• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIBRI I KUJTESËS HISTORIKE DHE ARTISTIKE

March 13, 2024 by s p

Besim Muhadri “Rekuiem për librat e djegur”, botoi “Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”, Prishtinë, 2024

Mëhill Velaj

Besim Muhadri, është autor i më se tridhjetë librave të zhanreve të ndryshëm: poezi, tregime, publicistikë dhe monografi në fushën e studimit letrar, të botuara në një hark kohor tridhjetëvjeçar (1994-2024). Si shumica e krijuesve, edhe Besimi krijimtarinë e tij letrare e pati filluar me poezi. Në vitin 1994, pra 30 vjet më parë Besim Muhadri pati botuar librin me poezi, “Diçka e bukur po ndodh”, një titull sa simbolik, po aq edhe interesant, madje me përmasa parashikuese. Libri në fjalë i Besimit në atë kohë që vlerësuar nga tre autorë, po ashtu poetë dhe miq të tij, Ismail Syla, Pal Ndrecaj dhe Nexhat Çoçaj. Ne reçencën e tij, Ismail Syla pati konstatuar se Besim Muhadri realitetin poetik e ndërton përmes metaforës që rrezaton kuptime, detaje artistike, si dhe disponime të ndryshme shpirtërore të unit lirik.

Ndërkaq për Nexhat Çoçajn, në librin “Diçka e bukur po ndodh” të Besim Muhadrit “erërat e kopshtit poetik janë ndër me te ndryshmet, kurse bota që na rrethon, gjegjësisht gjërat objektive siç janë: shtigjet e Pashtrikut, krojet, kullat, ai nuk i lë të heshtin brendapërbrenda poezisë së tij vetëm si një përshkrim i zakonshëm i ambientit. Paralel me to ai i ndërlidh asociacionet e tij lidhur me vendlindjen e të parëve, shprehet ndër të tjera Nexhat Çoçaj.

Pesë vite më vonë, më 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë Besim Muhadri 1999 botoi librin e dytë me poezi “A harrohet fytyra e nënës”, një libër i ndërtuar nga poezi të shkruara gjatë një periudhë pesëvjeçare, por e dominuar nga krijime që pasqyrojnë realitetin konkret të zhvilluar gjatë luftës së UÇK-së (1998-1999). Përmes vargut poetik poeti arrin të na paraqet përmasën e kësaj lufte sikurse edhe atë të lirisë dhe të sakrificës sublime të popullit shqiptar të Kosovës, ashtu sikurse e kishin paraqitur edhe shumë poetë të tjerë. Poezia e Muhadrit, ndonëse jo në masën e duhur, nuk ka kaluar edhe pa vrojtimin e kritikës letrare. Ndër ata që shfaqën mendimet e tyre për librin e Muhadrit janë edhe poetët dhe studiuesit Prend Buzhala dhe Besim R. Cengu.

Sipas Prend Buzhalës, krijuesi Besim Muhadri është i lidhur e i mishëruar me truallin e lindjes, me Hasin. Në të dy përmbledhjet e poezive, “Diçka e bukur po ndodh” dhe “A harrohet fytyra e nënës”, të tregimeve “Rrënuesit vinin natën”, si dhe në panoramën e krijuesve hasjanë, me titullin “Rigon e rrjedh nëpër Has”, poeti vendëzon lidhje të shumta mitike e krijuese me Hasin, por këto lidhje dhe raporte i pranon deri në atë masë, për aq sa do t’i shërbejnë për ta krijuar gjeopoetikën e tij shqiptare. Buzhala thotë se krijuesi e ngjyros, mbi këtë bazë, këngën e tij me tisin e dhembjes e të dëshpërimit, me tisin e vajit e të melankolisë, por ai e thur dhe e zhdrivillon edhe atë poetikë, mbi bazën e të cilës mbështet qëndrimi kritik ndaj realitetit”. Buzhala konstaton se Besim Muhadri “duke ligjëruar për Trupin e Atdheut, ai ligjëron për dramën e tij tragjike e të rëndë, për dhembjet e pafund dhe për qëndresën mbinjerëzore të tij, për holokaustin, për golgotat e për eksodet biblike shqiptare, ndërkohë që në hapësirat e tij barbarët shkatërrojnë, përdhosin, vrasin, e dëbojnë njerëzinë dhe shkretojnë”

Ndërkaq, libri që po e prezantojmë sot, i botuar këto ditë në Prishtinë, “Rekuiem për librat e djegur”, është i ndërtuar nga poezitë e dy librave të parë dhe i plotësuar edhe me poezi të tjera të shkruara pas botimit të librave të tjerë. Këto poezi autori i ka vendosur në fund të librit, ndërkaq librin e hap me poezinë kushtuar nipit të tij të vogël, të sapolindur në Nju Jork, Priamit, që ka edhe një domethënie simbolike të një vazhdimësie jetësore dhe krijuese.

Recensent i këtij libri është studiuesi nga Kukësi që jeton ën Tiranë, Besim Cengu, i cili në mes tjerash thotë se Besim Muhadri është krijues që në opusin e krijimit vargun e përdor në funksion të arritjes së qëllimit të vet, d.m.th, në atë lajmërimin e madh, në një kohë tepër të vështirë në kushte robërie se diçka e bukur po ndodhte. Poeti është zemër e ndjeshme, e zemrat e ndjeshme janë edhe ora që lajmërojnë para të tjerëve ngjarjen dhe ndryshimet e mëdha. Ndryshimet e mëdha janë edhe klithma lindjeje dhe e krahason me lindjen e fëmijës, d.m.th, të lindjes së një jete të re që është e bukur, sepse do të ketë, sipas poetit, grishje për lirinë, bukën dhe farën e moszhbirjes”.

Sipas profesorit dhe studiuesit Cengu Besi Muhadri ka kodin e vet poetik të përjetimit që e identifikon atë si poet i veçantë. Ai komunikon me njerëzit që u drejtohet me fjalën e tij të përditshme për të arritur deri në ndërgjegjen e secilit prej tyre i plotë dhe i qartë.

Në fund më duhet të them se vëllimi poetik “Rekuiem për librat e djegur”, përpos si një vlerë artistike, është edhe një homazh për katër mijë librat e djegur, të cilët autorit ia dogjën ushtarët serbë në shtator të vitit 1998, por edhe një mesazh poetik se si arti shkruhet edhe në kohë krismash pushkësh, kur muzat janë të frikësuar.

Autori me këtë libër me poezi, na kujton se ai nuk e ka braktisur në asnjë moment poezinë, edhe pse janë bërë 25 vite që ai nuk ka botuar libra të tillë. Urojmë që libri të bie në duart e lexuesit, sepse ia vlen të lexohet e të shijohet, si për nga aspekti tematik, ashtu edhe për nga aspekte të tjera që karakterizojnë një vepër të mirëfilltë letrare.

Filed Under: Analiza

Gjyqi popullor i çështjeve personale

March 13, 2024 by s p

Artan Nati/

Kush e kishte fajin? A duhet të ketë fajtor? Dhe nqs nuk ka a duhet ta shpikim atë? Këto pyetje shtrohen këto ditë për të ruajtur dinjitetin e princit, apo edhe për të ruajtur figurën e Elias. Gjithë shoqëria eshtë vënë në kërkim të fajtorit  si edhe televizionet e analistët japin shpjegime sipas preferencave të tyre shoqërore apo politike. Dalja e videos shihet si dështim i PS-së dhe princi komentohet si hero nga të djathtët dhe si humbës nga të majtët. Ndërkohë që këto pyetje qarkullojnë në rrjetet sociale, studio televizive apo rrugë, shumë pak dëgjojmë për të drejtën e Geraldinës së vogël për tu rritur në një ambient paqësor dhe me dashuri prindërore, për raportin që ne kemi si shoqëri me të vërtetën dhe obligimin tonë për një detyrim shoqëror ndaj të ardhmes dhe vlerave perëndimore, për të drejtat e njeriut dhe respektimin e ttyre. Dualiteti i sundimit të ligjit kundrejt gjyqit popullor shfaqet kudo si luftë për jetë a vdekje jo vetëm ndaj aktorëve kryesorë të ngjarjes, por edhe ndaj mbrojtësve dhe kundështarëve, ndërmjet familjeve respektive si edhe më tej ndërmjet televizioneve apo mediave sociale që mundohen si të kenë më shumë ndjekës. Kjo formë e gjykimit popullor më shumë ngjan me gjyqet e hapura të këshillave popullorë të kohës së komunizmit, se me kohët moderne të cilat pretendojmë se jetojmë. Njerëzit e thjeshtë,  të ndodhur në mes të kësaj ngjarje të pakuptimtë dhe halleve e problemeve të përditëshme, ndihen edhe më të braktisur e u tingëllon më shumë si një telenovelë se sa një ngjarje reale. Princi Leka donte të takonte vajzën e tij dhe vajza ka nevojë për dashurinë e babait. Dashuria e babait për vajzën e tij është dashuria më e pastër, e pakushtëzuar dhe e përjetshme Kjo buron nga natyra njerëzore dhe askush nuk mund tia mohoj babait apo vajzës. Elia ndoshta ndodhej nën presionin dhe gjykimin e shoqërisë, ndoshta e tradhëtuar apo e braktisur. Dhe është normale në një shoqëri si e jona që presioni dhe paragjykimi i shoqërisë të jetë faktori më i madh që na detyron shpesh të reagojmë në forma violente dhe të paarësyeshme. Shpesh në mentalitetin tonë kolektivist presioni shoqërisë, mungesa e kufijve të privatësisë së individit është më e madhe se forca e arësyes, se vetë fëmija apo nevoja e saj për babain, mamanë dhe të afërmit si edhe harmoninë dhe bashkëegzistencën paqësore ndërmjet tyre. Kjo monstër e padukshme që ne e quajmë tradita jonë, shkakton dhimbje dhe pasoja te njerëz të pafajshëm dhe krijon konflikte të panevojshme.  Në Perëndim kemi një evolucion që përfshin zhvillimin e arsyes dhe ndërgjegjes individuale gjatë Rilindjes dhe Iluminizmit, dhe më pas lulëzimin pasues të kapitalizmit. Si pasojë e këtij evolucioni, shoqëritë bëhen më individualiste ndërsa zhvillohen. Shqipëria dhe Ballkani për arsyet e mungesës së faktorëve të mësipërëm mbeti një shoqëri kolektiviste. Kolektivizmi është një botëkuptim që i kushton rëndësi të madhe grupit ose komunitetit në tërësi. Ai tenton t’i japë përparësi qëllimeve dhe përgjegjësive kolektive në kurriz të të drejtave dhe lirive individule. Në shoqëritë kolektiviste, grupi (shpesh familja) është shumë i rëndësishëm, prandaj individët priren të identifikohen fort me grupin e tyre, si familja ose fisi, dhe priren të vlerësojnë bashkëpunimin dhe harmoninë sociale mbi interesin vetjak. Si rezultat, individualiteti dhe dalja nga turma shpesh kundërshtohet. Nga ky botëkuptim, vetvetja shpesh konceptohet në raport me të tjerët dhe jo si një qenie autonome. Dukej sikur dy botë po ndesheshin në atë moment, një krizë që ne e vuajmë çdo ditë dhe shkakton vuajtje dhe drama të kota, por aq vetëshkatërruese. Kjo krizë thellohet edhe më shumë sepse jeta jonë nuk  është private, por gjyshi prezent në ngjarje, ndoshta edhe gjyshja edhe fisi më i zgjeruar nëpërmjet thashethemeve dhe mosrespektimit të privatësisë e rëndojnë situatën deri në shkatërrim. Duket sikur shoqëria u bë pjesë e kësaj drame në kërkim të një fajtori edhe nqs ai nuk egzistonte.  Ky mentalitet i viktimës u vu në kërkim të së mirës dhe së keqes, të fajtorit dhe viktimës duke harruar se fajtori ishte fshehur tek shoqëria vetë, se qëllimi final joni duhet të jetë përtej të mirës dhe të keqes. Detyrimi i shoqërisë, i prindërve dhe i familjes është ndaj të mirës së përbashkët, ndaj Geraldinës së pafajshme, e cila duhet të rritet me dashuri dhe pa paragjykime. Këto veprime ne i kemi kopjuar nga prindërit tanë dhe ata nga prindërit e tyre dhe fëmijët tanë nga ne dhe pikërishst kjo quhet kulturë apo traditë, dhe shpesh duhet të pranojmë se është e gabuar dhe kërkon reflektim. A duhet të gjejmë një fajtor apo jo? Ndoshta po, por kjo nuk është detyra jonë por e gjykatave dhe drejtësisë. Ndoshta fajtori është pushtimi otoman 500 vjeçar që na ndau nga perëndimi, ndoshta komunizmi 45 vjeçar e ndoshta pozicioni gjeografik etj etj. E rëndësishme është që ne të jemi të vetëdijshëm për atë që na ndodh dhe arësyet përse ne veprojmë në atë mënyrë dhe ashtu siç thotë Carl Jung  “Derisa ta bëni të pavetëdijshmen të vetëdijshme, ajo do të drejtojë jetën tuaj dhe ju do ta quani atë fat”. Ne si qënie shoqërore kemi një detyrim të madh ndaj vetes, fëmijëve, shoqërisë dhe kombit për transformim dhe reflektim ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve të jetës së përditëshme. Ndoshta ka ardhur koha që ngjarje të tilla të bëhen si një moment i thirrjes së ndërgjegjies personale e kolektive se jeta është e jona dhe na takon neve ta jetojmë atë në një mënyrë që na sjell gëzim dhe përmbushje, pavarësisht se çfarë mund të mendojnë apo presin të tjerët. 

Filed Under: Fejton

Monarkia nga dritarja e emigrantit

March 13, 2024 by s p

Silvana Berki/

Kur në 2016 u bë martesa e pric Lekës me princes Elian, dasma ishte e rrangut të mbretërive europiane. Jo pa qëllim është bërë një investim i tillë në një kohë që ekonomia e Shqiperisë nuk ishte e mirë dhe mendoj as e lehtë prej investuesve kushdo ka qënë për ta realizuar atë. Dasma ishte event historik dhe e dyta e këtij lloji në vendin tonë. Unë si emigrante e kam ndjekur krenare për mundësinë ti tregonim botës se nuk jemi rrang i dytë në mes tyre dhe mundesisht të na bënin një vend  të shumëpritur. Shumë miqve madje ua tregoja me ëndje dasmën dhe të them të drejtën në mes miqve finlandez shikoja edhe xhelozi për vetkrenarinë t`ime me vëndin tim dhe sidomos ciftin mbretëror. Kjo për arsye sepse ciftet mbretërore ndiqen nga medja botërore me shumë interes për estetikën dhe vlerat shoqerore që ato prezantojnë. Jo të gjitha kombet në botë kanë sot mbretëri. Pak përpara luftës së dytë botërore dhe mbas saj shumë mbretëri u shfuqizuan. Ishte koha e e praktikave të ideologjisë markisëm-leniniste.  Shfuqizimet ndodhën jo vetëm në bllokun lindor por edhe më tej si Turqia apo Greqia, Iraku, Irani, Italia, Egjipti dhe lëkundjet e Spanjës. 

Eshtë interesante se të gjithë monarkët kudo jetonin në eksile, nuk e braktisën njëri tjetrin dhe institucionet e tyre u mbështetën edhe në emigracion si një rrymë politike për demokraci. Në një dokumentar tek po shihja varrimin e Shahut të Iranit në Egjypt, pra në eksile, pash të ecte krah të tjerëve edhe mbreti Konstandin i Greqisë, i cili e vuajti mërgimin e tij në mënyrën më të rëndë të mundshme. Kjo sepse edhe ish mbretët ashtu si njerëzit e zakonshëm në mërgim pësojnë syndromën e mallit për shtëpinë dhe Konstandinit jo vetëm i ndaluan kthimin në atdhe, por i hoqën edhe shtetësinë greke mbasi rrënjët i kishte daneze, edhe pse lindur dhe me stërgjyshër mbi 200 vjet në Greqi. Në jetët e monarkëve të shfuqizuar ka shumë rrëfime tragjike, në fakt njëri më tragjik se tjetri dhe është fat nëse disa kanë mbijetuar. Sot gati të gjithë monarkët janë rikthyer në atdhe, por kjo nuk ua ka larguar nga supet traumat e përjetuara, të cilat i mbajnë brënda vetes pa guxuar as ti ndajnë me njeri për shkak të ambientit jo tepër miqësor karshi tyre. Zakonisht jo-miqësorët janë qytetarë të politikave të kundërta. 

Ajo që më ka bërë efekt të mirë është jeta tradicionale që monarket e ruajnë me fanatizëm. Në atë jetë rol të rëndësishëm i jipet besimit fetar, prej nga rrjedh edhe mirësia apo ndjenja e fajit. Ne i kemi parë kombet ateiste sesi e shpërfytyruan vendin e tyre duke mos patur frikë ngta asgjë, nga asnjë ndëshkim dhe duke u kthyer kriminelët më të mëdhenj botës së madhe. Mendoj, që një arsye perse monarkët janë shumë të lidhur me fenë është pikërisht nevoja të jenë sa më njerëzor, nevoja të jenë sa më të përulur ndaj Zotit dhe njerëzve. Po të takosh një monark kudo që ka jetuar në atdhe apo eksile do të kuptoni peruljen e tyre ndaj nje misioni tejet madhor dhe nuk ka mision më madhor sa ti dedikohesh kombit e ti shërbesh atij me perulje. 

Mund të jap fakte me bollëk se sa ndryshe vepron një monark në rast krize apo cenosje nga okupimi. Një shëmbull mjaft i bukur ishte ai i mbretit të Norvegjisë Haakon VII- stërgjyshi i nipërve dhe mbesave të mbretërisë së sotme të Norvegjisë i cili ndryshe nga partitë politike në atë kohë (gjatë luftës së dyte botërore) rrefuzoi të bënte pakt me pushtuesit dhe ishte gati të linte fronin nëse politilanët do ti dilnin kundër. Ky është shëmbulli më i mirë që na tregon ndryshimin e roleve të mbretit dhe politikaneve, sepse politikanët e braktisën kombin dhe ishin gati të bënin pakt me gjermanët. 

Gjithsesi, prej luftës së dytë botërore tashmë ka kaluar shumë kohë, dhe Politika shqipare ka bërë shumë avancime pozitive për rritjen e ekonomisë, por ne akoma vazhdojmë të jetojmë të ndarë e në treva të vocrra. Edhe pse ideja e nje Shqiperie te madhe do të shihej në rajon me frike dhe si shenjë nacionalizmi, pozita e një mbreti apo princi në kurorë do të bënte atë që politikat që ndërrohen c`do katër vjet  nuk do ta bënin dot. Pra, do të ishim nën një cati fisnore të barabartë edhe sikur të vazhdonim e rrinim jasht kufijve të njëri tjetrit. Me një kupolë e kam fjalën nën kupolën monarke. Meqënëse të them të drejtën më duket sikur sa prek fjalën monarki- ne shqiptarët e lidhim drejtpërdrejt me ”mëkatet” e mbretit Zog. Ashtu sic tani kur flasim për kohën moniste menjëherë na rikujton emrin e Enver Hoxhes dhe ”mëkatet”  e tij. Në të dyja rastet, mëkatet dhe mirësitë përcaktohen nga dy rryma ku sejcili e bën përcaktimin bazuar nga disa fakte; shtresa e shoqerisë që i perkiste, dhe eksperienca sesi e ka përjetuar sistemin. Pra, brënda këtyre sistemeve kanë jetuar njerëz që na rrëfejnë histori nga më kontradiktoret. Kjo më bën të mendoj, se nuk ka as sistem perfekt dhe as politikanë pa të meta. Po a duhet të pengojmë zhvillimin e të ardhmes sonë sepse kemi histori jo të mira në të kaluarën? Edhe pse nuk i përmendim mendoj se ne kemi përdorur për të mirën tonë gjithcka ka ardhur nga c`do sistem dhe na bëjmë të jemi këta që jemi sot me të mirat dhe të këqijat tona. 

Për ta mbyllur shkrimin po vendos në fund një pozi e shkruar menjëherë me vdekjen e mbretit Leka i I. 2011. 

Emigranti Mbret!

Ne kishim mbret

Sot… Jo.

Ai vdiq.

Me të vdiq edhe mirësia

Pse të mendoj se bota është e brishtë

e bukur,

Kur qëniet gjeniale shuhen…

të lodhur nga marria.

Ne kishim mbret

si Van Gog fati i tij..

Ngjyrosi me penel ashtu… sic Ai dinte

…të bukurën

…të pastërtën shoqëri.

Dhe ne, ja vramë shpirtin sa qe gjallë

se nuk të vret vetëm plumbi i artë

Eh, të vret Ajo…e rënda fjalë

….gjithë baltë.

Ne e vramë mbretin tonë

Pa fron,

Pa kurorë

Po përse?

Për një politikë që as e deshëm?

E c`është politika me nota të kota?

Një pallto që dje e veshëm dhe e xhveshëm.

Ne kishim mbret

Se jemi komb mbretëror

Ne jemi oborrtarë të shekullit tjetër

Lakuar froneve, politikave asgjesorë

shkallëzuar epokave nga shumë profetër”.

Ne kishim mbret

Kokëlart, me ecje krenarie

Ashtu sic e bekoi vet nëna Demetër

Se dhe ecja është simbol fisnikërie

Ashtu si princërit që lindin vec nga Mbretër.

Eh, tani, shohim t`tuajën ecjen kuturu

hyp e zbrit shkallët të karrierës

Si ai malësori bjeshkëve që ngjitet të pres dru

e me sëpat hyn senateve të pavlerës.

Sa padrejtësi ndodhin sa je gjallë

Mëndjes kam sytë e mbretit

tek më flasin duke perënduar;

” Vërtet nuk më deshi populli im i rrallë ?

-Vërtet nëpër vota të jem ngatërruar? ”.

Dilemë e pakapërdishme tragjedia

Ja,… tani jemi një popull si shumë të tjerë

pa mbret,

me një presindent për interesat e tija

……..me një fron të cjerrë.

Ndërsa Ti,

Ti ishe endacak, si unë e të tjerë

I dashuri

I miri

Emigranti Mbret,

se emigrantit i djeg shpirti për një botë me vlerë

si Ty….Ikona Ilire…sot e 1000 vjet.

Silvana Berki

Filed Under: Analiza

Tregimtari i kapërcimeve estetike zhanrore (Naum Prifti, 1932-2023)

March 12, 2024 by s p

Ymer Çiraku/

Naum Prifti mbetet tregimtari sui generis në letërsinë shqipe. Në kuptimin se i qëndroi besnik këtij zhanri letrar, por edhe se e përfaqësoi atë në nivele të larta.

Fshati shqiptar zë vend qendror në krijimtarinë e tij, çka lidhet dhe me rrethanat e jetës. Edhe përmbledhja e parë me tregime, titullohet “Tregime të fshatit” (1956). Këtë prirje tematike, e vrejmë edhe të dëshmuar qartazi në një nga rrëfimet autoriale, në intervistën dhënë gazetarit, kur thotë: “Unë u rrita në fshat, njëlloj si lulet e egra në mal, secila me aroma e ngjyrë të veçantë”.

Vlerësohet padyshim si tregimtari me një regjistër ligjërimi të veçantë, origjinal, në letërsinë shqipe. Kjo i ka siguruar edhe statusin e të radhiturit të tij denjësisht përkrah tregimtarëve të suksesshëm të kohës si: Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Sotir Andoni, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Teodor Laço, Faik Ballanca etj. Ashtu siç ndodh në çdo traditë letrare me personalitete që lënë gjurmë, N. Prifti, është autor i ndikuar estetikisht nga modele të caktuara preferenciale prej tij, ashtu sikundër reflekton edhe ai ndikimet e veta mbi krijues të tjerë.

Pra, mbetet një autor i ndikuar, por edhe ndikues tek të tjerët. E ka të shprehur vlerësimin e tij plot venerim për Kutelin, kur pohonte se atë, e kishte mësuesin shpirtëror për tregimin dhe e mbante të paharruar dhe gati postulat porosinë e mjeshtrit se “poezia është vet e bukur, ndërsa proza duhet bërë e bukur, prandaj dhe ajo kërkon një mund specifik”. Por duhet mbajtur parasysh se edhe leximet nga letërsia në frengjisht, rusisht e anglisht, gjuhë në të cilat ai komunikonte për lexime letrare, patën krijuar tek ky autor njohje të gjera, me shkrimtarë të shquar dhe me lëvizje letrare, të shfaqura përmes këtyre gjuhëve.

Ndonëse me shumë libra të botuar dhe me kulturë të gjerë letrare, N. Prifti, në mjediset letrare të kohës, është shfaqur i pabujshëm. Edhe pse në rrethe të ngushta miqsh, e kishin “pagëzuar” si Çehovin shqiptar, nisur dhe prej profesionit, fillimisht si ndihmës mjek senatoriumi në Korçë dhe sidomos prej vlerësimeve, që fitoi nga niveli i tregimeve të botuara, ai nuk e pati zellin që ta tundë këtë pelerinë përkëdhelëse – për alteregon e vet. Mbeti përherë natyrë e veçuar, disi e tërhequr, por me buzëqeshjen e tij aq të çiltër, që s`i ndahej në çdo moment e situatë që të kishte.

N. Prifti është nga ata prozatorë të afirmuar, që nuk ka shkruar ndonjëherë roman. Por tregimet e tij, duket se shpesh kanë një “tejkalim” të brendshëm të kufijve të poetikave gjinore e zhanrore. Edhe brenda vëllimeve të kufizuara të teksteve, vrehet se tregimet, kanë intensitet të dukshëm nga aspekti rrëfimtar, kanë një lloj “presimi” nëntekstesh e paratekstesh, me gërshetime situatash të larmishme në hapësirë e në kohë, si dhe një galeri të pasur personazhesh me karaktere të përkundërt e shfaqje të befta. Të gjitha këto tipare të tregimtarisë së tij, krijojnë ndjesinë imagjinative tek lexuesi – sikur të ketë shfletuar një tekst mjaft më të vëllimshëm se ai reali. Thuaj sikur të ketë lexuar ndofta një novelë, apo një roman të tërë.

Këtë dukuri të iluzionit – të përftuar gjatë procesit të leximit, mund ta cilësonim pikërisht si një “tejkalim” estetik të kufijve të poetikave të zhanreve, që është një nga tiparet e dallueshme këtij tregimtari. Kjo veçori, nga aspekti i poetikës së prozës tregimtare, gjykojmë se vjen sigurisht si vlerë e shtuar artistike.

Pikërisht ky intensitet emocional – i përcjellë nëpër krijime dhe kjo pasuri personazhesh, ritmi i brendshëm i rrëfimit me të ashtuquajturit “përshpejtimin” dhe “vonesëzimin” e tyre (sipas të shprehurit të vet autorit) – të llogaritura këto teknika të shtjellimit kompozicional në nivel të sigurtë intuitiv, dialogu ekspresiv dhe dukshëm i pranishëm, bëjnë që këto tregime, të tërheqin vëmendjen e regjisorëve kineastë apo atyre të teatrit, që të projektojnë pastaj mbi to, arkitektura të zhanreve të tjera gjegjëse artistike, si filma apo drama. Kujtojmë p.sh. filmat “Pylli i lirisë” dhe “Tokë e përgjakur”, që janë mbështetur në tregimet mjaft të njohuara si “Ndjekësi i kuajve”, “Litar i zjarrtë”. Apo edhe skenaret e filmave të tjerë si: “Kush vdes në këmbë”, “Fejesa e Blertës”, “Pika e ujit” (film vizatimor), të mbështetura po në tregimet e këtij autori dhe ku ai, shpesh është dhe bashkëskenarist. Pikërisht këtë intensitet dinamik rrëfimtar, si dhe frymë dramatike të tregimeve, kishte vrejtur regjisori i mirënjohur Andrea Malo (1919-1966) dhe i kishte propozuar autorit të tyre, që të provonte të shkruante dhe drama. Dhe në fakt, sekuenca e dromca tregimesh të njohura të këtij shkrimtari, janë ristrukturuar e bërë dhe drama jo pak të suksesshme si “Mulliri i Kostë Bardhit” , “Dasmë pa nuse” e ndonjë tjetër.

Le të sjellim në vëmendje tregimin “Përsëri do të rrjedhë lumi…”, të përfshirë edhe në përmbledhjen “Tregime të zgjedhura”, botuar më 1972, tek shtëpia botuese “Naim Frashëri”..

Këtu autori ka modeluar rrëfimtarin autorial në vetë të parë, në këtë rast, nga pozita e një personazhi fëmijë. Ngjarjet zhvillohen në kohën e mbretërisë shqiptare, në një fshat tipik të kohës, disi të largët e të harruar. Jemi në kohën, kur bota ka nisur të trazohet nga lufta mes forcave frankiste e republikane në Spanjë dhe përgatitjet për të tjera luftra, që nuk vonuan të vijnë.

Brenda kornizave të atij fshati, ashtu si në një thjerrëz artistike, autori projekton atmosferën e botës së trazuar të atëhershme. Në atë provincë të përhumbur, përtej gjallimit paralitik në vështrim të parë, zbulohen e shfaqen hullitë kontraversale të jetës, të cilat, kanë gjithsesi tipare referenciale me çdo hapësirë tjetër gjeografike dhe etnike, sado të largëta apo të ndryshme të jenë. Zëri i rrëfimtarit fëmijë, i jep autorit mundësinë për të sjellë tek lexuesi një realitet letrar sa më të larmishëm e intrigues, të nxitur e të trazuar nga tisi i fantazisë fëminore, që krijon situata nga më të paparashikuarat e më larghedhëset nga aspekti emocional.

Në kornizat e tregimit, zënë vend dy personazhe qendrore: senjor Quipo de Llano, siç kishte qejf të vetquhej nga simpatia prej rrahagjoksi që kishte për gjeneralin e Frankos së Spanjës dhe Naumi i Gjiros, një emigrant i moshuar ky, që ishte kthyer në vendlindja nga Amerika Latine (apo e Zezë) siç e quanin, ku kishte punuar në miniera e prej nga kishte sjellë një kollë të rëndë, që s`i ndahej. Përballja mes tyre, nuk ngjan të jetë projektuar aq si klasore, se sa si karakteriale. Ajo shfaqet si përballja mes errësirës dhe dritës në shpirtin e njeriut dhe të sjell referenca prej porosive biblike, ndonëse edhe pse nuk janë të shprehura këto drejtpërsëdrejti në tregim.

Një lloj “agoraje” e fshatit, është berbehana e Bexhetit, ku njerëzit mblidhen dhe bëhen biseda e kuvende nga më të ndryshmet, ndonëse ata janë ca banorë të moskundit. Sidomos flitet për luftën që kishte përfshirë Europën, deri edhe për çfarë ndodhte në Bilbao apo tutje në Marok. Dhe alias Quipo de Llano, sekretari i komunës së fshatit, si një dendy i krekosur dhe i parfumosur, si admirues i zjarrtë i Frankos së Spanjës, sa merrte vesh se një qytet binte në duart e gjeneralit, shkonte tek një hartë e madhe e Spanjës që e mbante në zyrë dhe mbi të ngulte flamujt e fitores (!) Por që ishte një turravrap i lodhshëm dhe qesharak, se ritmet dhe ndryshimet e luftës, ishin të shpejta dhe fitoret e humbjet merrnin kthesa të papritura.

Janë interesante në tregim edhe situatat me gruan e tij të bukur e lozonjare, Elenica, me të cilën, rrëfimtari fëmijë prcjell tek lexuesi dhe ato çastet poshtë dritares së saj, duke e soditur në mjedise e qëndrime intime, që për koinçidencë interesante, të kujtojnë e sjellin ndërmend filmat neorealistë italianë.

Pra tregimi, për nga vet struktura e tij, më së shumti ngjan të jetë një roman në miniaturë. Por autorit, në fund të fundit, sigurisht, që nuk i intereson përcaktimi i tij zhanror. Këto janë kryesisht përjetime lexuesish, që arrijnë të rrokin një “reliev” letrar mjaft të gjerë. Janë sigurisht dhe vrojtime e “teknikalitete” studimore të kritikëve, të cilët, rreken të ndërtojnë kështu tipologjinë dhe hierarkinë e krijimeve të autorit. U nisëm nga një tregim, por kjo dukuri, vrehet si tipar variues në shumë prej krijimeve të tjera, brenda opusit të tij të pasur tregimtar.

Për vlerat artistike që ka përcjellë, proza tregimtare e N. Priftit, ka tërhequr jo pak vëmendjen e kritikës letrare, duke përfshirë edhe atë që lëvrohej në Kosovë. Duket që edhe krijimtaria e tij, pamvarësisht kufizimeve e pengesave të komunikimeve mes të dy anëve të kufirit shtetëror (për rrethanat e njohura të para viteve `90-të), kishte mundur që të depërtonte dhe të vlerësohej në meset letrare të atyre anëve. Kanë shkruar mes të tjerëve për të, kritikë e studiues të njohur si Rexhep Qosja (tek libri “Kritika letrare”, 1969), Hasan Mekuli (rev. “Jeta e re”, 1967), Mensur Raifi (gaz. “Rilindja”, 1972), Rifat Ismaili (gaz. “Fjala”, 1980) etj.

N. Prifti, mbetet padyshim nga mjeshtrat e shquar të prozës tregimtare. Ai është ndjekës dhe ndërlidhës i një tradite të njohur shqiptare dhe përtej shqiptare, duke krijuar edhe vet një traditë të vyer, të dëshmuar përmes një kurore tregimesh mbresëlënëse, disa prej të cilave, përfaqësohen denjësisht si antologjike. Do t`i duhej sigurisht edhe këtij shkrimtari, që të paguante “haraçin”, që e kërkonte domosdoshmërisht realiteti i kohës, sidomos në disa konceptime tematikash. Por si dhe shkrimtarë të tjerë të talentuar, ai dijti që ta kalojë “Rubikonin” e sfidave të kohës dhe të krijojë universin e tij të pasur dhe origjinal letrar.

Është shkrimtari, që nuk rreshti së krijuari e së angazhuari plot përkushtim me veprimtari letrare e atdhetare, edhe në periudhën e dekadave të fundit, kur ai u vendos që të jetojë familjarisht në SHBA, ku qëndroi deri sa u nda nga jeta, këtu e nje vit më parë. Pra, vazhdoi të krijojë dhe gjithashtu të përkthejë jo pak nga autorë të njohur botërorë. Ndërkohë, përherë i palodhur, jep një kontribut të çmuar me shkrime në gazetën “Dielli” të federatës historike “Vatra”. Kësaj kohe, ka botuar dhe një varg të gjerë shkrimesh me kujtime, për disa nga shkrimtarët e njohur të letërsisë shqipe. Ato janë dëshmi e gjallë e Kujtesës, të përcjella nga një dorë mjeshtri – për kolegët dhe miqtë e tij shkrimtarë.

Është e kuptueshme se shkrimtarët, ashtu si gjithë njerëzit, kanë kalendarin e moshës së tyre biologjike. Por që ndryshe nga të tjerët, përkatësisht shkrimtarët me vlera të shënuara, kanë dhe një kalendar tjetër, kanë “moshën” e veprës letrare që lënë pas, për brezat e lexuesve të pritshëm. Dhe besojmë se N. Prifti, është nga ata tregimtarë, që do të vazhdojë të “jetojë” gjatë – në fletët e librave të tij të çmuar.

Filed Under: LETERSI

Kryeministri Kurti në shënim të 43-vjetorit të demonstratave studentore: Pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur

March 12, 2024 by s p

Prishtinë, 11 mars 2024/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një bashkëbisedim me ish- të burgosurit politikë dhe studentët në shënim të 43-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, që u organizua në Mensën e Studentëve, në Prishtinë.

Duke kujtuar periudhën e asaj kohe, kryeministri Kurti tha se pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur, por njëkohësisht edhe shembull i zellit studentor, që nuk përfundon me studimet, por vetëm sa nisë me to, meqenëse përfaqëson edhe pjesën më të emancipuar politikisht e kombëtarisht të popullit tonë e të shoqërisë sonë.

Ai ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë pjesëmarrësit e atyre demonstratave, duke theksuar se gjithçka kishte nisur më 4 mars këtu në Mensën e Studentëve, 11 marsi që u pasua edhe me 26 marsin dhe 1 e 2 prillin dhe u tronditën themelet e padrejta të Jugosllavisë, që patën për parullë kryesore atë që e kemi thënë të gjithë ne me aktivizmin tonë, pra Kosova Republikë.

“Nga Kosova Republikë te Republika e Kosovës, kështu pra lidhen brezat e shqiptarëve, të cilën bëjnë betejë të paepur për çlirim e për barazi”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se Kosova e pavarur që sot e gëzojmë në themelet e saj e ka sakrificën e shumë brezave, mundin e shumë gjeneratave, të cilët ne asnjëherë nuk i harrojmë dhe rregullisht i përkujtojmë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur studentë,

Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj, motra e vëllezër,

Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ministrja e Arsimit edhe ministri i Kulturës, Arbëria edhe Hajrullau,

Të nderuar bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare,

Të nderuar aktivistë politikë, të cilët keni marrë pjesë dhe keni organizuar demonstratat gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981, të cilat filluan si protesta studentore.

Këtu kemi disa prej tyre, kemi Hydajet Hysenin, Xhemajl Pllanën, Shefik Sadikun, Kadri Batushën dhe të tjerë, të cilët në atë kohë kur diskriminimi ndaj shqiptarëve, shfrytëzimi dhe padrejtësitë po shtoheshin, e ngritën zërin dhe në këtë mënyrë treguan që e ashtuquajtura Jugosllavi socialiste kishte popuj e njerëz që ishin më të barabartë se sa të tjerët. Dhe, në këtë mënyrë vetëdijësuan edhe opinionin publik ndërkombëtar, në kohën kur ngritja studentore e popullore shqiptare e Kosovës përputhej me “Solidarnostin” sindikalist në Poloni atëbotë.

Prandaj, pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur, por njëkohësisht edhe shembull i zellit studentor, që nuk përfundon me studimet, por vetëm sa nisë me to, meqenëse përfaqëson edhe pjesën më të emancipuar politikisht e kombëtarisht të popullit tonë e të shoqërisë sonë.

Me këtë rast, dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë pjesëmarrësit e atyre demonstratave. Ishte 4 marsi këtu në Mensën e Studentëve kur gjithçka filloi, 11 marsi që u pasua edhe me 26 marsin dhe 1 e 2 prillin dhe u tronditën themelet e padrejta të Jugosllavisë së AVNOIT, që patën për parullë kryesore atë që e kemi thënë të gjithë ne me aktivizmin tonë, pra Kosova Republikë.

Nga Kosova Republikë te Republika e Kosovës, kështu pra lidhen brezat e shqiptarëve, të cilët bëjnë betejë të paepur për çlirim e për barazi.

Jemi në Mensën e Studentëve, ku sot të lirë gëzojmë këtë Kosovë të pavarur, e cila në themelet e saj e ka sakrificën e shumë brezave, mundin e shumë gjeneratave, të cilët ne asnjëherë nuk i harrojmë dhe rregullisht i përkujtojmë.

Unë ju dëshiroj shumë shëndet, studime të mbara e sukses në jetë të gjithë studentëve që janë këtu, meqenëse këta janë tregues i të ardhmes ekonomike, politike e kulturore të Republikës sonë, të institucioneve të shtetit, të shoqërisë e të popullit.

Urime 11 Marsi, kjo ditë e kryengritjes studentore që u bë gjithëpopullore, e tash kisha dashur që t’ia jap fjalën edhe Hydajet Hysenit, i cili në fotografinë e famshme të demonstratave të marsit e të prillit të vitit 1981 është aty në pemë me megafon, e pranë tij është Kadri Batusha, i cili sërish është pranë Hydajetit, por kësaj radhe këtu në Mensë të Studentëve.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1267
  • 1268
  • 1269
  • 1270
  • 1271
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT