• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MISTERI

September 2, 2023 by s p

Muç Xhepa/

Bari. Muzg. Shpërthim i fuqishëm. Vila “Azzon” u shkund nga themelet. Xhamat e zyrës u thyen të tëra me zhurmë, të kërcitura. Majori rrëmbeu pistoletën dhe rendi jashtë. Porti ndriste nga flakët. Avionët gjermanë bombardonin anijet me një saktësi befasuese. “Si ka mundësi t’ju shpëtojnë radarëve të aleatëve?”, pyeti veten ushtaraku i shërbimit sekret. Edhe dy shpërthime të tjera. Njëri më i fortë se tjetri. “Janë anijet me municione”, mendoi ai dhe u kthye menjëherë në zyrë të telefononte shefin, Majorin Coon.

Uashington. Majori Coon, komandanti i OSS-së për Shqipërinë, e kishte thërritur në zyrë.

– Kam konsideratë të lartë për shqiptarët. I kam shkelur me këmbë bjeshkët e larta. Kam njohur malësorë trima. Kam bërë edhe shumë miq atje.

Profesori i Harvardit e ftoi të ulej pranë tryezës. Kishte hapur një hartë ushtarake. Shqipëria. E vërtetë. Intelektualit njëzetetetëvjeçar i shkëlqyen sytë. Një valë gëzimi e përshkoi të tërin. Vështroi profesorin me admirim.

– Luftëtarë ndër shekuj. Dëshira e Perëndisë që s’jeni zhdukur. Perandorive, që shkelën tokën tuaj, njëra pas tjetrës u humbi boja.

Atë çast e desha profesorin më shumë se jetën time. Shqipëria e vërtetë… Hodha sytë në hartë. Më mbetën të gozhduar tek emrat Sanxhak, Preshevë, Follorinë, Seleçkë, Grebenë, Prevezë… “Oh, Perëndi!”, thirra me vete, “vonon, por nuk harron!”.

– Majori Post, humbët mbi hartë. Misioni që ju kemi ngarkuar është tepër i rëndësishëm, – zëri i tij m’u bë qiellor. – Nesër do të filloni një kurs intensiv. Në periferi të Uashingtonit.

S’kisha ndjerë gëzim më të madh në jetë. Do të luftoja krah për krah Amerikës për çlirimin e Shqipërisë së vërtetë. Atdheun e shqiptarëve që kur Perëndia kishte krijuar njeriun.

Uli receptorin. Duhej të nisej pa u gdhirë me motoskaf. Zbarkimi do të bëhej te gjiri i Sarandës. Filloi përgatitjet. Gjërat më të domosdoshme. Fund tetori. Lundrimi s’kaloi lehtë. Det me dallgë. Kur arriti në tokë, Saranda ishte zhytur në errësirë. Qëndroi një javë. Mori udhëzimet e duhura dhe shkoi në Berat. Te Komanda e Përgjithshme u takua me Sejfulla Malëshovën, Ymer Dishnicën… Enver Hoxhën. Mësoi se komunistët e kishin shitur Kosovën dhe po përgatiteshin të bashkoheshin me Jugosllavinë. U dëshpërua thellë. E kuptoi se kishte të bënte me një tufë ujqish, që po e shqyenin atdheun. Për ta larguar, Enveri e dërgoi në Tiranë, duke udhëzuar ujqit atje që këshilltarin politik pranë Misionit Amerikan ta mbanin nën survejim. Mehmet Shehu e caktoi pranë Brigadës IV, ku edhe tentoi ta eliminonte fizikisht.

– Drita, nesër do shkoj në Pojan, nëse ke diçka për të blerë më thuaj.

– Llazi, mirë që më kujtove. Do vij edhe unë me ty.

Drita Kosturi kishte vite e internuar në fshatin Shtyllas. Njërin prej Gulagëve shqiptarë. Ndërsa Llazi Papapostolin e kishin sjellë nga ferma e të internuarve “Çlirimi” të Fierit. Jeta për shqiptarin e madh, patriotin “Larry Post”, që kishte lënë Amerikën për të penguar pushtimin komunist, kishte filluar të merrte një rrjedhë tjetër. Pas dhjetë vjet burgimi të rëndë, ku tetë prej tyre në izolim të plotë, varr betoni, ai kishte mundur të ndërtonte një familje të mrekullueshme me bashkëshorten Liza dhe dy fëmijët e tyre engjëj, Gresi e Rudi.

Liza, vajza e bukur, si “Jonne”, portreti në vaj i piktorit anglez Schofield, ra në dashuri me shikim të parë.

– Nënë, Llazi m’u duk shumë i edukuar.

E ëma u gëzua. Ishte hera e parë që e bija i fliste me admirim për dikë. Ishte rritur, ashtu, pa u kuptuar. Mes hallesh.

– Inteligjent, Llambro e ka njohur nga afër në burg. Prandaj dhe i dha leje të na vizitojë.

– Amerikan. Ashtu i kam parafytyruar. Të gjatë, të pashëm. Mbitokësorë. Llambro, sa shumë më ka marrë malli. Vëlla, edhe në ferr mendon për ne.

U afrua pranë dritares. Mëngjesi largohej bashkë me njeriun që i fitoi zemrën. Filloi të këndojë këngën fituese të Sanremos “Buongiorno tristezza”.

“Mirëmëngjesi trishtim,

le të bëjmë shoqëri sot.

Ti e di rrugën,

është ajo që ishte një ditë lumturie.

Mirëmëngjesi trishtim,

mik i melankolisë sime.”

– Mama, kishte diçka nga këngëtari Tullio. Balli i lartë, e qeshura, sytë e bukur, flokët me valë.

Priste më kot Dritën. Atë e kishin urdhëruar të mos e shoqëronte. Më së fundi u duk e shpërfytyruar.

– Llazi, të më falësh, ashtu më ka dalë një punë!

– S’ka përse. Më thuaj çfarë mund të blej për ty.

– Të faleminderit shumë, por nuk ka përse të mundohesh. Do të shkoj nesër vetë.

Rruga kalonte përgjatë përroit. Me ulje e ngritje. Kodrina të vogla. “U gëzua Liza, i pëlqyen kërpudhat që kisha gatuar, nuk donte t’i merrte me vete. Bëra mirë që ngula këmbë, do të punojë tërë ditën në fushë, Bashtovë”, tha me vete dhe ndjeu një emocion të fortë. Si puthja e parë. E donte shumë.

Kishte ditë që më torturonte. Ministri i Brendshëm.

– Ora që i dhe Enverit është radiomarrës. Pranoje.

– Është orë e zakonshme.

Më lidhi në tubë hekuri të betonuar në mesin e qelisë. Godiste me shufër teli. U gjakosa. Më ra të fikët. Përbindëshi Xoxe më solli në vete me ujë të kripur. Plagët u ndezën. Si në ëndërr të tmerrshme më bëhej zëri i tij.

– Hë, te Enveri i keni varur shpresat? Kur e keni rekrutuar?

“Përse më erdhi në mendje tani? Kishte kohë që e kisha fshehur në skutë të errët të kujtesës”, tha me vete. Filluan t’i dridheshin këmbët. Në dorë mbante torbën me ushqime. Kthehej nga Pojani. Edhe një gjysmë ore udhë i kishte mbetur. Zbriti të tatëpjetën e parë. Këmbë njeriu nuk dukej gjëkundi. Filloi të ngjisë të përpjetën. Larg i zunë sytë një të panjohur me biçikletë.

– Liza, bijë e nënës, mbaje veten. Nuk ka vdekur nga zemra. Kur po e bëja gati për ta marrë nga spitali, gishti më hyri brenda një vrime në shpinë të kokës.

Lizën e mbytën lotët. Kishte dyshuar kur i çuan rrobat e Llazit. Xhupi ishte me gjak. I tharë. Nuk kishte dashur ta besonte dhe e kishte larë me lot.

Llazi Papapostolin, “Larry Post”, e vranë pas shpine dhe kufomën ia kthyen familjes pas dy ditësh. Cili e vrau? Mehmeti, që Enveri e kishte urdhëruar kohë më parë? Enveri, që mbulonte një të fshehtë të madhe? Përse në vitin 1974? Cili nga ujqit rrezikohej të zbulohej atë kohë? Mister. Një gjë është e sigurt, emri i heroit antikomunist, Llazar Papapostolit, do të gdhendet me germa të arta në historinë e kombit tonë.

Në “Messenger” po flas me Gresin. Po i tregoj se po shkruaj diçka për babanë e saj. Plot emocion më thotë:

– Po të lidh me mamanë.

Liza e bukur, mbi të nëntëdhjetat, vë dorën në buzë.

Llazi Papapostoli

Liza Papa

Filed Under: Interviste

“Buzuku” shtëpia e librit shqip

September 2, 2023 by s p

Behar Gjoka/

Me 26 gusht të vitit 1990 hidhen themelet e shtëpisë botuese “Buzuku”, tashmë u mbushen 33 vite punë, mund dhe suksese, në mbajtjen gjallë të librit shqip, në përhapjen vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe. Ky përvjetor i Buzukut, të parës shtëpi botuese private, në hapësirat shqiptare, të jep shansin me pa, shtegtimin e saj nëpër këto vite, për tu gjendur tashmë përballë një insititucioni jetik dhe tepër të rëndësishëm të librit në gjuhën shqipe. Kur them institucion, kam parasysh arritjet dhe sukseset e shënuar, përvojën e vyer në fushën e botimit, promovimit dhe menaxhimit të librit, gjithnjë në kërkim të lexuesit dhe hapësirave të reja të leximit. Tiparet e konturimit të një institucioni të librit shqip, materializohen në disa aspekte të rolit dhe të pranisë së veprimit institucional. “Buzuku” qysh në krye u shfaq si një institucion i përveçëm, sepse nëpër këto vite u bë “shtëpia e shkrimtarit shqiptar”, duke hapur dritaret e komunikimit me të gjitha alternativat e shkrimit letrar. Fakti që pranë Fishtës e Konicës, botohet Trebeshina me nëntë tekste, botohet Kadare, Camaj, Pashku e dhjetëra të tjerë, tregon se ka një kontribut të çmuar në shembjen e mureve të moskomunikimit brenda letrave shqipe. Kjo shenjë parake e themeleve të hedhura, prohektoi rrugën nga do të loevizte në këto vite. Po ashtu, “Buzuku” është institucion autentik, sepse u bë porta e komunikimit me letërsinë botërore, me vlerat më të mira tësja, sidomos me letërsinë franceze, me Parisin, kryeqytetin botëror të librit dhe kulturës. Sjellja në gjuhën shqipe, e dhjetëra shkrimtarëve francezë bashkëkohorë, vetëm në pak kohë pasi janë botuar në gjuhën fringe, sidomos të autorëve fituese të çmimeve letrare Gonkur dhe Nobël, dëshmon aftësinë për të vënë në kontakt dhe në marrëdhënie të menjëhershme, lexuesin dhe letërsinë shqipe, me përvojën më të mirë të letërsisë botërore. Mjafton të hedhs një sy në listën e autorëve dhe të librave të përkthyer për të kuptuar puënën e madhe. Du nisur nga Brigitte Giroud (Goncourt 2022), Claude Arnaud, Edouard Philippe (ish-kryeministër i Francës), Edouard Louis (i përkthyer në më se 40 gjuhë, shqipja e para), Eric Faye, Eric Vuillard (Goncourt 2017), Frederic Mistral (Nobel 1904), François-Henri Désérable (promovuar Prishtinë-Tiranë), Giuliano Da Empoli, Hervé Le Tellier (Goncourt 2020), Honore de Balzac, J. B. P. de MOLIÈRE, J. M. G. Le Clezio (Nobel 2008), Jean-Paule Sartre (Nobel 1964, refuzuar), Jacques Baudouin (Promovuar Prishtinë-Tiranë), Jean-Paul Dubois (Goncourt 2019), Jean Racine, Jennie Dorny, Juan Assensio, Laurent Grison, Leila Slimani (Goncourt 2016), Lydie Salvayre (Goncourt 2014), Lucie Léanne, Mathias Enard (Goncourt 2015, promovuar Prishtinë-Tiranë), Maylis de Kerangal, Mohamed Mbougar Sarr (Goncourt 2021), Nathalie Sarraute, Gerard de Nerval, Nicolas Mathieu (Goncourt 2018), Olivier Adam, Pascale Roze (Goncourt 1996), Patrick Modiano (Nobel 2014, 15 romane dhe një dramë), Roland Barthes, Samuel Beckett (Nobel 1969), Sully Prudhomme (Nobeli i parë, 1901), Tzvetan Todorov etj. Ky kontribut, ndikoi jo vetëm për zgjerimin e kontakteve me letërsinë me të mirë botërore, por zgjeroi hapësirat që edhe letërsia shqipe, të botohej atje, e po kaq, për shkak të zgjerimit të kontakteve, të hynte në hullinë e ligjërimit modern dhe postmodern. “Buzuku” është institucion me shumë vlerë, sepse në këto vite, me pjesëmarrjen e rregulltë në Panairet Ndërkombëtare të librit, në Paris, në Frankfurt, e kudo zhvillohen panairet e librit, krijoj mundësitë që libri në gjuhën shqipe, të jetë i pranishëm, duke shënuar kështu “Hapjen me botën” që shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, ta arrijnë Europën me libra, me kulturë. “Buzuku”, bashkë me botuesit e tjerë të, hapësirave të tjera shqiptare, si mënyrë komunikimi, feste të librit në shqip, kapërcyen dy dekada që zhvillojnë panaire të sukseshme të librit, në Prishtinë dhe Tiranë, duke hedhur urat e komunikimit në mes botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, lexuesve, duke lënë pas periudhën e mureve, ku as miza nuk kalonte. Në distancë kohore, bindesh së “Buzuku” është institucion serioz dhe me vizion, sepse aktin e nxitjes së shkrimit të romanit, zhanrit të pjekurisë së një letërsie, por edhe të autorëve që shkruajnë romane, në disa edicione konkurimi, futi garën e hapur, mbi të gjtha ndikoi për të zgjeruar hapësirat e lëvrimit të romanit, zhanrit të hapur, por më së shumti ndikoi në promovimin e shumë autorëve, nëpërmjet kësaj veprimtarie, qysh nga Bashkim Shehu, Roland Gjoza, Besnik Mustafaj, që me veprat e tyre, si pjesëmarrës në këto konkurse letrare, kanë pasuruar pentagramin ligjërimor të zhanrit të romanit. “Buzuku” është institucion tepër i rëndësishëm, sepse duke vënë emrin e autorit të parë të letrave shqipe, Gjon Buzuku, që me librin “Meshari”, e nxori shqipen nga mugullimat e kohës, e përlindi atë si gjuhë e shkruar, pra duke e rimishëruar Buzukun, pagëzorin e parë të gjuhës shqipe me libër, e ktheu përjetësisht në shtëpi të librit shqip.

Për të mbërrimet dhe sukeset e shtëpisë botuese “Buzuku”, meritë kanë të gjitha ata që besuan në këtë projekt, të cilët u bënë pjesë e ngrehinës, që rritej dita –ditës, e bashkëpunëtorëve, e autorëve dhe përkthyesve, që gjetën streh mirëkuptimi për botimin e librave të tyre. Merita kryesore, megjithatë është e ideatorit vizionar, e themeluesit, e botuesit nga më seriozët, e poetit dhe prozatorit, e njeriut që e ka lidhur jetën me librin, i takon Abdullah Zenelit.

Urime në 33 vitet e Buzukut! Jetë të gjatë, me më shumë libra me vlerë, për të mirën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Filed Under: Reportazh

Qan lulja për lulen

September 2, 2023 by s p

Bajram Mjeku/

Zëri më i ëmbël i muzikës shqiptare Tefta Tashko Koço, u shua kur i kishte vetëm 37 vjet, por zëri i saj në zemrën dhe shijen e shqiptarëve mbeti i përjetshëm edhe sot mbas 76 vjetësh.

Duke ia dedikuar këtë postim fare simbolik sopranos së madhe shqiptare, me njërën nga këngët më emblematike të saj me titull: “Qan lulja për lulen”, do të bartja mesazhin për shumë të rinj shqiptarë që merren me artin muzikor.

Të krijosh vepra të mira, do të thotë të investosh me përkushtim, të kesh tekst të fuqishëm dhe kompozim të ëmbël për vesh, që lë gjurmë në hapësirë e kohë.

Muzika shqiptare e cilitdo zhanër, sot është në krizën më të madhe të saj dhe krijuesit e rinj mund të kenë model jo vetëm Teftën e madhe, por edhe shumë breza tjerë pararendës.

Tefta Tashko Koço dhe zëri i saj brilant të kujtojnë xhevahirin e xhevahiri për aq sa bëhet më i vjetër, po aq i rritet vlera dhe shkëlqimi.

Foto: Këngëtarja Tefta Tashko, duke pozuar në një studio të Tiranës në vitin 1936

Filed Under: Fejton

KRONISTI METAFORIK I PEISAZHEVE

September 2, 2023 by s p

Në Galerinë “Artistët për artistë” në Prishtinë , nga data 15 gush deri më 26 gusht 2023, piktori Arsim Kajtazi organizoi ekspozitën personale me 54 piktura, duke pasur për qëllim që në këto ditë vere, kur Kosovën e mësyjnë mërgimtarët tanë, po edhe artdashësit e tjerë, të shijojnë diçka të bukur edhe nga arti i krijuar në vendlindje. Në hapje dhe gjatë ditëve në vijim pati mjaftë vizitorë, që shijuan vlerat e ekspozuara me këtë rast.

Po u sjellim fjalën e hapjes nga piktori e pedagogu i njohur Musë Prelvuakaj që para shumë vizitorëve shpalosi disa nga vlerat krijuese pikturale të Kajtazit, të prezantuara edhe në këtë ekspozitë.

“Arsim Kajtazi është artist i gjithanshëm me një karrierë të pasur artistike, i cili që disa decenie krijon në pikturë, vizatim, grafike, kritikë arti dhe letërsi. Ka shumë vite që e njoh krijimtarinë e tij artistike, duke e përcjellë punën e tij krijuese nga afër dhe nga distanca, prandaj e ndiej të nevojshme ta bëj një shkrim modest, simbolik vetëm për një pjesë të veprave nga opusi i gjerë krijues .

Sot në Galerinë e artit të asociacionit “Artistët për artistë” Kajtazi vjen me ekspozitën e radhës, ku na paraqitët me disa risi, por edhe me disa vepra të viteve të fundit, që edhe opinioni profesional dhe artdashës mund ta shohë piktorin me karrierë të suksesshme shumëvjeçare i njohur në Kosovë, Shqipëri dhe në viset tjera shqiptare, por edhe në disa vende të Evropës.

Këto vepra burojnë nga thellësia shpirtërore e artistit, të cilat i ka realizuar me përkushtim dhe profesionalizëm, e në veçanti veprat e viteve të fundit. Natyra me bukuritë e veta magjepse është e dashur për të gjithë ne, por edhe e mistershme, ku autori sikur gjënë më shumë se pamjet, në veçanti kur futet në brendi të saj për të hulumtuar dhe zbërthyer format e ndryshme irreale dhe reale në hapësirën imagjinare . Duke u paraqitur me një numër të konsideruar të pikturave artisti në këtë hapësirë ekspozuese na sjellë një mori pamjesh si: fushat, sukat, kodrat, malet, bjeshkët e bardha-alpine, gryka, ujëvare, vendbanime rurale dhe urbane me pamje të transponuara artistikisht, të analizuara me kujdes, ku mund të konstatojmë se janë preokupime dhe frymëzime të përhershme në krijimtarinë e tij artistike. Peizazhet në telajo nuk janë thjeshtë piktura vetëm për t´i joshur sytë, por janë krijime me tematikë simbolike me forma metaforike përmbajtjesore. Nga puna e bërë shohim se autori i qasët veprës me seriozitet gjithnjë me synim kërkues që frymëzimet dhe ndjenjat e veta t´i vejë në telajo për t´iu dhënë pikturave vlera të qëndrueshme artistike, duke mos u lëshuar asnjëherë në imitimin e natyrës! Autori nga natyra zgjedh dhe nxjerr pamje karakteristike të çdo visi dhe stine. Në kompozicion përveç formave konkrete i shton edhe disa elemente tjera abstrakte, ku shumica e tyre janë në lëvizje të shprehura kryesisht me ngjyra harmonike, duke i dhënë ndonjë aksent me ngjyra kontrasti, me qëllim që vepra të bëhet më dinamike. Këto peizazhe lirike-epike me shprehje impresive-ekspresive janë me përmbajtje autoktone që duhet shikuar disa here për të hyrë më në thellësi, për të arritur deri të analiza studimore.

Autori është i kujdesshëm ndaj kërkesave të kohës me qëllim për të ecur paralel me trendët e zhvillimit të artit bashkëkohor. Me shembullin vetë krijues-hulumtues shohim se përmes veprave na ofron edhe mënyra të tjera alternative të realizimit, për t´u shpreh më lirshëm në pikturë.

Në krijimtarinë e bujshme shumëvjeçare Kajtazi arrin t´i bëjë disa cikle të veprave, ku protagonist e ka njeriun me preokupime të ndryshme nga përditshmëria jonë e vështirë: me mundime, dhembje, por edhe me gëzime në eksterier dhe enterier, ashtu siç e ka jeta. Pra autori nuk është i qetë ku në shpirt i kanë mbetur vragë nga përjetimet e regjimeve antishqiptare, në veçanti nga lufta e fundit, që rezultoi me mija viktima, dhunime, shkatërrime, dëbime të shqiptarëve nga trojet e veta etnike, në anën tjetër në mënyrën e tij e paraqet luftën për ekzistencë dhe vendosmërinë e rezistencës dhe gjakimin për liri, mbështetur në sakrificën sublime të djemve dhe vajzave për të rezistuar e sakrifikuar të ndihmuar nga aleatët tonë për ta çliruar vendin.

Si artist me ndërgjegje dhe përgjegjësi ka pikturuar dhe riregjistruar pamje me ngjarje të ndryshme dhe fenomene tjera nga vendi dhe mund të konstatojmë pa ngurrim se artisti është njohës i mirë i rrethanave, një kronik faktik i ngjarjeve të kohës në artin modern. Autori krijon lirshëm në teknika të ndryshme të artit pamor: akuarel, olio, akrilik, tush i laviruar, karbon, ku tregon se i zotëron mirë teknikat nga teknologjia e artit bashkëkohor. Kajtazi i shkrin dhe i kombinon ngjyrat për mrekulli sa që në tejdukshmërinë llazure edhe në mjegull mund ti shohim disa ngjyra tjera të integruara. Në hapësirat infinite zënë vend figurat konkrete, gjysmë konkrete dhe abstrakte, të paraqitura në perspektivë të saktë lineare.

Përveç peizazheve të realizuara me forma të ndryshme në anën tjetër e kemi shumëllojshmërinë e veprave me teknika tjera që edhe më shumë e pasurojnë artin e vetë origjinal. Përveç pikturimit ai bënë vizatime me teknika të ndryshme si skica, krroki, duke paraqitur peizazhe, portrete, nudo, ku me kreativitet kalon në abstraksion, duke përdorur mbi vija tushin e laviruar, duke nxjerrë nuanca me shumësinë e vijave të kualiteteve të ndryshme, për ta fituar plastikën e formave. Autori me kombinimin e brushës dhe pendës i realizon me shkathtësi disa skica me ngjyra bardh e zi. Me materiale të ndryshme si lapsi, tushi i bënë disa krijime të veçanta por edhe ndonjë skicë për projektet e veprave më komplekse.

Për krijimtarinë e Arsim Kajtazit kanë shkruar disa kritikë arti, në vend dhe jashtë vendit, ku ka ekspozuar, dhe veprimtarinë krijuese të artistit e kanë vlerësuar lartë…”

(Musa Prelvukaj)

Filed Under: Kulture

Beteja e Albuelenës, 2 shtator 1457

September 2, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në këtë kontekstin Europian të përpjekjeve të Papa Kalistit III për organizmin e një Kryqëzate të sukseshme, Skënderbeu dhe Arbëria kishin pasur një interes maksimal për t’i pasur pjesë të rëndësishme të kësaj kryqëzate. Edhe pse Skënderbeu kishte pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik 1455 dhe luhatjeve të pushtetit të tij pas tradhëtive të nipërve të vet Gjergj Stres Balshës, që kish dorëzuar kështjellën e Modricës në 1456 dhe Hamzait në 1457, pas fitores mbi ushtrinë e udhëhequr Isak Bej Evrenozi, gjenerali më me përvojë osman përsa u përket betejave me shqiptarët dhe i këshilluar ngushtë nga Hamza Kastrioti, e njohur si Beteja e Albulenës,(lat. Albulae Ascqua) ai përfitoi sërish mbështetjen e vazhdueshme të Papa Kalistit III dhe mbi të gjitha vlerësimet pozitive të shpërndara në të gjithë oborret e Europës përmes korrespondencës të Papës me këto oborre për t’i tërhequr në politikën e tij antiosmane.

Beteja u zhvillua në 2 shtator 1457 në Zhejë, në mes të fshatrave Gjormë dhe Zhejë në afërsi të Mamurrasit. Shifrat janë kontradiktore duke dhënë një ushtri osmane që arrinte deri në 80.000 veta dhe humbjet osmane nga 15.000-30.000 veta. Taktika e Skënderbeut , e tërheqjes në male, hapjes së fjalëve se e kishin braktisur të gjithë dhe më pas sulmi në zhegun e vapës së pasdites kur ushtria osmane po pushonte dhe kuajt i kishte të pashaluar triumfoi mbi strategjinë e Isak Evrenzoit dhe Hamza Katriotit. Në këtë betejë u zu rob dhe Hamza Kastrioti që sipas porosive të ungjit të vet u burgos në Napoli dhe më vonë u la i lirë për tu vendosur në Stamboll.

Pas fitores së Skënderbeut është interesant fakti i përfshirjes së Kalorësit anglez John of Newport, për të cilin në historigrafinë shqiptare shkruhet se në këto beteja kundër turqve, në verë dhe në vjeshtë të motit 1457, një kalorës anglez Xhon of Njuport (John of Newport) mori pjesë duke komanduar një togë shigjetarësh. Në shoqëri të një ambasadori të Skënderbeut, duke u kthyer nga Napoli, erdhi në Romë për të kërkuar ndihmë për prijsin shqiptar, që ende është në rrezik prej turqve Xhon of Njuport si dëshmitar i epokës së madhe heroike të shqiptarëve, i bëri asaj një vlerësim shumë të lartë duke u shprehur kështu: Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse nuk ka fuqi tjetër që mund t’i bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare.Kalorësi John of Newport përmendet për herë të parë në historiografinë shqiptare para këtij shënimi të Skënder Luarasit në artikullin e tij të gjatë “Skënderbeu në letërsinë angleze”, në “Historinë e Shqipërisë’ që vitin 1967, por në të dyja rastet nuk përmendet roli i tij si i dërguar special i Papa Kalistit III në këto territore.] Sipas dokumentacionit të publikuar në arkivat angleze pwr bulat papnore kalorësi John of Newport ishte i dërguari i Papa Kalistit III në Bosnjë, Slavonia dhe Shqipëri dhe oborrtar e këshilltar i Alfonsit të Aragonës nga dioqeza e Winchester i cili ishte dërguar në këto vende me 15 veta të familjes së vet dhe më pas pas një qëndrimi prej disa muajsh në Arbëri ai kryen edhe detyrën si ambasador i Skënderbeut në Perëndim.

Për më tepër në dokument shkruhet se Kalorësi John of Newport është i pajisur me këtë dokument për vetëm tetë vjet dhe u kërkohet të gjithë autoriteteve ti garantojnë një udhëtim të sigurtë.Ai shoqëronte Paolo Kazulo, ambasadorin tjetër të Skënderbeut, të cilët siç del nga një bulë e Kalistit III për Kastriotin më 6 shkurt 1458 se janë personat që kanë çuar këtij të fundit lajmin e fitores së Albulenës.

Ndërmarrja e kryqëzatës antiosmane nga ana e Kalistit III dhe përfshirja e Skënderbeut në të, hodhi bazat e politikës konsekuente të Heroit shqiptar, i cili deri në fund të jetës nuk ndërmorri paqe me Europën dhe mbeti ashtu si e kishte cilësuar Papa Kalisti III në 23 dhjetor 1457, “fortis athleta et verus propugnator fidei Cristianae” – Atlet i fortë dhe mbrojtës i Krishtërimit.

Fatmir Haxhiu.“Beteja e Ujëbardhës” (1967). Piktura në vaj ka përmasat (150×300) cm.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1480
  • 1481
  • 1482
  • 1483
  • 1484
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT