• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921

December 13, 2025 by s p

Akademik, Prof. Dr. Beqir Meta/

Pjesa II

      Vatra mbështeti me forcë çdo element dhe përpjekje për progresin social në Shqipëri dhe për kapërcimin e trashëgimisë së hidhur të kohës osmane. Ajo kritikoi çdo faktor që pengonte këtë progres drejt oksidentit. Kështu “Dielli” kritikonte gazetën Shkrepëtima, e cila e konsideronte mbylljen e mbulimin e grave si mbrojtje të lirisë. Këto mendime “Dielli” i quante anadollake dhe sillte si shembull Perëndimin, ku gruaja radhitej në një radhë me burrin.[1]

        Në faqet e gazetës Dielli u shfaqën propozime interesante për zhvillimin e vendit edhe në sferën ekonomike e financiare. Theksohej se shqiptarët e Amerikës, janë gati të investojnë të hollat për nisjen e një Banke Kombëtare dhe se kapitalet e tyre do të shumëzohen me kapitalet e shqiptarëve të Rumanisë, Misirit, Stambollit dhe Shqipërisë.[2] Një banke e tillë, shihej si një institucion themelor shtetëror përmes të cilit populli do të shpëtonte prej fajdexhinjve, të cilët shfrytëzonin në palcë popullsinë ku fajdeja ishte kthyer në një gangrenë sociale dhe përmes saj shteti shqiptar do të shtypte të hollat e tij e do të siguronte më lehtë hua të jashtme. Në fakt ky propozim nuk ishte realist, pasi vendit i nevojitej një stabilitet i brendshëm dhe ndërkombëtar i lartë, një qeverisje e aftë e nivel i lartë zhvillimi ekonomiko-politik që të mund të krijonte një bankë të tillë popullore, të cilat nuk ekzistonin në këtë kohë.

     Vatra ishte përkrahëse e zjarrtë e reformës agrare. Por duke pasur parasysh që në këto fillime tepër të vështira të jetës së shtetit të pavarur shqiptar realizimi i saj ishte i pamundur, ajo sugjeroi masa më të praktike dhe të realizueshme si hapa paraprijës të saj, siç ishte organizimi i fshatrave Agrikole nën mbrojtjen e Ministrisë  së Ekonomisë Kombëtare.[3]

     Një ndihmë të çmuar “Vatra” dha për shkollat në Shqipëri, duke botuar deri në mesin e vitit 1921 100.000 libra shkollorë nga autorë të shquar.[4] Jashtë vëmendjes së vatranëve nuk mbeti edhe çështja e njësimit të gjuhës.[5]

       Vatra ndoqi me shumë vëmendje fushatën  e zgjedhjeve të para politike në Shqipëri që u zhvillua në fillim të vitit 1921. Ajo mbajti një qëndrim të drejtë ndaj kësaj fushate, duke kritikuar elementët apo shfaqjet negative të saj dhe duke vlerësuar karakterin e qetë dhe të rregullt të zgjedhjeve.  Ajo kritikoi një nga fenomenet negative që u shfaqën gjatë kësaj fushate- propagandën e dasive fetare që zhvilluan disa grupe politike.[6] Nga ana tjetër, denoncoi sulmet e shtypit grek për zgjedhjet në Toskëri, i cili i quante si të paligjshme dhe si shkelje të marrëveshjes së qeverisë shqiptare me Greqinë, duke argumentuar se kufijtë e Shqipërisë ishin caktuar që më 1913 dhe ajo kishte të drejtë të bënte zgjedhje politike brenda tyre.[7]

       Ajo kritikoi daljen fitues në Shqipërinë e mesme të elementëve esadistë,[8] dhe përshëndeti me entuziazmin fitoret e nacionalistëve dhe progresistëve në qarkun e Korçës, duke propaganduar arritjen e madhe të vendit, pasi “zgjedhjet u bënë aq qetësisht dhe rregullisht sa barazohen me shtetet e përparuara, shumë më qetësisht se në Greqi.”[9]

           Vatra adresoi kritika të ashpra ndaj tendencave separatiste e centrifugale që u shfaqën gjatë zgjedhjeve, veçanërisht në zonën e Korçës, ku një grup politikanësh, që madje kishin pasur një rekord pozitiv të respektuar si nacionalistë e atdhetarë, i kërkuan me forcë dhe ushtruan presion ndaj qeverisë që të krijonte një administratë autonome në Shqipërinë e jugut, e cila të drejtohej nga të krishterët.  Vetvrasje e quante “Dielli”, Memorandumin e të krishterëve shqiptarë,[10] dhe si shkak të tij, “ambicien e shkretë që mbretëroi në karakterin e zotërinjëve që bëhen sot vegla të Jakovit, të propagandës greke, e cila po i shpie ata në vrasjen e atdheut. Shqiptarët e Amerikës e dënojnë këtë vepër antipatriotike dhe protestojnë energjikisht, duke iu lutur qeverisë të marrë masat e duhura për të mbytur veprën satanike të Jakovit.[11] Për të denoncuar fenomenet negative separatiste e centrifugale që ndodhën në këtë kohë në Shqipëri “Vatra” reagoi dhe institucionalisht, përmes një deklarate të qartë të kryetarit të saj.[12] Përveç kësaj, “Vatra” u angazhua drejtpërdrejt dhe i dha ndihmë me shumë vlerë qeverisë përmes aktivistëve e personaliteteve të saj në Shqipëri për ta tejkaluar këtë situatë të rrezikshme, si dhe për të kundërgoditur propagandën greke në Amerikë që u përpoq ta shfrytëzojë këtë rast.[13]

               Nga ana tjetër, “Vatra” kritikoi qëndrimin e qeverisë ndaj zgjedhjeve në Qarkun e Shkodrës dhe ministrin e Brendshëm, Mehdi Frashërin, për lëshimin që u bëri këtyre tendencave separatiste, duke urdhëruar që në Shkodër të zgjidheshin 8 deputetë katolikë dhe 4 muhamedanë, dhe që të votonin veç katolikët e veç muhamedanët. Këtë e kundërshtuan dhe shoqëritë patriotike të vendit. Dielli shkruante se, dashur pa dashur, me këtë veprim të trashë e të gabuar, Qeveria bëri aleancë me Memorandumistët e Korçës.[14]

           Vatranët përshëndetën krijimin e parlamentit të ri që doli nga zgjedhjet e para politike, duke e konsideruar atë një institucion me rëndësi për sendërtimin e shtetit shqiptar dhe të ardhmen e vendit, për futjen e tij në rrugën e shteteve konstitucionale, e të përparimit.[15] Ndër detyrat më vitale të tij konsideronte kujdesin për Kushtetutën e vendit, sjelljen e organizatave të huaj, krijimin e një administrate të rregullt, që të kishte formën dhe “erën” e Perëndimit.[16] Mirëpo Vatra e kuptonte se një parlament nuk mund të bëjë kushtetutën, prandaj bënte thirrje që ai duhet të kthehet në Asamble Kushtetuese, ose të bëheshin zgjedhje të reja.[17]

          Federata “Vatra” mbajti në këto çaste në fokus edhe çështjen kombëtare shqiptare. Ajo përmes gazetës së saj Dielli u rreshtua në krahun realist dhe të përmbajtur të mendimit politik shqiptar lidhur me Kosovën, duke bërë thirrje për një politikë të vetëpërmbajtur kundrejt Serbisë, pasi çdo qëndrim tjetër do të ishte me rreziqe të mëdha për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Në janar 1921, duke komentuar  mosmarrëveshjet  midis serbëve, malazezve e  kroatëve, ajo bënte thirrje që Kosova nuk duhej të ngrihej në këtë çast, sepse Serbia do tu japë ndonjë kockë malazezëve dhe do kthehet kundër nesh. Arsyeja më e madhe është se ne duam ti japim botës të kuptojë se u bindemi marrëveshjeve, sado të padrejta që janë, dhe se kemi mënyrë tjetër, mënyra më të mëdha se ajo e robërisë së Kosovës nën Serbinë.[18] “Me urtësinë e tyre, kosovarët i binden Qeverisë Shqiptare dhe sakrifikojnë mirërrojtjen dhe lirinë e tyre të hëpërhëshme për Shqipërinë e liruar”. “Me Kosovën në ngritje, shqiptarët e liruar do të mos rrinë me duar kryq. Por nuk duhet harruar që Shqipëria e sotme nuk mund të mbajë një luftë kundër Jugosllavisë, nuk duhet harruar se ende nuk jemi vendosur si shtet dhe opinioni i jashtëm do të jetë fatal për neve po të merremi që sot me luftëra. Në një rast të tillë, armiqtë do na akuzojnë e diskreditojnë dhe frika është se mos prishemi krejt si shtet, se mos pakohemi si komb”.

“Sot Serbët janë zënë pisk dhe duart i kanë të lidhura si brenda si jashtë. Ata s’kanë lëshuar ende disa toka të Shqipërisë së 1913. Marrëveshja Shqipëri-Serbi, nuk është përfunduar ende. Këto fakte nuk japin një rast të mirë nga i cili duhet të përfitojmë. Qeveria jonë le të lëvizë pak më tepër mbi çështjen e kufijve Veriorë, sa kohë që hekuri është i skuqur. Por nuk duhet harruar që fitimi ynë do të jetë shumë më i madh po të veprojmë me anën e urtësisë sesa me anën e forcës.”[19]

             Duke analizuar gjendjen në Jugosllavi, konfliktin kroato-serb e serbo-malazez, gazeta “Dielli” përkrahte luftën e këtyre popujve, të cilët u bashkuan me forcë me Serbinë prej Aleatëve. Por bënte thirrje që në këto situata, qëndrimi i urtë nga ana jonë do të jetë më fitimprurës se bashkimi me elementët e pakënaqur të shtetit të ri sllav.[20] Parashikohej tronditja e thellë e shtetit jugosllav dhe fitorja në të e radikalëve, zhvillime të cilat konsideroheshin se do të ishin në favor të çështjes shqiptare. Dielli shkruante se “Serbia, e tronditur prej luftërave të mëdha e të kushtueshme, e lodhur nga vuajtjet dhe humbjet e mëdha të tmerruara që pati gjatë 9 vjetëve të fundit, do të mos u bëjë dot ballë turbullimeve, dhe ajo që e dobëson ca më tepër pozitën e saj është fakti që socializma dhe radikalizma kanë shtënë rrënjë të shëndosha në Serbi, dhe e pengojnë tepër Beogradin për të mbytur turbullimet e sotme me hekur dhe me zjarr. Po edhe në qoftë se mbytet kryengritja e sotme, Serbia do të ketë andralla dhe ngatërrime të brendshme, të cilat një ditë do ta hanë dhe do ta hollojnë, aq sa çdo lëvizje tjetër kundër saj do ta mposhtë. Koha s’është larg që radikalët ta kenë vendin e tyre nën ‘diellin’ e Jugosllavisë; dhe kjo është një tjetër arsye pse duhet të presim neve kohën e duhur të lirisë së Kosovës, atë kohë që do të vijë një ditë, qoftë dhe sikur të kthehet prapë (mbrpasht) bota.”[21]

         Kundërshtimi i një kryengritje kundër sundimit serb në këto momente justifikohej me rrezikun që ajo mund të shtypej dhe se mund të bashkonte elementët sllavë dhe shtetet e tjera të Ballkanit kundër shqiptarëve. “Po të ngrihemi neve sot kundër serbëve, atëherë mund të ngjasë ajo që ngjau më 1912, kur shtetet e tjera të Ballkanit, të frikësuara nga zgjimi i shqiptarëve, i lanë prapë zënkat dhe ndryshimet që kishin midis tyre, dhe i ranë Turqisë për të krasitur Shqipërinë. Historia e asaj periudhe në Ballkan mund të përsëritet sot në Jugosllavinë e turbulluar dhe atëherë, në vend që ti vëmë vetulla, i nxjerrim sytë.[22] Kosovarët u treguan mjaft të urtë në kohën e invazionit serb të fundit kundër Shqipërisë. Koha nuk është larg  që bija e madhe e Shqipërisë të futet në gjirin e s’ëmës. Ëndrra jonë në Veri është tani më e dukshme se kurdoherë, dhe ajo do realizohet aq më shpejt sa më të urtë që të tregohemi në rastet e tanishme.[23]

       Në prill 1921 Dielli ngrinte zërin kundër krimeve që po kryenin serbët në Kosovë. Theksohej se “serbët ende nuk e kanë pushuar planin përmbysës për Kosovën që po e zbatojnë që nga viti 1913. Veç thikës që i kanë futur kosovarit mu në zemër me dorën e tyre, imperialistët serbë kanë lëshuar kundër vëllezërve tanë të robëruar ushtarët e etur për gjak të Vrangelit, ato banda barbare që mbolli gjenerali rus për të shtypur bolshevizmin në Rusi. Dhe kjo tragjedi po bëhet brenda në Evropë, m’u tek goja e botës së qytetëruar.”[24] Gjithashtu denoncohej edhe qëndrimi mospërfillës i Fuqive evropiane ndaj kësaj shtypje. Dielli shkruante se këtë dramë “Evropa e shikon me një apati të çuditshme, me një gjakftohtësi të madhe. Ankimet e delegacionit tonë, të qeverisë tonë, thirrjet e miqve tanë, nuk kanë bërë asnjë efekt gjer më sot në MPJ të Fuqive të Mëdha. Liga e Kombeve, jo vetëm që e ka për detyrë të ndalojë therje njerëzish të robëruar, por edhe shtrëngohet prej kushtetutës së saj që të mbrojnë minoritetet.  Fuqitë e Mëdha e Liga e Kombeve duhet të ndalojnë tragjedinë në Kosovë. Kazani mban, po më në fund pëlcet.”[25]

     Ashtu si në kohët e mëparshme Vatra dhe Dielli vijuan të ishin gardianë të patundur të Shqipërisë së Jugut dhe denoncues të fuqishëm të propagandës antishqiptare të organizatave vorio-epirote. “Dielli” denoncoi telegramin që Shoqëria “Panipirotiqi Enosis” i dërgnte Lidhjes së Kombeve, ku protestonte për keqbërjet e shqiptarëve në Epir, si dhe gjithë propagandën greke në Amerikë kundrejt Shqipërisë .[26]


[1]  “Dielli”, 24.03.1921, Mbulimi i gruas-Mbrojtësi i lirisë

[2]  “Dielli”, 25.02.1921,  Kosta Isak, Formimi i një Banke Kombëtare në Shqipëri është i nevojshëm për shtetin tonë

[3]  “Dielli”, 26.04.1921, Jorgji Bubani, Kimist, Rumani-Dhepunëtorët në Shqipëri

[4] “Dielli”, 14.03.1921, Shkollat tona

[5] “Dielli”, 26.02.1921, Gjuha e përzjerë

[6] “Dielli”, 01.03.1921, Burracakët fshihen prapa perdes

[7]  “Dielli”, 18.03.1921, Too  Bad

[8]  “Dielli”, 19.03.1921, Kuçedra ende e gjallë

[9] “Dielli”, 22.03.1921, Ylli i nacionalistëve ndriçon

[10]  “Dielli”, 28.03.1921, Vetvrasje

[11]      Po aty

[12]  “Dielli”, 18.04.1921, Anastas Pandele, Qëndrimi i “Vatrës” Në të thuhej-“Nuk aprovojmë obstruktimet që bëhen në Shqipëri nga ana e tufave të ndryshme, që për të ngopur “idenë fikse” të tyre se kështu “dua unë”, shkaktojnë pengimet përpara udhës së përparimit, pa marrë në sy “faktet aktuale”. Jemi kundër mënyrës së sjelljes së ish deputetëve të Korçës, që me qëndrimin e tyre “konditional” kërkuan të frikësonin qeverinë, të marrë anë e të veprojnë si duan ata, pa dhënë asnjë formë arsyeje e ndryshimi.

Jemi kundër sjelljeve të Dr. Turtullit e Sotir Pecit me shokë, të cilët, me mënyra fare ilegale, nisën përçarjen në mes të qeverisë dhe grupeve të ndryshme, duke intimiduar qeverinë me fjalët që “po të pranohet Imzot Noli në Shqipëri, neve të krishterët do të largohemi nga Tirana”. Ishte një obstruktim që solli dhe shkaktoi një radhë krizash minsteriale, që shkaktoi pakënaqësi të shfaqur prej shqiptarëve të Amerikës, që kushtoi qindra dollar, dhe mosvajtja e Nolit në Shqipëri, kryesisht solli rënien e Kabinetit të Sulejman Delvinës.

Jemi kundër dhe protestojmë energjikisht “Memorandumin” të bërë prej propagandës së huaj dhe e servirur nga një grup  i “ ish atdhetarëve të mirë”. Që ta mejtojë njeriu këtë vepër antikombëtare, antishqiptare, e kundërt me principet dhe parimet e një shteti të vetvendosur dhe independent, lypset të harrojë ndodhjen e tij si njeri, ca më tepër si një nga luftëtarët për Shqipërinë, se ndryshe “shpirti nuk lidhet me trupin, ndërgjegja ikën nga logjika dhe mbetet si një skelet i thatë, pakuptimi dhe njohje cilësie.

-Jemi kundër dhe nuk aprovojmë sjelljet e shkodranëve që janë “një trup” dhe punojnë të ndarë.

Qëndrimi ynë është për një njësi në mes të shqiptarëve, në bashkëpunim në mes të elementeve të ndryshëm, pa i kufizuar dhe pa i stigmatizuar me emra që na sjellin dëm dhe ndalim në udhën tonë të veprimit për mbarëvajtjen e Shqipërisë.

Qëndrojmë dhe kërkojmë të duhemi e të quhemi “vetëm Shqipëtarë”.

Feja nuk ka asnjë lidhje me kombësinë dhe secili prej nesh, sipas dëshirës, është i lirë të nderojë atë fe që i pëlqen.

Qëndrojmë për një Shqipëri të pavarur, për një Shqipëri Shqiptare. Qëndrojmë në parimet që çdo kundërshtim të bëhet me logjikë dhe çdo kritikë të bëhet konstruktive dhe jo obstruktive. Apelojmë që gjithë shqiptarët të mejtojnë Shqipërinë, të vazhdojnë përpjekjet e tyre në rrugën kombëtare me zemër të qëruar për t’i arrirë qëllimit të shumë dëshiruar.

Konkluzioni: Jemi përkrahës të çdo qeverie kombëtare idealistike dhe të gjithë institutave që i shërbejnë Shqipërisë.

[13]  “Dielli”, 21.04.1921, Po të gjitha më kot

[14]  “Dielli”, 26.05.1921, Përçaj dhe mbretëro

[15]  “Dielli”, 04.04.1921, Parlamentit të ri

[16]  “Dielli”, 04.04.1921, Parlamentit të ri

[17]  “Dielli”, 05.05.1921, Ta zëmë punën në rrënjë

[18] “Dielli”, 14.01.1921, Urtësia më efektive se forca

[19] Po aty

[20]  “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme

[21]  “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme

[22]  “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme

[23]  “Dielli”, 02.02.1921, Shpresat tona në Veri më të dukëshme

[24]  “Dielli”, 23.04.1921, Serbët po shtrydhin kosovarin

[25]   “Dielli”, 23.04.1921, Serbët po shtrydhin kosovarin

[26] “Dielli”, 25.02.1921, Ende këngën e Mukës

Filed Under: Opinion

Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër

December 12, 2025 by s p

Saimir Kadiu/

86 vjet më parë, më 12 dhjetor 1939, u shua në Shkodër Kolë Idromeno, një nga artistët më polivalentë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë: piktor, arkitekt (projektoi dhe ndërtoi mbi 60 ndërtesa private e publike, gjurmët e të cilave janë të dukshme edhe sot), urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, instrumentist, kompozitor i këngëve shkodrane, si dhe organizatori i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri në vitin 1919.

Por mbi të gjitha ai ishte një përfaqësues i shquar i pikturës moderne shqiptare.

Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me Ndoc Martinin dhe Simon Rrotën.

Emri i Kolë Idromenos është bërë i njohur me pikturat e famshme “Motra Tone” dhe “Dasma Shkodrane”, që e identifikojnë lehtë autorin si “Mikelanxhelo i Shqipërisë”.

Të gjitha pikturat e Idromenos kanë vlera, sepse secila prej tyre mbart veçantinë e vet artistike.

Kolë Idromeno pikturoi portretin e motrës së tij, Tonës, në vitin 1883, në moshën 23-vjeçare. Kjo vepër është më përfaqësuesja dhe më realistja e tij, por edhe një ndër kryeveprat e arteve pamore shqiptare.

I lindur në Shkodër më 15 gusht 1860, por me origjinë nga arvanitasit e ishullit Hidro në Greqi, që i përkisnin religjionit ortodoks dhe ishin vendosur në Çamëri, familja Hidromeno erdhi në Shkodër nga Parga e Çamërisë.

I ati, Arseni, ushtronte profesionin e marangozit dhe shpesh e merrte edhe Kolën e vogël, i cili kishte prirje për vizatim, që të zbukuronte orenditë që përfundonte.

Martesa e Kolës me vajzën qytetare Roza Saraçi e shkodranizoi edhe më shumë. Ai u dha pas muzikës popullore, kompozimit dhe instrumenteve muzikore. Merrte pjesë në ceremoni dasmash bashkë me motrën Tone, e cila këndonte sikur të kishte studiuar kanto.

Më vonë, vdekja e djalit të vetëm dhe e motrës Tone në moshë të re e pikëlluan thellësisht, por ai nuk u tërhoq kurrë nga rruga e një artisti e patrioti.

Lidhjen me paraardhësit, Kolë Idromeno e paraqet në pikturën “12 luftëtarët e Pargës në lundër”, ku përjetëson trimat e Pargës dhe të mbarë Çamërisë.

Lundra në vetvete mbart një histori sa heroike, aq edhe të dhimbshme. Ata që ishin në të mund të ishin ortodoksë shqiptarë, të detyruar të largoheshin sepse nuk pranonin të quheshin grekë për hir të religjionit; mund të ishin myslimanë shqiptarë, të cilëve ua mohonin kombësinë, tokën, pasurinë dhe trashëgiminë, e për këtë i dëbonin me forcë nga vendlindja.

Në atë varkë mund të kenë qenë edhe paraardhësit e Mitrush Kutelit, të religjionit ortodoks, nga fisi i përmendur Kuteli, me origjinë nga Arta e Çamërisë, të cilët u përjetësuan në vargjet e birit të tyre, Dhimitër Paskos, që ngriti zërin me vendosmëri:

“Se jam këtu, kur s’kish njeri dhe as kufi, as fqinjëri…

Nga një det në tjetrin det isha zot vetë…

Unë jam këtu, dem baba dem…” (M. Kuteli)

Te Kolë Idromeno u bashkuan në mënyrën më të mirë traditat, zakonet, shpirti artistik dhe kultura e një familjeje që vinte nga jugu i Shqipërisë — nga Çamëria, Parga — e gërshetuar aq bukur me kulturën shkodrane, të qytetit ku u vendos dhe u integrua, duke na dhënë vlera të padiskutuara.

Rrallë tek ndonjë artist, të paktën në përvojën time, kam parë të jenë bashkuar në një harmoni të plotë piktori, skulptori, fotografi, skenografi, butaforisti dhe arkitekti. Kjo e bën Idromenon një figurë poliedrike.

Falë dhuntisë, talentit dhe formimit që kishte, kjo shumësi aftësish është lehtësisht e dallueshme në krijimtarinë e tij. Pa dyshim, vepra më e spikatur mbetet piktura, ku ai konsiderohet si përfaqësues i pikturës moderne shqiptare.

Ai dha shfaqjet e para kinematografike në Shqipëri me kinemanë e vitit 1913, që ishte risi në jetën kulturore të Shkodrës. Quhej ndryshe “Teatri elektrik”. Si arkitekt, projektoi dhe ndërtoi mbi 60 ndërtesa private e publike, gjurmët e të cilave janë ende të dukshme. Bazat e inxhinierisë dhe të arkitekturës i mori nga i ati, autodidakt edhe vetë.

Si fotograf, hapi studion e tij më 1883 me pajisje të importuara nga një kompani e njohur franceze. “Dritëshkronja Idromeno” u bë e njohur për veprimtarinë e saj, madje edhe jashtë vendit, ku Idromeno konsiderohej si një ndër fotografët e parë shqiptarë. Fatkeqësisht, shumë nga punët e tij janë humbur.

Si muzikant, ai luante në trombë, violinë dhe instrumente të tjera, dhe tingujt e tyre mbahen mend nga bashkëkohësit. Nuk është çudi që kompozoi edhe këngë, jo pa sukses.

Si skenograf, la gjurmë të rëndësishme në vendosjen në skenë të shumë shfaqjeve, duke ditur të ndërtonte gjithçka në funksion të përmbajtjes dhe idesë së veprës dramatike. Për kuriozitet, ai realizoi dekorin skenik të njëvjetorit të Pavarësisë në Vlorë.

Filed Under: Opinion

KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT

December 12, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

Po e filloj me një rrëfenjë që ka brenda një mesazh domethënës: Kali i një fshatari ra në një pus të tharë dhe, ca nga që i zoti nuk e nxirrte dot, ca nga që kali ishte plakur, vendosi ta mbulojë të gjallë. Po kali e shkundte dheun që hidhej mbi të, nën këmbët e tij pirgu i dheut u rrit, derisa kali arriti të dalë në sipërfaqe. E tillë është edhe jeta e njeriut – na hedhin mbi supe baltë e plisa, ato duhen shkundur dhe duhet të përpiqemi të dalim nga pusi i problemeve të ditës dhe të vazhdojmë me përballjet e radhës.

Kali është alegoria e shpirtit njerëzor që ka dy kahe: drejtimin e duhur dhe atë të gabuar. Platoni thonte se kuajt kanë nevojë për një kalorës që ta çojë koçinë drejt rrafshinës së të vërtetës duke nën kuptuar nevojën e edukimit. Imazhi i njohur i tij është kali me flatra që tregon mëdyshjen e shpirtit mes instiktit dhe arsyes. Edhe Parmenidi e përshkroi njeriun filozof si udhëtar drejt së vërtetës, hipur mbi një koçi të tërhequr nga pela të shpejta. 

Pra, kali është përdorur që në lashtësi si krahasim ose metaforë dhe kjo lidhet me perceptimin e tij si kafshë inteligjente, si mjet pune dhe transporti. Sot imazhi i kalit është zbehur nga arritjet në fushën e shkencës dhe teknologjisë, por vazhdon të ruajë domenet e veta në fushën poetike.

Dritëroi ishte një prej poetëve shqiptarë që e ktheu kalin në një përmendore dhe e mbarti me vete në gjithë udhëtimin e gjatë poetik duke e pasuruar imazhin klasik me simbolet e lirisë, forcës, qëndresës, krijesës që përballet me punët e rënda e të vështira.

Poeti e kaloi fëmijërinë në fshatin e vet të lindjes, rrjedhimisht e vështronte kalin si kafshë konkrete, të pranishme dhe të dobishme në oborrin e shtëpisë, në ara duke lëruar, në mal duke zbritur drutë e dimrit, në dasma për të marrë nusen, në luftë për të transportuar armë e municione. Në një intervistë për gazetën “Populli po” në shkurt 1994 ai deklaronte: “Si mjet udhëtimi më për zemër kam kalin. Ai është një shok që të mban në shpinë. Me atë edhe mund të bisedosh duke ecur.” (Teshtimat e lirisë, 1997, f.192)

Në krijimtarinë e Agollit kali u shfaq së pari te poezia “Sorkadhja” (Në rrugë dola, f. 68) ku zbulohet një romancë dashurie në të cilën vajza, sipas poezisë popullore, ngjan herë me thëllëzën, herë me sorkadhen; elementët romantike pasurohen me kalin dori dhe vajzën që shkon t’i vërë tagji.

Kali rivjen te poezia “Nga kujtimet e hershme” (Shtigje malesh dhe trotuare, f. 197) këtë herë për ta përcjellë ndarjen e dy të rinjve me hingëllimën e mbrëmjes. Shumë e trishtë është poezia “Një kalë i bardhë” (Pelegrini i vonuar, f.17):

“Nga vinte ky kalë e ç’donte ky kalë

I ndarë nga kuajt e tjerë?

Mos donte prehje të gjente vallë

Larg nga karrocat e botës së mjerë?”

Lexuesi i vëmendshëm mund ta kuptojë se pelegrini ia lë vendin kalit dhe aludon refleksion për zgjedhjen e vështirë në udhëkryqet e jetës, që dikur diku mund të të nxjerrë në një shteg ku do të ndjehesh i braktisur, se ky kalë është vetë poeti në vitet e para të tranzicionit.

Te balada “Kuajt e erës” (Lypësi i kohës”, f.28), kemi sërish trishtim që vjen nga një humbje, këtë herë e përmbyllur në rrafshin filozofik. U shtrua banketi i pranverës dhe ata të dy u nisën, por kali i saj theu këmbën dhe bëhet shkak që nuk arritën dot. “Ç’t’i bësh! Kështu na thyen shpresat.”

Kaq e veçantë është lidhja e poetit me kalin, saqë te poezia “Dobësia ime për kuajt” (Udhëtoj i menduar, f.168) duket sikur e pranon metempsikozën dhe deklaron se do të zgjidhte të kthehej në kalë, nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur. Kjo qasje do të rimerrej te poezia “Kënga e kurbatit” (Lypësi i kohës, (f.186) ku imagjinon shpirtin e vet pas vdekjes: 

“Si kurbat do dalë e nxitojë 

Lart nëpër shtigjet me kalë

Dhe unë do të jem atje poshtë në varre.

  Ku rritet një bar i egër

Dhe rrjedh një rrëkezë e gjallë.” 

Te poezia “Monumenti i kalit” (Fletorka e mesnatës, f.31) deklarimi i madhështisë shkon deri te përmendorja:

“…Si njeri ma vinte kokën 

Në qafën time lehtë, 

Nga koka e tij e shihja botën 

Mes paqes së vërtetë…

Në vend të mbretërve tutkunë,

Strategë e gjeneralë, 

Me dashuri do ngrija unë

Në piedestal një kalë.”

Te “Poemë për babanë dhe për vete”, (Udhëtoj i menduar, f.283) mbyllja e këngës së katërt ndryshimi i ngjyrës së kalit nga e bardhë në të kuqe mund të jetë një përqasje ideore me fabulën brenda saj dhe na rikthen te kali dori i librit të parë: 

“Ra një pushkë natën vonë,

Pranë lisit me zgërbonjë,

Kali i kuq po qan të zonë…” 

Ky motiv do të vijë sërish te balada “Gjëmë e zezë e kali i bardhë” (Kambana e largët”, f.320) në një mjedis mbuluar me vel trishtimi prej kalit që:

“Hingëllin arë më arë 

Kërkon Abedin kapedanë

Të zotin e tij të vrarë.”

E ngjashme me to është balada “Qani male, qani fusha” (Kambana e largët, f.321):

“Bir Qani, të pret jot ëmë, 

Flokëprishur, e pangrënë.

Të pret kali në katua, 

Thotë: kush më hipën mua.”

Lidhja e dyanshme njeri – kalë është aq e fortë sa te poezia “Përsëri për kalin” (Gdhihet e ngryset, f.40) autori kishte bindjen se kali që kishte pasur në rini, do shkrihej në lot, po ta shihte të zotin duke vdekur. A nuk na e solli këtë imazh Fan Noli me kalin e Skënderbeut pas vdekjes së kryetrimit?

Ne shqiptarët kemi një qasje më të egër ndaj kafshëve të çdo lloji duke përdorur fjalën ‘ngordhi’. Poeti vjen me një qasje europiane kur që në titull përdor të njëjtën fjalë që përdorim për njerëzit “Vdekja e kalit” (Prit dhe pak, f.94) shoqëruar me një skenë të trishtë në ahur:

“Te koka e kalit plak me kandil 

qëndroja plot pikëllim atë natë

Nga sytë i vareshin lotët zinxhir.”

Poezia “I dashuri kalë” (Prit dhe pak, f.99) që vjen në vëllimin e fundit në gjallje të poetit, tingëllon si epitaf përcjellë edhe me një ironi të dhimbshme. Kali që ka qenë simbol i qyteteve, i luftrave, sot bëhet sallam nga mashtruesit.

Në një rrafsh të gjerë historik e filozofik te poezia “Kali i drunjtë” (Fletorka e mesnatës”, f.161) poeti sjell një qasje të re kur te kali i Odiseut ai shikon edhe paqen edhe luftën. Kalimi në rrafshin historik kombëtar realizohet te poema “Nënë Shqipëri” kur Gjergj Kastrioti vjen me mëngjesin e Rilindjes mbi jelet e kalit si dhe te poema “Nëntoriada” ku nëntori e takon Skënderbenë hipur në kalin e bardhë.

Balada “Kali” (Pelegrini i vonuar, f.91) ngrihet mbi një rrafsh erotik: Limo Labinoti e ndërron kalin me qemanen më të mirë dhe me çinginë e evgjitit.  

Vjen koha e ndryshimeve të mëdha dhe kali kthehet në një alegori për vetë autorin. Fillimisht te poezia “Kali plak” (Pelegrini i vonuar, f.7): 

“Kapërcyem një prag, na shty edhe pak 

Andej nga nxitojnë lejlekët në varg.” 

Pragu në këtë rast është ndryshimi i sistemit politik, kurse lejlekët janë emigrantët. Alegoria kulmon te “Poema e njeriut të zemëruar” (Fletorka e mesnatës, f.197):

“…kali (im) i inatit lëshohet me vrap si i marrë 

Dhe hidhet e shfryn 

Si qenie përrallore pushtuar nga djaj.”

Për përmbysjen e madhe aludon edhe poezia “Ëndrra e prerë” (Lutjet e kambanës, f.84):

“Mos vdis, se kalit i ra në vrapim një patkua 

Dhe nisi ta ngrerë nga dhembja këmbën e parë, 

kërkojmë patkonj e s’na jep njeri hua

S’e gjejmë as nallbanin e marrë.”

Poezia “Kali i ikur” (Prit dhe pak, f.48) ka një rezonim shumëplanësh nga fati vetjak deri te ai i një gjenerate, nga një ngjarje e veçantë te përmasat epokale:

“Nga cili ka ikur ky kalë, 

Që jelet i shkrepin rrufe?

I zoti a bëhet i gjallë,

A s’ngrihet nga shtrati nën dhe?

Nga cili ka ikur ky kalë?

Po trok i patkonjve ç’na thotë?

Trak-truk e trak-truk në vetmi,

Mos vallë një psalm nëpër botë

Përcjell hingëllima  tij?”

Poezia “Para fatit” (Lypësi i kohës, f.103) thërret për ilustrim kalin për të përcjellë mesazhin: 

“Fati njërit i dhuron veç kalin, 

Tjetrit edhe kalin, edhe frerin.” 

Kurse poetit i dha kalë e fre, po e la pa rrugë.

Në një nga fabulat, ndoshta më filozofiken, “Kali dhe gomari” (Udhëtoj i menduar, f.42) kali ftohet në skenë për të përftuar kontrastin mes njeriut të zot dhe të paaftit, punëtorit dhe përtacit, të shpejtit dhe të ngadalshmit. Ja mesazhi i dy vargjeve të fundit: 

“Kështu e ka kjo botë e ligë, e marrë: 

Përpara nxjerr gomarë.”

Shënim:

Në kllapa janë vendosur titujt e vëllimeve poetike.

Filed Under: Sofra Poetike

IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN

December 12, 2025 by s p


Prenk Bib Doda (1860 – 1919)
Prenk Bib Doda (1860 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Dhjetor 2025

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të premten e 10 korrikut 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive asokohe me Prenk Bib Dodën në Durrës rreth “aksionit të tij ushtarak” për të shpëtuar Princ Vidin, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Aksioni ushtarak i Bib Dodës

Thirrja e Esad Pashës do të kishte ndodhur

(Nga i dërguari ynë special)

Burimi: Il Piccolo di Trieste, e premte, 10 korrik 1914, Ballinë
Burimi: Il Piccolo di Trieste, e premte, 10 korrik 1914, Ballinë

Durrës, 6 korrik

Ministri i Luftës…

I madh, i shëndoshë, flokëkuqërremtë, Prenk Pasha vjen të më takojë në pragun e shtëpisë së Nogës, ku është i strehuar, dhe më fton të hyj me një bollëk gjestesh dhe fjalësh. Më kërkon ndjesë që nuk ka mundur të më presë deri sot :

— Duke kaluar nga një këshill ministrash në një këshill kurore, nuk kam pasur asnjë çast pushimi gjatë këtyre dy ditëve që jam në Durrës; ju jeni i vetmi gazetar që ka arritur të më kapë; por…

Troket dera. Mirditori që është roje në paradhomë fut dy zotërinj të rinj. Ata prezantohen në frëngjisht :

— Ne jemi krerët e vullnetarëve austriakë, Prenk Pashë, dhe kemi ardhur t’ju kërkojmë leje që të marrim dhe të përdorim për kuzhinën e kompanisë sonë një kazan të madh që ndodhet pas doganës…

Bib Doda mendon një çast.

— Po mirë. Por vini te unë? Drejtojuni… nuk e di… ministrit…

— … ministrit të luftës? — pyesin me ndrojtje dy të rinjtë.

— Po, ministrit të luftës.

— A na bëni nder, na thoni kush është ministri i luftës?

— Eh…

Bib Doda mbetet një çast i hutuar, sikur është kapur në faj, pastaj me një gjest të gjerë të krahëve të tij të fuqishëm, më drejtohet mua :

— Kush është ministri i luftës?

— Ministri i luftës? Nuk do ta dija… Ndoshta askush…

Dhe Bib Doda :

— Pikërisht. Kush mund të jetë ministër i luftës? Askush…

Pastaj duke iu drejtuar dy zotërinjve të rinj :

— Duhet të shkoni te ndonjë ministër tjetër : ai i luftës nuk ekziston.

Situata bëhet jashtëzakonisht gazmore. Dhe ndërsa dy vullnetarët kërkojnë emrin e ndonjë ministri tjetër, unë sugjeroj duke qeshur :

— Noga…

Bib Doda nuk e kupton ironinë; ose ndoshta, për t’u hequr qafe atë “hije” të kazanit, e miraton seriozisht. Dhe i shoqëron dy vullnetarët te dera ngjitur, që të çon në zyrën e Shkëlqesisë së Tij, ministrit të financave…

Kurrë si sot, nuk e kam admiruar atë gazetar nga Nju Jorku, i cili, pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga bota e re dhe u pyet nga një koleg italian nëse në Amerikë interesoheshin shumë për çështjet shqiptare, u përgjigj :

— Aspak, fare; por më duket se argëtimi ia vlen udhëtimin tim… “sepse është qesharake lindja e një shteti…”

Është si një dramë e vogël komike e jetës së përditshme të një familjeje fshatare që papritur ngjitet në shkallën e familjes borgjeze : Shqipëria është ende një fshatare e mirë; por një borgjeze e keqe, një borgjeze qesharake…

Një film pothuajse për të qeshur nga fillimi në fund

Bib Doda :

— Pra, doni të dini diçka për fushatën time? Do të bënit mirë të mos më pyesnit. Ah, më kanë turpëruar! Malësorët, e dini! Jo mirditorët e mi! Por unë i kisha dyshuar që në fillim se nuk ishin njerëz të besueshëm: nuk bënin gjë tjetër veçse vidhnin ditë e natë dhe nuk donin të bindeshin; edhe njerëzit e mi vidhnin, por vetëm natën; ndërsa ditën, të gjorët, qëndronin me mua, besnikë…

— Do të doja të dija si u zhvilluan ngjarjet…

— Ngjarje? Jemi nisur nga Lezha tetë a dhjetë ditë më parë dhe nuk kemi takuar kurrë ndonjë kryengritës; vetëm dele, dhi, lopë… dhe malësorët… — dhe bën një gjest shumë domethënës me dorë, duke e theksuar fjalën dhe gjestin me një vështrim plot dinakëri fshatare.

— Po a s’patët kurrë ndonjë betejë?

— Kurrë. Njerëzit e mi, kur shpërndaheshin shumë në grabitje, hasnin ndonjë rezistencë nga fshatarët pronarë të bagëtive; por dy të shtëna pushke, katër, tetë… dhe gjithçka mbaronte.

— Dhe pse u shkatërrua Ishmi?

— Ah! Në fund malësorët u bënë të egër: fanatizëm i krishterë si reagim ndaj fanatizmit mysliman të armiqve: po të vazhdonte kështu, do të ishte bërë keq…

— Por thuhet gjithashtu se njerëzit tuaj kanë djegur të gjallë disa kryengritës…

— Ndoshta. Mua nuk më kanë thënë gjë, prandaj nuk di me siguri. Por mund të jetë: ju përsëris se ishin bërë të egër.

— Po ju vetë, nuk mund t’u kundërviheshit këtyre teprimeve të barbarisë?

— “A mundeshit…” : besoja se mundesha, por nuk donin të më dëgjonin më. Pasi u furnizuan mirë me plaçkë, nuk më bindeshin më, kërkuan të largoheshin. Më kot përpiqesha t’u shpjegoja pse kishin ardhur për të luftuar, më kot u flisja për mbretin. Më përgjigjeshin se kishin ardhur në luftë për të bërë plaçkë. — Atëherë u thashë — dërgojeni plaçkën në shtëpitë tuaja dhe qëndroni të luftoni, kështu, të paktën, do të mund të bëni edhe më shumë. Por (në thelb, jo njerëz të këqij…) nuk deshën të ishin të pangopur, dhe këmbëngulën vendosmërisht të largoheshin; madje u larguan fare. Dhe unë mbeta vetëm me katërqind mirditorët e mi dhe me pesëdhjetë njerëzit e Bajram Currit. Çfarë mund të bëja tjetër veçse atë që bëra, u tërhoqa me ta në Slinë, pastaj më lart, dhe erdha në Durrës për të folur me mbretin dhe për të inkurajuar këtë mijë besnikësh që kisha dërguar këtu. Këta janë vërtet trima… Madje, nëse doni të bëjmë disa hapa, të shkojmë t’i shohim tani në kazermë.

— Me kënaqësi.

Bib Doda ngrihet, vë plisin (qeleshen) dhe më thotë :

— Shikoni: e thosha dje me shaka disa miqve këtu: “Ju deshët, sapo ra Turqia, ta flaknit plisin (qeleshen) dhe të merrnit një mbulesë tjetër koke, takijen; unë nuk u nxitova: ju jam dukur konservator; por ja që tani jam më përpara se ju…”

Dolëm jashtë. Një oborr i vogël mirditorësh që rrinë pa punë në paradhomë dhe në holl ngrihet dhe na ndjek; dhe rrugës, të gjithë mirditorët që hasim, pasi përshëndesin me nderim të thellë zotërinë e tyre, fillojnë të na ndjekin: është një kortezh i çuditshëm njerëzish që shtohet hap pas hapi; kur arrijmë në kazermë, janë më shumë se njëqind mirditorë që na ndjekin. Dhe brenda, në oborrin e kazermës, sapo shihet Prenk Pasha, të gjithë mirditorët vrapojnë te pushkët dhe rreshtohen me një çrregullim piktoresk që megjithatë nuk është më pak i respektueshëm.

Bib Doda buzëqesh, teksa më bën të kaloj atë lloj parade : është i kënaqur me “blufin” e tij koreografik. S’ka ç’të thuash; filmi është i përsosur: duket pothuajse si jeta reale.

Gjërat më serioze

— Dëgjoni, Prenk Pasha, cili është motivi i ardhjes suaj në Durrës?

— Kam ardhur për të riorganizuar mirditorët që ndodheshin këtu dhe që dukej se kishin humbur çdo shenjë disipline.

— Vetëm kaq? Në politikë kjo është një përgjigje shumë pak e mjaftueshme. Çfarë ka të vërtetë në zërat për një propozim tuajin për formimin e një ushtrie të dytë?

— Propozimi, nuk ka rëndësi nëse ka qenë nga unë apo jo, është bërë. Dhe më duket se është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar situatën pothuajse të dëshpëruar të tanishme.

— Nuk mendoni se do të përsëritej një përvojë e keqe?

— Jo! Këtë herë do të kërkojmë njerëz të besuar, njerëz të aftë të mos vjedhin…

— …duke i paguar mirë, fort mirë…

Bib Doda nuk e kupton ironinë dhe e vërteton :

— Sigurisht, sigurisht. Njerëzit duhet t’i paguash mirë që të jenë besnikë.

— Pra besoni se është e mundur të shpëtohet situata dhe të shpëtohet mbreti?

— Nuk kam asnjë dyshim. Dhe për ne, sot, ta shpëtosh mbretin do të thotë të shpëtosh Shqipërinë. Ja pse ne e mbështesim atë me këmbënguljen e dëshpërimit. Ditën që Vilhelm Vidi të largohej, Shqipëria do të ndahej (copëtohej) nga të huajt.

— Dhe si mendoni se mund të shpëtohet mbreti?

— Me ndërhyrjen e armatosur të Europës, më mirë se çdo mënyrë tjetër.

— …apo me kthimin e Esadit?

Bib Doda buzëqesh.

E pyes :

— A është e vërtetë që pashai i Tiranës është thirrur vërtet?

— E dini, ishte një ide personale e imja ajo që situata mund të shpëtohej nga bashkimi im me Ismailin dhe me Esadin.

— …triumvirati… Dhe a e thirrët?

Prenk Pasha nuk përgjigjet drejtpërdrejt :

— Por mos mendoni se ka qenë një nismë e imja personale; qeveria nuk ka lidhje me këtë…

— …siç nuk kishte lidhje as në bisedimet me kryengritësit, derisa ato të kishin ecur mirë, apo jo?

Bib Doda buzëqesh dhe hesht. E pyes :

— Pra, çfarë mendimi keni për Esadin?

— Ja: do t’ju tregoj një episod. Më pak se pesë muaj më parë e takova në Hotel Continental në Romë, kur po përgatitej me komisionin shqiptar të shkonte t’i ofronte kurorën Vidit. Atëherë e qortova: “A nuk ke pendesë që po sakrifikon kështu një njeri? Që po shkoni ta merrni atë princ të mjerë dhe ta sillni në këtë vend që (ashtu siç ia keni fshehur me siguri) nuk ka pasur kurrë një ide të vërtetë qeverisjeje dhe sovraniteti?” Esadi atëherë ngriti supet dhe buzëqeshi. Ah, ka vepruar shumë keq…

— Po pastaj? Mërgimi?

— Pastaj u sollën shumë keq me të. Edhe sikur të kishte bërë diçka, nuk ishte ajo mënyra dhe as koha për ta trajtuar kështu.

— Ndoshta nuk duhet treguar shumë delikatesë në zgjedhjen e politikanëve shqiptarë?…

— Kjo kuptohet!

— I keni lexuar gazetat, Prenk? Çfarë mendimi keni për titujt lavdërues me të cilët ju nderojnë këto ditë?

Ai buzëqesh dhe, me një goditje humori :

— Në fund të fundit… besoni vallë se unë kam një mendim tjetër për veten time?

— Është e vërtetë… Përndryshe nuk do të kishit mundur, herën e parë që e takuat Vilhelm Vidin, t’i jepnit atë këshillë të shkëlqyer : “Nëse doni paqe në Shqipëri, Madhëri, nëse doni të mbretëroni në qetësi, duhet të bëni një gjë : të prisni kokat e Ismailit, Esadit dhe timen…”

Bib Doda shpërthen në një të qeshur të fortë dhe të sinqertë :

— Si e mësuat këtë?…

Bruno Astori

Filed Under: Histori

Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?

December 12, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në politikën ndërkombëtare ekziston një mashtrim i vjetër, por ende funksional: sa herë që një regjim autoritar përballet me presion real, ai shpallet menjëherë “viktimë e imperializmit”. Nicolas Maduro e ka ngritur këtë taktikë në nivel arti. Me një dorë mban shpatën e Simón Bolívarit për kamerat, me tjetrën mban një shtet të kapur nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe represioni politik. Dhe kur Shtetet e Bashkuara më në fund vendosin të veprojnë, Maduro kërkon mëshirë duke kënduar “Imagine”.

Sekuestrimi i një cisterne venezuelase nga SHBA në ujëra ndërkombëtare nuk është pirateri, siç pretendon Karakasi, por një akt i qartë zbatimi sanksionesh ndërkombëtare kundër një regjimi që prej vitesh i shkel ato me vetëdije. Venezuela e Maduros nuk është një shtet i pafajshëm që po sulmohet për pasuritë e tij natyrore; është një regjim i izoluar që ka zgjedhur aleancën me Iranin, rrjetet ilegale të naftës dhe strukturat kriminale ndërkombëtare për të mbijetuar politikisht.

Administrata Trump e ka quajtur këtë veprim pjesë të luftës kundër narkotikëve dhe rrjeteve ilegale që financojnë terrorizmin. Kritikët kërkojnë prova. Por le të jemi të sinqertë: Venezuela sot është një nyje strategjike e ekonomive ilegale në Amerikën Latine. Kjo nuk është propagandë amerikane; është realitet i dokumentuar nga agjenci ndërkombëtare, raporte të OKB-së dhe shërbime inteligjente të shumë vendeve.

Maduro mohon çdo lidhje me trafikun e drogës. Por vendi i tij është shndërruar në korridor kryesor për kokainën që kalon nga Kolumbia drejt Karaibeve dhe më tej drejt Amerikës së Veriut dhe Europës. Ushtria venezuelase, e politizuar dhe e korruptuar, është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Të pretendosh se SHBA po “shpik” kërcënimin është ose naivitet, ose bashkëfajësi morale.

A është SHBA perfekte? Sigurisht që jo. Por ndryshe nga regjimi i Maduros, SHBA vepron brenda një sistemi ku vendimet debatohen, kritikohen dhe mbahen përgjegjëse. Në Venezuelë, opozita burgoset, zgjedhjet manipulohen dhe mediat mbyllen. Kjo nuk është çështje ideologjie; është fakt politik.

Ata që flasin për “tejkalim juridiksioni” harrojnë një element kyç: sanksionet ndaj Venezuelës nuk janë simbolike. Ato ekzistojnë pikërisht për të ndaluar regjimin të financojë mbijetesën e tij përmes shitjes ilegale të naftës. Nëse një cisternë transporton naftë të sanksionuar në bashkëpunim me Iranin, ajo nuk është thjesht një anije tregtare – është pjesë e një zinxhiri financiar që mban në këmbë një regjim represiv.

Retorika e Maduros për “paqen” është po aq e zbrazët sa zgjedhjet e tij. Një njeri që ka shkatërruar ekonominë e një prej vendeve më të pasura në Amerikën Latine, që ka detyruar miliona qytetarë të emigrojnë, nuk fiton legjitimitet moral duke kënduar këngë pacifiste. Paqja nuk është performancë publike; është rezultat i qeverisjes së përgjegjshme – diçka që Venezuela nuk e ka parë prej vitesh.

Dërgimi i flotës amerikane në rajon është parë nga disa si provokim. Në realitet, është një mesazh i qartë parandalues. SHBA nuk ka interes të pushtojë Venezuelën; ka interes të ndalojë përhapjen e krimit transnacional dhe të mbrojë sigurinë rajonale. Historia tregon se kur Uashingtoni tërhiqet plotësisht nga rajone të tilla, boshllëku mbushet nga aktorë edhe më të rrezikshëm – Rusia, Irani, rrjetet e drogës dhe milicitë paramilitare.

Pretendimi se SHBA po kërkon “ndryshim regjimi” është pjesërisht i vërtetë, por jo në mënyrën që e paraqet propaganda chaviste. Po, Uashingtoni dëshiron që Maduro të largohet. Dhe pse jo? Ai nuk është zgjedhur në mënyrë të lirë, nuk qeveris në mënyrë demokratike dhe nuk përfaqëson vullnetin real të popullit venezuelian. Të mbështesësh largimin e një diktatori nuk është imperializëm; është pozicion moral.

Ata që frikësohen nga një luftë guerile harrojnë se regjimi i Maduros e përdor këtë kërcënim si mburojë politike. “Nëse na prekni, do të digjet rajoni.” Kjo është gjuha e çdo regjimi të dëshpëruar. Por frika nga kaosi nuk mund të jetë justifikim për të toleruar pafundësisht një regjim kriminal.

Është ironike që Maduro flet për sovranitet ndërsa vendi i tij është ekonomikisht i varur nga shitjet ilegale, nga kreditë e errëta dhe nga aleanca me shtete që vetë janë nën sanksione. Sovraniteti nuk është slogan; është aftësia për të qeverisur për qytetarët e tu, jo për klikën tënde.

SHBA nuk po përballet me Venezuelën sepse ajo është e dobët, por sepse ajo është bërë e rrezikshme. Një shtet i dështuar me rezerva të mëdha energjie, i lidhur me rrjete kriminale, është kërcënim real për stabilitetin hemisferik. Të mbyllësh sytë për hir të retorikës “anti-imperialiste” do të ishte papërgjegjësi strategjike.

Në fund të fundit, kjo nuk është luftë mes Amerikës dhe Venezuelës. Është përplasje mes një rendi ndërkombëtar që kërkon rregulla dhe një regjimi që jeton nga shkelja e tyre. Mes demokracive të papërsosura dhe diktaturave të konsoliduara.

Historia do ta gjykojë këtë moment jo nga fjalimet dramatike të Maduros, por nga pyetja e thjeshtë: a ishte bota e gatshme të toleronte edhe një regjim tjetër që përdor viktimizimin për të fshehur krimin? Nëse përgjigjja është jo, atëherë veprimet e SHBA-së nuk janë agresion – janë përgjegjësi.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 168
  • 169
  • 170
  • 171
  • 172
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT