ernest Koliqit dhe Qamil Gurnjakut që u botua në Kajro më 1949 dhe ishte libri i parë nga letërsia bashkëkohore shqipe në arabisht. Libri i tretë është “Jetë në vazhdime-Antologjia e poezisë bashkëkohore e Kosovës” në përkthim të Muhamed Mufakut,që përfshin poezi të zgjedhura të 18 poetëve të Kosovës,në mesin e të cilëve Adem Gashi(1953-2024) që vdiq para disa ditëve.

Filed Under: Kronike

“SHËNIME” PËR 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PEJËS (BESA-BESË), (1899-23-29 JANAR-2024)

January 23, 2024 by s p

NDUE BACAJ

Lidhja Shqiptare e Pejës (ose Besa-Besë) e 23-29 janar 1899, zhvilloi punimet në kohën kur u shtuan lakmitë e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe nderhyrjet e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Fillimisht u acarua e ashtuquajtura çështje maqedonase, e cila, për nga emërtimi, dukej se kishte të bënte vetëm me Maqedoninë, por në të vertet lidhej drejtpërdrejt edhe me Shqipërinë dhe tërsinë e saj territoriale, më konkretisht me vilajetet e Manastirit e të Kosovës, që shpesh i konsideronin Maqedoni, ndonse shumica  dërrmuese e popullsisë në to ishte autoktone shqiptare. Meqense Maqedonia në atë kohë nuk pëbënte një njësi administrative-territoriale në vete, por ishte ndarë në vilajete e sanxhaqe të ndryshme, monarkitë ballkanike (Serbia, Greqia dhe Bullgaria) përpiqeshin , secila  për vete, të përfshinin sa më shumë toka shqiptare e maqedonase, që nuk u takonin atyre, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, që nga “argumentet historike” e të dhënat e fallsifikuara etnike , e deri te bandat e armatosura. Një qëndrim i tillë jo vetëm i kundërvuri ato me popullin shqiptar e maqedonas , por shkaktoi edhe fërkime e grindje ndërmjet edhe vetë këtyre shteteve. Për të qetësuar lëvizjen antiosmane të popullit maqedonas dhe për të shmangur ndërhyrjet e shteteve të huaja  në Maqedoni , sulltani shpalli në prill 1896, dekretin “Mbi reformat në vilajetet e Rumelisë”. Këto reforma do të zbatoheshin në vilajetet e Manastirit, të Kosovës dhe të Selanikut, të cilat edhe sulltani i përfshinte nën emërtimin Maqedoni…. Mirpo përfshirja e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në zonën e reformave do të thoshte se ato zyrtarisht njiheshin si toka maqedonase. Në kë mënyrë po shfaqej përsësi rreziku i coptimit të trojeve shqiptare…. Patriotët rilindas ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, shtruan përsëri programin për autonomi dhe filluan përpjekjet për të formuar një lidhje të re shqiptare, që të vihej në krye të luftës për t’u mbrojtur nga coptimi dhe për të realizuar autonominë.1.  Vlenë të cilësohet se edhe atdhetarët rilindës që jetonin jashtë trojeve etnike shqiptare dhe të organizuara, e shtuan veprimtarinë e tyre për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, për bashkimin dhe organizimin në qëndresën kundër sunduesve osmanë. Më 1 janar të vitit 1898 shoqëritë atdhetare të mërgimit (Komiteti i Stambollit, Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit, “Vëllazëria Shqiptare” në Egjipt, Shoqëria “Dëshira” e Sofjes dhe Shoqëria Kombëtare Shqiptare e arbëreshëve të Italisë), botuan një thirrje të përbashkët me titullin “Në emër të popullit shqiptar”, që u drejtohej qeverisë së Stambollit dhe Fuqive të Mëdha. Në thirrje dënoheshin intrigat e shteteve fqinje në Shqipëri, pretendimet e tyre aneksioniste ndaj vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, si edhe politika e verbër e Portës së Lartë, që u kishte lejuar grekëve, serbëve e bullgarëve të hapnin kisha e shkolla në vilajetet shqiptare dhe u kishte bërë atyre lëshime të njëpasnjëshme politike në dëm të Shqipërisë….2.   Nga memorandumet që iu parashtruan Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha  nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit , në vija të përgjithëshme kërkohej njohja e kombësisë shqiptare dhe bashkimi i katër vilajeteve: i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit  dhe i Janinës në një vilajet të vetëm , në të cilin gjuha shqipe përdorej në administratë dhe në shkolla….  Por këkesat e viteve 1896-1898 për njohjen e kombit shqiptar dhe të të drejtave të tij të ligjshme nuk u morën parasysh as nga qeveria e Stambollit, as nga Fuqitë e Mëdha Europiane…. Në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, acarimi i ri i “çeshtjes maqedonase” dhe nderhyrja e shteteve fqinje në vilajetet shqiptare, i nxitën përpjekjet për krijimin e një lidhjeje të re shqiptare…..3.  Në këto kushte, patriotët shqiptar me në krye Haxhi Zekën do të thërrisnin Lidhjen e Pejës. Lidhja e Pejës  do të formohej me 23-29 janar 1899, dhe ishte një organizim politiko-ushtarake mbarëshqiptare, që ndoqi rrugën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kuvendi që formoi Lidhjen e Pejës, u mblodhë me qellim që të protestonte kundër projekteve për të përfshirë në Maqedoni , ku mendohej të zbatoheshin reforma edhe në krahina shqiptare të vilajetit të Kosovës e të Manastirit dhe të kërkonte zbatimin e atyre reformave që ishin të përshtatëshme për popullin shqiptar…4.  Lidhja e Pejës do të luftonte gjithashtu, për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga fqinjët grabitqarë Ballkanik  dhe për çlirimin e vendit nga pushtimi osman.  Në Kuvendin e Lidhjes së Pejës do të merrnin pjesë rreth 500 përfaqësues, shumica  nga vilajetet e Kosovës dhe më pak nga ata të Manastirit dhe të Janinës…. Në kuvendin gjashtë ditor u formua Lidhja e Pejës ose siç u quajt ndryshe Besa-Besë.  Kuvendi doli me një program prej 11 pikësh i cili kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare por që nuk kërkonte autonomi…5.  Kjo për arësye se në Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës, Ismail Haki pasha etjerë, që kundërshtonin çdo ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej në Rezolutën e atij Kuvendi. Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve për të vetëqeverisur vendin e tyre…6.   Nga rreth 500 delegatët, 36 gëzonin të drejtën e votes, të cilë vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj. Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj. Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve….7. 

DISA NGA VENDIMET E KUVENDIT TË PEJËS: 

1.Të qëndrojnë kundër bullgarëvet, serbëvet, grekëve dhe çdo armiku , në qoftëse i hillen Shqipërisë. 2.Të dënohen ata që guxojnë të bëjnë të liga e prishin sigurinë e përgjithëshme dhe kështu të mos bëhen më vrasje e vjedhje edhe njeri i qeverisë  të jetë, ay që punon të paudhë do të dënohet; 3.kjo lidhje bese do të përhapet në të katër vilajetet e Shqipërisë dhe në qoftë se qeverija mundon njeri duke thënë: “Pse vajte në mbledhjet?”, e tërë mbledhja do të shpëtojë nga dorë e qeverisë atë njeri; 4.ku të vejë ushtri e mbledhjes, nga një vend në një vend tjetër, do të ushqehet me të hollat e mbledhjes dhe kushdo që të guxojë të bëjë ndonjë paudhësi do të dënohet..8.  Ndërkohë detyra kryesore e Lidhjes së Pejës ishte organizimi i mbrojtjes të tërësisë së trojeve etnike Shqiptare kundër çdo orvatjeje dhe agresioni nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia. 

SHTRIRJA E LIDHJES SË PEJËS… 

 Pas formimit të Lidhjes së Pejës, Haxhi Zeka dhe patriot të tjerë, Brenda dhe jashtë atdheut, bënë  përpjekje për ta shtrirë atë edhe në krahinat e tjera. Si rrjedhojë, Lidhja e Pejës u shtri në Shqipërinë e Veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe pjesërisht në Shqipërinë e Jugut. Njëkohësisht u bënë përpjekje për të oranizuar një Kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të miratohej programi kombëtar i Lidhjes.9.    Në përputhje me vendimet e Kuvendit të Pejës, Haxhi Zeka dhe atdhetarët e tjerë, menjëherë pas përfundimit të tij, iu vunë punës për të ngritur organet e Lidhjes në të katër vilajetet shqiptare. Më 27 shkurt 1899 u mbajt në Prizren, në lokalitetin Zojzë (Suharekë), një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2000 veta, qytetarë e fshatarë të atij sanxhaku. Këtu u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Prizrenit me Lidhjen, u miratua Rezoluta e Kuvendit të Pejës dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve deri në nëntor 1899. Në këtë tubim u zgjodh Komiteti i Lidhjes për sanxhakun e Prizrenit, i kryesuar nga Myderiz Halim Efendiu, i cili njihej si përfaqësues i krahut radikal të lëvizjes shqiptare dhe u kërkua që të thirrej një kuvend i përgjithshëm shqiptar. Në fillim të marsit morën pjesë në tubimin e Prizrenit edhe përfaqësuesit e popullsisë së kazasë së Lumës, që u bashkuan me Lidhjen Shqiptare të Pejës. Më 9 mars vendimet e këtij tubimi u shpallën publikisht dhe iu bënë të ditura edhe popullsisë katolike të këtij sanxhaku, që u ftua të merrte pjesë në Lidhje. Me Lidhjen Shqiptare të Pejës u bashkua gjithashtu popullsia e vilajetit të Shkodrës. Kjo u arrit pasi forcat atdhetare të lëvizjes kombëtare në Shkodër sprapsën kundërshtimin e krerëve turkomanë, që nuk e përkrahnin Lidhjen. Kuvendi i Shkodrës i filloi punimet në mesin e shkurtit dhe i vazhdoi deri në fillim të marsit. Këtu morën pjesë përfaqësues të popullsisë së këtij sanxhaku dhe të krahinës përreth, të Malësisë së Madhe, madje edhe nga krahinat që i ishin shkëputur Shqipërisë, nga Ulqini, nga Podgorica, nga Shpuza etj. Në Kuvend ishin të pranishëm përfaqësues të tillë të krahut autonomist, si Dedë Gjo Luli, Isuf Tabaku, Selim Çoba, Mehmet Beci, Haxhi Alush Dibra, Haxhi Haki Lohja, Halil Mandiqi, Shaqir Shabani, Hysen Dragusha etj…. Kuvendi i Shkodrës përfundoi më 5 mars, kur pas tri javë diskutimesh u miratua Vendimi (Rezoluta) prej 7 pikash, në të cilin, në emër të banorëve myslimanë e të krishterë të vilajetit të Shkodrës, u shpall bashkimi i popullsisë së kësaj province me Lidhjen Shqiptare të Pejës të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe u zgjodh Komiteti i Lidhjes për Shkodrën….. Ndikimi i Lidhjes u përhap gjithashtu në Shqipërinë e Mesme dhe në radhë të parë në sanxhakun e Dibrës të vilajetit të Manastirit. Pa marrë parasysh urdhëresat e valiut të Manastirit, Abdyl Kerim pashës, për të ndaluar mbledhjen e Lidhjes në këtë sanxhak, atdhetarët dibranë thirrën Kuvendin e tyre. Punimet e Kuvendit të Dibrës u çelën me mitingun e madh e të hapur, që u mblodh më 27 shkurt 1899 në një nga sheshet jashtë qytetit dhe në të cilin morën pjesë përfaqësues të popullsisë së Dibrës së Sipërme e të Poshtme, së bashku me malësitë përkatëse (Gryka, Reka, Mati, Golloborda, Klenja, Vleshta, Dardha, Lura etj.).  Më 28 shkurt Kuvendi i Dibrës i vijoi punimet në mbledhje të fshehta, në të cilat, megjithatë, pati një pjesëmarrje të gjerë. Vetëm nga sanxhaku i Dibrës erdhën 31 delegatë. Kuvendi i kaloi caqet lokale, u kthye në një tubim të përgjithshëm shqiptar, ku morën pjesë delegatë edhe nga viset e tjera të Shqipërisë së Veriut e të Mesme, nga Shkodra, nga Tirana e nga Elbasani. Kuvendi u përshëndet edhe nga qytete të tjera të vendit. Në këtë Kuvend u miratua formimi i Lidhjes (për Dibrën), u shpall bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Dibrës me Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u miratua Rezoluta prej 22 pikash, që u publikua në mitingun e dytë të madh (mbajtur më 16 mars), me të cilin u mbyllën punimet e tij. Në Rezolutë u konfirmua bashkimi i popullsisë së këtij sanxhaku me Lidhjen Shqiptare të Pejës, u shpall ndalimi i armiqësive, i gjakmarrjeve dhe i grindjeve që pengonin unitetin e shqiptarëve, si edhe i çdo dhune dhe arbitrariteti mbi banorët myslimanë e të krishterë. U shpreh gjithashtu gatishmëria për të grumbulluar forcat ushtarake vullnetare shqiptare, të cilat, ashtu si në Pejë, do të përdoreshin vetëm për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga një sulm i mundshëm sllavo-rus. Për këtë qëllim u vunë në dispozicion të Lidhjes 15 mijë vullnetarë.   Kuvendi zgjodhi Komitetin e Lidhjes për sanxhakun e Dibrës me 18 anëtarë…. Vendimet e Kuvendit të Dibrës u miratuan edhe nga popullsia e Elbasanit, e Tiranës, e Beratit, e Starovës, e Korçës, e Ohrit, e Manastirit, e Kërçovës, e Përlepit etj….. Në mars të vitit 1899, me gjithë pengesat e kajmekamit, në Ohër u mbajt mbledhja e fshehtë e përfaqësuesve të popullsisë së kësaj kazaje, në të cilën u miratua vendimi i Kuvendit të Dibrës dhe u shpall bashkimi me Lidhjen Shqiptare.…. Në pranverën e vitit 1899 u bashkua me Lidhjen popullsia e Shpatit të Elbasanit, e cila ishte dalluar për atdhetarizmin e saj dhe kishte kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hapjen e shkollave shqipe në këtë krahinë. Menjëherë pas kësaj Porta e Lartë shtypi me egërsi lëvizjen shqiptare në këtë zonë, arrestoi drejtuesit e saj… Më 18 qershor popullsia e Çermenikës shpalli gjithashtu bashkimin me Lidhjen Shqiptare e miratoi vendimet e saj dhe ato të Kuvendit të Dibrës. Hynë në Lidhje edhe krahina e Babjes, e Mokrës së Sipërme dhe gjithë nahija e Qukësit, që formuan një Komitet, me qendër në katundin Bërzeshtë.  Me shtrirjen e pushtetit të Lidhjes në krahinat e ndryshme të vendit, ajo filloi të shndërrohet në një organizatë mbarëshqiptare. Duke bërë fjalë për këto arritje, Sami Frashëri shkruante në mars të vitit 1899: “Lidhja po bëhet në Shqipëri, Besa po forcohet, bashkimi po zgjerohet.…. Gjithashtu nisma për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm u miratua nga popullsia e Shkodrës dhe e rretheve të saj, nga popullsia e Mirditës, e Pukës, e Prizrenit dhe e gjithë qyteteve të Kosovës, e sanxhakut të Dibrës, e Ohrit, e Starovës, e Elbasanit, e Tiranës, e Durrësit, e Beratit, e Vlorës etj. Në shumë nga këto qendra u zgjodhën edhe delegatët për në Kuvend.….  Ishte parashikuar që Kuvendi i Përgjithshëm t’i përmblidhte të gjitha  kërkesat kombëtare në një memorandum të përbashkët, të cilin do t’ua paraqiste, në formën e një ultimatumi, sulltanit dhe Fuqive të Mëdha.  Por këto përpjekje të Haxhi Zekës dhe të atdhetarëve të tjerë shqiptarë ndeshën në kundërshtimin e hapur të qeverisë së sulltanit. E shqetësuar përpara zgjerimit e thellimit të veprimtarisë së Lidhjes së Pejës, me një urdhëresë të veçantë që iu dërgua guvernatorëve të të katër vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, Porta e Lartë ndaloi thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm të shqiptarëve, që ishte caktuar të mbahej në fund të majit të vitit 1899….10.  Lidhja e Pejës nuk ishte mjaftuar me fjalë e programe , por e kishte  shtrirë aktivitetin e saj edhe me veprimet e armatosura kundër autoriteteve osmane deri në maj të vitit 1900 . Atëherë kur  Porta e Lartë dërgoi forca të mëdha ushtarake kundër Lidhjes së Pejës dhe e shtypi atë. Megjithatë Lidhja e Pejës shënoi një ngritje të re në Lëvizjen Kombëtare shqiptare.11.  

REFERENCAT: 

1.Histori e popullit shqiptar; fq.117-118, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

2.https://www.wikiwand.com/sq/Lidhja_e_Pej%C3%ABs.  

3.Histori e popullit shqiptar; fq.117-118, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.  

4.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave,  fq.137…Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978.  

5.wikipedia.org/wiki/Lidhja_e_Pejës,+ Wikipedia, the free encyclopedia. 

6.https://www.wikiwand.com/sq/Lidhja_e_Pej%C3%ABs.  

7./BotaSot:/https://diasporashqiptare.al/2021/01/23/historia-si-u-themelua-lidhja-e-pejes-122-vite-me-pare/. 

8.Vendimet janë botuar në një artikull të redaksisë të “Dritërëfejnjësi kombiar”, Sofje, viti 1900. Artikulli është ribotuar në përmbledhjen me artikuj nga shtypi me titull “Mendimi politike shoqëror i RilindjesKkombëtare Shqiptare” vëll.I, fq.184, Tiranë 1971.= Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptere 1878-1912 (Memorandume , Vendime, Protesta , Thirrje) Akademia e Shkencave,  fq.137…Instituti i Histiorisë –perg. nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha-Tirane -1978.  

9.Histori e popullit shqiptar; fq.119, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994.

10.https://www.wikiwand.com/sq/Lidhja_e_Pej%C3%ABs.  

11.Histori e popullit shqiptar; fq.120, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994. 

-Fotot, https://www.google.com/search?q=lidhja+e+pejes…

Filed Under: Histori

Shoqata e Shkrimtarëve promovoi botimet për Adnan Mehmetin

January 23, 2024 by s p

Dr. Besim Muhadri: “Poezia e Adnan Mehmetit” (Vështrim), Bogdani, Prizren, 2019.

Namik Selmani: “Fuqia e fjalës së Adnan Mehmetit), UET Press, Tiranë, 2023.

Kastriot Fetahu

Stamford, 21 janar 2024

Tubimet e shqiptarëve janë si zakonisht gëzim i njerëzve të lirë që takohen nëpër evente të ndryshme. Nuk cedoi kjo risi edhe në eventin e promovimit të librave të Dr.Besim Muhadri:“Poezia e Adnan Mehmetit” ( Vështrim) dhe shkrimtarit Namik Selmani: “Fuqia e fjalës së Adnan Mehmetit për krijimtarinë e autorit të mirënjohur Adnan Mehmeti.

Ishte një festë e bukur e organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në një nga ambientet e bukura të librarisë Ferguson në qytetin Stamford të shtetit Konektikat.

Zhvillime të tilla janë përpjekje që të “vazhdojmë” Shqipërinë edhe këtu ku jetojmë në tokën e premtuar në Amerikë.

Edhe në këtë rast ishim në “shtëpinë” e mikut tonë Adnan Mehmeti në këtë event artistiko letrar organizuar në një mënyrë të bukur akademike nga shoqata jonë e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

Një pjesëmarrje e dukëshme ku perveç shkrimtarëve dhe poetëve kishin ardhur dhe shumë miq të librit.

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Mëhill Velaj hapi takimin letrar, duke lexuar një poezi kushtuar takimit të shkrimtarëve.

Ai ja dha fjalën sekretares së Shoqatës së Shkrimtarëve, Veneta Çallpani e cila foli duke ju referuar parathënies së librit “Fuqia e fjalës” për autorin – “Adnan Mehmeti në shërbim të shkrimtarëve shqiptaro amerikanë”.

Pas saj Leda Cimo Andersen erdhi me disa poezi të Adnan Mehmetit të sjella me mjeshteri artistike duke sjellë artin e saj të bukur.

Dr Pashk Camaj në fjalën e tij përshëndetëse si sekretar i “Vatres” dhe shef kabineti, në emër të kryesisë së Vatrës theksoi se do të vazhdojnë të kenë një përktahje të plotë për veprimtarinë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, president i së cilës është Adnan Mehmeti.

Me pas Dr. Besim Muhadri në kumtesën e tij theksoi thelbin e librit të tij të shtypur prej disa vjetesh për poetin Adnan Mehmeti. Ai vuri në dukje se poeti Mehmeti është në rrugën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë si Fan Noli, Konica, Rozi Theohari, Gjekë Marinaj e të tjerë.

Edhe në fjalën e shkrimtarit Namik Selmani u theksua se krijimtaria në gjininë e prozës së autorit Mehmetit është në vazhden e leterërsisë shqipe si një gur i rëndë i vendosur në bazamentin e saj të ndërtuar prej shekujsh e deri në ditët e sotme ku një plejadë e madhe artistësh nxjerrin në pah vlerat shpirtërore të kombit shqiptar.

Kumtesen e fundit e mbajti Kastriot Fetahu. Në fjalën e tij theksoi se në krijimtarinë e Mehmetit temat universale që ai rrok në letërsinë që shkruan janë substanca e krijimtarisë së tij. Autori Adnan Mehmeti sendërton dashurinë për Atdheun, për shoqërinë, për familjen dhe duket sikur jep “receta” artistike për lexuesin e tij të vemendeshem.

Aktori Shaban Lajçi shumë natyrshëm dhe me një stil tepër miqësor, erdhi me një kolazh poetik të shkrimtarit Adnan Mehmeti me të cilin krijoi ovacione të bukura në sallën e elektrizuar nga kënaqësia që ky event rrodhi aq bukur.

Në fjalën e mbylljes Adnan Mehmeti premtoi se do të punojë pa u lodhur për përparimin e Shoqatës dhe letërsisë shqipe në SHBA. Përkrahja ndaj shkrimtareve e poeteve shqiptare nga shoqata do të jete gjithmone ne rendin e dites. Ai falenderoi dhe na ftoi per dreken e mikpritjes pas eventit, nje dreke e bukur, ku miqesia midis pjesemarresve shkelqeu perseri.

Te gjithe ne ate salle ishin shkrimtare dhe poete qe kane lene vendin per arsye te ndryshme vetem fizikisht. A nuk kane bere te njejten gje edhe shkrimtare te medhenj te kalibrit boteror?

Gjate zhvillimit te eventit erdhen shume pershendetje nga miq brenda dhe jashte vendit, por Mehill Velaj theksoi me ate humorin e tij miqesor se nuk do i permendim te gjithe pasi na munguan kur i donim aq shume midis nesh, po pamundesia ndikoi per te qene pjesemarres.

Ne salle kishin ardhur shkrimtare nga Nju Jorku: Vaid Hyzoti, Shkumbin Tetaj, Ibadete Humolli Tetaj, Ramiz Mujaj, Merita Prenga, Veneta Callpani; nga Nju Xhersi Dr.Bexhet Asani, Sabije Veseli, Selman Dervishi; nga Konetktikat Bora Balaj, Ledo Cima Andersen, Mehill Velaj, Adnan Mehmerti dhe deri nga Bostoni autoret Namik Selmani e Kastriot Fetahu.

Kjo eshte fuqia e kombit tone te cilen e vazhdojme edhe ne ketu ne vendin e demokracise dhe lirise se botes moderne. Evente te tjera do te mbajme dhe perseri do te shkelqeje shqiptaria e gjithe trojeve etnike duke treguar se jemi nje komb dhe nje gjuhe. Shqiperia, endrra jone, pengu yne, do te jete gjithmone ne zemrat tona, duke i kenduar dhe hyjnizuar ate vend te bekuar.

E gjithe veprimtaria artistike u percoll nga Skender Pali, gazetar i Asosheited Press dhe Noli Tv, me pronar Nazim Salihu. ( Foto kredit Skender Pali)

K.F.

STAMFORD (CONNECTICUT) 01/21/2024

***

Kumtesë nga KASTRIOT FETAHU

Adnan Mehmeti si një “nyje” përbashkuese shqiptare me poezinë e tij.

Pasi mbarova së lexuari librin e Dr. Besim Muhadri për krijimtarinë poetike të poetit Adnan Mehmeti, hyra në një hulli mendimesh ku baza e tyre është ndijimi sipëror që shijova si rezultat i krijimeve të autorit Mehmeti.

Ai erdhi në mendimin tim si një evolucionist ku rreket të tregojë ekzistencialen poetike me një mënyrë mjaft të bukur sikur kompozon vazhdimisht në një kreshendo epiko-romantike.

Adnan Mehmeti i ngjan në rrugën e tij gjeografiko-poetike Joseph Brodsky, pasi të dy janë autorë që mbërritën në USA nga vendet e Lindjes komuniste dhe e gjetën poezinë, ashtu sikundër i gjeti edhe ajo këtu në tokën e premtuar.

Nuk e di pse udhëtimi, ndërrimi i vendlindjes dhe përballja me jetën e re në vende të panjohura, e bën njeriun të nxjerrë nga vetja më të mirën e tij të mundëshme. Të fitosh sfida është karakteristikë e avangardistëve të botës sonë.

Shpesh kam pyetur veten nëse do të kishim Jack London pa Yukon-in e famshëm dhe rrugën e pionerëve të arit?

Do të kishim një Hemingueji pa Parisin, apo një Xhojs pa Triesten?

Po kështu dhe një Veqilharxhi apo Asdren pa Rumaninë?

Është i njëjtë edhe rasti i poetit dhe shkrimtarit Adnan Mehmeti, i cili shprehu veten në tokën e premtuar dhe akoma më shumë pas takimit me një figurë dimensionale si Gjekë Marinaj nga i cili “trashëgoi” edhe shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.

Poezia e Mehmetit vjen si një skedim i ndërtimit arkitekturor të shpirtit të emigrantit. Ai kurrë nuk e harron Preshevën e tij të dashur, sepse Adnan Mehmeti është si një vazhdimësi e rilindasve tanë e më tej e Nolit dhe Konicës duke qenë gjithmonë krenar për kombësinë e tij shqiptare.

Në këtë vëllim poetik gjen të shpalosur formimin e tij me tema universale si ajo e dashurisë. Bota do të ishte më e bukur me idete e tij për familjen dhe dashurinë deri në hyjnizim për të.

Dhe kjo dashuri e madhe shpërhapet edhe në atdhedashurinë dhe dilemën e pazgjidhëshme të kthimit në vendin e tij. Shpirti vibrues i një autori me ndjeshmërinë poetike si Adnan Mehmeti të fut në labirinthet e mendimit epik të emigrantit pa të dorëzuar fillin e Arianës, duke të përfshirë si lexues në këto ide kardinale të kësaj figure emblematike.

Duke lexuar poezine e Adnan Mehmetit të vjen ndërmend thënia e një piktori surrealist të kalibrit botëror si Salvador Dali i cili thekson se -Burri i parë që krahasoi faqet e një gruaje të re me një trëndafil ishte padyshim një poet; i pari që e përsëriti ishte ndoshta një idiot.-

Poezia e Adnan Mehmetit nuk njeh përsëritje, sepse ai kujdeset intensivisht për të përcjellë tek lexuesi dëshirat, ëndrrat, iluzionet dhe të vërtetat e kategorisë që ka themeluar civilizimin modern siç është ajo e emigrantit. Madje edhe Adami me Evën ishin emigrantët e parë të themelimit të asaj që përbën botën njerëzore.

Kontrasti që krijon poeti Adnan Mehmeti nuk lë dritë hije dhe vakum në shpirtin e lexuesit, pasi poezia e tij prek edhe koncepte më të pamenduara në subkoshiencën poetike. Ai shkruan edhe për shkronjat shqipe si një “Dhaskal Todri” i kohëve tona.

Dhe nuk di pse më kujtoi Kadarenë kur në librin e tij “Ftesë në studio” shkruan se “gjuha sërbe është një shërbëtore e shqipes,” me një paralelizëm plot ngjyra në të njëjtën linjë.

Ndërsa Adnan Mehmeti thekson në poezinë 36 Shkronjat…

Historia shkruhet me këto 36 shkronja,

Përtej lumit alfabeti cirilik numëron i turpëruar.

Dhe këtë krijim e ka në “burimin” e shqipes në Manastir.

Dashuria dhe malli i tij, pasi Mehmeti është një atdhetar i madh, jepen përmes lotëve poetikë në poezinë “Zgjuar” ku me bojë shpirti dhe një stil kafkian shkruan…

Në luginën e Preshevës,

Njerëzit e mi të mirë flenë.

Hallet e tyre

Arkivoj në vargje.

Njerëzit e mi të mirë

Dua t’i përqafoj

Në ëndrrat e bardha.

Mallëngjyese kjo poezi e shkruar në Uashington DC, dy dete dhe një oqean larg Preshevës së tij të dashur.

Bota e brendëshme e poetit Mehmeti ëndërron Shqipërinë e vërtetë, atë për të cilën “vdekja ishte gjë e bukur nëse jepje jetën për të!”

Poezia e tij duket sikur është krijuar “në numrin njëjës” dhe i dedikohet si një bashkëbisedim personal me çdo lexues.

Lexojeni Adnan Mehmetin dhe mbani frymën se do të kuptoni se Atdheu dhe dashuria janë gjithmonë me ju, pasi ai nuk ka limite gjeografikë dhe shpirtërorë në qasjen ndaj lexuesit.

Ky është poeti Adnan Mehmeti që me poezinë e tij ristrukturon shpirtin e lexuesit me dashurinë për Zotin, për Atdheun, për familjen dhe për pozitivizmin absolut njerëzor.

Kastriot Fetahu

BOSTON 17/01/2024

Filed Under: Komunitet

A ka dramaturgji shqipe?

January 23, 2024 by s p

Behar GJOKA/

Rastësia e solli që këto ditë të shijoja komedinë “Vdiq mbreti-rroftë mbreti” vënë në skenë nga teatri kombëtar, të autorit Ferdinand Hysi, nga të paktët autor që vijon ta lëvroi dramatikën e shqipes. Rastësitë dhe kënaqësitë paska raste që përputhen dhe ndërkaq të vënë në mendime, mbi fatin e dramaturgjisë shqipe. Komedia Vdiq mbreti-rroftë mbreti, vënë nga teatri kombëtar, për lojën e bukur të aktorëve, për skenat dhe mizaskenat regjizoriale, por edhe për ndërfutjen, në masën e duhur, të tipareve të teatrit muzikor, dhe të lëvizjeve koreografike, vjen me kualitet. Them kështu, nga emocionet e forta që provova, si dhe nga efekti çlirues, që krijoi shfaqja në sallën e tetarit. Regjizorja, aktorët, skenografia, duhen përgëzuar jo vetëm që kthyen kokën nga dramatika shqipe, por edhe për një shfaqje cilësore, në tërësinë e marrëdhënieve artistike.

Në lidhje me dramatugjinë shqipe, jemi në një situatë të debatueshme, ka teatër shqip në Tiranë, Prishtinë, Shkup, apo në disa qytet të Shqipërisë dhe të Kosovës etj. Megjithatë, në secilin prej këtyre teatrove, më tepër vihen drama të autorëve të huaj. Nuk është e keqja e madhe te vënia në skenë e dramatarugjisë botërore, që dihet se ka suksesin brenda, gati të garantuar, ndonëse jo gjithherët realizohen si shfaqje. Problemi qëndron në anën tjetër të medaljes, në fatin e dramaturgjisë shqipe, ajo që është, me nivelin e dëshmuar në tekste, mbetet në hije, pra e pajetësuar në skenë. Duke mos u vënë në skenë, pra duke munguar në sprovën unike me teatërdashësit, dramatika e shqipes, fiket dhe zhduket nga skena. Debatit të kahershëm, të zhvilluar në mes regjisoreve dhe aktorëve, në jo pak raste, në mungesë të autorëve, të eksperimenteve të leximit të teksteve të shkruara në gjuhën shqipe, që duhet zhvilluar, nuk ia kemi dalë, që të kemi një ekulibër në mes teatrit shqip dhe dramturgjisë shqipe.

Jemi në fillim të fillimit, sepse mbizotëron mendimi se nuk ka dramaturgji shqipe, aq sa nevojitet, dhe mbi të gjitha me nivel të ngritur estetik, prandaj me sa duket, do të mbahet në këmbë teatri shqip, me vepra të huaj. Arti dhe letërsia, pra edhe drama nuk kanë atdhe, por farktimi i dramaturgjisë, pavarësisht gjuhës, hapësirës, kohës së shkrimit, ngjet në skenë, aty ku njerëzia, prek realitetin e përditshëm, ndonëse të përthyer në konvencat artistike, si dhe shijon makthet dhe arritjet. Debati për praninë e dramaturgjisë shqipe, duket se më tepër i ka mbetur ora, te një pargjykim i studimeve letrare, të moteve të realizmit socialist, se dramaturgjia është më e prapambetur se gjinitë e tjera. Kjo rethanë dhe qasje, e mangët dhe e ngushtuar, ndërkaq ndërpreu zhvillimin organik të letërsisë, pra edhe të dramaturgjisë, të veprës së Santorit, Gramenos, Çajupit, Nolit, e sidomos të Haxhiademit etj. Edhe dramaturgjinë, ashtu si letërsinë dhe mendimin verifikues, e futën në shtjellat e dobisë së sistemit, të nevojës për të propaganduar, fitorjet në humbje të monizmit, dhe shumëçka u vu në shërbesë të ideologjisë së kohës. Baza e nisjes së debatit, përmbi mungesën e dramaturgjisë, e vendosur në pargjaykimin se mungon, së është më e prapambetur, krahasuar me gjinitë dhe zhanret e tjera, kam drojë se ndikoi për të mos parë veprën e gjerë dramatike të Kasëm Trebeshinës, veprën e larmisë dramatike të Teki Dervishit, tekstet e përveçëm të Anton Pashkut, Beqir Musliut, Martin Camajt, tekste e ndaluara të Minush Jeros e Kujtim Spahivolit. Pra, pa dalë prej rrathëve të paragjykimit, të optikës verifikuese, si e prapambetur, nuk ka shanse që debati për dramaturgjinë të jetë real dhe dobiprurës, për shpluhurosur tekste e shkruara, si dhe për të krijuar një atmosferë tjetër, të marrëdhënies organike, të dramaturgjisë me teatrin shqip.

Pyetjes së shtruar në krye, sa a ka dramaturgji shqipe, do të duhej që t’i përgjigjeshim me argumentin e leximit të teksteve, e rrëmimit nëpër dorëshkrime, e një përpjekje që teatri, i problemeve të njeriut shqiptar, pavarësisht se ku jeton, të jetë pjesë e udhëtimit drejtë qytetërimit, ku teatri, komedia, drama, jo sho, që synon marrjen e vëmendjes dhe të kohës, e jo ndikimin për të shijuar katarsën. Shfaqja e komedisë “Vdiq mbreti-rroftë mbreti”, e parë si tekst, pra si pjesë e dramaturgjisë shqipe, ku zbulojmë ligjërimin e poezisë dhe të dialogut identifikues, më tërhoiq. Po kaq, realizimi i disa karaktereve që të mbeten në mendje, si pjesë e marrëzisë ku endemi, si peng i kohës që kalon, pa të sotme dhe të nesërme, veprimet dhe situatat dinamike, japin shpresë dhe një mundësi për të hetuar dhe shijuar, praninë e dramaturgjisë shqipe.

Njeriu i kohëve moderne, ka nevojë për shumë gjëra, por koha nuk i mjafton për ta shijuar dhe zbuluar botën, aq me tepër për të lexuar libra. Dramatrugjia, komedia, drama apo tragjedia, ka dy rrethana mbijetese, të jetësohet në skenë, që nuk të merr shumë kohë, për të përthithur vlerat e endura, dhe të ndikojë në procesin e përjetimit të katarsës, që ruan marrëdhëniet me humane dhe me civilizmin. Komedia Vdiq mbreti-rroftë mbreti, të merr disa momente, duke të dhuruar kënaqësi, por vetiu ndikon për të menduar që edhe nëse nuk ka dramaturgji shqipe, tepër e diskuteshme, të nxiten politikat kulturore për ta vitalizuar atë, si pjesë e jetë së njeriut, si paqyra ku kundrohesh në pak kohë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1184
  • 1185
  • 1186
  • 1187
  • 1188
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT