• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Viti i Ri akademik 2023-2024 vazhdoi suksesshëm në Bronx, Queens, Online

October 2, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Pas hapjes së shkollave shqipe në Staten Island për këtë vit nga “Alba Life” Ambasador i Kombit, vazhdoi suksesshëm edhe në Bronx, Queens dhe në Online.

Mësuesit dhe staffi i Shkollave Shqipe “Alba Life” mund ta themi me plot krenari se kanë pasur sukses për ditën e parë të Vitit Akademik 2023-2024, çka më vjen në mendje urtia popullore që thotë: “Fillimi i mbarë gjysma e punës”.

Kjo javë ka qenë shumë e ngjeshur me ceremonitë e ditës së parë dhe natyrisht e pamundur të vinim si Bord në të gjitha shkollat, konkretisht në Bronx shkuam së bashku si çift, ndërsa në Staten Island mori pjesë Dr. Valbona Zylo Watkins ku klasat janë nën kujdesin e mësueseve profesioniste Entela Muda, Elona Shkreta pasi fillimi i shkollave është të shtunave në të njejtën kohë në orën 10:30 paradite.

Bronxi gumëzhinte i tëri, një numër i madh nxënësish dhe prindërish erdhën pranë shkollës publike amerikane: Shkolla e mesme “Columbus” e cila ka qenë anëtare e Fondacionit për shkolla të shkëlqyera që nga viti 1997.

Shkolla “Alba Life” vazhdon mësimin e Gjuhës Shqipe si dhe vallet dhe këngët popullore brenda këtij programi nga ora 10:30 deri në orën 1:00, tri orë mësimore. Qielli vesonte lehtë lehtë, dhe më dukej se ndjeja një lëmim dhe përkëdheli qiellore, kur merrnim librat e abetares nga makina , apo gjithë pajisjet e nevojshme shkollore dhe mediatike. Më herët kishin ardhur disa prindër bashkë me fëmijët e tyre shumë të gëzuar që do të fillonin shkollën.

Ceremonia e hapjes ishte madhështore, e bukur, emocionante me pikëza loti gjyshesh e cila u hap me Himnin Kombëtar ku midis të tjerash ata këndonin: Prej lufte veç ai largohet/ që është lindur tradhëtor/ kush është burrë, nuk frikohet/ po vdes, po vdes si një dëshmor!

Z. Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombi iu uroi gjithë të pranishmëve një vit të mbarë dhe tha se ndihej krenar që së bashku jemi në këtë Mision Kombëtar. Ai falënderoi të gjitha mësueset e përkushtuara që punojnë plot dinjitet nëpër klasa si mësueset Mehrije Shala dhe Kade Lajqi si dhe anëtaret e stafit si Edona Gjidiaj dhe Erlinda Shala që ndihmojnë në aktivitetet dhe vallet shqiptare.

Prezantoi para të gjithë prindërve dhe nxënësve, mësuesen e re Helena Ujkaj, një mësuese plot përvojë, e kualifikuar me master nga shteti amë dhe e integruar në arsimin amerikan. Ai tha se ndihej krenar që këto mësuese, brez i ri vinë pranë Shkollave Shqipe “Alba Life” dhe duan të japin kontributin e tyre. Mësueset Mehrije, Kade dhe Helena premtuan se do të bënin një punë shumë profesionale, do të punonin me zemër që nxënësit të mësonin shqip pranë kësaj shkolle prestigjioze.

Natyrshëm kishte dhe fëmijë që qanin sepse i donin mamatë e tyre pranë bangave, por nga përvoja ata mësohen aq shpejt sa mezi presin të shtunave të vinë pranë shkollës dhe kjo fal kujdesit të mësuesëve dhe stafit.

Programi vazhdoi me këngën aq të njohur dhe të dashur si UÇK që këndohet shpesh nga Shkolla Shqipe “Alba Life” ne NY, Ambasador i Kombit, nën interpretimin e nxënësit të talentuar Diellor Lajqi.

Ishte e magjishme kur shikoje nxënësit që këndonin: Për Atdhe këngës ja mora, apo vallëzonin dorë për dorë së bashku. Pranë kësaj shkolle nderuan me pjesëmarrjen e tyre tri artistë të mrekullueshëm si Luan dhe Rejhan Bexheti të cilët sollën vajzën e tyre simpatike Besën si dhe Valbona Peraj. Artisja simpatike Valbona Peraj mblodhi të gjithë nxënësit së bashku dhe kënduan “Xhamadani Vija Vija” duke e shoqëruar me simbolin aq të njohur kombëtar shqiponjën. Krenari t’i kishim midis nesh. Valbona Peraj gjithmonë ka qenë pranë kësaj shkolle dhe ne e falënderojmë për kontributin e saj e cila së fundi ka hedhur në treg këngën shumë të arrirë artistikisht “Mëkat” dhe e mirëpritur nga publiku I saj I shumtë.

Mësueset pas programit artistik morën secila nxënësit e vet dhe shkuan në klasat e tyre komode, të pastra dhe tejet të përshtatshme.

Brooklyn, Queens, Online, filluan Vitin e Ri akademik 2023-2024

Shkollat Shqipe Alba Life në NY vazhduan në Brooklyn me Vitin e Ri akademik 2023-3024. Ndonëse ishte ditë me shi të rrëmbyeshëm, përmbytje të mëdha dhe shumë shkolla u mbyllën, ne nuk u ndalëm para “furtunave”. Ja psh mësuese Fatlinda e kishte marrë vajzën shumë herët nga shkolla, Adelina si prind pasi na uroi tha se nuk e sillte dot Rilindin për shkak të kohës, Shkolla jonë në Brooklyn website shkruante “closed” e shumë episode të tjera që i konfuzuan veçanërisht prindërit e rinj. Natyrshëm i mireprësim herën tjetër.

Ndërsa një prind që solli fëmijën e rritur 13 vjeçe sot pranë shkollës më tha: Bija ime gjithmonë më kritikon që pse nuk e regjistrova që pesë vjece në Shkollen Alba Life, pasi ajo ka shoqen e ngushtë që flet shqip dhe vallëzon vetëm në saje të ekipit të kësaj shkolle…

Është bekim ta fillosh Vitin Akademik 2023-2024 me Himnin Kombëtar. Z. Qemal Zylo prezantoi para nxënësve mësuesen më të re të Shkollës Shqipe në Brooklyn Rozeta Hyseni, e cila po vazhdon në programin e doktoraturës, një mësuese me shumë përvojë në Shqipëri. Shumë urime mësuese Rozeta dhe kënaqësi që iu bashkove Misionit Kombëtar pranë Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit. Jemi të sigurtë se do ta përhapni dritën e diturisë plot kulturë. Shumë urime për ju mësuese Fatlinda Gashi që me profesionalizmin tuaj dhe dashurinë per Kombin po kontribuni pranë kësaj shkolle.

Krenari të kemi dy mësuese të kualifikuara plot kulturë dhe dinjitet me licensa nga Universiteti i Prishtines dhe Tiranës me master dhe kandidate për mbrojtjen e doktoraturës.

Shume urime nxënës dhe prindër të dashur!

Kur jam pranë jush, s’tretem, ngjallem,

sytë tuaj ngrohin si diell,

me ABC-n kurrë buzët s’ndalen,

ndaj thonë Zoti flet shqip në qiell…

Shtoj se me kaq pasion dhe profesionalizëm vepruan dhe shkollat e tjera si në Queens dhe në Online me mësueset plot përvojë të licensuara për mësuesi nga shteti amë si Vjollca Skënderi dhe Gresila Basha. Mesueset Skënderi dhe Basha kanë punuar fort në këtë program si me punën mësimore individuale, mësimdhënien e programuar, punën brenda një klase ose paralele, detyrat e shtëpisë.

Në një bashkëveprim nxënësit bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe me shokët e tyre të klasës duke folur shqip dhe per t’i bërë ata më konfident. Natyrisht fjala e mësuesit mbizotëron në procesin mësimor. Përmbajtja paraqitet si ligjëratë e mësuesit dhe si një fjalim i kontrolluar. Ato kanë ditur ta menaxhojnë profesionalisht qëllimin e mësimit, pasi artikulon bukur Gjuhën Shqipe, cakton detyrat dhe jep rezultatin; e gjithë vëmendja iu është drejtuar nxënësve dhe për këtë kemi fjalë miradie nga nxënësit dhe prindërit e shumtë në këto 16 vjet punë dhe Shqip nëpër gjithë Nju Jorkun dhe në Online.

Fillimi i mbarë i Vitit të Ri Akademik 2023-2024 është ogur i mirë për mbarëvajtjen e procesit mësimor, për të cilin jemi shumë të përkushtuar për të arritur objektivat dhe qëllimin për këtë Mision Kombëtar.

TV “Alba Life” së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur enkas për këto shkolla filmuar nga z. Zef Ujkaj pranë shkollës në Bronx dhe do ta transmetojë në kanalet televizive.

Filed Under: Komunitet

Aleksandër Vuçiç, tentoi aneksimin e Veriut të Kosovës

October 2, 2023 by s p

Xhelal Sveçla/

Sot bëhen një javë nga vrasja e policit Afrim Bunjaku, në një sulm terrorist që u planifikua, organizua dhe ekzekutua nga shteti kriminal i Serbisë.

Çdo ditë kemi dëshmuar me fakte të patjetërsueshme lidhjen e shtetit serb, Vuçiqit, me sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës.

Me qëllim realizimin e këtij qëllimi, aneksimin e veriut të Kosovës, institucionet e Serbise kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake, logjistike dhe financiare. Në vazhdimësi kemi njoftuar se ky shtet ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, por këto ditë kemi ofruar dokumente të rëndësishme që dëshmojnë këtë gjë, ndërkaq sot do të shohim me video dhe fotografi jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë, por edhe përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimit.

Në këtë tentim-ankesim të veriut të Kosovës, janë të angazhuar drejtpërdrejt Presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq.

Në deklarimet e tij publike, Presidenti i Serbisë është munduar ta mohojë faktin që shteti që ai udhëheqë ka qenë i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit të 24 shtatorit, mirëpo dokumentet që kemi publikuar më parë dhe pamjet që do të publikojmë sot janë dëshmi e gjallë e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim.

Së pari, dokumenti që kemi ndarë me ju para disa ditësh ishte vërtetim që ushtria e Serbisë ja kishte dhënë grupit terrorist gjithë atë armatim që ne konfiskuam. Edhe dje edhe sot ne kemi gjetur sasi tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni.

Së dyti, Serbia tha se ky ishte një grup i Serbëve të pakënaqur lokal, por ne publikuam hartat të cilat do të mund t’i shihni edhe sot të planifikimit ushtarak të këtij tentim-aneksimi.

Së treti, Serbia tha që vrasja e policit nuk ishte e menduar, por videoja që do të shihni është sulmi me armë të kalibrave të rëndë ndaj Policisë së Kosovës edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

Serbia dhe Aleksandar Vuçiq në vazhdimësi u përpoqën të thonë që ata nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë sulm, por faktet që do të publikojmë dëshmojnë përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi në bazën e trajnimeve ushtarake në Pasuljanske Doline, afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje të përgatitjeve janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që kemi konfiskuar, të cilët keni mundur t’i shihni në eksopozimin e gjithë armëve të konfiskuar në Banjskë në konferencën e kaluar për shtyp.

Shteti kriminal i Serbisë, ish-Ministri i propagandës së Millosheviqit, tash presidenti Aleksandar Vuçiq, pas dështimit në aneksimin e veriut, po dështon edhe në manipulimin se ata nuk ishin të përfshirë në këtë organizim terrorist.

Po ashtu, Pablo Escobari i Serbisë u mundua të bëhet Prigozhin i Serbisë, por falë vetmohimit dhe profesionalizmit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ai dështoi siç dështoi edhe Putini i vogël i Serbisë. As veriu i Kosovës nuk është Donbas e as Serbia nuk është Rusi.

Shteti autokratik me historinë e tij kriminale sulmoi shtetin më të ri dhe më demokratik në rajon.

Tash kur provat janë evidente është i domosdoshëm dhe jetik dënimi dhe sanksionimi i këtij sulmi terrorist të Serbisë ndaj Republikës sonë nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Filed Under: Politike

Histori – Shtypi Shqiptar në Saint Louis

October 2, 2023 by s p

Besian Gjika/

Në 30 shtator 1916, 107 vjet më parë, u botua në Saint Louis, gazeta e përjavshme, “Mprojtja Shqipetare”, (The Albanian Defense). Kjo gazetë u botua prej shoqërisë “Mprojtja Shqipetare” në adresën: 2241 Clark Ave. Saint Louis MO. Menaxher i saj ishte z. Vasil G. Marko, emër i njohur, i cili shquhet për veprimtaritë patriotike, ku në 28 shkurt 1913 zgjidhet kryetar i degës së Vatrës për Saint Louis-in si dhe për shërbimin e tij si prift në kishën ortodokse shqiptare të Saint Louis-it “Shën Mitri”, prej vitit 1917-1920. Më pas kthehet në Shqipëri së bashku me Fan Nolin ku kontribuojnë në krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Ndërroi jetë në Korçë në vitin 1949.

Gazeta nuk pati udhë të gjatë dhe u botuan vetëm 10 numra të saj. Në 9 dhjetor të 1916 botohet edhe numri i fundit i saj. Edhe pse nuk pati jetëgjatësi ajo mbetet një xhevahir për komunitetin shqiptar në Saint Louis. Duke shfletuar numrat e saj të duket sikur lundron në ato kohë sa të zymta për trojet shqiptare në gadishullin Ilirik e po aq patriotike e shqetësuese për bashkëkombasit në diasporë. I bëjmë me dije të gjithë patriotët shqiptarë dhe studiuesit se së shpejti do t’i gjejnë të afishuara në website-in e shoqatës “Iliria” të gjithë numrat e plotë të gazetave shqiptare që janë botuar në Saint Louis:

“Trumbeta e Krujës”, 1911, “Mprojtja Shqipetare”, 1916, “E Verteta”, 1920-23.

Filed Under: Histori

Ndikimi i sistemit nervor parasimpatik në mirëmbajtjen e shëndetit: të dhënat nga Neuroshkenca

October 2, 2023 by s p

Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME, Prof. Dr. Fadil Çitaku, PhD, MME (Uni Bern, themelues dhe CEO i Akademisë së Shkencave të Lindershipit në Zvicrës, Kontakti: info@alss-edu.ch & www.alss-edu.ch

Abstrakt

Ky artikull hulumton rëndësinë e sistemit nervor parasimpatik (SNP) në mirëmbajtjen e shëndetit të përgjithshëm. Duke u bazuar në zbulimet nga studimet e neuroshkencës të kryera nga viti 2015 deri në 2023, ky artikull shqyrton ndikimin e SNP në aspekte të ndryshme të mirëqenies së njeriut, përfshirë shëndetin kardiovaskular, funksionin imun, mirëqenien psikologjike dhe shëndetin tretjës.

Hyrje

Sistemi nervor parasimpatik (SNP) është njohur që një kohë të gjatë, si një komponent themelor i sistemit nervor autonom, i cili mbanë përgjegjsinë për rregullimin e funksioneve “pushim dhe tretje” të trupit. Avancimet e fundit në neuroshkencë kanë hedhur dritë të re mbi ndikimin shumëfisht të SNP në shëndet (Smith et al., 2020). Ky artikull hyn në hollësi në zbulimet më të fundit të hulumtimit për të sqaruar rolin kyç të SNP në mirëmbajtjen e shëndetit në tërsi.

Shëndeti Kardiovaskular

Hulumtimi i kryer gjatë dekadës së kaluar ka zbuluar idetë frymëzuese në ndikimin e SNP në shëndetin kardiovaskular. Studimet nga Johnson et al. (2018) dhe Brown et al. (2021) kanë treguar aftësinë e SNP për të moduluar variabilitetin e ritmit të zemrës, duke reduktuar kështu rrezikun e tensionit të lartë dhe sëmundjeve të zemrës. Po ashtu, është zbuluar se SNP-ja promovon vasodilatimin dhe përmirëson funksionin endotelial (Chen et al., 2017), duke kontribuar në qarkullimin e duhur të gjakut dhe shëndetin kardiovaskular.

Funksioni Imun

Rregullimi i sistemit imun është si një dimension tjetër shumë i rënësishëm i aktivitetit të SNP. Hulumtimet e fundit nga Li et al. (2019) dhe Patel et al. (2022) kanë sqaruar rolin e SNP në modulimin e inflamacionit dhe përmirësimin e sistemit imun. Aktivizimi i SNP është mundësonë uljen e citokineve pro-inflamatore, duke deshmuar potencialin e tij në zvogëlimin e sëmundjeve inflamatore kronike dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes imune.

Mirëqenia Psikologjike

Lidhja midis SNP dhe mirëqenies psikologjike ka fituar rëndësi në vitet e fundit. Studimet nga Smith et al. (2017) dhe Garcia et al. (2023) kanë ofruar dëshmi substanciale lidhur me aktivizimin e SNP me zvogëlimin e stresit, ankthit dhe depresionit.

Roli i SNP në rregullimin e sistemit nervor autonom dhe promovimi i një gjendje pushimi ka ndikim të rëndësishëm në shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale.

Shëndeti i Tretjës

SNP luan një rol të vendosur në proceset e tretjes së ushqimit. Ai ndikon në absorbumin e ushqimit dhe funksionin gastrointestinal. Hulumtimet nga Kim et al. (2016) dhe Jones et al. (2020) kanë treguar se aktivizimi i SNP përmirëson peristaltikën dhe promovon resorbimin efikas të ushqimit.

Konkludim

Sistemi nervor parasimpatik (SNP) paraqet një rol qendror në mbajtjen e shëndetit në disa fusha. Dëshmitë e grumbulluara nga studimet e neuroshkencës të kryera nga viti 2015 deri në 2023 nënvizojnë rëndësinë e aktivizimit të SNP në shëndetin kardiovaskular, funksionin imun, mirëqenien psikologjike dhe shëndetin e tretjes. Këto njohuri jo vetëm thellojnë kuptimin tonë për sistemin nervor autonom, por gjithashtu janë premtuese për zhvillimin e ndërhyrjeve të caktuara për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.

Referencat

Smith, A. B., et al. (2017). Parasympathetic nervous system as a regulator of mood and cognitive functioning: A critical review. Psychological Bulletin, 143(10), 1014-1051.

Chen, X., et al. (2017). Parasympathetic nervous system and inflammation: A promising link in the pathophysiology of cardiovascular diseases. International Journal of Molecular Sciences, 18(10), 2143.

Li, J., et al. (2019). Neuroimmune mechanisms of the anti-inflammatory and analgesic actions of auricular acupuncture. Integrative Medicine Research, 8(1), 49-53.

Kim, S., et al. (2016). Parasympathetic nervous system: A new target for antidepressant treatment. Psychiatry Investigation, 13(2), 176-182.

Johnson, R. W., et al. (2018). Heart rate variability as an indicator of the autonomic nervous system function and imbalance. Journal of Clinical Neuroscience, 52, 1-6.

Garcia, L. M., et al. (2023). The influence of parasympathetic nervous system activity on mental well-being and resilience. Frontiers in Psychiatry, 14, 298.

Patel, M. S., et al. (2022). The parasympathetic nervous system and its potential therapeutic role in inflammatory diseases. Trends in Pharmacological Sciences, 43(3), 205-217.

Brown, E. D., et al. (2021). Parasympathetic nervous system activation and its impact on cardiovascular health: A comprehensive review. Current Cardiology Reports, 23(5), 27.

Jones, R., et al. (2020). Parasympathetic regulation of gastrointestinal function: Experimental evidence and potential clinical implications. Neurogastroenterology & Motility, 32(10), e13863.

Akademia e Shkencave të Lidershipit në Zvicër është krenare që kontribuon në avancimin e lidershipit së bazuar në prova shkencore në mbarë botën. Ne ofrojmë shumë kurse dhe programe 100% online, që përfshijnë gjetjet më të fundit nga neurolidershipi dhe neuroshkenca.

Filed Under: Sociale

Robert Elsie, kontributori i devocioneve të epërme, albanologu ndaj të cilit nuk na mjafton mirënjohja

October 2, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Një vit më parë u shua Robert Elsie, një nga njerëzit më të devotshëm të albanologjisë, një nga kontributorët më të vyer të promovimit dhe njohjes së vlerave më të qenësishme dhe atributeve krenuese të shqiptarëve. Veprimtaria e tij është e gjerë dhe cilësisht nga më përfaqësueset në lëmin e albanologjisë. Vdekja e Robert Elsie është një humbje që krijoi një hendek të thellë në lëmin e studimeve hulumtuese dhe jetësimin në dritën e fakteve të figurave, etapave dhe momenteve kyçe të historisë, gjuhës dhe kulturës së identitetit shqiptar. Ai ishte nga të paktët që luftoi me kaq përkushtim dhe devocion ndaj harresës, tjetërsimit dhe denigrimit të atyre visareve që ishin dhe mbeten të themelta në testamentin tonë si komb.

Humbja e Robert Elsie nuk ishte thjeshtë ndalimi i një hapi nga rruga e jetës, ishte shterrimi i atij dielli rrezet e të cilit nxorën në dritë nga errësira ekzekutuese e kohës një realitet të tillë vlerash dhe kapacitetesh përfaqësuese të atij shpirti pasurish që u mbrujtën duke fituar identitet nën mëshirën e stuhive dhe rryma rrapëllitëse të kohës.

Gjuha, letërsia, folklori, fotografia, gojtaria, historia, etnosi, ishin disa nga shumësia e sferave ku ai ushtroi veprimtarinë e tij të ngulmët dhe të themeltë për të shyrtuar dhe afirmuar gjithçka shqiptare, atë me të cilën pati mirësinë të na shpërblente dhe bujarinë ta bëntë të njohur ndërkombëtarisht si vlerë.

“Çdo njeri ka interpretimin e vet për albanologjinë por për mua, thelbi i punës sime është të prezantoj shqiptarët, t’i prezantoj Shqipërinë, botën shqiptare, gjithë botës. Unë përpiqem t’i transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët, historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i panjohur”, është shprehur ai në një intervistë.

Shkrimtari, albanologu, përkthyesi dhe interpreti, Robert Elsie, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare duke lënë pas një vepër të vëllimshme dhe vlerëshumë. Ai ishte një emër i rëndësishëm dhe një zë i fuqishëm i albanologjisë. Materialet shkresore dhe ato fotografike, hulumtimet gjuhësore dhe historike, komentet dhe studimet, ishin një kontribut që qartësoi shumë momente që dendësia e mjegullave të kohës i kishte verbuar. Shkallmoi hamendësimet dhe sulmet denigruese të kohëpaskohëshme të armiqve historik të shqiptarëve, të cilët u përpoqën të tjetërsonin historinë, shpesh duke i dëmtuar seriozisht disa prej tyre. Ai erdhi për të treguar botës së qytetëruar mbi vlerat dhe atributet civilizuese të shqiptarëve. Kumtoi zëshëm për përkatësinë dhe vlerat europiane, për cilësitë dhe aspiratat e lartë të kësaj race vitale. I ndërkombëtarizoi dhe i mbrojti këto vlera në foltoret e botës së madhe duke i’u bashkuar armatës së albanologëve dhe historianëve, hulumtuesve dhe promovuesve, të cilët shkruan faqe të rëndësishme të veprës së tyre, faqe që mbeten kapituj potencues të njohjes dhe vlerësimit të shqiptarëve.

***

Lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër, Kanadaja. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, shkoi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (École Pratique des Hautes Études) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën më 1978.

Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e ‘takimeve shkencore’ midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës. Është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. U nda nga jeta më 2 tetor 2017, duke lënë amanet që të prehej në Shqipëri.

I përgjithmonshëm qoftë kujtimi ngaj Robert Elsie, ndaj atij burri të madh dhe të vlertë, atij që e deshi dhe bëri për shqiptarët më shumë se shumë shqiptarë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1418
  • 1419
  • 1420
  • 1421
  • 1422
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT