• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 111-vjetorin e Pavarësisë

November 27, 2023 by s p

Luljeta Xhediku

New York/

111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë mblodhi rishtazi anëtarët e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. dhe miq e të ftuar nderi për të festuar këtë ditë kaq të rëndësishme për popullin shqiptar. Flamuri kuqezi që u ngrit në Vlorë në vitin 1912 nga Ismail Qemali ishte simboli i kësaj feste ndaj edhe i gjithë dekori ishte kuqezi. Atmosferës festive i shtoheshin edhe banderolat e shoqatës shoqëruar me tullumbace blu. Programin e larmishëm e prezantoi znj. Alketa Veshi, e cila ftoi të pranishmit të ngriheshin në këmbë për të ekzekutuar himnet kombëtare atë amerikan edhe atë shqiptar. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, z. Imer Lacaj, i cili pasi falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm dhe uroi: gëzuar festën e Pavarësisë, foli për etapat në të cilat kaloi populli shqiptar derisa erdhi Dita e Pavarësisë. Z. Lacaj ndër të tjera theksoi se: Dita e Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të mëdhatë e Rilindjes sonë kombëtare, në gjithë historinë tonë. Liria e arritur është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore, e cila nuk falet e as dhurohet, por fitohet me shumë punë, përpjekje e gjak dhe me vuajtje brezash. Por, falë atij shteti sado të vogël e të brishtë shpresat e shqiptarëve nuk u zhdukën kurrë, por u rritën duke na dhënë kurajë, për të arritur qëllimin e duhur në krijimin e dy shteteve të pavarura shqiptare që çojnë kombin drejt bashkimit kombëtar”. Programi artistik u hap me grupin e valleve “Skënderbej”, i cili performoi nën tingujt e këngës “Jena gzu” nën drejtimin e balerinit profesionist, Klevis Tafaj. Qershia mbi tortë e këtij kërcimi ishte balerina më e re që iu shtua shoqatës, balerina profesioniste, Bianka Skënderi. Aktivitetin e përshëndeti përfaqësuesi i misionit të Shqipërisë në organizatën e Kombeve të Bashkuara, z Arian Spase. Z. Spase shprehu mirënjohje ndaj anëtarëve të shoqatës “Skënderbej” dhe kryetarit të saj, z. Imer Lacaj. Z. Spase tha se përulej me respekt përpara punës që shoqata bën për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjithashtu tha se Shqipëria ka hyrë në rrugë të mbarë mbase nuk është aq e përsosur sa ne do donim, ka disa gjëra që na bëjnë skeptikë, por është vendi ynë, është dashuria jonë e parë dhe unë besoj se shumë shpejt do të bëhet më mirë”. Aktivitetin e përshëndeti edhe ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, pishtar i demokracisë dhe kryetar i shoqatës “Besëlidhja Grorare dhe president i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Bullgari z. Koçi Tahiri. Z. Tahiri uroi gëzuar festat dhe u shpreh se ndihej shumë i nderuar dhe i privilegjuar në të njëjtën kohë që merrte pjesë në këtë eveniment kaq të mirë e të dashur, me një pjesëmarrje kaq të ëmbël dhe në radhë të parë falënderoi kryetarin e shoqatës z. Imer Lacaj, anëtarët e shoqatës dhe në të njëjtën kohë të gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen. I ftuar nderi ishte edhe avokati i përkushtuar i komunitetit shqiptar, z. Ylli Cekani. Kori i shoqatës “Skënderbej” vjen me kolazhin “Valle me motive të ndryshme shqiptare” dhe padyshim pjesa më e bukur ishte kur fëmijët e rritur në USA qëndisën e puthën dhe u përulën para flamurit më të bukur në botë, flamurit kuqezi. Znj. Alketa Veshi falënderoi znj. Adelina Lacaj për punën e palodhur për përgatitjen e këtij kolazhi dhe theksoi se Adelina Lacaj është një burim i pashtershëm energjie pozitive. Ajo falënderoi gjithashtu edhe znj. Gela Bulku për përgatitjen e fëmijëve. Për t’i dhënë larmishmëri këtij aktiviteti u recituan dy poezi një nga z. Baudin Sela, aktivist i komunitetit shqiptar për gati 40 vite dhe një nga pjesëtari i grupit artistik “Skënderbej” nxënësi Kelvin Rustani me vargje nga poema “Bagëti e Bujqësi”. Festa vijoi me këngë të kënduara nga këngëtarët: Dionis Delia dhe Argjend Lloga të cilët dhuruan një atmosferë tepër festive me këngë e valle. Gëzuar 111-vjetorin e Pavarësisë Shqipëria jonë e dashur dhe festofsh përvjetorë në përjetësi!

+6

Filed Under: Kronike

Mbahet Forumi i Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri

November 27, 2023 by s p

Në prag të festës së madhe të flamurit kombëtar, një ditë para 28 Nëntorit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri me temë “Mundësitë e bashkëpunimit rajonal Kosovë-Shqipëri”, një organizim i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që u mbajt në ambientet e Pallatit të Kulturës, në komunën e Gjakovës.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti, cilësoi se është shumë domethënës fakti që kjo konferencë po mbahet në Gjakovë, dhe pikërisht një ditë para 28 Nëntorit, datës së kurorëzimit të rrugëtimit kah shtetimi i shqiptarëve.

“I gjithë bashkëpunimi i dy shteteve tona duhet të udhëhiqet nga ideja e lehtësimit të jetës së qytetarëve, deri të ndjesia e të jetuarit në të njëjtin vend, në të njëjtat vlera, nën të njëjtat ligje dhe rregulla, pa pengesa dhe pa ndryshime të cilat vështirësojnë ose ngadalësojnë komunikimin dhe veprimtaritë e përditshme të tyre”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti, gjatë pjesëmarrjes së tij në këtë Forum, prezantoi të arriturat gjatë këtyre dy viteve e gjysmë midis dy qeverive, të dy republikave asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke treguar se janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje të reja, ose gati 1/3 e të gjitha marrëveshjeve, me ritëm gati 4 herë më të shpejtë se gjatë gjithë viteve të mëparshme, nga 184 marrëveshje sa ishin gjithsej. Po ashtu ai shtoi se marrëveshjet e arritura dhe në realizim e sipër e korrigjojnë të kaluarën izoluese dhe hapin mundësi e shanse të reja për ndërmarrësit, për studentët, për qytetarët si prodhues e si konsumatorë.

Në mesin e marrëveshjeve theksoi atë të për lidhjen hekurudhore Prishtinë-Durrës, të cilën e konsideroi si marrëveshje dhe projekt madhor.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është infrastrukturë për t’ju ndihmuar e nuk ka datë më të mirë sesa festat e nëntorit, sesa 28 Nëntori i nesërm, që të bëjnë bilancet e të arriturave dhe teksa kujtojnë ata që sakrifikuan për vendin e tyre.

Gjatë kësaj ngjarje, ai u shpreh se lehtësimi i tregtisë, heqja e barrierave tregtare dhe promovimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, janë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të përbashkët ekonomik. Këtu ai veçoi hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe në Porto – Romano, përmes së cilave Kosova ka arritur të ketë qasje në det.

“Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën duke u ardhur në ndihmë drejtpërdrejt bizneseve që tashmë i kanë kursyer 9 milionë euro. Dhe në bazë të shënimeve të fundit 30 për qind e mallrave të cilat vijnë në Durrës e kanë për destinim Kosovën”, u shpreh kryeministri, para se të shtoj se investimet nga Shqipëria në Kosovë në vitin 2022 kanë arritur vlerën prej gati 80 milionë nga mbi 15 milionë sa ishin në vitin 2019, deri sa fliste për rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet dy republikave.

Në fund të fjalës së tij, ai i urojë të gjithëve Urime 28 Nëntorin.

Të pranishëm përkrah kryeministrit në këtë Forum, ishin ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, këshilltarja nga ambasada e Shqipërisë, Pranvera Teli si dhe zëvendësministrat Ali Tafarshiku, nga ministria e Zhvillimit Rajonal, dhe Agron Dobruna nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Filed Under: Rajon

ORGANIZATA KOMBËTARE LËVIZJA E LEGALITETIT FESTON 80 VJETORIN E KRIJIMIT DHE DITEN E FLAMURIT

November 27, 2023 by s p

LEONORA LAÇI/

Nju York-Shpesh më ndodh që harroj largësinë fizike me Shqipërinë, sepse Nju Yorku është një Shqipëri në miniaturë. Nentori i pavarësisë ku i bënë bashkë shqiptarët e Amerikës gelon nga një cep në tjetrin duke festuar dhe perkujtuar këtë ditë të shenjtë.

Por sot ishin dy festa në një ditë, ishte 80-vjetori i krijimit te Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit dhe pavarësia qe u festua në ambientet e restorantit me pronarët z.Hakik Mena dhe z.Ahmet Hoti me emrin ” Via Garibaldi”, një restorant elegant i gjetur në zemër të Ëhite Plains, Yonkers, Nju York.

Në aktivitete të tilla ka takim brezash, breza që mbajnë mbi shpatulla historinë dhe breza që do e shkruajnë atë histori që ato të tjerët e kanë përjetuar. Takimet me miqt e kolonel Xhemal Laçit dhe rikthehemi pas në kohë, lala Ndrec Gjergji dhe z.Zef Berisha më tregojnë çdo herë e më tepër se kush ishte koloneli, dhe sa më shumë flasin për të aq më shumë më shtohet krenaria, kjo krenari dyfishohet kur kuptoj se kam fatin t’i njoh për së afërmi këto miq të tijt si dëshmi të gjalla historike.

Fillimisht në këtë aktivitet u mbajt 1 minut heshtje për ndarjen nga jeta të znj. Sheqere Mulosmanaj, nusja e Hysen Mulosmanaj dhe Uke Gjonbalajt.

Aktiviteti vijoi me kengë patriotike e përfundoi me përshendetjet dhe urimet nga të pranishmit dhe si qershia mbi tortë u këndua himni kombëtar.

Aktiviteti u përshendet nga pjesëtare të Federatës Panshqiptare Vatra si Kryetari i Nderit z.Agim Rexhaj dhe z.Asllan Bushati, u pershendet nga legalistet si z.Ndrec Gjergji, nipi i Fuad Myftise , z.Ahmet Hoti, z.Hakik Mena, z. Ilir Seci, po ashtu dhe nga z.Agim Alickaj lobist i çështjes kombëtare, kengëtari Faik Pemaj këndoi dy vargje kushtuar ditës së flamurit, ndërsa poeti Halil Tetaj recitoi ca vargje patriotike kushtuar trojeve shqiptare, fjala iu dha dhe Sekretarit të Pergjithshëm të Legalitetit z.Lurian Mena si dhe u përcoll përshendetja e Kryetarit të Partisë së Levizjes së Legalitetit z.Shpetim Axhami, citoi” Miq të nderuar të komunitetit shqiptar të tre shteteve. NY,NJ dhe CT e kudo ku ju jetoni. Kam nderin dhe kënaqësinë Time personale dhe në emër të gjithë legalistëve të ju uroj Gëzuar festën tonë kombëtare Ditën e Shpalljes të Pavarësisë dhe njëkohësisht ditën e rëndësishme historik atë krijimit të OKLL nga patriotë nacionalistë, kjo nëpërmjet heroit të rezistencëa antifashiste me 9 Prill 1939, gjeneral Abaz KUPIT. Gjithashtu gjej rastin të përshëndes dhe të falenderoj miqt tanë me banim në SHBA, drejtues të lartë dhe përfaqësues të Partisë Lëvizja e Legalitetit në këtë shtet mik dhe aleat shekulloeë tonin që në kohën e Mbretit Zog, për këtë bashkim festiv tuajin në restorantin :

Via Garibaldi, 1N Broadway, White Plains, NY 10601.

Ju bashkëkombas tanë larguar nga Atdheu ynë prej diktaturës komuniste e më vonë për një jetë më të mirë tuajën dhe familjebe tuaja, kjo pas pluralizmit në Shqipëri, duke u nisur edhe nga ajo që qeverisjet këtu në vazhdimësi nuk ju afruan, mbeteni vlerë e shqiptarizmit dhe e përfaqësimit të Shqipërisë atje ku sot ju jetoni.

Sot del detyrë dhe borxh i klasës politike këtu në Shqipëri që ju të shprehni të drejtën e votës nga aty ku jetoni dhe të keni përfaqësuesit tuaj të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe në çdo institucion kushtetues të shtetit tonë që mendojmë dhe besojmë se një ditë të shpejtë të bëhet ashtu si e meritojmë.”-përfundon ai.

Ne kaq larg atdheut kemi ndjeshmërinë ndaj gjithçkaje që ndodh me Shqipërinë tonë dhe trojet tona etnike dhe dita e flamurit është dita ku ne reflektojmë dhe mendojmë se si duhet të veprojmë që dashuria për atdheun, gjuhen shqipe, traditat, zakonet mos të shuhet.

Kështu i bëjmë nder kombit dhe vehtës.

Kështu bëhemi shembulli i duhur sesi punohet për atdhe. Sikur secili të bëj individualisht pjesën e tij, e pastaj ne grupe se bashku te unifikojmë zërin për gjëra dhe më të mëdha. Një diasporë e bashkuar është edhe më e fortë.

Filed Under: Komunitet

Në shtëpinë-muze të patriotëve Marigo e Jovan Posio

November 27, 2023 by s p

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj/

Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, ndaluam në fshatin Hoçisht të Devollit, ku vizituam shtëpinë – muze të atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posio. Shtëpia – muze e rindërtuar me shumë mund e sakrificë nga pasardhësja e familjes Posio, znj. Violeta Pojani dhe bashkëshorti i saj z. Bardhyl Lubonja kishte ruajtur origjinalitetin e shtëpisë së vjetër të kësaj familjeje. Që në momentin e parë që pamë shtëpinë nga jashtë, mbetëm të impresionuar nga madhështia e saj, arkitektura autentike dhe dekorimi me simbole kombëtare. Flamuri kuqezi valëvitej krenar në ballë të shtëpisë së “vajzës së flamurëve”, Marigosë, asaj që qëndisi me duart e saj të arta simbolin tonë kombëtar.

   Marigo Posio lindi në Korçë, më 2 shkurt 1882, në një familje me origjinë voskopojare.

Ajo ishte bija e Papa Kosta Poçit dhe Lenka Ballaurit. Familja e saj kishte lidhje farefisnie me shumë atdhetarë të shquar korçarë. Që në vegjëli u brumos me dashuri për gjuhën shqipe dhe atdheun. Marigoja ishte vajza e 27-të e regjistruar në shkollën e parë të vashave në Korçë e për mësuese kishte atdhetaren e shquar Sevasti Qiriazi. Në moshë të re u martua me Jovan Posion nga fshati Hoçisht i Devollit, me të cilin pati katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë. 

Rreth vitit 1904, së bashku me bashkëshortin e saj, u detyrua që të largohej drejt Vlorës, pas përndjekjeve të shovinistëve grekë dhe reaksionit turk. 

   Marigoja, si simbol i qëndistares së flamurit, është mjaft e njohur, por në fakt ajo është një figurë shumëdimensionale. Ajo ka qenë veprimtare e shquar e çështjes kombëtare, aktiviteti i së cilës është shtrirë në dy periudha historike me rëndësi të veçantë për vendin tonë, atë të Rilindjes dhe  atë të Pavarësisë. Kjo grua intelektuale, me horizont të gjerë e kulturë, me ide iluministe, që ia kushtoi jetën lirisë dhe flamurit, punoi pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe, përparimin e Shqipërisë si dhe emancipimin e gruas shqiptare. Roli i saj në shtypin e kohës, si drejtuese e gazetës “Shpresa Shqiptare”, ishte shumë domethënës. Artikujt e saj do t’i shkruante me pseudonimet “Sapi” dhe “Shqiponja”. Ajo mbronte idenë se hapja e shkollave në gjuhën shqipe, do të shërbente si ndritje e mendjes së shqiptarëve dhe do t’iu zgjonte atyre ndërgjegjen kombëtare. Kjo patriote e flaktë ishte nga të paktat gra që do të aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës. Marigo Posio mori pjesë në Komitetin e Parë, që u formua në Vlorë për shpëtimin e atdheut, të cilin e ndihmoi dhe  me të holla. Ajo e njihte mirë letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Marigoja shumë shpejt u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare. Mes plaçkave që solli nga Korça do të ishte edhe  një flamur i qëndisur me dorën e saj. Ajo i këshillonte vajzat vlonjate, që në pajën e tyre të kishin patjetër një flamur, me shkabën dykrenare. Nga Vlora ajo do të ndiqte me vëmendje veprimet e çetave patriotike kundër forcave osmane, greke dhe serbomalazeze. Me krijimin e klubit “Labëria” në vitin 1908, Marigoja u aktivizua në rolin e këshilltares. 

   Duke vizituar shtëpinë -muze u njohëm me fakte të reja, dokumenta me rëndësi historike, fotografi të vjetra, objekte të përdoruara nga familja Posio si dhe me pemën gjenealogjike të familjes. Vlen për t’u përmendur se kjo shtëpi nuk do të ishte shndërruar në muze pa ndihmesën e çmuar të studiuesit dhe historianit z. Niko Kotherja . Falë përkujdesjes së tij dhe punës së palodhur shtëpia- muze e atdhetarëve Marigo e Jovan Posio është perfeksionuar e pajisur me materialin e posaçëm historik. 

   Biseda jonë me znj. Violeta do të vazhdonte dhe pas shtrimit të një dreke tradicionale me gatime të zonës së Devollit. Ajo na foli rreth përkushtimit të familjes Posio lidhur me lëvizjen për çlirim kombëtar. E gjithë familja iu përkushtua kësaj lëvizjeje duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë monetare në shërbim të atdheut,  përparimit të kombit, zhvillimit të kulturës e arsimit. Shtëpia e çiftit Posio ka pritur e përcjellë patriotë nga të katër anët e atdheut. Jovani, bashkëshorti i Marigosë mori pjesë në veprimtari të shumta patriotike për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndjenjën e atdhedashurisë. Ai ishte gjithashtu mbështetës i flaktë i arsimimit të popullit nëpërmjet shkollave shqipe, duke kundërshtuar me fanatizëm hapjen e shkollave greke në jug të Shqipërisë. Gjithashtu ai financonte sipas mundësive disa prej gazetave përparimtare të kohës dhe shkollën shqipe të Korçës. Shpërndante libra e gazeta shqip. Në qytetin e Vlorës, ai u bë anëtar i klubit “Labëria”.

   Marigoja e Jovani i kishin brumosur fëmijët e tyre me ndjenja të larta patriotike. Evridhiqi, vajza e madhe e Marigosë, e studiuar jashtë Shqipërisë, ishte pjesë e orkestrinës së klubit “Labëria”, ku këndonte me mandolinë kënget shqipe. Zëri i saj melodioz dëgjohej edhe në kishën katolike të Vlorës, të drejtuar nga Dom Mark Vasa teksa këndonte në gjuhën amtare. Vajza tjetër Fereniqi do të ishte krahu i djathtë i së ëmës duke e ndihmuar atë në rolin e redaktores së gazetës “Shpresa Kombëtare”. Ajo do të luante një rol shumë të rëndësishëm me anë të shkrimeve së saj për emancipimin e femrës shqiptare. Edhe i biri Vasoja, muzikant i studiuar në SHBA do të dallohej si atdhedashës, që kontibuonte për kombin në rrugë të ndryshme, si me të holla ashtu dhe me anë të kapacitetit të tij intelektual. Në moshë fare të re ai mori pjesë në dramën historike “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos.

   Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes do të kurorëzohej me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës. Lufta e pandalshme e popullit shqiptar dhe përpjekjet e njëpasnjëshme të patriotëve, arriti kulmin pikërisht në këtë moment, kur Shqipëria fitoi mëvetësinë nga pushtuesi shekullor osman dhe u bëri fakt të kryer fqinjëve grabitqarë që kishin shkelur kudo mbi territoret shqiptare me dhunë e terror. Pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë dhe firmosjes së Deklaratës nga përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare, kulmoi me ngritjen e flamurit kombëtar mes brohorimave dhe euforisë së popullit shqiptar. 

Prezenca e flamurit ishte pikërisht meritë e punës dhe  përkujdesit të patriotes Marigo Posio. Përgjatë muajit nëntor, shtëpia e Posiove, ishte kthyer në një punishte për stamposjen e flamujve kombëtarë. Ajo, së bashku me Petro Fotografin dhe Thanas Floqin, përgatiti me qindra flamuj për ditën e pavarësisë kombëtare. Thuhet se ajo ka qenë e pranishme edhe në ngritjen e flamurit dhe e ka parë me sytë e saj firmosjen e dokumentit të shpalljes së pavarësisë. 

…………………………………..  https://konica.al/wp-content/uploads/2022/08/89398996_1376599585868913_8892870691360079872_n.jpg                     

   Megjithatë, nga sa thamë më sipër, kontributi i Marigosë qëndron përtej qëndisjes së flamurit kombëtar. Më 1914-ën, ajo u vu në krye të përpjekjeve për të ndihmuar muhaxhirët çame të dëbuar nga vatra e tyre nga shovinistët grekë. Më 1920-ën ngriti zërin në mbrojtje të Avni Rustemit. Në vitin 1924, së bashku me të shoqin, Jovan Posio mbështetën me të gjitha forcat e tyre  Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin. Dhe këto nuk do të ishin angazhimet e saj të fundit. 

   Megjithatë sëmundja e tuberkulozit që e preku në vitin 1924 dhe vdekja e  fëmijëvë të saj nga po kjo sëmundje ia ndalën  hovin për t’i shërbyer interesit kombëtar deri në fund.Në vitet e fundit të jetës Marigoja jetoi  në Tiranë, pranë motrës së saj, Uranisë, e cila ishte martuar me patriotin e shquar Kristo Floqi. Në gjendje të mjeruar, Marigo Posio vdiq më 23 gusht 1932 dhe u varros në Manastirin e Zvërnecit.   

Marigo Posio është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Lirisë së Klasit të Dytë”, më 7 mars 1960 dhe  nga ish-Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Rexhep Mejdani me “Urdhrin e Flamurit” më 15 prill 2002. 

Znj Violeta Pojani fliste plot pasion për portretin e çiftit Posio, duke dhënë një shembull të shkëlqyer në përjetësimin e jetës dhe veprës së paraardhësve të saj atdhetarë, që sakrifikuan çdo gjë për Shqipërinë. Në çdo përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ajo do të kujtohet ndër breza me respekt e dashuri. Kujtimi i familjes Posio qoftë i përjetshëm! 

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe  Zef Ujkaj

Filed Under: Reportazh Tagged With: Helena Lubonja Ujkaj, Zef Ujkaj

Shpallja e Pavarësisë dhe njohja e shtetit shqiptar

November 27, 2023 by s p

Prof.As.Dr. Edit Bregu/

Shumë kohë përpara se të nisnin Luftërat Ballkanike ishte bërë e qartë se ditëve të Perandorisë Osmane në Ballkan po u vinte fundi pashmangshmërisht. Për këtë fund dha kontributin e vet dhe politika shtrënguese e centralizimit dhe osmanizmit e ndjekur nga xhonturqit. Ky do të rezultonte të ishte një osmanizëm i ri i cili në fakt, do ndryshonte vetëm fytyrën sepse në thelb do ruante dhe më me fanatizëm atë të mëparshmin. Krahas popujve ballkanikë dhe vetë Fuqitë e Mëdha filluan ta konsideronin të shpejtë ditën e shembjes së Perandorisë. Rusia ishte padiskutim njëra prej tyre. Politika e Rusisë u bë e qartë në fillim të vitit 1912, kur ndërmjet shteteve ballkanikë u lidhën një varg traktate aleancash kundër Turqisë.(Më 29 shkurt-13 mars 1912, Traktati i Aleancës Serbi-Bullgari. Më 16-29 maj 1912, Traktati i Aleancës Bullgari-Greqi. Më shtator – fillim të tetorit 1912,Traktati Serbi-Mali i Zi, i cili plotësoi kështu hartën e Aleancës së shteteve ballkanike kundër Turqisë). Në këtë vorbull kompromisesh mungonte vetëm Shqipëria, pasi ajo ende nuk kishte arritur të krijonte një shtet solid të pavarur dhe vetvendosës për fatet e veta, i cili do të shpaloste kërkesat kombëtare. Këtu nuk duhen harruar dhe interesat e fqinjëve tanë të cilët përmes luftërave që priteshin të nisnin për pavarësi nga Turqia synonin të realizonin ëndrrat disa shekullore për aneksimin e trojeve shqiptare. Pse filloi Lufta Ballkanike? Shkaqet që mund të rendisim janë të shumta por e përgjithshmja është se Perandorisë Osmane në Ballkan po i vinte fundi në çdo aspekt, politik, ekonomik,  shoqëror etj. Krahas kësaj shtetet ballkanike po intensifikonin përpjekjet për bashkimin me kufirin ekzistues (shtetet që e kishin fituar pavarësinë vite më parë), të territoreve dhe popullsive ballkanike që ndodheshin ende në Perandorinë Osmane. Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Kjo datë merret si fillim i Luftës Parë  Ballkanike. Më 3 dhjetor 1912, si rezultat i përparimit të trupave të ushtrive të shteteve ballkanike, Turqia kërkoi armëpushim me aleatët ballkanikë. Lufta Ballkanike megjithëse filloi për çlirimin e popujve të Ballkanit nga Perandoria Osmane, degjeneroi edhe vetë në luftë pushtuese. Ushtritë serbe, malazeze dhe greke hynë në Shqipëri dhe synuan territore të saj.  Kjo situatë gjeneroi nevojën për ndryshimin e qëndrimit të shqipëtarëve, nga kërkesa për autonomi duhej kaluar në kërkesë të pakompromis për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kryengritjet e vitit 1910, 1911, 1912 ku spikatën figura si Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe Bajram Curri sollën përshkallëzim të  luftës së armatosur si dhe një ringjallje të kulturës kombëtare dhe veprimtarisë diplomatike të patriotëve shqiptarë. Çetat e armatosura të Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Spiro Ballkamenit etj., në jug të vendit luftonin kundër turqve. Për çështjen e alfabetit u mbajt Kongresi i Manastirit, u hapën shkolla në gjuhën shqipe, ndërsa jashtë viseve shqiptare u botuan një varg gazetash, revistash dhe u krijuan klubet kulturore e shoqëritë patriotike shqiptare. E gjithë kjo situate e krijuar u shoqërua me veprimtarinë diplomatike që  patriotët shqiptarë kryenin pranë Fuqive të Mëdha. Në themel të gjithë kësaj veprimtarie patriotike mbizotëron kërkesa për AUTONOMI të Shqipërisë. Në mbështetje të kësaj kërkese u thirrën disa kuvende brenda vendit si psh: Kuvendi i Gërçës në Malësinë e Mbishkodrës në qershor 1911, Kuvendi i  Sinjës në korrik 1912, Kuvendi i Vlorës në gusht 1912. Si rezultat i këtyre përpjekjeve lëvizja patriotike shqiptare u unifikua nga Veriu në Jug ku u përpoq të parashtronte kërkesat e shqipëtarëve përballë Perandorisë Osmane  si dhe Fuqive të Mëdha. Fillimi i luftës së shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane e vuri lëvizjen Kombëtare shqiptare përballë detyrës së ripoziocionimit dhe ripërcaktimit të qëndrimit të saj si dhe rrezikut më të ri dhe njëkohësisht më emergjent që po shfaqej: fqinjët ballkanikë. Për shqiptarët kjo situatë u bë e papërballueshme. Së pari këto marshime të forcave ushtarake ballkanike u shoqëruan dhe me veprime terroriste dhe gjakatare kundër popullsisë shqiptare. Së dyti, u konstatua qartë se me rënen e Perandorisë Osmane do aneksoheshin dhe viset shqiptare duke u konsideruar pjesë e saj. Rrethet atdhetare brenda dhe jashtë vendit në përgjithësi u shprehën kundër luftës ballkanike sepse interesat e të dyjave palëve ndërluftuese binin ndesh me interesat dhe të ardhmen e kombit shqiptar. Ndërkohë Perandoria Osmane po shkonte drejt humbjes së sigurt të territoreve në Ballkan. Si rrjedhim ajo nuk ishte më e aftë të mbronte shqiptarët. Në këtë situate u formësua dhe u konsolidua vendimi për shkëputjen e Shqipërisë nga Stambolli dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kohë krize për Shqipërinë dhe shqipëtarët spikat zgjuarsia dhe vizioni politik i Ismail Qemalit, si një patriot dhe atdhetar. Veprimtaria diplomatike e tij në mbrojtje të Çështjes shqiptare është shumë e gjerë. Nga fundi i tetorit të vitit 1912-të, Ismail Qemali udhëtoi në Bukuresht ku më 5 nëntor 1912-të u organizua një mbledhje e rëndësishme historike për cështjen shqiptare, më pas në Vjenë në nëntor të vitit 1912-të. Në këto takime Ismail Qemali shprehu kërkesën për pavarësi të Shqipërisë dhe kërkoi mbështetjen e qeverive të tyre për këtë pavarësi. Këto qëndrime pasqyrohen në deklaratën që ai lëshon në momentin e nisjes me anijen “Bryn”, ku pasi pyetet se cfarë do të ndodhë pas mbërritjes së tij në Shqipëri ai shprehet: “Shpalljen e pavarësisë së atdheut tonë. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer…Jemi ne që filluam luftën kundër qeverisjes së keqe të turqve të rinj, duke pushtuar këtë verë Shkupin, kemi qenë ne, që kemi bërë luftëra të vashdueshme për vite e vite dhe është e drejta që aspiratat tona të konkretizohen në realitet”. Me mendimin dhe shpresën se balanca nga këto takime ishte inkurajuese dhe premtuese për mbështetje, Ismail Qemali më 21 nëntor 1912-të mbërrin në Shqipëri. Ideja e shpalljes së pavarësisë gjeti përkrahjen e plotë të popullit shqiptar. Qytetet shqiptare si Elbasani, Tirana, Durrësi, Kavaja, Peqini, Lushnja shpallën pavarësinë duke ngritur flamurin shqiptar. Më 28 nëntor 1912-të, u zhvillua mbledhja historike e Kuvendit Kombëtar, që zgjati deri më 7 dhjetor 1912-të. Aty morën pjesë 75 delegatë nga të gjitha territoret shqiptare (që nga Kosova e deri në Çamëri). Kuvendi zgjodhi njëzëri si kryetar të Kuvendit I. Qemalin. “Me këtë qëllim Z. etij Ismail Beu  u nis nga Stambolli,e , mbasi që u muar vesh edhe me shqiptarët e Bukureshtit, u nis e vajti për në Vjenë, ku nisi marrëveshjet e tia me Mbretëri të Mëdha që kanë interesa më të gjalla në punët e Ballkanit, pasi më nuk mbetej as ndonjë shpresë për ta shpëtuar Shqipërinë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Këtë mendime qëllim e buri përpara Ismail Beu, mendim e qëllim që u pranua me simpathi nga të gjitha qeveritë e Mëdha e sidomos nga Austria dhe Italia. Vetë Rusia mund të mbahet pak si e ftohtë nga shkaku I sllavëvet, por edhe ajo nuk e mohon Shqipërinë e Kombin Shqiptar”. 

Kuvendi i Vlorës pas diskutimesh në lidhje me gjendjen e krijuar vendosi që:”Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria me sot të bahet në vehte e lirë e mosvarme”.

Këtë vendim e nënshkruan të gjithë delegatët e pranishëm. U krijua qeveria e shtetit shqiptar. Kryetar i qeverisë së përkohshme u zgjodh I. Qemali. Në qeveri, I. Qemali ishte dhe ministër i Punëve të Jashtme ad interim. Krahas të tjerash u vendos për dërgimin e një delegacioni pranë Fuqive të Mëdha për të mbrojtur çështjen shqiptare. Pas shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali ndërmori disa hapa  diplomatikë. Më 29 Nëntor Ismail Qemali njoftoi Fuqitë e Mëdha, Portën e Lartë dhe shtetet fqinje për ndryshimin e ndodhur në Shqipëri, për njohjen ndërkombëtare të shkëputjes së plotë nga Turqia, njohjen e shtetit të ri shqiptar dhe të qeverisë së parë kombëtare. Në një telegram të Ismail Qemalit drejtuar ministrave të punëve të jashtme të Malit të Zi, Sebisë, Bullgarisë dhe Greqisë, me anën e të cilit ai njofton për shpalljen e pavaësisë së Shipërisë krahas të tjerave thuhet: “Shqipëtarët gëzohen që mundën të hyjnë në familjen e popujve të lirë të orientit e, duke mos patur qëllim tjetër vecse të jetojë në paqe me të gjitha shtetet fqinje…” . Në këto telegrame, përfaqësuesit e Shqipërisë deklaruan pozitën asnjanëse të Shqipërisë në konfliktin Turko-ballkanik. Qeveria e përkohshme e Vlorës  filloi punën në një situatë tepër të vështirë politike megjithatë ajo punoi për unitetin territorial dhe bashkimin kombëtar në një kohë kur Evropa ishte shumë e ndjeshme ndaj përçarjes dhe konflikteve të brendshme në Shqipëri. Fillimisht në shtetin shqiptar përfshihej vetëm trekëndëshi Vlorë-Berat-Lushnjë, për shkak se viset e tjera veriore dhe jugore shqiptare ishin pushtuar nga trupat serbe, malazeze dhe greke. Kjo gjendje shteronte një pjesë të madhe të energjisë së Qeverisë së Përkohshme Shqiptare. Në një telegram drejtuar kryeministrit grek Venizellos me 4 dhjetor 1912-të Ismail Qemali kërkonte që :të mereshin masa për t`iu dhënë fund këtyre veprimeve luftarake të padrejta dhe pa arsye”.Shqiptarët kishin tshmë shtetin e tyre i cili ishte deklaruar asnjëanës. “Asnjëanësia ishte zgjidhja më e arsyeshme  dhe më e mundhsme në rrethanat e asaj kohe”.Shumë pak kohë pasi erdhi në pushtet, qeveria e I. Qemalit u ballafaqua edhe me tendenca e lëvizje separatiste, siç ishte ajo e Esat Toptanit në Shqipërinë  e Mesme. Esat Toptani i cili ishte zgjedhur ministër i brendshëm, u tërhoq nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe më 12 tetor 1913 formoi “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme” dhe filloi luftën për pushtet kundër qeverisë kombëtare. Ai shkëputi territorin ku shtrihej ndikimi i tij nga administrimi i Qeverisë dhe vendosi sundimin e tij personal. Ky hap i tij dëmtoi rrjedhat normale të ecurisë së shtetit të ri shqiptar. Disa ditë pasi Perandoria Osmane kërkoi armëpushimin me aleatët ballkanikë (më 3 dhjetor 1912), ambasadorët e gjashtë Fuqive të Mëdha, Anglisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Rusisë, u mblodhën në një konferencë ndërkombëtare në Londër. Konferenca e Ambasadorëve në Londër kryesohej nga Ministri i Jashtëm Britanik, Sër Eduard Grei dhe zgjati nga 17 dhjetori 1912 deri më 11 gusht 1913. Qëllimi i saj ishte t’i jepte zgjidhje të gjitha problemeve që lindën në Ballkan pas luftës së shteteve ballkanike kundër Turqisë. Çështja shqiptare u shndërrua shumë shpejt në çështjen kryesore të Konferencës. Konferenca krahas vendimeve krijoi dhe organizma të posaçme për realizimin e vendimeve që u morën lidhur me të ardhmen e Shqipërisë. Paralel me konferencën e Londrës zhvillonte punimet dhe një konferencë tjetër, ajo e palëve ndërluftuese në luftën Ballkanike, dmth e aleatëve ballkanas dhe e Turqisë. Por fjalën e fundit do ta thoshte konferenca e ambasadorëve. Në Konferencën e Londrës, çështja shqiptare u shtrua për diskutim që ditën e parë të saj.  Konferenca trajtoi tri momente të rëndësishme të çështjes shqiptare: Statusi i Shqipërisë, Organizimi i Shtetit shqiptar, Caktimi i kufijve. Për problemin e Statusit të Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha që në fillim vendosën të njihnin parimin e “autonomisë shqiptare”. Shqipëria pranohej si shtet, por nën vasalitetin ose suzerenitetin (jo më principatë, por shtet  i varur nga Porta) e Sulltanit. Autonomia është një qeverisje e brendshme, kurse pavarësia përveç qeverisjes së brendshme ka edhe një element të jashtëm: të drejtën e shtetit për të dalë më vete në marrëdhëniet ndërkombëtare, pa kurfarë vartësie. Statusi i autonomisë, ishte një qëndrim më i avancuar i Fuqive të Mëdha Vendimi për autonominë ishte dhe një pengesë për planet e vendeve fqinje që synonin tokat shqiptare. Njëkohësisht statusi i autonomisë ishte më pak se statusi i pavarësisë së Shqipërisë, që kishte vendosur Kuvendi i Vlorës. Në pranverë të vitit 1913, qëndrimi i Austro-Hungarisë avancoi nga autonomi – në pavarësi të Shqipërisë. Vjena dhe Roma ishin të interesuara për të mos lejuar një mbizotërim të influencës sllave në Ballkan. Në kushtet kur Rusia synonte të rriste ndikimin në vendet e pavarura sllave në Ballkan, Shqipëria merrte për Austro-Hungarinë një rëndësi të veçantë për ruajtjen e ndikimit austrohungarez në gadishull. Edhe Italia ishte e interesuar që Greqia dhe Serbia të mos dilnin në Adriatik e në Korfuz duke aneksuar toka shqiptare. Për rrjedhojë, në pranverë 1913, Vjena arriti të sigurojë edhe përkrahjen e Italisë për pavarësinë e Shqipërisë. Më 8 maj 1913, Vjena dhe Roma i paraqitën Projektin e parë konferencës ku kërkonin të hiqej dorë nga autonomia dhe vasaliteti dhe të njihej shkëputja e plotë e Shqipërisë nga Turqia. Ambasadori Austro-Hungarez, Mensdorf, e argumentoi këtë qëndrim se situata luftarake kishte evoluar në dëm të Turqisë, ajo ishte tërhequr nga të gjitha frontet e luftës. Gjithashtu autonomia ishte dhe kundër dëshirës së shqiptarëve të shprehur në Kuvendin e Vlorës. Rusia. Kur u shtrua në rend të ditës të Konferencës së Londrës — pavarësia e Shqipërisë, ambasadori rus ishte i vetmi që vazhdonte të qëndronte me vendosmëri në qëndrimin e shtetit autonom për Shqipërinë. Ambasadori rus nuk dha miratim, ai priste miratimin për pavarësinë e Shqipërisë nga qeveria e tij. Në konferencën e përfaqësuesve të Turqisë dhe të shteteve ballkanike në Londër, u arrit marrëveshja e paqes. Më 30 maj 1913, u nënshkrua traktati i Paqes ndërmjet Turqisë (si shtet i mundur) me shtetet aleate ballkanike: Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas Traktatit, Turqia i lëshonte aleatëve ballkanikë “gjithë territoret e perandorisë… në kontinentin evropian në perëndim të vijës nga Enos në detin e Zi me përjashtim të Shqipërisë”. Çështjen e “kufijve të Shqipërisë, si dhe çdo çështje tjetër që ka të bëjë me Shqipërinë, lihej në dorë të Fuqive të Mëdha”. Kjo do të thoshte se Turqia hiqte dorë nga të drejtat sovrane mbi Shqipërisë, kurse shtetet ballkanike hiqnin dorë zyrtarisht nga pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Më 15 korrik 1913, Vjena dhe Roma paraqitën “projektin” e dytë për Shqipërinë. Më 29 korrik 1913, Konferenca e Londrës miratoi Propozimin e paraqitur nga Vjena dhe Roma, i cili në nenin e parë përsëriste formulën e autonomisë se “Shqipëria formohet si një principatë autonome”, kurse në nenin e dytë përjashtonte shprehimisht “çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë”, pra shtrohej në tryezë pavarësia e Shqipërisë. Më 29 korrik 1913 Fuqitë e Mëdha hodhën hapin vendimtar për pavarësinë e Shqipërisë. Sipas këtij vendimi, Shqipëria sanksionohej si “Principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme”; përjashtohej “çdo lidhje suzereniteti e Shqipërisë me Turqinë” dhe Shqipëria bëhej shtet “asnjanës” dhe “nën garancinë e kontrollin” e Fuqive të Mëdha. Ky status i ri i Shqipërisë, edhe “i pavarur” edhe “nën një kontroll ndërkombëtar”, ka të bëjë si me statusin ende delikat të pavarësisë së Shqipërisë dhe të organizimit të shtetit shqiptar, ashtu dhe me rivalitetet e brendshme midis Fuqive të Mëdha për të frenuar ndikimin e njëra tjetrës mbi Shqipërinë. Më në fund edhe Rusia e pranoi këtë status të pavarësisë dhe të neutralitetit të Shqipërisë. Konferenca e Londrës nuk e njohu qeverinë e Vlorës si qeveri përfaqësuese e të gjithë Shqipërisë dhe si rezultat i natyrshëm i Lëvizjes kombëtare Shqiptare. Ndërhyrja e Fuqive të Mëdha në organizimin e shtetit, ishte një praktikë e njohur  me Greqinë, me Bullgarinë. Projekti që paraqiti Vjena dhe Roma në konferencën e Ambasadorëve për organizimin e shtetit shqiptar në mes të korrikut 1913, parashihte dhe kontrollin që do të ushtronin Fuqitë e Mëdha mbi administratën civile dhe financat e Shqipërisë. Ky kontroll do të ushtrohej nga një Komision i quajtur Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Komisioni do të përbëhej nga përfaqësues të 6 Fuqive dhe nga 1 delegat shqiptar. Ai do të përpunonte një Projekt të hollësishëm mbi organizimin e administratës civile. Gjithashtu rendi publik do të sigurohej nga një xhandarmëri që do të drejtohej nga oficerë të huaj; Në krye të Shqipërisë do të vihej një Princ, që do të caktohej brenda gjashtë muajve. Deri sa të caktohej princi, veprimtaria e të gjitha autoriteteve lokale ekzistuese (ku përfshihej dhe qeveria e Vlorës) që qeverisnin vendin përkohësisht dhe de facto do të kalonte nën kontrollin e Komisionit Ndërkombëtar. Funksionet kontrolluese të Komisionit mund të zgjasnin 10 vjet dhe mund të ripërtëriheshin. Pra, elementi vendas kishte një përfaqësim të zbetë në mekanizmat e reja shtetërore që krijuan Fuqitë e Mëdha për Shqipërinë. Ky Projekt për organizimin e shtetit shqiptar u miratua dhe nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Problemi i kufijve të Shqipërisë me shtetet fqinje u diskutua më gjatë në Konferencën e Londrës, nga dhjetori 1912 – maj 1913. Dy ishin kriteret ku u mbështet problemi i kufijve në Konferencë: kriteri “etnik” dhe  kriteri i së “drejtës së fituesit në luftë”. Austro-Hungaria ishte e interesuar për një Shqipëri me një shtrirje në drejtim të veriut dhe të verilindjes, për t’iu bërë barrierë ekspansionizmit sllav në Ballkan. Varianti i parë maksimal i projektit Austro-Hungarez për kufijtë e Shqipërisë u paraqit në dhjetor 1912  dhe përfshinte qytetet Peja, Prizreni, Gjakova, Dibra, Ohri dhe Janina. Projekti Rus ishte modeluar sipas kërkesave të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Projekti rus linte jashtë kufijve të Shqipërisë Kosovën, zonën e Dibrës dhe të  Çamërisë, por edhe Shkodra, Lezha, Kuksi, Pogradeci, Korça, Përmeti, Gjirokastra, Himara, Saranda dhe Delvina. Shteti shqiptar mbetej i gjymtuar. Më 3 janar 1913, edhe qeveria e Vlorës paraqiti një Memorandum për çështjen e kufijve të Shqipërisë, i cili mbështetej në kërkesa etnike. Memorandumin e paraqiti në Konferencën e Londrës Rasih Dino, diplomat në Paris, i porositur nga Ismail Qemali. Memorandumi jepte një varg statistikash për popullsinë shqiptare në viset shqiptare që nga Mitrovica e deri në Luras e Paramithi të Çamërisë. Por në variantin e Memorandumit shqiptar përfshiheshin disa territore të huaja jo shqiptare. Në fakt menjëherë pasi u bë e njohur që do të mblidhej Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Ismail Qemali mendoi ta drejtonte vetë delegacionin që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencë por kjo ide e tija hasi në kundërshtimin e Fuqive të Mëdha. Dy pengesat kryesore ishin: “ Së pari, Vjena dhe Roma nuk qenë dakort, e quajtën jo opportune”. “Së dyti, asnjë delegacion nuk mund të nisej për në Evropë, sepse forcat greke bllokonin bregdetin shqiptar deri në Durrës”. Ndërkohë, Serbia i paraqiti Konferencës së Londrës më 3 Janar 1913 një memorandum për pretendimet e saj territoriale. Për të justifikuar pretendimet e tyre territoriale, serbët paraqisnin “argumente” historike, etnografike, kulturore dhe morale. Çdo tërheqje e ushtrive nga territoret shqiptare paraqitej nga qeveritë përkatëse si “sakrificë”, pasi i konsideronin si toka të fituara me forcën e armëve. Memorandumi grek i 3 janarit 1913, pretendonte se qeveria greke kërkonte vetëm realizimin e “trashëgimit të vet kombëtar”. Edhe qeveria greke e konsideronte kërkesën e Fuqive të Mëdha për t’u tërhequr nga viset shqiptare të pushtuara si “lëshim”. Ajo kërkonte të shtrihej deri në jug të Portit të Vlorës, kapi gjithë bregdetin jugor dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë jugore Sarandën, Gjirokastrën dhe Korçën. Të gjithë këto territore të Shqipërisë së Jugut, Greqia i quante “Vorio Epir”. Këto pretendime i mbështeste në “argumente” strategjikë dhe ekonomikë, por edhe etnologjike dhe qytetërues. Feja ekuivalentohej me kombësinë dhe kështu rrisnin numrin e popullsisë greke në viset shqiptare të Jugut për të cilat pretendonin.  Këta kufij nuk i linin Shtetit të ri shqiptar asnjë shans për mbijetesë. Austro-Hungaria ishte e detyruar të tërhiqej përpara qëndrimit pothuajse unanim në Konferencë se konsideratat etnike vlejnë shumë pak në krahasim me ato të fitimtarit në luftë. Më 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër përfundoi diskutimet dhe mori vendim mbi vijën e kufirit verior dhe verilindor të Shqipërisë. Në kundërshtim me parimin e kombësisë dhe pa marrë parasysh vullnetin e popullsisë shqiptare, nga territori shqiptar u shkëputën krahina të tëra si Kosova, Rrafshi i Dukagjinit, dhe toka shqiptare të pjesës perëndimore të Maqedonisë. Popullsia e këtyre territoreve përbënte rreth gjysmën e popullsisë shqiptare dhe kalonte nga sundimi osman në atë serb e malazez. Për caktimin në terren të vijës kufitare jugore të Shqipërisë u caktua një Komision ndërkombëtar i posaçëm. Fuqitë e Mëdha të konferencës urdhëruan qeveritë serbe e malazeze të tërhiqnin ushtritë e tyre nga territoret e shtetit shqiptar të sapoformuar. Malazezët pas shumë ndërhyrjesh u tërhoqën nga Shkodra. Po kështu bënë edhe serbët. Pati vetëm një rast që u duk si një fije shprese për Ismail Qemalin në këtë periudhë. Duka Monpasie, i cili jo rastësisht kalon dhe ankorohet në brigjet shqiptare në atë moment të rëndësishëm për kauzën tonë. Natyrisht jo për interest e shqiptarëve, por se ishte një ndër figurat që kishin shpallur kandidaturën për fronin e Shqipërisë.”Kryetari i qeverisë së Vlorës e dinte mirë pozitën e tij, çështja e princit ishte në dorë të Fuqive. Qëllimi i tij ishte të shfrytëzonte rastin, të zinte vend në jahtin e Dukës dhe të dilte në Evropë”. Më 30 mars 1913, Ismail Qemali së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Buletinin ndërmorën rrugën për në Evropë me qëllim realizimin e përpjekjeve diplomatike në mbrojtje të çështjes shqiptare, që në fakt ishte bërë akoma më e vështirë se disa kohë më parë. Pa harruar faktin që Roma dhe Vjena e kishin shpalosur haptazi qëndrimin e tyre për këtë aksion diplomatik të Ismail Qemalit (“e quanin një ndërmarje të kotë”). Menjëherë pasi informohen për këtë nismë të re të Ismail Qemalit ato dalin me deklarata në shtypin e kohës ku bënin të ditur se nuk do të pranonin një kandidaturë të mundshme të Dukës francez për fronin e shqiptarëve. Krahas këtyre qëndrimeve Ismail Qemali nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij. Ai pati takime në Romë e më pas në Vjenë ku pas bisedës me Berchtoldin ku ai paraqet shqetësimet e tija në lidhje më trajtimin që po i bëhej çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës ai mori si shkëmbim idenë që shpëtimi i trojeve shqiptare nga copëtimi, tashmë mbase mund të quhej një kauzë e humbur. Aty nga fundi i prillit  së bashku me delegacionin shoqërues Ismail Qemali arrin në Londër, por sërish rezultati pritur nuk u arrit. “Të zhytur në një depression të thellë, – shkruan ai, – tek po e shikonin të ardhmen e vendit kaq të errësuar, e qetësonin veten me fjalët që na u thanë se na ishte dashur të bëheshim fli për interesat e përgjithshme të Evropës”.Më 11 gusht 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori vendim për kufijtë jugorë të Shqipërisë. Korça, rripi bregdetar deri në Ftelia t’i jepej Shqipërisë. Fati i Gjirokastrës dhe i disa zonave të tjera brenda vijës Korçë – Ftelia mbetej në duar të një Komisioni Ndërkombëtar për kufijtë e jugut, që do të krijohej për të caktuar vijën kufitare jugore në terren. Komisionit iu dha orientimi që të punonte duke u mbështetur në parimin e përzier “etniko-gjeografik”, si dhe elementin plotësues të gjuhës së folur në familje. Me vendimin e 11 gushtit 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër i mbylli punimet e saj. Konferenca e Ambasadorëve në Londër sanksionoi pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, por në të njëjtën kohë, me copëtimin e territoreve shqiptare e dëmtuan shtetin e ri ekonomikisht, politikisht e psikologjikisht. Që një aktor politik shtetëror të konkurronte atëkohë për rezultate në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet që të kishte një ushtri, forcë ekonomike, popullsi, territor e hapësirë të konsiderueshme në raport me të tjerët. Ismail Qemali nuk zotëronte asnjë prej këtyre karakteristikave. Por ai kishte dicka më të madhe artin qeverisjes dhe të diplomacisë si dhe shpirtin e patriotizmit. Me mjeshtëri diplomatike ai arriti të bëjë mrekullinë dhe të mbajë gjallë shtetin e sapoformuar shqiptar, i cili kishte “statusin e një foshnje”, objekt dëshire për aneksim nga jashtë dhe të pakonsoliduar nga brenda. 

Literaturë:

1.  “Qeveria e përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”, Botim i Drejtorisë së Përgjithsme të Arkivave Shtetërore të R.P.Sh. Tiranë 1963 

2.  “Kujtime. Ismail Qemal Bej Vlora”, Botimet GRAND PRIND, Tiranë 2007 

3. “Historia e shtetit dhe e së Drejtës në Shqipëri”, Tiranë 2007.

4. “The memoirs of Ismail Kemal Bey”, edited by Sommerville Story, with a preface by William Morton Fullert, Published 1920 

5. Arben Puto “Shqipëria politike 1912-1939”, Botimet TOENA, Tiranë 2009

6. Arben Puto, “Historia Diplomatike e çështjes shqiptare”, Tiranë, 2003.

7. “Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi III”, Tiranë 2007.

8. Arben Puto “E drejta ndërkombëtare publike”, Botimet Albin, Tiranë 2008

9. Abaz Lleshi ”Gjeopolitika e Ballkanit dhe perspektivat e sigurisë në rajon”, Botimet GEER, Tiranë 2009

10. Egidio Ivetic “Luftërat Ballkanike”, Botimet Dituria, Tiranë 2008

11. Norman Rich “Diplomacia e Fuqive të Mëdha 1814-1914”, Botimet Toena, Tiranë 2006

12. Misha Glenny “Histori e Ballkanit 1804-1999”, Botimet Toena, Tiranë 2007

Fjalë kyçe

Perandoria Osmane, Fuqitë e Mëdha, Konferenca e Londrës, Memorandum, Komision Ndërkombëtar, Luftërat Ballkanike

Abstrakti

Qëndrimi i Perandorisë Osmane në Ballkan po vinte drejt fundit. Krahas popujve ballkanikë dhe vetë Fuqitë e Mëdha filluan ta konsideronin të shpejtë ditën e shembjes së Perandorisë. Rusia ishte padiskutim njëra prej tyre. Politika e Rusisë u bë e qartë në fillim të vitit 1912, kur ndërmjet shteteve ballkanikë u lidhën një varg traktate aleancash kundër Turqisë të cilat u kurorëzuan me shpalljen e luftës nga ana e ë ktyre të fundit ndaj Perandorisë Osmane. Jashtë këtyre aleancave mbeti vetëm Shqipëria, pasi ajo ende nuk kishte arritur të krijonte një shtet solid të pavarur dhe vetvendosës për fatet e veta, i cili do të shpaloste kërkesat kombëtare pa harruar dhe interesat e fqinjëve tanë të cilët përmes luftërave që priteshin të nisnin për pavarësi nga Turqia synonin të realizonin ëndrrat disa shekullore për aneksimin e trojeve shqiptare. Kryengritjet e viteve 1910-1912-të, çetat e armatosura në jug të vendit, mbajtja e Kongresit të Manastirit, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, botimi i një varg gazetash e revistash, krijimi i klubeve e shoqërive patriotike si dhe veprimtaria diplomatike që patriotët shqiptarë kryenin pranë Fuqive të Mëdha, përgatitën kushtet për shpalljen e pavarësisë. Në këtë kohë krize për Shqipërinë dhe shqipëtarët spikat zgjuarsia dhe vizioni politik i Ismail Qemalit, si një patriot dhe atdhetar. Veprimtaria diplomatike e tij në mbrojtje të Çështjes shqiptare është shumë e gjerë. Më 28 Nëntor të vitit 1912 u mor vendimi i shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës. Aty u vendos njëkohësisht krijimi i Qeverisë së parë shqiptare me Ismail Qemalin si kryeministër dhe ministër të punëve të jashtme. Ky moment ishte padiskutim më i rëndësishmi për shqiptarët, sespe ishte kurorëzim i luftës disa shekullore për pavarësi, por situata do të gjenerojë një problem tepër të rëndësishëm për “Shtetin tonë të ri”, atë të njohjes dhe të marrjes së statusit të një shteti në komunitetin ndërkombëtar.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1478
  • 1479
  • 1480
  • 1481
  • 1482
  • …
  • 2960
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT