• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“2024, bota në luftë për paqe dhe vlerat demokratike”!

January 18, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro AHMETAJ/

Në kapacitetin e ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin dhe NATO-s, gjatë 2023, kam ndjekur me vëmendje të shtuar: “dhjetra konferenca të Këshillit të Atlantikut; Institutit të Luftës si dhe kam ndarë oponione me kolegë në Washington, Bruksel, Londër, Berlin, Samitin e NATO-s, Vilnus, etj.  Patjetër, më duhet të falënderoj median (në RSh, Kosovë dhe jashtë vendit) për publikimin gjerësisht të disa 10-ra vlerësimeve. 

Për ta nisur këtë vit, në vijim do gjeni një përmbledhje mbi zhvillimet me peshë globale dhe rajonale gjatë 2023 si dhe pritshmëritë për 2024, të fokusuar në gjetje dhe rekomandime strategjike për Tiranën dhe Prishtinën Zyrtare:

Paraprakisht, si referencë-shtysë po citoj “Financial Times”, ç’ka për publikun ballkanik mund të tingëllojë hiperbolike: “12 muajt që lamë, kanë qënë nga më intensivet, për luftën në Ukrainë, Palestinë, etj, por dhe kakofoninë mbi demokracinë që bota ka parë që kur ideja u krijua para 2500 vitesh”. 

Besoj që ta mirëkuptojmë që as miku ynë/im (AC), Fred Kempe, as Financial Times, as Foreign Policy, nuk u referohen, vetëm Kinës, Rusisë, Iranit, as specifikisht Ballkanit, por sfidës globale me: “një listë të shteteve diktatoriale si dhe vendeve me qeverisje autokratike”. 

Si referencë shtesë, gjeopolitikanët sjellin në vëmendje se 70 vende, 8 nga 10 më të populluarat (përfshi SHBA); pra rreth 2 miliardë, ose  ½ e popullsisë me të drejtë vote; që përfaqëson 60 % të prodhimit bruto të globit do të votojnë në 2024. Kjo mund të tingëllojë për tu festuar, por ekspertët parashikojnë “një rrezik të shtuar për standartet e demokracisë”, pasi këto zgjedhje zhvillohen në një kohë kur shtetet e dështuara, korrupsioni shtetëror dhe inteligjenca artificiale ofrojnë mundësi efektive që: “t’i tërheqin këto vende drejt autoritarizmit”. 

Për më konkretisht po ju referohem ngjarjeve gjeopolitike që kanë dominuar 2023, si dhe respektivisht pritshmeritë për vitin në vijim:

Së pari. Rusia-Putiniste, nuk e pushtoi dot (shpejt) as me lule dhe valle për dy muaj si dhe as me tanke, raketa dhe bajoneta as për 2 vjet Ukrainën. Por mbas 680 ditë/netë luftime po zvarritet si terroristët e Hamasit në tunelet dhe llogoret e Zaporizhias, Oblastes, Bakhmutit, Khersonit, etj, duke lënë në fushëbetejë mbi 300 mijë të vrarë, rreth 8 trilion € (ose 4 vite GDP neto të Rusisë; 2022 = 17 trilion); ka humbur me turp iniciativën strategjike të luftës si dhe betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, kohezionin vlerat dhe fuqinë ushtarake të aleancës trans-atlantike.  

Kështu nuk ka mbetur asnjë dilemë, as për mendjet Staliniste, përfshi në Beograd dhe jo vetëm, që Rusia-Putiniste, gjendet sot më e izoluar dhe më e diskretituar se asnjëherë më parë në historinë e saj. Nga 195 (përfshi Kosovën) vetëm 5 shtete (Koreja e Kim-Jong-ut, Irani dhe 3 shtete terroriste të Afrikës) e njohën në këtë aventurë neo-naziste. Po për shkak të kësaj lufte rrezikon potencialisht përjashtimin nga 5-shja vendimarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare është lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit si dhe për listën e ngushtë të Gjeneralëve  zullumqare rreth tij. 

Ndërsa Ukrahina martire e ka mbyllur 2023, me përparime konstante të kundërofensivës (mbase jo entuziaste). Për vitin 2024 mbetet me e vendosur se kurrë për të mbrojtur territoret e marra, kohezionin e kombit dhe inisjativën strategjike deri në ri-marrjen edhe të Krimesë së statusquosë se para Marrëveshjes së dështuar në 2014.  

Prandaj, me kolegët në Washington, Bruksel, Londër etj besojmë fort që pavarësisht makinerisë së prapagandës Putiniste, viti 2024 do jetë jo vetëm viti i humbjes turpëruese që e pret Rusinë-Putiniste në Ukrainë, por dhe i gjynjësimit ndaj vendosmërisë dhe mbështetjes ushtarake, nga USA/NATO/UK/BE (paketa 100 miliard € për armatime moderne).

Së dyti. Masakra e Hamasit ndaj 1200 civilëve Izraelit dhe   41 vende të botës më 7 Tetor 2023, ndërsa terroristët si monstra cirreshin: “Allāhu ʾakbar, pasi masakruan qytetarë në festë publike; u prisnin kokat fëmijëve; mernin zvarrë pengje gjyshër, gra dhe vajza, përdorin si barrikada (ç) njerëzore bashkëqytetarë nga Rripi i Gazës”, kurrësesi nuk kanë të përbashkët me vlerat e fesë Islame.

Kështu, jo vetëm izraeli u kërcënua por dhe sistemi global i sigurisë u vunë në sprovë. Prandaj e përsëris, se përtej rrethanave të Izraelit për mbijetesë “ushtrimi i të drejtës sovrane së hakmarrjes shembullore ndaj terroristëve”, mbetet edhe mision i përbotshëm. Në të kundërt, A nuk do të krijohej një preçedent fatal për sistemin e sigurisë dhe vlerat e qytetërimit ? E thënë ndryshe: “nëse Izraeli u dorëzohej/t terroristeve, në një akt të ngjashëm edhe Berlini, Londra, Parisi dhe çdo vend demokratik, çfarë pasojash do të ketë mbi paqen dhe shoqërinë njerëzore”?!

Nga ana tjetër, risjellim në vëmendje se riciklimi i konfliktit të përgjakshëm në Lindjen e Mesme, ishte gjellë e helmatisur e Kremlinit, por duhet ta pranojmë që arriti që nëpërmjet grupeve terroriste të prodhonte disa pikëpyetje afatshkurtra mbi kundërofensivën e Ukrainës. 

Gjithsesi historia e pas-konflikteve të përgjakshme na mëson se rruga drejt paqes kërkon kompromise të mëdha. Pra vetë-përmbajtje, respektimin e konventave ndërkombëtare; armë me preçizion të lartë (por të pamëshirshme kundër terroristëve); korridore humanitare për të shmangur në maksimumin e mundshëm viktimat e pafajshme (edhe pse 100 % është mision i pamundur) si dhe paketë me masa të mirëbesimit reciprok. 

Nga ana tjetër, më e pakta i gjej mjerane dhe djallëzore kur “internacionalist mëndjendryshkur” venë shenjën e barazisë mes Terroristeve dhe Izraelit (!) apo për më keq edhe Kosovës (!), duke i risjell opinionit oshilacionet marksiste të Enver Hoxhës: “Izraeli një kobure në duart e SHBA/UK..; shtet i krijuar nga imperializmi dhe sionizmi reaksionar”. Thënë këtë, të dy shtetet sovrane (RSh dhe Kosovës) të një Kombi të vetëm, nuk kanë opsion të dytë, përveçse në luftën kundër terrorozmit t’i bashkohet pa asnjë hezitim “flamurit të solidaritetit të mbarë botës së qytetëruar” duke dënuar frymëzuesit politik dhe autorët e masakrave kriminale të Hamasit, Putinit dhe si të tillët kudo. 

Së treti. Kina gjatë vitit 2023! Pjella e makinerisë së krimit (KGB), Putini dhe Diplomatët/Gjeneralët e “gjunjëzuar ” të Kremlinit, as e kishin menduar që: “kur vjen fjala për interesa gjeopolitike Kina nuk nuk mund të jetë aleate e natyrshme me Rusinë në luftën kundër USA dhe BE”! 

Për më tepër është fakt, se që në fillim të kësaj ndërmarrje kriminale (ndaj Ukrainës) si dhe në 2 vjet lufte Rusia ka marrë refuzimin e Pekinit, që nuk i ka dhënë as mbështetje ushtarake, por e ka paralajmëruar Moskën për mos-vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi, etj!

Kina e ka nisur 2024 me një intesitet historik bashkëpunimi me SHBA, përfshi edhe takime biletarale ushtarake, vetëm para disa ditësh. Kështu Rusia edhe për 2024 do te mbetet e pashpresë për të tërhequr Pekinin në këtë aventur gjeostrategjike për hapjen e një fronti të ri lufte ndoshta jo vetëm ndaj Taivanit.

Së katerti. Barometri i sigurisë në Ballkanin Perendimor gjatë 2023 mbeti i ndërthurur me luftën në Ukrainë. Ndërsa Rusia-Putiniste keq-dështoi për të ndezur fitilat e luftës duke frymëzuar grupet kriminale në Bosnjë -Hercegovinë; me bojkotimin nga lista Serbe të institucioneve dhe mbështetjen e barikadave të krimit të organizuar në veri. Kaloi çdo kufi me vrasjen në krye të detyrës të dëshmorit Afrim Bunjaku; u vetë-demaskua me riciklimin e kërcënimit ushtarak ndaj territorit të Kosovës dhe prezencës së NATO-s.

Nga ana tjetër, duhet theksuar se edhe për shkak të peshës së diskreditimit gjeopolitk që po përballet Rusia-Putiniste mbas ndërmarrjes neo-Naziste ndaj sovranitetit të Ukrainës, përfshirja në një front të ri lufte në Ballkan (pra në Europë, jo në Afrikë…) do të ishte një aventurë vetëvrasëse. Kjo pasi në këtë rast, kurrsesi nuk do tolerohej dhe jam i bindur që do të ndëshkohej në mënyrë shembullore (shumë më ashpër se në 1999) nga fuqia ushtarake e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO/USA).

Për 2024, shumë zhgënjyese që e nisi 2024 duke shtuar në buxhetin e mbrojtjes edhe 740 milion € shpenzime për armatime moderne, theksojmë (jo mbrojtëse) si dhe frymëzimin e bandave mercenare nga oshilacionet e Ministrit të Millosheviçit dhe Rusia-Putiniste. 

Thënë këtë, i ri-kujtojmë z. Vuçic dhe Gjeneralëve të Tij se, Serbia nuk ka gjithsësi fuqi të përballet ushtarakisht as me NATO-n, por as me vendet e Rajonit, edhe nëse nuk ato do ishin anëtare të NATO-s. Thënë këtë kujtojmë që Kroacia, Sllovenia, etj e kanë mundur makinerinë e përgjakshme të Milloshevicit mbas viteve 1990, ndërsa aktualisht kanë zhvilluar kapacitete për ta përballur dhe mposhtur Beogradin qoftë më vete apo qoftë të mbështetur nga Moska. Nga ana tjetër, Serbia jo vetëm nuk është e kërcënuar nga askush, por askënd nuk tremb dot më, përveçëse minon interesat dhe axhendën e integrimit të vetëvetes/Serbisë.

Gjithësesi shpresoj/a që e gjithë kjo marrëzi t’u shërbejë elitave mëndjehapura, në Beograd si “sirena alarmi” për të punuar kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakëderdhjes shekullore mes popujve të rajonit. 

Thënë këtë duhet që ende të besojmë se jo LUFTA por mirëbesimi, PAQJA dhe axhenda e integrimit në NATO/BE mbeten misioni i vetëm i ardhmërisë së qytetarëve të Kosovës, Serbisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit.

Në shtesë, ritheksoj edhe njëherë se: “humbja e luftës, kolapsi ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar, përfshi në Ballkan që e pret Rusinë-Putiniste mbas Ukrainës; për pasojë edhe dhe Serbinë, mbetet një rrethanë (por jo dhuratë) e favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha, si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në Rajon, Mesdhe, etj”! 

Gjithashtu e çmoj në kohën e duhur, t’i ri-këshilloj faktorët në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore” për ti dhënë jetë “Patformës 2Shtete sovrane 1Komb i vetëm”, duke konfirmuar në Washington, Bruksel, etj se “edhe pse e vonuar” kjo qasje nuk kërcënon asnjë, përfshi Serbinë, përkundrazi do të kontribuojë si balancë strategjike për paqen afatgjatë dhe axhendën e Integrimin Euratlantik vendeve dhe popujve të rajonit”.

Me këtë rast, rikonfimoj se, mbetem edhe më i përkushtuar për të kontribuar me përulësi në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare si dhe për forcimin e partneritetit strategjik me USA/NATO-n. 

Filed Under: Ekonomi

PËRSHËNDETJE DHE URIME KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE DHE SHËNJTËRISË SË TIJ, HAXHI DEDE BABA EDMOND BRAHIMAJ PËR KËTË VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE ME RËNDËSI

January 18, 2024 by s p

Ju falënderoj për ftesën që më kini dërguar nepërmjet mikut dhe bashkpuntorit tim të ngusht, Kryeredaktorit të gazetës Telegraf, Engjëll Musait, për të marrë pjesë në atë tubim përkujtimor.  Është mjaft domethenës fakti se përkujtimin e 556-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbe e kini lidhur me përvjetorë të tjerë me rendësi, jo vetëm për Bektashinjtë shqiptarë, por edhe për historinë e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve pa dallim. 

Kujtimi në këtë datë të vdekjes së Kryetrimit të Kombit lidhur me data të rëndësishme për Bektashinjtë shqiptarë siç është 103-vjetori i Kongresit të Parë Bektashian në Teqën e Prishtës-Skrapar, përkujtimi i Baba Ali Tomorrit dhe Baba Shefqet Gllavës – martirë të demokracisë, 1948 – si dhe promovimi i veprave të Baba Ali Tomorrit, janë mjaft domethenës. 

Kjo ceremoni sot, tregon, se respekti për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin -Skenderbe dhe kujtesa juaj për Skendërbeun — nepërmjet kësaj ceremonie për martirët bektashinjë të Atdheut, të fesë, të lirisë dhe demokracisë vazhdon të jetë e fortë dhe e gjallë në zemrat dhe mendjet e bektashinjve shqiptarë, madje edhe pas pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist. 

Baba Ali Tomorrin e ekzekutuan komunistët me 14 Janar, 1948 si “spiun” i anglezëve. Fjalët e tij të fundit ishin: “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria!”   Amanetin s’e luan toka. 

Promovimi i kolanës së veprave të Baba Ali Tomorrit, përgatitur nga Mehmet Gëzhilliu, është një shenjë nderimi e respekti, por edhe shenjë bamirësie, mirënjohjeje dhe falënderimi. Të njëjtin fat të keq pësoi edhe Baba Shefqet Gllava, i akuzuar për agjitacion e propagandë dhe i pushkatuar nga regjimi komunist.

Por heret ose vonë, e mira mund të keqen! Duke iu falënderuar për ftesën, uroj që kjo ceremoni përkujtimore sot në Tiranë në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar – Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe martirëve të besimit bektashian të demokracisë – të frymëzojë breznitë e reja të shqiptarëve drejtë veprave të mira e të mbara, për të mirën e përbashkët për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe për një të ardhme më të ndritur për Kombin shqiptar! Tiranët harrohen – heronjtë kujtohen! Këtë po bëni ju sot.

Uroj që arsyeja, dashuria për fe e atdhe dhe idealet e vëllazërimit njerëzor ndër shqiptarët – vlera për të cilat dhanë jetën këta martirë të fesë e të Atdheut – eventualisht të gjejnë rrugën e vet drejt një të ardhme më të mirë për  shqiptarët pa dallim dhe për mbarë Kombin shqiptar. 

Me përshëndetje miqësore,

Frank Shkreli

Skanderbeg's statue.
Baba Ali Tomorri

                                        Dervish Shevqet Gllava

                                                      Mali i Tomorrit

A building with snow on the ground

Description automatically generated

Filed Under: Reportazh

Shëndetësia “falas”, që të vret falas

January 18, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

Në një kthesë të befasishme të ngjarjeve, të dhënat e fundit nga (OBSH) zbulojnë se edhe pse qeveria shqiptare insiston në shëndetësi falas, shqiptarët “mrekullisht” po mbulojnë 60% të faturës vetë. Për qeverinë Rama ky është kuptimi i fjalës “falas” në buletinin e propagandës.

Ndërsa synojmë të besojmë se shëndetësia duhet të jetë e lirë si një lumë malor, statistikat zyrtare të OBSH paraqesin një pamje tjetër. Në botën emocionuese të financave shëndetësore shqiptare, duket sikur qytetarët po veshin plaçkën e tyre financiare dhe po marrin përsipër përgjegjësinë, ndërsa qeveria luan rolin e një anëtari të pakuptuar. Mungesa e barnave, cilësia e ulët dhe korrupsioni gërryejnë xhepat e grisur të qytetarëve. Një raport i fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbulon se Shqipëria renditet e para në rajon për shpenzimet e larta shëndetësore që qytetarët e saj duhet t’i mbulojnë nga xhepi i tyre. 

Mirëpo, duket se “Shëndetësia Falas” nuk është aq falas sa emri sugjeron.  Një shqiptar mesatar duket se është bërë një specie e re e financuar vetë për trajtimin shëndetësor. Një prej arsyeve kryesore është fakti që ligji për kujdesin shëndetësor nuk zbatohet, duke e lënë qytetarin të ndjehet si një kampion olimpik i shëndetit privat.

Vendi ynë është ende i paaftë për të ofruar shërbime shëndetësore sipas protokolleve që vetë ai i ka miratuar,”Ato paketa shërbimesh që tashmë janë miratuar nuk ofrohen për pacientët, duke i detyruar ata të kenë shkurtimin e tyre të shëndetit privat.

Shqipëria, e cila doli e para në ofrimin e shëndetësisë falas në rajon, tani duket se ka hyrë në një garë për t’u bërë lider në shëndetësinë private, ku qytetari blen agen, serumin, ilaçin, dhe pothuajse çdo gjë tjetër që ka nevojë. Ndërkohë, mungesa e barnave dhe ilaçeve nuk është një problem i njohur vetëm gjatë pandemisë, por vazhdon të krijojë vështirësi edhe sot. 

Pacientët janë në kërkim të aventurës për të gjetur ilaçet e tyre të nevojshme, si një lojtar që eksploron nivelet e reja të një video lojë në farmacitë private afër spitalit.( Mos rënç në dorë të tyre!).

Në këtë skenar, korrupsioni është një element që nuk mungon. “Ryshfeti i vogël” sa për një kafe ka bërë një hyrje triumfale në skenën shëndetësore. “Pacientët janë duke bërë një investim shtesë në shëndetin e tyre, me shpresën se do të kenë një trajtim më të mirë. Është një lloj loje kazinoje ku lojtarët hedhin para për një shans më të mirë për shërim.” Nga ana tjetër në një kthesë tronditëse, ish ministri ynë i nderuar i Shëndetësisë falas, Beqja ka dëshmuar se inovacioni nuk njeh kufi kur bëhet fjalë për sigurimin e kontratave për shërbimet e sterilizimit. Në një ekstravagancë të vjedhjes së ofertave që mund të rivalizojë çdo film me grabitje në Hollywood, ministri ynë ka demonstruar vërtet artin e zbrazjes së xhepave – ose më mirë, të vjedhjes së xhepave. Ish- ministri, i njohur për qasjen e tij unike ndaj shërbimit publik, ka arritur të rrëmbejë ofertën e sterilizimit mu nga hundët e kompanive konkurruese. Është si një truk magjik ku oferta zhduket dhe ish- ministri del si iluzionisti i madh i prokurimit të shëndetësisë. “Unë kam prekjen e Midas, por në vend që të kthej gjithçka në ar, unë e kthej çdo ofertë në një fitore personale. Është një situatë fituese për mua, dhe kjo është ajo që ka vërtet rëndësi, apo jo? Thotë si Beqja si në majë të thanës, po jo tani  para kadiut “SPAK”. 

Ndërsa publiku përballet me zbulimin e vjedhjes së ofertave në sektorin e shëndetësisë, ish ministri mbetet një figurë enigmatike – pjesërisht mashtrues, pjesërisht sipërmarrës dhe si gjithnjë magjistar.  

Cilësia e ulët e barnave është një tjetër shqetësim. Pas ndryshimeve ligjore të vitit 2014, në treg futën medikamente që nuk janë nga tregu i Bashkimit Evropian, kineze, turke, indiane. Kjo, sipas saj, solli një “ulje të cilësisë së medikamenteve”, duke e lënë pacientin me një dilemë: të blejë ilaçin e shtrenjtë ose të mbetet me atë me cilësi të ulët duke shpresuar për një shërim mirakuloz.

Sipas llogaritjeve magjike të OBSH për vitin 2021, shqiptari mesatar ka dhënë me dashamirësi 465 dollarë për mirëqenien e tij. Mbani frymën – një shumë e mahnitshme prej 59.7% të kësaj shume ekstravagante (kjo është 277 dollarë, në qoftë se i humb numrat) është paguar heroikisht nga xhepi i qytetarëve, ndërsa qeveria jap kontributin e saj me pjesën tjetër prej 39.7%, drejt nga buxheti i shtetit.

Duket se shqiptarët e vetëdijshëm për shëndetin kanë përjetuar një rritje të befasishme në formë financiare, pasi shpenzimet shëndetësore kanë shënuar një rritje të ndjeshme pas pandemisë. Në vitin 2015, superheroi ishte veshur me 57.3%, por që atëherë, ka fituar masat dhe ka rritur me 2.5 pikë. Edhe pse qeveria thotë se ka zgjeruar kapacitetet buxhetore, xhepi i qytetarëve ka qenë në rritje serioze gjatë dekadave të tranzicionit.

Si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private, me kosto që vlerësohet të kenë arritur mesatarisht 20 mijë euro/person. Rritja e kostove për të përballuar Covid ka ulur dhe më aftësinë paguese të individëve.  Rreth 947 milionë lekë në vit, që shpenzohen në spitalet private rimbursohen nga shteti për shërbimin e dializës që kryhet nga Spitali Amerikan, ndërsa vitet e fundit është zhvilluar dhe shërbimi i sigurimit shëndetësor nga shoqëritë private të sigurimit që mbulon një pjesë të shpenzimeve të individëve që kurohen në privat.

Në vitin emocionues 2005, shqiptarët po paguanin nga xhepi vetëm 49.3% të kostos së shpenzimeve shëndetësore. Shpejt përpara në vitin 2021, kjo shifër ka arritur në një shifër mahnitëse prej 59.7%. Nga viti 2015 deri në 2021, kontributi i qytetarëve në shëndetësi ka pësuar një rritje prej 82% – flasim për objektiva serioze të pasiguruarit financiar.

Krahasuar me fqinjët e tyre evropianë, Shqipëria mbart me krenari medaljen e artë për shpenzimet personale në shëndetësi. Pas tyre, vjen Maqedonia e Veriut me një rezultat respektues prej 41.7%, ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8%), dhe Bosnja dhe Hercegovina me rezultatin më të ulët në rajon prej 30.7%, që qartë nuk po merr pjesë në Olimpiadën financiare.

Në vitin sensacional 2020, viti që na dhuroi pandeminë, familjet shqiptare vendosën një rekord të ri duke përkushtuar një shumë tmerrësisht prej 5.6% të shpenzimeve të tyre të përgjithshme për shëndetësi, nga 4.9% në vitin e mëparshëm. Një dëshmi vërtet joshëse për përkushtimin e qytetarëve në betejën kundër Covid-19 me xhepin e tyre.

Ndërkohë, treguesit zyrtarë sugjerojnë se buxheti i shëndetësisë po luan një lojë të fshehtë të shpërndarjes së drejtë të fondeve. Për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka qëndruar gati në të njëjtin vend, ndërsa të ardhurat buxhetore dyfishohen, dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor janë rritur. Paçka se superhero apo jo, duket se akrobacitë financiare vazhdojnë në cirkun shëndetësor shqiptar.

Ndërsa shpresa për shëndetësi falas po zbehet, shqiptarët po shohin drejt klinikave private jashtë vendit, duke shprehur një kënaqësi për të paguar më shumë për një shërbim më të mirë. Megjithatë: “Ky fenomen nuk ka ndodhur së fundmi në vendin tonë, por ka 30 vite që ndodh. Dhe duket se kjo lojë e shëndetësisë është ende në fazën e betejës për çmimin e xhepit të shqiptarëve.”

Një ndikim i tillë në shëndetin dhe xhepat e qytetarëve ka sjellë një humbje të besimit në sistemin shëndetësor publik. “Qytetarët po e ndjejnë veten si në një treg ku ata janë blerës, por shëndeti nuk është një produkt që mund të kthehet. Dhe njeri syresh po thoshte : “Pse mjekët mbajnë një stilolaps të kuq? Në rast se duhet të marrin gjak më shumë nga pacienti.”

Filed Under: Sociale

Dega e “VATRËS” në Boston zgjedh Kryesinë e saj

January 18, 2024 by s p

🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

Kryetari i “VATRËS” në Boston, z. Mentor Maksutaj, caktoi ekipin e vatranëve me të cilët do të drejtojë degën për katër vitet e ardhshme.

Pas votëbesimit të marë nga vatranët në zgjedhjet e 17 Dhjetorit 2023 dhe bazuar në Kanunoren e “VATRËS”, z. Maksutaj ka zgjedhur Kryesinë dhe Bordin Drejtues të Degës.

Detyrën e Zv/Kryetarit të Degës, z. Maksutaj, ja ka besuar Hirësisë së Tij, Peshkopit Theofan Koja. Në detyrën e Sekretarit të Degës së “VATRËS” në Boston, z. Maksutaj ka emëruar z. Flamur Vezaj. Ndërkaq financat, z. Maksutaj ja ka besuar z. Jorid Çelaj që do të mbajë detyrën e Arkëtarit.

Ndërsa si anëtarë të Bordit Drejtues të “VATRËS” në Boston, z. Maksutaj ka vendosur të ketë 7 vatranë.

Ai ka përzgjedhur vatranët; Andrea Pani, Petrit Alibeaj, Lindita Meçe, Subi Çako, Isa Bytyqi, Ervis Dhima dhe Edlira Cako.

z. Maksutaj, tha se çdo vatran i caktuar në ekipin e tij, do të ketë nga një detyrë përkatëse me të cilët do të punojë për të ngritur në lartësinë e duhur Degën e “VATRËS” në Boston.

🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

Filed Under: Mergata

VATRA JU FTON NË PROMOVIMIN E VEPRËS SË SHKRIMTARES SABIJE DERVISHI VESELI

January 18, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” fton shkrimtarët, artistët, median dhe komunitetin shqiptar në promovimin e veprës së shkrimtares Sabije Dervishi Veseli.

Promovimi zhvillohet ditën e shtunë më 27 Janar 2024 në ora 11Am në Selinë Qendrore të Federatës Vatra me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458.

Ekspertë të letërsisë shqipe, gjuhësisë, letërsisë moderne e përkthimit do të nderojnë me kumtesa e tyre këtë ditë të rëndësishme kulturore për Vatrën dhe komunitetin tonë.

Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1195
  • 1196
  • 1197
  • 1198
  • 1199
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT