• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

23 gushti – Dita Evropiane e përkujtimit të Viktimave regjimeve totalitare

August 23, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Mё 23 gusht, është dita e paktit të mossulmimit, nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste. Pakti i mossulmit apo i mosluftimit ndërmjet Bashkimit Sovjetik e Gjermanisë naziste qe një tronditje për mbarë botën. Armiqtë e përhershëm të përbetuar, Hitleri e Stalini nënshkruanin këtë marrëveshje për të ndarë së bashku pjesën e mirë të Evropës. Një besëlidhje ndërmjet dy totalitarizmave kryesore, nazist e komunist.

Për këtë arsye Parlamenti Evropian propozoi që 23 gushti të shpallet Dita Evropiane e viktimave të stalinizmit dhe të nazizmit. Zyrtarisht quhet “Dita evropiane e memories të viktimave të stalinizmit e të nazizmit”.

Pikërisht në Ditën Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare, duhet të kuptojmë se kjo ditë nuk është nuk është vetëm një ditë kujtese, por edhe një ditë e cila na fton të reflektojmë dhe të nderojmë qëndrestarët antikomunistë që u përballën me diktaturën kriminale të E.Hoxhës në vitet 1941-1990.

Shqipëria ende ka mangësi në dënimin e krimeve të komunizmit.

Kujtesa dhe nderimi për heronjtë dhe viktimat e regjimit totalitar komunist në Shqipëri, regjim që mohoi liritë dhe të drejtat, fjalën, mendimin dhe dinjitetin njerëzor është detyrë dhe detyrim moral, ligjor,politik dhe kombëtar për të gjithë Ne ,sot dhe përgjithmonë

34.135 shqiptarët e burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59.009 qytetarët e internuar në kampe përqendrimi, 7.022 prej të cilëve vdiqën, 984 të vdekurit në burgjet e regjimit dhe 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë diktaturës e konfirmojnë faktin që regjimi totalitarist i etërve të sektit Rama në pushtet nuk ka qenë kurrë i duhuri dhe ata asnjëherënë anën e duhur të historisë!

Ndaj duhet të kujtojmë, nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave dhe të reflektojmë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi, liria dhe demokracia.

Qoftë i paharruar kujtimi i viktimave , qëndrestarëve dhe heronjve antikomunist të sistemit totalitarist në Shqipëri!

Filed Under: Opinion

Arti postkomunist si identitet i ri estetik

August 23, 2023 by s p

Stefan Çapaliku/

Ndërgjegjësimi mbi kulturën kombëtare bashkëkohore, mbi atë që na bashkon dhe mbi atë që na ndan me të tjerët është detyrë parësore në procesin e integrimit kultural. Dallimi midis konceptit “të barabartë me të tjerët” dhe “të ndryshëm nga të tjerët”, është në thelb dallimi midis së drejtës natyrore dhe së drejtës historike.

Koncepti i atdheut si një strukturë e mbyllyr, si një shpellë që i mbron njerëzit nga bota, në vend të një hapësire që krijon kontakte me të, ka sjellë edhe izolimin e artistit shqiptar nga të tjerët.

Hapja e sistemit politik pas viteve ’90 dhe neveria natyrale ndaj izolimit 50-vjeçar dhe ndaj komunizmit nacionalist, e bën mjaft më të vështirë hetimin mbi çfarë po ndodh në artin bashkëkohor shqiptar dhe në kulturën shqiptare përgjithësisht, shpesh të quajtur ngutshëm “Tranzitiv”, “Postkomunist”, etj. Mbas sa e sa tentativave të ndodhura kohë pas kohe për të analizuar gjendjen estetike dhe kulturore, ajo që ka mbetur ka qenë më tepër një mbresë kaotike, eklektike.

Po ç’ndodh pas pesëmbëdhjetë vjet komunikimi dhe lirie? A mund të themi se ky “tranzicion” dhe ky status “postdiktatorial” do vazhdojë në pafundësi? Kaotizmi, eklektizmi, manierat dhe plagjiaturat krijuan një tjetër status estetik te audienca, veçanërisht në momentin e ballafaqimit me lukunitë e kitch-it. I gjithë ekosistemi kulturor u prish. Programi mbi ekologjinë kulturore nuk ekziston. Ekuilibri midis “si duhet” dhe “si shkon” u çatrafilua. Kjo do të thotë se vazhdojmë të jetojmë në një mjedis të ndotur kulturalisht.

Në këtë kontekst të ri historik vështrimi i artit si sistem dhe nënsistem kulturor bëhet më i rëndësishëm se kurrë ndonjëherë më parë. Nga njëra anë arti është një sistem më vete, elementet e të cilit, si: burimet njerëzore, krijimtaria, prodhimi kulturor, industria kulturore, distribucioni, audienca, turizmi kulturor, trashëgimia etj.etj. luajnë role të ndryshme në sistem. Të studiuarit e kulturës si sistem do thotë para së gjithash, të kuptosh se:

1. Jo çdo element i sistemit ka të njejtën vlerë në sistem.

2. Jo çdo element i sistemit ka mundësi ta shndërrojë të gjithë sistemin.

3. Asnjë element i sistemit nuk ka identitet jashtë sistemit.

4. Elemente identike luajnë role të ndryshme ndër sisteme të ndryshme.

Të vështruarit e artit si nënsistem presupozon njohjen e të gjitha lidhjeve që arti, si element i një sistemi më të madh ka me elementet e tjerë të po këtij sistemi.

Duke qenë se tashmë është pranuar se arti mund të jetë element me esencë të fortë, pra element që ka mundësi të shndërrojë të gjithë sistemin, atëherë jemi përpara alternativës së shndërrimit të artit në një nga drejtimet kryesore të jetës së vendit. Për realizimin e një misioni të tillë, përveç vullnetit politik vendas, duhet të kihet parasysh se politika bashkëkohore europiane në kulturë mbështetet në katër kolona themelore:

1. Zhvillim i identitetit kulturor.

2. Nxitje e larmisë multikulturore.

3. Nxitje e krijimtarisë.

4. Nxitje e pjesmarrjes së të gjithëve në jetën kulturore.

(Fragment nga libri ne doreshkrim “Arti dhe qyteti”)

Filed Under: ESSE Tagged With: STEFAN ÇAPALIKU

SHKOLLA SHQIPE “HASAN PRISHTINA”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

August 23, 2023 by s p

Malbora Toci Zuncja mësuese e shkollës shqipe “Hasan Prishtina” te Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane, “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Waterbury, Connecticut, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Malbora Toci Zuncja bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE TE QENDRA KULTURORE DHE ISLAMIKE SHQIPTARO-AMERIKANE, “HASAN PRISHTINA”

Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane, “Hasan Prishtina”, është themeluar në vitin 1983 dhe ndodhet në 106 Columbia Blvd. Waterbury, CT. AACIC shërben si xhami për anëtarët e komunitetit shqiptar dhe është shtëpia e një shkolle në gjuhën shqipe. Qendra gjithashtu pret ngjarje muzikore dhe vallëzime, festivale kulturore dhe mbështet eventet qytetare në Waterbury. Shkolla është hapur për herë të parë në Shtator të vitit 2010. Programi shkollor ka si qëllim stimulimin dhe pasurimin e ekselencës në edukimin e të rinjve shqiptaro-amerikanë, duke ndërtuar një ndjenjë të fortë të aktivizmit të komunitetit në brezin tonë më të ri. Ky program është i hapur për të gjitha grupmoshat nga 6-18 vjec, pavarësisht besimit dhe anëtarësimit në komunitet.

ORGANIZIMI I MËSIMIT DHE MBËSHTETJA E PRINDËRVE

Në shkollën “Hasan Prishtina”, çdo të shtunë përdorim libra të ndryshëm jashtëshkollorë të përkthyer në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht. Kurrikula që përdorim është: Gjuhe Shqipe ( lexim, shkrim), Folklorin Shqiptar (muzikë, kërcim, poezi), Moral & Etike, Sport dhe Krijimtari të ndryshme. Gjithashtu nxënësit marrin fjalë të reja në fjalor dhe i përdorin ato në dialogje dhe fjali të ndryshme. Gjuha shqipe, gramatika, poezi të ndryshme janë një pjesë e rëndësishme e të shtunave tona mësimore. Sigurisht që muzika dhe këngët tradicionale shqiptare nuk mund të ngelen pas. Vallet popullore janë një emocion i veçantë në shkollën “Hasan Prishtina”. Prindërit janë një mbështetje shumë e madhe për fëmijet e tyre. Gjithmonë janë treguar të gatshëm për ti ndihmuar fëmijët si në mësimin e poezive, të këngëve dhe në ndërtimin e fjalive në shkollë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT

Jam shumë e lumtur kur shikoj nxënësit e mi duke folur shqip si dhe ata nxënës që  mundohen ta mësojnë dhe ta flasin me zell të madh gjuhën shqipe. Të lindësh dhe të jetosh në mërgim është një sfidë e madhe në raport me ruajtjen e identitetit shqiptar. Prindërit janë shtysa më e madhe për fëmijët e tyre, më pas jemi ne mësuesit që me mundin, sakrificat dhe dëshirën e madhe arrijmë rezultate të shkëlqyera. Ashtu si në çdo shtet të Amerikës edhe në Connecticut ka familje me origjina, kultura dhe tradita të ndryshme. Është e rëndësishme që prindërit të ngulisin traditat dhe kulturat e gjuhës shqipe në kokën e fëmijëve të tyre. T’ju tregojnë sesa krenar është të jesh Shqiptar.

SHQIPTARËT NË CONNECTICUT SPONSORIZOJNË SHKOLLËN SHQIPE

Shkolla ‘Hasan Prishtina’ sponsorizohet kryesisht nga shqiptarët që jetojnë në Connecticut dhe nga kryetari i xhamisë. Falenderojmë prindërit dhe anëtarët e xhamisë që janë gjithmonë të gatshëm të kontribuojnë në mirëmbajtjen e shkollës. Edhe shoqëria Amerikane e mbështet shkollën dhe aktivitetet e saj.

TEKNOLOGJIA NË MËSIMDHËNIE NË INVESTIMET E ARDHSHME

Në ditet e sotme, teknologjia është një mjet shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mësimit dhe jo vetëm. Në shkollen shqipe “Hasan Prishtina” është një mangësi që shpresojmë ta zgjidhim sa më shpejt. Në këtë mënyrë çdo gjë do të ishte më e thjeshtë për nxënësit. Por, mungesa e teknologjisë, nxënësve të shkollës sonë nuk jua ka hequr dëshirën për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe. Ne kemi përdorur dialogje të ndryshme, fjali dhe tregime të shkurtra, kemi vizatuar, kemi luajtur, kemi kënduar se bashku duke mos i lënë hapësirë mungesës së teknologjisë.

KUSH ËSHTË MËSUESE MALBORA TOCI ZUNCJA?

Une quhem Malbora Toci Zuncja dhe kam lindur në një qytet të vogël të Shqipërisë. Studimet e larta i kam kryer në Universitetin ”Aleksander Moisiu”, Durrës, Bachelor dhe Master Profesional në degën Anglisht. Pasi përfundova studimet Master, punova për dy vite mësusese e gjuhës Angleze në qytetin e lindjes. Në vitin 2018, u zhvendosa në Amerikë me të fejuarin, ku bëmë dhe martesën. Zoti na ka bekuar me dy fëmijë të mrekullueshëm, Resul  dhe Haris. Në vitin 2022, vendosëm që ta dërgojmë djalin e madh Resulin në shkollën “Hasan Prishtina”. Sapo pashë që shkolla po kërkonte mësuese, menjëherë ofrova ndihmën time vullnetare. Të punoj si mësuese, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë ëndrra ime. Është puna që e bej me vullnet, pasion dhe kënaqësi. Unë dua që gjithmonë nxënësit të arrijnë majat në rrugën e dijes dhe të ndihen komodë në të folurit e gjuhës shqipe. Aktualisht punoj si mësuese ndihmëse në një shkollë elementare në Ct. Kjo e thekson akoma më shumë dëshirën për të punuar si mësuese.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

Rruga e Hirit dhe rruga e natyrës në romanin “Këpuca e aktorit”

August 22, 2023 by s p

Dr. Ernest Nasto

Chicago/

Mendoj se romani Këpuca e Aktorit shënon një arritje kulmore të letërsisë shqipe të ditëve tona dhe është një vepër për të cilën në fakt mund të thuhet shumë, sepse kumtet e saj janë të shumëllojshme, siç është venë gjerësisisht në dukje nga kritika. Është e vërtetë që ajo mund të merret si metaforë e rrugëtimit të çalë të Shqipërisë “me një këpucë”, që ajo ka gërshetime stilesh të ndryshëm, dhe që përmban gjithashtu edhe elemente autobiografike. Por këtu dua të ndalem në një këndvështrim të veçantë duke e parë si një ndërthurje e rivalitet ndërmjet “rrugës së hirit hyjnor (grace)” dhe “rrugës së natyrës”.

Këto kategori të botëkuptimit kristian janë përdorur e shtjelluar prej kohësh nga mendimtarë e filozofë të ndryshëm, dhe posaçërisht nga danezi Soren Kierkegaard (1813 – 1855). Ndërsa lexoja librin e Zhitit, më risilleshin në kujtesë këto tema dhe mënyra si i ka trajtuar ato regjisori Terrence Malick në filmin e tij të famshëm të vitit 2011 The Tree of Life. Kjo vepër u konsiderua në masë nga kritikët si një arritje unike, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për romanin që po analizojmë këtu.

Sipas Kierkegaard rruga e natyrës është një mënyrë të jetuari ku vetja është tërësisht në qendër, me synimin për të arritur objektivat me çfarëdo mjeti, me konkurencë të tipit “ose do të shtypësh të tjerët, ose do të shtypesh vetë”, pra “ose ti, ose unë”, dhe me hakmarrje të pamëshirshme ndaj çdo cënimi që mund të pësosh prej të tjerëve, d.m.th. ajo që Zhiti e quan diku në roman “pamëshirshmëria e kohës”. Me fjalë të tjera “rruga e natyrës” është disi e kundërt me kuptimin e fjalëve “e natyrshme” apo “natyrore” të cilat i përdorim në jetën e përditshme për të shenjuar normalen apo të zakonshmen.

Rruga e hirit hyjnor, nga ana tjetër, është mënyra e të jetuarit duke e parë jetën si dhuratë, duke venë në qendër të saj jo veten, por të mirën e të tjerëve, me mirënjohje, me dashuri, me tolerancë, me kërkim drejtësie (por kurrë hakmarrjeje) e mbi të gjitha me mëshirë e falje, duke i përhapur këto sa të mundesh rreth teje. Kjo rrugë mund të shihet edhe si një lloj nostalgjie, ose etjeje për të gjetur vendin tënd në jetë, atë për të cilën je krijuar, dhe ku gjërat janë ashtu si duhet të jenë.

E rëndësishme për mua është se këtë Hektori, si personazhi kryesor, e përfaqëson në roman po aq sa edhe Shqipëria me përpëlitjet e saj përgjatë historisë. Edhe në sensin e tri kohëve, është qartësisht e dukshme se të tre brezat e familjes Tomorri e përfaqësojnë këtë etje për rrugën e hirit, për të qenë në vendin që u takon, to feel home.

Dua të theksoj veçanërisht këtu se autori në jetën e tij e ka bërë me vendosmëri zgjedhjen në favor të rrugës së hirit, siç është evidente për të gjithë ata që kanë privilegjin ta njohin nga afër. Ai është dëshmi e gjallë e mënyrës së të jetuarit me hir, që duhet të jetë një frymëzim e inkurajim për ne të gjithë.

Ndërkaq në libër të dy rrugët ndërthuren me mjeshtëri, me stilin narrativ dhe monologjet e tipit të “përroit psiqik”, të cilat u lejojnë heronjve kryesorë të secilës pjesë, në thelb Moisiut dhe Hektorit, gjykime për çka ndodh përreth e për karakteret me të cilët ata ndeshen e ndërveprojnë gjatë jetës.

Tashti, dihet se jeta e çdokujt, dhe e çdo vendi e shoqërie, i ngërthen të dyja këto rrugë, pavarësisht se në shumë raste rruga e natyrës është mbizotëruese, por qëllimi është që ajo të jetë sa më e pakët përkundrejt rrugës së hirit. Kështu p.sh. në libër vihet re se gjatë jetës së Moisiut, pra në kohën e mbretërisë, këto janë dukshëm në një harmoni më të madhe dhe hiri është mjaft i pranishëm (sepse gjërat janë më së shumti në vendin e tyre), krahasuar me dy periudhat e mëpastajme kur harmonia dhe hiri pothuaj zhduken nën diktaturë, për t’u rishfaqur me ndrojtje, aty-këtu, në postdiktaturë.

Rruga e hirit shprehet në kohën e parë tek karakteri i Bukuranit, gjyshit të Hektorit, me tiparet si mikpritja, kujdesi për të tjerët, etja për kulturë e drejtësi, dhe sidomos tek figurat historike që autori ka futur si personazhe në roman. Kjo është vetë një meritë e veçantë dhe aspekt i rrugës së hirit, sepse synon drejtësi për figura të tilla, dikur të anatemuara nga regjimi diktatorial.

Hiri shprehet tek Safet Butka (“profesori i Butkallinjve”) për të cilin autori thotë se “kishte shumë butësi në pamje, edhe në sytë që i ndriçonin”, me inkurajimin që ai i jep Mojsiut të ri për shkollën dhe për të vazhduar ëndrrën e tij për t’u bërë aktor, sepse me atë do t’u japë të tjerëve qytetërim. Po ashtu At Gjergj Fishta, me “zërin e altartë”, me nxitjen për përhapjen e dijes, sepse “edhe dija asht dashni”. Apo edhe Mit’hat Frashëri, me fjalët plot pasion për kulturën e librat, me dashurinë për shqiptarët, me përpjekjet e mëdha për të ndaluar vëllavrasjen, sepse edhe ata të anës së kundërt “janë djemtë tanë”, një shprehje e qartë shpirtmadhësie.

Në rrugën e hirit është edhe Moisiu në Elbasan, me teatrin e Normales dhe revistën Normalisti, që shpërndan qytetërim dhe synon të edukojë të rinjtë, ashtu si edhe tërë vendin, asokohe shumë i ri, me vlerat më të mira klasike (kjo për mua ka edhe një jehonë personale, sepse nëna ime ka luajtur Borëbardhën në moshën 11 vjeçare si aktore e teatrit të ciklit të ulët të Normales, duke u përgëzuar për këtë në faqet e Normalistit).

Sa për Marien, gruan e Moisiut, tërë jeta e saj është mishërim i hirit, edhe vetë Hektori bën më vonë paralele fort të gjetura të së ëmës me Shën Mërinë dhe Nënë Terezën.

Në pjesën e dytë, nën diktaturë, jeta e Hektorit-aktor përshkohet nga tensioni i vazhdueshëm ndërmjet të dy rrugëve, megjithëse prania e hirit është ulur ndjeshëm, sepse çdo gjë është përmbys. Vihet re se tek Hektori ka shumë tallje, qesëndi e ironi, por urrejtja s’është e pranishme, e madje edhe për tipa si Çaçoja Hektori shpreh kryesisht përbuzje. Ndërkaq Çaçoja, siç simbolizohet edhe nga vetë emri, është shembull i vrazhdësisë e mizorisë, i rrugës së natyrës në mënyrë absolute, pa asnjë fije hiri hyjnor, pa asgjë pozitive, vetëm me veten e tij në qendër, plot me intriga e prapaskena, me vigjilencë për të luftuar armikun e kudogjendur, etj.

Janë disa çaste kur edhe tek Hektori mbizotërimi i natyrës përshkruhet veçanërisht bukur, si p.sh. tek thyerja e pjatave të mira, në një kundërvenie të dukshme me të shoqen, Erikën, e cila është, edhe ajo si e vjehrra, mishërim i rrugës së hirit. Tensioni është i pranishëm në mjaft shprehje të goditura, si p.sh. kur Hektori, meqë banonte të lagjja Komuna e Parisit, thotë “Parisin e dua, por Komuna më tremb”.

Ndërkaq në pjesën e tretë në përgjithësi mund të thuhet që rruga e hirit fillon të ketë shfaqje të ndrojtura, pavarësisht se zhgënjimi është i madh dhe toni mbizotërues kthehet drejt ironisë. Përçuesja më e madhe e rrugës së natyrës, me dhunë dhe arbitraritet, mbetet qeveria me aktin e prishjes së teatrit si kuadri në të cilin vendoset i gjithë romani. E megjithatë duket se shembujt e të vepruarit sipas rrugës së hirit rriten mjaft në krahasim me kohën e diktaturës dhe futen gjithashtu personazhe që përfaqësojnë fort hirin, si Atjoni dhe Irisi. Prania e tyre duket qartë që e shtyn fort edhe Hektorin drejt rrugës së hirit, dhe shtytja vetë është shprehje e kësaj rruge.

Irisi nga ana e vet e vazhdon rrugën e hirit, sidomos me dashurinë dhe respektin e madh për të atin: ajo vjen në 60 vjetorin e tij në mënyrë spektakolare, në një gjest mirënjohjeje të pafund, dhe dihet se mirënjohja është një nga shfaqjet kryesore të hirit.

Një personazh i veçantë që tregon vetëm hir është studenti nga Milano, Atjoni, për të cilin Irisi thotë “ky djalë i mrekullueshëm… si tepër për të qenë e vërtetë”.

Hektori ndërkaq vazhdon me tensionin ndërmjet të dyjave, siç thamë, dhe shprehje e tensionit janë talljet plot me ironi therëse, sipas rrugës së natyrës, që ai bën për sistemin e ri, demokraturën, por nga ana tjetër ai është në rrugën e hirit me mospranimin për t’u bërë deputet, sepse, si aktor, ai është plotësisht në vendin e vet. Them që Hektori i ka të dyja, sepse shumë herë ato s’mund të ndahen kollaj, por megjithatë hiri është shtuar në mënyrë të dukshme.

Edhe vetë etja e Hektorit për drejtësi në fund të fundit shpreh hir, sepse e tillë është çdo ndjenjë e akt që i kundërvihet së keqes, edhe pse me shumë ironi…”ata u bënë të pasur, por ne fituam moralisht, a ka pasuri më të madhe se morali?”

Një figurë tërësisht me hir është Nënë Tereza, të cilën Hektori e përshkruan me admirim të dukshëm, si një “enigmë shtatpakët dhe “dritë përqarkuese shumë më e madhe se ajo vetë”. Skena e shenjtërimit të murgeshës shqiptare nga Kalkuta mendoj se është një nga kulmet e hirit, kur Hektori reciton vargjet e saj “jeta është dhuratë, dhuroje” d.m.th. jepni jetë, krijojeni, duajeni jetën dhe të mirën për të gjithë, dhe kur aktorët “me gjuhën e trupit dhanë ca kumte sa të lashtë, po aq edhe modernë, të përgjithmonta”.

Rruga e hirit është kulmore edhe tek takimi i Hektorit me Atjonin, kur ky i jep idenë për të sjellë teatrin tek njerëzit në kovën e ekskavatorit gjatë pandemisë, si edhe e tërë skena në ëndërr me Atjonin, Irisin e Marinin. E po ashtu fund e krye me hir është fjalimi i Hektorit nga kova për dashurinë e njerëzve për njeritjetrin, për bukurinë (që “do të shpëtojë botën”) dhe për sinqeritetin (“mbani maskat, por mos harroni fytyrat”).

Edhe në fund Hektori po lutet, megjithëse në dëshpërim, dhe skena me Atjonin vjen si kurorëzim i gjithshkaje të hirshme që kemi parë gjatë librit: “si i dërguar nga Qielli… nga andej vij… për kaq isha… sa për ty…”. Në atë çast ndriçimi hyjnor Hektori mendon se “studenti duhet të jetë engjëll, s’mund të jetë ndryshe”, ndërsa bie në gjunjë në lutje para ikonës së nënës së tij, Maries.

Vazhdimësia e rrugës së hirit jepet nga Irisi dhe Marini, me vendosmërinë për përhapjen e dashurisë e të kulturës, dëshmuar nga nisja me avion për në Ukrainë, për të dhënë shfaqje në mes të luftës. Dhe një mbyllje tepër e gjetur është fjalia e mbrame e romanit: “Unë jam shtatzënë, – mërmëriti (Irisi) dhe ndjeu brenda vetes qiell plot dritë”.

Kush fiton ndërmjet këtyre dy rrugëve? Kur natyra i mbaron të gjitha, kur ajo e shteron vetveten, a do ta ketë hiri fjalën e fundit?

Vërtet që jeta e Hektorit në roman ka shumë dramë dhe ironi, pra ka rrugën e natyrës, por në fund dhe vendosmërisht, ashtu si edhe tek autori, triumfon qartë rruga e hirit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ernest Nasto, Visar Zhiti

Tradhti

August 22, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Fjala tradhtar rrjedh nga latinishtja tradere, fjalë për fjalë “me dorëzu”. Tregtia, tradita dhe tradhëtia rrjedhin të gjitha nga e njëjta rrënjë – është fjalë e shekullit XV për atë që tradhton tjetrin kundrejt një shume të hollash, në fillim, sepse më pas u bë edhe falas.

Meqenëse po flasim për tradhti, në vitin 1882, amerikani Jesse James, i jashtligjshëm, u qëllua dhe u vra nga një anëtar i bandës së tij. I lindur në Misuri, James u bë i jashtligjshëm së bashku me vëllain dhe dy kushërinjtë e tij pas Luftës Civile. Për 16 vitet e ardhshme ai dhe bashkëpunëtorët e tij kryen grabitje dhe vrasje në të gjithë mesperëndimin amerikan. Megjithë reputacionin e bandës, simpatia e publikut – e përforcuar nga një tentativë për jetën e tyre nga Agjencia e Detektivëve Pinkerton të Çikagos në 1875 që plagosi nënën e Jesse-it – i ndihmoi ata të shmangnin autoritetet për më shumë se një dekadë.

Por grabitja e një banke në mes të ditës, në 1876 përfundimisht çoi në rënien e tyre. Në ikje, kushërinjtë e Jesse James, u qëlluan nga policia dhe u detyruan të ktheheshin në shtëpi në fermën e tyre familjare për t’u fshehur. Me një shpërblim të vendosur nga agjentët për jetën e tij, Jesse filloi të organizonte një bandë të re, por nuk arriti të gjente bashkëpunëtorë aq besnikë sa kishin qenë kushërinjtë e tij. Në mëngjesin e 3 prillit 1882, ai i ftoi rekrutët e tij të rinj në shtëpi për të organizuar grabitjen e tyre të radhës, por ndërsa u kthye për të rregulluar një foto në mur, Robert Ford, një nga anëtarët më të rinj të bandës, e qëlloi nga mbrapa. Shpërblimi në para për jetën e Jesse-t, dukej se kishte qenë shumë tërheqës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1501
  • 1502
  • 1503
  • 1504
  • 1505
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT