• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUHET UKË GJONBALAJ, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI

November 26, 2023 by s p

E nderuar familja GJONBALAJ/

Me keqardhje mësova lajmin e largimit nga jeta tokësore të Ukë GJONBALAJ, një prej veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kontributorëve të Vatrës mbi dy dekada veprimtari.

Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e Ukës sonë të dashur e të çmuar.

Ai do ta gëzojë gjithmonë respektin e përkujtimin tonë për përkushtimin atdhetar e vatran.

Të gjithë bashkë si vatranë e shqiptaro-amerikanë jemi pranë jush e mbarë familjes Gjonbalaj në këto momente trishtimi, zie e lamtumire.

Lusim Zotin për shpirtin e Ukë Gjonbalaj.

Pushoftë në paqe e përjetësi.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

NJOFTIMI NGA “PLAVA E GUCIA SOT” PËR FUNERALIN:

Me pikëllim të thellë, njoftojmë komunitetin, miqtë, shokët dhe dashamirët se sot, më datën 25 Nẽntor 2023, në New York si rrjedhojë e një sëmundje të rëndë ndërroi jetë më i dashuri ynẽ

UKĚ (ALI) GJONBALAJ

1 Janar 1961- 25 Nẽntor 2023

Funerali për më të dashurin tonë do të jetë nesẽr 26 Nẽntor 2023 duke filluar nga ora 1:00PM gjerẽ nẽ 700PM.

Adresa e funeralit 184 Canal street,

Staten Island, NY.

Vorimi dot behet te Hanen ne Ora 11:30AM, nẽ:

Jersey Garden Memorial , adresa 13 Conover Road, Millstone NJ

Vdekja e herëshme e Ukẽs e tronditi familjen të afërmit dhe të gjithë që e njohen tashme te ndjerin, që shquhej për virtyte të larta intelektuale dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan .

Të pikëlluar; bashkëshortja Sebahati , djemtẽ Hartini dhe Loriku , motrat, Kadirja,!Ajshja dhe Hyrija me familje, nipat dhe mbesat, tẽ afẽrmit si dhe tẽrẽ vẽllazẽria GJONBALAJ.

Redaksia e portalit “Plava e Gucia Sot” familjes GJONBALAJ I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta me rastin e vdekjes së papritshme të më të dashurit te tyre.

Filed Under: Politike

Krijim artistik i arbëreshit Zef Skiroi kushtuar Ismail Qemalit

November 25, 2023 by s p

Përgatiti për botim: prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest

Giuseppe SCHIRÒ

KËNGA E PLÀKUT T’MÀTH TË SHKJYPËRIËS

O shkjyponja, që pushoni

për mbi krèpe, çë kërkoni,

çë kërkoni në kjiell tênë

prap nga mjegullat të zênë?

Atà sy të mpréhtë è t’zesë

véhtes s’vetë s’i zên besë,

s’din ku t’ngulen si mê pàra,

è më kot te t’lartat àra

atà rràhin, kurr pa u mbétur,

dritësorin për të gjetur;

atê zot è t’dritës krua

prej tsilit hòf ju u shtua;

çë s’u mèk për vjetë aspak;

çë s’u mblak me gjith se plak;

po kjëndroi si u duk, kur dolli

nga Janina è nga Stambolli;

kur të çohej Shàmi e pa

lart akjë sa mê nuk ka;

si kur Tripulli e përiti

me dëshir, si edhè Gjiriti;

ndonse t’mirën nuk e patën

kjë t’i ndzirte atyre natën.

Thà sulltani i kukj në tèrr:

isa e ‘tij mua syt më mèrr!

Për t’u fikur e dre më mbush;

è lè t’prishet Shkjypëria,

kjë të ket fitim Turkia!

S’munt t’e lê t’e zêrë mòti,

mos të ngjallet Kastrioti!

…Moj ti bishë, o bishë e plirë,

t’iku thonjsh trimi i mirë,

è ndëshkim mê t’math nga ai

prej së largut do t’kesh tì;

përsé gjen mendimi shtìgje

ndëpër male é ndëpër brigje.

Pòrsa u ndès, nuk shuhet mê,

s’e ndalon në rrugë asgjê,

é gjithkundi véte é shkòn,

si shkreptima fluturòn;

mê të ftohtin shpejt e ndzéh,

mê të rênit shpyrtin ngréh,

ê si dàshësin e prîn,

kë i kjëndron ashtú e përshîn.

Kohë e shkueme n’dhé të húaj,

ku Ismaili, edhé se vúaj,

fén s’e humbi më t’përitur,

edhè rroi, túk’endërritur,

pa dyshim se me t’vonuar

s’kishte vàll me u vërtetuar

dëshirimi i ‘tij ndo hérë

të përtrîhej tòka e mjerë,

t’ishte i lúm i shkreti vënt

çë po i rrinte n’zëmbrë é n’mënt,

é t’kish bota atê liri

çë njeriun e bên njeri!

Kóhë e t’vúajturit e gjatë,

po në sgjim é ditë é natë

e kaluame è në durim,

si n’harésë é në pertim,

kjofshme e lúme ngjer çë malet

do të çohen për mbi valet,

je për tyj pát’lêngun drûri

ç’ishte i that é pemët prûri,

pemët t’bukura é të shishme,

çë do t’mbéten të paprishme,

përsé gjithë i pokji stina,

s’i dògj’afshi, às mardhi tsina!

Kot e rrahu drûn rrëpira,

sè kjendresë i dhò e vështira.

Pràn se ajo kjëndrak e bêri,

a përhàp i trimit zêri;

è kur erdhi dita e preme,

nuk u dúkën mê të rreme a

tò fjalë çë Shkjuptarit

zêmbrë i dhanë te të kjarit:

“Ka t’agónjë dita e jote,

sé s’a fllikje é sé s’u ndote,

si Thersiti, çë s’ka ndér,

ás si Shkjáhu (t’mós ísh lér!).

U gdhi dita é ret u tretën,

dolli díelli é shkrepi jétën;

mori é u nís ahíerna trimi

ndëpër dejt nga perëndimi.

Fátin ka te syt é n’dorë

e ka flámurin… O Vlorë,

námi i jyt nuk munt t’harrónei,

é me motin do të shtonet,

se si n’Krûjë, prap e zonja,

tek tí çerdhen bê shkjyponja;

práp e zonja e dheut é e bregut,

si në kohë t’Skanderbegut:

zonjë n’fushë edhè te mali….

Pást lëvdí Ismail Kjemali!

Lëvdí pást po si dragói

çë nga armiku na shpëtói;

si i Vjosívës djali i kjuam,

ç’ás një hérë kje i pushtuam!

Të dy’shpyrtërat e tyre

me ne t’jen në çëdó zyre,

si te lufta, ashtú në pakje,

sa të kemi t’bardhë fakje,

é po t’rrójëm si na thanë,

për shëndet, të vjetrit t’anë;

bota t’díe se kush fisnik

s’munt të bênet kurr i lik.

Me t’vërtetë i punës bír

êsht aí çë rron i lír;

si edhè kush u nda nga t’shumë

me mundime edhè pa gjúmë,

një t’shpërblyeme për të prékur,

çë s’u prâ é s’u lóth tu’e ndjekur,

é ç’e zû kúr gjithkúsh rréhej

se e të marrit ísh të shprehej.

Por aí çë ka t’dukúam

prej burimi të kulluam,

me të drejte t’plotë é t’mbarë

gàs munt t’ket nga atà të parë

çë për jetë é mót do t’rrojën,

sé të gjallët s’i harrojnën.

Pran në nà do t’kemi híe

nga ajó rrjedhë lartësie,

dúhet t’njihemi të zótë,

jó me fjalë é lavde t’kotë,

po me ndér edhè me punë

mós t’na sjellë armiku dhunë,

é të thet aí, tue kjeshur:

“Ish me pëndë t’húaja i veshur

lakurikji vetlëvdonjës,

çë po shpallej si i shkjyponjës!”

Néve tí këtó mësove,

Ismail, é ndónse shkove,

do t’na ngásnjë e larta fjalë

burra t’fárës për me dílë,

sót é néstër è për jétë,

si Shkjyptarë të vërtetë.

Tek ai i lëvdoshmi várr

te ku ndodhet shëjti zjárr,

zjárri i máth çë po héth rréze

é çë tì, Ismaíl, na ndéze,

burra é párësë edhe krenje,

me të végjij’ é t’mëdhenjë,

do të víjën për këshíll,

si po kush te i bardhi uvíll

syt i mban, të mós humbasnjë

rrugën kurr edhè të ngasnjë

atê brég te ku, ndëvónë,

ka me u prêjtur për gjíthmónë.

*************

Giuseppe Schirò (Zef Skiroi), shkrimtari italo-shqiptar, ka lindur më 10 gusht 1865 në Piana degli Albanesi, vdiq në Napoli më 17 shkurt 1927. Zef Skiroi ishte një albanolog, poet, gjuhëtar, publicist dhe historian i shquar italian i etnisë arbëreshe/shqiptare, ndër figurat më të rëndësishme të lëvizjes kulturore dhe letrare shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ishte profesori i parë universitar në Itali i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Institutin Oriental të Napolit.

Ai botoi ende i ri vargje në italisht dhe shqip dhe shumë shpejt filloi të bashkëpunonte me shkrime letrare e politike në revista të ndryshme periodike. Në vitin 1887 themeloi revistën Arbri i ri (Shqipëria e re), e cila u pasua nga Arkivi Shqiptar më 1890 dhe Flamuri Shqiptar më 1904. Rapsoditë Shqiptare (1887) e bënë të njohur për albanologët dhe patriotët shqiptarë. Një përmbledhje himnesh patriotike Kënkat e luftës doli në Palermo më 1897; nga viti 1900 janë poemat Tee dheu i huaj (Në tokë të huaj) dhe botimi i dytë i idilit Mili dhe Haidhia, i një mjedisi sicilian-shqiptar (me shënime për traditat, legjendat, zakonet dhe zakonet e Piana dei Grecit); të vitit 1901 Këngët Popullore të Shqipërisë. Ndërkohë ai kishte hedhur themelet e një “Shoqërie Kombëtare Shqiptare” për të interesuar opinionin publik për pavarësinë e Shqipërisë, dhe vepra e tij Shqiptarët dhe çështja ballkanike (Napoli 1904) synonte të njëjtin synim. Në vitin 1900 emërohet profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit.

Studimet e tij të preferuara janë të lidhura me Këngët e Shenjta të Kolonive Shqiptare të Sicilisë (1907) dhe koleksionin e madh dhe të rëndësishëm të Këngëve Tradicionale dhe Ese të tjera të Kolonive Shqiptare të Sicilisë (Napoli 1923). Ky vëllim përmban edhe një poezi të shkurtër dhe disa poezi kushtuar kujtimit të djalit të tij Minos. Canti del Littorio (1926) ishin botimet e fundit të poezisë së Skiroit.

Zef Skiroi është përfaqësuesi më i madh i traditës kulturore e letrare shqiptare të Siçilisë, një nga mjeshtrit më të rafinuar të stilit në letërsinë shqipe, i cili la një prodhim të gjerë letrar. Ndër nismëtarët e një letërsie të përtërirë shqipe, i ndjeshëm ndaj modeleve letrare të kulturuara, ai ishte një frymëzues autoritar i intelektualëve të kohës së tij dhe pati një rol të rëndësishëm në lëvizjen e Rilindjes Shqiptare dhe në pavarësinë e Shqipërisë, ku mori pjesë aktive, së bashku me elitat intelektualë shqiptarë.

Rëndësi të veçantë kanë studimet e tij në fushën e filologjisë letrare dhe dialektologjisë dhe vitet e kaluara në Napoli mbeten krejtësisht të jashtëzakonshme, ku dha mësim nga viti 1900 deri në vdekjen. Në këtë cilësi, ai rifilloi idenë kombëtare shqiptare në qarqet kulturore dhe politike italiane dhe promovoi nisma editoriale-publiçistike.

Vepra e Skiroit shquhet për një qëndrim aktual dhe real të tij, për t’i vënë në spikamë plagët dhe të metat e arbëreshëve, të cilat, do të kushtëzonin humbjen e shenjave të identitetit të tyre. Në këtë aspekt , ajo ka ndikuar në ruajtjen e vetëdijes dhe të qenies shpirtërore të tyre në tërësi.

Gjuha e Skiroit përbën një force të veçantë kreative. Ajo shpreh në thellësi mendimet, ndjenjat dhe përfytyrimet e tij poetike. Është gjuhë e pasur me shprehje emblematike dhe të figurshme. Figurat më të shpeshta të tij, që e bëjnë aq të nuancuar qenësinë estetike të veprës janë: krahasimi, metafora, simboli, hiperbola, apostrofimi, epiteti, kontrasti, perifraza etj.

Krijimin poetik që sjellim pëe lexusin e “Diellit”, është nxjerrë nga: “Kuvêndi,” nr. 9, f. 7, datë 31 Mars 1919, shih edhe: “Rilindasi” suplement javor i gazetës, “Shqiptarja.com”, redaktore: Admirina Peçi. Tiranë, 27 nëntor 2011, nr. 1, f. 19 (7).

Ky krijim i mrekullueshëm: “Kënga e Plàkut t’Màth të Shkjypëriës“ që i kushtohet Ismail Qemalit, është ndër krijimet më të bukura, me një arritje të lartë artisktike, duke ruajtur frymën e dashurisë për Shqipërinë që vërrehet pothuajse në të gjitha krijimet e Skiroit. Ne kemi bërë përshkrimin besnik nga origjinali duke ruajtur gjuhën arbëreshe që ka shkruar Zef Skiroi.

Ne nuk kemi bërë një transliterim në shqipen standarte tëkëtij krijimi të Skiroit, ngase mendojmë se është mjaft i kutpueshëm për lexuesin dhe në vetëvete ruan një thesar të çmuar të arbërishtes shekullore që është shkruar të paktën që nga Lekë Matranga (1592) e deri në ditët e sotme.

Filed Under: Kulture Tagged With: Musa Ahmeti

Sali Gjuka: mësuesi i idealistëve

November 25, 2023 by s p

Dr. Çelo Hoxha

Në 17 maj 1915, gazeta Sadai Milet, e cila dilte në gjuhën turke në Shkodër, e akuzoi Sali Gjukën se “kishte flakur në mur Kuranin” dhe kishte thënë: “Jemi shqyptarë e s’jemi fetarë”. Ai u përgjigj pas dy javësh: shkurt, me guxim dhe thellësisht i prekur. 

Në 1 qershor Sali Gjuka lajmëroi përmes gazetës Populli, se kishte bërë padi kundër gazetës, por në Shqipërinë e zhytur në kaosin e Luftë së Parë Botërore, premtimi i tij se çfarë do të pasonte nëse vërtetoheshin akuzat mbetet dëshmia e vetme që historianët të mbrojnë pafajësinë e tij. “N’u vërtetoftë kjo mëkatë qi po më shpifet, nuk kam me rrnuë ma në ket jetë,” deklaroi Sali Gjuka në përgjgjen e tij. 

Polemika bëri bujë. Në një artikull të nënshkruar me emrin Sino Balashi, thuhej se akuzat ndaj Sali Gjukës kishin prapavijë politike. Sipas tij, ata që shkruanin në Sadai Milet, “kur dalin në Europë gjezdisin me kapele e bëjnë gjithçka është kundra Dinit po kur kthehen në Shkodrë me programe e me qëllime e me napoliona, ven feste të kuqe ose qeleshe e gjyslyqe e flasin në emër të Dinit”, të cilët, sipas tij, i bënin më shumë shërbim Greqisë, se vendit të tyre, me sulmin ndaj Sali Gjukës. 

Polemika zë fill ndoshta me një artikull të Sali Gjukës në gazetën Lidhja Kombëtare, 10 maj 1915. Artikulli i tij “E dreita” ishte një kritikë e hapur për ata që “kërkonin gjuhën Anadollake në Shqipënië”, që dëshironin “flamurin e Tyrkiës në vend të flamurit shqytar” dhe që harxhonin paratë e tyre për të arsimuar fëmijët “në shkolla Asiatike”. Artikulli ishte një shpullë ndaj atyre që e përdornin fenë për interesa antishqiptare, myslimanë e ortodoksë. Ai fajësonte fanatizmin fetar, të cilin e shikonte si një rrezik për kombin shqiptar. Sipas tij, fajtorë për gjendjen e trazuar nuk ishin nacionlistët, të cilët akuzoheshin nga fanatikët, por ata hoxhallarë që nuk kishin bërë detyrën e tyre, që nuk ua kishin mësuar besimtarëve të tyre “pikat e drejta të feës”. Mos harroni, këshillonte ai në artikull, “se po të kërkohet tyrkishteja, ka me u lypë edhe grekishteja”. Sipas tij, nxitësi i kryengritjes së Haxhi Qamilit ishte “zani tradhtuer, prisha e Atmes së shkretë (që) filloi me zito e mbaroi me padishahem çoka jasha.”

Kohët ishin të vështira. Një bandit, Haxhi Qamili, dhe njerëzit e tij kontrollonin më shumë territor se qeveria. Njerëzit e tij kishin vrarë katër vetë në Berat, mes tyre Hajredin Fratarin, ish-nnprefekt dhe njeri që “pat marue shkollën ma t’madhe t’Stamollës”, në Elbasan kishin vrarë Sheh Hysenin, të cilin në atë qytet “e diftoshin me gisht si niri t’drejtë e ndershëm”. Kjo gjendje ishte gjithandej: në Tiranë ishe therur dikush, në Krujë dikush ishte groposur, në Kavajë i kishin prerë dorën një personi, në zona të tjera ishin grabitur e djegur shumë shtëpi dhe një numër të pafajshmish dergjeshin në burgje. Në Berat ku jetonte Sali Gjuka, rebelët e rrëmbyen nga shtëpia firmëtarin e pavarësisë Bab Dudë Karbunarën, 73-vjeç dhe i sëmurë, dhe gjatë rrugës për në burg e rrahën me kondakët e pushkëve. 

Me akuzat e Sadai Miletit vihej në rrezik jeta e Sali Gjukës, megjithatë ai mbrojti me kurajë bindjen e tij që: “Shqypen do t’a ndreqin shkollat”. Ai e vlerësonte shumë rolin  e gjuhës shqipe në formimin e vetëdijes kombëtare dhe shtetit shqitar. Shkollat shqip ishin, sipas tij, domosdoshmëri.

Për Sali Gjukën si gjuhëtar thuajse nuk është folur fare që pas vdekjes së tij më 1925. Ai është një ndër studiuesit më të parë të gjuhës shqipe, për të cilin, pavarësisht kohëve të trazuara që jetoi, pavarësisht mosekzistencës së shtetit shqiptar, ose qenies së tij më tepër një formalitet sesa një realitet, mund të thuhet se ka bërë punë studimore më shumë se disa nga njerëzit që mbahen sot si figura të shquara të Akademisë së Shkencave. Në vitet 1913-14-15 ai botoi, në gazeta të ndryshme, një radhë artikujsh për gjuhë, me titullin: “Bisedime gjuhe.” 

Qëllimin e artikujve të tij ai e ka shprehur qartë: “Qillimi i ynë asht tui i treguë të pandehunat t’ona, me i shtyë dietarët me na giegun, me mbësuë dishka prei tyne e me e shpëtuë veten e dikë nga do farë dyshime.” Gjuka argumentonte, për shembull, se tingujt e pazëshëm të shqipes, megjithëse nuk ndihen në ligjërim, duheshin përdorur në shkrim, sepse, sipas tij, “për me dallue zanoren e giatë prej të shkurtës, shihet nevoja e një farë shejit”. Në artikullin e 25 prillit 1915, gazeta Populli, ai sqaron, sipas mendimit të tij, Z. Dudë (Babë Dudë Karbunara, me siguri) në lidhje me shqetësimin e tij se a bëhen femërorë emrat e gjinisë mashkullore që në shumës mbarojnë me e: mali, bregu që bëhen malet, brigjet. Kur lexon artikujt e tij sot vëren se gjuha ka pësuar zhvillime rrënjësore, por parimet janë po ato. Për shembull, në përdorimin e fjalëve të caktuara, thotë Gjuka në një artikull, ka dy parime: një, zgjidhet forma që përdor shumica e popullsisë, ose, dy, forma që është më afër origjinës.

Një pjesë e firmëtarëve të pavarësisë duket ishin të vendosur të plotësonin mangësinë që shqiptarët kishin në kohën e Lidhjes së Prizërenit: lëvrimin e gjuhës. Një mangësi që, sipas kujtimeve të Hajredin Bej Cakranit, ishte theksuar dhe Bismarku në një takim me Abdyl Frashërin. Sali Gjuka ishte njëri prej firmëtarëve që iu kushtua çështjes së Arsimit, në detyrën e drejtorit të Arsimit në Berat 1913-14, drejtor i përgjithshëm i Arësimit në Durrës në kohën e princ Vidit dhe sërish në Berat në 1916-17. 

Në Berat, gjatë drejtimit të Sali Gjukës, kishte dy shkolla fillore, me pesë mësues dhe 160 nxënës; në Lushnjë dy shkolla, një për djem një për vajza; në Libofshë, Divjakë dhe Peshtan nga një; në Skrapar kishte tre shkolla, në fshatrat Vërzhestë, Çepan dhe Paton.  

Shkolla shqipe kishte armiqtë e saj edhe pas mëvehtësimit së Shqipërisë. Një nga mjetet për ta luftuar ishte shpifja. Në një letër, për shembull, e nënshkruar me pseudnimin “Beratasi”, shkolla paraqitej si vend degjenerimi, ku nxënësit luanin me topa lecke në çdo cep të saj, mes tyre kishte dashuri të madhe “sa edhe natën në një shtresë flenë”, “Zonja Marie direktorin e vështron si vëllain e saj”… Sali Gjuka reagoi ashpër: “Të gjitha ato që shkruhen në fletoren t’uej mbi shollën normale të Beratit,” i shruan ai gazetës Shqypnia e Re, “janë krejt të shpifuna… Si mësuesit edhe nxansit janë të ndershëm, të pa asnji faj e të mudueshëm për përparim, prandaj historia do t’i bekoj, në vënt që shpifsit e atyne padyshim ka me i mallkue, se këto dokra po i kënaqin tradhëtorët edhe po i bajnë dam arësimit kombëtar.” Artikulli mbyllet me një thirrje për keqashësit, e cila tregon vlerësimin e tij për rëndësinë e arësimit: “I lutemi të mos lozin me pikë të jetës shqiptare.” 

Puna e Sali Gjukës sigurisht kishe dhe mirënjohësit e saj. Në numrin e saj të 8 gushtit 1917, Posta e Shqipniës shkrunte se kishte marrë shumë letra që lavdëronin punën në sektrorin e arësimit: “Po na shkruejnë prejë rrethevet të Beratit se shprovimet e fundit të vjetës në nji shkollë të nji katundi paskanë dalun me faqe të bardhë. Këtë punë e kupojmë e e besojmë me nji herë, tue dijtun se n’atë trevë të bukur të Shqipniis kemi për Drejtuer shkollash zot. Sali Gjukën, nji ndër fuqit ma të vlerta e të fuqishme në lamë t’arsimit.” Dhe gazeta e paralajmëron drejtorin, i cili i ka patur të shumta telashet: “Vetëm për nji punë i thomë S. Gjukës, domi me thanë mos m’u mërzitun, pse ka për të gjetun shum kundërshtime, pse mjerisht sikurse në tanë botën, kështu edhe ndër ne, gjinden asish qi a prej mllefit a prej smiret t’zezë kanë me shique se si me ia prishë punët.”

Sali Gjuka lindi në Pejë, 1876, por shumë shpejt familja e tij u largua nga presionet politike dhe u vendos në Shkup. Aty Sali Gjuka mbaroi shkollën normale, studimet e larta i kreu në Selanik, për drejtësi. 

Në 1909 ai hapi një shkollë fillore në Pejë, e cila nuk e pati jetën të gjatë për shkak të presionit të autoriteve osmane. Edhe një herë Sali Gjuka bëri të njëjtën lëvizje si prindërit e tij kur nuk i kishin punët mirë me qeverinë: e la Pejën dhe u vendos në Shkup. Aty filloi punës si mësues i gjuhës shqipe në shkollën normale dhe gjimnazin e Shkupit. Shumë nxënës të tij në këto shkolla u bënë mësues të shqipes më vonë. U angazhua me themelmin e klubeve shqiptare dhe, së bashku me patriotë të tjerë, themeloi në Shkup “Shoqërinë e zezë për shpëtim”. Mbledhjet e kësaj shoqërie bëheshin në shtëpinë e tij, e cila ishte strehë për gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare. Ai shkroi protesta, memorandume, ankesa të formave të ndryshme në mbojtje të popullit shqiptar. Drejtoi klubin e famshëm të Manastirit, “Bashkmi”, dhe gazetën “Bashkimi i Kombit” që dilte në Manastir. Gazeta e bëri të njohur emrin e tij në viset e shqiptare, por fama e tij zë fill me recitimet e vjershave në gjuhën amtare, kur ishte ende fëmijë, dhe u bë i njohur në gjithë qytetin e Pejës, shkruhet në të vetmen nekrologji që u botua në shtypin shqiptar të kohës me rastin e vdekjes së tij. Në 1912 mori pjesë në organizimin e kryengritjes së përgjithshme të jugut, në fazën e fundit të shpalljes së pavarësisë organizoi studentët shqiptarë dhe formoi me ta “Çetën e studentëve të Selanikut”. Për veprimtarinë e tij kombëtare, gyqi osman e dënoi me vdekje në mungesë. 

Në mbrëmjen e fjalimeve të zjarrta, 27 nëntor 1912, Sali Gjuka i preku të pranishmit me oratorinë e tij patriotike dhe Ismail Beu “e afroj afër dhe e puthi në të dy syët me lot nëpër faqe”. Të nesërmen Sali Gjuka, së bashku me të tjerët, firmosi deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë, si delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Guxisë. Në 4 dhjetor, me 35 vota, u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

Referuar copëzave biografike të tij, rezulton se Sali Gjuka ka qenë më me fat e më i lirë kur ka Shqipëria ka qenë e pushtuar. Katër vjetët e paqës, 1920-24 ai i kaloi në burg i dënuar për akuza të bëra, siç thotë një historian, “nga intrigantë të ndryshëm të asaj periudhe”. Një nga dobësitë e historianëve shqiptarë është fakti që sot dimë fare pak për burgosjen e njërit prej firmëtarëve ose nuk e dimë fare emrin e qytetit në spitalin e të cilit ai u shua. Pas daljes nga burgu nuk jetoi gjatë, vdiq një vit më pas, i harruar nga të gjithë dhe i mposhtur nga sëmundja. Miqësia me Bajram Currin e ndihmoi të lirohej nga burgu si i pafajshëm, por përkrahja e kryengritjes së Fan Nolit ka ndkimin e vet që u la të vdiste i harruar në “nji nga spitalet tona”.

Mehmet Vokshi, botuesi i gazetës Afrimi, i cili ishte i vemti që shkroi për vdekjen e Sali Gjukës, të paktën duke u bazuar në gjithë bibliografinë shtypit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, duket se ka goditur në shenjë kur ka e ka vlerësuar atë si “një pendë pjellore… qi dhe mas tashit shkrimet e tij kan m’u ba shkak qi emni i tij të shkruhet me shkroja t’arta në mermerin e famës.” Nëse kjo nuk ka ndodhur ende, atëherë thjesht nuk ka mbaruar tash-i.

Foto: dardaniapress. com

Filed Under: Kronike

KONTRIBUTI I PATRIOTËVE PEQINAS NË VITET E PARA TË SHTETIT SHQIPTAR (1912-1924)

November 25, 2023 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Dobësimi i Perandorisë Osmane, lakmia për territore që kishin vendet fqinjë ndaj territoreve shqiptare, luftërat ballkanike, vuri në pikpyetje ekzistencën e kombit shqiptar. Në këtë situatë, shqiptarët nuk ngelen duarkryq, por ishin gjithmonë në këmbë për të mbrojtur atdheun me çdo kusht. 

Peqini, duke qenë një krahinë me histori të gjatë: me vendbanimin e vjetër të njohur si Klaudiana, me rrugën Egnatia (ndërtuar gjatë Perandorisë Romake), Kalaja e ndërtuar gjatë periudhës Osmane, tregon se Peqini kishte vijëmësi të jetës në periudhat e ndryshme historike. Duke patur këtë trashëgimi, Peqini shquhet për atdhetarizëm, duke nxjerrë shumë figura të rëndësishme, që shquheshin për trimëri, mençuri dhe kulturën që demostronin. 

Më shumë figurat patriotike nga krahina e Peqinit, sidomos nga qyteti, do të shfaqeshin në periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku dallohej fisi Gjinishi me përfaqësuesit e hershëm Adem Gjinishi dhe vëllai i tij sheh Tahsimin.

Duke qenë më aktiv në vitet e para të pavarësisë, xhonturqit u konfrontuan me Gjinishët, pasi 2 vëllezërit kishin filluar iniciativat për hapjen e shkollave shqipe në qytet. 

Xhonturqit pasi e kapën sheh Tahsimin, u përpoqën që ta internojnë në Manastir. Më pas teqja e sheheve Gjinishas u bë një vend i rëndësishëm për takimin e patriotëve dhe atdhetarëve të Peqinit. Jo vetëm kaq, në këtë teqe vinin edhe atdhetarët e shquar si Aqif Pashë Elbasani, Haxhi Zeka, Haxhi Aliu, Abdyl e Eshref Frashëri, etj. 

Pas kordinimit që kishin patriotët peqinas me këto atdhetarët e shquar të kombit shqiptar, më 26 nëntor të vitit 1912 u ngrit flamuri shqiptar në Peqin: aty ku ndodhet Xhamia. 

Me këtë rast iu dërgua një telegram në Vlorë, Kuvendit dhe delegatëve. Këtu qe deleguar dhe Mahmud Kaziu (nënprefekti i Peqinit) si përfaqësues e delegat i Peqinit,  nënshkrues i Deklaratës për Pavarësi në Vlorë.

Në Peqin, nga Adem Gjinishi e drejtues të tjerë u përgatitën rreth 100 veta për të mbrojtur Kuvendin e Vlorës. Kështu nga peqinasit u shoqërua karvani i Ismail Qemalit nga Boshtova (pranë Kavajës) gjer në Vlorë. Merrnin pjesë në shoqërim patriotë peqinas si Adem Gjinishi, Ramazan Cani, Osman Çanaku, Muharrem Spahiu, Arif Sufali, Adem Lluca, Ahmet Ashiku etj. Krahas entuziazmit dhe dëshirës së peqinasve për ngritjen e flamurit në qytetin e tyre, pati njëkohësisht dhe kujdes, vëmendje dhe ankth për rreziqet që po i kanoseshin vendit.

Le t’i referohemi konkretisht telegramit :

Telegram i popullit të Peqinit – 27 Nëntor 1912

Drejtuar Ismail Qemalit dhe delegatëve të Kuvendit – Vlorë.

“Ju bëjmë të ditur se me dëshirën e krejt popullit, mbrëmë në orën 6 Nënprefektura e Peqinit e shpalli pavarësinë në anë të Shqipnisë dhe ngriti flamurin tonë nëpër godinat zyrtare dhe tash jemi duke u marrë me emërimin e nëpunësve të nevojshëm. Veç se jemi informuar se ushtarët e ushtrisë serbe po i afrohen Qukësit dhe, po të jetë se nuk merren masa penguese, ka mundësi që të shkelë tokën tonë e prandaj ju lutemi të demarshoni me ngutësi pranë Fuqive të Mëdha e të kërkoni garantimin e Pavarësisë së Vendit tonë.

Urdhëri është i juaji.

Firmat: Adem Gjinishi, Ahmet Kaziu, Sulejman Kuqi, etj.

(A.Q.SH. Fondi 245. Viti 1912. Dosja I – 5. Fleta 31).

    Foto nr. 1. Adem Gjinishi           Foto nr. 2. Mahmud Kaziu

C:\Users\Kastro\Downloads\2023-11-21 17-16_page-0001.jpg
C:\Users\Kastro\Downloads\2023-11-21 17-12_page-0001.jpg

Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipërisë i’u shtua rreziku për copëtim, për shkak të futjes së ushtrive të vendeve fqinjë në trojet e banuar nga shqiptarët. Me politikat e tyre shoviniste, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kërkonin me çdo mënyrë të aneksonin sa më shumë territore të banuar nga shqiptarë. 

Në Peqin pati përplasje të ashpra ndërmjet ushtrisë serbe dhe banorëve. Serbët kryen masakra tek kalaja e Peqinit (në bodrumet e saj). Për banorët e zonës dhe jo vetëm është e njohur dhe akti heroik i gruas Xheme Gramshit nga krahina e Peqinit, që me një hekur të nxehtë (hell) vrau tre serbë.

Përveç mbrojtes së qytetit të tyre, patriotët peqinas nisën vullnetarë për të ndihmuar Shkodrën në vitin 1913 në luftën ndaj Malit të Zi. Trimëria e “taborrit” prej 300 luftëtarë peqinas kundër malazezëve qe e dukshme, aq sa populli i ngriti këngën:   

“Plasi lufta në zall të Kirit

Aferim taborrit Peqinit”

Krahas luftëtarëve e patriotëve si A. Gjinishi, Xhaf e Riza Çeka, A. Kruja, A. Sufali, M. Ashiku, Xh. Ballhysa, O. Çanaku etj. u dallua veçanërisht peqinasi Ismail Kadiu ushtarak, oficer i lartë që kishte studiuar në Stamboll e Vjenë. Ky mori pjesë në luftime kundër malazezëve, si dhe u konfliktua me Esat Pashën që tradhtoi interesat shqiptare (e që më vonë u vra pabesisht).

Patriotët demokratë peqinas dolën hapur kundër tradhtisë së Esat Pashës ndaj interesave të vendit e njerëzve të tij. Kështu në gazetën “Rilindja e Shqipërisë 6/19 Nëntor të vitit 1913 gjërësisht shkruhej “Një nëpunës karakteristik i Esat Pashës – një letër nga Peqini: Mbi ligësitë e Kadri beut (K. Bonati), njeri i zgjedhur i Esat Pashës”. 

Në këtë kohë shikohet dhe qëndrimi përparimtar i peqinasve kundër Qeverisë reaksionare të Durrësit. Gazeta “Besa e shqiptarëve” – 24 Dhjetor 1914 theksonte: “Kryengritja e tiranasve dhe elbasanasve perfshijnë edhe Peqinin dhe Beratin. Dobësia e qeverisë së Durrësit ndihet kudo”.

Në vitet ‘20 u ndje fryma demokratike e kohës. Kështu në teqen e sheheve Gjinishas realizoheshin mbledhje të patriotëve vendas dhe të simpatizantëve me influenca e ide demokratike. Këtu mblidheshin dhe kuvendonin: Demir Godelli, Mehmet Peza, Ramazan Teqja, Xhaferr Çeka, Daut Elezi, Gud Kruja, Latif Kumbara, S. Kuqi, M. Kaziu, Ahmet Kaziu, Asllan Ballhysa, nga Dehimtë, Minoltë, Cantë, Gripshtë, Bedalltë, Dervishtë, Salitë, Biçtë, etj.

Në përfundim të kuvendimit patriotët peqinas zgjodhën Adem Gjinishi si delegat në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, Si demokrat i orëve të para, ai u vra më 1923 nga njerëzit e Vërlacit e Zogut.

Në qytetin e Peqinit dominonte krahu demokrat. Ata kishin ngritur dhe nëndegën e shoqatës “Bashkimi” dhe interesoheshin gjerësisht për probleme të qytetit e të krahinës, apo organizonin popullin për fushata e ndihma financiare në dobi të vendit.

Kështu p.sh. në Fletoren zyrtare viti 1922, Nr. 46. 12 Tetor shkruhej në një artikull:

“Ministria e Arsimit”: “Falenderojmë popullsinë e Peqinit për ndihmat në ndërtimin e Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë “. 

Banorët dalloheshin për; harmoni, patriotizëm, solidaritet reciprok e unik. Në nëndegën e shoqatës “Bashkimi” kishte intelektualë, tregtarë, pjesëtarë të besimeve të ndryshme fetare, etj.   

 Revolucioni demokratiko-borgjez në vitin 1924 pati ndikim shumë të madh edhe në Peqin. Figura e Fan Nolit pëlqehej dhe mbështetej këtu. Fjalët e Nolit për unitet e bashkim për përparimin shoqëror kundër ndarjes dhe sherreve mes shqiptarëve për periudhën e vështirë që kalonte vendi, gjetën përkrahje edhe në Peqin. 

Për realizimin e këtij artikulli, falenderoj profesor Astrit Kaziun për bashkëpunimin e tij të vyer. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Albert Kurti

Situata politioko-ushtarake deri në krijimi e shtetit të parë modern shqiptar

November 25, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, pati përballë jo vetëm pushtuesin shumë shekullor osman, por edhe shtetet e reja  kufitare, ato helene, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane. Parashikohej aneksimi i plotë i tyre me vijë takimi të përbashkët e vijëndarëse lumin Shkumbin. Fatkeqësisht, si gjithmonë, Lëvizja jonë Kombëtare, në momente të caktuara, por tepër jetësore në mbrojtje të viseve të veta, u përball edhe me indiferentizmin e Fuqive të Mëdha të kohës e pse jo edhe me kundërshtimin e tyre e deri në marrjen e vendimeve antishqiptare.

Në mesin e shek. XIX, kur hartoheshin planet aneksioniste të fqinjëve, sipas edhe shumë vëzhguesve të huaj, të cilët e njohën nga afër gjeografinë njerëzore të Gadishullit Ballkanik, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Kështu, sipas euriditit francez Ami Boue (1840), vëzhguesit britanik E. Spencer (1847), austriakut J. Hahn (1853) etj, hapësirat gjeografike me popullsi autoktone shqiptare shtriheshin:

-Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë;

-Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir;

-Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, përkatësisht krahinat ekstreme. (Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Këta studiues e vëzhgues pranonin se në këto krahina kishte edhe banorë të kombësive fqinje ballkanike (grek, vëlleh, maqedon, serb, malazes, turq). Por këto përbënin vetëm  pakica shumë të vogëla, në kuadrin e shtrirjes së madhe të popullsisë shqiptare. Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, edhe pse në atë kohë, me emrin, Shqipëri, nuk njihej ndonjë ndarje administrative, ato emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve,  Kosova, Shkodra, Manastiri, dhe Janina dhe ishin ndarë nga qeveria osmane. Sipas disa studiuesve popullsia shqiptare shtrihej në një sipërfaqe prej 90.000 km. (Arben Puto, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Vëll. I, Tiranë 1985, f. 20). Por, para Kongresi  të Berlinit, që shënon edhe coptimin e madh të parë të trojeve shqiptare, i cili u shkëputi atyre rreth 25.000 km2 sipërfaqe, del se në vitin 1878, sipërfaqja me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2.

Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Perandorisë. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Ai do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore, Rusia do t’i siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome. Brutaliteti i politikës perandorake ruse dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare, në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike e kombëtare. Rusia nuk e njihte Shqipërinë as si shprehje gjeografike, jo pse nuk kishte informacione për shqiptarët, por këtë e bënte më qëllim që t’ua mundësonte shteteve sllave zgjerimin territorial në këto vise pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Për më tepër trojet e saj u copëtuan midis katër shteteve. Pjesa më e madhe e tyre mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij, ndër të tjera krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës. Kufiri i ri do të kalonte përmes liqenit të Hotit, liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës. Ky copëtim i trojeve shqiptare ndryshonte ndarjen e deriatëhershme të njësive administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.

Tani tokat shqiptare do të bënin pjesë jo në katër, por në tre vilajete pasi që Vilajeti i Manastirit do të kalonte krejtësisht nën administrimin bullgar. Midis tre vilajeteve që do të mbeteshin nën zgjedhën osmane, njëri prej tyre, vilajeti i Janinës, do t’i nënshtrohej një reforme administrative të veçantë. Sikurse thuhej në nenin 15, në viset e tij, do të zbatohej ashtu si dhe në Thesali, një rregullore e njëllojtë me atë që ishte vendosur për ishullin e Kretës më 1866. Rregullorja do të përgatitej nga Porta e Lartë, e cila do të detyrohej të merrte pëlqimin e Rusisë, para se ta vinte atë në zbatim. Në këtë mënyrë shqiptarët e shpërndarë në tre vilajetet do të administroheshin nga rregullore të ndryshme, gjë që do t’i vështirësonte më tej marrëdhëniet e tyre politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Shqiptarët e kuptuan përmbajtjen e Traktatit të Shën Stefanit në prili të vitit 1878, kur ai u shpall zyrtarisht. Ata u informuan për copëtimin e tokave të tyre dhe territoret që do t’i kalonin Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sikurse shkruante Abdyl Frashëri, më 12 prill 1878, perandori nuk do të ndalej vetëm me këtë copëtim të trojeve shqiptare. Sipas tij, Traktati i Shën-Stefanit shënonte vetëm hapin e parë drejt asgjësimit të plotë të Shqipërisë. Një vlerësim të tillë të situates e bënte edhe Sami Frashëri. Pasi vinte në dukje tendencën e Rusisë për ta shtrirë Bullgarinë deri në brigjet e Adriatikut, ai shkruante disa muaj më vonë: -“Sikurse kuptohet nga harta e Traktatit të Shën-Stefanit, (Rusia) pasi ta ketë bullgarizuar mesin e Shqipërisë, pjesët që mbeten në veri të saj, domethënë sanxhaqet e Prishtinës, Prizrenit dhe Shkodrës, do t’ia falë Serbisë dhe Malit të Zi, kurse pjesën që mbetet në jug, domethënë sanxhaqet e Prevezës, Janinës dhe Gjirokastrës do t’ia japë përkohësisht Greqisë, duke e zhdukur Shqipërinë, bile duke e fshirë atë nga harta”. (Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1997, f. 60).

Duke e ndier rrezikun nga afër sidomos pas sukseseve të Rusisë, ideologët shqiptarë mendonin për organizimin e shqiptarëve për çlirimin e tyre. Kjo ide përparimtare u jetësua në maj të vitit 1877 kur u formua në Janinë një Komitet Shqiptar në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri. Pas konsolidimit, Komiteti i Janinës vuri kontakte me oficerë shqiptar që shërbenin në ushtrinë osmane të cilët u treguan të gatshëm për tu bashkuar në luftën çlirimtare.

Shqiptarët kishin filluar të organizoheshin edhe në veri të Shqipërisë. Ata kishin formuar një komitet në krye të cilit qëndronte Pjetër Gurakuqi, i ati i Luigj Gurakuqit i cili sipas konsullit austriak në Shkodër Lippih njihej si proitalian.

Në rrethanat e reja të ndërlikimit të situatës ndërkombëtare kur Rusia me aleatët e saj po përparonin, Greqia e ndjente të nevojshme vazhdimin e bisedimeve me shqiptarët. Abdyil Frashëri kishte kërkuar nga pala greke që ta tërhiqte nga delegacioni Mavromatin sepse sipas tij ai ishte pengesë serioze për arritjen e ndonjë marrëveshje eventuale. Athina në vend të Mavromatit, dërgoi Stefanos Skuludhin i cili ishte deputet në parlamentin grek. Skuludhi arriti në Stamboli më 15 dhjetor 1877. Takimi në mes të delegacioneve, me kërkesën e Abdyl Frashërit u shty për disa ditë me qenë se ai dhe përfaqësues të tjerë ishin të zënë me organizimin e një aktiviteti kombëtar. Në fakt patriotët shqiptar kishin udhëtuar nga vende të ndryshme të Shqipërisë për të marrë pjesë në bashkimin në një organizate kombëtare e cila do të formohej në Stamboll. Kjo organizatë u formua më 18 dhjetor 1877 dhe u njoh me emrin “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”. Edhe këto përpjekje për lidhjen e ndonjë marrëveshje shqiptaro-greke me interesa dypalëshe dështuan. Madje urdhri nga qeveria greke dërguar Skuludhit për t’u tërhequr nga bisedimet me shqiptarët më 25 dhjetor 1877 ishte sinjal i qartë se Greqia po përgatitej të pushtonte tokat shqiptare në Jug.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha.  Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. 

Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale.

Kuvendi i Lidhjes së Prizërenit, më 10 qershor 1878 do të hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Abdyl Frashëri në fjalen e tij do theksonte: -“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. 

Lidhja e Pejë e vitit 1899, u vlerësua si një organizatë unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Me urdhërin e drejtuesve të Lidhjes dhe në zbatim të vendimeve të saj u ndalën gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta për ata që do të nxirrnin hakmarrjen, dhe për veprimet e tjera që cënonin rendin publik. Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvajtje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërrmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Serbia dhe shtete të tjera  të Ballkanit e pritën me shqetësim formimin e Lidhjes së Pejës. Ndaj kësaj Lidhje Shqiptare nuk shfaqën dashamirësi as Fuqitë e Mëdha sidomos Rusia dhe Austro-Hungaria. Pretendimet e Lidhjes Shqiptare binin ndesh me politikën pan sllaviste ruse kurse Austro-Hungaria ishte e interesuar që të përfitonte nga çdo dobësim i Perandorisë Osmane në mënyrë që të pushtonte këtë territor. As Britania e Madhe nuk shfaqi ndonjë shenjë përkrahje apo ndonjë trajtim më pozitiv në krahasim me Fuqitë e tjera. 

Në mars të vitit 1903 mijëra shqiptarë të armatosut u grumbulluan në rrethinat e Prizrenit e të Mitrovicës dhe zunë gjithë zonën midis Gjakovës e Pejës. Rreth 5000 kryengritës u mblodhën në Drenicë, ku nën drejtimin e udhëheqësve të tyre Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në fushë të Morinës kuvendin e tyre, në të cilin u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet e Mitrovicës, ku në mars 1903 u përqëndruan 2000-3000 kryengritës, të cilët, ashtu si në Kuvendin e Drenicës, protestuan kundër “reformave që po dëmtonin interesat e atdheut”.

Lëvizja kombëtare shqiptare e vetmuar dhe pa asnjë përkrahje politike nga shtetet e pavarura të Ballkanit dhe Fuqitë e Mëdha nuk kishte shumë mundësi për zgjedhje në veprimet e saj politike. Shtetet ballkanike me çdo kusht përpiqeshin të pengonin aktivitetet dhe luftën e shqiptarëve për çlirim kombëtar. Në këto rrethana, patriotët shqiptar edhe më tutje gjendeshin para një dileme e cila iu afronte dy mundësi: E para, të rreshtoheshin përkrah popujve të krishterë të Ballkanit të cilët e mohonin ekzistencën e popullit shqiptar dhe pretendonin ta copëtonin territorin e Shqipërisë dhe e dyta, të rreshtoheshin përkrah sulltanit dhe të mundoheshin të përfitonin disa nga kërkesat e tyre. (Georges Castellan, Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX), Tiranë 1991, f. 381).

Kryengritjet shqiptare të viti 1910-1911, pavarësisht se nuk i dhanë rezultatet e pritura, megjithatë tërhoqën vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare. Britania e Madhe pavarësisht se nuk i përkrahu zyrtarisht lëvizjet kryengritëse shqiptare, diplomacia e këtij vendi që përbënte njërin nga më të fortit në kuadrin e Fuqive të Mëdha nuk pati qëndrim zyrtar as kundër interesave të shqiptarëve. Kjo vinte nga që rrethanat e përgjithshme dhe njohjen e pamjaftueshme të kauzës shqiptare në qarqet diplomatike dhe nga mungesa e një qendre të vetme politike ku mund të kordinoheshin aktivitetet politike, diplomatike dhe organizimi i kryengritjeve antiosmane, pra mungesa e përgatitjes në masën e duhur të faktorit të brendshëm. Mungesa e këtyre aspekteve ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë e shndërrimit të “kauzës shqiptare” në interes strategjik të Fuqive të Mëdha.

Fillim viti 1912 nisi me probleme të vjetra të pazgjidhura në trojet shqiptare. Marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe qeverisë osmane jo vetëm që nuk kishin shënuar përmirësime, por ishin ndërlikuar edhe më tepër duke hyrë kështu në një rrugë njëdrejtimëshe pa mundësi reale për t’u riparuar. Vilajeti i Kosovës si zonë më e rëndësishme gjeostrategjike, për shkak të rrethanave të krijuara ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm të shteteve ballkanikë, por edhe të Fuqive të Mëdha.

Serbia për të formuar shtetin e vet vranë e masakruan si dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të Kosovës. Beogradi i Pashicit synonte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Planet e shfarrosjes së shqiptarëve dallohen qartë kur gjeneralët serbë pranonin haptazi se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç’qenë shqiptarë”. Synimi i ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!” dhe kudo shkelën serbët, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë, ata mbollën vdekje e shkatërrime. Sekretari i Pashiçit shkruante: “në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar”. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25.000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Në Pejë në tetor, nëntor 1912 vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë 1200 veta. Serbet pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve në Kukës, në tetor 1912, masakruan 700 veta në Lumës, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan pothuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Në shumë fshatra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri. Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, u vranë 3000 veta, nga të cilët 2000 në Shkup dhe rrethinat e itj, ku u arrestuan edhe krerë të lëvizjes shqiptare. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pushtimi u shoqërua me shpërngulje e 150.000 shqiptarëve vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike. 

Në këto rrethana Lëvizja Kombëtare Shqiptare, duke parë qartë dobësimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun  që u kërcënohej trojeve shqiptare nga qarqet shoviniste fqinje, po përgatitej për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, si e vetmja rrugë për të detyruar qeverinë osmane tu njohë shqiptarëve të drejtat e tyre.

New York Nëntor 2023

Filed Under: Komente Tagged With: gezim mustafaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1484
  • 1485
  • 1486
  • 1487
  • 1488
  • …
  • 2961
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 1958 / DR. WALTER LEHMANN, ISH-MJEKU PRIVAT I MBRETIT ZOG, NË CARMEL, USA : “LUFTA NDAJ KANCERIT FITOHET NËPËRMJET…”
  • Testamenti i Papa Franceskut në përvjetorin e parë të largimit në amshim
  • VISAR ZHITI NDEROHET ME TITULLIN “AKADEMIK HONORIS CAUSA” NGA AKADEMIA NDËRKOMBËTARE E ROMËS
  • Falënderoj pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan
  • Petro Nini Luarasi, 22 prill 1865 – 17 gusht 1911
  • SHPËTOHET NGA HARRESA NJË DORËSHKRIM I ÇMUAR I VITIT 1921 PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEUN
  • “Armiqtë apo alienët? Shkencëtarët që zhduken një nga një”
  • Ramë Dardania dhe fluturimi i bletëve në Carroussel du Louvre
  • RIBOTIMI I VEPRËS MADHORE “LAHUTA E MALËSISË” NË DETROIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA
  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT