• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akademik Esad MEKULI (17 dhjetor 1916 – 6 gusht 1993), përkujtim në 30 vjetorin e kalimit në amshim

August 7, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Poetin e parë të Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore; një nga themeluesit e “Universitetit të Kosovës”; “Bibliotekës së Kosovës”; “Institutit Albanologjik të Kosovës”; kryetarin e parë të “Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”; nismëtarin, themeluesin dhe kryetarin e parë të “Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”; themeluesin dhe kryeredaktorin e revistës së parë letrare në Kosovë “Jeta e re” etj…

…………………………………………………………….

Akademik Esad MEKULI

Lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë, më 6 gusht 1993.

Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga fshati Nokshiq.

Babai i Esad Mekulit, edhe pse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar.

Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936.

Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia.

Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959.

Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc-shef i policisë.

Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar marrëveshjën për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.

Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve.

Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës “Beogradski student”. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin “Vendeta – hakmarrja”, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: “Venac” – Beograd, “Mlladost” – Zagreb, “Podmladak jadranske Staze” – Split, “Granit” – Podgoricë, “Novi Behar” – Sarajevë, “Student” – Beograd e të tjera.

Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar.

Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.

Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali.

Në fund të vitit 1943 ai iu bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane “Lirija”.

Edhe pse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe “Rilindja” e pastaj themeloi revistën letrare “Jeta e Re” ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan si “Bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjërë”.

Esat Mekuli shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Fjala”, “Pionieri”, “Përparimi”, “Shëndeti” në Prishtinë, “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: “Jedinstvo” e “Stremljenje” të Prishtinës, “Borba”, “Politika”, “Književne novine”, “Mostovi” të Beogradit, “Pobjeda: dhe “Stvarenje” të Pdgoricës, “Bagdalla” të Krushevcit, “Republika” dhe “Forum” të Zagrebit.

Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në serbe dhe anasjelltas.

Esad Mekuli ka meritë të veçantë për botimin e tregimeve dhe romanit, “Gjarpijt e gjakut” të Adem Demaçit, në revisten letrate “Jeta e Re”, të cilën e kishte redaktuar për shumë kohë.

Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare.

Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane etj.

Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore.

Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha.

Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

Veprat letrare

……………………………………………….

“Për ty” – Prishtinë, 1955, 1963, 1967

“Dita e re” – poezi për të rinj, Prishtinë, 1966

“Avsha Ada” – Prishtinë, 1971

“Vjersha” – Prishtinë, 1973

“Brigjet” – Prishtinë, 1981

“Rini e kuqe” – Prishtinë, 1984

“Në mes të dashurisë dhe urrejtjes”Tiranë, 1986

“Dita që nuk shuhet” – Prishtinë, 1989

“Qëndresë urtësie” – ASHAK, Prishtinë, 1996

………………………………………………………………

POPULLIT TIM

……………………..

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue

që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun

të ngrej fuqitë prej gjumit…

Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)

se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.

Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,

n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,

mbi forc të bashkimit mbarë:

mbi vrullin tand të mëshehun

-unë, biri yt dhe-poeti.

Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,

ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-

pse për liri-me tjerë

ke dhanë dhe ti

djers e gjak si etnit.

Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-

kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa

pranga mbeti,

me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’

-unë, biri yt besnik dhe-poeti.

…………………………………………………………….

SHQIPTARI KENDON

……………………………..

Shekujt mbi ne

e në ne

e mbushën jetën plot vnerë

që pezme

e zjarri kryengritës

nder zmerat tona m’u ngri,

që njeriu mos të jetë-njeri:

emri të na zhdukët perherë.

Qemë-jo njerlz po robë;

pa bukë, liri n’usdajë,

në vatrën tonl

pa shtëpi

në plangun tonë

argatarë!

Qemë-turq, dreqën me bishta,

Qemë-rajë

që t’hiqet në vargoj

të mjerimit

të përbuzur-shiftarë!

qemë…

por koha-luftë

sheron varret çdo ditë;

mbas natls së errët

të shekujve-

hap krahët koha e re…

Po, jemi gjallë!

Dielli dhe për ne shnderit…

………………………………………………………………

SHARRËXHIU

……………………..

Xhepat e sharrëxhiut janë shumë të ngushta për duart e ënjtura të tij.

Ai kur e sheh sharrëxhiun me sëpatën e rrasur në shokë, e bishti i saj ka dalë prapa, dyshon se mos vallë për këtë na quajtën njerëz me bishta?

O vëlla me sharrë në krah

Do të shoh prapë me duar të mërdhime nën sqetull

Me sharrën e stërlashtë mbi krah dhe sëpatën e mprehtë të rrasun në shokë

Në fytyrën tënde lexoj: Kam fjetur në podrumin e lagshtë, unë i trembëdhjeti

Dhe kam hangër në kusinë e bakrit, të sjellun prej vendlindjes

Prej vendlindjes, fasulen e hollë të vendlindjes unë i trembëdhjeti.

-Pse unë kënaqem me pak prej këtyre duarve të mërdhime, Atje mbas 77 bjeshkëve, 7 gojë presin…

#JamShqiptar…🇦🇱

Filed Under: Kulture Tagged With: Flamur Gashi

“NOLI SHOW” HAPSIRA TELEVIZIVE E SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT

August 7, 2023 by s p

Sokol Paja/

Media shqiptaro-amerikane çdo ditë e më shumë po zë një vend të rëndësishëm në peisazhin mediatik amerikan. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kudo ku ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarë, mediat që shfaqen si pjesë e rëndësishme integrale e trashëgimisë komunitare, bëhen automatikisht pjesë e historisë së komunitetit tonë. Mediat shëndërrohen jo vetëm si promotore e organizatore të komunitetit shqiptar në USA por mbi të gjitha si memorie e qënësishme komunitare, kulturore dhe atdhetare.

Nazim Salihu, producent i emisionit televiziv “Noli Show” në Connecticut, në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e tij personale dhe angazhimet mediatike, hapsirën mediatike shqiptare “Noli Show” si një mundësi e promovimit të kulturës kombëtare, talenteve shqiptare, ngjarjeve historike të kombit shqiptar, ngjarjet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesisht në Connecticut, New York e New Jersey. Z.Salihu shprehet se emisionet televizive, puna e mediave në përgjithësi është jo vetëm pasqyra e jetës komunitare shqiptare në mërgatën e Amerikës, por mbi të gjitha media është arkivi, trashëgimia dhe memoria digjitale e komunitetit tonë. Nëse s’ka media s’ka as komunitet. Është jetike për kohezionin e një komuniteti ekzistenca e medias sidomos në ditët e sotme ku teknologjia e shoqëria po zhvillohen në hapa galopantë – citoi producenti Salihu. Karrierën e gazetarisë si shërbim dhe angazhim publik Nazim Salihu e filloi në vitin 1999 në Maqedoni gjatë krizës së refugjatëve dhe bashkëpunoi me gazetarin Frank Pichel nga Colorado si përkthyes. Kontaktet e para mediatike i kishte në vitin 2012 me televizionin News Channel 3 Rocky Hill, Connecticut dhe ideja kryesore e tij ishte hapja e një emisioni televiziv që promovon kulturën dhe komunitetin shqiptar. Në shërbim të komunitetin shqiptar në Connecticut e më gjërë, Nazim Salihu në vitin 2019 nxori në transmetim produksonin personal mediatik “Air Production” ku zhvilloi disa dokumentarë me sukseset e shqiptarëve në USA, emision i cili vazhdon edhe sot rrugëtimin mediatik. Gjatë vitit 2020 “Noli Show” u shfaq në hapsirën televizive të Tv Alba Live një television i dashur dhe i vlerësuar prej shqiptarëve në New York e më gjërë. Te “Noli Show” deri më tani janë realizuar plot 73 emisione me personalitete e figura publike të ftuar që rrëfejnë suksesin personal, kombëtar e kulturor për të gjithë ndjekësit e shumtë.

Emisionet e “Noli Show” sot transmetohen live në Rocky Hill Community TV, Connecticut. Emisioni televiziv kaq i ndjekur dhe kaq i dashur për shqiptarët “Noli Show” ndërthur në vetvete rrëfime ekskluzive, sukseset e artistëve shqiptarë të mërgatës së Amerikës dhe jo vetëm, ngjarjet më të rëndësishme kulturore e sociale të komunitetit dhe mbi të gjitha rrëfimet individuale të shqiptarëve të suskesshëm dhe betejat në rrugën e gjatë të famës e karrierës artistike e mediatike. Emisionet e “Noli Show” transmetohen ekskluzivisht sot edhe tek TV Kultura Shqiptare e cila gjithashtu prej cerek shekulli i shërben komunitteit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me profesionalizëm dhe besnikëri. “Askush më mirë se media nuk arrin ta identifikojë, promovojë, dhe ta memorizojë një talent, një ngjarje apo një histori sesa media e komunitetit. “Noli Show” është konceptuar si një hapsirë televizive komunitare e komunitetit për komunitetin. Një shërbim për komunitetin shqiptar pasi mediat janë oksigjeni i komunitetit, memoria jonë kolektive” përfundon rrëfimin dhënë për “Dielli”-n e Vatrës producenti Nazim Salihu.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

VIZITA E ARDHËSHME E PAPA FRANÇESKUT NË KOSOVË

August 7, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind himDescription automatically generated with medium confidence

Në një intervistë me revistën spanjolle, “Vida Nueva”, me rastin e 65-vjetorit të saj, Papa Françesku foli për vizitat e tija të planifikuara n; vende të ndryshme, duke përmendur udhëtimet e ardhëshme që ka në plan të bëjë në Kosovë, në Argjentinë dhe Uruguaj, si vizita në përgatitje e sipër. Pyetjes: “Keni ndonjë udhëtim të planifikuar përtej atyre të shpallura zyrtarisht? Papa Françesku është përgjigjur:“Jemi duke punuar për (një vizitë) në Kosovë, por nuk është definuar”, ka thënë Udhëheqsi i Kishës Katolike, sipas një njoftimi të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Kjo do të ishte vizita e parë në histori që bënë Papa  në Kosovë.

Duke marrë parasysh rëndësinë historike që një vizitë e tillë ka për Kosovën, për Vatikanin dhe për Kombin shqiptar në përgjithësi, nuk besoj se Papa Françesku e bëri këtë njoftim si të thuash në një “vacuum” ose në një hapësirë boshllëku. Jo, jo, unë besoj se duke ditur rëndësinë historike dhe duke pasur në mend gjëndjen aktuale, veçanërisht, në Ballkanin Perëndimor por edhe në Evropë në përgjithësi, përgatitjet kanë filluar me kohë dhe në hollësi, për një vizitë të tillë të Papës në Kosovë – Dardaninë e vjetër. 

Disa të dhëna informative janë me vend për lexuesin – të dhëna që i paraparijnë dhe janë të nevojshëm për të venë në kontekstin e duhur edhe njoftimin e javës që kaloi nga Papa Françeskut për vizitën e tij në Kosovë, për të cilën ai njoftoi nga Portogalia se ka në plan të bëjë në Republikën e Kosovës.  Më shumë nga një shkrim modest i imi botuar në Maj të vitit 2019, me titull: Vatikani dhe Kosova Dardane: 

                                 Frank Shkreli/ Vatikani dhe Kosova dardane

Marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Kishës Katolike Shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi, janë aq të vjetra sa është edhe vetë historia e Kishës Katolike Universale. Siç është shprehur vet Shën Pali: “Kështu, prej Jerusalemit e deri në Iliri e kam kryer plotësisht detyrën time…”. Këto marrëdhënie, historikisht, kanë pasur të bëjnë në veçanti edhe me Dardaninë e vjetër, me Kishën e Dardanisë dhe me besimtarët e saj gjatë shekujve, pasi Dardania konsiderohej si një krahinë e veçantë kishtare dhe administrative, me qendër në Shkupin shqiptar — sipas historianëve kishtarë të Dardanisë së vjetër, bazuar në dokumentet zyrtare që pasqyrojnë komunikimet midis Vatikanit dhe ipeshkvijve katolikë dardanë, gjatë një historie shumë shekullore e deri në ditët e sotme.

Në vazhdimësi të këtyre marrëdhënieve historike, ditët e fundit, u njoftuan dy lajme të mira nga Prishtina që të bëjnë optimist, se e ardhmja e lidhjeve të Vatikanit me Republikën Dardane të Kosovës, me Kishën Katolike Shqiptare dhe me besimtarët e saj atje, do të jetë edhe më e ndritshme. Sipas një lajmi të botuar në revistën “Drita”, organ kulturor fetar i Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës, Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji njoftuan nga Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë se, më 9 dhe 10 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitonte Republikën e Kosovës. Lajmi tjetër me rëndësi është shpallja zyrtarisht e asaj që quhet Bula Papnore e që është një dokument apo dekret zyrtar publik i lëshuar nga Kuria Romake e (Vatikanit) dhe  firmosur nga Papa, me anë të të cilit merren vendime të rëndësishme për Kishën. Vendimi me vlerë të veçantë dhe historik që bart ky dokument është, se Rrethin Kishtar në Kosovë, aktualisht i njohur si Administratura Apostolike e Prizrenit, e ngre në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, me emrin Dioqeza Prizren – Prishtinë dhe njëkohësisht emëron ipeshkvin e saj të parë, Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin.

“Ky nuk është thjesht një akt formal – juridik, edhe pse i nevojshëm. Unë nuk jam këtu për të kryer një procedurë, por për të përkujtuar diçka më të rëndësishme. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës…Ky dokument tregon konkretisht që Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush si dhe rritjen tuaj shpirtërore. Tregon gjithashtu edhe kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe vuajtjet tuaja”, është shprehur Delegati Apostolik për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich, ndërsa ka njoftuar, zyrtarisht, dekretin për Dioqezën e re Prizren-Prishtinë. 

“Ky akt i Kishës Universale, në krye me Papa Françeskun, ndaj Kishës sonë në Kosovë, që ishte bërë me dije me anë të një shkrese të Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, më 5 shtator 2018 dhe lexuar në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë nga ish-Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, është akti më i rëndësishmi në pesë shekujt e fundit për Kishën Katolike në Kosovë, prandaj edhe historik, i cili do të shënohet në analet e historisë së krishtërimit ndër ne”, ka shkruar Don Fatmir Koliqi, në revistën Drita.

                  A group of men in white robesDescription automatically generatedIpeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji duke shpalosur Dekretin e Vatikanit  në prani edhe të Delegatit Apostolik për Kosovën.

Njoftohet se Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë vizitës së tij në Kosovë, përveç takimeve që do ketë me komunitetin katolik të Kosovës, do të zhvillojë edhe takime të tjera. Është kjo një vizitë historike për shtetin e ri të pavarur të Kosovës dhe për Kishën Katolike atje, pasi është hera e parë që një zyrtar i lartë i Vatikanit, në nivel të Sekretarit të Shtetit, viziton Prishtinën. Revista katolike “Drita” e cilëson vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Parolin si, “Një akt historik i këtyre viteve dhe muajve që kanë karakterizuar realitetin e raporteve të Kishës dhe të Vendit tonë me Selinë e Shenjtë”.

Pa dyshim se vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Pietro Parolin në Kosovë, paraqet një rast të veçant për komunitetin katolik të vendit, që sipas revistës “Drita”, do të do të jetë edhe “një inkurajim për Kishën lokale ‘të vogël’, për të ecur gjithmonë në rrugën e besimit e të dashurisë vëllazërore”, duke “kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë së vendit si dhe për t’u sjellë të gjithëve afërsinë, dashurinë dhe bekimin e Papa Françeskut.”  Prandaj, komuniteti katolik i Kosovës e pret me gëzim e dashuri shtegtimin e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, kardinalit Pietro Parolin, ndërsa vendi e pret me një interes të veçant. S’ka dy dyshim se vizita e udhëheqësit të lartë të Vatikanit po tërheq një interesim të veçant, jo vetëm në radhët e besimtarëve katolikë në Kosovë, por edhe në mbarë vendin.

             A person in a black robeDescription automatically generatedSekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitojë Kosovën më 9-10 qershor, 2019

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri një vizitë të papritur në selinë e dioqezës së Kosovës në Prishtinë me rastin e ngritjes së Kishës Katolike të Kosovës nga Administraturë Apostolike në nivel dioqeze dhe të emërimit të ipeshkvit dioqezian, imzot Dodë Gjergjit. Radio Vatikani njoftoi se gjatë takimit me udhëheqësit e Kishës Katolike në Kosovë, Presidenti Meta përshëndeti vendimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë, ndërsa vlerësoi përkujdesin e tij atëror për Kombin shqiptar. Këshilltari i Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe diasporën, Ambasadori Flamur Gashi u shpreh për Radio Vatikanin se qëllimi i vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta në Prishtinë të hënën ishte për të, “Uruar përzemërsisht këtë vendim të Selisë së Shenjtë dhe të Papa Françeskut, si shenjë mirënjohjeje për të gjithë shqiptarët që tregon Selia e Shenjtë dhe si një përkujdesje të veçantë ndaj Kosovës dhe ndaj popullit tonë. Presidenti Meta vlerësoi lartë gjithë përkujdesjen, që sidomos nën drejtimin e Papa Françeskut, Selia e Shenjtë, për Shqiptarët: të paharruara janë momentet e shenjtërimit të Nënë Terezës, emërimi i kardinalit shqiptar Ernest Troshanit, vizita e parë në Evropë që bëri Papa Françesku ishte në Shqipëri, lumturimi i martirëve shqiptarë, vizita në vendlindjen e Nënë Terezës në Shkup para disa kohësh e Papa Françeskut dhe së fundmi lajmi i gëzuar i krijimit të dioqezës së Kosovës dhe emërimi me kompetenca të plota i ipeshkvit por edhe vizita në qershor e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolini. Pra, Presidenti Meta ishte i entuziazmuar dhe tepër i gëzuar për këto që po ndodhin në raportet e shqiptarëve, në përgjithësi me Selinë e Shenjtë nën drejtimin e Papa Françeskut”, është shprehur për Radio Vatikanin në gjuhën shqip, Këshilltari i Presidentit Ilir Meta për çështjet e rajonit dhe për diasporën, Ambasadori Flamur Gashi.

Vendimi i Papa Françeskut për të themeluar Dioqezën Prizren – Prishtinë, emërimi i Shkëlqesisë së Tij Imzot Dodë Gjergjin, si Ipeshkvin e saj të parë dhe vizita, muajin që vjen, me 9-10 qershor, 2019 në Kosovë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, janë në vetvete ngjarje me rëndësi në vazhdimësinë historike të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Vatikanit, në veçanti, dhe midis Vatikanit dhe Kombit Shqiptar në përgjithësi. Hapi i natyrshëm dhe i domosdoshëm tani, për çimentimin e këtyre lidhjeve shekullore, është pa dyshim ngjarja madhore përfundimtare që të gjithë shqiptarët kudo presim me pa durim, pa dallim feje a krahine, në marrëdhëniet midis dy shteteve – njohja pra zyrtare diplomatike e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit, si shtet i pavarur dhe sovran dhe shkëmbimi i ambasadorëve midis dy palëve.

A group of men standing in front of a buildingDescription automatically generated

Një grup shqiptaro-amerikanësh — me në krye patriotin e madh të komunitetit shqiptaro-amerikan Xhim Xhem — me udhëheqsit e Kishës Katolike të Republikës së Kosovës, Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji dhe Monsinjor Lush Gjergji para Katedralës Shën Nenë Tereza në Prishtinë, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës (Shkurt, 2023)

            A group of men sitting in chairsDescription automatically generatedPresidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta në takim me Ipeshkvin e dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ditën e hënë, 27 maj, 2019

A group of men standing togetherDescription automatically generated
A close up of a bookDescription automatically generated

Dekreti Papnor i Papës Aleksandri VII dërguar arkipeshkvit Andria Bogdanit me të cilin transferohet prej Ohrit në Shkup, në vitin 1656 — (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nëpër Shekuj”, botuar në vitin 1986)

A book with a picture of ruinsDescription automatically generated with medium confidence

Më lart, në latinisht janë emrat e ipeshkvijve dardanë nga letra dërguar Papës Golazit në vitin 494 — (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nëpër Shekuj”, botuar në vitin 1986)

(Ribotim i përpunuar)

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Imazhi i Shën Nënë Terezës në monedhat përkujtimore të Urdhërit të Kalorësve të Maltës dhe Vatikanit

August 5, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj/ Studiues)

C:\Users\Admin\Desktop\chas-fagan-portrait-21-856x1024.jpg

Portreti zyrtar gjatë kanonizimit të Nënë Terezës si Shenjtore, porosi e Kalorësve të Kolombit dhe realizim i artistit amerikan, Chas Fagan- “Piktorit të Presidentëve”   © Chas Fagan, 2016

Në një artikull tonin të vitit 2020 me titullin grishës  “Kartëmonedha Kombëtare, Feminizmi dhe Emancipimi Mendor: Disa Propozime” (https://www.voal.ch/kartemonedha-kombetare-feminizmi-dhe-emancipimi-mendor-disa-propozime-nga-melsen-kafilaj/multimedia/press/) midis të tjerash tërhiqnim vëmëndjen edhe për përfshirjen e imazhit të Shenjtores Tonë Nënë Tereza në kartmonedhën kombëtare, si një shenjë jo vetëm e emancipimit tonë mendor por gjithashtu edhe treguese e humanizmit dhe dashurisë së Saj të pa kufi, ndjenjë për të cilën Bota ka nevojë më shumë se kurrë në ditët tona. Propozim, i rënë si gjithmonë në vesh të shurdhët dhe pa kurrëfarë vramëndjeje nga ana e atyre që kemi mbi krye.Kjo për arsyen e vetme se politikanët dhe burokratët tanë, këta kolltukofagë monomaniakë janë më tepër të dhënë pas rëndësisë së Qosheve sesa fuqisë së Ideve, mallkim ky që na përndjek si Komb në shekuj.

Nënë Tereza, një figurë e njohur ndërkombtarisht dhe e nderuar si imazh me monedha përkujtimore edhe nga vende që shqiptarët si gjejnë dot në hartë si Palau, Nauru, Ishujt Solomon apo Ishujt Turk & Caicos në vendin tonë përkujtohet me monedhën 200 Lek (Au dhe Ag) vetëm në vitin 2012, përmes një dizajni i cili për nga vlerat artistike dhe realizimi  jo vetëm që lë për të dëshiruar dhe as që mund të krahasohet estetikisht me vendet e lartpërmëndura (Monedha e Palaut, psh konsiderohet si një prej më të bukurave në botë) por madje në pjesën e pasme të saj përmban edhe një imazh pëllumbi “të huazuar” haptazi nga Pablo Picasso, imazh të cilin ky i fundit e dizenjoi për posterin e Kongresit Botëror të Paqes, të zhvilluar në Moskë gjatë datave 9-14 Korrik të vitit 1962.

C:\Users\Admin\Desktop\200 l AL.jpg

                                                     © Banka e Shqipërisë, 2012

Por ajo ç’ka është mjaft interesante dhe përbën fokusin e këtij artikulli është fakti se imazhin e Nënë Terezës për herë të parë në monedhat përkujtimore nuk e fut as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut (diçka që duhet ta bënin).Këtë gjë e realizon për herë të parë në vitin 2001 përmes monedhës 5000 Lirash Ar Urdhëri i Kalorësve të Maltës, një Urdhër Kalorsiak Katolik 900 vjeçar dhe një entitet i pavarur, i njohur për vetqeverisjen, ekstraterritorialitetin dhe misionin e tij nga E Drejta Ndërkombtare. Karakteristikë tipike për këtë monedhë përkujtimore të Mijëvjeçarit të Ri, ndryshe nga monedha shqiptare nuk është vetëm realizimi fantastik i portretit të Nënë Terezës- “Engjëllit të të Varfërve” por edhe mesazhi i fuqishëm që ajo përcjell: “Lufto Urinë për të pakësuar Varfërinë!”                                                    

C:\Users\Admin\Desktop\IMG_5640.JPG

                                                     © Sovereign Military Order of Malta, 2001

Një nismë kjo e pasuar gjithashtu edhe në vitin 2003, ku në serinë e “Kampionëve të Paqes”  Urdhëri në fjalë do ta vendoste sërish Shenjtoren- Nobel për Paqen (1979)  në monedhën përkujtimore 500 Lira Argjend. Mesazhi domethënës përcjell esencën e vokacionit dhe misionit jetësor të vet Shenjtores: “Shërbe, Duaj, Dhuro!”

C:\Users\Admin\Desktop\IMG_5635.JPG

Shqiptarët asnjëherë nuk ju kanë kushtuar nderimin e duhur figurave të tyre madhore dhe gjithmonë kanë qënë të vonuar në kapjen e momenteve apo ngjarjeve të caktuara historike.Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe.Historia përsëriti vetveten edhe me rastin e Kanonizimit të Nënë Terezës si Shenjtore nga ana e Selisë së Shenjtë.Teksa shtete të ndryshme të botës nxituan që të realizonin monedha me imazhin e Shenjtores Tonë për ta përkujtuar këtë ngjarje, Qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk e vuri ujin në zjarr fare për ta materializuar monetarisht një moment të tillë historik.Diçka e cila nuk mund ti shpëtonte nga fokusi fqinjit tonë lindor, Maqedonisë së Veriut, me realizimin e një portreti dinjitoz të Shenjtores në monedhën përkujtimore 100 Dinar por gjithashtu edhe Vatikanit me realizimin e një pulle postare, medaljeje argjendi por edhe një sërë artifaktesh të tjera.

C:\Users\Admin\Desktop\Pulla dhe Medalioni VA.PNG

                                     © Ufficio Filatelico Numismatico Vaticano, 2016

Imazhi i Nwnw Terezws në monedhat përkujtimore të Vatikanit do të autorizohej nga Papa Françesku në vitin 2022 me rastin e 25 vjetorit të kalimit në amëshim të Shërbëtores së Zotit.Për këtë qëllim dhe në kujdesin personal të Atit të Shenjtë, Vatikani do të komisiononte dy prej artisteve më të mira të Romës për dizenjimin e monedhave dhe medalionëve, Orietta Rossi dhe Gabriella Titotto. Rossi, e cila për Morinë që se njeh ka realizuar mes të tjerash edhe punë madhore si monedhën përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të Koncilit të Dytë të Vatikanit (1963-2023), monedhën përkujtimore të 500 vjetorit të themelimit të Gardës Zviceriane (1506-2006) apo edhe atë të 60 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945-2005) e nderon Shenjtoren tonë me dizenjimin e imazhit të saj si një simbol i gjallë i Caritas në monedhën përkujtimore 2 Euro të Vatikanit.

C:\Users\Admin\Desktop\Madre Teresa-Orietta Rossi.jpg

                                               © Ufficio Filatelico Numismatico Vaticano, 2022

Nga ana tjetër, po kaq interesant është edhe dizajni atipik i monedhës përkujtimore të Titottos. Monedha e argjendtë katërkëndore prej 25 Euro rafiguron një Shën Terezë të qeshur dhe të paqtuar nga rënia e butë dhe e ëmbël e dritës mbi fytyrën e saj; Drita e Besimit.Po aq i fuqishëm dhe kuptimplotë për këtë Shenjtore e cila dritën e besimit e përktheu në dritë shprese për miliarda njerëz në botë teksa njihte “Jezusin e Fshehtë” në ta qëndron edhe mesazhi i nxjerrë nga Ungjilli i Gjon Shqiponjës: “Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë!” 

C:\Users\Admin\Desktop\Ufficio Numismatico Vaticano.jpg

Filed Under: Featured Tagged With: Melsen Kafilaj

DOM NDRE MJEDA NË SYTË E NXËNSIT TË TIJ, MONSINJOR DR. ZEF OROSHIT

August 5, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ditët e fundit lexova disa shkrime kushtuar përvjetorit të kalimit në amshim të Dom Ndre Mjedës (1 gusht, 1937), meshtarit, poetit lirik, studiuesit dhe hulumtuesit të palodhëshëm të gjuhës shqipe. Me këtë rast, mu kujtuan bisedat që ndante me mua në fillim të 1970-ave për Dom Ndre Mjedën — Mons. Dr Zef Oroshi, (1912-1989) miku im dhe ish-udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, i nderuar dhe i respektuar edhe nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim feje a krahine. 

Monsinjor Zef Oroshi fliste shpesh, me mirënjohje dhe me respekt të madh, për mësuesit e tij, Dom Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën. Shpesh edhe shkruante mbi kujtimet e tija për ta në gazetat dhe revistat e diasporës anti-komunsite shqiptare të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë.

Në një shkrim përkujtimor botuar bë revistën Jeta Katolike Shqiptare, (Tetor-Dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes. Dom Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhit jezuit) ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës, sin ë Austri, Itali, Gjermani, Francë e Poloni, ku përveç se  kreu studimet e larta për filozofi e teologji me, “suma cum laude”, Ndre Mjeda, “pasunoi mendjen e squet të tij me gjuhët dhe me letërsitë këtyne vendeve, por edhe njohuri mbi klasikët që ai aq fort i dashuronte”, ka shkruar Mons Zef Oroshi, për ish-mësuenin e tij Ndre Mjedën. Megjithse, ndër të gjitha të mirat mendore e jetësore që i ofronte atij bota perëndimore e qytetëruar dhe e lirë, Mjeda, “Kurrë nuk harroi vendin e vet, Shqipërinë. Asaj i këndoi, me plot afshin e zemrës me poezitë e rinisë së vet, botuar në “Juvenilia”, — “sende rinie” – kur Atdheu gjëndej ende nën thundrën e aziatikëve”, ka vërejtur Dr Zef Oroshi në shkrimin e tij në vitin 1977, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Mjedës.

Kur është kthyer në Shqipëri, shënon Dom Zef Oroshi, Ndre Mjeda ka dhenë mësim në gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjen e famshme Saverjane të Shkodrës. Si meshtar ai ka shërbyer në disa famuli të Malësisë së mbi-Shkodrës, duke përfunduar në Kukël. Ndre Mjeda ishte themeluesi i Shoqërisë Letrare “Agimi”, ndërkohë që në Kongresin e Manastirit ka luajtur një rol kyç, ndërsa ishte ndër krongresistë më aktivë, ka thenë Dr Zef Oroshi. “Por çka e ban emrin e Ndre Mjedës të pavdekshëm”, nënvijon Dr, Zef Oroshi, “Ashtë pena e tij si poet, mjeshtër klasik i vjerrshit shqip, si prozator dhe sidomos si gramatolog, ndëlr më të thellët që ka pasur Shqipëria përshumë kohë. Studimet dhe hulumtimet e tija në çeshtje gramatikore të shqipës kanë qenë vendimtare”, thekson ndër të tjera, Dom Zefi, për veprimtarinë letrare të Dom Mjedës. 

Përveçse shkrimtar dhe poet mjeshtër, Dr. Zef Oroshi e cilëson ish-mësuesin e tij Ndre Mjedën edhe si, “udhëheqsin e paharruar të shkollës së përmendur, Kolegja Saverjane, drejtuar nga Jezuitët e Shkodrës” dhe si, “njërin prej Rilindasve më të flakët dhe më të hershmit e Kombit Shqiptar. Qe zgjedhë edhe deputet i Shkodrës, pothuajse kundër vullnetit të tij”, ka shkruar Oroshi. 

Dom Zefi shënon në artikullin e tij – një fakt që nuk ka të bejë me gjuhën as me letërsinë – ndërsa shkruan se, “Për t’i dhënë një hov bujqësisë përparimtare, Dom Ndre Mjeda qe i pari që solli plorin e çelikt në Shqipëni”, sipas Dom Zef Oroshit.

Dom Ndre Mjedës, ka shkruar Dom Zef Oroshi, i ka takuar të jetonte në dhena të huaja dhe zemra i shkrumbohej për Atdheun e largët e të robëruar. Mallin për Atdhe ai e skaliti, qysh i ri në “Juvenilia”, duke filluar me, “Vaji i Bylbylit”, botuar që në vitin 1887 dhe me “Andrra e Jetës”, ku ai këndon jetën e fshatarit e të malësorit shqiptar, ka shkruar Dr. Zef Oroshi, për veprat e mësuesit të tij, Me sonetat klasikë, “Lissus” dhe “Scodra” (Lezha e Shkodra) ku, përmes historisë së lashtë të këtyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme, “lumnitë historike dhe legjendat e paraardhësve ilirë, me mbretrit Bardhylin e Agronin dhe me mbretëreshen Teuta.” 

Monsinjor Dr Zef Oroshi vlerëson, në artikullin e tij, botuar në revisten Jeta Katolike Shqiptare më 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të poetit, se, “me këto vepra, megjithse të shkurta, Mjeda naltësohet si poeti më klasik ndër të gjithë poetët shqiptarë…”, por megjithë këtë, “Ai Nanën Shqipni e ka gjithmonë para syshë”, me qëllim për të drejtuar rininë e asaj kohe kah, “udha e atdhedashunisë së çiltërt, siç kanë veprue gjithmonë, për vendin e tyre, njerëzit e mëdhej.”

Dom Zef Oroshi është shprehur se e ndjen veten të nderuar dhe të privilegjuar që ketë “pasë për mësues, këtë mjeshtër zamadh tëgjuhës sonë, si dhe për ndikimin e tij për dashurinë ndaj Gjuhës Shqipe”, dhe vazhdon me kujtimet e tija: “Dom Ndre Mjeda qe perosnalitete i përsosur në ndejë e në sjellje. Në klasën e tij mund të ndihej miza tue fluturue. Kur na lexonte ndonji pjesë artistike klasike ose bashkohore, sidomos poezi me art të lartë, këthënezej e skuqej në fytyrë – aq fort e ndjente shijen e artit…Megjithse nuk ishte i idhët me kurrkënd, pak ose aspak i qeshej fytyra e tij e gjanë – me musteqe të trasha e të dendura e kryetullac, trup i lidhur me naltësi mesatare. Ishte kritik i pamëshirshëm në pikëpamjen e artit të shkrimit, por gjithmonë me dinjitet e arsye, pa përulur kënd, kurrë.”, ka shkruar Dom Zef Oroshi në artikullin e tij në kujtim të mësuesit të vet Dom Ndre Mjedës.

Dom Zef Oroshi ka mbyllur shkrimin në kujtim të mësuesit të tij të nderuar duke hedhur hipotezën se para se të vdiste – përflitej në atë kohë, se Dom Ndre Mjeda, i ndikuar nga shkrimtari latin Virgjili, mund të ketë djegur dorëshkrimet e tija të shumta, duke thënë se, “Mjeda vdiq, por shkolla e tij mbetet e pavdekshme.”

“Ndonëse pushon në amshim, ai gjithnjë flet.”  (Defunctus Adhuc Loquitur”.

Frank Shkreli

Aforizma.al - Thënie nga Ndre Mjeda

Tre kolosë të Shqipërisë: Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta (dy mësuesit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit), me Luigj Gurakuqin

Autori — pjesëmarrës në protestën para OKB-së në Nju Jork, 1973 — me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1531
  • 1532
  • 1533
  • 1534
  • 1535
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT