• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REN NUSHAJ, AVOKATI SHQIPTAR QË KANDIDON PËR SENATIN E SHTETIT TË MICHIGANIT

September 20, 2025 by s p

“Vota shqiptare është vota që do të bënte ndryshimin mes fitores dhe humbjes”.

Intervistoi: Sokol Paja

Cila është platforma elektorale e Av. Ren Nushaj. Pse duhet të të votojë elektorati?

Fushata ime bazohet në synime të thjeshta por kuptimplote. Une besoj se çdo banor i Michigan-it meriton lagje të sigurta, shkolla publike të forta dhe një ekonomi që mbështet familjet tona. Do të luftoj për më shumë shpërndarje të të ardhurave të shtetit, në mënyrë që qeveritë tona lokale të kenë burimet për të riparuar rrugët tona, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të mbajtur komunitetet tona aktive dhe te suksesshme. Une sjell përvojë ligjore si prokuror dhe avokat mbrojtës, ashtu edhe një kuptim të thellë të nevojave të komunitetit si dikush që punon çdo ditë per te zgjidhur probleme rreale që ndikojnë në jetën e njerëzve.

Cili është angazhimi politik në Michigan dhe distriktin ku kandidon, fokusi, pozicionimi, nismat legjislative, partia politike, elektorati yt besnik…një thirrje shqiptarëve për të të mbështetur.

Në Michigan—dhe sidomos në Distriktin e Senatit 9—sfidat tona më të mëdha janë ekonomia, infrastruktura, dhe siguria publike. Përqendrimi im legjislativ do të jetë në modernizimin e infrastrukturës, uljen e kostove të shëndetit dhe arsimimit, dhe mbrojtjen e të drejtave individuale. Si një demokrat, do të jem një zë i fuqishëm për barazinë dhe progresin. Për komunitetin shqiptar ky eshte nje moment kritik. Ne kemi nevoje per perfaqsim ne sistemin politik dhe qe te arrijme kete duhet angazhim total nga te gjithe. Komuniteti ynë është punëtor, patriotik dhe thellësisht i angazhuar në këtë vend. Ky është momenti për të qëndruar së bashku, dhe mbështetja e komunitetit tone do të bëjë një ndryshim historik. Vota shqiptare është vota që do të bënte ndryshimin mes fitores dhe humbjes.

Kandidimi politik, dhe rëndësia e pozicionit ku kandidon. Ku e mbështet suksesin e garës elektorale si demokrat për Senat?

Senati i Shtetit të Michiganit nuk është thjesht një organ legjislativ—ai vendos politika që ndikojne drejtpërdrejt në jetën e përditshme të njerëzve: shkollat, sigurinë publike, taksat dhe infrastrukturën. Ne kemi një mundësi për të ndërtuar një Michigan më të fortë dhe më të drejtë. Suksesi im në këtë garë bazohet në vite eksperience ligjore, lidhje me liderët e komunitetit dhe një histori të provuar të zgjidhjes së problemeve. Unë nuk jam një politikan karriere—unë jam dikush qe I ka sherbyer gjithmone komunitetit tone. Kjo është fuqia ime dhe kyci i kesaj fushate elektorale.

Një shqiptar që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm për të qenë zëri i fuqishëm qytetar, çfarë ndjeshmërie keni?

Si një shqiptaro-amerikan, kam vlerat e familjes dhe komunitetit tonë. E kuptoj luftën e emigrantëve të cilët punojnë për të ndërtuar një jetë më të mirë në Amerikë, sepse kjo është historia e familjes sime. Këto vlera me japin drejtim ne shërbimin tim publik. Të jesh shqiptar do të thotë gjithashtu të bartësh një përgjegjësi: të tregosh se kontributi ynë në shoqërinë amerikane eshte tej mase i rendesishem dhe se zëri ynë eshte I nevojshem kudo ku merren vendime.

Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores dhe marrëdhënies me publikun dhe bindja për elektoratin gri?

Fushata po shkon shumë mirë. Jemi të predispozuar të shkojmë aty ku ndodhen anëtarët e komunitetit tonë, organizojmë takime dhe angazhojmë si banorë të vjetër ashtu edhe votues të rinj. Strategjia ime është e thjeshtë: dëgjo së pari, flit me sinqeritet dhe ndihmo ku të mundesh. Fitorja do të vijë nga angazhimi në bazë, ndërtimi i koalicioneve të forta dhe bindja e elektoratit me fakte, sinqeritet dhe vizion. Në këtë drejtim, eksperienca ime si avokat prej 15 vjetesh është një ndihmë e vyer në marrëdheniet me komunitetin.

Kush është Av. Ren Nushaj? formimi profesional, karriera, puna, hobi, moto në jetë?

Unë kam mbaruar shkollën e lartë për Histori dhe Shkenca Politike në Michigan pas të cilës vazhdova studime pas universitare për jurisprudence. Kam 15 vjet që punoj si avokat dhe punoj edhe si prokuror edhe si avokat mbrojtës. Eksperienca ime më ka dhënë një perspektivë dhe botëkuptim të gjerë: Në opinion tim, sistemi ligjor duhet gjithmonë të balancojë drejtësinë dhe llogaridhënien. Kjo filozofi me jep drejtim në çdo aspekt të jetës time publike. Jashtë sallës së gjyqit, jam thellësisht i angazhuar në shërbimin e komunitetit nëpërmjet një seri organizatash jo fitimprurese. Gjithmonë kam qenë i apasionuar me letërsinë, shkrimin dhe angazhimin me grupet kulturore lokale. Ndër të tjera, kam publikuar disa vëllime me poezi dhe jam themeluesi i Shoqërisë së Poezisë së qytetit ku jetoj.

Cila është prejardhja juaj e familjes, historia familjare e emigrimit?

Unë dhe familja ime emigruam nga Tirana me të njëjtin ëndërr që shumë familje shqiptare e mbanin—per një të ardhme më të mirë. Si shumë familje imigrante, ne kemi punuar dhe sakrifikuar shume gjate ketyre 30 viteve. Ky kontekst dhe experience familjare më jep disiplinë, vlerësim për edukimin dhe një angazhim për shërbimin publik. Historia e familjes time është historia e shqiptarëve në Amerikë: qe nuk kërkojmë ndihmë, por mundësinë për të kontribuar kundrejt suksesit të përbashkët.

@followers

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Diella para SPAK-ut

September 20, 2025 by s p

Pamflet nga Rafael Floqi /Karikaturën e bënë shokët e Diellës

Salla e SPAK-ut atë mëngjes ishte më e ngarkuar se kurrë. Nuk ishte thjesht një seancë dëgjimore, por një shfaqje që pritej me padurim si premierë teatri kombëtar. Në korridore gumëzhinin gazetarët, kamerat ndizeshin e fikeshin, ndërsa qytetarët përballë televizorëve prisnin të shihnin se si do të merrej në pyetje një ministre që… nuk ishte njeri.

Lista e dëshmitarëve ishte e gjatë: kryeministri Edi Rama, ministrja Belinda Balluku dhe, për habi të të gjithëve, “Diella – Ministre e Transparencës dhe Digjitalizimit”. Në fund të faqes, shënimi i prokurorit tingëllonte si frazë e marrë nga ndonjë libër Science fiction: “E pranishme si avatar, jo në trup fizik.”

Hyrja e madhe

Ora shënonte 10:00. Prokurori i çështjes, një burrë me sy të skuqur nga netët pa gjumë, u ngrit në këmbë.
– “Thërritet dëshmitarja, Diella.”

Në sallë ra qetësi. Dera nuk u hap, askush nuk hyri. Papritur, mbi mur u projektua një hologram. Një figurë femërore, me fytyrë të përsosur kompjuterike, buzëqeshte ngurtë, ndërsa një zë sintetik tha:
– “Mirëmëngjes. Unë jam Diella. Jam këtu për transparencë.”

Gazetarët u përplasën me njëri-tjetrin për të bërë foto. Njëri prej tyre psherëtiu:
– “Tani e pamë fundin e botës: SPAK-u pyeti një avatar.”

Pyetja e parë

Prokurori nisi me një ton serioz:
– “Zonjë… ministre… apo çfarëdo që jeni, ju thërritëm për të dhënë shpjegime mbi disa kontrata koncesionare të lidhura nga qeveria Rama-Balluku. Bëhet fjalë për qindra milionë euro. Kush ka përfituar nga këto tendera?”

Diella rrotulloi pak kokën holografike dhe lëshoi një zhurmë që ngjante me ventilator të bllokuar:
– “Gabim sintakse. Ju lutem, ribëni pyetjen.”

Salla shpërtheu në të qeshura. Avokatët psherëtinin, gazetarët bënin meme në kohë reale.

Rama ndërhyn

Në karrigen përballë, Edi Rama mbante një buzëqeshje prej artisti të lodhur nga kritikat. Me duart e gjata u përkul mbi tavolinë dhe tha:
– “Shikoni, kjo është arsyeja pse e sollëm Diellën. Ajo nuk gënjen. Ajo nuk lodhet. Ajo është dritë e pastër. Në vend që të merremi me insinuata, le të pyesim dritën.”

Një gazetar ironik pyeti me zë të lartë:
– “Po nëse drita na verbon, zoti kryeministër?”

Rama bëri një gjest prej piktori, si të vizatonte diellin mbi ajër:
– “Atëherë është faji juaj që nuk mbani syze.”

Pyetja e dytë

Prokurori, i inatosur, iu kthye përsëri hologramit.
– “Zonjë Diella, kemi prova që paratë e koncesioneve janë transferuar në kompani offshore, në ishuj ekzotikë, të lidhura me njerëz të afërt me Ramën dhe Ballukun. Çfarë dini ju për këtë?”

Diella lëshoi një grafik me ngjyra të ndezura. Një rrjet shigjetash lidhte kompani fiktive me ishuj tropikalë, por mbi grafik shkruhej: “ERROR 404 – Accountability Not Found.”

Salla shpërtheu përsëri në gaz. Një avokat hodhi dorën lart:
– “E shihni? Klientja ime nuk ka ndërgjegje, nuk ka përgjegjësi, nuk ka faj. Është më e ndershme se të gjithë ne!”

Balluku në rolin e mbrojtëses

Belinda Balluku, e njohur për energjinë e saj teatrale, nuk priti gjatë. U ngrit në këmbë dhe foli me pathos:
– “Shkëlqesi, kjo është një farsë. Ju nuk mund të pyesni një algoritëm për korrupsion. Diella është thjesht reflektim i vullnetit tonë politik për transparencë. Nëse keni akuza, bëni ato tek unë ose tek kryeministri, jo tek një hologram.”

Prokurori buzëqeshi me hidhërim:
– “Pikërisht këtë duam. Të mbani përgjegjësi ju, jo drita artificiale që na sillni përpara syve.”

Kabareja digjitale

Një tjetër prokuror, më i ri dhe më sarkastik, mori fjalën:
– “Zonjë Diella, a mund të na thoni kush firmosi këto kontrata?”

– “Firmat janë të Ramës dhe Ballukut. Unë jam vetëm dritë. Drita nuk gjykohet,” – u përgjigj avatarja, duke buzëqeshur plastikisht.

Salla shpërtheu përsëri në të qeshura. Një gazetar i ri u hodh në Twitter: “Breaking: Drita e qeverisë pranon se firmat i ka bërë terri.”

Grotesku i fundit

Prokurorët tashmë ishin të dëshpëruar. Kishin përballë një dëshmitar që dinte gjithçka, por nuk mund të mbahej përgjegjës. Kishin një kryeministër që fshihej pas metaforave piktorike dhe një ministre që mbrohej duke thirrur transparencën si perde.

Një prej tyre u ngrit dhe tha:
– “Nëse korrupsioni ka marrë avatar, atëherë Rama dhe Balluku janë vetëm prindërit krenarë të kësaj krijese. Po ne, çfarë të bëjmë? Të gjykojmë dritën?”

Në atë moment, Diella projektori një mesazh të madh në mur:
“Anti-korrupsion i kryer me sukses. Sistemi është i pastër.”

Salla mbeti pa frymë. Pastaj, si për ironi, dritat u fikën për shkak të një defekti teknik. Dritë që premtonte transparencë, por sillte errësirë.

Epilogu

Jashtë sallës, një qytetar i thjeshtë shikonte transmetimin live dhe psherëtinte:
– “Na sollën një diell artificial për të na fshehur hënën e vjedhjeve. Tani edhe korrupsioni është bërë high-tech.”

Kështu mbaroi dita e madhe në SPAK. Një teatër grotesk ku drejtësia pyeste një hologram, ku pushteti fshihej pas një avatari dhe ku populli mbeti me të vetmen të vërtetë: se përgjegjësia, kur zhduket nga njerëzit, nuk mund të zëvendësohet nga asnjë algoritëm. Dhe pas kurrizit të Ramws, Diella kishte vjedhur data jo dates “hurma Arabie”.

Republika ishte kthyer në kabare digjitale, ku korrupsioni nuk vishte më kostum, por kod binar. Dhe kur drejtësia i drejtohet dritës për t’i kërkuar llogari, atëherë e vërteta mbetet në terr.

Filed Under: Fejton

NATIONEN (1921) / “A MORËT PJESË NË LUFTËN BOTËRORE ? — PO, NGA ANA GJERMANE, DHE UNË ISHA ATY QË NË FILLIM.” — INTERVISTA ME ALEKSANDËR MOISIUN

September 20, 2025 by s p


Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) — Burimi : Światowid, e shtunë, 31 mars 1928, Ballinë
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) — Burimi : Światowid, e shtunë, 31 mars 1928, Ballinë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Shtator 2025

Gazeta norvegjeze “Nationen” ka botuar, të enjten e 28 prillit 1921, në faqen n°3, intervistën e Aleksandër Moisiut për revistën “Skappels” rreth pjesmarrjes së tij asokohe në Luftën e Parë Botërore, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Pjesëmarrja e Aleksandër Moisiut në Luftën Botërore.

Burimi : Nationen, e enjte, 28 prill 1921, faqe n°3
Burimi : Nationen, e enjte, 28 prill 1921, faqe n°3

Aleksandër Moisiu, aktori më i madh gjerman, të cilin së fundmi kemi pasur rastin ta shohim dhe ta admirojmë këtu, ka treguar për revistën “Skappels” pak për pjesëmarrjen e tij në luftë gjatë qëndrimit të tij këtu.

— A morët pjesë në Luftën Botërore ?

— Po, nga ana gjermane, dhe unë isha aty që në fillim. Më 1917 më kapën francezët dhe më çuan në një vend në Gjirin e Gascognes. Megjithatë, arrita të arratisem dhe në këmbë u enda nëpër të gjithë Francën mbi Pirenejtë (Pyrénées), por më kapën në kufirin spanjoll.

(Dimë që ka qenë bashkëshortja aktuale e Moisiut, aktorja e njohur zonja Terwin, e cila kur dëgjoi se Moisuin e kishin zënë rob, lëvizi qiellin dhe tokën për ta liruar. Dhe më në fund funksionoi. Por Moisiu nuk thotë asgjë për këtë.)

Megjithatë, pas një kohe të shkurtër më liruan në shkëmbimin e të burgosurve dhe më dërguan në shtëpi.

— Çfarë ju bëri përshtypje më të madhe gjatë luftës ?

— Nuk ishin të vdekurit në fushën e betejës, thotë ai. Nuk kam duruar kurrë më parë të shoh një operacion apo njerëz që ishin plagosur në një aksident, me pak fjalë gjak, por nuk kaloi shumë dhe shikimi i të vdekurve dhe të plagosurve u bë zakon. E konsideroja luftimin si një sport, adrenalina më bënte të pandjeshëm.

Jo, kishte gjëra të tjera që më bënë përshtypje shumë më tepër. Mund të duket një gjë e vogël në krahasim me gjithçka tjetër, por më kanë lënë një përshtypje të pashlyeshme.

Për shembull, ne ishim vendosur në qytetin e vogël francez të Salomé-së. Në shtëpinë ku isha unë jetonte një grua dhe vajza e saj, një vajzë e vogël e bukur tre vjeçare. Me ndihmën e çokollatës dhe mirësisë, ne ishim bërë miq vërtet të mirë. — Ne kishim bombarduar anglezët me shumë zell për një kohë të gjatë me topat tanë me rreze të gjatë, por një mbrëmje, kur ata zbuluan pozicionin tonë, ata filluan të përgjigjen. Gjuajtja e parë preku shtëpinë tonë. Unë nuk u preka, por 3 vjeçarja e vogël. Ajo jetoi për disa orë në një gjendje të pavetëdijshme, pastaj hapi sytë dhe shikoi nënën e saj, shtrëngoi buzët si për të qarë, pastaj humbi sërish ndjenjat dhe vdiq. Ishte e tmerrshme të shihje pikëllimin e nënës, pikëllimin e saj të heshtur dhe të dëshpëruar ; Këto janë gjërat më të tmerrshme në luftë.

Më kujtohet një episod tjetër i vogël. Ne drejtuam një numër të burgosurish francezë nga fronti përmes qytetit të vogël të Notre Dame de Lorraine. Në rrugë dhe në dyert e shtëpive, gratë qëndronin duke pritur — ata shikonin me ankth të burgosurit që kalonin : A është ai atje ? Burri im… vëllai im… i dashuri im ?

Më duhet të shtoj se ishte e ndaluar, nën dënimin me vdekje, t’u drejtohej një fjalë të vetme të burgosurve.

Oh, ata sy ! Ato vështrime lutëse, përgjëruese dhe të dëshpëruara dëshmonin më shumë për vuajtjet se çdo rrëfim nga fusha e betejës.

Pushuam në një bujtinë. Pritësi, një njeri me përafërsi 60 vjeç, shërbeu vetë. Ai ishte një nga gjërat më rrëqethëse që kam parë ndonjëherë. Ai ishte i sjellshëm dhe i zbatoi urdhrat tona me përpikëri, dhe kërkesave dhe pyetjeve tona u përgjigj : Oui monsieur (Po, zotëri) ! Bien monsieur (Mirë, zotëri) ! i shoqëruar nga një qëndrim i ngurtë. Por fytyra e tij ishte e ngurtë dhe e palëvizshme si e gdhendur në gur, dhe vështrimi i tij ishte i shurdhër dhe pa shprehje. Një vuajtje e tmerrshme memece foli nga kjo maskë. Trupi i tij ishte skllavëruar, por shpirti i tij nuk mund të detyrohej — ishte i vdekur.

Por ka ndodhur edhe diçka që njeriu e kujton me kënaqësi. Megjithatë, ka njerëz që, pavarësisht luftës dhe armiqësisë, mbeten njerëz, që kanë aventura edhe jashtë romaneve. Më parë u bëra i burgosur në një qytet të vogël francez. Ishim rreth njëzet veta. Njerëzit na pështynin dhe na shanin. Pastaj papritmas një kadet i ri francez erdhi tek ne, u prezantua dhe tha me një gjermanishte shumë të dobët :

— Nuk dua t’ju pyes si jeni, sepse e shoh që nuk ndiheni mirë, por do të doja t’ju ndihmoja nëse mundem. Ju ndoshta keni njerëz të dashur që dëshironi të dinë se jeni gjallë. Do të kujdesem që telegramet të dërgohen përmes Zvicrës.

Ne i dhamë adresat tona dhe ai telegrafoi për të gjithë ne.

Disa vite më vonë, u plagosa në gjoks nga një copë predhe dhe u shtrova në një spital në Zvicër. Pashë një listë me disa francezë që ishin zënë rob në Darmstadt dhe aty gjeta përsëri emrin e tij. Më pas i telegrafova mikut tim shkrimtarit von Unruh-e dhe i kërkova të bënte ç’të mundej për të riun. Nëna e tij më shkroi më vonë dhe më falënderoi ; Djali i saj kishte marrë trajtimin më madhështor. Po, ai tregoi dashuri dhe shikoni – ”schon ist der Lohn da !” (shpërblimi është tashmë aty !)

—  Çfarë mendoni për francezët në luftë ?

— Ushtari francez është një zotëri, por oficeri francez është po aq “schwein – derr” sa gjermani. Anglezët janë shumë më të mirë, ata përgjithësisht sillen me mençuri dhe mirësi. Italianët u treguan gjithmonë si fëmijët e mëdhenj që janë : ata ishin po aq të gjallë dhe të sjellshëm me miqtë e tyre sa me armiqtë e tyre.

Moisiu nuk thotë asgjë për vuajtjet e tij ; por prej tij duket qartë se plagët e shumta të luftës nuk kanë kaluar mbi të pa lënë gjurmë. Por sa bekim që aktori i madh nuk u bë viktimë e luftës !

Filed Under: Kulture

DIOGUARDI NË STRUGË NË VITIN 1991

September 20, 2025 by s p

Bexhet Asani/

Ishte viti 1991. Sa kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë. Trysnia e UDB-ësë jugosllave po zbehej. Tanimë struganët filluan të merrnin frymë, frika se do të ndiqeshin e do të burgoseshin nuk ishte. Lajmi se do të vinte DioGuardi kishte kapluar qytetin e Strugës. Të përndjekurit dhe të burgosurit politikë ishin të ngazëllyer. Një Superfuqi siç ishte Amerika, kishte kthyer sytë nga shqiptarët. Te Amerika shikoni engjëllin mbrojtës. Nuk u zhgënjyen falë Skënderbeut të dytë Xhozef Diogardit (Joseph DioGuardi), senatorëve, presidentëve që nga Bushët e deri te Klintoni e Bajdeni. Dhe sot asgjë s’ ka ndryshuar nga administrata e presidenti Tramp, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë engjëll mbrojtës i popullit tragjik shqiptar në shekuj.

Unë pata nderin ta takoja kongresmenin e atëhershëm Xhozef DioGuardin. Atë e shoqëronte ish i burgosuri politik, profesori i anglishtes Shpëtim Pollozhani e që bënte punën e përkthyesit. Më kujtohet shumë mirë se pyetjen që ia bëra DioGuardit, e përktheu Shpëtim Pollozhani. DioGuardi vizitoi Veleshtën. E shoqëriva edhe në Veleshtë. Fotografia që shikoni është shkrepur në Veleshtë. Në mes duke i rënë duarve i gëzuar është Naser Hani nga Veleshta, djathtas në profil është profesor Aliriza Lloga nga Livadhia, në mes duket qartë DioGuardi dhe pas DioGuardit jam unë, Bexhet Asani nga fshati Zagraçan. Do të jetë mirë të identifikohen edhe pjesëmarrësit e tjerë, kush i njeh?!

Për herë të dytë Dioguardin e takova në Nju Jork, në vitin 2018 pas 27 vitesh në Sipoziumin Shkencor që mbajtëm në Kolegjin Monro me rastin e 550 vjetorit të shkuarjes së Gjergj Kastriotit në amshim.

Më 2018 patëm një takim të përzemërt me DioGuardin. Sa iu prezentova se jam nga Struga, menjëherë më pyeti: a e njeh Shpëtim Pollozhanin?! I thash se e njoh. Pas bisedës i shkrepëm këto dy fotografi me ish kongresmenin Josef DioGuardin – Skënderbeun e Dytë.

Struganët në veçanti dhe shqiptarët në përgjithsësi nuk e kanë harruar DioGuardin. Struganët sot e kësaj dite janë aktiv në Lobin shqiptaro-amerikan me në krye Skënderbeun e Dytë Xhozef DioGuardin. Me këtë rast vargjet të cilat janë krijuar për rilindësin Jeronim de Radën, i përgjigjen edhe heroit të Kosovës:

Atë që bëri e Skënderbeu me shpatë,

Ti e bëre me penë, o, i madhi DioGuard!

Filed Under: Emigracion

Botohet në anglisht “The Trafficker” (Trafikanti) i shkrimtares shqiptaro-amerikane Mirela Kanini

September 20, 2025 by s p

Botohet në anglisht nga shtëpia botuese prestigjioze MindStir Media libri “The Trafficker” ( Trafikanti) i shkrimtares shqiptaro-amerikane Mirela Kanini. Ky libër trajton një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare në dekadat e fundit, atë të trafikut të drogës. Shumë të rinj pa shpresë dhe mundësira për të ardhmen shpesh përfshihen në rrjete të rrezikshme trafiqesh të paligjshme si e vetmja rrugëdalje nga varfëria dhe problemet. “The Trafficker “ është një histori dashurie , force dhe mbijetese. Fati është zakonisht i përcaktuar, ndërsa destinacioni është çka zgjedhim në jetë. Mia është një avokate e re emigracioni, e fejuar dhe në prag të martesës e cila takon një klient të pazakonshëm, Alen. Ai është i pashëm, i pasur dhe misterioz, me nënshtetësi hollandeze, por që ka vendosur të fillojë një jetë të re në USA. Fejesa e saj shkon drejt ndarjes dhe ajo ndërkohë është lidhur me Alenin, por pikërisht kur ajo ishte përfshirë e gjitha nga kjo dashuri ai zhduket duke lënë pas një letër ku i kërkonte të harronte që ai egziston. E kaluara e tij e errët dhe plot sekrete e ndoqi pas, por ai gjithashtu nuk donte të humbte vajzën e ëndrrave të tij. Një telefonatë midis tyre ndryshon gjithshka. Mia është në kërkim të së vërtetës dhe Aleni në përpjekje për t’ju arratisur të kaluarës. Një triller me ngjarje të jashtëzakonshme dhe përfundim të paparashikueshëm. Ky libër gjendet në Amazon, Barns & Nobel, ect, ndërsa në Shqipëri në libraritë Adrion, Albas ect…

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT