• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIBRI I PROF. DR. BESIM MUHADRIT “LETËRSIA SHQIPTARE DHE KANUNI I LEKË DUKAGJINIT” BOTOHET NË SHTATË GJUHË TË BOTËS

December 22, 2023 by s p

Arjeta Xhuxha/

(Universiteti “F. Agani” Gjakovë)

Kohë më parë për Universitetin e Gjakovës “Fehmi “Agani” ishte një laj mirë, ngase libri “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit i Prof. Dr. Besim Muhadrit u botua në shtatë gjuhët më të rëndësishme të botës. Përveç në gjuhën angleze, libri i profesorit të Universitetit “Fehmi Agani”, u botua edhe në gjuhën frënge, gjermane, italiane, spanjolle, portugeze dhe ruse. Libri është botuar fillimisht nga Shtëpia Botuese “Lambert Publishing” në Gjermani e pastaj edhe nga shtëpi të tjera botuese, të cilat e kanë parë të arsyeshme ta botojnë për shkak të vlerave të tij shkencore.

Në lidhje me ndjesinë e këtij botimi kaq të rëndësishëm, që nuk është vetëm sukses personal i profesor Besim Muhadrit, por edhe i Universitetit tonë dhe i mbarë letërsisë sonë, e prononcuam edhe autorin, i cili në mes tjerash shprehet:

“Libri “Letërsia Shqipe dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” është rezultat i punës sime shkencore disavjeçare. Fillimisht libri (pjesa e dytë e tij) trajton aspekte të veprës sonë monumentale “Kanuni i Lekë Dukagjinit” dhe autorin e mbledhjes së të drejtës tonë zakonore, Shtefën Gjeçovi. Si libër, u botua në vitin 2020 nga Shtëpia Botuese e Universitetit “Fehmi Agani”. Ndërkaq, përmbledhja e studimeve për Kanunin dhe letërsinë shqipe, me titull “Letërsi Shqipe dhe etnologji (Kanuni i Lekë Dukagjinit) u botua më 2022 në Nju Jork në gjuhën angleze, nga Shtëpia Botuese “Adriatcic Press”. Më vonë, më 2023, më shkruan Shtëpia Botuese “Lambert Academic Publishing” nga Munihu se ishin të interesuar ta botonin librin tim, sepse ishte me interes jo vetëm për shtëpinë botuese dhe për mua si autor por edhe për afirmimin e letërsisë shqipe në botë. Pas disa konsultimeve, pranova që ta botonin. Libri me titull “Studies on Albanian literature and Kanun of Lekë Dukagjini” u botua në gjuhën angleze në prill të vitit 2023. Një kontribut të veçantë në përkthimin në gjuhën angleze, ka dhënë vajza ime Rilindjona e cila ka kryer studimet në Nju Jork deri vitin e kaluar ka jetuar atje, ndërsa tash jeton në Zvicër, ku punon në një kompani prestigjioze amerikane (IBM) në Zurich, të cilës i jam shumë mirënjohës.

Më pas, jo më shumë se një muaj, përkatësisht në maj të vitit 2023, pash në faqet e internetit, përkatësisht në google, se libri im ishte botuar edhe në disa gjuhë të tjera, si në gjermanisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, e çka është më interesant edhe në rusisht. T’ju them të drejtën, u entuziazmova. Kontaktova me shtëpinë Botuese Lambert Publishing , më të cilën ishim kontraktuar. Ata m’i dërguan kopjet e botimeve dhe materialet në PDF, ndërkohë që libri vazhdon të shitet në Amazon”.

Me gjithë botimin në të gjitha këto gjuhë të botës, thotë profesor Muhadri, këtij oguri të mirë nuk i dha kush publicitet. Sikur kaloi pa u vërejtur fare. Shumë vonë, lajmi u dha në faqen e Universitetit, duke iu falënderuar ish studentit tim që në atë kohë punonte aty, Arijan Dobraj e më pas edhe një portal kosovar.

Libri “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” është i konceptuar në dy pjesë: Në pjesën e parë janë prezantuar studime për disa autorë të letërsisë sonë, si Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Din Mehmeti, Murat Isaku, Adnan Mehmeti etj., ndërsa në pjesën e dytë të tij janë përshirë studime për Kanunin e Lekë Dukagjinit, si: “E drejta zakonore shqiptare (Kanuni i Lekë Dukagjinit) dhe problemi i autorësisë dhe i lashtësisë”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit në optikën e studiuesit italian, Xhuzepe Kastaleti”, “Kanuni i lekë Dukagjinit në prizmin e profesorit italian, Salvatore Vilari”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe botimi i Prishtinës”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe krahasimi i tij me Kanunin e Dagestanit”, “Leonard Foks dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” etj. Të gjitha punimet e prezantuara në këtë libër më parë janë botuar nëpër revista prestigjioze akademike ndërkombëtare.

Profesor Besim Muhadri thotë se libri “Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe interesimi i studiuesve për studimin e tij”, vitin e ardhshëm pritet të botohet edhe në gjuhën kroate, për përkthimin e të cilit janë duke punuar në Kroaci si dhe prapë në gjuhën angleze, por tash me një variant më të zgjeruar.

Duhet thënë për lexuesit tanë se Prof. Dr. Besim Muhadri, është autor i më se 30 librave, si në poezi, prozë, publicistikë, ndërkaq, ka 10 monografi në fushën e studimeve letrare dhe të një teksti universitar.

Profesor Muhadri është duke i dhënë dorën e fundit edhe dy librave universitarë, ndërkaq, ai po punon në mënyrë intensive, të cilin ai e konsideron më madhor, edhe në projektin hulumtues dhe studimor “Letërsia dhe publicistika e shqiptarëve të Amerikës”, projekt në të cilin ka vite që është duke punuar.

Ne profesorit tonë i dëshirojmë shëndet dhe botime të vazhdueshme dhe suksese në fushën e studimeve letrare.

Filed Under: LETERSI

Pjetër Budi (1566-1622)

December 22, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare, klerik i lartë katolik, veprimtar i lëvizjes çlirimtare kundërosmane. Lindi në Gur të Bardhë të Matit. Si autodidakt, arriti të pajisej me një kulturë të mirë për kohën e tij. U shugurua meshtar qysh në moshë të re dhe shërbeu për shumë vjet si famulltar në kishat katolike të Kosovës dhe të Maqedonisë. Për aftësinë e tij u emërua Vikar i përgjithshëm i kishës katolike në trevat ku shërbente. Dëshira për liri dhe urrejtja kundër pushtuesve osmanë e nxitën që të punonte shumë për organizimin e kryengritjes popullore kundër pushtimit osman, por pa ia arritur dot qëllimit. Më 1615 shkoi në Romë për t’u interesuar për botimin e veprave të tij si dhe për çështjen e kryengritjes kundër Turqve. Në një kohë të vështirë, në korrik të vitit 1621 u emërua peshkop i Sapës dhe i Sardës (Zadrimë) dhe në fillim të vitit 1622 nisi punën në këtë detyrë të re. Më 1618 u botua në Romë vepra e tij e parë “Doktrina e kërshtenë” dhe më 1621 edhe dy vepra të tjera: “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali Roman”. Këto vepra prej rreth 1000 faqesh synonin t’u vinin në ndihmë besimtarëve dhe klerit katolik shqiptar. Për hartimin e veprave të tij Budi u mbështet në tekste fetare të botuara në Itali. Por ato, sidomos “Doktrina e Kërshtenë” dhe “Pasqyra e Rrëfyemit”, nuk janë përkthime të thjeshta, por më fort përshtatje me shtojca të shumta nga vetë Budi. Në “Doktrinën e Kërshtenë” ka përfshirë edhe një varg vjershash fetare (mbi 3000), që pjesërisht i kishte të shkruara nga një farë frat Pali prej Hasi. Po kështu, në fund të veprës “Pasqyra e të rrëfyemit” Budi ka shkruar një letër-mesazh të gjatë (rreth 70 faqe) drejtuar besimtarëve katolikë shqiptarë me këshilla dhe porosi të shumta. Aty autori ankohet, ndër të tjera, edhe për gjendjen e vështirë të vendit, për mungesën e shkollave, për plogështinë e një pjese të klerit. Nga tri veprat e Budit më shumë jehonë ka pasur “Doktrina e Kërshtenë”, e cila është ribotuar edhe tri herë të tjera (më 1636, 1664 dhe 1868). Budi ka përdorur një alfabet të ngjashëm me atë të Buzukut (me pak ndryshime). Ashtu si Buzuku ai i dallon zanoret e gjata nëpërmjet dyfishimit të shkronjave përkatëse. E kjo dëshmon për një traditë shkrimi relativisht të vjetër ndër Shqiptarët. Budi ka përdorur me kujdes gjuhën popullore, duke e pasuruar atë edhe me fjalë të reja. Në veprën e Budit u gjallërua më tej tradita kulturore shqiptare, që e vazhdon më pas Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi etj. U mbyt në Drin, në rrethana të paqarta, gjatë kalimit të lumit. Albanologu danes G. Svane ka transkriptuar të gjitha veprat e Budit dhe ka përgatitur konkordancat e fjalorit të këtyre veprave, të cilat janë botuar në formë dispensash nga Universiteti i Aarhusit më 1985-1986. R. Ismajli ka botuar poezitë e Budit me një studim hyrës, transliterim, komente (1986).

Shënim: Foto është një skicë që paraqet Pjetër Budin në lutje. Nga vepra “Paschyra e të rrëfyemit”, Romë 1621 (Biblioteka e Vatikanit, Racc. Gen. Liturgia V. 35)

Filed Under: Histori

KONTRIBUTI ATDHETAR DHE ARSIMOR I SULË HARRIT

December 22, 2023 by s p

Prof. Dr. Roland Gjini/

Sulë Harri i takon asaj familje patriotike elbasanase, ku si synime kryesore të edukimit kishte dashurinë për atdheun e dëshirën për dije. Vet ai paraqet modelin e një intelektuali të përgatitur, korrekt e të vetëdijshëm për misionin e vet. Kontributi i tij nuk spikati vetëm në drejtim të arsimit shqiptar, por edhe në aspektin atdhetar, madje ai dha edhe shembullin e një edukatori e kryefamiljari të denjë në familjen e tij.

Atdhetar i flaktë

Si mësues-pedagog ai gjykonte se nuk i shkonte për shtat të merrej me politikë, këtë jo vetëm e deklaronte por realisht dha shembuj të qëndrimit apolitik për sa i takon ndeshjeve të brendshme politike në vend. Por, duhet theksuar se kur vinte puna për probleme që kishin të bënin me fatet e vendit e të kombit, Sulë Harri përmbi pozicionimin e tij apolitik vinte interesat atdhetare. 

Qëndrim të dallueshëm atdhetar ai tregoi në veçanti në vitet e pushtimit nazifashist. Në këto vite shumë mësues e profesorë shqiptarë të shkollave të mesme u pozicionuan hapur si antifashistë, një prej atyre, madje shumë aktiv, ishte Sulë Harri. Kështu, ai nuk pranoi t’u shërbejë pushtuesve italianë në politikën e tyre të fashistizimit, madje refuzoi me vendosmëri ofertën që i bëri kyeministri Vërlaci për t’i dhënë një post me rëndësi në kabinetin e tij qeveritar. Më 28 nëntor të vitit 1939, me rastin e Ditës së Flamurit, ai bashkë me antifashistë të tjerë demonstron në Tiranë kundër pushtimit italian. Sulë Harri pozicionohet kështu si antifashist, duke e paguar me kosto të rëndë, këtë pozicionim. Qëndrimin e vendosur si antifashist ai e demonstroi edhe pas transferimit në Elbasan si profesor i shkollës Normale. Nga autoritetet pushtuese fashiste ai cilësohet si i rrezikshëm dhe për këtë arsye më 30.06.1943 arrestohet dhe internohet. Akuza ndaj tij ishte për veprimtari patriotike dhe çuditërisht, për “ide komuniste”. Internohet në kampin e përqëndrimit në Porto Romano, bashkë me antifashistë të tjerë, dhe qëndron atje deri në shtator të vitit 1943, kur kapitulloi Italia fashiste.

Megjithëse antifashist, ai vazhdoi të mbajë qëndrimin e tij apolitik. Gjatë viteve 1941-1943 ishin krijuar disa parti apo organizata politike në Shqipëri që kishin shpallur e premtuar luftën kundër fashizmit, por që vepronin secila për hesap të vet. Nuk u anëtarësua në asnjërën prej këtyre partive apo organizatave. Në fakt ishte ai që kuptoi se pavarësisht se janë krijuar disa parti dhe organizata të ndryshme antifashiste, rruga e vetme e lirisë do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve. Prandaj ai e pranoi ftesën e krerëve të Organizatës së Ballit Kombëtar, para mbledhjes së Mukjes, në bisedimet me krerët e Frontit Nacionalçlirimtar. Mbledhja u zhvillua në fillim të korrikut të vitit 1943 në shtëpinë e Baki Kongolit, në lagjen Kala të Elbasanit. Në këtë takim ai shtroi tri çështje me rëndësi kombëtare: heqjen e yllit partizan, bashkimin e të tëra forcave antifashiste dhe çështjen e bashkimit me Kosovën. Sa i takon kësaj kërkese të fundit mjafton të përmendim fjalën e tij në këtë mbledhje ku ai shprehet se “… Kosova është pjesë e pandashme e Shqipërisë dhe se kosovarët janë shqiptarë me një gjak, me një gjuhë dhe po me atë flamur, trashëgim që nga koha e Skënderbeut”. Pavarësisht se krerët e Frontit u tërhoqën, dhe nuk i pranuan propozimet e Sulë Harrit, vendosmëria e propozimeve të tij bëri përshtypje të madhe tek qarqet nacionaliste.

Sulë Harri gjatë viteve të Luftës nuk u pozicionua vetëm si antifashist, por edhe si antikomunist. Megjithëse i paantarësuar në parti nacionaliste, qëndrimi i tij antikomunist do t’i kushtojë shtrenjtë atij dhe familjes së tij pas Çlirimit, pra pas nëntorit të vitit 1944. Vitet e para vazhdoi punën si mësues i një shkolle fillore në Elbasan, por në vetëdijen e tij filluan regimet e para, siç ishte rasti i votimeve të 2 dhjetorit të vitit 1945 për Asamble Kushtetuese. Pakënaqësia e tij lidhur me të ashtuquajturën “demokraci” me vetëm një parti, e bëri atë të shprehet se “këto votime nuk ishin demokratike”, gjë e cila u theksua edhe në dokumentin e akuzës ndaj tij. Megjithë rezervat e tij ndaj Reformës Arsimore të zaptuar nga partia-shtet pas Çlirimit, ai nuk i zbehu pasionin dhe aftësitë profesionale në punën e mësuesit, përkundrazi, u përkushtua më shumë. Ndërkohë, shteti i ri po shtonte masat shtrënguese e reprezaljet si ndaj pronave ashtu edhe ndaj pronarëve, madje më keq, ndaj intelektualëve të zot e ndaj antikomunistëve. Kështu, më 24 maj të vitit 1947 Sulë Harri prangoset në sy të nxënësve, që ai i donte aq shumë dhe që ata e respektonin aq shumë. Akuzohet tashmë si “antikomunist”, kur vite më parë fashizmi e internoi si “komunist”. Këtu nis kalvari i dhembshëm i Sulë Harrit dhe i familjes së tij.

Gjatë muajve të burgimit në arrest u torturua aq shumë, sa që një prej prokurorëve të tij u detyrua të shprehej më pas se ai “ishte një njeri me karakter të jashtëzakonshëm dhe me qëndrim burrëror ndaj torturave të tmerrshme”. Më29 dhjetor 1947, gjykata komuniste jep vendimin, Sulë Harri dënohet me burgim të përjetshëm, në fakt prokurori kërkoi dënim kapital. Veç burgimit atij iu konfiskua edhe pasuria e tundshme dhe e patundshme, si dhe u privua nga të drejtat civile dhe politike. Familja e tij, gruaja dhe 5 fëmijët u lanë në shesh të hapur, pa plaçkë e pa shtëpi.

Mësuesi dhe pedagogu i aftë dhe i përkushtuar

Sulë Harri angazhohet në profesionin e nderuar dhe me përgjegjësi të mësuesit e pedagogut në fillim të viteve ’20-të, fill pas vendimeve të rëndësishme të Kongreseve të I dhe II të Arsimtarëve të Shqipërisë, kongrese të cilët përcaktuan detyra të rëndësishme jo vetëm për shtrirjen dhe masivizimin e e shkollave por, mbi të gjitha, për kombëtarizimin e arsimit shqiptar. Këto detyra Sulë Harri jo vetëm diti t’i vlerësojë si të rëndësishme, por arriti të kontribuojë me sukses për realizimin e tyre. 

Punoi e kontribuoi krahas kalorësve të tjerë të arsimit tonë kombëtar, personaliteteve që hartuan platformat e para të zhvillimit të arsimit masiv si Aleksandër Xhuvanit, Mirash Ivanajt, Salih Cekës. Si kryemësues u rendit përkrah profesorëve e pedagogëve të shquar të Normales, si Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Josif Haxhimima, Ahmet Duhanxhiu, Fadil Gurmani e dhjetëra të tjerëve.

Me aftësinë, intuitën, pasionin dhe përkushtimin e tij, ai dha arritje dhe shërbeu si shembull në shumë plane: si mësues-pedagog, si inspektor, si atdhetar e si prind.

Pas mbarimit të Normales, në shkollat me famë të njohur austriake, Sulë Harri caktohet të ngrejë e të drejtojë të parën shkollë ushtrimore në Shqipëri, pranë Normales së Elbasanit. Ai gjykonte se detyrat e mëdha që qëndrojnë për zgjerimin dhe forcimin e shkollës shqiptare me fizionomi kombëtare do të vihen në jetë vetëm nga mësues të përkushtuar e të përgatitur. Kjo përgatitje do të realizohej jo vetëm nëpërmjet nivelit teorik, që përcillej nga profesorët e nderuar të Normales, por edhe nëpërmjet aftësimit praktik në Shkollën Ushtrimore, që ai ngriti dhe drejtoi për disa vite rresht. Normalistët te kjo shkollë gjetën laboratorin e gjallë të përvetësimit të profesionit të mësuesit.

Inspektori ideator 

Në vitet ‘20-‘30-të, të shekullit XX, në kushtet kur arsimi shqiptar përjeton hapat e parë të organizimit, masivizimit dhe kombëtarizimit, pozicioni i inspektorit të arsimit ishte tejet i rëndësishëm. Për më tepër, Korça dhe prefektura që ajo përfshinte, kishte numrin më të madh të shkollave në vend dhe, siç shprehet edhe autori i librit kushtuar tij, kishte njëkohësisht edhe një kuadër mësuesish cilësorë. Në këto rrethana, caktimi i Sulë Harrit në detyrën e inspektorit në këtë prefekturë ishte sa një përgjegjësi e madhe ashtu edhe një vlerësim për cilësitë e tij.

Si inspektor në Korçë e më pas në Vlorë, Sulë Harri nuk luajti thjesht rolin e një kontrollori apo administratori shtetëror. Kryerja e detyrave që i përcaktonte ligji për të nuk do të thoshte se kishte kryer misionin e duhur. Detyrat ligjore Sulë Harri si inspektor i kreu me devotshmëri, por është për t’u theksuar se ai nuk mbeti i mbyllur në kornizat e një inspektori zyrtar. Ai punoimë tej duke kaluar në nivelin e një ideatori për shumë probleme e çështje që kishin të bënin si me përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies ashtu edhe me rritjen e rolit të shkollës në edukimin atdhetar. Raportet, informacionet zyrtare dhe, në mënyrë të veçantë, referatet e tij nëpër konferenca pedagogjike nuk ishin thjesht konstatuese, por në to shihje ide e udhëzime që mund t’i japë vetëm një specialist i mirë i arsimit.

Në këto prefektura, inspektori Harri udhëzoi dhe orientoi që në shkollë mësimi të kryhet i lidhur ngushtë me aftësimin praktik. Sipas udhëzimeve të tij, megjithëse ligji i detyrave të inspektorit nuk e përmbante, në mjaft shkolla u aplikuan mësime në natyrë, u ngritën kopshte dhe salla të veçanta për kryerjen e mësimeve të punës, u grumbulluan fonde në të holla që do të përdoreshin në funksion të mësimit. Me porosinë e tij para fillimit të mësimit nëpër shkolla ngrihej flamuri kombëtar e këndoheshin himne mbretërore e patriotike.

Shembulli i edukatorit si prind

Korrektësia dhe fryma atdhetare e Sulë Harrit nuk u ndje vetëm në arsim dhe në lëvizjen atdhetare, por edhe në familjen e vet. Ai përherë dha shembullin e një edukatori patriot, pavarësisht nga vështirësitë, fillimisht të shërbimeve jashtë Elbasanit dhe më pas të kalvarit të dënimeve e kundërvënieve të regjimit komunist. Sulë Harri që në fillim të martesës i hoqi së shoqes së vet të urtë ferexhenë, duke paraprirë me shembullin e një familjari përparimtar. Lindi mjaft fëmijë dhe emrat e tyre Sula si prind nuk i vendosi sipas zakonit patriarkal apo rregullave fetare. Në vënien e emrave të fëmijëve Sula jep përsëri shembullin e një prindi shembullor dhe atdhetar. Ai iu largua emrave fetarë dhe vendosi emra shqiptarë: Ndriçim, Sazan, Durim, Sopot e Flamur.

Shembull më vete vitaliteti tregon Shega, gruaja e tij, e cila iu nënshtrua punëve më të rënda për të ushqyer të pesë fëmijët, më i madhi 15 vjeç asokohe. Ndërkohë, ajo u përqëndrua edhe në mirëedukimin e tyre, duke luajtur edhe rolin e nënës edhe rolin e babait. Fëmijët e saj u dalluan në mësime aq shumë sa që megjithë njollën e errët që morën nga burgosja e të atit, shkëlqyen në mësime e u arsimuan, e shumta, vetëm në shkollën e mesme, pasi “biografia” nuk ua lejonte arsimin e lartë. Ndriçimi, djali i madh, i cili po ndiqte me rezultate të shkëlqyera shkollën Normale, u detyrua ta ndërpresë atë dhe në moshë fare të re punoi si mësues në shkollat e zonave më të thella, duke ndihmuar sadopak ekonomikisht nënën dhe fëmijët e tjerë. Djali tjetër Sazani, dallonte mbi të gjithë, siç shprehet një bashkënxënës i tij “në se unë isha i shkëlqyer në mësime Sazani ishte super i shkëlqyer”. Ndërsa Sopoti, sapo mbaroi 7-vjeçaren, që në moshë 14-vjecare u detyrua të punojë si llamarinist, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Djali i vogël, Flamuri, pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të mira, nuk iu dha e drejta e studimit më tej, për arsye biografike.

Ndërkaq në burg Sulë Harri shpalos më tej vlerat e karakterit të tij të paepur, të korrektësisë dhe të kulturës së gjerë që zotëronte. Pas 10 vjetësh ai lirohet nga burgu. Pas lirimit e bashkimit me familjen Sulë Harri vendosi të përdorë heshtjen e hekurt, duke mos u ankuar, nga njëra anë, e duke mos kërkuar falje, nga ana tjetër. Ndihmonte ekonomikisht familjen me anë të përkthimeve të tij nga gjermanishtja apo me anë të shitjes së prodhimeve të bahçes së tij.

Vdiq në 5 qershor të vitit 1980, në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas jo vetëm emrin e mirë por edhe një kontribut të vyer në shkollën dhe arsimin shqiptar, si dhe një model të një intelektuali patriot. U përcoll me respekt e nderime të mëdha nga mijëra qytetarë të Elbasanit e normalistë të ardhur nga mbarë vendi.

Në këtë 90-vjetor të shkollës së parë ushtrimore në Shqipëri, del qartë në pah kontributi i vyer i Sulë Harrit në ngritjen e kësaj shkolle e më gjerë. Vlerat e tij i vazhdojnë sot disa trashëgimtarë tëfamiljes tij, si në fushë të arsimit ashtu edhe në fusha të tjera të jetës në vend.

Një monografi që i jep Sulë Harrit vendin e merituar

Të tëra kontributet dhe shembulli që paraqiti Sulë Harri gjatë tërë jetës së vet, janë parashtruar më së miri në monografinë e autorit Iljaz Gogaj, “Sulë Harri, kalorës i arsimit shqiptar”. Duke marrë shkas nga titulli i monografisë, dua të përforcoj përcaktimin sinjifikativ që autori ka i dhënë Sulë Harrit, këtij mësuesi të aftë e të apasionuar, si kalorës i arsimit kombëtar shqiptar. Kalorësit në kohët relativisht të mëparshme historike ishin fisnikët, pasi atyre u takonte e drejta të luftonin mbi kalë. Këta kalorës ishin njëkohësisht avangardët, paraprirësit e një populli apo kombi në luftën e jetës. Në rastin konkret, në kuptimin figurativ, kalorësit ishin ata që paraprinë luftën e kombit shqiptar jo vetëm për liri e pavarësi, por edhe për arsim, kulturë e përparim. Kalorës të tillë, megjithë kalimin e kohërave mesjetare, në shekujt XIX-XIX gjen plot në Shqipëri, por më së shumti në Elbasan. Një ndër ta është edhe Sulë Harri, që i përkiste fisnikërisë së arsimit jo thjesht elbasanas por mbarëkombëtar.

Sa më sipër, vërtet të bëjnë të besosh se Sulë Harri ishte një kalorës i inteligjencës elbasanase e mbarë kombëtare.

Rreth monografisë së autorit Iljaz Gogaj, “Sulë Harri, kalorës i arsimit shqiptar”.

Filed Under: Kulture

DIGJITAL apo DIXHITAL? 

December 21, 2023 by s p

Prof. dr. Emil Lafe dhe Sevi Agolli/

Si duhet shkruar e shqiptuar saktë kjo fjalë?

Për të gjithë ata që e përdhosin gjuhën shqipe sipas qejfeve vetjake!

Gjuha shqipe është pasuri e kombit tonë. Mbrojeni atë sa të mundeni, duke e shkruar saktë dhe duke e folur bukur, duke u lënë kështu pasardhësve një pasuri të vyer!

PA GJUHË NUK KA KOMB! 

Fjala “digjital” (ose siç shqiptohet e shkruhet dendur sot gabim: “dixhital”) është një fjalë e re në gjuhën shqipe. Ajo ka hyrë si term i informatikës, duke qenë se kjo fushë ka marrë shumë zhvillim sidomos pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar e, bashkë me të, edhe terminologjia e saj. Fjala digjital (si mbiemër) është regjistruar për herë të parë në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të botuar në vitin 2006 dhe shënohet si term teknik me kuptimet: “numerik; shifror”, me shembujt: aparat digjital, orë digjitale – kështu quhen aparatet dhe orët që nuk kanë akrep të lëvizshëm që të tregojnë vlerat ose kohën, por kanë një ekran ku shfaqen shifra a numra. 

Në fjalorin e vitit 2006 nuk gjenden fjalët digjitalizoj, digjitalizim, i digjitalizuar, që i përdorim gjerësisht sot. 

Kjo, sepse kur u hartua fjalori, këto fjalë nuk kishin ende këtë përdorim të dendur që kanë sot.

Po pse te ky fjalor është shkruar DIGJITAL dhe jo DIXHITAL, siç shkruhet dhe shqiptohet dendur sot? Pse me “gj” dhe jo me “xh”?   

Edhe për këtë rast përgjigjen e jep “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Kjo është një fjalë e huaj dhe në drejtshkrimin e fjalëve të huaja luan rol etimologjia ose prejardhja e tyre. Kjo fjalë vjen nga latinishtja “digitalis”, që është një mbiemër i formuar nga emri “digitus”, i cili ka kuptimin “gishtor, gisht”. Si fillim mbiemri “digital” është përdorur si term i anatomisë: arteria/vena digitalis. Në anglisht e në italisht kjo fjalë shqiptohet me “xh” (dixhital), në frëngjisht me “zh” (dizhital), në gjermanisht e në rusisht me “g” (digital), kurse në gjuhën shqipe shkruhen e shqiptohen me “gj” (digjital). Pra, çdo gjuhë ka rregullat e veta të shqiptimit dhe të shkrimit të fjalëve, ndaj sipas rregullave të gjuhës sonë, trajta e saktë e kësaj fjale është: DIGJITAL (jo dixhital). Edhe fjalët e formuara prej saj shkruhen e shqiptohen me “gj”: digjitalizim, i digjitalizuar etj.

Sipas pikën g të kreut III të “Drejtshkrimit” (ku shpjegohet shkrimi i fjalëve të huaja), kemi:

Sipas kësaj rregulle, shkruhen dhe shqiptohen me “gj” edhe fjalët “agjendë”  (jo axhendë), “gjen”  (jo gen, sepse shkenca që studion gjenet quhet “gjenetikë” e jo gjenetikë etj). Pra, nuk duhet ndarë drejtshkrimi i këtyre fjalëve.

Filed Under: Sociale Tagged With: sevi lami

Festat e fundvitit në shkollën shqipe “Gjuha jonë”, në Filadelfia

December 21, 2023 by s p

Nuk ka festë si Festat e Fundvitit, magji, mirësi, urime dhe dëshira. Atmosfera e festave ndihet kudo dhe nga cdokush, por më shumë fëmijët. Ditën e dielë, data 17 Dhjetor shkolla shqipe “ Gjuha jonë” organizoi kremtimin e këtyre festave. Kryesia e shoqatës i mori masat dhe çdo gjë ishte gati për festën e fëmijëve. Të gjithë nxënësit e shkollës si ata që e ndjekin shkollën të dielave dhe shumë nxënës online së bashku me prindërit, gjyshërit, vëlllezërit, motrat,mësuesit të veshur me ngjyrat e bukura të kësaj feste u mblodhën në sallën e zbukuruar me pemën e Krishtlindjes zbukuruar aq bukur nga Bujar Cela me djalin e tij, Blerim Cela-ish nxenes i shkolles sone qe eshte me ne në cdo aktivitet dhe dekorimet e kesaj feste te ofruara nga znj. Julida Cepele, sekretare e shoqatës. Znj. Rajmonda Bardhi, drejtore e shkollës dhe mësuese e klasës së pestë, përshendeti në emër të gjithë mësuesve, duke uruar gjithë prindërit dhe nxënësit festa të gëzuara dhe mbarësi në cdo familje shqiptare. Kryetari i shoqatës “ Bijtë e Shqipes” z. Dritan Matraku uroi gjithë komunitetin shqiptar një Vit të Ri të gëzuar dhe të mbarë. Ai gjithashtu uroi gjithë shqiptarët e krishtere Gëzuar Krishtlindjet. Z. Dritan Matraku falenderoi gjithë prindërit e shkollës sonë dhe në mënyrë të vecantë pesë mësueset e shkollës shqipe; Irini Zenelaj, Rudina Bani, Afërdita Muzhaqi, Mimoza Sotiri, Raimonda Bardhi për punën e bërë dhe realizimin e programit të fëmijëve.

Më të vegjlit e klasës së parë uruan nëpërmjet këngës së tyre, poezive të bukura vetëm gëzim dhe mbarësi. Ndërsa nxënësit e klasëve të tjera të gjithë së bashku do të kushtonin urimet e tyre Babagjyshit, Krishtlindjeve, pemës, dhuratave dhe gëzimit që mbartin këto festa. Kënga e Vitit të ri, Hapa- dollapa u shoqëruan me duartrokitje.

Një surprizë e bukur ishte prania dhe urimi i tre oficerëve të policisë që do të u kujtonin fëmijëve që ata janë pranë nesh për të siguruar qetësinë tonë. Shefi i Policisë se Lower Moreland, z. David Scirrotto me origjinë arbëreshe dhe vëllezerit Eduard and Denis Delli me origjinë nga Vlora, dy oficer policie në Filadelfia. Përshëndetja dhe urimi i tyre i sinqertë drejtuar gjithë komunitetit shqiptar u shoqërua nga premtimi se do jenë kurdoherë prane nesh. Mirënjohja dhe respekti, krenaria për sakrificën e tyre u shfaq në sytë e gjithë nxënësve dhe të pranishmeve.

Kur po prisnim dhe po shihnim se nga do të vinte Babagjyshi,( Z. Bujar Cela) ai shfaqet shumë pranë fëmijeve i fshehur dhe mbushur plot me dhurata për secilin prej tyre dhe për motrat dhe vëllezërit e vegjël. Gëzim, habi, lumturi në sy të fëmijëve të cilët prisnin me pa durim dhuratën e Babagjyshit. Sa shumë fotografi me të! Një moment që nuk duhej të humbiste.

Po nuk ka festë të fundvitit për ne shqiptarët pa bakllavanë tradicionale. Znj Anila Tahiraj, Anila’s Kitchen si gjithmonë e pranishme në festat e Bijve të Shqipes , solli tek ne aromën dhe shijen e shtëpive, pak mall Shqipërie. Pica, fëmijë që vraponin, kërcenin, bisedonin të qeshur me njëri-tjetrin, dhe ne të rriturit që falë “Bijtë e shqipes” bashkohemi së bashku dhe bisedojmë me njëri- tjetrin për sukseset, gëzimet, përballjet e vitit 2023.

Faleminderit Eldion Pajollari- State Farm Insurance Agent, që mendon në cdo festë për nxënësit tanë duke siguruar dhuratat për festat e fundvitit! Faleminderit Anila Tahiraj që ëmbëlsove Festën tonë!

Gëzuar miq, vëllezër e motra,

Ju të gjithë , ngado që jeni,

Gjithandej ku shqip flet zemra.

Gëzim e shpresë ju të keni!

Rudina Bani, n/kryetare e shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuese e klasës së dytë, shkolla shqipe “Gjuha Jonë”.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1415
  • 1416
  • 1417
  • 1418
  • 1419
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT