• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të nderosh Abas Kupin ke nderuar kombin tënd

January 9, 2024 by s p

Shpëtim Axhami*/

Pavarsisht largësisë dhe dëshirës për të qenë mes jush, kam nderin që nga këtu në Atdhun tuaj, në emrin tim personal dhe në emër të Kryesisë së Partisë Lëvizja e Legalitetit të ju pershëndes duke ju shprehur gjithashtu vlerësim e mirënjohje për këtë tubim tuaj domethënës, me vlera dhe të merituar në kujtim të heroit tonë kombëtar gjeneral Abas Kupi.

Duke nderuar Gjeneral Abas Kupin ju keni nderuar kombin tonë, pasi fatet dhe jeta e Tij ishin të lidhura gjithmonë vetëm me interesin kombëtar e sidomos për një Shqipëri të lirë etnike e me Mbretin Zog si mbret të shqiptarëve

Ashtu si para-ardhësit tanë larguar në egzil politik pas vitit 1944, të cilët të organizuar nëpërmjet Organizatës Kombëtare Lëvizja Legalitetit, mbajtln gjalle frymen zogiste edhe ju sot duke nderuar Abas Kupin po tregoni vlerat e larta fisnike që kanë karakterizuar gjithmonë nacionalistët zogist mbështetës të kauzës mbretërore.

Patriotizma dhe nacionalizma e Abas Kupit u duk qartë gjatë gjithë jetës së Tij, para dhe gjatë qeverisjes së mbretit ZOG dhe kulmoj në besimin e Mbretit Zog ndaj trimërisë së tij për organizimin e rezistencës antifashiste më 7 Prillit 1939.

Abas Kupi mori pjese aktive në të gjithë luftrat kundër okupatoreve që donin tjetersimin e trojeve tona etnike e deri më 1939 sherbeu si komandant xhandarmarie duke u berē faktor në vendosjen e rendit dhe shtypjen e kryengritjeve antikombetare e antizogiste me frymë bolshevike të iniciuara edhe nga qarqe të errëta antishqiptare.

Ishte Abas Kupi Ai që pas udhëheqjes së rezistencës antifashiste të 7 Prillit 1939 përgjatë luftës kishte rreth vetes me mijra forca nacionaliste kundra pushtuesit e kjo forcë bënte misionarët aleatë kryesisht ato anglez të rrinin e të bashkë-këshilloheshin me gjeneralin.

Ishte Abas Kupi një ndër organizatorët kryesor dhe përfaqësues i nacionalistëve në Konferencën e Pezës ku Ai vetë pati deklaruar

“Jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator. Por në rast se do të formohen partira, unë jam mbrojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 1939. Jam me Mbretin Zog”.

Si patriot e atdhetar ishte po Abas Kupi Ai që këmbënguli dhe arriti të i mblidhte të gjithë shqiptarët në luftë të përbashkët kundër okupatorit dhe për këtë arriti të kordinoj thirrjen e Konferencës së Mukjes, ku marrveshja e dalë prej saj u hodh poshtë nga komunistët e lufta çlirimtare u kthy në luftë civile për pushtet.

Kjo kryesisht pasi nacionalistët kërkonin luftë deri në çlirimin e trojeve etnike e një shtet me mbretëri duke shfarosur farën e kuqe.

Ishte po Abas Kupi Ai që pas prishjes Marrveshjes Mukjes me Konferencën e Labinotit së bashku me zogistët, patriotë e intelektualë të tjerë, në kordinim me Mbretin Zog, më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, thirrën Kuvendin Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike dhe Më 21 Nëntor të vitit 1943 U krijua Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit sot: Partia Lëvizja e Legalitetit.

Gjatë kësaj peridhe, nën drejtimin e Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Legalitetit, Major Abas Kupit, forcat luftarake zogiste ishn me mijëra në luftë kondër pushtuesit ku për këtë egzistojnë fakte historike të pakundërshtuara të betejave luftarake konkrete si dhe dihen.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore legalistët u gjendën përballë alternativës të një konfrontimi ushtarak me forcat komuniste ose atë të mërgimit.

Pët të eleminuar vëllavrasjen dhe për arsye të tjera, ata zgjodhën të tërhiqeshin dhe të largoheshin jashtë vendit, duke vazhduar aktivitetin politik në shërbim të kombit aty ku ata u vendosën.

Pas LDB, nën regjimin diktatorial komunist, dihen pasojat dhe si rrodhën ngjarjet, Abas Kupi në egzil bashkë me zogistë e patriot të tjerë i ka qendruar gjithmonë besnik Mbretit Zog, ku gjithe kontributin dhe mundin e Tij ja kushtoj “Levizjes Legaliste” dhe programit të saj.

Abas Kupi prandaj me të drejtë mbetet kryetar i perhershem i Partisë Lëvizja e Legalitetit

Miq të nderuar!

Sot, më tepër se kurrë, del detyra e jonë, kudo ku jemi, për një mobilizim e motivim që fryma legaliste të kthehet në besim e shprese dhe PLL të ridimensionohet ashtu si duhet që ideali dhe amaneti i të parëve ai i kauzës tonë programore të bëhet realitet.

Jemi ne ata, si pjesa më e shëndoshë e së djathtës, pjesa e trashigimnisë më fisnike, ata që duhet te marrim fatet e vendit në dorë, aq më tepër sot kur vendi ynë po zbrazet dhe shteti i së drejtës nuk funksionon, e çdo gjë tjetër ngrihet mbi një nivel të ulët ekonomik.

Jemi ne legalistët, kudo që gjendemi, ata që duhet të shqetesohemi më tepër se kushdo tjetër për bashkimin tonë kombëtar, për dekomunistizimin ligjor të shoqërisë dhe dënimin e krimeve të komunizmit, për Veriun e Kosovës, për çeshtjen Çame, për deklaratat e qëndrimet e Qeverisë Greke në marrëdhënie me Shqipërinë dhe për shumë zhvillime të tjera antikombëtare që sat po ndodhin mbi këtë botë të trazuar, kjo sepse ne përgjatë NJË shekulli kemi treguar se mbi gjithçka vendosim interesin tonë kombëtar.

Prandaj, përsa me sipër, ajo që ju organizoni çdo vit, duke perkujtuar figuren e Gjeneral Abas Kupit, na nderon të gjitheve, na bën optimist, na jep kurajo dhe na motivon në punën tonë të përditshme.

Të nderuar pjesmarrës në këtë tubim:

Zogistët në këto vite ‘20 të kërij shekullit të Ri, shekullit të NJËZEZ E NJË, gjenden përpara dy 100 vjetorësh të rëndësishëm për ne dhe kombin shqiptar.

Atë të 24 Dhjetorit 2024

100 vjet nga Triumfi i Legalitetit dhe

1 Shtator 2028

100 vjet nga Mbretëria Shqiptare

E prandaj, ky Vit i Ri 2024 do të jetë për ne jo vetëm një vit aktivitetesh përkujtimore por paralel edhe një vit mesazhi, vit i rideminsionumit dhe daljes në pah të vlerave të vërteta që ne kemi përfaqësuar për një shekull e ato që na takon e duhet të përfaqësojmë sot.

Kjo do të shërbejë edhe për ta pozicionuar dhe parapregatitur PLL dhe elektoratin e saj në prag të zgjedhjeve të Pranverës së vitit 2025, ku ne mendojmë që forca jonë politike të përfaqësohet e vetme në kandidim dhe si një organizim i një boshti të së djathtës së vërtetë në vend, kjo për rreth nesh.

Për këtë me kënaqësi dhe si detyrim takues pjesa e diasporës jo vetëm që do jenë të ftuar në këto aktivitetet por do ketë vlerësimet maksimale për vetë potencialin e saj dhe çfarë ajo përfaqëson për vendin tonë e për ne veçenarisht.

Veç projekteve të tjera, si edhe jeni në dijeni, Kryesia e PLL ka vendosur se;

Duke u nisur për kush ishte gjeneral Abas Kupi, që ne sot po e kujtojmë, meritat e tij si patriot e nacionalist, hero i rezistencës antifashiste me 7 Prill 1939, kordinuesi dhe përfaqësues i nacionalistëve në Konferencën e Pezës dhe atë të Mukjes, kryesuesi i krijimit të OKLL në 1943, kryetar i përhershëm i PLL, i cili gjithë jetën dhe kontributin e vet e lidhi për një Shqipëri Etnike, për Mbretëri dhe për një Shqipëri pa komunizem, të marri të gjitha masat e duhura për vendosjen e Bustit të Tij në një prej qyteteve kryesore ku dhe i takon në Tiranë, Durrës apo Krujë.

Për këtë puna do nisi sa më parë e kjo do mbyllet brenda vitit 2024.

Edhe njëherë duke ju falenderuar po e mbyll këtë përshëndetje për ju pasi sado dhe çfardo të themi në lidhje me figurën e Abas Kupit përsëri ngelet shume pa thenë për kush ishte dhe çfarë përfaqsonte gjeneral Abas Kupi.

Respekte dhe mirënjohje për organizatorët e këtij tubimi dhe gjithashtu falenderime për punen dhe ndihmën tuaj si drejtues dhe përfaqêsues të Partisë Lëvizja e Legalitetit në SHBA.

I përjetshëm kujtimi i Gjeneral Abas Kupit.🇦🇱

*Mesazh i përcjellë nga ana e Kryetarit Partisë Lëvizja e Legalitetit z.Shpëtim Axhami në aktivitetin e organizuar nga dega e PLL-ShBA në nderim të gjeneral Abas Kupi.

Filed Under: Histori

Anton Pashku, ngulmëtari i pashoq i modernes në traditën e prozës shqiptare

January 9, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Anton Pashku ishte dhe mbeti shkrimtari shqiptar më i dallueshëm i vlerës dhe traditë së rrëfimtarisë. Ai ishte një lloj fenomeni letrar. Vepra e tij përmban shumësinë e mendimit, larmishmërinë e figurative të fjalës dhe njëkohësish të vetëdijese së vlerës estetike të ngritur deri në model. Vlera dhe kontributi që dha ai në letërsinë shqipe është e shënjuar në atë risi, ndryshesë transformuese, në atë erë të re të narrativës dhe shprehshmërisë së gjëndjes dhe situatës brendandjesore dhe forcës shprehëse dhe energjisë përçuese të tekstshkrimit.

Anton Pashku mbeti një lloj fenomeni letrar me prirje të vazhdueshme drejt përsosmërisë artistike; vepra e tij shfaqet me shumësi mendimi, shumësi figurative të fjalës dhe njëkohësisht me vetëdije të lartë estetike të ngritur deri në model. Shkrimtari pati shënuar se “Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike. Kur janë të ngjeshura mirë e mirë pranë njëra-tjetrës, këto shenja krijojnë aso relacionesh të reja që mund të kyçin ndër to eksplozionet e panumërta jetësore që kanë intensitete shumë të larta”.

Pashku, “Xhojsi i letërsisë shqipe” (I. Rugova), la pas një vepër solide letrare, me shfaqjen e saj më të dukshme të modernitetit dhe si çdo krijimtari natyrale që dallohej menjëherë prej letërsisë vegjetuese, të përkohshme, të letërsisë për letërsi, u fut dalëngadalë në rrethin e vlerave estetike më të qëndrueshme të letrave shqipe, në zonën vepruese, të pacënueshme nga zhurma e viteve e nga vepruesit jashtëletrarë, më saktë, nga zhurmuesit e tillë, të cilët kanë vepruar sistematikisht, pavarësisht se pa rezultat, mbi disa nga përfaqësuesit më të cilësishëm të letrave shqipe, e lartëson në kushtoren e tij, Petrit Palushi.

Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (katund afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (katund pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte të kryer shkollimin e mesëm – Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995. Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: “Nën qarr po rrinte vasha”, “Floçka”, “Kulla”, “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, “Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit”, “Kënaqësitë e Megalopolisit”, “Anija e dehur”. Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani “Oh” ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut “Sinkopa” e “Gof” janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë është materie që mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe.

Por për çfarë shkruante dhe si shkruante Anton Pashku, kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po sjellim dy tregime (poetike), që së bashku mund të përfshihen vetëm brenda një faqeje libri. Fjala është për tregimet “Në stuhi” dhe “Klithma”, që të dyja botuar në vitin 1957. Në të dy rastet bartësit e ngjarjes janë maksimalisht të reduktuar

Anton Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Çështja bosht në rrëfimin romanor të Anton Pashkut është veçanërisht vetëdija e autorit për pozitën e tij dhe perspektiva e synimit të këtij rrëfimi. Shtresimin ironik gjatë gjithë rrëfimit, rrëfimtari do ta derdhë e ta përhapë tërthorazi, e jo si deklarim të qëllimshëm dhe moralizues. Reflekset ironike dhe aludive përjetohen drejtpërsëdrejti nga lexuesi dhe janë më mbresëlënëse se një fotografi e gjallë e një realiteti absurd. Rrëfimtari e nis udhëtimin nga një kohë e pacaktuar që gjatë ecjes fiton peshën e një vatre të gjallë dhe jehona e reflekseve të së kaluarës shfaqet si përsërítje e pafund e dramës sonë kombëtare. Ky vizion i fuqishëm dhe largpamës i veprës së Pashkut që përbën tharrmin krijues të tij, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxit dhe e motivon parreshtur lexuesin që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën lexuesin të jetë zëri kryesor.

Vlerësimet për veprën e Anton Pashkut janë të shumta dhe kritika letrare (kryesisht në Kosovë) e ka ndjekur admirueshëm krijimtarinë e tij prej fillimeve. Por, do thënë se një vepër letrare si e Anton Pashkut, kërkon venerime pas venerimesh. Me gjithë vlerësimet, pra një shumësi konstatimesh për veprën e tij letrare, në dydekadshin e fundit mund të thuhet se, me përjashtime të pakta, ka më tepër një rimarrje të tezave të mëparshme për veprën letrare të Pashkut, sesa një plotësim apo një rishfaqje venerimi. Vepra letrare e Pashkut nuk kërkon të komentohet a të shpjegohet siç bëhet në tekstet shkollore, as shkrimtaria studimore s’mund të qëndrojë si ndërmjetëse shpjeguese ndërmjet tekstit të Pashkut dhe lexuesit. Do parë ai mekanizëm, ajo e veçantë e kodit të komunikimit të Pashkut, me të cilin letërsia e tij ka zënë vend në sferën më t’epërme të letrave shqipe, çka do të shërbente si grishje e vazhdueshme për lexim. Venerimet te Pashku duhen kryer si venerime për një letërsi cilësore, mu aty ku shkëlqimi i tij është më i madh.

“Kulla” e Pashkut

Te Tregimi “Kulla” mund të merret si model-bazë tematike e pjesës dërmuese në krijimtarinë letrare të Anton Pashkut. Përveç temës së dashurisë, që shtrihet në një pjesë të vogël të veprës së tij tërësore letrare, në këtë tregim janë të mpleksura: motivi i lashtësisë, i dramës shqiptare nëpër shekuj, i qëndresës, i ekzistencës, i aktualitetit dhe i vizionit të së nesërmes. Kjo do të vërehet sidomos tek romani “Oh”, ku ky model tematik shtrihet thellë deri në Iliri dhe njëkohësisht, në mbështetje të asaj përvoje dhe të gjasave aktuale, projektohet e ardhmja. Në këtë rrëfim, përmes jetës së dy brezave, të kapërthyer dhe të shtrirë në tërësinë ekzistenciale kolektive të kombit, shprehet aktualiteti i rëndë, ankthi i banorëve të kullës.

Është përvoja e Plakës, pas vdekjes të së cilës Djali projekton të nesermen e vet duke e mbartur tutje përvojën nga e kaluara. Biri, plot ankth, ndien se qëndresa dhe ekzistenca e Kullës është në rrezik dhe sajon mekanizmin mbrojtës pikërisht në sajë të trashëgimisë simbolike të saj. Përmes traditës, rrëfimtari shpalon kulturën shpirtërore kolektive si mburojë simbolike nga kanosja e shprishjes prej dhunës së ushtruar në kohën kur është shkruar tregimi. Dhuna e ushtruar brutalisht përballë mekanizmit të traditës kulturore kombëtare dhe tërësisë shpirtërore kolektive, në art del e përkohshme, kalimtare dhe pa gjasa triumfi. Kështu përmbyllet tregimi antologjik “Kulla”, me ngadhnjimin e së nesërmes, me lidhjen jetike të Birit pas trollit e kullës: rrëfimtari është gjithmonë banor i kullës; brenda saj e kujton të shkuarën nga e cila projekton dhe përcakton perspektivën.

Edhe rrethi tematik i vetmisë, ai i tërheqjes në vete nga çensura e shtypja, edhe rrethi tematik i dhunës dhe i krimit, që zënë vend qëndror në prozën tregimtare të Anton Pashkut, janë rrjedhim i shtypjes dhe i dhunës së ushtruar mbi qenien kolektive shqiptare, historikisht dhe aktualisht. Ky version regjional dhe kolektiv në prozën e Anton Pashkut uníversalizohet si vlerë artistike dhe si mesazh, si filozofi dhe si parim moral.

VOX-i I ANTON PASHKUT

Raporti ndërtekstual me Shkrimin e Shenjtë tek “Oh” del, me përbërës të caktuar, edhe në planin formal të tekstit Një ndërdialog formash ky. Nëpërmjet figurave të diksionit, qoftë edhe të rimës, në raste, Pashku bashkëthur format e poezisë me të prozës; si në tekstet e vjetra kanunore përgjithësisht.

Sistemi letrar. Jo vetëm teksti si sistem, por shkrimi në sistem. Kësodore dalin së bashku teoria për tekstin si sistem e teksti (praxis-i) si sistem.

Sistemi letrar. Sistemi jo vetëm si rend, si stil, por si nivele teksti, nga shenjuesit formalë te strukturat e tekstit (struktura kompozicionale, ajo e personazheve etj.). Antoni ka punuar gjatë e thellë me tekstin. Deri te një sistem i plotë shenjues. “Ikja” nga përcjellja e të dhënës, në të mirë të shenjimit të saj, del si një shenjë e modernitetit të kësaj vepre; si njëra nga shenjat e një përkatësie të tillë të saj. Shkrimi në sistem, te Pashku, shtrihet nga struktura kompozicionale, nëpër figurat letrare, te ligjërata poetike e stili. Teksti i Antonit është i rrumbullakuar formalisht. Një rrumbullakim i tillë assesi s’e vështirëson komunikimin me idetë, meqë edhe shenjat formale të tij zhvilloben në ide: jo ideja si figurë, por figura si ide. Kësisoj, ajo mbetet një vepër e hapur. Dialogjika në veprën e Pashkut sprovohet e gjen provën e vet gjerësisht. Sa herë që thuhet Antoni im, nis dialog i ri me veprën e tij.

Romani “Oh” ka për farë tregimin. Dorën në zemër, tregimi është farë e prozës përgjithësisht. Tregimi tek “Oh” nënkupton nivel (rrëfimor, gjithsesi) të tekstit. Ky roman ka disa nivele të tilla. Këto nivele, aty, lidhen me kohën e fabulës. Në të vërtetë, koha e fabulës në “Oh” është dyfaresh: reale (tash, një e tashme hipotetike), fiksionale (atëherë). E para është kohë tipike e rrëfimtarit. E dyta – e personazhit – rrëfimtar përgjithësisht; e një rrëfimi që shtresohet vertikalisht (ne kohë). Shtresimi i tillë siguron një sistem jo vetëm narrativ, por edhe kompozicional.

Te ky roman, po në këtë sistem zhvillohet struktura e personazheve. Nis me një Unë të paemërtear e me një Ajo, si “emra” të S e Y, për t’u shkallëzuar deri te personazhet-simbolike. Personazhi i një niveli rrëfimor, në nivelin tjetër merr rolin e personazhit – rrëfimtar, qoftë edhe si një retor. Një strukturë personazhesh kjo e ndërtuar në sistem.

Sistemi poetik është ruajtur edhe në planin e sintaksës poetike, të ligjërimit, domethënë të stilit. Tipike për prozën e Pashkut (për romanin “Oh” sidomos) janë periudhat bashkërenditëse shtuese, bile sisteme periudhash të tilla.

Rashkërenditia e tillë. në ligjërim ecën në logjikën e një rrethi. Kësofare, ligjërata, pasi të jetë zhvilluar, kthehet në pikën e nisjes. Një periudhë kësilloji shfaget sa herë në tekstet biblike. Në këtë kuptim, proza e Pashkut hyn në raporte ndërtekstuale (këtu në raporte ndërstilshmërie) me Shkrimin e Shenjtë.

Raporti ndërtekstual me Shkrimin e Shenjtë tek “Oh” del, me përbërës të caktuar, edhe në planin formal të tekstit. Një ndërdialog formash ky. Nëpërmjet figurave të diksionit, qoftë edhe të rimës, në raste. Pashku bashkëthur format e poezisë me të prozës; si në tekstet e vjetra kanunore përgjithësisht.

Te tekstet dramatike, sistemi formal gjen “territorin” e vet ideal. Meqë tekstet e tilla, përpos për t’u lexuar. shkruhen për t’u shfaqur në skenë, plot-i (këtu kompozicionalisht i përmbysur) bëhet farë formale e tekstit të plotë dramatik. Jo se ky tekst nuk mbetet lidhur me idetë (ekziston teatri i ideve, andaj edhe dramaturgjia e tillë), porse forma e tekstit promovohet si medium i parë që siguron lidhjen me skenën. Njëkohësisht, ajo, forma, sidomos me përbërësit paratekstualë, sugjeron tipin e leximit. Tekstet “vrapojnë” pas lexuesit-model.

Sistemi brendatekstual i tekstil dramatik të Pashkut, shenjohet nëpërmjet shenjuesve formalë (strukturës formale didaskalike); “Gof”; Një epilog, Mbas një epilogu, Para një prologu. Një prolog. Domethënë, shenjohet një sistem formal i përmbysur, nga një epilog te një prolog.

Shenjuesit e tillë të sistemit janë të vlefshëm si për leximin, si për procesin e vënies së tekstit në skenë, meqë shenjojnë intencë moderne të thyerjes së procedeut, që fabulën e thur në rendin shkak-pasojë.

Trashëgimi e tij letrare

Tregimet, Jeta e re, Prishtinë, 1961

Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965

Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968

Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969

Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971

Kjasina, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1973

Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976

Lutjet e mbrëmjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978

Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë, 1982

Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime:

Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986

Oh, Rilindja, Prishtinë, 1986

Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986

Referimet:

Kujtim M. Shala, “Bota Sot”, 6 dhjetor 2003

Petrit Palushi, Tirana Observer

Wikipedia

Filed Under: ESSE

Parajsa shpirtërore e dashurisë shndërruar në art poetik

January 9, 2024 by s p

Nga Mëhill Velaj, New York/

Të mençurit e Rilindjes Evropiane si Dante dikur, kanë thënë se “poeti është një lloj profeti i cili ia hap portat parajsës.” Andaj pena poetike dhe magjia letrare që na ofron Gjekë Marinaj është sfiduese për lexuesit por njëherësh edhe një shkallë katarzimi e thellimi në fenomene letrare të cilat shquhen për stilin e veçantë, elegancën e të shkruarit, mjeshtërisë dhe rezonimit letrar, por edhe rekapitullimit përsëritës që të lë pa frymë kur lexuesi reflekton për planin ideo artistik dhe mesazheve herë-herë meta psikologjike.

E lexova me një frymë ketë vëllim poetik, ku te pjesa “Dashuria dhe fati” reflektohet për një dimension krejt tjetër letrar e shpirtëror, kulturor e human, nga poetet tjerë të cilët hapësirën qiellore të dashurisë nuk e shohin të shkëputur nga melankolia dhe instinktivja. Këtu qëndron magjia poetike e plani ideoartistik i këtij poeti të përmasave mbarëkombëtare. Marinaj e nuhat, përjeton, shijon dhe e jetëson dashurinë në një dimension me të lartësuar se sa e bukura e estetikja, me lart se shija e ëndrra, dhe më lart se e përkohshmja, sepse fuqia e tij mendore, përvoja empirike dhe intuita e tij e bëjnë të meditojë për fenomene me të lartësuara jetësore. “E mbi të gjitha zgjodha dashurinë”, shprehet Shën Pali në letrën e tij dërguar Korintianëve. Pra këta përbërës letrarë janë uji, dielli dhe mendimi. Poeti është gjithmonë i etshëm për dashuri dhe atdhedashuri.

Këtë natyrë e përmbajtje kanë edhe poezitë Metabolë; Unë dhe Ti; Ajo u nis për Evropë; Paraparajsa; Dusitës, ku e kaluara, e tanishmja dhe fryma e së ardhmes shpirtërore të dashurisë marrin trajta më të lartësuara, më sublime dhe më me nivel parajsor. Autori është i aftë për të mbajtur peshoren më delikate në sferën e kuptimit estetik, andaj vëmendja letrare ndaj tij është nder për letërsinë shqipe.

Poetit Marinaj i pëlqen të përballët me jehonat e së kaluarës dhe përmes së tashmes ti bëjë ballë aventurës se mendjes dhe shigjetave e Odisediadës së jetës.

Marinaj nuk beson në martirizim në dashuri, por në pastërtinë e shpirtit përmes artit poetik. Protagonistja e librit, Dusita, është jo vetëm fati i tij jetësor e ideoartistik, por edhe dielli që i përcjell hapat mistik të poetit drejt qëllimit qiellor. Vetëdija për dashurinë e bën të magjishëm në dashuri poetin. Ai është vetë katarza e memorizimeve e vetës së tij, sepse përtej fatit njerëzor ai di t’i jap kuptim jetës dhe dashurisë që nuk mbaron kurrë.

Ja si shprehet poeti përmes vargut të tij mjeshtëror:

Një tis i nxehtë na skuq në fytyrë,

Zemrat qëndresën e fundit avullojnë,

Gjoksi yt troket, i imi i thotë “hyr!”,

Dashuritë, dashuritë i lëmë të dashurojnë.

Këto vargje janë thelbi i mesazhit poetik i këtij libri, i cili përmes mendjes se ndritur të Gjekë Marinajt merr dimension tjetër letrar, sociologjik, etnik e shpirtëror. Të tilla motive të nën shtresuara e adresuara të zemrave e ligjeve të kësaj bote, pra dashurisë dedikuese, kanë edhe poezitë Në përvjetorin e martesës; Më ëmbël se ç’puth vesa Bjeshkën; Le të mbeten ca gjëra përgjysmë; 24 Orë dashuri, të cilat janë reflektime poetike që dinë të luftojnë dhe të ndjejnë ngrohtësi edhe kur “Dimri tek fishkëllen një melodi të vjetër pagane” në ndër-dijen krijuese të një personaliteti që mban mbi shpatulla atlasin e botës e kujtesës që dhemb e rigjallërohet nga zjarri Sizifian.

Poezitë e Marinajt karakterizohen me filozofinë e shprehjes, mjeshtërinë e faktorit semiotik, hera-herës vargut hermetik e mbi të gjitha dominimit poetik të artit të kulluar letrar. Në vargjet e Marinajt gjenden ëndërrimet, frymëzimet dhe mendimet që reflektojnë një segment të rëndësishëm të jetës së tij.

E ëmbël është jeta për poetin Marinaj në dimensionin e tij shpirtëror, por edhe uthullim sa i përket horizontales njerëzore. Ai në këtë mes ka zgjedhur përndritjen dhe “amshimin” metafizik. Këto motive poetike i gjejmë në poezitë Ajo e bën horizontin të skuqet; Silueta e një vajze; Duke lexuar poezi me Dusitën; Afërdita etj., të cilat së bashku zbrazin zjarrin e dashurisë, harmonisë, etikës se unit, dhe mirëkuptimit tek përmasat e një dashurie dedikuese ku lirshëm mund të themi unike në llojin e tyre.

Poezia Do më falnin të gjitha gjykatat e botës është një lirikë poetike pothuajse magjike, e arrirë nga pak kush, sepse në të është zbrazur i tërë dimensioni shpirtëror, ideor e artistik i një personaliteti që botën e mban në çepellat të syrit plot dritë.

Kultura e dijes dhe ajo poetike koincidojnë me fatin e poetit, shpresën e fisnikërinë e brendisë gjenetike që në çdo minutë të jetës bëhet zot “konaku” i vetvetes e jo varësisë emocionale e joshjes që ofron bota. Kjo është parajsa poetike e një njeriu poet që përmbi magjinë poetike e ka të formësuar rrafshin kulturor e shpirtëror përmbi atë të joshjes instiktive e melankolisë që nuk mund ta kthej kohën prapa.

Dykohësia është futur në qenien e poetit falë talentit të tij letrar, unit njerëzor dhe vizioneve dritëlargëta. Pra poezitë e Marinajt nuk lindin vetëm nga dhimbjet e emocionet spontane, por edhe nga gjendja e kërkimit ideor dhe e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga e kaluara në të tanishmen dhe nga etja e zjarri për monolog në një kohë dialogu të pamundur, të cilin nuk mund ta ripërtërijë e rikthej të kaluarën në shijim të së tanishmes.

Kështu, poetit i pëlqen të ëndërrojë ëndërrimin, të kaluarën e tij, gurët e atdheut, ta përqafojë të shkuarën e rininë e tij, por mbi këto pirgje ideore e melankolishë impulsive ngadhënjen e vërteta për fatin njerëzor që nuk mund të ndryshohet por mund të fisnikërohet. Poeti krijon vargje shoqëruar nga bija e Zeusit, e dimrit të acartë, por në duar mban fatin e jetës së tij tokësore e shpirtërore. Marinaj nuk moliset nga ligjet e ngurta të dashurisë sepse dashuria në vepër është brenda ekzistencës së tij.

Bota e hapur e Marinajt, përvoja letrare dhe përvetësimi i shijeve artistike janë një dimension i hapur kulturor qe i hap çdo lexuesi horizonte të reja udhëtimesh novatore, nëpërmjet metaforave, simboleve e vargjeve të dendura me mesazhe drithëruese. Duke ndërthurur vetveten poetike me atë shoqërore, autori nxjerr në pah aftësinë për ta vënë lexuesin në rolin e protagonistit, duke e bërë atë të ndihet sa metafizik, po ashtu edhe real në materien e dukshme dhe të padukshme të universit emocional të përjetuar e të fisnikëruar njëkohësisht.

Marinaj mediton për “mollën e kafshuar” dhe realitetin virtual, kohën dhe plagët që sjellë mendja. Ai është i farkëtuar e gravuar në sytë e dikujt dhe në qiejt e kujtesës së përflakur, ndaj nuk e pushton as agonia e lajthitjeve të jetës as ecja në jetë. Marinaj është i lartësuar e ndaj sheh larg në horizonte të pamasa të botës poetike dhe empirizmit që sjellë jeta. Bota e tij nuk i do “shitëset e vetvetes’’ as bekimet e rreme të kësaj bote por kërkon fijen e virtyteve e rritjes në njohje. Poeti Gjekë Marinaj është i rrethuar me detin e Gnostikës dhe Evës që tundon, por edhe me vet njohjen e principet fisnike që nuk zhgënjejnë kurrë. Tingujt e tij poetik janë Eksklipse e harpë tingull-ëmbël edhe horizonte të pa masa në sytë e veshët e lexuesve vertikal.

Brenda kësaj harmonie e valleje poetike që i ngjajnë një kori të Engjëjve, lexuesi ndjen botën sentimentale në kontekste e dimensione të reja, ku fryma lirike vjen përmes tingujve shpirtërorë të violonçelit të të dashuruarve që ndjejnë bukurinë e jetës, në heshtje por duke e fisnikëruar jetën e dashurinë çdo ditë.

Poeti Marinaj është poetë i përmasave të lartësuara sepse di ti këndojë psalme jetës, paqes, harmonisë dhe dashurisë. Mu në magjinë e kësaj përmasë parajsore ai gjakon parajsën e përjetuar e jo atë të kujtesës dhe asaj që ndoshta nuk do të vijë kurrë. Po e përmbylli këtë reflektim me thënien e Luis Brilante: “Estetika është e qartë, po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërcaktuar, si dashuria, si shija e një fruti, si uji. Poezinë e ndiejmë njësoj siç e ndiejmë afërsinë e gruas apo aromën e maleve apo të thellësive të detit”. Edhe një pikë loti në dashuri e kujtesë nuk është turp. Ndoshta turp duhet t’u vinte ndokujt që nuk ka kurrë për të dashuruar… Urime e suksese kësaj pene të artë….

Reflektim për librin poetik të Gjekë Marinaj “Paradigma e Parajsës”

Botoi: Shtëpia Botuese FAIK KONICA Prishtinë 2022

Filed Under: LETERSI

“Liturgjia” e Arbënit

January 8, 2024 by s p

Përshkrim i shkurtën rreth librit “Historija e Popullit Shqiptar” – vepër e At Paulin Margjokaj.

Nga Artan Lleshi Gjomarkaj

Ajo Shqipni, së cilës njerëzit e penës, kulturës dhe artit ja morën komunistēt e me pranga ndēr duar e ja burgosën, internuan për të mos u dëgjue as zani e as zanafilla Arbënore, dikur me plot kumbim quhej Arbēni! Sikur nē Venedik e Vienë, Paris e në Romë, fëmija që linde, pagëzohej e një emër i vyer i shkruhej në distinë të emrave, edhe At’ Paulin Margjokës, së vogli i dhanë emrin “Bibë” si Bib Doda por së rrituni në udhë të Zotit, e udheve që vet Ati në Qiell ia ka falë Kçirës së Pukës, Bib Margjokaj sipas rregullit të fretënve, më datën 4 gusht 1925 u regjistrua në Urdhin e Fretënve të Vogjël të Shqipnisë me emrin Paulin si Pali i “Formulës së Pagëzimit” për tu rritun si klerik dhe studies  për’larg dheut të Kçirës por pranë durimit e vullnetit të pasosur për ti shërbyer mot e jetë dheut të tij të origjinës. Nuk është rastësore që në listën e autorëve kërkimtar dhe studiues të gjesh emrin e një kleriku si At Paulin Margjokaj, por prap nuk është rastësore që letrat e një frati besnik ndaj Fesë, Atdheut dhe historisë se Kombit të tij ti fshihen auditorit shqiptar për dekada deri në orën kur do të shembej doktrina staliniste e bolshevike shqiptare. Falë përkthimit të veprës së tij nga përkthyesi i talentuar Prof.Dr.Edmond Malaj dhe falë përshtatjes në gjuhën shqipe dhe redaktuar nga zonja Shqiponja Marku, por edhe falë kontributit e bujarisë se të ndershmit patriot, studiues e veprimar i Mērgatës Shqiptare në Amerikë, z.Tomë Mrijaj, kjo vepër vjen në gjuhën shqipe.

Si lexues, më kanë emocionuar dy fakte dukshëm të rēndësishëm e jo rastësore. I pari fakt është shtrirja e autorit me korrektesë të plotë prej akademiku ndër etapa historike dhe ndër kryqëzime historish dhe e dyta: Guximi i redaktores për ta veshur veprën me një gjuhë rrokëse dhe rrëfimtare sikur merr udhë historia etapë pas etape. E çmoj tej mase kaq guxim ndërmarrë si nga përkthyesi ashtu edhe nga redaktori sepse sot, ndër ditët e vështira të gjuhës shqipe,  ndër ditët ku edhe Institutit të Albanologjisë i është beditur dryni i çuditshëm i shtetit, gjendet guxim prej intelektuali për tu përballur me një vepër jo aq të lehtë në lëndën e përshtatjes …Në vepër këndon historia dhe ndiell zogjt e çdo epoke, thënë në mënyre figurative nga ana ime sepse nuk gjendet kënd ku përsëritet rutina. Autori ka lënë në mënyrë perfekte shteg për cilindo studiues që ta pasurojë veprën nëse dëshiron përmes kërkimeve të tij por esenca e themelimit të historisë së një vendi deri tek modernizmi i sotëm gjenden mrekullisht tek ky libër. Libri fillon me një përshkrim të saktë të paktën përaq sa êshtë studiuar deri sot mbi qytetet e lashta shqiptare, lumenjt, liqenet, rrugët po në lashtësi e zbret e merret me etnoninë  e fjalës “Alban” deri tek studimi i prejardhjes dhe origjinës shqiptare. Shtegtimi ilir dhe  Shqipnia në kohë të perardorisë romake vijnë të studiuara qysh para kristianizimit për ti lënë vend të dukshëm edhe ksaj etape, kulturimit fetar para epokës së Mesjetës.

Kjo epokë, pikērisht epoka e dyndjes së popujve deri në Sundimin Bizantin të Arbënisë thuhet shkurt përmes argumentave historikë për ti lëne vend studimit të ndarjes territoriale si e quajtuna Arbënia e Jugut nën sundimin bullgar, e Arbënit e Serbët – e pērdorur kjo terme pasi Serbēt kishin marre në posedim qysh në shekullin e Vll krahinën bregdetare të Dalmacisë. Despotati i Epirit dhe  Normanët në Arbëni marrin vend studimi në vepër pa asnjë shmangie deri në stadin e fillesave të Venedikut me Arbëninë.

Studime rreth origjinës së Gjergj Kastriotit, gjografise dhe fiseve shqiptare dhe periudhës se shkëlqimit të Katolicizmit në Arbēni mbyllin kapitullin e dytë.

Kapitulli i tretë mban gjithsejt titullin “Shqipnija nën sundimin turk” dhe sjell studime e përshkrime rreth emigrimit të shqiptarëve, përpjekjeve dhe kryengritjeve të shqiptarëve kundër tyrqve, studime rreth islamizimit të Shqipërisë, sjell studime rreth ekonomisë shqiptare ndër epoka, rreth katolicizmit nën kulturoprotektoratin e Austrisë, rreth luftētarēve për çlirimin e Greqisë si dhe shkruan pēr Ali Pashēn dhe Bushatllinjtē. Letērsinë Shqiptare si nënkapitull në libër, dëshirova ta cek tek së fundi sipas modēs time sepse mē duket meritë e veçantë e autorit si dhe përkthyesit  për arsye të dukshme. Qysh në fillim të herës, ndër të parat gërmime, At Margjokaj ka zbuluar versionet e qēndrueshme të hipotezave duke zgjedhur literaturë bindëse dhe të promovuar ndēr breza larg klaneve tē epokave dhe kaq kuptohet më së miri sepse At” Margjokaj nuk komenton mbi tendencat e autorëve por në mënyrë krejt moderne pērzgjedh pjesēt me të qēndrueshme të studimeve duke lënë për të kuptuar se kapitulli i Autoktonisë Arbënore është mbyllur pērkush ka vëmëndje tek historia reale dhe kjo çështje tashmë mbetet vetëm çështje e vetë Arbënve.

At’ Margjokaj bind duke lidhur ngjarjet me gjeografinë shqiptare përmes fakteve dhe statistikave dhe kaq e bën mrekullisht si një civil e jo si një meshtar, pra nuk shihet ndokund tendenca e At ‘Margjokaj pēr ta klerizuar veprën ose për ta malsorizuar veprën duke qënë se ai i përket me origjinë një territori mjaft të lavdēruar ndër treva si Puka e sotme.

Merita ndër të tjerat ēshtë jovetëm literatura që ka zgjedhur ku të referohet por edhe zërat letrar të cilët ka përmbledhur në veprën e tij në një udhtim të meritshëm përshkrues.

Autori është largpamës!

At’ Paulin Margjokaj ka pranuar të merret me kohët parahistorike , me mesjetën e ashtu edhe me të tashmen e tij por nuk ka rënë si autor në hendekun e kohës së diktaturës edhepse ka qënë i mbrojtur nga jetesa sepse ka jetuar jashtë kufinjve shqiptar të pushtuar nga komunizmi për efekt të domosdoshmërisë së përçimit të historisë në një tjetër brez pa humbur kohë me një epokë e cila për nga episodet , njihej botërisht si epoka tendencës së shkatërrimit të elitës dhe historisë.

Aq sa një lexues ësht i unshëm për historinë e vendit të tij , do të gjendet i shërbyer me stil të mrekullueshëm në këtë vepër prej më shumë motesh se fletësh përshkruar vetëm në 400 fletë. Përgëzime së dyti përkthyesit, redaktorit dhe botuesit për punën e vyer e me vlerë bashkë me të falat e mia prej lexuesi të gjendur i befasuar para kësaj vepre të çmuar.

Filed Under: Mergata

Lufta e Koplikut 1920: pse ushtria shqiptare mori peng 5 vrakaçorë për çdo lagje?

January 8, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Më 5 qershor 1920 skadoi afati i ultimatumit që Komiteti Mbrojtja Kombëtare i kishte dërguar komandantit të forcave italiane në Vlorë. Kjo shënoi fillimin e luftimeve për çlirimin dhe dëbimin e ushtrisë italiane.

Forcat vullnetare shqiptare dhe banorët e fshatrave të Vlorës ku zhvilloheshin luftimet u mbështetën në mënyrë të organizuar me furnizime dhe ushtarë edhe nga qeveria shqiptare. Por kjo nuk bëhej haptazi. Ky fakt është fshehur qëllimisht nga historianët për dy arsye, e para, për shkak të kontributit të Ahmet Zogut dhe personaliteteve të tjera politike të kohës, të cilët, u anatemuan gjatë regjimit komunist dhe, e dyta, për ta paraqitur Luftën e Vlorës vetëm si kontribut lokal.

Politika italiane e gjendur në një pozitë të vështirë për të ruajtur influencën e saj përtej Adriatikut, vendosi të vepronte në dy drejtime: më 20 qershor 1920, vetëm apo me ndihmën e Francës eleminoi Esat Toptanin në Paris për t`i hapur rrugën zbatimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, i cili i njihte asaj Vlorën dhe protektoratin mbi shtetin e cunguar shqiptar; për të tërhequr vëmendjen e forcave të qeverisë shqiptare, që mbështeste Luftën e Vlorës, me anën e agjentit të saj Z.S, i cili më pas do të mbajë funksione të larta shtetërore, provokoi një incident në kufirin shqiptaro-jugosllav. Kjo shkaktoi atë që në histori ndryshe quhet Lufta e Koplikut.

Zyrtarisht luftimet nisën më 27 korrik 1920. Fillimisht qeveria shqiptare u përpoq që ta zgjidhte këtë konflikt në rrugë diplomatike. Ajo nuk kishte as kapacitetin, por as luksin që në këtë moment, kur po zhvillohej Lufta e Vlorës të hapte një front të dytë. Aq më tepër që delegacioni jugosllav në Konferencën e Paqes në Paris po mbante një qëndrim antiitalian e në interes të shtetit shqiptar.

Kur këto përpjekje dështuan, qeveria shqiptare dha urdhër për mobilizimin e përgjithshëm. Në Shkodër shkoi personalisht ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili në mbledhjen e shtabit, për t`i dhënë zemër të pranishmëve deklaroi: “Sot, vllazën të dashtun, asht koha me i lanë m’njanë të gjitha kujdeset e çka do të keni ma të përzemërt. Mendjet e fuqitë tuaja tash do të përpiqen për lirinë e Kombit tonë: qe se koha po avitet në logun e luftës, edhe pak çaste kemi për të dalë e vetë ma i pari kam m’u turr n’anmik”. Për mobilizimin e vullnetarëve shkodranë sipas parimit “një pushkë për shpi” u ngarkua një nga figurat më me influencë, Sylçe beg Bushati.

Në Luftën e Koplikut 1920, për herë të parë ushtria shqiptare aplikoi pengmarrjen e civilëve. Kjo ndodhi në Vrakë ku banonte një komunitetit i vogël malazez. Sipas një broshure të botuar nga Gjon Zeka në vitin 1932, i cili ka qenë dhe dëshmitar i këtyre luftimeve “Rrugës çetat shqiptare ndeshën së parit në tre malazez pak përtej Vrakës, të cilët u vunë me qindrue, por pushka e shqiptarit i shtrini për tokë, tue lanë trupin e tyne pa vorrue për tri ditë si shembull për tjerë, që ushqejshin ndjesi sllave, e këto ndjesi u mundojshin me i zblue nepërmjet sa “kryengritjesh” e gjaqesh që banë. Vraka, që ishin me shpirt kah ana e anmikut, me të shpejtë çojnë njerzë me u diftue serbëve planet e luftës dhe sasinë e ushtrive shqiptarëve. Për këtë punë u kujtuan shpejt shqiptarët dhe mblodhen Vrakën tue i marrë ka pesë rob për lagje, si nji peng deri mbas luftës, e se vrakaçorët nuk kishin për t’iu ndihmua anmiqëve të vendit tonë”.

Pas bisedimeve dy palëshe, Lufta e Koplikut përfundoi më 14 shkurt 1921.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1383
  • 1384
  • 1385
  • 1386
  • 1387
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT