• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Glauk Konjufca: Adem Demaçi njëra prej figurave më të rëndësishme të kombit

July 26, 2023 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, bëri sot homazhe dhe vendosi lule te varri i veprimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e përvjetorin të pestë të ndarjes nga jeta.

Me këtë rast kryetari Glauk Konjufca tha se figura e Adem Demaçit zë njërin prej vendeve më të rëndësishme në historinë e re të kombit shqiptar, prandaj e konsideroi të rëndësishme që të kujtohet dhe nderohet figura, siç theksoi ai, më e shquar e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore.

“Adem Demaçi për shqiptarët e pasluftës së Dytë Botërore ka qenë njëra prej figurave më të rëndësishme e cila ka arritur të artikulojë interesat më jetike të kombit shqiptar, duke filluar prej koncepteve të Kosovës Republikë, të bashkimit kombëtar dhe të së drejtës për vetëvendosje”, theksoi kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se Demaçi mbrojti të drejtat dhe liritë e popullit shqiptar, duke qenë prijës i shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.

“Adem Demaçi jo vetëm që i artikuloi, por i mbrojti ato me një sakrificë të pashembullt, duke qenë në krye të proceseve më të rëndësishme të popullit tonë. Aty ku ishin të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave tona si popull, aty në rendin e parë ishte Adem Demaçi”, tha kryetari Konjufca.

Adem Demaçi me veprimtarinë e gjerë dhe me sakrificën e tij, shtoi më tej kryetari i Kuvendit, gjithmonë ka qenë frymëzim për brezat, duke lënë gjurmë të pashlyeshme dhe duke u bërë motiv edhe për institucionet e Kosovës.

“Duke filluar prej viteve pesëdhjetë, atëherë kur u burgos për herë të parë e deri në vitin 1998, kur thirrja e kërkoi që të jetë në ballë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi nuk ka dështuar asnjëherë. Ai gjithmonë i ka frymëzuar brezat me sakrificën dhe me veprimtarinë e tij, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe e cila është e rëndësishme edhe për ne, që vazhdojmë të jetojmë dhe vazhdojmë ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës institucionalisht dhe me përgjegjësi”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Filed Under: Politike

ANTIHISTORIKJA SI LIGJËRIM LETRAR

July 26, 2023 by s p

Behar GJOKA/

Në qendër të romanit Mekami të Kasëm Trebeshinës vihet pyetja:

– Kush janë shqiptarët? Një pyetje tronditëse dhe krejt e pamënjanueshme. Prania dhe zhvillimi i plotë i disa linjave që vendosin përballë caqet kohore mbi pesë shekujsh, zbërthimi linear dhe në të gjitha përmasat i personazheve, si dhe përthithja e kaq shumë lëngjeve si materie rrëfimore, i japin Mekamit tiparet e një romani të përfunduar si art dhe domethënie. Sipërmarrja e përcaktimit të natyrës së shqiptarit, një sprovë dhe lëngatë e jo pak penave të ndrituara të letrave shqipe, ku ende buçasin britmat e Konicës dhe Fishtës, nuk e ka stepur shkrimtarin. Madje, fillimisht ia hyn udhës pa krye, drejtëpërdrejtë dhe fillikat përmes mllefit të derdhur me sarkazëm mençurake. Paprit e pakujtu në skenë futet një rrëfimtar i dytë, më i lashtë dhe dijeplotë. Një turk që tregon historinë e vet, historinë e fisit dhe të vendit të mirë, pra të Mekamit, që vizitohet nga pelegrinët. Në tregonjëzat e gjata(kapitujt), dalëngadalë, zhdavaritet mjegullima dhe avitet përgjigjja e pyetjes së shtruar. Ikja prej ballafaqimit autorial dhe sendërgjimi i një realiteti letrar, ku e tërthorta shenjon esencialen, është shtrati i shpjegimtarisë së endur mjeshtërisht rreth natyrës së shqiptarit, mbi shpërfytyrimin e hershëm dhe bashkëkohor, është gjetje artistike e qëlluar për të realizuar një shqyrtim letrar të ftohtë, tashmë me gojën, sytë dhe mendjen e një turku. Pra ikja, ase ndërrimi i kahjeve narrative, në këtë rast është konceptim dhe këndshikim letrar origjinal. Prej aty, shpërndriten zgafellat e mbigjallimit të shqiptarit, të molepsur ndotjesh në paqenësi, të mbushura dingas me deformime karakteriale të qëmotshme, por duke qenë kondensuar në subkoshiencë, ethet tjetërsuese bulëzojnë edhe në jetërat moderne. Madje, këtu edhe më shëmtueshëm. Prapë pyetja mbetet vjerrë. Absurdi jetësor e tejkalon realitetin artistik.

MEKAMI SI PASQYRË REFLEKTIMI

Figura e Mekamit në mendësinë e shqipes dhe të banorëve të saj ka hyrë si vend i mirë, si vend i shenjtë ku s’kanë të mbaruar pelegrinët që e vizitojnë. Shënimi i vendosur poshtë titullit të librit, posaçërisht Melodi turke, diç fsheh nga shenjat shkrimore, njëkohshëm diçka zbulon magjishëm. Endja e realitetit letrar të ndërlikuar, ku thënies i rri përkarshi kundërthënia, historia mbart edhe antihistoriken, forma e përsosur herë-herë shformohet frikshëm, pra një formësim i veçantë e dallon ndjeshëm nga letërsia e parrullëzimit të realitetit letrar. Kjo mënyrë e preferuar shprehësie e radhit ndër librat e rrallë të letrave shqipe, që edhe mund të shijohen po të lexohen si art, si magji e fjalësuar, si emocionalitet specifik. Zbulesa e rrokshme në materien tekstologjike ka të bëjë me ndoca tinguj të dhimbshëm dhe krenarë për humbjen e qenies. Një humbje e shkaktuar prej kërkimit të atdheut të ri. Mekami, aq më tepër kur është i shenjtë, mbart mbi vete ngjyrat dhe tonet e një melodie amshimi. Kështu, krejt vetiu ai shndërrohet një një pasqyrë ku kundrohet:

– E tashmja, që ia dhunon varrin, gjëja më monstruoze që mund t’i bëhet qenies.

– E kaluara, tepër e largët, ku derdhet materia e vdekjes së pamerituar.

Të dyja hapësirat, të largëta me shekuj, perfide dhe makthndjellëse, ngjajnë si dy pika uji të një burimi. Shëtitja tekstologjike nëpër këta qerthuj vertikaliteti, ku Mekami është syri magjik që projekton ndërkohësitë, dy botët e njëjta, dy veprime çnjerëzore, duke shpjeguar shumëçka nga tiparet e shqiptarit. Mekami, një pasqyrë e fiksuar, teksa kundron mjeranët që përsëritin shëmtinë fatale, përndritet edhe më shumë si akuzë e përjetshme, e rrokopujës ku kemi ecur dhe, po kaq krenarë dhe pa grimë ndërgjegjeje, shtegtojmë drejt humnerash të pafundme…

RRATHËT NDËRKOHORË

Në faqet e librit koha vjen e fiksuar si shenjë konkrete, me të gjithë treguesit e nevojshëm:

– Përditshmëria, me çmendurinë e radhës, e një çmendie të pangjashme në vendet dhe popujt e tjerë. Marrëzia godet dhe përmbys shenjtërinë, shkallmon shpirtin dhe kujtesën e mbyllur nër varre e tempuj. Tufani dhe suferina absurde, krejt e parrokshme me fjalë, e ideve komuniste në Shqipëri kundër fetares dhe shpirtërores, kundër besimit dhe kulteve fetare, me gjithë sfondin e rrejshëm optimist, pati pasoja: vdekjen e sekretarit të partisë dhe shkallimin mendor të një tjetri.

– E dikurshmja, e largët por e pashqitshme në mbamendje, që realisht përfaqëson pjesën më të madhe të romanit, ku shpërfaqen sëmundjet e zanafillës së genit shqiptar, pothuajse duke fokusuar karakteristikat qenësore:

– gatishmëria e spiunimit qoftë edhe pa pagesë,

– tradhëtisë së zakonshme me dhe pa shkak,

– shthurjes morale, që nuk kursen as trashëgimtarët,

– trimërisë pas betejesës dhe mençurisë mbrapa kuvendit,

– dyzimit hipokrit, të një ndarjeje të pastër mes fjalës dhe veprimit.

Kamera autoriale, tashmë e përthyer si rrëfim i turkut, nuk lë pa qëmtuar cenet e asaj periudhe. Bashkë me të përkujtohet edhe ndëshkimi historik, si sfond ilustrues, katastrofa e betejës së Beratit. Pranëvënia e përballvënë e rrathëve të distancuar ndërkohorë, madje gjer në përllogaritje algjebrike, por të përputhura si ekzistencë e qenies, e qenies shqiptare në këtë rast, është qëllimore dhe një konceptim i gjetur artistik. Në këtë kuptim, pra si kohë e ndërkohësisë, materia letrare e këtij romani është nga të paktat sprova në letrat shqipe që tenton dhe rrok çmitizimin e një epoke. Operacioni çmitizues është gjithëpërmasor, teksa prek rrafshet e frymës, modelit dhe formës shprehëse. Rruga e çelur qysh prej antikitetit, e cila eci në shtratin e mitologjisë duke e çmitizuar atë, prej Dantes e Shekspirit, ku akti çmitizues është parësori për të sendërtuar artin, për të mbërritur gjer tek çmitizimi modern gjithçfarësh. Kurba e sprovuar, si kohështrirje dhe lëndë tekstologjike, e ka ravizuar (ç)mitizimin si njërën nga rruginat e kërkimit dhe realizimit të artit si esencë estetike e jo diçka tjetër. Mekami është ndër librat e parë të realizuar artistikisht, ku historia shformohet dhe formësohet si art, pra duke lexuar edhe anën tjetër të medaljes të historisë, që ekziston e jo se shpiket, domethënë pjesën e padukshme dhe të nënkuptuar, kryekreje duke e çmitizuar atë dhe padukshmërinë duke e fokusuar si esencialitet letrar…

STRUKTURA KOMPOZICIONALE

Lënda tekstologjike e këtij libri paraqitet nëpërmjet një strukture origjinale dhe të papritur:

A. Në njëmbëdhjetë kapituj shkurtimorë, të një natyre universale dhe etike filozofike, të përveçuara edhe si grafikë shkrimore.

B. Në njëmbëdhjetë kapituj të plotë (më qartë ende, njëmbëdhjetë parakapituj), që bartin peshën kryesore të esencës letrare, që pohojnë dhe mohojnë njëherazi tekstet e paravendosura.

C. Në faqen e fundit shkrimtari vendos Antihistorinë, një tekst që në pikëpamje të shkrimit grafik përputhet me kapitujT e shkurtër, ndërsa thelbi tekstual i tij shkërmoq gjithçkafin e rrjeshtuar më parë. Me një fjalë, pikërisht aty ku mbaron libri nis rrëfimi autorial, tashmë si antihistorikë, si zbulesë e botës së padukshme.

D. Funksionalizimi i kontrastit të gjithëpranishëm, si elemente qenësorë komponues. Antiteza kundërthënëse në këtë libër përbën boshtin organizues kompozicional, andaj nuk mbetet skutë e jetës njerëzore e pandriçuar.

Struktura e këtillë, ku teksti parashtrohet i ndarë në kapituj, i përket përvojës klasike të ligjërimit në prozë. Kurse nëndarja në kapituj të rinj, dhe sidomos raporti logjik dhe artistik ndërmjet tyre, bashkëshoqëruar me grafikë të ndryshme si dhe ngjyrimi i tyre me tone kontrasti, është fakturë moderne e strukturimit dhe ligjërimit të prozës. Përzierja e qëlluar e përvojave të ndryshme strukturore, pra si shtjellim klasik dhe modern, veçse duke i pranëvënë në dhëniemarrje të ndërsjelltë, është njëri nga shtigjet autentike ku fle arti, e ku termat janë diç më shumë se sa përcaktime letrare, që nuk e shpjegojnë përfundimisht substancën artistike. Më tepër, termat klasikë dhe modernë, shenjojnë dëshmi të njohura shkrimore, të cilat e bartin esencën e modelit letrar të sprovuar. Fibrimet strukturore kaq dinamike, dhe të një niveli të dëshmuar letrar, japin shkas për ta mataruar artistikisht librin nëpër të gjitha rrafshet e shprehjes…

RRËFIMTARËT E PRANISHËM

Duhet theksuar qysh në krye se tek ky libër identifikohen qartësisht disa narratorë:

Së pari: Rrëfimtari hipotetik (që parakupton kryekreje fshehjen e autorit), i cili herë kuvendon si nër biseda, herë ligjëron dijetarisht, herë shpërthen zemërueshëm. Ky lloj rrëfimi përcillet në njëmbëdhjetë kapitujt e shkurtër, si dhe në epilogun e librit. Megjithë ngjyresat hipotetike, materia tekstore ta përkujton narratorin e gjithëdijshëm.

Së dyti: Rrëfimtari-autor, që pikturon realitetin e përditshmërisë, kohët kur të marrët trushkulur shkallmojnë varrin e Mekamit (vendin e mirë, siç e përjeton mendësia shqiptare), prej nga zbresin fatkeqësi të mënxyrshme.

Së treti: Rrëfimtari-imagjinar ose turku i dikurshëm, që tregon me dhimbje historinë e fisit dhe të ardhjes në këto troje mister. Pesha specifike e këtij rrëfimtari lidhet ngushtësisht me faktin se ai është rrafshi ligjërimor ku përndritet e kaluara dhe njëherit është pika pasqyruese e saj për një të tashme. Ndodhitë e vëna në gojën e narratorit imagjinar, përpos tmerrit dhe ankthit që shkaktojnë, mrekullishëm ndriçojnë vatrat letrare të thurura mjeshtërisht si statura rrëfimore.

Së katërti: Rrëfimtari-dëgjues (autori që ngahera zhduket prej skenës), që ka si funksion ndërlidhjen e bashkëkohësisë me kohët e hershme.

Prania e sekuencave narrative, kaq të larmishme dhe përplot lëvizshmëri, shenjëzon konceptime të qëmtuara dhe krejt të përfunduara artistike. Mandej laryshia rrëfimore, thembra akiliane e artit të prozës, dritëzon të gjitha anët e personazheve, çdo kënd të mundshëm ekzistencial…

HISTORIA PA TINGËLLIMA PËRDITSHMËRIE

Për të materializuar dhe shpjeguar rebusin shqiptar, si dimension shpirtëror e jo tjetërsoj, shkrimtari mërgon në të kaluarën. Zbritja në histori, në substancën e librit, kryhet si nevojë dhe ligjësori e thurjes së realitetit letrar. Pra duke projektuar një trill të habitshëm, as duke e ndryshuar apo retushuar, as duke e stërzmadhuar ase sfumuar, por duke fokusuar episode konkrete, siç i ka vulosur historia nër dokumenta dhe arkiva. Ombrella letrare, pra fuqizimi i temporitmikës së saj, tashmë si ngjarje të realitetit artistik, e bën të kapshëm trillimin e realizuar. Ndjesia e imagjinatës së ndezur autoriale bëhet e prekshme sidomos nga tekstura narratologjike, e larme dhe përplot sfumatura shprehësie, çka e ka shpëtuar prej rënies në historicizëm. Ikja prej kronikës dhe kronikanit të akullt, përmes artit të fjalës si shumësi formësimi dhe kuptimësie, ka mundësuar formulimin e poetikës së rrëfimtarisë. Dihet sipas teoritikës letrare se prania e poetikës narrative, përveç elementëve të tjerë të nevojshëm, është kriteri sendërgjues i prozës si shkrim letrar. Realizimi i këtyre kërkesave, i kapërthimit të linjave të pranishme, skalitja e personazheve, si dhe magjia e fjalësuar në nivel të ngritur letrar, e veçmas ikja prej historikes rapsodike, ka dhënë shkas për të kryer çmitizimin e një miti historik, gjithnjë si kërkimtari letrariteti. Kuptohet se çmitizimi ose antihistoria e trilluar këtu është esencë mirëfilli letrare, është njëherazi edhe një pasqyrë nga ku mund të kundrohet, natyrisht me vëmendje të përqendruar, shpirti dhe shpirtërorja e kondensuar në kaq e kaq shekuj. Depërtimi prapa vellos së padukshme, si të thuash në anën tjetër të medaljes, ku gëlojnë hijedrita të frikshme, shenjëzon binarët ku maturohet artistikja autoriale. Koha shkrimore, që i përket vitit 1978, jep shenja të mjafta për shtigjet e artit nëpër të cilat lëvrohej krijimtaria letrare e Trebeshinës. Dehistorizmi ose çmitizimi i përfunduar, si dhe zbulesa e rrafsheve shpirtërore aq të pafundme, krijon aureolën e artthënies letrare…

SIMBOLIKA E NUMRAVE

Kërkimtaria në lamin e formës rrëshqet nër honet zanafillore, të endura strukturalisht nëpërmjet simbolikës së numrave. Rrjeta e thurur artistikisht zbulon praninë e numrit njëmbëdhjetë:

– Njëmbëdhjetë kapituj shkurtimorë.

– Njëmbëdhjetë kapituj të plotë, ku shpërfaqen shumica e linjave fabulistike.

Simbolika e njëmbëdhjetës mund të interpretohet, jo vetëm hipotetikisht, në dhjetëra mënyra:

Së pari: Fillesa e re, e pashmangshme, që vjen prej rrafsheve të rrumbullakosura të zanafillës.

Së dyti: Numër i perfektshmërisë universale, gjithnjë sipas Laocenit, që garanton vijëmësinë e pandërprerë.

Së treti: Fillesa e detyruar për të gjithë rrafshet ekzistencialë.

Së katërti: Përballëvënia e fillesave të shumta si domosdo e reflektimit të ndërmjetshëm.

Hamendjet që shkaktohen prej materies së larme tekstologjike, si qëmtim i kërkuar, si shterrim i hemisferave të njohura dhe si shtegtim për në të tjera hemisfera shprehësie, gati të pacekura, të një racionaliteti të ftohtë, e ngjit romanin në sprova letrare, të një fantazie të përflakur. Prapa lakut, logjik endërtar të simbolikës shifrore, gjendet qenia dhe askush tjetër, që ka shansin dhe mundësinë e rrokjes së këtyre përjetimeve…

ANTIHISTORIKJA SI PËRMBYSJE SIMBOLIKE

Epilogu rezervon një situatë të papritur. Pikërisht, rreshtat e fundit të librit, mbartin shenjat e një përthyerjeje kompozuese dhe artistike magjike. Në pikëpamje grafike dhe të frymës shkrimore, ky episod është pjesë integrale e kapitujve shkurtimorë. Duke e ngritur simbolikën shifrore drejt numrit dymbëdhjetë. Pra, duke i kapërcyer parakapitujt, gjithnjë në njësinë numerike. Veçse duhet theksuar se shenja simbolike e dymbëdhjetës në mbamendjen njerëzore shenjëzon:

1. Simbolikën e dymbëdhjetë muajve të një viti, që përsëriten pambarimisht.

2. Simbolikën e dymbëdhjetë apostujve të besimit kristian.

3. Simbolikën e dymbëdhjetë tarikateve të besimit islam.

4. Simbolikën e njehsimit me dymbëdhjetë (dyzina), etj.

Pra, siç duket qartë, me një hapësirë të gjerë si fusha veprimi dhe kohështrirje. Vihet re që simbolika e dymbëdhjetës apo aspekti i vazhdimësisë së pandërprerë, i kundërqëndron simbolikës së numrit njëmbëdhjetë, ndonëse kjo e fundit materializohet si e dyfishuar, që përfaqëson perfektshmëri ase fillesën e re. Andaj, jo vetëm raportim numerik, por më tepër si realitet i mënjanuar, antihistoria i qëndron kundruall historisë, natyrisht duke projektuar një esencë letrare të mirëfilltë…

SKALITJA E PERSONAZHEVE

Edhe tek ky libër, si dhe tjetërkund në krijimtarinë e Trebeshinës, personazhet skaliten në të gjitha dimensionet ekzistencialë. Duke qenë të konceptuar dhe mishëruar gjer në nivelet formatuese:

1. Ku zbulohet thelbi i karaktereve, të mirë ose të këqinj qofshin.

2. Ku duken shenjat e karakterizimit letrar.

3. Ku fjala përshkrimore autoriale gdhend portretin fizik.

4. Ku fjalët e replikuara vizatojnë natyrën e plotë të personazheve.

5. Ku lëviz qenia dhe jo hijet.

Paraqitja e shkallëshkallshme e figurave, me të gjitha skutat pranishme, e plazmuar artistikisht, e shndërron krejt vetiu autorin në shkrimtarin e personazheve të realizuar si karaktere. Përkujdesja tipizuese dhe karakterizuese është gati maksimale përçfarëdo figure, qoftë edhe dytësore a episodike. Mjeshtëria e skalitjes si karaktere letrare të fuqishme duket, sidomos, në gdhendjen e turkut, Ergynit, Angjelikës, Spiro Gozos, që shpërfaqin parapëlqesat autoriale. Figura e turkut, që bart edhe shansin e tejkëqyrjes së realitetit letrar të së kaluarës, pra historikes së rrëfyer si art, vjen e plotë si qenie karakteriale, me të gjitha ngjyrat spektrale të ekzistencës njerëzore, e jo si butafori e mbërthyer në murin e flashkët “bardh e zi”, siç ngjet rëndom në letrat shqipe. Hijedritat e pranishme në shpërfaqjen e tipareve e bëjnë më të prekshëm si karakter. Kurse Ergyni, në kontrast me të gjithë personazhet e librit, është një hero ideal, krejt imagjinar, ku përsosja e ndjesive shumëfishohet nga përmasat luftarake që më tepër gjezdiset nër ëndrra, por në çastin e duhur del si njeri i veprimit. Vetitë e larta që ngërthen si individ e rrëshqasin në shtratin e shenjtërimit. Në kundërvënie të hapur me këto figura, por edhe si karakteri më jetësor i shënuar i skicuar, plazmohet Spiro, shqiptari tipik, optimist dhe pabestar, përbindësh dhe i pandreqshëm, dyfytyrësh dhe pa din e iman, që shet të bijën për të nginjur egon e hakmarrjes. Angjelika, ky lastar i Gazollarëve, qëndron si diamant i qashtër në midis dy botëve. Për çudi, vajza e heshtur bën zgjidhjen e papritur, krejt të pamenduar në përkitje sipërfaqësore, rreshtohet kundër të atit. Ndryshimin e kahjeve e detyruan rrethanat. Penelimet e holla në portretimin e saj, që ta përkujton poetikën orale shqipe, e bëjnë edhe ca më të rrokshme si frymë ekzistenciale. Gërshetimi me kualitet i disa mënyrave shprehëse, ku përshkrimi autorial pranëvihet me rrëshqitjet nër honet e shpirtit të secilit personazh përmjet analizës së grimcuar psikologjike, dhe veçanërisht fjala e ligjëruar në gojën e tyre, i shndërron natyrshëm në figura interesante…

FJALA E SHKRUAR SI ART

Proza letrare, ndryshe nga shkrimi në rreshta i fushave të shumta shkencore, lidhet pandarazi me nuancat specifike të mjeteve gjuhësore që rrokin esencën artistike. Madje, shprehësia gjuhësore e organizuar posaçërisht kështu, bazuar në kapërthimet kontekstuale dhe mbitekstuale, tekembramja realizojnë materien si art e jo diç tjetër. Kësisoj, dija e fituar ndërsa lëçitim librin letrar, me gjasë është më tepër këndellje nëpër rrathët e parrokshme të urtisë. Leximi i prozës, padyshim gjithë krijimtaria poetike, dramatike dhe eseistike (ku pjesa dërrmuese gjendet e dorëshkruar, pra e panjohur nga lexuesit) e Trebeshinës, kërkon përveç përqëndrimit të plotë edhe përjetim specifik, larg shijes së prishur të leximit, kur lexohet forma dhe jo materia tekstologjike. Poetika në prozën e Trebeshinës, veçmas nër faqet e Mekamit, gjellin:

1. Në mozaikun narrativ, aq funksional dhe të variueshëm.

2. Në ndërthurjen origjinale të caqeve kohorë, ku e djeshmja dëshmohet përmes të sotmes dhe anasjelltas.

3. Në vijëzimin e kontrastit fizik dhe moral, teksa portreton karakteret.

4. Në konceptimin e realitetit letrar ndërmjet kundërvënies.

5. Në ligjërimin e fjalës nëpër gjithë tastierën e potencialit shprehës.

6. Në vendosjen e fjalës në radhën e përcaktuar si art.

Përmasat artistike të sendërtuara në faqet e librit, mbi të gjitha, duken qartazi në mjeshtrinë e përzgjedhjes së fjalës si intencë dhe imanencë letrare. Gjuha, në faqet e librit është substancë, e gjithëvlershme dhe krejt dinamike, që ngërthen brenda vetes përvojën shkrimore gjithëkohore, por njëkohshëm përpunohet deri në skajshmëri,aq sa ngjan vetëm me vetveten. Madje, fjala si art dhe vetëm e tillë, në pendën e shkrimtarit shpërndërrohet sikur në një laborator alkimie, saqë edhe kur është e ligjërimit bisedor, prapëseprapë shpërndrisin vatra të pashfrytëzuara letrare.

Filed Under: LETERSI

Nata vdes, dita agon

July 26, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Në fund të fundit, arsyeja praktike pse një shumicë lejohet për një periudhë të gjatë të sundojë, nuk është sepse ata kanë shumë gjasa të jenë në të djathtë, as sepse kjo duket më e drejta për pakicën, por sepse ata janë fizikisht më të fortët. Një qeveri në të cilën sundon shumica në të gjitha rastet nuk mund të bazohet në drejtësi. A nuk mund të ketë një qeveri në të cilën shumica nuk vendos të drejtën dhe të gabuarën, por ndërgjegjen? – shumica vendos vetëm ato çështje për të cilat zbatohet rregulli. A duhet që qytetari për një moment, ose në masën më të vogël, t’ia japë ndërgjegjen e tij ligjvënësve? Pse atëherë çdo njeri ka vetëm një ndërgjegje? Mendoj se fillimisht duhet të jemi njerëz dhe më pas subjekt i rregullit dhe ligjit. Nuk është e dëshirueshme të kultivohet një respekt për ligjin, aq sa për të drejtën.

Jeta është si uji në lumë. Mund të ngrihet këtë vit më lart dhe të vërshojë tokat e thara; edhe ky mund të jetë viti që do të mbytë të gjithë myshqet. Nuk ishte gjithmonë tokë e thatë. Në brendësi të brigjeve që përroi lagte në kohët e lashta, përpara se shkenca të fillonte të regjistronte temperaturat. Secili ka dëgjuar historinë që ka bërë xhiron, për një insekt të fortë dhe të bukur që doli nga gjethja e thatë e një tavoline të vjetër me dru molle, e cila kishte qëndruar në kuzhinën e një fermeri për gjashtëdhjetë vjet – nga një vezë e depozituar në pemën e gjallë shumë vite më parë – e cila u dëgjua duke gërryer për disa javë, e çelur mbase nga nxehtësia. Kush nuk e ndjen besimin në ringjallje dhe pavdekësi, duke dëgjuar këtë? Kush e di se çfarë jete e bukur dhe me krahë, veza e së cilës është varrosur për shekuj nën shumë shtresa të drurit në jetën e thatë të vdekur të shoqërisë, e depozituar në fillim në alburnumin e pemës së gjelbër dhe të gjallë, e cila u shndërruar gradualisht në pamjen e varrit të saj – është dëgjuar mbase duke u gërryer për vite me rradhë nga njerëzit e mahnitur; nga mesi i mobiljeve më të parëndësishme dhe më të shitura, për të shijuar më në fund jetën e saj. Nuk them se njerëzit do t’i kuptojnë të gjitha këto; por i tillë është karakteri i asaj të nesërme që thjesht kalimi i kohës nuk mund ta bëjë kurrë të agojë. Drita që na nxjerr sytë është errësirë ​​për ne. Agon vetëm ajo ditë në të cilën jemi zgjuar. Ka më shumë ditë për të gdhirë. Dielli nuk është veçse një yll mëngjesi.

May be an image of twilight

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në lansimin e platformës dedikuar mërgatës, ”Shijo Kosovën”

July 26, 2023 by s p

Në fjalën e tij, kryeministri duke iu uruar mirëseardhje atyre tha se si çdo verë, Kosova i pret me krahë të hapur dhe me zemër të mbushur plotë dhe se rikthimi i tyre në atdhe, në shtëpitë e tyre e shënon një moment të veçantë, e simbolizon lidhjen e përjetshme midis nesh edhe jush, aq të fortë sa që nuk kemi dy palë por jemi i njëjti popull.

‘’Si mërgatë, ju keni luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe vazhdoni të luani sa i përket zhvillimit ekonomik e social, politik e kulturor të Kosovës’’, u shpreh kryeministri.

Në këtë vit, kryeministri njoftoi se kemi arritur një nivel tjetër të bashkërendimit dhe bashkëpunimit me bashkatdhetarët. Idetë e tyre për të ofruar mënyra inovative për përfshirje të diasporës në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës kanë filluar të marrin formë, dhe shumë programe janë zhvilluar duke pasur në mendje idetë dhe sugjerimet e tyre; programe sikurse Programi për Diplomaci Qytetare dhe Java e Kulturës në Kosovë.. Dhe për këtë, kryeministri i falënderoi përzemërsisht!

E tash, tha më tej ai, edhe platforma “Shijo Kosovën” këtë vit përfshinë shumë më shumë aktivitete, partnerë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm duke e bërë këtë platformë bashkë-udhëtar të rëndësishëm të qëndrimit tuaj në Kosovë, jo vetëm gjatë verës, por gjatë tërë vitit.

Në këtë pritje, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla-Schwarz, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrat Daulina Osmani nga Ministria e Kulturës. Rinisë dhe Sportit, përgjegjëse për sportin, Getoar Mjeku nga Ministria e Ekonomisë, dhe Agon Dobruna, nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve.

Filed Under: Fejton

“NA THONI, KUSH PARA SHQIPTARIT, I NGAU QETË SINORËVE TË BALLKANIT?“ — UNIVERSITETI I BERNËS NË ZVICËR VËRTETON DEKLARATËN E AT GJERGJ FISHTËS NË KONFERENCËN E PAQËS NË PARIS, MË 1919

July 26, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Universiteti i Bernës në Zvicër pohoi zyrtarisht se Lini në Pogradec, është vendbanimi më i vjetër në Europë, njoftojnë një numër mediash në trojet shqiptare, por edhe mëtej.  Sipas të dhënave në media, por dhe deklratave zyrtare, rezultatet e gërmimeve mbi 4-vjeçare, në bashkpunim midis arkeologëve shqiptarë dhe atyre nga Universiteti i Bernës kanë konfirmuar se vendbanimi palafit i Linit në Pogradec, është më i vjetri në Europë, mbi 8500-vjeçarë, sipas ekspertëve zviceranë e shqiptarë – një zbulim ky shumë i madh, sipas tyre. 

Në këtë ndërkohë edhe Ambasada e Zvicrës në Tiranë ka reaguar në portalin e saj, duke e cilësuar punën e ekspertëve zviceranë e shqiptarë, si, “Zbulime arkeologjike të mëdha rreth Liqenit të Ohrit!”  Ndërsa selia diplomatike zvicerane njofton se me rastin e këtij zbulimi vet Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber ka bërë një vizitë ditët e fundit në Lin afër Pogradecit, për të dëshmuar bashkëpunimin e frytshëm mes ekipit të Universitetit të Bernës, të udhëhequr nga Prof. Albert Hafner, dhe arkeologëve shqiptarë. 🇨🇭🇦🇱

Z. Albert Hafner, arkeologu nga Zvicra, citohet të jetë shprehur për media të ndryshme se kemi të bëjmë me një vendbanim që zhvillonte bujqësinë 8 deri në 9 mijë vjet më parë, që më pas është përhapur në Itali dhe në të gjithë Europën. Ai tha gjithashtu se ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër.   “Këtu është zhvilluar bujqësia, që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Europën”, shprehet arkeologu zviceran. “Njohuritë që kemi fituar në Zvicër do t’i zhvendosim këtu për të vijuar më tej me gërmime që të kemi më shumë të reja mbi vendbanimin më të vjetër në Europë”, është shprehur arkeologu zviceran. 

An aerial view of a town

Description automatically generated

                                                          Lin, Pogradec

Edhe për arkeologun shqiptar, Z. Adrian Anastasi, ky është një zbulim i madh, pasi edhe rezultatet e kanë konfirmuar, tha ai për mediat shqiptare.  Një zbulim i madh, me të vërtetë për shkencën – një sukses i madh gjithashtu edhe për bashkpunimin midis arkeologëve zviceranë e shqiptarë për këtë projekt, të financuar nga Bashkimi Evropian.  Por një zbulim dhe vërtetim shumë domethënës, sidomos, për historinë e mohuar të shqiptarëve, që tregon se shqiptarët janë populli më i vjetër në ato anë të kontinentit evropian.  “Ky vendbanim rezulton të jetë më i vjetri në Europë”, është shprehur arkeologu shqiptar, Z. Adrian Anastasi.

Me kjëtë rast — për këtë zbulim historik arkeologjik të preardhjes së paraardhësve të lashtë të shqiptarëve, për vendbanimin e tyre të parë në Evropë — në Lin të Pogradecit — foli shumë bukur e bindshëm shkenca këto ditë e fundit. 

Sot, flet shkenca mbi preardhjen e shqiptarëve dhe trojet e tyre të lashta, kur flet për një vendbanim, siç është vendbanimi i parë në Evropë – në Lin të Pogradecit: “Këtu është zhvilluar bujqësia, që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Europën”, 8 deri në 9 mijë vjetë më parë, shprehen sot ekspertët dhe shkenca evropiane.

Ky “zbulim” i “vendbanimit të parë në Evropë”, dihej se ishte aty, si shumë të tjera trako-ilire anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, por deri tani nuk flitej nga askush për gjëra të tilla – se nuk ishte dhe nuk është as sot në “modë”, se mund të ofendohen ata që kanë ardhur shumë më vonë e kanë zaptuar ato troje.  Por, atdhetarët e vërtetë e guximtarë të Kombit si At Gjergj Fishta jo vetëm e kanë ditur të vërtetën historike por edhe edhe kanë deklaruar para botës pa drojë, historinë e lashtë e të vërtetë të Kombit shqiptar, si pasardhës të Trako-Ilirëve.

Poeti i madh i Kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, “Në emën të dërgatës, të qeverisë e të kombit Shqiptar”, në Konferencën e paqës në Paris më 1919, sfidoi Evropën dhe botën, më shumë se një shekull më parë, me pyetjen: “Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?”.  Frank Shkreli/ “Na thoni kush para shqiptarit i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?” | Gazeta Telegraf – 

Sot, zbulimet e reja vërtetojnë se Fishta kishte të drejtë kur foli për rrënjët e shqiptarëve dhe për bujqësinë që të parët e shqiptarëve jo vetëm që e praktikonin vet, po ia mësuan këto praktika edhe Evropës mbarë, 8-9 mijë vjetë më parë.

“Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimshme anieje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje Trako-Ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët zanë vend a mbas murojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave gratçore dhe të kerthnesta, – banë e përmallshme e hyjnive të moshës prrallëzore. – u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, kjoftë thellimeve të kavaljeteve, kjoftë padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese…”, është shprehur Fishta më shumë se një shekull më parë.

Mbi një shekull më vonë, të gjithë ne dhe mbarë Evropa, e sidomos të gjithë ata që edhe sot e kësaj dite mohojnë prejardhjen dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e të tyre shekullore Trako-Ilire — e mori përgjigjen ndaj pyetjes retorike të At Gjergj Fishtës, drejtuar Evropës më 1919 — nga shkenca – pikërisht, nga zbulimet arkeologjike në Lin të Pogradecit. “Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?”.  

“Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme, banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e në za në histori të fiseve dhe të kombeve…”.

“…E mirë pra, Zotnij të nderuem, ky asht bash ai populli i vogël Shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë! I vjetër sa fosilet, sa stalagtitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh prej vetë bucave të Shqipnisë, ai asht sot zot autokton e i pakundershtueshëm i tokave të veta. Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’ ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshën e rruzullimit. “Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?”. Ka qenë pyetja e At Gjergj Fishtës. 

Shumë mirë që sot foli shkenca, me prova, për preardhjen e lashtë të Kombit shqiptar nga rrënjët Trako-Ilire, por At Gjergj Fishta u ka thenë fuqive të mëdha të Evropës që në vitin 1919, se si atëherë ashtu dhe sot, përveç provave materiale shkencore të njoftuara këto ditë në Lin të Pogradecit, kush do të dijë të vërtetën, sipas At Gjergj Fishtës: “Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E ashtë kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj (historisë) i pingrueshëm, përshkon kavaljetët”, ka thënë, ndër të tjera në fjalimin “Shqiptarët e të Drejtat e Tyne”, At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës në Paris, në vitin 1919. 

Zëri i At Gjergj Fishtës meriton të dëgjohet edhe sot, ndoshta më shumë se kurrë më parë. Edhe sikur të duam ta harrojmë zërin e këtij apostulli të madh të Kombit shqiptar, e Vërteta, sikur na pengon duke u thenë shqiptarëve se mësimet dhe trashëgimia e tij duhen mbajtur gjallë, nëqoftse duam që Hylli i Kombit shqiptar të mos fiket  në hapësirën e kupës qiellore”, do të këshillonte shkrimtari e poeti Ernest Koliqi.

Frank Shkreli

A black and white text and a person with two heads

Description automatically generated
May be an image of 2 people, wetsuit and snorkel

 A group of people standing around a log

Description automatically generatedZbulime arkeologjike të mëdha rreth Liqenit të Ohrit një bashkëpunim i frytshëm mes ekipit të Universitetit të Bernës, të udhëhequr nga Prof. Albert Hafner, dhe arkeologëve shqiptarë. 🤝🇨🇭🇦🇱 — Fotot nga zbulimet në Lin të Pogradecit janë nga portali fejsbuk i Ambasadës Zvicerane në TiranëMay be an image of 1 person and text

                  A person sitting in a chair

Description automatically generatedAt Gjergj Fishta në qershor 1919 me temën– “Shqiptarët e të drejtat e tyne”, në Konferencën e Paqes, Paris

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1546
  • 1547
  • 1548
  • 1549
  • 1550
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT