• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia siç është bërë dhe jo siç e kanë fshirë

November 27, 2023 by s p

Shaban Murati/

1-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:

Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6501, Tel.nr.152

Natën mes 26 dhe 27 (1912), tre krerë (pari) më dorëzuan mua, një dokument, (Një për Shkëlqesinë tuaj dhe një për Qeverinë italiane), lidhur me shpalljen e suksesshme të DEKLARATËS SË PAVARËSISË.

2-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:

Durrës, 27 nëntor 1912, Nr.6645, Nr.Tel.156

Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit nën brohoritje. Mutesarrifi u shkarkua. Hamid bej Toptani, governator i përkohshëm. Mitropoliti zvarrit ta njohë “QEVERINË E PËRKOHSHME”. Paria e vendit u doli serbëve përpara, mbi lëvizjen e tyre mungojnë njoftimet. Ata janë nisur prej Krujës.

3- Telegrami i Proklamimit të Indipendencës shqiptare, nga Lef Nosi në librin e tij ”Dokumente historike”, 1924:

Nr.13300, Durrës,13 Vjeshta e tretë 1328-1912 7.30 ora e ditës.

Popullit të ndershëm të qytetevet: Elbasan, Berat, Janinë, Gjinokastër, Lushnje, Korçë, Starovë, Vlonë, Përmet. Ju apim lajmen e gëzushme, se me hirin e të Naltit Perëndië, ndashti shpallëm indipendencën, n’emën të kombësiës sonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës.

4- Gazeta “Taraboshi” e Shkodrës, 22 janar 1914:

Ismail Kemal Vlora më 27 nëntor 1912 e ngriti flamurin kombëtar shqiptar në ndërtesën e Qeverisë së Përkohshme në Durrës.

5-Gazeta britanike “Daily Telegraph” 27.11. 1912:

Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Durrës më 27 nëntor 1912 dhe ka një shqiponjë të zezë dykrerëshe ne një fushë me ngjyrë të kuqe.

6- Gazeta austriake “Wiener Bilder” datë 1.12.1912: Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal bej, në krye të një asambleje nga paria, në Durrës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë.

(Nga libri “”Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare” i historianit Prof.Dr.Eqrem M.Zenelaj, Prishtinë, 2016, fq.340-399)

7- “Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë në Durrës në 26 Nëntor 1912 mban firmat e Ismail Qemalit dhe të djalit të tij, të përfaqësuesve të parisë së Durrësit dhe të përfaqësuesve të tre konfesioneve fetare”.

-(Prof.Dr. Eqrem M.Zenelaj, “Diplomacia e Ismail Kemal Be Vlorës”, Prishtinë, 2013, fq.325).

8- Për Shpalljen e Pavarësisë në Durrës njoftohen po atë ditë me telegram shumë qytete të Shqipërisë dhe teksti i telegramit është ky:

“Ju njoftojmë lajmin gazmor se me mirësinë e lartë hyjnore tani e Shpallëm Pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë.

Ju bëjmë të ditur se nga memorandumet që kemi hartuar, një kopje ja kemi paraqitur Konsullatës Austriake, tjetrën Konsullatës Frenge e të tretën kopje Konsullatës Austriake si zëvëndëse e Konsullatës së lartë të Italisë”. (“Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj”. Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të RPSSH, Tiranë, 1963, fq.28.)

Filed Under: ESSE

Nderim jetës dhe veprës së Heroit Kombëtar Hasan Prishtina

November 27, 2023 by s p

Fondacioni “Hasan Prishtina”, për nder të dy jubileve, atë të 150 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vrasjes së Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë – Heroit Kombëtar, Hasan Prishtina, ka organizuar vitin 2023 si viti i Hasan Prishtinës. Aktivitete të janë zhvilluar në kryeqendrat si Tirana, Prishtina, Shkupi, Selaniku, Dibër si dhe në shumë treva të tjera në të cilat ka vepruar kolosi ynë kombëtar Hasan Prishtina.

Është inauguruar busti i Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Dibër, sot po ashtu me financim të Fondacionit “Hasan Prishtina” po inaugurojmë këtë bust në Prishtinë dhe për ta përmbyll këtë vit jubilar me inaugurimin e bustit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Kukës, po ashtu në këtë vit jubilar fondacioni ka ndihmuar botimin e librit për fëmijë “Më quajnë Hasna Prishtina”, libër ky i cili u promovua para pak ditësh në panairin e librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Me iniciative të Fondacionit “Hasan Prishtina” nder vite janë realizuar shtatore për Heroin Kombëtar “Hasan Prishtina: në të gjitha kryeqendrat shqiptare, duke filluar me Tiranën, për të vazhduar me Prishtinën, Shkupin dhe Vlorën. Po ashtu janë organizuar simpoziume shkencore, ekspozita me fakte historike të nxjerra nga arkiva të shteteve të ndryshme, janë mbështetur botime librash dhe shumë e shumë aktivitete të tjera, më qellim trasimit frymës Hasaniste.

Jemi të sigurte për të ardhme të suksesshme nëse arrijmë që brezat e rijnë t’i mishërojmë me ideologjinë Hasiste, sepse te ky personalitet gjejmë intelektualin e kohës, udhëheqësin e kryengritjeve të armatosura kundër armiqve të kohës, gjejmë liderin i cili punoj dhe shkriu gjithë çfarë pati për kauzën kombëtare. Sot më shumë se kurr kemi nevojë që çdo lider shqiptar të marr mësime praktike nga jeta dhe aktiviteti i Hasan Prishtinës, andaj shfrytëzoj rastin, të ftoj të gjithë që të qojmë përpara kauzën të cilën e nisen rilindasit tanë, sepse kështu do ta kemi atdheun më të bashkuar dhe me të fortë.

Sigurisht se për jetën dhe veprën e Hasn Prishtinës, do të dëgjojmë nga profesorët e historisë më vonë, por e kisha me rendes të theksoj se edhe periudha në të cilën gjendet kombi ynë, kërkon që të rrisim vigjilencën dhe të udhëhiqemi nga mësimet e rilindaseve tanë. Sot më shumw se kurrë kemi nevojën e praktikimit tw ideologjisë se Hasan Prishtinws, shteti ynw gjendet para sfidës sw vendimeve tw mëdha, nëse dojme qe këto vendime tw radhiten nw anën e drejtw tw historisë duhet patjetër tw udhëhiqen me mençurinë dhe trimërinë e Hasan Prishtinws.

Hasan Prishtina thoshte: “Mëmëdheu qan për trima e burra, por jo për qyqar e tradhtar” edhe sot e kësaj dite kjo thënie mbete aktuale, andaj unë them se ata lider qw nuk nderojnë jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës janë qyqar.

Hasan Prishtina, ishte njëri ndër ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimi kombëtar të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij kanë qenë të lidhura me fatin e kombit e Atdheut. Me një natyrë të çiltër, tejet komunikues, i dashur dhe i përkushtuar për bashkatdhetarët e vërtetë e të devotshëm, në anën tjetër të karakterit të tij ai ishte kundërshtar i pa kompromis kundër kolaboracionistëve dhe politikanëve që bënin pazare mbi kurriz të popullit. Në luftë për të realizuar aspiratat kombëtare, ishte i vetëdijshëm se duheshin bërë sa e sa sakrifica. Ishte në shënjestër të forcave reaksionare të Perandorisë turke por edhe të shteteve grabitçare të Ballkanit. Në rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos: “Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja”. Kredoja e tij jetësore, trimëria dhe temperamenti tipik i shqiptarit me prejardhje nga Drenica, (zona spartane të Shqipërisë ndër shekuj), bënë që në qenien e tij të manifestoheshin vetitë më karakteristike të shqiptarit intelektual dhe luftëtar në të njëjtën kohë, demokrat dhe atdhetar ndër më të dalluarit e kohës. Qëndrimi i tij i palëkundur në zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, bëri që jeta dhe vepra e Hasan Prishtinë të mbetet burim frymëzimi për të gjithë idealistët e kombit deri te Adem Demaçi, Adem Jashari dhe të gjithë trimat e trimëreshat e tri ushtrive tona çlirimtare. Emri i Hasan Prishtinës është emër nderi e respekti për brezat liridashës të shqiptarëve.

Më 13 gusht të vitit 1933 u vra në Selanik nga dora tradhtare. Në vitin 1977, në kuadër te 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shteti Shqiptar riatdhesoj eshtrat e Hasan Prishtinë. Sot eshtrat e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina pushojnë në Kukës, dikur Qarku i Kosovës.

Nderim jetës dhe veprës së Heroit Kombëtar Hasan Prishtina

Filed Under: Komente

Ilia Shyti, i anatemuari i diktaturës, aktori i madh i roleve të vogla, “gjyshi” i përrallave, i apasionuari i pikturës

November 27, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Më 26 nëntor 2003 ndahet nga jeta Ilia Shyti, një prej personaliteteve origjinal të artit tonë skenik, veprimtari i palodhur i artit, “gjyshi” i përrallave, i apasionuari i pikturës. Ai ishte dhe mbeti i plazmuar në kujtesën e atij brezi që u rrit me artin e tij, në galerinë e bollekshme të roleve që ai luajti, një shpirtin dhe pasionin që ai i blatoi artit që pati jetë.

Kujtesa dhe mirënjohja për artistët e skenës dhe kinematografisë, në këtë periudhë diversiteti të pikëpamjeve dhe qëndrimeve për filmin shqip, të përplasjes së mendimeve dhe mendësive, të një tendence për të purifikuar të sotmen, duke anatemuar të shkuarën, dhe një lufte të zellshme dhe të pamëshirshme për ta shpallur artin kinematografik në veçanti, dhe atë skenik në përgjithësi, si “armik” i demokracisë, bëri që mallkimiada dhe harrimi të binin mbi personalitete të artit.

Ilia Shyti, nëse në diktaturë për një cen në biografi, konkretisht arratisja e vëllait në SHBA, për fat, ju dhanë role të dyta dhe disa herë episodike, sot, pak ose aspak kujtohet dikush të ketë aq mirënjohje dhe respekt për veprën e tij, që duke e kthyer në kujtime përvjetorësh, të shprehim konsideratë për çfarë ai dhe gjithë brezi i tij i dhanë artit skenik, kësaj tradite të shkëlqyer, me të cilën kemi të drejtë të mburremi, pavarësisht ideologjisë që goditi si kudo edhe artin skenik, duke u përpjekur për ta shndërruar atë në një mjet propagande dhe denigrimi.

Në një intervistë për Albanian Free Press, vajza e aktorit tregon se i ati, Ilia Shyti, “e pati peng të madh faktin që nuk u nderua me titullin “Artist i Popullit”, për shkak të “njollës” në biografi, pavarësisht kontributit të madh e të gjatë. Kur mori titujt “Qytetar nderi” në Lushnjë e në Fier, kur pa turmën e madhe me njerëz që erdhi dhe e përgëzoi, e shprehu këtë peng të tijin por gjithmonë shumë lehtë dhe i rezervuar”.

Gjithsesi, figura e burrit shtatshkurtër e flokëbardhë, zëri i ëmbël e i butë, buzëqeshja e çiltër dhe shprehia e tij melankolike, janë ajo që ka mbetur së bashku me numrin e madh të roleve që ai solli. Për disa dekada ai, ka mbetur ende, ai; gjyshi, vëllai, babai i dhimbshur e i dashur për të gjithë, kjo falë edhe qindra përrallave që përcillte zëri i tij në Radio Tirana.

Ilia Shyti u lind në qytetin e Lushnjës në 19 korrik 1929. Mbasi mbaroi shkollën fillore punë që në moshë të re si çertexhi, gomist, etj. Që i vogël ishte i apasionuar pas pikturë, një ëndërr që ai nuk e la të të vdiste. Në vitet e luftës aktivizohet në grupet e të rinjve. Në vitin 1944 del partizan, ku krahas luftës angazhohet me teatrin partizan. Me çlirimin e vendit, Ilia Shyti aktivizohet me grupet amatore, ku dha shfaqje në Fier e në Lushnjë që në vitin 1945, kur akoma nuk e kishte hequr rrobën e luftës. E suksesshme ka qenë shfaqja “Pleqtë dhe lufta”, ku krahas tij interpretonte dhe aktori tjetër Prenkë Lëkunda. Deri në mars të 1947, Ilia ishte ushtar në Korçë dhe ku përsëri ai aktivizohet me amatorët. Të kësaj periudhe janë disa shfaqje të suksesshme, në të cilat ai luajti role kryesorë si në “Zonja Ingra e Oksfordit”, etj. Në Korçë, Ilia Shyti do të njihej me piktorët,Vangjush Mion, Guri Madhin, etj. Në mars 1947 Ilia kthehet në qytetin e tij të lindjes për t’ju kushtuar me plot pasion artit. Emërohet drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Lushnjë, ku krahas punës drejtuese bënte edhe regjisorin, edhe skenografin, edhe aktorin e shfaqjes. Deri në vitin 1951 në Lushnjë u vunë pjesë të suksesshme e me nivel të lartë artistik si “Zotnia në thes”, e cila u dha në të 130 fshatrat e Lushnjës, “Po këta ku janë”, të Andrea Malos, “Endra me nishan”, 6 dashnorët”, etj. Ilia luante rolin kryesor dhe në Olimpiadat kombëtare u nderua me medalje që i dhanë të drejtën për të ardhur në Tiranë si aktor paranë Teatrit Kombëtar, në fund të 1951-shit. Roli parë në teatër është roli i Xha Veliut tek “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës në vitin 1952 nën regjinë e Pandi Stillut. E më pas do të vinin role të suksesshme të tij në shumë drama e komedi, si në “Votra e huaj”, “Familja e peshkatarit”, “Orët e Kremlinit”, “Karavidhet”, “Karnavalet e Korçës”, “Shtëpia me dy porta”, “Lumi i vdekur”, etj. Gjatë gjithë jetës së tij artistike në Teatrin Kombëtar, Ilia Shyti interpretoi mbi 100 role. Doli në pension në vitin 1985, por nuk u shkëput nga teatri deri vonë. Drama e fundit e luajtur prej tij në Teatrin Kombëtar është “Fando dhe Lis” në vitin 1994. Krahas teatrit, Ilia Shyti mban edhe rekordin e interpretimeve në filmin artistik shqiptar. Janë rreth 50 role të interpretuara prej tij në film që nga filmi “Tana” e deri në filmin “Tingujt e Harresës”. “Unë nuk i bëja naze rolit, i madh, apo i vogël. Kjo më ka dhënë mundësi që të interpretoj pothuajse me të gjithë regjisorët dhe aktorët tanë” mësohet të jetë shprehur ai. Ilia Shyti përveç punës së palodhshme në teatër e në film ka bërë një punë të madhe edhe në teatrin amator. Ai ka dhënë shfaqje e ka udhëhequr trupat e ndërmarrjeve e institucioneve në olimpiada teatrale, ka dhënë shfaqje në rrethe, qytete e fshatra të Shqipërisë. Dobësia e Ilias janë fëmijët, ku ai me zërin e tij të ngrohtë edukoi sa e sa breza fëmijësh me emisionet e përralave e radiodramatizimeve të shumta për vite me radhë. Janë mbi 2000 përralla të interpretuara prej tij që trasmetohen edhe sot në Radio Tirana në emisionin satelitor dhe të bashkatdhetarëve.

Pasionin e madh për teatrin Ilia Shyti nuk e ndau për asnjë çast nga pasioni i tij për pikturën. Në vitin 1989 Ilia Shyti hapi një ekspozitë me mbi 100 punime të tij tepër të veçanta; portretet e artistëve në skenë. Që nga teatri partizan e deri sot. Janë mbi 300 piktura.

Për të patur një ekspoze sa më të plotë të asaj se kush ishte Ilia Shyti dhe cili ishte kontributi i tij dhe pse brezave u mbetet detyrim mirënjohja dhe respekt për emrin dhe veprën që ai la si testament të artit, lipset të bëjmë një paradë njohjeje në rolet që ai bëri në teatër, që ishin jo pak, por mbi 100. Nis kjo kolanë rolesh me:

Vajza nga Fshati, Familja e peshkatarit, Votra e huaj, Toka jonë, Dragoi i Dragobisë, Kulla e hutajve, Përkolgjinajt, Kopshti i jargavanëve, Njeriu që pa vdekjen me sy, Orët e Kremlinit, Arturo Ui, Një nuse për Stasin, Viti 1961, Halili dhe Jajria, Shtatë shalianët, Trimi i mirë me shokë shumë, I çuditshmi, 14 vjeç dhëndër, Lumi i vdekur, Shtëpia me dy porta, Karnavalet e Korçës, Hamleti, Mbreti Lir, Otello, Gratë gazmore të Uindsorit, Prefekti, Fytyra e dytë, Mbi gërnmadhat, Cuca e Maleve, Zonja nga qyteti, Karavidhet, Hekurat, Shënomëni dhe mua, etj, etj.

Për të vijuar me rolet e tij në kinematografi: 1958: Tana, 1963: Detyrë e posaçme, 1965: Vitet e para, 1972: Yjet e netëve të gjata, 1973: Brazda, 1959: Furtuna, 1973: Qyteti më i ri ne bote, 1974: Rrugë të bardha, 1978: Dollia e dasmës sime, 1979: Nga mesi i errësirës, 1979: Pranverë në Gjirokastër, 1978: Koncert në vitin 36, 1979: Radiostacioni, 1979: Ne vinim nga lufta, 1979: Gëzhoja e vjetër, 1980: Vëllezër dhe shokë, 1977: Fije që priten, 1981: Qortimet e vjeshtës, 1980: Intendenti, 1982: Nëntori i dytë, 1987: Këmishët prej dyllë, 1989: Telat e violinës, 1986: Djali elastik, 1985: Fundi i një gjakmarrje, 1984: Shirat vjeshtës, 1985: Asgjë nuk harrohet, 1987: Kur hapen dyert e jetës, 1986: Një jetë më shumë, 1986: Gabimi, 1987: Botë е padukshme, 1987: Rrethi i kujtesës, 1989: Tre vetë kapërcejnë malin, 1989: Pesha e kohës, 1897: Treni niset në 7 pa 5, 1983: Një vonesë e vogël, 1961: Debatik, 1964: Toka jonë, 1971: Mëngjese lufte, 1973: Mimoza llastica, 1975: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, 1978: Liri a vdekje, 1979: Në shtëpinë tonë, 1974: Goditja, 1982: Era e ngrohtë e thellësive, 1984: Kohë e largët, 1984: Zambakët e bardhë, 1993: E diela e fundit, 1995: Tingujt e harresës, etj.

Ky ishte Ilia Shyti, ai që dha gjithë jetën e tij një përkushtimi dhe një punë të vëllimshme. Kudo, kudo ku ai kërkoi të linte gjurmën e vet, e skaliti atë me pasion dhe besim, me ngulm dhe vullnet qëndrestar. Dhe ishte jo pak ajo që ai bëri, ajo çfarë ai la, që ne sot, me përulësi dhe respekt ta nderojmë dhe t’i jemi mirënjohës.

Foto: https://www.tellalli.al/wp-content/uploads/2021/07/ilia-780×403-1.jpg

Filed Under: Kulture

Në promovim të vlerave dhe virtyteve më të mira të popullit tonë

November 27, 2023 by s p

Prof.Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ

Është një ditë Nëntori me ftohtësinë e zakonshme të fillim dimrit. Shumë shoqata Shqipëtare këtu në New York janë mbledhur për festat e Pavarsisë dhe të Çlirimit të atdheut tone. Edhe Association of “Skënderbej”, (Shoqata Skënderbej), në Restaurant PINE 19 13 Bronxdale Avenue, Bronx, NY 10462 organizon mbasditen e 26 nëntorit, takim festiv për këto ngjarje të rëndësishme të biografisë së kombit shqiptar,111-vjetorin e Pavarsisë dhe 79-vjetorin e Çlirimit. 

Si zakonisht mjedisi festiv fillon nën tingujt solemn të dy himneve, të atij Shqiptar dhe Amerikan. Më pas modratorja e aktivitetit Znj.Nadire Xhakolli pasi u uroj të pranishëmve mirëseardhjen dhe gëzuar festat i dha fjalen Presidëntit të shoqates Profesor Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ, ku midis të tjerave ai theksoi; Pavarësia e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912, është një product kompleks, shumë dimensional, shumë faktorësh. Ajo ditë sot quhet Dita e Pavarësisë së Shqipërisë por në fakt ajo u arrit me kontributin e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin në trojet e tyre nga Çamëria deri në Kosovë si dhe nga Durrësi deri në Luginën e Preshëvës.  Më 28 nëntor 1912 në orën 14.05 do shpallej pavarësia e Shqipërisë, ndërsa flamuri do të shpalosej nga Ismail Qemali në orën 15.12 minuta nga dritarja ku ishte mbledhur kuvendi.

Në përbërje të Kabinetit të saj të parë, si një ndër ministritë kryesore u përfshi edhe Dikasteri i Luftës apo i Mbrojtjes Kombëtare, me në krye një oficer madhor karriere, me shumë përvojë drejtimi, organizimi dhe luftarake, GjeneralBrigade Mehmet Dërralla (Tetova). Detyrat e këtij dikasteri ishin që të organizonin mbrojtjen e territoreve. Pak muaj më pas, më 4 Maj 1913, u krijua edhe Shtabi Madhor, që përbënte njëherëshi zyrën numër Një të Ministrisë së Luftës. 

Data 28 Nëntor ka edhe dy ngjarje të shënuara për popullin Shqipëtarë të Kosovës. Më 28 nëntor 1955 lindi Komandanti Legjendarë Adem Jashari, që për interest kombtare dhe çlirimin e Kosovës dha jetën së bashku me gjithë familjen e tijë, duke luftuar dhe qëndruar heroikisht për 3 ditë me radhë përballë forcave ushtarake dhe policore Serbe. Më 28 Nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga ushtria dhe policia serbe, UÇK, ajo që do ti sillte lirine dhe pavarsinë Kosovës, pas disa vite në ilegalitet, doli hapur me uniformën, simbolin dhe flamurin kombtarë.

Edhe Lufta Nacionan-Çlirimtare është një nga ngjarjet më të shënuara në historin e popullit tonë. 

Pak kohë mbas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rendit në Aleancen Antifashiste Botërore, në krah të ShBA, BS dhe Britanisë së Madhe. Me krijimin e Frontit Nacional-Çlirimtar, lufta jonë u bë pjesë e luftës antifashiste botërore dhe u hodhën bazat e rreshtimit të Shqipërisë në Koalicionin Antifashist.

Më pas përshendeti Kryetari i Organizates së Veteranëve të Luftës të UÇK, Z. Astrit HUSKAJ. Mbreselënëse ishte përshëndetja që Z. Huskaj solli nga bashkëluftëtarët, strukturat drejtuese të   UÇK në Kosovës dhe midis tyre edhe të djalit të Komandantit Legjendar Adem Jasharit, Lulëzim Jashari.

Në vazhdim përshëndeti Presidenti i nderit i shoqatës Z. Bujar HASANI.

Amosfera u zbukurua me këngëtarin dhe DJ anëtarin e shoqates Z. Agim Shiqerukaj.

Mbresat si përher janë të shumta, por në këtë ditë të shënuar do të veçoj momentin kur, nëpërmjet një torte të përgatitur enkas për të, të gjithë anëtaret e shoqatës i uruan shoqes së shoqatës njëkohësisht dhe anëtare e boedit Blerta Gjevori 50- vjetorin e lindjes.

Nën tingujt e muzikës, valles, trokitjes së gotave, dashamirësis dhe mikpritjes vazhdoj gjithë aktiviteti. Një falënderim special është për anëtarët e rinj të shoqatës si dhe të gjithë të ftuarit që nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet.

New York 26 Nëntor 2023

Filed Under: Ekonomi

27 NËNTOR 1971…SI PËRKUJTOHEJ FISHTA TEK ARBËRESHËT

November 27, 2023 by s p

Frano Kulli/

Na e përshkruan Ernest Koliqi një përkujtim syresh, në “Shejzat” e tij.  – Shqiptarët e diasporës – shkruan ai – të cilëve nuk ua ka helmatisë shqisen nji propagandë dinake e zhgatrrimtare e me burim të huej qi denon si shprehje antishqiptare mun undyrën mâ gjeniune shpirtnore të kombit t’onë, kanë përkujtue gjithkund në botën e lirë auktorin e Lahutës së malcís.

Është viti 1971, rasti për të cilin na bën me dije Koliqi, njëri prej atyre shkrimtarëve të shënuar në historinë e letërsisë shqipe. Qendra ndërkombëtare e Studimeve Shqiptare të Palermos, e cila “përsjell tash sa vjet me nisma të parreshtuna lartushtuese [që ushtojnë së larti], çdo rasë në shênj të historís ase të kulturës sonë” e kishte programuar qysh në prill të atij viti, atë që do të bëhej e rreth së cilës do të përbashkoheshin më të dallueshmit puntorë të kulturës kombëtare në diasporë. Atë Zef Valentini ishte në krye të kësaj qendre e, për rrjedhojë edhe në krye të këtij kremtimi. Italiani jezuit, ndër albanologët më të shquar në botë, i ndodhur aty, qysh prej 15 dhjetorit të 1955-ës, atëherë kur u vendos në drejtimin e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, e cila u bë një nga qendrat e spikatura të kulturës së vërtetë shqiptare jashtë Shqipërisë. At Valentini me ardhjen e trupave gjermane më 1943, u largua nga Shqipëria drejt Romës e vijoi punët në Institutin Oriental Papnor. Rikthehej në Italinë e tij, mbas dy dekadave që kishte zatetë për herë të parë në Shkodër (me 1922) në Urdhnin e Jezuitve aty, tashma i realizuar në shkallë të epërme, me një vepër monumentale në fushë të Albanologjisë. Edhe më heret, para mbarimit të luftës së dytë botërore, më 5 dhjetor 1940 kur ende ishte në Shqipëri, qe emëruar anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Me 1941 u vendos në Tiranë, ku u caktua edhe sekretar i këshillit të Institutit e vijoi aty  derisa i riatdhesua. Pa iu ndarë asnjëherë, derisa mbylli sytë, albanologjisë e kulturës shqiptare.

E në këtë hulli, me 27 nëntor të atij viti (1971) në Aula Magna të Universitetit të Palermos (vërté e madhnueshme – e përshkruan Koliqi) u mblodh Kongresi i VII i Qendrës “Rozolin Petrota”, kushtuar i gjithi Fishtës, në përvjetorin e 100-të të lindjes. Me një varg referatash tue u mbajt fryma e naltë shkencore qi duhet të dallojë të tilla nisma,  përfundim ky i Koliqit, që mishërohej në vetë ligjëruesit dhe kapacitetin e tyre shkencor, kulturor e shqiptarídashës.

At Valentini, drejtuesi i Qendrës trajtoi argumentin zgjedhë prej tij: “At Fishta misjonar”. Në këtë pikëpamje At Gjergji njihet pak, arsyetonte ai edhe pse me zell të madh ka ushtrue detyrat e tij si famullitar e predikatar; si mësues në kurse fetare e si bashkëpuntor në të përkohëshme e fletore të përshpirtëshme. Mbas At Valentinit, i erdhi radha prof. Koliqit, tema e të cilit “Fishta në shërbim të politikës kombëtare”, parashtroi idenë  se veprimtarisë aq e dobishme dhe e frytëshme e Poetit Kombëtar në dobi të atdheut, qe frut i përkushtimit  të tij, tue qëndrue sipër rrymave politike siç e veçonte me theks të posaçëm kumtuesi.

Kurse prof. Namik Resulli i Universitetit të Napolit, historian i letërsisë, akademik shqiptar shtjelloi temën “Struktura të poezisë së Fishtës, një anë shumë interesante e prodhimit letrar fishtjan, tue vu në dukje ndikimin që pati në té fryma e ligjeve doksore, d.m.th. ajo e Kanunit. Prof. Resuli, bashkëkohës e bashkëpunëtor i Koliqit, pasi kishte doktoruar “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”në fillim të viteve ’30, gjatë viteve 1940 – 44 ai qe dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957). Në vitin 1955 Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”) në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua kreu i Studimeve Shqiptare në Institutin Universitar Oriental të Napolit (1958-1968) dhe vazhdoi aty si profesor deri më 1975. U mor me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.U emërua kreu i Institutit të Studimeve Shqiptare në Romë më 1975, pasi ndërroi jetë Koliqi.

Martin Camaj i Universitetit të Mÿnchenit, gjuhëtar akademik, me hollësinë e pregatitjes së tij gjuhësore, kishte zgjedhur të fliste mbi “Gjuhen e Gjergj Fishtës në Lahuten e Malcis’ “. Me nji përimtim depertues ditunuer parashtroi lidhjet e ngushta të ligjrimit fishtjan me të folmen popullore dhe procesin krijues të shprehjeve typike fishtiane tue ndjekë për s’afërmi kallepin e trajtave të popullit.Në këtë shndërrim shpesh nuk mund të përcaktohet, përsa i përket njaj thanjeje a lokucjoni, a e mori Fishta prej popullit apo populli prej Fishtës.-kështu e përcakton Koliqi në “Shejzat”, thelbin e ligjëratës së Camajt, në atë takim përkujtimor.

I fundit që e mori fjalën për të kumtuar ishte Prof. Papas Ignac Parrino, docent i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, i cili “e ka begatë albanologjín me nji perkthim literal shumë të censhëm të Lahutës, përsjellë me shënime të gjithnuerta historike, gjuhësore, letrare, etnografike, juridike (të së drejtës kanunore), estetike etj”. Docenti i ri foli mbi temën “Fishta në prespektivën e kulturës shqiptare” dhe, tue prekë anët e ndryshme të veprës fishtjane u perqëndrue në caktimin e vlerës kryesore të saj, d.m.th. në zbulim të botkuptimit të shqiptarit, botkuptim i themeluem në vlera të nalta njerëzore si nderi, burrnija, mikpritja, kulti i Perendis e i trashigimit stergjyshuer”, shënon Koliqi.

Kurse nga preludi i Kongresit, në bisedat përgatitore, mbase duhet veçuar ky kumt i Koliqit: “Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njëmendtë e kemi për detyrë përkujtimin e auktorit të Lahutës së malcis’. Mirë qofshin të ardhuna kremtimet të çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e dêjë për të nderue Poetin qi bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk asht tjetër veçse leximi i veprave të tija…ku tregohet rruga qi duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbri kombeve të përparueme”.

…Palermo, 1971. Asokohe, këtu në Shqipëri nuk pipëtinte asnjë tingull prej andej; përmendja e emrit të Fishtës ishte “blafemí ”.

“GJERGJ FISHTA”, Portret, Pashk Pervathi, 2022

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1482
  • 1483
  • 1484
  • 1485
  • 1486
  • …
  • 2961
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 1958 / DR. WALTER LEHMANN, ISH-MJEKU PRIVAT I MBRETIT ZOG, NË CARMEL, USA : “LUFTA NDAJ KANCERIT FITOHET NËPËRMJET…”
  • Testamenti i Papa Franceskut në përvjetorin e parë të largimit në amshim
  • VISAR ZHITI NDEROHET ME TITULLIN “AKADEMIK HONORIS CAUSA” NGA AKADEMIA NDËRKOMBËTARE E ROMËS
  • Falënderoj pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan
  • Petro Nini Luarasi, 22 prill 1865 – 17 gusht 1911
  • SHPËTOHET NGA HARRESA NJË DORËSHKRIM I ÇMUAR I VITIT 1921 PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEUN
  • “Armiqtë apo alienët? Shkencëtarët që zhduken një nga një”
  • Ramë Dardania dhe fluturimi i bletëve në Carroussel du Louvre
  • RIBOTIMI I VEPRËS MADHORE “LAHUTA E MALËSISË” NË DETROIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA
  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT