• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani i ka dhuruar një kontigjent librash Bibliotekës shqipe të Manastirit

April 27, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni të Veriut, në një ceremoni të mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Shkup i ka dhuruar një kontigjent librash Bibliotekës shqipe të Manastirit, e cila është në themelim e sipër.

Presidentja Osmani ka përgëzuar nismëtaren Emira Selimi për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për hapjen e bibliotekës së parë të gjuhës shqipe në qytetin e Manastirit. Tutje, Presidentja ka potencuar se kjo iniciativë studentore nuk do të mund të ndodhte në ndonjë qytet më adekuat se ai i Manastirit, aty ku edhe buron alfabeti jonë i njësuar dhe gjuha jonë e unifikuar”.

“Është gjithashtu inkurajuese që kjo iniciativë është ndërmarrë nga një vajzë, dhe besoj fort se si plot iniciativa tjera frymëzuese nga gratë dhe vajzat, impakti i saj do të jetë jashtëzakonisht i madh. Përfitimet e kësaj biblioteke janë afatgjate dhe do të shkojnë përtej brezave”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e dorëzimit të librave studentes Emira Selimi.

Në fjalën e saj, Emira Selimi i shprehu mirënjohjen e përzemërt Presidentes Osmani për dorëzimin e librave.

Filed Under: Fejton

“Për ngritjen e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare”

April 27, 2023 by s p

*Gjeneral Piro AHMETAJ/

Paraprakisht falënderoj me mirënjohje median për publikimin gjerësisht të një pakete me vlerësime dhe rekomandime strategjike rreth  domosdoshmërisë kritike për të përditësuar dhe modernizuar Sistemin e peshimit të rreziqeve si dhe të Mbrojtjes dhe zhvillimit të Interesave Kombëtare! 

Në vijim, po insistoj fortë për një nga shtyllat me peshë thelbēsore në suksesin e reformate të Sistemit të Sigurisë Kombëtare. Më konkretisht rekomandoj: “ngritjen e një mekanizmi zyrtar për të integruar të gjitha hallkat e sistemit, të angjensive, kapaciteteve, rregullave të angazhimit si dhe kulturës së bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse në këtë fushë” ! Kjo pasi:

Në 30 vitet e fundit koncepti dhe strukturat/mekanizmat e Sistemt të Sigurisë Kombëtare janë projektuar, planizuar, drejtuar dhe menaxhuar në mënyrë të fragmentizuar, pra secili institucion apo Agjensi vete, sipas fushës së misionit,  përgjegjësive dhe detyrave respektive. 

Megjithë përpjekjet dhe përmirësimet, në shumicën e rasteve mbeten ende dublikime, struktura paralele si dhe veçanërisht  “kompeticion/konkurencë dhe qasje otomane” (midis Institucioneve dhe Agjensive shtetërore të sigurisë), jo për zbatimin e përgjegjësive por sidomos për të mbajtur kompetencat reciproke.

E thënë edhe më qartë, efiçenca e parashikimit dhe peshimit të kërcenimeve, vendimarrjeve, veçanërisht aftësitë operacionale në këtë fushë janë zhvilluar mbi koncept, model dhe tradit të ç’integruar.

Për një vend të vogël si vendi ynë, kjo përqasje (e çintegruar) përbën një barrë të rëndë por edhe me kosto shumë të lartë. Thënë këto, ka ardhur, (në mos i ka kaluar) koha për të ndërtuar një koncept, qasje, mekanizëm/strukturë si dhe masa shtetërore të integruara.

Përtejdhe përfshiRSh, rendi i sigurisë globale është tronditur nga riciklimi i frikshëm i luftrave tradicionale, si rasti i sulmit neonazist të Rusisë – Putiniste jo vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës, por edhe si sfidë ndaj rendin të sigurisë globale, kohezionit, fuqisë ushtarake si dhe interesave gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (NATO/USA/BE)!

Nga ana tjetër, prej më shumë se 20 vitet e fundit, bota po vijon të përballet me kërcënimet terroriste, rreziqet kibernetike, fatkeqësitë natyrore, pandemitë, emergjencat natyrore, krizat financiare, etj.

Për edhe më tepër, pasojat e shteteve/demokracive të dështuara, korrupsionit shtetëror, krimit të organizuar, tërmetet dhe Covid-19, sulmet kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturave diçitale, kanë shkundur jo vetëm arkitekturën dhe themelet/gravitetin e  sistemit të Sigurisë globale, Kontinentale, Rajonale por dhe Sistemin e Sigurisë Kombëtare !

Prej 14 vitesh, Republika e Shqipërise është pjesë e sistemit të mbrojtjes kolektive (artikulli 5 i NATO-s), jo vetēm me përfitime të jashtëzakonshme, por edhe kontribute më shumë se dhe detyrimet respektive.

Megjithë përpjekjet dhe arritjet, RSh mbetet larg nga modelet dhe efiçenca e ushtrimit të balancuar të pushteteve. Kjo pasi mungon një mekanizëm/institucion zyrtar për të peshuar rreziqet si dhe planizuae masa shteterore të integruara ndaj kërcënimeve te sigurisë së qytetarëve, shoqërisë, standarteve demokratike si dhe interesave kombetare.

Po ashtu, do doja të isha gabim por në fakt Strategjitë e Sigurisë Kombëtare (SSK -2004/2014) kanë mbetur si dokument në letër,  pak në mos aspak të zbatueshme në praktikë, ose edhe për më keq, vetëm si inventar në sirtaret e zyrave të qeveritarëve të radhës.

Prandaj, me përulësinë e një eksperti, me eksperiencë më shumë se modeste në fushën e reformave të sigurisë kombëtare, Rajonit, NATO-s, e përsëris se mbetet emergjencë kombëtare transformimi i Sistemit, me qëllim: “modernizimin e konceptit zyrtar, strukturave, paisjeve dhe kapaciteteve; aftësive operacionale edhe i kulturës së bashkëpunimit mes strukturave/agjensive përgjegjëse, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës dhe mirëqenies së qytetarëve; zhvillimin e interesave kombëtaresi dheforcimin e besimit të Shqiptarëve në vlerat e shoqërive euro-atlantike dhe përmbushjen e detyrimeve të RSH në NATO”.

Thënë këtë, si prioritet Nr. 1 të kësaj reforme, mbetet aplikimi i një modeli të integruar osee fjalē të tjera: “Ngritjen e Agjencisësë Sigurisë Kombëtare(ASK). Në vijim po paraqes një “Concept Paper”: 

1. Fusha e Veprimit dhe Misioni: ASK do t’i sigurojë, Ekzekutivit/Kryeministrit dhe autoriteteve të larta shtetërore: “pamje në kohë reale dhe të integruar për peshën e kërcënimeve dhe vendimmarrjet respektive; do të luajë një rol thelbësor në formulimin e Strategjisë së Mbrojtjes dhe Zhvillimit të Interesave Kombëtare si dhe në përgatitjen e paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas matricës së detyrimeve ndërInstitucionale në këtë fushë”.

ASK është projektuar të luajë një rol iniciues edhe për  formulimin e  strategjive sektoriale (SSK, RSM, SU, PAZH, etj), si dhe do të koordinojë dhe monitorojë realizimin e objektivave nga institucionet respektive.

Për me tepër, ASK do të shërbejë si strukturë qëndrore për të harmonizuar përgatitjen e (draft) vendimmarrjeve në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare për 3 pushtetet (Kryeministër, Kuvend, President), si dhe për ato në kuadrin e mbrojtjes kolektive të Aleancës, etj.

Po ashtu, ASK do të shërbejë për përgatitjen e axhendës së mbledhjeve të Komitetit Ndërministror të Politikave të  S&MbK. Si e tillë do t’ju sigurojë në mënyrë periodike dhe rast pas rasti (para takimeve) të gjithë anëtarëve të KNPSK, një pamje të integruar dhe të njëjtë për çështjet e kërcënimeve dhe respekrivisht të vendimmarrjeve strategjike.

Edhe pse një strukturë e vogël, (që mundet të zgjerohet në varësi të vizionit të Kryeministrit), nëpërmjet qasjes së integruar, ASK do të shërbejë edhe si mekanizëm për të perditesuar dhe transformuar të gjithë arqitekturën dhe efiçencën e mekanizmave të sigurisë kombëtare.

Për sa i përket barrës financiare, ASK është po ashtu një qasje racionale dhe gjithësesi nuk do të ketë rritje të numrit personelit. Kjo pasi  ASK do të ngrihet si rezultat i reduktimeve (duke shmangur dublikimet)  të disa strukturave të analizave strategjike në MM, MB, MJ, SHISH dhe disa Agjensi të Inteligjencës, etj.

Për të përmirësuar rrënjësisht dimensionin aplikativ, e çmoj si një gjetje efiçente që ASK të jetë në vartësi të Kryeministrit, si dhe në përberje të ketë dy shtylla kryesore (a) vlerësime strategjike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave kombëtare, si dhe (b) koordinimin dhe monitorimin e përgjegjesive ndër-Institucionale në përmbushjen e objektivave të SSK, detyrimeve në NATO, BE, etj.

Duhet thënë se, përvec rëndësisë dhe rolit në nivelin mbarëkombëtar, ky projekt, do të ketë peshë dhe do të shërbejë si një nga shtyllat e besimit të bashkëpunimit strategjik midis RSH dhe SHBA dhe NATO-n.

Gjithësesi, si për të gjitha çeshtjet me rendësi kombëtare, edhe për ASK do duhet: “gjithëpërfshirje dhe konsultim shterues” me aktorët, faktorët dhe personalitete brenda vendit, aleatët strategjik USA, NATO. Ndërsa më tej do duhet të ngrihet një grup “ad-hoc” për të finalizuar konceptin  misionin, strukturën si dhe rregullar e angazhimit dhe vartësinë të kësaj Agjensie.

2. Lista e përgjegjësive/detyrave kryesore:

  1. Planizimi, zhvillimi dhe drejtimi i procesit të Rishikimit Strategjik të Sigurisë Kombëtare (SDR). Mbi gjetjet e saj Inicimi dhe koordinimi i procesit të formulimit të SSK 2024-2035.
  2. Monitorimi dhe raportim periodik për Kryeministrin mbi përmbushjen e objektivave të sigurisë (sipas matricës ndëristitucionale), skenarët e emergjencave civile si dhe përmbushjen e angazhimeve të RSH në kuadër të NATO-s, BE, UN etj.
  3. Përgatitja e axhendës së takimeve të Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë pranë Kryeministrit, si dhe ndihmesë sipas vullnetit të Presidentit për rastet e mbledhjeve të KSK.
  4. Rekomandimi i qëndrimeve për Kryeministrin mbi vendimmarrjet në fushën e sigurisë kombëtare dhe imteresave gjeopilitike, për në NATO, BE, UN, etj.
  5. Përfaqësimi në forume, konferenca, kolegje, qëndra studimi strategjike (kombëtare dhe ndërkombëtare) për çështje të sigurisë kombëtare, rajonale, NATO, BE dhe ato globale.

3. Struktura: Theksoj se struktura e ASK nuk do të jetë kurresesi një shtojcë personeli dhe as barrë shtesë financiare. Përkundrazi, krahas adoptimit të një qasje të integruar në menaxhimin e  përgjegjësive/detyrave shtetërore, ASK do të “kursejë personel dhe para” pasi ajo do të ngrihet mbi reduktimin/reformën e strukturave paralele të analizës, vlerësimit dhe monitorimit në institucionet dhe Agjensitë e sigurisë që merren me misione të ngjashme, siç mund të jenë Instituti/Qëndra e Sigurisë në MM, të Policisë, strukturat e mbledhjes dhe analizës së  informacioneve të hapura në MJ, MB, SHISH, Emergjencat Civile, si dhe Agjensi të tjera.

Po ashtu, ASK mund të zgjerohet rast pas rasti (në varësi të rrethanave) më të komanduar (&paguar) nga struktura të tjera të fushës së sigurisë për nevojat e kësaj Agjencie!

ASK mund të ngrihet në nivelin e një Sekretariati të përbërë me disa drejtori kryesore, si për Vlerësimet Strategjike dhe peshimin e kërcënimeve, Monitorimin e realizimit të objektivave; përfshi atë të Situatës Operacionale (ZOS) si dhe Sektori Mbështetjes me Shërbime.

Kjo Agjensi do duhet domosdoshmërisht të ketë  ekpertë me ekperiencë strategjike brenda vendit dhe strukturat ndërkombëtare,  Diplomaci, Inteligjenca, Ushtarakë të lartë në rezervë, Policia e Shtetit, etj.

Në shtesë, duhet ta nenvizojë se ngritja e ASK është në përputhje me hapësirat kushtetuese, si dhe përbën një përqasje aktive dhe të përgjegjshme të Institucioneve shtetërore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare.  Po ashtu, duhet nënvizuar se, koncepti, përqasja dhe struktura e integruar (ASK) është një eksperiencë e aplikuar me sukses në SHBA, Slloveni, Kroaci, vendet Balltike, etj.

Nga ana tjetër, ngritja e ASK është një projekt dhe një ndërmarrje e vështirë, që lidhet me paketën ligjore, ndryshimet strukturore, veçanërisht me mentalitetin e “vartësisë”, traditën dhe problematikat e bashkëpunimit në ekzekutimin e përgjegjësive shtetërore.

Prandaj, pasi/nëse kjo “Projekt-Ide” do miratohej në parim, për zbatimin në praktikë do të duhet të ngrihet një grup i përbashkët ndërInstitucional I cili përveç modernizimit të konceprit të integruar do duhet të indetifikojë edhe një paketë ndryshimesh ligjore, strukturore, administrative dhe rregullat e angazhimit deri në ngritjen dhe funksionimin e ASK.

Së fundmi, e përsëris fortë se në reformat e sistemit të sigurisë, nuk kontribuon fare, as protagonizmi, as privatizimi politik dhe as rambo-delirantët, por dashuria dhe përulësia për Atdheun, vizioni, përkushtimi ndaj detyrës, përgjegjësia e lartë ndaj interesave kombëtare, besimi në vlerat demoratike si dhe ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n.

*Gjeneral ® Piro AHMETAJ

Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut.

Anetar i Bordit te Izrael House Albania, Ish:

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,

Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO

Filed Under: Komente

Kosova 24 vjet pas luftës ende mbi 1600 të zhdukur

April 27, 2023 by s p

27 Prilli – Dita e të pagjeturve të Kosovës.

Në 27 Prill 1999 në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, forcat serbe masakruan e zhdukën 376 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/

-Presidentja Osmani: Zhdukja me dhunë e mbi mijëra qytetarëve tanë, përfshi shumë fëmijë ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 27 Prill 2023/ Në Kosovë 27 Prilli është Dita e të Pagjeturve, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para 24 viteve.
Në Mejë të Gjakovës, në Lëndinën e Pikëllimit, para 24 viteve, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 376 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.

Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.
Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur gjatë viteve nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturve i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka deklaruar sot:
“Si çdo ditë, por veçanërisht sot, kujtojmë mbi 1600 bashkëqytetarët tanë të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Sot mendjen e kemi te familjarët e tyre dhe solidarizohemi me dhimbjen e ankthin e tyre të çdoditshëm. Zhdukja me dhunë e mbi mijëra qytetarëve tanë, përfshi shumë fëmijë ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli. Kjo është një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Në ditët si kjo duhet ta kuptojmë jo vetëm se sa e rëndësishme është që të kërkohet kthimi i të gjithë të zhdukurve me dhunë, por mbi të gjitha se sa e rëndësishme është që ta vëmë në vend drejtësinë për ta.”

PRESIDENTJA E KOSOVËS: MEJA ËSHTË PLAGA JONË E PËRHERSHME

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka kujtuar masakrën e Mejës.

“Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

Sot kujtojmë njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe.
Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave.
Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë. Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë.
Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi.
Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës.

Filed Under: Rajon

Eshtë koha dhe vevoja për të kujtuar që të mos e shesësh votën i dashur bashkombasi im!

April 27, 2023 by s p

Ndriçim Kulla (Nderi i Kombit)/

Kur ta shesësh votën tënde, me siguri do të mendosh se dole me fitim, pasi sigurove diçka, qoftë para, apo ndonjë send, që t’u duk sikur ta falën aty për aty. Kjo pasi e hedhura e votës në kuti të duket sikur po hedh në pus një send që të përket, pa nxjerrë asnjë përfitim prej tij. Sekseri që do të kërkojë të blejë votën tënde për llogari të partisë për të cilën punon, do të pëshpëritë te veshi se të dielën do të kesh një copë letër në dorë, nga e cila mund të përfitosh diçka paraprakisht, nëse në të shënon emrin e kandidatit dhe të partisë që dëshiron ai. Do të përfitosh 50 apo 100 mijë lekë të vjetra, një telefon celular, një thes me miell, një palë pantallona bluxhins, një palë atlete e ku e di unë tjetër se çfarë, pasi blerësit e votave kanë fantazi shumë të madhe në këtë regjim. Ata janë të aftë të nuhatin kërkesat e tregut të votës dhe pas kësaj bëjnë ofertat e tyre të larmishme.
Të dielën do ta kesh një copë letër në dorë, nga e cila mund të përfitosh diçka, të thotë sekseri, të hënën kjo copë letre nuk vlen as sa një copë letre higjienike në banjën e kafenesë së lagjes ku bëre pazarin e votës me sekserin, duke pirë kafet apo birrën e ofruar bujarisht nga sekseri. Sekseri i votës që të pëshpërit te veshi është i sigurt në vetvete dhe bindës se ai e di mirë një gjë: Ti nuk e njeh vlerën e votës tënde. Ti nuk e di se vota jote është pushteti që ti ke mbi të ardhmen. Por ky pushtet ka një kohë shumë të kufizuar, një ditë në katër vjet, ose më saktë, një ditë në dy vjet po të llogarisim zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore. Ditën e zgjedhjeve ti je një pushtetar, ose më saktë një pushtetarbërës, një kingmaker. Ditën e zgjedhjeve ti zgjohesh nga gjumi si pushtetar, gjatë asaj dite deri në perëndim të diellit, kur të mbyllen kutitë e votimit, ti je një pushtetar. Ti je lypësi i përrallës që u bë mbret për një natë.
Por ti do të zgjohesh nga gjumi ditën e zgjedhjeve jo si një pushtetar, por si një skllav se ti e ke shitur tanimë paraprakisht jo thjesht votën tënde, por të drejtën tënde për të votuar. Vota jote tanimë i përket sekserit të votave. Ti do të shkosh në qendrën e votimit si një automat dhe do të votosh sipas pazarit që ke bërë me sekserin e votave. Ti në fakt nuk i shite sekserit vetëm votën tënde, por i shite dy gjëra. Veç votës i shite edhe kënaqësinë e ditës tënde të pushtetit. Ose më saktë, këtë të dytën ia dhe falas. Ditën e zgjedhjeve sekseri i votave do të zgjohet nga gjumi me ndjenjën e kënaqësisë të të qenit pushtetar, kingmaker, në sajë të zotërimit paraprak të votës tënde dhe të votave të disa të tjerëve që mund të jenë edhe anëtarët e familjes tënde, ose të afërmit e tu, votën e të cilëve ti e ke shitur bashkë me tënden, si pa gjë të keq.
Me kalimin e kohës do të vijë edhe ndjenja e skllavërisë, se politikani të cilit ia ke shitur votën me anë të sekserit, do të duket sikur të thotë nga ekrani i televizorit: Mua nuk ke çfarë të më kërkosh, se shpërblimin e votës që më ke dhënë e ke marrë, aq sa e çmove vlerën e votës tënde. Ndjenja e skllavërisë do të bëjë që të mos e quash ndonjë gjë të madhe përsëritjen e veprimit që ke bërë, kur sekseri i votave të shfaqet përsëri, para zgjedhjeve të ardhshme, për të ta blerë votën. Ai vjen plot siguri se e di që atë të cilin e shtie një herë në dorë, ai bëhet skllavi i tij. Tanimë që ti je një votëshitës përsëritës, ti nuk ke shitur thjesht votën, as thjesht ditën tënde prej pushtetari, kingmakeri, një herë në katër vjet, por ti ke shitur veten tënde. Tanimë ndjenja e skllavërisë bëhet e plotë. Ashtu si të gjithë skllevërit, ti e quan një gjë të natyrshme skllavërinë tënde.
Sentenca famëkeqe e Stalinit “Ata që votojnë nuk kanë rëndësi, ata që numërojnë votat kanë rëndësi”, në Shqipëri tanimë është duke u shndërruar në “Ata që votojnë nuk kanë rëndësi, ata që blejnë vota kanë rëndësi”. Sekserët e blerjes së votave tanimë kanë zëvendësuar në një masë të madhe manipuluesit teknikë të votave. Kjo mënyrë e dytë e manipulimit të zgjedhjeve, me anë të blerjes së votës, është më poshtëruese për ty i dashur votëshitës, se në rastin e parë, kur ti votoje sipas vullnetit tënd, por vota që ti hidhje në kuti nuk numërohej drejt. Në rastin e dytë nuk preket dinjiteti yt, ndërsa në rastin e parë, po. Këtë thënie të Stalinit e dinë edhe sekserët e tu, se e kanë dëgjuar nga politikanët në shërbim të të cilëve janë, të përshtatur me realitetin e sotëm shqiptar, dhe ndoshta ata me krenari profesionale ta thonë edhe ty. Se sot, ata politikanë që blenë vota i instruktojnë sekserët e tyre të votës me sentencën e përshtatur të Stalinit, pra se nuk ka rëndësi të kesh zgjedhës që të mbështesin, por rëndësi ka që të kesh sekserë të votave që dinë të të sjellin votat e zgjedhësve. Kështu ti i dashur votëshitës mëson me fjalët e Stalinit se ti je askushi dhe nëse nuk e shet votën tënde ajo do të shkojë kot, se të tjerët do ta bëjnë këtë.
Por ti që dëgjon vetëm Stalinin nga sekseri i votave, do të habiteshe në qoftë se do të dëgjoje se sa shumë njerëz të mëdhenj e të mençur, të rangut botëror, janë munduar që t’u bëjnë të qartë njerëzve të thjeshtë si ty, me gjuhë të kuptueshme, rëndësinë e votës dhe dëmet që vijnë nga keqpërdorimi i saj, në radhë të parë për atë që e keqpërdor votën. Kur ta shesësh votën tënde, duhet ta dish se ish-presidenti amerikan, Theodore Roosevelt ka thënë: “Një votë është si një pushkë. Vlera e saj matet me karakterin e atij që e përdor atë”. A nuk është thënë në atë mënyrë që ta kuptojnë shtresat e gjëra të votuesve? Dhe në fakt duket sikur ai që e ka thënë ka pasur parasysh turmat e votëshitësve shqiptarë të vitit 2015 dhe 2017 . Sipas kësaj thënieje del se ti i dashur votëshitës ke vrarë veten me këtë armë që të është dhënë ditën e zgjedhjeve. Nuk është çudi që ti i dashur votëshitës, kur shikon në ekran politikanin që mori pushtet me votën tënde, thua pikërisht këtë: “Vrava veten me dorën time!”

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ndricim Kulla

Kryeministri Kurti në Ditën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës: Kemi nevojë për drejtësi dhe përgjegjësi

April 27, 2023 by s p

Prishtinë, 27 prill 2023/

Në Ditën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bën nderim te Memoriali për të zhdukurit.

27 Prilli është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës, por gjithashtu është Dita e të Zhdukurve me dhunë në Kosovë, pra Dita e të Pagjeturve, të atyre, të cilët u rrëmbyen me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, i cili përveç se i rrëmbeu më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë, gjithashtu edhe shumë prej tyre ua rrëmbeu edhe kufomat më pas në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës, tha Kryeministri Kurti.

Ai theksoi se në pesë varreza masive në Serbi janë eksumuar deri më tani rreth 950 kufoma, ndërsa ende janë mbi 1600, të cilët ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit.

Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare, por edhe mobilizimi kombëtar, tha Kryeministri Kurti.

Pranë memorialit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës bën homazhe edhe ministrat Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci, ambasadorë të akredituar në Kosovë, drejtuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të të zhdukurve.

Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës së personave e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën “27 Prilli 1999 Mejë”, shoqatat familjare dhe organizatat vendore e ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur, organizojnë homazhe në Prishtinë dhe Mejë ( Komuna e Gjakovës).

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1702
  • 1703
  • 1704
  • 1705
  • 1706
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT