• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hyland: Kosova është rast unik dhe do të jetë gjithmonë në krah të SHBA-ve

March 4, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

Dje, në sallën historike Hamilton Hall në Salem të Massachusetts, u fol për Kosovën!

VATRA në Boston, në bashkëpunim me bordin drejtues të ndërtesës historike Hamilton Hall, organizuan një tryezë diskutimi për Kosovën! Ku foli për komunitetin shqiptar dhe jo vetëm Z.Christopher Hyland, ish-drejtori politik i Presidentit Klinton, njëherazi i dekoruar nga Presidentet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Salla historike e qytetit të Salemit dhe e SHBA-së e ngritur në vitin 1805, sot ishte mbushur me shqiptar e jo vetëm, ku ishin prezent edhe drejtues të organizatave shqiptare të Massachusetts! Si bashkëorganizator i këtij eventi, kryetari i VATRES në Boston z.Mentor Maksutaj, i shoqëruar nga Shoqata Kosova e Bostonit, Asociacioni i Studentëve Shqiptar të Harvardit si dhe bordi drejtues i klubit social “Çunat e Bostonit” në Peabody!

Para nisjes së leksionit akademik z.Hyland përshëndeti të gjithë shqiptarët e në veçanti falenderoi kryetarin e VATRES në Boston z.Maksutaj, të cilin e ftoi të jepte një mesazh! Z.Maksutaj në fjalën e tij, falenderoi z.Hyland për angazhimin disa vjeçar në ndihmë dhe mbështetje të Kosovës. z.Maksutaj foli për krijimin e VATRES dhe punën patriotike të shumë shqiptarëve në SHBA dhe angazhimin e federatës për të mirën e kombit! Gjithashtu kryetari i VATRES në fund, falenderoi të gjithë ata shtetas amerikan që kanë ndihmuar ndër vite që sot Kosova të jetë e pavarur!

Më pas i dekoruari nga Presidenti i Shqipërisë me “Urdhërin e Kalorësit të Skenderbeut”, z.Hyland nisi diskutimin një orësh, ku foli për Kosovën dhe ruajtjen e Kushtetutës më gjithëpërfshirëse në botë. Ai renditi vuajtjet historike të popullit të Kosovës, rezistencën e shqiptarëve, angazhimin e patriotëve këtu në SHBA, ndërhyrjen amerikane dhe të NATO-së, luftën çlirimtare, shpalljen e pavarësisë, ngritjen e institucioneve atje si dhe problemet që Kosova po ndeshet çdo ditë me ndërhyrjet dhe provokimet e Serbisë!

Sipas z.Hyland, Kosova është një rast unik në botë ku shtetet perendimore me këmbnguljen e SHBA-ve vendosen të sulmojnë Serbin për të ndaluar gjenocidin dhe masakrat ndaj popullatës civile! Atje nuk kishte luftë të barabartë mes regjimit serb dhe popullit të Kosovës të cilët nuk gëzonin të drejtat elementare të njeriut! Por pas ndërhyrjes ushtarake dhe punës së bërë nga qeverit e Kosovës, sot, kjo e fundit është ndër shtetet me demokratike në atë rajon-tha z.Hyland, duke theksuar se zyrtaret e Kosovës duhet të ruajnë dhe zbatojnë Kushtetutën dhe rregullat ligjore të shtetit!

Kosova, tha ai, ka një Kushtetutë unike, pasi ju jep të drejta të gjithë komuniteteve pa dallim feje, rrace, gjinie apo orientim seksual! Z.Hyland theksoi se minoritetet gëzojnë çelësin e aprovimit të secilit ligj, ku pa miratimin e tyre nuk kalon asnjë legjislaturë, e për të gjitha këto Kosova duhet të merret si shembull nga fqinjët e jo vetëm, vuri në dukje ai!

Sipas z.Hyland shteti serb përdorur individ të caktuar, për të shkaktuar e nxitur probleme në Kosovë! E nga ana tjetër, qeveria serbe, vazhdoi ai, është bërë një vegël e Rusisë, e cila po tenton çdo ditë të përhap ndikimin e saj në Ballkanin perendimor!

Në fund, z.Hyland Ju përgjigjë edhe pyetjeve nga të pranishmit në sallë, duke vënë theksin se

SHBA-ja, duhet të bëj më shumë për Kosovën dhe të ushtroi trysni edhe ndaj Bashkimit Europian që të mbyll me marrveshje dhe njohje të pavarësisë së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë njohur bashkë me Serbin!

Në sallë gjithashtu, ishte edhe kongresmeni Seth Moulton dhe shumë zyrtar të qytetit të Salemit!

Foto: Subi Çako 👏🏻

Filed Under: Vatra

Ekipi patriotik i Shoqatës “Peja” – New York

March 4, 2024 by s p

Të nderuar bashkëvendas, Shoqata “Peja”-New York, mbreme me 2 mars 2024 ne pranine e shume anetareve mbajti zgjedhjet e saja të rregullta për Kryetar dhe Kryesine e re per mandatin dyvjeçar 2024/26 , ku me vota unanime u zgjodh Kryesia e Shoqates me kete përberje :

Kryetar z. Rejmond Zeka

Nënkryetare. znj. Mimoza Nela

Sekretar z. Adriatik Shala-Tiki

Arkatar z. Reshat Kelmendi

Ndërsa për antarë të kryesisë zgjodhi :

z. Nevzat Bakraqi

z. Driton Çavdarbasha

znj. Liljana Kaliqani

znj. Teuta Zeka

z. Ilir Pishtani.

Duke ju falenderuar Kryesise se mëparshme për punën e shkëlqyer që kanë bërë për ti dhënë jetë kësaj shoqate, urojmë qe Kryesia e re të punojnë me përkushtim për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të Shoqatës “Peja”-New York.

Njeherit bëjmë apel që edhe bashkëvendasit tjerë që jetojnë në New York dhe rrethinë t’i bashkangjiten Shoqatës që të jemi sa më afër njëri tjetrit dhe të jemi edhe më frytdhënës në punën tonë .

Me respekt, Shoqata “Peja”-New York .

Filed Under: Mergata

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

March 4, 2024 by s p

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë, në një atmosferë festive dhe të ngrohtë së bashku me përfaqësues të institucioneve italiane, politikanë e parlamentarë të nderuar, ambasadorë dhe anëtarë të korit diplomatik, dashamirës, artistë e miq e studentë, përfaqësues të diasporës sonë kosovare në Itali dhe asaj historike të Arbëreshëve.

Në fjalën e saj, Ambasadorja Lendita Haxhitasim pasi përkujtoi me lavdi heroin e rënë në detyrë të Policisë së Kosovës, rreshterin Afrim Bunjaku, vijoi me rëndësinë e arritjes së lëvizjes së lirë dhe pa viza në Zonën Schengen për popullin e Republikës së Kosovës. “Viti i ri nisi me optimizëm sepse nga 1 janari 2024, qytetarët tanë po udhëtojnë lirshëm në dhe përmes Evropës, ashtu si të gjithë shtetasit e tjerë të familjes evropiane. Lëvizja e lirë pa viza do të na afrojë edhe më shumë me Bashkimin Evropian sepse është një tjetër hap drejt integrimit të plotë në BE të Kosovës, si i vetmi objektiv strategjik i vendit tonë për të cilin të gjitha institucionet tona punojnë me përkushtim të plotë për ta realizuar sa më parë. Kjo dëshmohet qartë nga sukseset e njohura ndërkombëtarisht që Kosova ka arritur për progresin e bërë fushën e drejtave politike dhe liritë civile, për rritjen e ekonomike, si dhe për ngjarjen e rëndësishme sportive të “Lojërave Mesdhetare 2030”, të cilat do të organizohen në Prishtinë, por edhe sukseset e tjera sportive të kampioneve dhe kampionëve tanë olimpik në xhudo”, theksoi ajo.

Më pas, Ambasadorja u përqendrua ne marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe Kosovë-Itali, Maltë dhe San Marino, ku u veçuan momentet më të rëndësishme që përgjatë vitit të kaluar janë ndërmarrë për të forcuar marrëdhëniet diplomatike me vendet tona mike dhe partnere. Me Italinë u veçuan vizitat e nivelit të lartë si ajo në Romë dhe te Arbëreshet në Kalabri e Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, ajo e Kryeministrit Albin Kurti në Bienalen e Kinemasë në Vedenik, si dhe vizitat e ndryshme në Itali të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz. Po ashtu, nder aktivitetet e realizuara ishte edhe “Kosova Country Presentation”, që u zhvillua në Romë gjatë vitit të kaluar me objektivin për të forcuar bashkëpunimin dhe promovimin e mundësive të reja drejt partneritet të ardhshëm politik dhe ekonomik bilateral. I tillë do të jetë edhe Forumi i Biznesit Itali-Kosovë që do të organizohet bashkërisht në Prishtinë. U nënvizua gjithashtu rëndësia protokolleve të miqësisë dhe krijimi i partneriteteve midis qyteteve, të cilat përveç memorandumeve të ndryshme të mirëkuptimit, forcojnë miqësinë midis popujve. I tillë ishte edhe ai i nënshkruar mes Komunës së Pejës dhe Provincë së Kozencës në Kalabri. U përkujtua po ashtu puna dhe kontributi në përfundimin e procesit të negocimit të marrëveshjeve dypalëshe si ajo për njohjen e Patentë Shoferëve dhe ajo për shkëmbimin kulturor, të cilat priten të nënshkruhen tashmë në vijim. U nënvizua gjithashtu edhe rëndësia e angazhimit për marrëveshje të reja që rrisin zhvillimin e potencialit të lartë që ekziston mes Kosovës dhe Italisë.

Ambasadorja Haxhitasim lartësoi më pas kontributin e rëndësishëm të diasporës tonë në Itali, e cila ka qenë dhe mbetet pasqyra më e çmuar e vendit tonë. Me angazhimin e tyre të përkushtuar si heronj të heshtur të vërtetë ata kontribuojnë çdo ditë me veprat e tyre me modesti absolute, si shembulli i zotit Bujar Buçaj i cili ishte i pranishëm në Festë, që me gjestin e tij guximtar dhe human shpëtoi dy fëmijë gjatë një aksidenti tragjik autobusët e Mestres.

Performanca e shkëlqyer e muzikantëve të talentuar Adhurim Grezda, Dalvin Mamusha e Endrit Xerxa të Trio-s “Don’t listen to your neighbours” ka magjepsur të gjithë të pranishmit me tingujt e mrekullueshëm të melodive të njohura shqiptare dhe italiane.

Ministry of Foreign Affairs and Diaspora – Republic of Kosovo

…

#Kosovo16🇽🇰

L’Ambasciata della Repubblica del Kosovo in Italia ha celebrato il 16° anniversario dell’Indipendenza nei saloni del Palazzo Brancaccio a Roma, in un’atmosfera festiva e conviviale insieme a rappresentanti delle istituzioni italiane, onorevoli politici e parlamentari, ambasciatori e membri del corpo diplomatico, studiosi e amici del Kosovo, artisti, giovani e studenti, rappresentanti della nostra diaspora kosovara in Italia, e di quella storica degli Arbëreshë.

Nel suo discorso di benvenuto, l’Ambasciatrice Lendita Haxhitasim, dopo aver commemorato con onore l’eroe della Polizia del Kosovo caduto in servizio, il sergente Afrim Bunjaku, ha proseguito con l’importanza per il popolo della Repubblica del Kosovo della notizia della libera circolazione e senza visti nello spazio Schengen. “Il nuovo anno è iniziato con ottimismo perché dal 1° gennaio 2024 i nostri cittadini viaggiano liberamente nel e attraverso l’Europa, come tutti gli altri cittadini della famiglia europea. La libera circolazione senza visti ci avvicinerà ancora di più all’Unione Europea poiché è un ulteriore passo verso la piena integrazione del Kosovo nell’UE, come l’unico obiettivo strategico del nostro Paese per il quale tutte le nostre istituzioni lavorano con il massimo impegno per realizzarlo. Tutto ciò è chiaramente evidenziato dai successi internazionalmente riconosciuti che il Kosovo ha ottenuto per i progressi compiuti nel campo dei diritti politici e delle libertà civili, per la crescita economica, nonché per l’importante evento sportivo dei “Giochi del Mediterraneo 2030”, che si svolgeranno a Prishtina, ma anche gli altri successi sportivi delle nostre campionesse e campioni olimpici di judo”, ha affermato.

In seguito, l’Ambasciatrice si è poi soffermata sulle eccellenti relazioni bilaterali tra Kosovo-Italia, Malta e San Marino, dove sono stati evidenziati i momenti più importanti intrapresi lungo l’anno per rafforzare le relazioni diplomatiche con i paesi amici e partner del Kosovo. Con l’Italia, le visite di alto livello come quella a Roma e dagli Arbëreshë in Calabria della Presidente Vjosa Osmani-Sadriu, quella del Primo Ministro Albin Kurti alla Biennale del Cinema di Venezia, oltre alle diverse visite in Italia della Vice Premier e Ministra degli Affari Esteri e della Diaspora Donika Gërvalla-Schwarz. Tra le attività svolte anche l’evento “Kosova Country Presentation”, che si è svolto a Roma lo scorso anno con l’obiettivo di rafforzare la cooperazione e promuovere nuove opportunità verso il futuro partenariato politico ed economico bilaterale. Così sarà anche il Business Forum Italia-Kosovo che verrà organizzato insieme a Prishtina. È stata inoltre sottolineata l’importanza dei protocolli di amicizia e della realizzazione dei partenariati tra le città che, oltre a vari protocolli d’intesa, rafforzano l’amicizia tra i popoli, come quello siglato tra il Comune di Peja e la Provincia di Cosenza in Calabria. È stato poi ricordato l’impegno e il contributo per la conclusione del processo negoziale degli accordi bilaterali come il riconoscimento della Patente di Guida e lo scambio culturale, che verranno firmati in seguito. Inoltre, è stata sottolineata l’importanza dell’impegno per i nuovi accordi che mirano ad accrescere lo sviluppo del grande potenziale presente tra Kosovo e Italia.

L’Ambasciatrice Haxhitasim ha poi elogiato l’importante contributo della nostra diaspora in Italia, che è stata e rimane lo specchio più prezioso del nostro Paese. Con dedizione e impegno da veri eroi silenziosi, contribuiscono ogni giorno con le loro opere con assoluta modestia, come l’esempio del signor Bujar Buçaj presente alla Festa, che con il suo gesto innegabilmente coraggioso e civico ha salvato due bambini durante il tragico incidente dell’autobus a Mestre.

L’eccellente esibizione dei talentuosi musicisti Adhurim Grezda, Dalvin Mamusha ed Endri Xerxa del Trio “Don’t listening to your neighbors” ha incantato tutti i presenti con la meravigliosa musica di rinomate canzoni albanesi e italiane.

Filed Under: Rajon

Luigj Gurakuqi, ma shquari i djalërisë shkodrane, i epërmi shëmbëllim i kombtarizmës, qytetarisë, dijes dhe përkushtimit

March 4, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

I pashoq ishte ai në vlerat e nalta të qytetarisë dhe dijes, kombtarizmës dhe përkushtimit. “Shqiptar i vlefshëm” do të mëtonte kësisoj At Gjergj Fishta. “Pionier i qytetërimit” ishte përcaktimi i klerikut, politikanit dhe veprimtarit të letrave, Fan Noli. Padër Anton Harapi për Gurakuqin do të shtonte: “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni.

Mbremja kobzezë të 2 marsit të vitit 1925, arma e kushëririt të tij Baltjon Stamolla, shtriu pa jetë në derën e Hoteli Cavour, në Bari të Italisë, Luigj Gurakuqin, hartuesin dhe nënshkruesin e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poetin, arsimtarin, tekstologun, gjuhëtarin, diplomatin, deputëtin dhe ministrin e Financave të qëverisë së asokohshme, i gjendun në krye në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX, tepër aktiv e në rol udhëheqës.

Ishte mbrëmja, dëshmojnë burimet, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Ai kishte kërkuar leje prej tyre që të largohej me arsyen “do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij”. Një vrasës gjakftohtë e priste atë tek hyrja e hotelit. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të Financave policia italiane, gjatë ekspertizës, gjeti vetëm 350 lira. Nëse mund të thuhet, ministri i Financave që zogistët e akuzuan për korrupsion, ndërroi jetë me çorape të grisura në themër.

Historianët thonë se Stamolla kishte vepruar me nxitje të qeverisë së kryesuar nga president Ahmet Zogu, ose si i paguar nga qeveria për të vrarë një kundërshtar të saj; dhe ata e bazojnë këtë në një letër që Baltjon Stamolla i dërgoi Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut, dy ditë pas vrasjes së Gurakuqit. Letra mban adresën e burgut të Barit, dhe sot ruhet në Muzeun e Shtetit në Shkodër:

“Kerkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane.

Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…

Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.

Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)

Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”

***

Lazër Shantoja, më shkruen nji mik nga Shkodra: «Po më pvetë a po qindron e ama e Gurakuqit? Mos pvet! Per gjith ditë nadje si ajo si goca e Bajram Currit qesin vajin: nji vajë të madh, të mnershëm, zêmbërshkyes qi nuk lên banuer t’atyne lagjevet pa kja.»

Nji plakë dhe nji gocë kjajnë për ditë në Shkoder… nji nanë dhe nji bijë! Nana kjanë djalin mâ të madh dhe bija baben mâ të mirë të Shqipëniës së shkretë. Lotët e plakës shkodrane e të gocës kosovare janë lotët e të tanë Shqipëniës së sotme. Edhè këjo e ndrydhun, e poshtnueme, e vorfnueme, e shitun, e coptueme dneson per ditë per të vdekunit e mëdhaj qi humben dhe për të gjallët e mjerë qi po humbin. Populli âsht në kulmin e deshprimit. I vetmi ngushllim qi i ka mbetë, ne kjoftë se ngushllim mund të quhet, âsht enè vaji: lodja qi kjè per herë shujta e idhët e popullit shqiptar.

Nder shpellat e lagëta të bjeshkëve kreshnike të Krasniqes ky populli i mjerë pat nji babë: i a mbyten!

Nder korridoret e errta të diplomatiës së përjashtme ky populli i vorfën pat nji prîs: i a vrane!

***

Për fatin e tij të keq, e vrau djali i tezes së tij, që një ditë para se të vrasë, i drejtohet Çatin Saraçit, konsullit shqiptar në Bari, mikut të ngushtë të Ahmet Zogut: “Ironia është se vrasësi, një ditë më parë, më takoi në zyrën time duke më thënë se kishte ardhur për të kryer një vepër të madhe patriotike”. ‘Vepra patriotike’ e tij do jetë e pashembullt. Do i ndërronte jetën e derimëatëhershme Luigj Gurakuqit. U pretendua se vrasësi, Balto Stambolla, u ekzekutua më 1944 nga Avdi Kasella dhe Zymber Loshi në Peqin, me vendimin e gjyqit të LNÇ-së, si armik i popullit. Një akt i drejtë, për të treguar se ata që kishin vrarë duhej të vriteshin. Ndërkohë nga Fric Radovani kemi një dëshmi tjetër interesante: “Mbas okupacionit italian të Shqipnisë, me ardhjen Kryeministër të z. Mustafa Kruja, Ky i kërkoi qeverisë italiane, që i dënuemi për vrasje Baltjon Stambolla, me vazhdue dënimin në Shqipni. Qeveria italiane asht kenë dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërgue në Fieri, gjoja ‘për siguri’, larg Shkodrës. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-katër policë shqiptar. Një ditë, gjoja se desht me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2 – 3 ditë mbas gjuejtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet. Atdhetari Mustafa Kruja i ka tregue ngjarjen babës tem Kol Radovanit, se: “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit!”. (Këtë dëshmi ma ka tregue Nana eme, Viktoria Radovani dhe Profosor Gasper Ugashi, të cilve, aso kohe, ua ka tregue Kola, Baba i em.)

***

Fjala e Hasan Prishtinës në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit:

“Një atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm.

Kjo tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë.

Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë!

O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta.

Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë”

***

Luigj Gurakuq u lind në Shkodër më 19 shkurt 1879 në një familje tregtare me shumë influencë. Studimet e para e të mesme i bëri në shkollat italiane të qytetit e pastaj në kolegjin italo-arbëresh të San Demetrio Korones, në Kalabri, ku qe nxënës i De Radës. Në Napoli, kreu studimet universitare për shkenca të natyrës. Gurakuqi u dha që herët pas Lëvizjes Kombëtare e nisi të shkruajë vjersha e libra shkollorë. Ndër librat e tij ish edhe një metrikë, ,,Vargimi në gjuhën shqype’’, Napoli – 1906. Një nga drejtuesit e Kongresit të Manastirit (1908), që u mbajt për çështjen e alfabetit, ishte edhe Gurakuqi. Ai qe drejtor i shkollës së parë të mesme shqipe, i Normales së Elbasanit, (1909). Mori pjesë në kryengritjen e Kosovës (1910) e në atë të Malësisë së Veriut (1911) kundër sunduesit turk, e bashkëpunoj ngushtë me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.

Tani e tutje ai nisi të luajë një rol edhe më me rëndësi në jetën politike të vendit. Si ministër i arsimit në Qeverinë e Vlorës e si drejtor i arsimit në zonën e pushtuar nga trupat austriake gjatë Luftës së I-rë botërore, si pjesëtar i Komisionit Letrar (1917). Ish anëtar i Qeverisë që u formua pas Revolucionit të qershorit e me ardhjen e Zogut në fuqi u arratis tej Adriatikut. Zogu vuri njeri e e vrau në Bari të Italisë, më 1925.

Motivet kryesore të vargjeve të Gurakuqit janë atdheu dhe natyra. Vjershat e tij kanë një influencë të theksuar të poezisë klasike latine dhe asaj italiane, që poeti e njihte mirë. Gurakuqi është zot i vargut dhe ka një gjuhë të punuar e të sigurt. Nuk mund të themi se kish një talent të spikatur por, ndonjë vjershë e tij meriton vëmendjen. Ai tregoi edhe cilësi prozatori.

“Duke bamun ligje moderne -thote Gurakuqi, – do te bajme te mundun zhvillimin arsimuer e permiresimin ekonomik, dy gjana per te cilat ka ma teper nevoje populli i yne”. Kur i thoshte keto fjale, figura e njohur e historise sone, Shqiperia kishte shume pak njerez te njohur dhe anarkia ishte pjese perberese e jetes shqiptare. Por, per Gurakuqin, kjo nuk kishte rendesi te madhe. Ne vizionin e tij, kishte kohe qe trasohej nje Shqiperi moderne dhe e barabarte ne familjen e madhe te vendeve evropiane. Jo me kot, ishte nje nga kryesoret e Kongresit te madh te Manastirit, ku do te vendosej per fatin e shqipes. Ai ishte drejtori i pare i Shkolles Normale te Elbasanit dhe nje nga udheheqesit e kryengritjeve te Veriut (1911-1912). E perkrah Ismail Qemalit realizoi shpalljen e Pavaresise, ngjarjen me te madhe te historise se shtetit shqiptar. Madje, do te mjaftonte, vetem kjo, qe ai te ishte i patrazuar ne panteonin shqiptar. Me 1916, ishte nga themeluesit e Komisise Letrare ne Shkoder. Ishte nje figure, qe ngjallte respekt dhe qe nderohej masivisht ne Shqiperi. Ndersa, ne vitet 1921-1923, Luigj Gurakuqi, si deputet i Shkodres, u gjend vazhdimisht ne opozite me Zogun dhe gjithe perkrahesit e tjere te tij. Ishte bashkepunetor i Fan Nolit dhe patjeter nje nder udheheqesit me veprues te levizjes te Qershorit te vitit 1924. Duket se percaktimin me te madh ndaj tij, e ka dhene vete Noli: Ai “qendronte aq larg fanatizmes fetare te ngushte, sa muhamedanet e Veriut kishin nje besim te pakufishem”, aq sa ne Gegeni, “s’ka patur nje tjeter udheheqes, i cili…bashkonte rreth vehtes se tij, katoliket e muhamedanet gege”…” Ai ka qene aq pak regjionalist sa qe kur lindi çeshtja kombetare s’ka patur nje gege patriot, aq te dashur midis toskeve sa Gurakuqi”.

Veprimtaria e tij krijuese ka qenë e vyer. Ai botoi ne Bukuresht me 1905 librin “Abetar i vogel shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me shenime n’dy dialektet”.

Botoi ne Napoli “Fjalorth shqip-frengjisht e frengjisht-shqip” i fjaleve te reja.

Botoi ne Napoli me 1906 “Vargezimi n’Gjuhen Shqipe”.

Ai ka botuar dhe shume artikuj ne gazetat “Albania”, “Kalendari-kombetar”, “Drita”, “Liria e Shqiperise”, “La nazione Albanese” etj.

Filed Under: Kronike

IDETË E MËDHA NË THELB KANË KAUZA MIËRKUPTIMI

March 4, 2024 by s p

Nëse i hedhim një vështrim retrospektivës historike nëpër të cilën kaluam , do të vërejmë se para çdo momenti vendimtar për kombin, është krijuar një unitet dhe pajtim i brendshëm, i cili ka qenë i domosodoshmëm për t’iu qëndruar përballë sfidave dhe rreziqeve që sillnin kërcënimet e jashtme, siç ndodhi edhe me konsolidimin e Rilindjes Kombëtare para kryengritjeve të mëdha të fund-shek. 19 dhe fillim-shek. 20, që rezultuan me shpalljen e Pavarësisë më 1912, si dhe me pajtimin e gjaqeve në Kosovë para e popesës së lavdishme të UÇK-së, që rezultoi me çlirimin dhe pavarësimin e shtetit të Kosovës më 1999.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Sa herë që kalojnë nëpër momente të vështira, shqiptarët duhet ta kujtojnë Lezhën, aty ku para 580 viteve heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, e ngjizi unitetin në mes të princërve arbëror përmes një pajtimi dhe bashkimi të madh, që në histori do të njihet si Kuvendi apo Besëlidhja e Lezhës.

Këtë ngarje të madhe të historisë, Instituti ynë tash e sa vite e ka shndërruar në lajtmotiv për të rrumbullaksuar veprimtarinë shkencore e botuese të një viti paraprak, siç po e bëjmë edhe sot. Prandaj, sa herë që e bëjmë këtë rrumbullaksim, neve na del pëpara Besëlidhja e Lezhës, një arterie kjo shumë e rëndësishme që i dha gjak trungut tonë arbëror, i cili arriti të lëshojë rrënjë në gjithë hapësirën ku Skenderbeu zhvilloi rezistencën kolosale heroike.

Arsyeja se pse ne e kujtojmë sot Besëlidhjen e Lezhës është shumëdimensionale dhe nuk i referohet vetëm raportit në mes të historisë dhe ngjarjeve që u prodhuan pastaj. Përtej kësaj, një prej arsyeve më thelbësore që ndërlidhet me evokimin tonë ka të bëjë me sensin për t’u bashkuar para furtunave të rrepta që sillte koha.

Nëse i hedhim një vështrim retrospektivës historike nëpër të cilën kaluam , do të vërejmë se para çdo momenti vendimtar për kombin, është krijuar një unitet dhe pajtim i brendshëm, i cili ka qenë i domosodoshmëm për t’iu qëndruar përballë sfidave dhe rreziqeve që sillnin kërcënimet e jashtme, siç ndodhi edhe me konsolidimin e Rilindjes Kombëtare para kryengritjeve të mëdha të fund-shek. 19 dhe fillim-shek. 20, që rezultuan me shpalljen e Pavarësisë më 1912, si dhe me pajtimin e gjaqeve në Kosovë para e popesës së lavdishme të UÇK-së, që rezultoi me çlirimin dhe pavarësimin e shtetit të Kosovës më 1999.

Pikërisht edhe Besëlidhja e Lezhës e pati këtë funksion, prandaj nuk do të quhej Moti i Madh nëse Gjergj Kastrioti Skenderbeu nuk do të arrinte që para se të niste epokën e ndritshme të betejave antisosmane, të eliminonte ndasitë krahinore të principatave arbërore dhe t’i bashkonte ato në një mekanizëm të vetëm politik e ushtarak, që në historiografi njihet si Shteti i Arbërit.

Shumë popuj gjatë historisë kanë bërë lufta të përgjakshme liridashëse, por jo pak prej tyre në fund nuk kanë arritur të bëjnë shtet, sepse vetëm dimensioni shtetformues iu jep kuptim substancial luftërave çlirimtare. Në të kundërtën, përpjekjet dhe aspiratat liridashëse shekullore të një kombi do të ngeleshin në gjysmë të rrugës nëse nuk përmbyllen me formimin e shtetit.

Për rrjedhojë, edhe Skënderbeu në doktrinën e tij politike e ushtarake, e kishte shtetin arbëror si mision parësor që do t’i nxirrte shqiptarët në një nivel pjekurie kolektive nga mjegulla e dendur e mesjetës, pikërisht në kohën kur ata ndodheshin në mes të indiferencës evropiane dhe mësymjeve pushtuese aziatike.

Shqiptarët gjatë rrugëtimit të tyre, jo gjithmonë patën sukses në rrumbullaksimin e ideve të mëdha kombëtare, siç ndodhi edhe me Pavarësinë e 1912-tës, kur mbi gjysma e tokave shqiptare ngelën jashtë projektit të quajtur Shipëria londineze. Por, kjo nuk ishte arsyeja që shqiptarët të hiqnin dorë nga aspirata për çlirim dhe bashkim, sepse në logjikën dielaktike të ngjarjeve që rrodhën, rezultoi që këto aspirata të kurorëzohen me sukses, fillimisht me pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe pastaj edhe me avancimin kushtetues e ligjor të statusit të shqiptarëve në Maqedoni.

Duke iu rikthyer edhe njëherë Besëlidhjes së Lezhës dhe reflektimit modern që mund të prodhojë kjo ngjarje e madhe, e kemi të domosdoshme të vëjmë në dukje kontekstin gjeopolitik, rajonal e lokal në të cilin ndodhen aktualisht shqiptarët. Për ta zbërthyer më së miri këtë çështje, do ta marrim Institutin tonë si pikënisje të sqarimit të këtij konteksti.

E para, veprimtaria shumëvjeçare hulumtuese, shkencore e botuese e Institutit tonë ka patur një trajektore shumëdimensionale, sepse nuk u pajtuam që të mbyllemi në gëzhojën e vetëkënaqësive që sjell egoja nacionale. Përkundrazi gjithçka që realizuam pati në thelb misionin e mirëkuptimit qytetar brenda një diversiteti etnik, fetar e gjuhësor, duke zhvilluar paralelisht edhe idenë e bashkëpunimit shkencor brendakombëtar, në frymën e kauzave kulturore e civilizuese evropaine. Kjo ka qenë edhe nxitje për të ngritur në formë projektesh e departamentesh pikërisht këto kauza, prandaj ne sot mund të jemi ndër të rrallët që institucionalisht e trajtojmë imtësisht figurën e Gonxhe Bojaxhiut -Nënës Tereze, apo edukimin dhe mësimin për Holokaustin.

E dyta, duke qenë bartës i ideve dhe projekteve të tilla, Instituti ynë është menduar të jetë në shërbim të një shoqërie e cila do ta trajtonte të kaluarën pa paragjykime dhe do të shikonte me guxim nga e ardhmja. Për ta arritur një objektiv të tillë nuk ka qenë lehtë, jo vetëm për shkak të natyrës komplekse të problematikave, por edhe për shkak të recidivave ideologjike, fetare e nacionale që kanë shoqëruar rrugëtimin tonë. Por, qasja me guxim dhe pa inferioritet ndaj të kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes, Institutin tonë e bënë një pikë orientimi se nga duhet të shkojë një shoqëri, gjithmonë e hapur ndaj vetvetes dhe ndaj vlerave euro-atlantike.

E treta, sot kur po rrumbullaksojmë veprimtarinë njëvjeçare shkencore e botuese, Instituti ynë ka arritur të etablojë brenda vetes një infrastrukturë të fuqishme ligjore e operative për të zhvilluar me sukses aktivitetetet e veta edhe në terren, duke themeluar fillimisht gjashtë qendra rajonale të trashëgimisë kulturore, si dhe të një qendre dokumentare-multimediale dhe të mërgatës dhe duke i dhënë një shtytje edhe më të madhe avancimit statutar të Institutit tonë, që është në pritje e sipër, përmes një projekt-ligji të posaçëm, si një kapitalizim kuptimplotë i ideve tona shkencore e hulumtuese.

Viti që lam pas, ishte një periudhë e frytshme e angazhimeve tona prifesionale, si në aspektin e hulumtimtit shkencor, ashtu edhe në fushën e botimeve, për të përmendur me këtë rast dy nga botimet tona më kaptale që mbajnë vulën e vitit të kaluar, siç janë vepra “Ipeshkjvia Shkup Prizren nëpër shekuj” dhe “Zhvillimet kulturore shqiptare në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX”, vepra këto që janë pjesë integrale e një porkjekti më madhor të Institutit tonë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1283
  • 1284
  • 1285
  • 1286
  • 1287
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT