• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Targat RKS qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë

January 6, 2024 by s p

Albin Kurti/

Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024. Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare.

Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë.

Kjo situatë e re i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve. Por ky vendim fillimisht po vjen pas përdorimit dy vjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë; dhe, tash së fundmi, si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje (sidomos në Beograd).

Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023.

Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë: manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake.

Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, të standardeve ligjore të Bashkimit Evropian që rregullojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të automjeteve. Do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv.

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Analiza

Sot, kujtojmë lindjen e Fan Stilian Nolit (6 janar 1882 – 13 mars 1965)

January 6, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.

Filed Under: Politike

RILINDJA DEMOKRATIKE…

January 6, 2024 by s p

– Isha dhe unë te të parët –

Përsiatje e shpejtë nga Visar Zhiti

RD – britmë lirie, mendim ndryshe i beftë, vizion, emocion i Shqipërisë, që vendosi të ndryshonte, – kështu po e shikonim dhe besuam aq sa dinim…

33 vjet më parë,

në 5 janar 1991 doli numri i parë i gazetës së parë opozitare, që u lejua mbas një nate të gjatë diktature, më të egrës në Europë.

Ata që e deshën atë gazetë shtoheshin gjithnjë e më shumë, u bë një popull që e priste, mbanin radhën për ta marë, e shpërndanin, e ruanin…

Mblodhi ajo rreth vetes gazetarë të përzgjedhur, guximtarë, të caktuar, ëndërrimtarë, idealistë, të mashtruar dhe mashtues, bashkëpunëtorë, mjeshtra të shkrimit, poetë, të dënuar, ish të burgosur, karrieristë, nga Blloku, dështakë, përçarës, do të ishim bashkë, redaksi e demokracisë, e kaosit, e zhgënjimeve, do të pasuroheshin, do të varfëroheshin edhe më, do të vdisnin, do të martoheshin, do të bëheshin deputetë, ministra, diplomatê, do të përjashtoheshin, do të iknin, do të dezertonin, do të mërgonin, do të ndërronin kryeredaktor prapë, nga ata të dikurshmit, ish komunistë, do të dekoroheshin në festat e përvjetorëve të gazetës, shpesh ata që bënë më pak, kur gazeta s’do të shitej si dikur, kur do ta shanin rregullisht, etj, etj, por gjithsesi mbetet e para, gazeta e ndryshimit të madh.

Dhe po (ri)zbulonim Vitet ‘30 të shekullit të kaluar, atë pluralizëm mendimi e gazetarie të begatë, perëndimore si kurrë ndonjëherë.

Po ndryshimi me kë po bëhej tani? Me ata që bënë dhe diktaturën? Rëndësi ka ndryshimi, thoshim…

Nuk po bëhemi ne si ata, po thosha, ata po bëhen si ne… demokratë…

Dhe ëndërronim të bënim një Shqipëri më të mirë…

Ndërkaq kujtoj kur fillova punë si gazetar në “RD”, gazeta e parë opozitare. Kisha dalë nga burgu e punoja si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnje, kisha refuzuar serish me vendosmëri bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit dhe përndjekja po mpakej, nisën të më flisnin dhe nga ata të njohur që s’më flisnin për arsye politike dhe ushtronin me zell luftën e tyre të klasave dhe, për çudi, s’po më flisnin ndoca nga ata që më kishin folur, siç duket më donin ashtu, përherë të goditur, – mendoja dhe buzëqeshja trishtueshëm.

Në RD” e nisa me poezi, ashtu siç e kisha lënë, “Dordolecët” – një ironi, pastaj nxora shkrimin “Koha bën njerëz dhe njerëzit bëjnë kohë”, etj, etj.

Po shkëlqenin emra në gazetarinë e re shqiptare. Vërshoi mendim i ri qytetar, kultura, por edhe revanshi i Realizmit Socialist, i Socializmit Real në fakt. Po aq sa ishte kohë ndyshimesh, dukej dhe si kohë konvertimesh…

Kur po dënohej atëhere vejusha e diktatorit, e shikoja si metaforë të diktaturës-vejushe, më shqetësonte dhe botova në dy faqe gazete në “RD” artikullin “Nexhmije Hoxha është dënuar me shekuj”. Diktatura-vejane…

Në kohën e krizës së gazetës “RD”dhe jo vetëm të saj, përgatisja faqet letrare, po kështu botoja çdo të diel nga një poezi në gazetën pranë, “TemA”, po mirëpriteshin, edhe në gazetën “55” botoja, etj, doja shtypin opozitar, por shpesh mbetesha pa punë nga ndërprerjet, gjithsesi vazhdova, isha mësuar, unë kisha shkruar fshehurazi dhe në burg…

Po, në burg, aty ishin të parët, ata që deshën një Shqipëri tjetër, të lirë, të begatë, euroatlantike, që u ngritën në revolta brenda telave me gjemba, shpalosën Flamurin me shqiponjën dy krenore pa yll e i ridënuan e i vranë…

Studentët e dhjetorit do të vinin kurorën e fitores…

Dhe do ta thosha këtë.

Do kështu do të vijoja të botoja më së shumti në të përditshmet shqiptare, që nga “Koha jonë” e “Sot” te “Liberale” e “Dita”, “Telegraf” e “Mapo” e “Shekulli” e “Fjala”, etj, te “Gazeta Shqiptare” e deri te “Panorama”, në të përjavshmen “Nacional”, te revista letrare “illz”, te gazeta më e re “ExLibris”, po dhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, në Mal të Zi, etj, në media në diasporë, në Itali, te arbëreshët, në Zvicër në “Voal”, te “Revista letrare”, në Rumani te “Albanica”, në Mbretërinë e Bashkuar te “Fjala e lirë”, në SHBA “Dielli” dhe “Illyria”, te revista e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë “Pena”, te “Peizazhet e fjalës” së mençur dhe të bukur…

Sa i lirë shtypi? Sa shtypës? Sa opozitar? Nuk e kam fjalën për ato media kulturore që kanë pronar shkrimtarët e tyre e na gjenden, por për ato gazeta social-politike të partive dhe oligarkëve. Sa informim japin dhe sa të vërteta sjellin, kur informimi është i njëanshëm dhe të vërtetat jo të duhurat? Kur duket se përbashkuese është e keqja për të gjithë…

33 vjet “RD” – shyp opozitar dhe pozitar, nëse mund të themi. Ishim të tyret dhe ne e ata a ishin po aq dhe tanët? – kemi të drejtë të pyesim. Se është permanent pushteti që i duhet bërë ballë.

Rëndësi vërtet kishte ndryshimi, por si? Edhe kjo ka rëndësi po aq shumë…

Më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk përmbysa një pushtet, – thoshim se kishte thënë një diktator i kuq dhe unë botova atëhere në “RD”, që më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk ngrita një shtet. Po a ta jep kush atë gazetë? Duhet ta krijosh vetë, së pari brenda vetes. Është liria e gjithsecilit. Që mund të kishim bërë më shumë, por edhe më mirë…

Opozita është prapë në rrugë, me liderin e saj të mbyllur me detyrim, të ngujuar në shtëpi, që sheh nga dritarja ashtu si mbështetësit e tij edhe çarjen. Festë s’mund të ketë…

Opozita është pushteti moral i një vendi, kështu thoshim. Shprishja e saj është shprishje e moralit… Që vjen dhe nga brenda, jo vetëm nga jashtë saj. Ashtu si liria edhe ajo së pari është e brendshme. Të ndërgjegjësohet sërish dhe të bashkohet sërish, jo vetëm si lëvizje, por si frymë, arritja të mos jetë tjetër nga nisja si ideal, me synim atdheun dhe jo pushtetin, drejtësinë si pronë dhe pronën si drejtësi, me strategji të rifitojë aleatët e natyrshëm euroatlantikë, vetveten së pari, me yll polar një Rilindje Demokratike…

Urim apo mision?

May be an image of text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Ekonomi

1934 / DEKLARATA E RËNDËSISHME E MINISTRIT TË JASHTËM TË SHQIPËRISË, Z. XHAFERR VILA, NË GAZETËN JUGOSLLAVE “POLITIKA”

January 6, 2024 by s p


Xhaferr bej Vila (1888 – 1938)
Xhaferr bej Vila (1888 – 1938)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Janar 2024

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të hënën e 18 qershorit 1934, në faqen n°2, deklaratën e rëndësishme të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Xhaferr Vila, bërë asokohe në gazetën jugosllave “Politika”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëri

Deklaratë e rëndësishme nga z. Xhaferr Vila

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Z. Xhaferr Vila, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe ish-ambasador në Beograd, i intervistuar nga një korrespondent i gazetës jugosllave “Politika” për politikën e jashtme të Shqipërisë, deklaroi ndër të tjera :

“Shqipëria është një popull krenar. Ne i kemi qëndruar gjithmonë besnikë parimit të ruajtjes me xhelozi të sovranitetit të Shqipërisë. Kemi lexuar deklaratat e z. Yevtitch (Jevtiç) për marrëdhëniet e këtyre dy vendeve dhe në veçanti për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Për sa u përket deklaratave të z. Venizelos për vasalitetin e vendit tim, më vjen keq që ish-kryeministri grek ka bërë një interpretim të gabuar të dokumentit të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921, sepse akti i regjistruar në Lidhjen e Kombeve duhet të forcojë pavarësinë e një shteti dhe jo ta dobësojë atë. Ky dokument nuk ekziston për Shqipërinë, sepse nuk u konsultua dhe nuk mori pjesë në hartimin e tij.”

Në përfundim, z. Vila deklaroi se Shqipëria, duke qenë një shtet i Adriatikut, kishte një vijë bregdetare për të mbrojtur kundër sulmeve ngado që vijnë.

Filed Under: Histori

SHKOLLA E PARË SHQIPE NË VERI, NDËR TË PARAT NË SHQIPERI – 120 VJETORI I SHKOLLËS SHQIPE NË IBALLE TË PUKËS

January 6, 2024 by s p

Prof.Asoc.Dr. Pashk Lekaj, “Mësues i Merituar”, ish- drejtues arsimi në rreth.

Puka ndodhet në qendër të veriut Shqipërisë, ndërsa Iballja është në pjesën verilindore të saj, në një rrafshnaltë 850 m mbi nivelin e detit, e rrethuar me pyje dhe e banuar nga dy besime fetare, katolik e mysliman. Të dhënat arkeologjike tregojnë se ajo ka qenë e banuar që në lashtësi. 

Iballja ishte rrugë kalimi nga Shkodra për në Gjakovë. 

Popullsia e saj është dalluar si punëtore, bujare, mikpritëse, por edhe për një histori të pasur qendrese e trimerie në shekuj, kundër pushtuesve turq. Pjetër Bogadani thotë se 100 iballas venë përpara 1000 turq të Vuçi Pashës së Bosnjës (Çeta e Profeteve)…  

Malsorët e këtyre zonave të dalluar për trimëri e bujari, por që nuk iu ka munguar dëshira për arsimim. Faktet historike tregojnë se në kisha e xhami, jepeshin mësime shqip fshehtas, mbasi nga turqia ishte e ndaluar mësimi i gjuhës shqipe. 

Personalite të arsimuar ka patur ky fshat. Me origjinë nga zona e Iballes kanë qenë vëllëzrit Ndre Mjeda dhe Lazër Mjeda, Arqipeshkvi i Sapës, Shtjefen Gjeçovi, nga Kryeziu etj. Kanë qenë këto rilindas që mirëpritën kërkesën e patriotëve vendas: Frrok Pemati, Vocerr Prela, Kol Nik Alia, Palush Pjetra. Ata siguruan mbështetjen nga Konsullata Austrohungareze në Shkodër, mbasi Porta e Lartë Osmane ia kishte njohur të drejtën e hapjes së shkollave kësaj Perandorie në Ballkan, që të hapnin shkollën e parë shqipe në veri, në vitin 1903 në Iballe. Këta patriot vendas morën përsipër dhe me fondet e veta ngritën një ndërtesë të bukur, dy katëshe me 8 dhoma.

Mësues i parë ishte Kolë Zezaj i arsimuar në Bosnjë për prift, por nuk e vazhdoi profesionin, që dinte disa gjuhë të huaja edhe ky me origjinë nga Puka. Ai erdhi në këmbë nga Shkodra së bashku më bashkshortën e cila u mahnit nga bukuria e zonës.    

  1. Shkolla shqipe  në Iballë para çlirimit të vendit 

Shkolla që u hap në Iballe në tetor 1903 me 20 nxënës, mashkuj dhe femra, të besimeve, katolikë e myslimanë. Nga tetori 1903 deri në vitin 1907 nxënësit mësuan shkrim dhe këndim, duke qenë brezi i parë i fëmijëve të Iballes që filluan të shkruanin shqip. Disa qarqe të administrates turke që ishin kundër shkollës shqipe, por edhe për të futur në grindje në mes besimeve fetare e dogjën kështu qw shkolla u mbyll. Bashkëjetesa fetare nuk u cenua  në saje të bisedimeve që u zhvilluan nga krerët e fiseve.

Gjatë viteve 1915-1917 shkolla vazhdoi me ndërprerje tek kisha e Iballës. Shkolla e Iballes u rihap në vitin 1918, ku dha mësim, për herë të parë një vendas, Kol Bib Miraka, në një dhomë të shtëpisë tij, ish nxënës i Kol Zezaj.

Në vitin 1922 Iballja me popullsi 357 banorë, kishte në shkollë 49 nxënës. Në vitin 1926 në Iballe kishte 40 nxënës.  Në vitet 1925-1933, si mësues kanë shërbyer priftërinj të ndryshëm që kanë dhënë mësim, jo rregullisht, në banesën e famulltarit .

Nga kërkesat e vazhdueshme të Iballasve, në vitin 1934, qeveria e Zogut rihapi shkollën dhe dërgoi mësuesin Lin Çurçia, me arsim të mesëm pedagogjik. Fshatari Mark Marashi i lëshoi një dhomë për mësim. Në shkollë vazhdonin 55 nxënës nga të cilët 9 ishin femra.   

Në vitin 1936 u ndërtua godina e re e shkollës e cila u ngrit edhe me ndihmën materiale të popullit të Iballes. Në kërkesën e komunës Iballe me shkresën nr.105, dt.24.02.1936, që i bën nënprefekturës së Pukës, shënon se kanë vazhduar mësimin gjatë vitit 60 nxënës, me 14 vajza e priten të shtohen edhe 22 të tjerë, prandaj kërkohet të shtohet edhe një mësues tjetër. Në vitin 1937 shkolla kishte të regjistruar 91 nxënës, nga të cilët 14 femra .

 Mësuesi Lin Çurçia, në Iballë, nxiti dashurinë për shkollën dhe zgjimin e ndërgjegjës kombëtare. Ai përgatiti një almanak me titull “Pena dhe parmenda”, me hartimet me të bukura, vjersha dhe krijime të nxënësve. Almanaku u pëlqye shumë nga Migjeni. Ai e shumëfishoi dhe ua shpërndau gjithë shkollave të rrethit, i cili si kryemësues i Pukës, porositi që të gjithë të merrnin shembull nga nxënësit e Iballes.   

Një mbresë të thellë në popull la festimi i 25-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë edhe në Iballe, organizuar nga mësuesi Lin Çurçia i cili tregon: ”Natën e 28 Nëntorit në Iballë bëmë një dritë të përkohshme, vendosëm në shtylla dhe në pemë pece të lagura me vajguri, i ndezëm duke bërë dritë tërë qendrën e saj. Natën e festës biseda më ishte ngarkuar mua. Fola për vuajtjet e popullit tonë në kohën e Turqisë dhe për ngjarjen e shpalljes së pavarësisë. Nxënësit kishin bërë vetë vjersha e monologje që i kushtoheshin atdheut, gjuhës shqipe, figurave të ndritura të Rilindjes etj. Skeçi “Shqipëtari i vogël” ku tregohej se kur të rritemi do të bëhëmi njerëz të aftë për Shqipërinë, i luajtur nga një nxënës i shkollës, la mbresa të këndshme. Këtë natë të entuziasmuar nga bisedat e shfaqjet e fëmijëve, u falën 11 gjaqe. Sipas zakonit u qit pushkë dhe gjakësorët u përqafuan. Këtu, në Iballë, nuk ishte parë asnjëherë kësi lloj manifestimi“.

Me 1938, për herë të parë, duke ndjekur shëmbullin e shkollës së Pukës edhe në shkollën e Iballes, me nismën e mësuesve, arsimi fillor u bë i plotë me 5 klasë.

Në vitet 1939-1941, megjithëse me ndërprerje, mësimet vazhduan në shkollën e Iballes. Me gjithë vështirësitë e luftës në vitin 1942, në shkollën e Iballes vazhdonin mësimin 44 nxënës.  

II. Shkolla e Iballes në vitet 1945-1991

 Me 11 mars 1945 u rihap shkolla e Iballes me 92 nxënës që frekuentonin 88, nga të cilët 28- femra, në një lokal të papërshtshëm. Me këtë rast u organizua një mbledhje, ku morën pjesë mbi 500 vetë. Populli ndihmoi në rregullimin e mjedisve të shkollës dhe të ambjenteve përreth saj, ku një gazetë e kohës shkruante se janë bërë mbi 450 orë punë vullnetare, ndërsa nga nxënësit 500 orë pune në kopshtin e shkollës. 

 Mbas ҫlirimit të vendit, në shkallë kombëtare, duke qenë pjesa më madhe e popullsisë analfabete, u hapën kurse kundër analfabetizimit të cilët vazhduan deri në vitin 1955. Mësuesit e kësaj shkollës luajtën një rol kryesor në kurset kundër analfabetizmit për popullsinë e Iballes. Ata drejtuan 8 kurse që u ngritën për zhdukjen e analfabetizmit.

Aksioni kundër analfabetizmit në Iballe përfundoi në vitin 1954, një vit para afatit. Në Iballe,  gjatë gjithë periudhës për zhdukjen e analfabetizmit, u pajisën me dëshmi 250 vetë, nga këta 70% femra. Një punë e mirë u bë, jo vetëm  në Iballë, por në tërë fshatrat e zonës. Për këtë zona e Iballes, në vitin 1954, u nderua me flamur, si zona më e mirë në këtë drejtim. 

Në vitin 1946, në Iballe, numri nxënësve ishte 115 me 45 femra, të ndara në dy klasa, duke përfshirë 15 nxënës nga Lëvosha (konsiderohej lagje e Iballes) dhe 17 nga Arapi. Në vitin 1948 shkolla Iballe kishte 4 klasë me 152 nxënës, ndërsa në lagjen Lëvoshë dy klasë me nga 20 nxënës. Në këtë vit doli Vendimi nr. 226 i Këshillit të Ministrave që detyronte të gjithë mësuesit pa arsim përkatës  të vazhdonin shkollën në profilin pedagogjik me korespondencë. Fillimi i vitit 1948 i gjeti dhe mësuesit më të përgaditur. Për ngritjën e nivelit të tyre ndikoi dërgimi i mësuesve gjatë pushimeve dimërore në kurse kualifikimi. Shkolla e Iballes në vitin 1949 kishte 142 nxënës, në 4 klasa dhe tre mësues. 

Përvojen e mirë, Seksioni i Arsimit e përhapte me anë të seminareve, që quheshin “rrethe metodike”, ku mblidheshin mësuesit e zonës. Rrethi i Pukës ishte ndarë në dy zona, me qendra: një  në Pukë dhe tjetra në Iballë. Mësuesit mblidheshin në këto rrethe metodike dhe ndaheshin sipas profileve për zhvillimin e seminareve. Ato bëheshin të dielën e parë të çdo muaji. Nga seksioni i arsimit dhe kabineti pedagogjik organizoheshin çdo vit seminare kualifikuese sipas profileve: mësime të hapuara, përgjthësime të përvojes së përparuar etj.

Me 1 mars 1953 në Iballë, në këtë zonë të thellë të rrethit, u hap për herë të parë shkolla 7-

vjeçare.  Klasa e V kishte 15 nxënës, nga të cilët 6-ishin femra. Këshu u krijua drejtori shkolle me drejtor të parë Prendush Gjergji, nga Qelza. Në vitin 1955 në klasat V-VII kishte 38 nxënës, nga të cilët 19-femra. Në këtë vit drejtor shkolle ka qenë Beslim Hoxha, nga Puka, ndërsa zëvendësdrejtor Ndue Jak Pjetri, “Mësues i Popullit“, nga Lufi. Kështu filluan të vinin nxënës në 7-vjeçare, jo vetëm nga të gjitha lagjet e Iballes, por edhe nga Lëvosha e Sapaçi.

Nga ana administrative rrethi i Pukës, mbas çlirimit ishte i ndarë në katër loklitete: Pukë, Fushë Arrëz, Gjegjan dhe Iballe. Lokaliteti i Iballes kishte në adminstrim fshatrat nga Arst-Miliskau deri në Berishë të Vogël. Nga një studim i bërë  me 1963, gjendja e arsimit, duke u krahasuar me vitin 1944, sipas lokaliteteve , për Iballën rezulton:

PopullsiaMe fillore7-vjeçareMesëmLartë
NrLokalitetiVitiGjFGjFGjFGjFGjF
1Iballe1944341114434731–3–––
1963472820271910811148302032–

Hapja e shkolles së mesme të përgjithshme në Pukë në vitin 1963, me konviktin pranë saj, krijoi mundësinë që edhe nga Iballja të vazhdonin, tashmë, shkollën e mesme në rreth. Në konvikt pranoheshin nxënësit që kishin mbaruar me rezultate të larta shkollë 7-vjeçare. Shumë nxënës nga Iballja patën rezultate të shkëlqyera në shkollën e mesme Pukë.

Deri në vitin 1966, në disa rrethe malore të vendit, shkollat fillonin mësimin me 1 mars, bënin pushime verore dhe mbaronin mësimin në nëntor. Në vitin 1967, të gjitha shkollat verore u kthyen në dimrore, pra u unifikua në shkallë kombëtare fillimi e mbarimi i mësimit: shtator-qershor. Në këtë viti mësimi filloi me 1 mars dhe mbaroi me 15 gusht, për të filluar me 1 shtator, vitin e ri mësimor. Kështu të gjitha klasat përfituan një vit mësimor.

Në vitin 1965 mbyllet cikli 7-vjeçar. Në vitin 1967 është e para klasa e tetë, që shënon ciklin e parë 8-vjeçar. Arsimi i mesëm ishte përseri katër vite. Ndërkohë ishte hapur edhe cikli i lartë me korespondencë.

Numri i nxënësve sipas planit të dërguar të vitit shkollor 1968-1969 ishte: 

Me shkëputjePa shkëputjeMësues
NrShkollaCikli i ultëCikli i lartëCikli i ultëCikli i lartë
1Iballe11892–1910

Me rastin e 30 vjetorit të çlirmit, në vitin 1974 u organizuan mitigje, ku në fjalimet e mbajtura u  përmendën rezultatet e arritura edhe në arsim. Në një të tillë thuhej  se kanë mbaruar  në Iballe 7-8-vjeçaren afër 400 nxënës, me e pa shkëputje nga puna. Iballja si zonë, kishte mbi 80 kuadro me arsim të mesëm e të lartë.  Në përgatitje kishte në të mesmen 32, ndërsa në të lartën 7.

Në vitin 1975 në Iballe, pranë shkollës 8-vjeçare u hap shkolla bujqësore e mbrëmjes dhe me korrespondencë.  Shkolla e mesme bujqësore, me shkëputje nga puna, u hap në vitin 1976.  Numri i nxënësve në këtë shkollë ishte: 1978-1979, 18 nxënës , 1979-1980, 34 nxënës, 1980-1981, 41-nxënës, që vinin edhe nga fshatrat përreth Iballes, Sapaç, Lëvoshë, deri nga Shopel, Berishë, Bugjon etj.

Në shkallë rrethi, pas vitit 1976, filloi lëvizja për shtimin e bazës materiale në shkolla  me moton: “Çdo klasë të kthehet në laborator dhe çdo mësues të jetë një eksperimentues”. Në këtë drejtim shkolla e Iballes u bë model jo vetëm për zonën, por edhe për rrethin. Ajo u pajis me mjete mësimore dhe me laboratore fizike, kimie, biologjie, agronomie e zooteknie ku shumë prej tyre u ndërtuan nga mësuesit e shkollës. Kishte bazë prodhuese, ku kultivoheshin bimë të zonës, por edhe bëheshin eksperimente, me qëllim përmirësimin e farave të drithërave të zonës. Kishte edhe kabinet të punës me dru e metal etj. Lidhja e shkollës me praktikën dhe e mësuesve me jetën e fshatarëve ishte një drejtim i rëndësishëm i edukimit të përgjithshëm shoqëror. Mësuesit kishin për detyrë që krahas mësimdhënies do të merreshin edhe me veprimtari shoqërore e edukuese me fshatarët.

Në vitet ʼ80 rrethi mori një zhvillim të madh ekonomik si rezultat i pasurive të mëdha nëntoksore e mbitoksore, duke zënë edhe vendin e parë në Republikë, si në pyje miniera etj. Gjithashtu edhe arsimi në rreth, krahas sektorëve të tjerë, mori një zgjerim të madh për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë. 

Në këtë shkollë kanë ardhë në vite shumë mësues nga disa qytete të Shqipërisë. Më shumë 

mësues kanë qenë nga Shkodra, por edhe nga Tirana, Vlora, Lushnja, Fieri, Gjirokastra, Korça, që të gjithë me shkollë të lartë, sipas profileve dhe me përgatitje profesionale që ndikuan në rritjen cilësore të mësimdhënies e mësimnxënies që u vlersuan edhe mbasi u larguan. Këtu ka dhënë mësim Ilia Mikerezi, në lëndën e kimi-biologjisë, që u emërua pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe mori gradën shkencore “Doktor” dhe titullin Akademik, “Profesor”; Gjyher Cani, mësues i gjuhë-letersisë, punoi edhe si inspektor arsimi, merrej me etnografi dhe kur u transferua në Shkodër, mori titullin Doktor i Shkencave; Ilir Burhani, që jepte lëndët shoqërore, u emërua pedagog në Universitetin e Shkodrës e mori gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Tomorr Bido, mësues fizike, nga Korça, me gjithë familjen në Iballe, drejtoi për disa vite me kompetencë profesionale shkollën e Iballes në vitet ‘80-të.

     Drejtor shkolle të tjerë deri në vitin ‘91, në këtë shkollë kanë qenë edhe Xh.Meçi (Mjeshtër i Madh), E.Gjylbegu, N.D.efi, U.Rexhepi, M.Prela, B.Doda.

Të gjithë ata që mbaronin shkollat e mesme dhe të larta, nga rrethi në tërësi dhe Iballja në veçanti, përgatiteshin të shërbenin si specialist në sektor të arsimit dhe të ekonomisë, vetëm brenda rrethit të Pukës, duke përjashtuar oficerët. Ky rregull dhe “ligj” i pashkruar synonte të plotësohej Puka me kuadro vendas, për të zëvendësuar ata që vitin nga rrethet e tjera dhe që të mos leviznin familjet nga fshati. Të ishe nga Iballja dhe të punoje në qytetin e Pukës, e të bëhej pasaportizimi aty ishte e pamundur, ndërsa në Fushë-Arrëz, vetëm për raste  të veҫanta.

Një ngjarje e veçantë për shkollën e Iballes ishte ndërtimi i godinës së re dykatëshe në vitin 1984. Në vitin 1989 u hap edhe dega zootekni me numër të pakët nxënësish.

 Në vitin shkollor 1988-1989, në këtë shkollë kishte 750 nxënës në 8-vjeçare dhe të mesmen, me dy degët e saj: agronomi e zooteknikë. Në këtë vit shkollor jepnin mësim 35 mësues. 

Deri në vitin 1988 kanë mbaruar 278 nxënës degën e agronomisë me e pa shkëputje nga puna. Shkolla kishte kishte laboratore, kabinete për lëndë të ndryshme, bibliotekë, kënd sportiv, muzeum dhe parcela eksperimentale bujqësore.

Për tërheqjen e më shumë nxënësve nga zona në shkollën e mesme u hap konvikti në një godinë të bukur të ndërtuar pranë shkollës, në vitin 1989, i cili funksionoi deri në vitin 1995, me deri 32 konviktorë. Dega e zooteknikës  me degën e agronominë  u mbyllën në vitin 1994.

Shkolla e Iballes ishte dhe qendra ku zhvilloheshin veprimtari artistike për gjithë zonën dhe zinte vende të para në saj të punës me pasion të përgjegjesit të shtëpisë kulturës Ton Smaili dhe mësuesit të muzikës Lin Gjni.  

Terreni sportiv i ndërtuar nga mësuesit e shkollës ishte model për gjithë rrethin. Shkolla mori vlerësime të larta për këtë terren sportiv, nga ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, që kontrolloi rrethin në vitin 1989. Gjithashtu u vlerësua puna e mësuesit të fizkulturës Ndue Mirashi.

 Mësuesit e Iballes ishin një shembull i mirë për gjithë rrethin. Nga ata u grumbulluan fjalë e shprehje të rralla, në kuadrin e aksionit kombëtar, këngë popullore dhe u hartua historiku i disa fshatrave. Shkolla e Iballes, për punë të veçantë në përhapjen e arsimit dhe arsimimin e nxënësve jo 

vetëm të fshatit, por edhe të zones, është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i Repiblikës së Shqipërisë. 

Më 1967 u dekurua më Urdhërin “Naim Frasheri të klasit të III”, me motivacionin „Është një nga shkollat që ka dhënë kontribut të vlefshëm për përhapjen e arsimit“. Më 1974 u dekurua më Urdhërin “Naim Frasheri të klasit të II”. 

  1. Shkolla e Iballes në vitet 1991-2023

Pas vitit 1991, në shkollën e mesme Iballe u hap dega gjimnaz dhe dega bujqësore u mbyll në vitin 1994, me mbarimin e ciklit dhe maturës së saj të fundit, mbasi u shpërbënë kooperativat bujqësore. Disa ndërmarrje shtetërore u mbyllën. Migrime dhe emigrime të popullsisë, edhe të këtij fshati, sollën zvogëlimin e numrit të nxënësve në vite që vazhdonin shkollën.

Në vitin 1995 shkolla u rikonstruktua tërësisht me fonde të Bankës Botërore, duke u pajisur me 

mobilje të reja të gjitha klasat.

 Duke krahasuar popullsinë e fshatit të Iballes nga 1991 deri 1997 vërehet rënja nga viti në vit. Në vitin 1997 kishte 1542 banorë, ku brenda një viti ishin larguar 9.24%. Numri i nxënësve në 8-vjeçare ulet në 12 %, ndërsa për arsimin e mesëm të përgjithshëm vazhdon të ketë interes.

Shkolla Iballe1991199219931994199519961997
1.Arsimi 8-vjeçar349295282267251244214
2.Arsimi i mesëm  116125130107101101104
Gjithsej465420412374352345318

Shkolla e mesme e përgjithshme mbyllet në vitin shkollor 2018-2019, mbasi bien numri i nxënësve. Arsimi, tashmë 9-vjeçar, ka pasur këtë ecuri në këto vitet e fundit.

Shkolla Iballe20122013201420152016201720182019202120222023
1.Arsimi 9-vjeçar124109846961585345413527
2.Arsimi i mesëm52494857342816

Aktualisht japin mësim në këtë shkollë 8 mësues, prej të cilëve 4 femra, që janë të gjithë nga Iballja. Gjithashtu jep mësim dhe një mësuese me nxënës që kanë zhvillim të vonuar.

Në përfundim, nga të dhënat e grumbulluara nga ish-mësues, shenojmë se në shkollën e Iballes nga viti 1903 kanë dhënë mësim 256 mësues, nga të cilët 79 femra. Nga këta: janë nga Iballja 83 mësues (32.4%), ish-nxënës të kësaj shkolle, femra 47 nga të cilat 20 prej tyre të martuar në Iballe. Me banim jashtë rrethit kanë dhënë mësim 67 mësues nga të cilët 9 femra. Drejtor shkolle kanë qenë 14, nga të cilët vetëm një me banim jashtë rrethit dhe tre nga Iballja.

Pas vitit 1991 demokracia dha mundësinë e lëvizjes së lirë edhe të kuadrove e specialistëve të Iballes. Familje të tëra kanë gjithë fëmijët me arsim të lartë. Nxënës të shkollës Iballe që mbaruan shkollat e larta u bënë mësues e drejtues shkollash brenda rrethit të Pukës por edhe në rrethe të  tjera, duke qenë të suksesshëm. Disa nxënës të kësaj shkolle, ish- mësues nga Iballja, morën gradën shkencore “Doktor i Shkencave”, si Vitor Maluta, Sokol Bajraktari, etj. u bënë pedagog në Universitete të Tiranës e deri në New Jersey në SHBA, dr. Esmeralda Vata.

Janë me dhjetra ish nxënës të Iballes, që u bënë specialistë të fushave të ndryshme të ekonomisë, mjekësisë, bujqësisë, drejtësisë që kanë drejtuar e drejtojnë institucione, ndërmarrje dhe sektorë brenda e jashtë rrethit, me rëndësi kombëtare, që u zgjodhën në organet e pushtetit vendor, deri deputetë si Fran Pjetri, Ludovik Hasani u bënë biznesmenë shumë të suksesshëm. 

IV.. Mbi festen 120 vjetorit të hapjes së shkollës së Iballe.

Me iniciativën e intelektualve, biznesmenve të fshatit ku si drejtues e sponsorizues kryesor ishte Dede Maluta, u organizua një festë shumë e bukur në Iballe, në përkujtim të këtij pervejtori të lavdishëm.

Mori pjesë Presidenti i Shqipërisë, Prof. Bajram Bega, deputeti, ish kryeministri i Kosovës Ramush Hajradinaj, i cili e pohoi poublikisht se e kishte origjinën nga ky fshat, kryetari i bashkisë  Fushë Arrëz, Hilë Curri etj. Morën pjesë, historian, arkeolog, specialist të fushave të ndryshme, ish mësues, nxënës specialist vendas e të fshatrave përreth dhe qindra banorë nga e gjithë zona.

U organizua një sesion shkencore me nivel të lartë, u inagurua muzeu i ri i shkollës, i bukur dhe i pasur me dokumenta, u organzua panair i prodhime bujqësore të vendit si dhe u zhvillua një koncert me pjesëmarrjen r artistvre me emër, nga Shqipëria e Kososva. Shkollës iu dha emri “Frrok Pemati”, e u vendos bust i tij në hyrje të saj. 

  Kjo festë mendojmë se tregoi që Iballja do të mbetet gjithmonë e banuar, nisur burimet natyrore, arkeologjike, mundësitë e shtimit të bimëve me rendiment të e lartë e me vlera kombëtare  e më gjërë, nga interesimi  që po bëjnë disa biznesmen vendas,  që nuk harrojnë vendlindjen, duke investuar këtu, si një hotel-restorant  modern, nga Lazer Mhilli e të tjerë që shpresojmë të shtohen, apo kontribuar së bashku, për të organizuar veprimtari të rëndësishme në bazë zone, me mikpritjen e veçantë të banorve, Iballja do jetë plotë vizitor gjithëvjetor, vendas e të huaj.  

Shkolla 9-vjeçare, trashgimtare e kësaj tradite të çmuar, gjithmonë do shërbejë si një rreze drite e cila shpërdan dituri, që fëmijët e Iballasve edhe në të ardhmen, do të jenë specialist në disa fusha me vlera kombëtare e ndërkombëtare.  

Referenca:

  1. “Shkolla pionere në Shqipërinë e Veriut”. Revista Pedagogjike, nr.4, 1976.
  2. Sabah Sinani, Historiku i Arsimit të rrethtit Pukë, 1989.
  3. Jaho Brahaj. Buletini  “85-vjetori i shkollës Iballe”, 1988.  
  4. Shkresa nr.105, dt.24.02.1936.
  5. Përgjigjja shkresën nr.105, dt.24.02.1936
  6. Muzeu i Shkodrës, Fondi Migjeni.
  7. Buletini “Puka dhe shkolla”,1974. 
  8. Arkiva e shkollës Iballe (regjistrat e nxënësve në vite dhe statistikat).
  9. Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit,1985
  10. Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit, 1989
  11. Pashk Lekaj. Zhvillimi i arsimit parauniversitar e prognoza e tij, gjendja e infrastrukturës shkollore dhe nevojat e saj, në rrethin e Pukës.1998.
  12. Ing.Kol Deda, „Iballa vatër e dijes dhe atdhedashurisë“,  kumtesë në sesion shkencore në Iballe 28 tetor 2023,
  13. Gjelosh Nikolla, „Kontributi i Rilinadasve Lazër dhe Ndre Mjeda ne hapjen e shkollës Iballe“, kumtesë në sesion shkencore në Iballe 28 tetor 2023.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1219
  • 1220
  • 1221
  • 1222
  • 1223
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT