Ju falënderoj për ftesën që më kini dërguar nepërmjet mikut dhe bashkpuntorit tim të ngusht, Kryeredaktorit të gazetës Telegraf, Engjëll Musait, për të marrë pjesë në atë tubim përkujtimor. Është mjaft domethenës fakti se përkujtimin e 556-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbe e kini lidhur me përvjetorë të tjerë me rendësi, jo vetëm për Bektashinjtë shqiptarë, por edhe për historinë e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve pa dallim.
Kujtimi në këtë datë të vdekjes së Kryetrimit të Kombit lidhur me data të rëndësishme për Bektashinjtë shqiptarë siç është 103-vjetori i Kongresit të Parë Bektashian në Teqën e Prishtës-Skrapar, përkujtimi i Baba Ali Tomorrit dhe Baba Shefqet Gllavës – martirë të demokracisë, 1948 – si dhe promovimi i veprave të Baba Ali Tomorrit, janë mjaft domethenës.
Kjo ceremoni sot, tregon, se respekti për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin -Skenderbe dhe kujtesa juaj për Skendërbeun — nepërmjet kësaj ceremonie për martirët bektashinjë të Atdheut, të fesë, të lirisë dhe demokracisë vazhdon të jetë e fortë dhe e gjallë në zemrat dhe mendjet e bektashinjve shqiptarë, madje edhe pas pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist.
Baba Ali Tomorrin e ekzekutuan komunistët me 14 Janar, 1948 si “spiun” i anglezëve. Fjalët e tij të fundit ishin: “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria!” Amanetin s’e luan toka.
Promovimi i kolanës së veprave të Baba Ali Tomorrit, përgatitur nga Mehmet Gëzhilliu, është një shenjë nderimi e respekti, por edhe shenjë bamirësie, mirënjohjeje dhe falënderimi. Të njëjtin fat të keq pësoi edhe Baba Shefqet Gllava, i akuzuar për agjitacion e propagandë dhe i pushkatuar nga regjimi komunist.
Por heret ose vonë, e mira mund të keqen! Duke iu falënderuar për ftesën, uroj që kjo ceremoni përkujtimore sot në Tiranë në përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar – Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe martirëve të besimit bektashian të demokracisë – të frymëzojë breznitë e reja të shqiptarëve drejtë veprave të mira e të mbara, për të mirën e përbashkët për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe për një të ardhme më të ndritur për Kombin shqiptar! Tiranët harrohen – heronjtë kujtohen! Këtë po bëni ju sot.
Uroj që arsyeja, dashuria për fe e atdhe dhe idealet e vëllazërimit njerëzor ndër shqiptarët – vlera për të cilat dhanë jetën këta martirë të fesë e të Atdheut – eventualisht të gjejnë rrugën e vet drejt një të ardhme më të mirë për shqiptarët pa dallim dhe për mbarë Kombin shqiptar.
Me përshëndetje miqësore,
Frank Shkreli
Dervish Shevqet Gllava
Mali i Tomorrit