• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbresa rreth librit “Fisi Hoxhaj, Arrëz e Madhe” me autor Besnik Hoxha

December 27, 2023 by s p

(Vatrani Latif Hoxha nga Arrëz e Madhe e Tepelenës)

Arrëza e Madhe e Tepelenës një vend i lashtë, ku burrat kanë ditur të bëjnë historinë e lavdishme.  

Arrëza gjithmonë ka qenë në fokusin e penës dhe të shkrimeve të mia për shumë e shumë arsye.  Ajo që më qëndron si kurorë manushaqesh naimiane është lidhja e dashurisë sime të pastër me djalin e Zylajve dhe që vazhdon të jetë si uji i burimit të mahnitshëm të Gurrës që zbret nga malet dhe rrjedh si muzikë vjeneze në fshat.  

Një dhuratë të çmuar pata në prag të festave të fundvitit nga autori Besnik Hoxha sjellë nga poeti dhe këngëtari Pëllumb Aliaj i cili erdhi me Grupin “Thesaret Labe” të ftuar nga TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” në New York.  

Librin e kam mikun më të ngushtë dhe natyrshëm i kushtoj vëmendjen e posaçme, por kur librat mbajnë brenda një histori të tërë të një fisi të nderuar si Hoxha ne Arrëzën e Madhe doemos më sjellë muzën, perëndeshën e frymëzimit dhe me kuriozitetin tim ulem të lexoj dhe të shkruaj.  Autori me një punë skrupuloze, të gjatë ka ditur të paraqesë në këtë monografi arkivin personal të familjes Hoxha.  Mendoj se kanë një kontribut të vyer në shoqëri ndaj dhe natyra e rrëfimit të autorit ka marrë rolin e hulumtimit tek tharmi popullor për të shkruajtur këtë monografi me titull “Fisi Hoxhaj, Arrëz e Madhe”.

Që në hyrje autori na njeh me pozicionin gjeografik të Arrëzës e cila ndodhet në krahinën malore-jugore të Shqipërisë dhe shtrihet në perëndim të malit të Trebeshinës.  Lexoj dhe përfytyroj pesë kodrat midis Qafës së Kiçokut dhe Qafës së Arrëzës, gjysmën e shpatit lindor të Shendëllisë dhe zonën kodrinore midis Trebeshinës, Përroit të Arrëzës, Qafës së Arrëzës dhe Qafës së Rozecit.  Gjithmonë më ka magjepsur shtrirja, hapësira e madhe, malet kryelartë, shtëpitë e gurta, kopetë me zile të rënda, mushkat dhe kuajtë që ecnin herë në rrugë të kalldrëmta, herë zhavorrit, e herë përroit duke hedhur stërkalat e ujit fytyrës së kalorësve kapedanë dhe trima të Arrëzës së Madhe.  

Kapitulli i parë hapet me fisnin Hoxhaj që sipas autorit është autokton.  Sa më pëlqen fjala autokton, çka flet për rrënjët tona të lashta sa vetë njerëzimi.  Autoktonët shqiptarë si dhe fisi Hoxha janë një sfidë e mohuesve të historisë që duan të mohojnë dhe të gllabërojnë tokat tona.  Aspak nuk është e çuditshme me qarqet shoviniste, por nëse ne qëndrojmë në këmbë si kapedanët trima të Arrëzës filluar me Fejzo Arrëzën o lule e deri tek Selameti i parë i Zylajve që luftuan kundër barbarëve dhe hordhive greke, ne do të mbetemi gjithmonë autokton.  Autori Hoxha e fillon me stërgjyshin e tij Lako Hoxha, i pari i fisit i cili ka qenë i martuar me Durijen nga fisi i Zylajve dhe këto fakte të lidhin dhe më shumë dhe të krijojnë një respekt të epërm për çfarë ka hulumtuar, studjuar, arshivuar dhe pyetur për shumë ngjarje dhe histori.

Interesant është fakti se Lakoja pati vetëm një djalë pas 7 vajzave ndaj dhe i kënduan, se kur lind djali kërcet pushka e pihet rakia.  Ja si: Hajde Lako në shtëpi, të lindi një çelepi.  E ftojnë Lakon në shtëpi pasi ai ishte në Izmir të Turqisë.  

Kërshëria s’mund të më hiqet nga faqja e parë deri në fund pasi ka dhe shumë lidhje me Mezhgoranin tim të shtrenjte, ku e fillon me djalin që ka lindur Bejazja të quajtur Saliko Myrteza Durmishaj dhe ne Gjonaj vazhdojmë të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me brezat Durmishaj.

Vatrani Latif Hoxha nga Arrëz e Madhe e Tepelenës

E quaj detyrim moral dhe qytetar të shkruaj për këtë aktivist të shquar që kanë kontribute, por mjerisht historianët heshtin dhe pakuptuar brezat i harrojnë.  Ndaj këtë liber e çmoj shumë dhe për këto fakte interesante, por dhe me kokën lart si tepelenase.

Me krenari të ligjshme shkruan për gjyshin Latif Hoxha i cili kishte mësuar turqisht në shkollën turke “Mejtep”.  Njëherë për një konflikt për tokat për padrejtesitë që iu bëhet ai qëllon mbi kundërshtarin duke e lënë sakat.  Për këtë burgoset në Gjirokastër në kala për tre vjet.  Në burg u njoh me shumë trima ku flitej dhe për një botë të lire.  Interesant është fakti i emigrmit të tij në Amerikë.  Ai u anëtarësua në shoqërinë “Vatra” në Boston në korrik të vitit 1912.  Ai pati rastin të njihet nga afër me njerëzit e shquar si me Fan Nolin e Faik Konica, por dhe me shumë bashkëfshatarë, apo atdhetarë nga të gjitha trojet shqiptare.  Kur Kombi kërcënohej dhe Shqipëria ishte në rrezik, dihet historikisht mbledhja e fondeve nga Vatra në mitingun madhështor, më 17 nëntor, Boston, më 1913.

Gazeta Dielli në kalendarin origjinal të Vatrës, Boston 1918 sjellë të shkruar dhe emrat e disa prej arrëziotëve vatranë si: Ali Arrëza, Bektash Cepuni, Hysen Goxha Arrëza.

Në këtë kohë u be një tubim i madh në Boston ku ishin të pranishëm media amerikane dhe ishin në mbrojtje të shqiptarëve për të drejtat e tyre.  Një rubrikë e vecantë në Gazetën “Dielli” ishte “Djemtë e Tepelenës” ku midis të tjerëve përmendet emri i Latif Sadik Arrezës.  Fushata shumë e njohur patriotike më 1917 për të mbledhur ndihma për Shqipërinë është shumë emocionuese, atdhetare, e zjarrtë, e betuar, e jashtëzakonshme.  Ndaj Noli ky udhëheqës i jashtëzakonshëm dhe i palindur deri më sot pas tij, u frymëzua të shkruajë vargjet lapidar si: Armë dhe fishekë mblithni/ Qesen edhe shpirtin hithni/ Për lirin’ e vëndit t’onë, Sot -se nesër është vonë/ Jepni, Nënën të shpëtoni/ Komb e vatra të nderoni/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë.

Në libër flitet dhe për protestën e 1000 emigrantëve shqiptarë ku midis tyre ishin dhe emigrante arreziotë, marriciotë dhe të zonës së Buzit ku u miratua një resolutë që i drejtohej fuqive të mëdha për të drejtat kombëtare të mohuara po nga këto fuqi.

Vatranët e Arrëzës në Luftën Heroike të Vlorës në komandën e Aqif Përmetit

Atdheu në rrezik dha kushtrimin si Washingtoni i shqiptarëve Fan Stelian Noli dhe Faik Konica.  “Kthehuni bij nënash të mbroni Atdheun”!  Çfarë patriotizmi, çfarë ndjenje kombëtare!  U kthyen 300 emigrantë, 300 vullnetarë, bij nënash shqiptare nga Shoqata “Vatra” e Amerikës për në Shqipëri.  Midis 300 vullnetarëve ishin Latifi, Hsyeni, Aliu, Bektashi, Abedini, Rushiti etj dhe nën komandën e Aqif  Përmetit, u nisën me vapor drejt Atdheut.  

Aqif Përmeti një intelektual par excellence ka qenë menaxher i gazetës “Dielli” dhe komandant i trupave vullnetarë që u nisën për Lirinë e Atdheut. Aqif Permeti mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai u pushkatua nga diktatura si nacionalist.  Pasi u çmallën me familjarët pas 10 vjetëve emigrim, Latifi së bashku me burrat u mblodhën tek Bregu i Burrave me të cilet u bashkuan fshatrat përreth si Marricaj, Martalloz, Buz, Shalës etj.  Ata vendosën si Kapedanë të shkojnë me pushkë në dorë për të mbrojtur vatanin në Luftën Heroike të Vlorës dhe e kryen me heroizëm dhe atdhetari.

Latif Hoxha anëtar i kryegjyshatës botërore

Në vitin 1922 deri në vitin 1924 u zgjodh kryeplak.  Nën autoritetin e kryplakut i dërgoi qeverisë në pushtet letër për hapjen e Shkollës Shqipe në Arrëz të Madhe dhe se Hysen Goxharaj me profesion mësues ishte i gatshëm për të ushtruar këtë detyrë fisnike.  Ai ishte anëtar i kryegjyshatës botërore në qendër të Tiranës me një kulturë perëndimore.  Ai zgjidhet sekretar i teqesë në Marricaj që kishte Baba Feimin shenjtor ëngjëllor.  Midis anëtarëve të këshillit të teqesë ishin këta emra nga Arrëza, Shaqo Jonuz Zylaj, Abedin Taro Pushi, Zylfo Goxhara, Teme Goxhara, Dervish Agara, Islam Agara, Hamit Cibuku, Tefik Zeneli, Dullo Alinani, Qazim Xifi, Xhemal Zeka, Alisha Ismaili, Hasan Hoxhaj. 

Fronti i Luftës italo greke në Arrëz dhe Marricaj

Nga tetori i viti 1940 dhe deri ne vitin 1941 Arrëza ka qenë front lufte.  Fshati ishte pushtuar nga fashistët italianë, ndërsa në malet e Trebeshinës dhe në Shëndëlli ishin pozicionuar grekët.  Duke qenë në vende strategjike grekërit zunë 300 robër italianë.  Ishte një betejë e gjaktë me jetë njerëzish.  Italianët filluan të qëllonin me top nga Gllava për t’i detyruar fshatarët të largoheshin nga shtëpitë e tyre.  Gjatë kësaj beteje u vranë dhe u plagosën nga bombardimet disa njerëz nga Arrëza.  Grekët dogjën në gropën e gëlqeres mjaft njerëz që kishin mbetur në Arrëz. Më vonë pas shumë përpjekjesh dhe kur grekët u kthyen nga sytë këmbët, arrëziotet u kthyen në fshat, pasi bënë 4 ditë rrugë në këmbë, Përmet, Këlcyrë, Mezhgoran, Qafë e Arrëzës.  Tmerret që panë rrugës ishte llahtari, veçanërisht kur mbërritën në fshat tek gropa e Abazit, ku ishte mbushur me plot të vrarë italianë e grekër, fyt më fyt. Duke u kthyer nga muhaxhillëku, dhe hajde ta kuptojnë të rinjtë e sotëm çfarë kanë hequr të parët tanë, ata gjetën shumë viktima dhe luftëtarë të vrarë në beteja. 

Varri i Selamet Jonuz Zylit

Gjithmonë më ka tërhequr kjo histori e trishtë e dhimbshme, por më ka dhënë dhe krenari.  Lufta italo greke që pushtoi gjithë zonat tona ishte një luftë e tmerrshme, një luftë e pabarabartë në teknikë, por mbi të gjithë dy fuqi ushtarake qe nuk i përkisnin vendit tonë luftonin me njeri tjetrin në tokat tona, bash mu në shtëpitë tona në Arrëz të Madhe.  Çfarë barbarizmi, çfarë lufte barbare!  Si gjithmonë kapedanët e Arrëzës së Madhe të dëgjuar për trimëri të pashoqe, por edhe për edukim nuk ndenjën duarkryq, por rrëmbyen armët dhe dolën malit për Liri.  Edhe pse ligji I Luftës ka qenë që kur të fillonte bombardimi italo grek fshatarët të largoheshin, përsëri shumë fshatarë nuk e lanë shtëpinë.  

Ndoshta është një fjalë goje, ikni, ikni.  Por jo!  Të ndizet gjaku për të mbrojtur trojet.  Dhe ashtu bëne gjithë arrëziotët. I tillë ishte një prej tyre Selamet Jonuz Zyli të cilin që në momentet e para të ardhjes sime në Arrëz ma përmendnin me krenari të ligjshme dy nipërit e Selametit: baba Nasipi, xhaxhi Mystehaku si dhe kushëriri i tyre xhaxhi Xhaferr Zyli.  

Selamet Zyli u vra nga bombat greke dhe u plagos duke i marrë këmbën në mal me dëborë ku dhe dha shpirt.  Kur mbaroi lufta Nasipi bashkë me Mystehakun shkuan dhe i varrosën atje burrë e grua dhe sot quhet “Varri i Selametit”, në shullërin mbrapa gropës së gjatë, kur zbret për tek shtegu i Sherros. 

Lufta e dytë Botërore

Në Luftën e dytë botërore Arrëza e Madhe e gjithë ka qenë në këmbë për të mbrojtur Kombin.  

Sipas autorit çdo familje kishte një djalë në mal me pushkë në dorë për të luftuar kundër armiqve fashistë dhe pushtues të Shqipërisë. 

Në luftë kundër fashizmit ranë heroikisht këta dëshmorë:

Avni Bektash Çapuni (23 vjeç i pamartuar)

Laze Tahir Hoxha (28 vjeç i pamartuar)

Haxhi Hysen Shehu (22 vjeç i pamartuar)

Sulo Ceno Baka (30 Vjeç i martuar dhe babai i një vajze 4 vjeçare e cila u martua në Mezhgoran me Selman Gjonin një çift i përkryer. ( Zot unë i quaj shenjtorë)

Novruz Muharrem Tata rreth të 30-ve i pamartuar

Xhemal Meto Goxhari 35 vjeç i pamartuar.

Esad Hoxha i burgosuri i pafajshem i sistemit 

I lexoj me një kurreshtje shumë të madhe si dhe historinë e te atit të autorit, Esad Hoxha.  Me një lloj nostalgjie e lexoj dhe rikujtoj se çfare më ka rrëfyer Ati im Brahim Gjoni per mikun e tij te vyer me shumë vlera dhe të besës Esadin kur ishin bashkë në forume të ndryshme, pas Luftës në gëzime dhe në vuajtje.  Ai kishte një shkrim të përsosur dhe një botë të pasur shpirtërore.  Esadi si kryetar në fillimet e kooperativës dhe më vonë kryetar këshilli.  Ai ra në burg padrejtësisht dhe pse ishte një kuadër i zoti, luftëtar i së drejtës, drejtues me kulturë dhe profesionalizëm dhe nuk u bë kurrë sahanlëpirës. Atë e burgosën servilët dhe shpifësit e atij sistemi që në kurriz të tij donin të merrnin dhe të mbanin poste. 

Ajo që më bëri përshtypje në këtë rubrikë ishte mirënjohja e madhe dhe e pakufishme që shpreh I biri i tij autori i këtij libri Besniku në lidhje me Çelo Arrëzën drejtorin e burgut i cili ka bërë përpjekje të mëdha për ta nxjerrë nga burgi të pafajshmin Esad Hoxha Arrëza.  Njëherë i dha leje rrefen autori kur shkoi Bekimi për ta takuar në Ballsh dhe i tha ta merrte dhe të takonte fëmijët e tij.  Por Esadi tha se unë nuk dua se e di qe të prish punë se këtu në këtë sistem e ha ministri dhe jo Çelo Arrëza.  Nuk numërohen thotë autori se çfarë të mirash ka bërë Çelo Arrëza për atin tim.  

Mirënjohja që shpreh autori është e njerëzve fisnikë ndaj dhe më kujton thënien e presidentit të famshëm amerikan John F. Kenedy i cili ka thënë: Ndërsa shprehim mirënjohjen tonë, nuk duhet të harrojmë kurrë se vlerësimi më i lartë nuk është të thuash fjalë, por të jetosh dhe te veprosh sipas tyre.” 

Nuk e kam për herë të pare që dëgjoj mirënjohje të shprehura për Çelo Arrëzën.  Në intervistën që kam realizuar me ish të burgosurin politik, botuar ne disa medie, mësuesin e talentuar të Tepelenës Daut Gumeni në pyetjen time si:  Në takimin që patëm në Tiranë, ju më përmëndët Çelo Arrëzën, ish-komandant i burgut, dhe unë u impresionova për cilësitë e tij të vyera të përshkruara aq realisht nga ju. A mund të më thoni diçka për të?

Gumeni: Kam pasur dhe kam bindjen se vlerat njerëzore janë aq të fuqishme e universale, sa nuk bëhen dot pronë vetëm e një pale. Këtë bindje ma bëjnë përherë e më më të fortë dhe shembuj burrërie si ai i Çelo Arrëzës, ish-komandanti im i kampit të përqëndrimit të Spaçit.  Une nuk kisha folur se, duke qenë të dy tepelenas, nuk doja që spiunët e shumtë ta denonconin dhe komandant Çelon për “zbutje të luftës së klasave”… Ja pse kolonel Çelo Arrëza më kujton gjithmonë markezin Lantenak të Viktor Hygoit…

E përfundoj monografinë duke lexuar disa krijime nga autori dhe duke shfletuar të gjitha fotot e Hoxhajve të fisshëm. Kjo monografi është një dritare më shume për mua si shkrimtare për Arrëzën e Madhe të Tepelenës plot famë dhe lavdi.  

Në këtë monografi me një penë të hollë analitike që ka për bazë bërthamën kryesore të evidentimit të kontributeve të fisit Hoxha lexuesi i interesuar do të shuajë kurreshtjen dhe dikush mund të gjejë diçka interesante dhe nga familja e tij.  Historia duhet të shkruhet realisht të njihet se ndryshe do të ndodh sic ka thënë shkrimtari i famshëm anglez George Orwell si: “Mënyra më efektive për të shkatërruar njerëzit është mohimi dhe zhdukja e të kuptuarit të historisë së tyre.” – George Orwell

Dhe autori e arriti me këtë monografi historike ku vlen të thuhet se ka dhe një parathënie të shkruajtur plot kulturë nga Prof. Kristaq F. Shabani.

26 dhjetor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Fejton

Tirana sipas vjetarit statistikor osman të vitit 1875

December 27, 2023 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në fund të shekullit të XIX-të kazaja e Tiranës ishte pjesë e vilajetit të Manastirit. Sipas vjetarit statistikor osman të vitit 1875, disatanca e Tiranës me qendrën e vilajetit ishte 39 orë.

Në Tiranën e këtyre viteve kishte 6. 457 shtëpi dhe 17. 500 banorë.

Përveç banesave dhe lagjeve karakteristike ekzistonin edhe disa godina të administratës lokale, konaku qeveritar dhe zyra e telegrafit.

Në aspektin fetar pjesa dërrmuese e popullsisë përbëhej nga myslimanët, një pakicë ortodoksësh dhe disa familje evgjitësh. Në qytet kishte 76 objekte kulti, 68 xhami dhe 8 kisha.

Përsa i përket institucioneve arsimore, në Tiranë kishte 13 shkolla fillore, 1 shkollë të ciklit të ndërmjetëm dhe 1 medrese. Numri i këtyre shkollave do të ndryshojë në raport me shtimin e numrit të popullsisë.

Në aspektin ekonomiko-tregtar Tirana kishte një pozitë të favorshme. Në këtë periudhë brenda në qytet kishte 19 hane; 653 dyqane; 19 magazina; 50 punishte për prodhimin e tjegullave dhe enëve prej balte; 145 mullinj; 3 mini fabrika artizanale dhe 1 hamam.

Filed Under: Ekonomi

New Jersey, ekipi i Krajës fitoi turneun e shqiptarëve në futboll

December 27, 2023 by s p

Në New Jersey, dje u mbajt turneu i futbollit i organizuar tradicionalisht nga Shoqata “Vllaznimi” e Strugës. Një eveniment sportiv që bashkon shqiptarët e mërgatës në New York, New Jersey e më gjërë. Në këtë turne sportiv ekipi i futbollit të Krajës doli fitues në vendin e parë. Garë e fortë sportive dhe shumë emocionuese. Pjesëmarrës në turneun e sivjetshëm ishin 6 grupe skuadrash me nga 4 ekipe, gjithsej 24 ekipe konkuruese.

Edicioni i 14-të i organizuar nga “Vllaznimi” është turneu më i madh i organizuar në një vit kalendarik ku marrin pjesë të gjitha trevat e shqiptarisë.

Ekipi i Krajës ka një përkrahje të madhe ku çdo vit marrin pjesë mbi 500 simpatizantë që mbështesin ekipin e zemrës. Një aktivitet i shkëlqyer sportiv e komunitar që bashkon të gjithë shqiptarët e mërgatës.

Filed Under: Mergata

INAUGUROHET NË KUKËS BUSTI I HEROIT KOMBËTAR HASAN PRISHTINA

December 27, 2023 by s p

Fondacioni “Hasan Prishtina”, për nder të dy jubileve, atë të 150 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vrasjes së Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë – Heroit Kombëtar, Hasan Prishtina, ka organizuar vitin 2023 si viti i Hasan Prishtinës. Aktivitete të janë zhvilluar në kryeqendrat si Tirana, Prishtina, Shkupi, Selaniku, Dibër si dhe në shumë treva të tjera në të cilat ka vepruar kolosi ynë kombëtar Hasan Prishtina.

Për ndere te festes se pavarësisë me 18 nëntor 2023 është inauguruar busti i Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Dibër, po ashtu me financim të Fondacionit “Hasan Prishtina” me 25 nëntor 2023 është inauguruar busti i Hasan Prishtinës në Prishtinë dhe për ta përmbyll këtë vit jubilar sot me inaugurimin e bustit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Kukës, po ashtu në këtë vit jubilar fondacioni ka ndihmuar botimin e librit për fëmijë “Më quajnë Hasna Prishtina”, libër ky i cili u promovua para pak ditësh në panairin e librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Me iniciative të Fondacionit “Hasan Prishtina” nder vite janë realizuar shtatore për Heroin Kombëtar “Hasan Prishtina: në të gjitha kryeqendrat shqiptare, duke filluar me Tiranën, për të vazhduar me Prishtinën, Shkupin dhe Vlorën. Po ashtu janë organizuar simpoziume shkencore, ekspozita me fakte historike të nxjerra nga arkiva të shteteve të ndryshme, janë mbështetur botime librash dhe shumë e shumë aktivitete të tjera, më qellim trasimit frymës Hasaniste.

BETEJA HISTORIKE E HASAN PRISHTINËS NË ZHUR, MË 13 SHKURT 1915

“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona” – Hasan Prishtina, 1873-1933.

Ndonëse Shqipëria në periudhën 7 mars 1914 – 3 shtator 1914 ishte nën administrimin e princit gjerman Wilhelm Wid, gjatë kësaj kohe Kosova dhe viset tjera etnike shqiptare, (që me vendim të Konferencës së Londrës (1913), mbetën nën pushtimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë), përjetonin çastet më të vështira në historinë e saj.

Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare në Kosovë: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini dhe qindra refugjatë tjerë nga Kosova, që ishin larguar pas kryengritjes së vjeshtës 1913, u strehuan kryesisht në Durrës dhe në Shkodër.

Princ Widi dhe qeveria e tij në krye me Turhan Pashën, ndonëse nuk arritën të krijonin një stabilitet të qëndrueshëm politik brenda kufijëve të Shqipërisë londineze, atëherë kishin pak mundësi të bëheshin hapa konkret, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, ashtu siç kishin menduar disa krerë të kryengritjes nga Kosova, në fillim të ardhjes së Vidit (7 mars 1914) në Shqipëri.

Në këto rrethana u shtrua si detyrë imperative nga vet shqiptarët që të përgatiten për një kryengritje çlirimtare, kundër pushtuesve serb… Dhe këtë barrë të rëndë do ta marrë përsipër Hasan Prishtina.

PËRGATITJA E HASAN PRISHTINËS PËR KRYENGRITJE TË ARMATOSUR

Në gjysmën e dytë të vitit 1914, Hasan Prishtina pasi ka braktisur postin e ministrit (të postë-telegrafëve) që mbante në qeverinë e Durrësit (me kryeminmitër Turhan Pasha), kaloi në Shqipërinë veriore me qëllim të organizimit të një kryengritjeje antiserbe. Ishte koha kur Serbia ishte e zënë në luftë me Austro – Hungarinë, për shkak të vrasjes së princit Franc Ferdinand (më 28.VII.1914) në Sarajevë dhe këtë situatë Hasan Prishtina e vlerësoj si të favorshme për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare.

Më 6 gusht 1914 konsulli austriak Karl, nga Durrësi njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë “mbi fillimin e aksioneve kundër pushtuesve serb” nga Hasan Prishtina, Selim Batusha, Bajram Daklani, Qazim Begolli e Halim Deralla (djali i Mehmet Derallës – Sh.B), të cilët kishin me vete ”lëndë plasëse dhe municion për mauzerët”.

Dy ditë më vonë (më 8 gusht) Karli përsëri njoftonte Vjenën për një protestë të konsullit Serb Gavrilloviq, drejtuar qeverisë shqiptare (të Durrësit) për fillimin e përgatitjeve të shqiptarëve kundër Serbisë, të udhëhequr nga Hasan Prishtina. Se kjo çështje në aspektin diplomatik, ishte bërë tepër shqetësuese për Serbinë, kuptohet edhe nga njoftimi i Ministrisë së Jashtme të Serbisë dërguar legatës mbretërore serbe në Romë, më 12 gusht 1914. Aty vihet në dukje veprimtaria e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit etj, kundër politikës shoviniste serbe”. Këto zhvillime gjithashtu konfirmohen edhe nga shtypi i kohës.

RRUGËTIMI I HASAN PRISHTINËS

Sipas kujtimeve të I.Strazimirit, nga mbarimi i korrikut të vitit 1914, Hasan Prishtina me nja 150 dibranë e luftëtarë tjerë nga Kosova, ishte nisur nga Durrësi dhe fillimisht ndalet në Peshkopi. Në takim me parinë e Dibrës, tregon se Austro – Hungaria ka sjellë në Shëngjin armë e municion, dhe kërkon që të përgatitet një kryengritje kundër pushtuesve serb, sa më parë.

Në tubimin me dibranët, Hasan Prishtina kërkoi të miratohej edhe kjo deklaratë:

T’i kërkohej Serbisë lirimi i tokave shqiptare, sepse nuk janë të saj dhe ajo nuk ka të drejtë dhe as është e aftë t’i qeverisë;

Në rast se Serbia nuk pranon t’i lirojë me hir, ndaj saj do të përdorim forcën.

Prej Dibrës, Hasan Prishtina me bashkëluftëtarët e tij, kalon në krahinën e Lumës. Ato ditë para se të arrinte Hasan Prishtina në Lumë, krerët e kësaj krahine në një kuvend të mbajtur në Bicaj, kishin vendosur (kanë lidhur besën) që të mos përzihen (të mbeten asnjënës) në zhvillimet politike dhe ushtarake të kohës.

Në marrjen e këtij vendimi kishin ndikuar edhe ngjarjet dramatike të tetorit – nëntorit 1913, kur 27 fshatra të Lumës qenë djegur e shkrumbuar, ndërsa u vranë e u masakruan edhe qindra lumjanë nga ushtria barbare serbe. Përkundër këtij vendimi, Hasan Prishtina gjeti përkrahjen te një pjesë e krerëve lumjanë si te Hoxhë Mehmeti, Qazim Lika, Sali Spahija, Sulë Elezi, Xhafer Bislimi, Xhafer Shema, Laçët e Bardhocit…, por edhe te vet nënprefekti i Lumës me seli në Bicaj Sadik Gostivari. Në fshatrat e Lumës ndodheshin edhe dhjetra atdhetarë që kishin ikur nga Kosova dhe pritnin momentin për t´u kthyer atje.

Gjatë kësaj kohe Hasan Prishtina u strehua në shumë familje atdhetare të Lumës si: në Kolesjan, në Kukës, në Shtiqën, në Bicaj, në Gjinaj, në Kalimash, në Surroj, në Bardhoc, në Has etj.

Hasan Prishtina pati lëvizur edhe në Has e në Malzi për t´i bashkuar malësorët e kësaj zone në luftë kundër pushtuesve serb. Një gjë të tillë do ta bënte edhe Bajram Curri në Malësi të Gjakovës. Lëvizje për ta ndihmuar kryengritjen ka pasur edhe në krahinën e Dibrës, por jo në përmasa të mëdha.

BETEJA E ZHURIT, MË 13 SHKURT 1915

Pasi u bënë përgatitjet e duhura dhe u sigurua një forcë goditëse prej më shumë se 300 vetësh (disa burime flasin për 600 vetë) në kuvendin e dytë të mbajtur në Kullë Lumë, u përgatit plani për të sulmuar fillimisht Garnizonin serb të dislokuar në fshatin Zhur.

Meqë luftëtarët i kishin zënë të gjitha shtigjet dhe rrugët që të shpienin në drejtim të grykës së Zhurit, fillimisht grupi i drejtuar nga Hasan Prishtina i këputën telat (lidhjet) telegrafike e telefonike në malet e Koretnikut. Gjatë kësaj kohe në krahun e djathtë të shpatit të malit Koretnik do të arrijnë edhe malësorët nga fshatrat: Zapod, Belja, Lojme, Nimc të udhëhequr nga Rasim Selmani, për të mbështetur sulmet që do të kryhen kundër përqëndrimit të forcave kufitare serbe.

Kryengritësit shqiptar në agun e mëngjesit, të ndihmuar nga mulla Nasuf Hoxha i Zhurit, u futën në fshat dhe pasi e rrethuan garnizonin serb, u vendosën nëpër llogore – istikame që i kishin hapur vet forcat serbe. Shenja e fillimit të sulmit qe shpërthimi i një bombe nga luftëtari Xhemë Voka prej Shtiqënit. Komanda serbe e alarmuar nga shpërthimi, dha urdhër për të dalur në pozicione, mirëpo forcat shqiptare sulmuan furishëm repartet serbe.

Luftimet qenë të përgjakshme dhe pati përleshje trup më trup. Me kryengritësit, u bashkuan edhe shumë burra të Zhurit, Dobrushtit, Shkozës e të Vërmicës, të cilët me pushkë e sopata, kosa e thika, sulmuan ushtarët serb. Kushtrimin për t´ju bashkuar radhëve të Hasan Prishtinës e dha atdhetari zhurjan Asllan Rexhë Ademaj.

Në këtë betejë që zgjati disa orë rresht u vranë rreth 100 ushtarë serb, (përfshirë këtu edhe disa oficerë) dhe repartet e armikut u shpartalluan plotësisht.

MARSHIMI I KRYENGRITËSVE NË DREJTIM TË PRIZRENIT

Kryengritësit shqiptar pasi morën nën kontroll Qafën e Zhurit marshuan në drejtim të Prizrenit. Ndonëse krismat e bombave dhe të pushkëve kishin alarmuar edhe komandën qëndrore serbe në Prizren, ajo në drejtim të Zhurit kishte nisur disa reparte ushtarake. Ndërkohë që forcat kryengritëse shqiptare kishin arritur tek Ura e Vlashnjës (në jug të Prizrenit) ata do të përballen me repartet serbe. Kryengritësit shqiptarë të pozicionuar në zonën: Bregu i Drinit – Vlashnje – Poslisht – Billushë, zhvilluan një përleshje të përgjakshme me repartet serbe, të cilat me këtë rast përdorën edhe artilerinë e rëndë.

Në këto përleshje nga predhat e topit u vranë: Nebi Latifi e Brahim Jashari nga Brruti dhe dy burra trima nga fshati Kabash i Prizrenit. Pas një qëndrese heroike, forcat shqiptare (në munges të municionit) dhe të ndodhur përballë një armiku shumfishë më të madh në numër e të armatosur me topa e mitralozë, u detyruan të tërhiqen në drejtim të Zhurit, për të kaluar pastaj nëpër malet e Koretnikut dhe të Gjallicës në thellësi të krahinës së Lumës.

Hasan Prishtina pas largimit nga zona e luftimeve, duke e përjetuar rëndë këtë disfatë do të deklaronte: ”Na luftojmë e ndoshta gja nuk gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh kanë me i gjetë shejet tona…” Ato ditë, Hasan Prishtina me disa luftëtarë nga fshati Dobrusht kalon Drinin e Bardhë dhe kalon në Has, dhe prej kësaj zone pas disa ditësh shkon në Shkodër.

Pas kësaj kryengritjeje të përgjakshme, banorët e fshatrave Zhur, Shkozë, Dobrusht e Vërmicë, për t´i shpëtuar masakrave serbe, u detyruan të shpërngulen nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në fshatrat e Lumës: Shtiqën, Nangë, Bicaj, Gabrricë, Kolesjan etj. Atje qëndruan rreth tre muaj dhe pikërisht ditën e shëngjergjit, më 6 maj 1915 do të kthehen në shtëpitë e tyre, të cilat ishin plaçkitur, djegur e shkatërruar nga ushtria serbe dhe nga serbët lokal (sreckalitë), të ashtuquajtur si “raja serbe” e Prizrenit. Pushtuesit serbë, përkundër vrasjeve e masakrimeve, djegjeve e shkatërrimeve të vendbanimeve shqiptare, çarmatosjes me dhunë, marrjes peng dhe burgosjeve të shumta…, shpërnguljeve të mijëra shqiptarëve për në Turqi e gjetiu, nuk mundën ta shuanin dot qëndresën shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar. Rezistencën shqiptare e vazhdoj çeta e Azem e Shote Galicës.

Shtatoret e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina dhe Profetësia e Luigj Gurakuqit

Reportazhi i 31 Mars 1910, në gazetën “Tomorri” të Lef Nosit, flet për mbërritjen në shkollën “Normale” të 19 nxënësve nga Kosova të financuar nga atdhetari i shquar Hasan Prishtina, dhe pasqyron entuziazmin me të cilin ata u pritën nga populli i Elbasanit.

“Të enjten më 25 të muajit-shkruhet në gazetë – nxanësit e shkollës ‘Normale’ bëshkë me profesorët e t’yne, me qeleshet e bardha përmbi krye, kishin dalun me kohë për jasht qytetit për me pritun 19 djemt, që po vinin prej Kosove dhe Struge. Kishin dalë përpara t’i presin edhe një shumësi e madhe prej qytetarëve që u mallëngjehet zemra për përparimin e kombit dhe për një arsim të vërtetë për bijtë e Shipënis. Nxënësit bashkë me popullin zunë vend në kopësht të madh të shkollës, ku nga ana e këshillës së profesorëve i palodhuri atdhetar Luigj Gurakuqi, me atë ambëlsi gjuhe dhe bukuri të folunit, e cila kurdoherë karakterizon fjalët e tij tha:

“ … me përpjekjet e parreshtuna të këtij zotnie (Hasan Prishtinës) ka me ardhë një ditë, dhe nuk asht e largët, kur me ditunië të vërtetë dhe me themel, me një arsim krejt kombëtar do të dritësohet dhe do të marrë rrugën e qytetnimit gjith ajo Kosovë burrnore, gjithë ai vend i atdheut të dashun, ku kanë shkëlqyer kurdoherë besa ma e madhe dhe trimnia ma e rrallë, me të cilat asht pajuar kombi shqiptar. Historia e kombit tonë me shkronja t’arta, me shkronja të çkëlqyme do të shkruajë ndër faqet e’ saj shërbimet e mëdha, punët e shënuara, … të cilat asht tue bâmun deputeti i adhurueshëm ndër deputetet t’onë Hasan be Prishtina në fushë atdhesisë… brez pas brezi, zemrat e djeguna t’atdhetarëvet emënin t’uaj kânë me bekuar, dhe një shtat (shtatore) i shkëlqyeshmë, një shtat i mermertë që do të ngrehet për ju, pasi mote të kalojnë, ka me leçitun për para botës së qytetënueme, që një komb i gjithë ju ka detyrë!”

Dhe profetesia doli. Shtatorja e Hasan Prishtinës u ngrit në 100 vjetorin të pavarësisë se Shqipërisë ne qendër te Tiranës, njëjte siç u ngritën shtatore për Heroin Kombëtar Hasan Prishtina edhe në Shkup, Prishtinë, Vlorë, Dibër dhe sot po inaugurohet busti në Kukës për ta pasuar një shtatore të lartë pikërisht si premtim nga Kryetari i Bashkisë Kukës z. Alber Halilaj i cili tanimë veçse ka nisur procedurat.

Fjalimi i Mehmet Prishtina – Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Hasan Prishtina”

Filed Under: Histori

Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vititi 2023

December 27, 2023 by s p

Adnan Mehmeti

Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/

New York, 26 dhjetor 2023

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është e përkushtuar për të nxitur një komunitet poetësh dhe shkrimtarësh shqiptarë në Shtetet e Bashkuara me synim të lartësojmë në mënyrë aktive vlerën e letërsisë shqipe. Duke ofruar një platformë për shprehje dhe bashkëpunim, ne përpiqemi të përforcojmë zërat dhe të kontribuojmë në trashëgiminë e qëndrueshme të letërsisë shqipe në tokën amerikane. Nëpërmjet nismave, botimeve dhe aktiviteteve letrare dhe kulturore kuptimplotë, Shoqata jonë është e përkushtuar të kultivojë një lidhje gjithëpërfshirëse dhe frymëzuese që kapërcen kufijtë përmes fuqisë së fjalëve.

Muaji i dhjetorit, si anëtarë të kësaj shoqate, na sjell emocione dhe kujtime, duke kujtuar fillimin e dhjetorit 2001, të themelimit të lidhjes sonë. Kjo asamble shkrimtarësh, e ngjashme me një diell rrezatues që ndriçon përpjekjet letrare të anëtarëve të saj, ka marrë vlerësime nga lexuesit anembanë botës. Ne shprehim mirënjohjen tonë për anëtaren më të re, Age Ivezaj, që u bashkua dhe na mundësoi të përkujtojmë themelimin tonë.

Vlerësimi ynë i përzemërt shtrihet për anëtarët e rinj të ardhur këtë vit: Kastriot Fetahu, një eseist dhe poet që jeton mes Chicago-s dhe Boston-in; Esmeralda Bregaj, poete dhe romanciere nga shteti Idaho dhe Abdyl Hajredini, një poet me banim në Nju Jork.

Gjatë këtij vitit, kujtojmë për humbjen e Naum Prifti, ish-kryetarit të parë të Shoqatës së Shkrimtarëve, largimi fizik i të cilit lë boshllëk, por kontributi i të cilit vazhdon, i ndërthurur me sukseset e Shoqatës.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është përpjekur me seriozotet dhe me përkushtim këtë vit t’i prezantojë lexuesve shqiptaro-amerikanë “Albumin” e Fan Nolit, një ribotim që ne e konsiderojmë të denjë për të udhëhequr të gjitha botimet në SHBA.

Gjithashtu ne arritëm të botojmë numrin e ri të revistës letrare “PENA”, organi i Shoqatës së Shkrimtarëve, me mirënjohje të sinqertë për ekipin e zellshëm redaktues për angazhimin e tyre të palëkundur.

Këto botime janë bërë të mundura me sponsorizimin e Shtëpisë Botuese “Adriatic Press”, duke e zgjeruar ndikimin e saj çdo ditë që kalon. Listës së publikimeve të kësaj shtëpie bouese i shtohen edhe vepra të Dalip Grecës, “Editorët e Diellit në 110 vite histori” dhe “Editorial”, romanin e Mëhill Velajt “Në kërkim të Mimozës”, librin me poezi të Adnan Mehmetit në anglisht “Leave the Door Open”, etj.

Duke reflektuar për vitin kalendarik, veçojmë ngjarje të tilla si promovimi i “Albumit” të Nolit në katedralen e Shën Gjergjit në Boston, me ligjërata të figurave letrare si Besim Muhadri në Nju Jork, Thanas Gjika në Worcester, Adnan Mehmeti në Stamford, Age Ivezaj në Hartsdale, etj. Apo edhe promovimet e sukseshme nëpër botë të shkrimtarëve tashmë të njohur, Gjekë Marinaj dhe Visar Zhiti.

I shprehim mirënjohjen Mëhill Velajt, kryetarit të palodhur të shoqatës, për përkushtimin vetëmohues dhe përpjekjet unifikuese.

Anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe lexuesve tanë të nderuar, Viti i Ri urojmë t’ju sjellë gëzim, shëndet të mirë dhe arritje të vazhdueshme letrare.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1404
  • 1405
  • 1406
  • 1407
  • 1408
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT