• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRMBYLLET KOMPLETI I “KOSOVËS” NË TETË VËLLIME

September 1, 2023 by s p

-“Kosova” VI,VII dhe VIII: Botues: “Jalifat Publishing”, Houston dhe “Faik Konica”, Prishtinë, 2018.

Nazmi Rrahmani

Me botimin e vëllimeve: VI,VII dhe VIII, përmbyllet projekti ambicioz “KOSOVA” në tetë libra, e para vepër e llojit të tillë në historiografinë shqiptare. E filluar në vitin 2012 me tri vëllime (Antika, Perandoria Osmane dhe Koha e re me Dardaninë qendër të antikitetit pellazg-ilir), dhe e plotësua në vitin 2015 me dy vëllime të tjera (IV dhe V, në të cilat u përshi koha nga viti 1912 deri në vitin 1999), tri vëllimet e fundit trajtojnë administratën ndërkombëtare nga faza e emergjencës humanitare (1999-2001), si dhe zhvillimet politike dhe shoqërore, që çuan te shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Kohën e protektoratit ndërkombëtar prej tetë vitesh, autori e ka sistemuar në dy kapituj themelor: atë të ndërtimit të infrastrukturës së institucioneve ndërkombëtare përgjegjës për protektoratin nën drejtimin e UNMIK-ut dhe KFOR-it, dhe në përfshirjen e faktorit vendor në këtë proces me zgjedhjet e para lokale të vitit 2000 dhe ato vendoret në vitin 2001, prej nga dalin institucionet vendore: Parlamenti, Presidenti si dhe qeveria. Pjesa e parë e protektoratit ndërkombëtar gjen vend në “Kosovën” VI. Ndërsa “Kosova” VII, kap periudhën 2002-2008. Kompleti mbyllet me “Kosovën” VIII, me dokumentet kryesore të Kongresit të Berlinit 1878 (protokollet origjinale frëngjisht dhe gjermanisht të përkthyera edhe në gjuhën shqipe) dhe dokumente të zgjedhura nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, që lidhen me organizimin politik dhe ushtarak të Lidhjes Shqiptare nga mbrojtja e viseve shqiptare (Plavës, Gucisë, Grudës e Hotit e deri te Ulqini), si dhe themelimin e Qeverisë së Përkohshme të Lidhjes, me ç’rast rikthehet shteti mesjetar shqiptar i rrënuar nga osmanët pas vdekjes së Skënderbeut. Përzgjedhja dhe mbarështimi i këtyre dokumenteve e nxjerrin Kosovën si epiqendër të zhvillimeve kryesore historike nga mesjeta e këndej, mbi të cilat u jetësua platforma politike e nacionalizmit shqiptar, që solli te pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.

Në përputhje me konceptin e historisë kritike, autori ruan këtë qasje edhe në tri librat e fundit. Në këtë aspekt, në librin VI (Kosova 1999-2001 – Lugina e Preshevës dhe Maqedonia), rëndësi e madhe i kushtohet kohës së emergjencës humanitare, që lidhet me zbarkimin e misionit ndërkombëtar dhe rolin e tij për krijimin e rrethanave për normalizimin e jetës institucionale dhe infrastrukturës demokratike. Këtu, autori, është kritik ndaj rolit të faktori ndërkombëtar (UNMIK-ut dhe KFOR-it), që në përputhje me konceptin e “sigurisë para demokracisë”, strukturat e dala nga lufta i ktheu në partner politikë (paçka se ato përdorën metoda kriminale për përvetësimin e pushtetit, në formën e “një puqi të heshtur institucional”). Kjo ndikoi që “faktori luftë”, në forma të ndryshme, të vazhdojë të sfidojë rrethanat edhe në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni.

Edhe pse luftërat që u shfaqen në Luginën e Preshevës në vitin 2000 dhe në Maqedoni në vitin 2001 në formë të kryengritjeve të armatosura, në njëfarë mënyre shihen si vazhdim i luftës së UÇK-së për faktorizimin e mëtutjeshëm të çështjes shqiptare në rajon në përputhje me strategjinë që ato të përfshihen në kuadër të protektorateve ndërkombëtare, megjithatë, mbetën të kufizuara dhe larg qëllimeve të parashtruara politike, siç ishte kërkesa e UÇPBM-së për autonomi politike të Luginës së Preshevës të shpallur në referendumin 1992 dhe, nismëtarja e UÇK-së së Maqedonisë, për riorganizimin e Maqedonisë në shtet dy-kombesh (shqiptar-maqedonas gjegjësisht maqedonas-shqiptar). Kjo ka të bëjë sidomos për luftën e Maqedonisë, që ndonëse për nga aspekti ushtarak vlerësohet njëra ndër luftërat më të suksesshme të shqiptarëve në këtë shekull, ajo mbeti pa dividentën politike dhe shoqërore, ngaqë i mungoi platforma politike me të cilën sukseset në planin ushtarak do të përcilleshin me krijimin e strukturave të pushtetit politik dhe institucional me të cilat do të imponohej edhe zgjidhja politike (organizimi i shtetit maqedonas mbi parimin dy-kombesh siç u kërkua fillimisht). Kështu që, lufta për territore, përfundoi me marrëveshjen e Ohrit, e cila pos që “nën petkun e pluralizmit” solli në pushtet strukturat e luftës, që vazhduan avazin e pararendësve të tyre që t’u shërbejnë politikës nacionaliste maqedonase, nuk ndryshoi statusin politik dhe shoqëror të shqiptarëve.

Duhet theksuar, se trajtimi i Maqedonisë në librin VI, shkon tutje ngjarjeve të apostrofuara dhe shfaqet si çështje shqiptare. Kjo gjen mbështetje te qëndrimi se Maqedonia antike si dhe zhvillimet që rrodhën në mesjetën e hershme dhe atë të vonshme, në të gjitha fazat historike, ishte pjesë e etnisë shqiptare dhe , si e tillë, erdhi edhe deri te koha jonë. Me këtë rast, theksohet se e përfshirë në vilajetin e Kosovës me Shkupin kryeqendër të saj, Maqedonia zë vend kyç në zhvillimet politike të Rilindjes Kombëtare. Andaj nuk ishte e rastësishme që në gushtin e vitit 1912, në Shkup përfundoi marrëveshja e kryengritësve shqiptarë me me Perandorinë Osmane, e njohur si Katërmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës, me të cilën iu vunë themelet pavarësisë së Shqipërisë. Rolin e qendrës historike shqiptare, Shkupi, do ta ketë edhe në zhvillimet tjera, edhe pse në realitetet që sollën pushtimet ballkanike të vitit 1912 dhe ato të Luftës së Dytë Botërore, kjo u luftua vazhdimisht nga pushtuesit serbë dhe jugosllavë, kur Maqedonia nga një koncept gjeografik, politikisht do të shpallet shtet i maqedonasve, gjë që edhe luta e fundit shihet si një kapitulli i papërfunduar i këtij konfrontimi historik kundër etnisë shqiptare në Maqedoni.

Diskursi kundër luftimit të etnisë shqiptare si dhe përpjekjet që t’i merret vazhdimësia historike nga antikiteti (lidhja me Dardaninë) deri në atë masë sa shteti i Kosovës, siç e paraqet Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 e mbështetur mbi dokumentet e Ahtisarit, të shfaqet “pa histori”, pasqyrohet gjerësisht në vëllimin VII (Kosova 2002-2008). Me këtë rast, me sy kritikë shihen qëndrimet e faktorit ndërkombëtar, që Kosova të projektohet shtet qytetar me vulën e shpifur “të multietnisë”, ndërkohë që pakicës serbe, duke iu njohur “e drejta” që krishterimi ortodoks në Kosovë dhe objektet e kultit të trajtohen si trashëgimi ortodokse serbe në saje të gënjeshtrave të historiografisë serbe për gjoja shtetin mesjetar serb në Kosovë, i njihet “e drejta historike”.

Privimi i shqiptarëve nga trashëgimia e krishterimit ortodoks si pjesë e krishterimit të përbashkët, i cili, në këtë pjesë, pranohet qysh në shekullin IV dhe njohja e kësaj “të drejte” serbëve, krahas një shtrembërimi historik, njëherësh shfaqet edhe me pasoja politike, ngaqë le të hapur një konflikt, ku rëndom “e drejta historike” përherë ka përparësi ndaj “të drejtës etnike”, ose jetësore. Sepse, kjo e dyta, në rrethanat e caktuara politike, mund të ndryshohet dhunshëm, siç është parë vazhdimisht në përvojën e hegjemonizmit dhe ekspansionizmit serbomadh në dy shekujt e fundit ndaj etnisë shqiptare, e pasqyruar me luftëra dhe tri gjenocide, deri te i fundit në vitin 1999, që u ndal me ndërhyrjen e NATO-s.

Filed Under: Politike

STUDIMET ALBANOLOGJIKE NË KROACI

September 1, 2023 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Republika e Kroacisë është një nga vendet e rëndësishme europiane, në arkivat e së cilës gjendet një pasuri e jashtëzakonshme e burimeve materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Kjo është edhe arsyeja që në këtë vend janë vendosur shumë familje shqiptare në të gjitha periudhat kohore dhe kjo është arsyeja që ky vend ka dhënë shumë personalitete në fushë të albanologjisë.

Personalitetet shkencore, si: Milan Shuflai, Çiro Truhelka, Henrik Bariç, Aleksandër Stipçeviq, Radoslav Katiçiq, Josip Rela, Shime Deshpali, Mirua i Kikicës etj., janë studiues, shkrimtarë, enciklopedistë, intelektualë etj., pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e kulturës dhe qytetërimit shqiptar, ndërsa një listë tjetër shumë më e madhe do të mund të krijohej prej politikologësh, ushtarakësh, ekonomistësh, arkitektësh, etj., pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e popullit shqiptar.

Sfondi i hapësirës ilire nga antikiteti, komunikimi shumë i pasur ndërmjet qendrave ekonomike dhe kulturore gjatë mesjetës, bashkëpunimi i dendur për çlirimin kombëtar gjatë historisë së re ndërmjet Republikës së Kroacisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, krijojnë një rrafsh të përbashkët mbi të cilin mund të krijohet edhe një histori e përbashkët kujtese me perspektivë mes këtyre dy popujve.

Le t’i theksojmë vetëm disa prej tyre.

Në traditën kroate të studimeve albanologjike, emri i medievistit të shquar Milan Shuflai (1879-1931) zë kryet e vendit të atyre studiuesve që trashëguan shkollën austro-gjermane në gjysmën e dytë të shekullit XX. Sigurisht, për shkak se kjo shkollë, në këtë kohë, përgatiste edhe brezin e parë të albanologëve shqiptarë, kryesisht në shkollën e françeskanëve e të jezuitëve në Shkodër dhe në Grac e Vjenë të Austrisë, ndikimi i kontributit të Shuflait, do të shquhet jo vetëm në elitën shkencore e kulturore shqiptare, por edhe në tekstet e shkollave të mesme dhe të gjimnazeve të kohës.

Interesimi për jetën dhe veprën e tij do të thotë interesim për historinë dhe kulturën shqiptare.

Milan Shuflai ishte studiues me dhunti të jashtëzakonshme shkencore dhe gjenia e letrave me njohje ndërkombëtare. Ai ishte përgatitur në shkollën austro-gjermane dhe është e kuptueshme që gjenia e tij të mos kurorëzohej me referencën e rastit, por me sintezën e madhe të saj.

Milan Shuflaiu merrej me njërën nga temat më të mëdha të historisë së Ballkanit, që njëkohësisht ishte edhe tema më e errët për shqiptarët dhe hapësira ku manipulohej më së shumti nga historiografia serbe. Duke u marrë me kërkimin e dokumenteve të kësaj periudhe ai njëkohësisht po e përmbyste mendësinë serbe për të përvetësuar bëmat e kësaj epoke si prodhim i përvojës së popullit serb dhe heronjve të tij. Për më tej, Shuflai po ia rikthente popullit shqiptar pasurinë materiale dhe shpirtërore të mesjetës shqiptare: hapësirën e banimit, qytetet, fshatrat, institucionet religjioze, organizimin e fiseve, betejat, heronjtë, eposin etj.

Duke u marrë me përudhën më komplekse të mesjetës Milan Shuflaiu arrinte të strukturonte gjithë historinë kombëtare të shqiptarëve: antikitetin, mesjetën e hershme, mesjetën e vonë, periudhën osmane dhe natyrisht Rilindjen kombëtare, prandaj është e kuptueshme që institucionet shtetërore dhe akademike do t’ia besojnë shkrimin e historisë kombëtare, të cilën do të arrijë ta shkruajë vetëm pjesërisht.

E këtë nuk mund ta lejonin serbët, sidomos shteti, kisha dhe institucionet akademike. Ata nuk mund të duronin që shkolla austriake e Vjenës dhe Gracit të zhvendosej në Zagreb, brenda shtetit të sllavëve të jugut, ku albanologjia e nxitur nga një grup klerikësh shqiptarë (Gjergj Fishat, Shtjefën Gjeçovi etj.), dhe e përkrahur nga disa studiues kroatë e sllovenë të shkollës austro-gjermane po ligjërohej dhe po bëhej shkencë e dijes së përmasave ballkanike e evropiane. Kjo është arsyeja që serbët të eliminojnë Shuflain dhe të kryejnë një mision të dyfishtë: të eliminojnë studiuesin i cili iu printe kërkimeve shkencore në fushë të historisë shqiptare dhe të zhvendoste qendrën e studimeve albanologjike nga Zagrebi në Beograd.

Seminari i Albanologjisë në Beograd, pavarësisht misionit të rëndësishëm që ka pasur në disa arritje të albanologjisë, është fryt i politikës serbe për të mbajtur nën mbikëqyrje arritjet në fushë të kulturës shqiptare në Ballkan, ndërsa ato t’i përdorte për nevojat e saja diplomatike.

Në Zagreb, viteve të fundit ka pasur mjaft përpjekje për të botuar veprën e plotë të Shuflait (shih shkrimet dhe intervistat e Profesor Aleksandër Stipceviqit dhe të Musa Ahmetit), dhe madje të themelojnë një Institut me emrin e Shiflait. Ky, natyrisht, nuk do të ishte nderë vetëm për Shuflain, por edhe për perspektivën e albanologjisë.

Arkeologu, etnologu dhe folkloristi i pasionuar kroat Qiro Truhelka (1865-1942), i takon brezit të studiuesve të shquar mes dy luftërave botërore. Duke njohur rezultatet shkencore të kohës në qendrat shkencore të Zagrebit, Zarës e Sarajevës, në njërën anë, dhe duke qenë i angazhuar ligjërues në Universitetin e Shkupit, ai njohu për se afërmi edhe botën materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup ai bëri kërkime në fushë të arkeologjisë, etnografisë, gjuhësisë, folklorit etj., por në dijen shqiptare do të kujtohet për mbledhjen dhe përkthimin e përrallave shqiptare (1905), një pjesë e të cilave ka mbetur edhe sot në dorëshkrim. Në fushë të arsimit roli i Truhelkës këtu del i rëndësishëm edhe në fushë të arsimit. Përrallat shqiptare të përkthyera në gjuhën serbe ai ua dha studentëve për krahasim me gjuhën e tyre. Qiro Truelka njihet dhe si autor i fjalorit gjermanisht-shqip, botuar në vitin 2002 në Zagreb.

Në ligjërimin shkollor e universitar të shkollës shqipe Qiro Truhelka kujtohet për mendimin e tij lidhur me prejardhjen e etnonimit shqiptar, të cilin ai e nxirrte nga totemi shqype. Sipas këtij dijetari “emri popullor Shkypëtar dhe emri i vendit Shkypenija vinte nga Shkupi shqype. Së këndejmi, shkuptarë, shqyptarë, shqiptarë”.

Në rrethet shkencore dhe arsimore shqipe ndërmjet dy luftërave është diskutuar dhe madje polemizuar mendimi i tij për prejardhjen gjuhësore, gjeografike dhe etnike të eposit të kreshnikëve, duke e kundërshtuar mendimin e Truhelkës për prejardhjen e këngëve të kreshnikëve nga Bosnja. Argumenti i tij se këto këngë i sollën në hapësirën shqiptare bozaxhinjtë, hallvaxhinjtë dhe kazazët ishte dhe mbeti i paqëndrueshëm dhe aspak serioz në diskutimet e mëtejme të kësaj çështjeje.

Henrik Bariq është një nga studiuesit më të mirë që ka dhënë linguistika kroate e brezit të parë të shkollës austriake. I lindur në Dubrovnik më 1888, Henrik Bariq, pas shkollimit elementar në Kroaci, studimet i vazhdoi në Grac. Në këtë qendër, ku ballkanistika vazhdonte të ndërtonte shkollën e saj, bashkë me hapat e parë që kishte shënuar në krijimin e shkollave gjuhësore nacionale, Bariqi studioi indoevropian¬istikën dhe romanistikën. Studimet në këto dy fusha bënë që Bariqi të njihet me rezultatet më të reja edhe në fushë të albanologjisë, sidomos me sintezat e mëdha që kishte lavruar Gustav Majeri dhe thellimet tjera që sillte Holger Pederseni e sidomos Norbert Jokli. Kjo është arsyeja pse që në një nga veprat e tij të para, kur më pak e kur më shumë, trajton gramatikisht, etimologjikisht dhe të krahasuara me gjuhë të tjera, si dhe leksikun e gjuhës shqipe.

Kur Henrik Bariq mbaroi studimet dhe pjesën e parë të formimit të tij gjuhësor, shkolla austriake e Zagrebit dhe Sarajevës ishte trensferuar në Beograd, me hapjen e Seminarit të Albanologjisë, por Bariqi që më 1922 do t’i zgjerojë kërkimet e këtij Seminari duke nxjerrë edhe Arkivin, serinë e revistës së këtij Seminari, rreth të cilit mblodhi personalitetet më të rëndësishme albanologjike të asaj kohe. Rëndësia e kësaj qendre albanologjike, e cila vazhdon të funksionojë edhe në kohën tonë ka qenë e madhe dhe ka shërbyer për përgatitjen e brezave të shumtë të albanologëve.

Po të merret si tërësi vepra e tij, si njësi studimore apo monografike, në të cilën janë trajtuar strukturat historike të gjuhësisë indoevropiane (guturalet indoevropiane, palatalet i.e.) apo asaj ballkanike (çështjet miksoglotike ), si dhe të gjuhëve ballkanike veç e veç, do të mund të shohim se shqipja dhe gramatika e etimologjia e saj, zë një nga vendet e rëndësishme në mesin e tyre fushave. Sa i përket fondit indoevropiane të shqipes, Henrik Bariq kundërshtoi në vazhdimësi rezultatet e Gustav Majerit për romanitetin e theksuar të shqipes, ndërsa në fushë të pozicionit ballkanik të shqipes ai punoi shumë për të përcaktuar vendin e formimit të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Sikur dihet, Henrik Bariq, këmbënguli në vazhdimësi në pikëpamjen e atij grupi historianësh e sidomos gjuhëtarësh që mbronin prejardhjen trake të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Shkolla shqiptare e albanologjisë, pavarësisht nga ndonjë mospajtim, sidomos sa i përket çështjes së prejardhjes së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, e ka çmuar ndihmesën e madhe që Henrik Barqi i ka dhënë gjuhësisë shqiptare dhe linguistikës në përgjithësi, duke e parë veprën dhe jetën e tij në traditën e pasur të shkollës austro-gjermane në përgjithësi dhe të shkollës etnolinguistike e historike të gjuhëtarëve kroatë në veçanti.

Profesor Aleksandër Stipçeviqi, padyshim është personaliteti më me ndikim në shkencën shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Reflektimi i tij arsimor, shkencor dhe kulturor në rrethet shkollore mbështetej në dy paradigma: Prejardhja e tij arbërore (nga arbëreshët e Zarës), dhe studimet i tij për prejardhjen ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe.

Përkushtimin e vet shkencor e shtriu në tre rrafshe: historia jetësore e ilirëve dhe ndërlidhja e tyre me shqiptarët; historia dhe bashkëkohësia e arbëreshëve të Zarës; historia dhe fati i librit në përgjithësi e te kroatët në veçanti.

Gjatë kësaj periudhe interesimet e tij për fatin e paraardhësve të tij- arbërorëve, u botuan dhe u komentuan edhe në shkolla më shumë si histori dhe publicistikë, ndërsa veprat dhe studimet për ilirët (Ilirët- historia, jeta dhe kultura, 1966, Simbolet e kultit te ilirët, 1991 dhe Bibliografika ilirika, e kanë nënshtruar plotësisht mendimin e historianëve të Kosovës, në të gjitha tekstet e historisë dhe tash së fundit në tekstet për qytetërimin.

Profesor Stipçeviqi u shqua në mbrojtjen e shkollës e të mendimit shqiptar edhe gjatë viteve ’90, kur këta ishin të përndjekur nga regjimi diktatorial serb i Beogradit.

Profesor Aleksandër Stipçeviqi në tekstet shkollore të albanologjisë, të botuara në ish-Jugosllavi dhe më vonë, ka plotësuar mendimin për ilirët dhe antikitetin shqiptar në atë përmasë që për gjuhësinë e ka bërë Profesor Eqrem Çabej. Në përmasa të ndikimit të përgjithshëm në fushë të ilirologjisë, vepra e Profesor Stipçeviqit zuri vendin që para Luftës së Dytë Botërore e kishte arkeologu i shquar austriak Karl Pach.

Në traditën kroate të studimeve albanologjike Profesor Radosllav Katiçiq zë një vend të veçantë, për disa arsye: e para, ai ka përgatitur një brez studiuesish në fushë të albanologjisë dhe ballkanologjisë. Në rrethet e ngushta shkencore të studiuesve të Kosovës Profesor Katiçiq konsiderohej studiues i shkollës linguistike perëndimore, duke e diferencuar kështu nga radhët e studiuesve të tjerë jugosllavë; e dyta, ai ka qenë nga ata pak studiues, që nën ish-Jugosllavi, nga aspekti gjuhësor studionte dhe mbronte me kompetencë prejardhjen ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe; e treta, ndikimi i tij në mendimin shkollor të dijes shqiptare është bërë në shkallë kryesisht universitare, por në mënyrë të tërthortë, rezultatet e tij janë shpjeguar dhe reflektuar, sado në formë divulgative, edhe në librin shkollor. Studiuesve shqiptarë në fushë të gjuhësisë dhe të historisë u kanë dhënë rëndësi shpjegimeve të tij për gjuhën dhe sidomos antroponiminë ilire, ndërsa tekstet e tij në fushë të historisë në mënyrë të tërthortë kanë ndërtuar në shpjegimin e Provincave Dardane të Ilirisë, duke u mbështetur në veprën e tij Gjuhët antike të Ballkanit.

Sigurisht, për shkak të koncepteve teorike dhe metodologjike moderne, me të cilat udhëhiqej, Profesor Katiçiqi më shumë është shquar në librin shqip të ish-Jugosllavisë, por ka qenë i vlerësuar dhe i çmuar edhe në rrethet shkencore e akademike të Tiranës.

Filed Under: Opinion

IDALIA – PERMBYTJE, DEME, VIKTIMA NE KATER SHTETE 

August 31, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Uragani Idalia ka arritur shpejtësitë 150 milje në orë të mërkurën në Florida sipas njoftimeve të shërbimeve metereologjike dhe autoriteteve vendore, që e cilësuan atë si “jashtëzakonisht të rrezikshëm”. Idalia u fuqizua edhe më shumë prej ujërave të ngrohta të Gjirit të Meksikës dhe shkaktoi erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm që dëmtuan struktura dhe kabina të elektricitetit, ndërprenë energjinë, përmbytën zona të bregut të Gjirit të Floridës. 

Uragani Idalia, që goditi rajonin Big Bend të Floridës, ka detyruar miliona persona të evakuuohen ose të strehohen në pika të sigurisë publike.  Njoftohet se shumica e 21 milionë banorëve të Floridës, dhe shtetet fqinje të Xhorxhias dhe Karolinës së Jugut, u paralajmëruan për uragane dhe masa të tjera të lidhura me stuhinë. Në të tria shtetet është njoftuar gjendje e jashtëzakonshme dhe ka pasur raporte për viktima.

Idalia shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike për gati 500 mijë banorë në Florida dhe Xhorxhia, përmbyti zonat bregdetare dhe krijoi kushtet për një tornado në Karolinën e Jugut.

Gjatë ditës së sotme, Qendra Kombëtare e Uraganeve ka bërë të ditur se stuhia shkaktoi përmbytje të gjera në zonat bregdetare të Karolinës së Veriut. 

Presidenti Biden i siguroi guvernatorët e katër shteteve të dëmtuara Florida, Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe e Jugut se kanë mbështetjen e plotë të administratës së tij. 

Sipas parashikimeve të Qendrës Kombëtare të Uraganeve, Idalia pritet të zhvendoset në Oqeanin Atlantik në vazhdim dhe më tej të mbërrijë në Bermuda, ndërkohë që aty ekspertët kanë njoftuar për formimin e një tjetër stuhie që është në vëzhgimin e tyre.

Ky ishte uragani i katërt i madh që goditi Floridën në shtatë vitet e fundit.

Photo: https://news.sky.com/

Filed Under: Sociale

VIKTIMAT E KOMUNIZMIT TË HARRUARA NË DITËN E TYRE

August 31, 2023 by s p

Nail Draga/

Data e 23 gushtit është e veçantë sepse kjo ditë  në sajë të Deklaratës së Parlamentit Europian nga 23 shtatori 2008,  është shpallur Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me  një datë simbolike, sepse me 23 gusht të vitit  1939 është nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik. Nga ajo datë  Europa kujton me pietet viktimat e regjimeve totalitare të cilët likuiduan me miliona individë, ndërsa vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore në mungesë të vullnetit politik  ende hezitojnë të denojnë krimet e tilla.Dëshmi e një konstatimi të tillë është mos shënimi i kësaj date  si në  Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, qe nuk mund të arsyetohet më asgjë, duke e ditur se shqiptarët gjatë diktaturës komuniste përjetuan krime të ndryshme. Ndërsa  shteti amë-Shqipëria ishte nder vendet me kriminale komuniste në Europën Juglindore, me pasoja të mëdha  shoqërore deri në ditët tona. 

Në rrethana të reja shoqërore pas  falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit(8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish kampit socialist, filloj rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e përsekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Kemi të bëjmë me kohën e lirisë personale e shoqërore e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e tyre vendëve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.

Ende pa përcaktimin e ditës së viktimave

Në lidhje me këtë çështje  Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006  ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të tyre viktimave deri më tash ënde nuk është përcaktuar. Nga një qendrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Europian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për tu ballafaquar me të kaluarën.

Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet tjera nga ish kampi socialist.

Qasje të dyfishta të pushtetit në Mal të Zi


Me këtë rast  duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën së shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut(1948), si dhe të  dëmshpërblejë familjet e tyre.
Nga një qendrim i tillë del qartë  se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm ata të Goli Otokut, athu se krimet e komunizmit kanë fillu nga ajo kohë, e jo  më parë nga instalimi i komunistave në pushtet( nëntor 1944). Një qasje e tillë është diskriminuese sepse do të legalizoheshin krimet e më hershme, ndërsa viktimat do të mbeteshin të pa evidentuara ndërsa ekzekutorët të pa ndeshkuar.

Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime, në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur  përmasa të mëdha varësisht prej  rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt deri më tash  nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit(1.4.1945), duke mbetur temë e pa trajtuar për opinion e gjerë në Mal të Zi.

Krimeve nuk iu skadon afati kohor

Por, në deklaratën e Parlamentit europian  të miratuar në shtator të vitit  2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit thuhet se „në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtashëm sepse për tash  nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim më të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.

Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet  inicuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje duhet paraparë dëmshpërblimin ndaj familjeve të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm në kohen e komunizmit.

Shqipëria vendi me i përsekutuar në ish kampin socialist

Si askush tjetër në Europë, shqiptarët në Shqipëri kanë arsy ta përkujtojnë këtë ditë, sepse  nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra me dhe pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike europiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që iu ka tejkaluar nazistëve, e ate nga pushtetarët vendas në emër të ideologjisë komuniste. Deri me tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione:

34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike.

59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.

7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak.

984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit.

6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.

Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.

Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qellim kishte për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre. Botimet e ndryshme pas vitit 1991 e deri në ditët tona e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.

Memoriali i munguar 

Ndonëse  nga faleminitimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror kanë kaluar tri dekada, ndaj çështjës së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë, nderimin dhe sakrificën për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Mos angazhimi nga qeveritë për ngritjen e një memoriali përkujtimor në Tiranë, nuk mund të arsyetohet më asgjë. Ne këtë aspekt kanë dështuar edhe në  Prishtinë e Shkup  sepse edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut persekutimi i shqiptarëve si në aspektin ideologjik dhe kombëtar ka pasur përmasa të mëdha. Është obligim moral dhe kombëtar të nderojmë sakrificën e atyre që kanë kontribuar  për lirinë, demokracinë dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar. 

Por, në këtë aspekt më sa jemi të informuar në Shqipëri përjashtim bën vetëm Elbasani, ku aty në vitin 2013 është inauguruar monumenti „Martirët“ kushtuar viktimave të komunizmit  që si duket është i vetmi në vend.

Monumenti „Martiret“ në Elbasan

Në Ulqin duhet të jetë një monument i tillë

Duke marrë parasysh se përmasat e krimeve të komunizmit kanë qenë të pranishme edhe të shqiptarët në Mal të Zi, nga Ulqini në jug dhe Rozhaja në veri, edhe këtu është dashur të punohet në këtë drejtim. Sepse me vendosjen e pushtetit të komunistëve nga nëntori 1944 e më pas janë likuiduar një numër i konsideruar i shqiptarëve, si armiq të pushtetit apo  kundërshtar ideologjik, me apo  pa  vendime gjyqësore, ku  disa prej tyre ende sot janë pa varre. 

Në nderim të tyre në Ulqin  duhet të ngritet një memorial, si kudo në botën demokratike. Një ide e tillë duhet të inicohet nga pushteti lokal dhe partite politike të shqiptarëve, ku mund t´iu bashkohen edhe ata të ashtuquajtura qytetare. 

Me  këtë rast ia vlen të cekim se gjatë  konsultimit për regjistrin e  emërtimive të propozuara për rrugët e  qytetit të Ulqinit në vitin 2015,  nga ana e komisionit  nga Ministria e kultures, autorit të tyre rreshtave iu rekomandu qe  propozimi  qe një rrugë të emërtohet “Viktimat e komunizmit” te hiqet nga regjistri i emërtimeve të propozuara. Një veprim i tillë ishte  dëshmi për të kuptuar se këtu ende  jetojnë me mentalitetin e kohës së pushtetit monist edhe tash në pluralizëm. Por, pavarësisht momentit politik  dhe rrethanave shoqërore ne këtë aspekt duhet insistuar përseri  se është obligim moral dhe qytetar ndaj viktimave të komunizmit, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Rezoluta e Kongresit të SHBA-ve

Pikërisht në lidhje me këtë çështje Kongresi i SHBA me 21 maj 2014 ka miratuar rezolutën në mbeshtetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste “për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit. 

Dëshmi për brezat

Andaj përkujtimi i Ditës së Kujtesës duhet të jetë pjesë e programeve mësimore në shkolla fillore dhe të mesme, si leksion i detyruar, për të kuptuar vuajtjet dhe persekutimin e qytetarëve në kohën e komunizmit. Brezat e rinjë duhet të dijnë për viktimat e  komunizmit dhe nazizmit, siç ishin  burgosjet, vrasjet me e pa gjyqë, deportimet, internimet, izolimet, kampet e punës dhe te përqendrimit,  duke qenë dëshmi për brezat e sotëm e ato që do të vijnë më pas.                                                                                                          (27  gusht 2023)

Filed Under: Reportazh

Presidentja Osmani priti në takim Kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës

August 31, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për Shërbimet e Inteligjencës.

Raportet me SHBA-të, Presidentja Osmani i ka cilësuar strategjike edhe ekzistenciale, ndaj  ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite, të cilën ai ia ka dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit.

Presidentja Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-ve.

“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim me kongresistin Tuner, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Në raport me bashkëpunimin me SHBA-të, Presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë.  Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale.

Mëtej, Presidentja Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi. Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1483
  • 1484
  • 1485
  • 1486
  • 1487
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT